Agjencioni floripress.blogspot.com

2010/12/17

Akademik prof.dr.Namik M Shehu:Ligji Anti-duhan 1.1 milion duhanpirës në krizë


Duhani është parapëlqyer të pranohet të pihet në forma dhe mënyra nga më të ndryshme prej njeriut.
 Fillimisht fiset indiane të Amerikës e kanë pirë në formë gjethe të tharë. Ai është përdorur edhe duke e përtypur gjethen e njomë me dhëmbë. Më pas, është vazhduar të pihet i grirë, i mbështjellë me fletë. Më tej, është përdorur llulla, çibuku, pipza dhe puro. Ndërsa në Lindjen e Mesme dhe në Turqi, shekuj më parë është pirë me nargjilen, si në Shqipëri nga Ali Pashë Tepelena. 


 Nargjileni pengon shumë kalimin e fenolit, të katranit dhe të nikotinës; por shton mundësinë e marrjes së oksidit të karbonit. Duhani është pirë edhe me të dredhur, sidomos në zonat fshatare, si në fshatrat e Shqipërisë, që haset në 69 % të rasteve. Në ditët tona, duhani filloi të përdoret në forma më të përsosura. Pihet me cigare të zgjedhur, të llojeve dhe madhësive të ndryshme; si "Slims", "Marlboro", "Diamant" etj. Të paketuara në forma luksoze, të përzier e me nikotinë të pastër, për t?i shtuar më shumë kënaqësinë, sidomos të rinjve që e preferojnë shumë. Këto mënyra reklamimi i kanë pasionuar dhe nxitur më tepër njerëzit për ta blerë dhe për ta konsumuar më shumë duhanin, duke e bërë edhe më masivë përdorimin e tij; si pasojë është shtuar edhe prodhimi i duhanit dhe i cigareve, për ta përballuar këtë konsum të madh. Një maksimum i bollshëm i prodhimit, u vërejt në shekullin e XX. Në vitin 1950, ai arriti në shifrat 2.6 milion ton. Oferta për nevojën e duhanit rritej nga viti në vit, duke detyruar kompanitë ta shtojnë prodhimin e tyre. Në vitin 1983, u shtua në 5.8 milion ton. Krahas saj rritej edhe prodhimi i cigareve në miliona. Vetëm një firmë kineze prodhonte 1.700 miliard cigare. Po në Kinë, në vitet e fundit, janë prodhuar 1.8 trilion cigare në vit. Kurse në vitin 2005, janë shitur cigaret me një vlerë 32.5 miliard dollarë. Ndërsa në vitin 1997, janë prodhuar 5.3 trilion cigare në botë; duke i çuar në njëqind milion vdekjet në shekullin XX, dhe mendohet që vdekjet të arrijnë në një miliardë në shekullin e ardhshëm. Në vitin 1998, prodhimi botëror, i shprehur në përqindje paraqitej në këto shifra: në Kinë prodhohej 34%, ndërsa në Sh.B.A. në 11%.

Në vitin 2000 është llogaritur të kenë pirë duhanin 1.1 milion njerëz. Kurse nga ekspertet është parashikuar ta përdorin duhanin në vitin 2025 rreth 1. 6 milion duhanpirës... Në Amerikën e veriut e pinë cigaren rreth 4.7 % e popullatës, në Evropën Perëndimore 9.3 %, ndërsa në Shqipëri, duhani po pushton popullatën, e cila e konsumon 60 %, duke zënë vendin më të parë në Evropë, "si një shembull i mirë", për t?u favorizuar dhe për të shtuar shansin e hyrjes; meqenëse nuk po çan dot, në forma të tjera!! Në Shqipëri, nga statistikat e cituara, rezulton se e pinë duhanin 674 mijë vet, të seksit mashkull dhe 196 mijë të seksit femër, në raport 30 % më shumë tek meshkujt. Po në Shqipëri e fillojnë ta pinë duhanin 81 % e të rriturve përpara moshës 20-vjeçare. Kurse femrat e parapëlqejnë pirjen e duhanit në moshën 14-vjeçare dhe e fillojnë në moshat 18-21 vjeçare, duke e justifikuar se stimulohen, mos të rriten në peshë, si dhe me arsyetime të tjera adoleshente. Në Sh.B.A. e kanë filluar ta pinë duhanin, para moshës 18-vjeçare në 88.9 % të rasteve; dhe e pinë duhanin 23.5 % e popullatës. Nga këta 25.7 % janë burra dhe 21.5 % janë gra. Kurse në Kinë e pinë 3 % e femrave dhe 10 % e nxënësve të shkollave të mesme. Në seksin femër, kohët e fundit, në Amerikë vihet re një ulje e pirjes së duhanit, nën ndikimin e masave të marra dhe të edukimit publik. Kështu nga 20 %, që ka qenë në 2001 është ulur në 15.% në vitin 2005. Kurse nga një studim që është bërë në Nju-Jork, në një kontigjent njerëzish prej 5200 veta në vitin 2006, është konstatuar një rënie e pirjes së duhanit në 13%. Në Sh.B.A. jepen të dhëna informative mbi importimin e nevojës së konsumimit të cigareve, ku evidentohen lëvizje kurbash rritje dhe ulje, në periudha të ndryshme kohe. Në vitin 1997 janë importuar 417.8 milion cigare; që është vlerësuar si një shumë pesë herë më e madhe se e importit të vitit 1993, gjë që vë në pah një harxhim më të madh të duhanit në këtë shtet. Ndërsa në vitin 1999, importi i cigares në Sh.B.A. ul në shifrat 244.8 milion cigare, kurse në vitin 2005 importi i cigareve u rrit në 319.4 milion. Duhani po pushton botën e tretë. Nga statistikat botërore rezulton se nga viti 1970-1994, në vendet e zhvilluara, konsumimi i duhanit u ul në 10 %; kurse në vendet në zhvillim u rrit në 67 %. Statistikat vënë në dukje edhe fakte të tjera. Në seksin mashkull, mbi moshën 15-vjeçare, duhani është pirë më shumë, në disa vende të botës si në Rusi në 67 %, në Turqi 63 %, në Kinë 61 %, në Kore 68.2% etj.



Rreziqet dhe pasojat alarmuese të pirjes së duhanit

Duhani merret, pihet, rrezikon dhe dëmton organizmin e njeriut në dy forma kryesore të përdorimit të tij. Në mënyrë direkte apo aktive; kur personi e pi vet duhanin dhe në formë indirekte ose pasive, apo siç quhet nga tymi i dorës së dytë, të shkaktuar nga duhanpirësit. Dëmtimi i organizmit llogaritet të jetë gati i njëjtë nga përdorimi i të dy formave, në mos më i rrezikshëm, në formën pasive, sepse dëmet janë edhe më masive.

Duhanpirësi përballet me dy dukuri madhore, që ndikojnë rrezikshëm në organizmin e tij. Me fenomenin fispatologjike, që shpjegon lindjen e varësisë, të adaptimit ndaj nikotinës dhe të karakterit drogues të saj, si dhe me shfaqjen e veprimit psikologjik, të kthyer në rutinë dhe të njohur si ves-zakon, të transformuar në dëshirë, vetëkënaqësi, neps apo epsh.

Duhani shkakton mjaft dëme, rreziqe dhe pasoja të shumëllojshme, të shumëfishta dhe me efekte dhe rreze veprimi të gjithanshme; më të tmerrshme se mikrobi apo bakteria, që prek një organ. Kjo bimë vlerësohet dhe konsiderohet si një fatkeqësi madhore dhe si një pllakosje mjaft e rëndë që po njeh njerëzimi në historinë e vet, duke ja kaluar luftërave dhe epidemive infeksioze të kohërave, sepse ato kanë pas një veprim të kufizuar dhe një mbarim; kurse duhani po merr përpjestimet e një pandemija, që nuk po njeh mbarim dhe po korr miliona jetë njerëzish dhe është transformuar në një sëmundje shoqërore kronike me përmasa galopante, të pakrahasuara edhe me diabetin e sheqerit, të hipertensionit arterial, sëmundjes kanceroze etj., duke pasur një propabilitet rrezikshmërie më të përhapur dhe më të rrezikshëm, se favorizon dhe ndikon në një kohë, shfaqjen e mbi 50 sëmundjeve të ndryshme në organizmin e njeriut. Supozohet të konsiderohet "simbol" i murtajës dhe i kolerës së kohës moderne.

Anketat dhe studimet epidemiologjike po dokumentojnë me bindje dhe me fakte të shumta, pasojat e rreziqet e pirjes së duhanit në plakjen e parakohshme të njeriut, në rrudhosjen e shprehur të fytyrës dhe të lëkurës së trupit të njeriut; në humbjen mesatarisht 22 vjet jetë, tek personat një në çdo katër veta, që nisin duhanin në adoleshence dhe e pinë rregullisht gjatë jetës, në vdekjen e parakohshme në gjysmën e duhanxhinjve dhe shton predispozicionin e vdekjes së parakohshme në 40 % tek duhanpirësit dhe tek ata, që tymosen me duhan. Në Sh.B.A. nga ndikimi i pirjes së duhanit vdesin 400 mijë veta në vit, ose një në ç?do pesë vdekje; kurse në Kinë vdesin mbi 1 milion në vit, rreth 2.5 herë më shumë se në Sh.B.A., ndërsa në vitin 2025, vdekjet do të dyfishohen nëse nuk do të ketë ulet niveli i pirjes së duhanit. Në botë, nga duhani vdesin ç?do ditë 11 mijë njerëz dhe gjatë një viti 4 milion njerëz, d.m.th. një vdekje ç?do 8 sekonda. Ky numër mendohet të rritet dhe të arrijë deri në 10-12 milion në vitin 2025. Të dhënat statistikore japin edhe një evidencë të tillë: një në ç?do 5 burra mbi 35 vjeç, që pinë duhan, do të vdesin nga një sëmundje e shkaktuar nga duhani, përpara se të mbushin moshën e pensionit. Sot në vendet e zhvilluara vdesin ç?do vit 2. 5 milion persona, nga përdorimi i duhanit; kundrejt 1.5 milion, që vdesin në vendet në zhvillim. Specialistët mendojnë se ky raport do të përmbyset në vitin 2030, me një përpjestim të tillë, që në vendet e zhvilluara do të kemi 3 milion vdekje dhe në vendet në zhvillim vdekjet do të arrijnë në 7 milion... Pirja e duhanit arrin të shkaktojë në botë më tepër viktima se SIDA, T.B.C., aksidentet rrugore, vetëvrasjet,vrasjet, si dhe vdekjet e nënave gjatë lindjes, të marra së bashku. Tek duhanxhinjtë vërehen edhe një serë problemesh të tjera. Kanë tendencë rritje, receptiviteti më të madh ndaj sëmundjeve të ndryshme, për shkak të uljes së rezistencës së organizmit dhe rënies së imunitetit, duke shtuar frekuencën e morbozitetit dhe mortalitetit në një shkallë më të lartë. Aktiviteti i tyre ditor bëhet më i kufizuar. Ata u shmangen ushtrimeve fizike dhe veprimtarive të tjera të jetës. Bëjnë ditë paaftësie të shumta në punë. Frekuentojnë më shpesh shërbimet mjekësore ambulatore dhe spitalore. Mbi 70 % e duhanpirësve vizitohen më se një herë në vit tek mjeku.

Hulumtimet e shumta dhe studimet shkencore të vazhdueshme kanë zbuluar dhe vërtetuar se kjo bimë "adhuruese" dhe "misterioze", "Tobaco" përmban në përbërjen e vet, shumë lënde toksike, joshëse, ambientuese, të rrezikshme,vdekjeprurëse, që gjatë pirjes, në tymin e cigares, nga djegia e saj, në një temperaturë 700-800 gradë, "notojnë" mbi 4 mijë trupëza (korpuskula) gazoze, nga të cilat 43 lloj janë lëndë kancerogjene. Midis tyre janë identifikuar më së miri dhe më saktë nga sasia, toksiciteti, rrezikshmëria dhe nga veprimi irritues: nikotina, oksidi i karbonit(Co), si dhe një serë përbërës të tjerë helmues, si arseniku, acidi sulfhidrik, piridina, benzopireni, acidi cianidrik, katrani, formaldehidi etj. etj.

No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...