2013-10-19

Prof.dr.Bamir Topi: Nuk ka afrim me PD-në, ndikohet ende nga Prof.dr. Sali Berisha

Bamir Topi: Nuk ka afrim me PD-në, ndikohet ende nga Berisha
Fryma e Re Demokratike është e qartë në qëndrimin e saj se, sa kohë të ketë influencë në PD ish-kryetari Sali Berisha, nuk do të ketë koalicion të përbashkët me demokratët. Kryetari i FRD-së, Bamir Topi shuan zërat mediatikë që flisnin për një afrim të forcës politike që ai drejton me Partinë Demokratike. Bamir Topi në një emision televiziv shpjegoi se marrëdhëniet me liderin e ri demokrat Lulzim Basha janë vetëm njerëzore, por nuk ka bashkëpunim si forca opozitare. "Janë marrëdhënie në distancë, janë marrëdhënie që nuk përjashtojnë në mënyrë absolute një komunikim qytetar, qoftë edhe kur takohemi rastësisht, por pozicionet politike janë distante, janë larg".
Një ndër arsyet, siç shpjegon z.Topi, është ndikimi i fortë në drejtimin e PD-së, nga ish-kryeministri Berisha. "Ai që deklaroi që iku dhe vazhdon të jetë prapë influent", - theksoi z.Bamir Topi. Kreu i FRD-së, partia që nuk arriti të përfaqësohej në Kuvend me deputetë në zgjedhjet e 23 qershorit, shprehet se është kundër bojkotit parlamentar. "Unë nuk jam për bojkot. Unë jam për pjesëmarrje, jam për ballafaqime", - u shpreh ish-Presidenti i Republikës.
Ndërsa duke komentuar debatin mes mazhorancës së majtë dhe presidentit Bujar Nishani, z.Topi risjell në vëmendje se, kur ishte në detyrën e kreut të shtetit, ishte sulmuar shumë më ashpër nga e djathta atëkohë në pushtet. "Kur e ke shtëpinë me xhama, mos u gjuaj me gurë xhamave të komshiut", - u shpreh ai. FRD-ja garoi e vetme në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit dhe nuk mundi të hyjë në Kuvend. Kohët e fundit është folur për një bashkëpunim të mundshëm mes FRD-së së Topit dhe PD-së së Lulzim Bashës, por palët kanë hedhur poshtë mundësitë e ndonjë takimi konkret për të zyrtarizuar aleancën mes tyre. Nga ana e tij, edhe në daljet e mëparshme, kreu i FRD-së Bamir Topi ka bërë të qartë se nuk do të ketë bashkëpunim me PD-në aq kohë sa të ketë influencë lideri i saj historik Sali Berisha.
Me tone më të zbutura shfaqen drejtuesit e lartë të FRD-së ndaj kreut të ri të PD-së, Lulzim Basha, për të cilin Bamir Topi shprehet se ka komunikim njerëzor. Por palët nuk kanë përjashtuar mundësinë e një bashkëpunimi të mundshëm në të ardhmen mes dy partive, asaj të PD-së dhe FRD-së. Vetë kreu i PD-së, Lulzim Basha është shprehur i hapur ndaj partive të djathta dhe qendrës së djathtë, por duke specifikuar se kjo duhet treguar jo vetëm me deklarata, por me qëndrime konkrete që i përkasin spektrit të djathtë politik.

Me kërkesë të prokurorëve Altin Dumani e Olsi Dado gjykata ka lejuar kontrollin e një apartamenti pranë qendrës “Harabel” në zonën e ish-Bllokut

  Gjykata e Posaçme ka firmosur një tjetër urdhër kontrolli për llogari të hetimit të nisur ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe familjarëve...