Nga
Flori Bruqi
Autoritetet në Kosovë, e kanë
akuzuar Beogradin zyrtar dhe strukturat paralele në veriun e vendit,
për sulmin ndaj vendkalimit kufitaar në Jarinë, në komunën e
Leposavicit në veri. Në orët e mbrëmjes, grupe protestuesish serb i
kanë vënë flakën vendkalimit kufitar në Jarinë, vetëm pak kohë pasi që
njësitë e posaçme të policisë së Kosovës, i dhanë fund operacionit për
vënien nën kontroll të vendkalimeve kufitare më Serbinë në veriun e
banuar me shumicë serbe. Kjo është hera e dytë që kjo postë kufitare
digjet nga protestuesit serbë. Herën e parë ajo u dogj pak ditë pas
shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Kryeministri i
Kosovës, Hashim Thaçi, e ka akzuzuar Beogradin zyrtar dhe strukturat
paralele në veriun e vendit, për sulmin ndaj vendkalimit kufitar në
Jarinë, në komunën e Leposavicit në veri. Ai i bëri këto komente, gjatë
një konference të jashtëzakonshme për shtyp gjatë orëve të vona të
natës, ku tha se sulmi ndaj pikës kufitare është udhëhequr dhe
bashkërenduar nga udhëheqësit e lartë të Beogradit, duke nënvizuar se
me këto veprime është, sic tha ai, demaskuar edhe publikisht politika e
Beogradit ndaj Kosovës.
"Fatkeqësisht,
në orët e pasditës, një grup kriminal i udhëhequr nga liderët e
strukturave paralele serbe, të motivuara nga autoritetet e Beogradit,
kanë sulmuar pikën 1. Këto veprime të dhunshme janë urdhëruar,
koordinuar dhe udhëhequr nga strukturat më të larta politike të
qeverisë së Serbisë. Djegia e pikës 1 është bërë nga njerëz me maska,
por gjithcka është e qartëë, pas kësaj djegie qëndron Beogradi,
politika e Beogradit", tha ai.
Kryeministri Thaci,
bëri të ditur se forcat paqeruajtëse të NATO-s dhe të policisë së
Kosovës, janë duke bërë përpjekje për të mbajtur nën kontroll situatën
në vendkalimet kufitare. Ai tha se institucionet e Kosovës nuk do të
bëjnë asnjë kompromis.
"Ju
garantojmë se do ta kthejmë rendin dhe ligjin. Keni besim në ne, ruani
qetësinë, ne në asnjë rrehtanë nuk do të zbrapsemi, nuk do të kemi
asnjë milimetër kthim mbrapa. Për Kosovën do të ketë vetëm ecje
përpara, nuk do të ketë rikthim të gjendjes së status kuos, madje as të
gjendjes së para dy ditëve. Ky është momenti i së vërtetës për Kosovën,
momenti i ecjes përpara, momenti për vënien e rendit dhe ligjit pas 12
vjetësh, ky është momenti i unitetit politik dhe qytetarë, kërkohet
solidaritet dhe kërkohet besim te institucionet e vendit",
tha ai.
Kryeministri Thaci, iu bëri thirrje qytetarëve që të
ruajnë qetësinë dhe të kenë besim në institucionet e Kosovës, duke
nënvizuar se në atë pjesë të vendit do të kthehet rendi dhe ligji.
"Dua të ju siguroj, se nuk të ketë kthim mbrapa
dhe skenari i Serbisë për ndarjen të veriut të Kosovës nuk do të ndoh
kurrë dhe në asnjë rrethanë. Kurrë më të vendosur në këto 12 vjetët e
fundit nuk kemi qenë dhe gjithë bota është e mirëkuptueshme në qasjen
tonë të vendosur. Ruajtja e qetësisë, sigurisë dhe tërësisë
territoriale të Republikës së Kosovës është detyra jona parësore,
kushtetuese dhe legjitime", tha kryeministri Hashim
Thaçi.
Në orët e mbrëmjes, grupe protestuesish serb i kanë
vënë flakën vendkalimit kufitar në Jarinë, në komunën e Leposaviçit në
veri, vetëm pak kohë pasi që njësitë e posaçme të policisë së Kosovës,
i dhanë fund operacionit për vënien nën kontroll të vendkalimeve
kufitare më Serbinë në veriun e banuar me shumicë serbe.
Grupe
protestuesish kanë hedhur shishe me benzinë në postën kufitare ndërsa
kanë përdorur edhe buldozerë për shkatërrimin e saj. Burimet serbe në
veri thanë se shishe me benzinë janë hedhur edhe ndaj trupave të
NATO-s.
Ndaj kësja situate ka reaguar presidenti i Serbisë Boris
Tadiç, i cili ka bërë thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të dhunës
në Jarinë. Ai citohet të ketë thënë se "huliganët që nxisin
dhunë, nuk janë ata që i mbrojnë as qytetarët e as shtetin serb".
Edhe
Ministri serb në qeverinë e Kosovës njëfarë Goran Bogdanoviç e ka
dënuar djegien e vendkalimit kufitar ndërsa i ka cilësuar si
ekstremistë grupet e protestuesve që sulmuan postën kufitare.
Forcat
paqeruajtëse të NATO-s thanë se kanë vendsour trupa shtesë në veri për
të rivendosur rendin. Në një komunikatë të KFOR-it thuhet se "pas një
dite demonstrimi, situata u përkeqësua në pikën doganore në Jarinë, dhe
persona të panjohur i kanë vënë zjarrin kësaj pike kufitare.
Gjithashtu janë konfirmuar raportimet për të shtëna ndaj personelit të
KFOR-it në afërsi.
Kjo është hera e dytë që kjo postë
kufitare digjet nga protestuesit serbë. Herën e parë ajo u dogj pak
ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Njësitë e
posaçme të policisë së Kosovës, filluan të hënën në mbrëmje një
operacion për vënien nën kontroll të dy vend kalimeve kufitare në
veriun e banuar me shumicë serbe. Operacioni u urdhërua nga qeveria e
Kosovës në përpjekje për të zbatuar vendimin për ndalimin e importeve
nga Serbia i cili nuk po zbatohej në atë pjesë të Kosovës ku nuk
funksionojnë doganat e vendit.
Aksioni i policisë
nuk është mbështetur nga EULEX-i dhe Bashkimi Evropian.
Ndërsa
Ministria e Jashtme e Shqipërisë reagoi sot ndaj zhvillimeve të fundit
në veri të Kosovës, ku dje humbi jetën edhe një nga pjestarët e
policisë dhe të tjerë mbetën të plagosur. Tirana kërkon zgjidhjen e
problemeve përmes dialogut
Shqipëria, thuhet në deklaratën e
shpërndarë sot, ka mbështetur dhe mbështet pavarësinë e Kosovës dhe
shtrirjen e sovranitetit të saj në të gjithë territorin e Republikës së
njohur nga 77 vende.
Eshtë e domosdoshme, thuhet në
deklaratë, që zgjidhjet të vijnë përmes dialogut dhe marrëveshjeve të
arritura, zbatimit të "Strategjisë për Veriun" të qeverisë së Kosovës
dhe Zyrës Civile ndërkombëatre, që do të bëjnë të mundur ushtrimin e
pushtetit legjitim të autoriteteve të zgjedhura të pushtetit qëndror
dhe lokal në Veri të Kosovës.
Ministria e jashtme nënvizon
edhe njëherë se "Zgjidhja e problemeve të mbetura mes Kosovës
dhe Serbisë duhet të bëhet përmes procesit të bisedimeve", duke
nënvizuar se "është thelbësore që konkluzionet e arritura mes tyre, me
ndërmjetësimin e Bashkimit europian, të shndërrohen në marrëveshje të
zbatueshme me garanci ndërkombëtare".
Zyrtarët e Policisë
së Kosovës kanë njoftuar se lidhur me vrasjen e pjesëtarit të njësisë
speciale të policisë, Enver Zymberi, janë hapur hetimet. Zëdhënësi i
Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu, ka theksuar se do të hetohen të
gjitha detajet dhe pistat e mundshme. Për policin e vrarë sot janë bërë
homazhe ndërkaq, familjen Zymberi e kanë ngushëlluar të gjitha
institucionet e vendit dhe partitë politike. Sadriu gjithashtu thekson
se policët kufitarë dhe doganierët janë duke e vazhduar punën në pikat
kufitare në veri të vendit.
Policia e Kosovës ka hapur
hetimet mbi vrasjen e pjesëtarit të saj Enver Zymberi, i cili nga
plagët e marra me armë zjarri dje, në veriun e Kosovës, ka ndërruar
jetë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu, i
ka thënë Radios Evropa e lirë, se policia po heton në disa pista, lidhur
me vrasjen e zyrtarit të saj.
"Lidhur me
këtë rast, Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale e Mitrovicës, qysh dje
ka iniciuar hetimet. Do të hetojë të gjitha detajet. Të gjitha pistat e
mundshme janë duke u hetuar, në mënyrë që të dyshuarit lidhur me këtë
rast të kapen dhe të dërgohen para drejtësisë
",
tha Sadriu.
Ndryshe, siç ka thënë zëdhënësi Sadriu,
Policia e Kosovës dhe drejtuesit e lartë të institucioneve të vendit,
sot kanë nderuar policin e ndjerë Zymberi, duke bërë homazhe në
ambientet e drejtorisë së përgjithshme të Policisë së Kosovës.
"Sot,
prej orës 13 deri në orën 14, në ambientet e Drejtorisë së
Përgjithshme të Policisë së Kosovës, konkretisht në hollin e ndërtesës
së administratës, janë bërë homazhe për policin Enver Zymberi, i cili
ka rënë dje në krye të detyrës, në rajonin e Mitrovicës. Në këtë homazh
kanë marrë pjesë, përveç prestarëve të policisë së Kosovës dhe
kolegëve të të ndjerit, edhe personalitetet më të larta të vendit,
familjarë, miq dhe njerëz të tjerë", sqaroi Sadriu.
Të
gjitha institucionet e Kosovës dhe partitë politike e kanë ngushëlluar
familjen Zymberi për humbjen anëtarit të tyre në krye të detyrës.
Në
ngushëllimet për familjen Zymberi, është thënë se Enver Zymberi është
shembull i sakrificës dhe profesionalizmit të lartë në vendosjen e
kushtetutshmërisë në tërë territorin e republikës së Kosovës.
Ndërkaq,
presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka vendosur që policin e
ndjerë Enver Zymberi, i vrarë në detyrë, ta dekorojë me Urdhrin "Hero i
Kosovës", me motivacion për "trimërinë dhe përkushtimin e treguar deri
në flijim për vendosjen e sundimit të ligjit në tërë territorin e
Republikës së Kosovës".
Presidentja Jahjaga do t’ia
dorëzojë medaljen familjes Zymberi në një ceremoni të veçantë.
Ndryshe,
sipas zëdhënësit të policisë së Kosovës, Sadriu, në pikat kufitare 1
dhe 31 në veri të vendit, të cilat një ditë më parë ishin futur nën
kontroll nga njësitë speciale të policisë së Kosovës, janë vendosur dhe
po vazhdojnë punën policia kufitare dhe doganierët e Kosovës.
"Janë
pjesëtar të Policisë së Kosovës, të të gjitha etniciteteve. Do të
thotë, janë të vendosura njësitet e policisë kufitare qysh dje, por edhe
sot janë duke punuar. Do të thotë, janë zyrtar policor dhe duhet të
punojnë konform rregullave dhe ligjeve të aplikuara në vend", bën
të ditur Sadriu.
Zëdhënësi Sadriu ka theksuar se në pikat
kufitare në veri të vendit janë duke qëndruar edhe njësitë e KFOR-it,
të cilat, sipas tij, janë duke dhënë përkrahjen për policinë e Kosovës,
në punën e tyre të përditshme.
Sadriu gjithashtu ka
shtuar se situata e sigurisë në veriun e Kosovës gjatë natës ka qenë e
qetë dhe pa incidente, ndonëse në disa rrugë ende qëndrojnë barrikadat,
të cilat i kanë vendosur më herët serbët lokal.
Në anën
tjetër, serbët lokalë, në veri të vendit edhe gjatë natës së kaluar
kanë qëndruar afër barrikadave që i kanë vendosur në disa rrugë.
Këtë
e konfirmon edhe njëri nga liderët politik të serbëve të veriut të
Kosovës, Kërstomir Pantiq, i cili gjithashtu thotë se me gjithë
tërheqjen e forcave speciale të policisë së Kosovës nga veriu, në pikat
kufitare kanë mbetur njësitë e policisë kufitare, me të cilin fakt,
sipas tij, serbët lokal nuk pajtohen.
"Qytetarët
janë ende të tubuar në barrikada. Megjithatë rrugët nuk janë
plotësisht të bllokuara. Qarkullimi është i lirë në drejtim ka pikat
kufitare dhe që andej për në Mitrovicë", ka thënë Pantiq.
Sidoqoftë,
policia e Kosovës ka theksuar se njësitet e Policisë kufitare dhe
doganierët do të vazhdojnë ta kryejnë punën e tyre në pikat kufitare në
veri të vendit.
Komandanti i KFOR-it, Erhard Byler, tha
se forcat speciale të Policisë së Kosovës janë tërhequr nga veriu dhe
se në kalimet kufitare ndodhen shërbyesit serbë.
"Unë jam
këtu për të bërë përpjekje në mbajtjen e rendit dhe të qetësisë – kjo
është detyra ime. Njësitë ROSU janë tërhequr nga veriu. Sipas
marrëveshjes, kemi dërguar shërbyes serbë në vendkalime dhe ata
vazhdojnë të jenë atje", tha Byler, pas takimit me shefin e
delegacionit serb në bisedime, Borisllav Stefanoviq, në Rudar të
Zveçanit.
Stefanoviq u tha të tubuarve se ekziston një
problem, meqë, siç tha, po bëhen përpjekje të sillen doganierët dhe
policët kufitarë të Kosovës, ndonëse "serbët dhe Beogradi duan që atje
të kthehen doganierët e EULEX-it dhe pjesëtarët serbë të Policisë së
Kosovës, të cilët ishin në vendkalime deri në ndërhyrjen e forcave
speciale".
"Do ta zgjidhim problemin. Ose ata do të
largohen nga aty ku kanë hyrë ilegaslisht, ose ne nuk do të lëvizim nga
këtu derisa ata ta bëjnë një gjë të tillë", ka thënë Stefanoviq.
Udhëheqësit
e serbëve të Mitrovicës kanë vendosur që, për shkak të rrethanave të
jashtëzakonshme dhe përkeqësimit të gjendjes së sigurisë, të kufizojnë
orarin e punës së dyqaneve dhe restoranteve, ora 7 deri në 15.
Kuvendi
i Kosovës përmes një rezolute i ka dhënë mbështetje qeverisë që të
vazhdojë me masat e ndërmarra në veri të Kosovës, për vendosjen e
rendit në pikat doganore dhe zbatimin e reciprocitetit me Serbinë.
Rezoluta
është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës u mbështet nga 89
deputet, përderisa 8 ishin kundër.
Me këtë rezolutë,
Kuvendi i Republikës së Kosovës mbështet të drejtën Kushtetuese të
institucioneve për ushtrimin e kontrollit të plotë në gjithë territorin
e Kosovës.
Kuvendi i Kosovës kërkon që të respektohen
masat e reciprocitetit me Serbinë në të gjitha pikat doganore, tha
shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, i cili lexoi
tekstin e saj.
"Kuvendi i Republikës së
Kosovës kërkon nga qeveria të vazhdoj në angazhimin e saj për vendosjen
e autoritetit kushtetues në pikat kufitare 1 dhe 31 dhe në ndërmarrjen
e veprimeve të tjera për shtrirjen dhe ushtrimin e sovranitetit në
tërë territorin e Republikës së Kosovës ", ka thënë Grabovci.
Me
këtë Rezolutë, Kuvendi fton edhe faktorin ndërkombëtar që t’i
mbështesë dhe ndihmojë institucionet e Kosovës në angazhimet për
vendosjen e autoritetit kushtetues në gjithë territorin e vendit.
Rezoluta
u miratua gjatë një seance të jashtëzakonshme pas debateve të shumta.
Kryeministri
Hashim Thaçi ka akuzuar edhe njëherë Beogradin dhe strukturat paralele
në veri për djegien dhe sulmet në pikat doganore.
"Këto
turma të dhunshme kriminale serbe, nuk janë qytetarët serb shtetas të
Republikës së Kosovës. Ata janë faqja e zezë e komunitetit serb në
Kosovë. Ata janë e keqja e komunitetit serb në Kosovë. Ata janë duke e
turpëruar komunitetin serb në Kosovë. Komuniteti serb në Kosovë
gjithnjë e më tepër po distancohet nga ta. Kanë mbetur individë në
Kosovë që e përqafojnë politikën e dhunës së Beogradit në Kosovë",
ka thënë para Parlamentit, Thaçi.
Ndërkohë,
opozita, edhe pse i ka dhënë mbështetje qeverisë, ka shprehur
pakënaqësi me hapat e ndërmarrë pas tërheqjes së forcave speciale nga
veriu. Por megjithatë me votën e tyre ka mbështetur qeverinë.
Ndërkaq
një mendim ndryshe nga partitë tjera politike në pozitë dhe opozitë ka
shprehur lëvizja Vetëvendosje.
Lideri i Vetëvendosjes,
Albin Kurti kërkoi që presidentja Atifete Jahjaga të shpallë gjendje të
jashtëzakonshme duke propozuar edhe mobilizim për ruajtjen dhe
mbrojtjen e tërësisë territoriale të Kosovës.
"Propozimi
i Lëvizjes Vetëvendosje është që në përputhje aktuale kur Kosovës i
është djegur kufiri në veri, presidentja e Republikës së Kosovës ta
shpallë gjendjen e jashtëzakonshme dhe më pastaj të ndodhë organizimi
dhe aktivizimi i të gjitha resurseve qytetare e institucionale në
përputhje me atë gjendje", ka deklaruar Kurti.
Përveç
masave të mobilizimit, Kurti kërkoi që të ndërpritet dialogu me
Serbinë dhe të intensifikohen kontaktet me Tiranën, Uashingtonin,
Ankaranë dhe vendet e BE-së që e njohin pavarësinë e Kosovës.
Një
kërkesë e tillë, megjithatë nuk kaloi në Kuvend.
Pas
marrjes nën kontroll të vendkalimeve kufitare 1 dhe 31, në kufi me
Serbinë, KFOR-i ka njoftuar se dogana në Jarinje është e dëmtuar rëndë
dhe si e tillë duhet të mbyllet për shkak të rrezikut nga shembja.
Në
një komunikatë për opinion, KFOR-i njofton se kamionët nuk janë lejuar
të futen nëpërmjet kësaj pike, kurse automjetet e vogla private mund
të kalojnë kufirin në rrezik të tyre, ndonëse do të kontrollohen nga
KFOR-i dhe bastisen për armë.
Në pikën kufitare 31 në
Bërnjak, njoftojnë paqeruajtësit, kontrollimet janë shumë të rrepta për
shkaqe sigurie.
KFOR-i njofton se vazhdon të zbarkojë
trupat e veta në tërë veriun e Kosovës për të ruajtur qetësinë,
sigurinë dhe për të mundësuar lirinë e lëvizjes.
Në anën
tjetër, përfaqësuesit e serbëve në veri thonë se nuk qëndrojnë para
akteve të sulmeve dhe djegies së pikës numër një në Jarinje.
Një
nga liderët e serbëve të veriut, Kërstimir Pantiq thotë se nuk ka
informacione se kush ishin ata që ia vunë zjarrin doganës në Jarinje.
"Ne
nuk kemi informacione se kush e dogji kalimin në Jarinje. Nuk e besoj
se ata ishin serb nga Mitrovica, siç është prezantuar. Unë theksoj se
nuk kishte ndonjë nisje të organizuar për në pikat doganore. Nga
filmimet shihej se ata njerëz bartnin kapela kështu që nuk dihet se kush
e bëri këtë vepër", thotë Pantiq.
Sidoqoftë,
situata në veriun e Kosovës pas sulmeve të mbrëmshme në pikat doganore
sot përshkruhet të jetë më e qetë.
Por, gjendja mbahet
nën tension dhe se kjo vërehet me vendosjen e sërishme të barrikadave
nëpër rrugët që qojnë në kufi me Serbinë nga ana e banorëve lokal
serbë.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë,Prof.dr.
Bamir Topi, vlerëson se "Kosova është tashmë një realitet i
njohur botërisht dhe sovraniteti i saj është i pakthyeshëm e i
paprekshëm".
Ai ka dënuar aktet e njëanshme të
dhunës, duke i konsideruar ato krejtësisht të panevojshme dhe beson
shumë tek institucionet legjitime të Kosovës për rikthimin e
normalitetit afatgjatë, thuhet në një komunikatë të presidencës
shqiptare.
Zoti Bamir Topi gjithashtu ka mbështetur dhe
inkurajuar vazhdimin e dialogut institucional të inicuar nga BE midis
Prishtinës dhe Beogradit, duke e vlerësuar atë si rrugën më të mirë për
zgjidhjen e problematikave reciproke.
Kryeministri
shqiptar prof.dr. Sali Berisha shprehu në një konferencë për mediat,
shqetësimin e madh për ato që ai i quajti "provokime të rrezikshme të
bandave serbe" në kufirin verior të Kosovës.
"Mbështesim
operacionet e qeverisë së Kosovës dhe dënojmë aktet kriminale të
fallangave të serbo-mëdhenjve në kufirin verior. Dënojmë vrasjen e një
oficeri të policisë, sulmin e armatosur ndaj njësive të KFOR-it dhe i
konsiderojmë këto akte dëshmi se fantazma e Serbisë së Madhe paraqet
rreziqe për paqen dhe stabilitetin në rajon", tha Berisha.
Kryeministri
Sali Berisha mbështeti embargon e qeverisë së Kosovës ndaj produkteve
serbe, për sic ka thënë ai, "jo sepse është kundër lëvizjes së lirë të
mallrave, njerëzve, por se ky është një vendim i imponuar prej
qeverisë serbe".
Sali Berisha i bëri thirrje qeverive të
të dy vendeve që të marrin masa për të siguruar kushte dhe dialog mes
dy vendeve të barabartë.
Në Prishtinë,28 korrik 2011