2012-07-06

TË NGRIHEN BUSTET I KOMANDANT "PETRIT KODRËS" DHE DËSHMORËVE TJERË!

Me rastin e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë!



Nga RESHAT BADALLAJ




Zhuri është fshati më i madh dhe më përparimtar në Republikën e Kosovës. Shtrihet në kilometrin e dhjetë të rrugës Prizren-Kukës. Në të majtë shtrihet Koretniku, nderkaq, përballë e ka si nuse Pashtrikun,që ka qenë deshmitar i shumë ngjarjeve tragjike. Zhuri kohëve te fundit u rrit me hapa gjigant, ne perëndim u ngjit me Shkozën e Dobrushtin,nga lindja u bë komshi me Billushën dhe ka kohë qe është bashkuar me Vlashnjën dhe Kobanjën.

Vlen të theksohet se Zhuri serish pas shumë shekujsh u kthye në themelet e mëparshëm në "Gomën". Pas luftës Zhuri u shpallë qytet...

Historikisht ky fshat ka tradita të moçme atdhetare,përgjithësisht në rrafshin kombëtar. Pra, nuk ka luftë që është zhvilluar të mos është përgjakur Zhuri. Rol shumë të rëndësishëm,ky fshat heroik ka luajtur edhe si ndërmjetësues Kosovë-Shqipëri. Kështu qe burrat më të fortë të kombit, zhurianet, i kanë futur pa therë në këmbë; Hasan Prishtinën, njerëz te Mbretit, shumë të burgosur politikë, Mehë Ukën... e deri te Rifat Jashari,vëllai i Komandantit Legjendar, Adem Jasharit... Se vërtetë është kështu shfleto librin:"VËRRINI NËPËR LUFTËRA", faksimile origjinale te autorit te këtij shkrimi.

Mjerisht ka pasur si në çdo fshat tjetër te Kosovës, argatë të pushtuesit ta zemë si soji i Hysen Prushit e Dalip Zezës, ky i fundit ishte një langua serbian që futi ne kurthë Hasan Remnikun. Por, këtyre tradhtareve qentë po i´a pëshurrin varrin me lezet

Nuk do të futem thellë në historinë 700 vjeçare të Zhurit, sepse për këtë kam botuar librin e tretë. Mirëpo, me shqetësoi një gjë, nga shumë luftëra qe janë zhvilluar në këtë trevë të Lumës heroike, pikërisht në Zhur, asnjë shenje e as nishan nuk ndodhet në këtë fshat historik.

Trurin tim aspak nuk e le të qetë dhe çdo ditë qe e ngacmon është: të paktën perse nuk ngrihet një lapidar nga lufta e fundit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pikërisht për komandant "Petrit Kodrën"- Remzi Ademajn.

-Çuditërisht, për këtë hero të kombit, janë ngritur lapidar vetëm në Prizren, ndërkaq, në ca fshatra që nuk i kanë as 50 shtëpi, kanë ngritur lapidare dhe pllaka.
Përse, Zhuri e harron këtë trim?!!!

Sa për të përkujtuar ca të mjere vetëm dy-tri fjale se kush ishte Remzi Ademaj. Burri i Zhurit, Remzi Ademaj, ishte krahu i djathte i Kadri Zekës, Jusuf e Bardhosh Gërvallës. Remziu, i fundit ishte qe u nda nga këta trima, qe u vranë nga dora gjakatare serbiane...

Burri i Zhurit, ishte i burgosur politike shumë vjeçar,qe u dergj nëpër kazamatet serbiane, me simbolin e rezistencës shqiptare, Adem Demaçin. Remziu, ishte kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut...

Dhe në fund, burri i Zhurit, themeloi Shtabin e UÇK-së në trevën e Verrinit dhe ra heroikisht ballëpërballë me hordhitë çetniko-serbiane që me hanxhare e bajoneta i´u vërsulen si llava ujqërish...

Ndaj, sa nuk është vonë, të fillojë kjo nismë dhe të mos rrimë duarkryq, sepse ua kemi borxh, Komandant "Petritit" dhe dëshmoreve tjerë që dhanë jetën për ketë vend.

Dhe, krejt në fund, Zhuri ka më tepër kurbetçarë se çdo fshat tjetër, që do të thotë t´i hapin qeset ndonëse janë të pezmatuar në aksionin e fundit, që u futën ca hajna, te sojit te Pablo Eskobarit të cilët para luftës nuk kishin gomer në shtëpi e sa çil e mbyll sytë, u gëdhinë milionerë, tamam si në Kaliforni.

Në ketë hajni, u përfshinë familjarisht ca kopukë. Njerëz të pafytyrë dhe shfrytëzuan rastin dhe u vërsulën si ujqërit në mjegull!Shih për këtë, një zagar,dhëmbëkatarosh, ishte munduar te vërtetojë se vërtet Komandant Petriti, kishte dërguar për në fax.

Po kush je Ti more hajvan t´i lidhësh qetë me mua...?!!!Dhe, Ti more langua, ç´tu desh kjo punë?Për Beligrad! Ku ishit me parë, perse nuk mblodhët...? Apo nuk patët autoritet, Sa para dhatë për luftën, cila ishte pasuria juaj para luftës? Keni harruar se me një dhomë keni fjetur nga dhjete vetë në shpuzë. Dhe si u bëtë milionerë... Haram,-more edepzës!...

-Ka kohë që te kerkoj të dalësh në pazar dhe mos kërcesh degë më degë dhe ta kam hedhur dorashkën si burrat dhe si keni shëtitur me gomer nëpër skërkat e Vërrinit. Ju jeni ata qe e keni sprapsur popullatën. Ju do te mbani përgjegjësi deri ne varre dhe presim te kruaj kokën ai kush e ka mizën nen kapuç-kësulë...

Ne, kërkojmë që të formohet një komision i posaçëm, me njerëz të pastër dhe jo të përlyer me vjedhje deri në fyt. Do të ishte mirë aksioni te fillojë sa më parë qe me 28 Nëntor, me rastin e 100 vjetorit te Pavarësisë dhe shpalosen Përmendoret e Komandant "Petrit Kodrës"- Remzi Ademajt dhe Dëshmorëve tjerë të Kombit, me shikim nga Shqipëria dhe Molla e Kuqe...

Gjermani, fillimverë 2012.

Reshat BADALLAJ,nismëtar.

2012-07-05

Para dhe pas festivalit ndërkombëtar Drini poetik 2012





“Drini poetik” mes Kosovës dhe Shqipërisë




http://www.zeri.info/artikulli/4/22/50290/drini-poetik-mes-kosoves-dhe-shqiperise/

Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës ka publikuar listën e përzgjedhur të pjesëmarrësve të sivjetmë të festivalit “Drini poetik”, duke përfshirë poetët si dhe të përzgjedhurit, të cilët do të paraqiten me kumtesa në temën “Letërsia shqiptare dhe 100-vjetori i pavarësisë”.

Organizatori ka bërë të ditur se ora letrare “Lira magjike”, do të mbahet në Pallatin e Kulturës “Xhemajli Berisha”, në Prizren, më 9 qershor me fillim në orën 20:00.

Ndërkaq, më 10 qershor, në orën 11:00, do të mbahet ora letrare “Ora e Lidhjes”, në Sheshin e Lidhjes së Prizrenit. Kurse në po të njëjtën ditë, në orën 18:00 do të mbahet ora letrare “Valët e Drinit”, në Pallatin e Kulturës në Kukës.

Numri i poetëve pjesëmarrës në këtë manifestim poetik arrin në 60 veta.

“Ka pasur shumë të interesuar që të jenë pjesë e këtij festivali, kanë aplikuar mbi 90 poetë, por kushtet na kanë ngushtuar që të kemi një numër më të kufizuar”, ka thënë kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Adem Demaçi.

Sipas tij, tema për poezi ka qenë e lirë, por duke pasur parasysh 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, selektuesit kanë pasur për bazë poezitë që kanë pasur për temë çështjen kombëtare.

“Temat që kanë prekur çështjen kombëtare kanë ardhur në konsiderim karshi poezive që kanë pasur ndonjë temë tjetër, duke përjashtuar këtu edhe cilësinë. Edhe pse, mendojmë që cilësia e poezive është e një niveli të lartë”, ka thënë Demaçi.

Ndërkohë, për mbajtjen e orës letrare edhe në Kukës, Demaçi ka thënë se kjo i përket traditës së festivalit, por në këtë vit, sipas tij, kjo traditë plotësohet edhe me 100-vjetorin e pavarësisë.

Në mesin e poetëve pjesëmarrës me poezitë tyre do të paraqiten edhe: Adem Zaplluzha, Agim H. Berisha, Anna Kove, Arben Rashkaj, Arif Haliti, Arsim Halili, Bedri Neziri, Behram Hoti, Brahim Avdyli, Delvina Kërluku, Dren Shala, Edit Dibra, Flori Bruqi…

Ndërkaq me kumtesa në temën “Letërsia shqiptare dhe 100-vjetori i pavarësisë do të marrin pjesë: Alisa Velaj, Behar Gjoka, Arben Hoxha dhe Feride Papleka. Pjesëmarrës në këtë festival do të jenë edhe dy poetë amerikanë dhe autorja e antologjisë së poezisë amerikane, Lediana Stillo.





 Shkruan Abdyl KADOLLI

Festivali ndërkombëtar “Drini poetik” në Prizren, më 9-10 qershor,  dëshmoi për të tretën herë fozionominë dhe rëndësinë e tij kulturore të përmasës kombëtare e ndërkombëtare.
Ai  sivjet mblodhi rreth 100 poetë e studiues letrarë shqiptarë, disa poetë të komuniteteve dhe tre poetë ndërkombëtarë. Në tri pikat poetike “Lira magjike”, “Ora e Lidhjes” dhe “Valët e Drinit” u lexuan shumë poezi të reja, nga të cilat u lauruan vetëm katër me çmimet letrare Metafora I, II e III dhe çmimin “Vepra letrare”.

Komuna e Prizrenit nderoi me emblemën e saj tre poetët e huaj në këtë festival: Dave Brinsk nga Nju-Orleansi, Ian Thal nga Bostoni dhe Yvan Tetelbom nga Parisi.


Në sesionin letrar “Letërsia shqipe dhe Njëqindvjetori i Pavarësisë” u lexuan 15 kumtesa, që trajtuan jehonën e kësaj ngjarjeje historike në krijimatrinë letrare.



Risi e këtij festivali poetik sivjet ishte përurimi i antologjisë amerikane “Tingujt e erës” të autores korçare Lediana Stillo, e cila tani jeton në Boston.
Pjesëmarrësit e festivalit sivjet vizituan edhe disa monumente kulturore e historike të qytetit të Prizrenit.


ADEM DEMAҪI
Sivjet festivali ndërkombëtar “Drini poetik” u zhvillua në kushte mjaft të vështira financiare. Po të mos ishte mikpritja e komunës së Prizrenit, e cila siguroi akomodimin e mysafirëve, lokalet e reklamat e festivalit, ai as nuk mund të mbahej. Me mjetet që ka dhënë për këtë vit Ministria e Kulturës për Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës nuk mund të mbulohej as gjysma e shpenzimeve të festivalit.
                    Dave Brinks

Kjo ministri nuk dha asnjë pullë as për projektin e Antologjisë amerikane. Madje ministri Memli Krasniqi bojkotoi thjesht edhe shtypjen e saj. Ishte komuna e Rahovecit ajo që financoi shtypjen e antologjisë , në një numër të vogël kopjesh.

As Qeveria e Kosovës nuk u përgjigj për financimin e festivalit, edhe pas 15 aplikimeve nëpër ministri e kompani private. Vetëm Ministria e Diasporës shtriu dorën e mirëkuptimit, duke siguruar tri bileta të mysafirëve nga SHBA-ja.


Lediana Stillo, Dave Brinks dhe Adem demaçi gjatë promovimit të Antologjisë amerikane “Tingujt e erës“ të autores Lediana Stillo.

Megjithatë, edhe në këto kushte të vështira, festivali ndërkombëtar “Drini poetik” vazhdoi rrjedhën e vet. Disa zëra disonantë pas festivalit vijnë më shumë si  komplekse individuale për vetëreklamë. 




Paradokset  kulturore


Festivali ndërkombëtar  “Drini poetik” kërkon sot të institucionalzohet dhe të zgjasë së paku tri ditë, në mos edhe një javë. Si një ngjarje e rëndësishme kulturore, ai duhet të financohet drejtpërdrejt nga Ministria e Kulturës ose Qeveria.

Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës ende ka statusin e OJQ-së, që jeton me ndihma. Nuk ka statusin e subjektit kulturor që financohet drejtpërdrejt nga buxheti shtetëror si në vendet e tjera. 


DAVE BRINKS NGA NJU-ORLEANS, LUIZIANË - SHBA
Shkrimtarët tanë sot ndodhen  në rrugë, sepse ende nuk kanë as seli të vet. Ish-objektin e LSHK-së e ka uzurpuar  një parti politike. Për këtë arsye  shkrimtarët sot nuk mund të zhvillojnë as veprimtari të mirëfilltë botuese, ku përzgjidhen vlerat.

Në shoqërinë tonë nuk financohet krijimtaria origjinale artistike, por interpretimi i saj, nuk stimulohet poesis, por mimesis

           Yvan Tetelbom

Pra, financohen bibliotekat, teatrot, galeritë, operat, kinematografia, ansamblet, por jo krijuesit e vlerave kulturore. Jepen shuma fantastike për filma fantastikë, por jo edhe për krijime letrare e artistike.

 Ky paradoks kulturor po vazhdon si avaz nga sistemi komunist dhe asgjë nuk ka ndryshuar në  statusin e krijuesve të kulturës.

Foto arkivi Gazeta C


Një pjesë të madhe të fajit e kanë vetë krijuesit e artit, për shkak të mosorganizimit të tyre për të ndryshuar statusin kaq diskriminues. Kur ata përbuzin vetveten, të tjerët i shkelin dyfish.  

Dorëheqje e ministrit të Kulturës 

   
Për gjithë këtë gjendje anarkike të kulturës sonë, ministri i Kulturës duhet të largohet një çast e më parë nga skena kulturore.Ky çun politik më së paku merr erë në kulturë. Ai nuk di ta peshojë rëndësinë e krijimit dhe të komunikimit kulturor ndërkombëtar, sepse thjesht ka bojkotuar botimin e përurimin e Antologjisë amerikane. 

Gjesti i tij dëmton shumë shumë vendin tonë, prandaj ky manekin nuk mund ta përfaqësojë kulturën tonë shpirtërore e materiale. Këtë nuk mund t’ia falë askush!

Ministria e Kulturës  është shndërruar sot në një kooperativë bujqësore, që keqtrajton kulturën. Nëpërmjet njëfarë këshilli të librit, ajo financon vetëm shtypjen e veprave letrare, madje dhe të botuesve privatë!

Kultura nuk mund të trajtohet si shund argëtimi dhe të futet në një thes me rininë dhe sportin!
Në krye të Ministrisë së Kulturës duhet të vijnë njerëz të kulturës, që dinë të çmojnë vlerat kulturore e artistike, të organizojnë jetën kulturore dhe format e bashkëpunimit ndërkombëtar.  

Masmediet tona nuk u japin publicitetin e merituar  ngjarjeve të rëndësishme kulturore, sepse i prezantojnë ato vetëm kalimthi. Edhe pse janë shumuar si luzmat, ato ende veprojnë me mendësinë e shkollës së pushtimit, duke vrapuar pas fëshfërimave politike. Gazetarët nuk përcjellin programet deri në fund. Ndodhen aty vetëm në fillim të manifestimeve, marrin programet dhe ikin. Në këtë valle prin sidomos RTK-ja satanike, me reliktet e saj të kohës së pushtimit.
*
Fjala e përurimit të Antologjisë amerikane



Zonja dhe zotërinj,
Mysafirë të nderuar,

Sot kam kënaqësinë e veçantë që po përurojmë Antologjinë e lirikës së re amerikane  “  Tingujt e erës“ të autores Lediana Stillo.

Me këtë rast përshëndes veçmas poetët amerikanë Dave Brinks dhe Ian Thal, të përfaqësuar në këtë antologji dhe të pranishëm në festival, si dhe vetë autoren e antologjisë, zonjën Lediana Stillo

Përshëndes poetin  francez Yvan Tetelbom dhe gjithë poetët e tjerë të pranishëm në këtë përurim dhe në festivalin e tretë ndërkombëtar “ Drini poetik “  në Prizrenin tonë historik e shumë lirik.

Antologjia e lirikës së re amerikane “Tingujt e erës”  është një projekt i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, në të cilin kanë  bashkëvepruar krijues të ndryshëm shqiptaro-amerikanë.

SoundsofWindCover

Gjithsesi, ky projekt kulturor ishte jashtë përmasës sonë reale, për të cilin nuk pati gjithherë mirëkuptim, por ishte një vizion shumë i ndritur.
Qëllimi i projektit ishte kontakti kulturor me rrjedhat e vlerat më të reja poetike amerikane.

Pa dyshim, merita për realizimin e këtij projekti kulturor i përket shkrimtares së talentuar korçare Lediana Stillo, e cila ka përzgjedhur e përkthyer me shije estetike lirikat e dhjetë poetëve  të rinj amerikanë.

 Është ky ndër hapat e parë të kontaktit kulturor me letërsinë e re amerikane dhe një mirënjohje modeste e shkrimtarëve shqiptarë për angazhimin amerikan në çastet  më dramatike kombëtare.

Kjo antologji vjen te ne nga kontinenti i largët, por shumë i afërt shpirtërisht me idetë e ndjenjat e lirisë.

Antologjia është pagëzuar me metaforën e erës, si vetë imagjinata poetike që nuk njeh largësi dhe ka shpejtësinë e saj në erën e komunikimit masiv.
Ajo vjen si një kumbim timbresh të ndryshme, që me idetë, vizionet e ndjeshmërinë e re krijojnë edhe polifoninë estetike.

Është kjo një lirikë moderne dhe postmoderne njëkohësisht, me intonime intelektuale, ritme urbane dhe larmi stilesh artistike. 

Jorastësisht, metafora e erës shkrihet me metaforën e valëve të “Drinit poetik”, duke krijuar kështu përmasën e lëvizjes së lirisë dhe të dashurisë universale.


Kjo antologji është vazhdimësi e kontaktit kulturor shqiptaro-amerikan, themelet e të cilit i ka vënë mërgata e hershme shqiptare në SHBA, me Nolin e madh e Konicën e urtë.

Po ashtu, Lobi shqiptaro-amerikan ka dhënë një ndihmesë të çmuar për afirmimin e çështjes shqiptare.

Me këtë rast përkujtojmë me nderime Presidentin Wilson, i cili kishte vënë veto kundër copëtimit të asaj gjysmë Shqipërie në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919.
Përkujtojmë me mirënjohje të veçantë vendosmërinë e Presidentit Klinton për Lirinë e Kosovës dhe Batalionin e Atlantikut të mërgatës shqiptare, që u hodh në luftën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për realizimin e këtij  projekti kulturor, Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës iu shpreh mirënjohje të veçantë poetëve amerikanë të pranishëm në këtë festival; Ministrisë së Diasporës të Republikës së Kosovës, që bëri të mundshëm udhëtimin e tyre; Komunës së Prizrenit për mikpritjen e Festivalit dhe Komunës së Rahovecit për shtypjen e Antologjisë amerikane. 

 Abdyl Kadolli, redaktor i antologjisë

Prizren, më 9 qershor 2012

Letër e mirënjohjes

e poetit Dave Brinks nga Nju-Orleansi dërguar shkrimtarëve  e miqve shqiptarë  pas festivalit ndërkombëtar Drini poetik.




Përshëndetje miqtë e mi!


Ju shkruaj me gëzim të madh sot. Jam në shtëpinë time në Nju-Orleans. Më mungon shumë,shumë shoqëria juaj! Bujaria juaj poetike, shpirti juaj i madh njerëzor e buzëqeshjet tuaja janë me mua, në zemrën time. Udhëtimi im në Kosovë ishte një mahnitje e madhe! Përjetova emocionet e lumturisë suaj, por edhe ndjeva dhembjet tronditëse që keni duruar.


Jam thellësisht i nderuar që u pranova brenda familjeve tuaja. Sot shpirti i madh i shqiptarëve jeton thellë në zemrën time, në mënyrë shumë të veçantë për shkakun tuaj dhe të njerëzve tuaj. Populli shqiptar është shumë i veçantë në mendjen time. Udhëtimi juaj është një aventurë e lashtë, e vjetër dhe e re. E vërejta në buzëqeshjet e fëmijëve te shatërvani në qendër të qytetit, qysh prej mbërritjes sime aty. Nuk ka vend tjetër më të veçantë në botë se vendi juaj i çmuar dhe i bukur. Thesaret tuaja kulturore janë të shumta. Ju më treguat shtëpinë e zemrës suaj dhe ndatë me mua një mënyrë të vërtetë  bashkëpunimi mes Kosovës e Amerikës.


Misioni i anotologjisë sonë poetike anglisht /shqip është më rëndësi vitale për të ardhmen tonë. Tani ne duhet të fillojmë punën për të sjellë poetët tuaj në Amerikë. Vizioni juaj bëri të mundur për ne të forcohemi në të dy anët e Atlantikut, si vëllezër besnikë që qëndrojnë krah për krah njëri-tjetrit në kohë të mira, por edhe të vështira.




 Unë do ta nderoj fillimin e bashkëpunimit kulturor midis vendeve tona, Kosovës e Amerikës, siç ju me nderuat mua. Ju sollët mrekulli e respekt ndaj dy vendeve tona, familjeve tona dhe njerëzve tanë. Akti juaj është i guximshëm. 


Ai vërtet është vizionar. Ai është plot gëzim e bukuri për t’u ndarë me gjithë botën. Sot vizioni kulturor i shqiptarëve është një dritë e lashtë që ndriçon prej zemrës sime, si një shembull i Shpresës dhe i së Vërtetës, që tregon rrugën për njerëzit kudo në të dy vendet tona, si të shqiptarëve e amerikanëve, ashtu edhe në gjithë botën. 


Ne gjithmonë do të qëndrojmë së bashku. Asgjë nuk mund të na ndajë. Unë kam ndryshuar thellësisht nga përvoja ime në vendin tuaj.


 Në ditët dhe vitet që do të vijnë, unë do të vazhdoj të angazhohem në shërbim të kulturës, artit e poezisë së vendit tuaj. Është shumë e rëndësishme për mua që tashmë jam një anëtar i familjes suaj. 


Ndiej fuqishëm se shtëpia ime është në Kosovë, sa është edhe këtu në Amerikë. Dëshiroj të jem pjesë përbërëse e angazhimit tuaj në gjithë rajonin për t’ju ndihmuar në misionin e madh të bashkimit. 


Populli juaj ka larmi të pakufishme dhe dashuri për jetën e natyrën. Ju keni përjetuar shumë fatkeqësi, por ju sot jeni më të fortë se kurrë .


Unë jam i frymëzuar për të vazhduar punën kulturore që keni filluar. Unë dëshiroj të afirmoj poezinë e mrekullueshme shqiptare kudo në Amerikë. Dëshiroj që çdokush të ndiejë gëzimin e veçantë të poetëve tuaj. Ne do të kemi vizita të shumta së bashku në Kosovë dhe në Amerikë.


Ky projekt është një bekim i ri për familjet tona, miqtë, studiuesit, historianët, dijetarët dhe shkrimtarët tanë. Sot vendet tona kanë arritur një mundësi të mahnitshme kulturore nga miqësitë tona të reja. Imagjinata kulturore e ndërmarrë në vendin tuaj është diçka, për të cilën ju duhet të jeni shumë krenarë dhe unë besoj se ajo do të prekë thellë zemrat e të gjithë amerikanëve. 


Dëshiroj që njerëzit tanë të kujtojnë gjithmonë, e kurrë të mos harrojnë, se jemi gjithmonë pjesë e së njëjtës familjeje. Qytetarët e Kosovës dhe të Amerikës janë të përkushtuar në respektimin e ligjeve të të drejtave të njeriut, të demokracisë, individualitetit, dashurisë dhe lirisë.


Tani shpirti i poezisë ka lëshuar rrënjë të forta me një shtrëngim duarsh mes nesh. Ju jam mirënjohës për shumëçka, për prezantimin që i bëte vendit tuaj në sytë e mi: në Prizren, Shtime, Drenicë, Llapushnik, në shtëpinë e Adem Jasharit, në Galicë,  monumentin e Shote Galicës dhe familjes së saj, në Lubovec, në Mitrovicë, në Prishtinë, në monumentin e Pajazitit, Zejnullahut e Hoxhës pranë Vushtrisë dhe më në fund me të gjitha fshatrat e tjera dhe qytetet e mëdha e të vogla, të cilat unë do t’i vizitoj herën tjetër në Kosovë. Unë tashmë jam dëshmitar i lindjes së lirisë! 


Është e bukur! Vizioni juaj më jep fuqi si një babai, një biri, një vëllai, një poeti dhe një miku. 


Sot kam dy shtëpi: Nju-Orleansin dhe Kosovën. Ju lutem shprehni respektin tim të thellë për të gjitha familjet dhe miqtë tuaj. Gjithashtu, shpreh mirënjohjen time të thellë për zotin Adem Demaçi dhe familjen e tij. Sot ne po fillojmë punën që nderon të ardhmen tonë, si vëllezër që qëndrojnë krah për krah në lindje dhe në vdekje.


Gjithmonë paqe e fuqi përmes poezisë, miqtë e mi!


Do të shihemi së shpejti!

Me nderime,


Dave Brinks, Nju-Orleans, Luizianë, SHBA


drsleepadelic@aol.com


16 qershor 2012 




-----------------------------





LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT DHE  FESTIVALI NDËRKOMBËTAR I POEZISË "DRINI POETIK"


Nga Flori Bruqi


Përfundoi festivali ndërkombëtar i poezisë “Drini poetik”


no preview


 Floripress:Urime  Dibran Fylli





Prizëren,Floripress, 11 1ershor 2012.




 





Në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës organizoi në Prizren për të tretën herë festivalin ndërkombëtar tradicional të poezisë “Drini poetik”, ku morën pjesë rreth njëqind poetë e studiues nga të gjitha viset shqiptare si dhe mysafirë, poetë-artistë nga Shtetet e Bashkuara dhe Franca.

Të shtunën u organizua përurimi i antologjisë “Tingujt e erës”/ poezi bashkëkohore amerikane, e autores Lediana Stillo dhe në këtë kuadër u paraqitën edhe poetët e artistët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Dejv Brinks (Dave Brinks) dhe Ian Thal. Me krijimet e veta para publikut u paraqit edhe poeti artist nga Franca Yvan Tetelbom. Paraqitjet e tyre ishin të veçanta për spektatorët që ndoqën këtë prezantim.

Në mbrëmje, në “Lirën magjike”, punimet e tyre poetike i lexuam më shumë se dyzet poetë, kurse të nesërmen u mbajt edhe “Ora e Lidhjes” te Sheshi i Lidhjes së Prizrenit, si dhe ora letrare “Valët e Drinit” në Kukës, që do të jetë tradicionale, ku punimet e tyre i lexuan anëtarë të LSHK-së dhe poetë nga Kukësi e rrethina.

Në kuadër të “Drinit poetik” u mbajt edhe sesioni letrar “Letërsia shqipe dhe 100-vjetori i Pavarësisë”, të cilin me një fjalë rasti e hapi Adem Demaçi, kryetar i LSHK-së. Kumtesat e tyre i lexuan pesëmbëdhjetë studiues nga Republika e Kosovës, nga Republika e Shqipërisë dhe nga Maqedonia.

Juria e festivalit “Drini poetik” paraqiti edhe laureatët e këtij manifestimi për poezitë më të mira. Çmimin e parë, përkatësisht çmimin “Metafora I” e fitoi poezia“Në sheshin e Lirisë” e poetit Dibran Fylli, çmimin “Metafora II” poezia “Rima e Tokës” e Violeta Allmuçës dhe të tretin, “Metafora III”, poezia “Larg ma livadojshin nji vashë” e Ibrahim Berjashit, kurse çmimin “Vepra letrare” poezia “Bozhur lirie” e Delvina Kërlukut.

Manifestimi solli vlera poetike e punime shkencore që tërhoqën vëmendjen e publikut.
Me orën letrare “Valët e Drinit” që u mbajt në qytetin e Kukësit, përfundoi manifestimi tradicional poetik, ku punimet e tyre i lexuan rreth njëqind poetë e studiues. Çmimin e parë e fitoi poezia “Në Sheshin e Lirisë” e Dibran Fyllit.
Cmimi letrare nga Drini Poetik Prizren 2012 Ibrahim Berjashit Në festivalin “Drini poetik 2012” në Prizren,nderohet poeti Ibrahim Berjashi
Poeti nga Ulqini, IBRAHIM BERJASHI, nga Festivali ndërkombëtar i poezisë “DRINI POETIK 2012”,i cili u mbajt më 9 dhe 10 qershor në Prizrenin historik, të organizuar Lidhja e shkrimtarëve të Kosovës, u kthye me çmimin “METAFORA III”.

Poezia e Berjashit, “Ç` ma livdojshin nji vashë”, nga shkrimtarja Beatriçe Baliqi,kryetare e jurisë, u vlerësua si një ndërthuerje e spikatur estetike dhe filozofike, me mesazhe dhe metafora lirike, të krijuar larg skemës letrare të poezisë konvencionale.

Kjo shkrimtare elbasanase shtoi se , poezia e Berjashit është një mishërim model i folklorit shqiptar dhe personaliteteve të artit që shënuan shekullin e kaluar, siç është Salvador Dali , Frederik Reshpja etj.

Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës,z. Adem Demaçi duke ia dorëzuar këtë çmim prestigjoz porositi poetin Berjashi:
“Më vjen mirë që ky çmim shkoi në Ulqin. Mësoni, lexoni edhe shkruani shqip; ruanie edhe zhvilloni kulturën shqiptare; është detyrë jona patriotike”,- porositi simboli i rezistencës tek shqiptarët, z.Adem Demaçi.
Të gjithë pjesëmarrësit e këtij edicioni të “Drinit poetik” , janë shprehur se poezia e Ibrahim Berjashit ishte një prurje e re, dalluese nga të gjitha që u prezantuan në këtë festival.

Berjashi falenderon Komunën e Ulqinit për mbështetjen e pjesëmarrjes në Festivalin ndërkombëtar të poezisë “Drini poetik”.

----------------------------

“Xhirot” e famshme të Tiranës (në etapën komuniste)


Korrik 2010

Këtë shkrim ia dedikoj rinisë ish të persekutuar politike, si dhe të larguarve të 2 korrikut 1990, të cilët e deshën jetën, paqen e lirinë në vend. Të gjithë atyre që iu privua liria nëpër burgje, pushkatime e kampe internimi. Asaj gjenerate të madhërishme që nuk mundi të gëzojë e të jetojë në normalitet moshën më të bukur të saj, rininë që nuk kthehet më.
Kanë kaluar 20 vjet kur në Shqipëri u mbyllën njëherë e përgjithmonë “ xhirot”. Ah “ xhirot”! “Xhirot” e famshme të Tiranës. Kushdo edhe sot nëpër biseda miqsh e shokësh i kujton me dhimbje e nostalgji, pavarësisht pse dhe kur ekzistuan ato. “Xhirot” u mbyllën njëherë e përgjithmonë në “kështjellën” staliniste duke startuar që me eksodin e 2 korrikut...
Eksodin e parë të vitit 1990 në Tiranë, kur turma të mëdha njerëzish, rini apo edhe familje të tëra vërshuan nëpër ambasadat e huaja për t’u larguar nga vendi njëherë e përgjithmonë. Ata tentuan të iknin larg të keqes së madhe që kishte pllakosur vendin, pasi asnjeri nuk e kishte jetën të siguruar, askush se ndjente veten të lirë e të qetë, por çdo ditë më të mbyllur, më të survejuar, e të rrezikuar. Izolimi që iu bë Shqipërisë nga vendet e zhvilluara e perendimi solli si pasojë atë shkëputje masive të ortekut njerëzor shqiptar, e kryesisht nga Kryeqyteti i saj i bukur Tiranës. Eksod masiv ky, saqë tronditi e sensibilizoi botën mbarë. Hije e re të zeza mbuluan ato ditë e netë atmosferën në vend. Lotë e dhimbje ndjente çdo kush për pjesëtarët e tyre të familjes që kishin marë guximin e thyen tabutë duke kapërcyer nëpër oborret e ambasadave të huaja. Pse jo edhe për ata që nuk kishin asnjë fare lidhje ndiheshe i tronditur. Kronikat e lajmeve nga i vetmi Televizion Shtetëror jepnin herë pas here sekuenca rrënqethëse nga hyrjet e “huliganëve” e “armiqve të popullit” nëpër ambasada. Edhe stacionet e huaja televizive transmetonin kronika me pamje nga Shqipëria, por duke thënë të vërtetën e hidhur për atë izolim ç’njerrëzor të njeriut nga njeriu që ndodhi në vendin tonë.
Më kujtohet si sot një shoqja ime Fatmira Bermema ishte edhe shtatzanë kur së bashku me bashkëshortin e saj Aleksandër Ligean erdhën e më thirrën në shtëpi nga poshtë pallatit ku banoja në Tiranë: “Hajde - më thanë -, se ne e kemi vendosur, do të hyjmë”. Mamaja ime që i kishte dëgjuar filloi të qajë e më lutej për të mos u futur edhe unë në ambasadë: “Nuk të mjaftuan burgjet e tyt eti, por do të na hapësh përsëri plagë të tjera”. Të nesërmen e pashë në televizion shoqen time shtatzanë duke kapërcyer hekurat në Ambasadën Gjermane. U preka shumë, ndjeva dhimbje e respekt për të, e nën zë i urova shoqes sime fat e mbarësi. Më shumë nuk kisha fuqi se çfarë të bëja… Sot ata së bashku me vajzat e tyre Amandën e Emin jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Thikë me dy presa ishin ato ditë për këdo që ishte brenda mureve, e hekurave të huaja. Internime mbase për të afërmit e tyre që ishin jashtë... Mitingu i madh e i detyruar dhe çirrjet e Xhelil Gjonit në atë miting ngjallën sërish frikë, panik e pasiguri sociale e politike. Si dhe akoma më keq ndjenjën e hapur të luftës së klasave, terrorit e persekucionit komunist. Për afro gjysëm shekulli denoncime, vrasje e burgosje për këdo që e donte jetën, lirinë e demokracinë. Spiunonte gruaja burrin, babai djalin, tmerre, vuajtje fizike e psikologjike këto të papara në historinë e njerëzimit. Heronjtë e atyre ditëve që shpërthyen hekurat e ambasadave të huaja, do të fitonin lirinë vetëm pasi qeverisë shqiptare të Ramiz Alisë do ti kërkohej largimi i tyre drejt botës që ata kërkonin. Dhe ishte pikërisht vetë Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Perez de Cuellar, që i firmosi atyre Lirinë e ëndërruar.
* * *
Po për ironi të fatit e për atë izolimin gjysëm shekullor, një prej kundra përgjigjeve ndaj shtetit ishin edhe xhirot. Xhirot e famshme të Tiranës në etapën komuniste, të cilat nisnin nga Stacioni i Trenit e përfundonin tek Korpusi i madh i Univerisitetit të Tiranës. E ky ritual i zakonshëm që do të ndiqej rregullisht nga të rinjtë e Kryeqytetit çdo të shtunë e të dielë, do të hapte siparin e tij nga ora 6.00 pasdite deri në ora 10.30 të mbrëmjes. Bëhej me dy korsi, njëra që të çonte për nga Liqeni i Shën Prokopit e tjetra që të kthente për nga “Skënderbeu”. Kishte edhe nga ata që i frekuentonin xhirot në orët më të vona të natës, si Ismail Kadare me Helenën, Sali Berisha me Lirinë, Timo Flloko me Verën, apo dikush tjetër që dilte për të marrë ajër të pastër e për të larguar streset e javës. Ndërsa paraditeve xhiroja mbahej ku është sot trotuari i Hotel “Tiranës”. Aty më parë ishin disa dyqane njëkatëshe ndërtuar me qerpiç. Në atë kohë ai vend ishte “pagëzuar” me emrin Broadway. Merak më ka mbetur që atëherë se pse është quajtur ashtu…
50 vjet Xhiro në Tiranë. 50 vjet ecë e jake nëpër Bulevard. I thonë një jetë e tërë, jo shaka. Prandaj ia vlen i thashë vetes t’i kushtosh pak vëmendje. E kush nuk i mban mend xhirot. Të rritur e fëmijë me padurim prisnin sa të vinte fundjava për të dalë xhiro nëpër bulevardin e madh e të bukur të Tiranës. Në ish Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” sot Bulevardi “Zogu i Parë”. Për të “parakaluar” pa urdhër partie, pa bandë, e pa uniformë ushtrie përgjatë asaj rruge të gjatë e të gjerë. Veshur thjeshtë, pastër e me shije. Çdo i ri dhe e re do t’i kushtonte kujdesin e duhur xhiros në fundjavë. Një fustan basme në verë për vajzat. Një palë pantallona doku nga kombinati tekstil për djemtë, e një bluzë e bardhë apo bojë qielli , do të ishin luks i madh për këdo që do t’i siguronte me të njohur.
Por mos te harrojmë se edhe xhirot survejoheshin. Shumë kaleca të ish sigurimit të shtetit të vinin afër, mbrapa e anash për të parë e dëgjuar çfarë kishe veshur, si ishe veshur, çfarë flisje, si i kishe krehur e prerë flokët. Dhe të nesërmen ai ose ajo që kishte veshur pantallona kauboj apo diçka “ekstravagante” sipas tyre do ta shikoje me emër, mbiemër e karikaturë në një fletë rrufe të madhe në qendër të Kryeqytetit. Këto ishin masat parandaluese të luftës së klasave dhe shfajeve të huaja moderniste tek brezi i ri. Për ata që e “tepronin” po sipas tyre kishte edhe arrestime.
E rini, rini, sa ke vuajtur në atë kohë edhe për një bluzë të bukur me kuadratë e pantallona xhins… Edhe pse në diktaturë por rregulli dhe estetika tek të rinjtë nuk mungonin. Stili universal europian i të veshurit përcaktonte fizionominë e çdo të riu e të reje që e donte jetën të qetë e me normalitet. E kush nuk rënkon e kujton nën psherëtimë ato vite të humbura. Pale rinia e izoluar nëpër tela me gjemba e kampe internimi. Me ç’të drejtë i privonte lirinë e jetën ai rregjim e klika e tij rinisë shqiptare? Me ç’të të drejtë morale, politike e sociale izolonte njeriun në një qeli një metër me një, nën tortura të pashembullta deri në vdekje. Me ç’të drejtë ushtronte presion për divorcet familjare vetëm e vetëm pse dikë nga familja do ta burgoste, vriste apo internonte. Edhe tani që po hedh këto rrjeshta, jam duke rënkuar brenda vetes, por askush nuk po më dëgjon, e ndërgjegjësohet, përveçse vetes dhe kompjuterit përballë…
* * *
Takohemi tek “Dajti”, tek ura e “Dajtit”, tek stolat e “Dajtit”, tek parku përballë “Dajtit”, etj, etj. Këto ishin parrullat gojore që linin për në fundjavë të rinjtë mes miqsh, shoqesh e shokësh në periudhën e izolimit të vendit. Të cilët e kishin fjalën për jashtë hotelit, se sa për brenda as që bëhej fjalë. Tek ambjentet e Hotel “Dajtit” në ato vite mund të hynin vetëm “pezzo grosso - t” shqiptarë, ata me “carta bianca” në xhep, e njerëzit e besuar të sigurimit të shtetit.
Xhirot ishin i vetmi argëtim e gëzim që kishte rinia. Sa e sa të rinj lidhën jetën e tyre nëpër ato xhiro të gjata. Sa e sa kujtime të bukura apo edhe të hidhura fshehin ato kalldrëme bulevardeske brenda vetes. Edhe të vetmin gëzim që kishin ia morën, ia zhdukën nga sytë rinisë. E duke larguar rininë, larguan të ardhmen nga vendi, trurin e kombit. Larguan edhe fëmijën nga prindërit e gjorë që i rritën me halle të mëdha, ku edhe gjysëm kokërr limoni me mik të madh do ta gjenin në Hotel “Dajti” për fëmijën e sëmurë. Rivierat e Sarandës e Vlorës ishin plantacione me agrume vetëm për “mbretërinë” e bllokut e askush tjetër s’guxonte t’i prekte, përndryshe i priste plumbi kokën. E kush do t’ia zhdukte e do t’ja merte xhiron rinisë. Ishte pra ai rregjim i egër e i rendë që do t’i merte jetën dalë ngadalë nëpër burgje, internime e miniera ose duke shkaktuar si pasojë e urrejtjes atë lloj eksodi të madh si një prurje e furishme në qendër të Europës.
Se kush i ka shpikur e themeluar Xhirot nuk dihet akoma, por duke iu referuar fakteve historike do të shohim se xhiro kemi patur edhe në Shkoder, Durrës, Korcë, Pogradec e Elbasan, Fier, Lushnjë mbase edhe në ndonjë qytet tjetër, si dhe ne provincat me të skajshme, por të më falni unë vetëm këto kam njohur. Dikush tjetër që ka qenë i/ e apasonuar pas xhirove mundet të shtojë edhe ndonjë qytetet apo zonë tjetër të vendit.
Nga Mimoza Dajçi
New York
2009

Organizata e gruas “Shpresë dhe Paqe” uron Kosovën


Organizata e gruas “Shpresë dhe Paqe” në New York, ka ndjekur me kujdes e interes të veçantë zhvillimet më të fundit politike, ekonomike e sociale në Kosovë. Jemi shumë të entusiasmuara që më në fund përfundoi me sukses mbikqyrja e Pavarësisë së Kosovës nga Institucionet Ndërkombëtare. Ky lajm është një ogur i mirë për të gjithë shqiptarët kudo ndohen, e për ti treguar vetes e botës mbarë se kush jemi , e se çfarë jemi të zotët të bëjmë për lirinë, paqen e zhvillimin e vendit.
Sigurisht falenderojmë në mënyrë të veçantë SHBA, Anglinë e të gjitha shtetet paqëruajtëse për Pavarësinë e Kosovës, por kemi besimin e plotë se; sot Qeveria dhe Presidenca e saj me në krye Znj. Atifete Jahjaga do të çojnë vendin përpara në të gjitha drejtimet, si dhe do të punojnë inensivisht për njohjen e Pavarësisë edhe nga Serbia, e cila me strukturat e saj paralele e të panjohura ligjërisht po vepron akoma në dëm të së drejtave legjitime të popullit në Kosovë, veçanerisht në veri të saj.
Me largimin mbikqyrës 13 vjeçar të vendeve europjane nga Kosova, ne shikojmë aspirata e lëvizje të reja për Kosovën, pasi Kosova si një vend me të dhëna perëndimore e demokratike i takon Bashkimit Europian e NATOs.
Duke përfunduar këtu urimin tonë për këtë lajm të pritshëm, si bashkatdhetare në SHBA shpresojmë edhe tek faktori presidencial ku, Znj. Jahjaga si nënë e si motër do ti kushtojë më shumë vemendje rolit të gruas në politikë e vendimarrje, pasi edhe zëri i saj sjell përparim, harmoni e mirëqënie jo vetëm në familje, por në mbarë qytetërimin.

Për Organizatën e Gruas ‘Shpresë dhe Paqe’ SHBA
MImoza Dajçi

ANA E FRIKËSHME E FUTJES NË BE


RIZA LAHI



E cila qënka kjo anë e frikëshme krahas të mirave të mëdha e të padiskutuehsme të futjes në BE?
Popujt e vegjël kanë këtë rrezik potencial – goditjen e rëndë apo dhe humbjen e identitetit të tyre kombëtar.
Këtë tezë nuk është se e kemi zbuluar ne të parët; këtë e dijnë apo e hamendësojnë të gjithë, por te ne në Shqiëri, siç duket pak kush e ka në referencë.
Shtylla të identitetit kombëtar janë, së pari gjuha. Nga 3.5 milion fjalë që përmban bagazhi I leksikut tonë, a janë në monoritet të theksuar fjalët origjinale të shqipes? Unë ende nuk dua ta besoj shifrën 700 – 800 fjalë gjithsej, siç e kam lexuar në një statistikë.Latinizmat , sllavizmat dhe turqizmat e kanë bëre të veten gjatë shekujve. Alarmin e dhimbshëm e pat dhënë 5 shekuj më parë një prift – Gjon Buzuku, kur shkruan për gjuhën tonë që “po bdaret e po bastardhohet”.
Leksiku I shqipes është goditur rëndë gjatë globalizmit romak dhe ottoman. Por këta lloje globalizmi, nuk mundën ta mposhtnin kurrë, ta merrnin qoftë edhe kullë nga morfologjia, sintaksa dhe ndërtimi I fjalive të gjuhës sonë kaq të vjetër dhe , me siguri që ka qënë edhe po aq e pasur.
Alarmin atëherë e dha një shkrimtar – Buzuku.
Shkrimtarët shqiptarë të ditëve të sotme po shkojnë drejt shfarosjes, duke I lënë vëndin një kategorie tjetër pasionantësh për të shkruar, për të derdhur hallet e dertet e veta , që kunderejt prarave, mund të botojnë çfardo dhe sapo të kenë derdhur të hollat në numurin përkatës të llogarisë.
Si të shujanë pasionet edhe kjo kategori, do të vijnë të tjerë, që do të pyesin se përse ishin kaq budallej paraardhësit e tyre që merrnin para borxh për të botuar një libër apo e bënin faqen shollë, dhe mandej e dhuronin andej – këndej.
Kjo që po shkruajmë nuk del nga shpirti I një Kasandre. A nuk e kemi parë se brima e fundit e kavallit në këngët tona, deri edhe në festivalet kombëtare, janë tekstet? E kush don të dijë më për këtë? Kam shtangur sytë kur mora vesh se kishte 500 000 klikime një “këngë” me fjalë nga më banalet të përfshira në “lirikën” e këngës.
Mjafton vetëm ky tregues për të treguar shijet e çoroditura me të cilën po ushqehen brezi i ri i “evropianëve”.
Shkrimtarët profesionistë që ka kultivuar me mundim populli ynë nuk I përkrah askush, nuk kanë para për një kafe dhe u kërkohet që të humbasin sovranitetin e tyre me gjithfarë formash. Sot ai lloj shkrimtari si Jakov Xoxa, etj, që zhbirilonte në leksikun e shqipes si një urith I palodhur, nuk egziston më.
Dakord, shqiptarët kanë jetuar edhe pa shkrimtarë; fare pa libra apo vetëm me përkthime, siç po bëhet sot. Po , anë tjetër e këtij identiteti që ne themi se është në rrezik – dhe këtu duam të ndalemi kësaj radhe – është folklori.
Mendojmë se sociologët e fundshekullit njëzet, duket se kanë patur krejtësisht të drejtë kur parashikonin se, pas përfundimit të “luftës së ftohtë”, konfliktet në rruzullin tonë kanë për të qënë në kryeisht në drejtimin nacional dhe në atë fetar.
Duam të cekim vetëm për pak se, te ne nuk është kujtuar askush se kemi një burim të mrekullueshmë turizmi që nuk e ka askush në tër rruzullin. Shumë misonarë fetarë që kanë ardhur ten e kanë deklaruar se pjesa tjetër e botës ka mundësi të mësojë nga populli shqiptar për tolerancën mes të trija feve ; feve që shprehen me për tolerancë dhe butësi dhe që janë nga më agresivet dhe që kanë treguar kthetrat e veta mesjetare sa e sa herë kudnër kundërshtarëve të vet. Epra , këta tre fe shkojnë për mrekulli në Shqipëri, megjithëse u përpoqën shumë për ta shkatërruar këtë ekuilibër. Le ta lëmë për një herë tjetër këtë temë. Të vazhdojmë për konfliktet nacionale.
Vetëm një I verbër nuk I shikon se si janë në rritje këta konflikte. Do të thonim se konfliktet me armë janë njëra nga format e shmuta të shfaqjes së nacinalizmave . Këta lloj konfliktesh të përgjakura tanimë , si të thuash, janë vënë në zap, por të tjerat, kanë arrdhur duke u rritur.
Ishim me ansamblin “Shqiponjat” në “Gazi Baba” të Shkupit dhe pamë me adhurim se si stafi maqedon dhe ai shqiptar që qëndronin praë nesh, I përngjisnin një zemre të vetme. Mrekulli! Në atë vënd para ca kohësh ka pasë plumba dhe gjak për motive nacionale.Edhe partitë në këtë vënd janë të karakterit nacional.
Nuk u interesuam për VMRPDPME, por shumë që pyetëm, na thanë se dy partitë shqiptare , e Thaçit, dhe e Ahmetit, asqë bëhet fjalë, të kenë ndonjë antar maqedon.
Mirëpo veprat e mrekullueshme skulpturore , madhështore, të mahnitëshme nga arti, kushtuar Filipit të Dytë, luftëtarëve të asaj periudhe dhe njërit prej strategëve më të mëdhej që ka nxjerrë njerëzimi, njeriut që ka emrin e monedhës së shqiptarëve, Aleksadrit të Madh nuk ishin ngritur kot.
Edhe shqiptarët kishin nxituar të vinin shtatoren e Skënderbeut, që, ç’është e drejta, stononte nga përmasat e veprave të sipërpërmendura.
Këta vepra me kushedi se sa shumë harzhe, janë ndërtuar këtë një dy vitet e fundit. Dhe kjo flet për furinë nacionalsite që gëlon edhe në këtë vënd të vogël dhe me probleme.
Por, një nga treguesit më të fortë të ndjenjav nacionaliste nëpër Evropë, janë përkujdesja shumë në rritje ndaj folklorit dhe shkrimtarëve vendas. Për shkrimtarët vëndas që në Shqipëri e kanë gjëndjen “ ibreti mu sibret”, kemi folur sa na ka zënë goja lesh. Shteti shqiptar gjen para për të ruajtur paqen me ushtarët e vet në disa vënde të botës, por 5 lekë të qelbura për të mbajtur gazetën 106 vjeçare, më të vjetrën, gazetën e shkrimtarëve dhe artistëve “Drita”, nuk I gjeti dot; për turpin dhe pafytyrësinë e tij dhe të klasës së tij politike!
E…na mbetet te folklori. Në mënyrën më të pastër dhe të drjetpërdrejtë atje paraqitet identiteti, bota shpirtërore , psikologjia, ndjenja e së bukurës…gjithëçka shqiptare kur ne po këmbëngulim të futemi në gjithpërfshirjen e BE.
Kudo ku kemi qënë me “Shqiponjat”, me ansamblin “Kaltërsia” apo “Beslidhja gorare”, kemi parë se vëndet mikpritëse kanë bërë dhe bëjnë të gjitha përpjekjet për të organizuar sa më mirë festivalet folklorike që I bëjnë “ndërkombëtare”. Ne këtu në Shqipëri na dridhet zëmra të organizojmë ndonjë të tillë festival. Ja, sapo u bë festivali ndërkombëtar i CIOFF Albania në Përmet. Me përpjekje të jashtëzakonëshme të presidentit shqiptar Niko Mihali, ja, u realizua dhe sivjet, por me fonde thuajse të mjera dhe pa madhështinë e festivaleve paraardhëse.
Pavarësisht se ky lloj aktiviteti tanimë ka përmasate një institucioni.
Kudo ku kemi qënë , bashkitë vëndase, kanë qënë të mobilizuara në tërësinë e tyre për festivalet e folkut në zonën e tyre. Asqë bëhet fjalë që kryetari I bashkisë, prefekti, gjenerali ushtarak I zonës ( Në Turqi) të mos presin përfaqësuesit e folklorit të vëndeve mysafire, të shkëmbejnë dhurata, etj. Po te n e?
Megallomania a, mbase injoranca e kryetarëve të bashkisë është kaq turpësisht evidente, saqë asnjëri prej tyre – dorën në zemër nëse ndonjëri e ka bërë e nuk e di unë – nuk merr mundimin të vejë t’u japë dorën artistëve që vejnë apo kthehen nga jashtë atdheut ku prezantojnë anën nga më qënësoret të identitetit tonë kombëtar ( që e rrezikon gjithmonë globalizmi). Kthehen fëmijët shqiptarë apo dhe artistë të rritur nga aksh vënd, ku kanë marrë vënd nderi, e nuk e lëviz b…as edhe një funksionar I dorës së tretë të një minibashkie të vijë e t’I takojë, sa për “më ka çue nana me la gojën”, , pavarësiht se atje ku kanë qënë, ata kanë takuar dhe I ka spërkatur me levandën e zyrës, kryebashkiaku I një qyteti me 400 mijë banorësh, psh.
Ansamblet folklorike janë thuajse të gjitha private dhe , fëmiëjt atje, janë kryeisht prej familjeve të varfëra apo drejt mesatares.
Çfar I prishet, ta zëmë, kryebashkiakut të Kryeqytetit, ta vërë në rend të ditës të takojë edhe këta burra dhe gra që po konsolidojnë me sa munden atë pjesë të identitetit tonë kombëtar? Të krenohet kur ata paraqiten mirë? Të bëjë një foto me ta? Po kryebashkiakut të Kamzës, a nuk do t’ I shkonin punët akoma më mirë, sikur të kishte më shumë marëdhënie me drejtuesit e ansamblit të madh folkloric “Kaltërsia”të qëndërs së tij tanimë me 100 banorë, shumica, ardhacakë?
Morëm këta dy shëmbuj nga Tirana, thejsht, për mungesë informacioni për më tej.
Nëse paqeruajtësit shqiptarë , me paratë e taksapaguesëve shqiptarë venë të kryejnë misone jashtë atdheut për ruajtjen e paqes globale dhe priten e përcillen me nderim, përse nuk ngjet një gjë sado e përafërt me ansamblet e folkut shqiptar, që, për më tepër, në asnjë rast nuk ka ngjarë të kenë cënuar fondin e shtetit?
Para disa vitesh isha në pozitën e përkthyesit në një seminar të CIOFF tok me z Niko Mihali. Presidentja italiane e CIOFF atje na tha se edhe ata kishin në Itali costume të bukura folklorike, psh, tha ajo, në Kalabri dhe na la të kuptonim për pasuritë e mëdha folklorike që ka Shqipëria , sadoqë shumica e tyre paraqitet , shtoi më pas me cinizëm, me cilësi mesatare e poshtë. Sigurisht që kishte të drejtë.
Mirëpo…në Alatri të Italisë, kur ishim para dy viteve me “Shqiponjat”, që drejtohet nga ish piloti I mbrojtjes kombëtare shqiptare Eqerem Tuga, në një festival ndërkombëtar folku atje, organizuar nga CIOFF vëndas, ne ndeshëm në një këngë…së paku 350 vjeçare. Ishte tipike napolitane, e gëzuar, e qeshur dhe ngjyrangjyra, por, edhe vetë këngëtari që e prezantoi atë, nuk I kuptonte disa fjalë. Ato ishin në një italishte shumë të vjetër. Vallë nga cili synduk I popullit komshi Italian kishte dalë ajo perlë ?
Dhe e kujtuam sërish bisedën me presidenten e CIOFF Italian.
Ne shqiptarët duke hyrë në BE nuk kemi përse të mbajmë kryet ulur, por lart.
Le të hyjmë në BE jo duke u krenuar për shtresën e politikanëve e as të parallinjve.
Vështirë të krenohemi më edhe me mendimtarët e shkrimtarët.
Ne duhet të hyjmë dhe do të hyjmë duke mbajtur të shkruar me gërma të mëdha në ballin tonë folklorin e pasur dhe tolerancën fetare

RIZA LAHI botuar te “Tirana Observer” 4.07.2012

"ETIQUETTE" E VJETËR (POETIKE)




SENAD GURAZIU

Sot fëmijët në plazh klithin plot ngazëllim
për suksesin me kullën "Eiffel" të rërës,
do ta festojnë sigurisht, do ketë shampanjë
e kaviar, personalitete, fjalime e mediatikë,
zyrtarisht mund të të nderojnë pikërisht ty
me gërshërët në ceremoninë e inaugurimit,
prandaj përgatitu të dukesh sa më solemn,
kujdes si i mban syzet, si flet me zonjat,
çfarë flet, si kollitesh, si e lidh kravatën,
kujdes si buzëqeshë për kamerat plastike,
madje kujdes dhe mustaqet... faculetat,
por sidomos kontrollo shikimet atë ditë,
gazetarët e vegjël mund të të bëjnë gaz!

Ti pandeh se ata nuk e njohin vesin tënd,
atë sëmundje pothuaj endokrine, kujton
ata s'dinë gjë për "inxhinierin" e famshëm,
kur këshilla kishe, panumër instruksionesh,
si t'i hapnin themelet, si ta bartnin rërën,
ua nxije ditën... përziheshe në çdo gjë,
si lexohen skicat, planet, si bëhen llogaritjet,
e njëkohësisht i shihje bukuroshet e botes,
çdonjërën pas tjetrës, me dhjetra e qindra
në bikini venin e vinin, tek rendnin e iknin,
mania jote të "shiste", qafa jote elastike
rrotullohej më mirë se vinçi i tyre plastik!

Klishetë e klubit tënd "Matufët e Lagjes",
dhe parullat e ndryshme jashtë kontekstit,
"zemrat nuk njohin moshë..." e të ngjashme,
thjesht nuk ua shet dot, zor t'i mashtrosh -
kam frikë sot dhe kalamajtë mirë e dinë,
Don Zhuanët e Kazanovat nuk janë poetë,
më parë mund të jetë cilido Don Kishot,
i marrë po... por zemra i rrahë fisnikërisht
për një të vetme Dulçine, të vërtetën e tij,
qoftë dhe imagjinare, vetëm si një parodi!



PEZULLIM I FJETUR I FRYMËMARRJES

(o zot... përse zemrat nuk flenë kurrë!)




Ke të drejtë, ndoshta çdo gjë është "wireless", prandaj mund të flas
me ty, kudo që të jesh - të shoh tani... si Oreadë e zhveshur
dridhesh në afshin e valë, ajo pasqyrë vrastare e Diellit si lupë gjigante
rrezikon të shkrihet, e nxehur tej mase e çoroditë pasditen tënde,
aty në sfond i petëzuar luhatet imazhi yt, rutinë vajtje-ardhjeje
në një ditë vere, ecejaket flasin së prapthi me dëshirat efemere,
ngadalë zemra qelqoset nën trysninë e masës, në një trumcak
të kristaltë kthehet, kalamendet në shtyllën qendrore të qenies,
për një çast më bëhet sikur hapat pezullojnë, sikur lehtas ngjiten
shkallëve të ajrit - por jo, ato shtylla anësh rrugës si këmbët
e tua janë, shtylla stoike të shpresës, ja përse gjithë ato mesazhe
të zemrës përcjellur, në ato miliona fibrash të ngrohta, telëzuar,
përçuese ndjenjash, si dikur telat ambicioz të Graham Bel, ndoshta
akoma pushojnë zogj të fjetur, vargëzuar pandalë brumosen
shpresa që tek duhet të lindin, shih pra... ndër gjithë ato zemrash
të vockla, plot cicërima të përgjumura fushave të pafund, ëndrra
që dremiten përgjatë auto-udhëve të jetës, mes ajrit dhe ndjenjave
forca të panjohura, e megjithatë kot, zemrat zgjuar rrinë,
syhapur, vigjilente, prore balansohen në horizontalen e telave,
mbahen si foshnjat kur gishtin e nënës shtrëngojnë, kapen
në buzëqeshjen, në dashurinë e saj... ngjyrat e jetës kalibrohen -
i përsosur vërtet, apo jo, ky ekuilibër i frymëmarrjes në gjumë.

2012-07-03

Përkujtim për lirikun e madh Vehbi Demir Skënderi




   Liriku Vehbi Demir Skënderi/1927-2011/

Poeti Vehbi Demir Skënderi ka lindur në fshatin Strelcë të Korçës në maj të vitit 1927. shkollën fillore (me pesë klasë) e kreu në fshatin e lindjes në vitet 1934-1939. Në vitet 1941-1943 vazhdoi studimet fetare në Medresenë e Lartë Tiranë. Në majin e vitit 1943 ndërpret studimet dhe del partizan në Çetën e Dibrës me komandant Haxhi Lleshin. Në vitin 1944 pranohet në radhët e Partisë Komuniste Shqiptare. Me mbarimin e luftës kalon në Divizionin e Mbrojtjes Popullore.



Më 1951 fillon një kurs estetik dyvjeçar ku japin leksione Jakov Xoxa, Bedri Dedja, Mark Gurakuqi etj. Në vitet 1953-1956 kryen shkollën e mesme profesionale (dega rusisht). Në vitet 1956-1961 kryen Fakultetin Histori-Filologji me rezultate shumë të mira. Vehbi Skënderi njihte shumë mirë rusisht, italisht dhe frengjisht. Poezinë e parë, e cila pati shumë sukses, Vehbi Skënderi e botoi në revistën "Letërsia jonë" në vitin 1947. Më 1950, me propozimin e poetit Lasgush Poradeci, pranohet anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, pa qenë kandidat.



Më 1953 botoi librin e parë poetik, Këngët e para. Prej atëherë ka botuar librat poetikë Vjersha (1958), Fletë nga ditari im (1964), Vjershat dhe poemat e Drinit (1969), Vazhdim i një bisede (1971), Vdekja e Ofelisë (1971), Shqiponja e Vermoshit (1972), Përsëri mëngjes (1973), Vjersha dhe poema të zgjedhura - Kolana e poezisë shqipe (1973), Kumbojnë vitet (1983), Nxitoj (1987), Bëjmë sikur (1995), Hëna e vjedhur (2000), Zvicra Shqipëria ime (2004).



 Për "Fletë nga ditari im", në vitin 1966 Vehbi Skënderi mori Çmimin e Republikës. Një vit më vonë merr çmim në konkurs kombëtar për poemën Vazhdim i një bisede. Ai merr edhe çmime të tjera nga organet botuese në konkurse të ndryshme kombëtare. Poezitë e tij përfshihen në antologjitë dhe tekstet shkollore të kohës dhe në botimet e poezisë shqipe në gjuhë të huaja. Ndahet nga jeta më 13 qershor 2011.

---------------------




Thuaja Hënes


Kur ke diçka për të më thënë -
diçka që nuk të shqitet e s'e mban dot për vete,
që s'avullon si shiu e si bora nuk tretet
E ngado që të ikësh pas të ndjek këmba-këmbës.
Trokit në Hënë! Thuaja Hënës!

Kur të bezdisesh nga një grigjë halle,
Mos u besosh as ëngjëjve as djajve
As gurëve e sendeve reale
E s'ka njeri që të çliron nga dhembja
Dhe nga Verdikti i Akullt i së Thënës :
Prit sa të vijë mbrëmja. Thuaja Hënës !

Kur s'u zë besë më as hijeve as ëndërrës
As blozës që të nxin, as borës që zbardh majave
as miqve tënd të afërt, as tezeve, as dajave
e kur e ndjen zbrazëtirën gjer te dhëmbja
dhe asnjë vinç gjigand s'mund të të ngrejë nga rënia
Thuaja Hënës - prit sa të vijë mbrëmja.

Kur ke një plagë, nën ije, që djeg sa të than pështymën
Dhe të mundon çdo çast, të zë si varri frymën;
Diçka që i ngjan tymit e mjergullës së një dite
Ku ngatërrohen lëmsh: zbavitje e cfilitje;

Kur ke në gjoks një plagë, gur të rëndë!
Brengosje e plagosje. Makth! Brengë poshtruese
E je shterur krejt duke besuar
Diçka që s`ia thua as vetes sate as nënës:
Trokit në Hënë! Trokit në Hënë! Thuaja Hënës!

Sado e largët që të shtiret e mizantrope:
ndoshta dhe të mjekon?
Ndoshta të nxjerr nga llumi i kësaj bote?

Dhe në mos të shpëtoftë ajo,
ndoshta të merr me vete në hapësirë:
Ku në mos qofsh e lumtur,
të paktën je e lirë.



Kur me fiksohet bindja se edhe pak dite me mbeten


Kur më fiksohet bindja, se edhe pak ditë më mbetën
Ftoj në raport të gjithë vitet, sërë – sërë,
I hapim von‘ defterët, e von‘ shoshitim veten !
E vrej çfarë kam kryer e çfarë kam lënë pa bërë:

Kam një bilanc të mjerë ! Ndoshta pa rrugëdalje.

Kam fyer kot një shok dhe s’i kam lypur falje
E si kalojnë vitet, rritet kamata e faji.
Faji qenka gjëmbaç, që nxjerr çataj përdit‘ !

Kam dashur të pi Drinin, me këtë lugë çaji.
Po bora shkrin ngamot e bie prap çdo vit.

Kam dashur t’i nxë krejt, të tëra gjuhët e erërave
Dhe nuk po mund t’i nxë.
Jam nisur t’u gjëmoj në fluturim skifterëve
Dhe s’po kap dot asnjë !

Kam dashur që të ngre Qytetin më gazmor
e më të drejtë në botë,
Po vetëm pak haliçë në themel kam vënë.

Kam dashur të mbjell vreshtë çdo akullnajë të ftohtë
Po vetëm pak fidanë më kanë zënë!

E, si gjithnjë, pas këtij monologu, me dhimbje kaq akute:
Shtegtimin, ndarjen, vdekjen – a s’di ç’dreq i thonë,
- E shtyj, për miqësi, një çik më tutje…
Ndoshta njëzet a dyzet vjet më vonë !




Babush

Shoqkat e shoket e nipit tim Endrit
(ketu ne Helveti) flasin gjuhe te ndryshme .
Me shume se 200! Pa i ndaluar kush.
Pa kurrfare medyshje.
Po mua qe te gjithe me therrasin : BABUSH!

S’e dine nga kam ardhur.Cfare kombesie kam.
Jam polic qarkullimi a futbollist me nam.
Jam tregtar i vogel apo Laureat me cmimin Nobel.
Dhe emrin e mbiemrin ketu s’ma di askush:
Po e dine te gjithe emrin tim shqip : BABUSH!

Shpesh vuaj tmerresisht! ( Ky qenka Everesti? )
E ndjej ne kraharor nje zbraztesi kozmike
Qe as Drini e as vete Rini nuk ma mbush.
Kur befas me therret nje somalezke e hijshme
(versnike me tim nip) : BABUS! BABUC! BABUSH!

Shpesh me pushton nje ankth: Oh, ky kob qe na ra!
Bagdati po na mbyt! Bagdati po na ha!
Po rrokulliset Globi, pa e ndaluar kush.
Kur befas me vikat nje iraken i voce
(versnik i Endritit tim) me doren prer rrafsh:
“BABUC! BABUSH! BABUXH!
Une e kam humbur doren. Mos ma ke gjetur ti?
E me tund krahun cung: BABUSH!
Shoqkat e shoket e tim nipi, moshatare me te
(ketu ne Helveri) : hebrenj, gjermane , armene, turq,
Polake, kineze, franceze cicerojne si dallendyshe,
Ne 200 gjuhe te ndryshme.
Pa i kanosur kush.Pa i burgosur kush.
Po mua me vikasin te gjithe me embelsi: BABUSH!

Nje grade kaq te larte si kjo nuk mban dot njeri.
Bota nuk njeh nje te dyte.
(As gjeneral , as mbret) U shkrepin zockave syte,
Kur me flasin ne kor: BABUSH! BABUSH!BABUC!
Po prap me del perpara ai irakeni i vocerr,
me ate krahun cung e buzeqeshjen helm,
si rehe vetetime:
“BABUSH! BABUS!
Mos e ke gjetur kund ti doren time?”

Përgatiti:Flori Bruqi

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...