Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/04/02

Amerika si një ëndërr


Naser Shatrolli


Një film dokumentar hapi perdet e shfaqjes së trupës së baletit. Koreografi amerikan Alexander Tressor, kishte xhiruar provat e shfaqjes dhe kishte bërë një film që bartte idenë e asaj që do të luhej në skenë, nga e cila ndërtohej koncepti fabular i pjesës së baletit.

Baleti ishte si një rrugëtim, një pritje në rrugë, valle klasike si ëndërr e kamotshme e çunit karshi vajzës, valle për maje, hapi për ta parë qiellin njëherësh flladin e qerpikut të muzës femërore të veshur me kostume lirie, të cilat ngjyra i nxjerr nga publiku dhe kalojnë pëlhurën e mendjes. Për të vallëzuar me hënën në shesh të Prishtinës, te plisi i bardhë mbi të cilin është vendosur hëna jonë e kamotshme, e cila e vrojton teatrin, me syrin e së shkuarës, nëpërmjet një loje të njomë, për të nesërmen e secilit valltar.

Gjithçka në balet ishte ilustruar me një muzikë të përzgjedhur xhazi dhe bluzi. Si të mbërrihet ylli (Amerika) ishte ideja e koreografit. Ai me këtë mënyrë pune tregon se Amerika mbërrihet më lehtë nga vendi yt përderisa dhe ai vet e kishte mbërri Amerikën nga Rusia. Baleti ishte si një këngë e thurur mbi gishta këmbësh dhe një lirie skenike. Lojë që e tejkalon hapin klasik të ndërthurur në hapa kah “rock’n’rolli”. Në duet, ishte e ndërtuar shfaqja si koncept. Dizajni i dritave, hapat e sigurt karshi skenës, qeshja e theksuar dhe profesionale, mimika, gjesti, pantomima, guximi për të thënë shumë, janë këto vlera që thuhen nëpërmjet gjuhës artistike të kësaj trupe të konsoliduar profesionalisht.

Secili balerin shpreh interesat e tij jetësore, në një letër të bardhë shkruan emrin e tij, tregon se edhe ai ka identitet dhe dëshiron që identiteti i tij të shfaqet në pasarelat e New Yorkut. Pra, ëndrra secilin e çon përtej plisit të tij. Dhe kjo ide, kjo dashuri për Amerikën konkretizohet në lojë. Ajo ishte vjershë e vjetër për secilin banor të Kosovës. Kjo performansë me ngjyra filmi në shtruarje është edhe një dëshmi se trupa kosovare e baletit po qëndron mirë si koncept apo edhe në prezantim skenik.

Baleti “Dancing with the moon” u përgatit nga koreografi Alexander Tressor-koreograf, drejtori Ahmet Brahimaj, kostumet janë realizuar nga Linda Polloshka, në balet interpretuan Vjollca Llugiqi, Sinan Kajtazi, Katie McGuffey, Drilon Podrimçaku, Behie Murtezi, Abetare Hasani, Teuta Krasniqi, Kreshnik Musolli, Jeta Musolli, Leonora Rexhepi, Fisnik Smani, Liridon Mziu, Mimoza Bytyçi, Vlora Prizreni, Muhamet Bikliçi.

Libri i fatit


   Luljeta Lleshanaku


“Child of nature”, titulli i botimit amerikan i librit "Fëmijët e natyrës" i Luljeta Lleshankut, hyn në listën për Çmimin e Librit më të Mirë të përkthyer në SHBA gjatë vitit 2010. Kjo konsiderohet si arritje e shkëlqyer e poetes shqiptare. Lajmi është dhënë në gazetën LA Times, i cili botoi listën e plotë të finalistëve për prozën dhe poezinë.

Finalistët e çmimit për librin më të mirë të përkthyer në vitin 2010 u prezantuan nga 3 Percent, shtëpia botuese e Universitetit të Rochesterit që njihet për botimin e veprave kryesisht të përkthyera. Ky është edicionni i katërt i Çmimit dhe hera e parë që fituesit do të shpërblehen financiarisht.

Kandidatë për Best Translated Book Awards janë dhjetë libra në prozë dhe pesë libra me poezi. Për prozën, tri shtëpi botuese kanë nga dy finalistë secila: Dalkey Archive, New Directions dhe New York Review of Books. Archipelago, Small Beer Press, Tin House dhe Yale University Press, secila kanë nga një kandidat në konkurrim.

Librat e përzgjedhur janë vepra të përkthyera nga dhjetë gjuhë: katër nga frëngjishtja, dy nga gjuha gjermane dhe spanjishtja, dhe nga një vepër prej gjuhëve afrikaans, shqipe, kinezishte, çeke, japoneze, sllovene dhe suedeze.

"Ky çmim, argumentohet si një mënyrë për të sjellë në vëmendje veprat e mëdha të letërsisë botërore nën përkthime origjinale. Ka shumë diversitet. Kemi marrë parasysh veprat në gjuhët origjinale dhe reputacionin e autorëve të përkthyer. Kjo listë ngërthen pasurinë e letërsisë që prodhohet jashtë kufijve. Kualiteti i librave në gjuhën origjinale dhe arti i përkthimit në anglisht, kanë qenë kriteret e përzgjedhjes së listës fituese" është thënë në konferencën për shtyp.

The Best Translated Book Awards merr një grant nga Amazon, rrjet i cili mbështet çmimet me 5,000 dollarë secilin Me këtë çmim shpërblehen autori dhe përkthyesi për çdo vepër fituese. Çmimet jepen në një ceremoni më 29 prill gjatë festivalit botëror që organizon PEN, World Voices Festival, në Nju-Jork.

Poezia e sotme greke





Ragip Sylaj

Poezia, por edhe disa nga gjinitë e tjera letrare greke, është ndër traditat më të

pasura në letërsinë botërore. Një traditë e tillë s’do mend se e ka pasuruar letërsinë dhe kulturën e përbotshme, por në të njëjtën kohë janë ruajtur shumë ngjyrime të saj tematike e stilistike edhe në poezinë e re greke.

Kjo traditë e përcjellë dhe e ruajtur edhe në poezinë më të re për lexuesin shqipfolës vjen nëpërmjet antologjisë së përgatitur nga Iliaz Bobaj, “Poezitë e fqinjëve të jugut”. Bobaj, i cili është edhe përkthyes i krijimeve poetike të saj, sjell njëzetegjashtë krijues letrarë grekë. Autorët, sipas përpiluesit të antologjisë, përfaqësohen me nga pesë poezi të zgjedhura nga vetë ata.

Kjo antologji është ndërtuar kryesisht me krijimtarinë poetike të shkrimtarëve të dy

shoqatave, pjesëmarrëse në simpoziumin ndërkombëtar “Muza poetike - Pegasi 2009”:

Grupit "Zalloni", me qendër në Athinë dhe "Kafeneja e ideve", me qendër në Salamine.

Preokupime të këtyre poetëve janë tematizimi dhe poetizimi i çështjeve ekzistenciale, para së gjithash, i një ekzistence, të themi, e vlerave të epërme, por edhe e përsiatjeve të ndryshme që e mundojnë njeriun e sotëm, si qenie e veprimit dhe e mendimit. Andaj në vargjet e këtij vëllimi rrezatojnë mesazhe të shumta të vlerave humane, të pleksura me mjaft mjeshtëri e sensibilitet të matur. Si të tilla, ato lexohen dhe përjetohen me ëndje, qoftë për artikulimin e ideve e të kuptimeve apo edhe të rrezatimit të mesazheve të tjera poetike polivalente.

Me vargjet e tyre të zgjedhura në antologjinë “Poezitë e fqinjëve të jugut” janë përfaqësuar këta poetë: Iro-Krisanthi Aleksandraqi, Nikos Aliprandis, Jorgos Pand. Anagnostopullos, Nikos Bacikani, Dhimiter Bosinaqis, Jota Fotiadhu-Ballafuti, Dinos Kubatis, Leta Kucohera, Panajotis Kapnistis, Janis V. Karicas, Dhimitra Karafili, Paved Krupka, Haris Melitas, Evangjelia Misrahi, Sokratis Melisaratos, Jorgos Nikollopullos, Jorgos Petropullos, Dhimitris Pistikos, Moskos Qefallas, Joana Serene-Curuqidhi, Parashqevas Serenes, Kostas Valetas, Artemis Vazirjanxhiqi, Maria Zulas, Kostas Zulas dhe Panajota Hristopullu-Zalloni.

Përpiluesi i kësaj antologjie, Ilaz Bobaj, siç thuhet në shënimet për autorin, është poet, shkrimtar, fabulist, humorist, eseist, publicist dhe përkthyes. Nga fusha e preokupimeve të tij krijuese, ky autor deri tash ka botuar trembëdhjetë libra. Antologjinë “Poezitë e fqinjëve të jugut” prej 176 faqesh e botoi “Dija Poradeci”, Pogradec, 2011.

Kazazi në arkivin e Vatikanit


Dr. Musa Ahmeti


Në shekullin e XVIII, autori shqiptar më i spikatur që ka shkruar në gjuhën shqipe është Gjon Nikollë Kazazi, i cili shkroi në dialektin e Gjakovës veprën e tij të cilën e botoi në Romë. Në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit në sektorin “Stampati” me signaturën Miscell. Mai. X. D. III. 31, (int. 4); ruhet ksombla e librit të Gjon Nikollë Kazazit me titullin e plotë: “Breve Compendio della Dottrina Cristiana tradotta in lingua Albanese per l’utilità, e istruzione dei Fanciulli di quella Nazione. Da un Nazionale del Regno di Servia Alunno della S. Congregazione” botuar në Romë, nga “Stamperia della S. Congregatione de Propaganda Fide” në vitin 1743, (të cilin e ka dhënë edhe Dh. S. Shuteriqi në: “Shkrimet Shqipe në vitet 1332-1850” f. 110-111 (nr. 85)), me dimensione: horizontalisht: 17 cm dhe vertikalisht: 10.2 cm. Po ashtu në të njëjtin sektor, të BAV-it, “Stampati” me signaturën Miscell. G. 70, (int. 2), ruhet edhe një ksombël e dytë e librit të Gjon Nikollë Kazazit, me të njëjtin titull, me dimensione: vertikalisht: 14.5 cm dhe horizontalisht: 8.8 cm. Libri ka gjithsej 46 faqe. Paginimi është lart majtas-djathtas. Faqet e plota, të gjitha kanë numër të njëjtë rreshtash, 21, për secilën. Ksombla e dytë ka kopertina pergameni të bardhë, ndërsa ksombla e parë, fillon me frontespicin. Të dy ksomblat janë të lidhura me vepra të ngjashme të autorëve të ndryshëm, botim i shtypshkronjës së de Propaganda Fide nga i njëjti shekull, XVIII.

Përshkrimi i Dh. S. Shuteriqit lë të kuptosh se ekziston vetëm një botim i librit të Gjon Nikollë Kazazit, dhe se ksombla të tij ruhen vetëm në bibliotekën e Institutit Pedagogjik të Shkodrës dhe në Bibliotekën Universitare Kombëtare të Zagrebit. (Shënimi për ruajtjen e ksomblës në Bibliotekën Universitare Kombëtare të Zagrebit është i pasaktë, sepse një ksombël e tillë atje nuk ekziston). Pasi një studimi krahasues të dy ksomblave që ruhen në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, i vihen re ndryshime në frontespicin e tyre, por edhe në dimensione të ndryshme, që të bindin për ribotimin e këtij libri brenda një viti.

Kohëve të fundit nga ndonjë i ashtuquajtur “specialist, albanolog” pohohet se për librat e shtypur në gjuhën shqipe kemi botim dhe emetim, duke treguar kështu mungesë njohurish elementare, joprofesionalizëm, diletantizëm për kuptimin e këtyre termave dhe të mos flasim fare se çfarë niveli tregojnë në fushën e kritikës tekstore, veçanërisht të botimeve të shek. XVI-XVIII. Pohime të tilla hidhen poshtë si të pasakta, me vetë botimin e dy frontespiceve të veprës së Gj. N. Kazazit, e cila është shembulli më i mirë për të saktësuar njëherë e mirë këtë problematikë, sepse cili nga autorët e lashtë shqiptarë kishte atë mundësi të ishte i pranishëm në procesin e shtypjes së librit të tij? Cili nga korrektorët e botimeve të librave në gjuhën shqipe, njihte gjuhën shqipe ose ishte shqiptar? Pse kur botohej vepra e tij, meqë autori ose korrektori paskan ndjekur procesin e shtypjes kishte aq shumë gabime tipografike dhe të tjera?

Ksombla me signaturën Miscell. Mai. X. D. III. 31, (int. 4) e cila është identike me ksomblën që ka konsultuar Dh. S. Shuteriqi, gjë që vihet re nga faksimili i botuar prej tij në faqen 111 të librit të sipërpërmendur, ndryshon me ksomblën që ruhet me signaturën Miscell. G. 70, (int. 2), në BAV. Ndryshimi është pas rreshtit të nëntë të frontespicit ku është shkruar: A spese di Marco Deluesi da Gramsei Sappatese in Albania. Një ndryshim të dytë, përveç kësaj, kemi edhe tek gravura. Në ksomblën ku gjendet teksti i shtuar, paraqitja grafike ndryshon ngase numri i personave është më i vogël se ai në gravurën e ksomblës tjetër; gjithashtu vërehen ndryshime në sfond si dhe në paraqitjen e figurës së shenjtit; pastaj dekorimet në të katër trekëndëshat anësorë janë të ndryshme. Ndryshim tjetër është edhe paraqitja vizuale e tekstit që ndodhet në shiritin rrethues të gravurës. Në ksomblën identike me atë të Shuteriqit, Miscell. Mai. X. D. III. 31, (int. 4), është ky tekst, nga mesi, në të djathtë: ╬.EVNTES. IN. VNIVERSVM. MVNDVM. PRÆDICATE. EVANGELIVM. OMNI. CREATVRÆ. ndërsa në ksomblën tjetër, Miscell. G. 70, (int. 2), të BAV-it, është ky tekst, (gjithmonë nga mesi në të djathtë): ╬EVNTES. IN. VNIVERSVM. MVNDVM. PRÆDIC. EVANG. OMNI. CREATVRÆ.

Tjetër ndryshim i rëndësishëm është shënimi në fund të ksomblës të BAV-it Miscell. G. 70, (int. 2), pas faqes 46, në faqet: 47-48, ku një autor anonim ka lënë këtë shënim: (f. 47) Copy of a Note given to Signor abbat Massaracchi by Monsignor Niccolovik archiepiscopo Scopensis Albanensis. (Kopje e një shënimi dhënë z. Abat Mazreku nga imzot Nikolla, kryeipeshkv i Shkupit të Shqipërisë. Me sa vërehet, kjo ksombël, imzot Pjetër Mazrekut i është dhuruar nga vetë Gj. N. Kazazi. Nuk dihet mënyra se si ajo erdhi në BAV, por ka shumë mundësi, që vetë Mazreku ta ketë dhuruar aty ose në Propagandë).

Ron Salaj : Plakushi i Hemingway-it dhe Peshku i madh


“Plaku dhe Deti” është një romanë “bestseller” i letërsisë amerikane dhe mbarë botërore, i shkruar nga shkrimtari i njohur Ernest Hemingway. Besoj që shumica e ka lexuar këtë vepër fantastike e cila pushtoi mbarë botën. Plakushi peshkatar – Santiago, i stërmunduar nga jeta, i vetem, pa pronë dhe me një barrake të rrënuar, gjendet në detin e pafundmë, në mes dallgëve të harbuara që simbolizojnë jetën e tij të përplasjeve. Me fuqinë e tij, përvojën dhe dëshirën të paepur për të mbijetuar, ai arrinë ta fitoj luftën në mes të detit me “Peshkun e madh” duke dalë fitimtar. I cvilitur dhe i dërmuar ai e sjell në breg vetëm skeletin e mbetur nga ai gjah i Peshkut të madh, të cilin gjatë udhës ia shqyen peshkaqenët.

Romani “Plaku dhe Deti” sot është shndërruar në një fiksion jetësor, i cili në mënyrën më metaforike e përshkruan gjendjen aktuale në Kosovë. Kosova ka shumë njerëz si “Santiago”, të lodhur nga jeta, të varfër, filikat, disa me familje e disa pa familje, por prap me një fije shprese në këto kohë të turbullta politike. Krahas “Santiago-ve”, kohët e fundit po na dalin ca si shumë “peshq”; disa më të mëdhenj e disa më të vegjël, disa të cilësuar si më të rrezikshëm e disa si më pak të rrezikshëm.

Para se të merret gjyqësia, njëri ndër ta u cilësua nga gazeta britanike The Gurdian si “the Biggest Fish” për gjoja krim të organizuar në Kosovë, tamam sikurse ai peshku i Santiagos – alamet krapi do të thoshin në Shkodër. Menjëherë pas tij, pasoi gazeta franceze Le Monde e cila nxorri në pah një tjetër alamet peshku mu në kohën më të papërshtatshme për Kosoven, madje artikulli përmbante një dokument sekret të marrë nga KFOR-i,për të cilën dokument nuk kishte njohuri as vet KFOR-i! Nëqoftëse deri tani kemi patur mungesë të energjisë elektrike, papunësi, mungesë të pastërtisë, mungesë të parqeve, mungesë të ndërgjegjës, mungesë të kulturës, për një gjë nuk mund të ankohemi sepse mediat ndërkombëtare po na ushqejnë me mish peshku. Edhepse jemi vend kontinental pa detra dhe me kriza të paralajmëruaar nga FMN-ja megjithatë sipas mediave ndërkombëtare të pakën mish peshku kemi me bollëk.Jo më kot jemi cilësuar si shtet Sui Generis!

Por ajo që e bënë kaotike tërë këtë tragji-komedi e cila po ndodhë në “ishullin ballkanik të banuar nga Evropianët e Rinjë” është emërtimi “peshqit” që po përdorët nga ndonjë prokuror dhe media. Kjo përkon edhe me një shprehje shumë popullore që përdoret tek shqiptarët – “e paske trurin e peshkut”. Tingëllon në pamje të parë si një fjalë e koduar nga mediat dhe prokurorët duke e njohur naivitetin e shqiptarëve të bien në çdo karrem.

Ndërsa në karrem po biem të gjithë, çështja mbetet ku të gjejmë Santiagon për t`i vënë në grep “big fish-at” dhe t`i sjellë deri në breg. Apo mos duhet te ngjallet Hemingway dhe ta sjell plakushin e tij me kurajo e zemër të paepur që solli në breg skeletin e peshkut të madh dhe të na e s`pastroj këtë shtet nga kundërmimi i erës së “peshkut”.

AKR del nga koalicioni?



AKR-ja ka shqyrtuar gjatë natës mundësinë e daljes nga koalicioni qeverisës me PDK-në. Në një njoftim të dërguar për mediat rreth orës 2:00 të mëngjesit të së shtunës, AKR-ja bëri të ditur se është e gatshme ta shkëpus marrëveshjen me PDK-në.

“Zyrtarë të lartë të AKR-së dhe Koalicionit për Kosovë të Re, njëzëri janë pajtuar për të shqyrtuar seriozisht mundësinë e shkëputjes se menjëhershme të koalicionit qeverisës. Qëndrimi për shkëputje të koalicionit qeverisës vjen si pasojë e zhvillimeve të fundit politike në vend. AKR në kuadër të Koalicionit për Kosovë të Re, gjatë këtyre konsultave, është shprehur e gatshme të ndërprejë kontratën e koalicionit qeverisës nëse kjo kontratë nuk do të përmbushet në tërësinë e saj. Konsultat po vazhdojnë edhe tani dhe do të intensifikohen në orët e hershme të mëngjesit në një takim të Kryesisë së AKR-së dhe Koalicionit për Kosovë të Re ku do të vendoset për hapat e mëtejmë lidhur me shkëputjen e koalicionin qeverisës me PDK-në”, thuhet në njoftimin e AKR-së.

Njoftimi i AKR-së në një kohë të pazakonshme, vijon atë të Presidencës që njoftoi para mesnate se me kërkesë të Pacollit është shtyrë dorëzimi i detyrës tek ushtruesi i detyrës së presidentit, kryeparlamentari Jakup Krasniq, për të hënën.

SONDAZHE :PRESIDENT I kOSOVËS SËRISH PRITET TË JETË BEHGJET PACOLLI


Me kërkesë të presidentit të deritashëm, Behgjet Pacolli, për shkaqe objektive, dorëzim-pranimi i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës nga Behgjet Pacolli te kryetari i Kuvendit, njëkohësisht Ushtrues i Detyrës së Presidentit, Jakup Krasniqi, nuk do bëhet ditën e shtunë, datë 2 prill, siç ishte planifikuar, por do të bëhet të hënën, datë 4 prill 2011, në orën 10:00, në Kabinetin e Presidentit.


**********




Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese se zgjedhja e Behgjet Pacollit në postin e presidentit të vendit ka qenë jo-kushtetues, historiani kosovar Prof.Dr.Jakup Krasniqi do ta marrë nesër postin e ushtruesit të detyrës së presidentit të Kosovës.


Gjykata Kushtetuese ka dhënë sqarime shtesë në lidhje me vendimin për shfuqizimin e procedurave të zgjedhjes së presidentit, të cilat u konsideruan si jo kushtetuese. Në vendimin që përmban sqarime për pyetjet e parashtruara nga kryetari i Kuvendit, kryeministri dhe Behgjet Pacolli, Gjykata vëren se vendimi i saj për të shfuqizuar mandatin e presidentit ka hyrë në fuqi më 31 mars 2011.


Nga kjo datë, thuhet se Kosova ka ushtrues detyre të presidentit, por nuk sqaron se cili është ai. Gjithnjë duke iu përgjigjur pyetjeve, Gjykata ka sqaruar se vendi nuk shkon në zgjedhje të parakohshme, nuk ka nevojë të zhbëhet Kuvendi dhe se vendi nuk është në vakuum institucional, njoftojnë mediat.
Ndërkaq, në pyetjen e parashtruar nga qeveria nëse është detyrim kushtetues prania e dy të tretave të deputetëve në sallë, në rundin e parë dhe të dytë të zgjedhjes së presidentit dhe nëse mund të shkohet direkt në rundin e tretë, po që se nuk janë 80 deputetë të pranishëm, Gjykata është përgjigjur:
“...Gjykata rikujton që qëllimi i këtij sqarimi është ta sqarojë Aktgjykimin dhe nuk ka autoritet për të dalë jashtë objektit të çështjes së Kërkesës. Prandaj, situatat hipotetike, siç janë përmendur në letrën e kryeministrit, janë jashtë kufirit të objektit të çështjes dhe mund të jenë bazë për një rast të ri”, thuhet në sqarimin e Gjykatës Kushtetuese.


Ndryshe, ceremonia e dorëzimit të detyrës nga presidenti i deritashëm, Behgjet Pacolli dhe pranimi i saj nga ana e Krasniqi mbahet në Presidencën e Kosovës, në ora 09:00.
Kjo do të jetë hera e dytë që kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi do ta ushtrojë detyrën e presidentit të vendit. Herën e parë e kishte marrë këtë funksion pas dorëheqjes së Fatmir Sejdiut, pas konstatimit të Gjykatës Kushtetuese se ai kishte shkelur Kushtetutën, duke mbajtur dy poste njëkohësisht, atë të presidentit dhe kryetarit të LDK-së.


*************

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) mohon të jetë njoftuar nga partneri i koalicionit Aleanca Kosova e Re (AKR) për shqyrtimin e idesë së shkëputjes së marrëveshjes për koalicion nga kjo parti. Përfaqësues të PDK-së paraqitën, gjatë së shtunës, shprehin qëndrime të kundërta lidhur me mënyrën se si do të zgjidhet presidenti i ri i vendit, pasi procedura për zgjedhjen e Behxhet Pacollit si president, u cilësua si jokushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Partia Demokratike e Kosovës duket se nuk ka qëndrim unik për mënyrën e zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës.
Pas konstatimit të Gjykatës Kushtetuese se procedurat e zgjedhjes së Behxhet Pacollit si presidentit, kanë qenë jokushtetuese, partia më e madhe në Kuvendin e Kosovës, pohon se është përgjegjëse për gjetjen e rrugëdaljes nga gjendja aktuale, por përfaqësues të saj thonë se për një gjë të tillë duhet të vendoset në javën e ardhshme.



Ndryshe nga kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, i cili ditë më parë nuk përjashtoi mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, thotë se zgjidhja duhet të bëhet përmes reformave zgjedhore.

"Unë nuk kisha thënë zgjedhje të jashtëzakonshme. Ne i kemi kryer zgjedhjet, por besoj se partitë politike duhet të ulen dhe të bisedojnë, e të dakordohen që brenda një kohe të bëjnë reformën zgjedhore, e cila është e domosdoshme; që të bëjnë ndryshimet kushtetuese dhe pastaj ta gjejmë - në bazën e një marrëveshjeje, rrugën më të mirë për të ecur përpara", thotë Jakup Krasniqi.


                     Prof.dr.Jakup Krasniqi


Përmes vendimit të saj Kushtetuesja kishte konstatuar se gjatë procedurave për zgjedhjen e presidentit të vendit më 22 shkurt, Kushtetuta e Kosovës ishte shkelur për shkak të mungesës së ndonjë kundër-kandidati gjatë procedurës së zgjedhjes së presidentit dhe për shkak të mungesës së kuorumit që do të mundësonte zgjedhjen e presidentit.


Pacolli ka vendosur të garojë sërish për president, ndërsa Aleanca Kosova e Re, tashmë ka paraqitur një kundër-kandidate nga radhët e partisë.
Megjithatë, opozita nuk ka ndryshuar deri më tani qëndrimin e saj - gjë që nga PDK-ja vlerësohet se paraqet një bllokim në zgjidhjen e problemit.


          Prof.dr.Hajredin Kuçi

Nënkryetari i PDK-së, Prof.dr.Hajredin Kuçi, thotë se po qe se vazhdon "bllokimi" nga ana e opozitës së vendit, Partia Demokratike do të ishte në favor të zgjedhjeve të parakohshme.
"Partia Demokratike nuk do të jetë iniciatore e një veprimi të tillë dhe nuk është ithtare e një veprimi të tillë. Por, Partia Demokratike e Kosovës nuk e pranon logjikën e bllokimit institucional dhe çdo zgjidhje tjetër do të jetë më e mirë sesa bllokimi", deklaron Kuçi.


                 Fatmir Limaj

Kundër një ideje të tillë, ndërkaq, shprehet anëtari tjetër i Kryesisë së PDK-së, Fatmir Limaj. Ai thotë se zgjedhjet e parakohshme do të ishin në dëm të vendit, ndërsa thekson rëndësinë që partitë politike të pajtohen për ndryshimin e nenit të Kushtetutës, i cili përcakton mënyrat për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, e që, sipas Limajt, duhet të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, brenda gjashtë muajve të ardhshëm.
"Kemi ushtruesin e detyrës gjashtë muaj dhe në këtë kohë me vullnetin e mirë të të gjitha forcave politike ne mund të vijmë në një zgjidhje të tillë.



Por, në fund të fundit u takon forcave politike të gjejnë zgjidhje".
"Nuk kemi asnjë nevojë të shkojmë në zgjedhje parlamentare; mund të shkojmë në zgjedhje parlamentare pas një marrëveshjeje politike pas një kohe të caktuar, por tani për tani, çfarëdo lëvizje që është për të shkuar në zgjedhje parlamentare, besoj që është në dëm të vendit tonë", shprehet Limaj.


Një problem tjetër, me të cilin do të mund të ballafaqohet PDK-ja në ditët në vijim, është paralajmërimi i partnerit të koalicionit, AKR, për rishqyrtimin e marrëveshjes për koalicion. Kjo parti, përmes një komunikate për media dërguar pas mesnate, njoftoi se:

"Zyrtarë të lartë të AKR-së dhe Koalicionit për Kosovë të Re njëzëri janë pajtuar për të shqyrtuar seriozisht mundësinë e shkëputjes së menjëhershme të koalicionit qeverisës. Qëndrimi për shkëputje të koalicionit qeverisës vjen si pasojë e zhvillimeve të fundit politike në vend".

"AKR-ja, në kuadër të Koalicionit për Kosovë të Re, gjatë këtyre konsultave, është shprehur e gatshme të ndërpresë kontratën e koalicionit qeverisës, nëse kjo kontratë nuk do të përmbushet në tërësinë e saj".
Mirëpo, PDK-ja mohon të jetë njoftuar për konsulta apo vendime të ngjashme nga ana e AKR-së.


***************

                                         Ismet Beqiri

LDK-ja opozitare ka kushtëzuar pjesëmarrjen në Kuvend në seancën e zgjedhjes së presidentit me gjetjen e një zgjidhje kalimtare mes pozitës dhe opozitës.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, thotë se zgjidhja kalimtare nënkupton caktimin e një afati ku do të reformohet sistemi zgjedhor dhe një marrëveshje për zgjedhje parlamentare të reja pas njëviti. Në të kundërt, sipas Beqirit, LDK nuk do të kontribuojë në zgjedhjen e Pacollit si president.
Deklaratat e Ambasadës amerikane dhe BE-së se deputetët janë të detyruar të marrin pjesë në séance, LDK-ja nuk i komentoi. Megjithatë, deputetët e kësaj partie, sikurse edhe ata të Vetëvendosjes dhe AAK-së, i referohen dy dispozitave të tjera ligjore, që siç thonë ata, nuk i detyrojnë të qëndrojnë në seancë.
Në nenin 70 pika 1 e Kushtetutës ku flitet për mandatin e deputetëve, thuhet se deputetët e Kuvendit janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues.

Ky qëndrim përforcohet edhe nga radhët e PDK-së, ku vetë kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi deklaron se është mirë të lexohet neni 70 pika 1 që flet për të drejtat dhe detyrat e deputetit.
Edhe Vetëvendosje dhe AAK mbajnë qëndrimin se nuk mund të detyrohen deputetët të marrin pjesë në seancën ku do të zgjidhet presidenti.


*****************

Kryeministri Hashim Thaçi i ka fajësuar partitë opozitare si shkelëse të Kushtetutës, të cilat me bojkotin dhe me sjelljen e tyre po e çojnë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme, gjë që nuk pret Uashingtoni dhe Brukseli, por që nuk e meritojnë as qytetarët e Kosovës, meqë Kosova nuk e ka luksin që të mbajë zgjedhje çdo tre muaj. Duke iu kundërpërgjigjur deklarimeve të opozitës se do të lëshojnë sallën në ditën kur do të rivotohet për president, Hashim Thaçi u ka kujtuar atyre se e kanë obligim kushtetues dhe moral, e mbi të gjitha përgjegjësi ndaj votuesve, që të qëndrojnë në Kuvend gjatë votimit, derisa praktikën e bojkotit e konsideron si formë të rrezikshme për vendin dhe të ardhmen. Kreu i Qeverisë është shprehur me tone kritike ndaj përfaqësuesve opozitarë, ndërsa ka thënë se e respekton në përpikëri vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por në të njëjtën kohë ka ftuar ata që e kanë dërguar lëndën në Gjykatë që të respektojnë këtë vendim.


* * * * * * *

Hashim Thaçi: Zgjedhja e presidentit është çështje orësh


"Çështja e zgejdhjes së presidentit të Kosovës në Kuvendin e Kosovës është çësthje orësh", ka thënë kryeminsitri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Kryeminisri Hashim Thaçi ka hedhur kritika ndaj botjkotit të opozitës dhe ka rikujtuar se edhe ai dhe partia e tij kanë qenë në opozitë në zgjedhjen e presidentëve të mëhershëm të Kosovës por ai dhe PDK-ja kanë qëndruar në Kuvend dhe kanë propozuar kundërkandidat duke rrespektuar kështu ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

Flori Bruqi, e pasqyruar në shtatëdhjetë libra të botuar deri tani, për çka ai duhej nderuar me medaljen më të lart “Nderi i Kombit”.

  Akademik Prof.dr.Eshref Ymeri, PHD Prof. dr. Flori Bruqi, me “Diademë Letrare V” Akademik PHD, Eshref Ymeri Vitin e kaluar, Shtëpia Bo...