Rudina Laka
Impotenca, prek gjysmën e meshkujve në moshën 40-70 vjeçTë dhënat e publikuara nga studimet e kryera së fundmi kanë treguar se gjysma e meshkujve të moshës 40-70 vjeç vuajnë nga impotenca.
Doktor Ened Kacorri, kirurg urolog shpjegon se impotenca mund të shfaqet në çdo moshë, por më tepër vihet re në rritjen e saj. Në një intervistë ai ka shpjeguar se çfarë është impotenca, nga se shkaktohet, si mund të trajtohet ajo etj.
Çfarë është impotenca?
Impotenca është pamundësia për të vazhduar aktin seksual pavarsisht dëshirës që mund të ketë mashkulli. Ajo që është e rëndësishme për të diagnostikuar këtë problem është koha. Në qoftë se problemi vazhdon për më shumë se 6 muaj, atëherë themi se personi ka impotencë.
Cilat janë shkaqet e impotencës?
Shkaqet ndahen në dy grupe: faktorët organik dhe psikologjik.
Faktorët organik janë sëmundjet e zemrës dhe enëve të gjakut, hipertensioni, diabeti, skleroza multiple dhe sëmundjet Alzheimer. Një shkak tjetër organik janë traumat. Në qoftë se trauma prek shtyllën kurrizore dhe krijohet një prerje që prek palcën atëhere mund të shfaqet impotenca. Faktor tjetër që e shkakton impotencën janë çrregullimet hormonale, siç është niveli i ulët i tostesteronit.
A mund të paraqiten së bashku faktorët organik dhe psikologjik???
Po, ndonjëherë nuk arijmë të dallojmë në qoftë se shkaku është organik apo psikologjik. Në këtë rast përdoret testi i gjumit, ku pacienti vihet tre herë në gjumë të thellë, gjatë të cilit mjeku vëren në qoftë se ai ka ereksion ose jo.
A mund të aplikohet ky test tek çdo njeri?
Jo, ky test bëhet vetëm për personat e rinj dhe për rastet e vështira për diagnozë. Në qoftë se planifikohet të kryhet operacioni i protezës, atëhere ky test duhet bërë me patjetër.
Si trajtohet impotenca?
Në qoftë se problemi është psikologjik atëhere zbatohet trajtim sjelljeje. Në këtë rast faktor kryesorë janë situatat që e kthejnë marrëdhënien në frikë. Në qoftë se personi e ka përjetuar njëherë këtë problem, ai mund të ketë frikë se kjo do të ndodhë përsëri. Kur kjo fiksohet në mëndje atëherë personi fillon të përjetojë atake paniku në marrëdhënie. Në këtë terapi vendosen detyrat që duhet të zbatojë çdo partner në çift.
A duhet patjetër rekomandim nga mjeku për përdorimin e ilaçeve?
Po, sepse secili ka efektin dhe kohën e vet të përdorimit, dhe si rrjedhojë duhet marrë patjetër rekomandimi i mjekut për të zgjedhur ilaçin e duhur.