Agjencioni floripress.blogspot.com

2010/12/17

MILIANO KALLUPI :Një fjalor enciklopedik mbi shkrimtarët shqiptarë

Në këtë tempull të shenjtë banon Astrit Bishqemi, ndër më të rrallët autorë e studiues të letërsisë për fëmijë e të rinj, ku e bashkëshoqërojnë autorë të tillë të njohur, si: Prof. Bedri Dedja, Prof. Odhise Grillo, Dr. Agim Deva, Xhevat Syla, Nehas Sopaj, Prend Buzhala, Ramazan Çadri, Faik Shkodra, Fejzi Boku, Hasan Hasani, e ndonjë tjetër.

imageMiliano Kallupi

Vetëm një lexues i vëmendshëm mund të ndalet te faqet 45-47 të Fjalorit enciklopedik “Autorë të letërsisë shqiptare për fëmijë e të rinj (1886-2009)” dhe do t’i bëjë përshtypje emri i shkrimtarit dhe studiuesit të mirënjohur për fëmijë e të rinj, Pr. As. Dr. Astrit Bishqemi, që ka nisur të botojë për ta që nga libri i parë për fëmijë, novela “Gjoksshkëmbi” (1972) e gjer në librin e kohëve të fundit, “Leksikoni”, botuar më 2009.
Pra tridhjetë e shtatë vjet krijimtari, 65 libra, që me një llogaritje të thjeshtë matematikore, i takon të botojë gati dy libra në vit. Dhe kjo nuk është pak. Duke pasur parasysh opusin e madh të krijimtarisë së tij, dhe jo vetëm të asaj, letrare, por edhe studimore, menjëherë do të të shkojë nëpër mend se vetëm një autor i tillë mund t’i hyjë një pune kaq serioze e profesionale, siç është edhe libri “Autorë shqiptarë të letërsisë për fëmijë e të rinj” (1886-2009). Dhe ky “Leksikon” ka ardhur në mënyrë të natyrshme si rrjedhojë e një pune studimore e hulumtuese të mëparshme, të kujdesshme dhe të përgjegjshme. Kujtoni këtu se janë nëntë vepra të këtij karakteri. Siç shihet, shkallët janë ngjitur gradualisht me më vëmendje e sy të veçantë që e kanë çuar autorin në majën e vlerësimeve e të suksesit. Në këtë tempull të shenjtë banon Astrit Bishqemi, ndër më të rrallët autorë e studiues të letërsisë për fëmijë e të rinj, ku e bashkëshoqërojnë autorë të tillë të njohur, si: Prof. Bedri Dedja, Prof. Odhise Grillo, Dr. Agim Deva, Xhevat Syla, Nehas Sopaj, Prend Buzhala, Ramazan Çadri, Faik Shkodra, Fejzi Boku, Hasan Hasani, e ndonjë tjetër.
Është me vend të nënvizojmë faktin se Bishqemi, me punën studimore që ka bërë, por edhe me lidhjet e shumta që ka me autorë shqiptarë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoni e në Mal të Zi, ka arritur t’i njohë mirë e saktë zhvillimet e letërsisë për fëmijë e të rritur ndër vite, fazat që ajo ka kaluar, veprat në përgjithësi, arritjet dhe dobësitë e saj, të cilat janë trajtuar fortbukur në librin e tij voluminoz rreth njëmijë faqe “Historia e letërsisë shqiptare për fëmijë” vepër e cila ishte planifikuar të realizohej nga Akademia e Shkencave nga një grup studiuesish, por që u arrit të dalë në dritë nga një autor. Dhe ky është Astrit Bishqemi. Gjykojeni vetë se ç’punë rrëmuese ka bërë ky autor, ku më vjen çudi që vlerësimet për të kanë qenë jo në nivelin e meritës. Edhe në këtë fushë kaq të rëndësishme e serioze të ketë egoizëm? E pse? E kujt i ka hyrë në hak ai? Veçse krijimtarisë letrare të tijës, sepse në rast se zoti Astrit nuk do të merrej me studime, duke harxhuar mjaft kohë produktive për të, me siguri do të shkruante e botonte edhe njëzet libra të tjerë për fëmijë e të rinj. E njoh mirë intensitetin e punës krijuese të tij. Por ja që letërsia shqiptare për fëmijë ka nevojë dhe për “pesha të rënda”, për studime e gjurmime që e vënë atë pa mëdyshje mbi baza të vërteta shkencore.
Le t’i rikthehemi më konkretisht “Fjalorit enciklopedik”. Duhet ditur që ky leksikon nuk është i pari, por vazhdë e disa fjalorëve të këtij karakteri, ku më të spikaturit janë ato të Prof. Odhise Grillos në Shqipëri dhe të Hasan Hasanit në Kosovë.
Po ku qëndrojnë vlerat dhe dallimet në raport me to?
Në krye të herës mund të them se ky fjalor bën një përcaktim shkencor të fillimit të krijimtarisë për fëmijë e të rinj, siç është viti 1886, kur poeti ynë kombëtar, Naim Frashëri, botoi në Bukuresht tre libra, një me vjersha e dy me proza, të cilat dilnin jashtë kuadrit të programeve shkollore. Është pikërisht ky fillim i mbarë që shërbeu e shërben për edukimin dhe formimin artistik dhe estetik të fëmijëve e të rinjve tanë. Brezni të tëra janë rritur duke pasur nëpër duar libra për moshën e tyre të autorëve shqiptarë e atyre botërorë.
Vlerë tjetër e librit është paraqitja e mjaft autorëve (823), të cilët në raport me dy leksikonët e mëparshëm është më i madh, megjithëse në të nuk pasqyrohen autorë-fëmijë ose “letërsi fëminore”, siç ishin në leksikonin e Prof. Odhise Grillos, apo autorë të anatemuar nga diktatura komuniste, si dhe kategorinë e analistëve dhe studiuesve të letërsisë për fëmijë. Ndërkohë duhet ndërmendur se ky leksikon, në dallim me atë të Grillos që regjistron deri në vitin 1995 dhe ai i Hasanit që mbyllet në vitin 2001, pasqyron veprimtarinë krijuese e botuese të autorëve shqiptarë gjer në vitin 2008 e më tej gjer në mesin e vitit 2009. Pra është me një bazë më të gjerë e më të plotë, gjati-gati gjer në shterje.
Tjetër. Janë evituar me kujdes pasaktësitë dhe gabimet e leksikonëve të mëparshëm, duke filluar nga datëlindjet e duke mbaruar me titujt e librave, me vitet e botimit të tyre në klasifikimin e zhanreve, në adresimin për “të rritur dhe për “fëmijë” etj. Këto gabime e pasaktësi në “Leksikonin” e Bishqemit janë shmangur, duke iu përgjigjur drejt kriterit shkencor dhe çoroditjes së lexuesit. Dhe kjo është meritë e tij, duke qenë i ndërgjegjshëm e skrupuloz në punën hulumtuese e ballafaquese me autorët e me veprat konkrete të tyre.
Meritë tjetër e autorit është se në libër, për veprat e autorëve janë shënuar jo vetëm vitet e botimit, por edhe shtëpitë botuese dhe ndërkohë përcaktohet edhe serioziteti i botimit, duke i qëndruar mjaft herë larg komercializmit dhe fitimit të paskrupullt e duke synuar botime dinjitoze e me vlera të spikatura edukative.
Ky libër kap një gamë të gjerë lexuesish. Së pari, ky është një thesar në duart e studiuesve të letërsisë dhe pedagogëve të universiteteve në shkallë vendi e më gjerë. Së dyti, përparësitë e këtij libri janë një ndihmesë e paçmuar për mësuesit e ciklit të ulët dhe atyre të arsimit të mesëm, si dhe të studentëve që studiojnë për gjuhë e letërsi shqipe.
Për të gjitha këto dhe hollësira të tjera, që nuk ia vlen të zgjatemi, për atë këmbëngulje, vullnet e durim prej “mali me dëborë”, them me shpirt e me plot gojën si krijues e si mik i hershëm i Astrit Bishqemit se libri i tij “Autorë të letërsisë shqiptare për fëmijë e të rinj (1886-2009)” është një vepër e madhe e unikale, me vlera të padiskutueshme njohëse, historike e studimore.

No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...