Gjykata e Lartë vendosi të rikthejë për rigjykim në Gjykatën e Apelit çështjen se kujt i përket vula e PD Bashës apo Berishës.
Gjykata e Lartë prishi vendimin e apelit duke gjetur parregullsi në procesin e shqyrtimit të çështjes.
“Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë njofton, se në datën 27.12.2023, mori në shqyrtim në dhomë këshillimi çështjen me nr. 90600-00296-00-2023 akti, me palë kërkues: Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit, me objekt: “Depozitim ndryshimesh statutore dhe vendimmarrje të Kuvendit Kombëtar.”
Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, Kolegji Civil arriti në përfundimin se Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 44, datë 03.03.2023 ka lejuar shkelje procedurale që e bëjnë të cenueshëm vendimin e dhënë prej saj.
Kolegji konstaton se, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë nuk i ka dhënë përgjigje kërkesave të palëve në ankimet respektive, ndërkohë që kryesisht ka marrë në shqyrtim çështje për të cilat palët nuk i kanë ngritur si pretendime në ankim, dhe që gjithsesi nuk përbëjnë shkak për prishjen e vendimit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim.
Kolegji vlerëson se pretendimet e ngritura në ankimet e paraqitura pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë janë çështje të cilat mund të zgjidheshin vetë nga ajo gjykatë.
Në këto kushte, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 480 dhe nenin 485, pika 1, shkronja “c” të Kodit të Procedurës Civile, vendosi:
“Prishjen e vendimit nr. 44, datë 03.03.2023 të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykate, me një trupë tjetër gjykuese”- njofton Gjykata e Lartë.
Në një fotogaleri, këto janë pamjet nga protesta e sotme e opozitës, e kryesuar nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Protesta nisi me bllokimin e rrugës “Myslym Shyri”, duke krijuar trafik të rënduar në kryeqytet. Më pas, protestës në Gjykatën e Lartë iu bashkua edhe ish-kryeministri, i cili mbajti fjalim para mbështetësve të tij.
Siç duket edhe nga fotot, protestuesit mbanin pankarta në duar si: “Ju mund të blini Vulën por kurrë opozitën”, apo tymuese dhe flamurin e PD.
Pas përfundimit të protestës para Gjykatës së Lartë, Berisha së bashku me protestuesit i është drejtuar selisë blu, nga ku mbajti një tjetër fjalim.
No comments:
Post a Comment