Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/04/30

DANIEL GÀZULLI :I M A R R I


DANIEL GÀZULLI

         - tregim –

Mark Temali u kthye prej Tivarit i luejtun mendsh.
Kishte qenë dikur student në Gjimnaz të Shkodrës, mendaj, në verën e vitit 1943, si kishte mbarue edhe vitin e fundit të gjimnazit, kishte dalë partizan. Mbas dy muejsh e caktuen komisar batalioni.
Thuhej se në gjimnaz ishte lidhë me komunsitat. Jo, u kishte thanë prindëve, s’asht e vërtetë. Por kur e caktuen komisar të Batalionit “Cukali”, u muer vesht se ai ishte komunist prej dy vjetësh.
Për herë të fundit tek prindët në Krythë kishte ardhë një javë para se të dilte në mal. Kishte sjellë një qerr me libra prej Shkodre, asgja tjetër.
Gjatë luftës nuk u duk asnjëherë në Krythë. Të atit, Lazër Temalit, nuk i qeshte ma buza qysh kur kishte marrë vesht se i biri ishte ba komunist, bile edhe i randësishëm. Mue do të më buzëqeshë buza, kishte thanë Lazri, kur ta shoh se po ma sjellin në vig. 
Nga janari i 1945 e deri në vjeshtë nuk u muer vesht asgja e saktë për të. Thuhej se kishte kalue me brigadat në Kosovë, ku ishte derdhë ma shumë gjak se gjatë gjithë luftës në anët tona. Po vriten në mes vetit, thonin. Po si, në mes vetit? – pyesnin njerëzit. Ja, partizanët me nacionalista. Partizanët janë ba me serbë.
Kur u muer vesht mirë se partizanët ishin ba me serbë, Lazër Temali as në Kishë nuk shkonte ma, që të mos takohej me të tjerët e t’i thonin: A kam dëgjue, apo Marku po vret shqiptarë atje në Kosovë me urdhën të shkjaut? Shtëpi e arë, kaq bante Lazri. Po ma shumë në shtëpi. Vetëm kur ishte i shtërnguem prej punëve të stinës shkonte në arë.
Mbas disa muejsh dikush solli lajmin se batalioni i komisarit Mark Temali ishte transferue në Tivar. Atje çfarë nuk po ndodhte, thuhej në katund. Gjush Tukun, që kishte thanë se asht derdhë gjak i madh shqiptari në Tivar, e pushkatuen pa gjyq në oborr të Kishës.
Po në vjeshtë Marku u kthye. Nuk ishte i veshun ushtarak. Kishte rroba të bukura, stof anglez, gjithmonë me kravatë e këpucë përherë të lustrueme. I shmangej baltës së rrugëve të katundit sikur kishte frikë mos ngelte në te.
Prindët e pritën si e pritën, nuk u muer vesht shumë. As Lazëri e Tereza, as të afërmit tjerë, nuk tregonin gja. Pse asht kthye Marku? – pyesnin njerëzit. Pse asht i veshun civil? Pse nuk ka grada?
Po nuk merrnin përgjigje. Asgja nuk dihet, thonin të afërmit. Nuk tregon asgja.
Se çka kishte pa Marku në Tivar, nuk dihej, por kur u kthye në shtëpi, shumë shpejt u kuptue se ishte i luejtun mendsh dhe se kishte frikë jashtë mase prej gjamëve e vetëtimave.
- Mark, - i thonin bashkëfshatarët - pse ke kaq frikë?
- Sonte do të vrasin edhe dyqindë të tjerë. Sa herë gjëmon e veton, vrasin dyqindë vetë njëherësh.
- Kush i vret? – e pyesnin.
- Jooo, këte s’e di unë. Ncëk, ncëk, ncëk. Këte s’e di unë – thonte me nxitim dhe largohej me vrap.
Kush nuk ishte përpjekë me e qetësue, se kur gjëmonte e vetëtinte Marku qante dhe tmerrohej keq. Kush nuk ishte përpjekë të kuptonte pse i kishte ai frikë ashtu gjamët, po kur e pyesnin ai largohej me vrap, edhe natë të ishte, aq sa ndodhte që të tijët mezi arrinin ta gjenin mbas kushedi sa ditësh të fshehun në ndonjë pyll.
Më 1948, kur u prishën në mes tyne Tirana e Beogradi, Marku u duk se i kishte ma pak frikë gjamët e vetëtimat.
“Ncëk, ncëk, ncëk, – thonte – tash nuk i vrasin ma. Tash nuk i vrasin ma. Po kur e pyesnin përse tash nuk i vrisnin ma ata dyqindë të rijtë, ikte përseri me vrap dhe shpesh humbiste edhe për një javë të tanë.
Por një ditë, pothuej një vit ma vonë, ai dëgjoi rastësisht një oficer që po fliste rusisht dhe e ngatrroj me serbishten. Iku me vrap dhe nuk u gjet ma.
Komisar Mark Temali edhe sot asht pa vorr.


Iluzione - Nga Dimitris P. Kraniotis


Poet, prozator, mjek, akademik. Dimitris P. Kraniotis u lind më 15 korrik 1966 në Stomio, Larisa, Greqia Qëndrore. Ka kryer Fakultetin e Mjeksisë në Universitetin «Aristoteli» të Selanikut. Jeton dhe punon në qytetin Larisa, si mjek specialist në medicinën interne. Është njëherit profesor në Fakultetin e Infirmierëve me Shkollën e Lartë në Larisa (TEI).

Është anëtar i Akademisë së Romës, i Akademisë Internacionale të Miçenës (Itali), Doktor në letërsi pranë Akademisë Botërore të Arteve dhe Kulturës (WAAC), president i zgjedhur i Kongresit të 22-të të Lidhjes Internacionale të Poetëve Laureatë (UPLI); fondator dhe president i Shoqatës Botërore të Poetëve (WPS), nënkryetar i Lidhjes së Poetëve në Larisa, nënkryetar i Shoqatës Mjeksore në Larisa, drejtor i revistës mjeksore Hippocrate dhe anëtar i revistave letrare Graphie dhe Larissa Spirituelle, anëtar i Shoqatës Nacionale të Shkrimtarëve Grekë, anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Grekë, i PEN-Qendrës Greke, i Shoqatës së Shkrimtarëve Mjekë të Greqisë, i Shoqatës Internacionale të Shkrimtarëve Grekë, Ambasador në Greqi i Organizatës Internacionale Poetes du Monde, anëtar i Shoqatave Internacionale: UPLI, IWA, WAAC, UMEM, AEADO, SELAE etj.

Dimitris P. Kraniotis ka debutuar më 1980 me prozë dhe poezi në revistat letrare të Larisës. Seleksione nga lirika e tij janë botuar në revista të ndryshme letrare dhe antologji, në gjuhët angleze, françeze, rumune, bullgare, italiane, shqipe, turke, çeke, kineze, serbe, holandeze, spanjole, portugjeze, arabe, bengali etj. Ka marrë pjesë në kongrese dhe festivale internacionale të poezisë, ndërsa për veprën e tij poetike ka qenë nderuar me çmime prestigjioze dhe medalje të panumërta në Greqi, SHBA, Itali, Francë, Rumani, Spanjë, Angli, Managua, Bullgari, Maqedoni, Zvicër, Rusi etj. Bibliografi lirike: Gjurma, Larissa, 1985; Shëmbëlltyra në glinë, Larissa, 1992; Linja imagjinare (edicion trilingv: greqisht-anglisht-frëngjisht), Larissa, 2005; Duna/Duna (edicion bilingv: frëngjisht-rumanisht), Editura e Akademisë Internacionale Orient-Occident, Bukuresht, 2007; Endograma, Thessalonique, 2010; Edda, Editura e Akademisë Internacionale Orient-Occident, Bukuresht, 2010.



Libër me poezi

Iluzione
(Iluzii)

Rrudhat e heshtura
Mbi ballin tonë
Janë kufinjtë e historisë
Që hedhin shikime dashamirëse
Mbi vargjet e poemave të Homerit.
Iluzionet
E mbushura me fajshmëri
I çrobërojnë
Pëshpëritjet e lënduara
Duke u shndërruar në jehonë
Në shpellat e ndritura,
Të budallenjve dhe të pafajshmëve.


LINJA IMAGJINARE
(Linia imaginarã)

Tymi
I cigareve
Dhe filxhanat
E kafesë
Pranë
Linjës imagjinare
Për të cilën mbështetet
Shpejtësia
E fjalëve
Duke transmetuar një shenjë
Të heshtjes sime
Të plagosur.



EDDA
(Edda)

Aganippe*
Me frymëzimet
«à la carte»,
Të epokave paqësore,
Hapa të marketingut
Të «8»-të të të dehurve
Të së djeshmes së suksesshme
Edda** poetike
E kohërave të huaja
Me «po»-të bipolare.

*Në mitologjinë greke, burimi Aganippe i kushtohej Muzave, si gurrë inspirimesh poetike.
**Edda është një ansambël poemash në norvegjishten e lashtë. Është burimi më i lashtë i njohjes së mitologjisë skandinave.


ENDOGRAMA
(Endogramă)

Endograma*
E shtëpive lektike,
Në letrat
E përbashkëta apo zbrazëta,
Me fjali që shqepojnë
Me britma të fshehura,
Diskontinuitet i hapsirës së përkohshme
Si rezultat i një shkarkimi
Me shkëputje të fajshme,
Të një aventure mashtrimtare,
Të pajtimeve intime
Me mundjen e të mundurve.

*Brendia e letrës


MBARIMI
(Sfârşitul)

Shija e fryteve
Nuk më degdiset
Nga goja
Por shqetsimi i fjalëve
I lodh retë
Dhe e shtyp dëborën
Nuke numëruar guraleçkat
Ndërsa ti
Ti nuk më the
Përse më tradhëtove
Përse me vështirësi
E me të padrejtë dëshiron
Të thuash se mbarimi
Është zhurritur përgjithmonë
Nga lotët.


KTHINA TË MËKATSHME
(Păcătoase unghere)

«Shën Nikon, Pendohuni»
Në kalendarin
E një agimi të përbaltur
Me shira që shuajnë etjen,
Që shpërlajnë pa mëshirë
Erinitë e fajshmërisë,
Fitore dhe mundje
Të kthinave të mëkatshme
Të trotoareve e të odave,
Të të miturave
Dhe çasteve similare.


TESHA MONOLEKTIKE
(Veşminte monolectice)


Valë theksesh cirkumflekse,
Një det i hidhëruar ndajfoljesh,
Mullinj foljesh,
Guaska me pika për varje,
Mbi ishullin e poemave
Të shpirtit,
Të trurit,
Të mendimit,
Tesha monolektike
Që mund t’i mbash
Derisa të ngopesh!


POTIT TË VDEKUR
PËR PADUKSHMËRI
(Poetului mort
despre invizibilitate)
-Në nderë të Poetit që vdiq i pabotuar-

Bravo të qoftë
E fitove davanë
Nuk duhet të jesh i trishtë
Poetët e pabotuar
Të përkujtojnë gjithmonë
Se ata s’janë të varrosur
Se ata s’janë pesha
E kalimit të kohës
Ata mbeten mbi dhe
Porsi ajri
Ata nuk ndryshken kurrë
Ata vetëm vonojnë
Ta dhurojnë pjesën
E popullit të vet
Për t’ia dhuruar
Frytin e tyre të ëmbël
Dhe të pavdekshëm.


ILIUZIONET
(Iuzii)


Shikoja rrethepërqark
Pa vërejtur
Se gjendej dikush
Pa ëndrra
Dhe desha të vrapoj
Përpara tij
Duke hedhur dy rrjeta
Plot me iluzione.
Por përnjëherë
Vasha më e vogël se pesë vjeçe
Më mbushi me dhembje
Ngase nuk deshi
Të më thotë se si
Dhe përse
Ngase nuk deshi të shohë
Atë që unë e shihja.
Por unë, unë nuk i hodha
Fjalët e shkruara
Në dysheme,
Që të mos mendojë
Shumica se s’ka gjë.
Vrapova nëpër vapë
Me mendimet e zhytura në liqenin
Harta e të cilit
Nuk donte
Ta ngjyrosë qiellin me to.


KODRINA RËRE
(Dune)

Koha është një erë
Që, duke rrahur
Mbi rërën e jetës sonë
Kodrina rëre
Vuajtje dhe gëzime
Tubon këndej dhe andje.


«EGOTË» E FALJES
(«Eu»-rile scuzei)

Hidra e Lernës
Lotë
Të guximit të të tjerëve
Që kanë varrosur
Fjalë të lehta
Pa vlerë
Kur buçitja derdhej si shi
Nga zeroja
Në plus
Njëmbëdhjetë plagët tona
Kur ti dëshiroje
Që ditët me të rreshura dëbore
Të bëhen vjeshtake
Me shirat e para
Duke vërshuar një mëngjez
Murmurimat e gjezdisjes
Duke e mbushur me re
Qiellin e harresës,
Duke vajtuar
Viktimat e shpirtit
Duke të marrë pas premtimeve,
Gjak që po derdhet
Duke u nisur rrugës së
Brejtjes së ndërgjegjes
Artistikisht duke lansuar
«Ego»-të e fshehura
Pas shpinës se faljes.


RREGULLA DHE ËNDRRA
(Reguli şi vise)

Jeta imponon
Rregulla
Perëndimi i diellit
Përjashtime
Shiu thith
Shekujt
Ndërsa pranvera – ëndërrat tona
Shqiponja shikon
Rrezet e diellit ndërsa rinia – ëndërrat.


HIRI
(Cenuşă)

Vatra
Dëshironte
T’i vejë një pikë
Propozimit
Të cilin rruga
E ëndrrave të mia
E përngjiti
Mbi fjalën lumturi
Me flakët e pyllit të lagur
Të cilin e mblodha
Me gjithë shpirtin tim
Duke guxuar ta shndërroj
Në hi.


POEZIA
(Poezia)

Ajo shkëlqen
Porsi dashuria
Ajo na zotëron
Porsi besnikëria
Ajo na përfiton
Porsi një i gjithëfuqishëm
Ajo na zgjeton me vetëtimë
Porsi trishtimi
Poezia.


PERSISTENCA E DJESHME
(Persistenţa lui ieri)

Muzika
Ma prek ngadalë
Mendimin
Me nota trishtimi
Por shpirti im
Don të vallëzojë
Si kurrë më parë
Me zanoret
E Estit të denjë *
Ç’po do ti prej meje
Persistencë e ëmbël e djeshme
Lëre hapin e parë
Të dyshmit
Dhe eja me një sotme
Në piskun e çlirimit
Ardhmëria është e afërt
Qoftë kur ti më robëron larg tij
Përmes xhamit të vetmisë
Dita duket
Se ka lapsa të verdhë
Mijëra nyanca jo-shë
Të cilat dua t’i puth.

*Axion Est, poemi i famshëm i Oddysseus Elytis


SKULPTOJ
(Sculptez)

Skulptoj
Ëndrra falso
Që do të bëhen
Astronautë.

Skulptoj
Shpresa shkëlqimtare
Që do të bëhen
Revolucionare.


JU FLAS
(Vă vorbesc)




Ju flas
Kinini kujdes
Ky çast
Është tejet i rëndësishëm
Për mua
Jam i lumtur
Ja se ç’kam thënë
Dhe të gjithë ishin të sjqetsuar
Ata vajtën
Me kokën e përkulur.


LEKSIONE TË PO-SË
(Lecţii de da)

Me ato fjalë të rënda
Unë qëndis hije
Fraza
Lisat e fuqishëm
Bien nga një goditje
Lulet e limonjve ngrijnë
Ndërsa ti
Që digjesh porsi puthja
Që shkëlqen siç dëshiroj
Ti jep leksione të po-së
Të asaj se unë të dua
Ngase di të ndjej.


LULE
(Floare)


Lule
Përzjerje
Kastiteti
Dhe pasioni
Ndërsa nata
Një qiell i zi plot yje
Ia vodhi ngjyrën.

Lule
Përzjerje
Petalesh
E poezishë
Ndërsa dita
E shndërroi në këngë
Në valle nimfash pranverore.


ARDHMËRIA
(Viitorul)

Deri te shqiponja
E varrosur në asfalt
Heshtja e pafund
E një zeroje absolute
Instrument i thyer
Nga shemineu i shiut
Ardhmëria.


NJË BOTË E ÇUDITSHME
(O lume ciudată)

Unë kam parë zjarre
Në zemrën e njerëzve
Ua kam adhuruar veprat
I kam thirrur qetësisë
Ndihmë
Isha i dëshpruar
Frikës i dhash flatra
Në Tartar
U kalita
E mbrojta rininë
Bga bishat
Ia arrita qëllimit
E mbulova me dashuri
Rrethin tim
Dhe u çlirova.


PËRSËRITJE
(Repetiţie)

U takova
Në mes të rrugës
Me njërin nga gabimet e moçme
Dhe e tejkalova
U përnguta
Ta ripërsëris
Vetveten time.


RRJETA
(Mreje)





Larg nga drita
E hënës,
Në skaj të detit,
Shumë më larg nga flaka
E një puthjeje
Dhe nga dëbora e maleve,
Të shoh se si lufton
Për atë që zhurritesh,
Për çdo gjë që ia vlen
Dhe bie
Në detin e gjerë
Përpëlitesh mes shkëmbinjve,
Bie,
Ngrihesh,
I ngreh pëlhurat,
Rrjetat
Plot frymëmarrje,
Rrjeta
Të mbushura me mundime
Me mijëra algje e plagë,
Guaska e shpresa,
Buzëqeshje e lotë,
Qetësi dhe furtunë.


PALLTOJA
(Paltonul)

Ai u ngulfat
Në sigurinë
E pluhurit,
Të cilin era
Nuk mundi
Ta shpërndajë
Nga qaforja e palltos së tij.
Ndoshta pse i vjente ftohtë.
Ndoshta pse
Ai nuk besonte për të arritur
Duke menduar se ende mund të luftojë.


E QUANIN BUDALLAÇKË
(I se spunea nebună)






Ajo dashuronte
Lulet, pemët.
Ajo puthte
Zambakët, lulekuqet.
Ajo luante,
Porsi fëmijët, me kafshët.
Ajo adhuronte njerëzit, zogjtë.
Ajo flijohej
Për jetë, për dashuri.
E quanin të marrë !
Por përse ?


AJO U THYE
(Ea s-a spart)

Lule e vyshkur
E zjarrit.
Mendim i trishtë
I një plake.
Frymëmarrje…
Frymëmarrje e jetës
Që u shkëput.
Shpresë e lartësuar
Nga frymëmarrjet
E pafatsisë.
Pasqyra u thye.
Ç’të themi tani :
As që na bien ë mend.
Thjesht vetëm po pyesim.


GJETHET VOKALE
(Frunze vocale)

Ato shndrisin
Duke e mbajtur zjarrin,
Ato i mbajnë
Faqet vokale,
Puthjet pa vlerë,
Ata kanë frikë,
Ata mbysin
Lajmërime-fantazma,
Është faji i poemave!

GJURMA PUTHJESH
(Urme de săruturi)

Në mbarimin pa mbarim
Të dashurive të papërmbushura
E të ligësive të panumërta,
Pas gjithaq gënjeshtrash
Të një të shkuare madhështore
Dhe pas aq vuajtjesh mashtrimtare
Përnjëherë Ti,
Në ecjen
E kalimtarëve që shkelin mbit y
Si mbi do miza përdhese,
Lë gjurma puthjesh
Pas teje.


DUHET
(Trebuie)

Diell i shpresës sime
Ti kur bie fshihesh
Dhe, pa shfrytëzuar fjalët,
E mbush me fraza
Qiellin e ditës sonë,
Perëndimin e tanishëm,
Plagët që më bëjnë keq
Të them mirëmbrëma,
Ky është turpi që do qetësi
Dhe i bërtet ajrit,
Ndërsa falja nuk qesh,
Por qan, i dhemb, dhe duhet.


LUMTURIA ABSOLUTE
(Fericirea absoluta)

Shtigjeve
Të largëta
Të një lumturie absolute,
Rendim, lodhemi,
Bërtasim, hidhërohemi,
Por ne jemi fajtorë.
Heshtje.
Ne ecim, degdisemi,
Ne qeshim, ne dashurohemi,
Por edhe qajmë.


KUNDËR TË PANJOHURVE
(Impotriva necunoscutilor)

Me logjikën
E portave të hapura,
Në dritën
E vlerave pothuajse të fshira,
Kartolina të vogla,
Raporte publike,
Duke u ankuar
Kundër të panjohurve.


NYJE GORDIANE
(Nod gordian)

Dua të ndjej,
Gjithçka po dëgjoj,
Dua të them se
Mbështes çdo gjë,
Edhe frymëmarrjen
Që po rrallohet
Derisa shndërrohet në një shqiponjë.
Unë dua të bëhem
Erë,
Të shpërbëj nyjen gordiane
Të mbarimit e të gjumit.
Të shpërbëj,
Të ankohem,
Të luaj,
Të dashuroj.


PËRSOSJET E TË SHENJTËRVE
(Perfectiunile Sfintilor)

Sërish përballë meje
Duke pritur,
Një çik përpara.
Përsosja e të Shenjtërve
Duke ta shtrënguar dorën
Duke ma përmbajtur
Frymëmarrjen e përflakur.


DRUAJTJE
(Temeri)

Harresa e gabimeve,
Mbarimi i dashurive,
Shembja e idealeve
Në skëterrën
E ndruajtjeve të mia.


VIZITUES TË ZEMRËS SONË
(Vizitatori ai inimii noastre)

Bashkëbisedim i tmerrshëm
Në tesha gurësh.
Fluturim ajri kërcënues
Në çdo hap.
Pika të ftohta të mirësisë
Na e djegin frymëmarrjen.

Shpresa
S’po na e viziton zemrën ?

Sot dëbora
S’është e bardhë.
Ajo nuk ka ngjyrë,
Porsi shpatoret tona,
Porsi një mirëdita
E pashprehur nga buzët tona.

Dashuria
S’po na e viziton zemrën ?

Afish i grisur
Nga fërshëllima e erës –
Një nga një fjalët tona.
Guaskat e kaltërta
Të shkrira në kaltërsinë e detit –
Ëndrrat tona.

Poezia
S’po na e viziton zemrën?

POST SCRIPTUME
(Post scriptum-uri)

Ke harruar të shkruash
Se je njeri
Në letrën e hidhur
Të jetës sate.

Ke harruar të shkruash
Në fijet
E zemrës sate
Se edhe dashuria ekziston.


PËRNDRYSHE
(De altfel)

Përndryshe
Ti më pret
Ndoshta nesër do të tërhiqesh,
Por sot ke guxim.
Përndryshe
Shpesh herë ke pyetur vetveten,
Por e ke humbur pakicën.
Përndryshe
Para kohe ke vajtur.
Ndoshta se nesër
As që do të vish.


AUTOGRAF
(Autograf)

Ti ke vajtur
Para syve
Që kanë fiksuar
Me shikimin
E dyshimit
Autografi
Mission i zbrazët
I ndërgjegjes sate.


ABSOLUTISHT DHE TJETRA
(Absolut şi rest)

Kuptime absolute
Të një shpërblimi
Ndjenja të mbetura
Jashtë moralitetit
Ndjenja absolute
Të një epoke të dukshme
Viktima të mbetura
Të tolerancës dhe vetëdijes,
Absolutisht dhe mbetjet
E tepricës
Aq larg dhe aq afër.


TINËZARËT
(Tăinuitorii)

Shkëmbinj të skulptuar
Me ikona
Ndjenjash të fuqishme
Platformash të çveshura
Me përfytyrime
Veshjesh pa shëmbëlltyrë
Mashtrimesh në zinxhirë
Vullkanesh active
Vendesh të zbrazta
Që tentojnë të degdisen
Jeta naive
Me plagë të hidhëruara
Të proceseve pa realitet
Dhe ne këta që i ftojmë
Fshehtësitë e ideve.


HARTA E BARDHË
(Harta albă)

Çka po më thua ti
Tani për të shkuarën,
Në kohën kur dëshprimi
“Për gjithçka”
Dhe nevriku
“Kundër të gjithave”
Ka nënshkruar tradhëtinë
Në hartën e bardhë
Të ardhmërisë sonë.


RINIA E ULLIRIT
(Tinereţea măslinului)

Më mungon rinia
E ullirit,
I pres pëlhurat
E zjarrit,
Shpresat e shpëtimtarëve
Të ftuar nga vetvetja,
Kufinj lotësh
Të pakësuar.


JETËS
(Vieţii)

Psherëtimë
Në ndaljen e autobuzit,
Ndërmjet kllapave
Bashkëndjenja të përbashkëta,
Furi
Jashtë dhomës,
Në vendet ekstreme
Të antitezave absolute,
Klithje e jetës së re.


LIÇENCË POETIKE
(Licenţă poetică)

Për shkak të liçencës poetike
Fjalët vërsulen
Në shpirtin tone
Duke u shpallur invalide
Të betejave reale
Dhe na e fshehin zemrën
E armatosur
Me forcën
E kullosva kundër regjimit,
Ngase zemra jonë
Është e përmbushur
Me defekte të lavdishme
Të guximit të një të pandjeshmi,
Me nxitje të përgjakshme.


UJI
(Apa)

Vërshima të dukshme
Të frymëmarrjeve njerëzore,
Qenje pa moralin
E vendimeve të ashpra,
Grimca të fajit,
Një dorëzim negativ,
I ngricave.


GËNJESHTRA BESNIKE
(Minciuni credibile)

Pa mundur
Apo pa dashur
Unë kam lansuar mesazhe
Këndej andej
Që nga lumi,
Momenti i rëndë
I lansimit
Të gënjeshtrave besnike
E zhyt varkën e premtimeve
Në ujërat e poshtra
Të vërshimeve të papritura
Të logjikës së përbashkët.


MOSPIMËS DUHANI
(Nefumător)

Edhe unë i hedh
Cigaret
Si do shigjeta
Gjatë rrugës,
Duke u deklaruar
Mospimës duhani,
Dallaverexhi i qoshit
Të rrugës,
Pasagjer
I ideve të papritura,
Votues
Mungesë e paskajshme
E ligjeve të paligjshme.


LUFTA ËSHTË E BARABARTË
(Luptă egală)

Unë nuk fitoj
Dhe as nuk humb asgjë.
Lufta e barabartë
Ndërmjet indiferencës dhe ndihmës
« Duke traversuar »
Rregullat e ikjes,
Unë gjuaj në mënyrë të qartë
Shenjat e trurit
Të heronjve të vegjël
Që ringjallen
Derisa nata është e gjatë.


LISTA E TË MBIJETUARVE
(Lista supravieţuitorilor)

Ëndërra të stolisura
Për idetë e arritjeve,
Plot padrejtësi,
Gabime dhe fajësime,
I tërheq si do vathë,
Si do fantazma valësh
Që degdisen në zhytjen
E miliarda hipotezave,
Pa e kuptuar ndonjëherë
Listën e atyre që mbijetuan,
Pa u humbur ndonjëherë
Në llogaritë njerëzore.


TURPET E HESHTJES
(Afronturile tăcerii)

Por ç’të them
Për asgjë,
Për jetën e të tjerëve,
Kur ty të ofron një llojshmëri
Plagësh
Duke e pagëzuar
Gënjeshtrën e zjarrit
Që djeg
Mendime dhe të vërteta.
Ajo q[ prêt
Gjatë natës,
Derisa pikat e ujit
Rrejdhin
Mbi fytyrën tënde
Duke ia mëshuar
Heshtjes me shuplakë,
Sa i përket ditës së djeshme
Në situatën e pafatshme
Të një « duhet » përgënjeshtruar
Dhe të një « përse »
Duke urdhëruar frymëmarrjet
Derisa e lexon Biblën.


URA AJRORE
(Punţi aeriene)

Fjalët e mençura
Të një rradhe të butë
Gjuajtjesh të vjetra
Vënë ura dyshimi
Pikave ajrore
Që bashkojnë bindje,
Që prekin
Fytyrat e dyfishta
Të ujërave të lumit
Që nisin të shemben
Derisa kalimtarët ecin mbi to.


FIJET E SHPRESËS
(Firele speranţei)

Këmisha e lirit
E lagtë
Në ballkon
E lëvarur
Vertikalisht
Me një rregull të moshës,
Përndryshe,
Nuk importon vagabondazhin e dikujt,
Qes një hap përpara
Gënjeshtarëve të bukur,
Ua mëshoj me shuplakë
Të sakrifikuarve të shortit,
Ndërsa unë që thurr përmes jetës
Vetëm me fijet e shpresës.
Po e shoh se jam duke e humbur
Gjysmën
Nga viktimat e shqetsimit.


ALGORITME
(Algoritmuri)

Duke bërë një ekspreso
Unë zbulova puthje
Duke rënë në kthetrën
E faljeve të pafund
Kështuqë algoritmet
Kalojnë
Në latimin e dashurive.


NË TË BARDHË
(În alb)

Pa folur
Ti u kape
Në vallen e banorëve
Të shtëpive të shembura
Nga një shpërthim falso,
Që bëjnë disa hapa të pamundur
Në drejtim të kapitjes
Kur ec mbi telin solid
Duke drejtpeshuar heshtjet
Në një akord të thjeshtë
Zogëzash të painteresuara,
Duke u buzëqeshur përfytyrimeve
Të masakrimeve të pamëshirshme
Madje dhe të lakmive.


PA ERËTIMËN E LULISHTES
(Fără mireasma grădinii)

Shkëlqimi i Orionit
I nxit me ngazëllim
Vuajtjet e papritura
Ndoshta të ashpra
Të dimrave
Të kohërave të harruara
Kur ti tenton të stolisish
Me lule plastike
Pa erëtimën e lulishtes.


SHIJA E SHEQERIT
(Gustul zahărului)

Me ëmbëlsinë tënde më djeg
Unë të afrohem me naze,
Ti më tiranizon me hidhërim.
Derisa natën kur zgjohem,
I bluajtur nga pyetjet,
Duart tua qasen pranë meje
Pa fjalë fyese
Ti e hedh sheqerin
Duke lënë të ndjehet
Shija e tij e prangosur
Si një mohim i lutjes më fal.

Në bregun e qenjes sime - Libër me poezi

Libri i George Peagu-t është një gëzim i veçantë. Ai ta ngulfat në shpirt atë kënaqësi të verbët, të lartë e të thellë, të cilën vetëm krijimtaria letrare mund të ta prokurojë. Është shprehja më e fshehtë e shpirtit, një humnerë e zbraztë dhe e vetmuar, e mbetur ballë për ballë vetëm me vetveten. Është shprehja e asaj ndezjeje të ëmbël e të butë, e vetë shpirtit të jetës sonë misterioze, e zënë si një zog i zbehtë që përpëlitet në rrjetat e strukturës së një lënde të ashpër e të pamëshirshme, të mrekullueshme, të pashpjegueshme e të padepërtueshme. Një fryt plot kuptime, dhe megjithatë, i pakuptuar! Një kuptim plot mençuri në botën e pakuptimtë, ky vëllim, perfekt i barabartë me vetveten, është një vepër arti, ngase, pa përmbajtur asgjë në plus, asgjë nuk i mungon. Është fryt i përpjekjeve të një jete të tërë, që është munduar derisa ka arritur të jetë i kuptuar, siç thot autori, “të dantellojë përfytyrimin e zgjedhur”. Por çka tjetër mund të jetë poezia, nëse jo madje pasqyra e pavdeksisë së ekzistencës sonë, e rruajtur përballë përjetësisë? Nmdërsa George Peagu e din, e ndjen dhe e thoit këtë, gjë që është e mjaftueshme. (Gavril Matei Albastru)

oet dhe prozator. U lind më 4 korrik 1939, në lokalitetin Seciuri, komuna Roshia de Amaradia, rrethi i Gorzhit (Olteni). Shkollimin fillestar e ndoqi në vendlindje, pas të cilit e përvetësoi mjeshtrinë e traktoristit, zdrukthtarit, aviatorit, duke punuar 11 vjet. Nga viti 1982 iu dedikua ekskluzivisht shkrimit. Është anëtar i Unionit të Shkrimtarëve të Rumanisë nga viti 1983, i përjashtuar më 1984, i ripranuar më 1994. Vepra letrare: Peshore (poezi), Editura Litera, Bukuresht, 1978; Antena galaktike (poezi), Ed. Albatros, Bukuresht, 1985; Interyje (poezi), Ed. Eminescu, Bukuresht, 1997; Kujtime nga bota tjetër (prozë e shkurtë), Ed. Perpessicius, Bukuresht, 2006; 222 katrena (poezi), Ed. Perpessicius, Bukuresht, 2006, Relacion i ndaluar, Ed. Arefeana, Bukuresht, 2009, Fituesi nuk merr asgjë (vëllim bilingv, rumanisht-shqip, Bukuresht, 2009). Për krijimtarinë e tij kanë shkruar kritikë dhe eseistë eminentë të letërsisë rumune. Bashkëpunon me një numër të konsideruar revistash letrare, duke qenë i përfshirë në 34 antologji poetike, në rreth 25 almanakë të revistës Rebus dhe revistave tjera, me prozë të shkurtë, poezi formash të ndryshme, epigrame etj. E ka patur lektor shkrimtarin e famshëm rumun me origjinë shqiptare, Viktor Eftimiu (1967), dhe është i përfshirë me vargje në gjuhën shqipe në antologjinë Magjia e fjalës (Bukuresht, 2009), si dhe në veprën e Serban Al. Doru Scriitorii gorjeni/ Shkrimtarët gorzhenë (Fije fjalori), Ed. Ager, Tërgu Zhiu, 1998, fq. 113-114.




Nga George Peagu

Në vend të parathënies


Në matriçen stilistike të krijimtarisë, George Peagu (Xheorxhe Peagu) ka si pikë burimore analogjinë. Një detaj empirik dhe, menjëherë, një transferim në përfytyrim. Zhvillimi i përfytyrimit është qoftë numërimtar, qoftë teknikë alegorizuese. Konstrukcioni morfologjik është qoftë diptik, qoftë triptik.
Poeti lë të jetë i zotëruar nga lënda poetike apo ia nënshtron – përkundrazi – refleksioneve tragjike. Njeriu i poezisë së George Peagut është një poet tragjik. Ndriçimet e mëndafshta janë të natyrës së shumëfishimit të fërgëllimës së autotencititetit. 

Duke ia eliminuar vajtimet dashamirësisht brutale dhe me theks autobiografik dukshmërisht periferik, uni empirik i shqetsuar përfiton cilësinë dhe forcën e një uni poetik që na obligon për instaurimin e krijimtarisë së George Peagut në qarkun e pritur të vlerave të reja letrare. Për poetin George Peagu më duket emblematik vargu i Georg Traklit, i komentuar nga Heideggeri: “Diçka e huaj është shpirti në këtë botë!”

Vetëm ti ke fuqinë
Të më popullosh me yje
Vetëm ti e ke lindur
Atë muzikë hyjnore që
Dëgjohet deri tejmatanë yjeve.
Ti e bën më të bukur Universin e pakufishëm
Petalet tua të drejtuar kah unë 
Më rrezatojnë,
Staminet ma lënë polenin pa mendime
Pres të jem i gëlltitur.

Mos u brengos zot
Dhe mos u lëkund
Kur të mbështes
Me krahë për qiellin.
Mund ti shkundish yjet
Që, duke rënë mbi mua
Do të më mbulonin pa gjurmë.


Kohë parvenysh - Libër nga Vladimir Torove






Poezi të zgjedhura

Nënës



Nënë,
Dora e bardhë dhe e butë,
Kur t’u rreshk e t’u vogëlua vallë?
Si një pergamen i lashtë,
Që koha sa vjen 
E bën më të çmuar,

Më të rrallë…

Dora jote si një pergamen i lashtë?!

Unë di të lexoj në rrudhat e tua
Një lumë të kthjellët me dashuri.
Dhe shtati yt i kërrusur,
S’di pse më ngjan
Me një flamur në gjysmështize,
Që për të dashurit e ikur
Mban zi...


DIÇKA PËR VETE...

Me hekur të skuqur më shënjuan, 
Në rininë e hershme.
( Më cërit në shpirt ajo ditë.
Ku ishin perënditë..?)

Më bënë skllav galere.

Kush të më mbronte?
Naiviteti i nënës,
Apo moskokëçarja e atit..?!

Isha një zog i vogël
Me gjuhë të shkulur nga dhuna.
Sy të liq më përndoqën
Një jetë të terë.
Më përfoli pafytyrësia
Dhe m’u ngërdhesh në sy.

Vetëm urtësia e të mënçurve
U bë limani im.
Nga kjo kuptova,
Sa pak të urtë ka bota..!



KOHË PARVENYSH

- Poezi të zgjedhura nga Vladimir Toroveci-


NË VEND TË AUTOBIOGRAFISË

Kam lindur në Korçë në vitin 1948, jam arsimuar, kam punuar e jetuar vazhdimisht në këtë qytet.
Kam lëvruar publiçistkën, duke botuar me dhjetra artikuj ne shtypin qëndror dhe lokal
Njohja relativisht e mirë e gjuhës Italiane, që prej viteve 70-të, më ka mundësuar kontaktin me kulturën dhe mendimin përparimtar evropian e më gjërë.
Kam shkruar poezi qysh në moshë të re, ku shpesh jam laureuar me çmime
Kam botuar disa libra me poezi.
1- ``Kush ma vrau mëngjesin``
2- ``Ulërima e shkretëtirëś́
3- ``Rikrijimi i Evëś́
4- ``Kohë Parvenysh́́

Kam botuar këto ese

5- Dhuna dhe metafizika
6- Hakmarja e opinionit të shpërfillur
7- Mëshira dhe altruizmi
8- Elitat efemere të provincave
9- Demokracia nuk është diplomokraci
10- Mpiksësi i kohës
11- Bota që lind prej baltës, etj
Aktualisht, jam kryetar i lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve, Korçë.

Më poshtë jepen dy prej shkrimeve që janë botuar për librin “Kohë parvenysh” në shtypin shqiptar





Dritëshikimi mbi mugëtirën e brendisë së një artthënie


Nga Albert Vataj


Ngarendja e moshës dhe kacarritja e mundimshme në pjerrinat sizifiane të të pamundurës, jo vetëm nuk e kanë përunjur poetin korçar Vladimir Toroveci, por e kanë tubuar më me zelle e më me pathos të kumtojë botën gjëmueshëm, përmes afshit dhe rënkimit. "Kush ma vrau mëngjesin", "Ulërima e shkretëtirës", "Rikrijimi i Evës" dhe tash së fundi në një përmbledhje poezish të zgjedhura, "Kohë parvenysh", janë zanafilla e këtij dritëshikimi që do të ngasim në mugëtirën e brendisë së artthënies së Vladimir Torovecit. "Teksti është konvencion i identitetit të autorit..." predikon Umberto Eko. Pikënisur nga kjo sentencë dhe përnga ky këndvështrim, do të përkonim në gjetjen e shtegut, se nga mund ta ngërthesh këtë lëndë, për të përftuar sandejmi limfën që kungon bujarisht poeti. Në kryeherën e të gjitha gjasave, poezia mbetet kumti ma dëshmues i shpirtit kushtrues dhe i ndjesive që kanden me flatrue nër vedi engjudhin përmes vargjeve, metaforës dhe ligjërimit artistik. Kjo përshkrimore asht tabloja ku poeti hedh ngjyrat për të përafruar krijimin e portretit të kohës së vet.
Brendia e subjektit poetik në krijimtarinë e Vladimir Torovecit qaset të shpërfaq madhështinë përmes një metafore të ngjeshur dhe një leksiku të rrjedhshëm. Shëmbulli estetik, finesa e piruetave artthënëse, eksplozioni shpërthyes që ngjishet fjalë pas fjale e situatë pas situate, harmonia e organizimit të gjëndjeve që e ndërkallin brendinë e tij, mbërrijne tek lexuesi të përplotesuara.
Përgjithnji kena dicka me mtue, pëshpërit nën zë, kumtesa artistike e poetit. Gjithherë e ma përfundi e tashmja ka vënë fjalën artistike, e cila ka triumfu, dhe asht kungu si zani kushtrues dhe afshin zjarrvënës i shpirtit të poetit. Sot ngase gjithseçka përpëlitet mes ngulmit për me ken mjet apo gjendje, zani ngadhnjyes i nji fondamenti i ngjet ma s'shumti një kacarritje të mundimshme përmes valeve për të kapur bregun. E megjithatë poezia e Vladimir Toroveci gjehet ngulmas në këtë përpjekje. Ai i beson dhe deshtazi e hedh veten në fushëbetejën e të pamundurave, i bindun se bota ngase ska mundësi për të ndryshuar, kjo nuk duhet të mohojë të drejtën për të rrokur vetëdijen e asaj që asht. Dhe kjo përftohet nga kumti artthënës, nga ajo brendi gufuese që ysht poetin për t'u hedhur në zjarr. Landën tektore të krijimtarisë së Torovecit e perceptojmë si ngrtje krye, si mosepje. Me zanin që e kapërthen në caqet e epërme të rrethrrotullisë, dhe krahnorin që i gufon përnga shpërthimi, ai dëshmon. Ai asht i bindun se format e garrametshme të botës nuk ndryshojnë. Megjithatë, doradoras, fjalë pas fjale, varg pas vargu, poezi pas poezie, qëmton gropat dhe plasaritjet që ka ndërkallë e sotmja e rrethanave dhe parakushteve. I kumton urtësisht e fuqishëm.
Përmes një procesi dinamik dhe nëpër një kohështrirje që e ngërthen fort pas vetes, poeti shpërfaq kjart dhe gjimueshëm tançka trazon botën e tij. Po, atë të tashme që nuk munet me ken vetëm e tija.
S'ka gjëndje fizike përjashtimore. Heshtja dhe nënshtrimi nuk munen me ken udhërrëfimtaret e një zani gjimues. Zani, që poeti ka zgjedh me vullnetin e kushtrimit. Nën përndezjen e një brendi që gjithnjë e ysht të hovet në vërshime, ai shpërfaq në vetvete sakaq dimensionin e individit kryengritës. Bota përreth poetit, siç edhe në fondamentin e perceptimit të gjithkahshëm të Torovecit, në shprehësinë e tij të artthënies, është tjetërçka që shqisat e njeriut të zakonshëm perceptojnë. Poeti është i destinuar të kundrojë dhe të kumtojë, me ma të fuqishmen ndjesi dhe me shpërthyesen barrë adrenaline, zashëm si rrufeja. Përpjekja e tij për të dëshmuar botën është një Golgotë e gjatë dhe e përvujtshme, e megjithatë hyjnore. Në poezinë e Torovecit kushtruese, ai nuk orjentohet nga kahje ndikesash përjashtimore. Gjithseëka zgjohet dhe merr formë në brendinë e alkimisë së ndërmendjes artistike. Gjurmët drithëruese janë plagë që lëngojnë prej së largu e derimtash. Me së miri, ai i pohon dhe në vend që të bashkëjetojë me ta, kacafytet, lufton deri në grahmën e fundit. Padrejtësitë janë shkrepëtima që thyejnë qiejt përmbi të. Në gastaret e këtyre qiejve të thyer ai ecën këmbëzbathur për me dëshmu vetmohimin në emër të kauzës. Pandalur rend duke promovuar shpirtin ngallnjyes të poetit. Dhe këtë e bën plot ngjyra, anipse në dritëhijen e një realieti ku ai nuk ndjehet ende në paqe dhe qejprishur me të.



MOS M’I BËNI TË FRIKSHME HAPËSIRAT!

-Duke studiuar poezinë e përzgjedhur të Vladimir Torovecit-


Nga Prof. Dr. Adriatik Kallulli

Duhet të matesh fort nëse dëshiron të japësh një gjykim të qëndrueshëm për krijimtarinë poetike të Vladimir Torovecit. S’të mjafton kurrsesi një lexim, sado i vëmendshëm dhe i përqendruar qoftë ai. Të duhen dy e më shumë dhe mundësisht në distancë kohe. Përse? Se poezia e tij e përzgjedhur dhe e përfshirë në vëllimin “Kohë Parvenysh” (2009) nuk ka as edhe një poezi rutinë, asnjë vargëzim të rëndomtë, asnjë kontekst poetik pa nerv, pa mendim të thellë dhe ndjesi të thellë. Duke qenë e tillë nuk përtypet vetëm me një të lexuar. Është një poezi fort e ngjeshur, me të vërteta jete dhe realitetesh, me refleksione të forta shpirtërore, me mendime që marrin trajtë proverbe e sentence, një poezi që s’të lë kurrë indiferent, që ta prish qetësinë, por edhe e tillë që sikur ta lyp mendimin, reagimin, prononcimin. Është e tillë në shumicën e vet, ngaqë vetëdija për krijimin është shumë e lartë. Në qoftë se Persi Bishi Shelli pat shkruar dikur se: “Poetët janë ligjvënësit e panjohur ligjërisht të botës” dhe Borges: “Poeti nuk mund t’i kthejë shpinën epokës së tij”, Toroveci ka aforizmën poetike: “Poetët çirakë të zotit janë”. Kjo vetëdije sublime e bën atë të jetë tepër selektiv dhe t’i drejtohet kryesisht një lexuesi dhe qytetari elitar, të tillë që edhe pse është i rrethuar shpesh nga baltra, lluca, gropa dhe shembje e përmbytje gjithfarësh, qëndron i dlirtë, qëndron i fortë dhe i zgjidh mbarësisht shumë dilema që i vërtit jeta përditë. Sidomos ky tip lexuesi që realisht është i paktë, që lumturisht nuk është zhdukur, e ndjen, e kupton, e shijon si monolog të tij poezinë e V. Torovecit. Përse? Përgjigjen e shpreh fort mirë poeti-koleg, Bardhyl Londo kur jep sintezën: “Poezia e Torovecit vjen si një klithmë fisnike, ekzistenciale e një shpirti të cilit i është mohuar plotësisht e kaluara...” (“Tema”, 12 mars, 2001) “Jam zog krahëthyer”. Kaq mjafton për ta përvijuar pohimin. Asnjë kohë e ardhme, sado e lumnueme qoftë, s’mund të t’i ngjitë krahët për fluturime të tjera. Poeti është përjetësuesi. Jo vetëm i përjetimeve të veta, por edhe i shumë të tjerëve. Është përherë një alter-ego, që edhe pse trimërisht, qëndron “mbi shkëmbin e fatit të vet”, i hedh sytë te të tjerët. S’ke të drejtë ta quash veten poet kur i shmangesh peshës së rëndë të Sizifit. “Qetësia e vërtetë është shqetësimi”, pat thënë J. Green, prandaj le të na dhëmbin hallet, dertet dhe plagët e të tjerëve. Ndryshe, as provë qytetarie, as akt poetik s’kemi dëshmuar.
Por poezia nuk është vetëm akt humanizmi dhe moraliteti. Është më së pari art i mirëfilltë, art që depërton brenda shpirtit tonë me kodet e veta të veçanta. Po s’qenë këto kode gjithandej materies poetike nuk e kemi ende poetin. Toroveci e ka këtë kod dhe e mishëron në shumicën e krijimeve. Gjetje befasuese brenda situatash dhe momentesh jetësore që i kalojmë përditë, peizazhe natyrore dhe sidomos shpirtërore, të ngarkuara me lloj-lloj imazhesh dhe ngjyrash, spektaklet e pranverës dhe ngricat dimërore ku dhe gjaku mardhet, shumë çaste të helmëta që e bëjnë poetin të dergjet e të kridhet në moçale dëshpërimi: “Kisha frikë nga nata/ Por jo nga vdekja”... “U shtriva të vdes i vetmuar”... “Jam i drobitur,”... “I lodhur tmerrësisht,”... “Më pushëron lëkura/ Prej punës së rëndë” dhe të tjera e të tjera, refleksione që do t’i përkapim më tutje, sepse poezia e tij është një sizmograf i pasur i të gjitha baticave, zbaticave, lëkundjeve, hepimeve, rrëzimeve, thyerjeve, dëshpërimeve që kalon robi i gjallë. Poet thellësisht refleksiv me rrëfime të çiltra, shpesh të ashpra dhe rrëqethëse, të bën për vete aq fort sa merr pjesë edhe ti, si lexues, në ahet e ohet e shpirtit që vuan. Lexojeni dhe rilexojeni, duke u ndalur në çdo varg poezinë e shkëlqyer antologjike “Diçka për vete...” Do të bindeni se nuk është vetëm biografia e një fillikati. Shumëkush ka në të fragmente të biografisë së tij dhe do të bjerë në mendime duke pëshpëritur e folur me vete: Sa të pakta dhe të shkurtra janë çastet e qeta për njeriun! Sa të shumta shtigjet e errëta ku na vërvit absurdi. Poeti asnjëherë nuk flet në përgjithësi. Zbulimi i gjendjeve shpirtërore të heroit të tij poetik bëhen në trajta konkrete, sidomos me kundërshtitë e shpeshta të realitetit tonë. Nëpër vargje e kontekste poetikë mbresëlënës nisin të të shfaqen imazhet e keqdashësve meskinë që i kemi nëpër pallatet, rrugët, zyrat dhe institucionet tona. Me “poza fitimtarësh” sepse dinë të tjetërsohen kur duhet, paçka se “nuk kanë bërë asgjë në luftë”. Pseudoluftëtarët marrin postet, ofiqet, pasuritë, nderimet, luftëtarët, plagët, mohimet, shmangiet. I tillë është fati i fitimtarit në shekujt e rëndë të historisë. Edhe “Gladiatori” të tillë fat pati: “Dinjiteti paguhet/ Vetëm me plagë,/ Dhe jetë gladiatori”. Në ndërluftimet e kohërave gjendet përherë një shtresë indiferentësh, pseudoneutralësh, të mashtruarish deri në verbëri të vetëpranueshme. Të tillët, filozofon poetikisht autori, përbëjnë komunitete regresi dhe bastardimi. Kësisoj turma, grigja njerëzore, vret e linçon edhe ata që duan t’i hapin sytë: “Po shpirtrat e plebenjve/ Të pandjeshëm mbetën”. E intensifikon këtë mendim: “Ishin njerëzit, jo zotat/ Që më çanë kraharorë”, psherëtin tërë dhimbje shpirti, Prometeu, duke na kujtuar atë pohimin e famshëm të Mefistofelit te “Fausti”: “I vogli zot i botës, ka mbet po ai qyqar.”
Poeti vuan kur njeriu kthehet në gjallesë e pilivesë, kur e fiziologjizon tërë jetën dhe mundin e tij duke u zhbërë e tjetërsuar. Ky njeri i zhbërë dhe i tjetërsuar është një dhimbje e një plagë e majisur për heroin poetik. Do të hasim kështu në vëllim dhjetëra poezi dhe pasazhe të ashpër poetikë për tjetërsimet dhe metamorfozat njerëzore. Dhe Poeti vuan për këtë bastardim sepse njeriu, njerëzimi është sublim dhe në fund të fundit gjeni i tij që lypset të jetë madhor e sublim. “Më vjen të vjell përmbi ju,/ Avoketër të djallit”, këlthet në një varg, duke na sjellë ndërmend porosinë e hershme të Ernest Heminguejit: “Larg nga avoketët! “Por akuza e padija shfren gjithandej ku njeriu e ka braktisur njeriun: “Më vjen për të vjellë,”... “lëtyra”, “përbindësha të vegjël”, “kimera me dhëmbë prej stralli, Me gjuhë nepërkash” dhe të tjera përbuzje të merituara, të pohuara me dhimbje. Përse njeriu të shkasë në të tilla moçale vesesh?! Në poezinë-akuzë “Përzierje” intensifikimi i paditë bëhet me tone të ashpra dhe fjalë që kanë ngarkesë pezhorative paraprake. Dhe paditë e poetëve shkulin në çast çdo imunitet. Janë padi engjëjsh që s’dinë ç’janë koniukturat, kompromiset meskine dhe falsitetet. Imazhet e së keqes marrin në poezinë e V. Torovecit ngjyrime dhe relieve impresioniste-ekspresioniste. I ndjen ai më së pari e më së ploti dhe mandej i intensifikon përmes ndjesive dhe emocioneve të veta, duke qenë një piktor-poet, duke dhënë realitete të vrazhda sociale që s’e lënë të qetë: “Ç’të bëj... ku të shkoj këtë mbrëmje/ mbi kodra shkreti rreth e qark/ Fantazma e pyllit të vrarë,/ Sërishmi më shfaqet nga larg. Peizazhi i zi, nëse mund të shprehemi kështu. Nonda Bulka dhe Kapa do ta përgëzonin për fuqinë realiste-impresioniste të pasqyrimit. S’ka asnjë teprim të heroit lirik. Plagët e shoqërisë e bëjnë të fort të vuajë, por nuk e mposhtin. Njerëzit e kthyer në akrepa, centaura, gorrilla, gjarpërinj e lugetër i ka njohur edhe prej historisë. Dija vjen nga përvoja dhe përjetimet: “Tani i mësova të gjitha/ Më duhet të vdes”. Por ka forcë ta shmangë vdekjen, të ndeshet me të, se zërat e jetës e thërresin gjithandej. I përjeton situatat si të gjithë njerëzit e ndjeshëm, por nuk qëndron te dëshpërimi dhe pasiviteti. Si piktorët impresionistë që e mbërthejnë në çast, çka iu lë vragë të thellë, përpiqet që këtë vragë ta hedhë në cohën e poezisë, ta bëjë të qëndrueshme por edhe të transmetueshme dhe të përkapshme emocionalisht edhe për të tjerët. S’jam vetëm unë, sikur thotë heroi lirik, që i thith të tilla pezme, helme dhe rrallë nektare dhe elizire. Kështu vetvetja shkon tek të tjerët, duke u përftuar prej tyre emocionalisht dhe estetikisht. Sikur e dëgjon Rilken që thoshte: “...poetët thërrasin për më shumë”. Kjo poezi thellësisht refleksive mbytet e tejmbytet shumë herë nga baticat e dëshpërimit, por nuk zhytet. Heroi lirik e vuan sëmbueshëm të keqen, por e kupton se në fund të fundit është jetëshkurtër. Në vetvete ky hero është i fortë, i qëndrueshëm, i paepur: “Kisha frikë nga nata/ Por jo nga vdekja”. Dhe ka të drejtë se sheh gjithandej njerëz e gjallesa me zgjyrë mëkatesh, pse gjendet shpesh “nën shi meteorësh”, pse jeton në një komunitet “ku koha është pa kohë”. Natyrisht që të gjitha këto përjetime absurdi, e trazojnë, e mundojnë, e hepojnë: “I lodhur tmerrësisht prej rravgimesh pa sens/ endemi të vetmuar/ Ferrit të jetës/ Mizorisht i vetmuar”, siç janë që të gjithë poetët dhe mendimtarët seriozë. Por realitetet sado të trishta qofshin të japin edhe balsamin. I përtërirë nga shpresat rifutet në jetë më i fuqishëm, më i etur për ndeshje: “Kush do ma shuaj zjarrin,/ Jeta apo vdekja...?! Pas këngës së poetit vjen si iso logjika e filozofit. Prandaj sërish heroi lirik refleksiv, pohon: “Unë ngulmoj dashurinë...” Dhe jeta i përgjigjet me po atë alfabet. Ja, nëna përherë me “një lumë të kthjellët me dashuri”, më tej e më tutje, e dashura që edhe si imazh, i shton besimin, po edhe pranvera: “mizëri balerinash shndritëse” që na lbyrin sytë, por e ëmbël është edhe ajo nostalgji mjaltërore për moshën e fëmijërisë kur gazmonim krejt pas pëllumbave e pilivesave. Por edhe lumturia e pritshme e bijës që pret me padurim njeriun e zemrës. Në të tilla zabele “përkundet prehja ime.” Dëshpërimi është i rëndë, i gjatë, sfilitës, por s’është krejt jeta. Prandaj heroi lirik është sërish në jetë, di ku t’i kërkojë burimet e optimizmit. “Freri, sado i bukur qoftë,/ E tremb mëzin e kaltër”, por s’ia ndal dot vrapin. Edhe poetët të tillë janë. Me “zëra rebelë” shfaqen në limontinë e ditëve të shuara për të zgjuar guxime, pasione, synime.
Në një ese të tij V. Toroveci shprehet: “Secili duhet ta zgjedhë vetë vendin se ku do të qëndrojë.” Vetë poeti e ka zgjedhur fort mirë vendin e vet. Nuk është e lehtë më kohën tonë ta gjesh vendin që të takon dhe ku të nderojnë të gjithë.





NENES

Nënë,
Dora e bardhë dhe e butë,
Kur t’u rreshk e t’u vogëlua vallë?
Si një pergamen i lashtë,
Që koha sa vjen
E bën më të çmuar,
Më të rrallë…

Dora jote si një pergamen i lashtë?!

Unë di të lexoj në rrudhat e tua
Një lumë të kthjellët me dashuri.
Dhe shtati yt i kërrusur,
S’di pse më ngjan
Me një flamur në gjysmështize,
Që për të dashurit e ikur
Mban zi...



DIÇKA PËR VETE...

Me hekur të skuqur më shënjuan,
Në rininë e hershme.
( Më cërit në shpirt ajo ditë.
Ku ishin perënditë..?)

Më bënë skllav galere.

Kush të më mbronte?
Naiviteti i nënës,
Apo moskokëçarja e atit..?!

Isha një zog i vogël
Me gjuhë të shkulur nga dhuna.
Sy të liq më përndoqën
Një jetë të terë.
Më përfoli pafytyrësia
Dhe m’u ngërdhesh në sy.


Vetëm urtësia e të mënçurve
U bë limani im.
Nga kjo kuptova,
Sa pak të urtë ka bota..!



I DASHURUAR NË SHI

Fytyrës dhe flokëve
Bie shi.
E unë e lëpij me gjuhë,
Si të mos kem shijuar ujë kurrë!

Po zjarri më tepër djeg...
Vetëtimat brofin
E më kallen në gji.

Jam flakadan shëtitës,
Bredh nëpër shi..!



IN TENEBRIS…

Nuk ishte faji yt..!

Të stisa
Me shkumë dhe dritë,
Afërdita ime.

Dhe ishte mëngjes…

Mbi ujërat e bruzta,
Dielli soditej
Dhe qorronte vetveten.

Kështu do të vështrohesha
Në pasqyrat e syve të tu;
Dhe i verbuar
Do të zgjasja duart,
Të të rigjeja.

Tani është muzg...

Gjethet e vjeshtës,
Fëshfërijnë tek bien;
Si hapat e tua,
Që rendin drejt meje
Pa më mbërritur kurrë..!



RIKRIJIMI I EVËS

Mizorisht i vetmuar,
Si në ditët e zanafillës
Nën një qiell me gjëmime,
E shkula brinjën
Dhe rikrijova Evën
Me frymën time.

U ndjeva burrë dhe zot,
Paçka se një hije dyshimi
Më shkau ndër sy
Me trajta inçesti.
Në u flligështoftë gjaku
I pasardhësve të mi,
Do vijë prej shpirtit
Dhe jo prej epshit…



DIMËR NË KORÇË

Dëborë e bardhë bie
Mbi të murrmin qytet,
Po baltën e mpiksur në udhë
As e zbardh, as e tret...

Qiellit të zymtë e plot re
Zogj të zinj nuk di se ku venë,
Si shpirtra dalë prej ferrit,
Që udhën e kthimit s’e gjejnë.

E i mbështjellë me levenxe
Në odën e errët pa dritë,
Vështroj tej kortinkave natën
Dhe hijet që endin qirinjtë.

Hije që heshtas, pa zë,
Vallzojnë si djaj nëpër mure.
Dhe here më ngjajnë me kthetra,
Here me qivure…

Ç’të bëj…ku të shkoj këtë mbrëmje..?
Mbi kodra shkreti rreth e qark
Fantazma e pyllit të vrarë,
Sërishmi më shfaqet nga larg.

Ku të shkoj pra..? Nën avuj alkooli,
Kafeneve vetshpallen shtetarë.
Naivë e makutë për pushtet,
Të urtë e të marrë..!

Tani, s’kam nevojë për përralla,
Miqtë një nga një po më lenë.
Parisin, po të ishte këtu,
S’ngulmonin tej detesh ta gjejnë.

Po rrinin e këndonin serenata,
Kur e vetmuar zë e dergjet nata.
Rrugicave me kangjella e kalldrëm
Ku shpirti, prej dashurisë më dhëmb..!



FAJKONJ TË ZBUTUR

Zbritët nga liria,
U ngjitët në robëri…
Çukisni mërshën e hidhur
Krimbëruar nga krimbat,
Mbyllur, atje, në kuvli..!

Veç ndonjëherë,
Kur i teket padronit,
Dilni e gjuani minj.

Qielli juaj i vogël, i vogël
Sa vështrimi i senjorit
Mbi domenin e tij…



EMISARËT

Ju s’keni fytyrën tuaj,
Jeni pa sy, pa veshë.
Me xhamadanë folklorikë
Mbështillni gjoksin,
Me pelerina mesjete,supet me lesh.

Ju jeni Mefistofelë,
Emisarë senjorësh.
Me satananë keni lidhur pakt.
Si mund t’ju besoj,
Kur s’mbaj pupla indigjenësh
Dhe tatuazhe mistike
Mbi bark.

Me fermanë të rreme
Si me gjethe fiku,
Mbuloni seksin tuaj
Gërbulur nga sifilizi.
Dhe doni të më mbushni mëndjen,
Se s’jam unë, por ju
Që mbani mbi shpinë
Barrën e rëndë prej Sizifi..!



KUR FLATROJNË PATAT

Ku shkojnë këto pata të egra,
Mes vjeshtës së zbehtë
E qiellit gri?
Si drejt një vendi
Plot mall e mistere,
Pa emër përbri..!

Flatrojnë, gravitetin e tokës
Me një pikëllim paanë në sy
Dhe ndjellin simotrat e tyre
T’i marrin me vete,

Të thërresin dhe ty…




MIQESITE E MIA

Do të ndez një llambadhë
Për miqësitë e vdekura.
Do të qaj pa lotë, me rënkime të brëndshme.
Edhe miqësitë vdesin
Në jerme tronditëse,
Duke lënë pas, zhgënjime e dhembje...

Do të ndez një diell
Mbi miqësitë e gjalla.
I lumturuar që munda t’i shpëtoj
Përmes ca udhëve gjithë shpirtra të ligj,
Si të dalë nga përrallat.

Fundja, pa hije dhe dritë,
S’do të kishte as ditë..!



ZINXHIRE DRITE

Atdhe !
Shtjellë përshkënditëse në krahërorin tim,
Dashuri marramendëse…
Të mendoj ty dhe bebëzat më zgjerohen,
Tëmthat më rrahin deri në dhëmbje.

Me zinxhirë prej drite
Lidhur pas teje,
As unë nuk të iki dot,
As ti nuk largohesh prej meje…



FOSHNJË E LAKURIQTË

Pendë të bakërta
Bien mbi mua.
Si shigjeta fërgëlluese
Të ngjyera në vrer
Prej zogjsh të hekurt,
Që rrahin flatrat
E çirren hakërrueshëm
Të përndritur në terr...

Janë qënie të Hadesit,
Që pjellin e shumohen
Në folenë e hënës,
Endur me fije tunxhi
Prej shpirtrave të natës
Dhe dufeve të nëmës.

Ferishte e porsalindur
Më ngjan vetja.
Cullak nën acar.
Mbi tokën gjith grahma kalbësie,
Këlyshësh të përgjakur
E të pavënë në varr..!



PËRZIERJE…

Më vjen të vjell përmbi ju,
Avoketër të djallit,
Lëtyrat që më keni dhënë
Gjithë jetën të pi,
Përbindëshat e vegjël,
Kimerat me dhëmbë prej stralli,
Këllirën gatuar në mug
Me gjuhë nepërkash e hi,
Dua t’ua hedh në turi!

Një purgë kërkoj,
Të çlirohem prej vrerit
E sytë me dritë t’i mbush,
O avoketër të Ferrit..!



NË DARDHË

Mbretëri e gurit këtu...

Troje të mbështjella
Me një flakëz të blertë,
Që lëkundet pa zë.

S’di pse ndiehem kaq pranë Zotit,
Sa s’mund të rri pa besuar në të.

E frymërova krejt ajrin e kthjellët
Dhe prapë s’ngopem dot.

Yjet, që shkasin
Mbi faqen e lumtur të natës,
Më ngjajnë me lotë.



REJA

E bardhë, e tejpashme, si një shqerëz e vogël
Kulloti hapësirat e pafundësisë.
Pastaj papritur u fry dhe u nxi,
Duke marrë trajtat e frikshme të lubisë.

Kërcënuese si e mbarsur me vdekje
Flaku rrufetë mbi pllajat e majit.
Me kamxhikët e breshërit,
Terrorizoi një botë të tërë.
Shtypi gonxhet, shkërmoqi lulet në baltë,
Ditën e ktheu në natë.

Nën turfullimat e saj shtangu bota,
Dheu i mbyti rënkimet, piskamat e pemëve.
Degë të thata, filiza të rinj
U shqyen nga dhëmbët e akullt,
U bënë pre të rrëkeve.

O Zot, ku e mori fuqinë ?! Kush ia dha ?!
Cilat rrënjë e bymyen aq shumë?!
Cili korb i dha flatrat?!
Në ç’humnerë u krijua?!
Cili det i dha shpirt?! Cili lumë?!

Tani rrëshqet kaltërsive të qiellit
Me një brerore të trëndafiltë përreth,
Që me siguri ia ka vjedhur diellit,



VDEKJA E POETIT
- I. Belliut -

Si të shpëtoje prej ferrit,
U hodhe mes zambakëve të kaltër
E zogu mbylli sytë përmbi bar.
Shpirti yt, vesë e majit,
U ngjit lart në qiell,
Baltën, mbyllën në varr..!

Po ç’qe ajo gjuhë e harruar
Me të cilën na fole,
Ç’ishin ato shenja me zjarr,
Që na dhe..?
Kur e pe,
Që s’të kuptonim dot,
Ike... na le..!

Ike tmerrësisht i vetmuar,
Pa na pare në sy,
Pa na i bërë me dorë..!
Duke lënë pas,
Vetëm ca gjurmë të bardha pëllumbash,
Si hieroglife mistike,
Shkruar mbi bore..!



NËN TENDËN E NATËS

Dy hije
Nën tendën e natës,
Mbështetur pas murit të pistë.

Si dy martirë
Mbi njëri-tjetrin mbërthyer
Në kryqin e dashurisë.

Rënkojnë e ofshajnë,
Fytyrë mbas fytyre.
Universi i dridhshëm,
Hepon supet e tyre…



THIKAT E ARTA...

Thikat e arta të vjeshtës
Ngulen në prazmin tim.
Më derdhin helm të ëmbël,
Një limfë gjithë dritë.

Bota e shpirtrave,
Më bëhet e afërt
Si një magji tronditëse.

Të tjera përmasa, fiton dashuria.

Tani nuk vuaj nga epshet,
Por nga ndjesia e të qënit njeri..!



MONOLOGU I PROMETEUT

Ishin njerëzit jo zotat,
Që më çanë krahërorë.
Kimerat e territ
E jo shkabat fisnike,
Ma sqepuan zemrën
Me klithma prej shtrige..

Mosmirënjohja e tyre
Dhe frika prej dritës,
Mblodhën demonët e shpellave
Mbi gjoks m’i vërvitën.

Tani kam mbetur i vetmuar
Mbi shkëmbin e fatit tim.
Hedh sytë drejt qiellit
E rënkoj i harruar.

Kërkoj perëndinë..!




GLADIATORI

Mbeta që mbeta gladiator..!

Jam vrarë e jam rivrarë
Mijëra vjet mbi arenë,
Për të kënaqur patricët e kamur
Dhe plebejtë,
Që ëndërrojnë patricë të jenë..!

Gjaku im ka shkumëzuar
Rërës vezulluese.
Vdekja ime,
Turmat ka ekzaltuar,
Po shpirtrat e plebejve
Të pandjeshëm mbetën
Në pafajësinë e tyre të mallkuar...

Asnjëherë nuk vesha
Pelerinë purpuri,
As togë të bardhë senatori.
^ Dinjiteti, paguhet
Vetëm me plagë,
Dhe jetë gladiatori…



JU LUTEM…

Lërini fëmijët
Të krijojnë botën e tyre të ëndërrt!
Mos i trazoni!
Freri, sado i bukur qoftë,
E tremb mëzin e kaltër
Të imagjinatës shkumbuese.

Lërini fëmijët,
Ata s’kanë nevojë
Për përkujdesjet e qullëta
Dhe puthjet e jargëta.

Ata, miqtë e ireales
Dhe bijtë e zjarrit.

Lërini fëmijët!
Kanë kohë të bëhen burra,
E të burgosen
Në qelitë e arsyes!



DASHURISË

Buzë qiellit tënd të pamatë,
Jam zog krahëthyer.
Mbi gjinjtë e tu përpëlitës,
Si Prometeu
Mbi shkëmbin e fatit mbërthyer.

Një det të tërë kam pirë
E prapë digjem nga etja.
Kush do ma shuajë zjarrin,
Jeta, apo vdekja..?!



SYTE E VIOLËS
- bijës sime -

Kridhem në sytë e saj,
Si në një botë të nënujshme
Gjith drita të bruzta.

Mes tymnajës së leshterikëve,
Me ca lëvizje të ngathta
Lëvizin peshq të artë.

Eshtë mbretëri e paqes këtu.
Këtë heshtje,
Asnjë përbindësh nuk mund ta prishë.

Mbi delfinë të bardhë,
Përkundet prehja ime.



KOHË PARVENYSH

Ata nuk dalin nga betejat
Nga skutat e skuthave vijnë
Sybabëzitur,
E veshtrimpërhumbur
Vihen në rresht si manekinë.

Janë fytyra te reja
Historia është e vjetër
Siç janë të vjetër
Flamuret , atutë
Nën fishekzjarre të rreme
Prej varaku e letre
Marrin poza fitimtarësh
Megjithëse nuk kanë bërë asnjë luftë..!

Kohë absurdi,
Skena groteske,
Njerëz që lehin si qen
Trutredhurit, në vend të ideve
Pjellin vetëm sejmene.

Jashtë,
Ngelën udhët me baltë,
Netët e errta, qirinjtë,
Hëna që shkryhet
Mbi kalldrëmin e lashtë
E përzihet me plehërat e minjtë!



NATË ME NGRICË

Një dhelpër, shtangur magjie,
Ngriti sytë në qiell.

Mijëra peshq xixëllues
Lodruan në akuariumin e natës
Dhe e mbushën terrin
Me dritë engjërdhie.

S’di pse m’u kujtua fëminia
Dhe erërat e mallit
M’i veshën sytë...



MARSHI I BARBAREVE

Si duhmë e stepës vijmë
Dhe jemi pa mbarim!
Rreckat tona, copëza nate,
Kutërbojnë mjerim!

Përgjunjemi para idhujve
Me një frikë të errët në sy.
Po të duan ata, hamë baltë
Dhe zhgrryhemi në hi.

Po të duan ata, shkelim yjet,
Me shputat kthetranxira.
Se e urrejmë çdo feksje drite,
Të tillë na polli errësira.

Në rënçin idhujt ndonjë ditë,
Do të strukemi në strofka.
Të tjera kulte do krijojmë,
Nuk rrojmë dot pa zota!



SUBLIME

Me Perëndinë
Kam filluar të flas,
Por lutjet e mia
S’i drejtohen hyut me fjalë.
Nuk i këkojnë një jetë të lumtur
Në shtegun rrethuar prej territ.

Përtej këtij shtegu
Kërkoj frymën e shenjtë.
Dhe sa herë fisnikëria
Më puth në ballë
E gjej brënda meje..!



VDEKJA

Hyri tinëzisht tek unë,
Sa mora frymën e parë.

Tani, kinse më ka harruar
Dhe unë kinse s’e di,
Ecim përbri..!



DITË DIMRI

I lodhur, i pafuqishëm,
Ra një kalë nën karrocë
E nuk çohet dot…

Jam unë apo është ai?

Dëbora mbi të
Flokon e përgjumur...

Gjarpërinjtë e kamxhikut
I kafshojnë ijet,
Që dridhen e i tymojnë
Nga një avull i hirtë…

Mezi mbushet me frymë.

Liqejve të syve të tij,
Qielli hedh brymë…



BUZË DASHURISË

Putha vdekjen.
Himne i thura
Shtatit të saj skelektik,
Syve të saj që vështronin hiçin,
Faqeve të gjelbëruara nga myku
Si të spërkatura me acid.

I rënë në ekstazë,
Me një fanatizëm të verbër,
I përkëdhela gjymtyrët pa jetë.
Po më kot,
Më kot u derdh dashuria ime
Mbi barkun e saj shterp…

Tani vuaj, ndiej keqardhje
Për rininë fatkob,
Për zhgënjimet e mia.
O Zot,
Mos më lër të vdes buzëplasur,
Pa provuar ç’është dashuria...



MBAS SHIUT

Brofi vetëtima
Dhe mbështolli në gji një pjergull.

Toka e rreshkur, gjerbi verën e shiut
Dhe u deh...

Tani, e çliruar,
Rend hapësirave të imagjinatës
Mbështjellë me një shami ere,
Duke shpalosur
Krijimet e saj
Në galerinë e qiellit…



SHNDËRIM

Unë isha kolibër,
Gjerbja vilet e akacieve
Kaçubeve të fëmijërisë…

Isha i brishtë,
Si në pranverë
Aguliçet e zbehta.
Kisha frikë nga nata,
Por jo nga vdekja.

Ndiqja pëllumbat e pilivesat
Me ca krahë të vegjël,
Nën këmbët e zbathura.
Si të doja ta kisha
Si ata qiellin,
Nën flatra.

Tani s’kam frikë nga nata,
Nga vdekja kam frikë.
I ngarkuar siç jam
Me zgjyrë mëkatesh,
Të këtij ferri pa dritë…



ATË NATË

Befas, u gjenda
Nën shi meteorësh.
E rashë në ekstazë…

Dehur nga kurmi yt magjiplotë,
Mbuluar prej pjalmit të mjaltë,
U shtriva të vdes i vetmuar.

Atë natë..!




TRAPI I MEDUZËS

Po mbyten miqtë, një nga një,
Me mishin tim nëpër dhëmbë,
Me flokët e mia në dorë.
Jam i drobitur, si shpëtoj dot,
Humbasin thellësive, si meteorë.

Dhe unë fillikat
Po mbërrij cakun,
Ku koha është pa kohë.
I lodhur tmerësisht
Prej ravgimesh pa sens,
Ëndërroj të gjej Kalipsonë…



SPEKTAKEL

Më rrëqeth
Eleganca e barit,
Dëshira e tij e ethshme
Për të luajtur me erën.
Mizëri balerinash shndritëse
Përhidhen, hepohen
Nën kantilenat e diellit.



DITNATA IME
Poemë

Popull, kur do të dish të kujtohesh,
Kur do të dish të mbash mend
Mësimet e së kaluarës.
-Sandberg -

Dita ime, nata ime
Me shpirtin prej muzgu
E trajtat prej ëndrre,
Fytyrën prej njerke
E sytë prej nëne!

Ditnata ime, jeta ime,
Si e dalë nga përrallat.
Gjysmë peshk, gjysmë njeri,
Më josh me ca shënja drite,
Me ca yj fërgëllues,
E prapë në baltë
Më flak përsëri...

Unë ngulmoj dashurinë,
Ti urrejtje më jep.
Zgjat duart të të kap,
Nëpër gishta më shket.
Mbi shtatin tim,
Le vurrata prej terri
Dhe pak gjurmë puthjesh
Si të përzihen
Parajsa dhe ferri…

Brënda gjakut tim,
Pëshpërijnë zëra rebelë;
Diç kërkojnë prej meje
S’i qetoj dot.
Përpiqem t’u iki,
Më gjëmojnë nëpër deje,
Rrekem më kot.

Nuk mundem të fle
Në pikun e natës,
Në gji të mosqënies.
Ata, të beftë,
Më bien me grushta,
Më shpojnë
Me mamuzet e dhimbjes.

Më lini ju them,
Jam i lodhur.
Gati pa frymë
Në damarë s’kam zjarr,
Kam akull e brymë.

Sytë, zgjyra e dogmës
M’i veshi.
Trutë m’i mpiu
Helmi i saj.
Gjymtyrëngrirë
Prej ngërçit të lig,
Rënkoj e ofshaj.
Po zërat
Prapë më gjëmojnë,
Diç prej meje kërkojnë...

Ku është parajsa ime..? Ku..?
Një jetë që rend e s’e gjej.
Prej punës së rëndë
M’u zhvoshkën duart
E prapë veten gënjej

Më rrejnë ca çaste të kaltra
Dhe qiej ylberorë.
Pastaj
Prapë i zhgënjyer vrapoj,
Pa e parë me sy,
Pa e prekur me dorë...

Ku është parajsa ime..? Ku..?

Në syt e gruas
Pikon mall i lodhur.
Në syt e tim biri-
Një heshtje pa gas
Mban radhën e bukës
Dhe hesht i menduar
Si të jetë i madh.

Ku është prajsa ime..? Ku..?

Një korb krroket
Në pyllin degëtharë
Të shpresës.
Më ngjethet mishtë,
Tek e ndiej
Mesnatës së errët.

Ç’kërkon të më thotë
Ky zog i mallkuar,
Me zërin e ngjirur të tij..?
Megjithëse mbështillem
Me pelerinën e heshtjes,
Sërishmi mbërdhij..!

Krroket ky korb, krroket...
E rreth më përvidhen
Hije pa trajta.
Më përgjojnë ëndrrat,
Më zhbirojnë dashurinë,
Gjestet e hapat.

Grumbuj kufomash
Rreth meje.
Lebeti burrash,
Lebeti grash, zemërçjerë.
Pirgje shpirtrash të mjerë...

Avuj të helmët
Më veshin sytë,
S’më lenë të shoh qartë.
Ç’maskë antigaz të përdor?
Ç’hajmali të shenjtë
Të var thellë në qafë?

Krroket, korbi, krroket..!

Ç’thellësi skëterre
E polli këtë zog..?
Në ç’hone urrejtjesh
U ngjiz shpirti i tij..?
Xhelatë e vampirë
E bëjnë për shok.
Hijenat i rrinë përbri.

Një flake e jeshiltë
I digjet në sy.
Kukudh i pagjumë,
Bluan veç kurthe.
Në netët e ankthta të tij,
Krijon pranga e burgje...

Si t’i shpëtoj
Kësaj nëme të rëndë..?
Ec marramenthi,
Këmbët s’më mbajnë.
Zvarritem,
Me thonj e me dhëmbë.

Kërkoj një dorë të mbështetem,
Një shënjëz drite
Prej qiellit pus.
Përkulur buzë lumit të jetës,
Pres si shelgu lotues…

Në netët me hënë
Thërras dashurinë.
Po ç’është kështu?
Një sy i padukshëm më ruan,
Më ndjek pas kuturu.
Më pëshpërit nën zë
Me një hakërimë të mjegullt;
Harroje bukurinë -më thotë-
Bukuria ka vdekur.

Dhe unë gërmoj…

Përmes një tymnaje të kuqe,
Nën rrasat e varreve
Shoh botë ireale.

Copëtoj mermerë
Jeshiluar prej myshkut,
Përbalt eshtra, thyej stoli.
Si i zaptuar nga xhindet,
Përdhos zot e shënjtorë
Dhe në ekstazën e zhbërjes
Krijoj idhuj të rinj...

Vetëm armiq rreth meje,
Vreri i urrejtjes
Ma jeshiloi gjakun në deje…

Askush s’kujtohet për mua,
Vështrimhumbur
Nuk di ç’kërkoj.
Dhe as nuk di çfarë dua...

Si në ishullin e Çirçes,
Me drithma në shtat,
Shoh shokët e mi
Shndruar në derra,
Tek rrëmojnë në batak.

Ku ta gjej eliksirin,
Barin çuditbërës,
T’i kthej sërisht në njerëz?!
Topitur prej dhunës
I harova të gjitha,
Luftën dhe shpresën…

E harrova dhuntinë
E të parëve të mi.
Lisi i Dodonës
U tret nëpër mjegull.
Ç’do bëhet me mua?
Ç’do bëhet me ty?
Përpëlitem
As i gjallë, as i vdekur.

Nëpër udhët e ngushta,
Mesjeta merr frymë.
Kapuletë e Montanjë
Përjetë në sherr,
Megjithëse qindra
Romeo e Zhuljeta
Janë mbytur në vrer.

Ç’mallkim thellë në gene
Është gdhëndur e s’shuhet?
Ç’puse urrejtjesh
Dot koha s’i mbush..?
Dremitin Eriniet si prushi nën hi,
E prapë rizgjohen sa i prek dikush...

Dua të shoh përpara
Drejt dritës.
Po rreth e rrotull
Veç hone dhe mure.
Unë dija se stolisja
Djepin e jetës,
Po paskam stolisur qivure!

Ndiej nëpër këmbë
Vargonj pergamenash.
Vulosur me vula
Dhe emblema gjithfarë.
Të vdekurit ngrihen,
Hakmerren për dhunën
Të gjallët,
S’ndjehen të gjallë…

O Zot, ç’është kështu?!
Të rigjeta ty
Dhe sërish
Më pushtoi marrëzia.
I dehur prej lirisë,
Si prej një vere të rallë,
Kam filluar çjerr rrobat e mia…

Nën avuj gazetash,
Si në avuj hashashi,
Bie të fle...
E rizgjohem sërish.
Faunët dalin
Prej pyllit të lagësht.
Më tregojnë me gisht...
Zgërdhihen
E tallen me mua,
Me botën që dua.

E ndiej, absurdi
Sërish më rrethon,
Kokën time kërkon.

Unë prapë nuk epem
Prapë luftoj;
Në vënd të urrejtjes,
Dashurinë ngulmoj...

Jeta ime, ditnata ime,
Gjysmë peshk, gjysmënjeri.
Të kam kapur prej flokësh
E kurrë s’të lëshoj.
Fati im je ti..!

Korçë 1989- 1993


Bisedë me Oskar Uajlldin - Libër nga Vladimir Marku





Oscar Fingal O FlahertieWillsWilde, i njohur për mençurinë e tij therëse, ka qënë një nga dramaturgët më të suksesshëm të Londrës Viktoriane së vonë dhe një nga njerëzit më të mëdhenj të kohës.
Oskar Uajlldi lindi në Dublin në 1854 dhe vdiq në 1900. I ati i tij ishte një kirurg i njohur, kurse e ëma një shkrimtare e suksesshme dhe nacionaliste irlandeze. 
GK
Pas studimeve në Dublin, ai shkoi në Oksford ku u njoh me Xhon Raskin, një profesor, që i takonte lëvizjes Estete. Uajlldi u bë një nga udhëheqësit e kësaj lëvizjeje që promovoi art për hir të artit dhe i përmbahej idesë se arti duhet të jetë thjesht në kërkim të së bukurës, pa u shqetësuar për aspektin moral apo shoqëror.
Ai udhëtoi në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara për të mbajtur leksione, dhe u vendos në Paris ku takoi disa shkrimtarë të rëndësishëm francez të shekullit: Verlaine, Zola, Dode dhe Hygo. I kthyer në Londër në 1884, ai u martua me Konstanca Lloid dhe pati dy djem me të: Siril dhe Vivian, emrat e të cilëve ua vuri dy personazheve të tij në esenë Dekadenca e gënje shtrës . Ai pati një marrëdhënie seksuale me Lordin Alfred Daugllas dhe u burgos për dy vjet me punë të rëndë për homoseksualitet në burgun e Reading. Në 1897, emigroi në Francë dhe vdiq i vetmuar në Paris në 1900.
Ai shkroi shumë drama (Dukesha e Padovës, 1883; Rëndësia e të qënit i sinqertë, 1895; Një bashkëshort ideal, 1895 ), disa poezi (Poema, 1881; Ballada e burgut Reading, 1898 ), një roman (Portreti i Dorian Greit, 1891), një ese (Synimet, 1891) dhe krijime të tjera (Fantazma e Kantervillit, 1887; Krimi i Lord Artur Savil dhe tregime të tjera, 1891), si edhe përralla për fëmijë e të rritur.
Shumë biografë mendojnë se Uajlldi kishte dy koncepte antinomiane1 lidhur me estetikën që përkojnë me dy periudhat e jetës së tij. Në periudhën e parë ai mbështeti sipërfaqshmërinë. Ai mendonte, ashtu si Xhon Raskin, se kuptimi i punës qëndron në formën dhe stilin e vet. Kështu, në parathënien e Portretit të DorianGreit , ai shkroi:Artisti është krijuesi i gjërave të bukura Nuk ekziston një gjë e tillë si libër i moralshëm apo i pamoralshëm. Librat janë të shkruara mirë ose keq. Kjo është e gjitha.
Në periudhën e dytë të jetës së tij, pas burgosjes...


K u j t i m e - Libër nga Zaim Beqiri


NË VEND TË HYRJES
“Është toka jonë, të parët na e kanë lanë
Kush mos ta preke se vdesim të tanë”
         Pashko Vasa




Në Tetovë ndodhën gjëra të dhimbshme.
U burgos një grup që akuzohej për vjedhjen e armëve nga gjimnazi i Tetovës, duke u përgatitur për kryengritje të arma tosur: Rafi Halili, Gafur Loku nga Kaçaniku, Elmaz Ademi nga Poroji i Tetovës, Ajet Ademi nga Xhepçishti i Tetovës dhe gjoja se në arrati është Baki Ymeri nga Shipkovica e Tetovës.
null

Rafi Halilin e kishin torturuar aq shumë saqë këmbët nuk i vinte dot në tokë, këtë e kishte parë nëna ime rastësisht se po atë ditë kishte qenë në një kontroll në spital dhe e sheh se si babai i tij e kishte sjell me karrocë me kalë në spital. Kur erdhi nëna në shtëpi ishte shumë e dëshpëruar dhe e hidhëruar dhe na tregoi neve se ç’kishte parë dhe lotët i rridhnin rrëke. Mundohem ta qetësoj se liria kërkon sakrifica dhe se në qoftë se unë bie në burg, a kështu do të reagosh ti, e pyes?
Më shikon në sy dhe thotë jo! Po më erdhi shumë keq për Rafiun i them po të na vijë keq duhet ndjekur rrugën e tij dhe me i heq një herë e mirë vargojtë nga qafa, u qetësua pak.
Mua më thërrisnin gati çdo ditë në UDB-e më pyetnin për marrëdhëniet e mia me Baki Ymerin...


Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...