Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/09/21

At Gjon Shllaku: Roli i françeskanëve në ruajtjejn e identitetit kombëtar



At Viktor Demaj, OFM


Po paraqesim per lexuesin nji shkrim të Át Gjon Shllakut të botuem në vjetin 1940 në revistën e themelueme prej Át Gjergj Fishtes Hylli i Dritës. Át Gjon Shllaku filozof  e françeskanë i pervujtë paraqet sintetikisht kontributin e françeskanëve për ruejtjen e identitet kombëtar gjatë shekujve. Sidomos franceskanët luejtën rol vendimtar gjatë pushtimit barbar të Perandorise Osmane për ma shumë se katër shekuj. Barbarizmi turk në Shqipni kje shkatërrues kulturor, social dhe ekonomik, pasojat e të cilit po i vuejm edhe sot.



Sot françeskanët vazhdojnë me i fal Shqipnisë visaret ma të çumueshme të saj, botimin, ase ribotimin veprave të korifejve të kulturës shqiptare tÁ Át Gjeçovit, të Át Fishtës, të Át Donat Kurtit, Át Justin Rrotes, Át Benedikt Demes, Át Anton Harapit, Át Marin Sirdanit, Át Zef Pllumit, etj. Mbajmë në kambë nji bibliotekë me libra antikë, me doreshkrime arkivore, me botime të rralla,  njimend e vlefshme per kulturën shqiptare. Sot po, kemi Hyllin e Dritës që vazhdon të ndriçojë mendjet e zemrat e  shqiptarëve me shkrime të ndryshme kulturore, filologjike, historike, etj. Mbajtja e ketyne institucioneve kulturore në kambë asht nji barrë e randë ekonomike, por me gjithë keto veshtirësi asht nji kontribut i pazavendesueshem atdhedashunije i Françeskanëve ndaj popullit shqiptar e historisë tonë kombetare.

 

SHQYPTARI – FRATI – SHQYPNIJA
 

Vullkan ende i pafikun, qi bán, bëzân, prân, por qi zien kurdoherë permbrenda, vullkan qi zhberthen kur t’i teket. I randë e hijemadh si malet e hjedhta, me të cilat âsht e thurun kjo tokë, fisi ynë pau boenat e historive, ndieu hungrimet e kafshimet e egercive: u shkel, u shtrue, nuk u shue. Borë jetike e tretun gerdhatash të vetmueme, shí as diell nuk muejten me e shkrí; kermí krepatuese, fushkulluese, të cillen rribëve të kohës nuk u duel kurr me e ndalë. Ky kje, ky âsht fisi i shqyptarit. Ndo’i shkarth repacak mund të zgerdhîhet. Jetoi gjithmonë i lirë. Jetoi i lirë edhe në robní.



Pse lirija nuk epet, nuk bieret, nuk fitohet. Lirija gufon kur trolli i sajë të jetë i shndoshtë, kur nendheu të ketë fuqi me e mbajtë të ngrohtë, me e ushqye. Lirija mugullon, qet synin, zberthen, shprazet, hîn nen dhé, zhduket: pret. Pret puntorët me duer të pastra, të dêjë me kênë flamurtarërt e sajë. E Shqypnís nder kohë të vjetra e dikur nuk i munguen kësi puntorësh. Prej ksaj çerdhe dolen skyferë me çapoj perandorësh. Vigâj idésh së mëdhaja qi i realizuen me hov. Tokë e shkelun, popull i shtypun, komb gati në rektim.



Kështu qindrote Shqypnija në XIII shekull. Gerhatëte në nji gjumë bore robnísh të pershkueme, flête e strukun, e hîme, mbetë gati kurrgjâ prej asaj qi dikuer kje. Trup i plagosun, i mbluem prej mizash, pá fuqín e duehun me i largue. Çë farë burrash e trimash mund të përftote gjaku i idhtë i racës s’onë. Në crescendo-n e këtij epos të madhënueshëm të fisit t’ynë, frati na del para gjithkund. Në daç me butsin e shêjtit, në daç me urtín e diplomatit, në daç edhe me hovin e ushtarit t’eger e fatos. P. Pál Matja hidhet në luftë, e, tu u perleshun fyta-fyt me turk, rrxon prej kështjellit flamurin e gjysë hanës e në vend të tij ngulë atê të Lirís.



Frati matjanë del prej qytetit të dorzuem me flamur nen sjetull e zhduket. Por ká lanë shokë mbas vetit. Këta kan me mësŷ kurdoherë qi flamuri të jetë në rrezik. Plumbi e salvimet janë shperblimi i dêjë qi presin prej anmikut. Konopi, hûni e skreditimet janë nderimi qi u bân vllau i çoroditun. Nder stuhi të ndrrimeve politike janë këta qi i han furra mâ të parët. Flamurtarë desin, flamurtarë zhduken; por flamurtarët françiskan Shqypnín “edhè në vorr do t’a permendin.” Kan me e permendë edhè kur vorri të jetë ndo’i muranë e stolisun.



Per me e dashtë nji popull, duehet me e njohtë. Nuk mjafton por as me e njohtë. Duehet me pasë lé, me u pasë rritë me at popull. Lypet qi vuejtjet e deka t’i kenë shkrî zbashku zêmbrat. Kur dy vetë duehen fort, të dekmen njani, des edhe tjetri. Historija e Shqypnís e historija franciskane në ket vendin t’onë ndjekin shoqa shoqen. Janë dý historí qi shkojn paralel: të njillojta në të çueme, të njillojta në të rrxueme, të njillojta në humbëje. Por gurgullimi i termegëshem i gjakut të fisit t’ynë shfren rregullisht nder perjoda të shkurta, veç të lumnueshme, qi lân jeh të kumbueshëm per perjoda të gjata heshtimit.



Shka i fali franciskani nder kohet e mbrame Shqypnís? 
I fali vehten, i fali jeten e vet. Janoshi e Zymbi janë stërklatë e lá me gjak fretensh të vrám. I fali, i pasqyroi Shqypnís edhè vehten e sajë. I këndoi më Lahutë Kangët e Kreshnikëve, Besën e Burrnin, i ruejti Kanunin e Lek Dukagjinit. Prrallat e Lojët kombtare, Gojëdhanen e Skanderbegut. Pse e pat gjithmonë per zêmer Visarin Kombtar. Franciskant i falen Shqypnís Poetin e fisit, të rracës. Shka u ká detyrë Shqypnija Franciskanvet? Kurrgjâ. Pse Francikant janë të Shqypnís.

A.Gjon Shllaku, o.f.m.

 

JETËSHKRIMI I PATER GJON SHLLAKUT, OFM
 

Pater Gjoni leu në Shkodër me 27 korrik 1907. I jati, Lorja dhe e ama, Maria Ashta në pagëzim ia ngjitën emnin Kolë. Endè i vogël hyni në Kolegjën françeskane të qytetit. Aty kreu filloren e gjimnazin e ultë, tue u dá në shenj për squetësí e mirësjellje.  Me 4 tetuer 1922, shi ditën e Shën Françeskut, veshi petkun e Shenjtit në Troshan. Me 5 tetuer 1923, gjithnjë në Troshan, bâni kushtet e përkohshme. Më 13 shtatuer 1928 u lidh me kushte të përjetshme rregulltare, tue ndërrue emnin e pagëzimit në Gjon. Shpotitej ma vonë: si i krishtênë e kam Shën Nëkollin për gjithë vá, si frat kam Shën Gjonin si vëllá që më mbron.



Kreu shkëlqyeshëm licenë dhe kursin e filozofisë në Atdhé. Ma vonë kje dërgue, si tanë studentat e françeskanëve, përjashta, e pikërisht në Holandë. Kreu atje teologjinë dhe, me 15 marc 1931 u shugurue meshtár. Po në ketë vjetë kje dërgue nga Provinçiali i atëhershëm, Pater Vinçenc Prennushi, ma vonë Ipeshkëv i Sapës (27 kallnduer 1936) e Argjipeshkëv i Durrësit (26 qershuer 1940), dekë në burg në fruer të 1949-ës, në Luvain të Francës. Atje Pater Gjoni ndoq ne e parë degën e shkencave e ma vonë atë të historisë e të filozofisë, tue u laurue me një tezë të shkëlqyeshme në filozofi në vjetin 1936.



Fillë mbas doktoratit, ktheu në vendlindje dhe u vû menjëherë me dhânë mësim në gjimnazin-licé që e kishte pregatitë për universistet. Që në ditët e para u dallue ndër profesora tjerë për kompetencë e metodë mësimi. Pak mbrapa, përposë filozofisë, muer mbi veti edhe gjuhën frangishte, tue çilë, veç orëve të shkollës, edhe kurse të veçanta për të gjithë në ketë gjuhë. I kje ngarkue edhe drejtimi i “Djelmnisë Antoniane”, më të cilën merrshin pjesë, veç nxanësve të liceut, edhe shumë nga ish-nxanësat e gjimnazit “Illyricum”, të rij, profesorë, artistë, shkrimtarë, punëtorë, zanatlij në shenj.



Gropa e Shkodrës, forum i Atenës së kulturës arbënore, kishte gjetë në fratin e ri, udhëheqsin e përshtatshëm. Pushtimi fashist i 1939-ës e xû në ketë detyrë. Simbas traditës së Françeskanizmit në Shqipní e si pasojë e edukatës së fitueme nga të mëdhajt me zhgun: Bardhi, Gjeçovi, Harapi, Fishta, Rrota, Gjoka, që  i kjenë mësuesa mende e zemre, Pater Gjoni përçoi ndër të rij jo veç ndjenjat fetare, por edhe kulturën e shëndoshtë e ndjesitë kombëtare. Edhe atij, si të tjerëve Etën të provinçës fretnore, i kje ideal binomi “Fé e Adhé”.



Prandej më 1939, kur trupat fashiste shkelën tokën e shenjtë të Atdheut, për shkak të qendrimit antifashist, kje shtërngue të largohet në Jugosllaví. Ktheu në Atdhé me 13 qershuer 1940,  mbas shumë ndërhymjesh. Po nuk mujti me e pranue kurr pushtimin, se pushtim do të thotë shkelje, dhunë, padrejtësí. Përherë koherent me parimet shoqnore të Kishës, punoi aty e mbrapa, në heshtim, gjithnjë në mbrojtje të drejtave themelore të njeriut. Edhe në ketë periudhë ai shtoi përherë ma tepër numrin e simpatizuesve.



Pjesa ma e mirë e djelmnisë shkodrane u lidh ngusht me tê.Kur në vendin tonë nisen të mbilleshin, të bîjshin dhe të përhapeshin idé e parime materialiste, të marruna uhá nga marksizmi bolshevik dhe agjitatorë të tij, të mshehun nën maskën e atdhetarizmit e të çlirimit të vendit, e filluen të depërtojnë, nën dhé, në radhët e moshës së ré e të nacionalistave njetmirë të asajë kohe, Pater Gjoni, me një sërë konferencash publike, të mbajtuna në Kishën Françeskanëve të Gjuhadolit, vûni në beh rrezikun e një propagande të tillë, me të cilën ndër né shpërndahej helmi, nën etiketën e mjaltës; shitej shap në vend të sheqerit; mbillej fara e hithave, në vend të barishteve të ushqyeshme; pregatitej shkatërrimi, në vend të përparimit; gatohej robnia, në vend të librimit.



Ai e shihte kjartë rrezikun që na kërcënohej. Parashihte stuhinë, e cila mbas pak kohe do ta pështillte në zí popullin shqiptár, tue kapërdî në gjire të veta kishë e kler, besimtarë e rregulltarë, fshatarë e qytetarë.Mbas hymjes se komunizmit denohet me pushkatim pader Gjon Shllaku. Me Pater Gjonin dënohen për dekë Pater Dajani e Pater Fausti, seminaristat Mark Çuni e Gjergj Bici, mandej civilat Qerim Sadiku e Gjon Vata e disa të tjerë. Sentenca merrte fund më 22 fruer 1946. Ishte agimi i përgjakshëm i 4 marcit 1946.



S’ishte e para herë që shi në orët e para të ditës, në të zbardhun të dritës, në qytetin e Shkodrës ndiheshin të shtîme pushkësh me ushtimë të xânun, si ato që bien në mish njeri. E ‘i mend, komunistat e kishin doke me e zbatue dënimin me pushkatim shi atëherë, kur shumica e banorëve ishte endè në të shtrueme.Bibliografia mbi jeten e Pater Gjon Shllakut asht nxjerr prej librit: Át Daniel Gjeçaj, Galeria e Artit të Martirizimit. Faqe nga tragjedia e Krishtenimit në Shqipní, Botime Françeskane, Shkodër, 2012, f. 36-49.

SHKAMBI I THETHIT... AT DANIEL GJEÇAJ O.F.M. (1913 – 2002)



Nga Fritz RADOVANI:



Malet e Veriut i kanë dhurue Shqipnisë shumë gurë të çmueshem e të fortë! Pak kush ua di vleren e Tyne! Nuk janë shumë të mëdhej para se me u ba ortek e me u rrokullisë nga majet e atyne Bjeshkëve të Nêmuna, që shumë vizitorë e dijetarë i kanë ba me folë me vete…
Bukuria e pejsazhit asht mahnitëse! Ajo shijohet vetem kur i sheh me sy! Madhështia e atyne maleve të ashpra e t’ veshuna me pyje, kullosa e kësula bore, nderthuret me harmoninë dhe zhdervjedhtësinë e trupit njeriut të skalitun nder shekuj nga vetë Dora e Zotit! Atje kanë lindë dhe kanë trashigue deri në ditët tona drangojt e shpellave formulen e patjetersueshme në shekuj, “Atdhé e Fé”, kur edhe Lekë Dukagjini ua vuni emnin në Kanu trashigimtarëve t’ Ilirëve.
At Daniel Gjeçaj O.F.M., ka lé me 14 Tetor 1913, në Thethin e bukur të Dukagjinit, mu në mes t’ atyne Alpeve ku ruhej nder shekuj tradita e paster Shqiptare. Aty filloi mësimet e para të cilat i vazhdoi në Shkoder, në Liceun “Illyricum”, i njohun Kolegji i Fretenëve të Gjuhadolit. Në vitin 1939 asht në Siena t’ Italisë per me vazhdue studimet e nalta. Në vitin 1940, vazhdon një vit studime në Gjermani dhe kthehet në Theth, ku thotë edhe Meshen e parë. Ishte në brezin e njohun të Françeskanëve ma të kulturuem, kur punoi në njenen prej tri bibliotekave ma të pasuna që ka pasë Shqipnia, Biblioteka Françeskane e Shkodres, një nder thesaret e kulturës kombtare, që u plaçkit, u dogj dhe u shperdorue barbarisht mbas vitit 1946, kur kuvendi u kthye në burg nga komunistët. Në vitin 1946, kur po shiheshin gjurmët e shkatrrimit sllavo komunist në Shkoder dhe provinçial i Fretenëve ishte At Mati Prennushi, e largon nga Shkodra At Danielin, per në famullinë Plan, tue e këshillue që të tregohet i kujdesshem, mbasi shpejtë pritej të mbyllej kuvendi dhe do të fillonin edhe arrestimet. (Dishmi gojore e At D. Gjeçaj, 1997, në Shkoder).
Në vitin 1948, një mik i veti e njofton se shpejt At Danielit, do t’i vinin prangat. Per mos me ra në kurthen mizore të sigurimit të shtetit, tue perfitue nga acarimi i mardhanjeve shtetnore mes dy shteteve “miq” Shqipni – Jugosllavi, arratiset atje dhe vetem mbas shtatë vjetësh, arrinë me kalue në Itali, në vitin 1955. Vendoset në Toskana t’ Italisë dhe mbas pak kohe atje shumë të njohun e ngarkojnë me detyrë të pergjegjësit të kulturës pranë Komitetit “Shqipnia e Lirë”.
Lidhjet e Tij edhe me t’ arratisunit tjerë si Prof. Ernest Koliqi, Prof. Karlo Gurakuqi, Prof. Namik Ressuli dhe një brez i tanë i papersëritshem i kulturës Shqiptare në mergim, kalon në Radio Vatikanin, ku zani i At Danielit dha kushtrimin e Lirisë pa pushue deri në vitin 1992.
Emnohet nga Selia e Shejtë, Perfaqsues i Katolikëve Shqiptar në mergim, ku ndihmesa e Tij u njoh edhe në Shoqninë Katolike Shqiptare të Melbournit, së ciles i perpiloi dhe Statutin e saj, të cilin, me pak ndryshime ajo Shoqni e ka edhe sot me nenshkrimin At Daniel Gjeçaj.
Gjatë gjithë jetës së Tij, Ai u qendroi besnik parimeve të veta per “Atdhe e Fe”.

Kontributi i At Daniel Gjeçaj në lamen e kulturës, shkencës, letersisë, gjuhës, historisë së persekucionit komunist në Shqipni, arkivave kulturore, perkthimeve dhe trashigimisë së asaj të së shtrejtes aftësi dhe perkushtim, me ua percjellë të paster brezave të rij porosinë e të Parëve të vet, që jo vetem ishin vra dhe nuk u dihej as vorri, por edhe çdo fjalë e Tyne ishte zhdukë me Ta, per të gjithë kohen sa jetoi, jo vetem punoi pa u kursye, por edhe u dhuroi gjithë thesarin e Tij, Kuvendit Françeskan të rindertuem. Ai erdhi në Kishen e Tij në vitin 2002, i veshun me zhgunin e vet, per me pushue nder Ato temele, ku ishte i fresket Gjaku i Martirëve të Asaj Kishë, që per 47 vjet nen robninë e terrorin ma të tmershm ka provue Ai kler prej gjenocidit komunist. Ai sot asht nder ata vorre ku nuk asht ma asnjë kafkë e Atyne Fretenëve t’ Asizit, që At Danieli i adhuroi dhe i dishroi gjithë jeten e vet.
At Danieli asht puntori ma i perkushtuemi në mergim me ringritë Monumentet e perdhosuna, tue fillue me “Lahuten e Malcis” e deri tek vepra e vet, “Prelë Tuli i Salcës”, ku me një mjeshtri të rrallë na ka dhurue një mbrekulli të vertetë, per trimninë e guximin e Maleve tona kreshnike.
At Daniel Gjeçaj dhe Prof. Gjon Sinishta kanë ngritë Monumente të pavdekshme!
Fjalori që perdori At Danieli, asht ma i pasuni i Gegnishtes letrare mbas At Fishtës. Ai të duket sikur buron nga goja e një figure legjendare që don me na kujtue: “Shifni shka jeni tue rrenue o Shqiptarë!”. Perkthimet e Tij, asht e vertetë se nuk shohin “driten” e botimit, mbasi janë zevendsue me “perkthimet në gjuhen e njësuar të kongresit 1972”, kur u vorros Gegnishtja.
Me të drejtë At Gjeçaj konsiderohet si një nder ma të aftit dhe të pergatitunit si perkthyes i disa veprave kishtare me vlerë: “Meshari i të kremteve” (1966) “Rendori i meshës” (1973) Meshari i përditshëm, Psalmet, trajtue si një pjesë e madhe e Biblës etj., ku spikatë një mjeshtri e rrallë e njohjes së atyne veprave fetare të perkthyeme me saktësi në Gjuhen e bukur Shqipe. Ungjillin ia kishte kerkue Don Simon Filipaj, dhe At Danieli ia kishte dergue...Asnjëherë nuk i kishte shkue mendja se Don S. Filipaj, e kerkon që ta bastardhoi me gjuhen e “njësuar” të “Kongresit 1972”.
Ribotimi i “Lahutës së Malcisë” në vitin 1958, e shoqnueme me komente nga At Danieli, risjellë në kujtesen historike gjurmët e pavdekshme ku shkelën sandalet e Françeskanit tonë.
At Daniel Gjeçaj, në ditët e para të fitores së zgjedhjeve të 22 Marsit 1992, me anen e një mesazhi drejtue fituesëve “demokratë”, të cilët, do të merrnin pushtetin nga “socialistët”, që deri atë ditë ishin komunista terroristë, u ban të dijtun nga Radio “Vatikani”, me rreth 14 ose 15 pika me të cilat duhet ndertue binaja e Demokracisë së vertetë në shtetin e porsa lindun në Shqipni. Jam i sigurtë se as sot e asaj ditë që nga viti 1992, nuk asht zbatue asnjë nga ata pika udhrrëfyese per qeveritarët tanë! – Pse?! – Se asnjëherë, askush nuk ka mujtë me pa të pakten një anderr, që na mund ta quejmë sot, se kjo i perket rrugës sonë “drejtë demokracisë”...
Me datën 3 Janar 1997, kam pasë fatin me u njoh dhe me kalue disa orë në një drekë, që më pat thirrë At Konrrad Gjolaj, ku ishte edhe At Danieli. Ishte e para herë që u njoha afer...
Na tregoi se me datën 5 Janar, do të shkonte në një takim me presidentin Sali Berisha. As At Konrradi, dhe as unë mbas Tij, nuk i dhame asnjë mendim. Kujtoj si tashti, kur e takova me daten 6 Janar në darkë, mbas takimit me presidentin... dhe më tha: “Gjatë gjithë kohës që ishe aty dhe po bisedonim me te, asnjëherë nuk më ka shikue drejtë në sy... E mjera Shqipni!”
Kur e pyeta se, “klerikët e rijë që po bahen, a mendon se ndonjë... mund të ndjekin rrugën Tuej, të pakten në fushen e traditave Atdhetare dhe Fetare, në edukimin e Rinisë Shqiptare?”
– “Nuk mjafton me dashtë, po nuk duhet me drashtë!”... më tha, shumë i topitun.
Dhe, nuk u pame kurrma!
Melbourne, 2013.

Rreth romanit të Petraq Janko PALIT Poliagjentja“Elena Mihallovna” (PATKOI)

Nga Leonidha Naqedhrami



Shkrimtari dhe poeti himariot, Petraq J. Pali

Puna ngulmuese dhe vyrtytet e karakterit se ” Bukuria e artit harmonizon hijshëm me bukurinë e karakterit ” , janë dy komponentë fundamentalë të suksesit të njeriut në jetën personale dhe atë shoqërore . E sidomos kur ato bëjnë një duet harmonik .
Pikërisht mbi këto komponente harmonike, Binomi Pali , At e Bir ,
ka lartësuar obeliskun e krijimtarisë së tij .
Krijimtaria artistike e tyre është një shpërthim i asaj gurre të nëndheshme , e cila akumuloi gjithë jetës thesarin krijues duke e mbledhur me gurgullima artistike të mbyllura brënda vetes .
Po kur të vijë dita , te gjitha kam me i qitun , në njëmijë ngyra të bukura që nuk vdesin ! ” , thoshte i madhi Migjen “ .
Dhe Binomi Pali , At e Bir , është krijim i klimës së re demokratike . Por , për turp të botës , si diktatura komuniste dhe pushteti aktual në Shqipëri , vazhdojnë të njëjtin avaz ndaj Tij .
Falë vetëm sakrificave personale , gati sublime ,të Birit , Petraq Pali , për t’i dhuruar Atdheut gjeninë krijuese të Atit , Janko Pali , rilindasit iluminist , sot ne e kemi në dorë atë, për t’i dhuruar Atdheut sot mundimin e vet krijues për njëzet vjet , ne njëzet e pesë vepra artistike .
Kur sot ndokush përpiqet ç’t'i rrëmbejë Atdheut në rrukullimë katandisjen e tij , Binomi Pali , At e Bir , i falin me modesti madhështore mundimin e vet jetik .
E ky gjest , prag sakrificash sublime , na kujton Rilindasit tanë të përjetshem : Abdyl , Naim e Sami Frashërin dhe të tjerët korifej të saj .
Me kënaqësi tani mundim të pohojmë se Binomi Pali ,aktualisht, është nga prurësit më të mëdhenj letrare në letërsinë shqipe .
Qëndrimi shtetëror indiferent ndaj këtij fondi artistik është apati ndaj vlerave kombëtare .
Burimi Pali, e gjeti përsëri shtegrrjedhën e vet .
Për mua dhe ata që kanë pirë në këtë burim , është gëzim i madh !
Ujë bore , borë i ftohtë , kristal i pastër .
Sa larg nga ai uji komercial i rezervuarëve të ndenjur , që pimë nëpër bidonat plastike .
Ky burim rrjedh nga zëmra e shkëmbit , në bark të malit .
Nën themelet e gurta të shtëpive tona .
Pini në atë burim dhe do ta ndjeni veten të rinj , energjikë, pini në atë burim dhe do te keni ndjesinë e freskisë nëper arteret tuaj , rijësinë e jetes .
S’ e besoni ? !
Provojeni .
Ja ,” Elena Mihallovna ” !
Dhe jam i sigurt se do të thoni menjëhere : –
Sa bukur .
Paske të drejtë !
Burimi Pali, e gjeti përsëri shtegrrjedhën e tij .
Mos shteroftë kurrë !
. . . .
Dhe ” Elena Mihallovna “
*
Letërsia artistike është krijim personal për të tjerët .
Produkt i ndërgjëgjes krijuese , mëndjes e zëmrës . Si e tillë ajo e percipiton këtë materje në mëndjen e zëmrën e lexuesit . Në mëndje , mesazhet , mendimet, idetë , konkluzionet filozofike etj. Në zëmër- ndjesitë , mbresat , emocionet . . . !
Material ky që në brëndinë e lexuesit kryen misionin e katalizatorit të katharisjes , pasurimit e transformimit dhe akselerimit të jetës së vet. Ketë mision human e kryen edhe botimi i ri i shkrimtarit shqiptaro-amerikan Petraq Pali , “ Elena Mihallovna “
“ Elena Mihallovna “ hyn me dinjitet në galerinë e shumëngjyrtë të romanit për veçoritë ideo-artistike që e karakterizojnë : Për subjektin e gjërë , — për veçoritë e brendisë ideore , mesazhet që transmenton , — për formën artistike , naracionin e pasur , — për strukturën kompozicionale , – për vecoritë tipologjike të karaktereve .
Romani ngërthen ngjarje politike e shoqërore prej viteve _ 90 në ish Bashkimin Sovjetik , ne SH . B . A , në Greqi e gjetkë , kur në hipodromin bolshevik , kuajt e kuq u ndërruan me të bardhë , ose laramanë , sepse pa u rrezuar muret e Kremlinit, nuk rrezohesh muri i Berlinit .
Lexuesi sheh Hrushovë , Brezhnjevë , Jelsinë , sheh hijen e Stalinit , që , me thonjë e me dhëmbë rropatën të kalërojnë kuajt e rinj . Sheh dallgë refugjatësh që dynden mbi Perendimin dhe Sh . B .Atë .
Në vorbullën e këtyre dallgeve , autori na njeh me përpjekjet titanike të zonjës Elena Mihallovna nëper fijet e merimangës së kuqe të K. G .
Fusha e luftës së saj mbushet me zbulime , komplote , dënime pa gjyq, kurthe , vrasje e vetvrasje , me terr e me mjegull, ku mafiozët politikë përpiqen të hanë njëri-tjetrin , më shumë mbrapa krahësh se ballë per ballë , kur çdo njeri në B. S. kish pas një spiun e pas tij një tjetër spiun .
Ngjarjet , aksionet e kohes nuk përbejnë direkt objekt me vete . Romani zbulon më shumë , reflekset e tyre në bashkëkohësit , vecanërisht te Elena M . , e cila i përshkon ato nëpër artere . Autori zbulon mjeshtërisht transformimin psikologjik e botëkuptimor të saj nga një agjente , vegël ambulante e K. G. B.–së ,në një heroinë që sublimon për të mirën e Njerezimit , nga një jeniçere sovjetike , në nje heroinë internacionale – Luftëtare e paqes , lumturisë dhe qetesisë , nepërmjet luftës për pastrimin e Njerezimit nga e keqja e vreri i kohës , nga egërsirat e gjarpërinjtë mafiozë ekonomike që pjellin sistemet politike , sidomos në kthesat e tyre regressive .
Përfytyroni zebrën- B.S- që përpëlitet për sheshi . Turma egërsirash mbi të luanë , tigra , ujq , çakenj , hijena , ku secili me gjithë egërsinë përpiqet të ngulë dhëmbët e të rrëmbejë për vete gjithë kufomën . Por , ku lë luani , të hajë tigri ; ku lë tigri të hajë ujku ; ku lë ujku , të hajë çakalli .
Në luftën përpirse , ata hanë edhe njeri –tjetrin . Për t’u dhënë pergjigje enigmave të saj dhe të mafiozëve të vjetër e të rinj politikë , , Elena Mihallovna e merr për dore dhe e përshkon lexuesin nëpër labirinthet e Minotaurit, nga hyrja , deri në dalje të veprës , si Virgjili, Danten nëpër ferr .
Lexuesi përjeton ferrin e kuq Bolshevik , ditët e alarmit të fundegzistencës së tij , pa fillin e “Marjanës në duar .” Sheh kontin Ugolin që brente ashtin e kafkës së arkipeshkv Ruxheros” .Lider të vjetër e të rinj , stalinistë e antistalinistë ,” si merimagat në qyp “ , hanë gjymtyrët dhe kokën e njeri – tjetrit . Në roman njohim jetën personale e shoqërore të Elenës , nga fillimi i saj : femininë , studimet , aktivitetin . Përpjekjet që bën për të gjetur prindët e saj . Gjen varrin e të atit , viktimë . Po nëna ? Enigmat dhe ngjitjet nëpër jerarkinë e K. G . B . _së , C . I. A S.- dhe Asfalisë Greke .
Shohim përplasjet me ta , deri në vetmohim .
Një sërë pyetjesh na ndjekin; C’është “ Patkoi “ ? – PSEUDONIM AGJENTI , KOD , AKSION , APO .. (Mister) ? Si shkoi në Greqi , po në Amerikë , po në Irak , po në misionin anglez ? Ç’e hodhi ne Korfuz , e si u njoh me autorin ?
Si u kthye nga agjente shteterore , në zbuluese e agjenturës ekonomike greke ?
Cilët janë të afërmit . Pse është vetimtare ? A është gjallë sot ? Ne se , po , ku e si jeton ? Ne se –jo- si përfundoi luftëtarja ndërkombetare për lumturinë e Njerëzimit ?
Jeta e saj – enigmaë , apo realitet ?
Duke lexuar përgjigjet artistike të këtyre kureshtive , përjetoni emocione e ndjenja të thekshme herë të gëzueshme e herë të dhimbshme , herë mjaltë e herë vrer , herë buzeqeshur , herë me lot në sy , rob të emocioneve që injekton autori , por gjithmonë i kënaqur dhe Elena Mihallovna do të jetë përzëmersisht në shoqerinë me ty për një kohë të gjatë edhe pas leximit , si e njohura jote e paharruar .
· * * *
Shkrimtari kësaj here del jashtë gjeografisë dhe historisë kombëtare, me prirje të një kozmopoliti për nga gjeografia e subjekti i ngjarjeve dhe personazheve .
Me ketë roman e përfytyron veten mbi ballkonin natyror të Qeparoit ,” Buzën e Burrave “ nga ku sodit ekranin e Jonit me ujdhesat joniane—anije , shtrirë , ankoruar në dykaltersinë e përjetshme si dhe blerimin e përhershëm , fusha poshtë këmbëve .
Ashtu “ Elena Mihallovna “ është kati i 25-të i krijimtarisë artistike të autorit Petraq Pali . Kulla e vrojtimit artistik nga ku shikon gjithë tiparet e arrira te veprave të vazhdës së tij artistike : hijeshinë e gjelberimit narativ , farfurinë e kaltërsisë së çiltersisë narrative , thjeshtësinë kompozicionale , njëlmësinë e fjalës .Autori, është i bindur se veprën s’e bën të bukur trajtimi i ngjarjeve të jashtëzakonshme , enigmave , çudive , por trajtimi bukur i së thjeshtës , të zakonshmes .
Misteri , sekreti e fshehta , enigma , janë për dedektivin , spiunin si mjegulla për ujqit , qe fshihen nëpër të . Mandej , autori e zbulon fshehtësine si tipar immanent edhe në mjediset , banesat , rrugët , zyrat , për të dalë te frika , pasiguria , rreziku i jetës .
Godina , vëthet , kodimet sinjalet , bllokada me kuaj për të shpëtuar të burgosurit nga përmbytja , operacionet e zbulimit , emerohen të gjitha me të përbashktën e vecantë të tyre , fshehtësinë ,prandaj autori i simbolizon të gjitha “ Patkoi “ .
Mënyra se si e afron dhe komunikon me lexuesin , ndërprerjet e bisedës , largimet , drejtimi i hapur , i sinqerte , i çiltër , digresionet , meditimet ndërhyrjet lirike përqasjet , humori a stigmatizimi , janë të kudondodhurat e naracionit te tij . Ai shpesh herë e pyet lexuesin hapur për cilësinë e kijimtarisë së tij artistike .
Ngjarjet i rrefen si dëshmitar aktiv në të gjitha .
Shkrimtari Petraq Pali ështe njohës i thellë i shpirtit njerëzor , nuhatës i shpejtë i karaktereve dhe përshkrues i hollë i psikologjisë së tyre.
Karakteret , personazhet më tepër thurren nga fjala e tij , se sa nepërmjet aksioneve . Formimi , zhvillimi dhe ndyshimi i tyre bëhet bindës.
Fjala e tij , plot dritë e ngrohtësi , ëmbëlsi e dinamizëm e ndjen veten si në istikamin e vet .
Edhe në këtë roman personazhet jane reale- historike dhe të sajuar artistikisht . Por personalitetet historike , s’ janë fotografi e tyre . Pasi kalojnë nëpër kudhrën e mjeshtrit , ata marrin vlera përgjithesuese dhe bëhen zëdhënës të mesazheve të autorit .
Shumë herë , autor e personazh karakterizohen nga e njëjta simbiozi ndjesish : — Sa labirinte ka kjo botë . Sa mistere , sa të papritura . Dhe sa mistere kalon njerëzimi ? !
Duke stigmatizuar shtypjen shtazarake të të varfërve nga të pasurit e pashpirt njerëzor , ai del hapur në përkrahje të drejtësisë së të varfërve dhe ( nëntëksti është çlirimi prej kësaj mbeturine shoqërore të vjetër sa vetë Njeriu .) Dhe të shqetësohesh e luftosh për zgjidhjen e problemeve të mëdha , d. m. th . të jetosh madhërisht edhe pse mund të jesh “i vogël”.
Autori mediton : – Kush e lëviz boshtin gjenealogjik të formacioneve ekonomiko-shoqërore, kataklizmat , sunamet e termetet sociale të shteteve : Partitë ? Qeveritë ? Personalitetet ? Kush e ka në dorë fatin e miliarda njerezve ? !
Mos ndonjë fuqi e tretë pushtetore e 5 a 6 supermiliardereve pas skene? !
Hieja e Stalinit , Hrushovi ,Brezhnjevi , Gorbacovi , Jelsini Andropovi , Çervenkovi e te tjere lidere dështakë , punonjës të lartë të K. G. B-së lëvrijnë nëpër faqet e romanit si krimbat në batak .
Donkishotë Bolshevikë , që zhveshin lëkurën si gjarpëri , me instiktet e vjetra përpiqen t’ i lenë dhëmbët në lëkurën e kundërshtarëve , apo popullit viktimë .
Jeniçeret e bolshevizmit , njerëz të topitur , nga propaganda e kuqe , të ndershëm , besnikë të premtimit të dhënë – Do t’i shërbejmë Atdheut Bolshevik me jëtën dhe vdekjen tonë – si Elena Mihallovna , Mihal Mihajlloviç, , Natalia , Jorgos Mihalopulos (Greqi) , Vitali , Katja , Sasha etj qe bëhën viktimë .
Banditë gjaksorë , komplotistë , trafikantë mafjozë , drogaxhinj , njerez të natës e të rrugës , të cilët bëjnë ligjin – de facto –
Njerëz e punonjes të ndershëm si Elena , N . Simonov , apo daja i Elenes , Maksim Podujev , Andrejev , Çervenkov ,etj.
Elena Mihallovna është figura më e arrirë e autorit , skalitur me gjithë dashurinë dhe nderimin e tij . Ajo është personazh debutues në galerinë e personazheve artistike të letersisë sonë , si nje figureë kozmopolite . Si figurë impersive , me përkushtimin e saj ndaj së mirës së Njerezimit , tepër mbresëlënese . Të befason portreti fizik e moral i saj .
Figura e kësaj qytetareje botërore s’u lë gjë mangut simotrave ndërkombëtarë . Dialektika e saj paraqet lartësimin e një spiraleje të vyrtyteve morale të karakterit të popullit sovjetik , genin e trashëguar të shpirtit të dajës , nënës dhe babait : humanizmin , trimërinë , besnikerinë , bujarinë , ndershmërinë e drejtësinë ,rreptësinë , egzigjencën dhe atyre të popujve të tjerë , të cilat i përvetesoi atje ku jetoi e luftoi : mënçurinë , diturinë , zotesitë profesionale , tolerancë , që e pasuruan karakterin e saj dhe e ngritën drejt përsosmerisë .” Do të bëja të pamundurën , kudo që të ndodhesha të respektoj punën në të mirë të Njerëzimit . Per të do të sakrifikoj sa të jem gjallë .” Ështe kredoja e jetës së saj .
Autori ka meritën se figurën e Elenes, e ka konceptuar esteikisht saktë .
Elena, paraqet krijimin e nje triniteti estetik madhështor ku : bukuria e jashtme fizike , harmonike me bukurinë e brëndshme të vyrtyteve të karakterit , dhe të dyja me bukurinë e intelektit , përbëjnë madhështinë e saj .
Trinitet ky i dhënë në përshkallëzim dialektik .
Ajo që e përveçon Elenen është kaltërsia e ideve qe mbart gjatë gjithë jetës . Kjo , përbën edhe kredon e vet autorit .
n Për hir të detyrave te mia në dobi të Njerezimit , më la nje peng .
n Ështe pengu i zemrës . Unë nuk munda të krijoj familje .. Gjithsesi nuk është kurrë vonë . Amerika është vëndi i çudirave .
Na shfaqet kështu në rrugën dialektike me një optimizëm që buron nga forcat e pashtershme të karakterit të saj !
Kompozicioni mozaikal i subjektit, sipas personazheve , vëndeve , apo ngjarjeve , i ka dhënë dorë autorit të vjelë lendë nga disa vënde , ngjarje dhe persona, të cilat linjëzohen nga mesazhi kryesor i veprës me anë të protagonistes si element strukturor . Prandaj ështe sinjifikative që romani te mbajë emrin e saj si titull.
Kësisoj romani paraqet tre nënromane : – Aktiviteti i Elenes në B. S .,në ish K.G.B.
Aktiviteti ne Greqi , agjente ekonomike e Asfalisë.,
Aktiviteti i saj ne SH. B. A . si zbuluese e C.I.A.-s , të cilët e sinkronizojnë në një roman të vetëm .
Si nënromane ato kanë edhe elementet e veta strukturore që nga fillimi , zhvillimi , kulmi e zgjdhja. Por romani i njezuar ka edhe elementët e veta organizuese , që hapen me parashtrimin : Kush ështe Elena Mihallovna ? Nga vjen ? Cila është e kaluara e saj ?, të cilat që në fillim të nxisin kërsheritë .
Si e tillë , vepra na shfaqet si një pallat tre katesh ., ku çdo kat ka vecorite e destinimit dhe te arkitekturës, ndërsa , si objekt , është arkitekturë unike .
Nga Leonidha Naqedhrami
Londer , 2 . 2 . 2013
- See more at: http://tribunashqiptare.net/?p=13634#sthash.keta19jH.dpuf

“Patkoi”, romani më i ri i Petraq J. Palit




Nga Robert Martiko


Shkrimtari shqiptaro-amerikan Petraq Pali serishmi shfaqet në sytë e publikut nëpërmjet një vepre të re letrare. Bëhet fjalë këtë radhë për romanin e titulluar“Patkoi” me temë jetën e një ish agjenteje ruse të quajtur Elena Mihaillovna, aktiviteti agjenturor i së cilës fillon në kohën e Luftës së Ftohtë për të përfunduar në një poliagjente tepër të rafinuar në radhët e shërbimit sekret amerikan pas rënies së Murit të Berlinit.


Përbën një fakt të pamohueshëm se është në natyrën Petraq Palit që, në një mënyrë të zgjuar e mjeshtërore, të tentojë të rrëmbejë zemrat e lexuesve të tij nëpërmjet temës mbresëlënëse të agjenturës. Disa vite më parë e autorit e ka realizuar një gjë të tillë në një trajtë veçanërisht të suksesëshme nëpërmjet romanit-thriller “Misteri i një vdekje” me hero kryesor Besnik Memën.
Pa u futur në hollësitë e veprës letrare “Patkoi”, mbasi një gjë e tillë do të binte ndesh me kurozitetin e ligjshëm që ngjall fantazinë e çdo lexuesi kur bie fjala për spiunazhin, këtë zanat të vjetër sa vetë Bota Njerëzore, do të doja të bëja pyetjet që vijojnë… Vallë çfarë lloj kulture letrare përdor Petraq Pali në ravijëzimin e karakterit të agjentëve të tij të preferuar? Mos vallë stilin e vjetër italjan që e dënonte të dyshuarin për agjenturë me një plumb pas kurrizit? Mos vallë stilin e kulturës angleze që e konsideron agjentin një individ të edukuar dhe të sjellshëm? Apo atë të kulturës amerikane, ku misjonari paraqitet në trajtën e një qënieje djallëzore dhe, gjithashtu, jo pak herë të ndriçuar prej dritës morale të një xhentëlmeni mirëbërës?…
Si lajmërues i daljes në qarkullim të romanit të mësipërm prej një shtëpie botuese dinjitoze si“Milosao” – Sarandë, me duhet të mbaj në këtë rast, edhe unë, heshtjen e një agjenti të vërtetë. Të kapërcej drejt e në bark të gjitha mikroçipsat apo mikrofilmat e mundshëm, eventualë… Të mos jap asnjë sqarim tjetër. Gjithshka ta lë në dorën dhe vlerësimin e mençur të vetë lexuesit shqiptar në lidhje me romanin e mrekullueshëm “Patkoi” të shkrimtarit tashmë mjaft të mirënjohur Petraq Pali.
Nuk më mbetet veç ti uroj autorit të mësipërm suksese të mëtejshme…

" Zhorzh Simenoni" nga Qeparoi



Romani "Patkoi" i Petraq Palit

( esse)

Nga Përparim Hysi


Sekush është Zhorzh Simenoni, çdo lexues i mirëfilltë e di. Është ai shkrimtari i dëgjuar francez që është fokusuar tek lexuesit përmjet një personazhi shumë intrigues: Komisarit Megre. Ku kish krime apo shkelje të ligjit, atje do gjeje dhe komisarin Megre. Komisari Megre është ai "vëllai siamez" i të shquarit Sherlok Holmës.
Ky, Holmësi, është bërë mitik përmjet Konan Dojlit. Përgjithësisht, romane ku personazhe janë Holmsi apo Megreja janë nga më interesantët. Kur shkruaj kështu, natyrisht që nuk jam unë që po "thyej vezën e Kolombit", se, siç mendoj unë, ky është një mendim që nuk ka nevojë për komente. Është si ai fshati që duket, që nuk ka nevojë për kallauz. Atëherë, vetvetiu, lind e menjëherëshme pyetja: - Kush qenka ky "ZHorzh Simenoni" nga Qeparoi? Pa e shtyrë në mëdyshje cilindo që do marrë mundimin që të lexojë këto rreshta modeste, po ia shuaj kurreshtjen: ZHorzh Simenoni nga Qeparoi, është shkrimtari Petraq Janko Pali nga Qeparoi që sa jeton në Virgjinia të Amerikës, aq dhe në Qeparoin e tij të bukur e të pandërrueshëm me asnjë vënd tjetër.



* * *
Jo çdo lexues mund të jetë i kënaqur me përgjigjen time dhe ca më shumë me nominimin tim për Petraq Palin. Disa do ta marrin këtë nominim si një ngutje timen apo si një hamendësi të qëllimshme. Por nuk është kështu aspak. Në arrita te ky nominim për shkrimtarin dhe poetin Petraq Pali, kam se ku mbështetem. Mbështetem tek hulumtimi i thellë i tij në bëma e ngjarje, ku një krijues do si do ( ta zëmë si puna ime, për mos lakuar ndonjë tjetër ), kurrë nuk do të arrinte që të jepte para lexuesëve një roman si "Patkoi". Po e them që në fillim: të çuditë fakti se si autori di që të futet mu "nën lëkurë" të personazheve dhe, si eksploron si me një "lupë" çdo qelizë, vjen dhe na sjellë ca të vërteta që të trondisin. Çudi tjetër me këtë shkrimtar është dhe një fakt tjetër: Petraq Pali asnjë ditë nuk ka punuar në ato organe (zbulimi) ku t'i jepet mundësia që, përmjet arshivës, të na servirë këto të vërteta. Ai vërtet nuk mban në gojë atë "llullën mitike" të Simenonit, që,tek tymoste me nge, mbushte faqe e faqe me të njëjtin personazh: Megrenë. Jo. Petraq Pali ka një "nuhatje" tjetër. Dikur kur bëja historinë e lashtë, profesori i ndjerë Shaban Demiraj, thoshte: " Demosteni ka patur një hundë që nuhaste larg". Më duket se dhe Petraq Pali si shkrimtar që trajton të tillë tema, ka "hundën e Demostenit". Ja dhe një atribut tjetër. NJë tjetër, por që i shkon,ama. Nuk është prova e parë e tij.
Ai e ka kaluar Rubikonin që në vitin 2010 me romanin "ZHdukja misterioze e Besnik Memës". Veç ata që e kanë lexuar atë roman, mund të më japin të drejtë.
Si një nga ata që e çmova atë roman me temë të "tejkaluar" pak nga koha, mendova se me kaq dhe Petraq Pali o do t'i kthehej gjinisë së tregimit, o do na dhuronte ndonjë libër me poezi lirike, ku natyra aq e bukur e bregdetit do ishte si një vello nuseje, për vargjet të mbushura edhe me sharmin e nurin e vajzave e grave të atyre trevave. Vjershërimi e ka si në vënd të tespijeve: po t'i referohem Nolit, do të thosha: " I shkruan poezitë me aq lehtësi, sa zë burri vesh'n e tij". Por ja tek vjen befasisht, me një roman të tillë,si "Patkoi".

* * *
Romani "Patkoi" është krijim i tij, po nuk është "shpikje" e tij. Ngjarjet që zënë fill në roman, ai i ka mësuar "rastësisht". Rastësisht, por rasti a nuk është "mbreti i botës". Në qendër të romanit është ukrainase e bukur, Elena Mihaillova. Petraq Pali nuk qe ai "kavalieri galant" që ra preh e kësaj bukurie. Dhe në se ka ndodhur ( njerëzit e letërsisë e artit janë vlerësues të së bukurës), kjo jo vetëm që nuk ia prish vlerat, por ia rrit dhe më shumë karizmën prej krijuesi. Duke njohur këtë ukrainase të bukur, ai nuk i ngjau atij oficerit holandez që, obsesuar nga bukuria e të famshmes Matta Hari, ra në rrjetën e saj të zbulimit. Pastaj më keq e pati ai ,rusi Vandim dhe "peshqit që ranë në rrjetë të Mata Harit" qenë të shumtë. Petraq Pali jo vetëm ruajti gjakftohtësinë, por me një kthiellësi proverbiale arriti që të na japë, si në një sini ku serviren "gatime të ndryshme kulinare". Është një "kuzhinë" ku "gatuhet" nnjë lloj gjelle tjetër.
Duke u njohur me një personazh mitik,tanimë, si Elena Mihajllova, lexuesi mer vesh gjithë "gatim special" të shkollës ruse made in Xherxhinsk dhe më tej. MIhajllova e Petraq Palit është më tepër se një Mata Hari. Mihajllova dhe ish shokët e shoqet e saj të shkollës,janë si një "klon",i njëjtë me atë delen "Dolli" në Angli. Tej kësaj historie, Mihajllova, të kujton jeniçerët e dikurshëm të sulltanit. Nënë e baba kishin sulltanin, kurse Mihajllova dhe "disa" si ajo: Bashkimin Sovjetik. Të gatitur kështu, ata qenë gati të flijoheshin për atdheun e tyre. Sa më tepër të lexosh, aq më i plotë bëhet portreti i saj. Duke na sjellë një personazh të tillë, Petraq Pali, na thotë: - Shpesh fatet e njerëzve, ndonjëherë dhe të shteteve, vendosen në "surdinë". Personazhet që veprojnë, pas skenës, vërtet janë të padukshëm, por pesha e tyre, është e madhe dhe, ndonjëherë, e pakompensueshme. Mendoni, vetëm një çast, "si vëllain e MIhajllovës", Kim Filbin. Ca kohë para Filbit, Sorgen apo dhe ndonjë tjetër të këtyre përmasave.

* * *
Për mos u bërë i mërzitshëm dhe të bezdisë lexuesin me këtë ligjëratë modeste, dua të theksoj: Mihajllova qe një zbuluese e shquar sovjetike. Kur "fryjtën erërat e perëndimit" dhe vdiq Bashkimi Sovjetik, ajo emigroi në Greqi. Populli ynë ka një fjalë të bukur:" Sumbullën e artë nuk e lë njeri të bjerë për tokë". Asfalia greke e mori këtë "sumbull të artë" dhe pati përfitime të mëdha. Më tej Mihajllova "shtegton" për në USA. Edhe këtu e bëri beli. "Shërbeu" në atë "zanatin made in Xherxhinsk" duke dhënë një kontrbut me vlerë në luftën e Irakut. Tani ajo jeton diku në afërsi të Uashingtonit dhe, në se nesër do të duhet andej nga Arabia ku "fryn era e pranverës arabe", ajo prapë do japë kontributin e saj. Mihajllova është kozmopolite dhe tani mbron popujt që luftojnë për liri e demokraci.
E, sa për Petraq Palin që e ka "gjitoni", jam i sigurt që me të mbrritur në Amerikë, do t'i "ngrejë prapë ambasadat me të" dhe, në se ajo niset me "shëbim", ZHorzh Simenoni nga Qeparoi do shkruaj një roman tjetër. Po a ka më bukur se kaq? Nuk besoj. Jam i ndërgjegjshëm që kështu do ndodhë. Ai e ka kaluar Rubikonin dhe ne, lexuesit e shumtë të tij, (unë jam një nga ata ) mezi po presim. O burra, Petraq!

Tiranë, 21 shtator 2013

2013/09/20

Legjenda shqiptare e «Rotshildëve»

JEMI «TË DËNUAR» TË BASHKOHEMI DERI NË KUFIJTË E SHQIPËRISË NATYRALE


Hebrenjtë janë ndër kombet që kanë pasur më shumë legjenda në rrugëtimin e tyre kombëtar. Një ndër legjendat më të njohura ka të bëjë me familjen e njohur Majer-Rotshild. Thelbi i saj, në formë historie është si më poshtë:
-Sa Kombe ka në botë baba- e pyeti djali Natan Rotshildin.
Dhe ai u përgjigj :
-Dy more bir dhe mos e harro këtë; hebrenjtë dhe të tjerët.


Edhe shqiptarët kanë legjendat e tyre, në mënyrë figurative kanë «Rotshildët» e tyre. Legjendat më të shumta janë të përhapura në Veri të Shqipërisë, në Kosovë. Ja një prej tyre:
-Sa Vjosa ka në Shqipëri baba-, e pyet vajza babain në Kodrën e Trimave, në Prishtinë.
Dhe ai i pergjigjet : -Dy moj bijë dhe mos e harro kurrë këtë, një në Jug dhe 200 në Veri.(Imagjinoni sikur legjenda të kthehet në realitet, me 200 Vjosa, Liqeni i Fierzës, I cili e ka kapacitetin ujëmbledhës 14 mijë kilometra katrorë, nuk do të shterojë kurrë dhe nuk do të ketë kurrë krizë dritash për shqiptarët.)
-Sa Berat ka në Shqipëri- e pyet djali babain në Mitrovicë.
Dhe ai i përgjigjet : -Dy more bir, një në Jug të Shqipërisë dhe mbi pesëqind në Veri të saj. («Beratin», shqiptarët në Kosovë e kanë çuar deri në Kuvënd, deri në në drejtimin e gazetave të Kosovës, në biznesin e Kosovës. (Eshtë i lashtë Berati, më shumë se 2400 vjeçar)
-Sa Vlora ka në Shqipëri moj nënë- e pyeti vajza nënën diku në Drenicë ?
-Dy moj bijë dhe mos e harro, një ne Jug dhe qindra në Drenicë të kuqe dhe Drenicë të Pashës, në Pashtrik dhe Nerodime, në Llap dhe në Shal-Bajgorë-.(«Vlora» është edhe në këngën e Kosovës, edhe në zëdhënien e partive të Kosoves, është në gjithë Kosovën. Një nga Vlorat e
Kosovës është edhe kandidate për deputete).
-Sa Saranda ka në Shqipëri ? e pyet vajza nënën diku në Preshevë.
Dhe ajo i përgjigjet : -Dy moj bijë dhe mos e harro këtë ; një në Jug dhe njëqind e një në Veri, në Luginë, në Prishtinë. Deri edhe në biznes. (Saalbatring është emri i nje firme shqiptare diku në Veri të saj, e formuar nga shkurtimi i emrave Sarandë, Albani, Tringë). Ndërsa një Sarandë në Kosovë është kandidate për deputete.
-Dy moj bijë dhe mos e harro kurrë këtë, një në Jug dhe 200 në Veri.(Imagjinoni sikur legjenda të kthehet në realitet, me 200 Vjosa, Liqeni i Fierzës, I cili e ka kapacitetin ujëmbledhës 14 mijë kilometra katrorë, nuk do të shterojë kurrë dhe nuk do të ketë kurrë krizë dritash për shqiptarët.)
-Sa Berat ka në Shqipëri- e pyet djali babain në Mitrovicë.
Dhe ai i përgjigjet : -Dy more bir, një në Jug të Shqipërisë dhe mbi pesëqind në Veri të saj. («Beratin», shqiptarët në Kosovë e kanë çuar deri në Kuvënd, deri në në drejtimin e gazetave të Kosovës, në biznesin e Kosovës. (Eshtë i lashtë Berati, më shumë se 2400 vjeçar)
-Sa Vlora ka në Shqipëri moj nënë- e pyeti vajza nënën diku në Drenicë ?
-Dy moj bijë dhe mos e harro, një ne Jug dhe qindra në Drenicë të kuqe dhe Drenicë të Pashës, në Pashtrik dhe Nerodime, në Llap dhe në Shal-Bajgorë-.
(«Vlora» është edhe në këngën e Kosovës, edhe në zëdhënien e partive të Kosoves, është në gjithë Kosovën. Një nga Vlorat e
Kosovës është edhe kandidate për deputete).
-Sa Saranda ka në Shqipëri ? e pyet vajza nënën diku në Preshevë.
Dhe ajo i përgjigjet : -Dy moj bijë dhe mos e harro këtë ; një në Jug dhe njëqind e një në Veri, në Luginë, në Prishtinë. Deri edhe në biznes. (Saalbatring është emri i nje firme shqiptare diku në Veri të saj, e formuar nga shkurtimi i emrave Sarandë, Albani, Tringë). Ndërsa një Sarandë në Kosovë është kandidate për deputete.
Mund të vazhdonim akoma, janë me mijra «Berat, Vlora, Saranda, Delvina, Labinot, Shkumbin, Vjosa etj» që ndodhen në Kosovë në emra burrash dhe grash, djemsh dhe vajzash shqiptarë. Cfarë është kjo dukuri, përse flet kjo legjendë që vazhdon edhe ne fillim shekullin e 21-të ? Nuk është shënjë paganizmi, as afetarizmi, është thjesht Shqiptariadë. Ata nuk kishin mundësi ta kishin Jugun real në vëndin e tyre, prandaj e morën atë në shtëpitë e tyre. Dhe kësisoj Jugu i Shqipërisë ndodhet i tëri në Kosovë, në Veriun e Shqipërisë. Vështirë se mund të gjesh në historinë, mitet apo legjendat e kombeve, të atyre që janë në BE dhe atyre që nuk janë, të atyre që janë në Europë dhe të atyre që nuk janë, ndonjë histori të ngjashme me këtë shqiptariadë. Vështirë se mund të gjëndet ndonjë legjendë që të përgjasojë me legjendën e sapothënë. E madhe, stërmadhe ka qënë përpjekja për të shbërë kombin shqiptar, por shumë herë më e madhe ka qënë rezistenca për të mos u shbërë, për të mbijetuar, për të jetuar dhe së fundi për tu zhvilluar. Hebrenjtë u bënë shtet dhe komb. Shqiptarët janë akoma të pabërë. Atyre u thonë që është më mirë të shtetërohen edhe në shtete të huaj dhe të mos kombëtarizohen në shtetin e tyre. Atyre u thonë që të mos bashkohen, që Jugun ta kenë në tjetër shtet dhe Veriun në tjetër shtet, që Lindjen ta kenë në tjetër shtet dhe Perëndimin në tjetër shtet.
Prandaj edhe Legjenda shqiptare e «Rotshildëve» vazhdon. Dhe aty ku vazhdon legjenda, mungon realiteti. (Vlora do të zgjidhet deputete e Kuvëndit të Kosovës, Berati do të zgjidhet deputet I Kuvëndit të Kosovës. Edhe Saranda do te zgjidhet deputete e Kuvendit te Kosoves)
Prandaj edhe ky komb sa i pabërë, aq dhe i pavdekur po kërkon rrugë të tjera për tu bërë. Dhe për tu bërë si gjithë të tjerët, rrugët janë të gjitha të hapura
Dhe një nga ato rrugë është çka do të trajtojmë në këtë libër.

Për të lexuar librin e plotë, ju lutem klikoni këtu!

Platforma e Shqiperisë Natyrale

(Nga Platforma e Shqiperise Natyrale, faqe 234)
........Na thone se kombi shqiptar nuk ka nevoje te bashkohet por duhet te ndjeke shembullin e Gjermanise, Zvicres dhe Austrise. Eshte nje teze kunderhistrike dhe kundershqiptare. Eshte kunder historike sepse kur ne vitin 1291,  perfaqesuesit e kantoneve te Urit, Shwycit dhe Untervaldenit vendosen themelimin e e Konfederates Helvetike, ne Gjermani jetonin akoma fise gjermane, por jo shtet. Kur Aus...tria ne vitin 1815, pas disfates se Napoleonit u be kreyqendra e Koncertit te Vienes duke u dhene tonin per gati nje shekull marredhenieve nderkombetare, Gjermania akoma nuk ishte e bashkuar. Ndersa ne 28 nentor 1912, ata politikane shqiptare qe u mblodhen ne Vlore, ishin jo vetem nga gjithe hapsira e kombit shqiptar, por edhe shpallen pavarsine e Shqiperise natyrale, qe shtrihej ne 4 vilajetet e atehershme otomane.

Por modeli qe na serviret eshte edhe kundershqiptar. Konferenca e Londres e vitit 1913, i coptoi shqiptaret ne 5 pjese, mbi bazen e llogjikes koloniale, duke shperblyer me teritore shqiptare shtetet fqinje qe u konsideruan fitimtare te Luftes ballkanike apo qe kishin mbeshtetjen e kesaj apo asaj fuqie te madhe.

Por a ka nje model europian qe duhet te ndiqet edhe per Kombin shqiptar? Ka, dhe eshte shume i fresket. Dhe ky eshte shembulli gjerman. Gjermania ne vitin 1945 u nda ne kater pjese dhe me vone ne dy pjese per te kenaqur fitmtaret e Luftes se dyte boterore. Pas 45 vjtesh, kjo padrejtesi koloniale mori fund dhe Gjermania u bashkua. Ky eshte shembulli qe vlen edhe per kombin shqiptar. Perndryshe, kemi te drejte te pohojme se perballe kombeve dhe ceshtjeve te tyre kombetare, bashkesia nderkombetare aplikon dy standarte. Segmente te ndryshme te BE shprehen se ne rastin e Gjermanise kjo ndodhi pasi Gjermania Perendimore e kishte sanksionuar ne Kushtetute bashkimin kombetar. Po edhe ne Shqiptaret e kemi te sanksionuar ne Kushtetute bashkimin kombetar, bile ne Preambulen e saj. Dhe kete Kushtetute pasi e miratuan shqiptaret e konsideruan te drejte edhe juristet e nderuar te Komisionit te Venecias, edhe ekspertet e NATO. Prandaj ne kemi te drejte tu drejtohemi politikes dhe diplomacise gjermane: Na ndihmoni edhe ne te bashkohemi ashtu sic u bashkuat ju. Ju jeni Lokomotiva e BE, mos lejoni qe ne gjirin e saj te ekzistojne dy standarte ne ceshtjen kombetare, nje per kombet e medhenj dhe nje per kombet e vegjel.(Nga Platforma e Shqiperise Natyrale, faqe 234)


Për të lexuar një përmbledhje të librit, ju lutem klikoni këtu!

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...