Agjencioni floripress.blogspot.com

2010/12/17

MARK PREÇI :NJE MISTER DHE NJE VEND I MUNGUAR NE TEMPULLIN E LETRAVE SHQIPE

Dhe ky i përket shkrimtarit, poetit, përkthyesit ende të panjohur priftit Jak Zekaj.

imageJak Zekaj

         Njeriu që lindi e u rrit jetim, punoi gjithë jetën i rrethuar nga privacionet e shumta, e së fundmi vdiq si në hije, quhet Jak Zekaj. Jak Zekaj nuk bën pjesë në turmat shumta të njerëzve që janë udhetare te zakonshem në këtë botë. Ai bën pjesë në atë grup njerëzish rishtare  për të qenë “dikushi”, për të qenë shembëlltyra e së mirës, e prosperitetit. Në gjallje gjithkush e ka njohur dom Jakun. Tashmë që ai prehet në parajsë opinioni ka filluar ta njohë si shkrimtarin, përkthyesin, poetin, piktorin Jak Zekaj. ..

    Kush ishte Jak Zekaj!

      Jak Zekaj lindi në fshatin Baqël të Zadrimës më 13 korrik 1906. ishte i dhjeti fëmijë i çiftit Prend e Dilë Nikolli dhe i vetmi që jetoi. Në moshën 20 muajshe i vdes e ëma, duke ju privuar përgjithmonë dora e saj. Mëson shkrim e këndim tek Ipeshkëvi në Nenshat. Në moshën 11 vjeçare, pikërisht në vitin 1917 futet në Seminarin Papnuer në Shkodër. Të 5 klasat e para, falë inteligjencës së lartë, dhuratë prej natyrës, i përfundon në 3 vjet. Më pas vazhdon gjimnazin, liceun dhe teologjinë. Në gusht të vitit 1932 dha meshën e parë në Nenshat, në zemër të dioqezit të Sapës. Në shugurimin e tij si meshtar, i dërguar i Selisë së Shejtë ishte Gjon della Pietra, personalitet i dëgjuar i kohës. Vitet e shkollës dëshmuan, zgjuarsinë, talentin dhe vullnetin e Jak Zekajt për të mësuar e për t’u bërë njeri i zoti. Libri nuk mungoi asnjëherë këtij njeriu, ndoshta buka po. Për këtë arsye ndonëse ishte nxënës, shpeshherë ishte dhe “shok” i profesorëve  gjermanë, austriakë apo italianë që e mësonin. Por afër e mbante edhe mësuesi shqiptar Gjergj Fishta. Jo thjeshtë se ata, që të dy vinin nga Zadrima, por sepse i bashkonte horizonti dhe vështrimi me të cilin rroknin hapësirat e jetës.
      Jak Zekaj zotëronte në mënyrë perfekte italishten, latinishten, greqishte e vjetër, gjermanishten, frëngjishten, por njihte edhe serbokroatishten, ebraishten, spanjishten, pak njihte edhe rusishten e anglishten.
      Ja çfarë shkruan dom Jaku: “Jam tepër i dhanun mbas literaturës, sidomos poetike, e gadi si i marrë entusiazmohem në leximin e klasikëve greko-romakë, edhe të poetëve të tjerë botnorë. Mundohem me krijue vjersha jo vetëm në shqip, por edhe në    gjuhë të tjera. Zotnoj fare mirë literaturën greke, latine e italiane, por kam njoftuni bukur të hapët edhe për leteraturë të kombeve të tjerë sidomos europianë, aq sa profesorët dhe shokët më thërrasin letrari enciklopedik, nodshta për tallje. (Nga dorëshkrimi, “Ditari i një të harruemit”).
      Në periudhën gusht-dhjetor 1932 punon në ambasadën e Vatikanit. Ne vitin 1932 perkthen nga autori gjerman Bernard Arens Djali i Myftise  ( me nr.inventari 000202813,127 faqe BK).
Po në këtë vit emërohet meshtar në Kryezi të Pukës, e pas 6 vjetësh në Qelëz deri në vitin 1946. Plot 14 vjet Zekaj i kalon në malet e Pukës, kohë gjatë së cilës ai shpërndan fjalën e Zotit, lajmëron të vërtetat hyjnore, por edhe shkruan libra. Pikërisht gjatë kësaj kohe, ka dalë nga mendja, zemra dhe dora e Jak Zekaj, ndoshta dhe kryevepra e tij “Java e gjakut” me 1864 faqe dorëshkrim, me rreth 42000 vargje.  Kjo vepër e themi me bindje se përbën dhe “Lahutën...” e Jak Zekajt.
      Jeta e malësorëve në malet e Pukës, madje shumë primitive, por fisnike, peisazhet hollivudiane të maleve të kësaj zone, me siguri kanë frymëzuar priftin shkrimtar për të krijuar vlera e përgjithësime të dobishme për njerëzimin. Krahas kësaj klima e vështirë i dhuroi fizikut të dom Jakut trupin e drejtë e të shëndetshëm dhe që nga ajo kohë ai çdo mëngjes lante kokën me ujë të ftohtë.
      Si për të gjithë klerikët edhe për Zekajn rregjimi komunist i rezervoi heqje të lirisë. Në muajt fundit të vitit 1946 ,pikerisht me 26 tetor, rregjimi komunist duke provokuar me te ashtuquajturen Organizim te armatosur te klerit kataolik ,me  futjen nga ana e sigurimsave të armëve, në Kishën katedrale “Shen Shtjefni” te Shkodres, si dhe    për organizim të kryengritjes së armatosur të Postribës më 9 shtator 1946,  zhvilloi nje vale arrestimesh vetem te klerikeve katolik ku u arrestuan: Imzot Frano Gjini, Imzot Gjergj Volaj, Imzot Nikoll Deda, At Mati Prennushi, At Çiprian Nika, At Donat Kurti, At Frano Kiri, At Pal Doda, Don Tomë Laca,
At Karlo Serreqi, At Çiril Cani, At Filip Mazrreku, Don Pjetër Gruda, Don Mark Xhani, At Augustin Ashiku, At Bernardin Palaj, Don Ndoc Nikaj, Don Ndue Suma, Don Nikoll Mazrreku, Don Jak Zekaj, Don Ded Plani, Don Pal Gjini, Don Ejëll Deda, Don Luigj Prendushi, At Serafin Koda, Don Nikoll Shelqeti, At Gjon Karma S.J. At Mark Harapi S.J. At Florian Berisha S.J. Fratel Gjon Pantalia S.J. Don Anton Muzaj, Don Mark Hasi, Don Nikoll Laskaj, Don Pashko Muzhani, At Gaspër Suma, At Aleks Baqli, Fra Ndue Vila, Fra Zef Pëllumbi, At Mëhill Miraj, At Rrok Gurashi, Don Ndoc Sahatçija etj.
    Sipas autorit te nderuar Fritz Radovani,  në Shkodër numëroheshin 10 burgje, ndërsa sipas funizuesit të bukës duhet të ishin 17. Ishin kthyer në burgje Kuvendi i Franceskanëve, ndërtesa e Jezuitëve, shtëpitë e tregtarëve, i Prelës, i Pogut, i Ulqinakut përvec burgjeve të njohur si Burgu i Madh, Burgu i Gestapos, Burgu i Prefekturës etj
”Ishim shumë të dënuar me vdekje në një dhomë, dëshmon Rakip Meta. Ja lista:
1. Hafiz Dërguti (pushkatuar),2. Ëngjëll Deda,3. Rrok Mirashi
4. Mikel Koliqi,5. Mark Hasi,6. Ndue Suma,7. Mark Harapi
8. Karlo Serreqi,9. Agostin Ashiku,10. Marjan Prela,11. Aleks Baqli,12. Zef Pllumi,13. Filip Mazreku,14. Frano Kiri,15. Anton Luli,16. Gaspër Suma,17. Injac Gjoka,18. Jak Zekaj,19. Lekë Dredhaj,20. Ciril Cani,21. Mëhill Cani,22. Bonat Gjecaj,23. Toëm Laca,24. Nikollë Shelqeti,25. Gjon Karma,26. Mëhill Karaj,
27. Donad Kurti,28. Leon Kabashi,29. Pjetër Gruda,30. Pal Dedaj
          Qellimi ishte i qarte;asgjesimi i mendjeve me te ndritura qe mund te ndriconin arsyen e njerzeve te thjeshte se ku po i conte “fara komuniste” dhe ku realisht i coi per pesedhjete vjet ne diktaturen me te eger ne Europen e pasluftes.
       
Pasi arrestohet, burgoset dhe dënohet me dy vjet burg.
Akuza: agjitacion dhe propagandë. Pikëpamjet dhe qëndrimet e hapura publike të Jak Zekës nuk shkonin në të njëjtin krah me ato të udhëheqësve komunistë. Vetëm burgu shikohej si mundësi për t’i mbyllur gojën atij dhe mijëra të tjerëve që ja vinin veshin fjalës së urtë të Zekës. Edhe jeta e burgut në Kavajë dhe në Shkodër i ofroi subjekte për poezi e tregime, e mundësi për të përkthyer  kolosë të letërsisë botërore.
      Me daljen nga burgu, ai kthehet si meshtar,   në Zadrimën e tij të dashur që e kishte lindur. Shërbeu në Nenshat , Hajmel, Baqel, Kodhel, Shelqet, Naraç, Pistull etj., deri më 19 mars 1967, ditë në të cilën largohet nga famullia e Hajmelit pas mbylljes inkuizioiniste nga “populli” të objekteve fetare.
      Ikjen e kujtonte me mjaft dhimbje. Mbi të gjitha për librat e shumtë që u keqpërdorën dhe humbën gjatë transportit, edhe për të tjerë që u morën nga oganet e sigurimit dhe nuk u kthyen më. Në “karvanin” që e shoqëronin këtë ikje, bënin pjesë dy qerre vetëm me libra. Një arkë nusesh zadrimore u “varros” për t’u zhvarrosur pas pak muajsh për shkak të rrezikut të persekutimit komunist. Të gjitha këto vetëm me libra, fjalorë, fletore të shkruara, piktura, përkthime, etj.
      “Unë gjamtar i lanun vetëm, fillova gjamën përmbi therrorët e këputuna prej duerve të tiranëve...e kjo gjamë e përzieme me lotët e mi, kullue mbi kufomë të grumbullueme e mbi gjak të ngrimë, asht operacioni për të cilin ka nevojë shoqnija njerëzore... tue ndie vajin e fëmive që të unshëm lypin bukën e s’ka kush jua nep, e, tue pa lotët e tue ndi ofshamat e nanave të shkreta e dënesat e gocave të shtyeme në poshtërim prej nevojave të jetës... qita britmën e zani em i namët kje lutë, drejtue Hyjnisë, që ta sillte shikimin mbi këto zaje... e të lëshonte rrfenat e veta mbi dhunuesit e të drejtave njëzore...”
      Ky pasazh është mjaftueshëm për të kuptuar qëndrimin e shkrimtarit-prift.
      Nga viti 1967 deri më 5 dhjetor 1996 kur vdiq, Jak Zekaj, jetoi i “atashuar” pranë nipave, gjatë kësaj kohe vazhdoi të kryente ritet fetare dhe të shkruajë e përkthejë. Për 28 vjet me radhë Jak Zekaj nuk e kaloi kurrë portën e oborrit. I zhytur në vetmi, ai lutej dhe shkruante, madje ai ka shkruar e kënduar për “E lumja vetmi”.
      Midis autorëve të përkthyer mund të përmendim: Eskili, Sofokli, Euripidi, Theokriti, Vitorio Alfieri, Ugo Faskola, Hajne, Shekspir, Herodoti, Rousessau, Plutarku, Virgili, Ciceroni, Tomas Hobs, Charl Monteskje, Xhulio Ubertozzi, Volteri, Seneco, Dante Aligieri, etj., etj. Ja ky është Jak Zekaj, autori i mbi 90 mijë vargjve që pret ende të futet në botën e lexuesit, aq të etur për vlera të mirëfillta, larg tregtisë e boshllëkut, të vlerave letrare.
      Në atë ditë të ftohtë, të vranët, të 5 dhjetor it ’96 kur po përcillej për në parajsë, trupi i pajetë i dom Jak Zekës, pak kush e dinte që po shoqëronte shkrimtarin, përkthyesin, njeriun e letrave shqipe. Ai tashmë duhet “zbardhur” falë dorëshkrimeve të shumta që ka lënë si trashëgimi, e që ruhen me kujdes nga nipi i tij Pal Zeka. Ndoshta pas librit poetik të Jak Zekës “Vandaku i ferrave” që tashmë ndodhet në duart e lexuesve, edhe libra të tjerë, me zemërgjerësinë e sponsorëve do të shohin dritën e botimit.
      Ndihesh keq kur ke përpara gjithato vlera dhe për shkak të pamundësisë financiare mbeten ende në sirtare.

Libra në dorëshkrim të Jak Zekës

1.                   Java e gjakut – tragjedi (në tri pjesë), 1864 faqe me 42000    vargje
2.                   Ngushëllimet e vetmisë – vepër me 1064 faqe me përkthime, tregime të shkurtëra, poezi.
3.                   Ndër mrize ilire, poezi 212 faqe me 4000 vargje.
4.                   Andrrat e rinisë, poezi 430 faqe me 6450 vargje.
5.                   Varret e zemrës, poezi 502 faqe me 7500 vargje.
6.                   Gjamë disprimi, poezi 718 faqe me 10800 vargje.
7.                   Kapuçat, parodi 120 faqe me 2000 vargje.
8.                   Zogu i Parë – mbret i shqiptarëve, parodi 872 faqe me 17000 vargje.
9.                   Ditar i çuditshëm, roman psikologjik me 430 faqe.
10.                Ish kapteri Vokrri, roman 352 faqe.



     Por vetëm për njohje po botojme një esse filozofike me titull  “Tash”.
      
Mark Preçi

“Tash”

      Sot mue më dridhet zemra në krahnuer, nën kërcënimin e dekës, pse m’a ngulë në true, se gjindem përpara nji grumbulli gjyqtarësh mizorë i rrethuem prej munduesve të panumërt, të cilët të gatshëm presin shenjën e këtyne me i sjellë me duar të palodhuna, thuprat me tanë kthuça, mbi pulpat e trupit tim, para se me më nisë në vendin e të fshimëve të qytetit. I mnderuem ngulshoj e gadi më merrte fryma e as unk jam i zoti të çfajësohem, vetëm i rrotulloj sytë për rreth tue kërkue ndihmë e mbroje por megjithëse këto i kam hapë, nuk dalloj kund gja, pse friga i ka këputë njohuritë e shqisave tëmija e ma ka çapërdinë lamshin e truve.
      Gjyqtarët para të cillve unë qëndroj i mnderuem prej të cillve pre çdo vendimësi për dekë, e zbatuesat e këtij vendimi të cillët gjenden përherë gati të kënaqun me i krye urdhnat e tyne kundra mehet, janë për mue pjestarët e shoqënisë njerzore.
      E çka asht pra kjo shoqni njezore që unë krenar e ndoshta eçentrik ngel arbitër i saj e pickoj e tue sjellë grushta mbas grushtash, përgatitë ndër farka shqitpare, e baskaroj kesh me i ba autopsinë per me i njoftë sëmundjet e saje
      Unë këtë shoqni të njerzve të arsyeshëm, e mbaj kore shtazore, e kjo prej anës së vet e përplasë mbi mue mallkimin tye më dhanë dënimin e padiktuem.
      Kujtova se kam këndue, por vjershat e radhituna prej meje janë gjamë e disprimit, vikamë e padame namesh, ulërimë mallkimi e jehonë e pakëputme kushtrimit, mbas të cillit nuk ka me ra kush. Kot brita, kot thirra, kot qita kushtrimin e ma kot kjava, pse dy kombsat e arsyeshëm, veçmas o grumbullue në shoqni të ndryshme, kan me i përgjigjë zanit timme tallje e qeshje sarkastike un’, i asgjësuem prej vendimit të gjyqtarëve të tyne kam me pushue i dispruem në vetmi e në harresë.
      Kritikët e pa kriter janë zgjatë, para syve të hapun mbi mikroskope, përmbi këto vjersha, e shterngue në duar pincat e prehuna farka Ballkano - Anadollake, kanë me hulutmue nder to bakteret e celulat e infektueme, e tue rrahë me shplakë të mëdhaja koshtë e veta tulake, kan me lëshue me një za të shqyem thirrjen: Ruajuni prej këtyne shprehjeve imorale e antishoqnore, pse kte mund të mutrojsin zemrat e pastra të popullit të tij! E të kënaqun për këtë vendim kan me pritë me buzëqeshje e levdata të hjedhuna prej xasave të  diplomuem nëpër rrugina të drejtorinave të arsimit.
      Opologjisti fetar, automoralisti i frymëzuem prej kensit, të cilin e ka sendergjue aj vetë në kundërshtim me të vërtetat ungjillore, tue ngërthye vetullat e trasha, e gjen helmin e pakenun në prëshkrimet e jetës së njëmendët, e i mësuem si asht me numru pika e presa nder shkrime të shenjta, i zgjatë gishtat me thoj të papreme e vizatë me to fjalë e thanje, tui shqiptu ngultas me autoritet që nuk ka gjashtërrokëshin gjygjsuer, e i kënaqun për ket vendim ka me çue sytë e përlotun kah qiella tue mendue, se kjo prej sërralli do të shesë bekimi të paqtueme. Femna e mbajtme me mendemadhësi kryeneçe, virgjin e infektueme me virusin e sfilizit ndër të rrokme të padame seksuale skutave, ka me shterngue ndër gishtat e zverdhtë stilografin e bukur e me ta ka me firmosë gjykimin për këto vjersha: Tepër pesimiste, shkaktojnë çrregullime në jetën e sotme shoqnore dhejanë kundra moralit popullor. E po atë stilograf “Made in Peking, China” ka me i dergue kaçurrelit Lysien një biljetë të perfumueme me kokainë per një rende - ous notet në skutën pranë Gripit në Parkun e Madh.
      Për rreth tryezave ovale të zbukurueme me mbuloje plasmasi për mes saksijave të vogla laracike lulesh të zbeta serrash ballkanike shtri profesorat e pa të njëmendtë kulltukë të butë nder anda shumëcopash t’Universiteteve e t’Instituteve  të larta, kna me i sjellë nëpër duer tanë lesh, këto shkrime e si Rabinët e Synedrit t’Israelit kna me lshue denimin mbi to tue përsëritë me shoshojnë vikamën “e kajfasit: Ouditis blasphemin! e: ç’nevojë kemi per dëshmitarë të tjerëe, e unë i harruem prej të gjithëve, miqve e shokëve, mbas sa mundit e djerset, do t’i shtrohem vendimit të tyne, pse rrogat e majme u hapën ktyne tager dhe të drejtën mbi gjithçka, e sherbimet e bame të mdhajve janë tituj akademika të mjaftueshëm me i vue mbi tjerët. Fjala e tyne është hyjnore, vendimi i tyne asht i padiktim, e këta ba zeusa bumbulluesa qëndrojnë fatlum tui da gjygje tui pre vendime nder shkulme të reve të prarueme prej rrezeve të Apollit mbi kreshta t’Olimpit shqiptar, e ofshe për të mjerët, po ba me ju mbush mendja me i flakrue rrfenat e veta ditunore mbi krenat e atyne, që nuk u bindën urdhnave e vendimeve politiko - shkencore.

***

      Nën hijen e skelave të nalta, mbulue prej pluhnave të çimentos e të tullave, punëtorët e zheluem, të pikalosun ndër flakë e vetulla me sterpika gelqere, ndigjojnë me vëmendje spjeguesat e vjershave të pandijme ndonjë herë... e u bajnë me ditë se detyra e tyre asht me bajtë gurë e llaç: per ne daçin me i ngulë dhambët në ndonjë koje buket për vete e fëmijët e tyne.

***

      Këta grumbuj të rrasun njerzish, intelektualë e malokë, janë gjygjtarët e veprave të mija,... të nxjerrun prej shkollave o të diplomuem prej profesorave pa diplomë, janë zbatuesat e vendimeve, që gjygjtarët kanë lëshue, e atëherë unë do t’i qëndroj i patronditun e guximtar me i dalë zot vedite

***

      Por kush jam unë, që tui shkelë mbi botëkuptimin e krejt shoqnisë së tashme e të kalueme shqiptare guxoj me dalëkirurg, e kapë shoqninë per krahut e shqyej per dhuni nën thika të mprehta në tyrsen kirurgjike me i ba operacion, pe me i hjekë mullajt e qelbit e që nuk e lanë me marrë frymëe
      Jam lajmëtar i pandigjuem i të vërtetave hyjnore jam thirrësi me za të shkyem i drejtësisë, jam gjamtari i therorve të kushtuem prej fuqisë së të mdhejve e për më tepër e kam shpallë vedin mjek kirurg të sëmundjeve morale, të cillat e kanë infektue, ma tepër se kurr, këtë shoqni njerzore, e pa u topitë e pa neveritje mundohem me hjekë llomin e qelbsinen që kan mbulue dhen.
      Por tui shtrydhë këto mullaj qelbsinet a me njollosi qelbi tyne muee Tue iba shoqnisë njerzore operacione të flliqta, nder pjesë të infektueme, a u infektova unëe Tui i vue balsamin sherues a mu zhyen muee
      Jo. E vërteta nuk asht dhunë! lakuriqësia nuk asht imorale! njimendesia nuk asht poshtenim!, por njerzit e pa kulturë të njëmendet janë imoralë të mbuluem me dhuni e të poshtër, ku nder këto shofin vetëm kënaqen shtazarakë e shfrimin e nepseve të veta.
      Mjeku specialist i sëmundjeve venerjane, para se të vërtetohet në se varra asht e shkaktueme nga spiroketa palida o nga gonokoket domemos, do ti hapë sytë e do ti shtijë gishtat në plagë, e për këtë kërkuej nuk i shkon mendja me e quejt mjekun imoral e të dhanun mbas veprave shtazarake me i vikatë botës t ëruhet prej tij.
      E pse atëherë mue vargu qesharak i pedantëve e i pseudoletrarëve do të më thërrasin pershkruesi i shtyem i imoralitetit, mbasi unë me përshkrimet e mija zbulova sëmundjet imorale të shoqnisë njerzore e ja qita në dritë e në diell varrët e shpirtrave të këtij kensit, që mbahet shpirt e asht shtasë, mbahet i bukur dhe asht i përçudun, mbahet i shëndoshë dhe asht i mbuluem me mullaj dhe dregcae
      Unë krenin e njeriut e mallkova dhe mallkimi im asht i vetmi barë që e shëron ma sëmiri. Posë mizorisë së tij, bërtita në kupë të qiellit që të merreshim vesht njerzit e drejtë e të ruheshin e kjo britmë asht karantinë e domosdoshme me ruejtë pjestë e shëndoshta të shoqnisë. Zbulova nepsin e qita në shesh ndyesinën shpirtnore, të këndueme prej kangtarëve shtazarakë, si dahuni natyret, e me tallje sarkastike lëvdata therëse i vueme gazin, e këto tallje dhe ky gaz janë i vetmi mjet, që mund ti frenojë prrjet e njeriut shtasë.
     
***

      Vallë tash kanga e qokthit, vaji i qyqes, vallet e bylbylave, gungatjet e pëllumbave e krrokjet e korbave bashkë me gurgullimën e gurrave e fishkullimet e erës janë monotonee
      Kanë thanë të vjetrit se vetëm gomari nuk i shijon vallet e natyrës, vetëm veshët e tij, megjithse të gjatë, nuk i ndijnë tingujt e kangëve të shpendëve as jehonet e rrjedhave të përrenjve.
      E po atëherë çka mund të bajnë njerzit, që edhe ky të hijnënë varg me të tjerëte A mund t’ja ndërrojnë vallë natyrën e me ba që edhe ky ti ngreho veshët sa herë të jehojnë ndonjë tingull sado i largët; e gomari të përkundë kokën në shenjë pëlqimi me veshë të ngrehun tui, shiju kangët e vallete

***

      Heu poshtërsi njerzoree I verbti bërtet se të gjithë kan verbue e se shofin dritën e diellit; shkjepani  tue perdredhë ma tepër shan shokë që ecin drejt; i fëlliqtë mbyll hundët e bërtet se e qelbën të tjerët e nuk e shef veden ba shtrekt tanë trupi; kangtari me një za kakofonik gervallet tue përbuzë zanat e tjerve, pa kujtue se me zanin e vet, në mos tash sado vonë bahet gazi i shoqnisë, pse e vërteta, e mira e bukura megjithëse të salvueme e të nëpërkambuna e çilin vetë udhën e dikur do të vehen në krye të vendit.
      Por unë pse i ve këto shënimee Ç’më duhet mue shoqnija e sotme shqitpare e shitme të huejve, shtrue nën thuper të fuqishmit...
      Jo e per njimend jo. E çpalla vedin gjygjtar të paanshëmn per shoqninë njerzore që kje, asht e ka për të kenë.
      E kjo botë shqitpare gjysmake e qesharake nuk ka me pas tjetër përgjigje prej mejet vetëm këto gjashtë fjalë: Honi soit qui mal y pense dhe betohem se nuk kam me shkrue ma, veç kam me u strukë në një qoshe i vetmuem tue u tallë e u zgerdhi për vepra të saja.
Vjeshtë e parë 1967
Jak Zekaj

HALIL HAXHOSAJ : VEPËR ME JEHONË MËRGIMI DHE ATDHEDASHURIE

Liman Zogaj: “Loja mbi gurë”, poezi, Ndërmarrja shërbyese “Jeta e re”, Prishtinë, 2010

imageLibri


Para pak ditësh doli nga shtypi dhe e morën në dorë lexuesi veprën më të re poetike të autorit Liman Zogaj me titull paksa metaforik edhe si konceptim, por edhe si ide “Loja mbi gurë”. Kjo vepër është libri i tij i tretë poetik pas  “Kosovë nuk ta mora diellin”, Tiranë, 2007  dhe  “Shtigjet e dritës” , Prishtinë 2009.
Kjo vepër në strukturimin dhe përbërjen e vet poetike ka një numër standard poezish që ndahen në katër qerthuj apo cikle poetike: 1. Mbi flatra të shqiponjës, 2. Më ka marrë malli, 3. Loja mbi gurë dhe 4. Nëpër dallgë dashurie. Siç po shihet nga titujt e qerthujve sinkronizimi dhe interesimi i poetit të këtyre vargjeve qëndron i legurëzuar nëpër të gjitha uverturat, rropatjet, mallëngjimet, dhe krajatat jetësore të individit dhe kombit tonë në përgjithësi, nëpër hallkat e historisë sonë. Siç thotë redaktori i librit Ali D. Jasiqi në pasthënien e tij: “Janë këto krijime frymëzimesh sa subjektive aq edhe shprehje e botës njerëzore, që do të thotë se poeti  synon  thurjen e vargjeve që nuk kufizohen vetëm në botën e vet të mbyllur, por ato frymojnë edhe për atë të përgjithshme”. Për Liman Zogajn tema e mërgimit është burim i pashtershëm i frymëzimit, si edhe tek shumica e poetëve të tjerë, e sidomos e atyre që jetojnë dhe krijojnë në kurbet. Kjo plagë e shoqërisë sonë sjellë edhe tragjedi në familjet e mërgimtarëve. Mbase, ky element është edhe më i trajtuari në tërë krijimtarinë e deritashme poetike të këtij poeti pasi që ai vetë me familje jeton dhe punon e krijon që disa vite, mbase edhe dekada në qytetin Essen të Gjermanisë. Përveç punës, poeti Liman Zogaj në Gjermani është i angazhuar edhe në organizimin dhe zhvillimin e jetës kulturore e sidomos letrare dhe teatrore në Essen dhe vende të tjera të Gjermanisë dhe diasporës ku ka bashkatdhetarë tanë. Kështu, emri i këtij krijuesi është i njohur nga lexuesit tanë në diasporë edhe si njëri i kulturës dhe teatrit.
Poashtu temë tjetër interesante për pendën e Liman Zogajt është edhe lufta, sidomos kjo e fundit që ndodhi në Kosovë, e cila pati në tagër bukur të madh. Poeti, Liman Zogaj, vjen te përfundimi se lufta është e tmerrshme, por nganjëherë është shpëtimtare për njerëzit që kanë vuajtur nën okupimin e armikut. Kjo ndodhi edhe në luftën e fundit kur hordhitë serbe ikën me bisht nën këmbë, para luftëtarëve të lirisë veshur me uniformën e UÇK-së. Në këtë vazhdë ai do të thuri vargje shumë të qëlluara dhe të latuara poetikisht edhe për luftëtarët e patrembur që ranë në altarin e lirisë për të mbetur të pavdekshëm, si bie fjala, Habib Zogaj – Arbri, të cilit i është kushtuar edhe poezia Meteor dritepastaj Komandant Kumanovës, e ndonjë luftëtari tjetër.
Edhe bashkimi kombëtar behët tematikë frymëzim i poezisë së autorit të përmbledhjes“Loja mbi gurë”. E kjo është ëndërr e vazhdueshme e kombit shqiptar të ndarë në disa shtete. Sipas autorit të këtij vëllim i poetik kjo ëndërr një ditë do të behet realitet, gjë që është e pashmangshme në të ardhmen.
      Në ciklin e fundit të këtij vëllimi poetik të poetit Liman Zogaj i gjemë poezitë në të cilat i këndohet dashurisë, kësaj temë të pashtershme për të gjithë poetët e të gjitha kohërave dhe vendeve. Për këtë autor dashuria është e shenjtë, është diç që të tronditë, diç që të kallë dhe nuk të lenë të qetë. Por, këtij motivi autori Liman Zogaj, i këndon me maturi, dinjitet dhe pa ndonjë teprim apo ndërthurje tej mase. Pra, çdo gjë këtu është e thënë bukur, poetikisht dhe në mënyrë të matur. Kjo maturi e rrit edhe vlerën e kësaj poezie dhe tematikës së saj.
Dhe krejt në fund mund të konstatohet se poezitë e kësaj përmbledhje janë të shkurta dhe koncize, të thurura  me metafora dhe figura të tjera. Të gjitha këto e bëjnë këtë poezi  të lexueshme dhe të kuptueshme për të gjitha shtresat dhe moshat e lexuesve.

FATMIR TERZIU : ‘MEMORJE’ NË FILOZOFINË E SADIE KRYEZIUT

Libri i ri i autores sjell kujtesën e saj në vargje dhe urtësi popullore

imageKopertina e "Memorje"



Doli nga botimi për lexuesin libri më i ri i autores Sadie Kryeziu-Bejtullahu. Vëllimi i titulluar “Memorje” krijon një udhëtim imagjinar për lexuesin nëpërmjet imagjinatës dhe kujtesës së autores në vite. E destinuar të mbajë shënime që në vogëli, ajo krijon kështu një hapësirë të ndjeshme mes kujtesës dhe fakteve për të na dhënë simbole të vlefshme shqiptare. Pjesa e shkruar në vitin 1989 nga autorja shqiptare me nëntitullin “BALADË” është një histori e vërtetë e shkruar në vargje. Vetë Sadie Kryeziu Bejtullahu na shprehet: “Shkruar ashtu siç më ka treguar gjyshja ime Fazlija në lidhje me xhaxhain e saj, Alush Smail Javorin. Alush Smail Javori ishte një luftëtar dhe patriot i madh i Kombit Shqiptar, shton autorja. Autorja e titullon “ALUSH SMAILI OSO I RI” dhe që në fillim na bien në sy elementë funksionalë historikë dhe pjesë të kulturës shqiptare si lahuta:

“Lahuta këngën nuk po e ndal
lot gëzimi diellit i kan dal
në Lloziç nëna lindi djalë
Alush Smailit
emrin OSO I RI don me ja lan...”

më tej autorja jep detaje më të gjera lidhur me këtë figurë baladë. Në pjesën tjetër autorja shpalos urtësinë popullore mes aforizmave e fjalëurtive për të afruar një komunikim më filozofik me lexuesin. Libri ka një lehtësi në të lexuar dhe është për të gjithë moshat. Kështu ky botim shton më shumë fjalët për poeten dhe publicisten me perspektivë, Sadie Kryeziu-Bejtullahu.

Sadie Kryeziu-Bejtullahu modeli femëror në britaninë e madhe

Shpeshherë ndjehemi ngushtë të shkruajmë për njerëz që i njohim familjarisht. Ndjehemi kështu, pasi ‘lidhjet’ familjare disaherë ndikojnë dhe ndikohen në ‘hapje gojësh’, apo nga zhgarravitje tefterakësh. Në këtë rast kur nisa të shkruaj për juristen e diplomuar, poeten dhe nënën model të tre vajzave të mrekullueshme dhe talente në disa gjini të artit në Britaninë e Madhe, bashkëshorten e nderuar të Masterit në Ekonomi-Biznes, Abedin Bejtullahut, ndjeva një krenari të pesëfishtë, sepse në të përmblidhen të gjitha që mund e duhet t’i thoshte familja ime. Kështu emri dhe vepra e poetes Sadie Kryeziu-Bejtullahu, ishte vetëm një pikënisje në shtratin e këtyre rrjeshtave.
Sadie Kryeziu-Bejtullahu, së shpejti del me vëllimin e dytë të saj. Është një përbledhje e shtrydhur nga vitet, nga lidhjet e saj me fate njerëzish, me arsye e determinime kohore, por edhe me praktika e konvergjenca jetike. Vargu i saj me lot nëne e burri bashkë, pena e saj me dhimba zemre e trumcatje kritike, ndjenja e saj me shtrime akute të jetës, pasqyra jetike e saj me vizion tejet të ndjeshëm, vjen në këtë vëllim mes një morie të gërshetuar të melosit tradicional poetik dhe vargut pa alarm e rutinë. Kjo autore që ka shkëlqyer gjithmonë në bangat e edukimit në vendlindje, edhe në Britaninë e Madhe, mbetet një model për të tjerët. E specializuar pranë disa kompanive prestigjioze, por edhe me ndjekje e sipër për aspekte të medias, mbetet një arsye e qartë në vëzhgimin tonë dashamirës.

 “Persiatje” hapi siparin e dijes

 Kohë më parë iu shtua edhe një vëllim poetik lexuesve shqiptarë në Britaninë e Madhe. Ishte libri me poezi “Persiatje” i autores Sadie Kryeziu-Bejtullahu, që pa dritën e botimit nga “Emal”. Në vitin1995 shkrimtari Mehmet Kajtazi ka thënë fjalët e tij në mbështetje e inkurajim të autores. Pastaja disa nga poezitë e saj u botuan nëpër revista të ndryshme: “Studenti” (Fakulteti Juridik); “Zëri i Rinisë”, “Pionieri”, “Rilindja” etj. Disa poezi të saj “E dua nënën”, “Shkolla ime”, “Kosovë” dhe disa nga tregimet e autores si ”Fjala vret”; “Harresa”;  “Zëmër e thyer”; “ Kur Pranvera sjell gëzim”; “Një jetë e re po lulëzon gërmadhash” etj u botuan menjëherë pas vlerësimeve nga profesori Sulejman Gashi (Gazetar për RTK, nga Ëashingtoni) si dhe shkrimtari dhe profesori i letersisë Hajdin Morina.
Tashmë “Persiatje” i autores Sadie Kryeziu-Bejtullahu është një vëllim me rreth njëqind poezi të shkruara nga autorja në vite. Të shkruara në vitet me ëndrra rinore, të frymëzuara nga jeta, mjedisi, atmosfera dhe situatat në të cilat ëndrrat e saj u kalkuluan derisa ajo u bë nënë e dy vajzave të dashura të saj. Këto poezi që përfshihen në vëllimin e kësaj autoreje kanë një motiv të qartë e një lidhje të pashtershme me ëndrrat e saj të kahershme për të shkruar, për të lëvruar talentin e saj, bukurinë e natyrës shqiptare, larminë e jetës së ngushtëzuar të kohërave në Kosovë e fatin e jetës mes kurrikulave jetike.
Vëllimi është një frymëmarrje e nisur në strofkat e mbajtura tinëz në kujtesën e Kryeziut dhe një shpërthim vrulli në moshën e pjekur, ku jeta dhe larmia e jetës janë kushtëzim e integrimit, prosperitetit dhe arsyes për ecjen në rrugën e bukur të hapur enkas nga Pavarësia e Kosovës. Janë vargjet e saj kushtuar pikërisht kësaj ruge të bukur që flasin me një ritëm poetik të ndjeshëm mes figurave letrare, vargut të lirë dhe gjithë tentativës së kësaj autoreje për të lëvruar norma të qarta poetike.
Ky vëllim premtues i autores Kryeziu hapi siparin e saj të dijes dhe njohurisë për të paraqitur edhe punë të tjera të shkruara prej saj në vite, por edhe angazhime të tjera të reja si frymëzime të kohërave që jetojmë. Ne i urojmë suksese të mëtejshme autores.

 Rreth autores

 Sadije Kryeziu-Bejtullahu është një nga poetet e reja që janë pjesë e krijuesve shqiptarë në Britaninë e Madhe. Ajo ka botuar vëllimin e parë poetik, “Persiatje”. Ka lindur në Mleqanin e Klinës. Fëmijërinë e saj e kaloi aty, u rrit në ODËN shqiptare, ku gjyshi i saj i dha krahët  dhe fjalën e kuvendit. U rrit më frymën dhe ndjenjën patriotike, të mbajtjes së fjalës, respektit, nderit. Cilësi këto të cilat e percollën gjatë tërë jetës. Cilësi të cilat njeriun e bëjnë njeri.
Shkollen fillore e kreu në Kijevë (Adem Bajrami), të mesmen në gjimnazin “Luigj Gurakuqi” po në Kijevë, vitin e parë dhe të dytë i përfundoi po aty, pastaj vitin e tretë dhe të katërt në gjimnazin “Luigj Gurakuqi” në Klinë. Për tetë vite me radhë ka qenë e shpallur nxënësja më e mirë në mësime dhe sjellje në të gjitha kategoritë e shkollave. Ajo ka qenë kryetare dhe reprezantuese.
Ajo që e bën më të rrëndësishëm faktin e karakterit të saj tejet human, është fakti se ka qenë anëtare dhe aktiviste në Pajtimin e Gjaqeve me Anton Çetën. Si artiste dhe me shpirt artist ka luajtur rolin e Files tek “Udha e Lirisë” etj. Sot është sërrish një aktiviste e papërtuar dhe së shpejti do të ketë shansin të drejtojë edhe disa klasa të arsimit plotësues shqip në Londër.
Sadie Kryeziu-Bejtullahu mbetet kështu modeli femëror në Mbretërinë e Bashkuar.



Add toAdd to your del.icio.us del.icio.us | Digg this story Digg

ARBNORE LUMI : ZHANRI DHE EKSCESI NË TEORINË E FILMIT


imageARBNORE LUMI
Studim

Zhanri
Zhanri është një element i rëndësishëm në film i cili hedh dritë në aspekte të veçanta të kinemasë, mpreh mënyrën e të kuptuarit të aspekteve narrative dhe stilistike të filmit. Po kështu, zhanri është edhe instrument ose një sistem i rregullave të shprehjes, i cili konstrukton dhe kategorizon filmat sipas faktorëve të ndryshëm. Këta faktorë përmblidhen në një linjë të tregimit të cilin e ndjek regjisori dhe që audiencës ia lehtëson dhe shkurton rrugën në procesin e të kuptuarit të filmit.
Thomas Schats, autor i artikullit “Zhanri i filmit dhe filmi zhanër”, definon nocionin e karakteristikave të filmit zhanër si vijon: "Për shkak se në esencë është një sistem narrativ, një film zhanër mund të shqyrtohet në kuadër të stukturës fundamentale të këtyre komponenteve: subjekti, karakteret, ambienti, tema, stili, e kështu me rradhë."[2] Sa i përket zhanrit mund t'i shqyrtojmë disa shembuj karakteristikë, p.sh. filmat Western,  përbëjnë një zhanër klasik që portretizon pushtimin e së egrës. Në mënyrë të tipizuar, në filmat western mund të presim elemente siç janë armët dhe duelet me armë (ndonjëherë duke kalëruar), dhunën dhe masakrat e njerëzve, kuajt, trenat (plaçkitjet e trenave), dhe shumë shpesh edhe plaçkitjet e bankave. Është shumë e rëndësishme që t'i drejtohemi edhe ambientit, i cili zakonisht përbëhet nga shtëpitë ferme, shtëpi të rrethuara, burgu, rruga kryesore e një qyteti të vogël ose periferia e vogël qytetesh që janë të krijuara diku në skajet e civilizimit.
Së dyti, një ndër zhanret e filmit më të fuqishëm në kuptimin e ndikimit të vazhdueshëm, është i ashtuquajturi filmi noir (filmi i zi). Filmat që hyjnë në kategorinë noir janë xhiruar kryesisht në teknikën bardh e zi, gjë që mundëson që hijet dhe kontrasti i dritës të bëhen më të dukshëm. Disa prej elementeve më të rëndësishëm që përshkruajnë karakteristikat e këtij zhanri përmbledhen në atë se në këta filma ne presim që të shohim "ambientin urban të zhurmshëm, tensionet e kompozicionit, kontrastin e lartë të dritës dhe të ngjyrave të errëta,  këndet e pjerrëta të kamerës, si dhe tema të dykuptimësisë dhe tjetërsimit"[3] Pra, tek filmat noir ka diçka që vazhdimisht i referohet ose shpreh anët më të errëta të shpirtit njerëzor dhe të përvojës sociale.
Të gjitha zhanret janë të definuara dhe parimisht marrin krah nga disa elemente të veçanta brenda filmit që spektatorëve ua mundësojnë që të ndiejnë atë çka duan të ndjejnë dhe të kuptojnë elementet e rëndësishme të orkestruara brenda filmit. Douglas Pye në artikullin e tij Westernet “Zhanri dhe Filmat”[4] thekson se këto elemente "duhet të janë relativisht të pakta në mënyrë që të regjistrohen si të njohura nga një audiencë e veçantë, duke nxitur një spektër më të gjërë të pritjeve që stimulohen, përcaktohen, konfirmohen, ose edhe befasojnë me kombinimet e elementeve nga–momenti-në-moment brenda çdo filmi". Shumë shpesh këto elemente ndihmojnë shikuesin në përcaktimin e zhanrit të filmit që nga skenat e para të tij. Për më tepër, secili zhanër i filmit i shfaqet shikuesit që me kuadrin dhe tingullin e parë, madje edhe që me shfaqjen e titullit të filmit.
Teoria e zhanrit në film përpiqet që t’i shquaj elementet e kategorizuara brenda filmit që njëfarë dore filmat i bëjnë më të pranueshëm për shikuesit. Cilido element i filmit, apo kombinimi i më shumë sosh, thekson një linjë jashtëzakonisht të gjerë të vijave të tregimit dhe kuptimeve ose simbolikave, siç thotë autori i artikullit Western (Genres and Movies) Douglas Pye, duke qartësuar nocionin e karakteristikave të relacioneve në zhanrin e Western-it: "Relacioni i karakterit me botën reale mund të jetë një çështje madhore në disa prej filmave western, përderisa në filmat tjerë mund të jetë thjesht vetëm një prapavijë e aksionit; karakteret mund të personalizohen tërësisht duke i dhënë një motiv konflikti ose ngatërrese, ose të prezantuar në mënyrë skematike si projeksion figurash morale që personifikojnë të mirën dhe të keqën". Përdorimi i elementeve të ndryshme dhe të rëndësishme, e në veçanti ekspresionizmi stilistik në filma, ndihmoi në ngritjen e vëmendjes dhe vlerave kinematografike, e po ashtu edhe vetë produksionin. Këto stilizime duket se kanë funksionuar si mënyra të konvencionalizuara për ngritjen e statusit të produksionit, duke operuar si gjuhë e diferencimeve stilistike që janë standardizuar po aq në mënyra të ndryshme sa edhe normat klasike. 
Është me rëndësi të përmendet se si filmat zhanër kanë disa karakteristika unike, që tregojnë ndjenjën dhe kuptimin e filmit e që teoritë e filmave të tjerë nuk i kanë. Megjithatë, edhe vetë zhanret nga shumë kritikë të filmave kanë qenë të adresuara si teori problematike, duke u konsideruar më shumë si stil e jo zhanër. Kjo është rezultat i përdorimit të elementeve dhe metodave kinematografike për të përshkruar sa më saktë nocionet e filmave. Ndërkaq, në këtë kontekst ekzistojnë disa terma të veçantë, apo mini-teori, që jetojnë përbrenda zhanrit të filmit. Disa nga kritikët e filmit theksojnë se ato janë shumë të rëndësishme për teorinë e filmit zhanër. Kur përmendëm më parë se si filmi zhanër përfiton ndaj elementeve të caktuara që të përhap karakteristikat kryesore dhe t’i fokusojë pandërmjetshëm tek audienca, përbrenda këtyre karakteristikave jetojnë dy teoritë më të rëndësishme: teoria semantike dhe teoria sintaktike. Duke u bazuar tek kritika e filmit, këto dy teori janë të aplikueshme tek zhanret mirepo me një perspektivë të ndryshme. Ato definojnë nocione të ndryshme të filmit zhanër.
Qasja semantike lehtëson karakterizimin e filmit, duke u bazuar në elemente dhe faktorë të ndryshëm: karakteri, kostumet, skenografia, lokacioni dhe makiazhi. Kjo parimisht definon zhanrin për nga blloqet dhe ikonat semantike, përderisa teoria sintaktike, është një qasje e cila përcakton zhanrin për nga marrëdhënia në mes të ndërtimit të blloqeve (arkitekturale) që krijojnë strukturat dhe kuptimet. Kjo strukturë është e njohur si sintaksë. Megjithatë, është shumë me rëndësi të përmendet që këto dy teori bashkëpunojnë shumë mirë duke u kombinuar mes veti edhe duke ndryshuar në ndërkohë. Kjo mund të nxjerr në pah një fenomen që filmi zhanër e ka ndërsa teoritë e filmave të tjerë nuk e kanë.
Filmi i zhanrit mjuzikël është studiuar në mënyrë të përsosur dhe disa prej tyre janë bërë pjesë esenciale e kulturës moderne, në fillim kuptimi (sintaksa) ishte - vuajtje për vdekje, por më tej, (sintaksa) merr trajtën e kënaqësisë së qiftëzimit. Të gjitha këto elemente ishin shumë mirë të orkestruara, të përpunuara dhe spektakulare, dhe rezultat i triumfit të thjeshtësisë. Për më shumë, elementet tjera me të cilat kritika e filmit lëviz përbrenda filmit zhanër e që janë me rëndësi t'i adresohemi, janë ato që Rick Altman i thekson si ide në artikullin e tij “Një qasje semantike/sintaktike ndaj filmave zhanër”[5], "Semiotika: thekson elementet themelore (pluhuri, toka, lëkura, kuajt), karakteret (sherifi i vetmuar, kauboji i rreptë/i butë, gruaja e fortë/e ndjeshëm), Amerika përendimore e viteve 1849 deri 1900. Sinktaksa: Western gjithmonë zë vend në zona të largëta, sfidat në mes civilizimit/primitivizmit, kopshtit/shkretëtirës." Që të ilustrojmë më mirë këtë ide, filmi i njohur “Once Upon a Time in the West” nga regjisori Sergio Leone në 1968, përshkruan modelet e semiotikës përbrenda zhanrit Western. Gjatë gjithë filmit shohim karakteristika tipike të cilat portretizojnë bukurinë dhe egërsinë e kulturës epike të Perëndimit të Egër. Ky film është, po ashtu, një shembull shumë i mirë i teorisë sintaktike, sepse shpalos idenë e një paraqitjeje të dhunshme për fshatin, zonat e largëta, sfidës së civilizimit/primitivizmit e gjithashtu edhe kopshtit/shkretëtirës. Këto elemente të përmendura, jo vetëm që karakterizojnë nocionin e këtyre dy teorive të rëndësishme (sintaktike dhe semantike) përbrenda zhanrit, por ato shpalosin edhe karakteristikat kryesore të cilat definojnë filmin zhanër.
Ndërkaq, përbri zhanrit western dhe karakterizimit të tij në teori është i rëndësishëm një tjetër zhanër, ai i filmit noir, stili i të cilit ka pasur një ndikim domethënës edhe shumë kohë pasi që periudha historike e tij kishte përfunduar. Filmat noir posedojnë karakteristika përcaktuese sikurse tek western, mjuzikli apo te ndonjë tjetër zhanër., por zakonisht, në krahasim me zhanret tjera, filmat noir dallohen për nga vija e tregimit. Elementet e stilit të përdorura në këtë zhanër lënë përshtypje të njëjta si ato të shoqërisë së gangsterave. Filmimi karakterizohet me heronjët cinik dhe ndriqim të zymtë dhe regjisorët e këtij lloji filmash kanë përdorur hijet për krijimin e një fuqie psikologjike që shquan karakteret. Është mjaft interesante se ky zhanër e ka origjinën tek ekspresionizmi gjerman për shkak të vijës së tregimit të errët, pesimist që e ka. Më tej, filmat noirshkojnë përtej të errtës, ndriqimit të rëndë të ngjyrimit të qytetit të natës me shi.
Nga një aspekt tjetër i analizës është vërejtur se tek filmat noir, femrat portretizohen si qenie dhe subjekte pasivë. Linda Williams në artikullin Film Bodies: Gender, Genre, and Excess (Trupat filmik: gjinia, zhanri dhe ekscesi) thekson: "Po ashtu, mund të vërejmë diçka që këto zhanre e kanë të përbashkët: edhe pse janë mjaft të ndryshëm për nga ndërtimi pasi që i referohen audiencave të tyre të zgjedhura, me pornografinë që, me sa duket, synon që ta tregojë mashkullin aktiv dhe femrën melodramatike dhe si grua pasive, dhe me nxjerrjen vulgaritetit bashkëkohor që synon horrorin e animit të egër adoloshent mes poleve maskuline dhe feminine, në të dy këto gjini trupi i femrës figurohet në skenë në funksionin tradicional të personifikimit të kënaqësisë, frikës dhe dhembjes.”Një shembull tjetër i cili mund të shoqërojë këtë ide është filmi Double Indenity i vitit 1944, regjisor i së cilit është Billy Wilder. Roli i femrës i luajtur nga Barbara Stanwyck, i përshkruar si pjese e një vrasëseje krejtësisht të ftohtë, të një gruaje absolutisht të ligë e cila vret burrin e saj për shkak të një njeriu tjetër, Walter Neff-in (MacMurray). Përkundër të gjitha këtyre, performanca e saj gjatë gjithë filmit është ajo që kujtohet me gjallëri më të shprehur. Aftësia e saj për të luajtur këtë rol vazhdon që t'i jep spektatorit një mësim klasik rreth feminitetit. Është e vlefshme të përmendim që përveç karaktereve në këtë film, ajo që e bëri këtë film një vepër të madhe të zhanritnoir është që regjisori përdori kënde të vogla të sekuencave, dhe këndet e gjerë të objektivave, në mënyrë që të krijojë ndjenjën e tensionit. Po ashtu, ndriqimi i dobët krijonte hije të thella, ashtu që pasiguria bëhej më e qartë, gjë e cila është me shumë rëndësi te zhanri noir i këtij niveli. 
Në përgjithësi, filmi zhanër ende është duke u trajtuar nga kritika e filmit më shumë si një stil sesa si zhanër, dhe ky element kinematografik ka pasur një ndikim të pamasë tek prodhuesit e filmave dhe ende vazhdon të jetë i tillë. Mirëpo, të gjitha elementet formale të kohës tek zhanret western, mjuzikël apo noir, janë gjithmonë të orkestruara që të ndihmojnë bartjen e mesazhit tek audienca, ashtu që vet artistët të përshtaten në mënyra të ndryshme me qëllim që shikuesit e zgjedhur të kuptojnë gjuhën e tyre artistike në aspektet filmike dhe kulturore, dhe që këtej të përparojë në promovimin e jetës dhe artit të kinemasë.
Ekscesi kinematik
Artikujt si The Concept of Cinematic Excess[6], Film Bodies: Gender, Genre, and Excess”[7] dhe"‘Trashing’ the Academy, Taste, Excess and Emerging Politics of Cinematic Style"[8]trajtojnë çështjen e "ekscesit" kinematik dhe "stilit" në një shkalle më të gjerë në mënyrë që të eksplorojnë dhe nxjerrin në shesh idenë që stili dhe ekscesi shfaqen si kualitete të dyfishta, se ato funksionojnë edhe si elemente të ndara në kinema por, megjithatë, edhe mbesin të lidhur bashkë pasi që përmbajnë materiale karakteristike estetike për filma të zhanreve të ndryshëm, dhe kinemanë në përgjithësi. Ndërkaq, një element tjetër që tërheq vëmendjen është "Para-kinemaja", e cila paraqet ekscesin kinematik dhe po ashtu edhe elementet të cilët nuk hyjnë direkt në rrëfimin e tregimit, dhe në këtë mënyrë "shfaqin ‘dështimin’ sistematik" apo “shtrembërimin" e stilit tradicional kinematik, siç argumenton Jeffery Sconce në artikullin e tij.
Autori i këtyre artikujve, në mënyrë shumë të bukur thekson idetë se kur eksceset kinematike duhen të shtyhen përpara, brenda asaj që regjisori është në gjendje të bëjë ndonjëherë, si dhe kur dhe për cilin grup të shikuesve këto elemente estetike janë më të dukshme. 
"Ekscesi" kinematik është një pishinë e mbushur me vizualitet, e cila shërben si një instrument ose mjet për pikëpamjen tonë, që na mundëson hulumtimin e elementeve estetike brenda filmit. Në disa raste ekscesi kinematik mund t'a dobësojë rrëfimin, duke i defamiliarizuar shikuesit me idenë e rrëfimit dhe jo ta vlerësojë atë. Megjithatë, prezenca e ekscesit kinematik nuk i shkatërron mekanizmat e të rrëfyerit, vetëm i dobëson ato. Tek disa regjisor ekscesi kinematik madje mund të shfaqet më shpesh. Si shembull i cili do të ilustrontë këtë mund të jenë filmat e Jean Godard, të cilët mund të përfshihen në kategorinë e ekscesit kinematike, për arsyen se ai zakonisht përdor kuadro të stërzgjatura, të cilat nuk mund të përcjellin ndonjë mesazh ose motiv, por ato janë zgjatje e aspekteve të stilit të tij të xhirimit. Poashtu, brenda këtyre kuadrove të zgjatura mund të duken disa objekte, simbole të cilat nuk janë të lidhura ngushtë, ndoshta edhe fare, me rrëfimin, dhe kjo i nxit më shumë elementet estetike sesa rrëfyese të filmit.
Kur flasim për stilin e regjisorëve dhe shfaqjen e ekscesit në filmat e tyre, duhet të kemi në mëndje që këto elemente për shikuesin nuk janë gjithnjë tërheqëse. Megjithatë, sipas Bazin, kjo ndihmon krijimin e një "qëndrimi mental më aktiv". Stili dhe elementet ndonjëherë sjellin shikuesin më afër realitetit. Më tej, Thompson[9] argumenton se rëndësia e ekscesit qëndron në atë se rinovon freskinë e perceptimit të veprës dhe sugjeron një mënyrë të ndryshme të shikimit dhe dëgjimit të ndonjë filmi.
Ekscesi kinematik nuk paraqitet vetëm te disa regjisorë,  por është e rëndësishme që të theksohet së stili dhe ekscesi kinematik të lidhur bashkë, kanë qenë mjaft të dukshëm dhe me stutus të privilegjuar në disa zhanre, siç janë horrori, melodrama dhe pornografia.
Në zhanret e sotme, në krahasim me ato klasiket, ka shumë më tepër ekscese kinematike. Për mungesë të motivacionit në rrëfimin, vijnë në shrehje eksceset kinematike. Si shembull që do të përshkruante bukur ekscesin kinematik është filmi "Ichi the Killer" (Vrasësi Ichi) i Takashi Miike (2001). Në shumë prej skenave të orkestruara në këtë film, motivimi zbehet dhe vie në pah ekscesi kinematik. Përderisa filmi përmban skena të dhunës dhe brutalitetit, objektet dhe simbolet të treguara gjatë skenave, zbulojnë eksceset duke i zbehur motivimet. Kjo shihet mirë në skenën kur njërit nga personazhet i prehet koka në dysh, në një kuadër të përmbledhur, por i stërzgjatur, që shpjegon mungesën e motivacionit dhe rrëfimit. Po ashtu, një tjetër skenë e cila do të ilustronte shumë mirë nocionin e ekscesit kinematik në këtë film është kuadri i një personazhi të vrarë, të shtrirë në dysheme, ku vetëm koka e masakruar dhe njëri krah, përndryshe të prerë në mënyrë brutale, notojnë në gjakun mbi dysheme. Pa harruar, ky film është edhe një shembull i para-kinemasë, pasiqë në shumë skena stili tradicional kinematik është i dobësuar, por jo tërësisht i shkatërruar.
Filmat pornografik, poashtu, përmbajnë një sasi të madhe të ekscesit kinematik, të cilët Linda Williams i quan "ekscese seksuale". Këta filma sjellin në skenë brutalitet të madh drejt karakterit të femrës. Megjithatë, përkundër dhunës dhe brutalitetit, sipas teorisë së Linda Williams, sjellin kënaqësi tek disa shikues. Linda Williams këtë e argumenton kësisoji: "Në teorinë e feminizmit, statusi i ekscesit ka qenë i ndarë në dysh në shumicën e mjeteve të analizës. Kategoritë e fetishizmit, voajerizmit, sadizmit dhe mazohizmit janë dukshëm të përfshira, në mënyrë që të përshkruajnë kënaqësinë tek shikuesit e këtyre filmave, e që sipas definicionit janë perversitete."
Megjithatë, stili dhe ekscesi kinematik nuk të dukshëm për secilin shikues. Kjo mëvaret nga këndi prej të cilit shikohet, do të thotë, mëvaret nga prapavija kulturore dhe njohuritë që shikuesit kanë nga kinemaja. Kristen Thompson dhe Linda Williams japin disa mendime interesante rreth idesë të asaj se si disa shikues janë të trajnuar që të shikojnë filmat ndryshe, “ato forma në ekran duken në atë mënyrë sepse ‘ato gjëra duken ashtu në vërtetë’”. Shikues të tjerë, të trajnuar që të shikojnë filmat si shprehje romantike të artistit, përpiqen që të shikojnë çdo aspekt të secilës skenë si përcjellje e ‘kuptimit’ të vizionit personal, sikur “pamja duket e tillë sepse është ashtu sikurse artisti e ka shikuar botën”.
Në përgjithësi, këto analiza të orkestruara të nocionit mbi eksceset kinematike nga Thomson, Linda Williams dhe Sconce, ngacmojnë  mendimet, njohuritë tona më tej që të kuptojmë filmat në një nivel tjetër. Ato vlerësojnë dhe ilustrojnë proceset e zhvilluara të stilit të cilat formojnë vizionin tonë mbi atë se si të lexojmë filmat e zhanreve dhe rrëfimeve të ndryshme, dhe se si elementet estetike brenda një filmi mund të na ndihmojnë, ose jo, që të përceptojmë kuptimin përmes një objekti ose simboli të përdorur në film.


[1] ARBNORE LUMI  jeton në Kanadë. Studimet për Produksion Filmik dhe Televziv i ka mbaruar në Centennial College, School of Communications, Media and Design në Toronto të Kanadasë. Më pas studimet për analizën dhe teorinë e filmit I ka mbaruar në York University, Fine Arts: Film, Cinema and Media të Toronto-s.
[2] Thomas Schats, Film Genre and The Genre Film, Greenfield, Osborn, et al Robson: 22.
[3] Frederick Wardell - Filmography by Genre, II.
[4] Pye, Douglas,The Western (Genre and Movies)”, Në Film Genre Reader III. Barry Keith Grant, ed. Austin: University of Texas Press, 203-218.
[5] Rick Altman, “A Semantic/Syntactic Approach to Film Genre”, Cinema Journal 23, no. 3 (Spring 1984). 6—18. Rep. in Film Genre Reader II.
[6] Thompson, Kristin, "The Concept of Cinematic Excess", Film Theory and Criticism: Introductory Readings. 5th ed. Ed. Leo Braudy and Marshall Cohen. New York: Oxford University Press, 1999.
[7] Linda Williams, “Film Bodies: Gender, Genre, and ExcessFilm Quarterly, 1991 - Univ California Press
[8] Sconce, J. (1995) “Trashing the Academy: Taste, Excess, and the Emerging Politics of Cinematic Style. Screen 36, 4.
[9] Thompson, Kristin, "The Concept of Cinematic Excess", Film Theory and Criticism: Introductory Readings. 5th ed. Ed. Leo Braudy and Marshall Cohen. New York: Oxford University Press, 1999, f. 551.

PROF. ASSOC. LEDRI KURTI : “At Gjergj Fishta – prijësi intelektual


image Prof. Assoc. Ledri KURTI
i dëbuar, i ndaluar, por madhërisht i pashmangshëm për themelet e kombit , gjuhës dhe kulturës shqipe.





     “Nieri des, po, kalbet e harrohet; Fjala rrnon e kërthnestë në verigë sado të gjatë te motevet”
    Shumëkush tashmë e ka pohuar se Fishta kishte lindur poet, sikurse Fishta vetë pohonte për poetët e vërtetë “ Poeta Nascitur!”. Por Fishta kishte edhe një mision të marrë përsipër me përgjegjësinë e dinjitetit, zhgunin e misionarit françeskan.  
Në koshiencë dhe subkoshiencë për Fishtën, nga Poeti dhe Frati françeskan fjala ishte e Para! Fjala ishte thelbi, ishte kodi, ishte misioni, ishte pasuria. Kështu në Fishtën ishin takuar e shkrirë dy  lloje eksperiencash të transmetimit të fjalës, ndaj fjala tek ai, merrte forcën e fjalës së profetit në shërbim të kombit dhe shpirtit të njerëzve
 Zëri i duhur për të shkundur kllapinë ireale e varfëruese, u bë  zëri i tij epik, më saktë, gjuha në thellësinë e përmasave të origjinalitetit fishtjan, por dhe mendimi i guximshëm në “ Hyllin e Dritës”, që shoqëroi gjithë jetëgjatësinë e krijimit të kësaj poeme.
Fishta nxori nga thellësitë e fshehura pa zë, në shkëlqim të diellit,  ndjenjat e popullit të sfrustruar dhe të paorientuar, ktheu besimin në vete dhe mëshoi në domosdoshmërinë e gjuhës, jo aq epike si qëllim, sa origjinale si thelb, modelin e një Quid Unicumi të rruzullimit gjuhësor dhe letrar.
     Të flasësh, apo të guxosh të hysh në fjalët dhe mendimin e Fishtës shprehur në to, është një barrë vërtetë e rëndë, për të cilat nuk marr guximin të them asnjëherë se dje, sot, apo nesër, s’ka pasur, s’ka, apo s’do të ketë më çfarë të thuhet, ndonëse fjalët e tij janë të qarta, por pesha e tyre është e rëndë, në këtë kontekst dhe nuk shterron.
 Ndërsa për heshtjen ndaj tij…. pas 40-ës…. dhe pas 1990 - ës , mund të thuash shumë shpejt, shumë arsye njëherësh, madje edhe    përsëritura….!   
                                          Fishtës, i njihet merita, e futjes për të parën herë në Shqipëri e mësimit të gjuhës shqipe në Shkollën e Fretënve tė Shkodrës. Fishta ishte  drejtor i kësaj shkolle. Duke qenë në një pozitë të tillë e shndërroi atë, në shkollë të mesme.
Udhëhoqi botimet në një shtypshkronjë, që e kishte sjellë Vetë në Shqipëri. Ngriti  një bibliotekë dhe muzeumin e Parë në Shqipëri.
 Pėrfaqësoi Shqipërinë në Konferencën e Paqes në Paris, në disa konferenca ballkanike si dhe, në shumë veprimtari të tjera ndërkombëtare të zhvilluara në Londėr, Nju-Jork, Pragë, Vatikan etj. Si deputet i Shkodrës, Fishta mori pjesë në Parlamentin e parë Shqiptar.
   Gjergj Fishta u nderua me çmime, tituj e urdhra ndër më të lartat e kohës, nga shteti Austro – Hungarez, Greqia, nga Papa Piu IX, Turqia dhe më 1939, bëhet anëtar i Akademisë Italiane. Gjithashtu është i pari shqiptar i propozuar për çmimin Nobel.
Kultura e tij, qe ndikim i leximeve latine, frënge, italiane, sllave, spanjolle.
              Njeh greqishten, por siç shprehet studiuesi Pal Duka – Gjini, nuk ka ndjerë sigurinë e gjuhëve të mësipërme.
  Shoqëria letrare Bashkimi  themeluar më 1899me kryetar Preng Doçin, Fishtën do ta kishte liderin e saj, sidomos për krijimin e një alfabeti funksional e me kritere shkencore, që do të përhapej në Shqipëri dhe në kolonitë shqiptare kudo në botë.
Po ashtu, Gjergj Fishtës i njihet merita kryesore e njësimit të alfabetit të gjuhës shqipe, qoftë edhe për faktin, se ai kryesoi Komisionin për Hartimin e Alfabetit, të cilin Kongresi i Manastirit, mė 1908, e miratoi si alfabet të vetëm të shqipes.
 Themelon  revistën Hylli i Dritës më 1913 dhe gazetën Posta e Shqypnis. Sic vëren sërish, studiuesi Pal Duka - Gjini, “…po qe se Fishta asht i madh për Lahutë të Malsisë, i madh dhe ma i madh asht për Hyllin e Dritës.
Bashkëpunoi në organe  të ndryshme të kohës. Poet i shquar lirik, epik, satirik i fuqishëm. Botoi mbi 20 vepra ku përmendim: “Anzat e Parnasit”1907, “Mrizi i Zanave” 1913, “Juda Makabe”1920, “Gomari i Babatasit”1923,  “Lahuta e Malcisë”1937. Me vlerë specifike dhe unikale janë  studimet e tij estetike dhe po aq    vlefshme janë studimet e tij  kritike. Vdes më 30 Dhjetor 1940.
Që  pragshekulli XX, të merrte  përsipër një Iliadë, për Shqipërinë do të thoshte të shpallte, jo vetëm vdekjen e një perandorie si ajo osmane, pasi Shqipëria ishte preja e saj e fundme, por mbi të, të shpallte vdekjen edhe të  idesë  së fqinjëve, pse jo edhe të Europës, që “veç për vedi mendon” – do thoshte Fishta.

Kjo mund të arrihej vetëm përmes pohimit me zë të vetes.

Guximi i pohimit të vetes si ekzistencë, si pasuri shpirtërore, kulturë e identitet më vete, është dhe shtysa e parë  për të pohuar modernitetin e  Fishtës, duke parë dhe kuptuar tek ai, guximin për të thyer tabutë e frikës, që sollën kohët e humbura kronologjike shqiptare e mbi të gjitha, për të shpallur moshumbjen e tyre të mëtejshme. Akrepat e  kohës  tashmë duhej të fillonin lëvizjen.    
         Të shpallje vdekjen e një ideje dhe  të pohoje kapërcimin e periudhës së shkatërrimit, do të thoshte t’i pretendoje zërit tënd të dilte nga Kaosi me fillin  e Arianës në duar.
Në anën tjetër, Fishta, përmes epikës së tij, ngriti për herë të parë, mbi këtë gjuhë, konceptin e një kombi modern: sic do të shprehet studiuesi Metthey Curtis: 
Njegosh dhe Fishta janë krijues që ndërthurën traditën orale epike, lëvizjet letrare europiane dhe talentin e tyre individual epik, për t’i krijuar një koncept të ri komunitetit të tyre si një komb modern”.
Koha konkrete lëvizte në gjakun e Fishtës, me tensionet, ankthet impulset, neutralizimet, ballafaqimet, oshilacionet dhe parashikimet e mundshme që duheshin bërë, drejt arritjes   qëllimit final: Kombit, me gjuhë, kulturë, dinjitet, legjitimim!    
            
Në personalitetin e Fishtës, si poet i lindur dhe frat françeskan, përfshihen dy eksperienca, arti dhe e shenjta. Secila prej tyre në vetvete, fjala si art dhe fjala si mision fetar, bartin në vetvete, simbiozën simbolike dhe metaforike me botën.
            Poeti nuk vesh petkun e dogmave, nuk shfaqet mbinatyror, por me thjeshtësinë e besimtarit të Shën Françeskut, prezanton artin e vet me thelb shqiptar, me një imagjinatë sfiduese në tërë arealin e letërsisë së shkruar shqipe.
Fishta vetë, një perlë të krijimtarisë së tij, ia kushton arketipit femëror, të shprehur në  “Jerina, Mbretnesha e Luleve”, si simbolikë e kohës së re dhe qytetërimit shqiptar, si një model në letërsinë shqipe, krahas  atij Fishtë, që do të krijonte këngën epike, si model i arketipit mashkullor, si simbol i traditës më të mirë shqiptare, dëshmimit të një civilizimi të hershëm dhe një historie.
Megjithë zhgunin që mbante mbi supe, merr përsipër të krijojë një vepër kushtuar modelit femëror, e me këtë, përpiqet të provojë, se shqiptarët meritojnë të jetojnë si popull më vete, pse janë të zotë dhe kanë kulturë e bukuri shpirtërore në këngët e kushtuara femrës, çka do të ishte një tjetër provë e shkallës së qytetërimit mendor dhe kulturor të tyre.
Faik Konica në përcaktimin e vlerave të njëmendta të letrave shqipe, shenjon pikësëpari në Gjergj Fishtën me veprën Lahutë e Malësisë, duke e quajtur: “... si prijës intelektual’’.
 Kish thënë dikur At Anton Harapi duke iu drejtuar rinisë shqiptare “Çdo ndërtese i vihen themelet në dhe. Edhe në vorr prandej në hijshim, duhet të jemi gurt të njaj binaje, të cilën sot e quejmë Shqipni”.
  E ne ç'ka bëmë, apo çka po bëjmë?  Asgjë tjetër, përpos se po ia heqim themelet vetvetes, apo vazhdojmë të mos  i njohim, “prijësat e intelektit”. Hoqëm ato, të cilët me intuitën e tyre... e kanë parandjerë edhe të vërtetën e kobit....atyre, që edhe varr s'do  të kishin si shpërblim të intelektit dhe vlerës që na lanë.
  E sot, “...kjo bina e quejtun Shqipni “  nuk i ka dhe akoma s’i njeh sa dhe si duhet, këto themele intelekti, as deshi.. apo as do të tillë..., dhe nëse i pranon, e bën pa zë, pse guximi, që të jep dija e llojit fishtjan akoma nuk është....pjesë e themelit te kulturës sonë.
Dhe ndjen përreth, pasoajt e një Ngrehine, pa guximin e arsyes dhe të shpirtit.
Është për të ardhur keq, për askënd tjetër, por për veten, pikërisht për këputjen e hallkave të zinxhirit në emrat e prijësve të intelektit. Duke ngelur me mbetjet e hallkave në qafët tona, duke u rropatur dikush me dëshirë, dikush përsëri pa dëshirë, por me siguri të gjithë të bindur, se kemi bërë sikur ecëm, ndërsa truri, ngeli atje... duke na lënë të varfër, në intelekt, paralelisht edhe në shpirt,  për të nxjerrë gjë në dritë, duke mos mundur të arrijmë në asnjë përfundim, pa iu rikthyer hallkës së këputur.
Aty dhe vetëm aty, tek ato emra, si Fishta, …e të tjerë  të këtij brezi të artë mendimi dhe kulture....do të na duhet të kërkojmë reminishencë, e të bëhemi domosdoshmërisht, nxënës të Sokratit të dikurshëm në shkencën e maieutikës.
T'i vendosim në themel emra të tillë, t'i pranojmë si intelektualë, si prijës e jo për fjalë boshe...., por për argumentet e pavdekshme të vlerave, që lanë.
Nëse nga terri i largësisë kohore që na ndan prej  Fishtës, përtojmë t'i lodhim sytë për t’a parë në sy, e mendjen e kemi aq të shkurtër, sa s'kemi aq forcë të hollohet gjer tek ai,  me fallsitet, pa ditur ku janë vlerat, ç'janë për ne e ç'humbim prej tyre, qeshim e duartrokasim kot dhe ajo "bina  e quejtun Shqipni" realisht, siç është dhe ka për të ngelur një ngrehinë e padenjë kulture.
Më pëlqen të theksoj këtu një vëzhgim të studiuesit Aurel Plasari:" Po t'i krahasojmë njohuritë e Fishtës, me njohuritë e secilit prej nesh, ai mund të na duket si përbindësh
Do t'i shtoja vëzhgimit të tij thjesht vetëm kaq: Të kemi kurajo t'i kuptojmë e pranojmë përmasat tona prej liliputësh mund të jetë e rëndë, por është më e rëndë të mos i njohim dhe të mos i dimë njësitë matëse, me të cilët ne mund të krenohemi!
    Vërtet, të përballesh me mendimin fishtian është e frikshme, megjithatë, është më mirë të tentosh drejt tij, sesa t'i shmangesh dhe të lësh vrragë dyshimesh për arsye të paqena!
Aq më keq, kur bëhet fjalë për mendimin intelektual dhe studiues dhe të pritmet institucionale në kuadrin e projekteve domosdoshmërisht të duhura për Figurën e
Fishtës, për veprën, mendimin dhe gjuhën e tij, të gjitha madhërisht të pashmangshme për themelet, mbi të cilat ne sot jetojmë, Apo për vizionin....,  që do t’i ofrojmë së ardhmes sonë të përbashkët...  si kulturë apo dritë për të parë botën e qytetëruar përmes së vërtetës së pamashtri, siç thoshte Fishta!
Pse fjala  “ ..rysë e then kryeneqësit e rrashtave ma të forta të njerzet...” thotë Fishta i Madh.

                                                                    



Referenca:

[1] Fishta Gjergj, Vlera e Fjalës, në Fishta, Estetikë dhe Kritikë, përg. Nga Persida Asllan, Hylli i Dritës & Shtëpia e Librit Tiranë, 1999, fq.55.
[1] Gjeçaj At Daniel (Gjini Pal Duka), Fishta, Jeta dhe Veprat, Boton Provinca françeskane Shqiptare,  Shtator 1992, fq 24.
[1]Curtis. Matthew C,  Petar II Petrović Njegoš and Gjergj Fishta : composers of national epics /. - Pittsburgh, 2007. - (The Carl Beck papers in Russian and East European studies ; No. 1808)
 ose Curtis c Mattheë,    Petar II Petrović Njegoš and Gjergj, Composers of National Epics” ,http://www.ucis.pitt.edu/crees/AbstCurtis.pdf.
16 Hamiti, Sabri, Konica jam unëOnufri, Elbasan, Shtator, 1984, f. 46.
17 Harapi, Anton, Vlerë shpirtnore., Tiranë,  f. 48.

18 Plasari, Aurel, Parathënie, në Fishta, Estetikë dhe Kritikë, Antologji, përgatitur nga P. Asllani,Hylli i Dritës & Shtëpia e Librit, Tiranë, 1999, f. 45.
[1] Fishta Gjergj, Atala e Chateaubriand-it, në Fishta, Estetikë dhe Kritikë, përg. Nga Persida Asllani, Tiranë, 1999, fq. 156.


Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...