Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/02/21

KUR SERVILËT E SHOKUT TITO AKUZOJNË...


bedri_halimi_1

Bedri HALIMI - Kryeinspektor në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës

Menjëherë pas publikimit të intervistës së akademik Rexhep Qosjes, rreth politizimit të ASHAK-ut, ndaj akademikut u lëshuan me sulme, fyerje e mohime, si nga Akademia, ashtu edhe nga ana e LDK-së. Nuk është çështja këtu, se Rexhep Qosja duhet të mbrohet nga dikush, sepse për një gjë të tillë, as nuk ka pasur e as nuk ka nevojë, ngase Rexhep Qosja më veprat e veta, në lëmin e kulturës, artit e shkencës, është institucion në vete. Por çështja është të disa të thëna të paqëndrueshme e fyese rreth veprimtarisë së akademikut Qosja, dhe për tendencën negative për të mos lejuar lëvizjen e gjërave nga vendi.

Sulmet ndaj Qosjes

Si duket, e vërteta e njohur rreth Akademisë, të cilën e shprehu tashmë publikisht edhe Qosja, disa akademikëve u dogji, prandaj bënë turr për t’ia mohuar të vërtetat e thëna, që në asnjë mënyrë nuk mund të mohohen. Dhe Akademia jonë, demek e Kosovës, në reagimin e tyre publik, pa kurrfarë marreje, në emër të theksimit, gjoja të pavërtetave të Rexhep Qosjes, thonë një të pavërtetë kësi soji: “E vërteta është se të gjithë këta akademikë, pa asnjë përjashtim, janë vijimisht shumë aktivë në punën e tyre shkencore e artistike. Por është e sigurt, se asnjëri nuk e lakmon nivelin e veprës letrare e shkencore të Qosjes”! Këtu, nëse nuk janë duke bërë hajgare (se edhe hajgarexhinj janë disa akademikë tanë), gënjejnë shumë trashë, për faktin se të gjithë këta akademikë, dëshirojnë, madje e ëndërrojnë, për ta arritur nivelin e punës shkencore të akademik Qosjes, por meqë janë të vetëdijshëm se këtë kurrë nuk mund ta arrijnë, atëherë lëshohen në mohimin mekanik, si formë e shprehjes së inatit dhe hakmarrjes. Në fakt, cili prej akademikëve të gjallë të Kosovës, mund të krahasohet me Rexhep Qosjen? Cila vepër e cilit akademik, mund të krahasohet me veprat e Qosjes? P.sh cila vepër e akademikëve mund të krahasohet me “Historinë e letërsisë shqipe (romantizmi) të Qosjes”? Cila vepër mund të krahasohet me veprën “Kosova – Historia dhe politika”? Dhe jo vetëm kaq. Për shembull, cila vepër letrare (meqenëse ka edhe letrarë në këtë Akademi) mund të krahasohet me romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë”? Ka edhe shumë pyetje që mund të bëhen në këtë drejtim, por në këtë rast morëm vetëm ca shembuj. Prandaj, të thuash se vërtet nuk e lakmojmë nivelin e Qosjes, sepse nuk mund ta arrijmë, është njerëzore, morale, bile edhe intelektuale. Por nëse e kanë pasur fjalën se nuk e lakmojnë nivelin e veprës letrare e shkencore të Qosjes, ngase sipas tyre, nuk paska vlera, atëherë lind pyetja: cilat vlera? Cili është instrumenti i matjes së vlerave letrare e shkencore i akademikëve tanë? Cili prej tyre, me cilën vepër, jo që e ka tejkaluar, por i është afruar vlerës letrare e shkencore të veprave të Qosjes? Nëse vërtet mendojnë kështu, atëherë me keqardhje më duhet të them, se këtu është në pyetje pleqëria e thellë, madje aq e thellë, saqë kjo çështje do trajtim psikologjik të të gjithë atyre pleqve tanë që mendojnë kështu. Dhe këtu, siç po shihet, ka shumë punë për Pajazit Nushin (si psikolog), për të trajtuar mendësinë e plakur e të atrofizuar se si (nuk) mund të funksionojë. Sipas Klubit të Pleqve të Kosovës, Rexhep Qosja po gënjyeka se akademikët tanë po bëkan luftë kundër gjuhës standarde dhe pastaj si përgjigje numërojnë “faktet”, se gjuhëtarët e Akademisë së Kosovës qenkan anëtarë të Këshillit Ndërakademik, për gjuhën standarde të iniciuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë..., për të vazhduar pastaj “sqarimin” se ky Këshill nuk është krijuar për ta luftuar gjuhen standarde, por për ta begatuar aftësinë shprehëse të saj e të funksionalizimit shoqëror”.

Heshtja e akademikëve, si art, dhunti, virtyt, moral njerëzor dhe intelektual 
Në bazë të këtij “sqarimi”, vetvetiu lind pyetja logjike, se cili ishte deri tani dhe cili është aktualisht aktiviteti i gjuhëtarëve të Akademisë sonë në këtë drejtim? Cili ishte deri më tani reagimi i akademikëve tanë, ndaj tendencave të individëve të caktuar kundër gjuhës standarde? Cili prej tyre mori guximin për t’u thënë: “ndal”, këtyre “partizanëve”, që për interesa personale i kanë hyrë zanatit të huaj? Por, e vërteta është se të gjithë këta gjuhëtarë të Akademisë së Shkencave të Kosovës, kanë heshtur dhe vazhdojnë të heshtin si mumiet, për këtë problem madhor, që dikush, apo qarqe të caktuara, duan ta implantojnë në kulturën tonë. Në vend të gjuhëtarëve të shumtë në këtë Akademi, nga të cilët nuk reagoi asnjëri, përjashtim bëri një akademik (jo gjuhëtar). Por heshtja e këtyre akademikëve tanë është zanat i vjetër, sepse këta heshtjen e kanë art, dhunti, virtyt, moral njerëzor dhe intelektual. Prandaj edhe kanë heshtur dje, kur Kosova ishte e okupuar, prandaj pse ta prishin rehatinë sot, kur Kosova (edhe pa meritën e tyre) është e çliruar? Akademikët tanë, të grumbulluar në një klub pleqsh, mjerisht të quajtur me emrin Akademi, nuk ndalen me kaq. Ata e sulmojnë Rexhep Qosjen, duke e quajtur edhe servil të pushtetit. Por si duket, i ka lënë kujtesa nga pleqëria e disa vazhdojnë inatin iracional, prandaj duhet t’ua rikujtojmë shkrimet autoriale, intervistat, polemikat e akademik Rexhep Qosjes që nga vitet 80-ta, siç janë rastet me Lidhjen e Shkrimtarëve të Jugosllavisë në Kongresin e vitit 1986, pastaj intervistat dhe prononcimet në mediat kroate, sllovene e ndërkombëtare, pikërisht për problemet e padrejtësive që bëheshin ndaj shqiptarëve, pastaj polemikat me akademikun serb Doqica Qosiq, etj.

Cili ishte antiservilizmi i akademikëve tanë?
Nëse për akademikët tanë, edhe këto janë servilizëm ndaj pushtetit, atëherë lind pyetja, çka nënkuptojnë këta akademikë me termin servilizëm ndaj pushtetit dhe çka do të duhej bërë Qosja, që këta të mos e quajnë servil të pushtetit? Dhe serish jo vetëm kaq! Cili ishte joservilizmi, përkatësisht antiservilizmi i këtyre akademikëve tanë në të kaluarën dhe tani në raport me pushtetet? Akademikët nga Klubi i pleqve, në reagimin e tyre, mundohen të shesin moral, duke e quajtur të pamoralshëm Rexhep Qosjen, sepse ky i fundit po e shajka Akademinë dhe njëkohësisht po vazhduaka të qëndrojë anëtar i kësaj Akademie, pa pasur kurajo për të dhënë dorëheqje nga Akademia! Nga kush duhet të japë dorëheqje Rexhep Qosja?! Kush e ka zgjedhur Rexhep Qosjen anëtar të Akademisë, këta heshtakë? Puna dhe përkushtimi i vazhdueshëm i Rexhep Qosjes, duke botuar shumë libra shkencorë, letrarë e publicistikë, apo dëshira e këtyre pleqve për ta pranuar në Akademi? Pastaj, pleqtë tanë, me histeri deklarojnë se Rexhep Qosja na qenka edhe denoncues policor! Tashmë, ndonëse kanë kaluar 30 vite (pikërisht sivjet) nga ngjarjet e vitit ’81, në mendjet e shumë intelektualëve dhe njerëzve të thjeshtë, ekziston fakti, siç ekzistojnë të gjitha faktet edhe në formë të shkruar në shtypin e kohës, për qëndrimin e secilit prej këtyre akademikëve (pavarësisht në ishin të anëtarësuar në shtëpinë e pleqve apo jo), për këto ngjarje. Gjithashtu dihet mirëfilli, se kush ishte i denoncuar, kush ishte denoncues, si dhe kush ishin heshtakët, të cilët me heshtje miratuan denoncimin e ngjarjeve të 81-shit, pa e harruar faktin se oportunizmi në momentet e caktuara është larg tradhtisë vetëm një hap. Po si t’i kundërvihet kjo Akademi politikës serbe për këto ngjarje, kur shumica e tyre, ndoshta edhe sot e kësaj dite, për demonstratat e vitit 1981, nuk mendojnë ndryshe ta zëmë nga mendimi i akademikut serb, Mihajlo Markoviqit – ideologut të PSS-it, i cili në revistën “KOHA” nr 54/95, 29 mars 1995 fq.13., pos tjerash, thotë: “Udhëheqësit shqiptarë, të cilët organizuan demonstratat e vitit 1981, bënë gabim të madh historik… Padurueshmëria dhe mendjelehtësia e liderëve tuaj, e shprehur më 1981, shkaktoi humbjen e asaj që deri atëherë e patët”. Cili nga akademikët tanë iu kundërvu këtyre konstatimeve antihistorike? Në fakt, cili është mendimi dhe veprimi shkencor i Akademisë për ngjarjet e vitit 1981?!

LDK-ja e sikletisur 
LDK-së, të cilës nuk i paska pëlqyer fakti se MASHT-i e paska financuar botimin e kompletit të veprave të akademik Rexhep Qosjes, madje duke mos hezituar që jo vetëm ta përmendin, por edhe ta keqpërdorin shifrën e parave, që i janë dedikuar për botimin e këtij kompleti, duke e quajtur një gjë të tillë, se Rexhep Qosja qenka shpërblyer për një sharje ndaj LDK-së, me një shumë prej 220 mijë eurosh! Në disa legjislacione të deritashme, ka pasur raste jo të rralla, kur Ministrinë e Kulturës e ka udhëhequr LDK-ja, madje edhe atë të Arsimit dhe dihet mirëfilli suksesi i kuadrove të kësaj partie. Për shkak të këtij “suksesi”, kjo parti sot mrizon në opozitë. Ka të drejtë LDK-ja të deklarojë çfarë të dojë, ama duhet ta kuptojë një gjë, se me Kosovën qeveris PDK-ja, dhe se për punën që bën kjo Qeveri, ka të drejtë të mos e dëgjojë LDK-në. E dini pse? Sepse nuk dëshiron të rikthehet në opozitë.

Nevoja e tejkalimit të gjendjes
Përderisa ekziston kjo gjendje e mjerë, në këtë krijesë boshe, me një emër të madh, të quajtur Akademi, diçka duhet ndërmarrë për të dalë nga kjo situatë. Kosova vërtetë ka nevojë për një Akademi, siç ka nevojë për bukë. Kosova ka nevojë për akademikë, siç ka nevojë për ajër. Por jo për kukulla dekorative. As Ramë Vataj si deputet i PDK-së dhe as vet PDK si parti, nuk po kërkon politizim të kësaj Akademie, sepse cili prej tyre do t’i hynte në punë PDK-së dhe në cilën lëmi? PDK po kërkon ringjalljen e kësaj Akademie, që kjo të mos mbetet një Klub Pleqsh, që i ngjason shtëpisë së pleqve të perëndimit, por Akademi që do t’u ngjasonte akademive të perëndimit. E për t’u bërë kjo, duhet ndryshuar ligjet e vitit 1978, duhet krijuar mundësia e freskimit të radhëve të saj, me emra të rinj, funksionalë, që do t’i jepnin gjak kësaj akademie anemike. Që të bëhen këto, gjendja e kësaj status quo-je duhet të ndryshohet. Nuk mund ta presim vetëm Zotin për ta ndryshuar gjendjen në këtë krijesë të quajtur Akademi, ngase edhe në Kuran thuhet: “Perëndia nuk do ta ndryshojë gjendjen e vështirë të një populli, përderisa ai popull nuk e ndryshon vetveten”. Akademinë dhe akademikët tanë, nuk i brengos fakti, se brenda tyre - siç thotë Rexhep Qosja me të drejtë, nuk ka historianë, nuk ka mjekë dhe as ekonomistë. Dhe arsyeja kryesore përse nuk ka, nuk është në faktin se Kosovës i mungojnë kuadrot, por në faktin se pleqtë e Akademisë kanë lidh besë, e kanë ba be... Por, vet ASHAK-u në linkun e saj thekson se “numri i anëtarëve të ASHAK-ut nuk është i kufizuar…”. Gjithashtu, fatmirësisht, ASHAK-u nuk ka harruar të pranojë se pos tjerash, “financimi i Akademisë bëhet nga mjetet financiare të përcaktuara nga buxheti i Kosovës”.

Qeveria e Kosovës stimulon vetëm mediet joshqiptare!


Qeveria e Kosovës, edhe më tej vazhdon t’i përkrahë maksimalisht mediet lokale serbe dhe ato të pakicave tjera që operojnë në Kosovë. Një përkrahje të tillë nuk e gëzojnë edhe shumë medie lokale, me program në gjuhën shqipe e që ato veprojnë në çdo komunë të Kosovës.qeveria_kosova
Ditë më parë, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për t’iu ndarë më shumë se 80 mijë euro medieve multietnike lokale, të cilat veprojnë në Kosovë. Sipas këtij vendimi të Qeverisë, “Radio Gorazhdevci” ka fituar, hiq më pakë se 5720 euro, “Radio KIM” po ashtu ka fituar 5950 euro, “Televizioni Herc” ka fituar 6000 euro. Po ashtu, 4460 euro i ka fituar edhe “Produkcioni 038”, ndërkaq 4450 euro i ka fituar “Produkcioni Globus”. Ndërkaq, me 4000 mijë euro, në formë granti, Qeveria e ka shpërblyer edhe radion serbe “Bravo”. Nga ky fond kanë përfituar edhe mediet boshnjake, siç është “Boss Production” me 4480 euro, Agjencia turke e lajmeve “Kosova Haber” ka fituar hiq më pakë se 6000 mijë euro, po aq sa ka marrë edhe “Radio Prizreni”, i cili emiton program edhe në gjuhën turke, përpos programit në gjuhen shqipe. Me këtë vendim të Qeverisë, për shpërndarje të granteve, kanë fituar edhe dy medie të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian. Kështu, Radio “Romano Avazo” ka përfituar hiq më pak se 6000 mijë euro, ndërkaq shoqata “Qëndrimi” ka përfituar 5850 euro. Sipas vendimit të Qeverisë, mënyra e shfrytëzimit, afatet e pagesës së grantit, raportimi i shpenzimeve të grantit dhe monitorimi i shpenzimeve të grantit, rregullohen me marrëveshjen për shfrytëzimin e granteve që do të nënshkruhet nga komisioni për mendimin e medieve përfituese.
Nga ana tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile thonë se Qeveria e Kosovës nuk duhet të marr vendime, në bazë etnike. Behxhet Shala, nga Këshilli për Mbrojtjen e Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KLMDNJ), thotë se Qeveria e Kosovës ka bërë mirë që u ka ndarë mjete medieve serbe, por, sipas tij, një gjë të tillë është dashur ta bëjë edhe për mediet lokale me program në gjuhën shqipe, që veprojnë thuajse në çdo komunë të Kosovës. “Me këtë vendim, për ndarje të granteve, Qeveria e Kosovës ka diskriminuar mediet shqiptare, sepse ka bërë dallime etnike. Qeveria është dashur tu ndajë grante edhe medieve shqiptare lokale, të cilat nuk kanë burime nga marketingu”, ka vlerësuar Shala, duke thënë se ndarja e medieve në dy grupe, në ato shqiptare dhe ato të pakicave, përpos që është veprim diskriminues nga ana e Qeverisë, është edhe veprim i dëmshëm.
Mendim të njëjtë kanë shprehur edhe përfaqësues të organizatave të tjera civile që operojnë në Kosovë, e në veçanti ato që veprojnë në komunën e Dragashit. Ata thonë se ndarja e mjeteve, vetëm për mediet serbe, është diskriminim i pastër për mediet shqiptare. Sipas tyre, absurdi më i madh është fakti se Qeveria po i shpërblen disa medie serbe, të cilat janë të njohura për kundërshtimin e shtetësisë së Kosovës, siç është rasti i radios serbe “Radio KIM”, e cila në asnjë mënyrë nuk e njeh Kosovën si shtet dhe vazhdon të emetoj vetëm lajme që nxisin urrejtje ndërnacionale. “Ne jemi të dëshpruar edhe për faktin tjetër, që asnjëra nga radiot që veprojnë në Dragash nuk ka përfituar asnjë metelik nga ky grant. Në Dragash, përpos Radio Sharrit, i cila emeton program në gjuhën shqipe, kemi dy radio tjera minoritare, por që asnjëra nuk kanë përfituar nga ky grant. Fundja, Qeveria do të duhej të monitoronte programin e radiove, para se t’i ndaj mjete stimuluese. Kjo, sepse disa radio serbe, ende vazhdojnë me program që nuk i ndihmojnë proceseve demokratike në vend, duke lansuar vetëm lajme të këqija që ndërlidhen me bashkëjetesën e komuniteteve. Madje, disa radio as që e njohin Kosovën si shtet”, thotë Behar Brenolli, drejtues i OJQ-së “OOK” nga Krusheva e Gorës së Dragashit.

Gëzim Baxhaku: Hidrocentrali i Zhurit, realitet! Baxhaku: Hidrocentrali i Zhurit, realitet!


 Për ndërtimin e Hidrocentralit të Zhurit, shuma e të cilit mendohet të jetë rreth 350 milionë euro, janë përfshirë edhe shpronësimi dhe zhvendosja e një pjese të fshatit Brezne, ku do të bëhet akumulimi i ujit, i cili do të përdoret për prodhimin e energjisë në dy turbinat që do të vendosen në afërsi të fshatit Zhur.hidrocentrali_zhur Në studimin e rishikuar të fizibilitetit për këtë projekt, thuhet që janë 225 objekte, të cilat duhet të shpronësohen. Janë rreth 200 objekte në fshatin Brezne, ku do të akumulohet baseni dhe rreth 25 objekte të tjera, në fshatin Zym. Përveç kësaj, pritet të shpronësohen edhe disa objekte biznesi, si dhe dy shkolla dhe një QMF. Saktësisht, shkolla fillore në Llopushnik dhe ajo në Brezne, si dhe Qendra e Mjekësisë Familjare në Llopushnik. Këto të dhëna i konfirmoi për Radio SHARRI-n, Gëzim Baxhaku, këshilltar i ministrit për Zhvillim Ekonomik, Besim Beqaj. Sipas Baxhakut, qeveria e Kosovës do të vazhdojë me projektin e Hidrocentralit të Zhurit dhe se vendimi është marrë, pas rishikimit të projektit që kishte nisur vitin e kaluar. Ky projekt, për një kohë të gjatë nuk ka qenë fare në fjalorin e zyrtarëve përgjegjës dhe jo rastësisht ishin ngritur dyshime, nëse i njëjti ishte ekonomikisht i favorshëm. “Duke u bazuar në konsultimet që ka bërë me ZRRE-në, KEK-un, KOSTT-in dhe PATEL-in, të cilat kanë rishikuar projektin e HC ‘Zhuri’, MZHE-ja ka marrë vendim që projekti të mbetet i tillë çfarë është. Do të thotë që aktualisht të mos ketë ndryshime”, ka thënë Gëzim Baxhaku, këshilltar i ministrit për Zhvillim Ekonomik.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik, më parë kishte dy dyshime kryesore për projektin - afati i kufizuar i shfrytëzimit të energjisë së prodhuar nga ky hidrocentral që është në shpërpushje me investimin e nevojshëm, e si pasojë do të dilte çmimi i lartë i energjisë së prodhuar.
Gëzim Baxhaku ka thënë se katër kompani ishin parakualifikuar për të investuar në Hidrocentralin e Zhurit. Megjithatë, ai ka thënë se duhet ligjërisht të shikohet, nëse duhet të ketë një proces të ri për parakualifikimin e kompanive apo mund të vazhdohet me kompanitë që janë në garë. “Në bazë të konsultimeve me institucionet relevante të këtij lëmi, MZHE-ja është e gatshme ta rifillojmë procesin, duke parë se çfarë tregu do të ofrohet në këtë drejtim. Në bazë të kësaj do t’i ndërmarrim hapat e mëtejshëm”, ka thënë Baxhaku.
Në vitin 2001 ishte kryer një studim i fizibilitetit për Hidrocentralin e Zhurit, si dhe është rishikuar gjatë vitit 2009 nga kompania kroate “Elektro-Projekt”. Hidrocentrali i Zhurit, sipas këtij studimi, parashihej të kishte kapacitet prej 305 MW. Sipas këtij studimi, ky hidrocentral parashihej të punonte rreth një mijë e 500 orë në vit, me një prodhim vjetor prej 400 GWh. Domethënë, do të punonte vetëm në orët e pikut. Në bazë të llogaritjeve të para, parashihet që për ndërtimin e këtij hidrocentrali, me kapacitet prej 305 MW, nevojiten rreth 330 milionë euro investime.

Republika nuk është pronë e Qeverisë, ajo është vlerë kombëtare


Shkruan: Ismajl Kurteshi
Ata që në bisedimet e Vjenës të vitit 2006 e pranuan decentralizimin në baza etnike, që për qëllim e kishte sigurimin e privilegjeve të pakicës, e cila përherë ka qenë e privilegjuar. Ata që në vitet në vijim e legjitimuan pabarazinë në mes të qytetarëve të Kosovës dhe e heshtën cenimin e sovranitetit të vendit nga Serbia.
Të njëjtit në vitin 2011, me kërkesë të Serbisë, për nevoja të saj dhe tema të ngritura për diskutim nga Serbia, që për qëllim kishin zhbërjen e Republikës, pa as një kusht të vetëm u kthyen në tryezën e bisedimeve, që filluan me rregullimin e brendshëm të Kosovës për të arritur te kontestimi i Republikës.

Bisedimet, kokë më vete
Ata që bisedimet me Serbinë i filluan kokë më vete, pa miratim nga Kuvendi; ata që marrëveshjet ndërkombëtare po i quajnë konkluzioni (për t’i ikur ratifikimit të tyre nga Kuvendi i Kosovës që është obligim kushtetues).
Ata qeveritarë që bisedimet për heqjen e Republikës në takimet ndërkombëtare po i quajnë bisedime teknike. Ata që pranuan të bisedojnë me Serbinë para se ajo ta njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës. Të njëjtit e hoqën Republikën nga vulat e doganave; kufirin shtetëror e reduktuan në kufi administrativ; pikat kufitare pranuan t’i quajnë pika të kalimit; origjinali i regjistrave civilë dhe dokumentet e kadastrave të Republikës së Kosovës pranuan t’i mbeten Serbisë. Ata pranuan që mbi tabelat RKS të vendosen katër “S” e Serbisë; pranuan që qytetarët e Republikës së Kosovës nëpër Serbi të qarkullohet me dokumente të lëshuara nga Serbia, e kanë humbur tërësisht legjitimitetin, që ta përfaqësojnë Kosovën.
Kjo Qeveri e ka humbur legjitimitetin (edhe ashtu të kontestuar për shkak të vjedhjeve të votave në zgjedhjet e 12 dhjetorit të vitit 2010), edhe brenda vendit, sepse përveç abuzimeve në procesin e privatizimit, tenderimit e sfera të tjera, e njëjta e ka imponuar Ligjin diskriminues mbi Trashëgimin Kulturore të Prizrenit dhe Ligjin për Hoqën e Madhe. Kjo Qeveri në vitin 2012 ka bërë presion për anulimin e vendimin të Kuvendit mbi reciprocitetin, ka urdhëruar rrahjen e protestuesve që dolën në mbrojtje të reciprocitetit më 14 dhe 22 janar në Merdar dhe te Dheu i Bardhë.
Paralajmërimi se do të heqin dorë nga Republika në takimet e nismave rajonale paraqet kulmin e të këqijave që po na vijnë nga kjo Qeveri, prandaj kjo nuk bënë të kalojë.
Të gjitha këto lëshime që po mundohen t’ia shesin popullit si suksese me kinse integrimin në Evropë, përkrahjen e miqve ndërkombëtarë, heqjen e vizave, stabilitetin në rajon, integrimin e komunitetit serb etj. nuk do të kalojnë.

Problemet nga marrëveshjet e Brukselit
Qytetarët e Kosovës kanë filluar t’i kuptojnë gjërat ashtu si janë, sepse më bindëse janë problemet që po u dalin nga marrëveshjet e arritura në Bruksel, se deklaratat e negociatorëve të Brukselit.
Se marrëveshjet me Serbinë janë të dëmshme për qytetarët e Kosovës po e kuptojnë të gjithë ata që po udhëtojnë nëpër Serbi dhe ata që po përpiqen t’i eksportojnë prodhimet e tyre atje. Zëvendësimi i dokumenteve identifikuese të Republikës së Kosovës dhe tabelat e automjeteve të tyre me dokumente e tabela të Republikës së Serbisë, derisa një gjë e tillë nuk vlen për shtetasit serbë që vijnë në Kosovë, është vetëm njëra nga dëshmitë e pabarazisë që po e përjeton qytetarët tanë sapo po afrohen te kufiri me Serbinë.
Për Republikën e Kosovës është derdhur shumë djers, janë shpenzuar shumë para, janë bërë shumë sakrifica, shumë fëmijëve i është mohuar e drejta e shkollimit vetëm se i kishin shkruar shkronjat “RK”, prindërve të tyre u mohohej punësimi. Shumë të rinj e kaluan rininë në burgje, shumë nuse e pësuan më rëndë se Penelopa, nënat e kaluan pleqërinë në ethe.
Për Republikën u kall flakë Kosova, ndodhi eksodi i përcjellë me gjenocid. Për Kosovën Republikë ranë dëshmorë, bijtë dhe bijat më të mira të Kosovës.
Republika ka çmim tepër të lartë. Ajo nuk është pronë e askujt. Ajo është vlerë e jona sublime. Prandaj, nuk ka autoritet dhe as justifikim që guxon ta cenojë Republikën. Kushdo që jeni ju kontribuues apo armiq të saj, mbani duart larg nga Republika, sepse ajo është vlerë sublime pa të cilën jeta nuk ka kuptim për mbi 95 për qind të qytetarëve të këtij vendi.

100 vjet për reflektim


Shkruan: Blerim GASHANI
Në “Kujtimet” e tij, që janë monument i historisë dhe publicistikës shqiptare, Eqrem bej Vlora na shpalos shumë informata të dorës së parë për gjendjen e shqiptarit para një shekulli. Të padëshiruara nga shqiptarët – në kohën kur këta e kishin lëçitur krejt botën - këto dëshmi autentike për jetën e shqiptarit, të shkruara nga një mendje shumë e kultivuar, fillimisht janë botuar në gjermanisht. Në mesin e shumë ngjarjeve, në të cilat kjo figurë poliedrike ka qenë dëshmitar, dhe shpeshherë protagonist, s’më shqitet nga mendja përshkrimi i pushtimit të Shkupit nga kryengritësit shqiptarë, në verën e vitit 1912. Autori është i mrekulluar nga shqiptarët e thjeshtë dhe, në anën tjetër, i shqetësuar e i trishtuar nga sjellja e prijësve të tyre, të cilëve, pa asnjë mëdyshje, ua faturon – për papjekuri politike – dështimin që ka shkaktuar plojën më të madhe në historinë tonë. Interesante, ndërkaq, është çështja se po të mos ishin datat, lexuesi mund të mendojë se narracioni flet për 100 vjet më vonë.
“Asnjë komb në botë, pas dy kryengritjeve të shtypura përgjakshëm, (dhe) pas një suksesi siç ishte pushtimi i kryeqendrës së provincës…(nuk do) të mund të sillej në mënyrë kaq të shkëlqyer, kaq të qytetëruar dhe njerëzore, si këta fshatarë të varfër…që zbërthenin nyjën e shamisë së tyre për të nxjerrë që andej një piastër – mbase të fundit – e të blinin më të pak bukë e djathë, ndërkohë që mbronin interesat e bashkësisë. Vetëm se ky popull zotëri, të cilin unë, si atëherë edhe sot, e dua me gjithë shpirt, sepse ai, me vetitë dhe veprat e tij fisnike përfaqëson këngën e fundit të eposit heroik evropian, ky popull nuk ka pasur kurrë fat me udhëheqësit e vet, të mëdhenj e të vegjël. …Shtresa e mesme dhe e lartë e Shqipërisë, me pak përjashtime, që nga mesi i shekullit 19-të e sot kanë qenë shpirtërisht, shpesh, në lartësi, por moralisht të padenjë për të udhëhequr këta njerëz të mrekullueshëm”. (Eqrem bej Vlora, Kujtime, faqe 279).
A është duke folur për vitin 1912, apo për 2012, njëri nga protagonistët e vitit të përmbytjes së madhe të shqiptarëve. Piktura e ardhshme na e kthjellon edhe më ngjashmërinë e hatashme. “Por krejt ndryshe ishte në rrethin e prijësve që unë vizitova me radhë. Binaja e udhëheqjes mezi mbahej në këmbë dhe në çdo ndryshim mendimesh vihej re qartë që uniteti i arritur në mënyrë artificiale (e vetëm në saje të kundërvënies me Turqit e Rinj) mund të shkërmoqej në çdo çast nga xhelozia dhe individualizmi.” (Eqrem bej Vlora, Kujtime, faqe 281).
Përpara se festë, përpara se krenari, përpara se entuziazëm e parada publike, përpara se fjalime patriotike e folklorike, shqiptarët, kudo që janë, duhet ta trajtojnë vitin 2012, si vit reflektimi. Pas një rrugëtimi njëqind vjeçar, nga viti që dikush e quan fillim i lirisë, dikush vit i ndarjes e copëtimit dhe dikush si fillim i robërisë, ne duhet, me kokë të ftohtë, me introspekcion të thellë dhe debat të gjerë, të bëjmë një bilanc se ku jemi. Ta shfaqim një pasqyrë të qartë se si kemi qenë dhe si jemi tash, pas njëqind vjetësh. Është lehtë të festojmë dhe të dalim rrugëve me flamuj e pankarta. Është më e vështirë t’u japim përgjigje pyetjeve të gjeneratës që po vjen. Ata nuk do t’i pranojnë arsyetimet monotone, me të cilat - po e shohim - e kemi harxhuar një shekull.
A është ky shekull i humbur apo shekull i fitoreve për shqiptarët? A kemi më pak apo më shumë kilometra katrorë të populluara me shqiptarë? Në krahasim me popujt e rajonit, a kemi ecur përpara, kemi stagnuar apo kemi shkuar prapa? A jemi të lidhur me botën më shumë apo me pak pas njëqind vjetësh? A kemi pasur emër më të mirë në botë atëherë apo tani? A kemi pasur më shumë dashuri për botën para një shekulli apo tani? A kanë pasur bota më shumë dashuri për ne në fillimshekullin XX apo tash? Në proporcion me kohën dhe me rajonin, a jemi më të zhvilluar ekonomikisht apo jo, a jemi më të pasur apo më të varfër, a kemi më shumë dinjitet tani apo para një shekulli? A ka qenë shpirti i shqiptarit më i lirë para një shekulli se sa që është tani, apo në këtë sferë kemi ecur përpara? Këtyre pyetjeve duhet t’u përgjigjemi edhe ne, shqiptarët e thjeshtë, por më parë duhet ta pyesim klasën e shqiptarëve që po përgatitet dhe po zgjedh ngjyrën e kravatës për podiumet e festës së pavarësisë.
Ata që na udhëheqin, në krejt trojet ku jemi strukur, tanimë janë duke menduar për markat e rrobave që do të kenë kur të dalin para nesh, më 28 nëntor. Sigurisht, se do të mendojnë edhe për veturat e veçanërisht për gardhin e truprojave që do t’i sjellin kryevendi, nga ku do të na drejtohen me fjalime patriotike. Detyrimisht, fishekzjarrët janë porositur dhe shumë miliona janë ndarë për shkëlqimin festiv. Qatipët tanimë janë duke u thelluar për fjalimet pompoze, që kur të lexohen (pa ngjyrë, pa jetë dhe me shumë gabime) nga shefat e tyre, do ta rrisin disponimin festiv në shkallë deliriumi. Të nxehur, pastaj, dhe me plot emocion, liderët e këtij kombi do të na tregojnë për të arriturat, që vetëm të tilla nuk janë.
Por, para se të na adresohen nga podiumet me shumë ngjyra dhe me fjalime patetike, le ta pyesim veten se kush i udhëheq sot shqiptarët! Kush janë liderët e kombit, ata në pozitë dhe në opozitë? Çfarë e dimë me siguri, edhe pas 100 vjetësh, ende ka liderë që e djeg shtetin e vet, që mbi pirgun e hirit të asaj çfarë ka mbetur, të del e të krekoset si gjel. Njëri lider nuk e di fare se ç’është republika. Tjetri nuk e pranon as republikën e as institucionet e saj, por kjo nuk e ndalon që – duke nxitur turmat në anarki - të thotë se është në mbrojtje të kësaj republike (të cilën si thamë, deri atëherë nuk e kishte pranuar, sic!). Tjetri lider i shqiptarëve nga foltorja e parlamentit tregon për profesionin më të vjetër në botë, që po e ushtruakan motrat dhe nënat e kolegëve të tij. Pastaj, del lideri që ka gjysmën e votuesve “londinezë” dhe lavdëron Top Chanel-in pse po ua mësuaka gjuhën shqipe shqiptarëve të Preshevës (sic!). Dhe liderthë të tjerë të mjerë, që të papërfshirë në listën e përvitshme të transfereve, kujtohen për denigrime që u paskan ndodhur shumë vjet më parë.
Duke i shikuar këta prijës, që na e mbulojnë realitetin e hidhur me festime, tupanë e fishekzjarrë, a s’është koha që të reflektojmë pakëz? A s’është momenti që në këtë 100 vjetor, ta bëjmë një bilanc të fitoreve, ngecjeve dhe dështimeve që kemi pasur? Dhe, derisa për çdo përparim, liderët tanë rrahin gjoks, atëherë kush duhet ta mbajë përgjegjësinë për dështimet? Dhe, pyetja e fundit: çfarë profili mund të kenë këta drejtues të shoqërisë, që vetëm të tillë nuk janë? Dhe duket se përgjigjja na vjen, përsëri, nga muzgu i fillimshekullit XX. “Tani (1908-1912), drejtimi kishte kaluar në duart e një morie kryepleqsh të fshatrave dhe krerësh të fiseve, e këta manipuloheshin lehtë nga njerëz dinakë, që dinin se si të silleshin me ta.” (Eqrem bej Vlora, Kujtime, faqe 224). Më 28 nëntor 2012, para se të shpërtheni në duartrokitje për ata që na udhëheqin dhe për ata që po grithin fytyrat të zëvendësojnë të parët, ju lutem, pyetni veten tuaj: pas një shekulli të rëndë, a e meritojnë shqiptarët këtë gjendje?

Jo vetëm vizita!


Shkruan: Refik HASANI
Të premten në Preshevë në vizitë ishte Edi Rama, kryetar i PSSH-së dhe ish-kryebashkiak i Tiranës që ta promovojë librin e tij “Kurban”.
Më shumë e porosisim ne, që partia e z. Rama që e udhëheq të ndihmojë dhe të na tregojë se çka mund të na ndihmojë konkretisht. Grupi Socialist në Parlamentin e Shqipërisë të kërkojë që të ngrihet zëri. Por, edhe, p. sh. që universitetet publike në Shqipëri për studentët nga këto tri komuna të lirohen nga pagesat, t’ua paguajnë konviktet me akomodim e ushqim në të gjitha drejtimet e fakulteteve, e studimeve post diplomike. Të investojnë në ndihmën që bibliotekat në këto tri komuna të furnizohen me libra, të investohet në monumente, të ruhen dhe konservohen nga buxheti i Tiranës, etj., etj.

***
Ne kërkojmë që vizita të tilla nga liderëve partiakë dhe shtetërorë të bëhen vazhdimisht nëpër vendbanime dhe lokalitete të shqiptarëve në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, edhe nga shkrimtarët të përmasave kombëtare, si: Ismail Kadare, Dritëro Agolli etj. Por, edhe nga akademikët tanë në zë, qofshin të Tiranës, apo Prishtinës nga ansamble profesionistësh e amatorësh të valleve dhe këngëve, nga artistë të teatrove kombëtare të Tiranës dhe Prishtinës dhe qendrave të tjera. Vizita të bëhen edhe nga shoqatat e shkrimtarëve, katedra, institute që merren me ruajtjen e monumenteve të trashëgimisë kulturore– historike, që të evidentohen, që restaurohen dhe ruhen nënë përkujdesje të shtetit. Kjo nuk duhet të bëhet si vizitë vetëm në Preshevë, por edhe në Bujanoc e Medvegjë. Nuk duhet harruar edhe shqiptarët në Mal të Zi, Maqedoni, Çamëri. Pa i lënë anash edhe Arbëreshët në Itali e Dalmaci të Kroacisë dhe diasporë në përgjithësi.

***
I përkujtojmë opinionit të gjerë se Ilir Meta e vizitoi Beogradin, por asnjë fjalë nuk shprehu se si i trajton shqiptarët në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, ku në atë kohë ishte zëvendëskryeministër njëkohësisht ministër i Punëve të Jashtme dhe kryetar i LSI-së. Por, edhe Edi Rama sa ishte kryebashkiak i Tiranës e kishte shpërblyer një artist serb me çelësin e Tiranës. Partia Socialiste e Shqipërisë është dashur kur ishte në pushtet të flasë dhe të na mbrojë të drejtat tona, kurse kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha ia ka dhuruar një donacion Graçanicës- komunës serbe të formuar në bazë të pakos së presidentit Ahtisari në një vlerë bukur të madhe. Nexhat Daci, po ashtu e vizitoi Preshevën dhe Bujanocin, por kjo ishte vizitë shumë e vonuar që ishte dashur të bëhet sa ishte kryetar i Kuvendit të Kosovës. Tirana duhet të na ndihmojë neve shqiptarëve në krahinën shqiptare të mbetur padrejtësisht nën administrimin e Serbisë, duke ndihmuar në shkollimin e kuadrove, por edhe në shtruarjen e kësaj teme në të gjitha nivelet që çështja e shqiptarëve në këtë krahinë nuk është zgjidhur kur jemi të diskriminuar në të drejtat individuale dhe ato kolektive.

***
Parashtrohet pyetja sa janë duke i ndihmuar Tirana dhe Prishtina shqiptarët në këto troje të veta dhe në diasporë. A kanë dy qeveritë tona ndonjë program dhe strategji veprimi. Pse deri më tani dy parlamentet nuk ka pasur fare diskutime që të miratojnë ndonjë rezultat lidhur me shkeljen që bënë Beogradi për shkeljen e të drejtave të njeriut ndaj neve shqiptarëve në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë. Në kuadër të komisioneve parlamentare të ngrihen grupe punuese që të kërkohen mundësi për ndihmë që duhet na afruar neve. Prishtina e Tirana për një dekadë kanë investuar vetëm në një mijë Abetare dedikuar neve shqiptarëve të kësaj krahine.
***

Manifestime, akademi dhe shënimet tjera kombëtare të ndryshme të mbahen edhe në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë. Jo vetëm të mbetemi dhe ngopemi me vizita, po na duhen edhe mbështetje morale, kombëtare e institucionale. Na duhet përkrahje konkrete të shijojmë të arriturat kombëtare në art, kulturë, arsim. Të gjejmë mbështetje të rregullt, të vazhdueshme të shprehura qartë se në cilat fusha duhet dhe ka obligim moral, kombëtar e institucional të ndihmojë Tirana dhe Prishtina.

A është instaluar autoritarizmi politik në Kosovë


Shkruan: MA. sc. Halim Emërllahu, sociolog
Kosova si shtet i ri ka shumë sfida që duhet t'i tejkalojë, për të arritur progres dhe për t'u avancuar edhe më lart, që të jetë një shtet funksional demokratik dhe i hapur, për të gjithë qytetarët e shtetit për të gjitha pakicat e ndryshme kombëtare, që në të ardhmen të jetë shtet me vlera properëndimore, dhe me vlera demokratike e integruese. I gjithë ky progres mund të arrihet kurë pushtetarët të respektojnë dhe të bashkëpunojnë me qytetarët dhe kur të funksionojë barazia e pjesëmarrësve në proceset politike e shoqërore. "Autoritarizmi (authoritarianism) - Raporte shoqërore ku shprehen ës tepërmi pozitat e autoriteteve të pushtetit; raporte në të cilët mbizotëron pabarazia e pjesëmarrësve në proceset politike dhe shoqërore".

Dogmatikët e totalitarët
Ky sistem i autoritarizmit shënon një sistem politik diktatorial jo demokratik etj, ngase i gjithë procesi është në duar të një personaliteti apo një elitë politike, dhe kanë pushtet të pakufizuar. "Në sistemet autoritare i tërë pushteti gjendet në duart e një personi, cili nuk ka kurrfarë kufizimesh dhe kontrolli për mënyrën e ushtrimit të pushtetit". Politikanët, elitat e ndryshme politike që janë me ketë regjim autoritar, por dhe që drejtojnë Institucionet shtetërore, janë me ideologji dogmatikë e totalitarë. Në sistemet autoritarizmit janë përfshirë të gjitha sistemet që nuk respektohet vullneti i popullit, por vetëm sistemi monokrati, diktatorial, komunist , totalitar etj, dhe kur pushteti është autoritarist pranon vetëm një ideologji të sundimtarit që qeveris, dhe obligon shoqërinë t'i nënshtrohet pushtetit. Në ketë sistem individi është sundimtarë dhe gëzon pushtet të lartë autoritativ i mveshur me pushtet të lartë ekzekutiv, gjyqësor dhe me atë mediatik etj. Ku në parim ka një ideologji shpirtërore propagandistike. Dhe me ketë pushtet individi kalon kufijtë dhe merr një autoritet më të lartë se sa ligji, ky është në parim i sistemit të autoritarizmit, kurse në sistemin demokratik është deformim dhe mbeturin e sistemit totalitar e fashist.
Dallimet në mes njerëzve që janë me autoritet të pushtetit dhe me autoritet të autoritarizmit, është se, pushteti autoritar mbështet në ligje dhe është nën ligjin, dhe bazohet dhe qeveris me koncepte të demokracisë dhe respekton parimet shoqërore, kurse në sistemin e Autoritarizmit individi është mbi ligjin dhe nuk respektohen normat shoqërore dhe as konceptet e demokracisë. "Pushteti autoritar dhe autoritarizmi me pushtet nuk është e njëjta gjë. Kur pushteti autoritar bazohet në ligj dhe në normat e njohura ndërkombëtare, si dhe shpreh e mbron të drejtat themelore të njeriut, ky pushtet është i pranueshëm dhe e mban shoqërinë të disiplinuar. Ky është autoritet racional, human i shtetit". Sot në media shihet se drejtuesit e Institucioneve të Kosovës nuk flasin me gjuhen demokratike, por më shumë me atë gjuhën e koncepteve të autoritarizmave, duke marrë si shembull diskutimin në parlamentin e Kosovës, ku shihet se disa ministra e zëvendësministra e disa deputet të pozitës dhe të opozitës diskutojnë sikur që Parlamenti, dhe institucionet tjera shtetërore të Kosovës janë pronë e tyre private, me një fjalorë të fyerjes, të akuzave pa baza dhe jo me kulturë politike, institucionale e demokratike dhe morale. Kurse në anën tjetër disa deputet, nuk flasin as njëherë, por vetëm janë për të votuar kurë kryeministri kërkon miratimin e ligjeve në parlament. Ky koncept politik duhet të ndryshon se është në përputhje me modelet e politikave të autoritarizmit, shkon në dëm të Institucioneve shtetërore dhe jep një imazh të keq Qeverisë.

Shoqëria post-totalitare
Institucionet e Republikës së Kosovës duhet të orientohen të japin përparësi, fjalës së lirë, të shprehjes, të japin medieve përparësi në transmetimin e çdo lajmeve konkrete, pa as një censurë mediatike, të instalojnë sistemin demokratik, ta krijon një traditë demokratike në institucionet e shtetit. Ne jemi një shoqëri post-totalitare, ende në fazën e tranzicionit që duhet të përqafojmë vlerat demokratike dhe integruese. Institucionet e Republikës së Kosovës, duhet të angazhohen që të plotësohen kushtet juridike, politike që ta kalojnë fazën e tranzicionit, siç po pretendohet me e përmbyll pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...