Unë vet që po i shkruaj këto rrjeshta jam thjeshtë një lexues dhe shpreh këndvështrimin tim.
Romani “Aksidenti” është konceptuar nga autori në tërësinë e tij si një dosje gjyqi, e cila ka mbërritur për tu gjykuar dhe vlerësuar nga lexuesi mbi bazën e fakteve dhe hamëndjeve të supozuara. Ka kaluar kjo dosje të gjithë fazën përgatitore të pyetjeve të dëshmitarëve, të grumbullimit të fakteve dhe pastaj kalon për shqyrtim para lexuesit gjyqtar. Njëllojoj si në një rast aksidenti apo krimi real, faza e përgatitjes investiguese deri në dërgimin e dosjes në gjyq merr jo vetëm kohë në grumbullimin e fakteve por kërkon zgjuarsi në sistemimin e atyre në funksion të zbërthimit të enigmës. Kjo fazë hyrëse në roman e fut lexuesin në labirintin e një proçesi hetimi. Mendoj se autori ka ruajtur qëllimisht këtë raport “disi mundues” të lexuesit në këtë fazë hyrëse të romanit me fazën tjetër interesante gjykuese mbi faktet, kalimin në sallën e gjyqit të analizës së fakteve dhe sjelljeve të personazheve bazuar në konceptet që ato i mbartin. Njëlloj si ai njeriu që pas kalimit nëpër labirintet e errëta të një kështjelle më në fund del në një ambjent të hapur ku i çfaqet para syve skulptura e mrekullueshme antike e ndriçuar në mënyrë të tillë që e bën akoma më magjepsëse këtë çfaqje.
Nuk është një roman i lexueshëm dhe i kuptueshëm lehtësisht në thelbin e mesazhit që përcjell.
Përmban mesazhe filozofike për shoqërinë dhe për sjelljen e njerëzve në shoqëri, sjellje që ka oshilacione dhe befasira nga më të papriturat të reflektuara në personazhet e romanit.
Unë vet që po i shkruaj këto rrjeshta jam thjeshtë një lexues dhe shpreh këndvështrimin tim.
Mendoj se ka disa interpretime jo të drejta një shkrim ese me titull “Aksidenti… Aksidentalisht”, në të cilin ngushtohet shumë këndvështrimi i ideve të romanit, deri - deri brenda botës së ngushtë të mendimit shqiptar.
Kjo ndodh sepse ne akoma mendojmë brenda kornizës së konceptit shqiptar dhe harrojmë se Kadare ka dalë jashtë kornizave shqiptare në konceptimin filozofik të jetës. Për shkrimtarin jeta me shqetësimet e tronditjet e saj nuk është vetëm ajo brenda Tiranës. Shkrimtari koncepton dhe zhvillon si një europian i cili mbart brenda vetes edhe filozofinë shqiptare.
Por autori i kësaj eseje pavetëdijshëm e tradhëton opinionin e tij mospëlqyes për veprën kur me sinqeritet naiv shkruan: “Unë ndjehem mirë te “Aksidenti” vetëm se më lindin shumë pyetje dhe e di mirë se këto mundësi interpretimesh t’i japin veprat e fuqishme. Vetëm në kësi rastesh lexuesi bëhet pjesëmarrës dhe ndërton romanin e tij. Kjo ndodh si në këtë rast kur romani nuk e shpall në mënyrë retorike thelbin e vet, por operon me shenjat, gjuhën figurative, madje dhe me heshtjen e, kësisoj simboli dhe metafora e bëjnë lexuesin të zhytet në kënaqsinë e zbardhjes së enigmave. …… Nuk është vrarë çifti B-R por natyra e dytë e femrës”. Vazhdon: “Për mendimin tim është nga rrëfimet më enigmatike të prozës së Kadaresë, e në këtë kuptim tenton për një roman modern”.
Kur lexon këto rrjeshta thua me vete, bukur, kaq sa ke shkruar mjafton, sepse gjatë leximit të “Aksidentit” nën instiktin e së bukurës je shtyrë drejt kuptimit të lëndës, tregon se romani të ka magjepsur, të ka futur në atë qerthull që duhet të të zhysë një autor i klasit të lartë, të ka ngritur në një shkallë më të lartë konceptimi dhe arsyetimi mbi shoqërinë. Gjithë shpjegimet e tjera të zgjatura më poshtë tregojnë një qëndrim tjetër me nota regreduese pasi po ky lexues nuk dëshiron që t’a pranoj se po shijon një letërsi klasi.
Përse e them këtë? Në këtë ese autori krahas tërheqjes që bën nga pohimi lavdërues përdor edhe cilësimet puthadorë e servilë për ata dashamirës ose admirues të shkrimtarit.
Vetëm me ne shqiptarët ndodh që të përdorim termat servilë dhe puthadorë për dikë që pëlqen ose adhuron letërsinë e një shkrimtari të madh të vendit të vet.
Asnjë popull tjetër nuk cilëson në këtë mënyrë admiruesit e një shkrimtari të madh. Ne ngatërrojmë konceptin e Admiruesit të artit cilësor me atë të Servilit.
Një servil e puthadorë sillet si i tillë sepse priret në këto veprime nga një përpjekje për një përfitim material, apo një vend pune, për një emër fitues në një konkurs, për një çmim jurie, etj, përfitime këto të pamerituara. Do me thënë është në mes një përfitim material i dhënë me hatër nga një institucion apo individ me funksion pushteti, nga një president kompanie biznesi apo ndonjë kryetar koperative, (i afërt si koncept me mentalitetin e shqiptarit).
Në rastin tonë shkrimtari Kadare është vërtetë një institucion, por institucion shpirtëror i cili nuk shpërndan dhurata ose dekorata. Institucioni shpirtëror i shkrimtarit me letërsinë e tij dhuron botë shpirtërore, kulturë dhe filozofi jete për lexuesit e tij. Prirja drejt admirimit të një shkrimtari nuk është imponuese. Ajo është instikt shpirtëror ndaj së bukurës, ndaj idesë lartësuese letrare, është çështje shijesh e preferencash sipas formimit kulturor të çdokujt. Shkrimtari nuk arrin të njihet fizikisht me admiruesit e tij, siç ndodh me servilin e puthadorin të cilët, njihen me personin me pushtet vule e firme nga i cili presin përfitimin e dëshiruar.
Admiruesi i shkrimtarit mjaftohet me pasjen në duart e tij të librit e ndoshta, autori i esesë që përdor termin servilë mund të jetë një nga ata që ndonjëherë ka qëndruar në radhë për të blerë librin e shkrimtarit me autografin e tij.
Vulgaritete të tilla në një shkrim nuk e nderojnë njeriun që shprehet në këtë mënyrë.
Te shkrimtari duhet të analizohet vlera e artit, ndryshe bie në banalitete. Në po atë shkrim ese nga autori thuhet për shkrimtarin Kadare: “Pas viteve 90’ pёr tё ka punuar mё tepër emri, cmimet dhe Shtëpia Botuese “Onufri”sesa vepra.. Lajthitje që nuk meritojnë trajtim më tej.
Këtu ka ngecur ky lexues, përpëlitet konfuz në mendime dhe nuk shkon dot më thellë në kuptimin e mesazheve, dilemave njerëzore që trajton autori.
Pajtohem me këtë lexues në mendimin se “Aksidenti” është një roman që jo vetëm tenton por mendoj se
është një roman modern i mirëfilltë. Përse?
Teknika letrare narrative e përdorur bazohet në psikanalizën frojdiane dhe “stream of consciousness”, ose “flusso di coscienza”, rrjedhjen e mendimeve ashtu si vijnë në vetëdijen e njeriut, e përdorur mjeshtërisht nga autorët e mëdhenj në letërsinë moderne me James Joyce, Virginia Ŵoolf, E. Heminguej, F. Kafka etj.
Dominon kjo teknikë në romanet psikologjikë të letërsisë anglosaksone ku vendoset në plan të parë individi me konfliktet e tij të brendëshme, emocionet, ndjesitë dhe pasionet e tij. Krijohen karaktere kontradiktore dhe me arsyetime herë herë të pa organizuara në mendjen e njeriut derisa konturojnë hamendësimet e sjelljes sipas një morali që shkon kontrovers me të përgjithëshmen.
Këtu luan rol të veçantë nocioni i kohës, nocion i cili në romanin “Aksidenti” zhvillohet sipas konceptit Aristotelian ku gjithëçka është lëvizje, numra lëvizjeje me respekt të së djeshmes mijëravjeçare dhe të së ardhmes, të cilat reflektojnë, janë të vendosura përpara një pasqyre ku projektohen imazhe të sjelljes së vetëdijshme e të pavetëdijshme, ndërveprojnë te njëra tjera duke i shtrënguar personazhet në morsën e ballafaqimit, kundërvënies dhe çlirimit të atyre sjelljeve e dëshirave që vërtiten për njerëzimin në kohë e hapsirë.
Mes gjithë këtyre dilemave morale që ka njerëzimi edhe ai vet akoma nuk e di se nga do i anojë ballanca e sjelljes shoqërore. Nga rikthimi drejt dashurisë, seksit, familjes, instiktit dhe moralit të kornizave me sjelljet e para disa mijëra viteve, d.m.th drejt kapërcimit të ylberit e lëshimeve instiktive si qënie njerëzore apo do qëndroj në konservatorizmin e kultivuar në mijëvjeçarin e fundit. Këtu nuk kemi të bëjmë me një libër filozofik por me një roman që, me art të klasit të lartë ngre arsyetime filozofike me të cilat ndeshet jeta e shoqërisë perëndimore.
Mendoj se vlen të nënvizohet diçka themelore – njerëzit perceptojnë njësoj por analizojnë në mënyra të ndryshme, dhe kjo i dallon në këndvështrimet nga njeri tjetri. Dallon individin lexues në qëndrimet e tij ndaj një vepre letrare e fenomeneve të ndryshme shoqërore. Ky roman nuk ka për qëllim të trajtojë temën politiko shoqërore të Ballkanit. Ndërthurjet anësore të ndodhive ballkanike janë veshje dytësore, trille artistike në funksion të thelbit që mbart tema kryesore.
A mund të ketë kaluar pa u pasur parasysh nga Kadare përgjatë shkrimit të romanit Aksidenti rasti i aksidentit të princeshës Diana në Parisin ku jeton autori?.
Padyshim që shkrimtari e ka pasur parasysh, dhe mendoj se e ka shfrytëzuar si një dramë dashurore në laboratorin e krijuesit. Tragjizmi i saj i ka ardhur si një fakt e argument më shumë në analizat e deduksionet e tij, ndaj dhe teknikat e përdorura në ndërtimin e veprës janë kaq të ngjashme me aksidentin në fjalë.
Me princeshën Diana dhe fundin e saj tragjik mendimi dhe filozofia e jetës së shoqërisë hyri në një relation të ri në raport me konceptet për dashurinë dhe kornizat moralo familjare që ajo manifestoi, madje si një risi që u respektua nga gjithë bota.
Misteri nuk qëndron te aksidenti tragjik, por te drama e kësaj femre e cila simbolizon edhe një sjellje që ndiqet në botën njerëzore.
Oborri mbretëror anglez e respektoi pavarësisht piruetave të saj, sjelljes hipokrite dhe provokuese në raport me konceptet morale të jetës, edhe pse përmes figurës së princeshës Diana, dogma mbretërore mori një shkelm të fuqishëm në historinë e moralit të saj. Shtrohet pyetja: Si ka mundësi që princesha Diana theu, përmbysi, harroi me vetëdije shumë norma fetare mbi familjen dhe moralin, mbi detyrimet si femër ndaj krijesave të saj duke u lëshuar në një jetë krejt të lirë dhe në të njëjtën kohë të jetë e simpatizuar nga shumicë milionash njerëzish nëpër botë? Përse kjo prirje vlerësimi për Atë nga masa milionëshe njerëzish?
Mos ndoshta këto norma moralo - fetare njeriu i përvetëson dhe më pas i shfrytëzon sipas qëllimeve dhe situatave të ndryshme, kur ato i nevojiten dhe ua ka nevojën, e në raste të tjera lirije individuale pa fund, i përçmon?
Fenë e kemi një veshje morale që e heqim dhe riveshim, e kemi një mjet apo një udhërrëfyes jete në sjelljen njerëzore?
Njerëzit shpesh me vetëdije i injorojnë normat e edukimit fetar për moralin dhe dashurinë në çift, kjo edhe midis atyre që i janë dorëzuar jetës së manastireve dhe kishave(femra e meshkuj) edhe midis atyre që janë rritur dhe edukuar në familje me modele strikte konservatore.
Dashuria si një Energji e natyrës hyjnore nuk ka kufij në trillet dhe kapriçiot e saj. Kur çfaqet Ajo është mbizotëruese mbi dogmat ideologjike pragmatike e normat fetaro morale të krijuara nga njeriu për nevoja utilitare në jetën e përditëshme. A do arrij njeriu “t’a marri Dashurinë me të mirë” duke tentuar që t’a fusë e t’a mbajë në limitet e koncepteve morale njerëzore?
Kjo përbën enigmën që debatohet sot nga opinionet akademike dhe që e paraqet shkrimtari me artin e tij në romanin “Aksidenti”.
Autori Kadare e mbart realitetin e kufizuar shqiptar në gjithësinë e konceptit europian dhe perëndimor për jetën por nuk mund të jetë rob i këtij realiteti shqiptar. Shkrimtari e ka fituar prej kohësh këtë liri me thellimin e gjykimeve mbi jetën njerëzore në përmasa të përgjithëshme. Këto gjykime filozofike të trajtuara artistikisht kanë gjetur admirim dhe aprovim mbivlerësues nga elita letraro- shoqërore europiane. Kalimet e ngjarjeve nëpër aeroportet dhe hotelet e qyteteve të ndryshme europiane janë të pritëshme normalisht te një shkrimtar si Kadare me filozofi europiane të njëjtë me hapin e kohës.
Për lexuesin autori lë të kuptojë se nuk përbën rëndësi se ku ka ndodhur aksidenti, në Madrid apo Paris, në Londër apo në Tiranë, në Athinë apo në Romë etj, por e rëndësishme, thelbësore është ajo se çfarë botëkuptimi moral mbi sjelljet e njerëzve mbartin këta të aksidentuar, çfarë tabuje të shkelmuar, çfarë koncepti dhe thyerjesh normash dashurie këta personazhe i përcjellin shoqërisë.
Avangarda e mendimit botëror polemizon sot mbi atë nëse do e ruaj njeriu “Tempullin e Dashurisë” apo do e përçmojë duke përqafuar “Perversitetin”?
Çfarë raporti është duke i dhënë dhe do i japi njeriu në të ardhmen nocionit “Sinqeritet” në mardhëniet burrë – grua apo do përmbyset ky raport në favor të mardhënieve të hapura ku, nuk do egzistojë nocioni “E imja” ose “ I imi” si pronësi shpirtërore dhe materiale e njeriut?
Sa mëkate janë bërë dhe bëhen në emër të fenomenit Dashuri, këtij fenomeni sa djallëzor, aq më shumë akoma hyjnor. Janë vënë në peshoren e kohës Dashuria dhe Pervesiteti.
Njeriu modern ka ringjallur sjellje erotike dhe seksi të atilla që manifestoheshin në Romën e lashtë. Ai më shumë shtyhet vetëdijshëm e instiktivisht, në harrim afektiv sipëror, me një vullnet dehës drejt ndërtimit deri edhe të një raporti seksual në grup, gjë e cila ka egzistuar në antikitet e që është në rritje sot në kohën moderne.
Do pranojë shoqëria një thyerje të pamëshirshme të normave familjare, të detyrimeve morale njerëzore të çiftit që ka ndërtuar një familje apo do ndjeki një prirje të fshehtë, tepër perfide dhe joshëse që fle në nënvetëdijen e çdonjerit për përmbysje të normave të mardhënieve social-biologjike midis individëve të shoqërisë. Shoqëria ndodhet përpara një alternative – mendon dhe sillet duke pasur parasysh se sfera shoqërore te njeriu dominon mbi atë biologjike, ndërsa në praktikë rimodelimet e organizuara e të ligjëruara të shoqatave të ndryshme homoseksuale, lesbike, poligamike e kanë vënë para një pikëpyetjeje të madhe perspektivën e mendimit intelektual botëror.
Mjeku onkolog, italiani Umberto Veronesi me njohje të madhe paneuropiane, ka vite që ka hedhur argumenta në mbështetje të idesë se e ardhmja e shoqërisë do jetë biseksualiteti. Ai shpjegon se specia njerëzore po shkon drejt një “modeli unik” ku diferencat midis mashkullit dhe femrës po zvogëlohen. Vazhdon argumentimin më tej: “Mashkulli, prodhon më pak hormone androgjenë duke mos pasur nevojë që të luftojë si shumë kohë më parë në histori për mbijetesë dhe femra e vënë para rolesh të tjerë në shoqëri prodhon më pak hormone estrogenë. Këta ndiejnë dhe evoluojnë në drejtim të një atrofizimi të organeve riprodhuese. Bashkoji këtij efekti edhe faktin që riprodhimi sot arrihet edhe nëpërmjet fekondimit artificial dhe klonacionit atëhere po shkohet gradualisht drejt privimit të aktit seksual si mjet riprodhimi. Seksi do mbetet por, vetëm si gjest afeksioni kështu që nuk do jetë kaq e rëndësishme në qoftëse zgjedhim që t’a praktikojmë me një partner të të njëjtit seks”, përfundon Veronezi.
Ai jep edhe një shpjegim mjaft të qartë të termave transeksual, travestit, transgjinor, duke afirmuar se “sot diferencat gjinore po shkojnë pak nga pak drejt zvogëlimit”.
Ky është terreni njerëzor dhe morali filozofik i romanit ku zhvillohet, përplaset, lartësohet, injorohet e përçmohet gjithë bota morale, instiktive erotike dhe afektive e personazheve të Aksidentit.
Këtu mendoj se është shtysa e autorit për të shkruajtur një roman të stilit modern si Aksidenti dhe jo përshkrimi i raporteve seksuale nëpër hotelet europiane të çiftit shqiptar, jo moda e kohës së subjekteve të sotme erotike e hardsex për t’u bërë tërheqës për lexuesin.
Sot këtu rreh bota intelektuale perëndimore dhe pas saj në një mënyrë kundërvënëse bota e Lindjes, në interpretimin e fenomenit shoqëror, sa filozofik aq edhe me orientime mediatike të sistemuara e të arsyetuara në ndihmë të njerëzimit. Kompani të mëdha mediatike studiojnë analizojnë dhe paraqesin qëndrimet njerëzore për problemete e erosit, seksit, dashurisë dhe prirjet e tyre të favorshme ose disfavorshme ndaj familjes.
Ky roman është letërsi për lexuesin e gjerë europian të Kadaresë tashmë, prandaj ai ka shfrytëzuar në mënyrë mjeshtërore kontekstin shqiptar brenda dhe nëpër Europë, me lojrat kontradiktore brenda shqiptarve të europianizuar si qënie ku zhvillohet dilemma mes arsyes shoqërore tradicionale dhe instiktit biologjik. Sa vend i lë arsyeja joshjes instiktive dhe në çfarë raporti ky instikt po merr predominim në kohën e sotme kur shoqëria po përjeton efektet e sjelljeve homoseksuale me pasojat mbi jetën familjare me dramat sociale shoqëruese, sëmundjeve vdekje prurëse dhe joshjet droguese me tronditje të madhe të bazës themelore të saj, familjen. Analizohet, pyetet dhe lihet e hapur dilemma filozofike shoqërore se çfarë do bëj njeriu me familjen.
Në këto 20 vjetët e fundit bota e mendimit shqiptar po kalon nëpër të gjitha ato tronditje psikologjike dhe proçese familjarizimi me pasojat e këtyre tronditjeve brenda një periudhe kohe të shkurtër, të shpejtë, dhe që si të tilla nuk mund të japin akoma orientimin e drejtë të shoqërisë nëpër këto labirinte. Botëkuptimi shqiptar nuk ka kaluar efektet psikologjike dhe pasojat shpërthyese të mënyrave të reja të jetës së individit në një civilizim evolues në kërkim të identitetit si në rastin e një fenomeni Ŵoodstock 1969 në Amerike përfshi këtu edhe komunitetet e hipive. Ashtu sikurse nuk kaloi nëpër zhvillimet e fuqishme shoqërore për të drejtat e liritë individuale të njeriut që u zhvilluan në Eurpoë në vitet 60-70. Këto mungesa në botën psikologjike shqiptare sollën mbetjen e mendësisë në një terren mjaft defiçitar, të papërshtatshëm me konceptet dhe gjykimet e shoqërive perëndimore mbi këto zhvillime.
Megjithatë shkrimtari Kadare e sjell personazhin shqiptar në roman në atë nivel dilemash për dashurinë të njëjtë me ato që ndesh dhe përballon qytetari perëndimor. Eshtë një moment i dhënë me shumë mjeshtëri artistike nocioni i dashurisë në kushtet e izolimit diktatorial në vendin tonë. Me psikozën e tmerrit diktatura polli në Shqipëri e në vendet ish komuniste fenomenin e Dashurisë Hibride, perversen e asaj që njihte dhe hyjnizonte njerëzimi. Dashuria hibride solli drama tragjike familjare dhe shoqërore. Instiktet mbijetuese te njeriu e deformuan, e përçudnuan idealin dashuror, krijuan familjen e tjetërsuar bazuar në idealin e dashurisë për partinë. “Ti më shkatërrove seksualitetin tim” – i klith femra shqiptare diktaturës në roman.
Ideologjia komuniste mbizotëroi ndjenjat më sublime të njeriut dhe u arrit deri në humbje të vlerave vetmbrojtëse njerëzore për familjen dhe dashurinë. Prandaj vjen si një episod mjaft interesant në roman moskuptimi nga Rovena i grupeve armiqësore që pillte diktatura si ushqim mbijetese dhe absurdit që shoqëronte shkatërrimin e dashurisë në familjet të cilat pësonin këto dënime degraduese deri në shkatërrim të plotë. A nuk është një ideologji shkatërruese ajo që penetron sot në vende të ndryshme të botës në përkrahje të poligamisë dhe seksualitetit të lirë?
Në perëndim abuzohej me liritë e plota të individit ndërsa në diktaturë me idealin e partisë, me mendësinë kolektive mbi moralin. Pasojat mbi Dashurinë dhe Familjen ishin degraduese në të dyja rastet.
Ka rreth tre dekada që kur shikojmë të organizohen në kryeqytetet e ndryshme të botës veçanërisht asaj perëndimore, për shqetësime të ndryshme të jetës shoqërore, demonstrime të grupeve njerëzish lakuriq femra e meshkuj të moshave të ndryshme. Burra e gra në grupe të mëdha, krejt lakuriq, hipur mbi biçikleta, mbi makina të hapura, nëpër parqe verore, në fusha të mbuluara nga dëbora e bardhë, përpara institucioneve të ndryshme, nëpër festa orgjish, po na paarqiten shpesh e më shumë para syve tanë. Po ashtu shikojmë një konstelacion të ndërtuar me 2 mijë trupa njerëzish të gjallë, femra e meshkuj, të rinj e pleq, të shtrirë lakuriq sipas konceptit të regjizorit në një sallë të madhe muzeu në Nju Jork para një viti e gjysëm. Pa lënë mënjanë grupet e natyralistëve që herë pas here demonstrojnë lakuriq në kopështe të gjelbëruara duke pasqyruar aktivitetin ditor të një familjeje në shoqërinë e familjeje të tjera lakuriq. A mund të mendohej të realizoheshin të tilla gjëra në bulevardin apo sallat artistike të Tiranës në këto 20 vjetët e fundit apo të mund të kryhen edhe në 20 vjetët e ardhëshëm. Tirana nuk do bëj përjashtim nga bota e metropoleve përreth saj, por do çfaqet më vonë me lakuriqësinë fizike të njerzve si forma demonstrimi ose edhe realizimesh artistike moderniste. Prandaj mendoj se shkrimtari Kadare në këtë roman modern parashtron ato shqetësime dhe pësime që ka bota perëndimore e që po i ndjen thellë edhe bota shqiptare sot e do i ndiej më shumë në të ardhmen si pjesë e së tërës njerëzore.
Bota shqiptare është akoma larg përfshirjes në një diskutim të atij niveli që qarkullon e gjykohet në rrethet akademike e filozofike perëndimore mbi dashurinë. Dukuritë e para përçudnuese që tashmë janë bërë fenomene më të dukëshme në gjirin e saj.
Ky është një këndvështrim imi mbi mesazhet filozofike që përcjell shkrimtari në roman. Nuk po flas për mjeshtërinë e ndërtimit të dialogjeve dhe figurave të tjera letrare të cilat meritojnë vend të veçantë më vete.
Shkrimtari Kadare është një minierë talenti të rrallë e mendimi të thellë shoqëror, gjë që e tregoi edhe me këtë roman..
Për të shijuar brenda kësaj miniere kënaqësinë e brilantit duhet të dish që t’a zbulosh atë e, që ta zbulosh duhet më parë formim me kulturë letrare e shoqërore mjaftueshëm orientuese, përndryshe duke u endur nëpër këtë minierë do mbushësh lopatën me qymyr.
Edhe qymyri ka vlerën e tij, por nuk është brilant.
Prandaj në shoqëri ka hierarki vlerash sepse perceptojmë njësoj por analizojmë në mënyra të ndryshme.
Arshi Pipa e ka cilësuar shkrimtarin Kadare një “Heretik” bazuar në atë që, Heretiku shpreh të vërteta të mëdha filozofike.
Njeriu dashamirësisht, me vetëdije duhet të njohë e respektojë këto vlera në funksion të lartësimit të tij në botën e mendimit shoqëror që e rrethon.
No comments:
Post a Comment