Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/04/19

Duam të jemi të njoftuar për të ardhmen pa hile




Shkruan:Shefik SHKODRA



Provokim pas provokimit


Serbia në mënyrë serike kryen veprime terroriste në terrenin e Kosovës. Pra, jemi në gjendje lufte. Kërkohet ndihma politike pa hile nga evropianët dhe vendet e tjera demokratike.
Incidentet e fundit dhe të parafundit e të gjitha të tjerat janë bërë nga serbët e Mitrovicës së veriut pa i penguar askush nga Kosova. As policia, as EULEX-i, as KFOR-i e as kurrfarë force që mund të ekzistojë në këtë vend. Asnjëherë. Dhe, po vazhdon që të mos pengohet askush. Kur bëhet vrasja e ndonjë shqiptari, atëherë fjalët për kriminelët serbë janë si nënë për ndonjë fëmijë të përkëdhelur, që të mos 'hidhërohet' shumë. Këto institucione jo që kanë bërë pengimin, por kanë qenë krejt formalitet në kundërshtim me parullat "Serbia po i ngacmon qytetarët shqiptarë", "sundimi i ligjit duhet të shtrihet në gjithë territorin tonë", "ne jemi fqinj, do t'i zgjidhim të gjitha problemet së bashku" etj., të gjitha këto thashetheme. Të gjitha fjali të përsëritura me vite. Asnjë mbrojtje, edhe pse kjo është ditur se çdo moment mund të vrasin shqiptarë në këto troje. Serbët sa herë që u frikësohet njeriu, ata janë të trimëruar dhe nuk kanë të ndalur. Këtë trimëri nuk e kanë krejt prej Serbisë.

Cili është fajtori për mosrehabilitim të deritashëm

Nëse Veriu i Mitrovicës është punë e kryer e qytetarët tanë nuk dinë gjë, atëherë duhet të kërkohen alternativa të tjera në dobi të zgjidhjes së problemit për territoret shqiptare. Nëse ka diçka që nuk duhet të thuhet publikisht, atëherë le të thuhet në mënyrë indirekte e mos të përsëriten fjalët që nuk do të dalin asnjëra reale nesër. Dhe nuk mund t'u thuash "incidente" vrasjeve të njerëzve. As kundërshtitë për mospranim të ligjit dhe kushtetutës, duke demoluar pikat që i vendos shteti për interesa shoqërore dhe mbrojtje të qytetarëve. Është faji i institucioneve të vendit, grupe interesi, apo pengesë e jashtme? Këtë çështje duhet ditur menjëherë. Do dikush që të tregtohet me këtë vend nga bota e jashtme, apo nuk është e drejtë e tyre për të intervenuar në momente të caktuara sipas marrëveshjeve dhe rezolutave. Sa i përket territoreve, nuk ka shqiptar, ose shumë pak ka që nuk është i njohur me çështje të kufijve të tokave shqiptare. Është dhënë kjo copë tokë më herët e që qytetarët tanë nuk e dinë fare, atëherë duhet të përgatitet opinioni kosovar dhe duhet kërkuar në ato bisedime (cilat do që të organizohen e sponsorizohen) mundësitë për t'u marrë vesh me alternativa tjera për kufijtë e Ballkanit. Më së shumti shqiptarët janë në humbje që nga luftërat e më hershme botërore. Këtë e dinë të gjithë në Evropë e botë. Dhe, sa është e rregulluar dhe e gatshme për integrim Kosova dhe territoret e tjera të shqiptarëve dhe sa ka mundësi që të bëhet integrimi pa pasoja të reja?! Këtë kemi pritur me vite e vite që njëherë e përgjithmonë të rregullohet e miratohet. Kanë vijuar edhe viktimizimet pas luftës, sigurisht duke pritur që dikush të dalë dhe të japë shenjën stop! Ndryshe, nuk mund të besohet se mund të mbyllen plagët e krijuara kaherë në mes shqiptarëve dhe serbëve. Nuk dua të them se është më keq se që ka qenë, por nuk është aspak në rregull pas gjithë atyre konflikteve dhe vrasjeve e dhunimeve që janë bërë te ne nga ana e qeverive serbe.
Nëse kjo çështje del se dikush e di çfarë duhet të jetë epilogu, qytetarët tanë nuk e dinë dhe do të duhej të jenë të përgatitur. Nuk dihet as çka është folur në marrëveshje të Kumanovës, as në kancelaritë evropiane në marrëveshje me Serbinë e atëhershme.

Serbia lejohet haptas të veprojë në kundërshtim me demokracinë

Shqiptarët kemi thënë se nuk janë iniciatorë për luftëra të sërishme. Mirëpo, kur ia ofron të gjitha të mirat dikujt dhe nuk dëshiron t'i pranojë ato të mira, veç dhunshëm duan ta uzurpojnë vendin, nuk ke ku të shkosh. Për këtë evropianët dhe aleatët tjerë të Kosovës duhet ta kenë të qartë. Nëse duhet të rregullohet çështja shqiptaro-serbe, duhet të reagohet me kohë. Jo, KFOR-i nuk përzihet këtu e aty, as EULEX-i nuk e ka në kompetencë këtë e atë, por mbrojtjen e serbëve shumë mirë e bëjnë. Bile edhe intervenohet që të mos bëhen protesta nga ana e shqiptarëve. Këta njerëz këtu jetojnë për mrekulli. Sigurisht, edhe me ndonjë grup brenda vendit që të mos u prishet rehatia. Tingëllojnë si të paqarta, kur u ndalohet rruga nga serbët këtyre evropianëve që shërbejnë në Kosovë. Nuk mundesh ndryshe të mendosh, pos një marrëveshje që nuk e dinë të tjerët në këtë vend. Kush është ky grup i serbëve që duhet të jenë strumbullar i krejt rehatisë në Ballkan? Pra, ky grup është Serbia, të cilën e ka lejuar Evropa dhe po e lejon deri në atë masë, sa njerëzit tanë nuk dinë si të gjenden në situatë. Pse është pra, ELEX-i këtu? Çka shërbejnë në të mirë të Kosovës? Pse merren me çështje të dorës së dytë, kur mbetet puna kryesore pa u krye dhe gjithnjë duket se duhet t'u uzurpohet e drejta shqiptarëve. Madje, të burgosen për çështje që nuk është koha. Mundet të korrigjohen njerëzit në kriminalitet dhe korrupsion, të gjykohen dhe të ndalohen, sepse është ndihmë e këtij vendi, por jo të merren me ato që i ka kryer njëherë GjN i Hagës. Që të gjitha këto pështjellohen dhe ua zënë frymën ecjeve të para.

Mobilizimi i qytetarëve për vetëmbrojtje

"Për mbrojtjen e pragut" nga vetë qytetarët sigurisht që është një alternativë, po jo tash, kur kemi institucione. Sigurisht, disi duhet bërë diçka, por është menduar në institucionet e vendit. Ka mundur të bëhet shumë më herët. Të mos u lihet hapësirë këtyre grupeve kriminale. Dikush del fajtor edhe këtu. Kush ka bërë tregti (nëse ka bërë) me këto grupe kriminale serbe, në rrugë ilegale. Pra, që në fillim është dashur që të ndihmohen e të mbrohen me çdo kusht qytetarët shqiptarë. Është dashur më në fund edhe të mobilizohen e të vetëmbrohen para pesë-gjashtë viteve. Është dashur të mobilizohet edhe policia më vonë, por edhe të gjithë qytetarët e vendit. Dhe, nëse nuk lejohet, atëherë është dashur të kërkohet të mbrohet prej KFOR-it dhe EULEX-it. Dikush është dashur të ndërmarrë diç, nëse vërtet nuk ka diçka që po viktimizojmë pa kurrfarë vlere.
Nuk është e drejtë të thuhet qëndroni se do t'i zëmë kriminelët ndonjëherë, ju vdisni njëherë. S'ka dert. Ju bëhuni 'kurban' të këtij vendi. Mirë, nëse dikush ka shkuar si viktimë e rasteve dhe e vendit, kjo nuk do të thotë se kalon në një rutinë dhe përsëritje palestineze.

Shqiptarët gjithqysh nuk janë pa faj. Nuk e kanë marrë të gjithë seriozisht. Vrapi i një pjese të madhe tyre ka qenë te korrupsioni dhe kriminalitetit. Te pasurimi i shpejt dhe i paligjshëm. Sa zyrtarë po paraqiten çdo ditë se e kanë humbur shuma të ndryshme të pasurisë së këtij vendi. Herë-herë është dukur si gara në mes veti, kush bën më shumë kushte e të mira materiale për vete dhe rrethi. Njerëzit e jashtëm këtë e shohin më mirë se qytetarët shqiptarë në Kosovë. Në vend se të organizohen ato të mira për qytetarët, të krijohen strategji për çdo rast dhe moment të papritur në pikëpamje politike.

Deri kur kështu servil, o popull?!




Shkruan:Adnan Abrashi


"Jakup Krasniqi vetëm rrinte dhe me dorë e fërkonte gojën. Ismet Beqiri vazhdimisht ka lëvizur. Adrian Gjini (AAK) e mbante kokën ulur dhe me duar e shtypte kokën. Adem Grabovci (PDK) vazhdimisht i shikonte me një buzëqeshje përfaqësuesit e opozitës, duke i injoruar". Ismet Beqiri (LDK) i tha Adem Grabovcit se nuk është mirë të na i gjuani amerikanët në qafë. Xhavit Haliti (PDK) thoshte se është mirë që këtu janë edhe përfaqësuesit e "Vetëvendosjes", që ta shohin edhe këta se çka është presioni", janë këto disa nga pasuset e cituara nga një gazetë e jona ditore, të bartura gati në të gjitha portalet informative shqiptare në internet dhe më gjerë. Ngjarja e asaj situate aq poshtëruese, përulëse, tragjike, të pamoralshme dhe joparimore e përzgjedhësve tanë të popullit para presioni të një diplomatit të huaj, e përshkruar aty, fatkeqësisht, nga shumëkush, ishte kuptuar si një dukuri tanimë e ditur dhe e zakonshme e sjelljeje së elitës sonë politike në raport me ndërkombëtarët. Konkretisht, fjala është për atë takim të jashtëzakonshëm dhe skandaloz, në mes të Kryesisë së Parlamenti të Kosovës dhe përfaqësueseve të grupeve parlamentare të subjekteve politike, pasi që LDK-ja, VV-ja dhe AAK-ja, të pakënaqur me futjen për aprovim si rend dite të disa ligjeve të papranueshme, kishin bojkotuar pjesëmarrjen në seancat e ardhshme të Parlamentit (derisa këto ligje të hiqen nga rendi i ditës për aprovim). Ky bojkot, fillimisht pati sukses. Rezultatet e para të presionit dhanë fryte. Për shkak të mosekzistimit të kuorumit të duhur, pozita nuk ishte në gjendje të vazhdojë më tutje me aprovimin e këtyre ligjeve kontestuese.

Më pas, dihet se çka ndodhi! Pas gjithë kësaj situate tragjikomike të asaj dite të kobshme dhe rrënuese për demokracinë edhe ashtu të dyshimtë kosovare, LDK-ja dhe AAK-ja, më parë unike në kundërshtim, duke u kthyer në Parlament, u mposhtën lehtë nga ky presion paprecedent i një përfaqësuesi ndërkombëtar, apo sikur ne parapëlqejmë t'i quajmë ata me atë shabllon - zhargon grotesk - "miku ndërkombëtar". Sipas bindjes sime, ky gjest i këtyre dy partive tona opozitare, nuk ka se si të qortohet ndryshe, veçse me fjalën TURP! Turp për këta të përzgjedhurit me votën e lirë të popullit.
Nga ana tjetër, përballë këtij veprimi përulës ndaj presionit ndërkombëtar të këtyre dy partive opozitare të asaj dite, kishte edhe diçka të këndshme. Për një lexues të zakonshëm dhe neutral, sa reflektonte krenari dhe dinjitet ajo pjesa e fundit e atij lajmi me një përmbarim kështu: "...një pjesëmarrës i emocionuar nga atmosfera e pakëndshme që ishte krijuar në atë takim (duke pretenduar të jetë anonim) kishte deklaruar kështu: "për herë të parë në jetë kam lakmuar që të jem në vend të anëtarëve të lëvizjes "Vetëvendosje", të cilët nuk janë frikësuar nga amerikani (ndërkombëtari)".

Shpresa për një brez tëpolitikanëve të rinj që po krijohet

Edhe pse, sado-kudo, në analizat e mia të gjertanishme, përherë kujdesesha të jam sa më neutral dhe sa më pak të jap shkas për ndonjë dyshim të mundshëm rreth animit tim kah ndonjë subjekt politik, qëndrimi gjithnjë konsekuent dhe i palëkundur i përfaqësuesve të lëvizjes "Vetëvendosje", e veçanërisht të treguar në atë takimin e cekur, më bëri optimist dhe entuziast se diçka pozitive po lëviz për të mirë në këtë drejtim. Shpresa për një brez të politikanëve të rinj që po krijohet po forcohet. Do të jetë pra ky një brez i ri, i cili patjetër me kohë do t'i neutralizojë këto dhe shumë të këqijat tjera të papranueshëm të mentalitetit tonë politik të instaluar si shprehi dhe të formësuar gjatë si nënshtruese ndaj të huajve.

Edhe pse ndonjëherë ne nuk shohim, apo qëllimisht bëhemi të verbër para kësaj të vërtete, ky brez i ri në krijim, moti po na FTON të kemi vetëbesimin dhe të jemi të sigurt në vete; kaherë ajo po apelon që si popull të jemi përherë ballëlartë, krenarë, të pamposhtur, duke u mbështetur kryesisht në forcat dhe inteligjencën tonë të pashtershme kombëtare; moti ajo zëshëm po trumbeton se pa ushtruar ta duash veten nuk mund të jesh i sinqertë në dashurinë e treguar ndaj të tjerëve...se miqtë tanë ndërkombëtarë janë vërtet miq, por njëkohësisht ata janë edhe miq të armiqve tanë... Mbase, këto dhe shumë të vërteta tjera, ne ia kemi nisur t'i kuptojmë nga pak, tek tani.
Ani! Kurrë nuk është vonë...!

E vërteta, para hunde

E kam cituar shpesh në artikujt e mi këtë urtësi të Ajnshtajnit gjenial, kështu që, besoj se nuk do të jetë e tepërt që edhe me këtë rast ta përsëris atë: "Kjo botë nuk është e keqe pse në të ka njerëz të këqij, por pikërisht për shkak të neve të mirëve, të cilët nuk ndërmarrim asgjë ndaj atyre". Andaj, pas gjithë kësaj maskarade që përgjithësisht po ndodh me mentalitetin tonë të ultë moral-politik në Kosovë, me ëndje në vazhdim do ta shpalos një "mesele", e cila, figurativisht si porosi, aspak nuk i dedikohet elitës sonë aktuale politike, por popullit të Kosovës, apo qytetarëve të zakonshëm të saj:
"Në kërkim të së vërtetës, jam i gatshëm të nisem kudo qoftë ajo", i tha një ditë nxënësi mësuesit të vet shpirtëror.
Kjo vendosmëri e vartësit të tij iu duk interesante mësuesit dhe e pyeti:

"E kur ke ndërmend të nisesh në këtë rrugë"?

"Menjëherë, sapo të më tregosh se kah duhet të shkoj".

" Propozoj të nisesh në drejtim të hundës sate".

"Dakord! - pajtohet i entuziazmuar nxënësi. - "Por, nuk më the ku duhet të ndalem"?


"Ku të duash vetë".

"Dhe...a do të jetë sigurisht aty e vërteta e kërkuar? - e pyet sërish nxënësi kureshtar mësuesin. - Patjetër! - Gjegjet me buzëqeshje mësuesi. "Ajo do të jetë aty! Saktësisht para hundës sate dhe përball syve tu, që nuk shohin asgjë".

Kriminaliteti i Serbisë ndaj Kosovës




Shkruan:Mr. Bislim ALIU

Pa dyshim, arrestimi i dy shqiptarëve nga Kosova para do ditësh dhe sidomos ky i fundit, kur u arrestuan dy policë në territorin e Kosovës, është një akt kriminal që Serbia vazhdon t’ia bëjë shtetit të Kosovës dhe institucioneve të saj. Zaten ky skenar i përgatitur nga ”djali” i Milosheviqit [I.D.] është arrogancë i skajshëm i llojit të vet. Dhe, sigurisht, atë që e pamë në televizionet tona dhe fotografitë e treguara nga MUP-i serb, është e palogjikshme dhe fare nuk do koment. Është, pra, një dhembje shpirtërore dhe besa një nënçmim brutal dhe hezitim jashtë logjikës njerëzore.
Jemi mësuar, tashmë, që sa vite e vite kur Serbia ka bërë çdo gjë ndaj shqiptarëve. Pra, t’i përndjekë, të burgosë e të vrasë, kur të dojë e ku të dojë. Dhe, për shumë vjet këto ”gazepe”, asnjëherë nuk na u hoqën. E, ne qëndruam stabil dhe do të qëndrojmë gjithherë kështu.
Edhe tani Serbia po vazhdon avazin e vjetër dhe mentalitetin primitivë. Ajo, zaten, ”qimen e ndërron, por zanatin asnjëherë nuk e harron”.
Dhe, sidoqoftë dhe ngado që ta marrish, fotografitë e treguara nga MUP-i serb, flet qartë për dështimin e Policisë së Kosovës, për ta ruajtur kufirin e saj dhe sovranitetin e shtetit. E, besa, flet edhe për dështimin e misioneve ndërkombëtare; KFOR-it dhe EULEX-it në ruajtjen e kufirit shtetëror.
Institucionet tona, s’do mend se reaguan me ashpërsi për arrestimin e dy policëve. Ato, më tepër reaguan dhe konstatuan, e fare nuk vepruan. Pra, jemi mësuar dhe na u ka mbushur koka me konstatime, kryesisht shterpe. Mendoj se veprimet e fundit të Serbisë kërkojnë përgjigje politike , vendore e ndërkombëtare.
Serbia, me gjithë mend, Kosovën po e nënçmon dhe po e anashkalon. Dhe, po bën edhe veprime mafioze. E, ne, përkundër kësaj, po e ledhatojmë, duke ua blerë mallrat dhe po bëjmë biznes me të. Po negociojmë duke nënshkrua marrëveshje, e ato asnjëherë ndoshta edhe nuk do të realizohen.

Vetëm deklarimet nuk janë masa konkrete për mbrojtjen e shtetit
Zaten, po e marrim me të mirë dhe po i nënshtrohemi asaj. Po e fusim fusnotën duke e mënjanuar pavarësinë dhe po deklarohemi shpeshherë, se Serbia me këtë fusnotë na e ka njohur pavarësinë e shtetit! Pra, po deklarohemi vazhdimisht si shtet, e në praktikë nuk po veprojmë si shtet.
Pa dyshim shteti do veprim dhe këmbëngulësi, ligjore e njerëzore, në mbrojtjen e sovranitetit. Dhe, gjithsesi, do kushtetutshmëri dhe ligjshmëri. Dhe, fatkeqësisht, kjo po na mungon dhe po na mungon.
Zaten, jemi mësuar tashmë, që institucionet tona, vetëm të japin deklarata dhe të bëjnë konstatime për ndonjë veprim të Serbisë. Dhe, jemi mësuar që të kërkojmë ”lëmosh” nga Brukseli e ndërkombëtarët. Me deklarime e me konstatime nuk mbrohet shteti. Shteti mbrohet me veprime. Kosovës, pra, po i mungon vizioni i qartë për zgjidhjen e problemeve me Serbinë. Nëse jemi shtet nuk duhet kërkuar mëshirë, as nga ndërkombëtarët dhe as nga Serbia.
Dihet mirëfilli se që 4 vjet, pas shpalljes së pavarësisë, Kosova nuk ka veprua si shtet. E, plot gojën e kemi shtetësi, e në realitet na mungon veprimi për mbrojtjen e kësaj shtetësie. Pra, na mungon dashuria për shtet.
Ndoshta, më në fund u mbushëm mend, kur i pamë këto fotografi të MUP-it serb për arrestimin e dy policëve të Kosovës. Apo, ndoshta, ka ardhur koha, që dikush të japë përgjegjësi institucionale për këtë veprim kriminal. Apo, politikanët tanë janë mësuar që paaftësinë e vet ta mbrojnë vetëm me deklarata.

Ta harrojmë xhelozinë individuale dhe partiake
Tani, kemi ardhur në një moment, jashtëzakonisht të vështirë. Në një moment degradues dhe nënçmues. Ky degradim shtetëror dhe funksional, nuk duhet ta mbrojmë vetëm me deklarime teorike, por me veprime konkrete.
Ka ardhur koha, që të mendojmë seriozisht dhe të veprojmë me sinqeritet. Serbinë, asnjëherë nuk do ta frikësojmë me konstatime e deklarata, por vetëm me veprime konkrete.
S’do mend se shtetin do ta mbroj uniteti dhe vetëm uniteti. Uniteti partiak dhe institucional. Dhe, të gjithë së bashku ta mbrojmë këtë shtet dhe vend të shenjtë. Dhe, ka ardhur koha, që t’i mënjanojmë ndasitë dhe t’i harrojmë përçarjet në mes veti. Ta harrojmë xhelozinë individuale dhe partiake. Është momenti i fundit që ta ofrojmë bashkëpunimin dhe ta zhvillojmë dashurinë në mes vete dhe për shtetin. E, shteti do dashuri dhe sinqeritet njerëzor e institucional.
Andaj, kidnapimi i dy policëve të Kosovës në territorin e saj, na preku thellë. Zaten, këtë akt kriminal të Serbisë duhet ta marrim shumë seriozisht. E, nëse e anashkalojmë dhe nuk e marrim me sinqeritet, po supozoj dhe, besa, po frikësohem se në të ardhmen Serbia do të vijë edhe në qendër të Podujevës dhe do të na kidnapojë dhe do të na dënojë, siç di ajo, për nacionalizëm, irredentizëm, secesionizëm, e çka jo tjetër.
Pra, t’i çelim sytë dhe të veprojmë me sinqeritet e me njerëzi për këtë shtetësi.

Politika kosovare, e vonuar




Shkruan: Arlind A. Bajra

Fillet e politikës kosovare, rrënjët e së cilës na shfaqen aty diku në vitet 90-ta, kanë pasur një domethënie të posaçme jo vetëm për ngjarjet dhe zhvillimet politike të asaj kohe, por edhe për zhvillimet dhe proceset e ardhshme politike që do të krijoheshin në vazhdimësi me rrjedhën e kohës, e që do të përcilleshin me shumë “furtuna” e oscilime dhe të cilat në njëfarë mënyre sfiduan sistemin më të egër që njeh historia jonë, atë të regjimit serb. Që nga ajo periudhë e gjerë më sot, ka pasur lëkundje të herëpashershme politike, duke bërë kështu që të ketë edhe lëkundje në sferën ekonomike, kulturore e sociale, lëkundje këto të cilat kishin ndikuar në kufizimin e të drejtave të qytetarëve kosovarë. Ishte ndier nevoja e formimit të një konglomerati idesh të bashkërenduara me një strategji ushtarake në kontekstin e ballafaqimit me realitetin e hidhur që mbizotëronte në atë kohë për të promovuar faktin që do ta justifikonte dhe legjitimonte të vërtetën e kthyer mbrapsht si pasojë e etnocentrizmit serb.

Rruga deri te shteti, me sakrifica

Me gjithë çarjet e thella që ndodhën në politikën kosovare gjatë këtyre viteve, në rrugën e formimit të strukturës së shtetit kosovar, më në fund përsiatjet për një gjë të tillë ia dolën ta jetësojnë idealin e kamotshëm të shtetbërjes me shpalljen e Kosovës shtet i pavarur. Domethënien e kësaj rruge të zgjatur e përplot sakrifica, për të ardhur deri këtu ku jemi sot, mund ta kuptojmë vetëm duke i dhënë kuptim këtij shteti nga kujtimi që ne kemi për vlerat morale, intelektuale e kombëtare të brezave të tërë që këta i dhanë në drejtim të faktorizimit të çështjes së Kosovës nëpërmjet Diplomacisë Ndërkombëtare dhe luftës çlirimtare të Kosovës, për inicimin e largimit të Serbisë nga “supet” e Kosovës, ku një gjë e tillë e bëri edhe më të suksesshëm kanalizimin e veprimtarisë diplomatike e ushtarake, me qëllim që kosovarët dhe Kosova të mos mbeteshin nën rrezikun e një katastrofe të rëndë humane që do të mund të ndodhte për tërë popullatën. Derisa sot kemi ndryshim të rrjedhave dhe proceseve politike kosovare, e të cilat po tregojnë efikasitet të dobët në aspektin e modernizimit politik të shoqërisë po lënë të kuptojmë se aktualisht kjo politikë ka mbetur pothuajse e konsumuar brenda margjinave të saj dhe njëkohësisht është duke shfaqur impotencë në kuptimin e konsolidimit të institucioneve në tërë territorin e vendit. Politika kosovare, relativisht e re edhe si koncept, por edhe si një lloj “pushteti shtetëror”, shënon kështu një periudhë të re në historinë e ndryshimeve të vendit, e cila, për fat të keq, nuk po arrin progres, ose më mirë me thënë po mbetet e vonuar. Shumë probleme të pasluftës, të cilat janë të lidhura ngushtë me jetën e përditshme të qytetarëve në përgjithësi, janë të lidhura me dështimin e veprimeve politike në mënyrë të duhur dhe racionale. Në përgjithësi kjo politikëbërje po i thellon problemet në shoqërinë tonë dhe po e rrezikon kohezionin social të vendit, duke mbetur kështu në sipërfaqe një varg çështjesh të rëndësishme pa u zgjedhur. Kur them kjo politikë e kam fjalën për moskoordinimin e përbashkët politik ndërmjet pozitës dhe opozitës tash e sa vjet, duke mbetur e copëtuar madje edhe dominuar nga shfrytëzimi për pazarllëqe të nivelit më të ulët, me gjithë faktin se ka edhe të tillë që edhe prej njërës edhe prej tjetrës punojnë me përkushtim për avancimin e politikës kosovare për një të ardhme më të mirë për vendin tonë, po që këta individë janë të rrallë, për të mos thënë fare.

Sfidat e shumtatë politikës kosovare

Politika kosovare aktualisht gjendet para sfidave të shumta, tejkalimi i të cilave kërkon resurse njerëzore, materiale e morale dhe potencial të mjaftueshëm strategjiko-politik në kërkim të asaj se çfarë mund t’i bëjë qytetarët e këtij vendi me një standard të të jetuarit mirë dhe që të krenohen me vendin e tyre ku ata jetojnë e punojnë. Problemet reale, me të cilat ata ballafaqohen nga dita në ditë, diktojnë një shqetësim të rëndë për të ardhmen e vendit dhe të nesërmen e tyre se gjendja mund të bëhet akoma edhe më keq nëse nuk u kushtohet vëmendje urgjente zgjidhjes së problemeve të tilla, të cilat po e kthejnë jetesën e qytetarëve të këtij vendi dhe të kësaj shoqërie në një makth. Me gjithë këto vite rrugëtim të tranzicionit politik, tradita politike kosovare nuk ka sjellë ndonjë risi në kuptimin e reformimit dhe për vite po tregon se është e paaftë që ta kapërcejë këtë çrregullim në kuptimin e mosnormalizimit të jetës ekonomiko-shoqërore, si dhe në kuptimin e një kaosi që do të mund ta karakterizojë këtë vend nëse vazhdohet me këtë trend të moszhvillimit për t’i dhënë kuptim më të mirë këtij shteti, gjegjësisht për t’i inkurajuar qytetarët e saj për perspektivën reale që do t’ua ofronte atyre. Në të vërtetë, ky cikël apo “zinxhir” i problemeve po bëhet edhe më i komplikuar kur ato sa vijnë e shtohen, duke u fragmentuar në probleme politike, ekonomike, sociale e çka jo tjetër. Thënë më qartë kosovarët me gjithë faktin e kapërcimit të periudhave të vështira historike kanë mbetur të vonuar në arritjen e identitetit të përbashkët evropian, pikërisht si rezultat i stagnimit dhe mosshkuarjes para në shumë segmente, që lidhen kryekëput me organizimin dhe zhvillimin politik.

Një plan për dalje nga kriza në veri




Shkruan:Ardian ZEJNAJ

Pasi ishte zgjedhur shef i Qeverisë izrealite (në vitin 1996), Benjamin Netanjahu e viziton SHBA-në, për të takuar presidentin Bill Klinton, me të cilin do të diskutonin për situatën në Lindjen e Mesme. Mirëpo, që në takimin e parë thuhet se kryeministri izrealit e kishte luajtur mendsh presidentin Klinton, çka e kishte detyruar këtë të fundit t'i bërtas, duke iu drejtuar me fjalët: "Kush dreqin është superfuqia në këtë mes"?
Një luajtje mendsh tash e trembëdhjetë vjet po i bëhet edhe qytetarit të Kosovës. Ai ka të drejtë të pyes, ngjashëm si ish-presidenti Klinton, se "kush dreqin është superfuqia në këtë mes"? A janë institucionet e Kosovës, është Serbia, ambasadat perëndimore, zyrat politike evropiane, KFOR-i, EULEX-i apo të gjithë dhe askush?
Ky mish-mash ta turbullon shikimin e realitetit, sapo sheh skenat që ndodhin në veri të Kosovës! Në këtë pjesë të Kosovës shohim të luhet një "serial" filmik ku "aktorë" janë shumë palë, por që luajnë në periudha të ndryshme, dikush ditën (Policia e Kosovës), dikush natën (strukturat e Qeverisë së Serbisë), dikush në kufi (KFOR-i), një tjetër në mes të urës (EULEX-i), por që nuk ka një hero të qartë!
Tri ngjarje të ndodhura në këtë pjesë të Kosovës dy ditë pas sulmit te Tre Rrokaqiejt, (nga i cili sulm mbeti i vrarë në banesën e tij shqiptari Selver Haradinaj), na vërtetojnë "luftën" e këtyre "aktorëve" për ta marrë primatin e "superfuqisë" në veri. Këto skena po përdhosin gjithë sistemin politik dhe të sigurisë që është ndërtuar nga paslufta, madje edhe pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.
E para, ku serbët e pjesës veriore për pesë minuta e shkatërrojnë objektin ku do të duhej të vendosej Policia e Kosovës për t'u ofruar siguri banorëve të asaj zone! Kjo skenë, ku shihet e mundur dhe e poshtëruar Policia e Kosovës përballë strukturave shtetërore të Serbisë (që funksionon në veri pa uniforma), tregon se Serbia është një nga pretendentët për ta marrë fronin e "superfuqisë" në atë pjesë!
E dyta, ku Policia Speciale e EULEX-it vendoset mbi urën e Lumit Ibër, pa njoftuar dhe pyetur askënd, madje as Policinë e Kosovës! Me këtë veprim edhe EULEX-i dëshiron të dëshmohet si konkurrent i fortë në këtë "luftë" për fronin e "superfuqisë", dhe atë jo vetëm në veri!
E treta, kur në natën ndërmjet së enjtes dhe të premtes (12 e 13 prill), forcat e KFOR-it vendosin nën vëzhgim bazën e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës (ROSU) për Regjionin e Mitrovicës. Mbase KFOR-i nëpërmjet këtij veprimi dërgoi sinjale të qarta se është ai që vendos për të gjitha gjërat në veri të Kosovës dhe se nuk do të lejojë asnjërën palë ta marrë primatin e "superfuqisë"! Megjithatë, as KFOR-it nuk po i ndihmon gjithë ajo makineri dhe potenciali luftarak që të dëshmohet si determinues i zgjidhjes së problemit!
Këtyre tre "aktorëve" duhet shtuar edhe po kaq që gjithashtu po "luajnë" në regji të Serbisë për veriun. Është qeveria e Kosovës, e cila më 25 korrik 2011 provoi ta marrë primatin e "superfuqisë" në veri, por që dështoi ende pa e nisur mirë aksionin. Ky dështim, përveç që e ka nxjerr Qeverinë e Kosovës nga gara për titull, i ka përkeqësuar edhe më shumë punët atje. Krejt çka i ka mbetur tani në dorë Qeverisë së Hashim Thaçit (pas 25 korrikut 2011), është fjalori patriotik. Kjo na dëshmon se janë amerikanët ata që realisht në fund shpallen hero, të cilët r kanë edhe ndihmën e "shkopit dhe karotës" evropiane, sa herë që ngrehin kokën lart institucionet, partitë dhe politikanët kosovarë.
Kjo gjendje rreth dhe për veriun e Kosovës do të vazhdojë edhe gjatë ditëve, javëve dhe muajve të ardhshëm, derisa nuk do të gjendet një zgjidhje. Një zgjidhje që nuk do të tejkalonte fuqinë apo kapacitetin e asnjërës palë, ashtu siç nuk do të duhej as t'i nënçmonte tërësisht kërkesat e tyre. Kjo, sepse çështja që është dhe do të jetë mbi tryezën e negociatave (sovraniteti dhe kontrolli mbi veriun e Kosovës), "prek thelbin e identitetit politik" të shqiptarëve shumicë dhe "mbijetesën fizike" të serbëve pakicë. Kështu që zgjidhja duhet kërkuar brenda kornizës që mbron identitetin politik të shumicës shqiptare (pavarësinë e Kosovës) dhe sigurimin e mbijetesës së pakicave (veçanërisht asaj serbe), brenda kësaj pavarësie.
Kjo nuk do të jetë e lehtë të arrihet, aq më pak kur Kosovës i mungon një udhëheqje e fortë institucionale, me legjitimitet dhe kontroll mbi veprimet politike që do të rezultonin me arritjen e një marrëveshjeje të suksesshme. Kjo për shkak se në krye të vendit e kemi një kryeministër dhe një Qeveri që shihet me dyshim nga shumë anë; një presidente që nuk po arrin të dëshmojë kapacitet politik dhe intelektual të të notuarit nëpër ujërat e turbullta të politikës ballkanike; një Parlament me deputetë kukulla që dirigjohen nga jashtë sallës; një opozitë të çakorduar dhe frustruar; si dhe një shoqëri të dëshpëruar dhe injorante ndaj zhvillimeve politike dhe të sigurisë që ndodhin brenda dhe rreth saj.
Prandaj, institucionet e Kosovës duhet që sa më parë ta hartojnë një plan për dalje nga kriza në veri, e cila po përdoret nga të gjitha palët për manipulim politik. Nëse institucionet e Kosovës nuk do të jenë në gjendje që të ofrojnë zgjidhje, ajo do të na imponohet shpejt dhe në disfavorin tonë. Kjo edhe për shkak të tre faktorëve: neglizhencës dhe padijenisë së Qeverisë së Kosovës; imponimit të gjërave nga Serbia nëpërmjet dhunës, vrasjeve dhe mbajtjes në tension të situatës; si dhe insistimit të udhëheqjes së NATO-s dhe KFOR-it për të gjetur një zgjidhje politike për veriun e Kosovës. E derisa zgjidhja nuk po ofrohet nga institucionet e Kosovës apo nuk po na imponohet nga jashtë, qytetari i Kosovës po vazhdon ta tundojë veten e tij për ta gjetur përgjigjen e dilemës se: "Kush dreqin është superfuqia në këtë mes"?

Ballkani i ngarkuar me nacionalizma



Shkruan:Mr. sc. Halim EMËRLLAHU, sociolog

Të gjithë popujt e botës janë të ndarë në kombe-shtete. Popujt, etnitë, racat, kombet, dhe shtetet kanë kultura të ndryshme, besime të ndryshme fetare dhe ceremoni të tjera shoqërore e shtetërore që dallohen në mes vete. Për të pasur kombet shtetin e tyre, është dashur ta ndjekin rrugën e nacionalizmit, pasi ka ndodhur t'u jetë mohuar vullneti, liria dhe e drejta e vetëvendosjes. Autori i njohur, Ernest Gellner, për nacionalizmin thotë: "Nacionalizmi në thelb është parim politik, i cili konsiderohet që njësia politike dhe ajo kombëtare duhet të përputhen". Megjithëse nacionalizmi është një teori që u përmbahet ideve të ndryshme, ku të gjitha kombeve u takon e drejta për vetëvendosje dhe kjo e drejtë e kërkon shtetin. Sipas Michael Ignatieff, "nacionalizmi është një doktrinë që u përmbahet ideve, (1) se popujt e botës janë të ndarë në kombe, (2) se këto kombe duhet të kenë të drejtën e vetëvendosjes, dhe (3) se vetëvendosja e plotë kërkon shtetin". "Nacionalizmi (nationalism) - ndjenjë, aspiratë dhe ndërgjegje, janë tema që i aplikohen asaj çka përbën nacionalizmi, ose vlerësimi i shtetit-komb përmbi gjithçka. Ndërkaq, ai nënkupton po ashtu disa pohime mbi vullnetin për vetëvendosje, mbi ekzistencën dhe madje të mirën e diversitetit, mbi epërsinë e shtetit sovran ndaj formave të tjera të sundimit, si dhe mbi karakterin qendror të besnikërisë kombëtare ndaj pushtetit politik, si formë themelore e legjitimimit". Shumë prej etnive, kombeve që kanë qenë të pafuqishme dhe pa mbështetje për ta shprehur vullnetin e lirë për mes të drejtës së vetëvendosjes, në mënyrë për ta fituar shtetin, për ta ndërtuar shtetin dhe për të pasur shkëputje nga një komb apo nga një shteti tjetër, është dashur ta ndjekin rrugën e nacionalizimit, për ta fituar lirinë dhe shtetin.

Koncepti i nacionalizmit
Nacionalizmi i ka idealet e veta që kombet përmes nacionalizmit kanë pasur ndryshime dhe kanë arritur ta fitojnë shtetin e tyre dhe të jenë të pavarur nga shtetet e tjera që kanë qenë kolonializuese. Këto janë idealet morale të nacionalizimit, ku shtetet, kombet, janë organizuar dhe kanë sakrifikuar në emër të nacionalizmit, për të luftuar dhe për t'u mbrojtur nga shtetet kolonialiste. Madje, përmes nacionalizmit, shumë kombe e shtete janë zhvilluar dhe kanë përqafuar vlerat moderne dhe në drejtim kanë bërë edhe reforma institucionale. Nacionalizmi, përveç që ka arritur të bëjë ndryshime të mëdha në shumë shtete, ka lënë edhe pasoja të mëdha, që ka qenë si një armë shkatërruese, duke shkaktuar gjakderdhje dhe shkatërrime të mëdha materiale në shumë shtete. Nacionalizmi është shumë ngushtë i lidhur me kombin, sidomos që nga shekulli XVIII, që është përhapur e përqafuar nga kombet e ndryshme. Nacionalizimi "zanafillën dhe ngritjen i ka në Evropë, bashkë me shtetin modern". Koncepti i nacionalizmit është para se gjithash dashuri ndaj kombit, dashuri ndaj atdheut, ku njerëzit lidhen në mes vete, për mbrojtjen e kombit, shtetit, gjuhës, territorit etj. Përmes nacionalizmit bëhet përpjekje për t'u çliruar nga hegjemonistet, për ta bërë shtetin dhe kulturën e tyre sovrane dhe për ta mbrojtur politikën e shtetit. Luftërat e zhvilluara në Ballkan, të nxitura nga hegjemonizmi serbomadh si në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë, i shtyri kombet e këtyre vendeve të luftojnë për të mbrojtur identitetin e vet etnik, që këto kombe të luftojnë për ta fituar lirinë, shtetin nga pretendimet kolonializuese të shtetit serb.
Ka shumë lloje të nacionalizmit, si: 1. Nacionalizmi etnik, njerëzit fillojnë t'i ndajnë në bazë të gjenezës, sepse kanë prejardhje të përbashkët dhe kulturën e përbashkët dhe janë në mbrojtje të etnisë etj. "Nacionalizmi etnik, që njerëzit i ndan sipas gjenezës së tyre, sipas gjakut, formë kjo që vë shenjë barazimi mes popullit dhe shtetit kombëtar. 2. Nacionalizmi social, nuk bën identifikimin përkatësisë racore, por vetëm atë kulturore etj. "Nacionalizmi social nuk e thekson përkatësinë racore, por atë kulturore si p.sh. ndjeshmërinë gjuhësore dhe të traditave. 3. Nacionalizmi zyrtar, është i bazuar në atdhe, në ruajtjen e territorit, ku mbron shtetin dhe është në kontekstin e qytetarisë, dhe nuk shikon përkatësinë e etnicitetit etj. "Nacionalizmi zyrtar, që bazohet në atdhedashuri, nënkupton nacionalizmin shtetëror të organizuar në kontekstin e të drejtës së qytetarit dhe që nuk shikon etnicitetin, përkatësinë kombëtare ose tiparet kulturore.

4. Nacionalizmi kulturor, mbron trashëgiminë kulturore në mënyrë të përbashkët. "Nacionalizmi kulturor (cultural nationalism), sipas Nielsenit, është antipod i nacionalizmit etnik, në kuptimin se kombi përcaktohet jo nga etniciteti, e as për nga institucionet, por në bazë të kulturës së përbashkët (të trashëguar)". 5. Nacionalizmi paskolonial, ky nacionalizëm është i lidhur me idetë që janë shfaqur me lëvizjet nacionaliste, në shumë shtete të Botës dhe të Evropës, që ishin të kolonjalizuara, dhe ka shkaktuar politikat hegjemoniste, imperialiste, që shumë shtete kanë qenë të poshtuar dhe në drejtim të ndërtimit të shtetit kombëtar."Nacionalizmi paskolonial (postcolonial nationalism)- formë e nacionalizmit që lidhet me idetë dhe lëvizjet nacionaliste të shfaqura në botën e kolonjalizuar nga vendet evropiane (Azia, Afrika, Lindja e Largët etj)". 6. Nacionalizmi paskomunist, pas rënies së këtij sistemi është ngjallja e ndjenjave te njerëzit për çështjen kombëtare dhe kundër këtij sistemi politik, që ishte një regjim, që nuk është respektuar vullneti i popullit. "Nacionalizmi paskomunist (postcommunist) - fenomen i ngjalljes së ndjenjave kombëtare dhe i ekstremizmave nacionaliste pas rënies së sistemit komunist, gjegjësisht në periudhën paskomuniste, të cilën Habermasi e quan "revolucion kompensues", nacionalizmi si vatër e rezistencës, teori e "ngritjes së thellë". 7. Nacionalizmi i bardhë, mbron identitetin e racës së bardhë dhe insistojnë të dominojnë dhe luftojnë, të jetë një vend apo shtet me një racë të bardhë. Dhe, ky lloj nacionalizmi është në SHBA, që njihet si lëvizje për dobësimin e racës së bardhë. "Nacionalizmi i bardhë (ishte nationalism)- qëndrim që mbron idenë e përkufizimit racor të identitetit nacional të bardhë. Lëvizje demografike në SHBA, që shfaqet si reaksion ndaj dobësimit demografik, politik dhe kulturor të të bardhëve". 8. Nacionalizmi zezak, ka të bëjë me lëvizjen e zezakëve për mbrojtjen e kësaj race që ka për qellim pavarësim nga raca e bardhë dhe ka për qëllim bashkimin e racës, përmes gjuhës, besimit fetar që e kanë të përbashkët dhe kundër mbisundimit të racës së bardhë."Nacionalizmi zezak (black nationalism), lëvizje sociale që thekson nevojën për pavarësimin e zezakëve nga kontrolli që të bardhët ushtrojnë mbi institucionet bazale".
9. Nacionalizmi teknologjik, me ketë nacionalizëm mund të zhvillohet dhe të ruhet ekzistenca e shtetit demokratik e sovran dhe mund të jetë i pavarur, që mund të sjellë zhvillim të madh teknologjik në të mirë të shtetit, duke krijuar lidhje të mira shtetërore me shtetet e tjera. "Nacionalizmi teknologjik (technologia nationalism) - bindje se ekzistenca e një shteti sovran dhe e një kombi të pavarur varet nga shkalla e shfrytëzimit të teknologjisë dhe të mirave prej saj". Dhe, shumë lloje të tjera të nacionalizmit, që mund të jenë prezent gjithkund, në çdo kategori shoqërore.

Kundër nxitjes së
konflikteve ndëretnike
Sot, pakicat etnike, religjioze, në Ballkan duhet të jenë nacionaliste në reformimin e institucioneve shtetërore dhe duke kërkuar që ta kalojnë fazën e tranzicionit dhe duke instaluar vlerat e modernizimit dhe në drejtim të një sistemi politik që mund të instalohen politika sociale e kapitaliste. Madje, pakicat etnike duhet të jenë nacionaliste për të mos lejuar që të ketë paragjykime dhe diskriminime racore, etnike, fetare etj., që në një të ardhme të shkurtër Ballkani të jetë i barabartë me shtetet e zhvilluara dhe moderne. Dhe, kështu mund të dobësohet nacionalizimi i nxitjes së konflikteve ndëretnike. Konfliktet ndëretnike, siç po ndodhin edhe sot në Bosnje e Hercegovinë, Maqedoni, në pjesën Lindore të Kosovës, janë të papranueshme, se tashmë të gjithë shtetet janë të pavarura nga njëra-tjetra. Sot në Ballkan janë dy shtete që ngrehin nacionalizmin që është me përmbajtje të konflikteve ndëretnike, si Maqedonia dhe Serbia, që dëshirojnë një ngritje të një nacionalizmi që shkon drejt konflikteve, që kërkojnë të krijojnë mure në mes të pakicave etnike. Këto nuk janë politika nacionaliste, për të reformuar institucionet shtetërore dhe për t'u përgatitur për të përqafuar e pranuar kulturat e tjera që nuk janë me përkatësi jo sllave dhe besim të ndryshëm fetar. Këto ishin disa nga fushat që përmendëm se ku mund të jetë nacionalizmi dhe pse qëndron nacionalizmi, do të thotë nacionalizmi mund të jetë prezent gjithkund, në çdo kohë, dhënë çdo kategori shoqërore. Shtetet e Ballkanit, duhet të bashkëveprojnë së bashku kundër diskriminimit etnik, racor, ekstremizmit, terrorizmit etj., që të ndërtohen raportet e mira etnike, ndërshtetërore dhe mos të ketë provokime të dhunshme në këtë rajon të Evropës.

Kush e ka fajin në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë?




Shkruan:GJOKË DABAJ

Para disa ditësh u publikua një shkrim imi, me titull "Çfarë të krishterësh jeni ju?.." U publikua dhe, me sa duket, askush s'ia vuri veshin atij shkrimi. Kush po pyet sot për zërin e një artikullshkruesi?! Po flasin parlamentarë, po flasin kryetarë partish, po flasin personalitete shtetërorë e diplomatikë dhe prapë situatat po shkojnë siç po duan fabrikuesit e situatave.

Indokrinimi antishqiptar

U vranë 2 djem në Gostivar. Unë reagova me shkrimin "Polici sllav nuk duhej të guxonte". Tani u vranë në breg të një liqeni edhe 5 shtetas të tjerë. Po mbahen 2 qëndrime. Ose po akuzohen shqiptarët, me demonstrime, madje të dhunshëm, ose po bëhen thirrje pa adresë, "për të mos u acaruar marrëdhëniet" midis 2 etnive. As njëri, as tjetri qëndrim nuk po e zgjidh problemin. Tensione ndëretnikë, në ato hapësira, prapë do të ketë. Parulla denigruese do të ketë përsëri, rrahje do të ketë përsëri, vrasje do të ketë përsëri.
Nxitur pikërisht prej së këtillë parashikimesh, të hidhur dhe madje të kobshëm, por realistë, ne po detyrohemi të parashtrojmë këtu qëndrimin e tretë. Jemi të detyruar ta parashtrojmë këtë qëndrim, sepse ky, ndryshe nga 2 të parët, do ta çonte drejt zgjidhjes konfliktin ndëretnik në ish-Rep. Jugosllave të Maqedonisë. Nuk themi se do ta zgjidhte menjëherë, brenda orës, por themi se do ta çonte drejt zgjidhjes.
PËRGJEGJËSIT e çdo lloj tensioni ndëretnik në atë shtet janë këta: KISHA PRAVOSLLAVE dhe AKADEMIA E SHKENCAVE DHE E ARTEVE. Profesorët sllavë, arsimtarët sllavë, mësuesit sllavë, të edukuar shtrembër prej asaj KISHE dhe prej asaj AKADEMIE, si dhe pushtetarët me kombësi sllave, të edukuar edhe ata shtrembër prej KISHËS së tyre dhe prej AKADEMISË së tyre. Pas tyre vijnë të tjerët. Me një fjalë, është INDOKTRINIMI ANTISHQIPTAR, nisur pikërisht prej ATYRE 2 PROMOTORËVE, ai që i bën të gjitha këto të zeza.
Për të mbështetur këtë pohim tonin, po bëjmë 3 a 4 pyetje: Në sa shërbesa liturgjike, javore ose me rastin e Pashkëve, klerikët pravosllavë u kanë thënë besimtarëve të vet, që kisha pravosllave është kundër parullave antishqiptare?! A keni dëgjuar ndonjë klerik pravosllav të bëjë thirrje publike kundër të këtilla parullave, që bien ndesh edhe me parimet e cilësdo fe, pra edhe të pravosllavizmit?! A keni lexuar gjëkundi ndonjë deklaratë a prononcim institucional të Akademisë së Shkencave e Arteve të Shkupit kundër të tilla parullave?! A dolën këta 2 institucione, njëri fetar e tjetri shkencor, kundër aktit më se kriminal të policit sllav në Gostivar?! (Në vend të këtyre, ata vunë sirenën e alarmit se shqiptarët po u shtuakan shumë.) Ne nuk e dimë kush i vrau 5 sllavomaqedonët. Mund të jenë shqiptarë, por mund edhe të mos jenë shqiptarë. Mund të jenë, madje, edhe serbë, të cilëve do t'u interesonte shumë në këta çaste një konflikt ndëretnik në ish-Rep. Jugosllave të Maqedonisë. Ne nuk e dimë, madje as vetë policia e Shkupit nuk po u vë emër vrasësve (sado që ajo mund ta dijë), por një gjë e dimë me siguri: KISHA PRAVOSLLAVE, që nga kryeklerikët deri te priftërinjtë më të thjeshtë është SHKAKTARJA KRYESORE e çdo lloj tensioni ndëretnik që ndodh në ato hapësira.

Akademia, pas kishës

Pas kishës pravosllave është AKADEMIA dhe, kështu e vetëm kështu, është arritur, qoftë deri te parullat e rrahjet, qoftë deri te 2 vrasjet më të fundit. Themi është arritur, sepse nuk kemi parasysh një propagandë 1-vjeçare apo 5-vjeçare, por kemi parasysh një propagandë shumë të gjatë e shumë sistematike antishqiptare. Themi më të fundit, sepse vrasjet që kanë kryer sllavët ndaj shqiptarëve në ato hapësira janë të panumërueshme.
Ne, opinionistët, gazetarët, hartuesit e paraqitësit e kronikave, mund të dërdëllisim sa të duam, gjithë ditën e gjithë natën, por s'kemi bërë asgjë, nëse nuk e vëmë gishtin te SHKAKTARËT E MIRËFILLTË të këtyre ngjarjeve kaq të padëshirueshme. Të padëshirueshme, sidomos për ne shqiptarët, që s'kemi kohë tani të merremi me gërmëre. Prandaj po e përsërisim e do ta përsërisim sa herë të na duhet: SHKAKTARËT e çdo lloj shkuarjeje keq midis 2 etnive në atë shtet, janë vetëm KISHA PRAVOSLLAVE dhe AKADEMIA HISTORISHTREMBËRUESE. Flisni atyre, zotërinj ndërkombëtarë! Le t'u thonë njerëzve të vet që të mos i urrejnë shqiptarët! Le t'u thonë njerëzve të vet që t'i respektojnë e t'i duan shqiptarët, sepse fqinjë më të mirë e bashkështetas më të mirë s'kanë për të gjetur askund tjetër në krejt botën! Në qoftë se këta 2 institucione nuk do ta bëjnë këtë punë ashtu siç duhet dhe ashtu siç e kërkon koha, do të jetë më keq në radhë parë për ata vetë. Do të jetë më keq, sepse me këta mentalitete barbarësh të egër nuk do të mund t'i përparojnë as popullin, as shtetin, as në ekonomi e as në kulturë dhe do të mbeten gjithë jetën të prapambetur.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...