Shkruan: Mr. sc. Arlind A. Bajra
Në fillim të këtij shkrimi dua të ndërlidhem me deklaratat e disa prej zyrtarëve të Qeverisë dhe atyre politikë, të sigurisë dhe të mekanizmave të shtetit të Kosovës në lidhje me çështjen se ka apo jo spiunazh serb në Kosovë… Kjo pyetje këto ditë edhe njëherë po e riaktualizon çështjen e sigurisë në Kosovë, ku herë pas here kemi një destabilitet politik jo vetëm në aspektin e bisedimeve që po bëhen në Bruksel, por duke përfshirë edhe realitetin e hidhur të sigurisë në veri, ku gjendja dhe siguria atje na paraqitet e brishtë dhe mjaft sfiduese. Shikuar nga një këndvështrim i arsyes logjike jo prej politikani, por prej një qytetari si pjesë e kësaj shoqërie, në Kosovë operojnë spiunë serbë nga Serbia dhe nga Kosova në koordinim aty-këtu edhe me shqiptarë dhe të tjerë. Andaj, në Kosovë spiunazhi serb ka operuar në mënyrë zinxhirore nga spiunimet legale, përkatësisht nga Qeveria e Serbisë në bashkëpunim me serbët e Kosovës dhe nga disa të tjerë shqipfolës për të përfituar dhe realizuar qëllimet e veta individuale, grupore, politike e strategjike. Ky spiunazh serb ka vepruar dje në Kosovën e ish-Jugosllavisë, vepron edhe sot e ndoshta do të veprojë edhe në të ardhmen, nesër.
E vëzhguar nga të katër anët
Kësaj radhe nuk dua të shkruaj për pasojat e këtij rrjeti të spiunazhit në të kaluarën e paraluftës së fundit, sepse këto pasoja, ku më pak e më shumë, janë të njohura për opinionin tonë dhe atë ndërkombëtar. Mirëpo, dua të theksoj se sot, Kosova është e vëzhguar dhe e përcjellë nga të katër anët e saj nga spiunazhi serb. Këta spiunë legalë e ilegalë, me uniforma e pa uniforma, me emra e pa emra, me anën e lapsit, telefonave, kamerave e mjeteve të tjera teknike mbledhin informata dhe ua përcjellin eprorëve dhe institucioneve të tyre prej nga dërgohen këta spiunë. Detyrat dhe obligimet e tyre për t’i realizuar janë të vështira dhe plot sakrifica. Këta spiunë mbajnë detyra të ndryshme nga lëmi ekonomik, politik, kulturor, e deri tek ata strategjikë ushtarakë. Qendrat dhe komandat e këtyre spiunëve janë Beogradi, me disa qendra më të vogla të Serbisë, pastaj veriu i Kosovës, Leposaviqi, Zubin Potoku, Zveçani etj., ku këto lokalitete janë të banuara me serbë vendës dhe të tjerë nga Gorazhdevci, nga serbët e Anamoravës, Çagllavica, si dhe nga komunat e tjera, që kanë ikur për arsye të sigurisë, sepse të tillët kanë bërë krime para dhe gjatë luftës së fundit mbi popullatën shqiptare. Në këtë kuadër, të tillët brenda dhe jashtë këtyre lokacioneve kanë gjetur strehimin e duhur për të vepruar siç e kanë bërë zakon dhe traditë. Kur ia shtojmë kësaj se edhe pas 14 vjetëve të çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës, si dhe përkundër bisedimeve teknike e politike, gjithashtu përkundër të gjitha përpjekjeve të institucioneve shtetërore dhe mekanizmave ndërkombëtarë që veprojnë në Kosovë, ende nuk kemi arritur që veriun e Kosovës, këtë pjesë prej afro 25 për qind të territorit të Kosovës, ta kontrollojmë dhe të bëhet lëvizja e lirë e qytetarëve tanë këndej e andej asaj ure të famshme mbi lumin Ibër. Veriu është bërë kancer për Kosovën, çerdhe e qendër e kriminelëve, paramilitarëve, plaçkitësve, uzurpuesve, rrjeteve të kontrabandistëve, prostitucionit, shkatërrimtarëve të objekteve dhe shtëpive të pronave të shqiptarëve, e barrikadave e çka jo tjetër. Në anën tjetër, kjo situatë dhe gjendje e rënduar atje po manifestohet edhe me shkatërrimin e automjeteve dhe logjistikës së EULEX-it, Policisë së Kosovës e gjer tek rastet e plagosjes dhe vrasjeve civile shqiptare, të zyrtarëve të Policisë së Kosovës, EULEX-it, NATO-s dhe të tjerëve. E tërë kjo është rrjedhojë e veprimeve individuale në bashkëveprim me institucionet e shtetit serb, si dhe me bashkëpunim të posaçëm të spiunëve të policisë sekrete serbe që vepron në Kosovë dhe bashkëpunëtorëve të tyre të tjerë.
Dëme të pariparueshme
Dëmet materiale, morale, politike e ekonomike për vendin tonë që i ka bërë ky rrjet spiunazhi, përllogariten të jenë tejet të mëdha dhe të pariparueshme, rrjet ky i cili po vështirëson funksionimin normal të lëvizjes së lirë të mallrave dhe të njerëzve. Është bërë rutinë e fjalorit politik se të gjithë fajtorët dhe kryesit e këtyre veprave një ditë do të kapen dhe do të dalin e gjykohen pranë gjykatave përkatëse dhe të pavarura të Republikës së Kosovës dhe të tillët ta marrin dënimin e merituar. Por, kjo tragji-komedi e këtyre ngjarjeve të dhembshme që po ndodhin në shoqërinë kosovare, vetëm se e mbajnë emrin, hetimet vazhdojnë dhe asgjë më shumë. Është e një rëndësie të veçantë, gjithashtu, të përmendet se spiunazhi serb ka edhe bashkëpunëtorët e vet mjaft aktivë, disa individë shqipfolës që për interesa të ngushta, janë në gjendje të bëjnë çdo gjë. Të tillët veprojnë në çdo segment të punës dhe jetës së përditshme duke bërë kontrabandë me mallra, me naftë e derivate të saja, pastaj me trafikim të qenieve njerëzore me armë të ndryshme të vogla e të mëdha etj., të cilat çdo ditë e më shumë po rrezikojnë jetën e qytetarëve, si dhe funksionimin normal të shtetit kosovar.
Veç kësaj, në veriun e Kosovës dhe në hapësirat ku veprojnë këta spiunë kemi shuma të mëdha shpëlarje parash, falsifikime dokumentesh institucionale etj. Këto janë vetëm disa nga veprimtaritë dhe aktivitetet e spiunazhit serb në bashkëpunim dhe bashkëveprim me të tjerët që e ndihmojnë në këtë drejtim për ta dobësuar funksionimin e shtetit tonë për përfitime dhe qëllime të tyre tani të mirënjohura. Sipas të gjitha këtyre dhe shumë argumenteve të tjera, që kësaj radhe nuk i përmenda, është koha e fundit që të tolerohet një gjendje dhe veprim i tillë, sidomos në veri pas të gjitha atyre përpjekjeve të institucioneve ndërkombëtare, të BE-së, SHBA-së, që edhe pas 5 vjetëve shtet i pavarur, Kosova, veriu, të jetë akoma në një gjendje të tillë çfarë e kemi sot. Si rrjedhojë e gjithë kësaj, kërkohet një mobilizim edhe më i madh në veprimtarinë e institucioneve gjithëpërfshirëse për të vepruar të gjithë bashkërisht kundër këtyre individëve, grupeve kriminale, spiunëve e të tjerëve që po e shkatërrojnë shtetin tonë, që e fituam me aq shumë mund e gjak. Pra, përderisa akoma në veri valëviten flamujt e Serbisë dhe mbishkrimet çetnike të shtetit serb dhe nuk pranohet asgjë e Kushtetutës së Kosovës, është më se e nevojshme dhe e domosdoshme për ekzistimin edhe për një kohë të gjatë të forcave të NATO-s, e në veçanti të SHBA-së, sepse kjo më së miri garanton një siguri individuale dhe kolektive të mbarë qytetarëve të saj.