Agjencioni floripress.blogspot.com

2010/12/17

MËHILL VELAJ :Stili poetik i Kullit nën peshën e mendimit emancipues

(Rreth vëllimit me poezi “Këpucët e mjegullës” të poetes Fatime Kulli)

imageFatime Kulli

























Takimi me poeten Fatime Kulli ka ndodhur krejt rastësisht, nëpërmjet krijimtarisë së saj të pasqyruar herë pas here te Forumi virtual “Tefta Tashko Koço”, dhe më pas, me anë të punës së saj në Shtypin shqiptar, “Fjala e Lirë”, Londër, forume dhe website-t “bashkëbisedim intim krijuesish” virtualisht, nëpërmjet poezive, prozës e publicistikës, marrëdhënie polimorfike këto që marrin këndvështrime të ndryshme, duke kombinuar veçmas të paimagjinueshmen. Më pas me Znj. Kulli do të njihesha fizikisht si bashkë-pjesëmarrës në Festivalin e Netëve Poetike të Strugës, do të ndanim së bashku mendime, opinione në gjini të ndryshme, po edhe shkëmbyem librat me njëri-tjetrin.
“Këpucët e Mjegullës” titullohet libri me poezi që unë pata kënaqësinë dhe fatin ta kem në bibliotekën time. Që në fillim e shpreh me bindje se teksa kaloja nga poezia në poezi, ato nuk janë thjesht të lidhura midis lexuesit dhe teksteve, por është universi i tyre që në njëfarë mënyre “emigrojnë” tek unë, tek lexuesit dhe dashamirësit e poezisë, hyjnë në dialog me shoqërinë, të ndikuara edhe nga ndryshimet sociale, emancipuese, e liruar nga tabutë me veten, dëshirën dhe opinionin, guximin dhe forcën shpërthyese të vargut femëror, dashurinë, dhimbjen, mallin, trishtimin, lëndimin, revoltë femërore ndaj inferioritetit marramendës maskilist, mjeshtre e vargut ndaj dhunës, kundërshtojnë tabutë – penë e stil poetik, me të cilën ajo qëmton lehtë impulset universale të jetës. Tingujt e fjalëve ndjekin njeri-tjetrin, formojnë një ansambël vargjesh dhe aureolë emocionesh, të ndjeshme dhe emocionale për të sfiduar nocionet tradicionale të formës e përmbajtjes.
Një nga gjërat e para që të vjen në mendje teksa lexon poezitë e Kullit është në lidhje me marrëdhëniet që poetja ka ndërtuar me bukurinë, shpirtëroren dhe filozofiken.
Poetja Fatime Kulli ka një botë të pasur e të bukur shpirtërore, por edhe fizike, dhe kjo natyrisht, në njëfarë mënyre ka ndikuar së tepërmi në formimin e saj poetik, në këndvështrimin e saj mbi gjërat dhe kam zbuluar si kurrë më parë që kjo bukuri është jo vetëm teori e thjeshtë e trupit, por e lëvizjeve të marra së bashku me realitetin, në kulturën e saj, peshë e mendimit dhe dhuratë e vetëdijes. Pra, një mënyrë e natyrshme për të qetësuar veten ndaj objekteve dhe në të njëjtën kohë mënyra se si synimet e ekzistencës depërtojnë tek ne.
“Një natë në të perënduar,/Ndjeva agun e frymës tënde,/Të më gudulisë si një fëmijë nëpër gushë,/Ndjeva fëshfëritjet e lëkurës tënde,/Të lëkundeshin nën murin e barit të ujshëm,/Ndjeva brenda meje të lëvizte një stuhi e zjarrtë,/Që ndizet rrallë në gjethet e kujtimeve,/Lidhet si gjerdanë në gardhin e zemrës,/Për të më ndriçuar mëngjeset….
Fjalët në vargjet e kësaj poezi të titulluar “Ndjeva agun e frymës tënde”, i bëjnë ato (vargjet) të rrjedhin qetë e shtruar, të arrira estetikisht me mesazh, ndjenjë, metaforë, gjykim lirik, ndjellin rrjedhën e përjetshme, preludin e çasteve magjike me origjinalitetin e ëmbël e real, “për të më ndriçuar mëngjeset…” - poetizon autorja - një virtyt i jashtëm që nuk ekziston në vetvete, një bukuri shpirtërore e fizike që nuk është pronë e “agut” – “të më gudulisë si një fëmijë” – “stuhi e zjarrtë” - shprehet poetja, dhe më poshtë “si gjerdan në gardhin e zemrës” - por që i jep formë shpirtit të dashuruar. Poetja nuk bën iluzione për bukurinë e trupit e të shpirtit sepse ajo është e brishtë dhe e ndriçuar, se kjo bukuri është bujare dhe e lirë, dhuratë që pret vetëm dashurinë.
“Një natë në të perënduar./u fundosa nën shkëlqimin e bebëzave të tua,/si skllave iu binda muskujve të ujitur,/dhe bënë dashuri në shtroje ajri, të babëzitur…./të gjitha puthjet e mblodha si hoje mjalti në prehër,/gishtërinjtë në telat e kitarës rikompozonin një refren: /Ti je drita, ti je gjithësia, ti je dashuria!”
Kështu poetja Kulli feston ekzistencën e bukurisë shpirtërore dhe fizike, të jetës së saj. Dashuria është e përjetshme dhe burimet si lind dhe zhvillohet ajo janë universale. Me një lexim të kujdesshëm të poezive të saj, kupton se Kulli pasqyron ndikimet, aspektet dhe përvojat personale por edhe të lëvizjes feministe në tërësi, që rrjedhin nga varësia emocionale, gëzimit e dëshpërimit, dashurinë e vërtetë dhe motivimit të saj, marrëdhënie që ndikojnë në të për jetën, dhimbjen dhe stresin, herë me shpërthime ndjesore e të zjarrta, herë melankolike, të pastra e drejtpërdrejta;”Për dashurinë time,/tërbohem vetë…/s’e dua tërbimin tënd në qenien time,/lëshoj frerët e frymëmarrjes,/për të shkëputur puthjet e mallkuara,/nga qenia jote e pabesë”, herë me ton revolte sarkastik e ironik. (Poezia “Më lër të të zbuloj…”)
Stili poetik i Kullit është i pajisur më metafora që janë brenda imazheve apo gjuhës figurative, metaforat janë krahasime që prodhojnë imazhe të menjëhershme, krijojnë një marrëdhënie në të njëjtën kohë mes imagjinatës e ndjenjës, në mendjen tonë e të lexuesit.
“dalldisje erëmirë,/kurme që pushtojnë./e fëshfërijnë,/nën petëza të bardha ethesh….” (Poezia “Dashuroj një polic”)
Janë vargje të një poezie e konsideruar e veçantë dhe gjerësisht antologjike, një valë lirike, metaforike, etike, është si një ekuacion i frymëmarrjes, jetës, dashurisë, të frymëmarrjes si nevojë fizike dhe frymëzuese si gjendje metafizike.
Një poezi e identitetit të poetes Kulli, është poezia e fatit të Çamërisë.

“Oh, klithma ime fatzezë
Këmbëvrarë mbi malin e shkelur
Ofshamë tragjedie e kope e therur.
Lulebardhat çelin në pus të harrimit
Ullinj e klumusht i gjirit.

Oh, dashuria ime!
Psherëtimë në qiellzë të lotit
Identitet varur n’bastun udhëkryqesh
Ku kryqëzohen dashuritë…
…lulëzojnë ligësitë.

Oh, mëshirë e pamëshirshme!
Në tokat e mia djerrë
Unë jam çami më i vjetër
Mbi kufomën e gjunjëzimit, shkel.”

Kjo poezi e jashtëzakonshme, sintezë dhe motivit të njohur nga poetja për pjekurinë e saj poetike. Poezia është përshkruese, lirikë patriotike, simbol i përjetshëm i dashurisë për vendin e origjinës, frymëzim dhe aspiratë për përballimin e dramatikes, i dhimbjes, rrënjosur thellë në tokën e Çamërisë dhe historisë së saj.
“Engjëlli im, /buzëqesh përtej Adriatikut…/më vështron me ata sy, sy të panjohur…./nuk të pashë kur linde,/as kur doli dhëmbi i parë,/as kur fillove të ngrihesh në këmbë…/hapësirave të bardha me shtigje mbyllur…”(Poezia “Engjëlli im”)
Është një stil poetik i njohur i poetes duke lidhur temën e poezisë me fatin dhe veten e saj, gjendjen shpirtërore dhe njerëzore, mendimet e fshehta të gjuhës figurative për dashurinë e njerëzve të saj, një poezi e hapur, me kuptimin dhe përzierjen e tyre, që krijojnë e plotësojnë botën e njeriut, krijimin e reciprocitetit të tyre të parimit poetik-dialektik.
Poetja Fatime Kulli falë talentit, profesionalizmit dhe guximit të saj, ka depërtuar në të gjitha rrjedhat e letërsisë, jo vetëm si shkrimtare dhe poete, por edhe si qenie njerëzore, si bashkudhëtare e lëvizjes feministe, duke i dhënë liri, emancipim jetës e dashurisë, mirësisë, humanizmit me kuptimin universal dhe të përjetshëm të njerëzores!

Mëhill Velaj
Stamford CT USA

No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...