Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/07/20

ME RADIO TIRANËN JU HYNI SI MIQ NË FAMILJET SHQIPTARE

Nga Sokol Demaku

 

Historiku i Radio Tiranës  fillon së pari me hapjen më 28 nëntor të vitit 1938 te Radio Tiranës. Pikërisht kjo datë shënon dhe inaugurimin dhe transmetimin e parë të Radio Tiranës e cila në atë kohe është përshkruar nga një entuziazëm i madh në tërë Shqipërinë.
Në një botim që mban datën 30 nëntor 1938 shkruhej se:
Transmetimet e emisioneve radiofonike do të jepen në sallën e Bashkisë ku ishte instaluar në një dhomë të posaçme aparati marrës i stacionit të Romës .
Kurse stacioni kryesor dhënës është instaluar, siç dihet, në Laprakë ku ka qënë dhe stacioni i vjetër i Radios.
Stacioni kishte një aparat madhështor që zë një sallë prej afër 8 metrash gjatësi. Atje përmblidhen të gjitha veglat dhe instalimet për transmetimin e emisioneve në çdo orë. Stacioni radiofonik kishte një fuqi në antenë prej 3 kw dhe transmetimi do te bëhej me valë të shkurtra. Emisionet do të jepeshin me valë 40 m . Fillimet e Radio Tiranës më 1938 lidhen me emra tepër të shquar të kulturës e artit shqiptar të asaj kohe e të viteve të mëvonshme, të diplomuar në universitetet e konservatorët e Evropës së qyteteruar, si Gjergj Bubani, Hamdi Sulçebe,Vasfi Samimi, Marie Paluca,Tefta Tashko, Mihal Ciko, Anton Mazreku.
Nga 16 prilli i vitit 1940 programet e Radio Tiranës nisën të jepeshin dhe në valë të shkurtra.
Radio Tirana është dëshmitare, por edhe protagoniste e historisë shqiptare. Janë punonjësit e saj, të gjithë të apasionuar, njerëz kurajozë e profesionistë, të gjithë të dashuruar pas radios dhe magjepsjes së saj, ata që sot bëjnë Radio Tiranën, tempullin e kulturës dhe të emancipimit njerëzor.
Radio Tirana vijon në një pjesë te madhe te emisioneve të saj ta shoh dëgjuesin si protagonist çka do të thotë, jo vetëm të jetë pranë gjithçkaje ka lidhje me interesat e tij, por ta bej pjese aktive, duke kërkuar nga ai bashkëpunimin, ne studiot e hapura, bashkëbisedimin, si dhe ne hapësirat e komunikimit për te plotësuar preferencat e mbërritura direkt prej tij…

 

Gazetarët e Radio Tiranës, janë të parët që kanë përcjellë të gjitha ndryshimet demokratike që ndodhën në Shqipërinë e asaj kohe dhe kanë ditur të mbajnë publikun pas tyre, duke synuar të jenë mbi të gjitha profesionistë. Çdo reformë e bërë në Shqipëri, çdo moment historik, çdo konflikt social apo çdo ngjarje artistike, është përcjellë pikësëpari nga Radio Tirana, radio e cila mbulon me sinjal të gjithë vendin. Radio Tirana sot është një kompleks i organizuar që transmeton programe për dy kanale, si dhe bën mbulim ndërkombëtar në valë të mesme dhe të shkurtra. Radio Tirana prodhon tërësisht programet që ajo transmeton, si lajmet, kulturën, shkencën, ekonominë, muzikën, dramatizimet për të rritur dhe fëmijë, sportin, etj.
Është kënaqësi të jesh në mesin e punonjësve të Radios shtetërore shqiptare të cilët adhurojnë dhe kultivojnë gjuhën shqipe, traditën edhe kulturën shqiptare. Ata thonë se jemi kudo që flitet shqip, zëri ynë është në çdo vatër aty ku f litet dhe shkruhet shqip pa marrë parasysh kufijtë, pa marrë parasysh vendin se ku shqiptarët jetojnë, ne jemi aty me zërin tonë dhe informacionet tona për Shqipërinë dhe për shqiptaret në përgjithësi e tani edhe për Kosovën shtet. Zëri ynë është në qiellin ballkanik, është aty ku duhet të jetë me informacione për shqiptarët, Shqipërinë, Kosovën dhe kosovarët por edhe për trojet tjera shqiptare si dhe shqiptaret në botë. Ne jemi të lumtur qe kemi një bashkëpunim me shqiptaret ne diasporë.
Është e hënë pas dite, pak para mbrëmjes, jemi në shoqëri me miqtë tanë e dihet si zakonisht në mesin e tyre Viron Kona edhe profesor Murat Gecaj, i cili me humorin e tij e bënë ndejën gjithmonë interesante dhe te lezetshme.
Profesor Murati na thotë se nesër nga ora 10;00 e paradites jemi mysafire në Radio Tiranë. Kjo ishte një sihariq për ne të dy dhe ne këtë pranuam me gjithë dëshirë. Po thotë profesor Murati do jemi mysafirë në departamentin radios ku është drejtor një Tropojanë, koleg i yni, publicist dhe poet i njohur e udhëheqëse e programit do jetë mikesha ime me të cilën shpesh herë bëjmë program radioje bashkë.
Ne ishim në vizitë në Radion shtetërore shqiptare pra në Radio Tirana dhe u sjellim mbresat në një reportazhe nga biseda me disa nga ata të cilët e sajojnë programet këtu.
Ishim mysafirë në programin “Ritme vere” të gazetares Kozeta Hoxha. Emisioni i parë i vitit ”Ritme vere” nën drejtimin e saj dhe drejtorin e Departamentit te Programit te Parë, poetin Jaho Margjeka, i cili ka bërë zë me librat e tij të botuara deri me tani si në prozë e poezi.
Jemi në programin e verës të gazetares Kozeta Hoxha e cila me zërin e saj radiofonik dhe të ëmbël i jep ngjyrën dhe tonin e duhur emisionit të saj ”Ritme vere”. Ne jemi në rubrikën “Mysafiri i ditës” i cili emision kishte fillimin e tij ketë sezon ditën qe ne ishim mysafir ne studiot e Radio Tiranës, ku dëgjuesit morën informata të hollësishme mbi punën dhe aktivitetin bashkëkombësve në shtetin suedez. Ishte kjo një kënaqësi për ne të jemi këtu dhe të prezantojmë të arriturat e shqiptareve në Suedinë e largët. Pastaj Kozeta prezantoj poetin dhe bashkëkombësin tonë Bahtir Latifi Kryetar i Qendres Kulturore Shqiptare “Migjeni” në Borås të Suedisë në rubrikën “Kopertina e librit” ku prezantoj librin e Bahtirit me titull “Jeta e ëndrrave tona” botuar kohë më parë në Bukuresht të Rumanisë, nga e cila përmbledhje Kozeta lexoj poezi për dëgjuesit e Radio Tiranës të programit “Ritme Vere”.
Më pas u ndamë nga Kozeta me ftesën që në muajin tetor do jemi mysafirë të emisionit të saj që i kushtohet arsimit.
Duke ndjekur programet tona në Radio dhe në Internet, ju sikur vini vetë në Shqipëri thotë poeti Jaho Margjeka drejtor departamenti në Programin e parë i cili ka njohuri të shumta për punën e diasporës shqiptare në Evropë sepse vite me radhë nga afër si gazetar ka përcjellë punën e klubeve dhe shoqatave të shqiptarëve në perëndim. Jaho thotë se ju përmes programeve të radio Tiranës hyni si miq në familjet shqiptare, përjetoni me to gëzime dhe hidhërime, vizitoni qendra turistike, objekte historike, njiheni me jetën shqiptare, shijoni magjinë e artit muzikor shqiptar dhe gjeni mjaft tipare të përbashkëta me jetën tonë këtu në trojet jetike shqiptare dhe me atë të tuajën atje n ë mërgim.
Me këtë arritje Radio Tirana mbron misionin shoqëror dhe autoritetin e Radios Kombëtare Shqiptare ndër auditorin gjithnjë e më të madh në tërë botën.
Jini me ne, kudo që të jeni – nga Amerika deri në Australi dhe nga Suedia deri te Afrika e Jugut” thotë drejtori Jaho i cili është shumë entuziast në punën e tij dhe të bashkëpunëtorëve te tij në Radio Tirana. .

FLUTURIMI PËR TURQI

Nga Luan Çipi



KEMER

Luan Çipi

Pas Antalies, që është qytet me mbi një million banorë dhe qendër rajoni, nevizituam qytetin turistik të Kemerit.Qyteti i Kemerit është vendosur në bregdetin e Mesdheut dhe ndodhet 40 kilometra larg Antalias. Kemeri, para 30 vjetësh, ishte një fshat i vogël, por, me bumin turistik, sipas strategjisë së zhvillimit të shpejt turistik të Republikës Turke, këtu u ndërtuan në forma të ndryshme e deri koncesionare, qendra të fuqishme me mbi 70 hotele gjigandë dhe objektet e nevojshme infrastrukturore, që e kthyen atë në një nga qendrat turistike të rëndësishme të Rivierës Turke. Pas kësaj edhe zona për rreth në prodhimin bujqësor e blegtoral dhe me industrinë e lehte e ushqimore, u vu plotësisht në shërbim të turizmit.



Një nga arsyet kryesore për tërheqjen e turistëve të shumtë në Kemer është bukuria verbuese e natyrës, ku, deti pyjet dhe malet vijnë së bashku, ka ujë deti të pastër, ndërsa pyjet me gjelbërim halor gjithë vitit, që shtrihen buzë detit aty pranë në gjithë gjatësinë detare, me gjethet e tyre të harlisura janë në mbrojtje të plazheve të Kemerit përrallor dhe nën diellin e shumëkërkuar, në gati 300 ditë të vitit.
Gjatë udhëtimit në det me një jaht, apo anije me vela, turistët, që vijnë të dëshiruar nga Rusia, Ukraina, Kazakistani, Armenia nga vendet Baltike, po edhe nga e gjithë bota, të nisur sipas tureve të organizuara nga porti i Kemerit, në detin blu drejt jugut apo veriut, kanë mundësi për të shijuar bukurinë natyrore dhe gjiret më të mirë të Qarkut të Antalias.
Gjatë këtyre tureve, turistët kanë mundësi për pushime të këndshme dhe aktive në disa drejtime të studiuara dhe të organizuara më së miri, që gërshetojnë veprimet e disa agjencive të interesuara këtu. Në këtë drejtim ndihmojnë guidat e organizuara për vizitë me autobusë komod në pikat kryesore turistike me atraktive, si dhe në qendrat kryesore tregtare të qytetit të Antalies Një shans interesant është për të parë breshkën karakteristike të deti, njohur për madhësinë e saj, si dhe bukuri të tjera natyrore të rralla.
Gjatë udhëtimit aty pranë shihet qyteti i lashtë Olympos, si një nga qytetet port, si dhe ngjitur me të, vendpushimi i njohur Tekirova, që është një tjetër qendër gji, ku ndërthuret deti me një natyrë mahnitëse panoramike dhe të tërhequr nga vlerat historike.

Gjatë një dalje në det anijet me turiste mund të bëjë një ndalesë për notim në gjiret e Detit Mesdhe, ku udhëtuesit janë të organizuar në aktivitete rekreative, për të parë në vazhdim qytetin e lashtë të Phaselis, fare afër Kemerit, themeluar në vitin 690 para Krishtit dhe që ndodhet 35 km, nga Antalia, në afërsi të fshatit Tekirova. Vijohet me qendrën tjetër të lashtë portale, Rhodians, të famshëm sidomos për digën 200 metro të lart, që tani më shumë është nën ujë. Phaselis dallohet si një zonë pyjore e pasur, ndërsa Rhodians, ishte një nga portet kryesore të Mbretërisë Antike të Lycia, në fund të shekullit të 17 para Krishtit. Në kohët e lashta qyteti ishte i famshëm për portin e saj, rrethuar me mure e diga ku më e madhja ishte ajo me lartësi 200 metër, që ndodhet në jug-perëndimore, e quajtur Cape. Pjesa më e madhe e digës është dhe sot nën ujë. Në pjesën perëndimore të qytetit duken portat e ndërtuara në kohën e perandorit Hadrian. Në ditët e sotme në qytet, në gjendje të mirë, arriti të ruhet grupi i dyqaneve tregtare përgjatë rrugës kryesore, me një plan urbanistik të pazakontë, me banja sauna dhe gjimnazin.
Duke vazhduar udhëtimin turistik me anije ndeshim me qendrën tjetër antike, Bath, ndërtuar në shekullin e 3-të që ruan gjallërinë edhe në vitet pasues. Më në jug është Agora Gate, ndërtuar gjatë sundimit të perandorit Hadrian (117-138), nga ku vijnë edhe statujat e lashta, si dhe teatri me shkallët e gurta me aftësi mbajtëse 1500-2000 spektatorë.
Gjatë udhëtimit me anije në bregdetin Kemer – Antalia të jepet rasti të vizitosh Parkun Ekologjik, ku shihen specie të rralla si pallonjtë,.ketrat, mjellmat, lepujt dhe deri te strucët.


Një kuriozitet i veçantë është Teleferiku, i vendosur në një lartësi prej 2365 metra mbi nivelin e detit në malin Tahtali Kemer të Antalias, që është ndërtuar së bashku nga Turqia dhe Zvicra, dhe që është teleferiku me shina më i gjatë në Evropë dhe i dyti në botë, me gjatësi 4350 ml. Udhëtimi nga baza deri në maj të malit me teleferik zgjat vetëm 10 minuta.. Zona Kemer, me futjen e teleferikut në veprim, vazhdon të zhvillohet shpejt edhe në drejtim të turizmit alternativ. Falë teleferikut, së bashku me sezonin veror turistik, shërbimet ofrohen edhe gjatë sezonit të dimrit.
vazhdimi të udhëtimit përgjatë rrugës, rreth 20 minuta pas qendrës Phaselis, kalohet në Ulupynar. Këtu, në një kodër të gjelbër na jepet kënaqësia e veçantë për të ngrënë trofta, ulur në tavolina të rregulluara bukur, nga ku soditen ujërat e ftohta të një lumi. 
Agjencitë e specializuara organizojnë edhe udhëtime brenda ditës me automjete të vegjël xhip nga Kemeri në malet Taurus, që ne nuk i provuam, po vetëm sa u informuam: Kushdo, që disponon patentë shoferi dhe me shpirt aventure është i ri dhe i fuqishëm, është i lirë të udhëtojë në një xhip me qira me një udhëzues që merr paraprakisht këtu, dhe nëse dëshiron, mund të bashkohet në kolonën me 20-30 automjete, për të përshkuar rrugë të ngushta dhe të vështira si dhe pengesa me ujë, çka e kthen në një ngjarje gjurmëlënëse dhe fort interesante udhëtimin e guximtarëve të lumtur.
.Gjatë udhëtimit me xhip, agjenci të posaçme organizojnë ndalesë në afërsi të një lumi malor, për ata që duan të notojnë dhe të kthehen përmes Olympos, ndërsa të tjerët mund të kalojnë Urën e bukur antike mbi lum, që mjeshtër muratorë të zgjedhur e kanë rinovuar në përshtatje me origjinalin, që i referohet periudhës së Lycianit super të lashtë. 
Rrethi historik Kemer, me plazhet më të mira në Rivierën Turke dhe me det të pastër është një nga vendpushimet më të mirë në zonën e Antalias. Shumica e plazheve në Kemer kanë merituar flamuj blu, shenjë ndërkombëtare e cilësisë së lart të bregdetit, të dhëna nga Ente të Specializuara Ndërkombëtare për pastërtinë dhe sigurinë.

I JEPET LAMTUMIRA E FUNDIT, ATDHETARIT E SHKRIMTARIT TË SHQUAR, SULEJMAN KRASNIQI



Nga Prof. Murat Gecaj(Publicist e studiues-Tiranë)


1.


       Sulejman Krasniqi  


Në mëngjesin e ditës së djeshme, u shua përgjithnjë, në kryeqytetin Tiranë, shkrimtari i shquar nga Kosova, Sulejman Krasniqi. Jam njohur me të shumë vite më parë, kur në Shqipëri sundonte regjimi monist dhe ai ishte student e unë punoja në shtypin e fëmijëve. Por edhe më tej, në shoqërinë e disa të njohurve tanë kosovarë, ne kemi mbajtur lidhje e kemi patur respekt të ndërsjelltë. Bile, ruaj dhe botime të tij, me shënime dashamirëse. Prandaj edhe unë, e kam kujtuar dhe do ta kujtoj atë përherë, me nderim e dashuri të veçantë.
Kohët e fundit, kisha dëshirë ta takoja përsëri Sulejmanin dhe iu drejtova me një mesazh të bijës, Albanës, në Gjenevë, nëse kishte ndonjë adresë të tij Interneti. Me korrektësi, ajo m’u përgjigj se ai nuk kishte dhe se ndodhej në gjendje të rënduar shëndetësore. Sigurisht, u pezmatova për këtë gjë, pasi mora vesh se, miku im i mirë dhe shkrimtari i ndjenjave të pastra atdhetare, po vuante. Sigurisht, atëherë nuk e dija që, pas disa ditëve, pra pikësrisht sot, do t’i ngushlloja për të jatin, Albaën e Sokolin dhe bashkëshorten e tij.

2.

Në bisedat me Sulejmanin, por dhe nga leximet, kam mësuar se ai ka lindur më 7 dhjetor 1937, në Hoçë të Vogël, të Komunës së Rahovecit të Kosovës. Mësimet e para dhe ato të mesme i kreu në vendlindje. Për ndjenjat e tij atdhetare, rregjimi serb e burgosi, duke e akuzuar se dëshironte që Kosova të shkëputej nga Serbia dhe të bashkohëj me Shqipërinë. Për këtë arsye, më pas ai erdhi këtu dhe e dërguan për të jetuar në Lushnjë! Më tej, ndoqi e kreu studimet, në degën gjuhë-letërsi shqipe, të Universitetit të Tiranës (1963-1967). Me pasionin e njeriut të punës e profesionit, shërbeu pa u lodhur, mësues në rrethet Mat e Tiranë, deri sa doli shkrimtar në profesion të lirë.  



Kryeministri Sali Berisha, duke ngushëlluar familjarët e Sulejman Krasniqit

Emri i Sulejman Krasniqit u bë shpejt i njohur, në Shqipëri e jashtë saj, si me artikujt e shumtë në shtypin e kohës, por dhe me librat që publikoi. Në të gjitha ato, binte në sy theksi i veçantë atdhetar dhe dashuria e malli për vendlindjen. Botimet e tij u vlerësuan, duke iu dhënë Urdhëra Pune e “Çmimi I Republikës” (1981), për librin kushtuar “Heroit të Popullit”, Bajram Curri. Më pas, ai e vazhdoi veprimtarinë e tij botuese, edhe kur ishte i rënduar nga gjendja shendetësore.
Kur shohim skedarin e Bibliotekës Kombëtare në kryeqytetin Tiranë ose shfletojmë libra të Sulejman Krasniqit, mësojmë se titujt e tyre janë të shumtë e të larmishëm, shumica me temë atdhetare. Ja, për shembull, po përmendim vetëm disa prej tyre. 

 Ndër veprat e këtij shkrimtari të njohur renditen edhe: “Tri motra, tri histori”, “Në shpellën e banditëve”, “Qielli i përflakur”, “Prijësja e komitëve”, “Beteja të nëndheshme”, “Mic Sokoli”, “Besëlidhja shqiptare”, “Pushka top, o Bajram Curri”, “Dardanët”, “Heronjtë e borës”, “Oso Kuka”, “Shqiptarofobia e serbomëdhenjve”, “Njeriu, dy herë i pushkatuar” e “Belbacakja”. Po kështu, në vitet e fundit, publikoi librat: “Europë, deri kur do ta keqpërdorësh durimin e Kosovës” (Tiranë, 1996), “Rapsodia e kosovares”, roman në vargje (Prizren, 1999), “”Makthi i hijeve” (Tiranë, 2000), “Rebeli i bajraqeve” , roman (Tiranë, 2000), “Jetëshkrim…”(Tiranë, 2011). 



Një nga librat e shumtë, nga S.Krasniqi

3.
Lajmi për vdekjen e shkrimtarit të njohur Sulejman Krasniqi, pas një sëmundjeje të gjatë, u bë i njohur qyshë dje, përmes stacioneve radiotelevizive të Shqipërisë dhe sot përmes gazetave të përditshme. Me këtë rast, një mesazh ngushëllimi i dërgoi familjes, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi. Gjithashtu, ai shkaktoi pikëllim edhe në Republikën e Kosovës. Nga atje, Kryeparlamentari Jakup Krasniqi dërgoi një mesazh, ku thuhej, ndër të tjera: “Sulejman Krasniqin e ka bërë të pavdekshëm veprimtaria e tij jetësore dhe trashëgimia e pasur letrare, që u ka lënë brezave të Atdheut të tij të dashur”.
Për ta nderuar jetën dhe veprën atdhetare e letrare të Sulejman Krasniqit, nga ora 12.00-14.00, e ditës së sotme, trupi i tij i pajetë u vendos në hollin e Muzeut Historik Kombëtar, në Tiranë. Me këtë rast, erdhën për t’i bërë atij nderime dhe për ta ngushlluar familjen: miq, kolegë e të njohur të shumtë; shkrimtarë, arsimtarë e artistë; personalitete të jetës politike e shoqërore; nga media e shkruar dhe ajo elektronike etj. Gjithashtu, erdhën Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulëzim Basha, përfaqësues të partive politike e tjerë.
Mbi arkivolin e të ndjerit u vendosën kurora të shumta dhe buqeta me lule të freskëta. Ndër to, ishte dhe kurora e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Pastaj u zhvillua ceremonia e rastit, në Varrezat e kryeqytetit.

Tiranë, 17 korrik 2011

Huazuar:http://tribunashqiptare.net/?p=516

2011/07/19

Jo regjistrimit të popullsisë sipas midesë së shovinizmit grekokaragjoz!

Prof.dr. Eshref Ymeri 

 Mbarë shqiptarët me vetëdije kombëtare duhe të ngrihen më këmbë dhe ta hedhin poshtë nismën e qeverisë Berisha për regjistrimin e popullsisë, sipas formularit të zotit Pollo. Aleanca Kuq e Zi, sipas një informacioni që kam nga Tirana, është duke u përgatitur për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese formularin Pollo. Jam i bindur që gjykatësit e nderuar të gjykatës Kushtetuese do të mbajnë po atë qëndrim të lartë atdhetar ndaj formularit Pollo, siç e mbajtën edhe ndaj vendimit tradhtar të deputetëve tradhtarë demokratikas lidhur me hapësirat tona ujore në kufi me Greqinë. Në këtë fushatë që ka ndërmarrë zoti Pollo për t'u hedhur hi syve mbarë shqptarëve lidhur me regjistrimin e popullsisë, vihet re heshtja tërësore e opozitës socialiste. Me sa duket, të dyja klanet e politikës shqiptare - demokratët dhe socialistët - janë tërësisht solidarë në qëndrimin tradhtar që mbajnë ndaj interesave kombëtare në raport me shtetin më karnaval të Evropës - Greqinë. Për të marrë firmën e qelbur greke për hyrjen në Bashkimin Evropian, demokrato-socialistët janë gati ta nxjerrin Shqipërinë në bregun e pazarit të shovinizmit leckaman grekomadh. Mbarë shqiptarët me vetëdije kombëtare duhet të kujtojnë kontributin shumëvjeçar të gazetës "Rimëkëmbja" dhe të zotit Abdi Baleta, i cili ka paralajmëruar me kohë, pas fillimit të proceseve demokratike, se sulmi frontal grek për korruptimin e klasës politike shqiptare, me qëllim greqizimin e shkallëshkallshëm të Shqipërisë, do të përballohet me një kosto shumë të lartë. Sot duhet të ushtojë fuqishëm zëri i mbarë shqiptarëve të vërtetë, në përkrahje të zotit Abdi Baleta, të Prof.dr. Pullumb Xhufit, të zotit Kreshnik Spahia, Nuri Dragoi, Sabri Godo, të Prof. Alfred Uçit, të Prof.dr. Sabit Brokaj, të kryetarëve të gjykatave Sarandë, Përmet, Shkodër dhe të shumë intelektualëve të tjerë. Ky zë duhet të ushtojë fuqishëm edhe në radhët e diasporës shqiptare. Ky zë duhet të ushtojë edhe më fuqishëm në përkrahje të Aleancës Kuq e Zi, kundër regjistrimit të popullsisë, sipas formularit të veglës së shovinizmit grekomadh në Shqipëri, zotit Genc Pollo. Heshtja e Brukselit për regjistrimin e popullsisë në Shqipëri, sipas qejfit të shovinizmit grekokaragjoz, dëshmon shkoqur fare se Bashkimi Evropian kërkon ta shpallë Shqipërinë multietnike dhe mbarë hapësirat shqiptare si hapësira multietnike, ashtu siç e kanë shpallur Kosovën si vend multietnik, çka është një paradoks i kulluar. Me sa duket, Brukseli po punon nën rrogoz, nëpërmjet Greqisë karagjoze, që Shqipërinë ta pranojë në Bashkimin Evropian, pasi kjo të shpallet si vend multietnik, me qëllimin final se në Evropën Juglindore nuk na ekzistuaka komb shqiptar në troje etnike kompakte shqiptare. Ky është një qëndrim armiqësor i Evropës ndaj kombit Shqiptar, i kësaj Evrope, e cila, në raport me etninë shqiptare, është po ajo, të cilën e pati stigmatizuar aq bukur Nderi i Kombit Shqiptar - Gjergj Fishta: Kurva e Motit.

Eshref Ymeri

Santa Barbara,Kaliforni 18 korrik 2011

Shkrimtarin Sulejman Krasniqin e ka bërë të pavdekshëm veprimtaria e tij jetësore dhe trashëgimia e pasur letrare ....

Nga Flori Bruqi,Prishtinë


Në jetën letrare shkrimtari Sylejman Krasniqi  mbarështroi mbi 20 vepra historike e shumë artikuj e shkrime gazetareske. U nderua me çmime si atë të Republikës më 1981, me romanin Mic Sokoli si dhe me çmime të ndryshme letrare, u dekorua me medalje e urdhra pune, por mirënjohja më e madhe për të qenë vlerësimet e publikut, mirënjohja e luftëtarëve të lirisë që i frymëzoi me veprën e tij. Vitet e fundit, megjithëse i sëmurë, nuk iu nda penës. Krahas veprave la pas tre fëmijët e tij, Albanën, Sokolin e Derandin dhe bashkëshorten Mirën që iu përkushtua dhe mbeti personi më i afërt për të deri në frymën e fundit. 


Sulejman Krasniqi u lind në Hoçë të Vogël të komunës së Rahovecit më 7 .12.1937, në një familje atdhetare kosovare. Studimet i nisi në gjimnazin e Prizrenit. Sulejman Krasniqi do të përballej shpejt me dënimet. Ndërsa vazhdonte shkollën e mesme, dënohet me 14 muaj burg me akuzën për “ndarjen e Kosovës nga Serbia dhe bashkimin e saj me Shqipërinë”. Kishte nisur të shkruante e të botonte që në klasën e 4 në gazetën “Pioneri” në Prishtinë. 







Në gjimnazin e Prizrenit botoi përrallën “Pallati prej Dukati” me 1500 vargje. 


Kritika letrare e ka cilësuar si shkrimtar të faktit. Pas ndjekjes serbe u detyruar të lërë Kosovën e të vijë në Shqipëri, ku vazhdoi edhe studimet, pasi më parë provoi kampet e punës në Jug. 


Por pas la një premtim, të mos e ndalte për asnjë moment luftën për pavarësimin e Kosovës. Dhe, nëse do të kishte një lajm të madh në jetën e tij, ishte pikërisht shpallja e Pavarësisë së Kosovës. 


Luftën e tij e vazhdoi me anë të letërsisë, madje u nderua edhe me çmime, çka e çonte edhe më larg jehonën e veprave të tij. Për romanin “Mic Sokoli ai do të vlerësohej me “Çmimin e Republikës”. 


Më pas do të vijonin edhe çmime të tjera.
Vdiç Balzaku shqiptar ,shkrimtari Sulejman Krasniqi

Për atë, Shqipëria dhe Kosova ishin një. 

Nuk kishte kufij. Lindi në Kosovë e vdiq në Shqipëri. Zemra rrahu dhe foli shqip…
Pas një sëmundjeje të gjatë, që e kishte tërhequr disi nga jeta aktive kulturore, ndërroi jetë shkrimtari Sulejman Krasniqi.

 Emra të njohur të letrave shqipe, drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptarë, miq e të afërm i dhanë lamtumirën e fundit njeriut të dashur, dje, në një ceremoni mortore, e cila u zhvillua në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Lamtumirë për njeriun që do të kujtohet si simboli i rezistencës, që krijimtarinë e tij ia kushtoi vendit të vet dhe padyshim u bë edhe një frymëzim lirie. 

“Vepra e tij ishte një frymëzim i madh edhe për ata që bënë luftën e fundit çlirimtare në Europë, UÇK-në”, u shpreh dje kryeministri shqiptar prof.dr. Sali Berisha.

 Ndërsa Presidenti i Republikës, prof.dr.Bamir Topi, në mesazhin e tij të ngushëllimit drejtuar familjarëve u shpreh se “me talentin e rrallë dhe krenarinë e paepur kombëtare, la gjurmë të pashlyeshme në letrat shqipe të katër dekadave të fundit”.


Sulejman Krasniqi numëron mbi 20 vepra, të cilat janë kryesisht me karakter historik. Bajram Curri, Mic Sokoli, Shote Galica, heronjtë e lirisë do të zinin një vend kryesor në krijimtarinë e tij. 

E po kështu edhe ngjarje të mëdha si Lidhja e Prizrenit, masakra e Tivarit etj.

1. “Pushka top Bajram Currit”,
2. “Tri motra, tri histori”, 
3.“Lindita”, 
4.“Njeriu dy herë i pushkatuar”, 
5.“Qielli i përflaklur”,
 6.“Prijësja e komitëve”, 
7.“Mic Sokoli”, 
8.“Rebeli i bajraqeve” etj.
Këto janë disa nga titujt e librave që  shkrimtari i madh Sylejman Krasniqi ka lënë pas. 

Sipas shkrimtarit Bardhyl Londo, kur Sulejman Krasniqi erdhi në Shqipëri nga Prizreni në vitin 1958, solli me vete botën e shqiptarëve të atjeshëm, por njëkohësisht edhe botën e shqiptarëve që gjeti këtu.
 “Iu kushtua kryesisht romanit historik, lëvroi me pasion të veçantë historinë e Shqipërisë, e ngriti atë në art në romanet e shumtë që ka lënë”, tha  Bardhyl Londo. “Më printe mbrothësia në temën historike, secila më krijonte mundësi për t’iu përvjedhur censurës dhe konjukturave që atë kohë gëlltitnin male, siç më penguan të botoj veprën e parë për masakrën e Tivarit”, kështu do të shprehej kohë më parë shkrimtari kosovar, i cili me zgjuarsi i shpëtoi censurës dhe njëkohësisht i shërbeu edhe kauzës së lirisë së vendit të tij, të cilin ai nuk mundi ta shihte për 60 vjet me radhë, qysh se kaloi kufirin që ndante trojet shqiptare.

Shuhet Sulejman Krasniqi, Topi mesazh ngushëllimi

          Prof.dr.sc.Bamir Topi
Presidenti Bamir Topi, nëpërmjet një mesazhi të bërë publik , ngushëlloi familjarët e shkrimtarit të shquar shqiptar, Sulejman Krasniqi, i cili ndërroi jetë në Tiranë, në moshën 74-vjeçare. 

"Me dhimbje mësova për lajmin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit me origjine nga Kosova dhe njërës prej penave më të shquara të letërsisë sonë moderne, i cili me talentin e rrallë dhe krenarinë e paepur kombëtare la gjurmë të pashlyeshme në letrat shqipe të katër dekadave të fundit", thuhet në mesazhin e Kreut të Shtetit.

Përmes këtij mesazhi, Presidenti Topi shpreh vlerësimin më të lartë për personalitetin e spikatur të Sulejmanit në fushën e letërsisë, për vlerat e jashtëzakonshme njerëzore, si dhe për përpjekjet e angazhimin shumëvjeçar të tij në shërbim të ruajtjes e përçimit të vlerave historike kombëtare, të fitimit të lirisë së Kosovës dhe lartësimit të imazhit të kombit shqiptar. 

"Duke ju gjendur shpirtërisht pranë në këto çaste të rënda, shpreh besimin se jeta dhe vepra atdhetare e Sulejman Krasniqit do të mbeten përherë të gdhendura me respekt e krenari në kujtesën e shqiptarëve kudo ku ata jetojnë", përfundon mesazhi i Kreut të Shtetit shqiptar.



        Prof.dr.sc.Sali Ramë Berisha
Në homazhet e zhvilluara dje  mori pjesë edhe kryeministri Sali Berisha. “Letrat shqipe, bota intelektuale shqiptare humbi sot këngëtarin e atdhetarisë, heroizmit, trimërisë dhe përpjekjeve mbinjerëzore të shqiptarëve për liri e dinjitet. Sulejman Krasniqi në veprën e tij lë si trashëgimi apoteozën e heroizmit, patriotizmit, sakrificës, përkushtimit dhe trimërisë së shqiptarëve. Sulejman Krasniqi në të gjithë personazhet e tij, personalitete të historisë kombëtare, personazhet e tij të veprave letrare frymëzon shqiptarët në përpjekjen e tyre për t’u çliruar nga pushtimi”, u shpreh Berisha.
            Prof.dr.sc.Jakup Krasniqi
Me rastin e vdekjes së Sulejman Krasniqit, atdhetarit, veprimtarit dhe shkrimtarit të shquar, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka ngushëlluar familjen Krasniqi. 

“Sulejman Krasniqin e ka bërë të pavdekshëm veprimtaria e tij jetësore dhe trashëgimia e pasur letrare që u ka lënë brezave të atdheut të tij të dashur”, kështu do të shprehej kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes së shkrimtarit Sulejman Krasniqi.
  “Me lot në sy e me mall të pashuar për Kosovën, së cilës ishte detyruar t’ia kthente shpinën, Sulejmani shpesh thoshte, mos vdeksha pa u kthyer sërish atje dhe pa e parë të lirë vendlindjen time. Ai e jetoi ditën e çlirimit të Kosovës dhe e kremtoi pavarësinë e sovranitetin e saj”.

Ramon Sanchez Lizarralde, një spanjoll i dashuruar me shqipen


Ramon Sanchez Lizarralde


Binte shumë shi atë ditë. Një shi i imët, i shtruar, që s’kishte ndërmend të pushonte. Shiu tipik i vjeshtës së shtyrë të Tiranës.Ai mbërriti i përpiktë në librarinë që e kishim shndërruar në një studio televizive, ku zhvillonim bisedat me shkrimtarë e përkthyes, i tëri qull. Edhe pse ndërtesën ku ishte hapur panairi i librit, për të cilin ai kishte ardhur në Tiranë, dhe vendin tonë të takimit se ndanin veç ca dhjetëra metra distancë. As çadër s’kishte pasur me vete, edhe pse e njihte mirë Tiranën dhe klimën e saj. Ndoshta mendonte se libraritë e mbyllura apo panairi i librit nuk do t’ia bënin të nevojshme ecejaket e gjata nëpër rrugë. Mbërriti i buzëqeshur… dhe shkujdesshëm u përpoq të rregullonte flokët e lagur para se të fillonin regjistrimin e intervistës… Ramon Sanchez Lizarralde ishte përkthyesi që veçmas më kishte tërhequr vëmendjen. Prania e një grupi të vogël përkthyesish të letërsisë shqipe në gjuhë të ndryshme europiane, ishte ngjarja më e rëndësishme e panairit të librit të atij viti. Cilët ishin këta përkthyes? Si kishin rënë në kontakt me gjuhën e këtij vendi të vogël e me letërsinë tonë? Fundja, pse e kishin bërë këtë zgjedhje, ç’i kishte joshur?… Kureshtja funksiononte njëlloj në rastin e të gjithëve, të përkthyeses polake, italiane, angleze… porse përkthyesi spanjoll qëndronte veçmas në këndvështrimin tim, edhe pse historia e lidhjes së tij me shqipen dhe me letërsinë shqipe ishte më të vërtetë e veçantë. Jo vetëm më e hershme e për pasojë më e thellë dhe e fortë. Porse fillonte në një epokë tjetër. Ai kishte mbërritur në Shqipëri para rënies së diktaturës dhe kishte jetuar gjatë këtu, duke pasur mundësinë të prekë me dorë terrenin, të njohë nga afër vetë autorët e letërsisë shqipe. Kishte nisur në fillim pandërgjegjshëm të hynte nëpër labirintet e shqipes, kaq të ndryshme nga gjuha e tij, e kishte shijuar dhe kishte nisur të zbulonte një nga një veprat e mëdha. Kishte adhuruar Kadarenë, por jo vetëm… E në fund të të gjithë kësaj, kishte besuar se ishte detyrimi i tij të çonte diçka prej letërsisë shqipe në Spanjë, duke u mbushur një boshllëk që gabimisht deri asaj kohe kishte qëndruar i zbrazur në libraritë e atij vendi. E filloi nga Kadareja. E pashmangshme kjo. Sepse ky shkrimtar që i kish kapërcyer prej kohësh kufijtë e vendit të vet, duhej çuar edhe në Spanjë. Kadareja duhej lexuar edhe nga spanjollët… Dhe kështu filloi rrugëtimi i një përkthyesi të dashuruar me gjuhën shqipe… Ramon Sanchez Lizarralde gjatë intervistës njëorëshe, por edhe më pas, gjatë kohës se një kafeje, më tregoi gjithçka rreth vetes, pasionit për përkthimin dhe veçanërisht për letërsinë shqipe. Për punën që iu desh të bënte me botuesin e parë që mori përsipër të nxirrte në spanjisht “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”. Për procesin e vet përkthimor të ndarë në faza, që i shijonte veçanërisht netëve dhe me së shumti në shtëpinë e vet që kishte në mal, larg nga qyteti i zhurmshëm dhe shpërqendrues. Më tregoi për “zhytjen” në thellësitë e letërsisë së Kadaresë që ishte pasuar me një miqësi me shkrimtarin… Për vështirësitë shkaktuar nga dallimet mes dy gjuhëve apo mendësitë, por edhe për ndonjë të përbashkët që herë-herë ia lehtësonte përkthimin…  E pastaj vijoi për njohjet me shkrimtarë të tjerë shqiptarë dhe për vendimin për t’i përkthyer edhe ata në spanjisht… Ramon Sanchez Lizarralde prej disa ditësh nuk është më mes të gjallëve, porse puna e tij e jashtëzakonshme e bën atë të jetë i pranishëm. Puna e jashtëzakonshme e një ndërmjetësi mes letërsisë shqipe dhe lexuesve spanjollë… Intervista e mëposhtme të rikthen jo thjesht në një çast të së shkuarës, në një ditë nëntori kur në Tiranë shiu nuk donte të pushonte. Por mbi të gjitha të rikthen në periudhën e gjatë të dashurisë së Sanchezit, që të gjithë shqiptarët e njohin me letërsinë shqipe dhe autorëve të kësaj gjuhe…
Prej shumë vjetësh përktheni letërsinë shqipe për lexuesit e vendit tuaj, pse keni zgjedhur shqipen, dhe jo një gjuhë tjetër të “madhe”?
Unë kam punuar për një kohë të gjatë në ndërmarrjen botuese “8 Nëntori”, në kohën e regjimit të Hoxhës. Dhe, kur u ktheva në Spanjë, vura re që e dija gjuhën shqipe dhe e njihja letërsinë shqipe. Ishte si një lloj detyrimi etik për mua, ndërkohë që në Spanjë nuk dinin asgjë për letërsinë shqipe. Kështu ka qenë në momentet e para, pasi kisha jetuar katër vjet në Shqipëri.
Identifikoheni me Kadarenë, pra jeni përkthyesi i tij në spanjisht. Si do ta përkufizonit tërheqjen tuaj ndaj letërsisë së këtij shkrimtari?
Botimi i Kadaresë në spanjisht në fillim ishte një zgjedhje e dyfishtë, imja dhe e botuesve spanjollë. Kadareja ishte një autor i njohur dhe ishte e natyrshme që prej tij të mund të fillohej të përkthehej letërsia shqipe. Veç kësaj, shijet letrare në Spanjë janë të ndikuara nga Parisi dhe Kadareja e kishte kapërcyer “pengesën” franceze.
Ju e çuat për së pari Kadarenë në Spanjë nëpërmjet “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”. Çfarë kujtoni nga vështirësitë e atij përkthimi të parë?
Problemet e fillimit kishin të bënin me papjekurinë time. Strukturat e gjuhëve tona janë shumë të ndryshme dhe ka shumë probleme për të kthyer një ligjërim nga njëra gjuhë në tjetrën. Veç kësaj, kur te “Gjenerali” fillojnë të dalin në skenë fshatarët e sidomos kur shfaqet plaka Nicë me kockat e gjeneralit Z., vështirësitë bëhen me të vërtetë të mëdha. Tani unë e kam shumë të qartë, Ismaili është një nga romancierët e parë që përshtati gjuhën qytetare për letërsinë. Këtu puna funksionon lehtësisht, por kur hyjnë personazhet e tjerë, që vijnë nga një botë që për më tepër s’mund të krahasohet me botën spanjolle, problemi vështirësohet.
E megjithatë, edhe pse Gjenerali është vepra e parë që keni përkthyer, vështirësinë më të madhe e keni pasur gjatë përkthimit të “Kronikë në gur”…
Është e njëjta logjikë. Atje flasin gjithmonë plakat. Vetë Gjirokastra është një territor shumë i veçantë. Kurse Kadareja nxjerr në pah shumë gjëra nga e kaluara dhe sidomos shumë gjëra personale dhe të brendshme. Në të njëjtin këndvështrim, ka qenë shumë i vështirë «Viti i mbrapshtë». Njerëzit e shtresave të ndryshme flasin krejt ndryshe. Kadareja i përdor shumë ngjyrimet gjuhësore. Është e vështirë të gjesh mënyrën si ta japësh atë në spanjisht.
Si e keni gjetur përkthimet e disa gjërave tipike, të themi vrasjen me juk që e gjejmë të Kadareja?
Fjala konkrete nuk më kujtohet, por më kujtohet problemi. Por ka një avantazh. Së paku në këtë rast. Bëhet fjalë për diçka që edhe në mendësinë spanjolle ekziston. Sigurisht në një formë të përafërt. Mund të ndodhte në disa zona të vendit. Kësisoj s’kisha nevojë të bëja një spanjollizim të frazës.
Shpesh përkthyesve u lind nevoja për shpjegimet e situatave të caktuara? A i përdorni ju shpjegimet? 
Nevoja për përdorimin e shpjegimeve varet nga autori. Nëse do të flisnim për Kadarenë, duhet thënë se ai është specialist për t’u treguar të huajve, për t’ua shpjeguar gjërat deri në detaje brenda vetë librit. Dhe kjo e lehtëson punën e përkthyesit.  Mund të përmend “Prillin e thyer” për shembull, ku Kadareja e shpjegon Kanunin deri në detaje për lexuesit. Por, ka autorë të tjerë që në këtë pikëpamje janë të vështirë, siç do të përmendja Mitrush Kutelin. Kam përkthyer një vëllim me tregime, por ishte shumë i vështirë Kuteli. Unë mendoj se i duhen dhënë lexuesit edhe karakteristikat e veçanta të një letërsie. Nëse njerëzit lexojnë një libër shqiptar apo kinez, ata duhet të njohin aty Shqipërinë apo Kinën, gjërat nuk duhen spanjollizuar.
Ju përmendet “Prillin e thyer”, bazuar te Kanuni, unë do të përmend edhe dy vepra të tjera bazuar në legjenda “Kush e solli Doruntinën” dhe “Ura me tri harqe”. Si keni vepruar ju për të marrë informacion rreth terrenit ku në raste të tilla Ismail Kadare lëviz? 
Gjithë botimet e legjendave shqiptare, ashtu si dhe gjithë botimet e “Kanunit të Lekë Dukagjinit” apo versionet e tjera, i kam lexuar. Është e domosdoshme të merret informacion mbi gjërat për të cilat shkrimtari flet, ndryshe mund të bëhen gabime shumë të rënda.
Sa ndryshojnë apo sa ngjajnë mendësitë shqiptare dhe spanjolle? Sa ua vështirëson apo lehtëson procesin e përkthimit kjo gjë?
Ka shumë elemente që dallojnë. Por midis spanjishtes dhe shqipes ka një element të rëndësishëm që bashkon: arabët kanë qenë 8 shekuj në Spanjë dhe kanë lënë shumë gjurmë në gjuhë. Dhe kjo na afron në ngjyresat e fjalëve që ka shqipja, pasojë e gjurmëve që ka lënë te ju Turqia. Edhe pse ngjashmëria është shumë më e vogël, do të flisja edhe për gjurmë që kanë mbetur në të dyja vendet, në mentalitet.
A mund të thuhet e njëjta gjë për diktaturën…
Po, ka edhe një anë mentaliteti më modern. Edhe ne kemi pasur problem me diktaturën 40-vjeçare të Frankos. Që do të thotë se njerëzit janë më të përgatitur të kuptojnë mjediset shqiptare për të njëjtat çështje të diktaturës që edhe spanjollët i njohin. Në parim, krijohet ideja e një ndryshimi të mundshëm, pasi Franko ishte fashist dhe Hoxha komunist, por gjithsesi vuajtjet e njerëzve ishin të njëllojta.
Shumë nga përkthyesit përdorin përkthimet paralele për t’u bindur për saktësinë e punës së tyre. Si procedoni ju dhe cilët janë përkthyesit, përkthimet e të cilëve ju kanë vlejtur si variante krahasuese në tryezën tuaj të punës?
Sidomos në 3 ose 4 romanet e para, unë e kisha gjithnjë versionin e Jusuf Vrionit në tryezë. Patjetër, se doja të siguroja veten. Kurrë s’e kam bërë përkthimin nga frëngjishtja, por doja të kuptoja më shumë e të bindesha, sidomos në raste të veçanta. Më vonë s’e kam ndjerë këtë nevojë. Tashmë jam brenda mendësisë së Ismailit. Veç të tjerave, kemi edhe marrëdhënie të mira dhe të shpeshta. Nganjëherë, para se të dalë libri, unë kam marrë vesh shumë gjëra rreth tij, pasi Kadareja m’i ka treguar. Atij i pëlqen të flasë për projektet e tij.
Edhe pse mund të quheni, pothuaj, përkthyesi ekskluziv i Kadaresë, ka edhe të tjerë autorë shqiptare që ju i keni kthyer në spanjisht: Kuteli apo anonimët, të cilët i keni përzgjedhur nëpërmjet përrallave popullore shqiptare. Cili është krahasimi që mund të bëni mes autorëve letërsive apo kohëve prej nga vijnë ata? Ç’marrëdhënie keni krijuar me veprat e ndryshme gjatë procesit?
Kur fillova së pari me përrallat, kisha bërë një punë paraprake shumë të madhe. Kisha lexuar mbi 500 përralla përpara se të fusja kokën brenda mendësisë dhe të zgjidhja më pas. U detyrova të lexoja antologji të tëra edhe me përralla të spanjollëve apo italianëve. Nuk gjeta ndonjë ngjashmëri mes përrallave shqiptare dhe atyre spanjolle. Por ngjashmërinë e pashë me përrallat italiane. Prandaj u mora gjatë me Italo Kalvinon, me vëllimin e tij me përralla italiane. Atje gjeta një sistem shumë të afërt, madje shumë tema ishin të njëjta. Si të thuash te Kalvino gjeta çelësin për përrallat shqiptare. Jam në përkthim e sipër të përrallave të “Ciklit të kreshnikëve”. Është një punë që po zgjat prej vitesh. Por jo të gjitha përkthimet zgjasin njëlloj në kohë. Nëse do të bëja një krahasim, do të thosha, për shembull, se “Lul Mazrekun” e përktheva në 3 muaj, kurse përrallat, në pesë vjet. Sigurisht nga që Kadarenë e njoh mirë tashmë, kurse problemet gjuhësore dhe të mentalitetit te përrallat kanë qenë shumë të mëdha.
Nëse do t’i referohesha një studiuesi të Kadaresë, do të evidentoja rreth 2000 fjalët e formuara prej tij apo të nxjerra nga sëndukët e shqipes. Si procedoni ju në raste të tilla? A ekziston mundësia për t’i kthyer në spanjisht, sidomos fjalëformimet?
Te fjalëformimet del një problem shumë i madh, pasi rregullat e gjuhës spanjolle nuk e pranojnë kaq lehtë fjalëformimin, madje edhe në rastin e autorëve që bëjnë letërsi të mirëfilltë. Por në shumicën e rasteve, duhet t’i gjej. Nëse nuk e kam atë mundësi të veçantë në gjuhën time, më duhet të krijoj diçka, por me shumë kujdes. Ndërsa për fjalët e vjetra nuk e kam tashmë të vështirë. Në fillim nuk i gjeja ato as në fjalor, por tani ndryshon puna. Sidomos pas përvojës së përrallave popullore, kam grumbulluar disa mijëra fjalë të dala nga qarkullimi ose turqizma apo krahinorizma, me të cilat kam ndërtuar edhe një fjalorth të vogël personal. Sidoqoftë, duhet gjetur në çdo rast një mënyrë.
Si do ta përshkruanit procesin tuaj të përkthimit?
Çdo gjë varet nga libri që kam në dorë. Në rastin e Kadaresë, atë e boton një ndërmarrje botuese në mënyrë të vazhdueshme dhe unë e kam fituar të drejtën të bëj sugjerime. Por, në rastet e të tjerëve, është më e vështirë. Botuesit i duhet një version francez. Pas kësaj edhe procesi ka varësitë e veta.
Nuk është e njëjta gjë si me përrallet popullore, si me Kadarenë apo me poezinë. Një libër poetik mund të më kushtojë një vit, edhe pse jo një vit me punë të vazhdueshme. E megjithatë, imazhet dhe figurat punojnë brenda në kokë për një kohë më të gjatë edhe kur realisht nuk jam mbi tryezë duke përkthyer.
Zakonisht punoj natën, jam pak si lakuriqët. Por edhe kjo ndryshon. Kur kam mësim në fakultet apo kur kam udhëtime apo konferenca, oraret ndryshojnë. Zakonisht preferoj të iki nga Madridi, ku edhe jetoj, e të shkoj në një shtëpi që kam në mal. Dhe kjo sidomos për procesin nistor, për variantin e parë. Pasi unë bëj gjithmonë një version të parë, bile pa u futur në vështirësitë e vogla. Të themi, nëse kam një fjalë që nuk e kuptoj mirë, e le ashtu siç është, në kllapa, dhe vazhdoj që të përkthej më poshtë. Në versionin e dytë futem në imtësi.
Dhe pastaj, hapi i tretë. Unë bëj versionin përfundimtar duke menduar në spanjisht që teksti të rrjedhë në gjuhën time.
Kur ju përkthyet “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” në spanjisht, ekzistonin në bibliotekat e spanjollëve vetëm «Daullet e shiut», përkthyer nga frëngjishtja dhe “Rrethimi i Shkodrës” i Marin Barletit, sigurisht nga latinishtja… tashmë është një situatë tjetër, por le të qëndrojmë në një detaj. Pse e ripërkthyet “Daullet e shiut”?
Përkthimi nga një gjuhë e dytë është i ligjshëm vetëm kur nuk ka përkthyes nga gjuha origjinale. Përkthyesit nga frëngjishtja, që e kishte sjellë për herë të parë në shqip “Daullet e shiut”, i duhej të punonte mbi një tekst për origjinën e të cilit gjithsesi nuk ishte absolutisht i sigurt. Kësisoj u bë i nevojshëm ripërkthimi i atij libri.
Do të vazhdoni të identifikoheni me Kadarenë? Apo keni edhe shkrimtarë të tjerë shqiptarë që ju tërheqin?
Fatos Kongoli është një tjetër nga të zgjedhurit e mi prej letërsisë shqipe. Po shoh se si tingëllon në spanjisht “Lëkura e qenit”. Herët a vonë Kongoli do të botohet në spanjisht. Dhe jo vetëm. Por punoj me botuesit për autorë të tjerë si dhe baladat shqiptare e “Ciklin e kreshnikëve”.

ARTA MARKU

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...