2012-07-05

Organizata e gruas “Shpresë dhe Paqe” uron Kosovën


Organizata e gruas “Shpresë dhe Paqe” në New York, ka ndjekur me kujdes e interes të veçantë zhvillimet më të fundit politike, ekonomike e sociale në Kosovë. Jemi shumë të entusiasmuara që më në fund përfundoi me sukses mbikqyrja e Pavarësisë së Kosovës nga Institucionet Ndërkombëtare. Ky lajm është një ogur i mirë për të gjithë shqiptarët kudo ndohen, e për ti treguar vetes e botës mbarë se kush jemi , e se çfarë jemi të zotët të bëjmë për lirinë, paqen e zhvillimin e vendit.
Sigurisht falenderojmë në mënyrë të veçantë SHBA, Anglinë e të gjitha shtetet paqëruajtëse për Pavarësinë e Kosovës, por kemi besimin e plotë se; sot Qeveria dhe Presidenca e saj me në krye Znj. Atifete Jahjaga do të çojnë vendin përpara në të gjitha drejtimet, si dhe do të punojnë inensivisht për njohjen e Pavarësisë edhe nga Serbia, e cila me strukturat e saj paralele e të panjohura ligjërisht po vepron akoma në dëm të së drejtave legjitime të popullit në Kosovë, veçanerisht në veri të saj.
Me largimin mbikqyrës 13 vjeçar të vendeve europjane nga Kosova, ne shikojmë aspirata e lëvizje të reja për Kosovën, pasi Kosova si një vend me të dhëna perëndimore e demokratike i takon Bashkimit Europian e NATOs.
Duke përfunduar këtu urimin tonë për këtë lajm të pritshëm, si bashkatdhetare në SHBA shpresojmë edhe tek faktori presidencial ku, Znj. Jahjaga si nënë e si motër do ti kushtojë më shumë vemendje rolit të gruas në politikë e vendimarrje, pasi edhe zëri i saj sjell përparim, harmoni e mirëqënie jo vetëm në familje, por në mbarë qytetërimin.

Për Organizatën e Gruas ‘Shpresë dhe Paqe’ SHBA
MImoza Dajçi

ANA E FRIKËSHME E FUTJES NË BE


RIZA LAHI



E cila qënka kjo anë e frikëshme krahas të mirave të mëdha e të padiskutuehsme të futjes në BE?
Popujt e vegjël kanë këtë rrezik potencial – goditjen e rëndë apo dhe humbjen e identitetit të tyre kombëtar.
Këtë tezë nuk është se e kemi zbuluar ne të parët; këtë e dijnë apo e hamendësojnë të gjithë, por te ne në Shqiëri, siç duket pak kush e ka në referencë.
Shtylla të identitetit kombëtar janë, së pari gjuha. Nga 3.5 milion fjalë që përmban bagazhi I leksikut tonë, a janë në monoritet të theksuar fjalët origjinale të shqipes? Unë ende nuk dua ta besoj shifrën 700 – 800 fjalë gjithsej, siç e kam lexuar në një statistikë.Latinizmat , sllavizmat dhe turqizmat e kanë bëre të veten gjatë shekujve. Alarmin e dhimbshëm e pat dhënë 5 shekuj më parë një prift – Gjon Buzuku, kur shkruan për gjuhën tonë që “po bdaret e po bastardhohet”.
Leksiku I shqipes është goditur rëndë gjatë globalizmit romak dhe ottoman. Por këta lloje globalizmi, nuk mundën ta mposhtnin kurrë, ta merrnin qoftë edhe kullë nga morfologjia, sintaksa dhe ndërtimi I fjalive të gjuhës sonë kaq të vjetër dhe , me siguri që ka qënë edhe po aq e pasur.
Alarmin atëherë e dha një shkrimtar – Buzuku.
Shkrimtarët shqiptarë të ditëve të sotme po shkojnë drejt shfarosjes, duke I lënë vëndin një kategorie tjetër pasionantësh për të shkruar, për të derdhur hallet e dertet e veta , që kunderejt prarave, mund të botojnë çfardo dhe sapo të kenë derdhur të hollat në numurin përkatës të llogarisë.
Si të shujanë pasionet edhe kjo kategori, do të vijnë të tjerë, që do të pyesin se përse ishin kaq budallej paraardhësit e tyre që merrnin para borxh për të botuar një libër apo e bënin faqen shollë, dhe mandej e dhuronin andej – këndej.
Kjo që po shkruajmë nuk del nga shpirti I një Kasandre. A nuk e kemi parë se brima e fundit e kavallit në këngët tona, deri edhe në festivalet kombëtare, janë tekstet? E kush don të dijë më për këtë? Kam shtangur sytë kur mora vesh se kishte 500 000 klikime një “këngë” me fjalë nga më banalet të përfshira në “lirikën” e këngës.
Mjafton vetëm ky tregues për të treguar shijet e çoroditura me të cilën po ushqehen brezi i ri i “evropianëve”.
Shkrimtarët profesionistë që ka kultivuar me mundim populli ynë nuk I përkrah askush, nuk kanë para për një kafe dhe u kërkohet që të humbasin sovranitetin e tyre me gjithfarë formash. Sot ai lloj shkrimtari si Jakov Xoxa, etj, që zhbirilonte në leksikun e shqipes si një urith I palodhur, nuk egziston më.
Dakord, shqiptarët kanë jetuar edhe pa shkrimtarë; fare pa libra apo vetëm me përkthime, siç po bëhet sot. Po , anë tjetër e këtij identiteti që ne themi se është në rrezik – dhe këtu duam të ndalemi kësaj radhe – është folklori.
Mendojmë se sociologët e fundshekullit njëzet, duket se kanë patur krejtësisht të drejtë kur parashikonin se, pas përfundimit të “luftës së ftohtë”, konfliktet në rruzullin tonë kanë për të qënë në kryeisht në drejtimin nacional dhe në atë fetar.
Duam të cekim vetëm për pak se, te ne nuk është kujtuar askush se kemi një burim të mrekullueshmë turizmi që nuk e ka askush në tër rruzullin. Shumë misonarë fetarë që kanë ardhur ten e kanë deklaruar se pjesa tjetër e botës ka mundësi të mësojë nga populli shqiptar për tolerancën mes të trija feve ; feve që shprehen me për tolerancë dhe butësi dhe që janë nga më agresivet dhe që kanë treguar kthetrat e veta mesjetare sa e sa herë kudnër kundërshtarëve të vet. Epra , këta tre fe shkojnë për mrekulli në Shqipëri, megjithëse u përpoqën shumë për ta shkatërruar këtë ekuilibër. Le ta lëmë për një herë tjetër këtë temë. Të vazhdojmë për konfliktet nacionale.
Vetëm një I verbër nuk I shikon se si janë në rritje këta konflikte. Do të thonim se konfliktet me armë janë njëra nga format e shmuta të shfaqjes së nacinalizmave . Këta lloj konfliktesh të përgjakura tanimë , si të thuash, janë vënë në zap, por të tjerat, kanë arrdhur duke u rritur.
Ishim me ansamblin “Shqiponjat” në “Gazi Baba” të Shkupit dhe pamë me adhurim se si stafi maqedon dhe ai shqiptar që qëndronin praë nesh, I përngjisnin një zemre të vetme. Mrekulli! Në atë vënd para ca kohësh ka pasë plumba dhe gjak për motive nacionale.Edhe partitë në këtë vënd janë të karakterit nacional.
Nuk u interesuam për VMRPDPME, por shumë që pyetëm, na thanë se dy partitë shqiptare , e Thaçit, dhe e Ahmetit, asqë bëhet fjalë, të kenë ndonjë antar maqedon.
Mirëpo veprat e mrekullueshme skulpturore , madhështore, të mahnitëshme nga arti, kushtuar Filipit të Dytë, luftëtarëve të asaj periudhe dhe njërit prej strategëve më të mëdhej që ka nxjerrë njerëzimi, njeriut që ka emrin e monedhës së shqiptarëve, Aleksadrit të Madh nuk ishin ngritur kot.
Edhe shqiptarët kishin nxituar të vinin shtatoren e Skënderbeut, që, ç’është e drejta, stononte nga përmasat e veprave të sipërpërmendura.
Këta vepra me kushedi se sa shumë harzhe, janë ndërtuar këtë një dy vitet e fundit. Dhe kjo flet për furinë nacionalsite që gëlon edhe në këtë vënd të vogël dhe me probleme.
Por, një nga treguesit më të fortë të ndjenjav nacionaliste nëpër Evropë, janë përkujdesja shumë në rritje ndaj folklorit dhe shkrimtarëve vendas. Për shkrimtarët vëndas që në Shqipëri e kanë gjëndjen “ ibreti mu sibret”, kemi folur sa na ka zënë goja lesh. Shteti shqiptar gjen para për të ruajtur paqen me ushtarët e vet në disa vënde të botës, por 5 lekë të qelbura për të mbajtur gazetën 106 vjeçare, më të vjetrën, gazetën e shkrimtarëve dhe artistëve “Drita”, nuk I gjeti dot; për turpin dhe pafytyrësinë e tij dhe të klasës së tij politike!
E…na mbetet te folklori. Në mënyrën më të pastër dhe të drjetpërdrejtë atje paraqitet identiteti, bota shpirtërore , psikologjia, ndjenja e së bukurës…gjithëçka shqiptare kur ne po këmbëngulim të futemi në gjithpërfshirjen e BE.
Kudo ku kemi qënë me “Shqiponjat”, me ansamblin “Kaltërsia” apo “Beslidhja gorare”, kemi parë se vëndet mikpritëse kanë bërë dhe bëjnë të gjitha përpjekjet për të organizuar sa më mirë festivalet folklorike që I bëjnë “ndërkombëtare”. Ne këtu në Shqipëri na dridhet zëmra të organizojmë ndonjë të tillë festival. Ja, sapo u bë festivali ndërkombëtar i CIOFF Albania në Përmet. Me përpjekje të jashtëzakonëshme të presidentit shqiptar Niko Mihali, ja, u realizua dhe sivjet, por me fonde thuajse të mjera dhe pa madhështinë e festivaleve paraardhëse.
Pavarësisht se ky lloj aktiviteti tanimë ka përmasate një institucioni.
Kudo ku kemi qënë , bashkitë vëndase, kanë qënë të mobilizuara në tërësinë e tyre për festivalet e folkut në zonën e tyre. Asqë bëhet fjalë që kryetari I bashkisë, prefekti, gjenerali ushtarak I zonës ( Në Turqi) të mos presin përfaqësuesit e folklorit të vëndeve mysafire, të shkëmbejnë dhurata, etj. Po te n e?
Megallomania a, mbase injoranca e kryetarëve të bashkisë është kaq turpësisht evidente, saqë asnjëri prej tyre – dorën në zemër nëse ndonjëri e ka bërë e nuk e di unë – nuk merr mundimin të vejë t’u japë dorën artistëve që vejnë apo kthehen nga jashtë atdheut ku prezantojnë anën nga më qënësoret të identitetit tonë kombëtar ( që e rrezikon gjithmonë globalizmi). Kthehen fëmijët shqiptarë apo dhe artistë të rritur nga aksh vënd, ku kanë marrë vënd nderi, e nuk e lëviz b…as edhe një funksionar I dorës së tretë të një minibashkie të vijë e t’I takojë, sa për “më ka çue nana me la gojën”, , pavarësiht se atje ku kanë qënë, ata kanë takuar dhe I ka spërkatur me levandën e zyrës, kryebashkiaku I një qyteti me 400 mijë banorësh, psh.
Ansamblet folklorike janë thuajse të gjitha private dhe , fëmiëjt atje, janë kryeisht prej familjeve të varfëra apo drejt mesatares.
Çfar I prishet, ta zëmë, kryebashkiakut të Kryeqytetit, ta vërë në rend të ditës të takojë edhe këta burra dhe gra që po konsolidojnë me sa munden atë pjesë të identitetit tonë kombëtar? Të krenohet kur ata paraqiten mirë? Të bëjë një foto me ta? Po kryebashkiakut të Kamzës, a nuk do t’ I shkonin punët akoma më mirë, sikur të kishte më shumë marëdhënie me drejtuesit e ansamblit të madh folkloric “Kaltërsia”të qëndërs së tij tanimë me 100 banorë, shumica, ardhacakë?
Morëm këta dy shëmbuj nga Tirana, thejsht, për mungesë informacioni për më tej.
Nëse paqeruajtësit shqiptarë , me paratë e taksapaguesëve shqiptarë venë të kryejnë misone jashtë atdheut për ruajtjen e paqes globale dhe priten e përcillen me nderim, përse nuk ngjet një gjë sado e përafërt me ansamblet e folkut shqiptar, që, për më tepër, në asnjë rast nuk ka ngjarë të kenë cënuar fondin e shtetit?
Para disa vitesh isha në pozitën e përkthyesit në një seminar të CIOFF tok me z Niko Mihali. Presidentja italiane e CIOFF atje na tha se edhe ata kishin në Itali costume të bukura folklorike, psh, tha ajo, në Kalabri dhe na la të kuptonim për pasuritë e mëdha folklorike që ka Shqipëria , sadoqë shumica e tyre paraqitet , shtoi më pas me cinizëm, me cilësi mesatare e poshtë. Sigurisht që kishte të drejtë.
Mirëpo…në Alatri të Italisë, kur ishim para dy viteve me “Shqiponjat”, që drejtohet nga ish piloti I mbrojtjes kombëtare shqiptare Eqerem Tuga, në një festival ndërkombëtar folku atje, organizuar nga CIOFF vëndas, ne ndeshëm në një këngë…së paku 350 vjeçare. Ishte tipike napolitane, e gëzuar, e qeshur dhe ngjyrangjyra, por, edhe vetë këngëtari që e prezantoi atë, nuk I kuptonte disa fjalë. Ato ishin në një italishte shumë të vjetër. Vallë nga cili synduk I popullit komshi Italian kishte dalë ajo perlë ?
Dhe e kujtuam sërish bisedën me presidenten e CIOFF Italian.
Ne shqiptarët duke hyrë në BE nuk kemi përse të mbajmë kryet ulur, por lart.
Le të hyjmë në BE jo duke u krenuar për shtresën e politikanëve e as të parallinjve.
Vështirë të krenohemi më edhe me mendimtarët e shkrimtarët.
Ne duhet të hyjmë dhe do të hyjmë duke mbajtur të shkruar me gërma të mëdha në ballin tonë folklorin e pasur dhe tolerancën fetare

RIZA LAHI botuar te “Tirana Observer” 4.07.2012

"ETIQUETTE" E VJETËR (POETIKE)




SENAD GURAZIU

Sot fëmijët në plazh klithin plot ngazëllim
për suksesin me kullën "Eiffel" të rërës,
do ta festojnë sigurisht, do ketë shampanjë
e kaviar, personalitete, fjalime e mediatikë,
zyrtarisht mund të të nderojnë pikërisht ty
me gërshërët në ceremoninë e inaugurimit,
prandaj përgatitu të dukesh sa më solemn,
kujdes si i mban syzet, si flet me zonjat,
çfarë flet, si kollitesh, si e lidh kravatën,
kujdes si buzëqeshë për kamerat plastike,
madje kujdes dhe mustaqet... faculetat,
por sidomos kontrollo shikimet atë ditë,
gazetarët e vegjël mund të të bëjnë gaz!

Ti pandeh se ata nuk e njohin vesin tënd,
atë sëmundje pothuaj endokrine, kujton
ata s'dinë gjë për "inxhinierin" e famshëm,
kur këshilla kishe, panumër instruksionesh,
si t'i hapnin themelet, si ta bartnin rërën,
ua nxije ditën... përziheshe në çdo gjë,
si lexohen skicat, planet, si bëhen llogaritjet,
e njëkohësisht i shihje bukuroshet e botes,
çdonjërën pas tjetrës, me dhjetra e qindra
në bikini venin e vinin, tek rendnin e iknin,
mania jote të "shiste", qafa jote elastike
rrotullohej më mirë se vinçi i tyre plastik!

Klishetë e klubit tënd "Matufët e Lagjes",
dhe parullat e ndryshme jashtë kontekstit,
"zemrat nuk njohin moshë..." e të ngjashme,
thjesht nuk ua shet dot, zor t'i mashtrosh -
kam frikë sot dhe kalamajtë mirë e dinë,
Don Zhuanët e Kazanovat nuk janë poetë,
më parë mund të jetë cilido Don Kishot,
i marrë po... por zemra i rrahë fisnikërisht
për një të vetme Dulçine, të vërtetën e tij,
qoftë dhe imagjinare, vetëm si një parodi!



PEZULLIM I FJETUR I FRYMËMARRJES

(o zot... përse zemrat nuk flenë kurrë!)




Ke të drejtë, ndoshta çdo gjë është "wireless", prandaj mund të flas
me ty, kudo që të jesh - të shoh tani... si Oreadë e zhveshur
dridhesh në afshin e valë, ajo pasqyrë vrastare e Diellit si lupë gjigante
rrezikon të shkrihet, e nxehur tej mase e çoroditë pasditen tënde,
aty në sfond i petëzuar luhatet imazhi yt, rutinë vajtje-ardhjeje
në një ditë vere, ecejaket flasin së prapthi me dëshirat efemere,
ngadalë zemra qelqoset nën trysninë e masës, në një trumcak
të kristaltë kthehet, kalamendet në shtyllën qendrore të qenies,
për një çast më bëhet sikur hapat pezullojnë, sikur lehtas ngjiten
shkallëve të ajrit - por jo, ato shtylla anësh rrugës si këmbët
e tua janë, shtylla stoike të shpresës, ja përse gjithë ato mesazhe
të zemrës përcjellur, në ato miliona fibrash të ngrohta, telëzuar,
përçuese ndjenjash, si dikur telat ambicioz të Graham Bel, ndoshta
akoma pushojnë zogj të fjetur, vargëzuar pandalë brumosen
shpresa që tek duhet të lindin, shih pra... ndër gjithë ato zemrash
të vockla, plot cicërima të përgjumura fushave të pafund, ëndrra
që dremiten përgjatë auto-udhëve të jetës, mes ajrit dhe ndjenjave
forca të panjohura, e megjithatë kot, zemrat zgjuar rrinë,
syhapur, vigjilente, prore balansohen në horizontalen e telave,
mbahen si foshnjat kur gishtin e nënës shtrëngojnë, kapen
në buzëqeshjen, në dashurinë e saj... ngjyrat e jetës kalibrohen -
i përsosur vërtet, apo jo, ky ekuilibër i frymëmarrjes në gjumë.

2012-07-03

Përkujtim për lirikun e madh Vehbi Demir Skënderi




   Liriku Vehbi Demir Skënderi/1927-2011/

Poeti Vehbi Demir Skënderi ka lindur në fshatin Strelcë të Korçës në maj të vitit 1927. shkollën fillore (me pesë klasë) e kreu në fshatin e lindjes në vitet 1934-1939. Në vitet 1941-1943 vazhdoi studimet fetare në Medresenë e Lartë Tiranë. Në majin e vitit 1943 ndërpret studimet dhe del partizan në Çetën e Dibrës me komandant Haxhi Lleshin. Në vitin 1944 pranohet në radhët e Partisë Komuniste Shqiptare. Me mbarimin e luftës kalon në Divizionin e Mbrojtjes Popullore.



Më 1951 fillon një kurs estetik dyvjeçar ku japin leksione Jakov Xoxa, Bedri Dedja, Mark Gurakuqi etj. Në vitet 1953-1956 kryen shkollën e mesme profesionale (dega rusisht). Në vitet 1956-1961 kryen Fakultetin Histori-Filologji me rezultate shumë të mira. Vehbi Skënderi njihte shumë mirë rusisht, italisht dhe frengjisht. Poezinë e parë, e cila pati shumë sukses, Vehbi Skënderi e botoi në revistën "Letërsia jonë" në vitin 1947. Më 1950, me propozimin e poetit Lasgush Poradeci, pranohet anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, pa qenë kandidat.



Më 1953 botoi librin e parë poetik, Këngët e para. Prej atëherë ka botuar librat poetikë Vjersha (1958), Fletë nga ditari im (1964), Vjershat dhe poemat e Drinit (1969), Vazhdim i një bisede (1971), Vdekja e Ofelisë (1971), Shqiponja e Vermoshit (1972), Përsëri mëngjes (1973), Vjersha dhe poema të zgjedhura - Kolana e poezisë shqipe (1973), Kumbojnë vitet (1983), Nxitoj (1987), Bëjmë sikur (1995), Hëna e vjedhur (2000), Zvicra Shqipëria ime (2004).



 Për "Fletë nga ditari im", në vitin 1966 Vehbi Skënderi mori Çmimin e Republikës. Një vit më vonë merr çmim në konkurs kombëtar për poemën Vazhdim i një bisede. Ai merr edhe çmime të tjera nga organet botuese në konkurse të ndryshme kombëtare. Poezitë e tij përfshihen në antologjitë dhe tekstet shkollore të kohës dhe në botimet e poezisë shqipe në gjuhë të huaja. Ndahet nga jeta më 13 qershor 2011.

---------------------




Thuaja Hënes


Kur ke diçka për të më thënë -
diçka që nuk të shqitet e s'e mban dot për vete,
që s'avullon si shiu e si bora nuk tretet
E ngado që të ikësh pas të ndjek këmba-këmbës.
Trokit në Hënë! Thuaja Hënës!

Kur të bezdisesh nga një grigjë halle,
Mos u besosh as ëngjëjve as djajve
As gurëve e sendeve reale
E s'ka njeri që të çliron nga dhembja
Dhe nga Verdikti i Akullt i së Thënës :
Prit sa të vijë mbrëmja. Thuaja Hënës !

Kur s'u zë besë më as hijeve as ëndërrës
As blozës që të nxin, as borës që zbardh majave
as miqve tënd të afërt, as tezeve, as dajave
e kur e ndjen zbrazëtirën gjer te dhëmbja
dhe asnjë vinç gjigand s'mund të të ngrejë nga rënia
Thuaja Hënës - prit sa të vijë mbrëmja.

Kur ke një plagë, nën ije, që djeg sa të than pështymën
Dhe të mundon çdo çast, të zë si varri frymën;
Diçka që i ngjan tymit e mjergullës së një dite
Ku ngatërrohen lëmsh: zbavitje e cfilitje;

Kur ke në gjoks një plagë, gur të rëndë!
Brengosje e plagosje. Makth! Brengë poshtruese
E je shterur krejt duke besuar
Diçka që s`ia thua as vetes sate as nënës:
Trokit në Hënë! Trokit në Hënë! Thuaja Hënës!

Sado e largët që të shtiret e mizantrope:
ndoshta dhe të mjekon?
Ndoshta të nxjerr nga llumi i kësaj bote?

Dhe në mos të shpëtoftë ajo,
ndoshta të merr me vete në hapësirë:
Ku në mos qofsh e lumtur,
të paktën je e lirë.



Kur me fiksohet bindja se edhe pak dite me mbeten


Kur më fiksohet bindja, se edhe pak ditë më mbetën
Ftoj në raport të gjithë vitet, sërë – sërë,
I hapim von‘ defterët, e von‘ shoshitim veten !
E vrej çfarë kam kryer e çfarë kam lënë pa bërë:

Kam një bilanc të mjerë ! Ndoshta pa rrugëdalje.

Kam fyer kot një shok dhe s’i kam lypur falje
E si kalojnë vitet, rritet kamata e faji.
Faji qenka gjëmbaç, që nxjerr çataj përdit‘ !

Kam dashur të pi Drinin, me këtë lugë çaji.
Po bora shkrin ngamot e bie prap çdo vit.

Kam dashur t’i nxë krejt, të tëra gjuhët e erërave
Dhe nuk po mund t’i nxë.
Jam nisur t’u gjëmoj në fluturim skifterëve
Dhe s’po kap dot asnjë !

Kam dashur që të ngre Qytetin më gazmor
e më të drejtë në botë,
Po vetëm pak haliçë në themel kam vënë.

Kam dashur të mbjell vreshtë çdo akullnajë të ftohtë
Po vetëm pak fidanë më kanë zënë!

E, si gjithnjë, pas këtij monologu, me dhimbje kaq akute:
Shtegtimin, ndarjen, vdekjen – a s’di ç’dreq i thonë,
- E shtyj, për miqësi, një çik më tutje…
Ndoshta njëzet a dyzet vjet më vonë !




Babush

Shoqkat e shoket e nipit tim Endrit
(ketu ne Helveti) flasin gjuhe te ndryshme .
Me shume se 200! Pa i ndaluar kush.
Pa kurrfare medyshje.
Po mua qe te gjithe me therrasin : BABUSH!

S’e dine nga kam ardhur.Cfare kombesie kam.
Jam polic qarkullimi a futbollist me nam.
Jam tregtar i vogel apo Laureat me cmimin Nobel.
Dhe emrin e mbiemrin ketu s’ma di askush:
Po e dine te gjithe emrin tim shqip : BABUSH!

Shpesh vuaj tmerresisht! ( Ky qenka Everesti? )
E ndjej ne kraharor nje zbraztesi kozmike
Qe as Drini e as vete Rini nuk ma mbush.
Kur befas me therret nje somalezke e hijshme
(versnike me tim nip) : BABUS! BABUC! BABUSH!

Shpesh me pushton nje ankth: Oh, ky kob qe na ra!
Bagdati po na mbyt! Bagdati po na ha!
Po rrokulliset Globi, pa e ndaluar kush.
Kur befas me vikat nje iraken i voce
(versnik i Endritit tim) me doren prer rrafsh:
“BABUC! BABUSH! BABUXH!
Une e kam humbur doren. Mos ma ke gjetur ti?
E me tund krahun cung: BABUSH!
Shoqkat e shoket e tim nipi, moshatare me te
(ketu ne Helveri) : hebrenj, gjermane , armene, turq,
Polake, kineze, franceze cicerojne si dallendyshe,
Ne 200 gjuhe te ndryshme.
Pa i kanosur kush.Pa i burgosur kush.
Po mua me vikasin te gjithe me embelsi: BABUSH!

Nje grade kaq te larte si kjo nuk mban dot njeri.
Bota nuk njeh nje te dyte.
(As gjeneral , as mbret) U shkrepin zockave syte,
Kur me flasin ne kor: BABUSH! BABUSH!BABUC!
Po prap me del perpara ai irakeni i vocerr,
me ate krahun cung e buzeqeshjen helm,
si rehe vetetime:
“BABUSH! BABUS!
Mos e ke gjetur kund ti doren time?”

Përgatiti:Flori Bruqi

Dialogu i munguar me lexues...






nga Alisa Velaj


Kufinjve të Pambarimit ....mbi vëllimin poetik “Ajri i kryqëzimit” të Azem Qazimit


Çdo qenie njerëzore, në kujtesën e së cilës ka lëshuar rrënjë një vetëdije poetike, i ndodh shpesh të tundohet prej vargjesh që mbartin një kuptimësi të veçantë për të. Një tundim të tillë, e mëpas “një rënie kokë e këmbë në dashuri”, do ta perjetoja (e vazhdojende ta perjetoj) me poezinë njëvargëshe të poetit të madh italian Xhuzepe Ungareti:"Ndriçohem në pafundësi”.


Seç ndjej një klithmë hareje e dëshpërimi njëherësh brenda saj. Një shtegëtim prej kesaj bote ikanake drejt hapësirave të pambarimtahyjnore. Dhe dimensionet që të hap një varg i madh përpiqesh t’igjesh mëpastaj edhe në poetë të tjerë.

 Duke lexuar vëllimin e pare me poezi te Azem Qazimit, lexuesi ndjen përhumbjen pikërisht mes këtyre dy dimensioneve: hapësirave ndërmjet të cilave frymon ekzistenca njerëzore dhe asaj bote ku gjithçka shfaqet e ndryshme, e madje në antitezë te plotë me hapësirat ku gjeneron kjo ekzistencë.

Ikanakja projektohet si perjetësi e rrejshme, me nje kujtesë po aq të skalitshme, sa dhe ishujt e frymës ne qelqet e dritares. Nje sendërtim ky i jetës tokësore krejt analog me atë jehonë dhimbje e pesimizmi të thellë që ndjen çdo njeri prej nesh kur lexon vargjet e Librit të Predikuesit.

Përkohshmëria e tejkalon vetveten, vetëm atëherë, kur në vështrimin e saj ngjizen ato shkëndija drite, të cilat e ndërgjegjësojnë të “respektojë” në mënyrën e duhur kufijtë e Pambarimit.

"Tash që kujtesa rrudhet si buzë / tue gjakue me puthë Pafundësinë/ paqen Zot truejna".

Simbolika biblike, diku e gjendshme drejtpersedrejti si lende e pare, e diku tjeter pulsuese neper frymemarrje e vargjeve, eshte filli qe lidh pjesen me te madhe te poezive meditative te ketij vellimi.

Ne rastin e pare duket se cdo simbol eshte i konvertueshem ne nje koncept te vetem, ndersa kur kjo simbolike kamuflohet brenda vargjeve, imazhet shumefishohen ne varesi te “situatave poetike”, duke formesuar keshtu nje teresi konceptesh.

 Duke qene se kemi te bejme me nje poezi ku imazhi i paraprin tekstit letrar, dhe ku ky i fundit me teper se sa realitet eshte nje vegim apo shembelltyre hyjnore, e kemi teper te veshtire te krijojme nje konfigurim te sakte se ku mbaron imazhi e ku fillon simboli.

“Hapet nji portë/ e nga drita dalin fëmijët/ hareja që shtyn ma përtej/ kufinjtë e hijes”

“Shiu mejti dhe tash shifet/ vetëm rava që lanë mbi ujë/ kambët e Jezuit”

Imazhet poetike luhaten vazhdimisht mes drite-hijeve, ku nga njera ane ofrohen peizazhe krejt te zhveshura me “juda te mjere fqinje me harabelet”, ndersa ne ane tjeter ravijezohen shembelltyrat e verteta, ato qe ngjizen prej te Pasosmit apo “krishterve plot diell”.

 Perplasja e dy realiteteve te mesiperme lind imazhe dhimbje, te cilat vijne permes klithmave te heshtura, prej granatave qe ne mish celin trendafilin, ndersa qenia ec dhe mengadale e pa e ndimun e qarkon ajri i Kryqezimit...

Kuptimesia e ketyre poezive teper te kursyera ne vargje qendron ne zberthimin e detajit, brenda te cilit maskohet nje thelb i perkapshem vetem nga nje lexues elitar. Fjala eshte guacke me perlen brenda, ngase kemi te bejme me nje ligjerim poetik aspak te zakonte ne traditen e poezise shqipe, dhe qe verteton pa me te voglen medyshje, se forma eliptike e te shkruarit ne poezi, krahas Farudin Gunges ne Republiken e Kosoves, e Martin Camajt ne trungun ame, njeh dhe nje tjeter talent te fuqishem, ne ate cope memedheu qe sot frymon brenda kufinjve zyrtare te Maqedonise. Andej nga celet “kjo dritare e befte drite” per poezine shqiptare…



Ankthi i dritës në poezinë e Alket Çanit


METRIKA E DRITËS

I.

Drita përndrit dritën
Atje ku shkrepat e malit prekin qiellin me dorë
Duke lënë gjurmën e heshtjes së përjetshme.
E gjelbër dhe e pandërprerë ja tek ngjitet jehona
E lugjeve të kristaltë dhe muzika e ujërave
Që pikturojnë në ajrin e shtangur të agut
Pamjen e pritme të ditës.
Drita lind nga uji.
Nga uji i drurëve që humb në rërën e virgjër #
Dhe uji i lumenjve të lodhur së kërkuari detin.
Këshillat e urta të rrënjëve dhe gurit më mësuan
Si t’u hap shtratin lumenjve dhe të bëj brima në rërë,
Brima të thella gjersa gjeta
Rrënoja qytetërimesh antike, rrënoja drite
Dhe kujtime gjeta e varre ku mermeri
Lëshon prej syve një vezullim verbues.
Unë ecja dhe pas vetes tërhiqja kohën
Si një mendim të hershëm që të ndjek gjithë jetën,
A si një imazh mjegullor nga fëmijëria
Që ngjan me kaun plak që tërheq parmendën
Nëpër një tokë të shterët.
Por duke ecur gjer në fund të rrugës –
Gjer në fund të vetvetes,
Duke kërkuar burime të rërë e shkretëtirës,
Arrita të kap një fije të hollë drite,
Që e mbajta fort dhe e ruajta si të vetmin thesar
Dhe krijova me të duke e mbjellë në tokë:
Një lumë, një pemë dhe një poemë.
Ty t’kjofsha falë, o dritë, ama e mbrodhsimit!

II.

Zgjohesha me një dhimbje drite në sy,
Duke prekur me gishtrinj trupa të panjohur,
Duke gjetur aty
Hapësira rrënjësh, ekuinokse dhe përshkoja
Rrathët e heshtjes si rrathët e ferrit
Apo të qiellit.
Koha e luleve më dhuroi
Pjalmin e verdhë që ngjitej te dielli,
Hosinë e nektarit
Ku rridhnin ujërat e Letes,
Dhe krahët e shkrirë të Ikarit
Si flatra kujtese.
Prekja vezullimin që velonte argjilën e tokës,
Zbrazëtinë e mbrujtur me brumin e dritës,
Lexoja profecitë e gjithë muzgjeve të botës
Dhe vdisja në flijimin e dritës,
Duke gjurmuar shpresën e rrezes së fundme,
Si ai që kërkon te kalimtari i natës
Njeriun e njohur.

III.

Është ky ankthi i dritës
Që të përmbyt ndërsa ti
Mendon, një ditë shiu që s’ka fund,
Se tragjedia lindi nga seksi tragjik,
Se bota është një lëmsh lajmesh,
Se gjithë kjo hapësirë yjesh të ndritshëm
Tretet, një çast, brenda riteve të diellit,
Se vështrimet e shtresuara janë imazhe
Që koha morfologjike i përhap
Në lojën e përfytyrimit metafizik.
Nëpër dritën e ideve të hajthme :
Rrjedhje ajri, rrjedhje tingujsh, vorbull
Mjegullnajash rreth enigmave mitike,
Vargje të gjatë rrëfimesh të mumjeve prej dylli,
Hipotezash në bibliotekat e djegura…
Sa herë zbulohet një e vërtetë
Zhduket një thelb
Dhe mbetet veç fjala – labirint i kujtesës.
Me fjalën thellon
Abysin e mendimit.
Duke shkruar i shton diçka
Kotësisë së krijimit.
Duke shkruar s’ke thënë asgjë,

Veçse i rikthen dritës
Ca profeci të vjetra,
Mesazhe të errët psherëtimash dhe shenjash,
Ëndrra pa kohë, largësi dhe heshtje.

Recensioni

Kam qenë në vitin e fundit të studimeve për letërsi, diku nga janari i vitit 2005, kur më ka rënë për herë të parë në dorë vëllimi me poezi “Shtrati i Prokrustit” i poetit Alket Çani.

Një vëllim që do të më linte mbresa të thella, e që do ta ruaja në kujtesën time poetike, si një nga librat më të mirë të poezisë shqipe pas viteve ’90. Në këtë shkrim nuk kam për qëllim të bëj ndonjë vështrim gjithëpërfshirës të këtij vëllimi, por do të doja të ndalesha tek një poezi e vetme, e cila për nga vlerat që mbart mbetet një nga krijimet më të mira të poezisë moderne shqipe, e denjë për t’u përfshirë në çdo antologji poetike.

E kam fjalën për poezinë “Metrika e dritës”. (Poezi që përfshihet dhe në vëllimin e parë me poezi të A. Çanit, duke i dhënë madje titullin krejt vëllimit). Poezia është e strukturuar në tri pjesë.

Dy pjesët e para përshkohen nga e njëjta simbolikë. Ato janë si të thuash një ravgim drejt Dritës, ndërsa pjesa e tretë mund te konsiderohet fare mirë si epilogu i këtij ravgimi.

Për të depërtuar në simbolikën shumështresore të kësaj poezie, do të doja të ndalesha pikësëpari te vargu që hap pjesën e dytë të saj.

“Zgjohesha me një dhimbje drite në sy”

Është pikërisht ky ankth drite që pulson brenda këtij vargu, ai që do ta çojë subjektin poetik drejt ravgimeve të tij. Diku në veprën e tij “Koncepti i ankthit”, Sorren Kierkegaardi përmend ankthin e së keqes#, në të cilin individi gjendet kur është në mëkat. Kjo sjellje nga një këndvështrim më i lartë, i përket sferës të së mirës dhe prandaj individi provon ankthin e së keqes.

E përmenda ketë citim të mendimtarit danez, jo për faktin se do të ndalem ne kategori te tilla si mëkati apo jo-mëkati, pasi ato nuk kanë aspak lidhje me këto rradhë, por sepse kjo aksiomë mbart një thelb, të cilin do të doja ta huazoja për ta bërë argument të interpretimit tim. Konceptet e mëkatit dhe jo-mëkatit do t’i zëvendësoja me ato të dijes dhe të padijes.

Këto dy të fundit shndërrohen në dy polet qëndrore, ndërmjet të cilave ravgon subjekti, ose Qenia e mëmkuptuar brenda kësaj poezie. Ravgim ky që ka për shkak ankthin e dritës. Ajo që do të vazhdoj ta quaj Qenia e nënkuptuar ose thjesht Qenia fillon të mbushet me një lloj dije, e cila vjen tek ajo dalëngadalë nëpërmjet Soditjes.

 (Në pjesën e dytë të poezisë Qenia do të kuptojë se është pikërisht kjo lloj Soditje që e bën të zgjohet me një dhimbje drite në sy).

Duke u ndodhur pra në një gjendje padije, ankthi i Qenies eshtë i drejtuar kah dija. Ajo (Qenia) fillon të dritësohët shkallë-shkallë me anë të përndritjes., që ndodh diku rreth saj, por që realisht e ka përfshirë dhe atë vet përmes procesit të Soditjes.

“Drita përndrit dritën/Aty ku shkrepat e malit prekin qiellin me dorë”.

Pamja e pritme e dritës, ajo që mbart dritën natyrore, fillon e përndritet në takimin e saj me dritën e Hyut (dijen e epërme). Asaj lloj drite trashedentale, për të cilën Qenia shpreh adhurimin e saj të hapur në vargun
“Ty t’kjofsha falë, o dritë, ama e mbrodhsimit!”

E gjithë kjo mund të shprehej në një formulë të tillë për procesin e përndritjes.

Dritë tokësore + Esencë drite hyjnore =>Përndritje.

Në Shkrimet e Shenjta, Hyu u drejtohet krijesave te veta me fjalët: “Ju jeni drita e botës, kripa e tokës”#. Ndaj dhe Qenia ndjek këshillat e urta të rrënjëve dhe të gurit, për të mos mbetur vetëm tek soditja e dritës, por për të kërkuar në pakohësi themelet e saj.

“…gjersa gjeta Rrenoja qytetërimesh antike, rrënoja drite”.

Dhe duke qenë një dritë e pakohë, një dritë që nis prej përkohshmërisë së qytetërimeve e mandej zgjat deri në amëshim, këto rrënoja kthehen papritmas në ndërtesa, ndërsa përkohshmëria e qytetërimeve shndërrohet në grimëkohë përjetësie.

Por ajo që duhet të skalitet mirë në kujtesën njerëzore është se kjo dritë mbartet te secili prej nesh. “Unë ju kam krijuar sipas shëmbëlltyrës sime”, thotë Hyu.

 Qenia arrin te jetë vetë krijonjëse, vetëm kur arrin të kapë këtë fill të hollë drite në fund të vetvetes.

“Dhe krijova me të duke mbjellë në tokë Një lumë një pemë dhe një poemë”.

Në këtë mënyrë Qenia mbjell ekzistencën, e cila del e nënkuptuar nëpërmjet tri elementëve të saj:

Ajrit (rrënjët), Ujit (lumit) dhe Zjarrit (dritës). Poeti vetpagëzohet gjithashtu Krijonjës, përderisa arrin të mbjellë një poemë. Pjesa e dytë e poezisë jep një subjekt tashmë të dritësuar (me dije të plotë).

Krahët e shkrirë të Ikarit si flatra kujtese simbolizojnë Qenien para dhe pas ravgimit. Më parë në kërkim të rrënjëve, ndërsa tash me një koncept krejt të ndryshëm mbi jetën dhe vdekjen, mbi dritën dhe errësirën.
“Dhe vdisja në flijimin e dritës”.

Pikërisht në këtë varg përmbyset kuptimi denotativ i titullit të kësaj poezie. Nuk mund të ketë metrikë drite për një Qenie me dije të plotë. Kjo metrikë perceptohet si e tillë vetëm nga optika e vështrimit të dikujt që nuk mbart kurrfarë dije.

Ndoshta për këtë arsye, në pjesën e tretë të poezisë, njëlloj si në Librin e Predikuesit në Shkrimet e Shenjta, Qenia merr rolin e Krijuesit, dhe përpiqet t’i flasë me parabolë një qenieje tjetër. Asaj që është e ndryshme prej saj, ose është e mbrujtur ashtu siç ishte vetë ajo para se të përjetonte ankthin e dritës.

 Duke i profetizuar qenies tjetër se në fund të gjithçkaje mbetet veç fjala (“dhe mbetet veç fjala-labirint i kujtesës”), Qenia nuk eshtë gjë tjetër veçse jehona e zërit të Hyut në Testamentin e Ri, ku shkruhet: në fillim ishte Fjala#. Fjala si fund dhe fjala si fillim dhe në këtë krijesë plot drite të poetit Alket Çani!

Epika e vdekjes në romanin “Ar e fosfor” të Romeo Çollakut

Romani “Ar e fosfor” i shkrimtarit Romeo Çollaku na servir nje subjekt disi të rrallë, jo vetëm në letërsinë pas viteve ’90, por për romanin shqiptar në përgjithësi.

Në qendër të tij hidhen dy personazhe të paemër, të cilët e bëjnë akoma më të çuditshëm këtë subjekt të pazakontë.

De juro protagonistët e kësaj vepre janë tri, por de facto, ata janë dy. Edhe pse këta të fundit në fillimet e rrëfimit na duken si dy personazhe në një të vetëm, apo thënë ndryshe, si vazhdim i njëri-tjetrit (marrë kjo në kuptimin, Çiraku si trashëgimtar i Ustait), por, në të vërtetë, ata janë antipode të sho-shoq. Alterego që nuk arrinë të mësojnë në ç’vend e në ç’kohë ndodhen.

(Bejko S, Gazeta “Fjala”, Tr 2003) E kjo vjen për faktin se koha nuk është kurrë kohë në këtë roman. Ajo kthehet vazhdimisht në antikohë, që në çdo moment pjell antikrishtët e saj.

Por duke qenë se në thëlb dy protagonistët de juro të këtij romani janë kaq të përkundërt, mund të themi se antikoha këtu ka ngjizur një antikrisht të pastër, një demon të vërtetë (Ustain) dhe një antikrisht të penduar, një Judë (Çirakun).

Këta antikrishtë hyjnë e dalin nga jeta tokësore në atë të përtejmen me një qellim të vetëm: të nxjerrin në pah dilemat e mëdha të shpirtit njerëzor. (Bejko S, Gazeta “Fjala”, Tr 2003).


Përrallë, fantazi e legjendë. Nga ana tjetër realitet dhe vërtetësi. Më pas, një përleshje e gjithë këtyre kategorive, për të krijuar realitet përralle, përralla të realitetit, të vërteta fantastike, fantazi të së vërtetës. E mbi të gjitha, legjenda më shumë se të besueshme. Pikërisht këtu ngatërrohen dhe kufinjtë mes jetës dhe vdekjes. Jeta si kohë dhe antikoha si vdekje.

“Ecnin. Të zhytur në të thella, të pagojë, shpërfilllës ndaj natyrës dhe ndaj njëri-tjetrit. Sidomos ndaj njëri-tjetrit”. (Romani “Ar e fosfor”, fq 52)

Ftohtësia e vdekjes, si klimë mbizotëruese në këtë roman, ka ngjizur dhe brendinë e protagonistëve antipodë. Klisheja skeptike e Barthes-it “personazhi është ligjërata që ai prodhon” , (Barthes, R, 1970, fq 179) formëson një teoremë të mrekullueshme në romanin “Ar e fosfor”.

 Antikrishti i penduar monologon, më tepër se sa komunikon, me antikrishtin e vërtëtë. Madje edhe atëherë kur përpiqet të komunikojë, në të vërtetë ai s’bën gjë tjetër, veçse monologon me zë të lartë.

Zgjimi ose ndërgjegjësimi i tij ka ardhur në çastin kur ka njohur demonët e vet. Megjithëse ccdo gjë ka shkuar dalëngadalë drejt një fundi të pashmangshëm, gjuha e tij (Çirakut), është gjuha e makthit. Pasi te vdekja e tjetrit, ai ka nisur te ndjejë acarin e ftohtë të vdekjes së vet. Ndaj, në mënyrë krejt të natyrshme, ai është kthyer në një shpirt të trazuar.

Antipodi i tij (Ustai), ngase nuk e ndjen atë trazim ne fyerjen ndaj të vdekurve, ka një gjuhë të metaltë, të ftohtë, dhe është shndërruar prej kohësh në një hije që ecën shpërfillës mes kufomash.
Në një vijë kohore të prekshme secili prej personazheve është vetëdija e munguar e tjetrit dhe kjo prani e vazhdueshmë mungesash përcakton trajektoren e pakthyeshme nga jeta drejt vdekjes.

Kurreshtari- Çiraku- Ustai(vetëdija e parë) (vetëdija e zgjuar) (mungesa e plotë e vetëdijes)


Brenda këtij raporti zinxhir qeniesh marrin trajtë dhe ato dilemat e mëdha të shpirtit njerëzor, të cilat bëhen të dukshme për një lexues model vetëm në një zbërthim alegorik te veprës, duke qenë se kjo e fundit cilësohet si një proces retorik me anë të të cilit një tekst ose imazh shpreh një koncept ose kuptim të fshehur, jo drejtpërsëdrejti të dallueshëm e të ndryshëm nga domethënia parësore. (Dizionario delle filosofia Garzanti, Milano 2004, fq.20).

Gjuha e kureshtjes është vetëdija e munguar e fëmijërisë së Antikrishtit të penduar, dhe dialogu i tij i stërzgjatur me qenien Kureshtar, i cili ndodhet nga ana e tij në dilemën e tmerrshme “të jesh a të mos jesh”, mund të merret fare mirë edhe si monologu i munguar, që personazhi duhej të kish bërë prej kohësh me veten.

Për të mos u shndërruar në një fëmijë-hajdut varresh, e më pas në një çirak të vdekjes. Gjuha e kureshtjes është gjuha e tij e munguar dhe dialogu me mbartësin e saj është nisja e fëmijërimit, ose thënë ndryshe procesit te kthjellimit në vetëdijen e tij. Këtu nis metamorfoza e pritshme e qenies në një shpirt të trazuar.

Trupi nuk është si flaka.Sepse është braktisur nga jeta, nga shpirti.Shpirti po, shpirti është si flaka. Por jo si flaka e këtij zjarrit tonë, që, me të ikur ne, herët në mëngjes, do të jetë shuar.Shpirti është një flakë që nuk dihet kur është ndezur e nuk do të shuhet ndonjëherë. (Romani “Ar e fosfor”, Fq 71).

Vdekja e Kureshtarit është ndoshta më kuptimplotja në të gjithë veprën. Ajo nuk është gjë tjetër veçse një vdekje simbolike, ndërsa dialogu i tij me Çirakun e vdekjes shërben si një “diell alegorik” për këtë të fundit. Një diell që Çiraku vetëm sa e sheh, por nuk arrin të ngrohet dot prej rrezeve të tij, pasi tashmë është tepër vonë.

 Por ndërsa gjuha e kurreshtjes e shndërron çirakun e vdekjes nç një qenie dilemash të tmershme, në një Antikrisht të penduar, kjo gjuhë nuk e prek asfare Ustain e vdekjes. Ai është tepër i moshuar për të tilla transformime, duke qenë se mbart në subkoshiencën e tij gjuhën e ftohtë të vdekjes Me këtë gjuhë ky personazh ligjëron prej ferrit tij, që është tepër larg purgatorit ku po qëndron përkohësisht bashkëudhëtari Çirak, dhe vite dritë nga rrethi ku lind gjuha e kurreshtjes.

Pikërisht ngase nuk ka më asnjë lloj mundësie për t’u fëmijëruar qoftë edhe për një grimëkohe, ai ka humbur çdo lloj ndjesie njerëzore. E vetmja gjë ndaj së cilës tërhiqet si me magnet është ari në kockat fosforeshente të viktimave që përdhos netëvë të pambarimta të mëkatit të tij. Mëkatet që nuk i rëndojnë aspak në ndërgjegjie e bëjnë qenien Usta, personazh antipod me protagonistin tjetër të romanit.

Dhe si për një rastësi aspak të rastësishme, tokat që në vend të të korrave shpërthejne uturima, rënkimet e njerëzve të pafajshëm që do t’i nënshtrohen aktit makabër të murimit apo shpirti shegtar i vashës së vdekur ditën e martesës, të gjitha këto tmerre të marra së bashku, nuk janë ndodhi të pranishme në vendlindjen apo monologët e Antikrishtit të vërtetë, por në kohën dhe hapësirën, nëpër të cilën vërtitet shpirti i trazuar i Judës, që me gjithë pendimin e tij s’e ndali dot lundrimin e pashmangshëm nëpër lumin Akeront. Duke qenë se arriti të fëmijërohej veç për një çast të vetëm, sa për të parë njëhërë me sy të shqyer të vërtetat e tmerrshme. Sa për t’u berë shndërruar një një momënt sa një e rrahur zemre, në Çirak dhe një pjesë të Kureshtarit. (Romani “Ar e fosfor”, fq 83)


E ardhmja e tij i ishte profetizuar qysh në ëndrrën e përbashkët të tre protagonistëve de juro. Ëndërr që përmbushi profecinë ogurzezë, se pendimi i vonë vlerë nuk ka.

“O për të menduar që pendimi i vonë vlerë nuk ka”, (Romani “Ar e fosfor”, fq 83)siç jehon dhe zëri i arkitekt Çollakut, brenda ferrit që ai ka ndërtuar për antikrishtët e kësaj toke, e cila nuk ia fal askujt të shqetësojë prehjen e kockave të të vdekurve që mban përjetësisht në gjirin e saj.


Tiranë, nëntor 2010

Metafora e Rrugës në vëllimin poetik “Njomja e fikut” te poetes Naime Beqiraj

Në një prej ligjëratave të tij më të dëgjuara, filozofi gjerman M.Heidegger shpjegon kuptimin e foljeve ndërtoj dhe banoj. Sipas Heidegger-it:“Ndërtoj nuk është vetëm një mjet banimi, një udhë që të çon aty. Ndërtoj është në të vërtetë edhe banoj”. Ky përfundim na shtyn t’i vështrojmë të ndërtuarit dhe të banuarit si dy procese të brendashkruar tek njëri-tjetri dhe me një “kufi” lidhës mes tyre: udhën. Të ndërtosh pra është një udhë që të çon drejt banimit.

Ndërtimi, Rruga dhe Banimi janë tri konceptet themelore në vëllimin poetik “Njomja e fikut” të poeteshës kosovare Naime Beqiraj. Por ndërsa koncepti i parë dhe i tretë janë të kamufluar përmes simbolikës së vargjeve, koncepti i dytë (Rruga) pluskon në subkoshiencën e lexuesit si metafora bërthamë, rreth së cilës mbështillet krejt “ashti poetik” i këtij vëllimi.

Poezia erotike e autores na shpalos një reliev të trishtë, ku çdo gjë është vazhdimisht në ikje, dhe ku format e ikjes nuk janë aspak fjala vjen si largimet e dallgëve nga brigjet e tyre, por përkundrazi, ato i përngjasin asaj anijes, e cila çdo moli në të cilin ankorohet, rrallëherë i rikthehet për të dytën herë.

“Ti nuk je as ai/Që ndjell erën e ikjes/Dhe kthehesh”.

Qenia poetike e njeh mjaft mire Rrugën, derisa mbetet e vetmja projektuese dhe ndërtuese e kësaj të fundit, por ajo nuk arrin të gjejë dot në të banorin e përhershëm, i cili përpara se t’i iki qenies dhe Rrugës, shtegton parreshtur prej ekzistencës së vet.

“Ti zbrisje, por nuk bije/Në ceremoninë/E përndritjes”

Ky moskuptim i vetvetes, kjo gërmadhë shpirtërore e pandreqshme ngjiz vargje të mrekullueshme, me një lakonizëm dhe dramacitet të thellë, ku ky i fundit shkaktohet nga një lidhje aspak e frytshme mes shenjës-simbol dhe të shenjuarve të saj.

“Ti ik për t’më pasur/Si plëngprishësi”.

Raporti Qenie ndërtuese-Rrugë-qenie plëngprishëse përmbyset në të kundërt në poezitë meditative, të cilat përbëjnë pjesën dërrmuese të këtij vëllimi.

Titulli i librit “Njomja e fikut” mbart në vetvete një rrugë të mundimshme, tek e cila të ndërtuarit dhe të banuarit janë dy koncepte brenda një koncepti të vetëm. Konotacioni që merr metafora e rrugës në poezitë meditative i përjashton udhëtarët që nga njëra anë i largohen vetvetes dhe nga ana tjetër vazhdojnë të ecin në rrugën e ndërtuar e projektuar nga qenia poetike. Kjo lloj rruge është e ndërtuar në mënyrë të përsosur dhe e destinuar të ketë banorë aspak të rastësishëm.

“Gjumin e mirë Nënë/Ma trasove të vështirë Rrugën/Ma dhe të lehtë bukën/E më mësove/Se ëngjëjt nuk rrinë rrugës”.

Banorët janë shndërruar tashmë në ëngjëj, ndërsa Rruga në një alegori të pastër të Bukës e rrugës së drejtë, të cilave u kthehemi sa herë na dhemb uria. Uria për të ecur në rrugën e drejtë dhe për të ndërtuar raportin:
qenie plëngprishëse-Rrugë-Qenie ndërtuese.

“Qenia njerëzore konsiston tek banimi, dhe pikërisht tek banimi në sensin e ndenjes mbi tokë të të vdekshmëve”, shprehet Heidegger. Shëmbëlltyra biblike e fikut kthehet nga poetja Naime Beqiraj në një lutje të sinqertë njerëzore, brenda së cilës më shume se zëri, flet heshtja që s’bëzan.

 Përmes kësaj heshtje, poezi të tëra na vijnë në kujtesë si reminishencë e të njëjtit Banim, e mbi të gjitha të së njëjtës Rrugë, pavarësisht formave të ndryshme të të ndërtuarit, qoftë të Rrugës, qoftë të Banimit.

“Mësoja fëmijës rrugën/Dhe ai kurrë s’do të të braktisë”
Banimi mund të jetë Toka, Qielli, apo Atdheu si thirrje e tokës së premtuar. E rëndësishme që në gjithë këto hapësira të jesh ar i kulluar në zjarr, apo të marrësh trajtën e heronjve që i përballojnë sfidat për t’i rritur zogjtë...

Kuptimi i këtyre vargjeve tepër të realizuara artistikisht përpara se të zbërthehet nga simbolika e përgjithshme e krejt poezisë, qëndron më së pari tek detaji. Poetja merret aq shumë me detajet poetike, sa ajo që ne si lexues e përjetojmë si gjendje, nuk është gjë tjetër, veçse një valle e harmonizuar në mënyrë të përkryer e këtyre detajeve.

Në pamje të parë duket se ky vëllim na servir “një poezi të ftohtë” (në këndvështrimin e gjendjeve poetike), por si në poezinë erotike, si në atë meditative, kjo lloj ftohtësie dhe palëvizshmërie i ngjet qetësisë së ujrave liqenore, në një vështrim të shpejtë mbi hapësirën ujore në një ditë të kthjellët, pa e ditur se brenda tyre ziejnë ujra të trazuara.

Dhe po të perifrazonim një tjetër shpjegim të Hajdegger-it për dy foljet që përmendëm në fillim të këtij punimi, do të thoshim se poetesha Naime Beqiraj me vëllimin poetik “Njomja e fikut” nuk banon sepse ka ndërtuar, por ajo ka ndërtuar sepse banon, domethënë se është banore në Kullën e Fildishtë të poezisë shqipe.

/Titulli i redaksisë Floripress/


Alisa Velaj është diplomuar pran Fakultetit të Historisë dhe i Filologjisë, Universiteti Tiranes, degaGjuhe-Letersi. Ka botuar  “Reflektimi i perjetesise, Revista universitare Cogito (ISSN 1857 – 579X), Maj 2010, “Kufinjve te pambarimit ne poezine e Azem Qazimit”, ”,  Revista “Jeta Arbreshe” nr. 65, korrik shtator 2010, “Ankthi i drites ne poezine e Alket Çanit”,  Revista “Jeta Arbreshe” nr. 65, janar-mars/ 2010 Katharsisi ne novelen “E madhe eshte gjema e mekatit” te Mitrush Kuteli, Revista “Hylli i Drites”, Shtator 2010 ‘Optika e zotit dhe e skllavit”,  Revista Mehr Licht, Shtator 2008 Liber ne poezi “Drejy ajrit”, Dhjetor 2009Liber me poezi “Themelet e eres”, Janar 2006
Etj.

2012-07-02

Ajo është Dorian Gray


Abdullah Konushevci

LUTJA L

Kur në të çel dashuria
Asht ngjitur nuk më lë
Qetësi yjesh
Duhet me reshë
Me m’u kthye eshtrat në vend

Portret i saj jam unë
Ajo është Dorian Gray

Kur në mua çel dashuria
Unë zbres poshtë
Marr një copë nga ferri
Dhe e djeg të gjallë
Vurratat e djallit
I shihen kudo

Portret imi është ajo
Unë jam Dorian Gray

Zot, ti e di si
Bëj të plakemi
E të mbesim të rinj


Prishtinë, më 12 maj 2011


LUTJA XLIX

Kam me këputë një copë qiell
Me mbështjellë dashninë tonë
Me ruejtë nga Sy i Keq

Ka me qenë e diel
Ditë e Madhe e Zotit
Kur kam me fshehë thellë nën dhé

Kanë me marrë vesh shpejt
Se është gjaku ynë
Kur kanë me çelë lulëkuqet
Në tokën e zezë
Dashninë dhe vdekjen
Kanë m’i pa bashkë

Syshkruar flokëzez
Ti ke m’u hapë fushave
Si vetë Frymë e Zotit

Ti
Shoqe
Mike
Motër
Ke me m’u ngulë thikë në zemër

Kush s’ka me ditë
Pse e kam la me lot
Këtë ditë maji

Mbështjellë me një copë qiell
Zot na ruaj
Nga njerëzit në tokë

Prishtinë, më 1 maj 2011

Eh Drini im i bardhë më merr me vete....




Agim Desku

Nëpërmes Drinit të Bardhë
Eh Drini im i bardhë më merr me vete çdo ditë të bukur pranvere
Me sjell një frymë te re nëpërmes valëve te tija mahnitëse
Kah kalëron bashkë me princin e mikes sime,të dytë jemi legjendë
E kësaj nate që më vjedh puthjen e pare sa shpejtë ikën o Dri
Pse nuk rri më mua të çmallëm me ty dhe me ëndërren e bukur
Sa fajtor je ti o Dri që nuk më merr me vete deri tek deti i saj
Të luftoj edhe me valet edhe me piratët për të vetmën fjalë
Që po e kërkoja edhe me mijëra vjet më pare në secilën pranverë
Nëpër secilën lule edhe tek trëndafilat e saj që i kam marr një ditë kujtim
Që i ruaj në kullën time prej ari në të vetmën zemrën time më shtat dryna
Askush nuk mund të hy këtu është roja me shpatën me dy tehe të e mbronë
Kujtimin e e aromës më të bukur që kam ndier ndonjëherë apo kam shijue
Sikur puthjen tënde mike që e ruja si zjarr Prekazi të secilës luftë
Për emrin tim dhe tend oj mike u bëra hero dhe atdheun ta lash ty kujtim
Në secilin varg timin ma ruaj ,me lulet me te dashura pranvere,në secilin gjeth
Ma ruaj më këngët më të bukura,me fjalët që shkëlqejn natën me hënë
Në çdo gjë të bukur ma ruaj sikur ma ruen shpirtin tend për mikun
Dhe një ditë do të takohemi në mes valëve te Drinit te Bardhë aty ku ishte fillimi
i takimit dhe puthjes që më rri pranë dhe m`i djeg buzët edhe ashtu te thara prej viesh pritje,dyluftime deri sa u bëra edhe këngë edhe varg edhe pranverë
gjithqka u bëra vetëm për të hyrë dhe mbetur në shpirtin tend të shënjtë
u bëra edhe kalorës edhe i krisuri i kësaj bote që botën ndryshon me shpirtin tim
me dashurinë time me fjalët me te bukura që ju dhoroj miëve te mi,atdheut tim
ëndfërrës sime dhe pyramidës sime që e lajmë me lot shiu kur të takohemi mbi majën e saj,mbi buzëqeshjen e saj,mbi puthjet plot zjarrë,aty do te ndalet për pak
pranvera,aty do të ndalen pr pak luftërat,aty do te na jap uratën i imi zot
aty është pranvera ime,je lulja me e bukur qwë kam pare ndonjëherë,aroma më e dashur I kujtimit tim për vargjet që do lindin atë ditë,apo nuk do të këtë më mbrëmje vetëm dritë e pranverë edhe dielli do te di të dashuroj edhe hëna do te ndalet për një cast,dhe do të ndalët ora ime,çdo gjë do të na shikoj si është
kthyer bota nga ne ,një botë tani është më ndryshe,më e bukur,më e dashur,
pa luftëra,pa ëndërra dhe unë me mikën tani më nuk jemi legjendë
jemi syri i botës se dashuruar,jemi fjala dhe vargu i pranverës se bukur
tani jemi udhëtarë me Drinin e Bardhë .secili vrapojmë pas buzëqeshjes
pas fluturave që të jenë edhe ato në përqafimin tonë,në dashurinë e mikes
në zemrën e saj që na prêt ne dritarën e saj me lule shumëngjyrëshe
me zemrën e hapur plot aromë dhe puthje plort zjarr
eh Drini im sa i dashur je,më more për pak me vete të falëm shumë që më takove më mikën,më ëndërrën ,me lulet,me bukurinë ,me atdheun,me çdo gjë te bukur në këtë botë krejtë ndryshe si vetë jeta e mikës sime.

Baladë plisit
Kërkova gjithandej Durrahut
Fototografitë e plisit tim
Nëpër secilën skënë e akt të dramës shqiptare
Ulësha nëpër shkallët të amfiteatrit të Butrintit
Para se Krishti të gozhdohej edhe shqip
Se sonte dua ta kujtoj baladën e plisit tim
Të vrarë tragjedive shekspiriane
Sikur që kohërat më ngjanin mua
Dikur e sot kur jam një emër i popullit tim
Më nuk më duhen ëndërrat e kësaj bote të çmendur dhe të krisur
Sonte vijë nga tjetër botë si baladë e fjalës së saj
E di nuk jemi mëkatarë të asaj kohe që na vodhën ëndërrat
Te dytë rrijmë vargut tonë me hënën zgjuar deri në agim
Të vrasim djallin bashkë me ëndërrat
Se dua të mbetëm piktura e varur në mur
Apo e vetmja piramidë në pikturën time
Që rri vargut te poetit duke kënduar pak serenadë për mikën
e të pi pak verë Çamërie
Me Tiranasën time,Yllka
Eh ecnim si dikur edhe sot deri tek Molla e kuqe
Për secilin varg po bëhemi baladë e plisit tim
Sonte është kohë jasharjane e atdheut shqip
E mbarojnë lutjet e mia për ta vënë botën në pikturë.

PLISI

Ku ta kërkoj plisin e fisit tim
Në cilën kokë ta shikoj
Si dikur bacit mbi ballië sa hije I kishte
Sëbashku i ruanin kujtimet e gjalla nëpër sëcilët shekuj
Dhe legjendat për burrat e dheut e Atdheut të shqipeve
Të ngritur në këngë të rapsodit këmbëkryq odave shqiptare
Bukur ia thotë n`tela lahuta e nëpër dasma kërset huta
Në cilën udhë të të gjëj si feniks të balsamosur apo në muzeun e shqipeve
Hajt bacalok hajt të dytë do të ngritëmi prap së nuk vdesim ndryshe vetëm shqip
Në lahutë u bëmë bëma dhe falëm zemra për më të bukurit emra
Nga kullat tona luftohej e dashurohej në një sofër të bashkuar me miq
Isha krenar me plis në ballë së e dija që vetëm kështu isha shqipatar denbabaden
Në tokën NËNË ILIRODARDANE me Malësi e Çamëri kur isha vetë Shqipëri
Kur nga kohë e Skëndërbeut valonte flamuri kuq e zi edhe nëpër këtë mbretëri
E sot ku ta kërkoj plisin e bardhë a mos shqipet e kanë marrë ta ruajnë në gji
Nga plagët që shekujt na i bën trupit e na ndanë trungun tim pjesë pjesë
Ca në Çamëri e ca në Iliri ca në Malësi deri kur prap në një Shqipëri
Në një varg të poemës sime e në një këngë do të jemi unë e ti
Me plisin e bardhë si zemra ime që nuk di tjetër fjalë
Vetëm miqësi të falë e në liri dashuri për mallë.




KULLA

e ndërtuar me gurë e murë
Për plis në ballë për burrë
Ngritë e rritë edhe flamur
Kuq e zi në ILIRI
Fole e shqipeve në Arbëri
Kullat tona plot histori
Nga një hutë nëpër frengji
Kur të vijnë armiqtë e zi
Si traditë për miqësi
Shkollë kombëtare për shqiptari.



VARGJE FLAMURI

Kur erdha në këtë botë
Takova vargun si dashuri të këngës
Si ëndërr për mikën e fjalës
me shekuj e zhdukur nga faqja e dheut
e gjeta nën diell in e fatit tim dhe si kujtim
e ruaj në gjirin e nënës Shqipëri
të mbeshtjellur me flamurin kuq e zi
dhe shkaba dykrerëshe e ruan me gjelozi
fjalën Shqipe në flamur kur ma sheh plisin në ballë
dhe më thërret më emrin tim shqiptar Agim DESKU
si varg i shkruar mu në mes vargjeve të poezisë sime
që dikur mësoja nga Naimi e Serembe
Fishtën nuk më lanë ta njihja si shpetimtar të vargut të kohës
Që mezi e recitoja vargjet që as nuk e kuptoja gjuhën e tyre
E tani vie si relikt mbi sëcilin varg më shumë a më pak së sa e dëshiroja
Të ecën bashkë me fisin tim në të vetmin flamur në të vetmën fjalë shqipe
Që e di çdo fëmijë që nga djepi deri të bëhet burr e shkuar burrave.


Përzgjodhi :Flori Bruqi

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...