PARIS, 14 maj /ATSH-AFP/ – Kemal Kiliçdaroglu konsiderohet kundërshtari kryesor i presidentit aktual turk, Recep Tayyip Erdogan dhe ëndërron të jetë, sipas tij, shpëtimtari i një demokracie turke, e dëmtuar nga 20 vite pushtet i padiskutueshëm.
Kemal Kiliçdaroglu, kandidati i aleancës së opozitës turke për zgjedhjet presidenciale të 14 majit, premton se nëse zgjidhet do të shkëputet nga epoka e presidentit Erdogan.
“Unë do të sjell ligj dhe drejtësi në këtë vend. Unë do të sjell paqen”, tha ai javën e kaluar në Turqinë Lindore.
Ky ish-zyrtar i lartë 74-vjeçar, kryetar që nga viti 2010 i Partisë Popullore Republikane (CHP, socialdemokrat), ka vuajtur prej kohësh nga imazhi i një njeriu pa karizëm.
Por, hyrja e tij në fushatë e lejoi atë ”të printonte” një stil të ri.
Pothuajse çdo mbrëmje, ai poston në rrjetet sociale një video të marrë nga zyra e tij, dhoma e ndenjes apo kuzhina, me frigoriferin e mbuluar me magnetë dhe me çaj, larg prarimit të pallatit presidencial.
Disa prej tyre janë bërë virale.
Në fund të prillit, ai prishi një tabu duke evokuar para kamerës anëtarësimin e tij në alevizëm, një degë heterodokse e Islamit që disa sunitë rigorozë e konsiderojnë heretik.
Ai shpreson që mesazhi i tij do të mirëpritet gjerësisht.
– “Bay Kemal” –
Kundërshtari kryesor i presidentit në largim, me një siluetë të hollë dhe me mustaqe të bardha të holla, ai pozon edhe si një “Zot i pastër” i politikës turke duke denoncuar prej vitesh korrupsionin që sipas tij ka pllakosur majat e shtetit.
President, ai do të vazhdojë të paguajë faturat e ujit dhe energjisë elektrike, premton ai, dhe do të kthehet në pallatin historik presidencial të Çankajës në vend që të shkojë në pallatin luksoz me 1 100 dhoma të ndërtuar nga zoti Erdogan në një kodër të pyllëzuar të mbrojtur nga Ankaraja.
“Ai është si ne. Ai i kupton njerëzit”, thotë Aleyna Erdem, 20 vjeçe, gjatë një takimi të kandidatit në Stamboll.
Kemal Kiliçdaroglu gjithashtu merr përsipër të mos konfiskojë pushtetin dhe, pasi të ketë “rivendosur demokracinë” dhe të ketë kufizuar kompetencat e presidentit, ai do të veshë përparësen për t’u kujdesur për nipërit.
”Unë nuk jam njeri me ambicie”, tha ai për revistën ”Time” në prill.
Që nga marrja e presidencës së CHP-së, e themeluar nga babai i Turqisë moderne, Mustafa Kemal Atatürk, ai ka transformuar linjën e partisë duke fshirë në veçanti imazhin e saj shumë laik.
Në fund të vitit 2022, ai propozoi një ligj për të garantuar të drejtën e grave turke për të mbajtur shaminë, duke ofruar premtime për elektoratin konservator.
Kandidati, i lindur në një familje modeste në provincën historikisht rebele të Dersimit (i riemërtuar Tunçeli, në Anadollin Lindor) me shumicë kurde dhe alevi, po përpiqet në të njëjtën kohë të joshë kurdët, shumë prej të cilëve e quajnë me dashuri “Piro”, një fjalë kurde për të evokuar një gjysh ose një udhëheqës fetar alevit.
Presidenti Erdogan ndërkohë i jep pseudonimin “Bay Kemal” (“Zoti Kemal”), duke përdorur termin “zoti”, tradicionalisht i rezervuar për të huajt dhe kjo për ta tallur atë.
Që nga fillimi i fushatës, kreu i shtetit ka thënë se turqit do ta “varrosin” me votën e tyre në mbrëmjen e 14 majit, pavarësisht nga shumë sondazhe që e vendosin zotin Kiliçdaroglu në pozitën e favoritit.
– “Jam duke ardhur” –
Ky ekonomist i zoti, i emëruar në krye të Sigurimeve Shoqërore të fuqishme turke në vitet 1990, është konsideruar prej kohësh i papërshtatshëm për të fituar zgjedhjet.
Por, fitorja e dyfishtë në 2019 e kandidatëve të CHP-së në zgjedhjet lokale në Stamboll dhe Ankara, një pengesë e paprecedentë për Recep Tayyip Erdogan dhe partinë e tij, është kryesisht për shkak të tij.
Në fuqinë e këtij suksesi, kreu i CHP-së ka arritur këtë vit të bashkojë pas tij gjashtë parti opozitare dhe të fitojë si bonus mbështetjen e partisë kryesore prokurde.
Ai di gjithashtu se si ta rrethojë veten, pasi kryebashkiakët shumë të njohur të CHP-së të Stambollit dhe Ankarasë, Ekrem Imamoglu dhe Mansur Yavas, të cilët ai dëshiron të emërohen nënpresidentë, janë pothuajse në të gjitha udhëtimet e tij në fushatë.
Kandidatit të opozitës, një nga bëmat e të cilit ishte marshimi i gjatë 420 kilometrash që ai udhëhoqi në 2017 midis Ankarasë dhe Stambollit për të denoncuar burgosjen e një anëtari të partisë së tij, i pëlqen të mbrojë durimin.
Një nga posterët e tij të fushatës, megjithatë, u tingëllon mbështetësve të tij si fundi i një pritjeje të gjatë: “Unë jam Kemali, po vij!”.