Agjencioni floripress.blogspot.com
2012/04/19
Kur Serbia është në siklet
Shkruan:Faton ABDULLAHU
Sa më shumë që mund të jenë të pakënaqur qeveritarët e Beogradit me zhvillimet e fundit në Kosovë, sa më shumë që këto zhvillime mund t'i përdorin opozitarët radikal atje kundër Tadiqit dhe politikave të tij nacionale, aq më shumë ky i fundit është i shtrënguar të bëjë diçka në raport me Kosovën, për ta dëshmuar të kundërtën e asaj që thonë opozitarët dhe për t'i amortizuar sulmet, sidomos të radikalëve serbë, por jo vetëm të tyre, por edhe të shtresave të gjëra, të cilat ende duket se ushqehen me shpresën se Kosova nuk është e humbur dhe se duhet bërë diçka që ajo, nëse jo si dikur të bëhet pjesë e Serbisë, atëherë së paku të mos jetë shtet i pavarur dhe stabil. Nëse nuk shihet nga kjo prizëm gjendja aktuale në Serbi, konkretisht raportet Kosovë-Serbi, nëse nuk kuptohet nacionalizmi serb edhe te Tadiqi edhe te shtresat e gjëra të popullsisë, sidomos asaj rurale, nuk mund të kuptohet drejt, për më keq mund të interpretohet jo mirë dhe gabueshëm, arrestimi i dy policëve shqiptarë nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë. Por, le ta shpjegojmë gjithë këtë ndodhi nga kjo qasje në të cilën po aludoj.
Kohëve të fundit ka indikacione të forta se Serbia nuk do t'i mbajë zgjedhjet në Kosovë, të cilat më parë askush nuk i ka penguar që ajo t'i organizojë ato, disa përfaqësues evropianë kur erdhën në Prishtinë por edhe nga Brukseli thonë se tani pas fusnotës së pranuar nga Kosova, që ishte një kompromis i madh dhe goxha problemor, do të punohet seriozisht në atë që edhe pesë vendet tjera të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë këtë në një të ardhme të afërt. Në anën tjetër, fusnotën e pranuar, e të cilën Tadiqi e konsideron fitore të tij e refuzoi një mekanizëm i rëndësishëm, Parlamenti Evropian, kurse ditë më parë Daçiq nuk u kthye i entuziazmuar nga vizita në Moskë, ku ishte ditë më parë, sepse nga atje nuk pati ndonjë premtim konkret nga ana e kryediplomatit rus për ndonjë ndihmë, përveç asaj se Moska do ta ndihmojë Serbinë në zbulimin e rastit të asaj që ata e konsiderojnë shitje e organeve të brendshme njerëzore gjatë kohës së luftës. Të gjitha këto janë minuse politike për qeveritarët aktualë në Beograd, në krye me Tadiqin, të gjitha këto janë zhvillime të cilat opozita në Beograd po i përdor suksesshëm kundër politikave të Tadiqit. Për të gjitha këto, kryetari serb është shumë i vetëdijshëm. Në një vend me traditë të gjatë antiperëndimore, në një vend me identitet të fortë nacionalist, sidomos të lidhur me çështjen e Kosovës të perceptohesh se ke bërë lëshime ndaj trysnisë së europerëndimorëve dhe të bësh lëshime sidomos ndaj çështjes së Kosovës (në rastin konkret mosmbajtja e zgjedhjeve serbe në veri do të konsiderohet e tillë) mund të të kushtojë shumë për shumëçka. Është jashtë çdo dyshimi se për këtë janë të vetëdijshëm qeveritarët në Beograd, Tadiqi posaçërisht. Prandaj, duke i pasur parasysh këto zhvillime, për Beogradin zyrtar imponohet në mënyrë të domosdoshme veprimi aktiv. Thjesht, pas kësaj dhe sidomos duke pasur parasysh se zgjedhjet janë në prag, Beogradi duhet të ndërmarrë diçka, diçka që sadopak do ta amortizonte, e nëse është e mundshme edhe do ta ndryshonte këtë perceptim jo të mirë për Tadiqin që të ndryshojë shpejt pas përfitimeve që ai voli me vendosjen e fusnotës në emrin Kosovë. Dhe këtë diçka Beogradi është duke e kërkuar tash e sa ditë. Së pari me arrestimin e disa biznesmenëve nga Kosova. Por, si duket, ato nuk ishin të mjaftueshme. Prandaj, u zgjodh diçka tjetër, diçka më spektakulare, diçka që bie në sy më shumë, diçkaje që plaku serb me 'shajkaq' në kokë nga Shumadia do t'i duartrokasë frenetikisht. Dhe, zgjidhja u gjet u bë edhe koreografia, me qëllim që të jetë mbresëlënëse të perceptohet si fitore. Dy policë nga Kosova të shtrirë për gjynah në tokë ma armët e dorëzuara dhe superpolicët serbë me maska të mëdha e të fortë, të armatosur gjerë në dhëmbë me tyta automatiku të drejtuar kundër tyre. Ky është thelbi, kjo ka qenë më e rëndësishmja dhe jashtë çdo dyshimi se e gjithë kjo është bërë për konsum të brendshëm. Tadiqi do që të fitojë, do që të vazhdojë edhe për disa vite si kryetar i Serbisë. Për këtë ai e ka përkrahjen edhe të evropianëve, dhe jo vetëm të tyre. Arrestimi i dy policëve shqiptarë nga Kosova është bërë për këtë qëllim. Janë kalkuluar edhe efektet e tjera anësore të këtij arrestimi, por është parë e udhës apo, thënë ndryshe, është konsideruar se pas gjithë kalkulimeve, për pushtetarët aktualë në Beograd, më të mëdha do të jenë përfitimet e brendshme me rastin e zgjedhjeve, sesa ndëshkimet dhe vërejtjet e mundshme që mund të vijnë nga Brukseli, që vazhdon ta konsiderojë Tadiqin politikanin më të përshtatshëm aktualisht në Serbi, për planet që ka në Serbi dhe në gjithë rajonin. Nëse është kështu, Prishtina zyrtare, me gjithë reagimet e shpejta e të ashpra të pushtetarëve, me gjithë vërejtjet e dërguara me arsye dhe të justifikueshme te ndërkombëtarët, me gjithë faktin se Kosovës i është shkelur integriteti, me gjithë faktin se i është nënçmuar shtetësia dhe korrektësia, nuk do të mund të nxjerrë shumë përfitime politike nga ky veprim gati terrorist i Beogradit, sidomos jo të atilla që do ta ndihmojnë në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian apo të atilla që do ta pengojnë Beogradin në këtë rrugëtim, sepse Brukseli do të ketë konsiderata të mëdha ndaj sëkëlldisë politike në të cilën gjendet Tadiqi. Është punë tjetër dhe temë tjetër nëse do të mund të nxjerrin nga e gjithë kjo përfitime partitë opozitare në Prishtinë kundër qeveritarëve aktualë, të cilët me vlerësimet e tyre i kritikuan ashpër edhe qeveritarët.
Ne japim, Serbia merr
Shkruan:Ardian ZEJNAJ
Politika e Qeverisë së Kosovës: NE JAPIM, SERBIA MERR, i ndihmoi kësaj të fundit që ta fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës i dha premtimin për realizimin e ëndrrave të veta, mbase një ditë. Po kjo politikë, e cila është ndjekur gjatë procesit negociator në Bruksel, ka bërë që fqinji ynë verior të trimërohet dhe të rikthejë në skenë shantazhet në kufij, ekstradimet nga shtete e treta dhe arrestimet e kosovarëve posa të futen në territorin e tij, të gjitha këto në emër të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së. Në fakt, Serbia po i legjitimon këtë sjellje përmes marrëveshjeve që ka arritur me Qeverinë e Kosovës së fundi dhe rifuqizimit nga kjo e fundit të Rezolutës 1244 (përmes fusnotës), e cila rezolutë garanton “sovranitetin dhe tërësinë territoriale të RFJ-së”, i cili sovranitet pastaj është bartur tek Unioni Serbi-Mali i Zi dhe pas shpërbërjes së këtij unioni te Serbia.
Megjithatë, esenca e garës së fundit mes Kosovës dhe Serbisë se kush po arreston më shumë nuk është mbrojtja e këtij sovraniteti, sa është përgatitje për një betejë të re, atë për sovranitetin mbi Veriun e Kosovës. Si Qeveria e Kosovës, ashtu edhe ajo e Serbisë po “maten para ringut”, në përpjekje për ta frikësuar kundërshtarin, duke u pozicionuar para se të ulen e të bisedojnë për të ardhmen e Veriut. Kjo gjë tashmë është një sekret publik, por që Qeveria e Kosovës bëhet sikur nuk po dëgjon asgjë, edhe pse heshtas po përgatit terrenin për t’u përballur me të gjithë ata që do ta kundërshtojnë një proces negociator që për temë diskutimi ka Veriun.
Në mes të dhjetorit këtë gjë na e pati thënë kancelarja gjermane, Angela Merkel, në Prishtinë, kur u shpreh se “edhe pala kosovare duhet të japë nga vetja në mënyrë që të ketë zgjidhje paqësore të situatës në veri”. Po kaq e qartë në qëndrime e veta për këtë çështje ishte edhe SHBA-ja, përmes ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, Filip Gordon, kur deklaroi se “ne i inkurajojmë palët që të flasin për këto dallime”, për të shtuar se “ne besojmë se ka mënyra që t’u lejohet serbëve etnikë të veriut të Kosovës, që në mënyrë legjitime të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe që të drejtojnë vetë punët e tyre”. Madje, edhe njeriu që ndërmjetësoi negociatat e fundit mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, Robert Kuper, duke folur për veriun, tha se “ky është një problem, me të cilin duhet të merremi shpejt,...dhe se veriu është shumë më shumë temë politike”.
Kësaj politike të “marrjes me të mirë të armiqve”, e cila po ndiqet nga Qeveria e Kosovës, do t’i vihet kapaku këtë javë, kur kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, të takohet me presidentin e SHBA-së, Barak Obama. Kryeministrit Thaçi i është dashur dhe i duhet një takim i këtij niveli (dhe shumë më mirë për të që i është mundësuar me presidentin Obama, ngase shqiptarët besojnë dhe e vlerësojnë popullin dhe udhëheqësit amerikanë), për t’ia transmetuar shoqërisë kosovare “domosdoshmërinë” e të biseduarit me Serbinë për Veriun e Kosovës. Ky proces do të fillojë, sikur gjithë të tjerët deri më tani, duke u fshehur pas mesazhit të Amerikës, se SHBA-ja kurrë “nuk do ta detyrojë” Kosovën dhe popullin e saj të bëjë veprime që nuk janë në të mirë të tyre.
Kështu që, siç e tha edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek, Kosova pas muajt maj (2012) do të jetë e ulur (sipas qeverisë tonë gjithnjë si shtet i barabartë), në një tavolinën me Serbinë duke biseduar për çështjen e veriut, por në një format tjetër negociatash, ngase siç e tha edhe Robert Kuper “nuk mund të imagjinohet që edhe me veriun të merremi në të njëjtën mënyrë sikurse me çështjet tjera”. Në ndërkohë që pritet të dihet fituesi i zgjedhjeve në Serbi, brenda Kosovës do të aktivizohen “agjentët” vendorë e ndërkombëtarë të qeverisë tonë për ta përgatitur terrenin për këto bisedime dhe realizuar politikën e Detantës (shtendosjes) së raporteve mes dy vendeve, veçanërisht pas ngjarjeve të fundit.
Prandaj, shoqëria kosovare ka të drejtë që ndihet e shqetësuar. Duket se Hashim Thaçit i ka mbetur edhe Veriu pa i dhënë zgjidhje, nga përmbushja e urdhrave që kishte pranuar në vitin 2007. Kjo zgjidhje, që ai duhet ta pranojë para se të përshëndetet me pozitën e kryeministrit, është një autonomi substanciale për veriun e Kosovës, që duhet ta përsërisim, do të jetë një kancer për të ardhmen e vendit tonë, ndoshta më keq se sa ajo që shohim sot të ndodhë në Bosnjë me “Republika Serbskan”.
Kështu që krejt çfarë po shohim e dëgjojmë sot, nesër nuk duhet përjashtuar se do të mund të shohim e dëgjojmë edhe më shumë e më keq, është pasojë e politikës: NE JAPIM, SERBIA MERR, e ndjekur nga Hashim Thaçi dhe Edita Tahirit gjatë negociatave “ndërshtetërore” në Bruksel. Vetëm ta imagjinojmë, nëse sot Serbia i kidnapon policët brenda territorit tonë, çfarë mund të ndodhë nesër në barakat e përbashkëta kufitare, ku do të punonin policët e Kosovës dhe Serbisë, sipas marrëveshjes (IBM) të arritur në Bruksel!
Po të ndiqej në Bruksel politika ‘ne nuk japim, derisa nuk marrim’, apo se ‘ne japim aq sa marrim’, edhe Serbia sot do të sillej ndryshe me Kosovën dhe njerëzit e saj! Mirëpo, duket se të gjithë e kanë kuptuar se nuk meritojmë më shumë dhe duan të na lenë të përpëlitemi me këtë qeveri që të turpërojë kudo që shfaqet, brenda dhe jashtë Kosovës!
Duam të jemi të njoftuar për të ardhmen pa hile
Shkruan:Shefik SHKODRA
Provokim pas provokimit
Serbia në mënyrë serike kryen veprime terroriste në terrenin e Kosovës. Pra, jemi në gjendje lufte. Kërkohet ndihma politike pa hile nga evropianët dhe vendet e tjera demokratike.
Incidentet e fundit dhe të parafundit e të gjitha të tjerat janë bërë nga serbët e Mitrovicës së veriut pa i penguar askush nga Kosova. As policia, as EULEX-i, as KFOR-i e as kurrfarë force që mund të ekzistojë në këtë vend. Asnjëherë. Dhe, po vazhdon që të mos pengohet askush. Kur bëhet vrasja e ndonjë shqiptari, atëherë fjalët për kriminelët serbë janë si nënë për ndonjë fëmijë të përkëdhelur, që të mos 'hidhërohet' shumë. Këto institucione jo që kanë bërë pengimin, por kanë qenë krejt formalitet në kundërshtim me parullat "Serbia po i ngacmon qytetarët shqiptarë", "sundimi i ligjit duhet të shtrihet në gjithë territorin tonë", "ne jemi fqinj, do t'i zgjidhim të gjitha problemet së bashku" etj., të gjitha këto thashetheme. Të gjitha fjali të përsëritura me vite. Asnjë mbrojtje, edhe pse kjo është ditur se çdo moment mund të vrasin shqiptarë në këto troje. Serbët sa herë që u frikësohet njeriu, ata janë të trimëruar dhe nuk kanë të ndalur. Këtë trimëri nuk e kanë krejt prej Serbisë.
Cili është fajtori për mosrehabilitim të deritashëm
Nëse Veriu i Mitrovicës është punë e kryer e qytetarët tanë nuk dinë gjë, atëherë duhet të kërkohen alternativa të tjera në dobi të zgjidhjes së problemit për territoret shqiptare. Nëse ka diçka që nuk duhet të thuhet publikisht, atëherë le të thuhet në mënyrë indirekte e mos të përsëriten fjalët që nuk do të dalin asnjëra reale nesër. Dhe nuk mund t'u thuash "incidente" vrasjeve të njerëzve. As kundërshtitë për mospranim të ligjit dhe kushtetutës, duke demoluar pikat që i vendos shteti për interesa shoqërore dhe mbrojtje të qytetarëve. Është faji i institucioneve të vendit, grupe interesi, apo pengesë e jashtme? Këtë çështje duhet ditur menjëherë. Do dikush që të tregtohet me këtë vend nga bota e jashtme, apo nuk është e drejtë e tyre për të intervenuar në momente të caktuara sipas marrëveshjeve dhe rezolutave. Sa i përket territoreve, nuk ka shqiptar, ose shumë pak ka që nuk është i njohur me çështje të kufijve të tokave shqiptare. Është dhënë kjo copë tokë më herët e që qytetarët tanë nuk e dinë fare, atëherë duhet të përgatitet opinioni kosovar dhe duhet kërkuar në ato bisedime (cilat do që të organizohen e sponsorizohen) mundësitë për t'u marrë vesh me alternativa tjera për kufijtë e Ballkanit. Më së shumti shqiptarët janë në humbje që nga luftërat e më hershme botërore. Këtë e dinë të gjithë në Evropë e botë. Dhe, sa është e rregulluar dhe e gatshme për integrim Kosova dhe territoret e tjera të shqiptarëve dhe sa ka mundësi që të bëhet integrimi pa pasoja të reja?! Këtë kemi pritur me vite e vite që njëherë e përgjithmonë të rregullohet e miratohet. Kanë vijuar edhe viktimizimet pas luftës, sigurisht duke pritur që dikush të dalë dhe të japë shenjën stop! Ndryshe, nuk mund të besohet se mund të mbyllen plagët e krijuara kaherë në mes shqiptarëve dhe serbëve. Nuk dua të them se është më keq se që ka qenë, por nuk është aspak në rregull pas gjithë atyre konflikteve dhe vrasjeve e dhunimeve që janë bërë te ne nga ana e qeverive serbe.
Nëse kjo çështje del se dikush e di çfarë duhet të jetë epilogu, qytetarët tanë nuk e dinë dhe do të duhej të jenë të përgatitur. Nuk dihet as çka është folur në marrëveshje të Kumanovës, as në kancelaritë evropiane në marrëveshje me Serbinë e atëhershme.
Serbia lejohet haptas të veprojë në kundërshtim me demokracinë
Shqiptarët kemi thënë se nuk janë iniciatorë për luftëra të sërishme. Mirëpo, kur ia ofron të gjitha të mirat dikujt dhe nuk dëshiron t'i pranojë ato të mira, veç dhunshëm duan ta uzurpojnë vendin, nuk ke ku të shkosh. Për këtë evropianët dhe aleatët tjerë të Kosovës duhet ta kenë të qartë. Nëse duhet të rregullohet çështja shqiptaro-serbe, duhet të reagohet me kohë. Jo, KFOR-i nuk përzihet këtu e aty, as EULEX-i nuk e ka në kompetencë këtë e atë, por mbrojtjen e serbëve shumë mirë e bëjnë. Bile edhe intervenohet që të mos bëhen protesta nga ana e shqiptarëve. Këta njerëz këtu jetojnë për mrekulli. Sigurisht, edhe me ndonjë grup brenda vendit që të mos u prishet rehatia. Tingëllojnë si të paqarta, kur u ndalohet rruga nga serbët këtyre evropianëve që shërbejnë në Kosovë. Nuk mundesh ndryshe të mendosh, pos një marrëveshje që nuk e dinë të tjerët në këtë vend. Kush është ky grup i serbëve që duhet të jenë strumbullar i krejt rehatisë në Ballkan? Pra, ky grup është Serbia, të cilën e ka lejuar Evropa dhe po e lejon deri në atë masë, sa njerëzit tanë nuk dinë si të gjenden në situatë. Pse është pra, ELEX-i këtu? Çka shërbejnë në të mirë të Kosovës? Pse merren me çështje të dorës së dytë, kur mbetet puna kryesore pa u krye dhe gjithnjë duket se duhet t'u uzurpohet e drejta shqiptarëve. Madje, të burgosen për çështje që nuk është koha. Mundet të korrigjohen njerëzit në kriminalitet dhe korrupsion, të gjykohen dhe të ndalohen, sepse është ndihmë e këtij vendi, por jo të merren me ato që i ka kryer njëherë GjN i Hagës. Që të gjitha këto pështjellohen dhe ua zënë frymën ecjeve të para.
Mobilizimi i qytetarëve për vetëmbrojtje
"Për mbrojtjen e pragut" nga vetë qytetarët sigurisht që është një alternativë, po jo tash, kur kemi institucione. Sigurisht, disi duhet bërë diçka, por është menduar në institucionet e vendit. Ka mundur të bëhet shumë më herët. Të mos u lihet hapësirë këtyre grupeve kriminale. Dikush del fajtor edhe këtu. Kush ka bërë tregti (nëse ka bërë) me këto grupe kriminale serbe, në rrugë ilegale. Pra, që në fillim është dashur që të ndihmohen e të mbrohen me çdo kusht qytetarët shqiptarë. Është dashur më në fund edhe të mobilizohen e të vetëmbrohen para pesë-gjashtë viteve. Është dashur të mobilizohet edhe policia më vonë, por edhe të gjithë qytetarët e vendit. Dhe, nëse nuk lejohet, atëherë është dashur të kërkohet të mbrohet prej KFOR-it dhe EULEX-it. Dikush është dashur të ndërmarrë diç, nëse vërtet nuk ka diçka që po viktimizojmë pa kurrfarë vlere.
Nuk është e drejtë të thuhet qëndroni se do t'i zëmë kriminelët ndonjëherë, ju vdisni njëherë. S'ka dert. Ju bëhuni 'kurban' të këtij vendi. Mirë, nëse dikush ka shkuar si viktimë e rasteve dhe e vendit, kjo nuk do të thotë se kalon në një rutinë dhe përsëritje palestineze.
Shqiptarët gjithqysh nuk janë pa faj. Nuk e kanë marrë të gjithë seriozisht. Vrapi i një pjese të madhe tyre ka qenë te korrupsioni dhe kriminalitetit. Te pasurimi i shpejt dhe i paligjshëm. Sa zyrtarë po paraqiten çdo ditë se e kanë humbur shuma të ndryshme të pasurisë së këtij vendi. Herë-herë është dukur si gara në mes veti, kush bën më shumë kushte e të mira materiale për vete dhe rrethi. Njerëzit e jashtëm këtë e shohin më mirë se qytetarët shqiptarë në Kosovë. Në vend se të organizohen ato të mira për qytetarët, të krijohen strategji për çdo rast dhe moment të papritur në pikëpamje politike.
Deri kur kështu servil, o popull?!
Shkruan:Adnan Abrashi
"Jakup Krasniqi vetëm rrinte dhe me dorë e fërkonte gojën. Ismet Beqiri vazhdimisht ka lëvizur. Adrian Gjini (AAK) e mbante kokën ulur dhe me duar e shtypte kokën. Adem Grabovci (PDK) vazhdimisht i shikonte me një buzëqeshje përfaqësuesit e opozitës, duke i injoruar". Ismet Beqiri (LDK) i tha Adem Grabovcit se nuk është mirë të na i gjuani amerikanët në qafë. Xhavit Haliti (PDK) thoshte se është mirë që këtu janë edhe përfaqësuesit e "Vetëvendosjes", që ta shohin edhe këta se çka është presioni", janë këto disa nga pasuset e cituara nga një gazetë e jona ditore, të bartura gati në të gjitha portalet informative shqiptare në internet dhe më gjerë. Ngjarja e asaj situate aq poshtëruese, përulëse, tragjike, të pamoralshme dhe joparimore e përzgjedhësve tanë të popullit para presioni të një diplomatit të huaj, e përshkruar aty, fatkeqësisht, nga shumëkush, ishte kuptuar si një dukuri tanimë e ditur dhe e zakonshme e sjelljeje së elitës sonë politike në raport me ndërkombëtarët. Konkretisht, fjala është për atë takim të jashtëzakonshëm dhe skandaloz, në mes të Kryesisë së Parlamenti të Kosovës dhe përfaqësueseve të grupeve parlamentare të subjekteve politike, pasi që LDK-ja, VV-ja dhe AAK-ja, të pakënaqur me futjen për aprovim si rend dite të disa ligjeve të papranueshme, kishin bojkotuar pjesëmarrjen në seancat e ardhshme të Parlamentit (derisa këto ligje të hiqen nga rendi i ditës për aprovim). Ky bojkot, fillimisht pati sukses. Rezultatet e para të presionit dhanë fryte. Për shkak të mosekzistimit të kuorumit të duhur, pozita nuk ishte në gjendje të vazhdojë më tutje me aprovimin e këtyre ligjeve kontestuese.
Më pas, dihet se çka ndodhi! Pas gjithë kësaj situate tragjikomike të asaj dite të kobshme dhe rrënuese për demokracinë edhe ashtu të dyshimtë kosovare, LDK-ja dhe AAK-ja, më parë unike në kundërshtim, duke u kthyer në Parlament, u mposhtën lehtë nga ky presion paprecedent i një përfaqësuesi ndërkombëtar, apo sikur ne parapëlqejmë t'i quajmë ata me atë shabllon - zhargon grotesk - "miku ndërkombëtar". Sipas bindjes sime, ky gjest i këtyre dy partive tona opozitare, nuk ka se si të qortohet ndryshe, veçse me fjalën TURP! Turp për këta të përzgjedhurit me votën e lirë të popullit.
Nga ana tjetër, përballë këtij veprimi përulës ndaj presionit ndërkombëtar të këtyre dy partive opozitare të asaj dite, kishte edhe diçka të këndshme. Për një lexues të zakonshëm dhe neutral, sa reflektonte krenari dhe dinjitet ajo pjesa e fundit e atij lajmi me një përmbarim kështu: "...një pjesëmarrës i emocionuar nga atmosfera e pakëndshme që ishte krijuar në atë takim (duke pretenduar të jetë anonim) kishte deklaruar kështu: "për herë të parë në jetë kam lakmuar që të jem në vend të anëtarëve të lëvizjes "Vetëvendosje", të cilët nuk janë frikësuar nga amerikani (ndërkombëtari)".
Shpresa për një brez tëpolitikanëve të rinj që po krijohet
Edhe pse, sado-kudo, në analizat e mia të gjertanishme, përherë kujdesesha të jam sa më neutral dhe sa më pak të jap shkas për ndonjë dyshim të mundshëm rreth animit tim kah ndonjë subjekt politik, qëndrimi gjithnjë konsekuent dhe i palëkundur i përfaqësuesve të lëvizjes "Vetëvendosje", e veçanërisht të treguar në atë takimin e cekur, më bëri optimist dhe entuziast se diçka pozitive po lëviz për të mirë në këtë drejtim. Shpresa për një brez të politikanëve të rinj që po krijohet po forcohet. Do të jetë pra ky një brez i ri, i cili patjetër me kohë do t'i neutralizojë këto dhe shumë të këqijat tjera të papranueshëm të mentalitetit tonë politik të instaluar si shprehi dhe të formësuar gjatë si nënshtruese ndaj të huajve.
Edhe pse ndonjëherë ne nuk shohim, apo qëllimisht bëhemi të verbër para kësaj të vërtete, ky brez i ri në krijim, moti po na FTON të kemi vetëbesimin dhe të jemi të sigurt në vete; kaherë ajo po apelon që si popull të jemi përherë ballëlartë, krenarë, të pamposhtur, duke u mbështetur kryesisht në forcat dhe inteligjencën tonë të pashtershme kombëtare; moti ajo zëshëm po trumbeton se pa ushtruar ta duash veten nuk mund të jesh i sinqertë në dashurinë e treguar ndaj të tjerëve...se miqtë tanë ndërkombëtarë janë vërtet miq, por njëkohësisht ata janë edhe miq të armiqve tanë... Mbase, këto dhe shumë të vërteta tjera, ne ia kemi nisur t'i kuptojmë nga pak, tek tani.
Ani! Kurrë nuk është vonë...!
E vërteta, para hunde
E kam cituar shpesh në artikujt e mi këtë urtësi të Ajnshtajnit gjenial, kështu që, besoj se nuk do të jetë e tepërt që edhe me këtë rast ta përsëris atë: "Kjo botë nuk është e keqe pse në të ka njerëz të këqij, por pikërisht për shkak të neve të mirëve, të cilët nuk ndërmarrim asgjë ndaj atyre". Andaj, pas gjithë kësaj maskarade që përgjithësisht po ndodh me mentalitetin tonë të ultë moral-politik në Kosovë, me ëndje në vazhdim do ta shpalos një "mesele", e cila, figurativisht si porosi, aspak nuk i dedikohet elitës sonë aktuale politike, por popullit të Kosovës, apo qytetarëve të zakonshëm të saj:
"Në kërkim të së vërtetës, jam i gatshëm të nisem kudo qoftë ajo", i tha një ditë nxënësi mësuesit të vet shpirtëror.
Kjo vendosmëri e vartësit të tij iu duk interesante mësuesit dhe e pyeti:
"E kur ke ndërmend të nisesh në këtë rrugë"?
"Menjëherë, sapo të më tregosh se kah duhet të shkoj".
" Propozoj të nisesh në drejtim të hundës sate".
"Dakord! - pajtohet i entuziazmuar nxënësi. - "Por, nuk më the ku duhet të ndalem"?
"Ku të duash vetë".
"Dhe...a do të jetë sigurisht aty e vërteta e kërkuar? - e pyet sërish nxënësi kureshtar mësuesin. - Patjetër! - Gjegjet me buzëqeshje mësuesi. "Ajo do të jetë aty! Saktësisht para hundës sate dhe përball syve tu, që nuk shohin asgjë".
Kriminaliteti i Serbisë ndaj Kosovës
Shkruan:Mr. Bislim ALIU
Pa dyshim, arrestimi i dy shqiptarëve nga Kosova para do ditësh dhe sidomos ky i fundit, kur u arrestuan dy policë në territorin e Kosovës, është një akt kriminal që Serbia vazhdon t’ia bëjë shtetit të Kosovës dhe institucioneve të saj. Zaten ky skenar i përgatitur nga ”djali” i Milosheviqit [I.D.] është arrogancë i skajshëm i llojit të vet. Dhe, sigurisht, atë që e pamë në televizionet tona dhe fotografitë e treguara nga MUP-i serb, është e palogjikshme dhe fare nuk do koment. Është, pra, një dhembje shpirtërore dhe besa një nënçmim brutal dhe hezitim jashtë logjikës njerëzore.
Jemi mësuar, tashmë, që sa vite e vite kur Serbia ka bërë çdo gjë ndaj shqiptarëve. Pra, t’i përndjekë, të burgosë e të vrasë, kur të dojë e ku të dojë. Dhe, për shumë vjet këto ”gazepe”, asnjëherë nuk na u hoqën. E, ne qëndruam stabil dhe do të qëndrojmë gjithherë kështu.
Edhe tani Serbia po vazhdon avazin e vjetër dhe mentalitetin primitivë. Ajo, zaten, ”qimen e ndërron, por zanatin asnjëherë nuk e harron”.
Dhe, sidoqoftë dhe ngado që ta marrish, fotografitë e treguara nga MUP-i serb, flet qartë për dështimin e Policisë së Kosovës, për ta ruajtur kufirin e saj dhe sovranitetin e shtetit. E, besa, flet edhe për dështimin e misioneve ndërkombëtare; KFOR-it dhe EULEX-it në ruajtjen e kufirit shtetëror.
Institucionet tona, s’do mend se reaguan me ashpërsi për arrestimin e dy policëve. Ato, më tepër reaguan dhe konstatuan, e fare nuk vepruan. Pra, jemi mësuar dhe na u ka mbushur koka me konstatime, kryesisht shterpe. Mendoj se veprimet e fundit të Serbisë kërkojnë përgjigje politike , vendore e ndërkombëtare.
Serbia, me gjithë mend, Kosovën po e nënçmon dhe po e anashkalon. Dhe, po bën edhe veprime mafioze. E, ne, përkundër kësaj, po e ledhatojmë, duke ua blerë mallrat dhe po bëjmë biznes me të. Po negociojmë duke nënshkrua marrëveshje, e ato asnjëherë ndoshta edhe nuk do të realizohen.
Vetëm deklarimet nuk janë masa konkrete për mbrojtjen e shtetit
Zaten, po e marrim me të mirë dhe po i nënshtrohemi asaj. Po e fusim fusnotën duke e mënjanuar pavarësinë dhe po deklarohemi shpeshherë, se Serbia me këtë fusnotë na e ka njohur pavarësinë e shtetit! Pra, po deklarohemi vazhdimisht si shtet, e në praktikë nuk po veprojmë si shtet.
Pa dyshim shteti do veprim dhe këmbëngulësi, ligjore e njerëzore, në mbrojtjen e sovranitetit. Dhe, gjithsesi, do kushtetutshmëri dhe ligjshmëri. Dhe, fatkeqësisht, kjo po na mungon dhe po na mungon.
Zaten, jemi mësuar tashmë, që institucionet tona, vetëm të japin deklarata dhe të bëjnë konstatime për ndonjë veprim të Serbisë. Dhe, jemi mësuar që të kërkojmë ”lëmosh” nga Brukseli e ndërkombëtarët. Me deklarime e me konstatime nuk mbrohet shteti. Shteti mbrohet me veprime. Kosovës, pra, po i mungon vizioni i qartë për zgjidhjen e problemeve me Serbinë. Nëse jemi shtet nuk duhet kërkuar mëshirë, as nga ndërkombëtarët dhe as nga Serbia.
Dihet mirëfilli se që 4 vjet, pas shpalljes së pavarësisë, Kosova nuk ka veprua si shtet. E, plot gojën e kemi shtetësi, e në realitet na mungon veprimi për mbrojtjen e kësaj shtetësie. Pra, na mungon dashuria për shtet.
Ndoshta, më në fund u mbushëm mend, kur i pamë këto fotografi të MUP-it serb për arrestimin e dy policëve të Kosovës. Apo, ndoshta, ka ardhur koha, që dikush të japë përgjegjësi institucionale për këtë veprim kriminal. Apo, politikanët tanë janë mësuar që paaftësinë e vet ta mbrojnë vetëm me deklarata.
Ta harrojmë xhelozinë individuale dhe partiake
Tani, kemi ardhur në një moment, jashtëzakonisht të vështirë. Në një moment degradues dhe nënçmues. Ky degradim shtetëror dhe funksional, nuk duhet ta mbrojmë vetëm me deklarime teorike, por me veprime konkrete.
Ka ardhur koha, që të mendojmë seriozisht dhe të veprojmë me sinqeritet. Serbinë, asnjëherë nuk do ta frikësojmë me konstatime e deklarata, por vetëm me veprime konkrete.
S’do mend se shtetin do ta mbroj uniteti dhe vetëm uniteti. Uniteti partiak dhe institucional. Dhe, të gjithë së bashku ta mbrojmë këtë shtet dhe vend të shenjtë. Dhe, ka ardhur koha, që t’i mënjanojmë ndasitë dhe t’i harrojmë përçarjet në mes veti. Ta harrojmë xhelozinë individuale dhe partiake. Është momenti i fundit që ta ofrojmë bashkëpunimin dhe ta zhvillojmë dashurinë në mes vete dhe për shtetin. E, shteti do dashuri dhe sinqeritet njerëzor e institucional.
Andaj, kidnapimi i dy policëve të Kosovës në territorin e saj, na preku thellë. Zaten, këtë akt kriminal të Serbisë duhet ta marrim shumë seriozisht. E, nëse e anashkalojmë dhe nuk e marrim me sinqeritet, po supozoj dhe, besa, po frikësohem se në të ardhmen Serbia do të vijë edhe në qendër të Podujevës dhe do të na kidnapojë dhe do të na dënojë, siç di ajo, për nacionalizëm, irredentizëm, secesionizëm, e çka jo tjetër.
Pra, t’i çelim sytë dhe të veprojmë me sinqeritet e me njerëzi për këtë shtetësi.
Politika kosovare, e vonuar
Shkruan: Arlind A. Bajra
Fillet e politikës kosovare, rrënjët e së cilës na shfaqen aty diku në vitet 90-ta, kanë pasur një domethënie të posaçme jo vetëm për ngjarjet dhe zhvillimet politike të asaj kohe, por edhe për zhvillimet dhe proceset e ardhshme politike që do të krijoheshin në vazhdimësi me rrjedhën e kohës, e që do të përcilleshin me shumë “furtuna” e oscilime dhe të cilat në njëfarë mënyre sfiduan sistemin më të egër që njeh historia jonë, atë të regjimit serb. Që nga ajo periudhë e gjerë më sot, ka pasur lëkundje të herëpashershme politike, duke bërë kështu që të ketë edhe lëkundje në sferën ekonomike, kulturore e sociale, lëkundje këto të cilat kishin ndikuar në kufizimin e të drejtave të qytetarëve kosovarë. Ishte ndier nevoja e formimit të një konglomerati idesh të bashkërenduara me një strategji ushtarake në kontekstin e ballafaqimit me realitetin e hidhur që mbizotëronte në atë kohë për të promovuar faktin që do ta justifikonte dhe legjitimonte të vërtetën e kthyer mbrapsht si pasojë e etnocentrizmit serb.
Rruga deri te shteti, me sakrifica
Me gjithë çarjet e thella që ndodhën në politikën kosovare gjatë këtyre viteve, në rrugën e formimit të strukturës së shtetit kosovar, më në fund përsiatjet për një gjë të tillë ia dolën ta jetësojnë idealin e kamotshëm të shtetbërjes me shpalljen e Kosovës shtet i pavarur. Domethënien e kësaj rruge të zgjatur e përplot sakrifica, për të ardhur deri këtu ku jemi sot, mund ta kuptojmë vetëm duke i dhënë kuptim këtij shteti nga kujtimi që ne kemi për vlerat morale, intelektuale e kombëtare të brezave të tërë që këta i dhanë në drejtim të faktorizimit të çështjes së Kosovës nëpërmjet Diplomacisë Ndërkombëtare dhe luftës çlirimtare të Kosovës, për inicimin e largimit të Serbisë nga “supet” e Kosovës, ku një gjë e tillë e bëri edhe më të suksesshëm kanalizimin e veprimtarisë diplomatike e ushtarake, me qëllim që kosovarët dhe Kosova të mos mbeteshin nën rrezikun e një katastrofe të rëndë humane që do të mund të ndodhte për tërë popullatën. Derisa sot kemi ndryshim të rrjedhave dhe proceseve politike kosovare, e të cilat po tregojnë efikasitet të dobët në aspektin e modernizimit politik të shoqërisë po lënë të kuptojmë se aktualisht kjo politikë ka mbetur pothuajse e konsumuar brenda margjinave të saj dhe njëkohësisht është duke shfaqur impotencë në kuptimin e konsolidimit të institucioneve në tërë territorin e vendit. Politika kosovare, relativisht e re edhe si koncept, por edhe si një lloj “pushteti shtetëror”, shënon kështu një periudhë të re në historinë e ndryshimeve të vendit, e cila, për fat të keq, nuk po arrin progres, ose më mirë me thënë po mbetet e vonuar. Shumë probleme të pasluftës, të cilat janë të lidhura ngushtë me jetën e përditshme të qytetarëve në përgjithësi, janë të lidhura me dështimin e veprimeve politike në mënyrë të duhur dhe racionale. Në përgjithësi kjo politikëbërje po i thellon problemet në shoqërinë tonë dhe po e rrezikon kohezionin social të vendit, duke mbetur kështu në sipërfaqe një varg çështjesh të rëndësishme pa u zgjedhur. Kur them kjo politikë e kam fjalën për moskoordinimin e përbashkët politik ndërmjet pozitës dhe opozitës tash e sa vjet, duke mbetur e copëtuar madje edhe dominuar nga shfrytëzimi për pazarllëqe të nivelit më të ulët, me gjithë faktin se ka edhe të tillë që edhe prej njërës edhe prej tjetrës punojnë me përkushtim për avancimin e politikës kosovare për një të ardhme më të mirë për vendin tonë, po që këta individë janë të rrallë, për të mos thënë fare.
Sfidat e shumtatë politikës kosovare
Politika kosovare aktualisht gjendet para sfidave të shumta, tejkalimi i të cilave kërkon resurse njerëzore, materiale e morale dhe potencial të mjaftueshëm strategjiko-politik në kërkim të asaj se çfarë mund t’i bëjë qytetarët e këtij vendi me një standard të të jetuarit mirë dhe që të krenohen me vendin e tyre ku ata jetojnë e punojnë. Problemet reale, me të cilat ata ballafaqohen nga dita në ditë, diktojnë një shqetësim të rëndë për të ardhmen e vendit dhe të nesërmen e tyre se gjendja mund të bëhet akoma edhe më keq nëse nuk u kushtohet vëmendje urgjente zgjidhjes së problemeve të tilla, të cilat po e kthejnë jetesën e qytetarëve të këtij vendi dhe të kësaj shoqërie në një makth. Me gjithë këto vite rrugëtim të tranzicionit politik, tradita politike kosovare nuk ka sjellë ndonjë risi në kuptimin e reformimit dhe për vite po tregon se është e paaftë që ta kapërcejë këtë çrregullim në kuptimin e mosnormalizimit të jetës ekonomiko-shoqërore, si dhe në kuptimin e një kaosi që do të mund ta karakterizojë këtë vend nëse vazhdohet me këtë trend të moszhvillimit për t’i dhënë kuptim më të mirë këtij shteti, gjegjësisht për t’i inkurajuar qytetarët e saj për perspektivën reale që do t’ua ofronte atyre. Në të vërtetë, ky cikël apo “zinxhir” i problemeve po bëhet edhe më i komplikuar kur ato sa vijnë e shtohen, duke u fragmentuar në probleme politike, ekonomike, sociale e çka jo tjetër. Thënë më qartë kosovarët me gjithë faktin e kapërcimit të periudhave të vështira historike kanë mbetur të vonuar në arritjen e identitetit të përbashkët evropian, pikërisht si rezultat i stagnimit dhe mosshkuarjes para në shumë segmente, që lidhen kryekëput me organizimin dhe zhvillimin politik.
Një plan për dalje nga kriza në veri
Shkruan:Ardian ZEJNAJ
Pasi ishte zgjedhur shef i Qeverisë izrealite (në vitin 1996), Benjamin Netanjahu e viziton SHBA-në, për të takuar presidentin Bill Klinton, me të cilin do të diskutonin për situatën në Lindjen e Mesme. Mirëpo, që në takimin e parë thuhet se kryeministri izrealit e kishte luajtur mendsh presidentin Klinton, çka e kishte detyruar këtë të fundit t'i bërtas, duke iu drejtuar me fjalët: "Kush dreqin është superfuqia në këtë mes"?
Një luajtje mendsh tash e trembëdhjetë vjet po i bëhet edhe qytetarit të Kosovës. Ai ka të drejtë të pyes, ngjashëm si ish-presidenti Klinton, se "kush dreqin është superfuqia në këtë mes"? A janë institucionet e Kosovës, është Serbia, ambasadat perëndimore, zyrat politike evropiane, KFOR-i, EULEX-i apo të gjithë dhe askush?
Ky mish-mash ta turbullon shikimin e realitetit, sapo sheh skenat që ndodhin në veri të Kosovës! Në këtë pjesë të Kosovës shohim të luhet një "serial" filmik ku "aktorë" janë shumë palë, por që luajnë në periudha të ndryshme, dikush ditën (Policia e Kosovës), dikush natën (strukturat e Qeverisë së Serbisë), dikush në kufi (KFOR-i), një tjetër në mes të urës (EULEX-i), por që nuk ka një hero të qartë!
Tri ngjarje të ndodhura në këtë pjesë të Kosovës dy ditë pas sulmit te Tre Rrokaqiejt, (nga i cili sulm mbeti i vrarë në banesën e tij shqiptari Selver Haradinaj), na vërtetojnë "luftën" e këtyre "aktorëve" për ta marrë primatin e "superfuqisë" në veri. Këto skena po përdhosin gjithë sistemin politik dhe të sigurisë që është ndërtuar nga paslufta, madje edhe pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.
E para, ku serbët e pjesës veriore për pesë minuta e shkatërrojnë objektin ku do të duhej të vendosej Policia e Kosovës për t'u ofruar siguri banorëve të asaj zone! Kjo skenë, ku shihet e mundur dhe e poshtëruar Policia e Kosovës përballë strukturave shtetërore të Serbisë (që funksionon në veri pa uniforma), tregon se Serbia është një nga pretendentët për ta marrë fronin e "superfuqisë" në atë pjesë!
E dyta, ku Policia Speciale e EULEX-it vendoset mbi urën e Lumit Ibër, pa njoftuar dhe pyetur askënd, madje as Policinë e Kosovës! Me këtë veprim edhe EULEX-i dëshiron të dëshmohet si konkurrent i fortë në këtë "luftë" për fronin e "superfuqisë", dhe atë jo vetëm në veri!
E treta, kur në natën ndërmjet së enjtes dhe të premtes (12 e 13 prill), forcat e KFOR-it vendosin nën vëzhgim bazën e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës (ROSU) për Regjionin e Mitrovicës. Mbase KFOR-i nëpërmjet këtij veprimi dërgoi sinjale të qarta se është ai që vendos për të gjitha gjërat në veri të Kosovës dhe se nuk do të lejojë asnjërën palë ta marrë primatin e "superfuqisë"! Megjithatë, as KFOR-it nuk po i ndihmon gjithë ajo makineri dhe potenciali luftarak që të dëshmohet si determinues i zgjidhjes së problemit!
Këtyre tre "aktorëve" duhet shtuar edhe po kaq që gjithashtu po "luajnë" në regji të Serbisë për veriun. Është qeveria e Kosovës, e cila më 25 korrik 2011 provoi ta marrë primatin e "superfuqisë" në veri, por që dështoi ende pa e nisur mirë aksionin. Ky dështim, përveç që e ka nxjerr Qeverinë e Kosovës nga gara për titull, i ka përkeqësuar edhe më shumë punët atje. Krejt çka i ka mbetur tani në dorë Qeverisë së Hashim Thaçit (pas 25 korrikut 2011), është fjalori patriotik. Kjo na dëshmon se janë amerikanët ata që realisht në fund shpallen hero, të cilët r kanë edhe ndihmën e "shkopit dhe karotës" evropiane, sa herë që ngrehin kokën lart institucionet, partitë dhe politikanët kosovarë.
Kjo gjendje rreth dhe për veriun e Kosovës do të vazhdojë edhe gjatë ditëve, javëve dhe muajve të ardhshëm, derisa nuk do të gjendet një zgjidhje. Një zgjidhje që nuk do të tejkalonte fuqinë apo kapacitetin e asnjërës palë, ashtu siç nuk do të duhej as t'i nënçmonte tërësisht kërkesat e tyre. Kjo, sepse çështja që është dhe do të jetë mbi tryezën e negociatave (sovraniteti dhe kontrolli mbi veriun e Kosovës), "prek thelbin e identitetit politik" të shqiptarëve shumicë dhe "mbijetesën fizike" të serbëve pakicë. Kështu që zgjidhja duhet kërkuar brenda kornizës që mbron identitetin politik të shumicës shqiptare (pavarësinë e Kosovës) dhe sigurimin e mbijetesës së pakicave (veçanërisht asaj serbe), brenda kësaj pavarësie.
Kjo nuk do të jetë e lehtë të arrihet, aq më pak kur Kosovës i mungon një udhëheqje e fortë institucionale, me legjitimitet dhe kontroll mbi veprimet politike që do të rezultonin me arritjen e një marrëveshjeje të suksesshme. Kjo për shkak se në krye të vendit e kemi një kryeministër dhe një Qeveri që shihet me dyshim nga shumë anë; një presidente që nuk po arrin të dëshmojë kapacitet politik dhe intelektual të të notuarit nëpër ujërat e turbullta të politikës ballkanike; një Parlament me deputetë kukulla që dirigjohen nga jashtë sallës; një opozitë të çakorduar dhe frustruar; si dhe një shoqëri të dëshpëruar dhe injorante ndaj zhvillimeve politike dhe të sigurisë që ndodhin brenda dhe rreth saj.
Prandaj, institucionet e Kosovës duhet që sa më parë ta hartojnë një plan për dalje nga kriza në veri, e cila po përdoret nga të gjitha palët për manipulim politik. Nëse institucionet e Kosovës nuk do të jenë në gjendje që të ofrojnë zgjidhje, ajo do të na imponohet shpejt dhe në disfavorin tonë. Kjo edhe për shkak të tre faktorëve: neglizhencës dhe padijenisë së Qeverisë së Kosovës; imponimit të gjërave nga Serbia nëpërmjet dhunës, vrasjeve dhe mbajtjes në tension të situatës; si dhe insistimit të udhëheqjes së NATO-s dhe KFOR-it për të gjetur një zgjidhje politike për veriun e Kosovës. E derisa zgjidhja nuk po ofrohet nga institucionet e Kosovës apo nuk po na imponohet nga jashtë, qytetari i Kosovës po vazhdon ta tundojë veten e tij për ta gjetur përgjigjen e dilemës se: "Kush dreqin është superfuqia në këtë mes"?
Subscribe to:
Comments (Atom)
Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar
Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
Search inside image Shkruan Akademik prof.dr.Flori Bruqi, PHD Search inside image Pak biografi për t’mos ju ardhtë mërzi…. Search inside ...
-
Kërko brenda në imazh Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme Haki Taha, u lind n...
-
Shkruan Akademik Flori Bruqi, PHD. Në historinë e popujve të Evropës, vështirë se mund të gjendet ndonjë popull që...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...
-
Organizatorët e protestave antiqeveritare në Serbi kërkuan nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, që të paraqesë planin e tij për Kosovën ...
-
Shkruan Akademik Prof. Dr. Flori Bruqi, PHD AAAS. Në Arkivin Qendror të Shtetit, Tiranë, në Fondin 144 – Koleksioni i hartav...
-
Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...
-
Kush është Koço Kokëdhima ? Koço Kokëdhima nga Qeparoi i Himarës është njëri ndër biznesmenët më të pasur dhe të suksesshëm në...