2010-12-17

PROF. ASSOC. LEDRI KURTI : “At Gjergj Fishta – prijësi intelektual


image Prof. Assoc. Ledri KURTI
i dëbuar, i ndaluar, por madhërisht i pashmangshëm për themelet e kombit , gjuhës dhe kulturës shqipe.





     “Nieri des, po, kalbet e harrohet; Fjala rrnon e kërthnestë në verigë sado të gjatë te motevet”
    Shumëkush tashmë e ka pohuar se Fishta kishte lindur poet, sikurse Fishta vetë pohonte për poetët e vërtetë “ Poeta Nascitur!”. Por Fishta kishte edhe një mision të marrë përsipër me përgjegjësinë e dinjitetit, zhgunin e misionarit françeskan.  
Në koshiencë dhe subkoshiencë për Fishtën, nga Poeti dhe Frati françeskan fjala ishte e Para! Fjala ishte thelbi, ishte kodi, ishte misioni, ishte pasuria. Kështu në Fishtën ishin takuar e shkrirë dy  lloje eksperiencash të transmetimit të fjalës, ndaj fjala tek ai, merrte forcën e fjalës së profetit në shërbim të kombit dhe shpirtit të njerëzve
 Zëri i duhur për të shkundur kllapinë ireale e varfëruese, u bë  zëri i tij epik, më saktë, gjuha në thellësinë e përmasave të origjinalitetit fishtjan, por dhe mendimi i guximshëm në “ Hyllin e Dritës”, që shoqëroi gjithë jetëgjatësinë e krijimit të kësaj poeme.
Fishta nxori nga thellësitë e fshehura pa zë, në shkëlqim të diellit,  ndjenjat e popullit të sfrustruar dhe të paorientuar, ktheu besimin në vete dhe mëshoi në domosdoshmërinë e gjuhës, jo aq epike si qëllim, sa origjinale si thelb, modelin e një Quid Unicumi të rruzullimit gjuhësor dhe letrar.
     Të flasësh, apo të guxosh të hysh në fjalët dhe mendimin e Fishtës shprehur në to, është një barrë vërtetë e rëndë, për të cilat nuk marr guximin të them asnjëherë se dje, sot, apo nesër, s’ka pasur, s’ka, apo s’do të ketë më çfarë të thuhet, ndonëse fjalët e tij janë të qarta, por pesha e tyre është e rëndë, në këtë kontekst dhe nuk shterron.
 Ndërsa për heshtjen ndaj tij…. pas 40-ës…. dhe pas 1990 - ës , mund të thuash shumë shpejt, shumë arsye njëherësh, madje edhe    përsëritura….!   
                                          Fishtës, i njihet merita, e futjes për të parën herë në Shqipëri e mësimit të gjuhës shqipe në Shkollën e Fretënve tė Shkodrës. Fishta ishte  drejtor i kësaj shkolle. Duke qenë në një pozitë të tillë e shndërroi atë, në shkollë të mesme.
Udhëhoqi botimet në një shtypshkronjë, që e kishte sjellë Vetë në Shqipëri. Ngriti  një bibliotekë dhe muzeumin e Parë në Shqipëri.
 Pėrfaqësoi Shqipërinë në Konferencën e Paqes në Paris, në disa konferenca ballkanike si dhe, në shumë veprimtari të tjera ndërkombëtare të zhvilluara në Londėr, Nju-Jork, Pragë, Vatikan etj. Si deputet i Shkodrës, Fishta mori pjesë në Parlamentin e parë Shqiptar.
   Gjergj Fishta u nderua me çmime, tituj e urdhra ndër më të lartat e kohës, nga shteti Austro – Hungarez, Greqia, nga Papa Piu IX, Turqia dhe më 1939, bëhet anëtar i Akademisë Italiane. Gjithashtu është i pari shqiptar i propozuar për çmimin Nobel.
Kultura e tij, qe ndikim i leximeve latine, frënge, italiane, sllave, spanjolle.
              Njeh greqishten, por siç shprehet studiuesi Pal Duka – Gjini, nuk ka ndjerë sigurinë e gjuhëve të mësipërme.
  Shoqëria letrare Bashkimi  themeluar më 1899me kryetar Preng Doçin, Fishtën do ta kishte liderin e saj, sidomos për krijimin e një alfabeti funksional e me kritere shkencore, që do të përhapej në Shqipëri dhe në kolonitë shqiptare kudo në botë.
Po ashtu, Gjergj Fishtës i njihet merita kryesore e njësimit të alfabetit të gjuhës shqipe, qoftë edhe për faktin, se ai kryesoi Komisionin për Hartimin e Alfabetit, të cilin Kongresi i Manastirit, mė 1908, e miratoi si alfabet të vetëm të shqipes.
 Themelon  revistën Hylli i Dritës më 1913 dhe gazetën Posta e Shqypnis. Sic vëren sërish, studiuesi Pal Duka - Gjini, “…po qe se Fishta asht i madh për Lahutë të Malsisë, i madh dhe ma i madh asht për Hyllin e Dritës.
Bashkëpunoi në organe  të ndryshme të kohës. Poet i shquar lirik, epik, satirik i fuqishëm. Botoi mbi 20 vepra ku përmendim: “Anzat e Parnasit”1907, “Mrizi i Zanave” 1913, “Juda Makabe”1920, “Gomari i Babatasit”1923,  “Lahuta e Malcisë”1937. Me vlerë specifike dhe unikale janë  studimet e tij estetike dhe po aq    vlefshme janë studimet e tij  kritike. Vdes më 30 Dhjetor 1940.
Që  pragshekulli XX, të merrte  përsipër një Iliadë, për Shqipërinë do të thoshte të shpallte, jo vetëm vdekjen e një perandorie si ajo osmane, pasi Shqipëria ishte preja e saj e fundme, por mbi të, të shpallte vdekjen edhe të  idesë  së fqinjëve, pse jo edhe të Europës, që “veç për vedi mendon” – do thoshte Fishta.

Kjo mund të arrihej vetëm përmes pohimit me zë të vetes.

Guximi i pohimit të vetes si ekzistencë, si pasuri shpirtërore, kulturë e identitet më vete, është dhe shtysa e parë  për të pohuar modernitetin e  Fishtës, duke parë dhe kuptuar tek ai, guximin për të thyer tabutë e frikës, që sollën kohët e humbura kronologjike shqiptare e mbi të gjitha, për të shpallur moshumbjen e tyre të mëtejshme. Akrepat e  kohës  tashmë duhej të fillonin lëvizjen.    
         Të shpallje vdekjen e një ideje dhe  të pohoje kapërcimin e periudhës së shkatërrimit, do të thoshte t’i pretendoje zërit tënd të dilte nga Kaosi me fillin  e Arianës në duar.
Në anën tjetër, Fishta, përmes epikës së tij, ngriti për herë të parë, mbi këtë gjuhë, konceptin e një kombi modern: sic do të shprehet studiuesi Metthey Curtis: 
Njegosh dhe Fishta janë krijues që ndërthurën traditën orale epike, lëvizjet letrare europiane dhe talentin e tyre individual epik, për t’i krijuar një koncept të ri komunitetit të tyre si një komb modern”.
Koha konkrete lëvizte në gjakun e Fishtës, me tensionet, ankthet impulset, neutralizimet, ballafaqimet, oshilacionet dhe parashikimet e mundshme që duheshin bërë, drejt arritjes   qëllimit final: Kombit, me gjuhë, kulturë, dinjitet, legjitimim!    
            
Në personalitetin e Fishtës, si poet i lindur dhe frat françeskan, përfshihen dy eksperienca, arti dhe e shenjta. Secila prej tyre në vetvete, fjala si art dhe fjala si mision fetar, bartin në vetvete, simbiozën simbolike dhe metaforike me botën.
            Poeti nuk vesh petkun e dogmave, nuk shfaqet mbinatyror, por me thjeshtësinë e besimtarit të Shën Françeskut, prezanton artin e vet me thelb shqiptar, me një imagjinatë sfiduese në tërë arealin e letërsisë së shkruar shqipe.
Fishta vetë, një perlë të krijimtarisë së tij, ia kushton arketipit femëror, të shprehur në  “Jerina, Mbretnesha e Luleve”, si simbolikë e kohës së re dhe qytetërimit shqiptar, si një model në letërsinë shqipe, krahas  atij Fishtë, që do të krijonte këngën epike, si model i arketipit mashkullor, si simbol i traditës më të mirë shqiptare, dëshmimit të një civilizimi të hershëm dhe një historie.
Megjithë zhgunin që mbante mbi supe, merr përsipër të krijojë një vepër kushtuar modelit femëror, e me këtë, përpiqet të provojë, se shqiptarët meritojnë të jetojnë si popull më vete, pse janë të zotë dhe kanë kulturë e bukuri shpirtërore në këngët e kushtuara femrës, çka do të ishte një tjetër provë e shkallës së qytetërimit mendor dhe kulturor të tyre.
Faik Konica në përcaktimin e vlerave të njëmendta të letrave shqipe, shenjon pikësëpari në Gjergj Fishtën me veprën Lahutë e Malësisë, duke e quajtur: “... si prijës intelektual’’.
 Kish thënë dikur At Anton Harapi duke iu drejtuar rinisë shqiptare “Çdo ndërtese i vihen themelet në dhe. Edhe në vorr prandej në hijshim, duhet të jemi gurt të njaj binaje, të cilën sot e quejmë Shqipni”.
  E ne ç'ka bëmë, apo çka po bëjmë?  Asgjë tjetër, përpos se po ia heqim themelet vetvetes, apo vazhdojmë të mos  i njohim, “prijësat e intelektit”. Hoqëm ato, të cilët me intuitën e tyre... e kanë parandjerë edhe të vërtetën e kobit....atyre, që edhe varr s'do  të kishin si shpërblim të intelektit dhe vlerës që na lanë.
  E sot, “...kjo bina e quejtun Shqipni “  nuk i ka dhe akoma s’i njeh sa dhe si duhet, këto themele intelekti, as deshi.. apo as do të tillë..., dhe nëse i pranon, e bën pa zë, pse guximi, që të jep dija e llojit fishtjan akoma nuk është....pjesë e themelit te kulturës sonë.
Dhe ndjen përreth, pasoajt e një Ngrehine, pa guximin e arsyes dhe të shpirtit.
Është për të ardhur keq, për askënd tjetër, por për veten, pikërisht për këputjen e hallkave të zinxhirit në emrat e prijësve të intelektit. Duke ngelur me mbetjet e hallkave në qafët tona, duke u rropatur dikush me dëshirë, dikush përsëri pa dëshirë, por me siguri të gjithë të bindur, se kemi bërë sikur ecëm, ndërsa truri, ngeli atje... duke na lënë të varfër, në intelekt, paralelisht edhe në shpirt,  për të nxjerrë gjë në dritë, duke mos mundur të arrijmë në asnjë përfundim, pa iu rikthyer hallkës së këputur.
Aty dhe vetëm aty, tek ato emra, si Fishta, …e të tjerë  të këtij brezi të artë mendimi dhe kulture....do të na duhet të kërkojmë reminishencë, e të bëhemi domosdoshmërisht, nxënës të Sokratit të dikurshëm në shkencën e maieutikës.
T'i vendosim në themel emra të tillë, t'i pranojmë si intelektualë, si prijës e jo për fjalë boshe...., por për argumentet e pavdekshme të vlerave, që lanë.
Nëse nga terri i largësisë kohore që na ndan prej  Fishtës, përtojmë t'i lodhim sytë për t’a parë në sy, e mendjen e kemi aq të shkurtër, sa s'kemi aq forcë të hollohet gjer tek ai,  me fallsitet, pa ditur ku janë vlerat, ç'janë për ne e ç'humbim prej tyre, qeshim e duartrokasim kot dhe ajo "bina  e quejtun Shqipni" realisht, siç është dhe ka për të ngelur një ngrehinë e padenjë kulture.
Më pëlqen të theksoj këtu një vëzhgim të studiuesit Aurel Plasari:" Po t'i krahasojmë njohuritë e Fishtës, me njohuritë e secilit prej nesh, ai mund të na duket si përbindësh
Do t'i shtoja vëzhgimit të tij thjesht vetëm kaq: Të kemi kurajo t'i kuptojmë e pranojmë përmasat tona prej liliputësh mund të jetë e rëndë, por është më e rëndë të mos i njohim dhe të mos i dimë njësitë matëse, me të cilët ne mund të krenohemi!
    Vërtet, të përballesh me mendimin fishtian është e frikshme, megjithatë, është më mirë të tentosh drejt tij, sesa t'i shmangesh dhe të lësh vrragë dyshimesh për arsye të paqena!
Aq më keq, kur bëhet fjalë për mendimin intelektual dhe studiues dhe të pritmet institucionale në kuadrin e projekteve domosdoshmërisht të duhura për Figurën e
Fishtës, për veprën, mendimin dhe gjuhën e tij, të gjitha madhërisht të pashmangshme për themelet, mbi të cilat ne sot jetojmë, Apo për vizionin....,  që do t’i ofrojmë së ardhmes sonë të përbashkët...  si kulturë apo dritë për të parë botën e qytetëruar përmes së vërtetës së pamashtri, siç thoshte Fishta!
Pse fjala  “ ..rysë e then kryeneqësit e rrashtave ma të forta të njerzet...” thotë Fishta i Madh.

                                                                    



Referenca:

[1] Fishta Gjergj, Vlera e Fjalës, në Fishta, Estetikë dhe Kritikë, përg. Nga Persida Asllan, Hylli i Dritës & Shtëpia e Librit Tiranë, 1999, fq.55.
[1] Gjeçaj At Daniel (Gjini Pal Duka), Fishta, Jeta dhe Veprat, Boton Provinca françeskane Shqiptare,  Shtator 1992, fq 24.
[1]Curtis. Matthew C,  Petar II Petrović Njegoš and Gjergj Fishta : composers of national epics /. - Pittsburgh, 2007. - (The Carl Beck papers in Russian and East European studies ; No. 1808)
 ose Curtis c Mattheë,    Petar II Petrović Njegoš and Gjergj, Composers of National Epics” ,http://www.ucis.pitt.edu/crees/AbstCurtis.pdf.
16 Hamiti, Sabri, Konica jam unëOnufri, Elbasan, Shtator, 1984, f. 46.
17 Harapi, Anton, Vlerë shpirtnore., Tiranë,  f. 48.

18 Plasari, Aurel, Parathënie, në Fishta, Estetikë dhe Kritikë, Antologji, përgatitur nga P. Asllani,Hylli i Dritës & Shtëpia e Librit, Tiranë, 1999, f. 45.
[1] Fishta Gjergj, Atala e Chateaubriand-it, në Fishta, Estetikë dhe Kritikë, përg. Nga Persida Asllani, Tiranë, 1999, fq. 156.


No comments:

Post a Comment

181 vjet nga lindja e Ismail Qemalit

                           Kërko brenda në imazh                         Nga Flori Bruqi  Teksa ngrinte flamurin e palosur të Skënderbeut pë...