Agjencioni floripress.blogspot.com

2016/03/05

Sanije Gashi boton në anglisht librin me rrëfime të luftës

“Sanije Gashi, një gazetare e palodhur kosovare, nuk kursen asnjë hollësi teksa rrëfehen këto ngjarje. Autorja e këtij ritregimi dramatik të ngjarjeve tragjike, që i ranë përsipër vendit dhe popullit të saj gjatë viteve 1998-1999, mblodhi rrëfimet individuale dhe kolektive të mbijetesës"

Sanije Gashi, gazetare dhe publiciste kosovare, ka botuar librin “Serbian Crimes in Kosovo 1998 -1999 – Appalling true stories of Albanian women’s suffering, told first-hand”, në gjuhën angleze.
Me këtë libër, Sanije Gashi ka arritur t’i bëjë të njohura disa nga ngjarjet më dramatike të ndodhura në periudhën e luftës në Kosovë. Libri “Serbian Crimes in Kosovo 1998 -1999”, është vepër e cila përbëhet nga rrëfime të grave, dëshmitare të krimeve serbe të ndodhura në familjet e tyre, transmeton Koha.net.
Gjatë dhjetë vjetëve të hulumtimit, gazetarja Gashi ka zhvilluar intervista të drejtpërdrejta me gratë, të cilat paraqesin tragjeditë personale, dhe rrëfejnë për mizoritë e masakrave dhe të torturave që i ushtruan forcat serbe ndaj civilëve shqiptar.
Ambasadori amerikan William G. Walker, i cili shkroi parathënien e librit, thotë: “Sanije Gashi, një gazetare e palodhur kosovare, nuk kursen asnjë hollësi teksa rrëfehen këto ngjarje. Autorja e këtij ritregimi dramatik të ngjarjeve tragjike, që i ranë përsipër vendit dhe popullit të saj gjatë viteve 1998-1999, mblodhi rrëfimet individuale dhe kolektive të mbijetesës, prandaj këtë libër e konsideroj me rëndësi historike, sepse është histori e mizorive dhe krimeve të luftës, që me siguri do të mbahen mend si një nga episodet më të errëta të historisë moderne evropiane”, ndërsa shkrimtari Ismail Kadare ka thwnw se “e vlerësoj jashtëzakonisht këtë botim, Kosova ka ende njerëz të zotë, që nuk i lënë ngjarjet të harrohen, por mbajnë pishtarin ndezur, që të ndriçojë dhe atje ku drita s’vete dot.” 

Romani “Ulurima e ujkut”, i përkthyer tashmë edhe në maqedonisht do të promovohet sot në Qendrën Kulturore Informative në Shkup

Romani i Ag Apollonit “Ulurima e ujkut”, pas promovimit që ka pas në Prishtinë, i njëjti do të promovohet edhe Shkup të Maqedonisë. Vetë shkrimtari Apolloni ka njoftuar se ky roman më 15 shkurt do të promovohet në Qendrën Kulturore Informative në Shkup, i përkthyer  në maqedonisht dhe i botuar nga Shtëpia Botuese "Goten". Për librin do të flasin studiuesi Robert Alagjozovski dhe ambasadori Ylber Hysa.

“Zhdukja e Elefantit”, vepra e Haruki Murakamit përkthehet edhe në spanjisht

Tregimet e shkurtra “Zhdukja e Elefantit”, libër vetëm në anglisht, që nga muaji mars do të jetë edhe në gjuhën spanjolle. Spanjollët janë ndër lexuesit më të pasionuar pas Murakamit. 17-të tregime janë pjesë e librit, histori me realitet dhe abstrakti, fiksion dhe histori që nuk kanë asgjë të përbashkët por i vënë protagonistët në lojë.

Harumi Murakami mbetet ndër shkrimtarët më të mirë aktualisht, shumë herë gati për të fituar Nobelin për Letërsi dhe një prej përfaqësuesve të letërsisë japoneze.
Tregimet e shkurtra “Zhdukja e Elefantit”, libër vetëm në anglisht, që nga muaji mars do të jetë edhe në gjuhën spanjolle. Spanjollët janë ndër lexuesit më të pasionuar pas Murakamit. 17-të tregime janë pjesë e librit, histori me realitet dhe abstrakti, fiksion dhe histori që nuk kanë asgjë të përbashkët por i vënë protagonistët në lojë.
Një çift që sulmon një dyqan McDonald. Një piroman dhe krimi i tij. Një burrë dhe një elefant që i zhduket.
Libri është publikuar në vitin 1993 dhe në gati 400 faqe e sjellë japonezin në fillimin e veprave të tij të mëdha.
Murakami njihet për veprat e tij, disa të përkthyera në shqip, si “Pylli norvegjez”, “E dashuria ime Sputnik”, “After Dark”, “Dance, dance, dance”, “Tokyo Blues”, “1Q84” etj. 
 

Viti i gjeniut Ismail Kadare

Cinizmi më i madh kulturor është kur disa qarqe në Tiranë dhe Prishtinë i lumturon mosmarrja e çmimit “Nobel”. Ato vetëm sa koriten. Ato nuk i zbehin përmasat e gjeniut të tij

Tetëdhjetëvjetori i lindjes së Ismail Kadaresë (1936) bëri që viti 2016 të shpallet si vit i tij. Është ky një akt i lartë kulturor, që e nderon kombin në tërësi, sepse bëhet fjalë për shkrimtarin dhe krijuesin më të rëndësishëm të letërsisë shqiptare, për veprën e tij të gjerë në të cilën e shtriu gjeniun e tij. Pse Ismail Kadare është një gjeni?
Në pyetjen se cila vepër letrare meriton të përkthehet në gjuhët kryesore të botës, që në moshë të hershme Ismail Kadare, para se për ndonjë autor të caktuar shqiptar, kishte thënë se në radhë të parë duhet të përktheheshin baladat dhe legjendat e lashta shqiptare.
Në pyetjen rutinë të intervistave stereotip se po të jesh i detyruar të jetoje në një planet tjetër, cilat libra shqip do t’i merrje me vete, atëherë personalisht do të merrja veprat letrare të Ismail Kadaresë, dhe nga to do të merrja ato pjesë më të mira, 200 deri 300 faqe, në të cilat është koncentruar gjeniu i tij krijues.
Nuk ka dyshim se i përkas atij krahu të mendimit që konsideron se krijesa më e lartë kulturore e shqiptarëve është vetë gjuha shqipe. Gjuha e kombit tonë është më e lartë se krijesat shpirtërore të autorëve në fushën e krijimtarisë letrare, duke përjashtuar autorin Ismail Kadare që e sublimoi në nivelin më të lartë të saj. Autorë që kanë shkruar dhe shkruajnë shqip në asnjë fushë të dijes dhe shpirtit nuk kanë të arritura të larta filozofike, sisteme teorike etj., autoriale që ta ngrenë atë në nivel botëror. Ndërkaq, Ismail Kadare, me artin e tij, gjuhën shqipe dhe kultivimin e saj e ka ngritur në nivelin më të lartë të përdorimit.
Edhe një libër tjetër në planetin X, që do t’i bashkoja krijimtarisë së Kadaresë është libri i albanologut Eqrem Çabej, gjegjësisht tekstet për Shqipërinë midis Lindjes dhe Perëndimit dhe një studim për romantizmin europian dhe atë shqiptar. Sa herë që më duket se shqipja ka një gjendje të zhguftë në aftësinë e saj shprehëse, i lexoj këto dy shkrime të një gjuhe aq të sigurt, sa vërtet po të mos kishte shtypshkronjë, meritojnë të botohen edhe në pllaka argjile si “Epi i Gilgameshit” dikur, ku saktësisë sintaksore, logjikës dhe kulturës së shkrimit nuk mund t’ua shtosh ose t’ua heqësh as dhe një fjalë. Por le të kthehemi te Kadare.
Fuqia shprehëse e fjalës shqipe
Me disa shembuj do të përpiqem të argumentoj pse Ismail Kadare është gjeniu i vetëm deri më tash i letrave shqipe. Jo me analizë veprash veç e veç po në radhë të parë me përdorimin e gjuhës shqipe, kryeveprës së vetme të shqiptarëve. Në prozën e tij të gjatë “Shkaba” (sipas botimi të Parisi f. 325, vëllimi 6) Ismail Kadare ndërton këtë fjali: “Një buzëqeshje, më tepër e brendshme e saj, e grimcuar dhe ripërtërirë prej pengesës qelqore, arriti gjer te Maksi”. Te poetë shqiptarë, prozatorë, romancierë e kultivues zhanresh të ndryshme mund të gjesh përdorim të fjalive shqipe kur përshkruajnë diçka, por këtë nivel të përdorimit maksimal të fjalëve shqipe për të treguar aftësinë shprehëse të gjuhës shqipe, nuk mund të gjesh askund në letërsinë shqipe pos tek Ismail Kadare. Prozatorët e letërsisë shqipe nuk e kanë të vështirë formulimin e tipit: Një buzëqeshje e brendshme arriti gjer te Maksi, por atë, fjalinë e ndërshtënë: e grimcuar dhe ripërtërirë prej pengesës qelqore, tek askush nuk mund ta gjesh. Ajo është aq shumë e pasuruar me ngarkesë stilistike dhe përdorim imagjinativ dhe për fat të gjuhës shqipe shembuj të tillë në ato 300 faqet e veçuara nga tërë vepra e Kadaresë janë të shumtë. Pra, fjalia e ndërshtënë “…e grimcuar dhe ripërtërirë prej pengesës qelqore…” është pjesa e fjalisë të cilën e vë në jetë mendja e gjeniut. Thënë më konkretisht me gjuhën sportive të kampionit që kërcen së larti, të gjithë atletët kërcejnë lart, por kampioni dhe thyerësi i rekordeve e ka atë 5 centimetërshin që vetëm ai e arrin. Prandaj është kampion. Kjo fjali e ndërshtënë botën letrare shqiptare e ndan në dysh, në lartësinë e saj unike, në rekordin kadarean dhe në pjesë tjetër gjithmonë nën atë 5 centimetërsh. Për dallim nga soji tjetër, veprat e gjeniut mbahen mend gjatë dhe me detaje. Temat motivet dhe idetë e gjeniut mbahen mend për gjithçka shkruan. E, i tillë në letërsinë shqipe është vetëm I. Kadareja.
Dy pamje të Shqipërisë artistike
Historikisht nuk e dimë të saktë datën e pushtimit kulturor të shqiptarëve nga Perandoria Osmane, por në prozën e Kadaresë e dimë kur Mark Kasneci bëhet Mark Haberi (Ura me tri harqe) kur baroni i Kashnjetit bëhet dyemërsh Mark Shkreli – Aqif Pasha. E ajo e cila bën të vihet kuja është zëvendësimi i fjalës së parë shqipe me fjalën turke te proza “Shënime nga kapitaneria e portit”
“Kishte fluturuar një zog, një farë laureshe, nga ato me rrypth të gjelbër në qafë, dhe një nga fëmijët i kishte thirrur shokut të vet që larg : “kqyre Pal, kqyre zogun dervish!“.
“Ç’zog dervish, mor qyq?” kishte klithur tjetri me zë të thekshëm. Po ajo është çafkëlore. Çafkëlore kaçirubë (kështu i thënkëshin në gjuhën shqipe këtij lloji të laureshave).
Siç e mora vesh më pas, ajo fjalë, apo më mirë ai emërtim shpendi, paskësh qenë, mesa dukej, fjala e parë shqipe që qënkëshis zëvëndësuar me të folmet e përditshme, me një fjalë turke dhe mësuesi i vjetër, e paskish marrë këtë si shënjë  të gjëmës së ardhme, që e priste gjuhën e tyre, që ata e quakan hyjnore.” 
Në veprën e Kadaresë si askund tjetër ka dalë e gjallë fytyra e Shqipërisë. Duke lënë anash shumë profile tjera, mjafton të shpërfaqen dy: Shqipëria e Vasiliqisë në romanin “Kamarja e turpit” (Pashallëqet e mëdha, f.502, botimi i Parisit) dhe ajo e Ali Pashë Tepelenës.
Për Vasiliqinë Shqipëria ishte e rrokshme lehtë, ashtu me pllaja dhe vathina të mardhura nga thëllimi, me kumbimin midis gjumit të mëngjesit të tundësit ku rrihej qumështi, me qëndisjen e prikës në orët e padurimit, dhe një copë diellishtë te kisha, dhe qyqen që në këto anë i thoshin herëkeqe. 
Ky është përkufizimi më artistik, më subjektiv, më individual, më poetik i  mundshëm, që ka krijuar imagjinata artistike e letrare shqiptare. Është përkufizim antologjik, i stisur me mjeshtërinë e penës së nobelueshme. Le të marrim parasysh vetëm pamjen artistike të perceptimit femëror të elementeve natyrore dhe kulturore të Shqipërisë vasiliqiane: vathina dhe pllaja të mardhura, një gjeografi e egër, e rrudhur nga pushtimet e ngushtimet. Shqipëria femërore e qëndisjes së prikës në orët e padurimit, është bota e gruas, e nënës, e burimit të jetës, e punës, ripërtëritjes së kombit, e dashurisë rinore paramartesore, e pragut të bërjes grua, nënë, mbajtëse shtëpie (tundësi që rreh qumështin). Është Shqipëria e krishterë, një qytetërim gati i perënduar, i asimiluar pothuajse nën sundimin e gjatë të Perandorisë Osmane, një copë diellishtë te kisha. Kjo copë diellishtë sikur është kujtesa, anamneza e kohës së sundimit paraturk, hapësira e tjetërsuar, e zvetënuar, kur rrjedha e qytetërimit në brigjet e këndej Adriatikut, ishte po aq kulturore dhe oksidentale sa vetë bota e krishterë perëndimore. Dhe si pozicion historiko-politiko-kulturor, i Shqipërisë vasiliqiane, është e rrokshmja qyqe, herëkeqja, që simbolizon pozicionin e Shqipërisë së robëruar, pa identitet, pa liri, pa shenja të kumtit të mirë. Ndërkaq, sipas përfytyrimit të Vasiliqisë (që dihet, nuk është veçse përfytyrimi i Kadaresë), për Ali Pashë Tepelenën, Shqipëria ishte ndryshe: ajo ishte ndryshe: një vend i ngrirë si në kllapi, sipër të cilit hëna e yjet s’ishin gjë tjetër, veçse lloje emblemash e stemash shtetërore, një gjë shterpë gjer në llahtarë (Kamarja e turpit , 502, vëllimi 2). Elementet mashkullore të përfytyrimit të Shqipërisë Alipashiane janë elementet e shpirtit dhe karakterit të tij, që si produkt i kohës, nuk tejkalon rrethin e orbitës, në të cilin është i përcaktuar fati i sjelljes së Shqipërisë, një vend i ngrirë nga shtrëngesa e unazës së robërisë, që në vend të një ëndrre të qartë, realisht gjendet në kllapi mbytëse, ndërkaq, përpjekja për krijim origjinal të shtetit, në një vend me hapësirë të pushtuar, të ngrirë, e tregon edhe më mirë përmasën e shterpësisë, llahtarit, thatësirën shpirtërore dhe thërrmimin e ëndrrës së lirisë.
I nobelueshëm
Ismail Kadare do të mbahet mend dhe është i nobelueshëm për zbërthimin artistik të dukurive nga më të thellat të botës shqiptare, për djegën (pasionin shtetformues, “Viti i Mbrapshtë”) për brejën (luftën speciale te “Kështjella”) për fuqinë metaforike të gjuhës shqipe (Hurshid Pashai duke menduar se edhe koka e tij mund të prehet një ditë nga Tunxh Hatai: Tani gërshëra e fatit e kishte zgjedhur frytin e vet dhe ajo ishte aty mbi tryezë, lakër e bardhë e kopshteve të ferrit. (“Kamarja e turpit” , f. 424 Vëllimi 2), për dukurinë e frikës nga kontrolli diktatorial “… madje kishin prerë flokët gjer në rrëzë, nga frika se mos grimca të dyshimeve kishin mbetur në to (“Tregimi i ditës që po vjen”, vëllimi 2, f.336) dhe mijëra gjetje tjera artistike, secila më perlë se tjetra, për të cilat duhen faqe të tëra… Kadare nuk do të mbahet mend për jetën private, për dobësitë universale njerëzore, për artikuj e komente për socializmin dhe diktaturën. Qarqe jo dashamirëse të tij brenda shqiptare vetëm mund të koriten. Cinizmi më i madh kulturor është kur disa qarqe në Tiranë dhe Prishtinë i lumturon mosmarrja e çmimit “Nobel”. Ato vetëm sa koriten. Ato nuk i zbehin përmasat e gjeniut të tij.

23 librat që duhet lexuar, sipas Mark Zuckerberg

Zuckerberg, vitin e tij e mbaron vitin me 23 libra të zgjedhura. Ai ka krijuar një listë librash që secili duhet t`i lexojë

Mark Zuckerberg, ka propozuar 23 libra të cilët nuk duhet lënë pa lexuar pasi që përmbajta e tyre është e mrekullueshme dhe shumë domethënëse
Përmbajtja këtyre librave ka të bëj me histori të ndryshme, kultura dhe me teknologjinë.
Zuckerberg, vitin e tij e mbaron vitin me 23 libra të zgjedhura. Ai ka krijuar një listë librash që secili duhet t`i lexojë:
1.“The Muqaddimah” nga Ibn Khaldun
2.“The New Jim Crow” nga Michelle Alexander
3.“Why Nations Fail” nga Daron Acemoglu and James A. Robinson
4.“The Rational Optimist” nga Matt Ridley
5.“Portfolios of the Poor” nga Daryl Collins, Jonathan Morduch, Stuart Rutherford, and Orlanda Ruthven
6.“World Order” nga Henry Kissinger
7.“The Varieties of Religious Experience” nga William James
8.“Creativity, Inc” nga Ed Catmull
9.“Sapiens” nga Yuval Noah Harari
10.“The Structure of Scientific Revolutions” nga Thomas S. Kuhn
11.“Dealing with China” nga Henry M. Paulson Jr.
12.“The Beginning of Infinity” nga David Deutsch
13.“The Better Angels of Our Nature” nga Steven Pinker
14.“Genome” nga Matt Ridley
15.“The End of Power” nga Moisés Naím
16.“On Immunity” nga Eula Biss
17.“The Idea Factory”nga Jon Gertner
18.’The Three-Body Problem’ nga Cixin Liu
19.’Gang Leader for a Day’ nga Sudhir Venkatesh
20.’The Player of Games’ nga Iain M. Banks

Gjuha shqipe, për herë të parë flitet në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd

Në Facebook-un e tij personal ka reaguar gazetari Ladislav Tomicic i cili ka rrëfyer pak mbi situatën kur në sallë ka folur kosovari Selmani. Arbri punon prej dy vitesh në portalin kulturor KultPlus si gazetar dhe redaktor.
Gjuha shqipe është folur dje për herë të parë në një debat të organizuar në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd. Në një sallë të këtij fakulteti, krahas një të riu që kishte veshur një bluzë me fytyrën e Drazha Mihailovic, ishin të pranishëm të rinj të tjerë nga Beogradi, në debatin mbi rolin e medieve në njohjen e fqinjëve.
“Kako vidio komshije” solli panelistë nga mediet e Ballkanit, mes tyre Hilma Unkic nga Sarajeva, Jovan Teokarevic – profesor, Ladislav Tomicic nga Zagrebi, Milan Sekulovic nga Podgorica, Ognjen Zoric nga Beogradi e ndërsa Kosovën e përfaqësoi gazetari i KultPlus – Arbër Selmani. Selmani foli në gjuhën shqipe dhe tregoi pak mbi raste kur media kosovare dhe ajo serbe kanë fryrë lajmet e tyre, dhe kjo jo pak ka nxitur urrejtje dhe gjuhë ksenofobe mos komentuesve.
Debate të mëhershme në këtë Fakultet janë mbajtur me kosovarë, por në gjuhën angleze, ndërsa kësaj radhe Selmani ka folur rreth 15-të minuta mbi gazetarinë kosovare dhe sidomos raportimin kulturor, i cili sipas tij mundohet shpesh që të zbusë gjakrat dhe urrejtjen që sot ekziston mes moshave të reja sidomos në Prishtinë e Beograd. Ai ka përmendur rastin e vërshimeve të para disa vitesh në Beograd dhe raportimin e fundit nga Blici i Serbisë mbi suksesin e filmit “Shok”, si dy prej premisave mbi raportime të dobëta që veç sa e vështirojnë punën e medieve në Ballkan konform ushqimit të stereotipeve.
Profesori Jovan Teokarevic është profesor në këtë fakultet dhe në mesin e lëndëve që ai ligjëron është edhe sistemi politik kosovar, si një kapitull në vete. Gjatë debatit ai foli edhe mbi politizimin e medieve dhe problemin tek redaktorët, të cilët shpesh janë të dirigjuar nga politikat e mëdha dhe duhet të shkruajnë në frymën e pompozitetit.
Në Facebook-un e tij personal ka reaguar gazetari Ladislav Tomicic i cili ka rrëfyer pak mbi situatën kur në sallë ka folur kosovari Selmani. Arbri punon prej dy vitesh në portalin kulturor KultPlus si gazetar dhe redaktor.
Debati në fjalë është moderuar nga Anita Mitiq – Drejtoreshë e Nismës për Drejtat e Njeriut në Serbi. 

Akademik Moikom Zeqo dhe letra e dikurshme dërguar Akademik Rexhep Qosjës

Çfarë pengon që Kadareja dhe Ju, po edhe Presidenti Berisha dhe Presidenti Rugova të jenë tok, t’i kapërceni mëritë, populli t’ju shohë në çdo hap sëbashku, që t’i ngjallet shpresa, t’i largojë dilemat, që lumpenshtypi të marrë fund, që lumpenpsikologjia të fashitet, që lumpenmediokriteti të mos na shtypë në thundrat e tij?

Nga Moikom Zeqo
I nderuar Rexhep,
Ju përshëndes dhe ju përqafoj.
Mos u tut bacë! Goditja gurin e çau, drurin e thau, por njeriu e mban!
Shpifja e vetëkënaqur është bërë një kimerë publike. Ajo zgjat kthetrat, ulërin triumfuese, zotëron dhunshëm skenën shqiptare, helmon vetëdijen tonë, dehumanizon dhe terrorizon gjithçka.
Përballë kësaj kafshe heraldike të dhunës në shekuj rri njeriu i thjeshtë, që është esencialisht Njeri. Sulmi është jashtëzakonisht i egër.
Shpifja shpreson në iluzionin e fitores përfundimtare mbi njeriun e pambrojtur, sundon mbi masakrën e saj, dinake dhe e pabesë, lëpin gjakun e shenjtë të viktimave, po pikërisht, ky gja është helmi më i tmerrshëm për atë vetë. Kjo s’ka asnjë dyshim.
Rexhep Qosja! Emri juaj i ndritur është emri i nderit!
Shpifja dhe kur ka emra është përherë anonime. Emrat e turpit njeriu fisnik do t’i harrojë.
Po, megjithatë sckpta manent.
Historia është një kujtesë e tërëfuqishme dhe supreme.
Njeriu ndruhet nga Historia, po jo nga Shpifja.
Vdekja është e pranueshme për njeriun, por nuk është e pranueshme të mos jesh Njeri.
I lindur shqiptar në gjysmën e parë të shekullit, guxojnë të mos ju quajnë shqiptar në fundin e shekullit.
Po pse vallë?
“Sharjet janë arsyet e mëdha për ata që s’kanë arsye” (Servantes).
Jeta juaj krijuese dhe intelektuale e pashembullt është përherë më shumë, se sa, mosha juaj.
Në fillim të mijëvjeçarit të tretë ankthi i Shqipërisë është dhe ankthi juaj.
Juve, ithtar i patrembur i Shpresës, ju mohojnë dhe identitetin. Kështu, për paradoks, ju u gjendët befas midis dy anatemave të tmerrshme, polifemike.
Dhe mua m’u kujtua sadizmi i përshkruar në “Kopshtin e torturave” të Mirbosë, si dhe thënia e paharruar e këtij shkrimtari: “preferoj të jem një luan i vdekur se sa një qen i gjallë”.
Anatema e parë
A është shpirti i kombit shqiptar Pema e Ndaluar? (“Ndalohet t’i provosh frutat nga ajo pemë. Përndryshe aty për aty do dënohesh me vdekje”, Gjeneza, 2,17)
Shpirti i kombit për ju është gjithçka, si për çdo shqiptar të vërtetë.
Shpirti i kombit është tepër i lashtë, më e rëndësishme për të është, jo të themi ishte dhe është, po edhe do të jetë. E tashmja ndërmjetëson të kaluarën dhe të ardhmen. Po çdo e ardhme bëhet e tashme dhe e kaluara, pra, në këtë triumvirat të kohës përjetohen gjithmonë atributet e së ardhmes.
Koha është potencialisht vetëm e ardhme.
Nga kjo pikëpamje më shumë se para historisë aktuale jemi përgjegjës para historisë që vjen. Ky është determinizmi madhështor i historisë, filozofia e saj, e pashlyeshme.
Ju i dashur Qosja, e keni kuptuar në thelb këtë gjë. Shpirti i kombit është tek ju dhe ju zotëron në të gjitha indet. Vetëkuptohet, që Ju, do t’i prisni të tëra dënimet publike, të mundshme dhe bile, edhe të paparashikueshme. Së pari, këtë gjë do ta bëjnë, ashtu siç e kanë bërë, armiqtë e kombit shqiptar. Ata kanë sulmuar në kryqëzatë të pabesueshme kombin tonë, për ta mohuar tërësisht. Ky mohim është bërë me të gjitha mënyrat dhe mjetet, aq sa, në Martirologun e Njerëzimit kombi shqiptar jo thjesht se i fillon emri me germën e parë të rendit alfabetik shquhet që në fillim. Kjo është historia jonë, e cila, është tepër e dhimbshme, por dhe tepër krenare, sepse ne kemi mbijetuar, jo thjesht, se kemi marrë frymë.
Nuk di, për asnjë komb tjetër të botës, që të ekzistojë një teori e mohimit dhe e shkatërrimit deri në fund.
Shovinistët e huaj, midis të cilëve dallohet shovinizmi serb, kanë botuar libra, elaborate, studime akademike, etj. me të cilat kanë përvijuar teorinë e shkatërrimit të kombit shqiptar, në formën e një albanofobie të çuditshme dhe të një platforme konceptuale, të denjë, për kanibalët kundër shqiptarëve. Të mos harrojmë, se një mitologji e tillë e egër, pseudoshkencore dhe politike, ka rënduar mbi mendësitë edhe mbi vetëdijen e popujve ballkanikë e europianë, duke përhapur paragjykime e teza nga më absurdet. Kjo gjë në kohën tonë është tepër e rëndë. Por pikërisht në këtë kohë intelektualë më të mëdhenj të kombit shqiptar kanë luftuar me një dinjitet të veçantë, për të afirmuar të drejtën natyrore historike dhe kulturore të kombit shqiptar, duke rrëzuar çdo teori të shkatërrimit, apo të vetëshkatërrimit për shqiptarët. Sepse kombi është Guliveri, në këmbët e të cilit, liliputët hedhin rrufetë e tyre liliputiane… Duke vlerësuar lart librat, që keni shkruar ju, shoh, se si, përpëliten inkuizitorët antishqiptarë, shoh si thërrmohen e bëhen copë e çikë formulat groteske të skllavërimit të kombit tonë. Në këtë luftë, nga më të habitshmet e historisë moderne të kontinentit tonë të vjetër, Ju Profesor, keni triumfuar sepse, keni qenë me kombin dhe kombi është me Ju, deri në fund. Armiqtë e kombit janë armiqtë tuaj më të tërbuar. Pikërisht, shovinistët serbë kanë bërë anatemën më të madhe më të pabesueshme kundrejt jush. Mijëra artikuj, një gjenocid mendor kundër jush, cilësime nga më të skajshmet, sintetizuar, në togfjalëshin “armiku më i madh i Serbisë së Madhe” formulojnë Anatemën e Parë dhe të shumëfishtë ndaj jush. Kjo gjë dihet. Nuk duhet pritur gjë tjetër. Kjo ju nderon dhe është prova juaj historike.
Lum kush e ka këtë provë dhe mjerë ai, që nuk e ka. Kjo është prova e dinjitetit dhe e logjikës, prova e njeriut të lirë kundër skllavërisë fizike dhe mendore.
Dosja Qose është një dosje e hapur për të gjithë.
Si një refleks e bile binjakëri, sozie e Anatemës së Parë këto kohët e fundit për një paradoks të dhimbshëm u shfaq mizorisht dhe…
Anatema e dytë
Duke mbrojtur idenë e kombit të bashkuar, Ju i nderuar Profesor, mbrojtët të vërtetën. Ju keni vetëm një armë, atë të fjalës, atë “të forcës së tmerrshme të arsyes”, siç thoshte filozofi Sokrat.
Ju nuk keni as kobure, as TV, as gazeta dhe as mjete të administratës shtetërore. Ju keni vetëm librat tuaj, por kjo mjafton. Nuk është asnjëherë pak të kesh libra si tuajat. Ato janë të vërteta testamentale dhe jo lojra burleske të alibive të çastit.
Duke qenë i shqiptarëve Ju i jeni drejtuar përherë shqiptarëve. Edhe kur keni polemizuar me të huajt Ju e keni konsideruar këtë përsëri si dialog me shqiptarët e tu. Shqiptarët e ndershëm të kanë kuptuar.
Kombi shqiptar rrëzoi diktaturën totalitare dhe në ekuinoksin e demokracisë, që në ditët e para mbante portretet tuaja, duke treguar kështu respektin dhe dashurinë. Kështu ka ndodhur para dy vjetësh. Kronika nuk mund të përgënjeshtrohet nga askush. Po tani?
Adam ubi es?
Simbolet e vetëshpallura të demokracisë dhe demokracia nuk përputhen, nuk janë e njëjta gjë. Dikush përfitoi me emrin tuaj, për ta rrëzuar atë, kur nuk i hynte më në punë. Kjo është sa e turpshme, aq edhe ndjellakeqëse.
Në një konferencë shtypi Presidenti Berisha Ju quajti “romantik” dhe jo “realist”. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe. Presidenti ka të drejtë të thotë publikisht mendimin e tij, ashtu siç ka të drejtë çdo shqiptar i thjeshtë dhe të jetë i lirë në mendim.
Po cilësimi presidencial qe eufemizëm!
Në letrën e hapur për Presidentin Berisha Ju mbrojtët tri koncepte kryesore, që lidhen me çështjen kombëtare shqiptare. Kjo është e drejta juaj. Si në një metamorfozë kafkiane “romantizmin” tuaj e përkthyer në “armik” “aventurier”.
Nga një burrë i madh i kombit ju u bëtë Herostrat!?
Në hapësirën informative papritur u bë “një prishje moti”, u ndjenë bubullima e vetëtima sulfurike. Kabineti i Presidentit ju përgjigj (çfarë fleshi jupiterian!) ndërmjet një zëdhënësi anonim. Berisha nuk e quajti të udhës dhe normë dinjiteti t’ju përgjigjej vetë Juve, dmth drejtpërdrejt Qoses. Pse? Zëdhënësi komenton, se Qosja sugjeron “… akte të terrorizmit, duke evokuar lëvizjet e quajtura revolucionare, që zhvillojnë veprimtari terroriste dhe të bazuara në platforma marksiste-leniniste në zona të ndryshme të Europës… metoda terroriste që përdoren në lëvizjet baske, irlandeze apo korsikane, etj.”, “shpresojmë se ky ka qenë një moment dëshpërimi për zotin Qosja”, etj.
Fill mbas këtij leksioni shkollor publik e shpërfillës në shtypin e PD e në fletushka të tjera të “Yelloë press” u shkruan me shpejtësi e me një ligësi të ethshme artikuj derivatë nga më të pështirët dhe nga më të ndyrët, duke lëvizur në mekanizmin e shtypshkronjave mekanizmin e gijotinës.
Factotumi i sklerizuar i komunizmit dhe njëkohësisht i antikomunizmit, alias “krijesa frankeshtajne”, Bujar Hoxha, “farkëtoi” Anatemën e Dytë, tinëzisht dhe në mënyrë spekulative.
Po citoj vetëm cilësimet, fjalorin kobëzi të sharjeve: “Rexhep Qosja avokat dhe profet i aventurës”, “donkishot në politikë, donkishotizmi i Qoses është më i keqi se është donkishotizëm i kuq”, “spekulator i detyruar të interpretojë sipas skemave, që i serviren nga padronët (serbët dhe Milosheviçi)”, “qytetar i lirë (pa atdhe dhe komb) me ambicie karrieriste të pashtershme, që nuk arriti të përfaqësojë një forcë politike “marksiste leniniste” (RD 20 janar 1993), si dhe “aventurier”, “dëmtues i interesave jetësore të popullit tonë”, “egocentrik megaloman, paranoik, hakmarrës i paparimtë, “përçarës i kombit nga të dy anët e kufirit”, “ambicioz i paskrupullt, mendjemadh i pandreqshëm, hakmarrës sipas thënies “për inat të sime vjehrre fle me mullixhinë”, si dhe “historian” (dmth pseudohistorian), “me botëkuptim stalinisto-titoist-enverian”, “armik i shpalljes së Republikës së Kosovës”, “nismëtar i një opozite antidemokratike në Republikën e Kosovës”, “aleat i kamufluar i forcave antikombëtare, antishqiptare e antidemokratike”, e më në fund si sensacioni më i madh i këtij fundshekulli “Rexhep Qosja është Rexhep Qosiq” (RD 21 janar 1993, autor i shkrimit B.H.).
Në mënyrë të pandershme Televizioni shqiptar nuk e transmetoi letrën Tuaj drejtuar Berishës dhe në të kundërt, transmetoi vetëm përgjigjen e zëdhënësit anonim të kabinetit presidencial. Kjo ishte një flakje e dorezës në fytyrë, që një i një rangu më “të lartë” i bën një tjetri të rangut “më të ulët”. Po ana konvencionale e epiteteve “i lartë” dhe “i ulët” kuptohet fare lehtë, pa asnjë mundim. Televizioni është kryemjeti i informacionit, i pazëvendësueshëm nga askush. Edhe gazeta me tirazh më të madh është e pafuqishme në raport me televizionin. Kështu që jam i bindur, se opinioni shqiptar nuk u informua dot në mënyrë të lirë e të paanshme për atë, që u quajt debati, ose skandali Berisha-Qosja.
Ndoshta edhe një “lapsus” kishte një kuptim të caktuar, sikur letra tuaj u botua për herë të parë në ZP, gati e shkruar posaçërisht për të.
Jo! Letra u botua së pari në gazetën “Zëri” të Kosovës. Mbas këtij fakti publik çdo gazetë, ose mjet informimi mund, ose jo, ta riprodhojë.
Qëllimi ishte të të shpallnin “agjent” të Partisë Socialiste, kur dihet nga të gjithë, që Ju, nuk i përkisni asnjë partie politike. Ju s’bëni lojën e asnjë partie dhe keni të drejtë për pozicionin Tuaj, sepse kështu e keni menduar.
Kush mund t’jua mohojë këtë të drejtë elementare?
Mos ndoshta duhet të jeni “ndihmës partiak”?
Intelektualin e vërtetë nuk e instrumentalizojnë partitë. Ai paktin e vet e bën me kombin.
“Servilizmi është shërbëtori i tiranisë”, ka thënë Sami Frashëri në fundin e shekullit të kaluar.
“Heretizmi” Juaj jo partiak u ndëshkua, duke dashur t’ju mbërthejnë me “këmishën e forcës” të gazetave partiake, që tani shikojnë te Ju kryearmikun, të çmendurin.
Linçimi publik i figurës tuaj u bë! Amin!
Djalli i bekoftë të gjithë!
Kjo gjë tronditi rëndë vetëdijen e shqiptarëve dhe të krejt kombit. Askush nuk ka të drejtë të jetë indiferent dhe të heshtë përpara kësaj katrahure, të amplifikuar nga mas media, askush nuk mund të mbetet i paanshëm.
Historia do të na gjykojë jo vetëm ahere, kur folëm, por edhe ahere, kur heshtëm.
Duke ju ofenduar Juve kaq rëndë, anatemuesit tuaj groteskë ofenduan çdo njeri dhe intelektual të ndershëm, që shikon tek Ju mbrojtësin e të Vërtetës.
Sulmi ndaj Jush nuk është aspak i rastit.
Intelektualofobia është sot në rendin e ditës. Në asnjë komb të Europës, ose edhe të Botës nuk ka patur në një kohë kaq të shkurtër sharje dhe hedhje balte mbi intelektualët e mëdhenj, siç ka ndodhur te ne në Shqipëri. Dihet që, intelektualët e mëdhenj nuk bëhen as me dekrete dhe as me gradime oborri. Ata janë të tillë, sepse u bënë të tillë, ata janë të veçantë sepse u ngritën mbi mediokritetin, u shquan, u vunë në reliev me anë të një pune dhe vullneti të pazakontë me anë të talentit të jashtëzakonshëm.
Një popull, që nuk i nderon intelektualët ai ka vetëvrarë të ardhmen e vet.
Intelektualët e mëdhenj nuk janë mbinjerëz, ata identifikohen pikërisht si njerëz të vërtetë, synojnë të arrijnë në brendësinë e njeriut dhe jo të dalin jashtë saj.
Ata janë kombi i personalizuar me vetvetet e tyre.
Tani për Ju, i nderuar Qosja, përsëritet i njëjti rit arkaik dhe kanibalesk i anatemës.
Në kohën kur ideja e Europës së Bashkuar është një triumf i demokracisë humaniste befas gëluan në të naziskinët. Por ata nuk janë asgjë përpara naziskinëve shqiptarë, që duan të shqyejnë, të terrorizojnë intelektualët më të mëdhenj të kombit.
Jam i sigurtë se në këtë moment inkuizicionist kombi do të jetë me intelektualët e vet dhe intelektualët do të jenë me kombin. Nuk ka sesi të ndodhë ndryshe. (“Askush nga ne nuk vdes pavarësisht nga të tjerët” shën Pali, Romakëve, 14.7.).
Por kush janë ata që ju sulmojnë juve?
Kush është B.H.?
Sipas parimit primitiv patriarkal të hakmarrjes ju sulmoi in extremis. Unë mendoj, se nuk ia vlen të replikosh me të.
Më e tmerrshme është filozofia e sulmit të tij, se sa, vetë sulmi!
Kombi është subjekt i papjesëtueshëm
Duke dalë nga kllapat (prangat) e dy anatemave Ju Profesor, argumentoni me qartësi idetë tuaja.
Çështja kombëtare është në fokus të vëmendjes të të gjithëve.
Nuk do të zgjidhet kurrë drejt kjo çështje, nëse nuk gjykojmë saktë dhe si duhet për të.
Kombi shqiptar është një subjekt i papjesëtueshëm.
Kush ka fuqi për ta mohuar këtë të vërtetë?
Shqiptarët janë një komb unik, me individualitet të veçantë, me tragjedi të mëdha, çka e bën historinë e tyre nga më heroikët. Ky komb unik, i ftillëzuar, që në kohërat më të lashta, sot përjeton një krizë të identitetit, më tepër nga të tjerët, të cilët, padrejtësisht nuk ja marrin parasysh këtë identitet.
Kriza e identitetit është e kundërta e kombit unik.
Historia në mënyrë të pamëshirshme e ka vënë kombin shqiptar në shtratin e Prokustit.
Ky komb i papjesëtueshëm në thelbin e vet etnik sot ekziston i pjesëtueshëm në rrafshin shtetëror.
Vetëm gjysma e kombit jeton brenda kufijve, të sotëm politikë, gjysma tjetër jashtë këtyre kufijve është pjesëtuar nga kufijtë politikë të Serbisë, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi. Ky pjesëtim i dhunshëm dhe i padrejtë historikisht, është në kundërshtim me logjikën e kombit unik shqiptar.
Ose do të pranojmë, se kombi unik nuk ekziston, ose do të pranojmë, se copëtimi i tij është fatalisht i përjetshëm.
Pra, kontradikta e kombit de facto me kombin de jure është kontradikta e koncepteve dhe e kundërthënies, të mendimeve të ndryshme politike për një çështje të vetme.
Ju i dashur Qosja, duke mbrojtur konceptin e kombit unik, me të drejtë, keni shkruar për një program unik kombëtar, për një strategji të bashkimit kombëtar. E gjitha kjo, ka qenë e argumentuar dhe me një logjikë të pakundërshtueshme. Ky bashkim kombëtar, vërtet, nuk është aspak një çështje ditësh dhe nuk do të jetë aq e lehtë, por në vizion në atë, që ne e quajmë të ardhme, kombi, duke mos qenë i pjesëtueshëm nga të tjerët, është i barazvlefshëm vetëm me vetveten.
Asnjë teori e së drejtës ndërkombëtare, asnjë teori e humanizmit dhe e ekzistencës njerëzore nuk mund ta mohojë dot kombin shqiptar. Është e pamundur, sepse ai, ekziston prej shekujsh dhe ndonëse në shekuj ka patur fatin e keq të jetë nën struktura politike dhe shtetërore të huaja dhe kozmopolite prap se prapë, ka mundur të mos shpërbëhet, të mos denatyrohet, të mos zhduket.
Ky ligj i mbijetesës për të kaluarën vlen edhe për të ardhmen.
Nuk duhen fetishizuar kurrë kompozimet politike dhe shtetërore aktuale në Ballkan.
Kanë ndodhur gjëra të pabesueshme, u shkatërrua perandoria sllavo-komuniste e BS, u shpërbë Jugosllavia e Dytë. A nuk qenë dikur këto struktura shtetërore gati tabu?
Aherë pse ne, shqiptarët, do t’i quajmë të përjetshme ndarjet e pjesëve të trupit të kombit nga shtetet e tjerë etnikisht të huaj? Nga kjo pikëpamje kombi unik shqiptar do të triumfojë një ditë.
Në Ballkan çështja shqiptare është thelb i gjërave. Në kushtet jashtëzakonisht të rrezikshme të fashistoidëve serbë, që kanë ndezur flakën e luftës në rajon, çështja kombëtare shqiptare ka tërhequr vëmendjen e mbarë botës. Ajo është ndërkombëtarizuar si kurrë ndonjëherë. Dhe pikërisht në këto çaste ka njerëz, që e humbin shpresën në të, që nuk kanë besim dhe madje e quajnë si një çështje romantike të tejkaluar.
Ju, i nderuar Qose, keni bërë apelin e kohës.
Kush nuk ka veshë le të mos dëgjojë, kush nuk ka sy le të mos shikojë.
Po çdo të thotë komb i papjesëtueshëm?
Duhet barazuar me togfjalëshin e bujshëm e spekulativ “Shqipëria e Madhe”?
E kam thënë shumë herë, se ky është një apelacion absurd, që huton diletantët e injorantët.
Ballkani është rajoni, për exsellence, i apelacioneve, që në vetvete janë programe politike.
Shovinizmi serb në apelacionin “Serbia e Madhe” kupton jo territorin e tokave të serbëve etnikë, po edhe të shqiptarëve e etnive të tjera. Koncepti perandorak i Stefan Dushanit është arketipi i Serbisë së Madhe.
Apelacioni i “Megali idesë” i shovinizmit grek tingëllon, siç ka shkruar vetë De Rada një shekull më parë, si rilindja e perandorisë bizantine, e ka në thelb aneksimin e tokave të tjera jo greke.
Këto dy apelacione janë të dështuara, po kjo s’do të thotë se nuk janë ende të rrezikshme.
Shqiptarët asnjëherë nuk janë shprehur për veten “Shqipëria e Madhe”, po vetëm për Shqipëri etnike, natyrore. Brenda kufijve të saj etnikë nuk aneksohen toka të tjerëve, përkundrazi. Copëtimi i kombit tonë është i pashembullt në histori.
Kur flasin për bashkim shqiptarët kuptojnë atë, që u përket dhe jo për atë, që nuk u përket, për atë që është e tyrja, dhe jo për atë, që është e të tjerëve.
Ky është një ndryshim kolosal i pakontestueshëm në raport me apelacionet e koduara të shovinistëve ballkanikë.
I dashur Qosja!
Ju, keni të drejtë, që këmbëngulni, që çështja shqiptare të shtrohet në mënyrë paqësore e demokratike si një e tërë, unike, duke mos e injoruar faktin historik, që ajo, është edhe një çështje e përbërë.
moikom qosjaKombi shqiptar në erën e demokracisë bëri gjeste të mrekullueshme, çka e bën popullin tonë të jetë në lartësinë e duhur të qytetërimit.
Vetëm një popull fisnik, i emancipuar, i shpall të drejtat e tij në rrugë paqësore, duke ju shmangur primitivizmit ballkanik, grackave të shovinizmit shqiptarofag, si dhe alibive të një lufte, që do të qe një katastrofë e tmerrshme. Padyshim kjo është një përparësi. Padyshim ky është një dinjitet.
Po në përfundim të kësaj historie, një mëngjes, shqiptarët me të drejtë do të pyesin: “Luftuam dhe sakrifikuam për Kosovën Republikë”? A qe një ëndërr, një republikë mitike? Qeveria dhe Presidenti Rugova janë shpikje e fantazisë dhe makinës publicistike? Çfarë fituan shqiptarët në Maqedoni e në Mal të Zi? Mos vallë ka dhe një Shqipëri mitike, të paqenë?”.
Jam i prirë që të besoj të kundërtën! Nuk do të ndodhë kështu!
Le të marrim formulën e trumbetuar “të autonomisë maksimale” për Kosovën.
Ç’kuptim tjetër të autonomisë në aspektin etimologjik ka përveç lirisë së vërtetë, vetëvendosjes, që e konfirmon qartë Karta e Helsinkit?
Nëse do të krijohej paradoksi i një autonomie “maksimale” e njëkohësisht të “kufizuar” a nuk do të përjetonim një absurd juridik, po edhe të logjikës njerëzore më elementare? Madje edhe të vetë formulës?
Po formulat diplomatike nuk janë gjithçka. Nuk janë të përjetshme.
Zgjidhja e drejtë e çështjes shqiptare nuk është vetëm shansi i shqiptarëve, por edhe shansi i Europës së Re. Nuk mund të ketë Europë të lirë, nëse një pjese të saj do t’i mungojë liria. Nuk mund të ketë institucionalizim universal të lirisë, nëse ky institucionalizim ngrihet mbi zgjidhje e formula juridike të përkohshme, kontradiktore, e jo të barazvlefëshme për të tëra subjektet etnike të Europës. E drejta e vetëvendosjes është gjithçka.
Juve ju intereson kjo vetëvendosje si një triumf i vërtetë i demokracisë dhe humanizmit, çka i bën të dyshimta e retorike shpifjet ndaj Jush për aventurizmin anarkoterrorist, për ndryshim kufijsh, me dhunë, për projektimin e një vetëvrasje kombëtare, për agjent sekret, Sherlok Holms, i gjallë i Gjeorgjeviçit e Çubroloviçit të vdekur, mercenar i fshehtë elite e tejet special i Milosheviçit e Dobrica Qosiqit etj. etj.
Ky “kalim” pitagorian i shpirtit të mohuesve të kombit shqiptar te Ju, që e afirmuat pa frikë këtë komb, është loja e prestixhiatorëve, e të marrëve, e atyre, që do të përgjigjen përpara historisë për çdo truk dhe për mungesën e pafalshme të vetëdijes ndaj fatit të kombit shqiptar.
Serbët ju kanë quajtur “izdajnik” (tradhtar) dhe shqiptarët “përçarës”.
Dy anatemat janë në fakt një anatemë!
Seig heil! Gebëlsi ka thënë se kur dëgjonte fjalën “intelektual” i shkonte dora te koburja.
Nuk duhet harruar se nobelisti Martin Luter Kingu, nga figurat më të shkëlqyera të këtij shekulli, predikonte jo dhunën dhe e pësoi nga dhuna.
Ajo, që më çudit më tepër e më trishton, është reagimi ndaj ideve tuaja, që janë jo të papritura, me një fjalë, Ju nuk keni reflektuar një ndryshim, apo tjetërsim idesh për çështjen kombëtare.
Në librat “Populli i ndaluar” dhe “Strategjia e bashkimit kombëtar”, me një nivel europian e frymë të shkëlqyer intelektuale, Ju i keni shtjelluar tri idetë kryesore, që argumentojnë papjesëtueshmërinë e kombit.
Në shumë intervista, shkrime keni bërë shoshitje karteziane të këtyre ideve.
Deri në çastin, kur Ju, nuk i bëtë Letrën e Hapur Presidentit Berisha vepronte ndaj jush Anatema e Parë.
Fill mbas guximit kur Ju i kundërshtuat mendimet e Berishës në shtyp ndaj jush Anatema e Dytë qe e jashtëzakonshme.
Numri NJË, i shtetit të Shqipërisë, ka të drejtë të debatojë, po jo t’ju nënvleftësojë. Kritikën e parë publike ndaj Jush e nisi pa u menduar thellë vetë Berisha. Nuk dua t’ju gjykoj, se a duhet, apo jo t’i shkruanit urbi et orbi.
Intelektual nuk rri “sus”, intelektuali nuk përcaktohet nga hierarkia e pushtetit, po nga hierarkia e mendjes.
Presidenti ynë karizmatik ka përgjegjësi, se të paktën e kishte plotësisht në dorë, për ta anuluar fushatën e egër kundër Jush në Shqipëri, sidomos në gazetën partiake, që për ironi të fatit e keni pagëzuar Ju e që sot përjeton tjetërsimin e brendshëm semantik të vetë emrit të saj.
Unë kam respekt të veçantë ndaj institucionit të lartë të Presidentit, por para së gjithash vetë Presidenti duhet të identifikohet me të.
E them haptas se kjo grindje nuk më gëzon aspak, nuk e kam dëshiruar dhe nuk e dëshiroj as në të ardhmen, sidomos në klimën e marrëzishme politike të sotme, kur Shqipëria është në udhëkryqin e historisë, në një rebus kombëtar e ndërkombëtar. Intoleranca e primusit të pushtetit është një përgjegjësi më e madhe, se ajo e njeriut pa pushtet. Ai duhet të luftojë me arsye arsyen dhe jo me dhunë verbale oponencat intelektuale.
Monopolin e të vërtetës nuk e ka askush.
Po ju nuk u bindët. Përgatituni për në Kanosa!
Po a nuk thonte një filozof i vjetër, se “i interesonte më shumë e vërteta se sa froni i artë i mbretit të Persisë”?
Zoti President, autorin e librit “Populli i ndaluar” këndej e tutje do ta mbiquajmë “Qosja i ndaluar”? Shtetrrethimi intelektual?
Zoti Berisha! Guxoj t’ju pyes: është apo nuk është armik i kombit shqiptar Rexhep Qosja? O është, ose nuk është!
TERTIUM NON DATUR. (Rrugë të tretë nuk ka).
Pyes: pse Berisha nuk inicion një tryezë të partive politike dhe të intelektualëve të pavarur për alternativën e opinionit e pranueshme në politikë për çështjen kombëtare?
Ç’e pengon?
Pyes: pse Berisha nuk i tubon tërë përfaqësuesit eminentë shqiptarë për të diskutuar për të ardhmen e kombit?
Pyes: pse Berisha nuk ngrihet mbi gladiatorizmin e partive për të shmangur segregacionin e kombin, ta vërë mbi partitë dhe jo PD mbi kombin?
Pyes: pse nuk e afron Berisha mendimin e kualifikuar intelektual shqiptar për çështjen kombëtare dhe për situatën sociale të ndërlikuar?
A nuk është ai i vetmuar nga intelektualët?
Më shumë se fatkeqësi për atë vetë, kjo është fatkeqësi për kombin!
Pyes: a është demokracia tolerancë dhe mirëkuptim, apo intolerancë dhe politikë diferencimi? Mos vallë përfaqësuesit e partisë shtet janë qytetarë të klasit të parë dhe përfaqësuesit e opozitës qytetarë të klasit të dytë?
Pyes: mos vallë gjysma e Shqipërisë ndahet, kualifikohet, etiketohet në berishianë dhe gjysma tjetër në miloshevianë?
A nuk janë që të gjithë shqiptarë?
Pyes: a e di Berisha se të qenët President është një mandat i përkohshëm, kurse të qenët intelektual i madh është një mandat i përjetshëm?
Pyes: a është e mençur dhe e domosdoshme të krijosh kualifikime të tilla si “kriptokomunistë”, “mafia e kuqe”, “megahajdutë”, apo të predikosh pajtimin kombëtar, dashurinë, karitasin, shpirtmadhësinë, prudencën, largpamësinë, paqen sociale, mirëkuptimin, unitetin?
Pyes: a e di Berisha, se një njeri i vetëm nuk e modelon dot historinë e se historinë e bëjnë, papërjashtim, që të gjithë?
Pyes: mbas skandalit me Qosen a do të ketë skandale të tjera?
A nuk duhet të marrin fund njëherë e përgjithmonë stërmundime të tilla, strese anormale për tërë popullin?
Parandiej, si më rrethon një uragan zemërimesh, klithma “si guxon të pyesësh, kush je ti, ç’të duhet të ndërhysh në punët, që nuk të takojnë, qenke tepër naiv, a nuk e kupton, se kështu rrezikohesh, se emri yt, do të thithë rrufe hakmarrjeje?”
Po, e di, ç’është shpifja, çfarë s’më kanë sharë.
Institucionalizimi i shpifjes është diçka kolosale, përballë njeriut, që ka veç nderin e tij.
Jeniçerët e shtypit i kanë gati artikujt, përderisa nuk pati asnjë skrupull moral për të mos goditur emra shumë të nderuar, ahere nuk ka asnjë pengesë, që kuklusklanasit e penës ta kryejnë ritin e tyre deri në fund, edhe ndaj meje.
Unë mund të bëj vetëm atë, që është në dorën time, po jo atë, që është në dorën e të tjerëve.
Unë mund të jepja dhe jetën për të vërtetën, kur atë e mbron dhe Presidenti, po jo të kundërtën.
I ndershmi Qose,
Të gjitha këto tronditje janë një shpenzim, një luks tepër i kushtueshëm, në një kohë, kur forcat mendore na duhen për ta rimëkëmbur kombin.
Përpara secilit nga ne, papërjashtim, është bërë e pranishme një çështje ekzistenciale; spastrimi i vetvetes.
Kemi një purgator të domosdoshëm që është:
Ekzorcizmi
Nuk mund të ecim para, pa bërë ekzorcizmin individual dhe ekzorcizmin kolektiv.
Nuk duhet të kemi turp për të pranuar dhe shmangur gabimet tona, është një guxim i madh, i veçantë, për t’u purifikuar nga mendësitë e vjetra, nga bagazhi i rëndë i patriarkalizmit, nga mungesa e llahtarshme e tolerancës.
Më i kulturuari fal më shumë, ai në këtë mënyrë nuk humb po vetëm fiton.
Për fat të keq, në traditën tonë shekullore, nuk kemi shembuj të eksorcizmit publik. Shumë intelektualë të mëdhenj të këtij populli nuk e kanë bërë këtë gjë. Ndoshta kanë menduar se alibitë janë më shumë se sa pranimi i gabimeve, ndoshta kulti i pagabueshmërisë është dhe tabuja e sedrës së tyre.
Nuk ecet më në këtë mënyrë.
Kemi një shembull autokritik të pamëshirshëm ndaj vetes: Fan Nolin.
Ekzorcizmi i tjetrit është dhe ekzorcizmi i secilit, se ebëra në jetën politike të 1924 Noli shprehet për Nolin ashpërsisht, përballë vetvetes ai kritikon, duke e hedhur tutje sedrën, çdo lloj narcizizmi, apo kompleksi madhështie dhe me këtë akt ekzorcizmi ai jep një provë të vërtetë, shumë domethënëse.
Ne kemi nevojë të gjithë për njëri-tjetrin.
Çfarë pengon që Kadareja dhe Ju, po edhe Presidenti Berisha dhe Presidenti Rugova të jenë tok, t’i kapërceni mëritë, populli t’ju shohë në çdo hap sëbashku, që t’i ngjallet shpresa, t’i largojë dilemat, që lumpenshtypi të marrë fund, që lumpenpsikologjia të fashitet, që lumpenmediokriteti të mos na shtypë në thundrat e tij?
Në shembullin tuaj të eksorcizmit moral të fitojë autoritet Nderi dhe Drejtësia. Jeni njerëz historikë, që i duheni shumë këtij populli martir, që mund t’ia lehtësoni vuajtjet e mëdha.
Sado të rëndësishëm jeni të veçuar, do të jeni akoma më shumë të tillë, por të jeni të bashkuar.
S’ka rëndësi se kush do të jetë më i madh midis jush, kjo është një gjë e vogël përpara përballimit të tragjedisë, që e ka sfilitur për vdekje këtë komb.
Nuk jam predikator as moralist, Jo!
Po përçarja na ka kushtuar dhe po na kushton shumë në histori.
Kishte të drejtë Migjeni i pavdekshëm kur thonte “nuk i duam humbjet prore”.
Ekzorcizmi është filozofi e jetës, është klemence kombëtare, largpamësi, rilindje, është një Mastriht shpirtëror.
Ekzorcizmi është kundër diversitetit si konflikt, kundër filozofisë arkaike të luftës pa kompromis, kundër historisë alibike për një histori të vërtetë.
Ekzorcizmi nuk është diçka fetare, një epifenomen, as nuk arrihet si me anë të gurit filozofal, nuk është as spektakël, e as parukë, as ballo maskash e sidomos nuk është hipokrizi. Është jashtëzakonisht i vështirë dhe i ndërlikuar, kërkon forcë morale, mençuri dhe kurajë.
U takon sidomos intelektualëve të vërtetë t’i japin tolerancës edhe në kombin shqiptar një status universal, që mirëkuptimi të mbizotërojë gjithçka!
Po purgatori shqiptar është me sa duket, për fat të keq, i gjatë!
Në kohëra më të lumtura kujtimet e këqija do të na duken shumë më të largëta, se sa mosha e tyre!
Dështimet tona sizifiane do të rreshtin një ditë, marrëzitë tona do të mërgohen.
Sepse, mea culpa, nuk i përket vetëm njëri, po edhe tjetrit.
Sepse, jeta është e shkurtër dhe korrigjimet më të mira janë parandalimet.
Kështu kritika ndaj të keqes s’do të jetë kurrë më e vogël, po përkundrazi.
Sepse, jemi që të gjithë shqiptarë, që do të thotë,s e s’jemi medoemos e fatalisht kundërshtarë.
Se, mençuria e qetë është shumë më afatgjatë, se sa inati më i fuqishëm.
“Bashkimi, ka shkruar Konica, që në 1902, s’është të unjim kryet përpara njëri tjetrit, po të merremi vesh njerëzisht e të punojmë të lirë të gjithë për një qëllim”.
Vetëm njerëzit e bashkuar e bëjnë kombin e bashkuar.
Me një respekt të vërtetë për veprën tuaj titanike Ju uroj nga zemra jetë të gjatë, që me energjitë tuaja të pashtershme të lartësoheni më tepër, i paepur dhe krenar, për kombin shqiptar.
Juaji deri në fund
Moikom Zeqo
Tiranë, 22 janar 1993
******
POST SCRIPTUM
Po ribotoj mbas 23 vjtesh nje Leter te Hapur per Rexhep Qosen, per aresye substanciale te sulmeve te egra nga jeniceret e Berishes kunder ketij personaliteti te shquar te letrave shqipe dhe te mendimtarit te madh te Ceshtjes Kombetare.Une mora pjese ne polemike- besoj se edhe per lexuesin e sotem ka rendesi njohja e problematikes tragjike te asaj kohe qe ende rri si nje atavizem paradoksal mbi opinionin publik shqiptar.
Letra ime eshte botuar ne librin tim “Rexhep Qosja dhe Ceshtja Kombetare Shqiptare“, botuar ne 1994.
Viti 2016 eshte edhe viti i 80 vjetorit te lindjes se Rexhep Qoses dhe eshte e vetekuptueshme dhe dinjitoze qe te festohet sic i takon.
Fola dhe shpetova shpirtin tim! 

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...