Interneti është në histori tashmë.
Njëzet vite më parë lindte world wide web, “rrjeti i madh informatik i merimangës” që solli internetin në shtëpitë tona dhe revolucionarizoi, vit pas viti, stilin tonë të jetesës. Kur lindi „World Wide Web” (“rrjeti i madh botëror”), Interneti ekzistonte tashmë. Në fakt interneti dhe Webi janë dy gjëra të ndryshme: i pari është rrjeti i të gjithë kompjuterëve, i dyti një lloj teknologjie për shkëmbimin e informacioneve përmes lidhjeve të quajtura linke. Pra, interneti lindi përpara webit. Rrjeti i parë i kompjuterëve quhej Arpanet: u krijua në kulmin e Luftës së Ftohtë nga Departamenti i Mbrojtjes i SHBA për të garantuar një shkëmbim të dhënash edhe në rast të një lufte bërthamore. Por në vitet tetëdhjetë Arpanet e humbi qëllimin e vet ushtarak dhe nisi të përdoret nga shkencëtarët. Lindën rrjete të tjerë dhe më pas interneti, “rrjeti i rrjeteve”, gjithnjë e më i gjerë: në vitin 1976, mbretëresha Elisabeta II e Anglisë dërgoi e-mailin e saj të parë që nga Royal Signals and Radar Establishment, në Malvem (Britania e Madhe). Gjithmonë në vitet shtatëdhjetë, në Carnegie Mellon University, u lidh për herë të parë në rrjet një distributor pijesh Coca-Cola.
1991-1992. Origjina: Një rrjet shkencëtarësh
“World Wide Web” synon që të krijojë lidhje mes informacioneve, kudo ku këta ndodhen. Projekti ka lindur për të lejuar fizikanët që të shkëmbejnë të dhëna, informacione dhe lajme… Bashkëpunëtorët janë të mirëpritur”. Me këtë frazë, të botuar në një grup lajmesh online shkencëtarësh informaticioni britanik Tim Bernes Lee mbolli farën për lindjen e „World Wide Web”. Ishte 16 gushti i vitit 1991. Lee punonte nën mbikëqyrjen e CERN të Gjenevës, që për të gjithë vitin 1992 bëri të disponueshme teknologjinë e re për universitete dhe laboratorë shkencorë. Të cilët nisën të shkëmbejnë info duke e përmirësuar. Në vitin 1992, shkrimtarja amerikane Jean Armour Polly pagëzoi shprehjen “surfing the web” (lundrimi në internet).
1993. Me modemët e parë, webi në shtëpitë e të gjithëve
Në 30 prill të vitit 1993, CERN liberalizoi internetin: të gjithë mund të lundronin, me kushtin që të kishin një kompjuter dhe një modem. Lidhja në internet kryhej nëpërmjet një telefoni me një shpejtësi 14,4 kilobyte në sekondë (sot është deri 1000 hew më i lartë). Faqet bëheshin të dukshme falë një programi të quajtur ‘browser”. I pari i këtyre ishte Mosaic X, i krijuar nga Mark Andreessen, i cili pak kohë më vonë do të nxirrte Netscape. Në dhjetor web-i kishte vetëm 623 faqe. Gazetat e mëdha, nga Neq York Times tek Economist publikuan artikujt e parë mbi webmaninë.
1994. Zgjerimi
Lindën motorrët e parë të kërkimit, pararendësit e Google, që atëherë quheshin WebCrawler dhe Lycos. Dhe nisi eksperimentimi i blerjeve online: zinxhiri i Pizza Hut u ofronte klientëve të vet të Santa Cruz në Kaliforni mundësinë që të porosisnin pica në internet. Më pas lindi libraria online Amazon. Com, e quajtur kështu nga themeluesi i saj Jeff Bezos sepse donte që të bëhej faqja më e madhe tregtare e botës (ashtu si Rio i Amazonës është lumi më i madh). Gazetat nisën të shumëfishohen në internet duke hapur degët e tyre. Në Europë, e para ishte Unione Sarda. Faqja e internetit GeoCities nisi t’u paraprijë faqeve të rrjeteve socialë, si Facebook: përdoruesit mund t’i mbushnin me fotografi dhe tekste, por ende nuk mund të komunikonin mes tyre.
1995. Ankande, buletinë dhe lista dixhitale
Ishte viti i një informaticieni iranian, i lindur në Francë dhe që kish marrë nënshtetësinë amerikane: Pierre Omidyar, i cili në moshën 28-vjeçare lançoi Auction Web e më vonë do të ndërronte emër e do të quhej eBay (Echobay, emri i zgjedhur fillimisht, ishte i zënë tashmë). Ai u pasua nga Craig Newmark, i cili në San Francisco krijoi një buletin informatik për shpalljet ekonomike të miqve të tij: Craiglist, që do të bëhej një ndër faqeve më të rëndësishme të lajmërimeve online. Gjithmonë në vitin 1995 do të lindnin edhe dy motorrë kërkimi të tjerë: Altavista dhe Excite, si dhe një direktori (listë faqesh interneti të organizuar në formë hierarkie) që përpiqej të vendoste rregull në kaosin e internetit: Yahoo! Netscape kishte tashmë konkurrent, Internet Explorer i Microsoftit i cili do i shpallte një luftë të pamëshirshme.
1996-1998. Lind Google
Në janar 1996 u rregjistruan 100 mijë faqe në botë. Dhe në po të njëjtin vit lindi në Itali i pari motorr kërkimi, Arianna. Një vit më vonë, amerikani Jorn Barger nisi të sinjalizojë interesin e tij për faqen Robot Wisdom, që e quante weblog. Në vitin 1998 kishte tashmë 3.7 milionë faqe interneti. Dy studentët e universitetit të Stanford, Larry Page dhe Sergey Brin, menduan që për t’i etiketuar në mënyrë dixhitale për ta bërë sa më të dobishëm navigimin, nevojitej një motorr i ri kërkimi. E krijuan dhe e quajtën Google. Në të vërtetë, emri duhej të ishte Googol, një numër shumë i madh (1 i ndjekur nga 100 zero) por diçka shkoi keq në momentin e rregjistrimit.
1992-2000. Muzikë falas për të gjithë
Bumi i lidhjeve falas në interneti rriti në mënyrë të jashtëzakonshme numrin e përdoruesve. Nisën të shfaqen lidhjet e para Adsl me bandë të gjerë dhe u fillua të flitet për internetin pa kabëll. Në kulmin e rrëmujës krijuese të webit 18 vjeçari Shawn Fanning krijoi Napsterin, një program që lejonte shkarkimin e këngëve nga interneti. Kështu, pirateria u shndërrua në një fenomen masiv. Ndërkohë, weblog-ët u shndërruan në log-ë. Microsofti krijoi MSN Messenger dhe Interneti hyri në bursë. Aksionet e kompanive teknologjike arritën shifra të rëndësishme: në Itali, për shembull, Tiscali e kaloi edhe kapitalizimin e FIAT. Ishte fillimi i asaj që do të quhej dotcom bubble, fluska spekulative e New Economy.
2001-2003. Shpërthimi i fluskës
Fluska e new economy shkaktoi shembjen e shumë kompanive por nuk e ndali valën e gjatë të webit, tashmë i përdorur edhe përmes celularëve. Shpresat nisën të mbështeten tek Web 2.0, bazuar në bashkëpunimin e përdoruesve dhe ndarjen e informacioneve. Një filozofi që në vitin 2001 solli krijimin e Wikipedias, enciklopedia e realizuar nga vetë lexuesit e vet. Në vitin 2002 u krijua Flickr, për ndarjen e fotografive. Dhe bota e festoi kapërcimin e pragut të 1 miliardë kompjuterëve (të shitur duke nisur nga vitet shtatëdhjetë). Në vitin 2003 lindi rrjeti social MySpace: fjala magjike ishte “profil”. Të gjithë mund të hapnin profilin e tyre e ta mbushnin me fotografi, fjalë, muzikë e mbi të gjitha të bënin miqësi me përdoruesit e tjerë të faqes.
2004-2007. Lindja e YouTube dhe Facebook
Përdoruesit e internetit u bënë 780 milionë. Njëri prej tyre, Mark Zuckerberg në shkurt 2004 krijoi një faqe për të vënë në kontakt mes tyre studentët e Harvardit. Emri? The facebook, nga emri i vjetarit të studentëve që publikohet në shkollat amerikane. Në atë periudhë doli sërish browser-i falas i quajtur Mozilla Firefox i cili do të sfidonte Internet Explorerin, që përdorej nga 95% e njerëzve. Në 23 prill të vitit 2005 u shfaq filmimi “Unë në kopshtin zoologjik” i Jawed Karim: ishte pagëzimi zyrtar i YouTube, që Karim e kish krijuar me dy miq të tij, Chad Hurley dhe Steve Chen. Në vitin 2006 Jack Dorsey krijoi Twitterin, një shërbim që u lejonte njerëzve të komunikonin me një grup miqsh me mesazhe jo më shumë se 140 gërma. Dhe në vitin 2007 Steve Jobs prezantoi produktine Apple, iPhone, celulari gjithmonë i lidhur në internet.
2010-2013. Triumfi i aplikacioneve
Viti 2010 u hap me lancimin e iPad, tableti i Apple: një kompjuter i lëvizshëm me ekran me prekje. Më vonë mbërritën edhe të markave të tjera. Të gjithë këta produkte, ashtu si iPhone përdorin aplikacionet: programe që”ndajnë” internetin në shërbime të ndryshme dhe mundësojnë një navigim të paracaktuar. Sipas disave, në të ardhmen kjo mund të sjellë fundin e navigimit të lirë në internet. Ndërkohë Facebook, që ka arritur 800 milionë përdorues, ishte në 2011 bashkë me Twitterin mjeti i komunikimit i Pranverës Arabe dhe rebelimeve të të rinjve që tronditën Afrikën Veriore dhe Lindjen e Mesme.