Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/10/19

Lufta kundër trafikut, Rama: Aksion i menjëhershëm, Tahiri: Sipërmarrje e përbashkët

Lufta kundër trafikut, Rama: Aksion i menjëhershëm, Tahiri: Sipërmarrje e përbashkët
Në konferencën kundër trafikimit të personave kryeministri Edi Rama theksoi domosdoshmërinë e një aksioni të menjëhershëm kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe shprehu vendosmërinë e qeverisë së tij për të angazhuar të gjitha burimet njerëzore, mjetet teknike dhe mbështetjen financiare, për të arritur rezultate konkrete në këtë drejtim.
Sipas tij lufta kundër trafikimit kërkon një bashkërendim të sofistikuar institucional, që siç tha ai do të bëhet i mundur përmes themelimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, që do të shërbejë si hallka lidhëse për koordinimin e organeve të rendit me ato të drejtësisë.
“Kjo sfidë sado komplekse dhe e vështirë është një emergjencë shoqërore, por edhe një emergjencë që lidhet me domosdoshmërinë për të mos lejuar që Shqipëria të hyjë në kutinë e zezë të vendeve që konsiderohen sot si pa shpresë. Kjo çështje kërkon një aksion të menjëhershëm, dhe të orientuar nga rezultatet. Hapat e mëtejshëm do të japin rezultate të menjëhershme, reformimi i policisë edhe në këtë aspekt, përmirësimi i kuadrit ligjor, mirë koordinimin e organeve të drejtësisë dhe të rendit në përgjithësi. Me themelimin dhe fuqizimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, një strukturë e re që së shpejti do të vihet në jetë, do të kemi një standard tjetër në hetimin e veprave penale, duke forcuar gjithë zinxhirin institucional dhe duke pasur një hallkë të munguar për të koordinuar organet e rendit me organet e drejtësisë”.
Duke iu referuar edhe raporteve të DASH-it dhe BE-së, kryeministri deklaroi se Shqipëria gjendet sot përballë një tabloje të dhimbshme, përsa i përket trafikimit të qenieve njerëzore.
“Dallohet qartë sofistikimi i veprimtarisë kriminale që forcon dhe zgjeron rrjetet e trafikimit dhe nga ana tjetër një shtet krejt të paaftë për tu përballur me këtë fenomen që shpesh herë bëhet tragjik për jetën e njerëzve. Arsyet që gjendemi përballë kësaj tabloje janë komplekse, por nuk ka se si të mos nënvizohet mosfunksionimi i organeve të drejtësisë dhe të rendit në radhë të parë. Korrupsioni që duke përfshirë ato ka sjellë keqfunksionim të plotë të drejtësisë dhe rendit”- deklaroi Rama, i cili shtoi se edhe në luftën kundër trafikimit, Shqipëria ka dy aleatë të mëdhenj, SHBA-në dhe BE-në.
“Shqipëria sot është e dobët, ka shumë sfida të mëdha, por Shqipëria sot ka dy miq të mëdhenj, dy partnerë të mëdhenj, ka dy krahë që nuk do ta lenë kurrë të përplaset përtokë, që janë SHBA dhe BE-ja.”- përfundoi Rama.
Tahiri: Lufta kundër trafikut, sipërmarrje e përbashkët
Nga ana e tij ministri i brendshëm Saimir Tahiri theksoi domosdoshëmërinë e bashkërendimit të punës mes ministrisë, agjencive përgjegjëse, shoqërisë civile, për të luftuar trafikun e qënieve njerëzore.
“Sot i shpallim luftë trafikimit të qënieve njerëzore dhe asetit kriminal që sot e gëzojnë skllavopronarët. Luftën kundër trafikut e shpallim si sipërmarrje të përbashkët të qeverisë e çdo dikasteri që ka rol në këtë luftë së bashku me shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë” theksoi Tahiri.
Duke nënvizuar se pas çdo lypsi të vogël në rrugë qëndron një trafikant, Ministri i Brendshëm u bëri thirrje qytetarëve që të mos u japin lëmoshë fëmijëve në rrugë, për t’i shpëtuar ata nga skllavëria.
“Të gjithë bashkë si shoqëri ndalojmë dhënien e çdo qindarke për këta fëmijë, pasi kështu i kemi shpëtuar përfundimisht nga skllavërimi. Përmbajmë ndjenjat dhe kështu i kemi çliruar nga skllavëria. Luftën kundër skllavopronarëve modernë do ta fitojmë të gjithë bashkë dhe unë jam i bindur për këtë. Kjo luftë të na gjejë në të njëjtin front dhe në të njëjtën anë, në anën e suksesit.”- përfundoi ministri Tahiri.
Në konferencën kundër trafikur ishte i pranishëm ehde ambasadori i BE-së në vendin tonë Etore Sekui.

2013/10/17

Rina Cakrani ‘Rrufepritësi’

Title:

Rrufepritësi: roman.

Subtitle:
Author:
Year:
2013
Place:
Tiranë
Publisher:
Country:
Albania
Pages:
Br., 179 S.
ISBN:
978-99943-1-911-4
Media:
Weight:
250 g.
Price:
20,00 Euro
Order number:
7333261



Ngjarjet e romanit janë të vendosura në dy prej qyteteve më të njohura të Brazilit: Sao Paolo dhe Brazilia, në të tashmen dhe të shkuarën (falë leximit të një ditari).


Familja e Dolores dhe Paolo Dos Santos Oliveira Gostinja, jetonte në njërën prej lagjeve të Sao Paolos. Dikur kishte qenë një familje e lumtur, pa problem familjare, me të ardhura ekonomike të mira, por tashmë që Paolo vazhdonte të pinte më shumë alkool, si mënyra e vetme për t’u larguar nga realiteti, grindej çdo ditë me Doloresin, edhe për gjëra fare pa kuptim, madje dhe para syve të fëmijëve, grindeshin kudo… Madje, ndonjëherë, kur ishte tepër i pirë, ushtronte dhunë edhe ndaj fëmijëve, sidomos ndaj Andreas, djalit të tij të vetëm. Kishin tre fëmijë, Andrean, Sonjën dhe Martinën.











Fragment nga romani “Rrufepritësi” i autores Rina Cakrani.



Po e shfrytëzoj këtë ditë për të shkruar një parafrazim të jetës sime, ose më saktë të kësaj aventure të madhe, të cilën Zoti më dha mundësinë ta shijoja. Nuk po them që ka qenë një jetë pa gabime, por pa dyshim që ka qenë një jetë e madhe. Tani që kthej kokën pas, e di që s’më ka mbetur asnjë peng, ndihem plotësisht i realizuar dhe i gëzuar që jeta më ofroi këto mundësi kaq të mëdha. Mbi të gjitha, e ndiej se duhet të falënderoj Zotin që më dha forcën dhe besimin e duhur për të ndërmarrë një rrugë që s’ka qenë aspak e lehtë, madje herë-herë ka qenë edhe më e vështirë se ç’duhej. Por nuk ankohem aspak. Pengesat dhe vështirësitë të kalisin, ashtu siç më kanë kalitur dhe mua. Kam jetuar një dashuri të madhe. Tani Klarisa ime e dashur nuk është më, por unë ndiej se do i bashkohem asaj shumë shpejt. Kam një nip dhe dy mbesa të mrekullueshëm, të cilët më shtojnë ditë për ditë buzëqeshjen. Kam miq që më kanë qëndruar pranë në çdo moment. Njoha tradhtinë, mashtrimin, dashurinë, zilinë, fisnikërinë, bujarinë, madhështinë, rrënimin, por s’e kam dhënë veten në asnjë çast. Më kanë frikësuar ëndrrat e mira, por nëse ato nuk të frikësojnë, do të thotë që s’janë të mëdha. I realizova ëndrrat e mia, që, siç thoshte mamaja ime, dukeshin të pamundura. Më kujtohet ajo reklama e Adidas-it “Impossible is nothing”. Unë i ktheva në të mundura. Kam qenë fitimtar dhe ende ndihem si i tillë, sepse kam arritur ç’kam dashur dhe kam qenë gjithnjë i drejtë dhe i bindur. Por, mbi të gjitha, kam mësuar se Zoti s’të lë asnjëherë në baltë. Lotët t’i transformon në buzëqeshje, dhimbjen në forcë, dobësinë në besim dhe ëndrrën në realitet
.

Në Shkup të atin e Nënës Terezë e helmuan serbët


Shkruan: Fahri XHARRA

Shqiptarët ishin gjithmonë halë në sy për pushtuesit sllav dhe osman dhe më vonë gjatë shekujve i të dyve. Në fillim ndarës e më vonë në bashkëpunim i kushtëzonin shqiptarët që të kalojnë në serbë-ortodoksë ose në myslimanë-turq. Metodat ishin nga më të ndryshmet, nga ato të dhunës e të vrasjeve e deri në ato të joshjeve të posteve dhe të pasurisë.
Sllavizimi dhe turqizimi i shqiptarëve
Fanatizmi serb dhe racizmi i tij anti-shqiptar së bashku me anti-shqiptarizmin turk, herë veçmas e herë së bashku; bile edhe sot është aktiv…“ Këmbëngulja për t’mos u shkëputur nga thelbi i së keqes, do të çonte herët a vonë te e vërteta e hidhur se gjithmonë është e njëjta Serbi “(Ismail Kadare – Mbi krimin në Ballkan). Serbët nuk janë aq kokëkrisur heroikë siç e reklamonin vetën. “Nuk është fort e besueshme sidomos, po të vihej re flirti i këtyre me vendet arabe dhe veçanërisht me Turqinë. Njoftohej se në kohët e fundit Ankaraja i bën lavdërime presidentit serb Boris Tadiqit, si një paqeruajtës rajonal. Pra, serbët kur kishin interes dhe në këtë rast interesi kryesor ishte mosnjohja prej vendeve myslimane e Kosovës dinin fare mirë të hiqnin dorë edhe nga krenaria krishteromadhe dhe të vinin deri te gjysmëmyslimanizmi i tyre” (Ismail Kadare , Mbi krimin në Ballkan).
Se si sllavizimet dhe turqizimet e shqiptarëve ishin të vazhdueshme dhe në bashkëpunim në mes të serbëve dhe osmanëve, tregon letra e të dërguarit Francez në Shkodër Louis Heckart e shkruar shtetit të tij me 24.07.1880: “Zoti Corti besonte se do të ishte më e kuptueshme që katolikët shqiptarë të pranonin dominimin malazias se sa ata mysliman, porse doli e kundërta” (letër në Arkiva e luftës Seria Nr. 1872-1919, Francë.) Këtu ishte ndikimi turk te shqiptarët myslimanë. Qëllimi i bashkëpunimit serbo-turk për ndërrim të shqiptarëve ishte fokusuar te shqiptarët katolikë, sepse të tjerët veç ishin myslimanizuar. “Nuk më befasonte që serbët e urrenin islamin por u gurëzova kur e pashë që ata e urrenin edhe kishën tjetër të krishterë. Nuk e pritja që katolikët shqiptarë ishin më shumë të urryer nga sllavët se myslimanët ( E.Durham, Londër 1920). ”Urrejtja serbo-ortodokse ndaj katolikëve u pa me 1913 në Luftën Ballkanike kur malaziasit në emër të çlirimit të krishterëve e sulmuan kishën shqiptare të Mazrekut, duke shkatërruar çdo gjë bile edhe freskat e të shenjtërve në muret e kishës (E. Durham). “Më 1913 një numër jo i vogël ushtarësh të prirë nga një pop ortodoks e rrjepën për së gjalli deri në vdekje Luigj Palin, prift françeskan shqiptar nga Gjakova, sepse nuk kishte pranuar të kryqëzohej në ortodoks (E.C. Helmreich, The Diplomacy of Balkan Wars, 1983 Harward)
Vrasja e katolikëve
Më 20 mars 1913, gazeta “Reichpost” shkruante: Ne rrethin e Janjevës mbi 400 vjet nga sot, rreth 8000 shqiptarë katolikë, të ashtuquajtur laramanë apo katolikë të fshehur, jetonin aty. Kur mbërritën serbët, me qindra nga këta laramanë deshën që haptazi të deklarohen që janë katolikë. Kur përfaqësuesi i shtetit serb të instaluar rishtas dëgjoi për këtë, tha: “Ose mysliman ose ortodoks. Jo katolik!”. Numër i panumëruar i katolikëve ishin vrarë në Ponoshec, nga dora e sllavit (rrethi i Gjakovës). Afër Zhurit (rrethi i Prizrenit), kryetari i fisit ishe vrarë e thërrmuar nga shteti, mu pse ishte katolik. E njëjta gjë ndodhi edhe në Gjakovë në famullinë e Nikajve, kur mbi 70 katolikë u vranë nga malazeztë”. Gazeta e kohës, “Neue Freie Press” më 20 mars shkruan: “Më 7 mars, soldateska e prirë nga një pop ortodoks, në dhe rreth Gjakovës deshi me forcë të konvertojë popullatën katolike në besim ortodoks. Mbi 300 veta, gra, burra dhe fëmijë nën kërcënimin me vdekje duheshin të konvertoheshin. Popi ortodoks iu tha: “Ose nënshkruani deklaratën se e keni pranuar fenë e vërtetë ose këta ushtarë të Zotit, do i dërgon shpirtrat e juaj në ferr”. Te gjithë e nënshkruan përveç Patër Angjelit. Rezultati ishte skena më trishtuese e paparë në atë shekull”( www.albanianhistory.net). Më 1919 Qeveria jugosllave “nënshkruante” çdo akt ndërkombëtar kundër diskriminimit. Por, persekutimet ndaj katolikëve kosovarë vazhdonin. Në Shkup patriotin shqiptar, të atin e nënës Terezë e helmuan serbët. Serbët e shihnin rrezikun në shqiptarët katolik se për ata mysliman ishin planet tjera. Me 1929 u vra Atë Shtjefen Gjeçovi një françeskan shumë i respektuar nga shqiptarët. Edhe pse K. Jereqek i përshkruante shqiptarët “popull i vjetër me kulturë qytetare, edhe pse organizimi qytetar ishte i rëndësishëm edhe për ilirët, sllavët medoemos e bënin sllavizimin, e turqit turqizimin e shqiptarëve, herë ndaras e herë në bashkëpunim.
“Serbët që pësonin zullumin e turqve e të shqiptarëve”
Akademik Mark Krasniqi në “Gjurmë e gjurmime” (Rilindja,1979) shkruan për këtë: “Milan Rakiqi (1876-1938) zë një vend të spikatur në historinë e letërsisë serbe. Rakiqi ka qenë me profesion diplomat, kështu që për një kohë të gjatë ai ishte Konsull i Serbisë edhe në Prishtinë, ku “udhëhiqte punët e aksionit nacional, kujdesej për serbët që pësonin zullumin e turqve e të shqiptarëve”. Rakiqi ishte në shërbimin diplomatik në Prishtinë mu në kohën kur lëvizja kombëtare shqiptare kishte marrë përmasa të mëdha të luftës politike e të armatosur kundër pushtetit turk, për liri e pavarësi. Milan Rakiqi shquhej jo vetëm në fushën diplomatike, letrare por edhe me angazhimin e popullsisë serbe të këtyre anëve që të bashkëpunojnë me ushtrinë turke kundër kryengritësve shqiptarë. Rakiqi “kujdesej” shumë për manastirin e Graçanicës. Sipas studiuesit Pero Sliepçeviq është vërtetuar se nga numri shumë i madh i kishave të vjetra serbe vetëm një pjesë fare e vogël e tyre i kanë ndërtuar serbët, emri i të cilëve është shkruar në to. Serbët nuk kanë pasur fare traditë të vetën as në ndërtimtari e as në art e kulturë (Stare Srpske Zaduzhbine, Beograd 1934). Manastiri i Graçanicës ekzistonte dhe kryente shërbimet fetare edhe para ardhjes së sllavëve në këto anë (V. Petkoviq, Pregled Crkvenih Spomenika, Beograd 1950).
Në vitet para pavarësisë në parlamentin e Turqisë thuhej: “Rreziku më i madh i Turqisë, nga të gjitha kombet që jetojnë në perandorinë tonë janë shqiptarët; është frikë e madhe nga ky të mos zgjohet nga gjumi i rëndë, të mos mëkëmbët, të mos marrë diturinë në gjuhën e vet sepse atëherë e morri lumi Turqinë. (Jusuf Buxhovi, Nga Shqipëria Osmane te Shqipëria Evropiane). Kurse, ditën që ushtritë serbe do të sulmonin Kosovën gjenerali famëkeq Jankoviq do të drejtonte një proklamatë shqiptarëve me titullin simbolik “T’on fiseve n’ Shqipni – or vllazni”, në të cilët thuhej se “Vijmë në emër të Allahut që t’i jepet fund zullumit të turkut që për 500 vjet bashkërisht ka rëndu dy popujt … për të çliruar vendin tonë të përbashkët dhe se shqiptarët do të munden me e rujtë fenë dhe zakonet si i kanë pasun..”

Zhvlerësimi dhe degradimi i poezisë në trojet shqiptare


Shkruan: Reshat Sahitaj


Në ditët e sotme, poetët duke e parë që poezia është në zhdukje e sipër, kanë themeluar shoqata të ndryshme për mbijetimin e poezisë dhe të poetëve. Secila shoqatë ka grumbulluar rreth tyre nostalgjikët e poezisë dhe organizojnë mbrëmje letrare duke i lexuar vargjet e tyre për një rreth tepër të ngushtë miqsh, shokësh, dhe aty këtu ndonjë dashamirë të poezisë.

 Qe poezia të mos zhduket kurrë, këto shoqata, organizojnë takime letrare kombëtare dhe internacionale, sepse kudo në botë ende gjendën poetë nostalgjikë. Nga kjo, poetët tanë nuk duhet të nënkuptojnë se poezia ka vdekur dhe se nuk duhet të shkruajnë, sepse ka gjasa që pas një shekulli, apo më shumë poezisë dhe poetëve t’i rikthehet fama e dikurshme.

Shqiptarët dhe poezia

Nëse kudo në botë është duke u zhdukur poezia dhe poetët, në viset shqiptare ky zhanër letrar është në lulëzim më shumë se kurrë më parë. Në asnjë vend të botës nuk ka më shumë poetë dhe libra poetikë, se sa ka Kosova dhe Shqipëria. Të gjitha libraritë e Francës bashkë, nuk kanë libra me poezi sa ka në libraritë shqiptare.
Kam bindje të thellë, se shqiptarët në sistemin monist nuk kanë pasur mundësi t’i publikojnë krijimet e tyre, sepse në krye të çdo reviste, gazete etj shteti monist kishte vë njerëzit e tij për të censuruar ideologjikisht çdo shkrim letrar.

Pavarësisht masave shtetërore komuniste, krijuesit e kuptuan dobësinë e sistemit dhe një poezi ia kushtonin kryetarit e tjerat përmbanin mesazhe kombëtare, te dashurisë etj. Kemi shumë raste në Kosovë ku poeti ka pritur me vite të tëra që t’i botohet një libër, ose poezia e tij t’i botohej në ndonjë revistë letrare apo në gazeta të përditshme javore.

Ky akumulim i energjisë artistike i ndrydhur me dekada dhe hapja e mundësive të reja për të publikuar pa asnjë censurë, ka ndikuar që tani të kemi shumë poetë.

 Ky katarzis ka bërë që në Kosovë dhe kudo në trevat shqiptare të prodhojmë poetë të mirë dhe poetë që nuk vlejnë asgjë. Botimi i librave pa asnjë censurë, e ka devalvuar dhe degjeneruar skajshmërisht jo vetëm poezinë, por edhe dinjitetin e krijuesve shqiptarë. Kur flitet për censurë nuk është fjala të censura politike, por të vlerësimi i krijimeve të cilat lëshohen për botim pa asnjë kriter.

Në Kosovë dhe viset shqiptare , kriteret për të botuar një libër janë: 

a ) të jesh femër e bukur 
b) të kesh para
 c) të ke post që tjerët kanë interesa.

a) Pika e parë është më e përhapura, sepse numri i vajzave që shkruajnë poezi është në rritje. Është krejt e natyrshme që adoleshentet dëshirojnë t’i shprehin sentimentet e tyre përmes vargjeve, mirëpo këto/këta nuk mund të depërtojnë nga disa çuna të plakur që i hulumtojnë “talentet” e reja.

Këta çuna të plakur, nëse viktima është djalë i pasur i kërkojnë pare të mira që t’ia botojnë një fletushkë që nuk i përngjan as librit e as librezave partiake. Kur viktima është vajzë, natyrisht që asaj i kërkohet tjetër gjë, e nëse ajo është e lehtë i botohet libri me një vonesë.


 b) Pika e dytë është pak më lehtësuese. Krijuesit e rinj që i kanë prindërit e pasur, nuk e kanë vështirë t’i botojnë shkrimet e tyre. Prindi i djalit apo vajzës vetë shoqërohet me çunat e plakur në krijimtarinë artistike.

Prindi e hap bisedën se djali ose vajza e tij kanë talent dhe tërë natën rrinë pa fjetur duke shkruar poezi. Çuni i plakur ne krijimtarinë artistike i rrëfen se është mëkat që ato poezi te mos botohen e t’i lexojë bota. Është edhe një kategori e viktimave që vinë nga diaspora.

 Posa të vijnë në Kosovë, këta takohen me krijuesit e Kosovës dhe u tregojnë se kanë shkruar poezi në Facebouk ku kanë pasur shumë “Like-a”, çunat e plakur ne poezi që janë në kërkim të viktimave ua mbushin mendjen atyre se vërtet janë poetë shumë te talentuar dhe se duhet t’i botojnë poezitë.

c) Pika e tretë është pak më e komplikuar, sepse kemi të bëjmë me njerëz intelektual të rangut të lartë dhe të “lartë”. Shumë poetë e poetesha të dështuara në rininë e tyre tani kanë arritur që të emërohen në poste të ndryshme dhe të rëndësishme. Disa të tjerë janë bërë profesorë, disa drejtorë në fusha të ndryshme, disa zyrtarë ku prej tyre varën subvencionet për botimin apo organizimin e manifestimeve kulturore. Kjo shtresë nuk japin asnjë cent për botimin e librave te tyre, e madje kritiket tanë u thurin lëvdata më të pameritueshme për librat që ata kanë shkruar. Në fakt këta nuk japin asnjë cent nga xhepi i tyre , por gjejnë mundësitë që t’i keqpërdorin postet e tyre dhe fondin e qeverisë në favor te atyre që shkruajnë apo ua botojnë librat .

Këta janë shtresa më e ulët dhe kriminelët e shoqërisë sonë si ne aspektin e keqpërdorimit te fondeve qeveritare edhe ne aspektin e rritjes se rrejshme te famës së tyre. Në këtë kategori kemi edhe pseudo luftëtarë të cilët dëshirojnë të jenë përfaqësues të letrave shqipe më dhunë intelektuale.

Këtyre pseudo luftëtarëve askush nuk guxon t’ia thotë realitetin edhe pse të gjithë e dinë se disa prej tyre nuk janë në gjendje të shkruajnë pa gabime emrin Kosovë. Siç kanë hyrë disa ditë në luftë për të spiunuar, tani dëshirojnë të hyn në letërsi për ta zhvlerësuar. Mos të harrojmë se në Kosovë kemi edhe luftëtarë që luftuan denjësisht dhe e meritojnë të jenë në antologjinë e poezisë shqipe. Në mesin e poetëve luftëtarë e kemi Dibran Fyllin i cili edhe gjatë luftës kontribuonte në kulturë. Fjala është vetëm për pseudo luftëtarët.

Degjenerimi i poezisë në Kosovë

Dikur krijuesit ishin të respektuar, sepse krijonin art të mirëfilltë si: Adem Demaçi, Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova, Din Mehmeti, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Fahredin Gunga, Sabri Hamiti, Flora Brovina, Gani Xhafolli, Agim Vinca e shumë të tjerë. Krijuesit e asaj kohe ishin idole të rinisë shqiptare, që secili i ri kishte dëshirë t’ua lexonte veprat e tyre e për t’u takuar as ëndërr nuk kanë parë. Kur ndonjë të riu i botohej një poezi apo tregim ishte kënaqësia më e madhe në jetë. Më kujtohet kur në vitin 1973 u botua një tregim im, “Rilindjen” ua tregoja të gjithë nxënësve të normales dhe disa net faqen e gazetës e mbaja afër jastëkut deri sa u shkatërrua nga lagështia dhe shpalosja e shpeshtë. Kënaqësia ishte e trefishtë: së pari botimi konfirmonte se ke talent, së dyti të gjithë shokët gëzoheshin bashkë me ty, së treti u pëlqeje vajzave më shumë. Ky ishte një realitet i secilit të ri të asaj kohe.

Vetëshkatërrimi i krijuesve

Kudo në viset shqiptare letërsia zhvillohet me parametrat e cekura më lartë. Askujt nuk i intereson zbulimi i talenteve të reja, por sikur qëllimisht lëshojnë botime pa vlerë. Mendoj se zbulimi i talenteve i frikëson disa pseudo letrar , të cilët dëshirojnë ta ruajnë tërë jetën famën dhe emrin, që vetës t’ia sigurojnë përjetësinë. Për t’ia siguruar vetës më mirë përjetësinë në letërsi, këta në mesin e të rinjve krijojnë kritikët personal, apo të rrethit te ngushtë të tyre.

Në këto vitet e pasluftës, në orët letrare paraqitën poetë e më shumë “poetesha”, që nuk kanë lidhje me poezinë dhe kurrë ne jetën e tyre nuk e kanë lexuar një libër. Çuditërisht këto farë “poetesha” arrijnë të përbirohen dhe të fotografohen me personalitete të larta politike dhe letrare, e të marrin poza sikur te ishin yje pa të cilat nuk lind dielli.

Madje në Kosovë janë krijuar edhe organizime speciale letrare të poeteshave. Në asnjë vend të botës nuk bëhet dallimi në mes gjinisë. Me themelimin e klubit të poeteshave, vetë femrat krijuese po tregojnë dobësinë, se ato janë të dobëta dhe nuk mund të matën me meshkujt krijues. Hapja e shoqatave të tilla ku promovohen vetëm femrat është gjest provokativ për meshkuj.

Dikur shumë dekada më herët për ditën e Shën Gjergjit të gjitha vajzat visheshin dhe promovoheshin duke vallëzuar rrugëve të fshatrave e të qyteteve, e ne si të rinj mezi prisnim Shën Gjergjin, sepse ato ditë krijoheshin lidhjet e dashurisë. Në këto ditë, meshkujt mezi presin ditën e orëve letrare të poeteshave, nga se dikujt i del nafaka.

Një pjesë tjetër e poetëve, reklamohen në televizione dhe gazeta si poetët më të përkthyer dhe më të çmuar në botë duke e mashtruar opinionin tonë pa i treguar se ata u përkthyen vetëm në Rumani nga një shoqatë kulturore, dhe atë me para të tyre personale, ose me përkrahje të Ministrisë sonë të Kulturës apo fonde tjera që vetëm ata e dinë se si dhe ku i marrin ato pare.

Pas eliminimit të këtyre vetive dhe tanimë shprehive që janë shndërruar ne fenomen, mund të krijojmë poezi dhe t’i kthehet dinjiteti i poetit dhe poezisë, në të kundërtën jemi duke shkuar drejt një degjenerimi dhe degradimi të poetit dhe poezisë.

Spiunazhi serb ka operuar në mënyrë të përhershme


Shkruan: Mr. sc. Arlind A. Bajra

Në fillim të këtij shkrimi dua të ndërlidhem me deklaratat e disa prej zyrtarëve të Qeverisë dhe atyre politikë, të sigurisë dhe të mekanizmave të shtetit të Kosovës në lidhje me çështjen se ka apo jo spiunazh serb në Kosovë… Kjo pyetje këto ditë edhe njëherë po e riaktualizon çështjen e sigurisë në Kosovë, ku herë pas here kemi një destabilitet politik jo vetëm në aspektin e bisedimeve që po bëhen në Bruksel, por duke përfshirë edhe realitetin e hidhur të sigurisë në veri, ku gjendja dhe siguria atje na paraqitet e brishtë dhe mjaft sfiduese. Shikuar nga një këndvështrim i arsyes logjike jo prej politikani, por prej një qytetari si pjesë e kësaj shoqërie, në Kosovë operojnë spiunë serbë nga Serbia dhe nga Kosova në koordinim aty-këtu edhe me shqiptarë dhe të tjerë. Andaj, në Kosovë spiunazhi serb ka operuar në mënyrë zinxhirore nga spiunimet legale, përkatësisht nga Qeveria e Serbisë në bashkëpunim me serbët e Kosovës dhe nga disa të tjerë shqipfolës për të përfituar dhe realizuar qëllimet e veta individuale, grupore, politike e strategjike. Ky spiunazh serb ka vepruar dje në Kosovën e ish-Jugosllavisë, vepron edhe sot e ndoshta do të veprojë edhe në të ardhmen, nesër.
E vëzhguar nga të katër anët
Kësaj radhe nuk dua të shkruaj për pasojat e këtij rrjeti të spiunazhit në të kaluarën e paraluftës së fundit, sepse këto pasoja, ku më pak e më shumë, janë të njohura për opinionin tonë dhe atë ndërkombëtar. Mirëpo, dua të theksoj se sot, Kosova është e vëzhguar dhe e përcjellë nga të katër anët e saj nga spiunazhi serb. Këta spiunë legalë e ilegalë, me uniforma e pa uniforma, me emra e pa emra, me anën e lapsit, telefonave, kamerave e mjeteve të tjera teknike mbledhin informata dhe ua përcjellin eprorëve dhe institucioneve të tyre prej nga dërgohen këta spiunë. Detyrat dhe obligimet e tyre për t’i realizuar janë të vështira dhe plot sakrifica. Këta spiunë mbajnë detyra të ndryshme nga lëmi ekonomik, politik, kulturor, e deri tek ata strategjikë ushtarakë. Qendrat dhe komandat e këtyre spiunëve janë Beogradi, me disa qendra më të vogla të Serbisë, pastaj veriu i Kosovës, Leposaviqi, Zubin Potoku, Zveçani etj., ku këto lokalitete janë të banuara me serbë vendës dhe të tjerë nga Gorazhdevci, nga serbët e Anamoravës, Çagllavica, si dhe nga komunat e tjera, që kanë ikur për arsye të sigurisë, sepse të tillët kanë bërë krime para dhe gjatë luftës së fundit mbi popullatën shqiptare. Në këtë kuadër, të tillët brenda dhe jashtë këtyre lokacioneve kanë gjetur strehimin e duhur për të vepruar siç e kanë bërë zakon dhe traditë. Kur ia shtojmë kësaj se edhe pas 14 vjetëve të çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës, si dhe përkundër bisedimeve teknike e politike, gjithashtu përkundër të gjitha përpjekjeve të institucioneve shtetërore dhe mekanizmave ndërkombëtarë që veprojnë në Kosovë, ende nuk kemi arritur që veriun e Kosovës, këtë pjesë prej afro 25 për qind të territorit të Kosovës, ta kontrollojmë dhe të bëhet lëvizja e lirë e qytetarëve tanë këndej e andej asaj ure të famshme mbi lumin Ibër. Veriu është bërë kancer për Kosovën, çerdhe e qendër e kriminelëve, paramilitarëve, plaçkitësve, uzurpuesve, rrjeteve të kontrabandistëve, prostitucionit, shkatërrimtarëve të objekteve dhe shtëpive të pronave të shqiptarëve, e barrikadave e çka jo tjetër. Në anën tjetër, kjo situatë dhe gjendje e rënduar atje po manifestohet edhe me shkatërrimin e automjeteve dhe logjistikës së EULEX-it, Policisë së Kosovës e gjer tek rastet e plagosjes dhe vrasjeve civile shqiptare, të zyrtarëve të Policisë së Kosovës, EULEX-it, NATO-s dhe të tjerëve. E tërë kjo është rrjedhojë e veprimeve individuale në bashkëveprim me institucionet e shtetit serb, si dhe me bashkëpunim të posaçëm të spiunëve të policisë sekrete serbe që vepron në Kosovë dhe bashkëpunëtorëve të tyre të tjerë.
Dëme të pariparueshme
Dëmet materiale, morale, politike e ekonomike për vendin tonë që i ka bërë ky rrjet spiunazhi, përllogariten të jenë tejet të mëdha dhe të pariparueshme, rrjet ky i cili po vështirëson funksionimin normal të lëvizjes së lirë të mallrave dhe të njerëzve. Është bërë rutinë e fjalorit politik se të gjithë fajtorët dhe kryesit e këtyre veprave një ditë do të kapen dhe do të dalin e gjykohen pranë gjykatave përkatëse dhe të pavarura të Republikës së Kosovës dhe të tillët ta marrin dënimin e merituar. Por, kjo tragji-komedi e këtyre ngjarjeve të dhembshme që po ndodhin në shoqërinë kosovare, vetëm se e mbajnë emrin, hetimet vazhdojnë dhe asgjë më shumë. Është e një rëndësie të veçantë, gjithashtu, të përmendet se spiunazhi serb ka edhe bashkëpunëtorët e vet mjaft aktivë, disa individë shqipfolës që për interesa të ngushta, janë në gjendje të bëjnë çdo gjë. Të tillët veprojnë në çdo segment të punës dhe jetës së përditshme duke bërë kontrabandë me mallra, me naftë e derivate të saja, pastaj me trafikim të qenieve njerëzore me armë të ndryshme të vogla e të mëdha etj., të cilat çdo ditë e më shumë po rrezikojnë jetën e qytetarëve, si dhe funksionimin normal të shtetit kosovar.
Veç kësaj, në veriun e Kosovës dhe në hapësirat ku veprojnë këta spiunë kemi shuma të mëdha shpëlarje parash, falsifikime dokumentesh institucionale etj. Këto janë vetëm disa nga veprimtaritë dhe aktivitetet e spiunazhit serb në bashkëpunim dhe bashkëveprim me të tjerët që e ndihmojnë në këtë drejtim për ta dobësuar funksionimin e shtetit tonë për përfitime dhe qëllime të tyre tani të mirënjohura. Sipas të gjitha këtyre dhe shumë argumenteve të tjera, që kësaj radhe nuk i përmenda, është koha e fundit që të tolerohet një gjendje dhe veprim i tillë, sidomos në veri pas të gjitha atyre përpjekjeve të institucioneve ndërkombëtare, të BE-së, SHBA-së, që edhe pas 5 vjetëve shtet i pavarur, Kosova, veriu, të jetë akoma në një gjendje të tillë çfarë e kemi sot. Si rrjedhojë e gjithë kësaj, kërkohet një mobilizim edhe më i madh në veprimtarinë e institucioneve gjithëpërfshirëse për të vepruar të gjithë bashkërisht kundër këtyre individëve, grupeve kriminale, spiunëve e të tjerëve që po e shkatërrojnë shtetin tonë, që e fituam me aq shumë mund e gjak. Pra, përderisa akoma në veri valëviten flamujt e Serbisë dhe mbishkrimet çetnike të shtetit serb dhe nuk pranohet asgjë e Kushtetutës së Kosovës, është më se e nevojshme dhe e domosdoshme për ekzistimin edhe për një kohë të gjatë të forcave të NATO-s, e në veçanti të SHBA-së, sepse kjo më së miri garanton një siguri individuale dhe kolektive të mbarë qytetarëve të saj.

Krijuesit dhe sistemi politik



Shkruan: RESHAT SAHITAJ

Në tërë trevat shqiptare, gjendja e krijuesve po shkon gjithnjë e më tepër duke u degraduar, si në aspektin material, social, psikologjik dhe intelektual. Pjesa më e madhe e krijuesve janë të papunë, ndërsa ata që punojnë kanë të ardhura qesharake. Librat e tyre pjesa dërmuese ua dhurojnë shokëve, miqve e madje edhe kalimtarëve të rastit, vetëm e vetëm që ta bindin brendësinë shpirtërore të tyre se ende vlejnë të kontribuojnë për këtë popull. Për ta shkruar një vepër jo vetëm që duhet kohë, por edhe duhet derdhur tërë talenti dhe dituria e tij. Secili autor një kohë të gjatë sillet rrugëve për të gjetur ndonjë sponsor që ta botojë veprën e posapërfunduar, e në fund e boton me paret e fundit nga buxheti familjar. Procedura që nga fillimi i shkrimit të një vepre e deri të botimi dhe shpërndarja, bënë që krijuesi të ndjehet keq në rrethin familjar, sepse e ka dëmtuar buxhetin e tij. Ndihet keq në rrethin e shokëve, sepse nuk ka mundësi që askujt t’ia paguan një kafe. Ndihet keq, sepse askush nuk shkruan për veprën e tij të posabotuar. Kjo është mënyra më perfide e sistemit politik, për ta ulur dinjitetin e krijuesve në tërë trevat shqiptare. Sepse në trojet shqiptare politikanët nuk janë intelektualë të mirëfilltë, politikanët nuk janë artdashës e atdhedashës. Politikanët shqiptarë qoftë në Tiranë, në Prishtinë, në Preshevë, në Shkup e në Ulqin, kurrë nuk e kanë lexuar një vepër letrare. Sa për ilustrim do përmendim se Maqedonia ka ndarë vetëm për kulturë një buxhet prej 20 milionë euro, kurse në qendrat e trojeve shqiptare buxheti për kulturë është qesharak që nuk mund të krahasohet as vetëm me shpenzime të darkave të një ministrie.
Ku është zëri i krijuesve?
Çuditërisht, krijuesit shqiptarë nuk kanë shpirt revolte dhe heshtin para përdhosjes së dinjitetit të tyre. Një pjesë e krijuesve bëhen pa vetëdije viktimë e politikës ditore, duke shpresuar se ndoshta në vitin tjetër do t’ia botojnë librin. Një pjesë tjetër heshtin duke shpresuar të mos e përkeqësojnë gjendjen dhe marrëdhëniet e tyre edhe ashtu të amorfe me politikë. Një pjesë tjetër e vogël, përfitojnë nga çdo sistem politik, dhe natyrisht që heshtin. Një pjesë tjetër bëhen zvarranik të sistemit duke shkruar më shumë se në kohën e Titos pro politikës ditore. Në këtë mënyrë zëri i krijuesve shqiptarë shuhet, sepse ata nuk janë në gjendje të shprehin revoltën e tyre për padrejtësitë që bëhen. I vetmi ngushëllim për krijuesit shqiptarë mbetët Facebook-u, ku aty i botojnë shkrimet dhe opinionet e tyre. Po të lexohen më vëmendje shkrimet dhe opinionet e krijuesve tanë në Facebook, aty botohet gjithçka dhe asgjë. Çfarëdo që botojnë në rrjetin social virtual, krijuesit shqiptarë fillojnë t’i vardisën njëri-tjetrit duke ua lavdëruar shkrimet e njëri-tjetrit deri në qiell. Lëvdata më të shumta marrin femrat të cilat ekspozojnë fotografitë e tyre. Zakonisht femrat ekspozohen me fotografi ku vjen në shprehje bukuria e tyre fizike, e pastaj krijuesit meshkuj u vardisën atyre femrave deri në orët e hershme të mëngjesit. Kjo mënyrë e vardisjeve e ul dinjitetin dhe prestigjin e krijuesit, duke e shndërruar atë në një palaço. Është për t’u habitur se si asnjëri nuk e lexon shkrimin e botuar në rrjetin social, e menjëherë ia bëjnë një “Like”, pa e ditur se çka po shkruan tjetri.
Vetëm “Kosova Sot” i jep hapësirë kulturës
Mediat tona shumë pak i kushtojnë rëndësi botës së krijuesve. Zakonisht në medie tona janë prezente aktualitetet politike, gjë që është normale. Janë të pranishme në faqe të para afera të ndryshme korruptive e mafioze të disa komandantëve e që nuk ishin kurrë komandantë. Janë të pranishme shkrime denoncuese se ai ishte në luftë e tjetri që në gazetën tjetër lavdërohej nuk e ka parë luftën as nga afër. Fatmirësisht, e përditshmja numër një në Kosovë “Kosova Sot”, kulturës i jep hapësirë çdo ditë, e të shtunave me “Shtojcën e Kulturës” e begaton botën e krijuesve. Krijuesit kanë nevojë shpirtërore të shohin shkrime për veprat e tyre, sepse në këtë mënyrë vlerësohet dhe ngrihet dinjiteti i çdo shkrimtari/re. Në televizionet shqiptare qofshin ato kombëtare apo lokale, janë të mbushura me emisione ku zhvillohen debate politike. Shumica e emisioneve në televizionet shqiptare janë të udhëhequra nga gazetarë joprofesionistë, sepse kudo në botë kur zhvillohet një debat për një ngjarje qoftë ajo edhe politike, në debat ftohen edhe krijues si filozofë, sociologë, psikologë dhe shkrimtarë, të cilët kanë shkruar libra rreth asaj ngjarje që zhvillohet emisioni. Nëse në një emision televiziv do të zhvillohet një debat rreth korrupsionit, aty ftohet ndonjë shkrimtar që ka shkruar libër për këtë dukuri. Pse ndodh kështu? Kështu zhvillohen emisionet sepse shumica e gazetarëve janë të shtrënguar t’i vardisën personaliteteve politike dhe ta ruajnë vendin e punës pavarësisht se emisioni i tij nuk vlen pesë pare.
Televizionet kombëtare
RTK-ja, si televizion publik, e ka për detyrë që të ketë emisione kulturore dhe arsimore. Në fakt, në letër dhe zyrtarisht RTK-ja i ka këto redaksi ku duhet të zhvillohen emisionet kulturore dhe arsimore, por ato janë të heshtura ose të ndaluara në mënyrën më perfide. Në RTK, transmetohej emisioni „Labirintet e Fjalës“ që ishte emision kushtuar letërsisë dhe përmes këtij emisioni u ringjallë dinjiteti i krijuesve tanë. Pse u ndërpre apo u ndalua ky emision askush nuk është në gjendje të japë sqarime. Po ashtu ishte edhe emisioni tjetër “Pro Arte”, ku zhvillohej debat rreth të arriturave në film teatër, mirëpo edhe ky emision u ndërpre apo u ndalua, pa asnjë sqarim. RTV 21, po ashtu e kishte një emision kulturor “Pas Mesnate”, që filloi të bëhej shumë i popullarizuar në opinion tonë, mirëpo në kohën kur kishte arritur zenitin e popullaritetit u ndërpre. Në këto emisione që transmetoheshin nga këto dy rrjete televizione kombëtare, kishte hapësirë për krijuesit tanë. Me ndërprerjen e tyre, u shuan ëndrrat e shkrimtarëve dhe artistëve tanë që veprat e tyre dhe mundi i tyre artistik të bëhet i njohur për publikun e gjerë. Krijuesit shqiptarë shpresojnë se do të vinë ditë më të mira për kulturën shqiptare. Një pjesë e këtyre krijuesve do të vdesin duke pritur që veprat e tyre të vlerësohen objektivisht. Madje vetë krijuesit thonë se veprat e mira vlerësohen vetëm pas vdekjes së autorit. Pra, askush nuk na ka faj, sepse edhe personalitetet politike po presin që veprat tona t’i vlerësojnë gjeneratat e ardhshme, nga se ne vetë po mburremi që pas vdekjes do na vlerësojnë. Gani Xhafolli është i vetmi krijues që nuk pret asnjë vlerësim deri në vitin 2300. Ne tjerët po krijojmë më shpresë që të vlerësohemi së paku dy-tre vjet pas vdekjes sonë.

Sipas sllavologëve, pellazgët ishin serbët e lashtë


Njëfarë hulumtuesi Shafarik në librin e tij "Vendasit e vjetër", shkruan: "Serbët jetojnë në Evropë që nga kohët parahistorike, dhe se serbët e banonin gati krejt Evropën dhe Azinë e Vogël dhe nga aty paska ardhur shprehja "Fol serbisht që të kuptojë bota mbarë"

Shkruan: Fahri XHARRA

"Populli e ka njet me folë, me e çu zërin lart e më lart, shtatë palë qiell, shtatë palë tokë, me i bërë me dije Evropën dhe botën, e pse jo edhe fëmijët tuaj: Unë, Populli, ju thërras në emër të Zotit, të besës, të bukës, të gjakut e të pushkës: Boll më, mos më fyeni, mos më ndani, mos ma përçani atdheun, jetën, besën, dashurinë...! (R.Greiçevci)”. Kësaj radhe do t’ju lë që ju vetë të gjykoni për ”guximin” serb në shkrimin e historis¬ë, e në të njëjtën kohë të mendoni thellë për heshtjen tonë.
Prejardhja e serbëve
"Serbët e Danubit të poshtëm quhen proto-serb apo serbët e parë, të cilët banonin dhe jetonin në këto anë që nga koha e Moisiut. Kurse serbët e ardhur rreth shekullit shtatë pas Krishtit paskan ardhur si ndihmë vëllezërve të tyre për të luftuar Romën. (Siprijan)” dhe vazhdohet më tutje se: çekët, kroatët dhe rusët që përmenden për herë të parë pas shekullit të 6-të të epokës sonë kishin ardhur disa mijëra vjet pas serbëve. Sa i përket rusëve, burimet serbe flasin që ata ishin vetëm pas shek. të 9-të pas Krishtit”.
Mos i mësoni fëmijët tanë me u nda, me u përça, me u hasmëru, me u ligështu, me u bë ujk vëllai me vëlla, baba me djalë e djali me nënë...Mos m’i mohoni dhe shkelni vlerat e traditës së lashtë të species ilire-dardane (R.G.)
Glozel quhej shkarravitja e parë njerëzore e gjetur nëpër shpella dhe sipas burimeve serbe -Jyrgen Shpanut paska thënë: ”Serbët e kishin menduar këtë lloj shkrimi dhe e kishin vendosur gurin e themelit të civilizimit botëror”. Jyrgen Shpanut paska thënë se ata ishin filistinët, por duke e krahasuar me shkrimin e sotëm cirilik atëherë na del që edhe filistinët ishin serbë.(?) Ilija Zhivаnçeviq ka shkruar se sllavët (serbët ) ishin të shpërndarë që nga Vladivostoku e deri në Ballkan dhe ishin boshti kurrizor i njerëzimit.
"Dorëshkrimet haldike, asire dhe misire ishin përmendoret e civilizimit njerëzor dhe janë të vjetra mbi 7 mijë vjet. Dhe, sipas serbëve, janë të vjetra aq sa edhe historia serbe. Paramendoni në ato dorëshkrime është gjetur i shkruar emri serb (srbin) dhe jo ai sllav. Bile edhe në një ”Libër mbretëror kinez”, i cili është shkruar vazhdimisht deri dy mijë vjet para Krishtit, mund të gjeni shënime që atëherë në Sarmatinë e Azisë kanë jetuar serbët, të cilët e banonin tokën prej Siberisë e deri tek Venediku i Italisë ” ( po pra burime serbe).
"Unë, Populli, mos më shkelni në sofër të bukës, mos ma mohoni sofrën me liri, me besë, me miqësi, me tradita e zakone të lashta shqiptare...Unë, Populli, djepi dhe rrita juaj, s’i kam fjalët thika dhe helm për miq e shokë...(Riza Greiçevci)”.
Polakët në hulumtimet më të reja paskan gjetur praninë serbe në brigjet e Detit Baltik, 2 mijë vjet para Krishtit, kurse studiuesja Olgа Lukoviq-Pejаnoviq thotë në një studim të saj që Bosnja dhe Sllavonia ishin serbe dhe quheshin ”Serbia e bardhë” (“Belа Srbijа”,) dhe shtrihej deri tek kufijtë e sotëm të Gjermanisë. Robert Siprijan paska ardhur në përfundim që serbët janë trungu i racës sllave dhe se sarmatët ishin serbë.
"Unë Populli, mos më shkelni në sofër të bukës, mos ma mohoni sofrën me liri, me besë, me miqësi, me tradita e zakone të lashta shqiptare...”
Emri i qytetit dhe i perëndeshës Athina nuk janë greke
Sipas Ilija Zhivançeviqit edhe ”Kodi i Dushanit” ishte vazhdimësi e prejardhjes tradicionale Vende, kurse Walter Wuest paska shkruar që edhe sanskrishtja është Vende, e cila në Indi paska pas ardhur nga veriperëndimi i saj dhe sipas të gjitha krahasimeve sanskrishtja ishte gjuhë serbe. ”Emil Burnouff deklaron që gjuha latine dhe greke kanë prejardhje nga pellazgjishtja, kurse populli pellazg paska jetuar në Mesdhe e deri në Alpe ” dhe sipas sllavollogëve pellazgët ishin serbët e lashtë. E bukur kjo!
"Një degë e serbëve nga Azia e Vogël kishte ardhur në Ballkan 3 mijë vjet prK dhe ishte vendosur në Rashkën e vjetër (Thraki) , kurse një degë tjetër kishin zbritur nëpër det deri në Kretë në tri ardhje 1800, 1500 dhe 1400 vjet prK. I kishin mundur Kretasit dhe të përzier me ta e paskan krijuar popullin e ri grek. Shënimet po folkan, gjithnjë sipas serbëve që emri i qytetit dhe perëndeshës Athina nuk janë greke. Vetë grekët besojnë se e kanë prejardhjen nga populli Pellazg, të cilët e flisnin një gjuhë barbare dhe zbulimet paskan treguar që ata pellazgë ishin serbët"....
Olgа Lukoviq-Pejаnoviq thotë që serbët e Peloponezit ishin vendosur rreth lumit Sava dhe Danub dhe kishin krijuar Serbinë Panonike ( aty ku jetonin Keltët fxh). Shikoni edhe këtë mrekulli të artit të zhvatjes së historisë: ” Shënimet e Mihail Lomonosovit dhe Mavro Orbinit tregojnë që edhe serbët paskan luftuar në Luftën e Trojës, dhe se me rënien e saj kishin ikur dhe rreth 1860 vjet prK kishin ardhur përsëri në Ballkan dhe ishin zgjeruar deri në Venedik”. Njëfarë hulumtuesi Shafarik në librin e tij ”Vendasit e vjetër”, shkruan: ” Serbët jetojnë në Evropë që nga kohët parahistorike, dhe se serbët e banonin gati krejt Evropën dhe Azinë e Vogël dhe nga aty paska ardhur shprehja ” “Govori srpski dа te ceo svet rаzume”.( Fol serbisht që të kupton bota mbarë). Rrimë¬ ne, rri¬më. Merremi me prejardhjen tonë të ”lashtë” që nga shekulli i 14-të!
"Një gjuhë aq origjinale si gjuha serbe e pasur, me një gramatikë perfekte është pjellë e një populli të ngritur që moti”, shkruan Shafarik. Edhe diçka: ”Serbët thonë që shkrimi i Vinçës tregon se serbët janë populli më i vjetër dhe që edhe etrurët ishin serbë”.
Sllavët me prejardhje nga Ballkani
Sidoqoftë, meqenëse ne heshtim dhe jemi robër të asgjëje, atëherë le të lexojmë edhe për zbulimin më të ri, që doktori i shkencave të Harvardit, rusi ANATOLIJ Kljosov paska ardhur në përfundim që të gjithë sllavët e kanë prejardhjen prej Ballkanit, dhe kjo nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina e sotme. Sipas Kljosovit, bartësit e gjenit R1A1 kanë jetuar në Ballkan bile që para 12 000 vitesh. Ai paska zbuluar që i biri i Noah -së qenka paraardhësi i rusëve, dhe se pasardhësit e tij së pari erdhën në rrjedhën e poshtme të Danubit, në Serbinë e sotme dhe se nga aty e vazhduan rrugën për në veri.
Biokimisti i Harvardit me analizat e tij të gjeneve ka konstatuar që serbët janë populli më i vjetër në botë, dhe se Ballkani është atdheu i lashtë i të gjithë sllavëve si edhe atdheu i atyre që shkuan ë Indi dhe u quajtën arianë. Edhe arianët ishin serbë. (Jutarnji.hr 20.09.2013)
Mos i mësoni fëmijët tanë me u nda, me u përça, me u hasmëru, me u ligështu, me u bë ujk vëllai me vëlla, baba me djalë e djali me nënë...Mos m’i mohoni dhe shkelni vlerat e traditës së lashtë të species ilire-dardane (R.G.)

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...