Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/02/21

Gjyqësori nuk mund të jetë më i korruptuar se segmentet e tjera


Shkruan: Adil FETAHU
Korrupsioni, si dukuri
Se korrupsioni është dukuri negative në shoqëritë në tranzicion, e cila si gangrenë e brenë zhvillimin ekonomik edhe moralin shoqëror, kjo nuk mund të mohohet. Korrupsioni është bërë një si kulturë e sjelljes dhe veprimit të zyrtarëve të niveleve e të profileve të ndryshme në të gjitha segmentet e shtetit, por edhe të shoqërisë civile. Korrupsioni është dukuri e vjetër sa edhe vetë civilizimi. Motivet dhe format e korrupsionit kanë pësuar ndryshime gjatë kohës, si në elementet materiale, psikike e morale, po ashtu edhe në sofistikimin e mjeteve, mënyrave dhe metodave për realizimin e tij. Natyrisht, motivi më i theksuar dhe më i përhapur i korrupsionit konsiston në interesin material. Motive të korrupsionit mund të jenë privilegje të ndryshme: fitimi i pozitës, ndonjë titulli, shërbimi, përparësie, tenderi, konkursi, shpërblimi, reklame e tjera, që në instancën e fundit përsëri të gjitha lidhen me interesin material.

Përmasat e korrupsionit, me të gjitha format dhe motivet e tij, varen nga niveli i zhvillimit ekonomik, shoqëror dhe demokratik i shoqërive (shteteve) e vendeve të caktuara. Nuk ka asnjë vend në botë ku korrupsioni është në nivelin zero. Mirëpo, në kohën tonë ky fenomen është përhapur shumë më tepër dhe ka marrë dimensione brengosëse në vendet në tranzicion, siç është edhe Kosova. Në këto vende, që zakonisht janë të varfra, të pazhvilluara në të gjitha aspektet dhe me papunësi të madhe, me institucione të brishta, të pakonsoliduara dhe joefikase të pushtetit shtetëror, korrupsioni ka lëshuar rrënjë të thella dhe shtrihet në të gjitha sferat dhe segmentet e shoqërisë. Sipas analizave më të thella të institucioneve ndërkombëtare, korrupsioni politik konsiderohet se është forma më e rrezikshme, ngase prej tij gjenerojnë sisteme, nënsisteme dhe lloje tjera të korrupsionit.

Zëvendësdrejtori ekzekutiv i “Transparent Internejshenel”, Miklosh Marshal, më 9 dhjetor të vitit të kaluar, pas publikimit të indeksit të korrupsionit global për vitin 2011, erdhi në Prishtinë për t’ua komunikuar e deshifruar me fjalë udhëheqësve të institucioneve të Kosovës, se korrupsioni vazhdon të mbetet pjesë e sistemit! Në indeksin e perceptimit të korrupsionit në nivelin global, Kosova është radhitur në vendin e 112, dhe me këtë mbanë epitetin e shtetit më të korruptuar në rajon. Kjo shkallë e korrupsionit i frikëson investitorët e jashtëm dhe ata vendorë. Me atë rast, Miklosh porositi se korrupsioni nuk mund të luftohet derisa njerëzit këtu pasurohen përmes politikës. Sepse, politika nuk është për t’u pasuruar. Kjo vërteton atë thënien popullore, se peshku prishet nga koka.

Korrupsion i nivelit të lartë
Korrupsioni po vepron në plotë-kuptimin e domethënies së fjalës së emërtimit të vet (lat.corruptio, corruptus do të thotë – i prishur), dhe ky e prishë shoqërinë, moralin shoqëror dhe individual. Përkundër strategjive, ligjeve, planeve, institucioneve të posaçme për luftimin e korrupsionit, ky fenomen i shëmtuar nuk po shënon rënie të nivelit, veçse po përhapet dhe po e brenë shoqërinë, si kanceri organet në trupin e njeriut. Kohë më parë, edhe Kryetarja e Kosovës ka paralajmëruar se në kuadër të Presidencës, do ta formojë një këshill për luftimin e korrupsionit. Pa u lëshuar në atë se a ka bazë kushtetuese e ligjore për themelimin e këshillit të tillë, konsiderojmë se është i tepërt dhe i panevojshëm dhe se nuk do të ketë ndonjë efekt. Sepse, korrupsionin duhet parandaluar e luftuar në të gjitha organizmat ku potencialisht paraqitet.
Në mënyrë deklarative, të gjithë pajtohen se ka korrupsion të nivelit të lartë në Kosovë, dhe se atë duhet luftuar. Se ka korrupsion në nivel të pa zvogëluar nga vitet mëparshme, vërtetojnë edhe organizmat e ndryshme ndërkombëtare, veçmas “Transparenty Internacional”. Brenda në Kosovë është krijuar dhe përhapur përshtypja, e ricikluar në çarqe zyrtare e në kuluare të çarshisë, se gjyqësori është segmenti më i korruptuar, gjë që nuk është e vërtetë. Sepse, askush dhe askund nuk ka ofruar prova dhe argumente që vërtetojnë se gjyqësori është më i korruptuari. Perceptimi i shkallës së korrupsionit për gjyqësorin, i krijuar në bazë të do anketave të pa verifikuara të do farë organizatave joqeveritare, të cilat edhe vetë mund të jenë të korruptuara, nuk mund të merret si pasqyrë reale e korrupsionit. Përkundrazi, po të analizohet me kujdes puna e gjykatave dhe treguesit e shkallës së korrupsionit në gjykata, del se gjyqësori është më së paku i korruptuar, në krahasim me segmentet e tjera. Jo vetëm se në gjykata punojnë njerëz të cilët kudo konsiderohen si elita e ndërgjegjes dhe moralit shoqëror, dhe që sipas profesionit dhe detyrës që kanë duhet të jenë më së paku të korruptuar, veçse edhe për shkak të natyrës së ndërlikuar të punës së gjykatave, e cila kalon nëpër faza, procedura e nivele të ndryshme, që nuk len shumë hapësirë për korrupsion.

Edhe në gjyqësor ka korrupsion
Unë nuk dëshiroj që ta amnistoj gjyqësorin nga korrupsioni, dhe e gjykoj edhe vetëm një rast korrupsioni po të jetë vërtetuar. Dhe jam i vetëdijshëm se edhe në gjyqësor ka korrupsion, sepse edhe gjyqësori është pjesë e këtij sistemi të korruptuar, dhe mund të qëllojë ndonjë gjykatës apo nëpunës i pandërgjegjshëm, me moral e karakter të dobët dhe me lakmi për ndonjë përfitim material, qoftë edhe përmes korrupsionit. Mirëpo, në gjykata është shumë më vështirë të vjen deri te korrupsioni. Sepse, puna e gjyqësorit zhvillohet në një varg procedurash paraprake, ekspertizash, pastaj procedura të vendosjes në shkallë të parë, të vendosjes në shkallë të dytë a të tretë, sipas ankesës së rregullt dhe të mjeteve të jashtëzakonshme juridike. Pastaj, në gjykatë vendimin nuk e merr një individ (përveç rasteve më pak të rëndësishme), por vendosë kolegji, i përbërë nga 3, 5 ose 7 gjykatës, varësisht nga natyra e çështjes dhe nga niveli instancial. Në çështjet penale, në të cilat njerëzit janë të gatshëm të japin mito në shuma të mëdha për t’i shpëtuar përgjegjësisë dhe dënimit, gjykata ka mundësi më së paku të korruptohet. Sepse, kur policia, prokuroria dhe ekspertiza ofrojnë prova të sigurta për fajin që ngarkon të akuzuarin, gjykata nuk ka nga t’ia mbajë, përveçse mund t’ia shqiptojë dënimin minimal, ose maksimal të paraparë me ligj, por gjithmonë duke pasur parasysh rastin konkret dhe rrethanat rënduese e lehtësuese. Në procedurat dhe fazat para se lënda të vjen në gjykatë, është më lehtë të korruptohen zyrtarët, për shkak se mund t’i fshehin ose falsifikojnë provat. Edhe avokatët e pandërgjegjshëm mund të “kontribuojnë” në korrupsionin ose në perceptimin për korrupsion që i vishet gjykatës, sidomos në rastet kur e humbin kontestin “arsyetohen” para klientëve të vet, duke përfolur dhe etiketuar gjykatën për korrupsion.

Në gjykata vendoset për çështje të ndryshme, dhe aty gjithmonë paraqitën dy palë (që mund të jenë me më shumë pjesëmarrës si palë), me pretendime dhe interesa të kundërta. Cila palë e humb kontestin, respektivisht nuk e realizon kërkesën e saj, është e prirë të mendojë, të dyshojë ose të paktën të deklarojë se pala tjetër e ka korruptuar gjykatën. Dhe këto thashetheme përhapën në çarshi, duke etiketuar e njollosur gjykatën, pa asnjë argument.

Më shumë llafe se korrupsion
Në popull është shumë më pak i përhapur perceptimi se zyrtarët e tjerë, të organeve të pushtetit qendror apo atij lokal, të ndërmarrjeve publike apo institucioneve shoqërore janë më të korruptuar se gjyqësori. Mundësitë reale për korrupsion janë shumë më të mëdha në segmente të tjera të organeve qendrore e lokale: më tenderë të ndryshëm, me emërimin në pozita, në pushtetin lokal në marrjen e lejeve për ndërtim e biznese të ndryshme si dhe nga inspektorët. Dhe, aty xhirojnë mjete të mëdha financiare, prandaj edhe lakmia është më e madhe. Edhe procedurat e vendosjes për çështje të ndryshme janë më të thjeshta, më pak transparente se sa puna e gjyqësorit. Fare më pak shtrohet çështja e korrupsionit në arsim, shëndetësi, dogana, urbanizëm, në ndërmarrjet publike: PTT-ja e telefoni mobile, Aeroporti, KEK-u, partitë politike, mediet, agjencitë e ndryshme, veçmas ajo e privatizimit, bizneset private formale a joformale, por edhe në organizatat e ndryshme joqeveritare, etj. Vetëm me një tender të ndonjë ministrie, mund të shpërdoren mjete korruptive më shumë se në të gjitha gjykatat e Kosovës, të të gjitha llojeve dhe të gjitha niveleve, të cilat nuk kanë në dorë tenderë as kontrata furnizimi për asgjë.

Po të bëjmë një analizë të thjeshtë, mund të bindemi se për gjyqësorin ka më shumë llafe e thashetheme për korrupsion, se sa ka korrupsion në realitet. Vitin që shkoi, në të gjitha gjykatat e rregullta të Kosovës, duke filluar nga Gjykata Supreme deri te gjykatat komunale, kanë qenë në punë 231.847 lëndë të ndryshme, prej të cilave janë zgjidhur 17.443 lëndë. Në të gjitha lëndët e zgjidhura, njëra palë, ose disa pjesëmarrës të njërës palë, kanë qenë të pakënaqur me vendimin e gjykatës, dhe ata menjëherë janë të prirë të dyshojnë ose të paktën të flasin për korrupsionin e gjyqësorit. Ku janë palët e lëndëve tjera të shumta të pazgjidhura prej shumë kohësh, për të cilat po ashtu palët janë të pakënaqura me punën e gjyqësorit, për shkak të vonesës së zgjidhjes së lëndëve të tyre, dhe ata gjithashtu janë kandidatë potencial që ta përgojojnë gjyqësorin për korrupsion.

Ta analizojmë tash raportin e Agjencisë Kosovare të Korrupsionit, për të vlerësuar shkallën e korrupsionit në gjyqësor. Sipas të dhënave të paraqitura në raportin e asaj agjencie për vitin 2010 (se për vitin 2011 akoma nuk ka publikuar raportin), asaj agjencie i janë paraqitur 430 raste të dyshimit për korrupsion, (paraqitjet janë bërë qoftë drejtpërdrejt ose me telefon apo internet). Pasi që agjencia i ka shqyrtuar paraqitjet dhe i ka hetuar rastet në suaza të kompetencave të veta, shumicën e tyre i ka refuzuar si të paargumentuara, ndërsa i ka marrë vetëm 139 raste të paraqitura për t’i hetuar më hollësisht. Prej tyre, 3 raste ishin dyshimet në prokurorë, 17 raste në gjykata, 28 raste në zyrtarët e pushtetit lokal, 44 raste në zyrtarët e Qeverisë dhe 47 raste në zyrtarët e institucioneve tjera. Pas hetimeve të kryera, agjencia ua ka përcjellë prokurorive vendore dhe prokurorëve të EULEX-sit 29 raste, me kallëzime penale. Prej tyre, 2 janë raste të gjyqësorit, 3 raste të pushtetit lokal, 12 raste të zyrtarëve të Qeverisë dhe 12 raste të institucioneve tjera. Prej këtyre të dhënave shihet se gjyqësori nuk është më i korruptuari, veçse raporti tregon se më të korruptuar janë zyrtarët e Qeverisë, të institucioneve tjera dhe të pushtetit lokal.

Gjykatësve nuk iu falet faji
Prandaj, nuk është mirë pa argumente të etiketohet dhe njolloset gjyqësori si segmenti më i korruptuar. Dhe, duhet pasur parasysh se edhe gjyqësori është pjesë e këtij sistemi të korruptuar, por për fat gjyqësori është më pak i korruptuar se nënsistemet e tjera. Askujt nuk i ka hije, as nuk i bënë nderë, qoftë edhe një rast i njëmendët i korrupsionit, por gjyqësorit nuk i ka hije edhe më hiq, ngase është instanca e fundit ku njerëzit ose bizneset shpresojnë t’i realizojnë të drejtat dhe interesat e tyre të ligjshme. Gjykatësve nuk iu falet faji, edhe nëse vërejnë ndonjë rast korrupsioni te kolegët e vet, ose te zyrtarët e tjerë në gjykatën ku punojnë, nëse rastin e heshtin për çfarëdo arsye, ngase ashtu i kontribuojnë korrupsionit.

Edhe nëse gjykatësi nuk e gjykon drejt ndonjë çështje, deri sa të mos jetë vërtetuar ndryshe, duhet të konsiderohet se ka gjykuar gabimisht nga mosdija, e jo nga ndonjë motiv tjetër. Në gjykatat tona numri më i madh i gjykatësve të zgjedhur vitin e kaluar janë të papërvojë, ashtu që gabimet janë të mundshme, prandaj edhe nuk duhet çdo gabim të merret si rast korrupsioni.

Zoti iu dhashë gjykatësve mend, urti, ndërgjegje e guxim, që të gjykojnë drejt, duke i trajtuar njësoj para ligjit të gjithë njerëzit, si presidentin e shtetit, si bariun në viset më të largëta. Vetëm ashtu mund ta heqin dyshimin e animit apo të korrupsionit, dhe të fitojnë besimin e qytetarëve.

Fusnota që e zhvesh Kosovën nga shtetësia


Shkruan: Safet KRIVAÇA
Për fjalën Republikë e kanë dhënë jetën dhe kanë mbajtur burgje e burgje shqiptarët e Kosovës, dhe kjo fjalë që po zhvishet nga emri i Kosovës nuk zëvendësohet me fusnota, as me shifra. Nëse Kosova është rast unikat në botë, ashtu qysh e ka thënë edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, atëherë edhe kjo qeveri duhet të veprojë për ta ngritur këtë shtet në mënyrë unikate dhe jo ta degradojë shtetin, duke i pranuar propozimet e Serbisë.
Brukseli zyrtar nuk është e rrugës ta detyrojë Prishtinën të dalë me propozim të ri rreth veriut, për t'iu përgjigjur presidentit serb Boris Tadiq për katërpikëshin e tij të fundit rreth Kosovës, por Kosova e ka mësuar BE-në të pranojë uljen e çdo çmimi që i atribuohet ndërtimit të shtetit. Kosova me Serbinë nuk ka bërë kompromise as gjatë luftës kur i janë masakruar fëmijët, gratë shtatzëna dhe pleqtë dhe nuk ka logjikë të bëhen kompromise që e zhveshin shtetin në kohë paqeje, kur janë në favor të saj e tërë bota e fuqishme demokratike dhe gjyqet ndërkombëtare që e kanë konfirmuar se Kosova kishte të drejtën për shpallje të shtetit të vet. Kosova mjafton të mos pranojë detyrime të tilla, të cilat edhe më tej e cenojnë pavarësinë nga aspekti juridik, ndërsa në aspektin praktik e cenojnë funksionimin. Heqja e emrit Republikë për qëllime ekonomike, tregtare e politike të përfaqësimit të saj në rajon do të prodhojë pasoja të reja në proceset e nismave të tilla. Në momente të marrëveshjeve të caktuara që mund të pasojë ky proces, Serbisë i krijohen përparësi që do ta dekonfigurojë Kosovën si shtet nga sukseset eventuale. Do t'i lejohet prania, por do t'i pamundësohet tregtia dhe ekonomia. Duke pranuar t'i hiqet emri i Republikës, Serbia do ta ketë një dëshmi më shumë që të krijojë pengesa të reja strategjike për zhvillimin e Kosovës, po aq sa edhe duke i mbajtur dosjet origjinale të tapisë së Kosovës në arkivat e veta shtetërore dhe shënimet tjera civile dhe legjislative. Serbia i ka arsyet e veta pse ka kërkuar që Kosovën ta zhveshë nga elementet e shtetësisë duke i vënë fusnota e shifra në fund të emrit, për shkak se Serbia i merr Kosovës rreth 500 milionë euro mjete financiare nga plasimi i tregut të vet në këtë shtet. Çka ka mund të bëjë këtu Kosova, fjala është për mospranim të ideve që e degradojnë shtetin? Kosova po të kishte ngulur këmbë për dosjet origjinale, Serbia do të detyrohej t'i kthente ato te pronari. Qeveria ka mundur të mos pranojë marrëveshje të tilla, sepse me ato do ta dëshmonte se ajo më nuk ka asnjë iluzion të jetë e varur nga Serbia. Duke mos e pranuar asnjë kompromis të tillë, qeveria do t'i tregonte edhe bashkësisë ndërkombëtare më shumë vendosmëri për kundërshtim të propozimeve të Serbisë dhe të varësisë nga Serbia. Me një sjellje të tillë, qeveria sikur do t'i tregojë botës se po e ul nivelin e shtetësisë së Republikës së Kosovës, ndërkohë që sa më shumë që pranon kompromise të tilla, aq më shumë Brukseli po e shtyn në marrëveshje të reja që janë avantazh për Serbinë dhe të gabuara për Kosovën. Kosova nuk guxon të pranojë gjithfarë modalitete kompromisesh nën shpresën se i tërë Ballkani Perëndimor një ditë do të jetë në BE. Ky është shumë më shumë iluzion sesa shpresë. Çdo shtet që ka aderuar në BE dhe që është pjesë e tij, para së gjithash është parimi më elementar edhe i BE-së që t'i ketë kufijtë te definuar qartë me fqinjët dhe të ketë shtet të qartë, e tek pastaj të pranohet kushtetuta dhe ligjet e BE-së për atë pjesë kushtetuese që ka të bëjë me funksionimin e BE-së dhe të marrëdhënieve brenda saj. Kosova për hir të këtij synimi ende të pafilluar, po bën gabime të përditshme koncesionuese me Serbinë, por përveç aspektit të integrimit të gjithë rajonit në BE që mund të ndodhë një ditë pas 10 vjetësh, Kosova duhet ta dijë edhe një gjë tjetër: Ka mundësi që për dhjetë vjet BE-ja të shkatërrohet tërësisht dhe krizat e rënda sikur që është tani kjo me shtetet e Eurozonës, ta shpartallojë tërë BE-në për çka ka edhe paralajmërime. Nëse eventualisht do të vinte kjo në shprehje, atëherë Serbia do ta vinte në veprim politikën e vet të supremit mbi Kosovën, për të treguar se fusnota nuk identifikohet me Republikën. Kjo është gjëja më elementare në të cilën Kosova duhet ta ketë fokusin, sepse edhe shtetet më të fuqishme që diktojnë tregun ekonomik botëror i kanë do strategji që quhen "strategji të mbyllura", që shërbejnë kryesisht për një kohë të ardhme ku fjalën mund ta kenë edhe katastrofat natyrore dhe ndryshimet globale, ashtu sikur kanë ndodhur në histori deri më tani. Ka vite që Maqedonia nuk pranon as nisje të dialogut me BE-në për shkak se nuk pranon ndryshimin e emrit të vet me të cilin identifikohet shteti. Ka vite që Maqedonia është në kontest me Greqinë për shkak të emrit të saj, por nuk pranon ta degradojë shtetësinë, sikur që e bën Kosova qysh në ofertën e parë që i propozohet nga Brukseli.

Reciprocitet për të gjitha masat ndëshkimore të Serbisë
Është evidente se Serbisë nuk mund t'i bëhet reciprocitet në sasi të mallit. Nëse ajo i fut në Kosovë tre mijë kamionë me mallra, e ne vetëm dhjetë, nuk mund të kërkojmë të barazohet kjo shifër, por kjo qeveri ka mundësi të vendosë reciprocitet në diçka tjetër: Kur Serbia t'i heqë tabelat e regjistrimit të automjeteve që futen në territorin e saj, edhe Kosova në kufijtë e vet mund t'ua heqë tabelat të gjitha automjeteve që hyjnë nga Serbia në Kosovë. Nëse Serbia ua mbulon tabelat automjeteve nga Kosova, edhe shteti ynë mund t'i mbulojë tabelat e Serbisë me masë reciproke sikur që bën ajo. Nëse Serbia aplikon taksë rrugore për banorët e Kosovës që kalojnë andej me automjet, edhe për çdo banor të Serbisë mund të aplikohet ky reciprocitet. Nëse Serbia nuk përmbush ndonjë marrëveshje të lëvizjes së lirë dhe qarkullimit të mallit konform marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel nën ndërmjetësin Kuper, Kosova nuk ka nevojë t'i ankohet ndërmjetësit, por duhet të aplikojë masë të njëjtë reciproke. Këtë ia lejon e drejta e marrëveshjes. Ne po japim shembull të keq edhe duke u ankuar çdo herë te zyrat e BE-së se Serbia nuk po i zbaton marrëveshjet e nënshkruara, pa qenë të gatshëm ta përdorim të drejtën tonë që figuron në marrëveshje. Është krejt banale t'i ankohemi çdo herë BE-së dhe Kuperit për Serbinë, kur ne kemi mundësi ta përdorim të njëjtën kartë kundrejt Serbisë, e cila humb shumë më shumë sesa Kosova, sepse Serbia e merr gjysmën e buxhetit të Kosovës me mallin e vet në Kosovë për 50% të të cilit ne kemi mundësi qysh tash të zëvendësojmë me mallrat tona. Prandaj, zyrtarët qeveritarë të Kosovës nuk kanë nevojë të bëhen më katolik se Papa, duke dashur t'i hyjnë në qejf BE-së se gjoja janë më demokratë dhe më parimorë se tërë bota ligjore. Bile do të ishte mbase normale që ato mallra që i kemi në vend të mos lejohet importi nga Serbia për shkak të stimulimit të prodhimtarisë vendore. Të gjitha produktet që i ka Kosova dhe që paraqesin kualitet konform standardit të caktuar për përdorim, ka logjikë të mos lejohen brenda Kosovës nga vetë Kosova. Këto masa stimulative janë një subvencionim edhe moral edhe vetëdijesor, por edhe material për prodhuesin vendor. Shtetet rreth nesh, por edhe larg nesh e blejnë produktin e vet para produktit të shtetit tjetër dhe këtë e quajnë tani me zhargon të thjeshtë "nacionalizëm pozitiv". Në kushte të shtetasit të përgjegjshëm nuk do ta kërkonte një kosovar një birrë Shkupi, kur e ka birrën e Pejës. Në shtetet rreth nesh nuk do të blinin elemente ndërtimore të Serbisë kur të njëjtin e ka Kosova. Tregu ynë nuk ka gjasë akoma të ketë industri metalike, jo pse nuk ka Kosova lëndë të parë, por pse nuk ka fabrika për përpunimin e metaleve dhe nëse një shtet nuk ka industri metalike, ai nuk është shtet me perspektivë. Ja ku e kemi Greqinë, e cila nuk prodhon asgjë të rëndësishme nga hekuri, pos mandarinave dhe prodhimeve të ishujve mesdhetarë, por është buzë falimentimit. Por, ja ku është edhe Kina që është prodhuese më e madhe e hekurit dhe ka kaluar në superfuqinë e dytë botërore, falë industrisë së hekurit. Kosova, për shkak të mungesës së energjisë elektrike, nuk ka as iluzion të ndërtojë sot shkritore, që është bazë e industrisë së shtetit. Asnjë Qeveri e Kosovës nuk ka pasur aftësi të hartojë plane strategjike zhvillimore nëpërmjet të cilave do të ngrihej shteti në këmbë të veta, por që të gjitha qeveritë janë marrë me shitje të pronës dhe privatizim. Nuk ka plan qeveritar për energji elektrike dhe për industri të hekurit. Nga ajo që nuk është shitur dhe që është në një mënyrë në treg, sot në plan është PTK-ja, por që të gjithë ofertuesit e deritanishëm kanë dhënë çmime jobalancuese. Pse? Sepse ose janë çmime të porositura nga Qeveria, ose janë subjekte ekonomike të cilat Qeveria nuk ka ditur t'i vlerësojë sa e kanë çmimin real, ashtu sikur ka ndodhur deri më tani me subjektet ekonomike të privatizuara. Si është e mundur të jenë pesë çmime për PTK-në? Si është e mundur të qëndrojë e mbyllur Trepça që në kohën e Jugosllavisë ka prodhuar 415 kilogramë ar në 24 orë, sipas burimeve informative që kanë dhënë punëtorët e shpërblyer me urdhrin e veçantë "Sulmuesi i Titos"? Si ka mundësi që në Kosovë të bëjnë gara industriale për xehen e nikelit te Rahoveci dhe Qeveria të rri në aut? Të gjitha këto ndodhin për faktin se Qeveria nuk ka strategji për shtetin dhe për faktin se shtetin e udhëheqin njerëz të motivuar historikisht dhe ku akoma karakteristika personale me histori partizane peshon më shumë se diploma profesionale që mund të jetë nga një universitet botëror, se po të ishte nga ndonjë universitet privat po edhe ai publik, mund të arsyetohet. Ndërtimi i fabrikave për disa mbulesa importuese nga Serbia mund të bëhet duke i liruar nga tatimi pronarët për disa vjet. Nëse Qeveria nuk ka mjete financiare për subvencionim të gatshëm, atëherë bile të ketë masa të heqjes së tatimeve për aq kohë sa mendohet se ajo fabrikë ka krijuar kapacitet edhe për shtetin. Ky është shembulli më i mirë që e ka përdorur rajoni dhe që e përdor akoma si një subvencionim, nëse nuk ka mjete për t'i dhënë prodhuesit. Megjithatë, privatizimi në Slloveni për shembull nuk është zhvilluar në frymën kosovare. Atje është ruajtur interesi i shtetit, sikur edhe në Kroaci, ndërsa në Kosovë interesi i shtetit as që është komentuar. Thjesht, është privatizuar si me alfabet dhe krejt çka është gjetur në listë është shitur. Nuk ka pasur strategji që shteti të ngrihet nga prodhimi, xehet, minierat dhe shërbimet shtetërore, prandaj sot shteti mbijeton varfërisht nga dogana, tatimet dhe gjobat e qytetarëve, si dhe nga ligjet që mund të sjellin pak miliona euro profit nga zhdoganimi i automjeteve të hedhura në bërllok jashtë Kosovës. Nën masat e dhunshme të Milosheviqit, Bullgaria e shfrytëzonte magnezitin e Goleshit, ndërsa tani galeritë e saj nëntokësore janë mbyllur nga balta dhe uji. Kosova që e ka fuqinë punëtore me bollëk dhe nëntokën më të pasur në rajon, është krim të mbijetojë nga gjobat dhe mënyrat tatimore në kufij. Kriza e re ekonomike që po i kanoset Evropës sot akoma pa u shpallur falimentimet e shteteve të eurozonës numëron rreth 30 milionë të papunë, diagram që është në rritje e sipër me mundësi të ofrohet në 50 milionë të papunë, kur të fillojë falimentimi i tyre, disa prej të cilave si Greqia pritet ta bëjë këtë në mesin e këtij muaji. Mos ta marrin qeveritarët si krenari kur e thonë se Kosova nuk është prekur nga kriza. Shpjegimi i vërtetë është se Kosova është gjithnjë në krizë dhe me të hyra mesatare me nga një e dy euro për banor, as që ka mundësi ta hetojë krizën.

Zezona e dimrit si simbolikë e fuqisë së shtetit


Shkruan: Fehmi PIREVA
Fenomeni i borës dhe të ftohtit që na ka kapluar gjithnjë po bëhet pa dashje pjesë e debateve në përditshmërinë tonë, duke na kthyer kujtesën në hulumtim të atyre dimrave, kur gjyshërit tanë nuk hezitonin së rrëfyeri me net të tëra, ndërsa ne gjithçka e kthenim atë rrëfim gati në një përrallë me çaste të pakëndshme, duke dëgjuar për peripecitë e brezave, që herë lidheshin me mungesën e bukës e herë të drurit, të cilat sot e kësaj dite janë bërë pjesa mitizuese e jetës sonë. Kthimin te miti e bëri kjo zezonë, për të nxjerrë krahasime me shkallën e acarit, kohëzgjatjen, pasojat eventuale të natyrave të ndryshme dhe përgjigjet që ua ka dhënë sfidave shoqëria dhe institucionet. Sidoqoftë, dimri është dimër, por kur shoqërohet me temperatura tepër të ulëta dhe reshje të shumta bore, mbetet në pushtetin faktik të njeriut –shtetit, shoqërisë që të mobilizojë të gjithë mekanizmin për ta mbajtur në normalitet qarkullimin e njerëzve, mallrave, funksionimin e institucioneve, ofrimin e shërbimeve primare për njeriun.

Nënshtrimi para borë së parë
Ende pa u mbuluar toka nga bora e bardhë, nisi një zezonë e re, ku qytetarit të lodhur të Kosovës iu shtua nga vice majores edhe një problem i një natyre serioze, dimri i acartë, i cili varësisht nga zbritja e temperaturave na shpien në kërkim të dimrave të kamotshëm për njëzet e pesë deri në gjashtëdhjetë vitet e fundit, duke i gjetur vetes ngushëllim se nuk është i pari, por kishte të tjerë dimra më të rëndë që rrodhën nga memoriet tona të plakura.
Të bashkëjetosh një mbrëmje diku në mesin e një familjari pak për tej qytetit, mund ta vëreni se si zhvillohet jeta në kthetrat e acarit , me mungesë rryme, me lajme që kohë pas kohe emetohen nga radiotelevizionet se ‘Termokosi’ po numëron sasinë e fundit të lëndës për ngrohje, mu tash kur do të duhej ta dëshmonte ekzistencën e vet, përkundër obligimeve që dihen se i kanë qytetarët ndaj tij, ky mot i tillë çfarë e kemi, nuk do të duhej t’i shërbente askujt për të vënë sanksione të “dyfishta”. Mund ta dëgjoni edhe këtë, se ka komuna që për mirëmbajtjen e rrugëve ndajnë shuma simbolike të parave, që kompanitë që fituan tenderët nuk mund t’i mbulojnë as shpenzimet e karburanteve e lëre më t’i rrinë karshi borës së madhe.

Çfarë po na flasin rrugët?
Të udhëtosh shembull nga fshati Vranidoll i Komunës së Prishtinës, të duhen bërë rrugë nganjëherë më shumë se një orë, edhe pse një distancë që në kushte normale kalohet për pesëmbëdhjetë minuta. Dikush ka filluar t’i zë në thumb të kritikës kompanitë e kontraktuara me komunat lidhur me paaftësinë e tyre organizative, teknike dhe menaxhuese me gjendjen e krijuar. Hiq rrugët magjistrale të cilat vazhdojnë të mbahen në gjendje jo sa duhet të mirë, rrugët që lidhin shumë fshatra vizitohen rrallë nga këto kompani, dhe komunikimi me viset jashtë urbane me qytetin gradualisht po ecën drejt një bllokade.
Shtrohet pyetja se a e kaloi qytetari i Kosovës trekëndëshin e mbijetesës, e cila nuk shkëputet larg në mes distancës së drurit si burim i energjisë për ngrohje, gazit që na bën ta nxjerrim veten nga errësira e natës së gjatë të kësaj zezone dimërore dhe bukës që na mban gjallë qoftë për një ditë a javë më shumë. Ky dimër sfidoi qytetarin, institucionet e vendit, duke u shndërruar në një simbolikë të matjes së fuqisë dhe organizimit, kësaj radhe thënies nga mbijetesa mbetet për t’ iu shtuar kërkesa “ ke mëshirë, falna o zot ! Na zure të papërgatitur kësaj radhe “.

In dubio pro reo dhe res iudicata në kontekstin e rastit Ramush Haradinaj


Shkruan: Prof.Dr. Riza SMAKA
Res Iudicata në kontekstin e “Rastit Haradinaj“
Në doktrinën juridike dhe konform me të edhe në praktikat juridike të mira, rasti juridik i gjykuar ( në procedurat penale) sikundër edhe çështja juridike e vendosur( në procedurat civile e administrative), rrjedhimisht nuk do të mund të rigjykohej as të rivendosej po që se, në ndërkohë, nuk do të gjendeshin fakte esenciale ekzistuese kur rasti apo çështja është gjykuar apo vendosur , me kusht që ato do të duhej të ishin relevante dhe influente për gjykim apo vendosje tjetër fare !

Sikundër dihet dhe me asgjë nuk mund të kontestohet, “Rasti Haradinaj” nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte njëherë e mirë më parë është proceduar dhe ka përfunduar në favorin e të akuzuarit, zotëri Ramush Haradinajt!

Pra , “Rasti Haradinaj” i proceduar detalisht dhe i gjykuar përfundimisht në tribunalin në fjalë në favorin e zotëri Ramush Haradinajt, konform me Res Iudicata, parimin juridik të mirënjohur dhe të vlerësuar lart në jurisprudencë , sërish në radhë të parë kurrsesi në disfavorin e z. Ramush Haradinaj apo të “Rastit Haradinaj” nuk ka mund të riprocedohej, së paku jo dhe kurrsesi në insufieciencë të fakteve ( Facta Facta Non Verba) dhe të provave konkrete , bindëse dhe relevante, e aq më pak të rikonstruktuara më pastaj.

Ndërkaq, Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte , jo në bazë të fakteve konkrete , të panjohura gjatë procedimit të mëparshëm dhe me ndikesë në çështjen juridike respektive , por kryesisht në saje të “dyshimeve të bazuara” sërish, z. Ramush Haradinajn e ka paraburgosur në një anë dhe, tej afateve racionale konform me normat dhe praktikat juridike – penale, të njëjtin gjithnjë e mban të arrestuar. Së andejmi, në atë dimension, Tribunali Ndërkombëtar për Krime të Luftës, në disfavor të së drejtës e për aq të zotëri Ramush Haradinajt ka mundur të cenonte parimin juridik Res Iudicata, të mirënjohur që nga E Drejta Romake ( e lavdishme) dhe më shprehimisht nga shek. Kodi i Justinianit, perandorit romak , vërtet ilir, i cili edhe për hir të veprës së madhe të kodifikimit të së drejtës romake, në historiografi me të drejtë quhet Justiniani i Madh
( Iustinaian the Great).

Në kontekst me premisën fundamentale “ Res Iudicata”, aktgjykimi i Tribunalit Ndërkombëtar për Krime të Luftës në “Rastin Haradinaj”, edhe sipas parimit juridik “ Res Iudicata Ius Facit Inter Partes” , do të duhej të ishte në raporte relative të palëve në procedurë sepse rasti i gjykuar krijon të drejtën ndërmjet palëve respektive.

Rrjedhimisht, sipas parimit juridik “Res Iudicata Pro Veritate Acciptur” nis nga opinioni juridik kompetent edhe i jurisprudentit romak me famë, Ulpianit , ilir nga Dardania antike, rasti juridik i gjykuar përkatësisht çështja juridike e vendosur , kurdoherë duhet të trajtohet, të konsiderohet dhe të vlerësohet si e vërtetë e pakontestuar, të cilën premisë fundamentale Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në “Rastin Haradinaj” çuditërisht nuk e përfill.(sic)

In Dubi Pro Reo & ResIudicata në “Rastin Haradinaj”
Konform me postulatin juridik tradicional “ In Dubio Pro Reo”, të vlerësuar nga shtetet kontemporare me rende juridike dhe me tradita demokratike e rrjedhimisht me premisat fundamentale të së drejtës në rastin e ekzistimit të dyshimit të pafaktuar kundër të të pandehurit përkatësisht të të akuzuarit, aktgjykimi respektivisht vendimi, kurdoherë miratohet në favorin e tij!

Përfundimisht, konkretisht dhe pikërisht, në “Rastin Haradinaj“ përkon imperativi juridik dhe racional për aplikimin konsekuent të premisës fundamentale juridike – penale “In Dubio Pro Reo” së paku nga shkaku se në mungesë të fakteve esenciale e relevante, vetëm në “bazë të dyshimeve, hipotezave juridike, spekulimeve metafizike jurisprudente, z.Ramush Haradinaj gjithnjë procedohet penalisht!

Në gjendjen e tillë i pandehuri z. Haradinaj ( jo i akuzuari sepse aktakuza kundër tij akoma nuk e ka marrë formën e prerë) konform me postulatin fundamental “ In Dubio Pro Reo” do të duhej jo nga tani, por që më parë të lirohej nga paraburgimi i Tribunalit Ndërkombëtar për Krime të Luftës, në Hagë.

Argumentum ad Fortiori, aq më parë në kontekstin e “In Dubio Pro Reo” të premisës fundamentale të së drejtës, në këtë rast të drejtës penale në një anë dhe të postulatit juridik “Res Iudicata” “Rasti Haradinaj” nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime të Luftës do të duhej të mbyllej përfundimisht dhe mirë në favorin e së drejtës dhe të zotëri Ramush Haradinajt.

Rugova, udhërrëfyesi i lartë shtetëror dhe shpirtëror


Shkruan: Mr. sci.Bislim Aliu
Thonë me plot të drejtë dhe me bindje të plotë se njerëzit e mëdhenj kurrë nuk vdesin. Ata vdesin vetëm fizikisht. Por shpirtërisht dhe mendërisht ata asnjëherë nuk vdesin.
Andaj, virtytet, edukata, intelektualizmi dhe patriotizmi, asnjëherë nuk harrohen. Por, gjithnjë kujtohen si ideale të larta njerëzore.
I tillë ishte Presidenti Historik i Kosovës Ibrahim Rugova. Ai, zaten, iku në përjetësi në janar para gjashtë vjetësh. Mirëpo, ai i la veprat, intelektualizmin dhe humanizmin e pashembullt. E la etikën e lartë njerëzore. E la moralin, filozofinë dhe atdhedashurinë më të lartën që mund ta bëjë një njeri për popullin dhe për vendin e vet.
Ai, pa mëdyshje, ishte studiuesi më i epur i letërsisë sonë. Ai ishte, pra, artist i vërtetë. Ishte, pra, i thelluar me filozofi kreative dhe fare moderne. E, këtë kreativitet, ai bukur e shpërfaqi edhe në politikë.
Gjithsesi, Rugova ishte një politikan i formuar me idealizmin e lartë kombëtar. I thelluar me filozofi letrare dhe moralisht me etikë të lartë nacionale. Dhe, përherë mbeti një ikonë me përjetësi nacionale dhe kombëtare. Andaj, edhe pas gjashtë vjetësh të shkuarjes në përjetësi, ai nuk ka vdekur. Ai, është gjallë. Dhe, i gjallë do të mbetet gjithmonë në mendjet tona. Pra, të çdo shqiptari.
Pa dyshim, ai përherë dhe gjithherë do të mbetet, si një yll që përherë do të bënë dritë. E, këtë dritë, na la amanet, si një udhërrëfyes i rezonuar se si duhet udhëhequr shtetin.
Ai, pra mbeti ideal dhe strumbullar i vërtetë i popullit dhe i Kosovës.

Intelektualizmi i gjithanshëm i Rugovës, bazament i fortë i Kosovës
Qe gjashtë vjet, Rugova nuk jeton më fizikisht. Qe gjashtë vjet e ndiejmë me të madhe mungesën e tij. Dhe, qe gjashtë vjet na iku në përjetësi, ideatori dhe politikani i edukuar dhe i arsimuar. Filozofia rezonuese e tij politike, ishte si diçka hyjnore. Si diçka sensitive dhe fare rrezative. Ajo, zaten, përherë bënte dritë dhe vazhdimisht shpërfaqi rrezatim në botën demokratike dhe perëndimore.
S'do mend se Ibrahim Rugova me këto tipare njerëzore e filozofike, përherë ishte kundër dhunës dhe politikës vrastare. Ai, me këtë politikë të urtë, përherë i afronte njerëzit afër vetës. Dhe, padyshim, kjo veti është e njerëzve të mëdhenj. E humanistëve të mëdhenj. E ideologëve dhe e njerëzve paqësorë.
Me paqe, arriti çdo gjë. Dhe, për të paqja, ishte, njerëzi, filozofi dhe humanitet njerëzor dhe intelektual. E, me këtë butësi, e nxori popullin shqiptar nga kthetrat e vrazhda slave. Dhe, me këtë butësi, i përvetësoi shtetet perëndimore. Zaten, kjo filozofi, pa mëdyshje, e bëri Rugovën të madh. Të denjë dhe fare përparimtar.
E, aferim i qoftë për këtë filozofi për jetë e mot.
Pa mëdyshje, kjo edukatë dhe demokraci filozofike, e bëri Rugovën, prijës dhe atdhetar të rryer për pavarësi. Për liri dhe demokraci. E, gjithherë thoshte; duam liri, demokraci dhe pavarësi për Kosovën. Pra, shtet të pavarur dhe në miqësi të të përhershme me SHBA-në. Zaten, këto fjalë, i kishte përherë në mbamendje dhe rrëfente përherë me dinjitet dhe krenari.
Ai, s'do mend se këtë krenari e arriti me punë dhe me filozofi tejet përparimtare. Ai këtë krenari e mbajti përherë. Dhe, vetëm njerëzit e mëdhenj si Rugova e kanë këtë krenari.
S'do mend se fjalët e Rugovës, përherë ishin të urta, të mençura, njerëzore dhe fare demokratike.
Gjithsesi, kjo demokraci ia hapi udhën e shëndoshë për ta çuar shtetin përpara, dhe mu për këtë,për ta dashur e tërë bota demokratike dhe perëndimore.

Prijësi dhe ideatori i politikës moderne
Gjithsesi, Presidenti Rugova, ishte dhe mbeti ideator i rryer dhe një prijës i paepur për popullin dhe për vendin. Ai e deshi popullin dhe Kosovën e dashur. Dhe, përherë me mendësi dhe me dimensionet e larta të tij ai këtij vendi i dha filozofi, dije, urtësi dhe kulturë demokratike.
E, me kulturë dhe me humanizëm të mirëfilltë, ai u bë personalitet i lartë, i brumosur thellë, me dije të larta shoqërore dhe shkencore. Zaten, këto veti e virtyte njerëzore e bënë atë figure kolosale me përmasa botërore. Andaj, ai ishte dhe mbeti kolos i madh. Humanist dhe ideator i mirëfilltë i njerëzimit përparimtar.
Ibrahim Rugova në shpirtëroren e tij e kishte intelektualizmin e lartë njerëzor dhe shoqëror. Ai, zaten, kishte kulturë të lartë kreative. Dhe, me këtë kreativitet udhëhoqi popullin dhe shtetin. Edhe pse ai nuk e priti pavarësinë e Kosovës, themelet e saj i dha ai.
Andaj, kësaj pavarësie udhën ia qeli Rugova me virtytet e larta njerëzore dhe ideore.
Zaten, ky themel i shtetit rugovian, do të mbetet përherë në mendjet tona, pra të çdo shqiptari. Andaj, Rugova dhe rugovizmi do të mbeten përherë udhërrëfyes i denjë yni.
E, kjo rrugë është e mira dhe më e dëlira e tij. Ajo, gjithsesi është në ne dhe përherë do të mbetet me ne.
Andaj, sot, pas gjashtë vjetësh përjetësie, e kujtojmë me pietet të lartë Rugovën. Pra, këtë figurë emblematike dhe tejet kolosale. Këtë figure intelektuale dhe të rryer morale. Moraliteti ishte gjithherë në shpirtin e tij. E, ky moralitet e bëri Rugovën mit dhe legjendë. Legjendë e gjallë. Dhe, përherë do të mbetet i gjallë.
Ai, pra, nuk ka vdekur dhe asnjëherë nuk do të vdesë. E, ne do ta kujtojmë përherë me admirim të lartë, ashtu siç e meritoi. Dhe, jo vetëm një herë në vit, por shumë herë, edhe brenda vitit. Këtë ai e meritoi dhe aferim i qoftë për jetë e mot.
Ai, pra, mbeti yll, që përherë do të bëjë dritë. Dhe, gjithsesi do të bëjë dritë sa të jetojë ky popull i Kosovës në admirim të Rugovës.

PATURPËSIA SERBO – MAQEDONE!


bedri_halimi_2
Bedri HALIMI - Kryeinspektor në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës
 

 
Të gjitha përpjekjeve të turpshme serbo-maqedone, ju përgjigjen të afërmit e Amsera Rekës, duke filluar nga daja, Sinan Balje, e deri te hoxha i fshatit Restelicë, Shaban Haxhia, të cilët ua rikujtuan si qarqeve maqedone ashtu edhe atyre serbe, duke thënë qe “ne e kemi shtetin i cili na ndihmon në çdo moment“. Njëkohësisht duke e porositur Tadiqin, që ta shikojë hartën e Kosovës, sepse si duket, Tadiqi e ka harruar që Restelica gjendet në Gorë, e Gora gjendet në Kosovë.
 
Me rastin e ngjarjes tragjike të fshatit Restelicë, ku nga orteku i borës humbën jetën 10 anëtarë të familjes Reka, i gjithë opinioni, jo vetëm në Kosovë, por kudo në trojet shqiptare, ndjeu keqardhje dhe dhembje të madhe njëkohësisht. Kjo u vërejt, edhe nga mediat e shkruara dhe ato elektronike, si dhe nga përkujdesi maksimal institucional nga institucionet e Republikës së Kosovës, lidhur me këtë ngjarje tragjike. Kështu, pos angazhimit tashmë të njohur të FSK-së dhe qytetarëve të shumtë nga treva e Gorës, Opojës por edhe Prizrenit, ky rast e mobilizoi ndërgjegjen kombëtare të shumë njerëzve edhe jashtë komunës së Sharrit. Shumë të rinj, si nga Prizreni, Rahoveci etj. shprehen gatishmëri për të marrë pjesë fizikisht në aksionin për t’i gjetur viktimat. Disa nga këta, madje shprehen gatishmërinë që të merrnin pjesë edhe me makinerinë e tyre.
Qeveria e Kosovës, që nga dita e parë, ishte e pranishme në vendngjarje, ku nuk mungoi madje as vet kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nuk qëndroi indiferente, duke e vizituar në spital vogëlushen e shpëtuar, Amsera Reka. Gjithashtu duhet potencuar aktivitetin dhe prezencën e vazhdueshme të udhëheqjes komunale të Sharrit.
 
Klithmat e Orhan Dragashit, në emër të njëfarë “Iniciative qytetare gorane”
 
Mirëpo, për çudi të të gjithëve, gjatë kohës që po bëhej kërkimi i të humburve, mu në vlugun e këtij kërkimi nga FSK-ja, dikush doli që të lëshoj deklarata të turpshme dhe madje monstruoze, për të përfituar politikisht edhe në raste të tragjedisë së tillë, siç ishte ky rast. Kështu njëfarë ”Iniciative qytetare gorane” lansoi një deklaratë, përmes së cilës kërkonte ndihmë nga Serbia “që të përkujdesej për qytetarët e vet”. Në Kosovë, me këtë emër, si subjekt “Iniciativa qytetare e Gorës” është e njohur partia GIG, dhe të gjithë mendonin se ishte fjala për të, duke u bazuar me disa veprime të saja, që nga lindja e saj si parti, ku madje pikërisht përfaqësuesi i kësaj partie, në parlamentin e Kosovës, nuk e pati nënshkruar deklaratën e pavarësisë së Kosovës (edhe atëherë, i njëjti ishte deputet). Por, megjithatë, GIG doli dhe e demantoi që e ka bërë një deklaratë të tillë. Pastaj u kuptua se këtë klithmë politike e ka bërë njeriu i njohur pro serb nga treva e Gorës, që tash sa kohë mrizon në Beograd, Orhan Dragash. Me deklarata të tilla është mësuar tashmë, jo vetëm Kosova, por edhe Gora si pjesë integrale e saj.
 
Turri i Tadiqit për përfitime politike
 
Dhe jo vetëm kaq. Turri i paturpshëm i përpjekjeve për përfitime politike, nuk u ndal vetëm te kjo e ashtuquajtur “iniciativë qytetare gorane” nga se vet shteti serb, në mënyrë të paskrupullt, madje përmes zyrës së presidentit serb, Boris Tadiq, shprehu dëshirën për ta marrë nën mbikëqyrje fatin e të mbijetuarës, Amsera Reka, duke premtuar për të pagë mujore, derisa ajo t’i mbushë 18 vjet.
Pushteti serb ka kohë që vazhdon të bëj përpjekje për ta pasur ndikimin në trevën e Gorës. Në këtë drejtim, Serbia ka dërguar në Gorë një varg misionarësh, siç ishte rasti i Sandra Rashkoviq Iviqit, pastaj tendencat për të funksionuar e ashtuquajtura komunë fiktive e Gorës, si dhe duke bërë kërcënime, shantazhe e mashtrimeve ndaj njerëzve të thjeshtë të Gorës, e veçmas një pjese të punonjësve të arsimit nga kjo trevë, Serbia ka synuar për ta pasur ndikimin edhe më tej në këtë trevë. Në këtë rast, Serbia nuk e ka hallin te goranët, por te politika, prandaj për interesa politike nuk i kursen as njerëzit e vet, e lëre më goranët. Ajo ka shumë dëshirë që ta ruaj Gorën si enklavë sllavofone, duke bërë përpjekje për ta getoizuar sa më shumë, dhe kësisoj për të ndikuar në mosinkorporimin e kësaj popullate në rrjedhat reale të shoqërisë dhe shtetit të Kosovës. Këto veprime janë bërë në fusha të ndryshme, jo vetëm politike, por janë synuar edhe në art, kulturë e shkencë, përmes bashkëpunëtorëve të vet të kahershëm si: Harun Hasani, Behadin Ahmetoviqi, Vait Ibro, Orhan Dragash, Mesip Dalifi, udbashët Orhan Memishi, Sinap Kakush, Rrustem Agushi etj. Prandaj deklaratat e kabinetit të Tadiqit kanë refleksion politik, kinse për brengat që paska shteti serb për qytetarët e saj.
 
Tiradat e maqedonëve
 
Gjithashtu, në këtë valle të turpit, nuk mbeti e pa u përzier as hegjemonizmi maqedonas, e cila në mënyrë institucionale, përmes misionarëve të saj, shprehen gatishmërinë për ta marrë nën përkujdesje Amsera Rekën. Pushteti maqedon vazhdon ti quaj banorët e Gorës si “goran maqedonas” të cilët, sipas Maqedonisë, edhe pse jetuakan në territorin e Kosovës, paskan shtetësi maqedonase siç shprehet ky pushtet, përmes portalit “netpress”. Pushteti maqedon, për të përfituar politikisht nga kjo tragjedi, ka dërguar në Restelicë edhe shërbëtorë të saj nga treva e Gorës, siç është rasti me Ismail Bojdën, apo me qasjet destruktive të problemit të goranëve nga Akademia maqedone dhe instrumentet e saj, si Njazi Limanovski etj.
 
Përpjekjet serbo – maqedone për përfitime politike
 
Përpjekjet e tilla për përfitime politike nga shteti i Serbisë dhe i Maqedonisë, u bënë për faktin se lajmi për shpëtimin e Amsera Rekës, ashtu si tragjedia e familjes së saj, morën dhen duke u transmetuar pamjet filmike të Klan Kosovës, në të gjitha masmediat botërore. Prandaj Serbia dhe Maqedonia, njëkohësisht, duan tu tregojnë edhe popullatës së Gorës, se nëna e tyre është Serbia përkatësisht Maqedonia, siç duan të bëhen edhe nëna të Amserës. Në anën tjetër, në opinionin ndërkombëtar, duan të tregohen se sa humanitare janë, dhe njëkohësisht përmes këtij humanizmi: të vazhdojnë së paraqituri publikisht me pretendimet e tyre politike dhe territoriale ndaj Kosovës në përgjithësi, si dhe ndaj Gorës si pjesë e saj në veçanti. Sa i përket pretendimeve maqedone se dikush e paska pasur pasaportën e Maqedonisë, ata e dinë se për një gjë të tillë, maqedonët, përmes Ismail Bojdës, që moti janë munduar të shpërndajnë pasaporta maqedone, në mënyrë që pastaj t’i krijojnë vetes argumente për të thënë se kaq banorë nga Gora janë maqedonë. Maqedonët duhet të tregojnë për procedurat e dhënies së pasaportave qytetarëve të Gorës, arsyet dhe qëllimet dihen. Përpos politike, janë edhe materiale, sepse për çdo pasaportë janë dhënë mijëra euro. Ashtu si edhe lojërat e Serbisë që janë bërë në këtë drejtim me qytetarët, jo vetëm goranë, por edhe shqiptarë, duke u marrë mijëra euro, përmes krimit të organizuar shtetëror, dhe kur kjo mori dhen në opinionin ndërkombëtarë, shteti serb, vendosi dikë ta kurbanizoj në emër të luftimit të krimit brenda institucioneve të sigurisë së shtetit, siç ishte rasti me udbashin e njohur, Lulzim Neziri, të cilin Serbia, pasi e shfrytëzoi si limonin e shtrydhur, e futi në burg për arsye se ky u ka marrë shqiptarëve nga 5000 euro, bashkë me disa bashkëpunëtorë të sigurimit shtetëror serb.
 
Përgjigja e Gorës, Restelicës dhe të afërmeve të Amserës
 
Por, të gjitha këtyre përpjekjeve të turpshme, ju përgjigjen të afërmit e Amsera Rekës, duke filluar nga daja, Sinan Balje, e deri te hoxha i fshatit Restelicë, Shaban Haxhia, të cilët ua rikujtuan, si qarqeve maqedone ashtu edhe atyre serbe, duke thënë qe ”kjo është lojë politike e Serbisë. Jemi të shqetësuar rreth thënieve se ne paskemi kërkuar ndihmën e Serbisë. Ne e kemi shtetin, i cili na ndihmon në çdo moment“. Njëkohësisht, duke e porositur Tadiqin, që ta shikojë hartën e Kosovës, sepse, si duket, Tadiqi e ka harruar që Restelica gjendet në Gorë, e Gora gjendet në Kosovë. E Gora, edhe pse ndodhët në skajin jugor të Kosovës, ajo ndodhet në mes të trojeve shqiptare. Të gjitha prononcimet e familjarëve si dhe të qytetarëve të Gorës, u bënë në funksion të shtetit të Kosovës, duke shprehur falënderime për përpjekjet dhe përkujdesin e institucioneve për këtë pjesë të Kosovës dhe këtë popullatë. Prandaj nuk qëndron as ndonjë krrokatje e ndonjë të ashtuquajturi analist, se gjoja Gora qenka lënë jashtë përkujdesit institucional të Kosovës, sepse për këtë dëshmojnë investimet e shumta të deritashme të qeverisë së Kosovës që janë bërë në Gorë, duke filluar që nga niveli qendror dhe pushtetit lokal, ku, që nga periudha e pasluftës, shkalla e investimeve në trevën e Gorës, është më e madhe se investimet që janë bërë në trevën e Opojës, duke mos marrë parasysh madje as raportin e popullsisë së Opojës e Gorës. Serbia dhe Maqedonia nuk ka pse brengosen as për Amserën dhe as për popullin e Gorës, sepse popullata e Gorës është kyçur që nga çlirimi i Kosovës, në të gjitha sferat e jetës institucionale në Kosovën e pavarur. Ata Kosovën e ndjejnë për shtet dhe atdhe të vetin. Tjetër shtet e atdhe nuk kanë, nuk duan të kenë dhe as që do të kenë.

Ballkani drejt ndryshimit të kufijve?


Një raund të ri të ndryshimit të kufijve do të kemi së shpejti në Ballkan. Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina janë ende dy vende, politikisht dhe ekonomikisht të brishta, që jetojnë nën protektoriatin e Perëndimit, së bashku me Maqedoninë.ballkan
Kështu thotë Instituti gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe Sigurinë (SWP), në bazë të një analize të kryer nga Dushan Reliq, ku nënvizohet se konfliktet etno-politike do të ndodhin sërish në këto tre vende. “Në dy dekadat e fundit konfliktet territoriale në zonën e ish-Jugosllavisë janë zgjidhur me tërheqjen e kufijve, gjë që rrallë ka ndodhur pa dhunë”, analizon ky institut, duke potencuar se vendi ku harta politike ka mundësi të rishikohet, është trekëndëshi i përbërë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. “Kjo zonë dominohet kryesisht nga popullsia shqiptare, shumica e të cilës kërkon bashkimin në një shtet të vetëm. Kështu, nga një sondazh i kryer në vitin 2010 rezulton se 81 për qind e popullsisë shqiptare në Kosovë kërkon një Shqipëri të Madhe, në Maqedoni të njëjtën gjë e kërkon 66 për qind e shqiptarëve dhe në Shqipëri 63 për qind. Në vitin 2009, ambasadori amerikan në Tiranë u përpoq të bindte kryeministrin Sali Berisha që të largonte idenë e Shqipërisë së Madhe. Por, lëvizja ‘Vetëvendosje’, forca e tretë parlamentare në Kosovë dhe që po përhapet me shpejtësi, ka ringjallur këtë ide në radhët e kombit shqiptar në Ballkan, duke e vendosur atë në majë të prioriteteve të saj. Gjithashtu, edhe serbët e Kosovës refuzojnë të jenë pakicë në një shtet me shumicë shqiptare, gjë që e bën më të fortë hipotezën për një rishikim të kufijve në Ballkan”, thuhet në analizën e SWP-së.
Më tej thuhet në këtë analizë se shpërthimi i një konflikti të ri etno-politik, do të godiste në zemër Evropën jug-lindore dhe investimet që Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Evropës perëndimore kanë bërë atje. Vendet e Ballkanit perëndimor janë të kufizuara nga vendet anëtare të BE-së, kështu që çdo destabilizim në to do të kishte impakt edhe në vendet fqinje, kryesisht në formën e emigracionit.
Për rrjedhojë, qëndrimet e ndryshme politike mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës perëndimore për Ballkanin, me shumë mundësi do të ridalin në sipërfaqe. Nga ana tjetër, pesë vendet anëtare të BE që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, nuk po japin shenja për një ndryshim të qëndrimit të tyre. Gjithashtu, përballjet e Kinës dhe Rusisë me Perëndimin, për politikat e fundit në Ballkan, e që nuk janë harruar, ka shumë mundësi që të rishfaqen në arenën ndërkombëtare, vlerëson më tej analiza e institutit gjerman, SWP.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...