Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/04/23

SHKRIM ME SHKAS:Dr. Mirela Bogdani – Talent dhe force nepermjet te vertetes


NGA ROBERT MARTIKO 



Falë edhe një predispozicioni që buron prej kohësh të egra, izolimesh të përbindëshme brenda Perdesh të Hekurta, me duhet të pranoj qysh më parë se nga aktiviteti i gjithashëm shkencor, shoqëror e politik i Mirela Bogdanit, pjesën me pikante për mua e përbën aktivizimi i saj aktual, i suksesshëm në radhët e Partisë Konservatore të Mbretërisë së Bashkuar: një Legjendë e Vërtetë!
Dhe jo më kot…
Qysh në fëmini mbaj mend se me ç’farë fjalësh poshtëruese e denigruese rrethonte propaganda komuniste në Shqipëri një nga personalitetet më të spikatura politike në botë, siç qe Winston Churchill-i, kryetar i Partisë së mësipërme. Ndërkohë që i mbushur me lavdi e nderime thithte purot e tij të famshme: Havana, Montekristo ose Romeo e Xhuljeta në Westminster, Douning Street, Chequers Court, në megayachting e gjithëveshur në ar “Christina”, të shumtë qenë aktorët shqiptarë, që të nxitur nga propaganda e një udhëheqje pa mend e të verbër përpiqeshin ta tallnin, duke i rrasur barkut të uritur ndonjë jastëk me kashtë: për të imituar linjën e tij të shëndetshme, trupore…Ç’do udhëheqësi të paditur e shtrëmbaluq, lindor, i dukej sikur mund ta arrinte. Çuditërisht, në rrugë të shtrembër: duke e vënë në lojë…Edhe pse bëhej fjalë për një individ të jashtëzakonshëm, një nga kokat më të mëdha që Njerëzimi njohu gjatë shekullit të kaluar…Njësoj si partia e tij, ky person i rrallë, vijon të përbëjë edhe sot një mit të vërtetë. Arriti të shpëtojë mijera jetë njerëzish në saje të zbatimit të politikave të mençura antifashiste, duke përfunduar me sukses, së bashku me Aleatët, Luftën e Dytë Botërore. Nëse Winston Churchill nuk do të qe përballur me dritëshkurtësinë politike të Franklin Ruzveltit në Jalta, Bashkimi Sovjetik nuk do të shtrinte dorën e përgjakur drejt Europës Lindore. Nuk do të ndodhnin atrocitetet që shkaktuan miliona të vrarë e të asgjësuar nga praktikat e udhëheqjeve të çmendura komuniste, të cilat me zell të patreguar shfarosën në masë popujt e vet. Me Partinë Konservatore Angleze lidhen edhe emra të tjerë legjendë, ku midis tyre dallon e ashtuquajtura Gruaja e Hekurt, e famshmja Margaret Thatcher…Dhe mjaft të tjerë!
Deri tani është e qartë se edhe pse nuk kam gabuar ne vlerësimet e mia politike, e pranoj që kam folur deri diku, nëpërmjet gjuhës së simbolikës së evenimenteve të ndodhura matanë Perdes së Hekurt: ku unë, së bashku me miliona të tjerë jetonim tmerre e ankthe pambarim, përjetime underground, filma bardh e zi, rrëqethës, të përgjakur, të stilit Alfred Hitchcock ose Xhon Romero… Duke mos dashur të zgjatem më tepër, mjafton të ve në dukje se porsa në horizont u shfaqën rrezet e para të dritës hyjnore të lirisë, qe e natyrshme që mjaft nga njerëzit e mençur e të talentuar të Shqipërisë të vërshonin jashtë kufijve të saj, duke shpalosur kudo në botë vlerat e tyre me të mira shkencore, artistike, shoqërore, politike dhe humane.


Një prej tyre është padyshim Mirela Bogdani.

Duke iu referuar biografisë së mjaft individëve të veçantë e të talentuar, ne jo pak raste ndryshimet e profesioneve janë regjistruar të suksesëshme kudo në botë…Përfaqësuesin më human e njëkohësisht më ekspresiv të arratisjes profesionale e ka përbërë shndërrimi i mjekut në shkrimtar ose politikan. Mbasi, thuhet se mjaft prej tyre, të pajisur nga natyra me një shpirt të ndjeshëm, duke u ndodhur në trysninë e dhimbjeve të pacientëve që vuajnë, e shtrijnë profesionin e tyre në mënyrë krejt të natyrshme, drejt dy profesioneve të mësipërme. Jam i bindur se pikërisht kështu duhet të ketë ndodhur edhe me Mirelën si mjeke e suksesshme stomatologe, kur përpos drejtimit në nivel kombëtar të këtij sektori të shëndetësise, jepte edhe mësime si pedagoge në Universitetin e Tiranës me titullin Doktore Shkencash. Dhe ndërkohë zhvillonte dijen dhe ekspertizën si studente pasuniversitare e kërkuese shkencore, duke bërë artikuj e libra, traktate, mastera e disertacione në mjaft universitete prestigjioze të botës, si fjala vjen në Universitetin “George Washington” apo atë të Bostonit në Amerikë, Universitetin e Londrës në Angli etj…Ashtu si shumë të rinj idealistë ne vitet ’90, Mirela u përfshi ne politikë (me forcat e djathta) dhe kjo erdhi pikërisht në vitin e mbrapshtë të kaosit të piramidave.


Jam i bindur se politikania e njëkohësisht akademikja në fjalë ka karakter e shpirt që i përkasin më tepër të tjera shkollave… Mjaft më dinjitoze nga ato që ofron ekzistencializmi i mjeruar në lidhje me modelet e tij njerëzore!…Mirela nuk është aspak një tip i varur nga të tjerët. Për të janë të huaja fenomenet masive të larjes e të lyerjes me furça servilësh të eprorëve apo shefave, më shqip: të sahanlëpirjes së rëndomtë, banale, përherë të mirënjohur e pandryshuar prej trajtës së saj historike, klasike…Mendimet Mirela i thotë drejt dhe hapur. Pa zbukurime! Mbi të gjitha zotëron një kurajo mjaft të lartë. Aq sa, në mjaft raste ua kalon edhe burrave…Eshtë diçka, që si fenomen i rrallë femëror, më habit. Në shumë gjëra që kanë të bëjnë jo thjesht me inteligjencën dhe ambicjen, po edhe në karakter, ajo ka mjaft cilësi të perbashketa me heroinën e saj Margaret Thatcher, e cila thoshte “Nuk jam një politikane pragmatike, po një politikane me parime e bindje” (I am a conviction politician, not a pragmatic politician). Dhe ashtu si heroina e saj, Mirela i mbron dhe lufton për bindjet e saj, kur mendon që kjo është e drejta, bile edhe kur kjo involvon risk.

Kur shikon websitin e Mirela Bogdanit (http://mirelabogdani.com/bogdaniAlbanian/index.htm  ), që hapet me fjalën Welcome të shoqëruar prej një buzëqeshjeje të ëmbël gruaje serioze e të pashme, impresionohesh duke lexuar për arritjet e saj, backgroundin e saj, eksperiencen e suksesshme në dy kariera, e më pas gjen rastin të shikosh fotografi të shumëllojshme me mjaft personalitete politike, shoqërore e akademike të botës perëndimore…Dallon midis tyre Margaret Thatcher (te cilën Mirela e ka takuar dy herë), Kryeministrin italian Silvio Berluskoni, Kryetarin e Partisë Konservatore Britanike David Cameron, Kryetarin e Komisionit Europian Jose Manuel Barroso, Kryetarin e Parlamentit Europian Hans Gert Poetering, europarlamentarët Doris Pack e Jonathan Evans, Lordin britanik John Taylor, Komisionerin për Zgjerimin e BE-së Olli Rehn, Presidentin e Universitetit të Oxfordit Chris Patten, ish Kryeministrin spanjoll Jose Maria Aznar, kandidatin për President të Rusisë Gary Kasparov, studiuesen britanike Miranda Vickers e mjaft të tjerë… Pastaj, humbet, me plot kuptimin e falës, në xhunglën amazonike të diplomave, artikujve, universiteteve, disertacioneve, kolegjeve, seminareve, çertifikatave, departamenteve, masterave, projekteve, programeve, strategjive, anëtarësimeve, kandidaturave, leksioneve, kërkimeve shkencore, përfaqësive në organizma politike, akademike e profesionale ku Mirela është zgjedhur në saje të inteligjencës, aftësive, shpirtit fisnik dhe natyrës së saj energjike e dinamike.


E pranoj: porsa shkarkova një mori elementesh të shumëllojëshme natyrash më tepër akademike. Kjo më bën të ndërgjegjshëm, sepse nuk e teproj me fjalën e mësipërme: xhungël… Ndofta ka ndodhur, ngaqë historikisht, kam parasysh gjendjen fillestare të ndërtesave të Univeriteteve të Oksfordit apo Kembrixhit përbri shkurreve e pemëve të paprera në fillimet e shekullit të dymbëdhjetë…Ku një ditë prej ditësh, një student në sezon provimesh, ndërsa ishte duke studiuar në natyrë, goditi një derr të egër me një libër të trashë në kokë duke iu hakërruar gjithë mllef: “This is Greek to me!” (“Kjo është e pakuptueshme për mua!”) Me sa dukej, personi i mësipërm vështirësohej në mësimin e greqishtes se vjetër edhe nga ambienti përreth, qe siç u përmend më lart, gjëndej i mbuluar me drurë, bar e shkurre…Një xhungël e vërtetë! Të më falin të gjithë…Nuk mund të flitet për xhungël në hapësirat e universiteteve më prestigjioze të botës, fjala vjen si ai i Oksfordit apo Kardifit… ku Mirela jo vetëm ka studjuar por edhe ka dhene edhe leksione…

Sa për derrin e egër, jo më kot e përmend: në një rol të dyfishtë… Ndofta për të simbolizuar forcat regresive shqiptare, ku sipas Ainshtainit, diktatorët përherë gjenden të shoqëruar prej maskarenjsh të mëdhenj…apo pseudo intelektualë! Të gjithë së bashku pengonin dritën e zhvillimit dhe dritës të arrinte edhe në Shqipëri. Për tu çliruar populli i tyre…Ose për tu hapur rrugën mjaft talenteve të tjera, të cilat shkëlqejnë sot kudo në botë, duke nderuar origjinën apo vendlindjen. Përbëjnë me plot kuptimin e fjalës margaritarë të vërtetë për një vend, deri dje të vrarë e të munduar in ekstremis …
Do të doja ta përfundoja këtë artikull të pamjaftueshëm për të inkluduar gjithë dimensionin e aktivitetit politik, shkencor, shoqëror e mbi të gjitha moral e human të Mirelës, duke i uruar rrugë të mbarë në karrierën e saj. Përveç kësaj, ajo është nje nënë dhe amvise shëmbullore. Në kohën e lirë i pëlqen të notojë, të shetisë me bicikletë apo të bëjë patinazh së bashku me të bijën e saj Cindy dhe.. çdo të diel shkon në kishë. Eshtë diçka që Mirelën e nderon.


Ndërsa zgjedhja e modeleve humane merr rëndësi të jashtzakonëshme në jetë, mungesa e tyre përbën një tragjedi të vërtetë për njeriun. Në rastin konkret, figura e Mirela Bogdanit në mënyrë koncize tregon se si aktiviste e politikës reale ajo përpiqet te ndodhet sa më larg praktikave demagogjike, që janë mësuar të përkëdhelin e njëkohësisht mashtrojnë, bastisin e vjedhin turmat e pambrojtura popullore…
Ndërkohë, të gjithë bijtë e ndershëm e të talentuar, do ti qëndrojnë Shqipërisë si gurë të çmuar kurore mbretërore në kokë…Pak a shumë, si diamantët e Imperial State Crown në Tower të Londrës. Do të dëshiroja ta mbyllja këtë shkrim me moton e Universitetit të Uashingtonit, ku Mirela ka studiuar: “Per veritatem vis”… Eshtë mjaft kuptimplotë jo vetëm për atë, por për gjithë intelektualët që përparojnë në jetë në saje të zotësivë të tyre personale. Dhe jo prej lançimeve të diktatorëve dhe gjakut të derdhur të bashkatdhetarëve…

Motua e mësipërme ka kuptimin se forca buron nga e vërteta! Dhe Mirela Bogdani përbën një nga shembujt më tipikë…


2012/04/22

Takim i vonuar... mister!



Enkas për Floripress nga Vilhelme Vranari Haxhiraj


Sahati i qytetit tingëlloi njëmbëdhjetë herë.

Qielli i përflakur kuqëlonte nga një grumbull resh të kuqrremta, në ngjyrën e zjarrit. Dukej sikur stinët kishin ngatërruar kohën e riciklimit. Moti vetëdeklarohej për një verë të nxehtë, të pa parashikueshme.
Një djalë i ri priste në këmbë, para kafe “Iliria”.

Pas pak vuri re se para hotel “Turizmit” ndali një taksi. Një burrë, në dukje “Zotëri” mbi të pesëdhjetat, pagoi shoferin dhe zbriti prej saj. Me një çantë turistike në supin e majtë dhe një valixhe diplomatike në dorë, qëndroi disa çaste palëvizur duke kundruar përreth. Një vëzhgues i hollë do të kuptonte se vizitori rikthehej pas sa e sa vitesh dhe ndoshta kërkonte të shihte ndryshimin që sjell koha. Tundja e pakënaqur e kokës, fliste për zhgënjimin e të sapoardhurit.

“ -Të jetë ky vallë?

-Ndoshta...”-dialogoi me veten. Gjithsesi nuk lëvizi nga vendi... Gjithmonë në pritje...Ajo pritje ngjante me një mister...takim i vonuar...A ishte i duhur ky takim? Ndoshta po, ndoshta jo... Veçse atij i dukej si një mister...Po, po ishte mister i një takimi të vonuar, që ndoshta s'duhej të ishte bërë kurrë. Gjithsesi i riu priste si mbi gjemba...

Pas rreth gjysmë ore vuri re se “Ai” doli nga hoteli, vetëm me një çantë turisti në sup. Veshja e tij e kushtueshme, mënyra e qëndrimit nën vetkontroll, ecja me hap të matur, tërhoqi vëmendjen e kalimtarëve të rastit. Qëndroi pak në shëtitoren, që u duk sikur kërkoi të orientohej. Pastaj me hap të matur, gjë që dëshmonte për ecurinë e qetë të jetës së tij, u drejtua te kafe “Iliria”. I riu ndërkohë hyri brenda në kafeteri, për të mos i dhënë “Atij” të kuptonte se po e priste në ankth.

Për cilindo që do të takohet me një njeri të afërm, pas sa vitesh, pritja është e ethshme, ngjall shumë emocione dhe shqetësime. Madje aq e ngutshme, sa i duket sikur akrepat e orës nuk lëvizin dhe koha është strukur diku, ka ngecur në një gradë meridiani. Kurse djali nuk provonte ndjesi të tilla, por zemërimi e bënte të ngashërehej gjithë duf. Dukej sheshit se kërkonte vetëm një shkak që të shpërthente.

”Po unë ç'bëj këtu? Përse më duhet ky takim? “Ai” është një i panjohur, ose...ose një i vdekur për mua...”- mendimet ia ndërpreu zilja e telefonit të kafenesë. Baristi që i kishte lënë porosi, u përgjigj se njeriu për të cilin interesohej ndodhej brenda.

I panjohuri hyri, përshëndeti baristin i cili i tregoi me kokë nga djali. I përhumbur për këtë takim të padobishëm, i riu s' e vuri re fare.

-Hello...!- përshëndetja e tij e ftohtë dhe tejet e huaj, e bindi akoma më shumë që kishte gabuar me ardhjen në këtë takim. U ngrit në këmbë me përtesë dhe tejet i lënduar. Krenaria për nënën, motrën dhe veten ia kyçi gojën.

-Ah,! Më fal! Forca e zakonit atje në...Tungjatjeta! Mister Xhon...- u paraqit i huaji dhe i zgjati dorën të riut.
Djali ia ktheu përshëndetjen ftohtë, me një përkulje koke dhe i zgjati dorën me përtesë. Në atë shtrëngim duarësh ndjeu ngricën e akullit që përciell vdekja.

-Përse këtu dhe jo në shtëpi, zotëri? Në këto rrethana nuk mund të bisedohet. Pas këtij takimi ju do të lini këtu vetëm hijen e një të panjohuri apo të një fantazme...Kurse unë do të bëhem objekt bisede kafenesh. Ndaj nuk lashë asnjë vendtakimi. Kujtoja se ende e mbanit mend rrugën për në shtëpi.

-Ndoshta...nëna jote nuk do të...Pastaj ku ta dija se nuk jetoni diku gjetkë...Gjithsesi, shko përpara se po të arrij...

Dhjetë minuta pas meje ai trokiti në portë. Pas një hetimi të shpejtë me një shikim disi pyetës, shprehu habinë, që ...

-Akoma në këtë hale jetokeni? Qenkeni në ditë të hallit, në po atë gjendje që ju kam lënë. Çudi?!
-Qysh kur vallë braktisja e familjes së varfër nga babai, i dhuroka asaj një jetë prrallore?! Po të isha në vendin e tim ati dhe të isha po aq fajtor sa “Ai” nuk do ta kisha shqepur fare. E dini që ndaj nënës sonë dhe ne të dyve “Ai” ka bërë një krim të shëmtuar?

 Nuk e kishim kufomën e babait, askush nuk e pa, që ta besonim se nuk jetonte më. Gjithsesi për ne ka qenë dhe ngelet i vdekur. Kush mund ta besonte apo ta besojë se babai i fëmijëve të braktisur, të lënë në mëshirën e fatit jeton në Amerikë me një grua tjetër?!

-Ti dhe askush nuk dini gjë dhe nuk keni për ta mësuar kurrë. Ndaj nuk keni të drejtë ta gjykoni babanë. Për këdo ai është Xhon Nikols... Babai yt vdiq atë ditë, kur la gjithçka. Ai i përket së shkuarës...Dua të di përse më ke thirrur? Çfarë do të mësosh, ç'kërkon të dish për babanë tënd?

-Nuk e kam kërkuar dhe nuk e kërkoj kurrë, sepse nuk kam çfarë të marrë nga një i vdekur. Kanë qenë të tjerët që të nxitën të vish këtu e të takosh djalin legjitim të Nikolin Prelës. Ti je një i huaj me të cilin nuk më lidh asgjë. Po të ishte gjallë babai, genet e të cilit trashëgoj, do t'i kërkoja që të na ndihmonte të ndërtonim një shtëpi, që ti Mister Xhon mos ta konsiderojë më hale.

Kjo nevojtore e ndyrë mban erën e të pëgërit që la kryefamiljari, kur na tradhtoi, na mohoi si pjellën e tij, pasi mori një identitet të ri dhe u quajt Mister Xhon.

Zotëri, unë kam të drejtën të pyes, si një bir i një ati që e mohoi, e harroi, e la në mes të katër rrugëve. Dua një përgjigje: “meshkujt që nuk janë në gjendje të mbajnë përgjegjësitë e familjes, përse martohen vallë?! Më mirë le t'i përkasin mosekzistencës dhe harresës. Egoizmi për të realizuar veten, e shtyu tim atë në një veprim të skajshëm çnjerëzor. Sa shtrenjtë ia kanë shpërblyer heshtjen eprorët?

 Dua ta di cilët e joshën e ia mohuan identitetin, Sigurimi i Shtetit Shqiptar apo agjentura e huaj?

-Asnjëri dhe as tjetri...I ke buzët ende me qumësht për të më gjykuar dhe për të zgjidhur enigmat. Harroje Nikolinin...Para teje është një tjetër zotëri që nuk e lidh asgjë me të shkuarën....

 Di vetëm një gjë, se i ashtuquajturi “baba” jeton në një makth, ka frikë nga e vërteta. Nuk di çfarë ishte më e rëndësishme për të, të jetuarit në mosekzistencë apo të qenit bashkëshort dhe baba?

 Ai që i mohon vetes të qenit prind, nuk është asgjë. Jeta e tij s'ka asnjë synim, shpirti i këtij katili është një zgavër bosh. Jeton me ankthin e së vërtetës, ndaj nuk mund të përballet kurrë me të. “Ai” bënë një jetë të dyfishtë mes së vërtetës dhe gënjeshtrës, mes reales dhe ireales, mes jetës dhe vdekjes, mes të qenësishmes dhe të paqenësishmes, mes pohimit dhe mohimit. Janë pikërisht këto të kundërta që veprojnë brenda personit të tij, që nuk e lejojnë të dijë se cili është.

Ankthi i të vërtetës së hidhur e pengon të njohë veten. Tani që mësova ekzistencën e tij të rreme, çuditem me nënën time se si e deshi dhe e do aq shumë atë njeri. Për nënën, mua dhe motrën, tani që e mësova se fantazma e tij jeton, “Ai” është askushi. Nuk dua asgjë prej tij se brenda asaj qenieje gjenden njëkohësh dy gjysma qenieje, gjysmëjete e vdekur dhe gjysma tjetër e gjallë.

Për ne është një varr i rihapur...që kall vetëm tmerr dhe frikë.

Nuk e kuptoj dot... përse e mohoi jetën e tij?

Mos vallë për shtetin?

Dhe nëse do të ishte e vërtetë, po për cilin shtet ëëë...?

Për një shtetburg, për një vendbunker ?!

Bashkëshorti, babai i dy fëmijëve u zhduk sikur të mos kishte qenë kurrë dhe për kë?

Për një qeveri kriminele, që tokën tonë të pasur dhe të bukur si ëndërr, e mbushi me kufoma që ngelën pa identitet. Vendi im i bukur, binte era kufomë pa hyrë ende në kufijtë tanë shtetëror.

Vendin e lirë me emrin “Parajsë” e vaditi me gjak të pafajshëm shqiptari.

Harroi përgjegjësinë e prindit. Dhe përse? Për një shtet utopik që na izoloi si kafshët e egra të xhunglës brenda një kopshti zoologjik, ku u eksperimentua me jetët njerëzore, me një popull të tërë, vetëm për të parë se edhe sa kohë do të mbijetonim të ndarë nga bota e të gjallëve?

Këtë provë bëri edhe i ashtuquajturi “baba” me ne?

Shteti nis te familja e nëse kjo është e përdhosur, mjerë ai komb... Me se do të mburret vallë?

Familja është themeli i shtetit dhe nëse këto themele kalben, godina shtetërore nuk e ka të gjatë dhe një ditë do të rrëzohet. Si mund të jesh atdhetar, i mirë kur mohon familjen?

Nuk e besoj dot më as atë dhe askënd që ka ndjekur këtë rrugë të gënjeshtërt, rrugën e mohimit. Kjo ishte veç një pandehmë e imja. Burra të tillë, pa moral dhe pa përgjegjësi familjare, nuk ka ç'i duhen atdheut.
Jo, im atë ka vdekur ditën kur e bija e tij, ime motër mbushi tre vjeçe.

Më thuaj, ç'më duhet ekzistenca e tij tani?

A ka ndërgjegje “Ai”? Po paska qenë fare i paskrupullt!

Edhe mëshirës do t'i vinte krupë nga një i vdekur e i pakallur si babai im...

Zotëri, më vjen keq, por do ta këshilloja atë, të ashtuquajturin baba, të shihet në pasqyrë dhe të pyesë atë pak ndërgjegje që mund t'i ketë ngelur se, përballë me të a ndodhet shembëlltyra e tij e vërtetë?! Këtë herë a do të ketë guximin e duhur që të japë përgjigje?

Kurrën e kurrës! Le të vazhdojë të qëndrojë në hije dhe t'i përkasë mosekzistencës...Asnjëherë nuk ka për të qenë vetvetja.

Unë dhe ime motër kemi lindur nga një nënë e mrekullueshme, që meriton nderim dhe mirënjohje. Sikur të mundja asaj zonje të rrallë, do t'i dhuroja gjithë të mirat e botës, por...”-ndërsa unë flisja ...ai heshtëte si gur varri...

Djali heshti disa çaste, mbështeti kokën në kraharorin e nënës dhe duke i kërkuar ndjesë asaj gruaje heroinë, i tha: “kjo ishte hija e misterit dhe enigmës së këtyre ditëve, ndoshta ditët më të gjata e më të lodhshme të jetës sime...”

Pas këtij rrëfimi të dhembshëm, që duket si aktakuza e një dëshmitari në gjyq, vështroja nënën që qante heshturazi e lotët i rrëshqisnin mbi faqet e flashkura, tejet të lodhur si jeta e saj, si jeta jonë.

-Të faleminderit bir! Edhe pse je treguar i ashpër me të, ishte e drejta jote t'i kërkoje llogari. Më vjen mirë që ai mësoi se vuajtja dhe mungesa e babait të kanë burrëruar.

Gjithsesi, do apo s'do ti, është babai yt... Ndoshta një ditë “Ai” do të jetë gjykatës i ndërgjegjes së tij të ndotur, pasi jetoi një jetë enigmë. Por tani s'ka asnjë dobi, biri im… Për mua dhe të tjerët, zhdukja e tij do të ngelet mister...

Koha e të vërtetës




Shkruan për Floripress: Ymer Halimi 

Fatkeqësisht, nuk kuptonte se Bisedimet në Vjenë udhëhiqeshin edhe nga diletant politik qe e ndjenin rezultatin e bisedimeve politike, si rezultat ndeshje futbolli.



Vjena 1.

Me qene se bota demokratike ishte përkrah luftës për liri të popullit shumicë të Kosovës, prezenca e saj sot këtu, si edhe zhvillimi i bisedimeve në Vjenë për ‘çështje teknike’ të Kosovës, janë fakte notare se do të hiqet kolonia e fundit në Evropë. Kjo është një arritje e demokracisë dhe veçmas e popullit të Kosovës.

Pa hyrë në analizën se si u ulëm për bisedime në Vjenë, si raportoi Grupi i Unitetit dhe disa anëtarë të këtij delegacionit në Kuvend; me kë bisedohet e si bisedohet, dhe sa ishte e sa është transparent Grupi i Unitetit në këtë Kuvend; unë do flas kryesisht mbi bazën e materialeve të Këshillit të Komuniteteve, dhe materialit për Decentralizim, përkatësisht Reformimin e Pushtetit Lokal.

Nga këto dy materiale kuptohet, saktë, kahu i lëvizjes së proceseve për statusin e Kosovës dhe, në një masë, shihet silueta e vendimit përfundimtar- struktura e shtetit.

Unë do të flasë për disa “cikërrime”, të cilat besoj flasin për tërësinë.

Në fjalorin politik, ka lindur një term i ri ‘diskriminim pozitiv’. Thënë saktë, kjo qëndron kështu, kur Komunitetet i fitojnë disa avantazhe që nuk ua njohin as konventat Evropiane - ndërkombëtare, por u janë dhënë te ne, dhe shumica nuk i ndjen efektet negative të këtyre avantazheve. Kjo është domethënëse për kujdesin e shumicës ndaj Komuniteteve. Por, konkretisht Komunitetet (pakicat) duhet t’i kenë vendet në Kuvend, komfor vendeve të përparuara Evropiane dhe Kuvendi nuk duhet të ketë votë asimetrike.

Të jetë e qartë, ky ‘diskriminim pozitiv’ në mënyrë implicite, popullatën shumicë në Kosovë e akuzon, për diçka. Pse? (e pa civilizuar).

Më pastaj, “zonat e sigurisë”, përreth Manastireve Ortodokse Serbe, janë paradoksale. Thënë sinqerisht, të bëjnë të habitësh. Habisin edhe përshkrimet juridike-menaxhuese të këtyre hapësirave dhe parashikimet për to.

Për ata që i menduan dhe aprovuan këto zona, do të thosha fjalët e Krishtit: “O zot falu mëkatet...”

Ju lutem, janë 1100 të vërteta, që ato zona si të tilla të mos ekzistojnë, e një gjysmë e vërtetë i pohon.

Ne i ruajtëm me shekuj (kishat). I ruajtëm edhe atëherë kur serbet i lanë vetëm.

Objektet e Kultit ortodoks serb do të jenë të sigurta aq sa ka siguri vetë Kosova.

Për këto zona mbrojtëse nuk ekziston shkaku, por, për këto zona është qëllimi.

Në politikë, veprimet e mëdha nuk hyjnë në porta të hapura, por për vrima dere.

Deputetë të nderuar, nga Materiali për Reformimin e Pushtetit Lokal i dorëzuar nga Ministri Haziri, shihet në mënyrë eksplicite, se si pala Kosovare e humb ekuilibrin e dialogimit dhe rrëshqet, në planin e bisedimeve, prej hapi në hap. Kjo është një përshtatje e tepruar dhe ndoshta dikujt i nevojitet për mbijetesë politike!. Shumë gjëra që ministri Haziri i ekspozoi më parë, do të pësojnë ndryshime rrënjësore. Do të bindeni. Kjo është shqetësuese, por momenti nuk është për panik.

Pjesa e materialit “për decentralizim” që Delegacioni i Kosovës e dorëzon më 20 Shkurt 2006 në Vjenë, në procese të mëvonshme, pësoi aq metamorfozë, ashtu si procesi biologjik kur krimbi arrin të shndërrohet në flutur-krijesë tjetër.

Në faqen e 2-të të këtij Dokumenti, të “Parimet themelore”, te pika 1.4. shkruan: “Reforma e pushtetit lokal do të respektojë karakterin shume etnik të shoqërisë Kosovare. Ky karakter do të reflektojë në mënyrë të duhur, në nivelin komunal nëpërmjet ekzistencës dhe formimit të njësive shumetnike të qeverisjes lokale”.

Çka ndodh te Dokumenti i 29 Gusht 2006 i Grupit punues të delegacioni!? Pranon të formohen Komuna të reja mbi bazën etnike 100% serbe, e nuk e përfshin asnjë fshat me popullatë shqiptare edhe pse pozicioni gjeografik e imponon, por edhe anasjelltas. Te komunat me shumicë shqiptare mundësisht nuk lë asnjë fshat serb. A nuk u shkel parimi themelor që e promovoi Grupi politik? A nuk është ky segregacion etnik territorial ?!

Kryesorja, për ironi, rreth 90% e serbëve grupohen në territore të caktuara, në një anë, e në anën tjetër po ashtu edhe shqiptarët. Ky është letërnjoftimi i Kosovës nesër, me dashjen apo pa dashjen tonë!.

Nuk matet interesi i Kosovës mbi atë vlerë që folën ministrat më parë /Haziri e Gjini/. Kjo ishte irrituese.

Sa u përket kompetencave, unë po e marr vetëm një shembull që i deshifron disa rrafshe vepruese politike e juridike në planin e decentralizimit.

P.sh. “Parimet e decentralizimit”. Pjesa A dhe E Sqarim teksti: “Paraqet mirëkuptimin e Prishtinës mbi projektmarrëveshjen e Statusit/Decentralizimit në mes të UNOSEK-ut dhe Prishtinës, siç është diskutuar me 23 e deri më 25 Gusht 2006”.

Pika 9. Paragrafi (e) shkruan: “Në pajtim me legjislacionin kornizë të Kosovës, komuna me shumicë serbe e veriut të Mitrovicës do të jetë përgjegjëse për Universitetin publik serb”. A nuk e demanton kjo Ministrin Haziri a?!.A nuk e deshifron kjo tërësinë e qëllimit përfundimtar!? Vetëm miopet politik nuk e shohin.

Prandaj, të më lejoni që të shpreh mendimin, që duket si një digresion nga ky debat, por megjithatë konvergjon saktë.

Dhe, ta kemi të qartë, pavarësia nuk është kuptim abstrakt. Është vlerë që matet me parametra në mënyrë të saktë. Sa më pak kemi nevojë për të tjerët, e aq më pak kemi presion nga të tjerët dhe sa më pak bëjmë presione mbi të tjerët, e aq më shumë e zbatojmë ligjin dhe e luftojmë krimin; sa më të aftë jemi ta mbrojmë veten, e aq më funksionale te janë tërësitë tona të brendshme, aq më të pavarur jemi si individë dhe si shtet.

A i fuqizuam ne këta parametra në këto shtatë vite...?!

Si do të funksionojë Kosova nesër - nuk e ka të qartë askush, sepse sa duket jemi tepër, skajshëm të ndryshueshëm (transformueshëm)?!

Deputetë të nderuar, “botën e transformojnë veprimet e jo llafet”. Kështu mësohet në filozofi, nëse nuk e keni harruar. Tash po veprojnë të tjerët, kur ne nuk vepruam mençur në këto vite të fundit.

Grupi i Unitetit duhet mbështetur deri në arritjen që Kosova ta ketë pavarësinë e plotë në të gjitha rrafshet. Lëshimet te decentralizimi nuk justifikohen më me asgjë tjetër.

Por, Popujt kurrë nuk lodhën në luftën për liri! (mos e harroni)

(Ky është Diskutimi i im ne Seancën e Kuvendit te Kosovës, e mbajtur me 05.09.2006)

Kryetarja e Grupit Parlamentar, pas diskutimit tim, ma tërhoqi vërejtjen se, diskutimi im ishte “tepër i ashpër dhe i pa konsideratë për te tjerët”. Por, ajo assesi nuk e kuptonte se unë po e shpalosja të pathënën e dokumentit, pasojat e te cilit sot e gjithë kohën ka t’i vuaj Kosova.

Fatkeqësisht, nuk kuptonte se Bisedimet në Vjenë udhëhiqeshin edhe nga diletant politik qe e ndjenin rezultatin e bisedimeve politike, si rezultat ndeshje futbolli, ku e deklaronin fitoren si tetë me zero apo tetë me dy, kundruall Serbisë. Ky përfaqësim pa dyshim do të mbetet në kujtesën tonë historike si mjerimi i ynë. Por, e kuptonte se unë, si edhe disa deputet tjerë n’atë Kuvend, atyre nuk u besonim! Këtu kishte të drejtë.


Dr.sci. Ymer Halimi

yrhi@hotmail.com
Profesor i lendes Fizike mjekesore me Biofizike ne FM
Lagja e Universitetit, Rruga 2. nr.57
Prishtinë
tel. +37744111066

Ngushllime miku im Arben Dervina!








Gjergj Kastrioti - SKËNDERBEU (1405-1468)


Hero Kombëtar i shqiptarëve, strateg e burrë shteti i madh, që udhëhoqi luftën për pavarësi kundër pushtimit osman, për bashkim politik -shtetëror të popullit shqiptarë. Pinjoll i një familje të madhe sunduese feudale, Skënderbeu ishte më i vogli i katër djemve të Gjon Kastriotit. Fëminia e tij bie në vitet kur vërshimet grabitqare osmane erdhën duke u shtrirë në tokat shqiptare që nga Jugu drejt Veriut, duke i inponuar vendit një regjim që sillte një rëndim të përgjithshëm ekonomik-shoqërorë të masave popullore të vendit. Nën këto gjendje u gjendën qysh herët edhe zotrimet Kastriotëve, që shtriheshin në Shqipërinë Qendrore-Lindore.

Lufta kundër këtij pushtimi me rrjedhime shkatrrimtare që vinin në rrezik gjithë zhvillimin e arritur nga vendi si dhe të ardhmen e popullit shqiptar, përbënte përmbajtjen kryesore dhe detyrën themelore të jetës dhe veprimtarisë së Skënderbeut, si dhe të gjithë epokës që mori prej tij, si figurë qendrore, emrin.

Ndërsa ka mjaft të dhëna arkivale për veprimtarinë e Skënderbeut, janë të pakta të dhënat për jetën e tij personale për rininë dhe periudhën e parë të veprimtarisë së tij deri më 1443, që mbetet mjaft e errët. Burimi kryesor dhe më i rëndësishëm, është vepra e shqiptarit Marin Barleti, ku të dhënat kanë ardhur duke u vërtetuar, plotësuar dhe korigjuar në një varg rastesh edhe nga shumë burime tjera, midis tyre edhe osmane.

Skënderbeu u lind më 1405, siç mundë të llogaritet nga data e sakt e vdekjes, 17.01.1468, kur ai, sipsa Barletit, ishte 63 vjeç; nuk mundë të thuhet se cili nga zotërimet e Kastriotëve ishte vendlindja e tij. Nga burimet e ndryshme vërtetohet e dhëna e Barletit se pasi kishte qenë dorëzuar peng qysh më parë (1410) një vëlla më i madh, u dorëzua edhe Gjergji në moshë të njomë, bashkë me dy vëllezërit tjerë. Ky dorëzim mundë të ketë ndodhur pas vitit 1415, kur osmanët me marrjet e Krujës u vendosën tashmë në mënyrë të qëndrueshme në Shqipërinë Qendrore. Në oborrin e Mehmetit I dhe mandej të Muratit II, Gjergji hyri dhe u edukua në radhët e "Iç - Ogllanëve", ku, për të zhveshur vendet e pushtuara nga forcat, më të afta drejtuese, djemt e sunduesve të nënshtruar përgatiteshin në mënyrë të veçant për funksionet e ardhshme si qeveritarë të bindur e sidomos në ato vende, ku sundimtarët osman hasnin në qëndresën e popullsisë. Gjergji u shqua qysh herët për aftësit e tij të mëdha ; në fushata të ndryshme ushtarake të osmanëve në Ballkan dhe në Azinë e Vogël ai fitoi përvojë të madhe ushtarake. Duke përqafuar Islamin, me emrin e ri "Skënderbej" që e mbajti vet gjat gjithë jetës dhe me të cilin u bë i njohur në gjithë botën, ai arriti në poste të larta në rdhët e feudalëve ushtarak osman.

Largimin nga familja nuk e shkëput Skënderbeun nga vendlindja ku ai mundë të kthehej kohë më kohë, dhe nga fatet e saj. Familja e Kastriotëve, edhe pse e shtrënguar gjithnjë e më fort prej presionit osman, ruajti ende për një kohë, deri më 1430, si vasale e sulltanit, zotërimet e veta duke pritur ashtu si edhe sundimtarë të tjerë shqiptarë, rrethana më të favorshme për të hedhur poshtë sundimin e huaj. Në fakt ajo vazhdonte ta konsideronte Gjergjin gjithmonë si pjestarë të saj e bashkësundimtarë me të drejta të plota dhe e përfshiu emrin e Gjergjit në një varg veprimesh që zhvilloi në vitet 20-30, 1420 në marrëveshjen tregëtare me Raguzën, më 1426 në aktet e dhurimit të disa fshatrave për një manastir në malin Atos, si dhe më vonë më 1437, kur i ati kërkonte mbrojtjen e Venedikut dhe më pas të Raguzës. Kjo ndodhte kur në të njëjtën kohë (1428) dihej se ai, siç thoshte vetë i ati, "ishte bërë turk e musliman" dhe kishte marrë urdhër nga sulltani të sulmonte zotërimet e Vendikut dhe të të atit. Më 1430 pas një inkursioni shkatërrimtar, Kastriotët humbën thuajse gjithë zotërimet që iu nënshtruan tani regjimit të timarëve, kurse edhe Gjoni vetë u detyrua të përqafonte islamin. Por për të qetësuar qëndresën e fortë qëndresën e fortë që haste në këto zona kufitare Veri-Perëndimore më të largëta të pushtimeve të tyre, Murati I i la Gjon Kastriotit një pjesë të vogël të zotërimeve të dikurshme në formën e një ziameti - Krahinë e Mysjes në Perëndim të Krujës deri në bregdet. Vetë Skënderbeu u emërua po për këtë qëllim qeveritar (subash) i vilajetit të Krujës, ku iu la gjithashtu një feud më vete.

Vala e kryengritjeve popullore që pat përshirë pas v. 1432 viset jugore, u shtri edhe në viset e posanënshtruara në Veri; këto rrethana e nxitën Gjon Kastriotin të vihej përsëri në lëvizje. Në këtë periudhë kastriotët sulmuan Krujën, por përpjekja nuk pati sukses. Situata në ish zotërimet e tyre mbeti e turbullt; edhe pse vetë Skënderbeu nuk përmendet në këto ngjarje kryengritëse me emër, nuk mundë të dyshohet se ai nuk ishte i lidhur me veprimet e të atit. Për këtë flet fakti që Murati II iu shtuan dyshimet kundrejt Skënderbeut; pas vdekjes së Gjonit (1437) atij iu mohua trashëgimi i ziametit të Mysjes, për të cilin ngriti pretendime, madje iu hoq edhe feudi që kishte pas mbajtur dhe më në fund u largua më 1438 edhe nga posti i qeveritarit të vilajetit të Krujës. Kësaj situate Kastriotët u përpoqën t'i përgjigjen duke kërkuar mbështetje tek Venediku dhe Raguza. Po kësaj kohe i përkasin ndoshta edhe kontaktet e para me mbretërinë e Napolit. Me këto masa Skënderbeu dhe Stanisha që kishin mbetur nga të katërt djem, përgatiteshin për perspektivën e një aksioni që do të zbatohej më vonë, në kushte më të favorshme. Pas viti 1439, emrin e Skënderbeut nuk e gjejmë të përmendet më tokat shqiptare; siç duket, Murati II që e kishte sjellë për të qetësuar zotërimet e paqeta të Kastriotëve, e largoi tani nga Shqipëria, siç bëri në të njëjtë kohë edhe me një pinjoll të një shtëpi tjetër sunduese, Jakup Bej Muzaka. Ka mundësi që Skenderbeu të ketë qenë dërguar si sanxhakbej në një zonë jo të largët të gadishullit Ballkanik.

Përvoja e 30 vjetëve të parë të shek. XV i kishte treguar Skënderbeut gadishmërinë e masave popullore për të luftuar, po i kishte treguar edhe se lufta e veçant e zotëruesve të ndryshëm feudal si edhe kryengritjes e popullore në krahinat e ndryshme veçmas, sado të fuqishme të kishin qenë, nuk ishin në gjendje të ndalnin pushtimin osman dhe të çlironin vendin. Po ashtu ishte bërë e qartë për Skënderbeun se sulltani nuk lejonte në asnjë mënyrë që zotërimet e Kastriotëve të mbeteshin të bashkuara qoftë në formën e një ziameti më veti në kuadrin e një Sanxhakut shqiptar, që ishte formuar më 1431.

Këto ishin rrethanat në të cilat u zhvillua ajo kthesë vendimtare dhe filloi ajo etapë e re më lartë në luftën kundër pushtimit osman dhe në gjithë historinë e Shqipërisë që lidhet me emrin dhe veprën e Skënderbeut. Kjo kthesë që zhvillohet më vitet 1433-1444, i ka rrënjët në kushtet objektive e subjektive të brendshme, por u favorizua edhe nga disa rrethana të jashtme.

Përparimi osman në viset qendrore të ballkanit drejt Danubit, pushtimi i tokave serbe më 1439, goditjet e njëpsanjëshme të Mbretërisë Hungareze, e detyruan të kalonte që nga v. 1442 në një politikë kundërsulmesh të fuqishme kundër osmanëve. Përfaqësues i kësaj politike u bë Janosh Huniadi, i cili pas Skënderbeut u bë një nga figurat më aktive të luftës antiosmane. Nën udhëheqjen e tij, një ushtri hungareze në vjeshtë të vitit 1443 kaloi Danubin. Për t'i siguruar asaj mbështetje në këto vise, u zhvillua një veprimtari e gjallë diplomatike, në të cilën u përfshi edhe Shqipëria. Në dritën e të dhënave duhet të mendohet se edhe Skënderbeu ishte në dijeni të saj që po përgatitej, ndonëse emri i tij nuk përmendet. Qëndrimi i Skënderbeut në betejën e Nishit në ditët e para të nëntorit 1443, ku forcat osmane pësuan disfatë, nuk ishte një veprim i lindur spontanisht, por rezultat i një plani të paramenduar. Në këtë ndeshje në të cilat mori pjesë me repartet e veta si gjith sanxhakbejt e tjerë, Skënderbeu u tërhoq me forcat shqiptare që kishte me vete, ose që mundi të mblidhte. I pajisur me një ferman që ia mori me forcë, siç na thonë shumë burime, sekretarit të vulës së Bejlerbeut, me shpejtësi të rrufeshme Skënderbeu mori rrugën e kthimit për në atdhe, rrugën e kryengritjes së hapur kundër sulltanit.

Gjithçka varej tani nga vendosmëria dhe shpejtësia e veprimit, për të ngritur në këmbë masat, për të zënë në befasi garnizonet e armikut, për t'u marrë atyre kalatë, pikëmbështetjet e tyre të fuqishme në të katërt anët e vendit. Faktori vendimtarë që e lehtësoi planin e Skënderbeut ishte përgjigja që e gjeti që në hapat e parë ky veprim në tokat shqiptare. Mobilizimi masiv që i forcave që filloi së pari në Dibër dhe erdhi duke u zgjeruar prej andej valë valë në gjith vendin, ishte prova se këtu ishte fjala për një veprim që u kthye brenda pak kohe në një kryengritje të përgjithshme. Në këtë gjenin shprhje aspiratat dhe interesat e shtresave më të gjera të shoqërisë shqiptare - të masave fshatare mbi të cilat rëndonte prej kohësh pesha kryesore e sundimit të huaj, por edhe të asaj pjese të klasës feudale që ishte shpronësuar tashmë ose në rrezik të shpronësohej me zgjerimin e mëtejshëm të pushtimit osman. Në muajt e parë të kthimit, Skënderbeu zhvilloi një veprimtari të ethshme, të palodhshme dhe vendimtare deri në skajet më të largëta. Brenda tre muajsh u morën kalatë e mëdha dhe u çlirua principata e Kastriotëve si dhe pjesa më e madhe e trevave shqiptare prej viseve në veri të matit deri në Dibër, Rekë e Polog, deri në Çermenikë e Malet e Mokrës, në krahinat midis luginës së epërme të Devollit e Semanit. Bashkë me viset deri atëherë të papushtuara në Veri-Lindje të Drinit si dhe në Kosovë, këto zona përbënin pjesën kryesore të trojeve të banuar prej shqiptarëve..

Se sa lartë e çmonte Skënderbeu gadishmërinë luftarake të masave popullore, sipsa Barletit, në çastet solemne kur në kështjellën e Krujës së çliruar, më 28 nëntor 1553 u ngrit përsëri flamuri i Kastriotëve me shqiponjën e zezë dykrenore me fushë të kuqe, që u bë tani e tutje flamuri hiostorik i luftëtarëve për liri i popullit shqipëtarë: "Lirinë nuk jua solla unë, por e gjeta këtu në mes tuaj...armët nuk ua ngjesha unë, por ju gjeta të armatosur, lirinë e kishit kudo, në krahror, në ballë, në shpatë, në hushtat!"

Duke nxjerrë mësime nga përvoja e dhjetra vjetësh luftimesh e dështimesh në planin shqiptar dhe ndërkombëtar dhe duke u përgatitur për të ardhmen, Skënderbeu vuri tani në jetë përfundimin e madh, që u bë guri themeltarë i gjith veprimtarisë së tij si burrë shteti dhe udhëheqës ushtarak në vitet e ardhme, se pa kapërcyer pozitat e vjteruara politike të përçarjes së vendit në një varg zotërimesh të veçanta, pa krijuar një bazë politike-ushtarake të organizuar e të qëndrueshme, pa bashkërenditur veprimet e brendshme me lëvizjet antiosmane që organizoheshin në plan të jashtëm, lufta nuk do të kishte perspektivën e fitores. Ishte merita e madhe e Skënderbeut që u bë shprehësi dhe zbatuesi i qartë, më i ndërgjegjshëm dhe i vendosur i kësaj domosdoshmërie që impononte situata objektive.

Pas fitoreve të para të viteve 1443-1444 filluan gjithnjë e më të forta kundërgoditjet e ushtrive osmane, në të cilat niseshin nga bazat e tyre të mëdha në portat e trojeve shqiptare, në Ohër, Manastir, Kostur e Shkup me forca gjithnjë e më të mëdha, me ekspedita të organizuara vit për vit me një rregullsi të paramenduar, në kohën e mbjelljeve e të korrave, për të shterrur forcat njerëzore dhe mundësitë ekonomike të vendit. Detyrës më urgjente së vendit, i shërbeu thirrja e Kuvendit në Lezhë (2.3.1444) dhe themelimi i një besëlidhjeje të sundimtarëve shqiptarë si organ politik dhe krijimi i një arke lufte për të mbajtur ushtrinë e përbashkët të Lidhjes.

Me autoritetin e vet si udhëheqës i kryengritjes së përgjithshme dhe nismëtar i mbledhjes, si përfaqsues i njërës nga principatat më të rëndësishme të vendit nga pikëpamja politike dhe ushtarake-ekonomike, Skënderbeu mundi t'u imponohej sundimtarëve feudal dhe përfaqsuesve të krahinave të vetëqeverisura për të kapërcyer divergjencat që kishin midis tyre. Lidhja e Lezhës u bë kështu i pari bashkim politik në shkallë mbarshqiptare që njihet në historinë e Shqipërisë. Skënderbeu u zgjodh kryetar i Lidhjes dhe Komandant i saj i përgjithshëm. Nën udhëheqjen e Skënderbeut ushtria që ai organizoi, kaliti e komandoi, u bë një armë e fuqishme tejet e shkathët për mbrojtjen e vendit. Tokat shqiptare për më se 25 vjet mundën t'u bënin ballë vërshimeve të njëpasnjëshme, betejave masive, bllokadave dhe rrethimeve që organizuan Murati II dhe i biri Mehmeti II, të mbiquajtur "pushtues të botëve", për të zhdukur këtë vatër qëndrese e front të ri që u hap në brinjën e tyre perëndimore, në një kohë kur vëmendja e osmanëve ishte drejtuar parasegjithash drejt Veriut, Danubit. Në Shqipëri dështoi politika e tyre e frikësimit, e mbështetur në epërsinë numerike dhe të armatimit. Duke shfrytëzuar veçoritë e terrenit shqiptar, luftën tradicionale popullore dhe duke e kombinuar si mjeshtër i artit luftarak me operacione të mëdha strategjike-taktike dhe ndeshje frontale, Skënderbeu kundërshtarin e lodhur me pusi e kurthe, alarme e shqetësime të vazhdueshme, e godiste me sulme të fuqishme e të befasishme dhe e shkatërronte përfundimisht. Me këtë strategji të mbrojtjes aktive, me parimin "mbrohu duke sulmuar", ai arriti rezultatet të shkëlqyera me një ushtri relativisht të vogël, duke vënë në jetë parimin e tij "se kush nuk është në gjendje ta mundë armikun me një ushtri pre 10-12000 vetash, nuk do të mundë ta bënte këtë as edhe me një ushtri shumëfish më të madhe". Kjo ushtri bashkonte vrullin e një ushtrie popullore me përvojën e reparteve të zgjedhura, të specializuara për detyra të veçanta të një ushtrie të qëndrueshme, të rroguar, me komandant të dalë nga radhët e popullit që u rritën e u kalitën bashkë me ushtrinë nën komandën e Skënderbeut. Me këto forca komanda shqiptare arriti të fitonte dhjetëra beteja kundër ushtrive kufitare osmane. Fushat e Pologut, të Dibrës, të Ohrit e të Domosdovës, grykat dhe luginat e Drinit e Shkumbinit sidomos në vitet 1444-48, 1450-56, 1462-65, fushat e Ujit të Bardhë (1457), të Livadit pran Ohrit (1462), të Vajkalit (1465) etj. u bënë sheh disfatash të ushtrive të rëndësishme osmane. Me këto koncepte taktike-strategjike Skënderbeu arriti të prapste e të thyente edhe forcat kolosale të ushtrive perandorake të llogaritura në mbi 100 000 veta, që erdhën me Muratin në krye për rrethimin e Sfetigradit (1448) dhe të Krujës (1450), si dhe Mehmetin e II për rrethimin e dytë e të tretë të saj më 1466-1467.

Taktika e shkatrimit sistematik të vendit, masakrat masive të zbatuara sidomos, nga Mehmeti II (në Çidhën u vranë më 1467 mëse 10 000 pleq, gra e fëmijë), nxitja e lëkundjeve dhe konflikteve midis anëtarëve të Lidhjes Shqiptare nuk mundën të përçanin bashkimin e Skënderbeun në krye. Këto momente krikite udhëheqësi i luftës mundi t'i përballonte me sukses, sepse kishte mbështetjen masive të qëndrueshme nga ana e shtresave të gjera sidomos të fashatarësisë, që shihnin në luftën konsekuente të udhëhequr nga Skënderbeu rrugën më të efektshme për të përballuar rrjedhimet shkatrimtare të luftës. Uniteti politik dhe ai ushtarak kushtëzonin njëri-tjetrin. Kryetari dhe komandanti i Lidhjes së Lezhës, i cili në një fazë të parë nuk kishte qenë veçse "një i parë midis të barabartëve", u detyrua tani të ndërhynte kur qe nevoja, në interes të luftës së përbashkët, në zotërimet e aleatëve të tij, duke cenuar autonominë e tyre, çka çoi, sidomos në vitet 50, në konfliktet me Arianitët, Muzakët, Dukagjinët, ndonëse ishin të lidhur me lidhje farefisnie me Kastriotët, madje midis vet këtyreve, konfliktet që shkuan deri në tradhëti (M. Golemi 1456, Hamza Kastrioti 1457 etj.). Këto rrethana e detyruan Skëndebeun të merrte masa energjike madje duke vënë dorë mbi tokat e tyre dhe duke marrë masa shtrëngimi, deri edhe dënimi me vdekje.

Me një evolucion të brendshëm, besëlidhja e sundimtarëve shqiptar filloi të kthehej në një aparat shtetëror, në një shtet të përqëndruar, që kishte si bërthamë zotërimet e Kastriotëve. Në gjirin e klasës sunduese, në këto kushte, pozita kryesore në aparatin politik-shtetëror e ushtarak kaluan kryesisht në duart e feudalëve të vegjël, të cilët qëndronin besnikërisht prapa përfaqsuesit të pushtetit qendror. Që nga fundi i viteve 50, në vartësinë e këtij shteti hynë edhe zotrimet e një vargu sunduesish që ishin përpjekur të ruanin pozitën e vet duke kërkuar mbështetje në forca të jashtme.

Formimi i këtij shteti ishte një hap i rëndësishëm për bashkimin politik të shqiptarëve, edhe pse nuk përfshinte gjith trojet shqiptare; jashtë tij mbeteshin viset në Jug të vijës Seman-Vjosë ku prapa krahëve të osmanëve gjendeshin një varg zonash të lira që përbënin vatra qëndrese, pjesë të luftës së përgjithshme. Principata e Kastriotëve nën sundimin e Skënderbeut përfshiu kështu në një shtet politikisht të pavarur pjesën më të madhe të trojeve shqiptare të papushtuara nga osmanët. Duke iu referuar historisë Skënderbeu deklaronte veten si pasardhës e vazhdues i veprës së bashkimit politik, që kishin ndërmarrë në fund të shek. XIV sundimtarët nga dinastia e Balshajve.

Fuqizimi dhe konsolidimi i shtetit të përqëndruar shqiptar e bëri atë një faktor politik e ushtarak të rëndësishëm aktiv edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Lufta që zhvillohej në Shqipëri ishte pjesë e asaj lufte për liri me të cilën popujt e Evropës Jug-Lindore, e midis tyre në rradhë të parë shqiptarët, duke gozhduar forca të mëdha në trojet e tyre u bënë një ledh mbrojtës kundër vërshimit shkatërrues të agresionit, i cili vinte në rrezik fatet e qytetërimit evropian në përgjithsi.

Për Skënderbeun ishte e qartë se një nga kushtet ndihmëse për zhvillimin e luftës antiosmane në Shqipëri ishte bashkëpunimi me forcat e jashtme, të interesuara për t'iu kundërvënë vërshimit osman. Që më 1443-44 e më tej 1448-56 Skënderbeu krijoi lidhje me Huniadin për të arritur një front të përbashkët në Kosovë, dhe për t'i ndihmuar forcat hungareze që luftonin në Belgrad. Nuk mungonin poashtu lidhje bashkëpunimi me sundimtarët e fundit ballkanas, mbretin e Bosnjës, despotët e Sërbisë dhe të Artës, me kryepeshkopin e Ohrit, të cilët qenë në fakt ata më të interesuar të përfitonin nga lufta që zhvillohej në Shqipëri. Vëmndje u kushtoi Skënderbeu sidomos përpjekjeve për të tërhequr në një bashkëpunim efektiv shtetet perëndimore më të afërta - Republikën e Venedikut, Mbretërinë e Napolit, Papatin e Romës, duke llogaritur se ishte vet interesi i këtare shteteve që të ndihmonin aktivisht, materialisht e ushtarakisht luftën në Shqipëri për të siguruar krahët nga sulmet osmane prej Ballkanit. Por këto shtete synonin vetëm të përfitonin nga lufta e popujve ballkanas, duke ua lënë atyre gjithë barrën e duke i përcjellë me fjalë të mira e urime. Republika e Venedikut i trembej përforcimit të Lidhjes Shqiptare e të pozitës së Skënderbeut që mundë të vinte në rrezik zotërimet e saj në Shqipëri. Ajo bëri kundër Skënderbeut një luftë të fshehtë që synonte vrasjen e tij dhe përçarjen e Lidhjes dhe arriti deri në luftën e hapur në dy fronte, të kombinuar nga osmanët më 1445. Edhe kur Republika hyri në luftë me sulltanët më 1463 dhe u lidh me marrëveshje me Skënderbeun dhe Hungarinë, ajo e konsideronte luftën në Shqipëri vetëm si një aksion për të lehtësuar frontin e saj në Peloponez. Skënderbeu i dënoi ashpër këto qëndrime sidomos në situatën e vështirë të rrethimit II e III të Krujës (1466-1467), duke deklaruar se "nuk kishte besuar që mundë të ekzistonte një shpirtligësi e tillë siç e treguan këta priftërinjë" dhe se "duhej luftuar më tepër kundër këtyre se kundër turqve". Edhe Mbretëria e Napolit ishte e interesuar t'ia hapte rrugën ekspansionist të saj drejt Mesdheut Lindor, me anë traktatesh të lidhur me një varg sundimtarësh ballkanas, me traktatin e Gaetës të përfunduar më 1451 me Skënderbeun, Alfonsi i V i Argonisë i premtonte sundimtarit shqiptar ndihmëm ushtarake financiare kundër osmanëve, ndërsa Skënderbeu po të plotësohej ky kusht do të njihte Alfonsin si kryezot, me cilësinë e vasalit për tokat që do të çliroheshin me forca të përbashkëta. Ky bashkëpunim që nuk cenonte politikën e pavarur të Skënderbeut pa u realizuar; lufta që synonte Skënderbeu kërkonte një angazhim tërësor të forcave që Alfonsi s'kishte ndërmend ta bënte.

Një orvatje të dytë për të angazhuar Napolin dhe aleatët e tij, Milanon, Papatin, në një aksion të përbashkët kundër osmanëve, bëri Skënderbeu në vitet 1460-62 me ekspeditën ushtarake në ndihmë të Ferdinandit kundër banorëve kryengritës në Italinë e Jugut, duke treguar qartë, siç ishte qëllimi itij, vlerën luftarake të forcave shqiptare për atë aksion. Në mendimin politik të njerëzve më të qartë të kohës po bëhej gjithnjë e më e dukshme rëndësia e Shqipërisë si kryeurë për kalimin e osmanëve drejt Perëndimit. Invazioni i Evropës është i sigurtë, shkruante në këtë kohë një ushtarak anglez, sepse s'ka fuqi që mundë të bëjë rezistencë po të bjerë kështjella shqiptare". Ndërgjegjja për funksionin evropian të luftës së shqiptarëve gjeti shprehje në planet që u hartuan në konferencën e disa shteteve evropiane në Mantova më 1458 si dhe më vonë më 1464, kur u hodh ideja për një front të gjerë politik e ushtarak antiosman, që do të përfshinte Burgonjën e disa shtete kryesore italiane, Shqipërinë dhe Hungarinë si dhe kundërshtarët e Mehmetit II në Azi. Por politika dritëshkurtër veçanërisht e shteteve italiane bëri që të dështonin këto plane. Për këtë fuksion evropian të luftës së shqiptarëve ishte i ndërgjegjshëm vetë Skënderbeu kur i deklaronte një princi italian se "po të mos ishte lufta jonë, ato vende që thoni se janë tuajat, do të kishin rënë prej kohësh në duart e turqve". Skënderbeu vdiq i sëmurë në Lezhë, ku do të organizohej një kuvend i krerëve shqiptarë, dhe u varros po aty.

Personaliteti i Skënderbeut si burrë shteti, strateg e mjeshtër i artit luftarak dallonte me tiparet e veta karakteristike nga princërit feudal bashkëkohës të Perëndimit. Luftëtarë i thjesht midis luftëtarëve, ai luftonet me "mëngë të shpërvjelura", në krye të një kalorësie që vepronte me shpejtësi të jashtëzakonshme në krahasim me ushtritë e rënda feudale, bartës i një emri me famë.

Skënderbeu u kthye kundër sulltanit për të marrë hakun e babait


"Atë çka nuk mund ta siguronin përmes tregtisë, njerëzit e Skënderbeut shpesh e merrnin me dhunë".




Nga Alma Mile

Ai është sundues, kërkon të arrijë qëllimet e tij me çdo kusht, edhe me dhunë, por është edhe shumë karizmatik. Të thjeshtët e duan, fisnikëria e ka halë në sy. Një këmbyes fesh, nuk është edhe aq i besueshëm. Nga i krishterë u bë mysliman e më tej sërish i krishterë. I pabesueshëm dyfish. Diplomat dhe njohës shumë i mirë i disa gjuhëve të huaja. Të gjitha këto dëshmohen në librin më të fundit të historianit Oliver Jens Schmitt, "Skënderbeu". I ulur përballë historianëve shqiptarë të Mesjetës, por edhe monumentit madhështor të Skënderbeut në pavijonin e Mesjetës, në Muzeun Historik Kombëtar, 36-vjeçari Schmitt, përmes përkthimit mjeshtëror të Ardian Klosit, sjell një këndvështrim për këtë figurë, të pranuar nga historiografia evropiane, si një nga figurat më të rëndësishme të kohës, bashkë me Huniadin dhe Drakulën. Historiani thotë se nuk është qëllimi i tij të çmitizojë Skënderbeun, por të plotësojë figurën e tij me të tjera dokumente të pashfrytëzuara më parë. Përmes një materiali dokumentar, të bollshëm, të qëmtuar në arkivat e Dubrovnikut, Milanos, Mantovës, Romës, Parisit, Barcelonës, etj., Schmitt na e paraqet Skënderbeun, jo si njeriun që bashkoi rreth vetes princërit shqiptarë e luftoi kundër turqve, por si udhëheqësin, që e kishte të vështirë të bënte pakte paqësore me fisnikët e tjerë të Arbrit. Dokumentet e paraqitura në libër dëshmojnë për mërira dhe armiqësira me familjet më të mëdha, duke nisur që me Aranitët, nga ku mori gruan e tij Donikën, Muzakajt, Topiajt, Balshajt. Shumë i internoi, u mori tokat. Besueshmëria tek Skënderbeu ishte shumë e brishtë. Shumë e tradhtuan, u bashkuan me turqit, ndërsa kishte shumë të pakënaqur. Por ajo që "trondit" më shumë është teza e hedhur mbi kryengritjen e Skënderbeut, arratinë e tij nga Danubi dhe kundërvënia ndaj turqve. Në bazë të një dokumenti, Schmitt argumenton se nuk bëhet fjalë për "çlirimin e mëmëdheut", por për hakmarrje personale. Kur figura e Skënderbeut vazhdon të glorifikohet, materialet që ofron Schmitti, nuk mund të mos ngjallin debate. Ende pa u lexuar libri, historianët shqiptarë e dhanë mendimin e tyre pro dhe kundër.


Skënderbeu sipas Oliver Jens Schmittit

Hakmarrja
"Më 10 janar të vitit 1454 dy diplomatët milanezë Sceva de Curte dhe Jacobo Trivulzio i shkruajnë zotërisë së tyre, dukës Francesco Sforza të Milanos, për pritjen që i kishte bërë papa Nikollë V një bajlozi të Skënderbeut. Kjo ndodhi pak më shumë se gjysmë viti pas rënies së Kostandinopojës, kur krejt Italia ishte si në ethe dhe fuqitë, që si zakonisht veç grindeshin me njëra-tjetrën tani po punonin për një "ligë italiane", e cila u realizua me të vërtetë në paqen e Lodit po atë vit. E pra në këto rrethana erdhi para papës i dërguari i Skënderbeut dhe njoftoi se "për arsye të urrejtjes personale që ai (Skënderbeu) ushqen kundër turkut, meqë ky Turk ka vrarë babanë e zotërisë, ky zotëri (Skënderbeu), ka vënë të vrasin një vëlla të Turkut (Mehmeti II)". Kështu zgjidhet edhe rebusi, shpjegohet mosbesimi i sulltanit, kryengritja e Skënderbeut. Ivan Kastrioti pra, më 2 maj 1437 nuk pati vdekur nga një vdekje e natyrshme, por ishte vrarë me urdhër të Muratit II. Si shkak mund të hamendet që urëtrazuesi i vjetër do të kishte përgatitur ndonjë rebelim të ri, e me të vërtetë ai vazhdonte të mbante lidhje të ngushta me Venedikun, kishte kërkuar gjithashtu të drejtën e qytetarisë venedikase, për të bijtë Stanisha dhe Gjergj, këtë qytetari e kishte kërkuar edhe në Raguzë. Me mëkëmbësin venedikas të Lezhës, Pasquale Gradenigo, ai pak para se të vdiste kishte pasur marrëdhënie tejet të përzemërta; venedikasit e quanin "një mik të shkëlqyer". Nga këndvështrimi i osmanëve kjo përbënte arsye të mjaftë për ta hequr qafe këtë njeri të rrezikshëm një herë e mirë. I biri, Iskënderi, i cili në sy të osmanëve nuk ishte i ngatërruar drejtpërdrejt në ndonjë përbetim, u largua menjëherë nga atdheu i të parëve. Është e paqartë nëse Skënderbeu e mori vesh vrasjen aty për aty, apo ndoshta më pas. Por sidoqoftë së shpejti do të mendonte për hakmarrje. Po të keni parasysh se e drejta zakonore e arbërve gjallonte qysh në mesjetë, ai s'kishte tjetër rrugë përveçse të ruante nderin e tij. I duhej të merrte gjak nga ajo familje që kishte derdhur gjak: kjo ishte dera e Osmanëve. Në vend që të rrëmbehej në ndonjë veprim të pamenduar, Skënderbeu luajti në mjeshtërinë e kamuflimit, e cila ishte mjaft e përhapur në oborrin e Osmanëve, me të krishterët e shumtë që ishin shtrënguar të ndërronin fenë e tyre. Biografë të më vonë janë të një mendje në pohimin e tyre, se ai ishte mjeshtër për t'i fshehur mendimet e tij të vërteta. Kështu Iskënderi i ashtuquajtur besnik shkoi në Danub dhe priti me durim derisa të vinte çasti i volitshëm....

Deri më sot mbetej e panjohur për ç'arsye ishte vrarë në mënyrë kaq të llahtarshme, së bashku me fëmijët e vet, biri i dashur i Muratit. Bajlozi i Skënderbeut në Romë ishte i vetmi njeri, që ka folur ndonjëherë për këtë gjë: Alaeddin Ali Çelebiu kishte rënë viktimë e një përbetimi, ku fijet kryesore i luante Skënderbeu. Por a mundej vallë një mëkëmbës në Nikopojë ta drejtonte i vetëm vrasjen e një princi trashëgimtar, i cili për më tepër ndodhej në Anatoli, ndërkohë që Kara Hidr Pasha pa dyshim ka vepruar pas një urdhri nga oborri? Kjo është me pak gjasë e i dërguari i Skënderbeut u shpreh edhe që zoti i tij kishte vënë të vrisnin vëllanë e padishahut, e pra komplotin nuk e kishte udhëhequr ai vetë. (fq 58-60)


Taktikë lufte?
"Atë çka nuk mund ta siguronin përmes tregtisë, njerëzit e Skënderbeut shpesh e merrnin me dhunë. Shumë prej tyre ishin malësorë të mësuar me mungesat, por që sipas zakonit të vjetër, zbrisnin poshtë në fusha për të furnizuar familjet e tyre me grabitje. Këto doke u ruajtën deri në fillimet e shekullit 20. Kalorësit e shpejtë nga malet i kishin qejf shpeditat grabitëse, ku mund të vinin përpara bagëtinë e rrëmbyer. Grabitjet bëheshin kryesisht kundër territoreve osmane, por edhe ato venedikase nuk u kursyen. Pak javë pas fillimit të kryengritjes banorët e Lezhës njoftonin se "njëfarë Jeorgius Castriot ka kryer shumë grabitje e vazhdon të grabitë bagëtitë e tyre e të marrë rob gratë dhe fëmijët e tyre" (Acta Albaniae Veneta) (fq 159).

Marrëdhëniet me fisnikërinë
"Ai mëtonte të bëhej zot në të gjithë vendin", ankohej Joan Muzaki.
Shkruante Joan Muzaki: "Ai zuri rob zotin Joan dhe zotin Gojka Balsha dhe i dërgoi ata te mbreti ferronte Plaku në Napoli, që ky t'i mbante robër, e pastaj ua mori sundimet që ndodheshin midis Krujës dhe Lezhës, dua të them tokën e Misias"

Muzakajt dhe Topiajt, Skënderbeu i fyeu keqas, pasi e detyroi kreun e Topiajve, Muzakë Topinë, që të dëbojë gruan e tij të parë, nga familja Muzaka, e në vend të saj të martohet me Mamica Kastriotin. Për një familje e cila, siç njofton Demetrio Franko (Dhimitër Frëngu) e quan veten Karloviçi, "e cila në sllavisht do të thotë lavdiplotë, apo djemtë e Karlit, pasi e kishin prejardhjen nga dera mbretërore frënge", ky ishte një turp i padëgjuar. Kronisti fisnik Musachi ankohej: "Ai nuk druhej as para Zotit, as para ndonjë gjëje tjetër, as para djemve që kishin ata". Për fisnikërinë, Skënderbeu kishte thyer rendin hyjnor, nderin dhe emrin e dyerve të moçme. E drejta e vjetër përballej me padrejtësinë e këtij homo novus të dhunshëm. (fq 193)

Tradhtia
Më 1457 bajli venedikas i Durrësit njoftonte: "Atë e kanë lënë të gjithë komandantët e vet, të cilët kanë kaluar te Turku". Nëntë vjet më vonë "Skënderbeu, kur mori lajmin e nisjes në marshim të armiqve, nuk u besonte më komandantëve të vet të kështjellave, pasi e dinte se ata do t'i nënshtroheshin të nipit; ndaj dhe i shkarkoi, duke i zëvendësuar me të tjerë, të cilëve ua mori pronat e gratë e fëmijët i dërgoi si pengje në Kalabri. Mirëpo komandantët e kështjellave, të cilëve u ishin marrë kështjellat e tyre e siç thuhet për shkak të frikës nga turqit, që kishin mbërritur në vend, ishin arratisur, Turku, kur pa dështimin e vet, dha urdhër t'i ekzekutonin. Nipin e Skënderbeut, atë që kishte treguar rrugën dhe e kishte këshilluar, ai urdhëroi ta shkonin në hu...". Kjo letër e Agostino Patrizi Piccolominit e vitit 1466 zbulon, se sa e dobët ishte lidhja e besnikërisë me Skënderbeun, sidomos te fisnikët, mbas më shumë se dy dhjetëvjeçarësh luftë. Vetëm marrja peng dhe shantazhet i siguronin ende besnikëri Kastriotit, edhe shpronësimi që u bënte pronave të rebelëve i shërbente si shembull tmerrues. Ndërsa në familjen e vet ai nuk ishte në gjendje të mbante këtë trysni. Përsëri iu desh të shihte tradhtinë e një burri nga rrethi më i ngushtë. Tradhtarët gjendeshin në mjedisin më të afërt të Skënderbeut. (fq 220-221)

Fati i heroit
Jeta e Skënderbeut nuk ishte një marshim triumfal, por një luftë e vazhdueshme për mbijetesë, e mbushur me disfata, situata në dukje pa rrugëdalje, por shpesh dhe me kthesa të papritura të fatit. Pa vullnetin e prijësit, pasuesit e rraskapitur do t'u ishin nënshtruar herët osmanëve. Mirëpo ishte pikërisht vullneti i Kastriotit për fitore ai që tek e fundit i tërhoqi malësorët drejt rrënimit. Sfidës së padëgjuar të ish-oficerit të tyre dezertor sulltanët i ishin përgjigjur me një ashpërsi të panjohur më parë. Kushtu, jeta dhe kryengritja e Skënderbeut u bë dhe tragjedia e trevës së tij të prejardhjes, e cila si asnjë rajon tjetër i Ballkanit u shkretua dhe u shpopullua nga osmanët. Është gati emblematike vetmia e Skënderbeut në ditët e tij të fundit: hakmarrësi i t'et, kundërshtari i dy sulltanëve, atleti i krishtit, Aleksandri i Ri u ndodh vetëm mbi rrënojat e veprës së tij.

"Arbëria venedike 1392-1479"


"Arbëria venedike 1392-1479", e botuar kohët e fundit në shqip (K&B, përkthyer nga Ardian Klosi), na njeh me punën e jashtëzakonshme të një historiani zviceran, Oliver Jens Schmitt, aktualisht profesor për Historinë e Europës Juglindore pranë Universitetit të Vjenës. Megjithë titullin disi modest, ky libër, më shumë sesa historia e sundimeve të Venedikut në Arbëri, është historia e mesjetës së vonë të viseve që shkojnë nga skajet e Albania veneta pra Kotor e Tivar e deri në Epir. Natyrisht e mbështetur në traditën e madhe të Sufflayt, Jirecekut, Ippenit, Valentinit, në monografitë më të mira të studiuesve sllavë e shqiptarë pas vitit 1945, por edhe atyre frëngë ose gjermanë, vepra e Schmittit zbret në Shqipëri si për të korrigjuar tablotë e ideologjizuara-nacionaliste që për kaq dhjetëvjeçarë mbizotëruan në vendin tonë në radhë të parë saje teksteve akademike e shkollore. Ajo niset nga arkivat dhe burimet e botuara për të ndërtuar tablotë dhe nga kombinimi i mprehtë e asnjanës i fakteve për të mbërritur në përfundime.
Schmitt, i lindur në Basel në vitin 1973 veprën e tij e ka shkruar praktikisht në moshën 26-27-vjeçare. E nisi si punim disertacioni pranë albanologut të Mynihut Peter Bartl, epërfundoi në një opus të larmishëm prej 700 faqesh, ku preken të gjitha aspektet shoqërore dhe historike të kohës. Botimi gjermanisht doli në Mynih në vitin 2001.
Në Vjenë Schmitt ka marrë pikërisht katedrën e ngritur rreth një shekull më parë nga Konstantin Jirecek. Zhvendosja e njëkohshme në Vjenë e "Albanien-Bibliothek" të krijuar ndër dhjetëvjeçarë prej Bartlit, e bën sërish universitetin e Vjenës qendër me rëndësi për studimet balkanologjike e në veçanti albanologjike.
Aktualisht historiani është duke shkruar një monografi për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, të cilën mendon ta mbyllë këtë vit.
Gjatë qëndrimit të tij javën e kaluar në Shqipëri, ku u paraqit "Arbëria venedike" në Tiranë e në Shkodër, Oliver Jens Schmitt iu përgjigj pyetjeve të mëposhtme.

Sa kohë ju është dashur për "Arbërinë Venedike"?

E kam filluar punën në vjeshtë të vitit 1997. Kam përfunduar së shqyrtuari dokumentet e botuara aty nga fundi i vitit 1998. Në gjysmën e parë të 1999-s punova në arkivat dhe bibliotekat e Venecies. Ndërsa libri është shkruar kryesisht në periudhën midis korrikut dhe dhjetorit 1999. Këtyre iu shtuan edhe katër muaj hulumtime në Arkivin Shtetëror të Venecies (shkurt - qershor 2000). Me material së këndejmi u plotësua libri. Së fundi më mori një kohë të gjatë hartimi i indeksit. Në vjeshtë të vitit 2000 libri hyri në shtyp. E pra gjithsej gati tre vjet punë.

Kjo vepër e ngjeshur dhe materiali i shumtë faktik që përmbledh të habit: si ka mundësi të krijojë një vepër të tillë një historian në moshën tuaj? Mund të na zbuloni diçka nga mënyra juaj e punës?

Interesimi im për mesjetën arbëre zë fill qysh në kohën kur isha në gjimnaz dhe lexoja veprat e Milan von Sufflayt dhe Konstantin Jirecekut. E pra plani për të punuar mbi këtë temë është i vjetër. Pata fat që qysh në semestrin e parë në Universitetin e Vjenës munda të ndjek pranë paraardhësit tim Max Demeter Peyfuss, i njohur në Shqipëri nëpërmjet hulumtimeve të tij për Voskopojën, një seminar për historinë e Shqipërisë, pastaj të mbledh edhe njohuritë e duhura në paleografi dhe gjuhë (shqip, greqishte e re, serbisht). Rëndësi pati edhe studimi i bizantinologjisë pranë Johannes Koderit, bashkautorit të një monografie të madhe për Arbërinë jugore në mesjetë. Kështu që kur fillova punën në vjeshtë 1997 në Mynih, themelet ishin krijuar. Këtu më ndihmuan kushte të shkëlqyera pune: Peter Bartl, mentori i doktoratës sime, më hapi visaret e "Albanien-Bibliothek"; edhe Biblioteka Shtetërore e Bavarisë më vuri në dispozicion vepra të moçme e të rralla. Vendimtar u bë qëndrimi im dhjetëmujor në Venecie, ku Qendra gjermane e Studimeve Venedike më ndihmoi bujarisht me një bursë. Arrita të gjej në Arkivin Shtetëror dhe në biblioteka material të ri me rëndësi. Shumë i rëndësishëm qe pa dyshim edhe botimi i Statuteve të Shkodrës në bashkëpunim me Lucia Nadinin, Gherardo Ortallin dhe Pëllumb Xhufin.
Veç kësaj nuk shkelja në truall të virgjër shkencor: krahas historianëve austro-hungarezë rreth vitit 1900, ishin para vitit 1945 sidomos shkencëtarë italianë e pas 1945-s në radhë të parë dijetarë shqiptarë që dhanë kontribut të madh në këtë fushë. Luan Malltezi kishte botuar më 1988 një monografi të gjerë e të rëndësishme mbi qytetet arbëre nën sundimin venedik. Të tjerë dijetarë si Kasëm Biçoku, Pranvera Bogdani, Kristo Frashëri, Përparime Huta, Gjerak Karaiskaj, Aleksandër Meksi, Selami Pulaha, Spiro Shkurti, Pëllumb Xhufi, Injac Zamputi – po rendit këtu alfabetikisht vetëm ata, veprat e të cilëve i kam përdorur në punën time – hetuan çështje të historisë sociale-kulturore. Krahas këtyre historianë jugosllavë e europianëperëndimorë kanë hulumtuar sidomos arkivat e Dubrovnikut, pjesërisht edhe ato të Kotorit. Bazën e vërtetë të librit e përbëjnë Acta Albaniae Veneta, botuar nga ati jezuit Giuseppe Valentini. Këto 25 vëllime i kam përpunuar sistematikisht, duke hapur qysh në krye një bazë të dhënash për të klasifikuar sipas temave mijërat e dokumenteve e dëshmive. Kjo bazë më mundësoi më pas vlerësimin efikas të materialit. Por megjithatë vendimtar ishte pasioni për temën, i cili nuk më ka lëshuar për vite të tëra. Libri i parë i një historiani është gjithmonë diçka e veçantë – këtë e kuptova kur fillova të punoj për librin e dytë, i cili merret me Stambollin dhe Izmirin në shekullin 19.

Pas këtij libri "është thënë gjithçka" për mesjetën e vonë arbëre në përgjithësi dhe sundimin venedik në Arbëri në veçanti?

Asnjë libër nuk mund ta thotë të vërtetën e fundit, pasi ngritja dhe interpretimi i çështjeve janë gjithmonë shprehje e një tradite të caktuar shkencore dhe meditimeve vetjake të historianit. Vlerësimi i sundimit venedik, për shembull, mund të bëhet nga perspektiva të ndryshme, si sundim i huaj, sikurse ndodhte në kohën e Enver Hoxhës, ose si vazhdim i një orientimi mesdhetar të ultësirës bregdetare arbëre. Veç kësaj një libër i vetëm nuk mund t'i mbulojë të gjitha aspektet në detaje; një monografi nuk mund dhe nuk duhet të ketë karakter enciklopedik.
Këtyre vjen e u shtohet edhe çështja e materialit të ri: vepra e Valentinit mbyllet me vitin 1463; disa burime për periudhën deri më 1470 i kam botuar vetë, megjithatë mungon një botim sistematik i dokumenteve venedike deri në lëshimin e Shkodrës më 1479. Duhet mbledhur e botuar gjithashtu sistematikisht materiali arkivor nga Dubrovniku dhe Kotori. Por edhe arkiva të tjera që janë me rëndësi për historinë e Shqipërisë duhet të përpunohen më thellë: kështu p.sh. kam gjetur në Zadar në shtator 2006 disa dokumente të Gjergj Strazimiroviq Balshës nga fundi i shekullit 14.
Kurse arkivat e mëdha italiane (Venecie, Milano, Mantova, Vatikan) janë hulumtuar më mirë, së paku pjesët më të lehta për t'u studiuar të fondit bazë arkivor. E prapë, në Venecie ka ende regjistra noterësh, fonde trashëgimish, testamente në sasi të mëdha, të cilat thuajse janë të painventarizuara. Kështu që është i pamundur një kërkim i shpejtë, gjetjet varen nga rastësia dhe durimi. Me fjalë të tjera: këtu do duhej të punonin historianë shumë të kualifikuar për të paktën tre a katër vjet, që të gjenin material të ri. Pa dyshim që do t'ia vlente, vetëm se është shumë e kushtueshme. Megjithatë, sa për të dhënë një shembull: një rastësi e tillë më ndihmoi të gjej një dokument që tregon se Skënderbeu kishte një shtëpi të vetën në ishullin kroat Hvar.
Duhen shqyrtuar edhe arkivat e famullive në komunat arbëreshe të Italisë së jugut si dhe gjithë arkivat shtetërore të bregdetit puljez: edhe këtu është i pamundur kërkimi i shpejtë; vetëm një ekip hulumtuesish do mund të gjente në kërkime afatgjata material të ri dokumentar. Deri më tani kjo nuk është bërë, mbetet pra një sfidë për të ardhmen.
Është shumë me rëndësi arkeologjia mesjetare: studiues shqiptarë të artit kanë bërë kërkime me vlerë sidomos për historinë e arkitekturës. Megjithatë vetëm gërmimet sistematike – siç u filluan në Lezhë – janë ato që premtojnë zbulime lidhur me kulturën materiale, bie fjala për mënyrën e banimit dhe jetesën e përditshme. Këtu për hulumtimet shqiptare hapen horizonte krejt të reja, të cilat do mund ta pasuronin në thelb imazhin tonë të ngritur kryesisht mbi burimet e shkruara.
E pra nuk është folur fjala e fundit, përkundrazi, shpresojmë që të intensifikohet sërish hulumtimi në arkiva dhe në terren, që megjithë kushtet e vështira dhe kërkesat e larta shkencore, t'u kthehen këtyre temave edhe studiues të rinj shqiptarë. Kështu pra, një libër i ri është në rastin më të mirë ftesë për t'u marrë me përmbajtjen e tij në mënyrë kritike-shkencore, pastaj edhe për të vijuar e përpunuar më tej fillin e tij tematik.

Kohët e fundit janë botuar 2 a 3 monografi mbi Skënderbeun dhe së paku po kaq janë duke u hartuar. Mes tyre edhe punimi juaj. Ku përqendrohet vepra juaj? Ç'aspekte të reja të personalitetit dhe të problematikës kërkoni të ndriçoni? Ka edhe këtu, si për "Arbërinë Venedike" burime dokumentare të pazbuluara ose të hulumtuara pak? Dhe, kur pritet të dalë libri?

Që të shkruash për Skënderbeun do të thotë të hysh në një traditë shumë të gjatë studimore. Kjo traditë gati-gati ia zë frymën hulumtimeve të reja. Pasi, po të krahasosh punimet ekzistuese, do të gjesh në shumicën e tyre një tip strukture narrative: kjo ngrihet mbi mënyrën kronologjike, e ndërprerë nga analizat e strukturave shtetërore, simbolika e pushteteve dhe ndërtimi i tablove.
Ndërsa libri im, të cilin shpresoj ta përfundoj deri në verë, mbështetet në radhë të parë mbi materialin burimor. Kjo do të thotë se përpiqet t'i mënjanojë krejt historitë interepretuese të shekujve 19 e 20 dhe të përqendrohet në materialin bashkëkohës. Materialin e botuar e kam plotësuar nëpërmjet një numri qëndrimesh në arkivat e Milanos, Manovës, Modenës, Dubrovnikut dhe Zadarit, si dhe me punën në sektorin e dorëshkrimeve të Bibliotekës Kombëtare austriake në Vjenë.
Megjithatë në librin tim fjala nuk është vetëm për përpunimin e materialit të ri. Ky libër kërkon, duke iu shmangur strukturave të deritashme narrative, ta ndajë temën e Skënderbeut dhe mjedisit shoqëror të tij sipas fushave problemore; kështu heton, sa për të përmendur vetëm disa tema, çështjen e shpurës pasuese të tij, rëndësinë që kishte besnikëria dhe tradhtia, imazhin ideal të prijësit; ngre pyetjen, nëse dhe për sa kohë e ashtuquajtura "Besëlidhje e Lezhës" përbënte vërtet shtyllën e pushtetit të Skënderbeut dhe çfarë programi politik mund të lexojmë nga burimet.
Por libri ngre edhe çështje të historisë ekonomike, lidhur me transaksionet financiare të Skënderbeut, tregtinë e tij në Adriatik, politikën doganore, importin e teknologjisë luftarake; ngre pyetjen p.sh. se ç'rëndësi kishin për shoqërinë arbëre ndihmat në të holla të Venedikut dhe të papës. Një shembull konkret: ç'vlerë kishte një dukat në male? Atje banorët merreshin kryesisht me blegtori. Për Arbërinë mungojnë të dhënat. Por pyetja mund të marrë përgjigje nëpërmjet krahasimit me kushte të ngjashme shoqërore në Dalmaci, ku kemi më shumë burime dokumentare: një katund barinjsh, që kishte 19 burra, merrte në vitin 1442 në Shibenik, një qytet me rëndësinë e Shkodrës, 19 dukate për prodhimin e djathit në një vit, e pra një bari fitonte 1 dukat në vit. Në rast se Skënderbeu merrte prej Venedikut një pagë vjetore prej 1400 dukatesh, kjo për kushtet e Italisë, dmth. për një ushtri mercenare italiane, ishte ndoshta pak, por në Arbëri Skënderbeu mund të paguante me to për një vit një trupë të vetën prej 1400 burrash. Shpura e zakonshme e Skënderbeut kishte rreth 1500 burra. Me fjalë të tjera, vetëm paraqitja e pagesave në kontekstin e tyre, bën të mundur ta interpretosh rëndësinë e kësaj mbështetjeje.
Një temë tjetër e rëndësishme është edhe analiza e Marin Barletit, i cili në mjaft pika është shumë më i besueshëm nga sa është menduar deri më sot: Barleti më njërën anë përdor modele rrëfimtare nga letërsia antike, të cilat ishin në modë në Italinë e Rilindjes së shek. 15; më anë tjetër gjejmë tek ai shumë përfytyrime dhe mënyra tregimtare për heronjtë idealë sikurse ndeshen në epikën në vargje të Epirit, ku jetonte në shekullin 15 një popullatë e përzierë greke, arbëre, sllave, vllehe dhe italiane. Këto krahasime të ndihmojnë të kuptosh përse gëzonte Skënderbeu në Ballkan një famë kaq të madhe.
Pyetje si këto dhe të tjera do të krijojnë një tablo e cila shmanget nga paraqitjet paraardhëse. Megjithatë edhe ky këndvështrim tjetër nuk i ndryshon ndonjë gjë madhështisë politike dhe njerëzore të Skënderbeut, i cili jo pa arsye për shekuj të tërë ishte në Perëndim njeriu më i njohur nga vendet e Europës Juglindore.

Pak mendime për historianët e sotëm shqiptarë. Po me të rinjtë ç'ndodh? Është kapërcyer vallë trauma e historiografisë së ideologjizuar dhe nacionaliste?

Në Shqipëri studimet shkencore historike në Universitet e Akademi kanë lindur vetëm pas vitit 1945 dhe pas kësaj janë përqendruar fort pranë Akademisë. Këtu Shqipëria nuk është shembull i vetëm, pasi edhe në Maqedoni kushtet janë të ngjashme. Aktualisht kushtet materiale për shkencëtarët janë të vështira. Së bashku me Institutin e Historisë në Tiranë dhe Akademinë e Shkencave dhe Arteve në Kosovë, Komisioni ballkanik i Akademisë së Austrisë dhe Instituti im universitar po planifikojnë një proces të ngjeshur dialogu dhe diskutimesh. Në dhjetor 2006 u organizua në Vjenë një konferencë e parë përgatitore. Në diskutim me institucionet e lartpërmendura në Tiranë dhe Prishtinë, albanologët e huaj më në emër si Nathalie Clayer, Peter Bartl, Noel Malcolm, Konrad Clewing, Bernd Fischer përmblodhën gjendjen e studimeve mbi temat më të rëndësishme të historisë së shqiptarëve. Përfundimet do të botohen edhe në shqip. Në një hap të dytë historianët shqiptarë do të shprehin mendimet e tyre mbi pikëpamjet e kolegëve të huaj. Rezultatet e këtij dialogu do të diskutohen me hollësi në një kongres të madh historianësh, i cili do të përgatitet nga të gjitha institucionet e lartpërmendura. Fjala këtu është më pak për hulumtime vetjake sesa për interpretimin dhe diskutimin e metodave të reja. Kam kënaqësi që si Instituti i Historisë në Tiranë i përfaqësuar nga prof. Dr. Marenglen Verli ashtu edhe ASHAK, e përfaqësuar nga prof. dr. Rexhep Ismajli, po e mbështesin në mënyrë të qëndrueshme këtë proces.
Së fundi po kujtoj si një nismë të vogël, që Instituti im universitar jep bursa për studiues të rinj nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia: më 1 mars presim një kolege dhe një koleg nga Kosova si dhe një historian të ri nga Shqipëria. Ky është një hap modest, një ofertë për të rinj që dëshirojnë të qëndrojnë për hulumtime jashtë shtetit.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...