Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/06/27

Veprat dytësore të shekullit të shtatëmbëdhjetë





Vepra të tjera të letrave shqiptare janë të pakta e të rralla, larg njëra-tjetrës, si palma që shfaqen aty-këtu në horizontin e një shkretëtire letrare. Asnjëra syresh nuk ka ndonjë vlerë të veçantë letrare, edhe pse, në këtë periudhë, çfarëdo shkrimi në gjuhën shqipe mund të marrë rëndësi kulturore, gjuhësore e historike.
Për qenien e një numri veprash në gjuhën shqipe në shekullin e shtatëmbëdhjetë dihet vetëm ngaqë përmenden ose prej autorëve të tyre ose nga studiues të mëvonshëm. Më sipër zumë në gojë, për shembull, dy përkthimet fetare që Frang Bardhi njofton se i ka bërë dhe gramatikën latinisht-shqip të Ndre Bogdanit, ungji i Pjetër Bogdanit.

Një përkthim tjetër fetar në shqipe ishte ai i Neofit Rodinosë (Neofito Rodinò, 1576-1659), misionar qipriot. Rodinoja ka kaluar disa vjet në ngulimet arbëreshe në Italinë jugore, përfshirë Munxifs (ital. Mezzoiuso) në Sicili dhe Barill (ital. Barile) në Potenzë. Nga 1628 deri më 1643 ai jetoi dhe punoi në krahinën e Himarës në Shqipërinë jugore. Bashkë me studentin e tij Dhimitër Delvina (Demetrio Dervino), prift shqiptar, ai përktheu shqip një Doktrinë të Krishterë për përdorim fetar. Origjinali ndoshta ka qenë ai i Jakob Ledesmës(35), i përkthyer më

__________________________________________________ _________________

35 kr. Shuteriqi 1976, f. 74.
__________________________________________________ _________________


parë nga Lekë Matrënga. Në letrën dërguar Propaganda Fides më 28 gusht 1637, Rodinoja shkruante:

"Tra alcuni scolari mei che tengo, vi è un sacerdote detto Demetrio, il quale possede elegantissimamente la lingua albanese per esser della nation, et è catholico vero; perciò mi sono posto a tradur la dottrina christiana, quella che è contenuta in soli duoi fogli, in questa lingua, la qual spero in Iesu Christo sarà di utilità apreso loro. Con altra occasione, e spero presto, la manderò, perchè ancora non è finita, pregando a Vostra Signoria Illustrissima la proponga alla Sagra Congregatione, acciò dii ordine che si stampi."

(Ndër studentët e tjerë që kam është një prift me emrin Dhimitër, që e di gjuhën shqipe në mënyrë shumë të zhdërvjelltë, meqenëse është i atij kombi dhe katolik i vërtetë; për këtë arsye, i hyra përkthimit të Doktrinës së Krishterë, që jepet në këtë gjuhë vetëm në dy vëllime e që besoj në Jezu Krishtin se do t'u vlejë atyre. Do t'ua dërgoj më vonë, shpresoj së shpejti, meqë ende nuk e kam përfunduar, me lutje Shkëlqesive Tuaja që t'ia propozoni Kongregacionit të Shenjtë në mënyrë që të japin urdhrin për ta botuar.)(36)

Por Kongregacioni i Shenjtë i Propaganda Fides, si zakonisht, nuk ishte fort i interesuar për të pasur vepra fetare në gjuhën shqipe, iu përgjigj vetëm se Doktrina e Krishterë ishte përkthyer e botuar tashmë shqip, duke e pasur fjalën sigurisht për botimin e dytë të përkthimit të Pjetër Budit, dhe se nuk ishte nevoja t'i hynte mundimit për ta përkthyer përsëri. Kështu vepra e Neofit Rodinosë mbeti në dorëshkrim dhe humbi. Sikundër kemi vërejtur më sipër, mjaft nga të dhënat tona për Shqipërinë në këtë periudhë dalin prej letrave dhe raporteve dërguar Propaganda Fides nga misionarë dhe kishtarë vendës që shërbenin në Ballkan. Këto raporte shpesh përfshinin jo vetëm çështje të lidhura me kishën, por edhe të dhëna të rëndësishme për zhvillimet politike, si dhe për historinë, gjeografinë dhe zakonet e popullsisë fisnore vendëse.

Në njërin nga këto raporte, me datën 14 shkurt 1633 dhe me titullin 'Trajtesë e shkurtër për kombin shqiptar e, në veçanti për banorët e malësisë së Dukagjinit', hasim një listë me tridhjetë e dy fjalë shqip(37), për të cilat autori i saj Pjetër Mazreku (Pietro Maserecco, vd. 1634), nga Prizreni, kryepeshkop i Tivarit, orvatet të japë etimologji dhe shpjegime. Shumë prej tyre të kujtojnë imagjinatën naive të Shën Isidorit të Seviljes njëmijë vjet para tij. Pjetër Mazrekut mund t'i njihet kësisoj merita e babait të studimeve etimologjike shqiptare.

Në vitin 1638 u botua në shqipe një vjershë e Zhan Zhak Bushar-it (Jean Jacques Bouchard, 1606-1641?) në një libër me titull Monumentum romanum, Nicolao Claudio Fabricio Perescio, senatori Aquensi doctrinae virtutisque causa factum, Romë 1638, që përmbante tipa vjershash në shumë gjuhë asokohe ekzotike si, fjala vjen, gjuhët hindu dhe japoneze, kushtuar Nikola Klod Fabri de Peires (Nicolas Claude Fabri de Peiresc), mecenat frëng i arteve dhe shkencave nga Aix-en-Provence dhe mik i filozofit Pier Gasendi (Pierre Gassendi, 1592-1655) dhe i astronomit Galileo Galilei (1564-1642). Autori arbëresh i vjershës në shqip, Daniel Korteze (Daniel Cortese), pati lindur në Ungër (ital. Lungro) në Kalabri më 1617 dhe pati ndjekur studimet në Kolegjin Grek të Shën Athanasit në Romë nga viti 1631 deri më 1639, ashtu si dhe Lekë Matrënga një shekull para tij. Vjersha e tij me gjashtë vargje 'Carmen albaniense sev epiroticvm' (Këngë shqiptare apo epirote) është një panegjirikë e

__________________________________________________ _________________

36 kr. Karalevskij 1912, f. 196.

37 kr. Roques 1932a, Zamputi 1964a, 1964b, L. Marlekaj 1995.
__________________________________________________ _________________


thjeshtë e pa ndonjë meritë të vërtetë letrare a gjuhësore(38).

"Scerbese himiri hiscte na ringraziome
Atà ce ben mirè ghidhue cusctii hisctè
Zoti NICOLO ce beri mirè ghidhue
Asctu vete iemi baiture na te
Ringraiziome atà edhue na me
Gliucha dhenè"

(Është shërbim i mirë. Falënderojmë
Ata që të gjithëve u bëjnë të mira. Kështu ishte
Zoti Nikolla, i cili të gjithëve u bënte mirë.
Prandaj vetë jemi të shtrënguar
T'i falenderojmë edhe ne
Në gjuhën tonë.)

Duke gjykuar nga drejtshkrimi, ka të ngjarë që Daniel Korteze të jetë njohur me veprat e Gjon Buzukut, Pjetër Budit dhe Frang Bardhit, ndonëse jo doemos edhe me ato të Lekë Matrëngës. Vjersha e tij e vogël përbën dokumentin e tretë më të vjetër në dialektin tosk (pas Ungjillit të Pashkëve dhe Matrëngës) dhe të parin dokument nga Kalabria.

Një tjetër Doktrinë e Krishterë, që ndoshta mbetet për t'u zbuluar, është ajo e Bernardit të Kuintianos (Bernardus a Quintiano apo Quinzano) ose të Veronës. Është një përkthim në gjuhën shqipe i së ashtuquajturës Doktrinë e Krishterë 'e vogël' e Shën Robert Belarminit (1542-1621), e përkthyer gjithashtu nga Pjetër Budi më 1618. Bernardi(39) ishte një prift françeskan dhe misionar që shërbeu në Shqipëri nga viti 1636 deri më 1649, ku thuhet se e mësoi mirë gjuhën. Doktrina e tij e Krishterë u botua vërtet në Venedik më 1675. Pjetër Bogdani e njihte këtë vepër dhe në një letër dërguar Propaganda Fides nga Shkodra më 3 janar 1676 njoftonte:

"Gjatë kohës që kalova në Venedik verën e shkuar sigurova dhe me shpenzimet e mia rishtypa Doktrinën e Krishterë të vogël në gjuhën shqipe e në italishte të përkthyer me saktësi nga Reverendi At Bernardi i Veronës, dhe meqë i mora të gjitha kopjet me vete për t'ua shpërndarë klerikëve anembanë Shqipërisë, e gjykova të nevojshme t'i dërgoj një kopje Kongregacionit të Shenjtë nëqoftëse ata dëshirojnë ta ribotojnë në Propaganda Fide për t'u dhënë mundësi brezave të ardhshëm, ngaqë është mjaft e frytshme.(40)"

Një vepër tjetër që me siguri do të ishte me interes për leksikografët, është një Dictionarium epiroticum, një fjalor shqip i hartuar para vitit 1678 nga një Leo i Çitadelës (Leo da Cittadella), një misionar italian që shërbeu në dioqezën e Shkodrës më 1671. Vdiq më 1678. Si e ku, mbetet e panjohur.

__________________________________________________ _________________

38 kr. Shuteriqi 1958, 1973, f. 72-73.

39 kr. Roques 1936b, f. 33-34, Shuteriqi 1976, f. 79.

40 kr. Arkivi i Propaganda Fides, S. R. C. Albania II, f. 137. Nëse Doktrina e Krishterë e Bernardit të Kuintianos ruhet ende në bibliotekën e Propaganda Fides, kjo është e vështirë të thuhet, përderisa ende nuk ka kurrfarë katalogu të hollësishëm të materialeve të këtij arkivi historik që mund të kenë vlera albanologjike. kr. Kowalsky & Metzler 1983.
__________________________________________________ _________________


Arkivi i Propaganda Fides përmban gjithashtu një letër të shkruar shqip, me datën 30 mars 1689(41). Ajo u drejtohet autoriteteve kishtare nga pleqësia e Gashit në Shqipërinë verilindore, për t'u tërhequr vëmendjen lidhur me gjendjen e tyre, sidomos për faktin se për katër vjet me radhë kishin pritur t'u vinin priftërinjtë e premtuar nga Kongregacioni i Shenjtë. Arsyeja e përfshirjes së tekstit shqip të letrës, të hartuar për ta së bashku me variantin italisht nga famullitari dalmat i Pultit Xhorxhio Toliç (Giorgio Tolich), ishte pa dyshim që të theksonin vështirësitë gjuhësore me të cilat po ballafaqohej kisha në Shqipëri. Kuptimplotë është fakti se Toliçi përdor drejtshkrimin e Budit dhe Bogdanit, tregues ky se veprat e këtyre dy shkrimtarëve njiheshin prej tij.

Një vepër e shënuar e leksikografisë shqiptare, e hartuar para vitit 1694, është fjalori shqip-italisht, italisht-shqip(42) i murgut sicilian Nilo Katalano (Nilo Catalano, 1637-1694). Katalano ka lindur afër Mesinës në Sicili dhe ka shërbyer si misionar në krahinën e Himarës në bregdetin e Shqipërisë jugore, ashtu si dhe bashkatdhetari i tij Neofit Rodino. U emërua kryepeshkop i Durrësit dhe famullitar apostolik i Himarës më 1693 dhe vdiq një vit më pas më
3 qershor. Dihet gjithashtu se u ka dhënë mësim të gjuhës shqipe arbëreshëve të Munxifsit (ital. Mezzoiuso). Dorëshkrimi i veprës së tij Vocabolario albanese-italiano et italiano-albanese (Fjalor shqip-italisht dhe italisht-shqip) u bë i ditur nga Xhuzepe Krispi (Giuseppe Crispi, 1781-1859)(43) se ndodhej në Bibliotekën e Seminarit Shqiptar në Palermo më 1831. Më vonë ai ra në duart e studiuesit dhe shkrimtarit arbëresh Xhuzepe Skirò plaku (Giuseppe Schirò senior, 1865-1927)(44), i cili thotë se fjalori është në dialektin verior gegë (që nuk flitet as në Sicili e as në Himarë) dhe shpreh pikëpamjen se për këtë arsye ai mund të jetë një kompilim i fjalorit të Frang Bardhit dhe i veprave të Pjetër Budit e të Pjetër Bogdanit(45). Fjalori shoqërohet me shënime gramatikore për gjuhën shqipe dhe me dy faqe me shkrim grek. Ai përmbante në fillim edhe një përmbledhje këngësh popullore arbëreshe të shkruara me alfabetin grek, përfshirë 'Këngën e Pal Golemit', që Skiroi e botoi më 1923(46). Nëse këto këngë janë ende në këtë dorëshkrim, ato do të përbënin përmbledhjen më të vjetër të këngëve popullore arbëreshe, duke ia kaluar me mbi dyzet vjet më herët përmbledhjes që mendohet se e ka bërë Nikollë Filja (Nicolo Figlia, 1682?-1769).
Të pesë shkrimtarët kryesorë shqiptarë të shekujve të gjashtëmbëdhjetë dhe

__________________________________________________ _________________
41 kr. Bartl & Camaj 1967.

42 kr. Roques 1932b, f. 35-36, Dh. Shuteriqi 1976, f. 88, 1995, Kastrati 1980, f. 4-6.

43 kr. Crispi 1831.

44 Shuteriqi 1976, f. 88, njofton se ky dorëshkrim ndodhet sot në Bibliotekën Mbretërore të Kopenhagës. Por Gangale 1973 nuk e përmend fare në katalogun e tij të Koleksionit Shqiptar (Albansk Samling) të shënuar atje.

45 kr. G. Schirò 1917-1918.

46 kr. G. Schirò 1923, f. 22-25.
__________________________________________________ _________________


shtatëmbëdhjetë: Gjon Buzuku, Lekë Matrënga, Pjetër Budi, Frang Bardhi dhe Pjetër Bogdani, formojnë bërthamën e letërsisë së hershme shqiptare. Ata i dhanë kësaj letërsie frymëmarrjen e parë të talentit krijues dhe farën e imët të zhdërvjelltësisë dhe nivelit artistik. Së bashku me një radhë autorësh dytësorë që u përmendën më sipër si dhe pa dyshim me të tjerë që u kanë humbur analeve të historisë së letërsisë, ata sollën në jetë një letërsi që u zhvillua vrullshëm, por që do të mbytej në djep, si të thuash, nga shtrëngesat e rrjedhës së historisë shqiptare. Ato që mund të kishin qenë rrënjë të forta të një letërsie kombëtare dinamike, si ato që u rritën në rajonet më fatlume të Evropës në shekullin e shtatëmbëdhjetë, u këputën dhunshëm nga pushtimi turk dhe, si pasojë, nga dobësimi dhe rënia e mbrojtësit disi kontradiktor të Shqipërisë, kishës katolike.

Pushtimi turk dhe kolonizimi i vendit, që kishte filluar që më 1385, e ndau Shqipërinë në tri sfera kulture, të gjitha në thelb të pavarura nga njëra-tjetra: kultura kozmopolite e Orientit islamik që përdorte në fillim turqishten, persishten dhe arabishten si mjete shprehjeje, trashëgimia e zgjatur bizantine e Ortodoksisë greke në Shqipërinë jugore dhe kultura në zgjim e arbëreshëve në Italinë e jugut, të ushqyer nga një klimë shoqërore, politike, ekonomike më e favorshme si edhe nga trualli intelektual i qytetërimit italian. Me pushtimin osman të Ballkanit, letërsia e hershme shqiptare menjëherë rrudhet e rrëgjohet dhe me aq mbyllet përfundimisht kreu i parë i shquar i historisë së kësaj letërsie. Deri para se të vinte lëvizja e Rilindjes Kombëtare, në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, letërsia në Shqipëri nuk do të mund të rifitonte atë karakter jetësor që kishte pasur në shekujt e gjashtëmbëdhjetë e të shtatëmbëdhjetë. Letërsisë kombëtare do t'i duhej përsëri të fillonte nga e para.

Frang Bardhi dhe fjalori i tij latinisht-shqip (1635)


Frang Bardhi (1606-1643) është i katërti në radhën e shkrimtarëve të hershëm shqiptarë me emër. Ai është autor i fjalorit të parë shqiptar, të botuar në Romë më 30 maj 1635, që njëherazi përbën në gjuhën shqipe veprën e parë pa brendi fetare të drejtpërdrejtë. Frang Bardhi, i njohur edhe si Frano Bardhi apo Frangu i Bardhë, kurse në latinishte si Franciscus Blancus apo Blanchus, lindi në Nënshat ose Kallmet (në veri të Lezhës) në krahinën e Zadrimës të Shqipërisë veriore në një familje me tradita në dërgimin e djemve të saj për peshkopë kishe apo për ushtarë a nëpunës të Republikës së Venedikut. Ungji i tij qe peshkop i Sapës e i Sardës. Bardhi u dërgua në Itali ku studioi për teologji, ashtu si Pjetër Budi, në Kolegjin Ilirian të Loretos, afër Ankonës, e më vonë në Kolegjin e Propaganda Fides në Romë. Më 30 mars 1636, pa dyshim nën ndikimin e familjes, ai u emërua peshkop i Sapës e i Sardës, duke zëvendësuar të ungjin, i cili u bë kryepeshkop i Tivarit (Antivari). Para nisjes për në Shqipëri më 8 prill të atij viti, ai mori 'imprimatur'-in e domosdoshëm për botimin e dytë të Doktrinës së Kërshtenë të Budit, që mban emrin e tij:

"Nos Franciscus Blancus Dei, & Apostolicae Sedis gratiae electus Episcopus Sappatensis, & Sardanensis... vidimus ac studiose considerauimus versionem Doctrinae christianae in Epiroticum idioma olim impressam ac publicatam..."

(Ne Frang Bardhi, në emër të Zotit e të Selisë Apostolike, i zgjedhur peshkop i Sapës dhe i Sardës... kemi parë dhe shqyrtuar me imtësi variantin e Doktrinës së Krishterë në gjuhën epirote të shtypur e të botuar dikur...)

Që nga viti 1637, Bardhi vazhdoi t'i dërgojë nga Shqipëria Kongregacionit të Propaganda Fides raporte(25) italisht e latinisht, që përmbanin një minierë të tërë të dhënash për dioqezën e tij, për ngjarjet politike, zakonet shqiptare dhe për strukturën e vendin që zinte kisha. Nëntëmbëdhjetë nga këto letra dhe raporte ruhen në arkivin e Propaganda Fides. Më 1641, dy vjet para vdekjes, dihet se ka ardhur në Romë për të dorëzuar një raport me dorën e vet. Pas një jete të shkurtër por të dendur si shkrimtar e si figurë kishtare, Frang Bardhi vdiq më 9 qershor 1643 në moshën tridhjeteshtatëvjeçare.

Viti i fundit në Kolegjin e Propaganda Fides qe ai kur Frang Bardhi njëzetënëntëvjeçar botoi fjalorin 238-faqesh latinisht-shqip, për të cilin ka mbetur në histori(26). Kjo vepër që mban

__________________________________________________ _________________

24 Transkriptimi i përshtatur nga Ismajli 1986, f. 64-67.

25 kr. Zamputi 1956, 1963b/1965b.

26 Gjenden dy botime të fjalorit, duke përfshirë të dy kopjet fotostatike të origjinalit: Roques 1932a, dhe Sedaj 1983. Për studime të mëtejshme kr. K. Kamsi 1956, Ashta 1962, 1971-74, Geci 1965, Daka 1983, dhe Demiraj 1986.
__________________________________________________ _________________


titullin Dictionarium latino-epiroticum, una cum nonnullis usitatioribus loquendi formulis, Romë 1635 (Fjalor latinisht-epirotisht me disa shprehje të përditshme), përmban 5640 zëra latinisht të përkthyer shqip, plus një shtojcë me pjesë të ligjëratës, proverba dhe dialogë. Në parathënien e tij shqip të titulluar "Githë atyne tarbenesceve ghi ta marrene mee zghiedhune e mee zan", Bardhi shpjegon synimet e tij:

"Tve passune dite, e perdite (te dascunite e mij mbassi hina nde College) cuituem me ghisc zoppe Libre chesce me ndimuem mbe gna ane ghiuhene tane, ghi po bdarete, e po bastastardhohete saa maa pare te vè; e maa fort me ndimuem gith e atyne ghi iane ndurdhenite tine zot, e te Scintesse Kisce Cattoliche, e sdijne ghiuhene Latine, paa te ssijet as cusc smune scerbegne si duhete, paa te madh error, e fai, hesaapete, zaconete, e Ceremoniate e Scintesse Kiscesse Romesse. Me ndy io pach mire me marre, e me nchethyem nghiuhet ze Letine mbe ghiuhet Tarbenesce gna Ditionaar, ghi tietre sascte vecesse gna Libre, ghi kaa nde uetehe saa fiale, e saa emena iane, e gingene nde chete piesse Seculi: possi cuur me thanë, te Nienezet, e te Stasseuet, & Vienauet, e te Maleuet, e te Fuscavet, e te saa tiera cafsceue, ghi gindene ndene kielt, ende mbi kielt, possi cuur te tine zot, te Engiet, e te Scintenet &c. I silli Libre me pelghiei, e mu duch se chiste me u chiene per ndoogna ndime, ndoonesse te pache..."

(Pasi vrava mendjen për ca kohë (të dashurit e mij, pasi hyra në kolegj) se me ç'lloj libri do të mundja nga njëra anë të ndihmoja gjuhën tonë që përherë e më tepër po bdaret e po bastardhohet dhe, nga ana tjetër, të ndihmoja të gjithë ata që janë në shërbim të Zotit e të Kishës së Shenjtë Katolike e që nuk e dijnë gjuhën latine, pa të cilën askush nuk mund t'u shërbejë ideve, zakoneve dhe ceremonive të Kishës së Shenjtë të Romës ashtu sikundër duhet, pa bërë gabime të mëdha, mendova se do të ishte ide e mirë të hartoja e të përktheja një fjalor nga gjuha latine në gjuhën shqipe, që nuk është tjetër veçse një libër me fjalë dhe emra të ndeshur në këtë pjesë të botës. Pra, emra njerëzish, kafshësh, ujrash, malesh, fushash dhe gjëra të tjera që gjenden në qiell e në tokë, si dhe zoti, engjëjt dhe shenjtorët etj.. Ky libër më pëlqen mua dhe shpresoj se do t'u ndihmojë sadopak të tjerëve.)

Siç shihet, dy synimet e këtij fjalori ishin të shpëtonin gjuhën shqipe nga 'bastardhimi' e të ndihmonin klerin shqiptar të mësonte latinishten. Synimi i parë mund të vështrohet në kuadrin e atij ndikimi të fortë që turqishtja po ushtronte mbi gjuhën shqipe në shekullin e shtatëmbëdhjetë. Si do të çmonte një prift katolik shprehjen 'Allah, Allah!', që Bardhi e jep si shprehje admirimi? Synimi i dytë del qartë në letrat dhe raportet e Bardhit dërguar Romës, në të cilat ai ankohet për nivelin e klerit shqiptar. Në shekullin e shtatëmbëdhjetë, kisha katolike në Shqipërinë veriore ishte në gjendje shthurjeje të shpejtë. Shumica e peshkopatave qenë të paplotësuara me klerikë, ndërkaq shumë prej tyre qenë pa shkollë. Pjesa më e madhe e shërbyesve shqiptarë në kisha me sa duket kishin njohuri të cekëta për doktrinën e kishës, kurse shumë syresh, për të mos mbetur prapa kolegëve ortodoksë, qenë të martuar. Synimi i Bardhit ishte t'i ndihmonte për të mësuar latinishten si për të ngritur nivelin ashtu edhe për të kapërcyer nevojën për një kler të huaj shpesh pa emër të mirë brenda këtij vendi, kler ky që, nga ana e vet, e dinte pak ose aspak gjuhën shqipe. Në një rast raportohej me keqardhje se grave shqiptare u duhej të rrëfeheshin nëpërmjet përkthyesit. Në njërin nga raportet e tij, të datuar 8 shkurt 1637, Bardhi shton se kishte përkthyer vepra të tjera kishtare(27) në gjuhën shqipe, çka dëshmon se

__________________________________________________ _________________

27 Professione della fede (Dëshmia e fesë) dhe Ordine del Sinodo posto nel pontif. Romano (Rendi i sinodit të vendosur në pontifikatin roman). kr. Shuteriqi 1976, f. 73.
__________________________________________________ _________________


fjalori latinisht-shqip nuk qe e vetmja vepër e tij në shqipe. Nuk dihet nëse këto përkthime të tjera u botuan e u vunë ndonjëherë në qarkullim.
Fjalori i Bardhit është vepra e parë në leksikografinë shqiptare dhe deri diku vepra më e rëndësishme ndër njëzet e dy fjalorët shqip që do të botoheshin më pas deri më 1850. Me sa duket, ka pasur qarkullim të mirë. Më 1759 në depon e Propaganda Fides në Romë(28) gjendeshin rreth 360 kopje të këtij libri. Dictionarium latino-epiroticum nuk është as punim sistematik e as
i hartuar në një mënyrë të lehtë për nevojat praktike të përdoruesit, por si vepër e parë e këtij lloji, autorit mund t'i falen mangësitë. Bardhi nuk e ka të vështirë të japë në shqipe terma konkretë, por gjuha e tij shpesh ngec e nuk ecën kur ndodhet para konceptesh më abstrakte: materia "aste gna cafsce, seayet te tierate bahene (një gjë nga e cila bëhen gjërat e tjera)", substantia "aste gna caffsce ghi mbaa giaal nierine (një gjë që mban gjallë njeriun)", patria "dheu cu aste leem nierye (dheu ku është lindur njeriu)".
Me jo më pak interes se vetë fjalori është shtojca prej tridhjetë e tri faqesh, e ndarë në shtatë krerë (1. emra dhe numërorë, 2. tituj familjarë, 3. qytete dhe kështjella, 4. ndajfolje, 5. parafjalë, 6. pasthirrma, 7. proverba, fjalë të urta, dialogë dhe përshëndetje). Një pjesë e mirë e shtojcës është katërgjuhëshe (latinisht, italisht, shqip dhe turqisht).

Duke renditur fjalorin e tij të shqipes sipas pjesëve të ligjëratës, Bardhi na jep skeletin e një gramatike të shqipes. Të 113 proverbat dhe fjalët e urta që ai përfshin në fjalor, e para përmbledhje e tillë, si dhe dialogët që vijnë më pas, janë me rëndësi parësore si për historianët e gjuhës ashtu edhe për folkloristët.
Në frymën e shekullit të shtatëmbëdhjetë, para korpusit të fjalorit janë vënë katër vjersha të shkurtra panegjirike latinisht, të shkruara nga bashkëstudentët e Bardhit në Kolegj: Stefan Gaspari (Stephanus Gasparus) nga Durrësi, Françesk Azopardi (Franciscus Azzopardus) nga Malta dhe Mateu Dudesi (Matthaeus Dudesius) nga Dalmacia; vjershat lëvdojnë veprën e Bardhit dhe e krahasojnë me Ovidin dhe Homerin.

Bardhi ka botuar gjithashtu një traktat shtatëdhjetë e gjashtë faqesh latinisht për Skënderbeun, të titulluar Georgius Castriottus Epirensis vulgo Scanderbegh, Epirotarum Princeps fortissimus ac invictissimus suis et Patriae restitutus, Venedik 1636, (Gjergj Kastrioti i Epirit, i quajtur përgjithësisht Skënderbe, vetë Princi i fuqishëm e i pathyeshëm i Epirit, i kthehet popullit dhe vendit të tij), në të cilin ai hedh poshtë mëtimin e peshkopit boshnjak Tomeus Marnavitius se heroi kombëtar shqiptar ishte me prejardhje boshnjake. Ajo është një vepër erudite dhe me ndjenjë atdhetare, e ngjashme me polemikat që bëhen dhe çmohen edhe sot në Ballkan.

Ndihmesa e Frang Bardhit për vetë letërsinë shqiptare, parathënia e tij gjashtë faqesh për fjalorin e parë shqiptar, është modeste. Por duke u nisur nga mungesa e vazhdueshme e shkrimit shqip në gjysmën e parë të shekullit të shtatëmbëdhjetë, vepra e tij nuk është pa rëndësi të madhe. Si humanist me përkushtim të fortë për përparimin e popullit të vet dhe si dijetar me horizont të gjerë kulturor, ai zë një vend kyç në zhvillimin e kulturës së hershme shqiptare.

Veprat e Pjetër Budit (1618-1621)


Veprat e Pjetër Budit (1618-1621)



Dy breza pas Gjon Buzukut vjen figura e dytë më e madhe e letërsisë së hershme brenda Shqipërisë. Pjetër Budi(17) (1566-1622), autor i katër veprave fetare në gjuhën shqipe, lindi në fshatin Gur i Bardhë në krahinën e Matit. Po të rrinte në vendlindje nuk do të kishte marrë shkollimin e nevojshëm të rregullt, prandaj vajti e mësoi për prift në të ashtuquajturin Kolegj Ilirian të Loretos (Collegium Illyricum i Zonjës Sonë të Lurias), në jug të Ankonës në Itali, ku do të studionin shumë shqiptarë e dalmatë me emër. Në moshën njëzetenjëvjeçare u dorëzua prift katolik dhe u dërgua menjëherë në Maqedoni e Kosovë, në atë kohë pjesë të krahinës kishtare të Serbisë nën juridiksionin e Argjipeshkëvit të Tivarit (Antivari), ku dhe shërbeu në famulli të ndryshme në dymbëdhjetë vitet e para. Më 1610 përmendet si 'kapelan i kristianizmit në Shkup', kurse më 1617 si kapelan në Prokuple në Serbinë jugore.

Një vit më parë, mu në Prokuple, ishte mbajtur një mbledhje e lëvizjeve të ndryshme kombëtare kryengritëse për të organizuar një mësymje të madhe kundër turqve. Në Kosovë, Budi erdhi në kontakt me katolikë françeskanë nga Bosnja, kontakte që në vitet e mëvonshme dhanë frytet e veta, sepse ndihmuan që të rritej mbështetja për qëndresën shqiptare kundër Portës.
Më 1599 Budi u emërua famullitar i përgjithshëm (vicario generale) i Serbisë, post që e mbajti për shtatëmbëdhjetë vjet. Si përfaqësues i kishës katolike në Ballkanin e pushtuar nga turqit, ai jetoi dhe punoi në një atmosferë politike pa dyshim të nderë. Pozita e tij kishtare ishte nga shumë anë vetëm një mbulesë për aspiratat e tij politike.

Pjetër Budi digjej nga dëshira e zjarrtë për ta parë popullin e vet të lirë nga zgjedha turke dhe punoi pa pushim për arritjen e këtij qëllimi. Dihet se në këtë periudhë ai ka pasur kontakte me figura që u dëgjohej fjala si Françesko Antonio Bertuçi (Francesco Antonio Bertucci) dhe me kryengritës shqiptarë që luftonin për të përmbysur sundimin osman. Por Budi nuk ishte kurrsesi nacionalist mendjengushtë. Me sa mund të gjykohet, veprimtaria e tij, atëherë e më vonë, synonte një kryengritje të përgjithshme të të gjithë popujve të Ballkanit, përfshirë edhe bashkatdhetarët myslimanë. Më 1616 Pjetër Budi vajti në Romë ku qëndroi deri 1618 për të mbikqyrur botimin e veprave të veta. Nga marsi 1618 e deri aty nga shtatori 1619 ai vajti për një pelegrinazh

__________________________________________________ _________________
17 kr. Zamputi 1965a, 1985, Domi 1966, 1967, Lacaj 1966, Riza 1979, Svane 1985b, 1985c, 1986b, 1986c, 1986d, 1986e etj., dhe Ismajli 1986.
__________________________________________________ _________________


tetëmbëdhjetëmujor në Santiago de Kompostela në Spanjë. I kthyer në Romë në vjeshtën e vitit 1619, ai u përpoq të tërhiqte vëmendjen e kurisë romake kundrejt gjendjes së mjerueshme të të krishterëve shqiptarë dhe të siguronte mbështetje për qëndresë të armatosur. Më 20 korrik 1621 u bë peshkop i Sapës dhe Sardës (Episcopus Sapatensis et Sardensis), d.m.th. i krahinës së Zadrimës, dhe u kthye në Shqipëri një vit më pas. Puna e tij atje qe më fort e natyrës politike se fetare. Një nga synimet e tij ishte që klerikët e huaj të zëvendësoheshin me shqiptarë vendës, veprimtari kjo që nuk duhet të ketë qenë pritur mirë nga disa eprorë të tij në Itali. Në dhjetor 1622, pak ditë para Krishtlindjeve, Pjetër Budi u mbyt duke kaluar Lumin Drin. Është hamendësuar të ketë qenë viktimë e ndonjë komploti për ta zhdukur, ndonëse dëshmitë për këtë nuk janë të sigurta(18).
Mjaft nga të dhënat biografike që kemi për këtë autor vijnë nga një letër e datuar 15 shtator 1621, të cilën Budi ia drejtonte kardinal Goxadinit (Gozzadini) në Romë, e në të cilën ai parashtron planet dhe strategjinë për një kryengritje në Ballkan. Në këtë letër ai theksonte edhe:

"... gjatë shtatëmbëdhjetë vjetëve, me aq sa munda, nuk i kam rreshtur kurrë përpjekjet për të ndihmuar e lehtësuar ata popuj, përfshirë edhe priftërinjtë, me modele fetare, duke shkruar vazhdimisht libra fetarë në gjuhën e tyre, si në atë të Serbisë edhe në atë të Shqipërisë, ashtu siç janë parë në mbarë ato vende në ditët tona."

Kjo do të na jepte të kuptonim se gjatë viteve të shërbimit në Kosovë e Maqedoni, Budi i ka kushtuar energjitë e veta hartimit dhe përkthimit të veprave fetare tashmë të humbura. Përndryshe, si mund të shpjegohej botimi i katër veprave në gjuhën shqipe me gjithsej një mijë faqe brenda pesë vjetësh?
Vepra e parë e Budit është Dottrina Christiana ose Doktrina e Kërshtenë, një përkthim i katekizmit të Shën Robert Belarminit (Roberto Bellarmino, 1542-1621). U botua në Romë më 1618 dhe ruhet një kopje origjinale në Bibliotekën e Vatikanit (R.I. VI. 449). Kryefaqja e titullit përmban këto të dhëna:

"Dottrina Christiana. Composta per ordine della fel.me. Di Papa Clemente VIII. Dal. R. P. Roberto Bellarmino Sacerdote della Compagnia di Giesv. Adesso Cardinale di Santa Chiesa del Titolo di S. Maria in Via. Tradotta in lingua albanese. Dal Rever. Don Pietro Bvdi da Pietra Biancha. In Roma, Per Bartolomeo Zannetti. 1618. Con Licenza de' Superiori."

(Doktrina e Krishterë, e hartuar për nder të kujtimit dritëplotë të Papa Klementit VIII nga Robert Belarmini, prift i Shoqërisë së Jezusit, tani kardinal i kishës së shenjtë Santa Maria in Via. Përkthyer në gjuhën shqipe nga Reverend Don Pjetër Budi nga Guri i Bardhë. Në Romë, nga Bartolomeu Zaneti 1618. Me lejen e eprorëve.)

E shënuar me dorë në fund të faqes është "Autor dono dedit Bibliothecae Vaticanae. 29 Januari 1622" (Autori ia dha [këtë kopje] si dhuratë Bibliotekës së Vatikanit. 29 Janar 1622). Shën Robert Belarmini nga Montepulçano ishte kardinal dhe jezuit, i kanonizuar dhe deklaruar doktor i kishës më 1930, Doktrina Kristiane mjaft e përhapur e të cilit, ashtu si veprat e tij të tjera, e kishte dëshmuar si teolog të zotin në konflikt me protestantizmin. E ashtuquajtura Doktrina Kristiane 'e vogël' e tij, një vepër që Kundërreforma e rekomandonte posaçërisht për përdorim misionar, kishte qenë botuar së pari më 1597 dhe më pas qe përkthyer në një numër

__________________________________________________ _________________
18 kr. Zamputi 1958, 1985.
__________________________________________________ _________________


gjuhësh, përfshirë gjuhën angleze, uellse, arabe (1613) dhe greke (1616). Përkthimi shqip i Doktrinës Kristiane prej Pjetër Budit përbëhet nga 169 faqe.
Doktrina Kristiane në gjuhën shqipe u rishtyp nga Kongregacioni i Propaganda Fides në Romë. Për këtë duhet të ketë pasur një numër relativisht të madh kopjesh nga botimet e viteve 1636, 1664 dhe 1868. Dihet se më 1759 në depot e Propaganda Fides kishte ende gjithsej 960 kopje të librit(19).
Me interes më të madh letrar se katekizmi vetë janë pesëdhjetë e tri faqe me vjersha fetare shqip, rreth 3000 vargje, shtojcë për Doktrinën e Kërshtenë. Këto vargje përbëjnë poezinë më të hershme në dialektin gegë. Mjaft nga këto vargje qenë përkthyer nga latinishtja ose italishtja, por një pjesë janë origjinale.

Botimi i dytë i Budit përmban tri veprat e tij të tjera. Ballina mban titullin:

"Ritvale Romanvm et Specvlvm Confessionis. In Epyroticam linguam a Petro Bvdi Episcopo Sapatense & Sardanense translata. Sanctissimi Domini Nostri Gregorii XV liberalitate typis data. Romae, apud Haeredem Bartholomaei Zannetti. 1621. Svperiorvm permissv."

(Ritual romak dhe Pasqyrë rrëfimi. Përkthyer në gjuhën epirote (shqipe) nga Pjetër Budi, peshkop i Sapës dhe Sardës. Dhënë për shtyp me bujarinë e zotit tonë më të përndershëm Grigor XV. Romë. Bartolomeu Zaneti 1621. Me lejen e eprorëve.)

Po në dorëshkrim në fund të faqes është "Autor dono dedit Bibliothecae Vaticanae. 29 Januari 1622" (Autori ia dha [këtë kopje] si dhuratë Bibliotekës së Vatikanit. 29 Janar 1622). Kjo vepër ende ruhet në Vatikan (Barberini VI. 56).
Ky botim përmban: 1) Rituale Romanum ose Rituali Roman, një përmbledhje prej 319 faqe lutjesh dhe kungatash me komente në gjuhën shqipe; 2) një vepër e shkurtër me titull Kush thotë Meshë keto kafshë i duhetë me shërbyem, 16 faqe shpjegime meshash, dhe; 3) Speculum Confessionis ose Pasëqyra e t'rrëfyemit, një përkthim 401 faqesh ose, më saktë, një përshtatje e Specchio di Confessione të Emerio de Bonis, i cilësuar nga Budi si "një lloj bashkëbisedimi shpirtëror fetar shumë i dobishëm për ata që nuk kuptojnë gjuhë tjetër përveç gjuhës amtare shqipe."

Si Rituali Roman ashtu edhe Pasqyra e të Rrëfyemit kanë shtojcë në vargje në gjuhën shqipe. Gjuha e përdorur nga Budi në veprat e tij është një formë arkaike e gegërishtes që ruan disa tipare fonetike interesante(20). Eqrem Çabej (1908-1980) ka vërejtur se Budi është munduar më fort të ndjekë një farë norme letrare se të shkruajë thjesht në dialektin vendës të tij, gjë që përsëri mund të merret si tregues i ekzistencës së një farë tradite letrare në Shqipërinë veriore. Alfabeti i përdorur prej tij është i ngjashëm me atë të paraardhësit, Gjon Buzukut, ndonëse Budi në asnjë vend nuk e zë në gojë Buzukun.
Në shikim të parë Pjetër Budi mund të merret si përkthyes dhe botues tekstesh fetare nga latinishtja dhe italishtja. Në të vërtetë rëndësia e tij si shkrimtar i prozës e kapërcen këtë cak. Parathëniet e ndryshme, letrat baritore, shtojcat dhe passhënimet e vëna prej tij e që arrijnë në mbi njëqind faqe prozë origjinale në shqip, zbulojnë një stil dhe talent të konsiderueshëm. Krahasuar me Gjon Buzukun para tij e me Pjetër Bogdanin një shekull më pas, gjuha e tij është

__________________________________________________ _________________

19 kr. Archivo storico della S. Congregazione 'de Propaganda Fide', SC Stamperia 2, f. 246.

1986.

20 Për gjuhën e Budit kr. Cipo 1952, Çabej 1966, Svane 1980, 1982, dhe Ismajli
__________________________________________________ _________________


më e mirëfilltë, më e gjallë e idiomatike. Për shembull, për shumë terma të huaj që përdor, ai përpiqet të japë sinonimet me origjinë nga shqipja. Edhe pse jo aq i hollë e i thellë sa Bogdani me leksikun e tij më të madh, Budi mbetet shkrimtari më i vetvetishëm e më prodhimtar i periudhës. Pjetër Budi është gjithashtu shkrimtari i parë në Shqipëri që iu përkushtua poezisë. Veprat e tij përfshijnë rreth 3300 vargje fetare, thuajse të gjitha në strofa katër vargje me rimë
të këmbyer. Kjo poezi, nëntëmbëdhjetë poema gjithsej, përfshin si përkthime poetike ashtu edhe poezi origjinale nga Budi vetë, si edhe të paktën një e ndoshta edhe dy vjersha(21) nga një Pal Hasi ose Pali prej Hasit. Pjesa më e madhe e kësaj poezie është tetërrokëshe, që është dhe normë në poezinë popullore shqiptare. Edhe pse poezisë fetare të Budit nuk i mungon stili, meqenëse përmbajtjen e ka imitim të poezisë moraliste italiane e latine të kohës, ajo nuk është mjaft origjinale. Atij i pëlqejnë më shumë temat biblike, panegjirikët dhe motivet universale si, fjala vjen, ai i pashmangshmërisë së vdekjes. As rimat e tij nuk janë gjithmonë elegante, gjë që vjen pa dyshim pjesërisht edhe nga leksiku i tij i kufizuar, që është llogaritur deri në 2453 fjalë(22)
.
Në parathënien e tij për Doktrinën e Kërshtenë, Budi thotë: "Më parë hodha (d.m.th. kopjova) në gjuhën tonë dy kapituj të Ditës së Gjyqit të fundit, të shkruar nga shumë i përndershmi e i devotshmi prifti Pal i Hasit." Kjo Ditë e Gjyqit ishte një përshtatje mjeshtërore në gjuhën shqipe, sipas ritmit të saj tetërrokësh, himnit të njohur latinisht të mesjetës Dies irae, dies illa të murgut françeskan Thoma nga Çelano (Thomas a Celano, rreth 1200-1255):

"Dies irae, dies illa
Solvet saeclum in favilla,
Teste David cum sibylla.

Quantus tremor est futurus
Quando judex est venturus,
Cuncta stricte discussurus.

Tuba mirum spargens sonum
Per sepulcra regionum
Coget omnes ante thronum..."

"Ajo ditë me mënii
Qi të vinjë ndë e vonë
Këtë shekullë të zii
Ta diegë e ta përvëlonjë,

Si Profeta ban dëshmii
Me sibilënë, po thonë,
I madh gjyyq e mënii

Të vinjë për mkate tonë.
Saa dridhmë e cokëllimë
Të jeenë përgjithanë,


__________________________________________________ _________________

21 kr. Riza 1979, f. 120.

22 kr. Ashta 1966.
__________________________________________________ _________________


E n qiellshit shkepëtimë
Nd'ajërit e madhe gjamë...(23)"

Tërheqëse në poezinë e Pjetër Budit e të Pal Hasit janë ndjenja e sinqertë dhe shqetësimi i çiltër njerëzor për vuajtjet e një bote të mbrapshtë. Një vjershë tjetër që përcjell bukur këtë dhembshuri është ajo mbi vdekjen dhe madhështinë e njeriut. Ajo nis kështu:

"O i paafati njerii,
Gjithë ndë të keq harruom,
I dhani ndë madhështii,
Ndë mkat pshtiellë e ngatëruom;

Ndo plak jee, ndo j rii,
Përse s'shtie të kuituom,
I vobeg ndo zotënii,
N ceije iee kriiiuom?

Balte e dheu cë zii,
E io ari cë kulluom,
As engjiishi cë tii,
Ndo guri cë paaçmuom;

Kaha të vien n dore tyy,
Mbë të madh me u levduom,
Ndë sqime e ndë madhështii,
Tinëzot me kundrështuom?

Lavdinë tand të levduom,
Ti pa vene ree vetë,
Ame cote idhënuom,
Kuur leve mbë këtë jetë,

Aty s'prune begatii,
As vistaar të levduom,
As urtë a diekëqii,
As gurë të paaçmuom;

Aty s'prune madhështii,
As dinje me ligjëruom,
As vertyt as trimënii,
As vetiu me ndimuom;

Aty s'prune zotënii,
Kual të bukur as të çpeitë,
As dinje gjak e gjeni,
As të mirëtë as të keqtë;



__________________________________________________ _________________
23 Tekstet shqip këtu janë të transkriptuar.
__________________________________________________ _________________


Po leve gjithë mëndryem,
Ame n cote idhënuom,
Tue qaam mallënjyem,
Me një zaa të helmuom(24)..."

Luca Matranga, 1567-1619 dhe Doktrina e Krishterë (1592)





Lekë Matrënga (Luca Matranga, 1567-1619) ka qenë një klerik ortodoks i bashkësisë arbëreshe të Sicilisë. Ai ka lindur ose në Horën e Arbëreshëvet (ital. Piana degli Albanesi, që në atë kohë quhej Piana dei Greci) në jug të Palermos ose në Monreale, pinjoll i një familjeje arbëreshe që kishte emigruar në Sicili, ndoshta nga Peloponezi, rreth viteve 1532-1533. Data e saktë e lindjes nuk dihet(11). Për pesë vjet, ka të ngjarë nga 1582 deri më 1587, ai studioi në Kolegjin Grek të Shën Athanasit në Romë, që kishte qenë themeluar më 1577, dhe pastaj u kthye në Sicilinë e tij të lindjes. Është përmendur në 'Kronikën e të gjithë studentëve të Kolegjit Grek që nga themelimi e deri më 1640', ku shkurt thuhet: "Lekë Matrënga nga Monreale e Sicilisë, me kombësi shqiptare, student i rëndomtë, studioi kulturën e lashtë greke e latine, pastaj u largua për arsye sëmundjeje, pasi kishte kaluar pesë vjet në këtë kolegj".

Nga një dëshmi pagëzimi mësojmë se Matrënga u mor me detyra pastorale midis arbëreshëve të Horës së Arbëreshëvet në dhjetor 1601. Dëshmia thotë: "Unë, Don Lekë Matrënga, famullitar në këtë kishë të Shën Gjergjit, pagëzova një foshnjë mashkull më tridhjetë të nëntorit të kaluar, birin e Antoni dhe Venera Zalapit, dhe emri iu vu Andrea. Kumbar ishte Françesko i të nderuarve Josep dhe Beatriçe Guzeta, kurse kumbare ishte Domenika, e bija e të nderuarve Josep e Beatriçe Guzeta, e shoqja e Joan Muzakës nga kjo krahinë e Pianës(12)." Për jetën e Matrëngës nuk dihet gjë tjetër. Vdiq si kryeprift më 6 maj 1619.

Lekë Matrënga ka mbetur si autor i një vepre të titulluar E mbsuame e krështerë(13), Romë 1592 (Doktrina e Krishterë), një katekizëm prej njëzetetetë faqesh i përkthyer nga një vepër latinisht e priftit jezuit spanjoll Jakob Ledesma (1516-1575). Kopja në dorëshkrim e përkthimit, që ka ardhur deri në ditët tona në tri variante të ndryshme(14), i pari nga të cilat është me sa duket me shkrimin e vetë Matrëngës, është kataloguar nën Codex Barberini Latini 3454 në Bibliotekën e Vatikanit. Nga data e shënuar në variantin e parë, mësojmë se Matrënga e ka përfunduar përkthimin e tij më 20 mars 1592 në Piana dei Greci. Varianti i botuar, nga i cili ka shpëtuar vetëm një kopje, u shtyp në Romë nga Gulielm Façoti (Guglielmo Facciotto) 'me lejen

__________________________________________________ _________________

11 La Piana 1912, f. 4, jep vitin 1560, por sot kjo datë merret si tepër e hershme. Shuteriqi 1987, f. 97, ditëlindjen e vendos në vitet 1571-1572.

12 Arkivi i Katedrales në Horën e Arbëreshëve. Regjistri i pagëzimeve, vëll. 3, nr. 835, fletë 85.

13 kr. La Piana 1912, Rrota 1939, Sciambra 1964, dhe F. Sulejmani 1979.

14 kr. Riza 1962, 1965b. Një variant tjetër i dorëshkrimit, i zbuluar nga Skiroi më 1909 dhe i përdorur nga La Piana më 1912, me sa duket është zhdukur.
__________________________________________________ _________________


e eprorëve' dhe u zbulua nga Mario Roku (Mario Roques)(15). Ai është mbështetur në njërin prej varianteve të dorëshkrimit të redaktuar keq dhe përmban shumë gabime. Titulli i plotë i botimit është:

"Embsuame e chraesterae. Baeaera per tae Vrtaenae Atae Ladesmae sciochiaeriet Iesusit. E prierrae laetireiet mbae gluchae tae arbaeresciae paer Lecae Matraengnae. Imbsuam i Cullegit Graec tae Romaesae. Dottrina Christiana. Composta dal Reuerendo P. Dottor Ledesma della Compagnia di Giesù. Tradotta di lingua Italiana nell'Albanese per Luca Matranga alumno del Collegio Greco in Roma"

(Doktrina e krishterë. Bërë nga i urti At Ledesma i Shoqatës së Jesuit. Përkthyer nga italishtja në gjuhën arbëreshe nga Lekë Matrënga, student i Kolegjit Grek të Romës.)

Vepra e Matrëngës përmban një hyrje në italishte, një vjershë me tetë vargje që përbën llojin e parë të vargut të shkruar në shqip, si dhe vetë katekizmën, e cila është një udhëzim fetar për doktrinat kishtare në formën e pyetje-përgjigjeve. Në hyrje, duke ia kushtuar veprën kardinalit Ludovico II de Torres, argjipeshkëv i Monreales, Matrënga shpjegon se përkthimi ishte bërë për t'u përdorur nga arbëreshët që nuk e kuptonin variantin italisht të katekizmës në qarkullim, duke theksuar se ai do t'u vlente "qindra familjeve në Kalabri e në Pulje" me prejardhje shqiptare.

Ndonëse e shkurtër në krahasim me vepra të tjera të letërsisë së hershme shqiptare, vetëm me 28 faqe, Doktrina e Krishterë e Matrëngës është me rëndësi historike e letrare jo vetëm si botimi i dytë më i vjetër i letërsisë shqiptare, por edhe si vepra e parë nga një arbëresh dhe e para vepër e shkruar në toskërishte. Të gjithë autorët e tjerë të hershëm shqiptarë, Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Frang Bardhi dhe Pjetër Bogdani, kanë shkruar në dialektin e tyre të gegërishtes. Me sa duket, Matrënga në Sicilinë e vendlindjes nuk do ta ketë njohur Mesharin e Buzukut të botuar tridhjeteshtatë vjet më parë. Ai nuk u ndikua fare nga drejtshkrimi i këtij të fundit. U mjaftua me shkronjat e alfabetit latin, ndërkohë që shkrimtarët shqiptarë veriorë në Ballkan përdornin veç tyre edhe disa shkronja cirilike. Matrënga përdori ae për zanoren e pazëshme që tani shkruhet ë, italishten sc(i) për sh dhe ishte i pari që përdori th për frikativen dentale. Shqipja e tij(16) ka një ngjyrim të fortë me leksik të greqishtes, jo vetëm sepse greqishtja ishte gjuha e kishës ortodokse, por edhe sepse pikërisht nga Greqia kishin ikur arbëreshët e Sicilisë gjashtëdhjetë vjet më parë. Në atë eksod duhet të kenë marrë pjesë gjyshërit e tij, në mos edhe prindërit. Ky shtresim nga leksiku i greqishtes në dialektet arbëreshe ka ardhur duke u dobësuar ashtu si ka ndodhur me leksikun turqisht në shqipen e Ballkanit, i cili pak nga pak ka dalë jashtë përdorimit.

Vepra e Matrëngës përmban një leksik të përgjithshëm prej 450
fjalësh. Vjersha e parë që i takoi të botohet në gjuhën shqipe, përbëhet nga tetë vargje në njëmbëdhjetërrokësh me rimë të këmbyer. Ajo përmban një ide prekëse dhe titullohet thjesht 'Canzona spirituale' (Këngë e përshpirtshme):

"Cghíthaeue u thaerés cúx dó ndaegliésae,
Tae mírae tae chraextée búra e gráa,
Mbae fiálaet tae tinaezót tae xíchi méxae,
Sé síxtae gneríj néx cciae mcátae scáa,


__________________________________________________ _________________
15 kr. Roques 1932b, f. 19.

16 kr. Ashta 1957, 1965.
__________________________________________________ _________________


Elúm cúx e cuitón sé cáa tae vdésae,
E mentae báxcae mbae taenaezónae i cáa,
Sé chríxti ndae parráisit i baen piésae,
E baen paer bijr tae tij e paer vaeláa."


(Gjithëve u thërres, kush do ndëljesë,
Të mirë të krështee burra e graa,
Mbë fjalët të tinëzot të shihi meshë,
Se s'ishtë njeri nesh që mkatë s'kaa;
E lum kush e kujton se kaa të vdesë,
E mentë bashkë mbë tënëzonë i kaa;
Se Krishti ndë parrajsit i bën pjesë,
E bën për bir të ti e për vëllaa.)


Gjon Buzuku dhe libri i parë shqip (1555)





Vepra e njohur përgjithësisht me emrin Meshari nga Gjon Buzuku është libri i parë në gjuhën shqipe e njëherazi një nga frytet më interesante në historinë e letërsisë shqiptare, të paktën nga pikëpamja gjuhësore e kulturore.
Për shkak se ballina dhe gjashtëmbëdhjetë faqet e para të kopjes së vetme të njohur të kësaj vepre historike mungojnë, për titullin origjinal dhe vendin e botimit vetëm mund të hamendësohet. Është vërtetë një mrekulli që ky monument i madh i letrave shqiptare ka ardhur deri në ditët tona. Për autorin e Mesharit shqiptar dihet pak. Nga tiparet dialektore të gegërishtes veriperëndimore të tekstit, mund të gjykohet se familja e Gjon Buzukut duhet të jetë diku nga fshatrat e bregut perëndimor të liqenit të Shkodrës, ndoshta afër Shestanit, tani në territorin e Malit të Zi. Ato të dhëna të pakta që kemi për Buzukun, vijnë nga pasthënia e Mesharit, të cilën Buzuku e shkroi me dorën e vet në gjuhën shqipe, pa e ditur ç'përmasa historike do të merrte kjo punë e tij:

"U doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herrë se gluha jonë nukë kish gj~ të ëndigluom ën së shkruomit shenjëtë, ën së dashunit së botësë s'anë, desha me u fëdigunë, për s~ mujta me ditunë, me zhdritunë pak mendetë e atyne qi të ëndiglonjinë, për-se ata të mundë mernë s~ i naltë e i mujtunë e i për-mishëriershim anshtë Zot'ynë atyne qi t'a duonë ëm gjithë zemërë. U lus ënbas sodi m~ shpesh të uni ëm klishë, për-se ju kini me gjegjunë ordhëninë e t'inë Zot; e ate në ënbarofshi, Zot'ynë të ketë mishërier ënb§ jã, e ata qi u monduonë dierje tash, m~ mos u mondonjënë. E ju t'ini të zgjiedhunitë e t'inë Zot, e për-herrë Zot'ynë k~ me klenë me jã, ju tue ëndiekunë të dërejtënë e tue lanë të shtrenbënënë. E këta ju tue b~m, Zot'ynë ka(a) me shtuom ëndër jã, se të korëtë t'aj të ënglatetë dierje ën së vielash e të vielëtë dierje ën së ënbiellash. E u m~ duo të ënbaronj vepërënë t'eme, t'inë Zot tue pëlqyem. Ëndë vietët M.D.L.IV. një-zet dit ëndë mars zuna ënfill, e ënbarova ëndë vietët një M.D.L.V., ëndë kallënduor V. dit. E se për fat në keshe kun ënbë ëndonjë vend fëjyem, u duo tuk të jetë fajtë, ai qi të jetë m~ i ditëshim se u, ata faj e lus t'a trajtonjë ënde e mirë; për-se nukë çuditem se në paça fëjyem, këjo tue klenë m~ e para vepërë e fort e fështirë për të vepëruom ënbë gluhët t'anë. Për-se ata qi shtanponjinë kishnë të madhe fëdigë, e aqë nukë mundë qëllonjinë se faj të mos banjinë, për-se për-herrë ëndaj 'ta nukë mundë jeshe, u tue ënbajtunë një klishë, ënbë të dí anët më duhee me sherbyem. E tash u jam ënfalë gjithëve, e lutëni t'enë Zonë ende për muo."(1)

Është thënë në mënyrë bindëse se Buzuku nuk ka jetuar brenda Shqipërisë, por diku në Adriatikun verior në Republikën e Shën Markut, ka të ngjarë në rajonin e Venedikut, ku familje refugjatësh shqiptarë kishin ardhur pas pushtimit turk të Shkodrës më 1479(2). Në Venedik Buzuku duhet të ketë pasur më shumë mundësi se në Shqipëri për shkollimin e nevojshëm letrar e për specializimin si prift. Mendimi i përgjithshëm është se Meshari i Buzukut ka qenë botuar në Venedik, ndonëse po njëlloj mund të mendohet edhe për qendra botuese të bregdetit dalmat. Me sa duket, vepra nuk ka pasur ndonjë përhapje të gjerë, prandaj dhe ka mbetur vetëm me një kopje të ardhur deri në ditët tona.

Rallësia e saj pa dyshim është rrjedhojë e politikës së lëkundur kishtare gjatë Koncilit të Trentit (1545-1563) e më pas. Ka shumë të ngjarë që, në atmosferën e Reformës, kisha të ketë dhënë në fillim autorizimin për këtë përkthim, por më vonë, në shenjë ripohimi të doktrinës katolike tradicionale të Kundërreformës dhe në atmosferën e përgjithshme të frikësimit që mbretëronte gjatë Inkuizicionit, të jetë orvatur të mos lejojë vepra në gjuhën vendëse. Dihet se shumë vepra fetare e liturgjike kanë qenë ndaluar apo hequr nga qarkullimi
për një periudhë prej tridhjetë vjetësh nga 1568 deri 1598, dhe është plotësisht e mundshme që Meshari i Buzukut të ketë qenë ndër to. Kjo do të shpjegonte si numrin e vogël të kopjeve të veprës ashtu dhe mungesën e qarkullimit të saj.
Autorët e mëvonëshëm të letërsisë së hershme shqiptare, si Lekë Matrënga (1567-1619), Pjetër Budi (1566-1622) dhe Frang Bardhi (1606-1643) duket se nuk e kanë njohur Mesharin, ndonëse eruditi Pjetër Bogdani (rreth 1630-1689), në një raport për Propaganda Fiden më 1665, duke cekur çështjen e mungesës së librave në gjuhën shqipe dhe, duke renditur botimet për të cilat kishte dëgjuar, përmend një 'Euangelii in Albanese' (Ungjill në shqip)(3). Është krejtësisht e mundshme që ta ketë pasur fjalën për Mesharin e Buzukut dhe se ka shënuar titullin origjinal të veprës.

Kopja e vetme e ardhur deri në ditët tona e Mesharit të Buzukut u zbulua rastësisht më 1740 në bibliotekën e Kolegjit të Propaganda Fides prej Gjon Nikollë Kazazit (1702-1752) nga Gjakova kur, si Argjipeshkëv i Shkupit, ishte për vizitë në Romë. Ai e cilësoi këtë zbulim si "një meshar të lashtë shqiptar të rrëgjuar nga koha". Kazazi bëri një kopje fragmentesh të tekstit e ia dërgoi Gjergj Guxetës (Giorgio Guzzetta, 1682-1756), themelues i Seminarit shqiptar në Palermo. Dihet se në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë libri ka bërë pjesë në koleksionin e pasur
të kardinalit Stefan Borxhia, që më vonë përfundoi në Bibliotekën e Vatikanit(4). Pas shumë vitesh harrimi, Meshari u nxor në dritë nga Monsinjor Pal Skiroi (Paolo Schirò, 1866-1941),

__________________________________________________ _________________

1 Transkriptim fonetik nga Ressuli 1958, f. 379.

2 kr. Zamputi 1988.

3 kr. Shuteriqi 1977, f. 58.

4 Ai tani është kataloguar nën Ed. Prop. IV. 244.
__________________________________________________ _________________


peshkop e dijetar arbëresh nga Sicilia, i cili e fotokopjoi tekstin më 1909-1910 dhe përgatiti një transliterim e transkriptim të tij. Për fat të keq, studimi i gjerë i Skiroit për Mesharin është botuar vetëm pjesërisht(5). Më 1929 u bënë tri kopje të tjera për studiuesin françeskan Justin Rrota (1889-1964), i cili botoi fragmente të Mesharit një vit më pas në shtypshkronjën françeskane në Shkodër(6). Për herë të parë botimi i plotë u mor përsipër më 1958 nga Namik Ressuli (1908-1985), përfshirë një fotokopje e një transkriptim(7). Dhjetë vjet më vonë, gjuhëtari Eqrem Çabej (1908-1980) bëri botimin e tij kritik në dy vëllime në Tiranë(8). Vëllimi i parë i Mesharit të Çabejt përmban një studim hyrës me një transliterim të të gjithë tekstit; vëllimi i dytë përmban një faksimile të origjinalit dhe një transkriptim fonetik, i cili përbën një ndihmë të madhe për të kuptuar drejtshkrimin e Buzukut, që është shpesh me gabime.

Meshari në fillim përbëhej prej 110 fletësh ose 220 faqesh, nga të cilat kanë mbetur 94 fletë ose 188 faqe. Libri përmban jo vetëm një meshar (lutje e rite për gjithë vitin), por edhe shumë fragmente të përkthyera nga librat e lutjeve, psallmet dhe litanitë katolike. Për këtë arsye, pjesa më e madhe e veprës përbëhet nga përkthime prej Dhjatës së Vjetër e të Re, fakt ky që lehtëson mjaft interpretimin e tekstit, i cili nuk u është shmangur gabimeve të shtypit apo kapërcimeve. Të 188 faqet e tekstit përfshijnë 154,000 fjalë me një fjalor të përgjithshëm prej rreth 1500 leksemash(9).

Meshari u botua në stilin gjysëmgotik të Italisë së veriut me shkronja latine, përfshirë edhe pesë shkronja me prejardhje cirilike për tingujt që nuk gjenden në latinishte apo italishte. Për këtë arsye shtypshkronja e Buzukut duhet të ketë pasur kontakt me serbo-kroatishten, në veçanti me karakteret e shkrimit bukvica të përdorur në Bosnjë. Stili i shkronjave i ngjan atij të përdorur në Venedik më 1523 dhe 1537, ku kishin qenë botuar edhe mesharët në cirilikë për katolikët e Bosnjës. Mario Roku (Mario Roques, 1875-1961) vëren në studimin e tij për tekstet e lashta në gjuhën shqipe(10) se Buzuku u ishte borxhli sllavëve katolikë të Bosnjës, Dalmacisë dhe Serbisë jo vetëm për shkronjat cirilike e për tipografinë venedikase, por ndoshta edhe për vetë idenë që t'u jepte bashkëvendësve një meshar në gjuhën e tyre. Roku, gjithashtu, bën krahasime të përmbajtjes me një meshar boshnjak të botuar më 1512, dhe në veçanti disa elemente françeskane që na japin çelesa të tjerë të tërthortë për të njohur autorin dhe veprën e tij.

Gjuha e Buzukut, sikundër u tha më sipër, paraqet tipare të gegërishtes veriperëndimore nga viset e bregut perëndimor të liqenit të Shkodrës, ndonëse në të takohen edhe elemente të dialekteve të tjera. Kjo na shpie në përfundim që Buzuku është përpjekur të përdorë një gjuhë më gjerësisht të kuptueshme se dialekti i tij vendës ose, që mund të jetë edhe më e vërtetë, se ai ka lindur dhe është rritur jashtë Shqipërisë. Jo vetëm që gjuhës së Buzukut i mungon krejtësisht ai ndikim i fortë nga turqishtja i shqipes së mëvonëshme, por ajo edhe përmban shumë tipare çuditërisht arkaike të padokumentuara ndryshe, të cilat deri tani, falë kompleksitetit të sistemit shkrimor të përdorur prej tij, janë hetuar veçse pjesërisht. Për historianët e gjuhës Buzuku është

__________________________________________________ _________________


5 kr. Schirò & Petrotta 1932.

6 kr. Rrota 1930.

7 kr. Ressuli 1958.

8 kr. Çabej (red.) 1968.

9 Për leksikun e Buzukut, kr. K. Ashta, 1964-1966.

10 kr. Roques 1932b.
__________________________________________________ _________________


minierë të dhënash. Gjon Buzuku nuk ishte një krijues i mirëfilltë i letërsisë. Meshari i tij, me përjashtim të pas-shënimit, është thjesht një konglomerat përkthimesh nga tekste fetare në gjuhën latine. Por si autor i librit të parë në shqip, mund të thuhet se është ai që e lindi shqipen letrare. Stili i rrjedhshëm i tij ka bërë që disa studiues të hamendësojnë për ekzistencën e njëfarë tradite letrare në Shqipërinë veriore të asaj kohe, por deri më sot nuk është zbuluar ndonjë vepër më e hershme.

FILLIMET E LETËRSISË NË SHQIPËRI. SHEKUJT XVI E XVII




Nga shekulli i pesëmbëdhjetë e këndej, Shqipëria u nda në tri sfera kulturore e gjuhësore të dallueshme nga njëra-tjetra: sfera e turqve myslimanë, ajo e grekëve ortodoksë dhe ajo e 'latinëve' katolikë. Ndonëse fiset malësore vendëse kishin kulturën e vet popullore dhe një letërsi gojore të pasur, ato nuk kishin alfabet dhe, si pasojë, as kurrfarë traditash të shkruara në gjuhën shqipe. Kështu, ato nuk patën mundësi për arsimim të rregullt e kulturë intelektuale, që do t'i kishte dhënë shtytje krijimit të një letërsie të shkruar.

Këto elemente do të silleshin nga tri kulturat fqinje që e kishin ndarë vendin.
Kur Perandoria Osmane ishte në kulmin e fuqisë, forcat turke që pushtuan Shqipërinë, sollën me vete një kulturë të re myslimane që do të mbijetonte këtu deri në shekullin e njëzetë. Gjuhët e kulturës dhe të dijes në Shqipërinë myslimane gjatë kësaj periudhe qenë turqishtja, persishtja dhe arabishtja. Arsimimi në gjuhën turke jepte mundësi jo vetëm për karierë fetare, por edhe për karierë politike apo ushtarake në shërbim të Portës së Lartë. Gjuha shqipe qe e pamjaftueshme për realizimin e plotë intelektual në këtë perandori përherë në zgjerim me tradita të pasura kulturore turke e persiane; ajo nuk u zbulua si mjet i krijimtarisë letrare islame veçse në mesin e shekullit të tetëmbëdhjetë.

Pjesa më e madhe e viseve të Shqipërisë që, me gjithë pushtimet turke, kishin mundur t'i bëjnë ballë kulturës së re e përherë kërcënuese islame, i mbetën besnike kishës ortodokse dhe traditave të ngurtësuara të Bizantit. Por edhe shqiptarët ortodoksë nuk qenë në gjendje të përdornin gjuhën e vet për qëllime arsimore e kulturore, përderisa gjuhët tradicionale të kishës ortodokse, pra edhe të vetmet gjuhë të mundshme për t'u shkruar, ishin greqishtja në jug të vendit dhe sllavishtja kishtare në veri.

Fuqia e tretë kulturore në këtë vend, ajo e kishës katolike të Romës, nuk i kishte më të pakta synimet për t'i asimiluar shqiptarët e për t'i përfshirë në grigjën e latinishtes e të italishtes. Megjithatë, në disa raste të rralla në shekullin e shtatëmbëdhjetë, ajo lejoi gjuhën vendëse të kalonte, ka të ngjarë si reagim ndaj reformizmit protestant në Evropën veriore. Në ato vende, njëfarë përdorimi më liberal i gjuhëve kombëtare e lokale shpuri në një lidhje më të ngushtë me kishën, meqë njerëzit e thjeshtë kishin mundësi kësisoj të kuptonin se ç'bëhej e, gjithashtu, në krijimin e shumë letërsive në gjuhën vendëse. Edhe brenda kishës katolike, gjithashtu po ndiehej ndikimi i frymës së humanizmit dhe i respektit për pasionin intelektual, të cilët ishin arritje të Rilindjes italiane.
Letërsia e hershme shqiptare, ajo e shekujve të gjashtëmbëdhjetë e të shtatëmbëdhjetë, ishte në thelb letërsi fetare.

Në fillim ajo përbëhej nga përkthime tekstesh kishtare nga latinishtja e italishtja në shërbim të Kundërreformës, kurse më vonë nga vepra origjinale të hartuara me një gjuhë vendëse të re, ende e papërshtatur për abstraksione filozofike e teologjike.
Karakterin fetar të kësaj letërsie e përcaktuan dy faktorë. Së pari, publikun lexues të asaj kohe në Shqipërinë 'latine' e përbënte tërësisht kleri i shkolluar në pjesën më të madhe në Itali.
Së dyti, kisha kishte në të vërtetë monopolin e botimeve në Shqipëri si edhe gjetiu, gjë që u linte pak hapësirë krijimeve të tjera që nuk ishin tekste fetare. Autorët e hershëm shqiptarë mund të kenë shkruar apo përkthyer edhe tekste laike, por vepra të tilla nuk e kanë parë dritën e botimit. Në Shqipëri botimi i shkrimeve kurrë nuk ka qenë punë e lehtë. Të vetmet shtypshkronja të asaj periudhe mund të gjendeshin në Itali dhe në bregun dalmat të Republikës së Shën Markut. Përveç kësaj, çdo vepër, qoftë fetare apo laike, duhet të kalonte nëpër një censurë të rreptë para se të merrte 'vulën' e kishës. Në atë kohë të paqëndrueshme të Kundërreformës pikëpamjet dhe mendimet se ç'ishte e parrezikshme për t'u botuar ndryshonin me shpejtësi, çka bënte që shumë vepra të botuara të hiqeshin më pas nga qarkullimi.

Letërsia fetare, për një numër arsyesh, ishte një shteg i përkryer për përmbushjen e aspiratave të kësaj klase intelektualësh shqiptarë. Nga njëra anë, një literaturë e tillë ndihmonte për përhapjen e doktrinës se kishës katolike, kurse, më anë tjetër, çante rrugën për zhvillimin e një kulture dhe letërsie me tipare dalluese kombëtare shqiptare. Botimet e para fetare në gjuhën shqipe përbënin gjithashtu një akt kundërshtimi ndaj pranisë depërtuese të një kulture myslimane turke në këtë vend.
Sikundër ka ndodhur shpesh në historinë e letërsisë shqiptare, të shkruarit në gjuhën shqipe përfaqësonte një simbol të qendresës ndaj fuqive të huaja që sundonin në Shqipëri ose mbizotëronin në kulturën e saj.

Përveç mungesës së mjeteve botuese, shkrimtarët e parë që guxuan të shpreheshin në gjuhën shqipe, u ndodhën edhe para pengesash të tjera. Vetë krijimi i një alfabeti të përshtatshëm për sistemin tingullor të shqipes, problem ky që nuk u zgjidh plotësisht para fillimit të shekullit të njëzetë, kërkonte në fillim frymë të fortë iniciative e energji të mëdha. Së dyti, përshtatja e një gjuhe fisnore për një sistem më të përpunuar e më intelektual komunikimi nxirrte probleme të atilla, që mund të zgjidheshin, në analizë të fundit, vetëm nga dijetarë me formim arsimor të qëndrueshëm. Jo vetëm sistemi i shkrimit, por edhe idetë u sollën nga jashtë e u gatuan për t'iu përshtatur nevojave, aspiratave dhe ëndrrave të popullit shqiptar.
__________________

Fillimet e shkrimit shqip





Krahasuar me gjuhët e tjera kombëtare të Evropës, shqipja nuk gëzon traditë letrare të gjatë. Në fakt, shqipja është gjuha kombëtare e fundit në Evropë që është dokumentuar. Kjo rrethanë është sidomos për të ardhur keq jo vetëm nga pikëpamja letrare (ndonëse dihet që kemi disa dokumente të shkruara në latinishte për shqiptarët), por edhe nga ajo gjuhësore, d.m.th. nuk ka gjurmë të rëndësishme të gjuhës shqipe që të datojnë para shekullit të pesëmbëdhjetë. Fillimet e letërsisë shqiptare, ose për të folur më saktë për këtë periudhë - të shkrimit shqip, janë të rralla dhe disi të errëta.

Fillimi i shekullit të pesëmbëdhjetë na vë përpara një tekst kureshtar që mund të përbëjë pikënisjen për shkrimin shqip. Ky është i ashtuquajturi teksti Bellifortis(9), që ruhet në Muzeun Konde (Musée Condé) në Shato dë Shantiji (Château de Chantilly) në veri të Parisit. I datuar 1405, ai përbën një shtojcë prej 29 rreshtash ndaj të ashtuquajturit dorëshkrimi Bellifortis (ms.348/663, fol.153v), një traktat i njohur mesjetar, në pjesën më të madhe në latinishte, mbi armët dhe fortifikimet ushtarake, nga pirotekniku gjerman Konrad Kyezer (Conrad Kyeser, 1366-1405). Kjo shtojcë, që nuk ka lidhje aspak me pjesën tjetër të dorëshkrimit Bellifortis, është një tekst misterioz që merret me ritet e pagëzimit, ku bën pjesë edhe njëfarë ceremonie e pjekurisë seksuale. Tetë rreshtat, ndoshta në shqipen e hershme, janë ndërfutur në tekstin latin. Teksti i përkthyer është:

"Kjo është bukuria e të dymbëdhjetë shenjave të ndritshme. Djali i virgjër duhet

__________________________________________________ _______________

8 kr. Cosenza 1962, Prenushi 1981, f. 131-148, dhe Shuteriqi 1987, f. 40-72.

9 kr. Elsie 1986b, 1997b.
__________________________________________________ _______________


pagëzuar në një ditë me diell në orët e para të mëngjesit, duke e mbajtur atë gjënë e rrumbullakët me dorën e majtë të trupit [të tij] joharmonik. Kurse me dorën e djathtë të ngritur lart ai duhet të mbajë një pishtar, duke shqiptuar dymbëdhjetë herë atë që është perifrazuar. Pas një pauze, vjen ajo që kërkohet, e përshkruar më parë. Vjen e provohet ajo punë e hollë. Ai që e kupton, e di se ç'është kjo punë. Mjafton një shprehje e thjeshtë. I lidhshin e i bashkofshin dymbëdhjetë majat e qiellit me gjithë virtytet që kanë brenda gjërat e paracaktuara

due racha yze inbeme zabel chmielfet dayce dayci dayze yan yon yan.

Thuaji djalit [në] veshin e djathtë "ragam", kurse [në] të majtin "echem" aq herë sa lypset përsëritur, derisa të plotësoni normën e trupit joharmonik. Pastaj, profetët Enoh dhe Elias dhe klerikët e lartë të ftuar do të lidhin bashkë gjërat e paracaktuara.

ragam ragma mathy zagma concuti perbra ista aus auskar auskary ausckarye zyma bomchity wasram electen eleat adolecten zor dorchedine zebestmus lisne zehanar zehanara zensa echem biliat adolecten zeth dorchene zehat stochis lisne zehanar zehanara zehayssa.

Atë gjënë e mprehur e të fortë sipër duhet ta mbështjellësh me dyllë të paprekur dhe po ashtu gishtin e madh të kthetrës së djathtë të djalit. Gjithashtu, ajo gjëja e rrumbullaktë duhet të mbahet si më lart në dorën e djathtë, dhe nëse ngrihet e rëndohet më shumë, mund të mbahet kështu edhe me dorën e majtë. Rrjedhtë e kaloftë ajo vala me të cilën do të plotësosh atë që kërkohet. Për hir të Zotit."

Pjesët e paqarta të tekstit Bellifortis përmbajnë namatisje e formula magjike me përsëritje dhe shndërrime fjalësh, pa dyshim për arsye tabush, dhe kësisoj nuk janë menjëherë të përkthyeshme. Me një shqyrtim më të imtë, për shembull, mund të shihet se dy rreshtat e fundit duket se përsërisin dy rreshtat para tyre. Qoftë edhe në këtë formë të gjymtuar, shumë elemente të tekstit jo rastësisht të kujtojnë shqipen. Mister është në një farë mënyre edhe origjina e tekstit Bellifortis. Si ka përfunduar më i hershmi dokument i shkruar i shqipes, po t'i quajmë kështu, në një dorëshkrim për punimet xhenjere e fortifikuese në ushtri në Château de Chantilly? Dihet se Karli Anzhuin zbriti në Vlorë më 1269 dhe tre vjet më vonë e shpalli veten rex Albaniae. Sundimi anzhuin në Shqipëri zgjati deri në mesin e shekullit të katërmbëdhjetë dhe përfundoi në kthimin e disa viseve të Shqipërisë veriore në katolicizëm. Disa nga këta katolikë, ose të paktën disa klerikë frëngj me një farë njohjeje të shqipes, duhet të kenë ikur nga vendi e të kenë vajtur në Itali dhe Francë kur
u larguan frankët. Prandaj është fort bindëse që folës të shqipes të gjendeshin në Francën e shekullit të katërmbëdhjetë e të pesëmbëdhjetë, ku është ruajtur ky tekst.

Teksti i kuptueshëm më i lashtë në gjuhën shqipe është një formulë pagëzimi që mban datën 1462 e që thotë: Unte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit (Unë të pagëzoj në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit të Shenjtë). Autori i kësaj formule ishte Pal Engjëlli (lat. Paulus Angelus, rreth 1417-1470), argjipeshkëv i Durrësit dhe mik i ngushtë e këshilltar i Skënderbeut. Këtë përkthim në shqipe të formulës së pagëzimit, e cila nevojitej shumë për kthimin në fenë katolike të atyre që nuk flisnin latinisht, Engjëlli e përfshiu në një letër pastorale me rastin e një sinodi të mbajtur në kishën e Trinisë së Shenjtë në Mat më 8 nëntor 1462. Teksti u zbulua në Bibliotekën Laurentiane(10) në Firence nga dijetari rumun Nicolae Iorga

__________________________________________________ _______________

10 Dorëshkrim Ashburnham numër 1167.
__________________________________________________ _______________

(1871-1940) dhe u botua prej tij më 1915(11).

Njëzetenjë vjet më pas, më 1483, ndeshemi me një fjali në gjuhën shqipe (çka është njëherazi edhe mallkimi i parë) në një pjesë teatrale të kohës së Rilindjes evropiane me titullin Epirota(12). Në këtë komedi në stilin e Plautit, të shkruar latinisht nga Thoma Mediusi (ital. Tommaso de Mezzo), bashkëkohës dhe i njohur i Xhovani Piko dela Mirandola (Giovanni Pico della Mirandola, 1463-1494), një këngëtar epirot (d.m.th. shqiptar) me emrin Damasken shan një hanxhi që nuk ia pëlqen këngët, duke e mallkuar në gjuhën e vet me fjalët Dramburi te clofto goglie (T'u dridhtë goja). Ky mallkim është në gjuhën shqipe dhe u ngjan shumë sharjeve që përdoren edhe sot, "T'u mbylltë goja", "T'u thaftë gjuha" etj., d.m.th. "Humbsh zërin për të keqen tënde". Pjesa teatrale u botua në Venedik më 1483, ndërsa kjo frazë njihej se ishte në gjuhën shqipe dhe u botua vetëm më 1972(13).

Një dokument tjetër e më i rëndësishëm i shqipes së hershme është i ashtuquajturi Ungjilli i Pashkëve ose Perikopeja(14), pesëmbëdhjetë rreshta në shkronja greke, të përkthyera nga Ungjilli i Shën Mateut (27: 62-66). Ai u zbulua nga historiani grek Spiridon Lampros (1851-1919) më 1906 në një dorëshkrim greqisht(15) të ruajtur në Bibliotekën Ambroziane në Milano. Teksti, autori i të cilit nuk dihet, është në dialektin toskë, ndonëse jo i përkthyer mirë. Për moshën e tij vlerësimet shkojnë nga shekulli i katërmbëdhjetë në shekullin e tetëmbëdhjetë. Një analizë paleografike e tekstit e përcakton si shkrim të kohës nga shekulli i pesëmbëdhjetë në shekullin e gjashtëmbëdhjetë.

Shekulli i pesëmbëdhjetë mbyllet me një tjetër tekst shqip (1497) që ruhet jashtë, kësaj radhe në Gjermani. Është fjalori shqip i Arnold fon Harfit(16) (Arnold von Harff, rreth 1471-1505), një kalorës gjerman, udhëtar dhe shkrimtar, i lindur në një familje fisnikësh në Rinin e poshtëm (në Harff mbi lumin Erft, në veriperëndim të Këlnit). Në vjeshtën e vitit 1496, fon Harfi u nis për një udhëtim, me sa duket një pelegrinazh në Tokën e Shenjtë, çka e shpuri në Itali, nëpër bregdetin shqiptar, në Greqi, Egjipt, Arabi, Palestinë, Azi të Vogël, dhe pastaj në kthim nëpër Evropën qendrore në Francë e në Spanjë. Ai u kthye në Këln në vjeshtë të vitit 1498 ose 1499 dhe vdiq më 1505. Gjatë udhëtimeve, fon Harfi mblodhi materiale mbi gjuhët që ndeshi në vende të ndryshme. Në një ndalesë në portin e Durrësit në pranverën e vitit 1497, kur po lundronte me anije tregtare me vela nga Venediku në Aleksandri, ai shënoi njëzetegjashtë fjalë, tetë fraza dhe dymbëdhjetë numra në shqipe, të cilat i hodhi bashkë me përkthimin gjermanisht në ditarin e tij të udhëtimit. Përshkrimet e këtij udhëtimi u botuan më 1860(17), dhe konsiderohen si shembujt më të mirë të kësaj gjinie, aq shumë të përhapur në fund të periudhës së mesjetës. Gjatë udhëtimeve fon Harfi tregoi një interesim të vazhdueshëm për gjuhët dhe zakonet e huaja, duke dhënë, përveç materialit në shqipe, edhe fjalorë të shkurtër me fjalë e shprehje në gjuhët kroate, greke, arabe, hebraishte, turke, hungareze, baske dhe bretone. Këto

__________________________________________________ _________________

11 kr. Iorga 1915, f. 194-197.

12 kr. Medius 1516.

13 kr. Braun & Camaj 1972.

14 kr. Borgia 1930.


1906.

15 Codex 133, f. 63. Martini-Bassi Catalogus Codicum Graecorum. kr. Lampros


16 kr. Elsie 1984.

17 kr. Groote 1860.
__________________________________________________ _________________


përbëjnë atë që mund të quhej fjalor xhepi për udhëtarë, që zakonisht përfshijnë terma ushqimorë, shtëpiakë e të udhëtimit, si dhe fraza të nevojshme si: "Mirëmëngjesi", "Sa kushton kjo", apo "Grua, a mund të flemë bashkë sonte?" Kjo pyetje e fundit, për një arsye apo për një tjetër, mungon në fjalorin shqip. Me të mbërritur në Durrës, fon Harfi shkruan:

"Nga Ulqini në Durrës lundruam me një erë shumë të fortë. Ky është një qytet i madh i rrënuar nga turqit, e që tani është nën sundimin e Venedikut. Ky qytet shtrihet në Shqipëri, ku banorët kanë edhe gjuhën e tyre, e cila nuk mund të shkruhet mirë, meqë në këtë vend ata nuk kanë alfabetin e vet. Kam hedhur në letër disa fjalë të kësaj gjuhe shqipe, të cilat po i jap më poshtë me alfabetin tonë:

1. boicke bukë
2. vene verë
3. oie ujë
4. mische mish
5. jat djathë
6. foeije vezë
7. oitter uthull
8. poylle një pulë
9. pyske peshk
10.krup kripë
11.myr mirë
12.kyckge keq
13.megaruneto(18) ha
14.pijneto pi
15.tauernea tavernë
16.geneyrea(19) burrë
17.growaa grua
18.denarye parà
19.sto(20) po
20.jae jo
21.criste zot
22.dreckthe dreq
23.kijrija qiri
24.kale një kalë
25.elbe elb
26.fijetto fle
27.mirenestrasse mirëmëngjes
28.myreprama mirëmbrëma
29.meretzewen(21) mirëdita


__________________________________________________ _________________
18 më saktë 'me ngrënë'.

19 më saktë 'një njeri'.

20 më saktë 'ashtu'.

21 më saktë 'mirë se vjen'.
__________________________________________________ _________________

30. ake ja kasse zet ve(22) çfarë ke që më pëlqen
31. kess felgen gjo kaffs(23) sa bën
32. do daple do ta ble
33. laff ne kammijss(24) laj këmishën time
34. ne kaffs(25) si quhet
35. nea një
36. dua dy
37. trij tre
38. quater katër
39. pessa pesë
40. jast gjashtë
41. statte shtatë
42. tette tetë
43. nante nëntë
44. dieta dhjetë
45. nijtgint njëqind
46. nemijgo njëmijë"


Fon Harfi përdori mbi shqipen drejtshkrimin e tij gjerman, i cili natyrisht nuk mund të mbante parasysh e të respektonte fonemat e shqipes që ndryshojnë nga ato të gjermanishtes. Megjithatë, transkriptimi i shqipes(26) prej tij nuk është më i keq se ai i teksteve të tjerë të periudhës, dhe fjalori i tij i xhepit mund të përdoret nga të huajt deri diku edhe sot.

__________________________________________________ _________________


22 më saktë 'a ke gjëkafshë të re'.

23 më saktë 'qysh vlen kjo kafshë'.

24 më saktë 'laj një këmishë'.

25 ne kaffs është keqkuptuar nga fon Harfi. Fjalë për fjalë, dhe më saktë, ajo do të thotë 'një kafshë' ose 'një gjë'. Për këtë le të mendojmë udhëtarin e Mesjetës që vjen në Shqipëri dhe kërkon përkthimin e pyetjes 'si quhet?', dhe në vend që të marrë përkthimin i jepet një përgjigje për emrin në shqip të sendit që rastësisht ai mund të ketë treguar me gisht. Kështu që fon Harfi ka identifikuar përkthimin e pyetjes që kërkonte me fjalët shqip të përgjigjes.

26 kr. Hetzer 1981c.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...