Liman Zogaj: “Loja mbi gurë”, poezi, Ndërmarrja shërbyese “Jeta e re”, Prishtinë, 2010
Para pak ditësh doli nga shtypi dhe e morën në dorë lexuesi veprën më të re poetike të autorit Liman Zogaj me titull paksa metaforik edhe si konceptim, por edhe si ide “Loja mbi gurë”. Kjo vepër është libri i tij i tretë poetik pas “Kosovë nuk ta mora diellin”, Tiranë, 2007 dhe “Shtigjet e dritës” , Prishtinë 2009.
Kjo vepër në strukturimin dhe përbërjen e vet poetike ka një numër standard poezish që ndahen në katër qerthuj apo cikle poetike: 1. Mbi flatra të shqiponjës, 2. Më ka marrë malli, 3. Loja mbi gurë dhe 4. Nëpër dallgë dashurie. Siç po shihet nga titujt e qerthujve sinkronizimi dhe interesimi i poetit të këtyre vargjeve qëndron i legurëzuar nëpër të gjitha uverturat, rropatjet, mallëngjimet, dhe krajatat jetësore të individit dhe kombit tonë në përgjithësi, nëpër hallkat e historisë sonë. Siç thotë redaktori i librit Ali D. Jasiqi në pasthënien e tij: “Janë këto krijime frymëzimesh sa subjektive aq edhe shprehje e botës njerëzore, që do të thotë se poeti synon thurjen e vargjeve që nuk kufizohen vetëm në botën e vet të mbyllur, por ato frymojnë edhe për atë të përgjithshme”. Për Liman Zogajn tema e mërgimit është burim i pashtershëm i frymëzimit, si edhe tek shumica e poetëve të tjerë, e sidomos e atyre që jetojnë dhe krijojnë në kurbet. Kjo plagë e shoqërisë sonë sjellë edhe tragjedi në familjet e mërgimtarëve. Mbase, ky element është edhe më i trajtuari në tërë krijimtarinë e deritashme poetike të këtij poeti pasi që ai vetë me familje jeton dhe punon e krijon që disa vite, mbase edhe dekada në qytetin Essen të Gjermanisë. Përveç punës, poeti Liman Zogaj në Gjermani është i angazhuar edhe në organizimin dhe zhvillimin e jetës kulturore e sidomos letrare dhe teatrore në Essen dhe vende të tjera të Gjermanisë dhe diasporës ku ka bashkatdhetarë tanë. Kështu, emri i këtij krijuesi është i njohur nga lexuesit tanë në diasporë edhe si njëri i kulturës dhe teatrit.
Poashtu temë tjetër interesante për pendën e Liman Zogajt është edhe lufta, sidomos kjo e fundit që ndodhi në Kosovë, e cila pati në tagër bukur të madh. Poeti, Liman Zogaj, vjen te përfundimi se lufta është e tmerrshme, por nganjëherë është shpëtimtare për njerëzit që kanë vuajtur nën okupimin e armikut. Kjo ndodhi edhe në luftën e fundit kur hordhitë serbe ikën me bisht nën këmbë, para luftëtarëve të lirisë veshur me uniformën e UÇK-së. Në këtë vazhdë ai do të thuri vargje shumë të qëlluara dhe të latuara poetikisht edhe për luftëtarët e patrembur që ranë në altarin e lirisë për të mbetur të pavdekshëm, si bie fjala, Habib Zogaj – Arbri, të cilit i është kushtuar edhe poezia “Meteor drite”, pastaj Komandant Kumanovës, e ndonjë luftëtari tjetër.
Edhe bashkimi kombëtar behët tematikë frymëzim i poezisë së autorit të përmbledhjes“Loja mbi gurë”. E kjo është ëndërr e vazhdueshme e kombit shqiptar të ndarë në disa shtete. Sipas autorit të këtij vëllim i poetik kjo ëndërr një ditë do të behet realitet, gjë që është e pashmangshme në të ardhmen.
Në ciklin e fundit të këtij vëllimi poetik të poetit Liman Zogaj i gjemë poezitë në të cilat i këndohet dashurisë, kësaj temë të pashtershme për të gjithë poetët e të gjitha kohërave dhe vendeve. Për këtë autor dashuria është e shenjtë, është diç që të tronditë, diç që të kallë dhe nuk të lenë të qetë. Por, këtij motivi autori Liman Zogaj, i këndon me maturi, dinjitet dhe pa ndonjë teprim apo ndërthurje tej mase. Pra, çdo gjë këtu është e thënë bukur, poetikisht dhe në mënyrë të matur. Kjo maturi e rrit edhe vlerën e kësaj poezie dhe tematikës së saj.
Dhe krejt në fund mund të konstatohet se poezitë e kësaj përmbledhje janë të shkurta dhe koncize, të thurura me metafora dhe figura të tjera. Të gjitha këto e bëjnë këtë poezi të lexueshme dhe të kuptueshme për të gjitha shtresat dhe moshat e lexuesve.
No comments:
Post a Comment