Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/08/07

Poezia nga ALI R BERISHA

image ALI R. BERISHA




PËRFYTYRIM STINE

S’ ka hënë, s’ka bulktha
S’ka fërfëllimë pylli,
S’ka valëzim liqeni,
As ngricë, as krahnezë
S’ka gjethe, lule, kamomile,
S’ka aromë fare

Kam veten time
Mëngjesin
Një tjetër

S’më hahet
S’më pihet
Tym duhani nxjerr nga gryka
Gogësoj nga të pirat e ndryshme
Lemzoj thartinë
Qyrroj kërhamë pagjumje
Jargoj pështymë me duhmë kafeje
Kjo vetja ime e paasditur
Dëshiron ta pyes diçka
Mëngjesin
“Cili ishte ai
që i pari shkroi ditar?
A ka qenë ai poashtu i pari,
Edhe që ka pirë alkool?
I pari që ka pirë edhe
kafenë pa sheqer?
A ka qenë ai i pari
që ka zbuluar një kthinë koke
si kjo imja?”

Ai sigurisht ka qenë
i ngjashëm me mua

Po më merret fryma
Përpiqëm të bëhem i durueshëm
I qetë – që të më thonë;
“Po na vjen gjynah prej tij!”
Ndryshe do të më shajnë

Tash nuk jam në natë - se ajo iku
as në mëngjes - ai u zhduk
as në ditë - se s'ka qejfë sytë me m’i pa!

Ia kam marrë inatë natës
-Kurrë mos ardhtë!
Kam dëshirë ta shoh qirin që ndezet
Për t’u tretur
-Kurrë mos ardhtë!
Se jam duke pritur …
As vetë s’e di se çka

Ma merr mendja se sot
Do të ëndërroj diçka
Që nuk do të kem kurrë për ta gjetur

Ngris dorën
Të rëndë si toka
Për të gjetur ndonjë hije
Nuk e gjej … e kërkoj me dy gishta
Më del figura e spathit
Pulqëri më ka mbetur
Në ciflën e gotës
Të voglin e shkela
Me këmbën e karrigës kur u ktheva nga WC-ja
Gjumi më ndjek për të më nxjerrur brenda
Filloj dhe e shaj
Diçka që s’e shoh
E që ik nga unë siç iket
prej zogut t’dreqit
NUK PO VIJNË MË LEJLEKËT

Bashkëkatundarët e mi
kur i vizitova një pasdite
e kur ma poqën një kafe sade
më t’ëmblin nderim
më treguan
se lejlekët nuk po vinin më

Mbi kullë
ka mbetur që moti
çerdhja me krandet e thata

Vera (shkonevjen) erdheshkoi
unë vazhdoj t’i kujtoj lejlekët
me dymbëdhjetë fije gajtan

Poezi nga Avni Dehari

image Avni Dehari


Avni Dehari


Përgjërimi

(Në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, më 30 gusht 2010, në mënyrë simbolike, me 1837 palë këpucë, mbi pllaka mermeri të sheshit “Nëna Terezë, në Prishtinë, protestuesit kërkuan nga institucionet e Kosovës t’i kthejnë eshtrat  e të zhdukurve të luftës së viteve 1998 – 1999, që ende mbahen peng nga Serbia).


Në zemër të Prishtinës
Mbi pllaka mermeri,
Si mbi rrasa të ftohta varresh,
1837 palë këpucë,
Të vogla,
Të mesme,
Të mëdha.
Këpucë fëmijësh,
Nxënësish,
Studentësh,
Punëtorësh;
Këpucë malësorësh,
Këpucë të grisura udhëtarësh,
Këpucë nusesh me vel,
Këpucë dhëndurësh,
Festash e dasmash,
Vëllezërish,
Motrash,
Nënash,
Etërish;
Këpucë që mbi pllaka mermeri,
Si një det i thellë dhembjeje,
Si një oqean i pafund malli,
Me nga një pikëpyetje,
Kordele në qafë,
Me nga një fjali:
“Ku janë?”,
Pyesin:
Ku është njomëzaku im,
Ku është babai im bujar,
Nëna ime diell dashurie,
Gjyshi im përrallëtar i rrallë,
Gjyshja ime zemërbardhë,
Vëllai im me yll në ballë,
Motra ime sypërlotur? ...
Pyesin:
Pse na shikoni si të huaj?
Nuk na njihni!?
Nuk na keni parë!?
Fotografitë tona në kangjella
Para Kuvendit të Kosovës,
Që dhjetë vjet,
Si gjethe pemësh,
I tund era në pranverë,
Në verë, në vjeshtë, në dimër.
Që dhjetë vjet
Fotografitë tona,
Me sy – liqene pikëllimi,
Buzëplasur përgjërohen:
Na ktheni në vendin tonë!
Që dhjetë vjet
Fotografitë tona zverdhen
Por nuk bien,
Si gjethe vjeshte nuk pikojnë.
Që dhjetë vjet
Zbehen fotografitë tona
Nga dielli, shiu,
Acari, veriu, koha,
Por malli nuk zbehet,
Çdo ditë më shumë shtohet
Bëhet vullkan,
Zemra nënash përvëlon,
Zemra fëmijësh sëmbon,
Zemra motrash shkrumbon,
Zemra të dashurish
Me afsh i përcëllon.
Zbehen fotografitë,
Por jo shpresa për kthim
Shtatë pashë në zemër palosur.
Nuk zbehet malli i nënave,
Det i thellë, oqean i pafund.
Nuk zbehet
Dashuri e brishtë,
Malli i fëmijëve njomëzakë,
Që çdo ditë
Me rrezen e parë të diellit
Mirëmëngjesi
Dhe në të ngrysur
Natën e mirë na thonë;
Na njomin me lot,
Me doçka na ledhatojnë.
Zverdhen fotografitë tona
Tunden, por nuk bien,
Si gjethe vjeshte nuk pikojnë.
Që dhjet vjet
Në fotografitë tona
Sytë thellohen,
Buzët përgjërohen,
Vendlindjen mëtojnë.
Zbehen fotografitë,
E humbin shkëlqimin,
Bashkë me eshtrat tona,
Që në dhe të huaj mërdhijnë,
Nuk gjejnë qetësi,
Nuk pushojnë.
Njerëz,
Mos na harroni,
Kërkoni kthimin tonë!
Pushtetarë,
Bëni urëvarë,
Me eshtrat tona
Që nëpër të,
Si në legjendë,
Të nisemi për në vendin tonë.
Bashkohuni me nënat,
Syburim pashterur,
Me etërit,
Që gulçimin nyjë
Në fyt e shtrëngojnë,
Me fëmijët,
Që shpresën,
Bashkë me lotin,
Në qerpik e mbajnë,
Me motrat,
Që qëndismat me lot i lajnë!
Bashkohuni me mallin tonë,
Që nuk tretet
Për një copë tokë vendlindjeje,
Sa për një varr,
Shtrat për eshtrat tona,
Për diell Kosove,
Për një grusht dhe të shkriftë
Mbi trupin tonë,
Për një vizitë,
Për një lulenuse,
Për një lutje shqip
Mbi varrin tonë!
Bashkohuni me lutjen tonë
Për kthim
Pranë nënave,
Fëmijëve,
Motrave,
Vëllezërve,
Pranë nuseve tona,
Pranë të dashurve tanë.
Njerëz,
Mos na harroni!

Metafora e thembres së Akilit

image Foto Ilustruese





  Ndryshimet në mes “Iliadës” dhe “Odisesë”    

Metafora e thembres së Akilit

“Poemat homerike Iliada dhe Odisea, të krijuara në një epokë kur nuk kishte as histori, as shkencë, për popullin e lashtë grek ishin historia dhe poezia e tyre e një përiudhe të gjatë. Ato ishin në të njëjtën kohë burimi për të mbajtur gjallë besimin fetar, ndjenjat dhe virtytet.”


Nga Arianë Lukaj

Letërsia greke është më e vjetra dhe më burimorja nga tërë letërsitë evropiane. Si në poezi, ashtu edhe në prozë, grekët e vjetër krijuan llojet kryesore të letërsisë (epikën, lirikën,dramën, tragjedinë, komedinë, epigramin). Nga ata i morën romakët e pastaj edhe popujt e tjerë të Evropës. Veprat më të vjetra të letërsisë greke janë epet heroike të Homerit: “Iliada” (mbi luftërat e grekëve kundër trojanëve ) dhe “Odisea” (betejat e Odiseut dhe vrasjet e kërkuesve të gruas së tij besnike, Penelopës ).
“Iliada” dhe “Odiseja” kanë nga 24 këngë. I këndonin (recitonin) këngëtarët popullorë grekë-rapsodët. Homeri ka ndikuar shumë në tërë poezinë e mëvonshme greke. “Iliada” dhe “Odiseja” janë krijuar rreth 800 vjet para Krishtit. Homeri ka mbetur shkrimtar i përjetshëm. Ismail Kadare thotë se “ai është mbi të gjithë shkrimtarët e tjerë. Me një fjalë, do të mbetet “babazot””. Gjithashtu, edhe Aristoteli i vlerësoi veprat e Homerit.
Letërsia antike është më e vjetra dhe mbështetet në kulturën e shumë popujve të tjerë kontinentalë dhe mesdhetarë, që i zë në gojë. Homeri jetoi në shekullin IX, para Krishtit. Veprat e Homerit kanë pasur dhe kanë edhe sot ndikim të madh në kulturën botërore, veçanërisht te historianët, filozofët, pedagogët etj.  “Iliada” dhe “Odiseja” konsiderohen thesare   kulturës klasike botërore. Përveç vlerave letrare, ato paraqesin edhe vlera kohore historike. Naim Frashëri e ka quajtur  Homerin si “at i vjershës së vërtetë” dhe “i pari i të gjithë vjershëtorëve”.  Homeri është poeti më i lexuar i të gjitha kohërave, sepse, sipas të dhënave statistikore të UNESCO-s, veprat e tij  janë  më të përkthyerar nga poezia e gjithmbarshme botërore.  Edhe në bazë të Oxfordit janë ruajtur 188 dorëshkrime të plota të këtyre dy veprave. Asnjë autor nga antika greko-romake  s’kishte traditë më të stabilizuar se Homeri. Veprat e tij janë ruajtur me traditë dhe do të ruhen.

                                         
                                     
                       “Iliada” dhe “ Odiseja”       


“Iliada” është ep heroik mbi luftërat e grekëve për qytetin e Trojës ose Ilionin .Në  të përfshihen 48 ditët e vitit të dhjetë të fundit të Luftës së Trojës, në të cilat, sipas mitologjisë, grekët sulmuan Trojën për shkak se princi trojan, Parisi, e grabiti Helenën e bukur, gruan e mbretit spartan Menelaut. Prej 48 ditëve të fundit të Luftës së Trojës, 40 prej tyre përshkruhen  në këngën e parë dhe të fundit, kurse tetë në 22 këngët e tjera. Çdo vjershë ka 1000 vargje, ndërsa gjithsej janë 15.696 vargje hekzametrike. Tetë njësi kryesore të këtyre këngëve:
1.Zemërimi i Akilit 2.Lufta në fushëbetejë 3. Kuvendimi dhe misioni për pajtim
4. Përgaditja e dredhisë 5. Lufta për anije 6. Patrokliada 7.Kthimi i Akilit 8.Hektoriada ose vdekja e Hektorit. Motivi kryesor i “Iliadës”, që lidh të gjitha pjesët në një tërësi të fortë, është zemërimi i trimit kryesor grek Akilit. Ai, i nënçmuar nga komandanti kryesor i ushtrisë greke, Agamemnoni, dhe pas një zënke mes tyre, u tërhoq nga lufta. Kur trojanët, nën udhëheqjen e trimit kryesor Hektorit, filluan t’i zmbrapsin grekët, Agamemnoni kërkon pajtim me Akilin, por pa sukses. Atëherë miku i afërt i Akilit, Patrokli,veshi rrobat e tij për t’i trembur trojanët, por u vra nga komandanti i ushtrisë trojane, Hektori. Akili, i mbushur me dhembje për mikun e vrarë, u kthye në luftë dhe u shkaktoi shumë të vrarë armiqve. Asnjëri nga trojanët nuk kishte guxim të dilte në dyluftim me Akilin.  Këtë guxim e mori Hektori, i cili konsiderohej nga trojanët si njeri i pathyeshëm. Akili kishte një pike të dobët: thembrën. Në këtë dyluftim, Akili e vrau Hektorin, por vëllai i Hektorit e qëlloi Akilin me shtizë, në thembër të këmbës, dhe vrau atë.
Lufta vazhdonte, por as grekët, as trojanët nuk ishin në gjendje ta mposhtnin njëri-tjetrin. Atëherë grekët përdorën dinakërinë.
Ndërtuan një kalë të madh nga druri, në barkun e të cilit u futën disa ushtarë. Atë kalë e lanë aty, kinse për nder të perëndive dhe u shtirën kinse po largoheshin. Në të vërtetë, ata vetëm u fshehën. Trojanët, kur panë se grekët u larguan, menduan se lufta mori fund dhe e futën kalin brenda mureve të qytetit. Natën, kur e tërë Troja po flinte, luftëtarët grekë dolën nga barku i kalit, hapën portat e qytetit, dhe me vrap  hyri e tërë ushtria greke. Grekët plaçkitën qytetin dhe pastaj ia vunë zjarrin. Kështu, pas dhjetë vjetësh të luftimeve, Troja ra në duart e grekëve. Nga Troja e mundur shpëtoi një numër i vogël trojanësh, në mesin e të cilëve edhe Eneu, pasardhësit e të cilit më vonë ndërtuan qytetin e Romës.  “Odiseja” është vepër më e shkurtër se “Iliada”, që ishte më 15 .696 vargje, ndërsa “Odiseja” ishte më 12.103 vargje. Odiseu  nuk e kishte asnjërin  prej prindërve perëndi, por fati i tij ishte në duar të hyjnive. Ai ishte mbret i Itakës. Ishte një njeri i cili kishte virtytet më të mira, si nderin dhe modestinë. Në epin ‘Odiseja” përshkruhen peripecitë e trimit grek “Odiseut”, pas rënies së Trojës dhe ngjarjet në kështjellën e tij në Itakë.Sipas mitologjisë greke, Odiseu trim dhe i mençur, mbret nga ishulli i Itakës, dhjetë vjet luftoi për Trojën. Sipas këshillave të tij, grekët ndërtuan kalin e drunjtë, me ndihmën e të cilit pushtuan  Trojën. Pas shkatërrimit të Trojës, bredhi dhjetë vjet i ndjekur nga hyu
( zoti) Poseidoni, i cili ishte hidhëruar në të, sepse e kishte vërbuar djalin e tij me një sy, ciklopin Polifem.   
Pas 20 vjetësh, Odiseu u kthye në Itakë. I vrau vardisësit dhe kërkuesit e gruas së tij besnike, Penelopës, dhe vazhdoi të jetë sundimtar.  “Iliada” dhe “Odiseja” janë vepër e një poeti gjenial të krijuar në bazë të këngëve të hershme epike.


                    Ndryshimet në mes “Iliadës”dhe “Odisesë”

Subjekti i dy poemave homerike “Iliada” dhe “Odisea”është nxjerrë nga cikli i legjendave historike mbi luftën e Trojës, ndërmjet grekëve dhe trojanëve. Poeti në “Iliadë” nuk e nis tregimin e tij nga fillimi i legjendës, me shkakun e shpërthimit të lufës në muret e Trojës dhe me ngjarjet që e paraprijnë atë.Është mënjanuar kriteri kronologjik, që do të lodhte e do të mërziste dëgjuesin ose lexuesin, i cili tanimë e njeh legjendën.Subjekti i poemës shtjellohet vetëm në 51 ditët e fundit të vitit të dhjetë të Luftës së Trojës. “Iliada” fillon me mërinë e Akilit, që hap “ Këndo hyjneshë, mëninë e Akil Pelidit” dhe  mbaron me fashitjen e mërisë së këtij, mbasi ka vrarë kryetrimin e trojanëve, Hektorin. (Kënga XXII).Në qendër të poemës është zemërimi i Akilit, që është tërhequr nga lufta  dhe qëndron i veçuar në shatoren e tij, sepse Agamemnoni i ka rrëmbyer atij skllaven e bukur, Briseida, që heroi e donte aq shumë. Momenti i zemërimit është fillimi që end pëlhurën e gjerë të luftimeve të ashpra ndërmjet akejve  dhe trojanëve dhe që përcakton fatin e tyre. Ndërsa “Iliada” ka në themel të saj një subjekt heroik, “Odiseja” ka në qendër aventura, endje që nuk kanë fund e plot rreziqe në situata dhe rrethana fantastike. Në poemë flitet kryesisht për kthimin në atdhe dhe rreziqet e shumta që i dalin gjatë rrugës pas mbarimit të Luftës së Trojës, mbretit të Itakës, Odiseut të shumëvuajtur e mendjemprehtë , i cili:” …

Pasi pirgjet e shenjta ia shembi qytetit
                                       të Trojës
Dallgësh rravgoi dhe njohu plot vise dhe
                                                             njerëz e doke.
             

“Odiseja” fillon me një këshillë të perëndive, që u vjen keq për heroin, i cili pas luftës së Trojës, ende nuk ka mundur të kthehet në shtëpinë e tij në Itakë, sepse atë e mban rob në ishullin Ogjigjia, nimfa Kalipso. Ajo ka rënë në dashuri me Odisenë, dhe vetëm me urdhërin e Zeusit, e liron më në fund heroin. “Odiseja” mund të ndahet në tri pjesë:
1.Telemakia (këngët II-IV) ku rrëfehen rravgimet e Telemakut  në kërkim të të atit.
2.Endjet plot rreziqe dhe të papritura të Odiseut(këngët V-XII).
3.Kthimi i tij në Itakë dhe lufta e tij kundër mëtuesve  ( këngët XXIII-XXIV ).
“Odiseja” është poema e pritjes së një kthimi që s’ka  të sosur.Midis pritjes dhe kthimit shtrihet ura vigane e mallit dhe e ankthit Odiseu, Penelopa, Telemaku; e ëndrrës së dashurisë Nausika; e pendimit të thellë të gruas që rrëmbehet  nga pasioni dhe braktis vatrën familjare Helena.  Hartimi i “Iliadës” është shumë i thjeshtë :tregimi ecën drejt përpara dhe vazhdimisht kështu, duke u ngadalësuar nga episodet e ndryshme, por gjithmonë pa ndonjë pjesë të kapërthyer dhe të ngatërruar. Kjo gjë nuk ndodh në “Odisenë, ku pjesët e ndryshme janë rënduar me shumë artifice. Ato janë gërshëtuar në mënyrë  që t’i lëshojnë dritë njëra-tjetrës. Dhe, kështu, e mbajnë të gjallë dhe pezull kuriozitetin e lexuesit deri në fund.
Dy veprime të ndryshme zhvillohen në pjesën e parë të poemës dhe njëkohësisht këto dy veprime janë paralele njëra me tjetrën: nga njëra anë, udhëtimi i Telemakut, që ka dalë ta kërkojë të atin ( librat I-IV) dhe , nga ana  tjetër, aventurat e këtij ( të atit )  - ( librat V-XII), të cilat i tregon ky vetë, derisa ndeshen të dy bashkë në Itakë.
   
Dhe pjesa e dytë e synon të njëjtin qëllim. Edhe në “Odisenë” veprimi i vërtetë i poemës nuk është tjetër  veçse një episode i jetës së Odiseut: kthimi i tij në atdhe mbas 10 vjetësh, qysh nga pushtimi i Trojës. Por edhe këtu poeti me art të mrekullueshëm,  me anë episodesh dhe digresionesh, sipas rastit, gërsheton bashkë me tregimin shumë ngjarje dhe aventura të çuditshme,
të cilët i ndodhën heroit  gjatë gjithë kohës që ai mbet larg Itakës. Kështu që endja e poemës merr të hapët dhe bëhet interesante dhe plot ndryshueshmëri; veprimi i “Iliadës” nuk zgjat veçse 51 ditë, kurse veprimi i ”Odisesë” vetëm 41 ditë ( që nga fundi i shtatorit e deri në fillimin e nëntorit).
Por në të dyja poemat gjendet një ndryshueshmëri e madhe dhe e mrekullueshme gjërash dhe njerëzish. Poeti këtu, me artin e tregimtarit shumë të hollë, nuk e fillon tregimin që prej fillimit për ta vazhduar mandej kronologjikisht   deri në fund, gjë kjo që do t’i  lodhte dhe do  t’i mërziste shumë dëgjuesit. Por, siç tha Horaci, ai hyn “in medias res”, për t’u kthyer më vonë mbrapa, aty ku e binte puna më mirë , dhe për të treguar se çfarë ngjau përpara faktit kryesor dhe çfarë erdhi mbas këtij.Poemat homerike Iliada dhe Odisea, të krijuara në një epokë kur nuk kishte as histori, as shkencë, për popullin e lashtë grek ishin historia dhe poezia e tyre e një përiudhe të gjatë. Ato ishin në të njëjtën kohë burimi për të mbajtur gjallë besimin fetar, ndjenjat dhe virtytet.Poeti ka mundur ta shkrijë në veprën e tij  në mënyrë të harmonishme e të besueshme, elementin fantastik hyjnor me atë real, njerëzor, të natyrshmen me të mbinatyrshmen. Së bashku me heronjtë, hyjnë në veprim edhe perënditë e Olimpit, disa në anën e akejve dhe disa në anën e trojanëve. Njerëz dhe hyjni bashkë janë lidhur me fije të padukshme simpatie dhe urrejtjeje. Sigurisht që Iliada ka shumë pjesë legjendare, pjesë të sendërgjueme nga fantazia poetike, por një gjë me rëndësi që duhet vërejtur mire, janë pjesët ahistorike, pjesët në kundërshtim me të vërtetën, që poetit koha dhe shoqëria në të cilën rronte ia imponuan dhe ia bënë  të pandarë në veprën  e tij. Gjithë “Iliada” ka karakter luftarak, është plot me flakërim armësh dhe krisma luftimesh vigane. “Odiseja” përkundrazi ka një karakter të butë dhe të qetë: tregon aventura udhëtimesh, përshkruan zakone të ndryshme dhe zakone të huaja, herë merr ngjyrë idilike, herave të tjera kënaqesh me gjëra përrallëzore.
Kjo poemë kryesisht detare, e cila sjell më vete kujtimin e besimeve të popujve detarë, poemë e popujve të helenizuem nga fiset mesdhetare, prehelenike, mund të quhet si një roman aventurash, sepse përralla e Odiseut të duket edhe përrallë e mbarë njerëzimit. “Iliada” dhe “Odisea” janë vepër e një poeti gjenial të krijuar në bazë të këngëve të hershme epike.Homeri me epet e veta nuk e tregon kohën e tij, por periudhën e kulturës kreto-mikene. Homeri luajti rol me rëndësi në letërsinë dhe kulturën e Greqisë së Vjetër. Sipas Platonit, ai e edukoi tërë Greqinë. Përmes Virgjilit ndikimin e tij e zgjeroi edhe në letërsinë e mëvonshme evropiane.

POEZIA SI AKT I QËNDRESËS DHE I PËRKUSHTIMIT ATDHETAR

image Besim MUHADRI




Mr. Besim MUHADRI:

  

        (Në vend të parathënies)


          Poezia e Brahim Avdylit erdhi në një kohë kur në artin poetik të Kosovës kishin shpërthyer edhe një numër krijuesish të talentuar, si Basri Çapriqi, Tahir Desku, Sali Bashota, Abdullah Konushevci, Milazim Krasniqi etj., të cilët sot janë bërë emra të shquar të letërsisë së gjithmbarshme shqiptare, jo vetëm si poet, por edhe si studiues dhe historianë letërsie.
          Ndonëse që në moshën e hershme të rinisë i mërguar larg vendlindjes, larg atdheut, poeti Brahim Avdyli asnjëherë s’pushoi së krijuari dhe së vepruari si poet dhe si atdhetar. Në poezinë e tij, jo rrallë, ndihet pesha e mungesës së atdheut. Ai është i ngërthyer nga malli, dhimbja, por edhe vetmia dhe kujtesa që përshkohet nga një shqetësim përmanent, i cili më pas shkrihet në artin poetik të këtij poeti. Shpirti dhe mendja e poetit të mërguar, është e lidhur fort në idealin e çlirimit të atdheut dhe të bashkimit të trojeve shqiptare, të ndara padrejtësisht nga fuqitë e mëdha në fillim të shekullit të kaluar (XX).
          I preokupuar vazhdimisht me këtë çështje, nuk është çudi se në pjesën dërrmuese të krijimeve të këtij poeti dominon tema e madhe e Atdheut, tema e mungesës së lirisë dhe tema e çlirimit. Poezia e Avdylit na del edhe si një poezi kushtrim, një poezi në të cilën dominon ideja e atdhetarizmës, ku sublimon ideali i lartë për një atdhe pa ndarje, në të cilën shqiptari do të jetonte me dinjitet të panëpërkëmbur në tokën e tij të mohuar.
        Mërzia e këngës së shkruar larg atdheut

          Sa të thjeshta, aq edhe komplekse, vargjet që ndërtojnë poezinë e Brahim Avdylit brenda vetes bartin një mesazh të fuqishëm poetik dhe atdhetar. Thjeshtësia dhe  kompleksiteti i vargut të këtij poeti vërehet që në poezinë e parë me titull Opingave të mia, e cila i paraprinë librit të tij të parë “Nën hijen e Alpeve”. Poeti nuk mërzitet për atë që do të thonë poetët më me përvojë për këto vargje, të cilave “u vjen erë djerse e balte”, sepse ata, siç thotë ai “le të kërkojnë nëpër libra  fjalë të mëdha”. Pra, siç shihet, kjo poezi shpalos “programin poetik” të Brahim Avdylit, i cili e merrr frymëzimin nga thjeshtësia dhe nga dlirësia e maleve të vendlindjes, përkatësisht nga Alpet e bukurua shqiptare, rrëzë të cilave shtrihet vendlindja e poetit. Këtu shihet ndikimi i poetit të Devollit, apo i “poetit të tokës”, siç është vlerësuar nga kritika letrare Dritëro Agolli. Ashtu si Agolli që “merrte me vete baltën e Devollit që ta sillte në Lidhjen e Shkrimtarëve”, ashtu edhe Brahim Avdyli merr me vete erën e djersës së punës dhe të baltës së Alpeve, për ta futur në poezinë e tij, sepse ai ishte i bindur se kjo do ta shpiente drejt suksesit, drejt cakut që synonte. Kjo do të thotë se poezia e Avdylit është një poezi e krijuar nga forca e tij origjinale krijuese.
          Autenticiteti krijues e këtij poeti bën që vargu i tij të tingëllojë bukur, thjesht dhe shqip:

          le të na pranojë kjo tokë
          ku hapin e lëshojmë pa drojë
          me estetikën tonë kryeneçe

shprehet poeti, pa çarë kokën nëse do ta pranonin apo jo poetët e tjerë pararendës.
          Shqetësimi poetik i Brahim Avdylit është permanent. Vargu i tij tejet komunikues, është një varg i brumosur nga një figuracion i qëlluar poetik, në të cilin fshihet metafora e kërkimit të lirisë dhe ajo e çlirimit të tokës së tij, e kësaj pjese të gjakut të tij. Vargjet poetike të Brahim Avdylit, që nga libri i tij i parë, janë vargje që tingëllojnë qartë dhe që kanë mesazh dhe “mision” të caktuar: Atë të komunikimit me masën për të cilën shkruan. Poeti nga vargjet e tij kërkon trasnparencë. Kjo kërkesë nga krijuesi i tyre na del edhe si lutje që  duhet të “zbatohet”:
                    
          A mund të komunikoni gjë me njerëzit
         unë dhe koha ju gjymtojmë ngapak –
          pjesët e copëtuara veç unë ua shoh

          Për poetin vargjet “të cilave vetëm ai ua njeh pjesët e gjymtuara” janë torzo e shpirtit të tij, të cilat, si të tilla, e lëndojnë në shpirt, ngase nuk mundet t’ua falë bukurinë, për shkak të së vërtetës së hidhur, për shkak të një realiteti të njohur kohor, shoqëror e historik:

          Kështu siç ju shoh
          vetëm mua më lëndoni në shpirt
          pse s’ua fala bukurinë –
          e vërteta është e hidhur si vetë ju!
                               
          Në poezinë e Brahim Avdyli haset pikëllimi, përpjekja, vetmia dhe harrimi:

          Faqeve të biblës së re
          harrimi pikturon fytyrën

          mendimet rrjetë marimangash
          bardhësitë dergjen në vetmi

          Poeti, në këtë rast është një vrojtues i përkushtuar i asaj që ngjan në brengën e kombit të tij, të shtërnguar si asnjëherë më parë nga prangat e ndryshkura të mesjetës. Kjo e bën poetin më të shqetësuar, me këmbëngulës në kërkimin e rrugëve që të shpiejnë kah liria e atdheut. Por nëpër këto rrugë ka vështirësi dhe pengesa që trupit të atdheut i bëhen gangrenë. Poeti i kthehet historisë, në të cilën fshihen tragjeditë e mëdha që vazhdojnë të përseriten në formë legjendash.
          Në trupin e atdheut të poetit gangrena bën kërdinë. Lëndinat e lotëve rriten nëpër shekuj, derisa gjaku ynë mori botën në sy. Shpërngulja dhe braktisja e atdheut është një shenjë që tregon për tragjeditë që kishin pllakosur vendin e mbushur erozion. E gjithë kjo kishte ardhur për shkak të rënies në robëri të gjatë, qindravjeçare. Poeti është i vetëdijshëm për këtë, ndërsa koha kur ai “rrëfente” për këtë tragjedi ishte në kulmin e shtypjes. Poezia që trajton këtë temë (Përtej malesh), është një poezi e shkruar në vitin 1980, vetëm pak kohë para demonstratave të vitit 1981, të cilat siç dihet shënuan një kthesë të fuqishme në historinë më të re të shqiptarëve që në atë kohë jetonin nën ombrellën shtypëse të perandorisë jugosllave. Në këtë poezi vërehet guximi intelektual dhe krijues i një njëzet-vjeçari. Shfaqja me kaq vrull dhe guxim të papërmbajtur ishte një shenjë që në letrat tona po shfaqej një krijues që nuk do të ndalej, i cili në letërsinë tonë do të shënonte kthesa.
          “Poezia e Brahim Avdylit, në radhë të parë, imponohet si poezi që sintetizon një përvojë të poezisë së përparshme, dhe, këtë arrin t’ia nënshtrojë individualitetit të vet prej krijuesi, sa nga ajo të nxjerrë një dimension të ri, përmasën e aktualitetit poetik”, do të shkruhej në kritikën e kohës, në kohën kur poeti ende nuk kishte dalë me libër,  por që ishte prezent vazhdimisht nëpër faqet e periodikut letrar të asaj kohe.
          Në këto kohë poeti shkruante dhe prekte atdheun nga larg. Si kurbetçar që ishte, ai e kishte të vështirë t’i shpëtonte mungesës së atdheut, qoftë edhe të robëruar. Kjo vetmi dhe mërzi, gati të shndërruar në klithmë mosdurimi, reflektohet edhe në poezi:

          zgjas duart të të mbërrij –
          gishtave të mi
          pikon vetmia  
          heshtja vret fjalën e pathënë mbi buzë- 

          Larg atdheut poeti digjet dhe fiket si qiriu. Dielli në dhe të huaj ishte i akullt. Poeti i ri tashmë po përballej me të vërtetën e hidhur. Atë që e kishte mësuar dikur në literaturë, tani po e shijonte në shpirt e trup:

          ka diell në botë
          që ndrit e nuk të nxen...

          Këto vargje të përngjajnë në një klithmë të dhimbshme që jehon e nuk dëgjohet, në rrugën “që të merr e nuk të kthen”. Megjithatë, rrugëtimi i poetit vazhdon. Forca e thirrjes së vendlindjes është më e fuqishme se sa forca e ndalesës së gjatë. Poeti kthehet në atdhe, në tokën “me plis të bardhë”, ashtu si heronjtë e baladave të moçme, që të ngjitet shkallëve të gjakut, me historinë e fjalës së kuqe dhe baladën e dashurisë së zhuritur.
          Poezia e librit të parë poetik të Brahim Avdylit, “Nën hijen e Alpeve”, është një poezi plot mërzi kënge që shkruhet nga largësia. Në këtë mërzi largësie, të quajtur mërgim, poeti krijon vargje që të kujtojnë një poet në formim. Edhe pse të shkruara me zjarrin djaloshar të poetit të mërguar, ato janë vargje plot estetikë dhe meditacion poetik, që e bëjnë një poezi të qëndrueshme për kohën dhe reflektuese edhe për kohët që do të vijnë. Ndërkaq, libri i parë u mirëprit edhe nga ana e kritikës letrare. Njëri nga kritikët dhe bashkëkohësit e poetit, Milazim Krasniqi, në mes tjerash do të shkruajë: “Poezia e Brahim Avdylit më shumë është projektim i realitetit të jetuar, reagim gati spontan i tij si subjekt krijues ndaj gjendjes e situatave jetësore ekzistenciale sesa kërkim pas formave të realizimit të objektit të imagjinuar në tekstin poetik e karakterizon një notë e theksuar subjektive personale, por edhe një lirizëm efektiv, i cili  e faktorizon unitetin ideo-stilistik të tekstit si tërësi".

         
        Buka e kuqe dhe brumi i lirisë

          “Brumi i lirisë” është titulli i poemës në të cilën poeti shkruan kundër dhunës,  politikës hegjemoniste dhe diskriminuese të Serbisë. Me një fjalë, kundër terrorit shtetëror dhe krimeve të pafalshme të Jugosllavisë që ushtronte mbi popullin shqiptar. Aspak nuk janë të rastësishme edhe fjalët dedikuese, në të cilat poeti thotë se ia kushtoj të gjithë atyre që u sakrifikuan dhe u flijuan në altarin e lirisë.
          Në vragjet e kësaj poeme, ashtu sikurse edhe në vargjet e shumë krijimeve të tjera të këtij autori ndihet pesha e vuajtjeve gjatë atyre ditëve të rënda që ranë pamëshirsshëm mbi shqiptarët e pambrojtur, tek të cilët sa vinte e rritej revolta e mosdurimit dhe vetëdija për të hequr zgjedhën e robërisë së gjatë:

          Helmi i tyre
          terapi e pazkontë-

          sa shumë ta shtuan dozën
          në palcën e durimit
          rezistenca, qëndresa të rritej

          Popeti, Kosovën, në brumin e ditëve të të cilës shtrigat vjellin helmin e urrejtjes, e koncepton si një “bimë që s’vyshket” dhe një “trung që s’thahet” apo edhe një “fjalë e pathënë gjer në fund”. Në trupin e atdheut poeti sheh plagë të panumërta dhe dhembje kënge . Poema “Brumi i lirisë” është një sintezë e fuqishme e një kohe, nëpër të cilën vërtitet fati i atdheut të poetit dhe i njerëzve të ndrydhur të tij. Ajo është një reprodukim real i gjendjes në Kosovën e viteve nëntëdhjetë të shekullit XX, të arritur gati në zgripcin e zhbërjes së saj.
          Për poetin si një vrojtues besnik i atyre ngjarjeve, por edhe si një luftëtar i denjë i kauzës kombëtare “Kosova e thotë fjalën /pa iu dridhur buza/ dhe vdes/ te këmbët e mendimit të vet/ si para lterit”. Ndërsa të gjithë ata që ranë në altarin e lirisë - shkrinë ngjyrën e gjakut me brumin e ditëve që po vijnë, që të gatuajnë me tërë qenien Bukën e Kuqe të Lirisë.

        Refleksioni i shpresës së rizgjimit kombëtar

          Në vitin 1992 Brahim Avdyli botoi vëllimin poetik me titull “Kur zgjohet Dodona", një libër që vjen pothujase dhjetë vjet pas botimit të librit të parë. Ndonëse ishte shkruar shumë më herët dhe ofruar për botim po ashtu shumë vite më parë, ai arriti të shohë dritën e botimit vetëm në këtë vit, kur në skenën kombëtare dhe ata ndërkombëtare kishin ndryshuar shumë gjëra. Muri i Berlinit tashmë kishte rënë, por kishte rënë edhe regjimi komunist në Shqipëri. Federata jugosllave po ashtu kishte filluar të zhbëhej, ndërsa në hapësirën e kësaj perandorie, të quajtur edhe si burg i madh kombesh, kishin filluar luftërat. Autonomia e Kosovës po ashtu ishte suprimuar, ndërsa vendi kishte rënë në një shtypje dhe pushtim klasik të Serbisë dhe regjimit kriminal të Millosheviqit.
          Ndonëse poezitë ishin shkruar vite më parë dhe për shkak të arsyeve subjektive libri nuk ishte botuar, shihet se poezitë e këtij libri janë të përshkuara nga sekëlldia e mërzisë dhe e mallit për atdheun. Poeti ende është larg atdheut dhe në vargun e tij gjithmonë mungon apo mbetet diçka e pathënë. Ai tashmë kishte zgjedhur të shkruante për një diçka që i kujtonte historinë e harruar dhe të nëpërkëmbur siç ishte Dodona. Për këtë qendër të rëndësishme kulti, ndër më të vjetrat e pellazgëve, e shkatrruar dhe e humbur gjurmësh me shekuj të tërë, për të cilën kishin shkruar shumë autorë të lashtë, që nga antikiteti e këndej. Brahim Avdyli i kthehet kësaj teme të madhe, e cila mund të konceptohet edhe si tema e rizgjimit të kujtesës sonë historike. Tema e Dodonës dhe e zgjimit të saj nga legjendat e mbuluara nga pluhuri i harresës, është një nga temat rrallë të trajtuara në atë kohë, prandaj Brahim Avdyli mund të konsiderohet ndër të parët që trajtoi këtë temë, apo i cili iu rikthye trajtimit të saj. Kthimi në temën e zgjimit të Dodonës, ngërthen në vete rikthimin në tema me rëndësi në një kohë relevante të historisë sonë.
          Përmes metaforës së zgjimit të Dodonës, poeti shpërfaq simbolikën e lirisë së humbur dhe atdheut të nëpërkëmbur. Poezitë e vëllimit poetik “Kur zgjohet Dodona” janë poezi që të ngjallin asociacione të larmishme artistike. Trajtimi i temave të veçanta, përzgjedhja e figuracionit poetik si dhe guximi prej poeti tashmë të formuar, janë elemente që shoqërojnë në vazhdimsi poezitë e këtij vëllimi. Poeti është në kërkim të asaj që është zhdukur dhuntisht nga të tjerët, për të fshehur një të vërtetë të madhe, siç është përcaktimi i etnogjenezës së shqiptarëve:

          Që shtatë shekuj shtoj e heq
          Të njëjtën Dhembje, Shpresë

          Apo:

          Bota! Fjalë absurde bota!
          Shpeshherë më doli si dredhë për ty

          Dhe pyet:

          Athua
          pas sa dredhash do të dalësh në dritë

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...