I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar tha të martën se pajtimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për çtensionimin e situatës në veri të Kosovës duhet të arrihet sot dhe nesër.
Ai i bëri këto komente pas takimeve me udhëheqësit e institucioneve dhe partive politike në Kosovë bashkë me të dërguarin e posaçëm evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, gjatë të cilave thanë se ulja e tensioneve, mbajtja e zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe në veri dhe kthimi në tryezën e bisedimeve janë kërkesat e tyre kryesore.
Escobar tha se të premten ai dhe Lajçak duhet t’u raportojnë udhëheqësve të tyre nëse ishin të suksesshëm apo jo, ndërsa paralajmëroi pasoja në rast dështimi.
Ai e cilësoi ‘hutues’ qëndrimin e qeverisë së Kosovës kundër këshillave amerikane për të mos dërguar me forcë kryetarët shqiptarë të komunave në veri që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit të bojkotuara nga partitë serbe. Ai tha se ka sfida në marrëdhëniet dypalëshe që kanë të bëjnë me kryeministrin Albin Kurti dhe i quajti të dhimbshme mendimet se Shtetet e Bashkuara po i drejtojnë marrëdhëniet dhe angazhimin tonë për Kosovën në dobi të Serbisë.
“Ne nuk i kemi të njëjtat marrëdhënie me Serbinë si me Kosovën. Serbia nuk është kandidate për anëtarësim në NATO, ajo po kalon një kohë sfiduese në integrimin e vet evropian dhe ne prisnim që Kosova të jetë shumë më larg. Shuma e parave që ne i përdorim për të mbështetur institucionet tuaja, duke përfshirë sigurinë tuaj përmes KFOR-it, nënkupton që kemi një marrëdhënie tjetër. Kjo nuk do thotë që nuk e mbajmë Serbinë përgjegjëse për disa gjëra që po ndodhin dhe ua kemi bërë shumë të qartë se sulmet ndaj KFOR-it janë të papranueshme”, tha Escobar.
Tridhjetë pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të NATO-s u plagosën të hënën ë kaluar në përplasje me grupet e protestuesve serbë që kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat e komunave. Prishtina akuzoi grupet e mbështetura dhe financuara nga Serbia dhe me lidhje me Rusinë për nxitje të dhunës.
Escobar tha se Rusia e shfrytëzon këtë situatë dhe përfiton prej saj, por Rusia nuk po e drejton këtë.
“Ky është dështim i udhëheqjes politike të të dyja palëve për të përparuar në ripajtimin ndëretnik. Pikë. Ne e kemi tërë vullnetin e mirë për t’i sjellë Serbinë dhe Kosovën në një pozitë më të mirë, në marrëdhënie jo domosdoshmërisht miqësore, por paqësore, të normalizuara dhe që i afrojnë me Bashkimin Evropian”, tha Escobar.
Ai tha se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë menjëherë marrëveshjen ë arritur ne Bruksel dhe në Ohër për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Nga Kosova pritet themelimi i Asociacionit të komunave më shumicë serbe, tha ai duke nënvizuar se ai do të ndodhë por çështja është me kënd dhe sa gjatë duhet pritur.
“Ne e dimë se si duhet të duket Asociacioni dhe e dimë si nuk duhet të jetë. Kemi nevojë të fillojmë tani. Mund ta kemi statutin në një ditë nëse duam. Nuk e kuptoj vonesën. Për mua, Kosova duhet ta përcaktoj veten jo nga Serbia por nga vlerat e saj, nga marrëdhëniet e saj jo me 6 milionë banorë të Kosovës por 700 milionë banorë të komunitetit euro-atlantik. Dhe ende sa herë flasim me këtë kryeministër dhe zëvendësin e tij, e tëra për çfarë duan të flasin është Serbia”, tha ai.
Shtetet e Bashkuara duan të flasin për integrime më të mëdha të Kosovës, u shpreh Escobar.