Akademik prof.dr. Eshref
Ymeri,PHD
Shkrimtarja dhe përkthyesja
e shquar Mira Meksi, me krijimtarinë e vet artistike ka bërë për vete një masë
mjaft të madhe lexuesish. Në panairin e librit që organizohet në Tiranë çdo vit
në muajin nëntor, gjithmonë bie në sy rituali i mikritjes së lexuesve nga ana e
kësaj shkrimtareje, të cilët, të vendosur në radhë të gjatë, presin të afrohen
pranë banakut për të marrë një autograf prej saj për romanin e ri që ka hedhur
në qarkullim Shtëpia botuese “Onufri”.
Në
panairin e vitit të kaluar (nëntor 2022), Mira Meksi i gëzoi adhuruesit e
krijimtarisë së saj me romanin me titull “Puthja e Amazonës”, një titull
ky fort joshës për të ndezur fantazinë e lexuesve.
Përgjithësisht,
proza e Mira Meksit është shullëri ku lind, ngrohet, rritet dhe hedh shtat
afshi i dashurisë, ku shpalosen skenat e flatrimit shpirtëror dhe të rrëzimit
të heronjve të saj në humnerat e dëshpërimit prej tradhtisë ogurzezë.
Mjafton t’i kthehemi përmbajtjes së
veprave të tilla të kësaj shkrimtareje, si “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë”,
“Hakmarrja e Kazanovës”, “Kutia e Agatha Christie-s”, romani në fjalë dhe romani
më i fundit, që ajo prezantoi në panairin е librit të këtij viti “Parisi
vret”, për të parë se si shpërthejnë tallazet dashurore të heronjve të
tyre. Subjektin qendror të këtyre veprave e përbën konflikti
dashuror, kurse tema e dashurisë pothuajse përherë shpaloset si një skenë vuajtjesh.
Le të
sjellim në kujtesë gjendjen shpirtërore të heronjve të veprave të lartpërmëndura,
të cilët vuajnë nga dashuria: vetëdija e tyre është zënë ngushtë, vëmendja është
përqendruar te një njeri i vetëm, mendimet vërtiten rreth të njëjtave situata,
duke nxitur kohë pas kohe shpërthime emocionesh të plagosura.
Gjendjen emocionale të Teutës, heroinës së
këtij romani, në marrëdhëniet e saj me të dashurin e zemrës, Skerdin (me të
cilin pati përfunduar studimet universitare në Paris, ajo për letërsi kurse ai
për pikturë), mund ta krahasosh me një flutur që vërtitet rreth flakës dhe që përfundon
e djegur në të, e më pas vendin e saj e zë një tjetër flutur po me të njëjtin
fat.
Në botën e heronjve të
Mira Meksit, dashuria gjithmonë përballet me vuajtjen. Kjo për arsye se vëmendja
e të dashuruarit është e përqendruar te objekti i dashurisë që stimulon
faktorin stresiv. Pra, për heronjtë e Mira Meksit, të dashurosh do të thotë të
vuash. Por edhe të mos dashurosh është e pamundur. Vuajtjet dashurore janë një
shpagim i pranueshëm për një fund të lumtur.
Rydiger
Dalke (1951), specialist gjerman në fushën e psikoterapisë, thekson se
mendimet, emocionet, përjetimet e të dashuruarve ndikojnë në gjendjen e tyre
shpirtërore. Sipas tij, ai që i ka të
pazhvilluara pikëmbështetjet e brendshme të qëndresës, që dallohet për paaftësinë
e vlerësimit të vetvetes, që është mësuar të gjuajë kënaqësi të atypëratyshme,
kalimtare, ka shumë mundësi që të bjerë pre e lëndimeve që i shkakton dashuria.
Psikoterapia, thekson ai, është një qasje për trajtimin e çështjeve të shëndetit mendor, për të cilat duhet
biseduar me një psikolog. Gjatë psikoterapisë, çdokush që është i interesuar, mëson për çështjet e
veta specifike dhe se si mendimet, tronditjet dhe sjelljet ndikojnë në gjendjen
e tij emocionale.
Kur shkrimtarja i përshkruan pranë e pranë
Teutën dhe Skerdin, këta janë të pushtuar aq shumë nga afshi i dashurisë, saqë
janë gati ta përpijnë njëri-tjetrin. Secili është nën pushtetin e ndjenjave të
fuqishme. Por, siç u theksua më lart, dashuria në penën e Mira Meksit është e
shoqëruar përherë me vuajtje. Pikërisht atëherë kur Teuta priste ta kishte
Skerdin pranë, për t’ia lehtësuar peshën e rëndë që ndiente në zemër për shkak
të kancerit të gjirit që do ta operonte në spital, ai e braktisi aq pabesisht.
Prandaj, shpërthen shkrimtarja,“në vend të ngrohtësisë së dashurisë dhe
vrundujve të shpirtit, ndjeu zemërthyerjen dhe një braktisje njerëzore absurde
më të rëndë se vdekja”.
Mendimtari i lashtë romak, Plauti, qetësinë
shpirtërore e vlerësonte si lehtësimin më të mirë gjatë një vuajtjeje
dashurore. Pikërisht gjatë vuajtjeve të tilla është shumë i rëndësishëm
drejtpeshimi shpirtëror, të cilin ai e vlerësonte si një tipar të rëndësishëm të
karakterit të njeriut.
Ndarja e dhimbshme e Teutës nga Skerdi
nuk ishte aq shkak për rëndimin e sëmundjes së saj, sesa ndjesi e tmerrshme e
përballjes me vetveten, vetëm për vetëm. Megjithatë, njeriu, për nga natyra e
vet, është i vetëmjaftueshëm, i vetëplotësuar. Por në qoftë se në shpirtin e tij, për shkak të një tradhtie
dashurore, krijohet një humnerë e frikshme, atëherë duhet menduar se ka mundësi
që ai jo gjithçka është në gjendje ta vlerësojë brenda vetvetes, se ndien boshllëqe në personalitetin e vet, të cilat
mundohet t'i shmangë përmes dikujt tjetër. Prandaj prishja e marrëdhënieve,
tradhtia në dashuri sigurisht që përbëjnë një shqetësim të madh, krijojnë një
situatë kritike, por duhet pasur parasysh se energjia që çlirohet me këtë rast,
në varësi të forcës së karakterit të njeriut, mund të sjellë si pasojë ose
vetëshkatërrimin ose vetëpërsosjen e personalitetit të tij.
Kur në faqet e romanit, lexuesi njihet me
qëndrimin aq të pabesë të Skerdit ndaj dashurisë së Teutës, i cili i shmanget
jo vetëm takimit me të, por edhe tingujve të zilkës së telefonit, ai, domosdo,
do të shtrojë pyetjen?
Si duhet vepruar që dashuria të çojë
drejt lumturisë së çiftit dhe të shmangen vuajtjet?
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, është
e domosdoshme të dihet se cilët janë ata gurë të nënujshëm që shkaktojnë dhembje,
të cilët njerëzit i hasin më shpesh në rrugën drejt ngritjes së strehës së
shëndetshme të dashurisë që është në gjendje të përballojë çdolloj stuhie?
Ngatërrimi i nocionit dashuri me
nocionin pasion dashuror përbën çorientimin më karakteristik, pre e të
cilit bien jo vetëm të rinjtë, por edhe të rriturit. Shpeshherë flitet për
mendime të çoroditura, për shqetësime nervore, për pagjumësi dhe mungesë
oreksi, për budallallëqe krejtësisht absurde që vihen re në prani të personit
që përjeton tronditje dashurore.
Në këtë koleksion përjetimesh të
çuditshme dhe “argëtuese”, mund të përfshihen ndjenja të një euforie të
papritur, të prirjes për t'u bërë me krahë, shpërthime të frymëzimit dhe
dëshira për të përmbysur male.
Të gjitha këto janë momente të bukura, të
cilat, me të vërtetë, do të thonë shumë në jetë, por megjithatë ato nuk janë
tregues të dashurisë. Ato, realisht, janë vetëm tregues të pasionit dashuror, i
cili bazohet në të tjera reaksione kimike në trurin e njeriut. Dhe një situatë
e tillë mund të mos përbënte asnjë shqetësim, por, fatkeqësisht, pasioni
dashuror nuk vazhdon gjatë. Kjo për
arsye se, së pari, organizmi nuk mund ta ndiejë veten normal në kushtet e një deficiti të
përhershëm gjumi dhe ushqimi dhe, së dyti, është e pamundur të ruhet për një
kohë të gjatë niveli i domosdoshëm i hormoneve.
Në kushte të tilla, pasioni dashuror vjen
e shuhet gradualisht dhe me kalimin e një kohe të caktuar, zhduket
përfundimisht.
Pikërisht jo dashuria, por pasioni
dashuror ishte ai që zbuloi pabesinë flagrante të Skerdit ndaj dashurisë së
pastër të Teutës, të cilën e braktisi atëherë kur ajo nuk e priste kurrë.
Sëmundja e Teutës shërbeu si “letër lakmusi” për dashurinë e rreme të Skerdit.
Me pabesinë e Skerdit në qëndrimin ndaj
dashurisë së çiltër të Teutës, Mira Meksi ka stigmatizuar të tillë meshkuj pa
karakter, për të cilët Fransua Tryfo (François
Roland Truffaut - 1932-1984),
regjisor, skenarist, producent, aktor francez, kritik filmash, thotë:
“Në dashuri femrat
janë profesioniste, kurse meshkujt janë amatorë”.
Gjatë përjetimit prej dikujt të pasionit
dashuror shfaqen nostalgjia, keqardhja, dhembja dhe akuza e vetvetes për të
gjitha mëkatet. Por a mund të mendohet që ai ka pasë kaluar nëpër shtigjet e një
ndjenje të pastër dashurie, si në rastin e Skerdit? Sigurisht që jo, sepse
ndjenjat e tij kanë çarë jo shtigjet e dashurisë, por shtigjet e pasionit
dashuror, i cili s’është gjë tjetër, veçse një vrundull ere në një fushë të
hapur, që ndërron drejtim aty për aty.
Pra, që marrëdhëniet e një çifti të çojnë
drejt lumturisë së tyre, duhet bërë dallimi prerazi mes dashurisë dhe pasionit
fluturak.
Teuta, si heroinë e romanit, mbart me
vete çelësin, me të cilin shkrimtarja Mira Meksi hap portën e mistereve të
amazonave. Gjatë një skene romantike, Skerdi, i përhumbur nga afshi dashuror,
kur po zbulonte magjinë e gjinjve të Teutës, vëren një tatuazh në zverk apo në prapaqafën e saj.
Kërshëria e nxiti për të mësuar nga Teuta “historikun e gdhendjes” së atij
tatuazhi. Para se të niste rrëfimin, Teuta i tregoi varësen që
e kishte vendosur mbi komodinë. Pikërisht ajo varëse lidhej me tatuazhin.
Gjatë viteve studentore, së bashku me një
shoqen e saj spanjolle, Teuta kishte shkuar në Spanjë, nga e cila ruante mbresa
të pashlyeshme për Toledon, një qytet i vogël ky që shtrihet në pjesën qendrore
të vendit, i njohur si kryeqytet i provincës Toledo dhe i bashkësisë autonome Kastila-La-Mança
(Castilla-La Mancha).
Në njërën nga ato ditë të qëndrimit në Toledo, Teuta, tek po ecte pa e
ditur as vetë se për ku, fare rastësisht u ndodh ballë për ballë me një të
panjohur, i cili. iu prezantua me emrin Jorgos Theotokopoulos, me prejardhje
greke, i cili mbante mbiemrin e piktorit, skulptorit dhe arkitektit po me
prejardhje greke El Greko (El Greco
1541-1614), njërit nga mjeshtërit më të mëdhenj të Rilindjes së vonë
spanjolle. Prej vitit 1567 deri në vitin 1577, ky personalitet i shquar i artit
dhe i arkitekturës punoi në Venecia dhe në Romë. Paskëtaj ai u shpërngul në
Toledo, ku punoi për 37 vjet, deri sa ndërroi jetë.
El Grekoja i ri i propozoi Teutës t’i bënte një tatuazh, ndërkohë që i mbetën
sytë të varësja që ajo mbante në qafë. Pasi e këqyri mirë e mirë me syrin e një
piktori të talentuar, Teutës iu shpreh i mahnitur për vlerat e jashtëzakonshme
të asaj varëseje, e cila duhej të ishte mbi dymijëvjeçare. Domosdo që Teuta
mbeti e shtangur aty për aty nga ato fjalë, sepse nuk dinte kurrgjë për lashtësinë
e asaj varëseje. Mandej piktori e këqyri
varësen me monokël dhe gati mbeti pa mend nga personazhet e gdhendura në të, për
të cilat Teuta nuk dinte asgjë. Dy personazhet e gdhendura ishin Pentesilea dhe
Akili, - e sqaroi piktori. Atëherë Teuta i ra në të: ajo varëse ishte e
trashëguar brez pas brezi që nga stërgjyshi deri te ëma e saj dhe fjala ishte për
mbretëreshën e amazonave dhe heroin e lashtësisë greke.
Po kush ishin ato amazona dhe cila ishte e kaluara e tyre plot mistere dhe
të panjohura?
Në historinë e kulturës
botërore, amazonat njihen si një bashkësi
e lashtë mitike, e përbërë nga gra-luftëtare. Ato hasen në mitologjinë e shumë
popujve, përfshi grekët, romakët, skandinavët dhe popuj të tjerë të periudhës së
lashtësisë.
Që në
fillim lind pyetja: si është krijuar fjala “amazonë”? Mendohet se kjo
fjalë e ka prejardhjen nga iranishtja “ha-mazan” që do të thotë “luftëtare”.
Në qoftë se në shprehjen e greqishtes “a mazos” pjesëzën “a” do
ta quajmë përforcuese, atëherë ajo, afërsisht, përkthehet “gjinjplotë”. Por
është i përhapur edhe një variant tjetër, sipas të cilit shprehja “a mazos”,
me pjesëzën mohuese “a”, do të thotë
“pa gjoks”. Ka pasur mendime se amazonat e prisnin me thikë
gjirin e djathtë, në mënyrë që ta përdornin më me lehtësi harkun për lëshimin e
shigjetave. Në pikturat antike amazonat paraqiteshin gjithmonë me dy gjinj, herë-herë
njëri gji ishte i mbuluar nga veshja.
Ekzistojnë edhe variante të tjera të
prejardhjes së fjalës “amazonë”. Në gjuhët e Kaukazit Verior është
ruajtur fjala “maza”, që do të thotë “hënë”, çka mund të shërbejë
si jehonë e asaj kohe të lashtë, kur banorët e atij rajoni e himnizonin Hënën
si perëndi të gjuetisë, e cila në Greqinë e lashtë quhej Artemida.
Në nderim të këtyre luftëtareve të
mitologjisë kështu është quajtur njëri nga lumenjtë më të mëdhenj të botës në
Amerikën Latine - Amazona, Dhe kjo nuk është e rastësishme. Lumin Amazona e
pati zbuluar konkuistadori (conquistador - në spanjisht
dhe në portugalisht do të thotë pushtues në shek. XV-XVI të territoreve
të Botës së Re në epokën e kolonizimit të Amerikës) spanjoll Françesko de
Oreliani (Francisco de Orellana - 1505-1546), i cili, i pari nga evropianët, e
pati përshkuar në krejt gjatësinë e tij. Në verën e vitit 1542, grupi shoqërues
i tij, si kalimtarë të parë, gjoja pati vënë re amazonat legjendare, me të cilat
hyri në luftim. Sot mendohet se ato kanë qenë ose femra indiane të Amerikës së
jugut, që luftonin përkrah meshkujve, ose thjesht indianë me flokë të gjatë, të
cilët spanjollëve iu dukën si femra. Françesko de Oreliani, fillimisht,
deshi ta quante lumin me emrin e vet, por pas asaj përplasjeje, ai vendosi që
lumin ta quante Amazona.
Në njërin
nga lundrimet e veta, Kristofor Kolombin (1451-1506) e patën njoftuar disa
indianë për disa ishuj, në të cilët banonin vetëm gra. Ai pati dëshirë të kapte
disa prej tyre, për t’ia çuar mbretëreshës spanjolle, por s’doli gjë: kur
marinarët e Kolombit u munduan të zbrisnin në breg, ata i priti një turmë grash
të tërbuara, të zbukuruara me pupla dhe të armatosura me harqe. Marinarët u tërhoqën
dhe Kolombi vendosi që ata ishuj t’i quajë ishujt Virxhinia, domethënë “ishujt
e virgjëreshave”.
Mbi
bazën e miteve dhe legjendave, këto gra-luftëtare qenë kthyer në simbol të
pavarësisë, të forcës dhe të trimërisë. Ato kanë pasë tërhequr vëmendjen e
breznive me aftësitë e veta fizike dhe luftarake, si edhe kanë pasë
personifikuar lirinë dhe barazinë. Shquheshin për përdorimin e harkut, të heshtës
dhe të parzmores. Amazonat vazhdojnë të mbeten figura të tilla, të cilat
ngallin interesimin e njerëzve dhe nxisin fantazinë e tyre. Kësisoj ato vlerësohen
si një nga elementet e rëndësishme të kulturës dhe të historisë botërore.
Sipas
mitologjisë greke, amazonat banonin nëpër pyje të virgjëra, në brigjet e lumit
Termodont. Grekët e lashtë besonin se amazonat ishin pasardhëse të Aresit, perëndisë
së luftës dhe të nimfës Harmonia. Mënyra e tyre e jetesës ishte e pazakontë:
ato nuk vareshin nga meshkujt dhe jetonin në bashkësi femërore. Sipas një
legjende, amazonat patën marrë pjesë në një betejë kundër heronjve të Akilit
dhe te Herakliut. Tezeu, heroi i Athinës, pati rënë në dashuri me amazonën me
emrin Hipolita.
Romakët
i përshkruanin amazonat si luftëtare të egra dhe të panënshtrueshme, të cilat
luftonin me trupin lakuriq. Disa historianë janë të mendimit se amazonat
ishin një bashkësi që jetonte në brigjet
veriore të Detit të Zi dhe ndërmerrnin operacione luftarake kundër legjioneve
romake.
Në veprën me titull “Historia”, Herodoti (484-425 p.e.r.) thotë se
kryeqyteti i amazonave ishte Themiskira, që ndodhej në jug të Detit të Zi
(Turqia e sotme). Sipas një të dhëne tjetër, amazonat patën ardhur në Greqi nga
Deti Azov. Prej andej ato patën nisur marshime ushtarake në gjithë hapësirat e
Azisë së Vogël, duke arritur deri në Siri dhe Egjipt. Sipas legjendave, ato patën
themeluar qytetet Efes, Smirna (Izmir), Sinop dhe Pathos. Diodor Siciliani
(90-30 p.e.r.) ishte i mendimit se amazonat patën jetuar në brigjet e lumit
Tanais (Doni i sotëm).
Sipas të gjitha legjendave, në
bashkësinë e amazonave nuk kishte vend për meshkujt. Gjeografi i famshëm,
Straboni (64 p.e.r.-24 e.r.), shkruante se amazonat, një herë në vit, ndërmerrnin
sulme kundër pararendësve të kaukazianëve çeçenë me një qëllim tepër specifik;
të hynin në kontakte seksuale me ta për të mbetur shtatzana. Djemtë e lindur
nga ky kontakt, në rastin më të mirë, ua kthenin etërve, në rastin më të keq -
i vrisnin, kurse vajzat i mësonin të punonin në fushë, të merrëshin me gjueti
dhe të luftonin.
Sipas një legjende, amazonat
patën marrë pjesë në luftën e Trojës, në anën e trojanëve. Aty rrëfehet se si
njëherë, gjatë gjuetisë, Ipolita, udhëheqësja e amazonave, qe vrarë rastësisht
nga e motra, Penfesilea. E torturuar nga pendesa, udhëheqësja e re, pra,
Penfesilea, vendosi të ndahej nga jeta ashtu siç i takonte një amazone të vërtetë,
domethënë në luftim e sipër. Sulmi që ndërmori ajo kundër grekëve, në fillim qe
i suksesshëm, por në luftim u fut Akili, i cili e rrëzoi Penfesilean nga kali
dhe e shpoi me heshtë.
Temës së amazonave i kanë kushtuar veprat
e veta shumë autorë të lashtësisë, si Hipokrati (470-356 p.e.r.), Lysiasi
(459-380 p.e.r.), Palefati (shek. 3 p.e.r.), Straboni (68 p.e.r.-20 e.r.),
Diodor Siciliani (90-30 p.e.r.), Pompei Trog (shek. I p.e.r.), Plutarku (50-125
e.r.) dhe të tjerë.
Rrëfenjat për amazonat
kanë zënë vend si në letërsi, ashtu edhe në artet figurative. Vepra më e shquar
që u kushtohet amazonave është eposi “Iliada” e Homerit. Në këtë vepër rrëfehet
për betejën e grekëve me amazonat, të cilat i patën ardhur në ndihmë Trojës.
Amazonat
patën frymëzuar shumë shkrimtarë dhe piktorë edhe të periudhave shumë të vona
Ndër ta mund të përmendim Herbert Xhorxh Uellsin (Herbert George Wells - 1866-1946), shkrimtar dhe publicist anglez.
Tepër prekëse janë skenat që Mira
Meksi përshkruan për tronditjen e thellë që po përjetonte kryeheroina e
amazonave, Glaukia, tek po ndiqte me ankth skenën e dyluftimit të nënës së saj,
Pentesileas, me Akilin. Pas vrasjes së Pentesileas, mbretëreshës së amazonave,
Glaukia zuri këmbën e saj.
Ashtu si amazonat e
Strabonit, edhe amazonat e Mira Meksit vazhdonin traditën e bujtëseve të
dashurisë te bashkësia mashkullore që ndodhej në Kolkidë (në latinisht Colchis), një krahine historike kjo në bregun lindor të Detit të
Zi).
Amazonat e moshës së re kishin shumë dëshirë
të shkonin të shikonin kolkidasit. Por, sipas një rregulli kanonik, ato nuk
mund të shikonin meshkuj para se të ndesheshin me ta në një betejë të vërtetë.
Por mbretëresha e tyre, Glaukia, vendosi që të niseshin për në Kolkidë.
Pas një udhëtimi të gjatë, ato, të
fshehura prapa një brezi pemësh, arritën
t’i dallonin së largu kolkidasit, të cilët demonstronin forcën e muskujve dhe
mundeshin me njëri-tjetrin. Udhëtimin e amazonave të reja, me Glaukian në krye,
soditjen e skenave të dashurisë së kolkidasve me amazonat e tyre, shkrimtarja i
përshkruan me tërë forcën e magjisë së fjalës artistike, me një figuracion
mahnitës që të lë pa frymë me bukurin e stili të saj.
Si gjithmonë, Mira Meksi nuk ndahet dot
nga magjia e dashurisë së heronjve të veprave të veta. Glaukia, gjatë kohës që
bashkë me amazonat e reja po sodisnin kolkidasit së largu, mendjen ia pati tërbuar
njëri prej tyre, Amorgesi, biri i vetëm i prijësit të tyre.
Në vlugun e përpëlitjeve të zemrës së
saj për Amorgesin, Glaukia vendosi t’i hapej nimfës Cirena, sepse kishte humbur mendjen,
kishte humbur tërësisht pushtetin mbi vetveten për dashurinë që ushqente ndaj
tij. Nga Cirena Glaukia mëson se dashuria është zjarr pëvëlimtar, ndaj e këshillon
që ta djegë fitilin që po ia pëvëlon
zemrën për Amorgesin.
Në njërën nga skenat e
gjuetisë së amazonave, Glaukia takon Amorgesin. Pas atij takimi, shkrimtarja e
magjeps lexuesin me skenat e dashurisë së tyre, të cilat i ka skalitur aq
mjeshtërisht, saqë lexuesi mbetet pa mend.
Glaukian shkrimtarja e
vendos para një mëdyshjeje shpirtsfilitëse: të braktisë gjithçka dhe të
martohet me Amorgesin, apo, mendjembledhur, të respektojë me vendsmëri
“kushtetutën amazoniane”: të mos shkelë betimin e amazonave, duke mbetur mbretëreshë
e tyre.
Në kulmin e epsheve
dashurore, të cilat kishin arritur në një gjendje “inkandeshente”, “ia behu”
tragjedia: Glaukia i preu fytin Amorgesit me
një thikë dytehëshe, duke mbetur besnike e kanonit amazonian - ritualit
të heqjes së gjirit të djathtë në bregun tjetër të Thermodonit.
Kur e mbarova leximin e këtij
romani, më erdhi ndër mend Kenet Berku (Kenneth Burke - 1897-1993), shkrimtar, gazetar, filozof amerikan,
studiues i letërsisë, teoricien i komunikimit, i cili thotë:
“Ngjarjet jetësore na përgtitin për jetën në një botë reale, duke na njohur
me të tjerë njerëz, por, më kryesorja, për të na njohur me vetveten”.
Shkrimtarja Mira Meksi e edukon, e mëson lexesin se si ta stërvitë veten me
armën e mbijetesës dhe të optimizmit edhe në çastet e aksidenteve dashurore.
Ajo krijon metafora për natyrën e njeriut, për ata njerëz që në letërsi quhen
heronj. Ajo studion mjeshtërisht psikologjinë e personazheve të veta dhe nxjerr
në spikamë dëshirat, pikësynimet dhe pasionet e tyre, të mbrujtura me apo pa
vetëdije, të cilat i nxisin për të vepruar. Me shtegtimet e veta në botën e
personazheve, dëshirat e tyre përvëluese ajo i flak në prushin e konflikteve të
papritura. Skenat zëvendësojnë njëra-tjetrën, stili rrëfimtar i shkrimtares i përcjell
lexuesit veprimet dhe reagimet e personazheve ndaj njëri-tjetrit, të cilat ndërthuren,
pleksen në pika kthese kur dialogu mes tyre shoqërohet me shpërthime ndjenjash
të harbuara.
Dashuria në penën e Mira Meksit është një
e tillë ndjenjë e fuqishme që nuk kërkon asgjë në shkëmbim, që ekziston përkundër
gjithçkaje tjetër, që është në gjendje të krijojë mrekullira dhe të dhurojë
shpresë. Por duhet pasur parasysh edhe diçka tjetër që nënvizon Frojdi
(Sigmund Freud - 1856-1939):
“Ne
nuk jemi kurrë aq të dobët, sa kur dashurojmë, dhe kurrë aq të palumtur e pa
shpresë, sesa kur humbasim objektin e dashurisë”.
Në këtë
roman, Mira Meksi përmend një mori emrash të vendeve,
të maleve, të lumenjve, të perëndive apo të personazheve legjendarë, çka
lexuesit mund t’i interesojë etimologjia e tyre.
Hulumtuesi i njohur i
arkivave franceze, Aurenc Bebja, ka
zbuluar veprën me titull “Une race oubliée; les Pélasges et leurs descendants (Një racë e harruar;
Pellazgët dhe pasardhësit e tyre”) të autorit francez
Edouard Schneider (1880-1960), në të cilën theksohet se emrat e zotave, e perëndive,
e heronjve shpjegohen vetëm me gjuhën
shqipe. Këtë informacion shkencor ai e ka botuar në internet, me titullin “Kur Edouard Schneider i
dedikonte vajzës së tij librin “Pellazgët”: Mos harro kurrë gjakun tënd shqiptar”. Faqja e internetit e gazetës “Dita”. 14 janar 2018. Po këtë informacion e ka
botuar edhe Sefedin Krasniqi (“Emra
perëndish greke që shpjegohen vetëm në
shqip, ja pse”. Faqja e internetit “Albspirit”. 16 maj 2016).
Të njëjtin informacion ka dhënë
edhe një tjetër autor francez - Luis
Benloew (1818-1900), dekan i
fakultetit te letrave ne Paris. Në vitin 1877 ai pati botuar veprën me
titull “La Grèce avant les Grecs” (Greqia përpara
ardhjes së grekëve), ku shkruan:
“Shumë emra të vendeve, të maleve, të
lumenjve, të personazheve legjendarë nuk mund të shpjegohen me etimologjinë
greke. Vetëm një gjuhë ka qenë në gjendje të hedhë dritë mbi emrat e këtyre vendeve,
e kjo gjuhë është shqipja”.
Nuk
mund të lihen pa përmendur vlerat e jashtëzakonshme të pasurisë leksikore të këtij
romani. Përgjithësisht, proza artistike e Mira Meksit është një thesar i vërtetë, është një “minierë ari” për
pasurimin e leksikut të gjuhës shqipe. Me këtë rast, dëshiroj të nëvizoj si më
poshtë:
Së përi, shkrimtarja ka
krijuar mjaft fjalë të reja, ndër të cilat mund të përmendim: arturinë, çukërmoj,
djegurishtë, ëmbëlan, hënëzim, festare, hollërinë, i dielltë, i gurëzuar,
leximtar, lëbardhë, ndërmendazi, përcikje, prushëtoj, riak (riake), rozak,
vajzuke.
Së
dyti, duke “i çiftuar” fjalët, ajo krijon kompozita fort të qëlluara:
dritëvakët, dhomëgjumë, fatgremisur, fatpërgjues, fundbark, gurërëndë,
guximdhënës, mespërmeskafka, pasdashuri, pasfurtunë, perëndimdiell, pllakëvarr,
qepenmbyllur, tymtrashë, zemërthyerje, vrasjendërgjegje.
Së
treti, mjeshtërinë e shkrimësisë e ka pasuruar me mjaft metafora dhe
figuracione artistike: dritat ulëritëse
të reklamave përloteshin të verbuara, dergjej në një lëmsh kohe, e kishte varur
shpirtin në buzën e tij, greminat e kohës, mendja iu robëruar, kishin rrjedhur
shumë ujëra kohe, i mend zjarrin, nuk i ka frerët e vetes në dorë, zgjedha e
dashurisë, i zi si vdekja, rrëke që thernin tokën, hëna kishte hedhur grushte
me dritë melankolike, një shigjetë zjarri theri qiellin, për të mos u rrëzuar
greminave të frikës, si lulja e potisur nga vlaga e dashurisë, muzgu po vinte
hapvogël, bisha e dashurisë, lëngata e dashurisë, greminat e kënaqësisë,
mademet e çmuara të trupit, rrjeta ogurzezë e dashurisë, i potisur me ujë
petalesh trëndafili, ra përnjëherë në krahët e Morfeut, u krodh dëndësive të
gjumit si në një det paqeje, ngjante si një perëndi e dashurisë, e ndjeu veten
robinë të ndjenjës, dielli ngjitej me përtesë të madhe kupës qiellore, pushimet
çlodhëse të pasdashurisë, ankthet e liga i kafshuan zemrën, shtiza e zjarrtë e
vrasjendërgjegjes, kur dashuria nuk vdes, vret; porta e buzëve të burbuqta.
Së
katërti, përveç sinonimeve leksikore, autorja ka përdorur edhe një tjetër lloj sinonimi -
sinonimin metaforik. Kështu, gjatë përshkrimit të skenave dashurore përvëluese
të Teutës me Skerdin, në vend të fjalës gjinj ajo përdor sinonimin mjaft
të goditur “porta e dashurisë”.
Krijimtaria artistike e
Mira Meksit zë një vend të nderuar në kulturën tonë mbarëkombëtare. Veprat e
saj janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Edhe në Panairin e këtij viti ajo u
nderua si shkrimtarja më e mirë për romanin me titull “Parisi vret”.
Kaliforni, 17 dhjetor 2023