Kryeministri Edi Rama është bërë pjesë e përpjekje për të çtensionuar konfliktin aktiv në Veri të Kosovës.
Nga salla e Hartave në kryeministri tregoi iniciativën për të ndihmuar në zgjidhjen e konfliktit dhe çuarjen përpara siç ngulmojnë amerikanët në krijimit të Asocacionit.
“Dje i kam përcjellë presidentit Emanuel Macron dhe kancelarin Olaf Sholz një draft të Asosacionit për të cilën kam vënë në dijeni presidentin e Këshillit Europan Sharl Mishel dhe palën amerikane. Është një draft i punuar nga ekspertët e lartë amerikanë dhe evropiane prej kohësh, gjë që është bërë pikërisht nëse do vinte kjo ditë, kur palët dhe në këtë rast për mua i pakuptueshëm është pozicioni i Kosovës që bën atë që bën herët e tjera, palët nuk po merren dot vesh as jush do e shkruajë këtë tekst jo më çfarë do ketë ky tekst.
Kreu i qeverisë shqiptare shpjegoi se përse nuk mund të japë detajet e këtij draft propozimi iniciuar prej tij .
“Natyrisht ky është një dokument konfidencial që nuk pretendon të jetë zgjidhja ideale, por ju siguroj që ky dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha për krijimin e Asocacionit dhe në konsideratë se Asocacioni është pjesë e furnizimit të jetës në republikën e Kosovës duke adresuar të gjithë rekomandimet e gjykatës së Kosovës. Uroj që ky material të vlejë që ta çojë në nivel tjetër dialogun dhe të bëjë palët të flasin për gjëra konkrete për gjëra që lidhen me përfundimin e dialogut”.
Kryeministri Edi Rama thotë se po e tregon publikisht këtë përfshirje për zgjidhje, pasi situata po bëhet alarmante dhe se ai nuk mund të qëndronte spektator e të shikojë Kosovën të tkurret në sytë e atyre që krijuan shtetin e Kosovës.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se mori vendimin për të hartuar draftin për Asocacionin, pasi nga lëvizjet e interlekutorëve u sigurua që askush nuk do të merrej me shkrimin e tij.
Sipas Ramës, drafti është punuar nga ekspertët e lartë amerikanë dhe evropiane prej kohësh, në rast se dy palët Kosovë-Serbi nuk do merreshin vesh me njëra-tjetrën.
Por si u prit drafti i parashtruar prej qeverisë shqiptare nga presidenti francez Emanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz? Rama nuk dha detaje për këtë çështje, duke theksuar se ka bërë thjesht detyrën.
“Nuk hyj fare në këto. S’ka asnjë rëndësi, unë kam bërë vetëm detyrën sepse e dija që ne do të mbërrinim në një pikë të tillë sepse i kam parë interlekutorët, i kam lexuar si duhet për fatin e keq të Kosovës dhe në kushtet kur askush nuk merret dot vesh se kush duhet ta shkruaj si draft, ky është një kontribut i shkruar nga njerëz që janë ajka në mendimin juridik botëror”, shprehet Rama.
I pyetur nëse ka pasur ndonjë konsultim paraprak me Kurtin apo nëse ka marrë garanci nga Serbia se ky draft do të vihet në zbatim, Rama përgjigjet se nuk është aty për asnjërën nga palët, por për Kosovën. Me nota patriotizmi, Rama tha se e ndjen si detyrë ndaj kombit shqiptar të flas, kur sheh se një pjesë e saj po përplaset me ata që dikur hodhën bomba për të lartësuar kombin tonë.
Duke ritheksuar se drafti është neutral, Rama sqaron se nuk ka asnjë interes personal në çështje.
“Nuk është detyra ime të konsultohem as me njërën palë, as tjetrën. Për më tepër tashmë që jam kryeministri i Shqipërisë, kjo e bën pozicionin tim edhe më të vështirë. Sepse vetvetiu, dua apo s’dua unë, jam palë.
Drafti është neutral në këtë pikë, nuk është bërë as për njërën as për tjetrën palë, por për Kosovën. Për mua është Kosova mbi të gjitha, dhe jam këtu për Kosovën, nuk jam këtu as për njërin as për tjetrin, as për veten time fare. Sepse unë nuk marr vota në Kosovë dhe nuk kam asnjë interes në Kosovë në aspektin personal, as profesional, as partiak, as politik ngushtësisht. Por si kryeministër i Shqipërisë që sheh se si një pjesë e kombit tim po hynë në një kurs përplasje me ata që e lartësuan kombin tim si asnjë herë më parë dhe hodhën bomba për kombin tim, unë e ndjej detyrë ndaj kombit tim që t’i them këto fjalë”, tha Edi Rama.