2013-10-16

Vajtimet e grave dhe gjamët e burrave në Malësinë e Madhe(Me lot lokja t’ka shujtue, Me dashtní nâna t’ká mlue…)


Pasqyrë e shkurtër mbi vajtimet dhe gjamët në përgjithësi

Vdekja është një dukuri e pashmangshme e secilit njeri, bashkë me këtë edhe vajtimet e grave dhe britma (gjamët) e burrave. Vajin si fenomen e kanë të njohur të gjithë popujt, përkimet e ritit të mortjes edhe vajit, si dukuri e veçantë e tij, janë të ngjashme për nga ana emocionale. Kjo ngjashmëri shprehet jo vetëm për nga afërsia gjeografike, por edhe tek ata që gjeografikisht jetojnë larg njëri tjetrit, përkatësisht kemi të bëjmë me natyrën e njëllojtë të shpirtit të njeriut. Krahas ngjasimeve të ritualit të vdekjes edhe të vajtimit tek popujt ekzistojnë edhe ndryshime, që nuk shfaqen vetëm midis kulturave të popujve, por edhe brenda një kulture. Shtrohet pyetja pse kështu? Del përgjigjia: Këto ndryshime janë rrjedhojë e dokeve e botëkuptimeve të formuara e të pasuruara në rrjedhat kohore, e mënyrës së jetës, që kanë ndodhur në marrëdhëniet shoqërore etj. Ndryshimet e ngjasimet në diakroni dhe sinkroni veçmas në rrafshin ndërnacional të vajtimeve vërehen nëse krijimet shqiptare i krahasojmë me ato të popujve të tjerë. Ngjasimet dhe afria si edhe ndryshimet brenda kulturës shqiptare mund të shërbejë si paradigmë tipike, ndër fiset e trevat e ndryshme janë ruajtur elemente të lashta e forma të ndryshme, që ato përdoren nga pjesëtarët e krahinave të tjera. Fakte jep edhe Evlia Çelebi Sejahatnamesi. Studimi për vajtimet shqiptare është i vonshëm. Shkaqet për vonesën janë si edhe për llojet e tjera të letërsisë gojore shqiptare. Si kuriozitet po përmendim se gjamët e buarrave në Malësi kanë qenë në grupe (korale) dhe kanë vazhduar deri në ditët e para pas Luftës së Dytë Botërore. Çdo person i grupit thurte vargje ashtu siç dinte duke mbajtur duart në pozitë horizontale, me rrahje të krahërorit, me gërvishtje të fytyrës... Gjamë të tilla më nuk ka në Malësi. Kjo dëshmi tjetër është ruajtur në këngën popullore arbëreshe "Vdekja e Skënderbeut" botuar në vëllimin "Rapsodi të një poeme shqiptare ( Rapsodie d'um poema albanese) nga De Rada (1866).


Pranë kufirit jugosllavo-shqiptar të Komunës së Podgoricës, prej bregut të Liqenit të Shkodrës e gjer në Koritë (në veri), shtrihet Malësia e Madhe si pjesë integrale. Ajo përbëhet nga Hoti me fshatrat malorë: Traboin i Moçëm (ndryshe quhet Traboini i Sipërm ose Rranxa e Rrasës), Nabomi, Helmica, Bardhajt, Arza, Skorraqi, Spija, (që të gjtha përbëjnë Traboinin), pastaj Drumja e Sipërme dhe e Poshtme si edhe fshatrat fushorë: Vuksanlekaj, Dreshaj, Nënhelm dhe Sukruq. Gruda përfshinë këto fshatra: Selishtin (bashkë me Cemin e Selishtit), Llofkën (bashkë me Cemin e Llofkës, Priftin, Pikalën (këto fshatra me një emër quhen rranxa e Sukës), Këshevën, Kurrecin si dhe fshatrat fushorë : Dinoshë, rranxa e Vulajve, Dushiq, Kodra e Budanit, Vranë me Lekaj dhe Vllanë. Bajraku i Triepshit numëron këto fshatra: Poprat, Bëkaj, Delaj, Cem i Triepshit, Stjepoh, Budzë, Nikmarash, Muzheçk, Rudinë, që të gjitha fshatra malorë. Bajraku i Kojës numron dy fshatra malorë: Shullani dhe Osojna (marrin emërtimin sipas pozitës). Pasojnë Ledina, Luhari si dhe fshatrat fushorë: Omerbozhajt, Tojeqi dhe Rakiqi (ku popullsia është e përzier: malazezë, shqiptarë dhe të tjerë). Qendra e Malësisë është Tuzi me afro 6000 banorë. Sa për kuriozitet theksojmë se elementi katolik jeton në pjesën më të madhe në fshatrat malorë, kurse ai mysliman, kryesisht, ndër ato fushorë. E kaluara e Malësisë ishte e hidhur dhe tejet e vështirë. Bujqësia dhe blegtoria ishin të vetmet burime ekonomike. Jetën e rëndë e bënin edhe më të vështirë luftimet e shumta kundër zgjedhës shekullore të Turqisë. Megjithatë qëndroi e pamposhtur para vë-shtirësive të jetës gjatë historisë. Malësia ruajti me dinitet doket e zakonet, pastërtin e gjuhës dhe virtytet fisnike - nderin, trimërinë, besnikërinë e bujarinë të cilat i kultivoi me mburrjen e emrit të malësorit.







Vajtimet e grave dhe gjamët e burrave në Malësinë e Madhe (Hot, Grudë, Triepsh dhe Kojë )


Deshtëm për t'i rreshtuar në mënyrë organike, vajet dhe gjamët duke zgjëruar refleksin e veprimit të tyre. Meqë janë fryt i pashterrshëm i një mendjehollësie të vazhdueshme e të mahnitshme të popullit tonë, në to shohim të kaluarën në thellësi të kohëve trashigiminë shqiptare bashkë me gjuhën autoktone të mirëfilltë të rajoneve të Malësisë (Hot, Grudë; Triepsh dhe Kojë). Vajtimet e Malësisë kanë pika të përbashkëta koherente, lidhje të caktuara tipizuese. Këtë përshtatje këpujore e vrojtoi përafërsisht, derisa ishte konsull në Shqipëri Hahni, njëri nga të parët studiues të vajtimeve shqiptare. Vajtoret mallkojnë këtë fantazmë (vdekjen), që rreh derë më derë. Vajtoret nuk e mallkojnë vetëm vdekjen, por edhe rastin e vdekjes, sidomos të asaj të papritur. Pra, nuk qajnë vetëm të vdekurin, ato qajnë edhe hallet e të gjallëve. Vajtimi bëhet me një mjeshtri të rrallë duke u lidhur me vdekjen e rastit, qanë me dënesë për jetën në të ardhmën-pa njeriun që e rrëmbeu vdekja që nuk do të jetë më në mesin e tyre- sa të jetë hënë e diell.
Poezia e përmotshme është një përbërje pjesësh të një kënge të përvajshme të këtij riti që, shpirti i tronditur i grues poeteshë, i rikujton të improvizuara dhe të përshtatura sipas nevojës. Sidoqoftë, në këto këngë lirike mbizotëron fuqishëm toni elegjiak, pikërisht si ton që lind vetëvetiu në emocionet momentale dhe pasthirrjet e shpeshta, retiçencat, apostrofimet ndaj personit të vdekur, personifikimet e objekteve që e rrethojnë: shtëpinë, malet, varret, janë trajta dhe shprehja e gjallë e shpirtit të mallëngjyer. Në ato këngë lirike gjithçka është jeta; natyra flet me metaforat dhe përfytyrimet; dhe ajo që ka më rëndësi është se zbulojnë një hije të shpirtit (katarza) që vihet re në këngët e etërve të tyre, në të cilat përmendet një bashkësi heroike, një jetë e kaluar midis himneve të ngadhnjimit dhe monumenteve të lavdisë. Vajtorja pasi vajton të ndjerin "kapërcen" vajtimin duke e qarë të vdekurin e familjes ose të farefisit. Në këtë rast e porositë të vdekurin që t'i përcjellë përshëndetjet në botën tjetër:-ta shohë nëse është i rritur, t'i tregojë se janë rritur "mocatarët", shokët, se janë fejuar e martuar, se kanë dalë (tregon profesionin), se e qajnë mortë në mortë, në shpirtin e nënës ka mbetur i paharruar. Vajtoret besojnë se çdo gjë ndodh ashtu siç është "shkruar" dhe secilit i është "shkrua" se sa do të jetojë dhe prej çfarë "exheli" do të vdesë. Pra, sipas besimit të tyre çdo gjë është përcaktuar. Kënga e përvajshme dhe tipizimi Vajtime të mirëfillta e të shumta në numër në trevën e Malësisë janë ato që kanë formë stabile strukturale, vlerë estetike dhe humane, duke u spikatur lirizmi i tekstit të transponuar me ndjenjat më subtile të ngjarjes që ka shkak-uar mortën, qoftë fatkeqësi në komunikacion, vdekje e natyrshme, apo shkak tjetër që ne në këtë punim do t'i emërtojmë. Renditja tipizuese duket si vijon:

1. Vajtimi sipas rastit të vdekjes
2.Vajtimi sipas moshës të vdekurit
3Vajtimi sipas subjektit (personit) që vajton të vdekurin

Vajtimi sipas rastit të vdekjes

a) Vajtimi për të vrarit
b) Vajtimi për të mbyturit në ujë
c) Vajtimi për fatëkeqësi në komunikacion
ç) Vajtimi për vdekje nga sëmurja
d) Vajtimi për vrasje në luftë

Vajtimi sipas moshës së të vdekurit

a) Vajtimi për fëmijë
b) Vajtimi për prindër të ri

Vajtimi sipas subjektit (personit)

a) Vajtimi sipas personit të njohur
b) Vajtimi i motrës për të vëllan
c) Vajtimi i bijës për babë dhe nënë

Vajtim për të vrarit

Ky tip hynë në vajtimet, që, për nga përmbajtja (entiteti) është tejet emocional; meqënëse vetë konteksti i detyron më të afërmit të hakmerrën për të ndjerin, kuptohet nëse dihet vrastori (aktori). Hakmarrja (gjakmarrja) i ka rrënjët e veta në bashkësinë e lashtë, për çka s'ka nevojë për një elaborim të gjatë.
Vajtimet në Malësi, si edhe te popujt tjerë, e thërrasin më të afërmin që ka i vrari t'ia marrë gjakun, sepse një procedim i tillë do t'ia ndriçoi fytyrën e të vdekurit dhe pasrdhësve të tij. Në kohët e përparshme, gjegjësisht në një kohë të kaluar, ai i cili nuk ia ka marrë gjakun të afërmit ka qenë i përbuzur dhe i përçmuar nga të gjithë ata që e kanë njohur qerasja ("qerami") i bëhej për nën gju... Në kohën më të re i drejtohen me persiflazh ( e venë në lojë dhe me tallje qesëndiset e marrin nëpër gojë) derisa mos t'ia marrë gjakun. Përderisa sot nuk përfillen më ato norma zakonore të përfshihet e tërë familja e vrastorit, por vetëm dorasin (bartësi i aktit të veprimit.

Të vrarit në fshehtësi-pusi

Vrasja në fshehtësi, për më të afërmit, mbajnë një veti dhembje të thellë, sepse s'dihet vrastari. Ç'të bëhet kur dihet motoja "gjaku i derdhur-kërkon gjakun e ri". Pra, duhet të gjurmohet vrasësi, përndryshe mbetet dhembja e pikëllimi i përdëllyer dhe tejet i dhimbshëm dhe i përjetshëm për të ndjerin, aq më tepër kur dihet se ka qenë shumë njeridashës, bujar dhe i nder-shëm, duke treguar gatishmëri për t'i ndihmuar të tjerët. Ja një shembull:

Njaj Gjokë Dedi djalë daji
Pa i pasë kuj gjak as varr
Deka jote erdhi me mall
Ka lanë gjallë bab e nan..."


Me këto fjalë vajtorja e ngritë zërin e vet në shenjë protesti, me dhembje të madhe, dhe njofton tubimin e përmotshëm në ditën e varrimit për një vrasje të paarsyeshme. Tenton me zërin e saj fuqishëm dhe në mënyrë emotive ta ndriçojë me ton lirik si ka ardhur deri tek vdekja e të pushuarit me dhimbje e pikëllim. Siç shihet nga tekstura e vargjeve, vajtorja kufizohet, pasi nuk dihet motivika. Më së tepërmi i pikëllon personat që do të jetojnë me dhembje shpirtërore; në këtë rast dëshmon vargu i fundit: "Ke lan gjallë babë e nan" etj.




Vajtimet për të mbyturin në ujë janë mjaft prekëse me pleksje improvizuese, Ato mbartin në esencë dhembje dyfishe për të pushuarin, pasi vdekja është tejët e rëndë, duke u përpiluar me vrull e me forcë për t’ia dalë në krye përpjekjes këmbëngulëse; dhembja është e madhe kur i mbyuri është i ri, të prek e të mallëngjren, shkakton dhembje shpirtërore, ndjenja të forta dhe shpresa të thella. Ja një rast I rëndë nga triepshi:

Po ti Tomë Gjoni hej medet
T’erdh koha me gazep
Vardari u trumbullua
Jetën se si ta ka shkurtua”

Vajtorja i drejtohet Vardarit me nëmë, që me zëmrim e dënon “Ujët e turbulluar”, që ia muar jetën djalit të ri. Mbiemri i “trumbulluar” ka simbolikë figurative, që shkakton rrëmujë, trazira, që errëson gjykimin. Vatjorja tregon realitetin, në anën tjetër jep porosinë të mos përsëritet viktima tjetër.

Vajtimet për fatkeqësi në komunikacion

Këto vajtime janë mjaft të prekshme me dhembje të dyfishtë pasi vjen në mënyrë të befasishme e të menjëhershme, papandehur, ngjarje që nuk e dimë e nuk parashikohet. Emocionalisht e shumëfishojnë dhembjen, sepse teksti përmban në vete elementin tragjik, që bëhet shkak i një vuajtjeje të thellë shpirtërore a tronditëse që të mallëngjen e të prek thellë. Dhimbja ka përmasa të mëdha jo vetëm te më të afërmit por edhe tek ata që janë të pranishëm Dhe tek ata që e kanë njohur ma parë, sepse trupi i të ndjerit është coptuar. Ja një shembull:

“Agron Gjoni shtatin e hjedhun
Ballin e paske të përvjelun:
- Paj tramvaj kjoft mallkua:
Si trupin ta ka coptua
Si ta galçiu kam e dorë
Ç’i e pate bardh si borë”

Ose:

Oh, ti Agron Gjoni i fejuam
Besa magist’r i pamartuam
Nusën besa e ke lëshua
Për dika tjetër m’u fejua
Po kujt zëbra nuk i dhëp?
Po medet se a gazep...”

Vajtimet për të sëmurin janë plot dhembje, në veçanti, për më të afërmit e të ndjerit, sepse sëmundja ia shkurton jetën para kohet pa kurrfarë mëshire. Vajtorja në mënyrë prekse e ballafaqon momentin kur thotë: “p’r ty kurrku s’u gjet ilaçi”; me këtë varg popullor dëshiron t’i forcojë më të afërmit e të ndjerit, duke u treguar se sëmurja ishte e pashërueshme e vdekjepruese mu në gypin e frymëmarrjes (laring) siç e diagnostifikon vajtorja në vargjet e mëposhtme:

“More Mirash Luca djal zotni
-Po ku ta nisi dhimba tye?
-Ën fyt e ën gush-vajmedet
Kurrku ilaç-e p’r ty s’u gjet!
-Ti arsimtar e “novinar”
I bisedës e kuvenar...”

Vajtimi për vrasje në luftë

Këto këngë vajtimi zënë vend themelor dhe parësor tek malësorët, sepse u kushtohet enkas trimave, që dhan jetën në fushën e “mejdanit” duke mbrojtur vatanin nga armiqtë pushtues. Vajtorja shpreh poentën e cila manifestohet me krenari për më të afërmit, përderisa dhanë jetën për idealin shoqëror, për të mirën e përgjithshme; në këtë mënyrë mbetën të paharrushëm, duke u përmendur se fali jetën për të mirën e popullit e të atdheut, në anën tjetër nxisin të tjerët që të duan l i r i n ë. Ja një shembull (model):

“ Tomë me shok ke luftua
Dit e nat pa pushua
Ven’in tat me çlirua
Kurr s’kan me t’harrua
Po me lavd me të k’tua...”

Vajtimi për fëmijë

Ky nëntip hynë në kategorinë e vajtimeve që kanë përmbajtje të dhimbshme shpirtërore, që lë mbresa mallëngjyese me dhembka të mëdha të pashlyeshme. Nga kjo pikë vështrimi iu është dhën një kujdes I posaçëm, sepse kanë të bëjnë me ndjenja subtile. Përkatësisht kur nga ata pritet shumë e posaçarisht prindërit. Vajtimet e këtij nëntipi mbartin dhembje ekspresive pasi shikohen disa momente: vdesin të pamartuar, shkatërrohet fuqia dhe shkëlqimi I tyre rinor në sy (hijeshia) para kohet; papajtueshmeria e vështirë, pasi dëshira e fati s’u është plotësuar. Vajtimet e tilla janë subtile dhe sugjestive, që të prekin dhe të ngjadhin ndjenja. Në këto këngë janë të eksponuara rekvizita të shumta: lodrat për fëmijë, lëvizjet e zhdërvjelltësia. Nëse ka shkuar në shkoll përmenden: librat, fletoret, lapsat, çanta, prindërit do t’i ruajn kujtimet për të. Vajtorja të gjitha këto i bjen në një rresht dhe i harmonizon, duke I detyruar të përmotshmit t’u shkojn lot rrëke. Hidhërimi është vizion i pikëlluar dhe i trishtuar, që shprehet me vargje të thekshme e subtile:

“O Nua Kola oh, çfar djalit
Po na pelset valla p’ej mallit
-Po disi qitrojm te tanë
-Po çka thua për babë e nan?
Për kujtim t’i pajn lojnat tua
-Kje i çpejt e shum i parë
S’e le shoqin ën mocatar...”


Vajtorja me vargjet shprehëse përmend shokët e shkollës, prindërit, që i përkushtuan kujdes të madh rritjes së tij, si fëmijë e si nxënës, duke pasur respekt e nderim ndaj shokëve dhe mësuesit të vet, që shprehet me tinguj të thekshëm, me anë të figurave poetike:

" Pashko Doda oh, çfarë djalit
Po tuj t'ruajt si syt e ballit
-Ti Pashko ën shkollë ke shkua
-Shokt e psuesat t'kan n'erua
Edhe i vogl e ke hatrua
-More Pashko kokrra e molls
Për ty po kjajën shokt e shkollës".

Vajtorja për të mbërrijtur dhembje ekspresive tek prindërit i përcepton anët e jashtme të inventarit të shkollës, tekset e shkollës dhe vetëdijen e nënës, që bëhen me anë të organeve të shqisave:

"More Pashko kokrra e molls,
Ëj hëë...ëj
Të rrin çpearst banka e shkolls,
Ëj hëë...ëj
Çi sa her nana t' ëohet n'kam,
Ëj hëë...ëj
I kujtohen librat ç'ke lan,
Ëj hëë...ëj"

Vajtime për prindër të ri

Vajtimet janë tejet rrënqethëse dhe të trishtuara aq më parë kur fëmija mbetën pa një prindër. Pikërisht mu atëherë kur duhet njëri të kujdeset për ta, për rritjen e tyre, për edukimin, nëna ose baba njëri pa tjetrin nuk mund t'iu plotësojnë kërkesat fëmijëve të tyre. Fëmija pa nënë, faktikisht, mbesin "jetimë"; gjithsesi ndihet nevoja se u mungon dashuria e nënës, dashuria parësore. Janë brenga të mëdha për t'I rritur, për t'i çuar në rrugë të drejtë; moshatarët ndaj tyre mbajnë qëndrim mospërfillës dhe nuk i kuptojnë. Vajtorja me mjeshtri artistike përdor figurat poetike fillimisht krahasimin: "F' mijapa nan, si nata pa han". Në çdo rast nëna fetishizohet, sepse vajtorja fare mirë e kupton se nëna, tek të gjithë popujt, ka mbetur më e afërta e më e dashura. Ajo ndaj fëmijëve flijohet më së tepërmi: i vesh e i mbath i arnon, i pajton, i ushqen, i lanë, i vënë në gjumë me këngë. Mungesa e nënës i shtyrë fëmijët që qajnë:

Oh, f ' mija besa pa nanë
Ëj hëë...ëj!
Janë si nata e pa han
Ëj hëë...ëj!
K 'ta jetima kan me lotua
Ëj hëë...ëj!
Ç' i sa her t 'ju r 'mët për nan
Ëj hëë...ëj!
Po Gjuke Velja pse i ke lan'
Ëj hëëë...ëj!
Kush me u shtrua e përdorua ?
Ëj hëë...ëj!
Kush ka me(j) la e me (j) arnua?
Ëj hëë...ëj!
A thua ti Mark Tom daija
Ëj hëë...ëj
I ban pun't çi i do fmija

Vajtimi për burra të njohur

Ky tipiztim vajtimi ka specifikë dhe dimension të gjërë, që i kapërcen suazat lokale. Gjithsesi në Malësi të Madhe ka pasur burra të përmendur, që janë bërë të njohur për diçka dhe përfaqësonin Malësinë. Dalloheshin: për mençuri, për besë, trimëri. Pala kundërshtare, për më tepër tentoi t'i blejë me pare parinë e Malësisë fillimisht ana e pushtuesve Osman, që të mos kundërshtojnë (rezistojnë) ushtrinë e Sulltanit, madje të ndërrojnë edhe besimin e vet fetar; t'u japin fusha me vreshta. Por ishte punë boshe që bënte Porta, asesi nuk pranojnë, ruajtën fytyrën dhe nderin e të parëve (etërve) të vet. Për evokimin e një vizioni të tillë emocional sa u tha më lart, vajtorja i artikulon dhe me mjeshtri i strukturon në vargjet e mëposhtme, dhe i thotë në frymën e nëntërrokshit popullor:

Ti sdigiove Baco me mih n'uj'
S 'i lakmove kurr pares huj
Bushatlit t'i pan çua do pare
Por u the, - bani t ' jera halle
Po ti Baco le ner ën Mal'si
S 'e le anmikun m'ren me hi
T 'ka njoftë Shkodra e Cetija
Prizreni e tanë Shqiptaria.

Baca Kurti, shquhet për vlerën e shkëlqimin e vet, të bën ta admirosh

Vajtimi i bijës për babë

Këto vajtime në Malësi janë të rralla, ndonëse janë prezente. Vajza shfaq dhembje për babë që vdiq relativisht i ri., në fakt ia la fëmijët të moshës parashkollore, dhe bija (Groshja) pothuajse është ende fëmijë, por ka vetëdije të tmerrshme se çfarë e keqe e ka gjetur; babën kurrë më s'do ta shoh, as shkollimi i saj, premtim i dhënur, kurrë nuk do të realizohet. Vajza duke qarë babën shpreh gjithë dufin shpirtëror, për shkak të vdekjes që i ka ngjarë. Vargjet që ia kushtoi babës së vetë kanë naivitet, por në anën tjetër janë plot e përplotë me dhembje e pikëllim; spikatet realiteti mjaft i qëlluar i fëmijës :

" As kurrë ma s ' t ' shoh ën jetë".
"More babë , nore Kolë
Ëj hëë...ëj!
M' ke pa' tha' me m'çuo ën shkollë
Ëj hëë ...ëj!
Tash po kja e z 'di çna gjetë
Ëj hëë...ëj!
As kurrë ma s't' sho (h) ën jetë
Ëj hëë...ëj!

Vajtimi i motrës për vëlla

Vajtimet në Malësi kanë një trajtesë të njëjtë si ato të motrës për vëlla si edhe të tjerat... Motra për vëlla është në vend të nënës, ajo mund ta zëvendësojë e kurrkush tjetër. Motra për vëllaun e bjerrur nuk është në gjendje të frenojë vetën; është e gatshme të përgjërohet për vëlla. Vihet në spikamë teksti i improvizuar aty për aty me vargje të thekshme dhe emocionalisht të ngjyrosura me pikëllim e të përvjelluar me refrenin " Ëj hëë...ëj" motrës Dilë plot me trazira shpirtërore i kanë lindur me rastin e lajmit të kohshëm. Momentet i ngjyros me petk poetik emocional " Ka pet vetëm pa të martua" shpërthen vaji i të gjithë grave, që janë në lidhje gjaku ose me babën e të ndjerit ose me nënën e saj, d.m.th., gratë rreth kufomës. Dila me aftësi kreative të vajtorës rrëfen evokimet e veta "Si do nana Novka me t'jetua" dëgjohen britma e klithje ritmike që rrënqeth e të trazon shpirtërisht.

Si u ' Dila motra jote v'lla
Ëj hëë...ëj!
S ' muj pa ty Nik me jetua
Ëj hëë ...ëj!
Si do nana Novka me t'jetua?
Ëj hëë...ëj!
Ka pet vetëm pa t'martua

Vajtorët (gjamtarët) vdekjen e shohin si dukuri normale kur vdesin burra të moshuar "ashtë dekë me rën" gjamëtari e kapërcen por jep trajtën narative dhe konvencionale duke shpreh të kaluarën e hidhur dhe të vështirë kur mbetet pa të vetmin djalë, paraqitet një atmosferë e zymtë. Evokon qëndrimin dhe krenarinë, qëndrueshmërinë i vendosur dhe i papërkulur para fatkeqësisë dhe rrezikut kur iu vra djali i vetëm derisa ishte bari nga një shok i tij rastësisht e joqëllimisht dhe të vdekurin e çojnë në shtëpi, por në grykë të varrit e ka falur vrasësin, ndonëse ishte dhe mbeti me një dhembje të thellë shpirtërore, por edhe vrasësi mbeti me ndërgjegje të vrarë. Vajtori evokon efektin dhe reaksionin dramatik në mënyrë figurative me emrin "ferrë" diçka e keqe; hall i madh "dera iu mshel me ferrë". Vargjet e shprehin besnikërisht dhe bindshëm "për hise të shkretuar" që depërton, fatkeqësia, lehtë në çdo emër; që mbesin baba e nëna fatkeq dhe të mjerë, që është për të ardhur keq. Për konkretizim po sjellim një fragment të vajtimit. Gjamë për Smal Dedin Dukaj (Budxë- Triepsh)

I mjeee - ri u ' për ty, o Smal,
nuk ëm bjen dër met se t' kam
njoftë ka ditë,
por po kjaj emnin e jaj djalit t' ri.
I mjeee - ri u ' i mjeeee-ri, o Martin
çi para kohe shkove en lle t' zi
e ti e ke falë gjakun e ti
ën grykë t' vorrit si daji.
- Qysh ate' re me ferrë u pshel kjo
sh' pi
I mjeri u ' i mjeri, o Smal
për histe tate t' shkrepun...


Vdekja vështrohet si një dukuri kobzezë dhe fatale mu atëherë kur në atë shpi nuk lë trashëgimi pas vdekjes; djalë të martuar, që do të trashëgoi shtëpinë nga i ati. Gjykuar sipas tekstit poetik të mësipërm, mund të themi se gjama ka aspekte etike e sociale duke i prekur mjeshtërisht edhe problemet më delikate familjare, ku i vihen në pah virtytet e larta njerëzore, kanë aludime edhe tek të gjallët. Vargjet janë të thekshme emocionalisht e të ngjyrosura me pikëllim. Tipari karakteristik që bije në sy në këtë vajtim është prania e sintagmës " e ti e ke falë gjakun e ti, ën grykë të vorrit si daji". Vajtori i ka ngjyros me petk poetik emocional që të rrëqeth e të trazon shpirtërisht. Gjamëtari vdekjen e sheh si dukuri normale kur, personi, ka lënë shtëpinë plot; gjejnë shprehje e krijojnë situata që lehtësojnë dhembjen dhe në këtë mënyrë i ngushëllojnë anëtarët dhe farefisin. Situata të tilla ndeshim kur vdesin burra të moshuar. Për konkretizim po sjellim një fragment të gjamës të Tomë Bish Ivezaj, për Dakë Lekën Gjokaj nga Mileshi (Grudë):

O - ooo - i lumi ti , more Daku i Leks,
i bukur t' erdh momenti i ' deks!
- Pa t ' lanë dor e pa t' lanë kamë
e plot konakun e ke lanë.
- Ke lanë djelm e ke lan nipa
sikur lisi çi lëshon pipa.



Në vargjet e mësimërme shihet invencioni estetik i këtij gjamëtari (vajtori) dhe figurshmëria plastike arrin efektin e duhur në evokimin e një atmosfere të kthjellët në vargun e dytë, të tretë, të pestë. Gjamëtari me plot hov dhe optimizëm të shprehur me një artikulim metaforik të freskët dhe funksional krijon ritëm fleksibil. Këtë koncept e dëshmon përdorimi i emrave: deks, dor, kam, lisi, pipa etj. Leksemat e theksuara kanë artikullim konvencional, por vargu i parë: lumi ti, more Daku i Leks, shpreh nderim e mirënjohje të thellë, duke e mbuluar personin e vdekur me fatbardhësi e lumturi familjare; vargu i tretë: "Pa t' lanë dor e pa t' lanë kam", i afrohet metaforikës konvencionale dhe asociative duke na i kujtuar disa togje frazeologjike, që mbetën margaritarë dhe me shumë vlerë në letërsi dhe në art, sepse nga ana leksikore kanë kuptim tërësor, të mëvetësishëm dhe gjithnjë të figurshëm. Nuk ka dilemë janë gjymtyrët kryesore të njeriut. Gjamëtari shprehjet i ka të qëlluara, meqë personi i vdekur ka qenë pa u thyer nga pleqëria. Në vargun e pestë dhe të gjashtë: "Ka lanë djelm e ka lanë nipa, sikur lisi çi lshon pipa"; djemt i lënë gjallë dhe të martuar, me pasardhës të drejtpërdrejtë. Teksti i mësipërm përbëhet prej fjalish të shkruara në një radhë dhe që ka një ritëm e një numër të caktuar rrokjesh sipas skemave tardicionale të metrikës në strukturën e vargut nëntërrokësh. Gjamëtari shfaq tendencën për të pikturuar tablon e ngjarjes. Vargjet e mëposhtme shprehin besnikërisht dhe bindshëm realitetin dhe depërtojnë lehtë në çdo zemër. Hasim vargje që janë funksionale, që përjetohen akustikisht dhe vizuelisht në strukturën e tetërrokëshit siç do të shihen më vonë. Preokupime të dhembshme emocionale janë artikulluar në një koherencë strukturore në vargjet " mjeri baba e ngrata nana!" Mbiemri " e ngrata" është për të ardhur keq, përderisa djali në klasën e pestë veç që merrte mësim e edukatë ishte me shëndet të plotë si dëshmon figura poetike" shëndosh si molla", prindja humbasin fëmijën e vet shumë të shtrenjtë në fatëkeqësi. Djali kalonte kohën e lirë në atmosferë të këndshme në shtëpi dhe jashta shtëpisë me shokë. Por një ditë u dëgjua krisma që shpërthen me fuqi të madhe e një mine (predhe). Zhurma e saj, kur shohin se djali nuk ishte në oborr i prekë thellë në zemër dhe i vrau ndërgjegjja duke ndije veten fajtor. Hidhen me vrull turrevrap në drejtim të krizmës e marrin trupin e njomë e nisën për në spital, babai s' përdëllellej dot, por rrugës vdes.
__________________

Vargjet strukturohen me tablo oscilatore e subtile në mënyrë spontane përmes krahasimit " Djalë i shnoshtë kje porsi moll" krahasimi është funksionalë dhe i qëlluar. Vizioni dramatik i vargjeve është "Kur u ç'pras bumja, vojti gjama, me t' çpejt t'erdhën baba e nana".

fragment të vajtimit

I mjeee-ri u p'r ty, o Tomë, po baj!
Malli po m'vjen me t'thirrë vaj.
Djalë i shnoshtë kje porsi moll,
n't'pestën klasë ty 'psue në shkoll
S'mun t'i kjaj hallet te tana,
mjeri baba e ' grata nana!
T'gratit prin-o çi kanë prit
djalë t'shirit ty ' me t' rritë,
Taksiradit s'mun t'i iket,
Kur t'vin exheli s'mun t'pritet.
Kur u çpraz bumja, vojti gjama,
me t'çpejt t'erdhën baba e nana,
menjëherë t'çuon ën heqima;
por t'y shkua, të ranoj dhima;
ën shpi tate vojti brima;
se për çpejt ty të duol fryma.


Brenda ritit të mortjes (këngëve të përvajshme) vend me rëndësi zë edhe gjama e burrave, që emërtohen me leksema "thirrja e vajit", "gjama", "brima (britma)".

Gjama e burrave në Malësi nuk ka një formësim të vargut konstant, por i ngjanë një naracioni të lirë. Kanë vlerën poetike, ndonëse janë pjesërisht të improvizuara. Gjamtarët ose brimtarët, sikurse edhe vajtoret, janë gjysmëprofesionalë dhe profesionalë,

S'do mend se gjama individuale e burrave del si fenomen më i vonshëm në krahasim me gjamën kolektive. Vajtori zakonisht bën gjamë për mashkullin e vdekur e jo edhe për gruan. Gjama e vajit nga burrat bëhet zakonisht me zë të lartë e të fortë.

Vajtimet janë në esencë ato krijime që i kushtohen të vdekurit, virtyteve dhe cilësive të tij, pra një histori e shkurtër e të vdekurit. Përkundër faktit që ato lidhen ngushtë me ritin e vdekjes, pra me një çast të caktuar, ato kanë një botë të pasur tematiko-motivore, sepse dëshmohet begatia e tyre, vlera dhe rëndësia që lidhen këto krijime me llojet e tjera të poezisë sonë gojore.

Kur themi kështu kemi parasysh faktin se vajtimet janë ndër krijimet më të lashta të lirikës dhe të krijimtarisë gojore në përgjithësi.

Pjesëmarrja në varrimin e të ndjertit, në një anë , dhe vajtimi i të vdekurit nga ana e vajtoreve dhe gjamëtarëve, në anën tjetër kanë për qëllim që, me praninë e tyre dhe me vajtimin që bëjnë, t'ua lehtësojnë dhe zvogëlojnë dhembjen dhe pikëllimin e familjes dhe farefisit.

Ndërkaq, vajtimet te shqiptarët shprehen nëpërmjet dy formave kryesore: vajtimit dhe gjamës. Riti i vdekjes është i lidhur me elemente të lashta p a g a n e e me besime të ndryshme, me doke e zakone të lashta si pjesë të pandashme të veprimit të njeriut, që e kanë përcjellë me shekuj dhe si të tilla janë materializuar në forma të ndryshme që gjamtarët apo vajtorët përdorin gjatë improvizimit të këtyre krijimeve. Objekt shqyrtimi është bërë vetë teksti i vajtimeve dhe i gjamës edhe pse të dy mënyrat e përjetësimit lindin dhe ekzistojnë si shprehje e improvizimit të rastit, ato krijohen mbi bazën e traditës letrare gojore, prej një individi tek tjetri dhe përmabjnë në vete vlera letrare artistike, pra s t r u k t u r a tekstore e tyre u afrohet teksteve të tjera të poezisë gojore shqipe, siç janë këngët e dashurisë, b a l a d a t etj., në të cilat vargu është i plotë me r i m a, ritmi th e k s a t r i t m i k etj, sidomos vinë në shprehje modelet m e t r i k o - s i n t a k t i k e, figurat poetike, efekti i ekzekutimit, siç është theksuar më parë varet prej aftësisë krijuese të vajtores apo gjëmtarit dhe prej aftësisë improvizuese.

Këto elemente e pasurojnë botën t e m a t i k o - m o t i v o r e , strukturën tekstore, e të folurit rajonal të Malësisë e veçmas veçoritë f o n e t i k e, shprehjet frazeologjike; kanë vlera të mirëfillta artistike, si fjala vjen, " Mjer-o sot për ty Dak Leka", I mje-e-ri, o Smal Dedi", O-ooo, i mjeri Gjelosh Toma" , " I mjeee-ri, o Nikë Zeka".

Gjama individuale e burrave del si fenomen më i vonshëm, krahasim me gjamën k o l e k t. i v e. Gjamëtari bën gjanë për mashkullin e jo për grua.

Para se të thërras vaj, ai vë dy duart në brez duke qitur njërën këmbë (në të shumtën e rasteve të majtën) përpara dhe ia fillon gjamës, duke i theksuar ato virtyte e tipare që e kanë ciësuar të ndjerin, familjen e tij apo fisin.

Gjamëtari mund të thërras vaj te shtëpia vetëm në mëngjes dhe aty ku i bëhet ceremonia e vdekjes. Natën nuk ka vajtore as gjamëtarë te shtëpia, që thërrasin vaj.

Në Malësi kemi vajtorë (gjamëtarë) e veajtore t ë b e s i m i t k a t o l ik e nuk mbahet mend të ketë pasur gjamëtarë të besimit myslimanë. Ka ndodhur që një grua myslimane të ketë qenë vajtore, por jo të vajtojë jashtë shtëpisë së saj. Në këtë çast nuk mund të flitet se në Malësi mund të jetë vajtore ndonjë grua myslimane.



Në këngën e vajtimit Oj lulja e ballit t’êm-o! nëna nga Gruda qan me dënesë vashën e vet që ia ka vrarë dora e egër e të fejuarit. Vajtimi ritual i vdekjes bëhet në mënyrë jo të zakonshme:

Qyqja e mjera un n’ket shpi,
A t’kjáj vedin a t’kjáj ty?
T’kjáj vllazní e t’kjaj bajrak,
T’kjaj Malcín për rreth e qark?

Nëna thellë e dëshpëruar nuk vajton vetëm të bijën, por edhe fisin, vendlindjen dhe Shqipërinë e robëruar nga sunduesit e huaj.
Dhimbja e pashërueshme e nënës nga Gruda pas tragjedisë familiare që përjetoi, e ka frymëzuar thellë këtë malësore të këndojë këngën e përmortshme, e cila me shprehjen burimore dhe sugjestive pushton edhe sot lexuesin. Si e tillë kjo këngë shndërrohet në një mallkim të rendë kundër njerëzve, natyrës dhe gjithësisë:

Helm u bâftë po uji i Cemit,
I raftë pika të tanë vendit,
Kurrë mos pât as dritë as diell.
……………………………
Drita e diellit futë e zezë,
Rrezja e qiellit gur le t’qesë,
Toka qitët bolla e gjarpij,
Era frŷftë zjarm edhe thní
………………………….
Lulja n’fushë e thát-o biftë…


Nënës nga Gruda që vajton pa asnjë fije shprese për të jetuar, i duket futë e zezë edhe drita e diellit, pa të cilën nuk ka jetë. Ky është një përjetim tejet i dhimbshëm, i cili na i kujton gjendjen e hidhur shpirtërore të njerëzve, të cilëve u kanë vdekur të afërmit e tyre. Kemi dëgjuar jo një here prej nënave dhe motrave të pikëlluara pas vdekjes së të afërmëve të tyre, të thonë: Çdo gjë më duket zi në jetë. Pas një imazhi të errët, plot pesimizëm për të shprehur dëshpërimin dhe revoltën kundër jetës, imagjinata e vajtores ka krijuar shprehje burimore dhe tejet sugjestive, që janë fryt i një frymëzimi të rrallë dhe fatlum. Nëpërmjet mallkimit si revoltë kundër ekzistencës, janë krijuar veprime dhe dukuri të kundërta me ato që ndodhin para syve të njerëzve. Sipas një procedimi të tillë, janë krijuar imazhe të mbrapshta dhe destruktive pa mundësi ekzistence. Në pikëpamje estetike janë krijuar efekte të rralla poetike që edhe sot admirohet lexuesi me shije të stërholluar estetike. Një vlerë e tillë poetike vërehet edhe në vargun e mrekullueshëm: Rrezja e qiellit gur le të qesë. Sipas domethënies poetike të këtij vargu, rrezet e diellit në vend të dritës dhe ngrohtësisë, të lëshojnë gurë me qëllim që të shkatërrohet çdo gjë në tokë dhe gjithësi.
Era që është përdorur në poezi në përgjithësi si krahasim, metaforë simbol në kuptime të ndryshme, në këtë vajtim ritual strukturohet me një domethënie poetike krejtësisht të re për ta shprehur revoltën kundër jetës. Sipas mallkimit të vajtores Era frŷftë zjarm edhe thní, domethënë u shndërroftë në zjarr , që të djeg dhe çfarosë çdo gjë në jetë; jeta u bëftë rrafsh.
Në mënyrë burimore dhe inventive artikulohen edhe shprehjet figurative në trajtën e metaforës – folje:

Me lot lokja t’ka shujtue,
Me dashtní nâna t’ká mlue…


Në një artikulim të tillë evokohet gjendja e varfër e familjes shqiptare gjatë regjimeve diskriminuese të pushtuesve të huaj. Evokohet po ashtu edhe dashuria e sinqertë dhe e pakufijshme e nënës ndaj së bijës së ndjerë.
Nëpërmjet pyetjeve të shpeshta retorike, të cilat nuk kanë përgjigje, shfaqen tinguj të fuqishëm emotive plot hidhërim dhe revoltë kundër të keqës tragjike, që ndodhi në familjen e Grudës, por edhe kundër të keqes shoqërore në trojet tona.

A t’kjáj t’gjallët, a t’kjáj ty dekun,
Qyqja un e mbetun vetun?
T’a kjáj vedin me lot gjakut,
T’ i báj gjâmën mbarë bajrakut…

Nëna e pikëlluar nga Gruda shfaq edhe revoltën kundër krimit që ka bërë i fejuari i vajzës së saj. E shqetësuar thellë dhe njëkohësisht e habitur nga krimi i rendë dhe i papritur, ajo përvajshëm pyet

Burri nusen a â ndie kund,
M’ e vrá dekun me nji plumb?
Me hupë erz, me huupë burrni,
Si zakon nuk á n’Shqypni?

Duke mbetur fill e vetme në shtëpi, nëna zemërplasta shfaq edhe zemërimin ndaj Grudës. Edhe në këto çaste tronditëse pranë vajzës së vrarë, me urtësinë e malësive tona, kjo grua fisnike, me dhimbje të thellë, tërheq vërejtjen fisit dhe Grudës, që nuk e penguan këtë tragjedi familijare, pas së cilës i madh e i vogël mbet me kore.
Në fajtimin ritual Oj lulja e ballit t’êm –o gërshetohen në mënyrë funksionale elementet lirike dhe elementet epike. Në ligjërimin epik evokohet gjendja e mjerueshme dhe kaotike dhe shoqërore e Shqipërisë nën sundimin barbar të pushtuesve të huaj

Kemi mbetë si vend pá zot,
Kemi vojtë si prralla mot:
Njí krajl hin e tjetri del,
Aj na rrah, tjetri na shkel

Vajtuesja e përshkruan dhimbshëm sundimin barbar sllav, i cili ka synuar të çfarosë qenien tone kombëtare: Tuj na hupë gjuhen e t’parit!
Mirëpo, ligjërimi lirik emotiv i vargut, i krijuar posaçërisht nëpërmjet pyetjeve retorike,hiperbolës si dhe shprehjeve të tjera figurative, - është dominues në këtë poezi në krahasim me elementet epike të saj.
Vaji i thekshëm në këtë poezi shprehet nëpërmjet një ritmi dinamik dhe rime funksionale. Vargu nuk mbaron me rime - foljore, siç ndodh shpeshherë në poezinë tone gojore. Një rimë e tillë krijon monotoni në poezi.
Edhe pas mynxyrës, që përjetoi nëna zemërplasta, ajo të bijën me plagë në krahëror, dëshiron ta shoh të bukur, prandaj e stolisë dhe e veshë me petkat e nusërisë. Mirëpo, nëna nga Gruda, ajo që në realitet nuk arriti të bënte ritualin e dasmës, tani në mënyrë tronditëse, nëpërmjet vajtimit, bënë ritualin e vdekjes, duke pyetur me dhimbje të pashërueshme:

Ku i ké krushqt ku âsht vllaznija?
T’kan prî para atje te hija
Ké me i gjetë te gryka e vorrit,
Si t’ma’lêsh der’n e oborrit

Ëndërrat e parealizuara të vajzës dhe dëshira e nënës nga Gruda që e bija të jetë e lumtur në jetë, dhe tragjedia e madhe që ndodhi në familjen e saj ndeshen pamëshirshëm në këtë vajtim lemeritës. Aluzioni që bën nëna me krushqit, është tejet shqetësues. Krushqit në realitet janë njerëzit që shkuan më parë te varret, për ta pritur ta varrosin vajzën e vrarë.
Në këngët tona të vajtimit, vajtuesja kryesore përcillet nga vajtueset e tjera. Ndërkaq vajtuesja për të cilën po flasim me fuqi të jashtëzakonshme kreative, e frymëzuar thellë nga e keqja që përjetoi, - vajtimin prej 180 vargjesh, e ka bërë pa prëcjelljen e vajtueseve të tjera.
Nëna fisnike dhe besimtare e Grudës e përfundon vajtimin ritual me tinguj të qetë dhe të përvajshëm, me një ndjenjë ngushëllimi për të bijën e ndjerë të saj, ajo beson se e bija në botën e amshueshme do të jetë e lumtur.


Oj lulja e ballit t'ęm o!

(Grudë, H. i D; Malësorja prej Grudës vajton të binë.)

Ku â kęnë mirë me ndjellun zí, Hęj Hęj!
Mori loke, mori bí?
Qyqja e mjera un n'ket shpí,
A t'kjáj vedin a t'kjáj ty?
T'kjáj vllazní e t'kjáj bajrak,
T'kjáj Malcín për rreth e qark?
Oj zęmra e ęme bí! Hęj... Hęj...
Po thras malin e t'gjimojë,
Logu i Cemit n'gjâmë t'ushtojë,
Zâna e Sukës t'madhe t'vajtojë,
E Deçiqi, i kjosha true!
T'dahet katrash, t'kjáj me mue!
N'fund e n'maje le të lkundet!
T'kjáj mbi ty-o sa ku t'mundet!
Oj e mjera nânë për ty! Hęj ... Hęj ...
Helm u bâftë po uji i Cemit,
I raftë pika të tânë vendit,
Kurr mos pát as dritë as diell,
Gjithherë ndęjtë tuj njehun fíll!
Edhe dita i kjoftë e zezë,
Zjarm në votër mos i u ndezët!
N'mal e n'vrri, a kudo kjoftë,
Po s'u gjet kush kryet t'm'a shndoshë,
T'm'largojë gur e t'm'largojë dhé,
Le t'hî n'vorr me çikë të ré:
Atę dekun e mue gjallë,
T'dyja n'vorr t'na mlojë nji záll,
Loçka e ęme bij-ooo ! Hęj... Hęj...
Shka t'a bâj un t'gjallët pá tý,
Si mund t'shoh-o un pá sy;
Si rri n'shpí un pa t'ndie zân',
Si del jashtë kërcuna nânë?
Kuku vetëm pa kurrkęnd,
Veç me kjá si qyqja n'gęmb!
S'kam pse pres as Kshndellë as Pashkë,
S'ka pse m'thotë kush: due me t'dashtë!
Zâmërplasta nânë për ty,
Të tânë jeta m'â lidhë nye.
Oj lulja e ballit t'ęm-ooo. Hčj... Hęj...
Drita e diellit futë e zezë,
Rrezja e qiellit gur le t'qesë,
Toka qitët bolla e gjarpij,
Era fr˘ftë zjarm edhe thní,
Bora n'bjeshkë e zezë u ngriftë,
Lulja n'fushë e thát-o biftë,
Asaj kurr mos i ardhët era,
M'sa për loke del prendvera! Hęj... Hęj...
Kshtu, moj njome, po t'kján nâna,
E po don t'i njehë të tâna;
Po t'përcjellë sot nuse s'parit
Me dy plumbe n'gjoks të pahit,
Po t'i mbyllë t'dy sytë e ballit,
Po t'a vęn duvakun krahit,
Po t'a vęn unazën n'gisht,
Po t'i njet dy vâthet në veshë,
Petkat t'reja po t'i njeshë:
Të tânë pajën tek e ké,
Me tę t'kalbesh për nën dhé,
Oj e mjera un për ty! Hęj... Hęj...
Po kush t'qet e t'a njet dorën?
A thue burri, qi t'vrau Orën?
Ku i ké krushqt, ku âsht vllaznija?
T'kan prí para atje te hija
Ké me i gjetë te gryka e vorrit,
Si t'm'a lęsh der'n e oborrit!
Tânë janë dekë e fikë e shkue;
Mjera ti sod me gjith mue,
Oj bija e ęme, lokj-ooo, Hęj... Hęj...
Edhe 'i punë, o bí, harrova:
Për nji punë Zotin s't'a lshova:
Shka m'i bâne ti bajrakut,
Shka m'i bâne ti mue fisit,
Shka m'i bâne tânë vllaznís,
Shka m'i bâne tânë Malcís? ...
Burri nusen, a â ndie kund,
M'e vrá dekun me nji plumb?
Me hupë erz, me hupë burrní,
Si zakon nuk â n'Shqypní?
Me u thânë sod ndër tânë bajrakë;
Ç'priti e ç'bâni Gruda e ngrâtë?
E s'kje kush me hî ndërmjet,
Sokol djalit nuk u gjet,
Me t'marrë n'besë, me t'marrë me ndore,
I madh e i vogël mbetë me kore?
Oj zęmër! Oj bí! Hęj... Hęj...
A t'kjáj t'gjallët, a t'kjáj ty dekun,
Qyqja un e mbetun vetun?
T'a kjáj vedin me lot gjakut,
T'i bâj gjâmën mbarë bajrakut,
T'i thrras t'dekunt me m'ndihmue,
Për me njehë e me mjerue,
T'u kallxoj si mbetëm shkret,
N'vendin t'onë si t'i'm1 n'gërbet.
Kemi mbetë si vend pá Zot,
Kemi vojtë si prrala mot:
Nji krajl hîn e tjetri del,
Aj na rrah, tjetri na shkel;
Toka e fortë e qiella e naltë,
Kemi mbetë si kali n'baltë2!
Njeh por t'ramet, struku mbrendë,
S'kemi burra me u përmendë,
Hiq kanű e mos vęn ligjë,
Kemi mbetë si vathë pa grigjë.
T'gjith sa jemi dekë për s'gjallit,
Me u mbajtë mend-o djalë mbas djalit!
Besa e burr'et3, ndera e grues
Lânë mbas doret pá nemuz.
Kemi mbetë mo'Zo'mâ keq!
Porsi t'ki'm4 përbri ndoj dreq,
Qi pret ditën me na marrë,
Pa na lânun kurrkund farë;
Pa lânë farë, as rod Shqyptarit,
Tuj hupë gjuhën e t'parit!
Jemi bâ me na kjá shkina;
Mbaruen krén, mbaruen kaptina!
Qyqja nânë, qyqja Shqypní,
Hot e Grudë të Malit t'Zí:
Bija e ęme nën dhé t'zí! Hęj... Hęj...
Me ty lokja edhe 'i fjalë ká,
Se për s'shpejtit don me u dá,
Me u dá tejet për gjithmonë,
Dersa t'shifemi n'Tënzonë!
Kur të shkojsh n'at jetën tjetër,
Ké me ndeshë ndër burra t'vjetër,
Babë e vllazën e kushrij,
M'i merr ngryk-o nji kah nji!
M'u kallxo si shkojmë na jetën:
Shndosh e mirë - me dishrue dekën!
Diftou burrave t'Malcís,
Si vojt halli i Shqyptarís:
Mbaroi Gruda me gjith Hot,
Paçim rá ndore Tënzot!
Qyqja un, pa t'keqe t'ânde,
Me mbetë vetëm, pa ty sande!
T'kam pasë bí e t'kam pasë motër,
- Qyqja nânë, pa djalë në votër!
T'kam pasë shęj, t'kam pasë nishan,
Un e mjera mori nânë!
T'deshtën miq e t'deshtën t'huej,
Nu'5 m'jé kęnë e keqja e kuj
Kush t'ká njoftë veç e ka dijtë,
Si t'kam msue e si t'kam rritë;
Me lot lokja t'ká shujtue,
Me dashtni nâna t'ká mlue,
Bír e bí ti kjé për mue!
T'rrita shtatin me thoj t'duerve,
T'mbatha kâmën me lkurë ftuje,
T'lmova kryet si djalë dishirit,
Erdhe e u rrite si mâ s'mirit!
Nderë e urtí - si pa'm6 për piri
Me i lânë babës, me i lânë vllaznisë,
Qi t'lânë mbrapa për nderë t'shpisë!
Ti m'u rrite si mollë n'gęmb,
E m'u bânë si paçë mend:
Bukurija e dheut me u pá,
N'çika tjera n'shęj me u dá!
Ti m'u a dole n'fjalë e n'derë,
Ti m'u kje lule n'prandverë!
Për ty s'pat kush fjalë as halë,
Ti m'kjé zojë për tânë mahallë.
Nuk don nâna me t'miklue:
Jé për dhé, nuk jé për mue!
Nuk flet nâna sot për tý,
Flet gjithkush t'pat pá me sý;
T'dishron vendi - e Kelmendi,
T'lypë bajraku edhe Malcija,
Por nânë-lokja s't'ká të shpija!
Shpirt e korp t'i pasët Lumnija!
T'përcjellë lokja dér tu gropa,
- Zęmra e nânës, bâ copa copa. -
T'shtron do bár e t'vęn do gur:
Mos me t'pá un mâ ty kurr!
T'bekon frati t'mbrâmën herë,
T'porositë shęjt'n'e n'eltér,
T'thotë uratë edhe t'bân kryq,
Shokët te barin tý në vigj.
Mandej Zoti t'pasët në dorë
Edhe shęjtënt me kunorë,
Të përcjellshin ty n'at jetë,
Ku lumnín ti ké m'e gjetë.



1ishim, 2bëhet fjalë për kohën mënjiherë mbas Luftës I Botërore, 3burravet, 4kishim, 5nuk, 6patem
Marrë prej: 'Visaret e Kombit' (bleni III) 5, 'Nikaj', Tiranë 1937:179-84.

Po ravijëzojmë, në mënyrë përmbledhëse, një repertor të gjamëtarëve të brezit të vjetër, të mesëm dhe më të ri.

1. Vajtorët (gjamëtarët) e brezit të vjetër në Malësi:
a) nga Hoti (Rrok Pjetër Zeku Camaj, Nikollë Prekë Dushaj.)
b) nga Gruda ( Tomë Bish Ivezaj, Zef Dashë Lulgjuraj.)
c) nga Triepshi ( Dodë Smajl Gjeloshaj, Gjeto Gjekë Arapaj, Hilë Tomë Margilaj, Gjel Dedë Nikprelaj, Zef Tomë Dedivanaj, Nikollë Gali Lekoçaj, Mark Smajl Nikollaj, Prekë Uci Gjolaj, Gjon Mixhi Gjurashaj, Zef Uci Memçaj.)
nga Koja ( Kolë Bardhi Kërcaj, Dokë Marash Ivanaj, Dodë Prekë Ivanaj, Mark Zekë Ulaj, Mark Prelë Kolçaj, Fran Tushi Lucaj.)
2. Vajtorët (gjamëtarët e brezit të mesëm në Malësi:
a) nga Gruda ( Kolë Zef Dashë Lulgjuraj, Lekë Ujka Lulgjuraj.)
b( nga Triepshi ( Nikë Gjeti Arapaj, Gjergj Pali Ujkaj, Kolë Gjon Gjurashaj, Nikollë Hilë Margilaj.)
3. Vajtorët (gjamëtarët e brezit më të ri në Malësi:
a) nga Gruda ( Sokol Dedë Kalaj.)nga Triepshi ) Mark Nosh Gjeloshaj, Gjekë Nikë Arapaj).

Pas shqyrtimit, përmbledhës, të vajtimeve dhe të gjamëve në Malësi vijmë në përfundim: se tekstet poetike si të vajtoreve ashtu edhe të gjamëtarëve e shoqërojnë ceremonialin e mortës në këtë rajon të Malësisë të cilat quhen vajtime. Nuk dëgjohet as fjala gjamë, që është emërtim i drejtë i studjuesve. Tekstet që shqiptohen me atë rast i japin vajtimit një karakter dramatik me tonet e një drame të pikëllueshme.

Vajtimet janë individuale duke shpreh gjithë akumulimin shpirtëror të përmallimit, të dhembjes që ka, duke shprehur kështu emocionet e tij (e të saj).

Tekstet e tilla ngrejnë problemin e kalueshmërisë së jetës, të ndarjes, që gjamëtari ose vajtorja ia kujton vdekjen, prandaj edhe amanetet për t'ia bërë... Në këto vajtime tërheqin vëmendjen dëgjuesve si për përmbajtjen ashtu ashtu edhe për anën stilistike të vargjeve të tyre. Fjalët e gjamëtarit ose të vajtores i referohen mendimit refleksiv dhe japin bilancin e të gjallëve dhe të vdekurve duke i shprehur këto në mënyrë të mëvetësishme dhe të përgjithësuar me tetërrokshin stabil dhe refrenin katërrokësh. Te këto vargje përmbajtja dhe forma kanë lidhje të ngushtë dialektike, pra me një realizim të plotë artistik, që vizuelizohet dhe materializohet nëpërmjet tingujve trishtues të herëpas-hershëm.
Gjuha e gjamëve ose e vajeve është poetike, e pasur me epitete, krahasime, metafora, apostrofime dhe eskalacion të ndryshme, që e bëjnë skenë të trishtueshme e të pikëllueshme e që u ngjan atyre skenave të lashta të tragjedive greke... Vajtorja kërkon jetë të thjeshtë idilike, ku të hahet bukë e kripë, por të ketë qetësi në familje.
Vajtime të mirëfillta e të shumta në trevën e Malësisë janë ato që kanë forma stabile strukturale, vlerë artistike dhe qëllime humane duke u spikatur lirizmi i tekstit të transportuar me ndjenja më subtile të ngjarjes që ka shkaktuar mortën, qoftë fatkeqësi, vdekje e natyrshme apo shkak tjetër, për të cilat u bë fjalë në këtë punim.

Prgëatiti Mr.sci. Flori Bruqi dhe prof. Dr Palokë Berisha


__________________

Ekskluzive: Te villa e Millan Radojiçiqit policia ka gjetur listën e bashkëpunëtorëve të tij shqiptarë, ka edhe nga Maqedonia

Policia e Kosovës gjatë operacionit për gjetjen dhe konfiskimin e gjësendeve te villa e Millan Radojçiqit që mund të jenë pjesë e hetime...