2013-10-13

Nga Rudina Laka-PAP-Testi, femrat ende të pa ndërgjegjësuara për rëndësinë e tij -

PAP-Testi, femrat ende të pa ndërgjegjësuara për rëndësinë e tij













Sëmundjet kanceroze kanë marrë një përhapje në nivel shqetësues në vendin tonë, pasi me dhjetra dhe qindra gra vuajnë nga kanceri i gjirit, apo kanceri në qafën e mitrës.
Pas këtij realiteti fshihet hezitimi dhe neglizhenca e shumë prej femrave për të kryer kontrolle rutinë tek gjinekologu, iniciativë të cilën e ndërmarrin vetëm kur shfaqin shqetësime.
Dr.Juxhin Gjoshe, obstetër gjinekolog pranë spitalit Amerikan ka shpjeguar në një intervistë për MediaLajm, rëndësinë që ka kryerja e PAP- Test-it si një proçedurë që ndihmon në zbulimin e kancerit në qafën e mitrës.
Çfarë është PAP-Testi?
PAP- Testi është një proçedurë që ndihmon në zbulimin e kancerit të qafës së mitrës, ose ndryshimet e hershme që paraprijnë këtë lloj kanceri.
Kjo është një proçedurë e thjeshtë, jo e dhimbshme, e cila mund të realizohet gjatë një vizite gjinekologjike. Qelizat që veshin qafën e mitrës në porcionin e jashtëm mblidhen me ndihmën e një spatule speciale druri e cila nuk lëndon indin. Kurse qelizat e kanalit të qafës së mitrës merren me një furçë me fije të holla. Materiali shtrohet dhe fiksohet për t’u interpretuar nga mjekë anatomopatologë të specializuar.
Pap testi është vetëm një metodë zbuluese e problemeve me qafën e mitrës, por nuk jep një diagnozë përfundimtare dhe nuk e trajton kancerin.
Sa të informuara janë femrat në Shqipëri për rëndësinë e Pap Tesit?
Femrat të cilat kanë kontakte me burimet e informacionit, elektronike apo të shkruara, zotërojnë një informacion shpesh të plotë apo edhe të pjesshëm mbi atë që përfaqëson pap testi, si bëhet, çfarë tregon, si dhe rëndësinë e tij.
Por informacioni mbi rëndësinë që ka kjo mënyrë diagnostikimi nuk ka gjetur terren të favorshëm tek grupmosha mbi 40-45 vjeç, e cila është edhe mosha më e prekur nga problemet kanceroze të qafës së mitrës.
Si proçedurë të gjithë e kanë të dëgjuar, shumë prej tyre i druhen emrit apo nevojës për ta bërë, duke e lidhur gjithmonë me kancerin, duke mos ditur që është pikërisht PAP- Testi që mund të diagnostikojë hershëm kancerin në qafën e mitrës duke i dhënë pacientit mundësi për trajtimin e tij.
Cila është mosha kur një femër mund të fillojë të kryej PAP-Test-in?
Mosha në të cilën rekomandohet PAP- Testi i parë është 21-31 vjeç, ose 3 vjet nga fillimi i aktivitetit seksual. Rekomandohet që PAP- Testi të përsëritet çdo 2-3 vjet në rastet kur rezultati është normal. Ky interval mund të ndryshojë në varësi të problemeve që mund të evidentohen.
Nga rastet që ju keni egzaminuar, femrat e kryejnë PAP- Testin si një kontroll rutinë apo vetëm kur kanë shqetësime?
Ky egzaminim duhet të bëhet në rutinë në intervale të përcaktuara. Shumica e femrave vijnë për kryerjen e PAP-Testit kur kanë probleme. Ka edhe raste kur pacientet vijnë për kryerjen e këtij egzaminimi si rutinë, në kuadrin e një checkup-i shëndetësor apo kur ka diçka që i nxit. Rasti më i fundit ishte oferta që bëri Spitali Amerikan, në bazë të së cilës iu dha çdo gruaje mundësinë për kryerjen e mamografisë falas për një muaj. Kështu shumë prej atyre që bënin një egzaminim të tillë nxiteshin të kryenin edhe PAP-Testin.
Ju si gjinekolog çfarë i këshilloni femrave lidhur me rëndësinë që ka PAP-Testi?
PAP-Testi është i detyrueshëm për çdo femër që paraqet hemoragji vaginale jo normale pas kontaktit seksual, si dhe për çdo grua që e ka këtë hemoragji në fazën e menopauzës.
Duhet bërë kujdes pasi kanceri i qafës së mitrës mund të trajtohet përpara se të shfaqen ankesat si dhimbje, hemoragji vaginale etj. Në momentin kur pacienti i ka këto simptoma dhe është i dukshëm gjatë vizitës gjinekologjike, rezultatet e trajtimit do të jenë më të ngadalta dhe më të varfëra.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...