Libri i ri i autores sjell kujtesën e saj në vargje dhe urtësi popullore
Doli nga botimi për lexuesin libri më i ri i autores Sadie Kryeziu-Bejtullahu. Vëllimi i titulluar “Memorje” krijon një udhëtim imagjinar për lexuesin nëpërmjet imagjinatës dhe kujtesës së autores në vite. E destinuar të mbajë shënime që në vogëli, ajo krijon kështu një hapësirë të ndjeshme mes kujtesës dhe fakteve për të na dhënë simbole të vlefshme shqiptare. Pjesa e shkruar në vitin 1989 nga autorja shqiptare me nëntitullin “BALADË” është një histori e vërtetë e shkruar në vargje. Vetë Sadie Kryeziu Bejtullahu na shprehet: “Shkruar ashtu siç më ka treguar gjyshja ime Fazlija në lidhje me xhaxhain e saj, Alush Smail Javorin. Alush Smail Javori ishte një luftëtar dhe patriot i madh i Kombit Shqiptar, shton autorja. Autorja e titullon “ALUSH SMAILI OSO I RI” dhe që në fillim na bien në sy elementë funksionalë historikë dhe pjesë të kulturës shqiptare si lahuta:
“Lahuta këngën nuk po e ndal
lot gëzimi diellit i kan dal
në Lloziç nëna lindi djalë
Alush Smailit
emrin OSO I RI don me ja lan...”
më tej autorja jep detaje më të gjera lidhur me këtë figurë baladë. Në pjesën tjetër autorja shpalos urtësinë popullore mes aforizmave e fjalëurtive për të afruar një komunikim më filozofik me lexuesin. Libri ka një lehtësi në të lexuar dhe është për të gjithë moshat. Kështu ky botim shton më shumë fjalët për poeten dhe publicisten me perspektivë, Sadie Kryeziu-Bejtullahu.
Sadie Kryeziu-Bejtullahu modeli femëror në britaninë e madhe
Shpeshherë ndjehemi ngushtë të shkruajmë për njerëz që i njohim familjarisht. Ndjehemi kështu, pasi ‘lidhjet’ familjare disaherë ndikojnë dhe ndikohen në ‘hapje gojësh’, apo nga zhgarravitje tefterakësh. Në këtë rast kur nisa të shkruaj për juristen e diplomuar, poeten dhe nënën model të tre vajzave të mrekullueshme dhe talente në disa gjini të artit në Britaninë e Madhe, bashkëshorten e nderuar të Masterit në Ekonomi-Biznes, Abedin Bejtullahut, ndjeva një krenari të pesëfishtë, sepse në të përmblidhen të gjitha që mund e duhet t’i thoshte familja ime. Kështu emri dhe vepra e poetes Sadie Kryeziu-Bejtullahu, ishte vetëm një pikënisje në shtratin e këtyre rrjeshtave.
Sadie Kryeziu-Bejtullahu, së shpejti del me vëllimin e dytë të saj. Është një përbledhje e shtrydhur nga vitet, nga lidhjet e saj me fate njerëzish, me arsye e determinime kohore, por edhe me praktika e konvergjenca jetike. Vargu i saj me lot nëne e burri bashkë, pena e saj me dhimba zemre e trumcatje kritike, ndjenja e saj me shtrime akute të jetës, pasqyra jetike e saj me vizion tejet të ndjeshëm, vjen në këtë vëllim mes një morie të gërshetuar të melosit tradicional poetik dhe vargut pa alarm e rutinë. Kjo autore që ka shkëlqyer gjithmonë në bangat e edukimit në vendlindje, edhe në Britaninë e Madhe, mbetet një model për të tjerët. E specializuar pranë disa kompanive prestigjioze, por edhe me ndjekje e sipër për aspekte të medias, mbetet një arsye e qartë në vëzhgimin tonë dashamirës.
“Persiatje” hapi siparin e dijes
Kohë më parë iu shtua edhe një vëllim poetik lexuesve shqiptarë në Britaninë e Madhe. Ishte libri me poezi “Persiatje” i autores Sadie Kryeziu-Bejtullahu, që pa dritën e botimit nga “Emal”. Në vitin1995 shkrimtari Mehmet Kajtazi ka thënë fjalët e tij në mbështetje e inkurajim të autores. Pastaja disa nga poezitë e saj u botuan nëpër revista të ndryshme: “Studenti” (Fakulteti Juridik); “Zëri i Rinisë”, “Pionieri”, “Rilindja” etj. Disa poezi të saj “E dua nënën”, “Shkolla ime”, “Kosovë” dhe disa nga tregimet e autores si ”Fjala vret”; “Harresa”; “Zëmër e thyer”; “ Kur Pranvera sjell gëzim”; “Një jetë e re po lulëzon gërmadhash” etj u botuan menjëherë pas vlerësimeve nga profesori Sulejman Gashi (Gazetar për RTK, nga Ëashingtoni) si dhe shkrimtari dhe profesori i letersisë Hajdin Morina.
Tashmë “Persiatje” i autores Sadie Kryeziu-Bejtullahu është një vëllim me rreth njëqind poezi të shkruara nga autorja në vite. Të shkruara në vitet me ëndrra rinore, të frymëzuara nga jeta, mjedisi, atmosfera dhe situatat në të cilat ëndrrat e saj u kalkuluan derisa ajo u bë nënë e dy vajzave të dashura të saj. Këto poezi që përfshihen në vëllimin e kësaj autoreje kanë një motiv të qartë e një lidhje të pashtershme me ëndrrat e saj të kahershme për të shkruar, për të lëvruar talentin e saj, bukurinë e natyrës shqiptare, larminë e jetës së ngushtëzuar të kohërave në Kosovë e fatin e jetës mes kurrikulave jetike.
Vëllimi është një frymëmarrje e nisur në strofkat e mbajtura tinëz në kujtesën e Kryeziut dhe një shpërthim vrulli në moshën e pjekur, ku jeta dhe larmia e jetës janë kushtëzim e integrimit, prosperitetit dhe arsyes për ecjen në rrugën e bukur të hapur enkas nga Pavarësia e Kosovës. Janë vargjet e saj kushtuar pikërisht kësaj ruge të bukur që flasin me një ritëm poetik të ndjeshëm mes figurave letrare, vargut të lirë dhe gjithë tentativës së kësaj autoreje për të lëvruar norma të qarta poetike.
Ky vëllim premtues i autores Kryeziu hapi siparin e saj të dijes dhe njohurisë për të paraqitur edhe punë të tjera të shkruara prej saj në vite, por edhe angazhime të tjera të reja si frymëzime të kohërave që jetojmë. Ne i urojmë suksese të mëtejshme autores.
Rreth autores
Sadije Kryeziu-Bejtullahu është një nga poetet e reja që janë pjesë e krijuesve shqiptarë në Britaninë e Madhe. Ajo ka botuar vëllimin e parë poetik, “Persiatje”. Ka lindur në Mleqanin e Klinës. Fëmijërinë e saj e kaloi aty, u rrit në ODËN shqiptare, ku gjyshi i saj i dha krahët dhe fjalën e kuvendit. U rrit më frymën dhe ndjenjën patriotike, të mbajtjes së fjalës, respektit, nderit. Cilësi këto të cilat e percollën gjatë tërë jetës. Cilësi të cilat njeriun e bëjnë njeri.
Shkollen fillore e kreu në Kijevë (Adem Bajrami), të mesmen në gjimnazin “Luigj Gurakuqi” po në Kijevë, vitin e parë dhe të dytë i përfundoi po aty, pastaj vitin e tretë dhe të katërt në gjimnazin “Luigj Gurakuqi” në Klinë. Për tetë vite me radhë ka qenë e shpallur nxënësja më e mirë në mësime dhe sjellje në të gjitha kategoritë e shkollave. Ajo ka qenë kryetare dhe reprezantuese.
Ajo që e bën më të rrëndësishëm faktin e karakterit të saj tejet human, është fakti se ka qenë anëtare dhe aktiviste në Pajtimin e Gjaqeve me Anton Çetën. Si artiste dhe me shpirt artist ka luajtur rolin e Files tek “Udha e Lirisë” etj. Sot është sërrish një aktiviste e papërtuar dhe së shpejti do të ketë shansin të drejtojë edhe disa klasa të arsimit plotësues shqip në Londër.
Sadie Kryeziu-Bejtullahu mbetet kështu modeli femëror në Mbretërinë e Bashkuar.
No comments:
Post a Comment