Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/07/08

SHKENCA E LETËRSISË




            Gjatë zhvillimit të saj historik letërsinë e kanë përcjellë shkrime (studime) të shumta e të llojllojshme dhe të larmishme. Në këto shkrime autorët e ndryshëm janë përpjekur ta definojnë dhe ta caktojnë karakterin (natyrën) e letërsisë, ta shpjegojnë rolin e saj, ta analizojnë veprën letrare si të tillë. Shkenca që merret me studimin sistematik të letërsisë quhet shkenca e letërsisë. Meqë vepra letrare është një krijim specifik, ajo studiohet në forma dhe metoda të ndryshme. Objekt i shkencës së letërsisë, si një shkencë e veçantë, është vepra letrare, historia dhe ligjsoritë e krijimit të saj dhe vlerat artistike të saj.
            Shkenca (dija) e letërsisë përbëhet nga tri pjesë përbërëse të saj: historinë e letërsisë, teorinë e letërsisë dhe kritikën e letërsisë. Secila nga këto degë të shkencës së letërsisë, ndonëse merren me probleme të ndryshme të veprës letrare, ato janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën dhe qëllimi i vetëm i tyre është të analizojnë dhe shqyrtojnë pasurinë shpirtërore në veprat letrare të krijuara në kohë të ndryshme.
            Historia e letërsisë – është degë e shkencës së letërsisë e cila merret me studimin e letërsisë në rrjedhën e saj historike. Ajo studion letërsinë artistike në zhvillimin e saj të vazhdueshëm, duke filluar nga krijimtaria popullore (para shpikjes së shkrimit) deri te veprat letrare të ditëve tona. Ajo studion zhvillimin historik të letërsisë së një populli ose të një epoke. Në kuadër të saj studiohen shkrimtarët e veçantë dhe veprat e tyre, drejtimet letrare, orientimi i përgjithshëm shpirtëror në periudha të ndryshme. Gjatë shpjegimit dhe vlerësimit të një vepre letrare ajo mbështetet në disa faktorë, siç janë: faktori historik, ekonomik, kulturor, ideologjik etj. Kjo dëshmon se vepra letrare është rezultat i rrethanave historiko-shoqërore. Historia e letërsisë mund të kuptohet dhe të interpretohet vetëm në kontekst dhe në lidhje me degët e tjera të dijes mbi letërsinë. Ajo mbështet edhe në kritikën letrare për ta karakterizuar dhe vlerësuar më mirë një vepër letrare dhe për t’i shquar vlerat e saj artistike. Duke e shpjeguar dhe vlerësuar në mbështetje të kritereve teorike vlerën artistike të veprës dhe të shkrimtarit, ajo interesohet edhe për momentin historik në të cilën është krijuar vepra si dhe pranimin e saj nga ana e lexuesit në kohët e mëvonshme, duke caktuar kështu rëndësinë e saj në zhvillimin letrar dhe kulturor të një populli. Kështu, ajo paraqet një kontuinitet historik në këtë zhvillim të cilin e lidh me jetën shoqërore, kulturore dhe shpirtërore të një populli. Ajo e vështron veprën letrare edhe në aspektin e bashkëkohësisë edhe në aspektin e së kaluarës historike dhe të vijimësisë historike të secilës vepër, duke realizuar kështu gjykimin më të plotë mbi rolin dhe vlerën e veprave të veçanta dhe të autorëve të tyre, sepse krijimtaria letrare nuk mund të veçohet nga krijuesi, autori, andaj historia e letërsisë është në radhë të parë histori e shkrimtarëve dhe e veprave të tyre. Ndërkaq historia e letërsisë ka edhe detyra të tjera më të gjëra: ajo tregon për krijimin dhe zhvillimin e letërsisë gojore popullore dhe të krijimtarisë shpirtërore të shkruar, jep të dhëna për kohën kur janë krijuar veprat letrare dhe tregon edhe për ndikimin e epokave letrare dhe të mjedisit në të cilin është zhvilluar puna letrare.
            Detyra e historisë së letërsisë është shumë e madhe, sepse ajo e njeh popullin me kulturën dhe zhvillimin e saj, shpjegon rrethanat historike, shoqërore, politike dhe ekonomike në të cilat është krijuar letërsia, i shpjegon historikisht dukuritë dhe ndërrimet e lëvizjeve letrare, drejtimeve dhe të shkollave letrare, duke lujatur rolin e saj edukativ. Historiani i letërsisë, duke zbuluar veprat letrare dhe shkrimtarët në të kaluarën, paraqet dukuritë në letërsitë e popujve të tjerë, lidhjet letrare dhe kulturore me vendet e tjera dhe ndikimet e ndërsjella mdis shkrimtarëve vendës dhe të huaj. Pa interesimin e tyre (historianëve të letërsisë) shumë vepra letrare do të mbeteshin të pastudiuara dhe të pavlerësuara e të panjohura për publikun. Për ta bërë detyrën e tij si duhet nga kërkimtari i së kaluarës historike kërkohet edhe njohja solide e letërsisë dhe shkallë e lartë e kulturës. Në punën e tij ai duhet të mbështetet në një varg disiplinash të ngjashme, të cilat studiojnë jetën e popullit, siç janë: historia, sociologjia, filozofia, psikologjia, gjeografia, gjuhësia etj. do të thotë, të ketë njohuri të përgjithshme mbi zhvillimin e shoqërisë. Mbi të gjitha duhet të ketë njohuri të mira nga teoria e letërsisë, të ketë shije letare dhe kritere të artit të bukur, kjo nga shkaku se çdo historian i letërsisë merret edhe me analizën e veprave letrare, pastaj ta njohë  mirë kritikën letrare, sepse “historiani i letërsisë duhet të jetë edhe kritik, madje për të qenë edhe historian”[1].
            Historia e letërsisë, duke u mbështetur në fushat të cilat përfshihen në të, mund të ndahet në: histori e letërsisë kombëtare (nacionale), histori e ( letërsisë krahasimtare (komparative) dhe histori e letërsisë së përgjithshme (botërore).
            Historia e letërsisë nacionale – përcjell zhvillimin në kohë të letërsisë së një populli. Kështu, p.sh. historia e letërsisë shqiptare përcjell letërsinë tonë që nga vepra e parë e deri në ditët e sotme. Ajo synon të vërtetojë fillimin e letërsisë sonë, vendin dhe rëndësinë e veprave të ndryshme, studion periudhat e veçanta letrare, pastaj paraqitjen e zhanreve të ndryshme në nivelin shkrimor të kohës.
            Historia e letërsisë krahasimtare (komparative) – studion lidhjet dhe raportet midis dy e më shumë letërsive, ngjashmëritë dhe dallimet midis letërsive të ndryshme (p.sh. letërsia shqiptare ndaj letërsive evropiane etj.).
            Historia e letërsisë së përgjithshme (botërore) – përfshin në vete të gjitha letërsitë kombëtare. Në të përfshihen veprat më të mira klasike të letërsive të tjera si e mirë e përbashkët artistike dhe kultura e gjithë njerëzimit. Historia e letërsisë së përgjithshme hartohet nga shumë autorë.
            Teoria e letërsisë – ose siç quhet ndryshe poetikë (gr. poietike tekhne  shkathtësi poetike, art poetik), është shkencë e degës së letërsisë e cila studion ligjet, rregullat, normat, parimet dhe kriteret formuese dhe vlerësuese të letërsisë. Ajo është disiplinë shkencore teorike që studion tiparet e përgjithshme të veprës letrare si vepër artistike gjuhësore. Ajo trajton natyrën e veprës letrare artistike, format dhe mënyrën e shprehjes letrare, gjuhën si mjet me të cilin krijohet vepra letrare artistike, pastaj strukturën e veprës letrare, formën artistike të saj, unitetin midis formës dhe përmbajtjes së veprës letrare, dmth. harmoninë që ekziston midis materies gjuhësore (format e saj, tingëllimën dhe kuptimet e përgjithshme gjuhësore) dhe kuptimin që ngërthen në vete një vepër letrare. Ajo studion natyrën e letërsisë, format dhe mënyrat e shprehjes letrare dhe tiparet e përgjithshme dhe të veçanta të veprave letrare si realizime artistike. Ajo interesohet për ligjsoritë e përgjithshme të krijimtarisë letrare dhe parimet e përgjithshme të formësimit të llojeve të veçanta letrare dhe ligjsoritë e kuptimit dhe vlerësimit të veprës letrare. Ajo duhet të marrë parasysh edhe aspektin historik të letërsisë, pataj zhvillimin historik të gjinive të veçanta letrare, të llojeve apo të veprave të veçanta, por pa u interesuar për zhvillimin kronologjik të veprave dhe të historisë së letërsive të veçanta. Nga këndej dalin disa çështje me të cilat merret teoria e letërsisë. Ndër to po përmendim si më kryesore: çështja e procesit të krijimtarisë artistike dhe vendi i njohjes artistike të jetës në krijimin shpirtëror të njeriut (çështje estetike).
             Dija mbi teorinë e letërsisë është shumë e vjetër. Ajo daton nga antika. Themelet e poetikës antike i kanë vënë filozofi grek Aristoteli dhe poeti romak Horaci. I pari, Aristoteli, njihet me veprën e tij të njohur me emrin Peri poietikes – Arti poetik, e cila në kohën e tij nuk pati një rëndësi të veçantë dhe shumë shpejt u harrua. Por më vonë për të u shtua interesimi. Rreth vitit 1600 e zbulojnë humanistët, ajo arrin sukses të madh duke u përcjellë me komente të shumta dhe u konsiderua si një bibël e poetikës. Poeti dhe kritiku letrar gjerman, Lesingu, mendonte se teoria e dramës dhe e tragjedisë do të ripërtëritej nëse i kushtohet kujdes i veçantë interpretimit të Poetikës së Aristotelit, duke menduar se pohimet e Aristotelit janë të drejta dhe prandaj të domosdoshme për dramaturgun mesjetar – ndonëse midis tij dhe Aristotelit kishin kaluar shumë vite. Në veprën e tij, që është edhe sot një vepër e rëndësishme teoriko-letrare, flitet për poezinë, për llojet poetike ose gjinitë, për kompozicionin e veprës poetike. Poezia për të, si dhe artet figurative, është mimesis (gr. mimesis – imitim, që do të thotë jo vetëm imitim, por krijimtari artistike). Ai ndër të parët hap çështjen e llojeve ose gjinive letrare (poezinë epike, tragjedinë, komedinë, ditirambin, himnin parodinë etj.), duke folur për përbërësit kryesorë të tyre, vë kufijtë midis poezisë dhe jopoezisë, pastaj përcakton konceptet themelore në strukturën e veprës letrare (fabula, peripecia, episodi, thurja, shthurja, personazhi, ideja) dhe veprën e konsideron si një tërësi të rrumbullakësuar, unike. Pjesa më e madhe i është kushtuar analizës kritike të tragjedisë, ku dallon konceptet themelore me të cilat shërbehemi edhe sot dhe të cilat mund t’i zbatojmë në analizën e poezisë epike: fabula – mythos (dmth. përmbajtja), ethos (dmth. personazhet), të folurit (gjuha poetike) dhe ideja. Në analizën e fabulës Aristoteli shërbehet edhe me terma të tjerë të cilët të pandryshuar kanë arritur deri te ne. Këto terma janë: peripecia (kthesa e plotë e veprimit në kahje tjetër, dhe sërish sipas gjasës dhe domosdosë); episodi: kjo shprehje në tragjedinë greke shënonte një pjesë të veprimit midis këngëve korale, përafërsisht akti, dhe për nga natyra është e shkurtër, ndërsa në poezinë epike episodi i përgjigjet përafërsisht kapitullit dhe shënon veprimin e shkurtër sporadik (dytësor) në kapitull; më e gjatë se në tragjedi ndeshet më shumë në veprën epike se në atë dramatike; thurja dhe shthurja  e veprimit. Aristoteli i kushton kujdes të veçantë gjuhës poetike, sidomos dy bërësve të saj kryesor: fjalorit të zgjedhur të gjuhës poetike dhe figurshmërisë, metaforikës së saj. Sipas tij, gjuha poetike duhet të jetë e qartë, e thjeshtë dhe e rëndomtë.
             Me çështjen e poetikës në antikitet është marrë edhe poeti romak, bashkëkohës i Augustit, Kuint Haracie Flak, i cili ka shkruar mesazhin poetik në vargje kushtuar familjes së pizonëve, Epistula ad Pisones, e cila më vonë është emërtuar me emrin e veprës së Aristotelit dhe njihet me emrin De arte poetica ose Ars poetika (Mbi artin poetik). Kjo është një vepër gjeniale. Horaci në këtë vepër përpiqet që me të gjith mjetet e mundshme stilistike të arrijë unitetin e veprës artistike dhe unitetin e kompozicionit të fabulës, unitetin në tipizimin e personazheve, unitetin në gjuhën poetike. Uniteti dhe tërësia duhet të jenë veçoritë thelbësore të veprës poetike. Poetit i lejohet që nga fillimi lirisht ta zgjedhë fabulën, sepse që nga fillimi ai ka për detyrë ta interesojë publikun ta futë në qendër të veprimit, in media res, term që përdoret edhe sot. Kujdes të veçantë – sepse edhe vetë ishte poet – Horaci i ka kushtuar gjuhës poetike duke kërkuar që çdo shkrimtar ta krijojë gjuhën e vet personale dhe ta ripërtëritë dhe ta përsosë atë përherë. Për llojet dhe format poetike Horaci vë rregulla, parime, norma, të cilave duhet të përmbahet çdo poet, nëse dëshiron që t’i vlejë vepra; kështu ai veprës së tij i jep karakter të poetikës normative. Sipas tij, vepra letrare duhet të nxitë kënaqësi dhe gëzim. Horaci ka pasur ndikim të madh në shekujt e mëvonshëm me pikëpamjet e tij teorike, sidomos me konceptin e tij të harmonisë dhe të unitetit të veprës dhe rolin utilitar dhe moralizuas të poezisë.
            Një nga autorët e njohur të klasicizmit francez, që është marrë me çështje të poetikës, është Nikolla Boalo (1636-1711). Veç poezisë dhe kritikës, është autor i veprës “Arti poetik” (L’art poetique, 1634), poemë didaktike në katër libra. Libri i parë dhe i katërt u kushtohen pikëpamjeve të përgjithshme, i dyti dhe i treti llojeve letrare. I pari fillon me deklaratën vendimtare se pa dhuntinë e natyrshme s’ka poet dhe vazhdon duke thënë se qenësore në veprën poetike është përmbajtja ideore: “Para se të filloni të shkruani mendoni drejt”. Edhe Boalo kujdesin më të madh ia kushton gjuhës poetike: “Pa të, (gjuhën. shënim imi) edhe poeti më i madh, me gjithë përpjekjet e tij, mbetet shkrimtar i keq”. Nga llojet poetike në librin e dytë Boalo përmend idilën, elegjinë, oden, sonetin, epigramin, rondonë, baladën, madrigalin, satirën, vodëvilin (me këtë emër nuk emërton shakanë tallëse, por këngën tallëse). Në librin e katërt Boalo flet për teatrin dhe për këngën epike në vargje. Në fushën e dramës me këmbëngulje mbron parimin e unitetit të vendit, të kohës dhe të veprimit.
            Në shekullin XVIII dhe në fillim të shekullit XIX vjen deri te ndryshimet e reja shoqërore, kulturore, deri te reagimi kundër parimeve të poetikave të mëparshme, sidomos kundër ideve themelore të harmonisë, rendit, rregullave dhe arsyes. Sipas poetikës së kësaj kohe, kryesisht romantike, poetikën e mëhershme e zëvendëson një poetikë e kundërt me të parën, sipas së cilës vepra poetike është prodhim i një gjeniu, i cili krijon vetë dhe të cilit nuk mund t’i parashtrohen kurrfarë rregullash. Në këtë aspekt teorinë e letërsisë e ndihmojnë njohuritë deri te të cilat vijnë kritika letrare dhe historia e letërsisë. Për studimin e letërsisë në kuadër të shkencës së letërsisë mund të flitet nga gjysmea e shekullit XIX. Manifesti i parë historik shkencor në studimin e letërsisë ka qenë hyrja e gjërë e historianit dhe e mendimtarit francez, Ipoli Ten (1828-1893), në Historia e letërsisë angleze (Histoire de la lettérature anglaise, 1893). Sipas Ipolit Tenit edhe në studimin e letërsisë duhet të aplikohen pikëpamjet dhe ligjet e shkencave të natyrës. Po sipas tij, në studimin e letërsisë duhet të merren parasysh: raca, mjedisi dhe koha (La race, le milieu, le moment). Ndërkaq, në shkencën gjermane, filozofi gjerman Vilhelm Diltaj, mendon se shkenca e letërsisë duhet të jetë e pavarur. Sipas tij letërsia nuk mund “të shpjegohet” me ligjet e shkencës së natyrës, por me anë të intuitës, me të cilën shërbehen specialistët e shkencave të natyrës dhe e cila luan rol shumë më të madh sesa në shkencat e natyrës. Në shekullin XX shfaqen orientime të reja në zhvillimin e teorisë së letërsisë si: formalizmi rus, shkolla morfologjike gjermane, kritika e re në Angli dhe në Amerikë, analiza strukturale franceze etj. Në këtë kohë edhe emërtimi poetikë u zëvendësua me emërtimin Teoria e letërsisë sipas veprës Teoria e letërsisë e Rene Velekut dhe Ostin Vorenit, të botua më 1949.
            Edhe në letërsinë shqipe janë bërë përpjekje për hartimin e veprave poetike. Me çështje të metrikës shqiptare janë marrë edhe të huajt. Kështu,  për ritmin e rimën në poezinë arbëreshe Benlou (Benloew L.) në vitin 1898 do të shkruajë një broshurë të vogël me titull “Dy rhythme e de la rime dans la poèsie epique des Albanais”, botuar në Bukuresht (1898) në të cilën mes tjerash ai shkruan:”Këngët epike të shqiptarëve paraqesin interes real duke na bërë që të asistojmë në lindjen e rimës, e cila u bë elementi rregullues i krejt poezisë moderne”(cituar sipas Gjergj Zhejit në librin “Vëzhgime metrike, Tiranë, 1980, f. 9). Veç Benloew-ut me studimin e metrikës shqipe do të merren edhe Lambertz, Dietterih dhe shumë të tjerë (sipas E.Çabej, Për gjenezën e literaturës shqipe, Prishtinë, Rilindja, 1970). Me çështje teorike janë marrë disa autorë shqiptarë që me veprat e tyre e kanë pasuruar edhe këtë fushë të letërsisë. E para vepër e këtij lloji në letërsinë shqipe është vepra e Luigj Gurakuqit (Lekë Grudës) me titull Vargënimi n’gjuhën shqype, botuar në Napol në vitin 1906. Ai e shkruan këtë libër për t’u ardhur në ndihmë poetëve të kohës në hartimin e vargjeve. Në mes tjerash ai shprehet kështu: “T’tana këto punë provojnë që edhe ndër na nuk asht i panjoftun vjershënimi e se edhe na nuk kemi n’mëni zanat; por megjithëkëtë vjershat tona nuk i kanë të gjitha virtytet e mjeshtrisë: mund t’jetë se një herë i patën, e se i buernë pastaj tue ecë gojë nëpër gojë prej babet n’djalë.
            Mbasi qi pra vjershat tona mbetne t’pashkrueme e mbas qi u njohne gjithmonë si kangë popullore t’përcjelluna me muzikë, nuk i vueme, për këte, fort oroe vargjet. Mund t’thona se na nuk i këndueme gati kurr’ kangët me za t’ultë për me i shijue mirë harmonin e vargut; e përcuellme gjithherë me muzikë, e kjo na i mëshehi e na i mbloi lajthimet e tija, herë tue zgjatë rrokjet kur ishte ndonji mangut, herë tue i hangër kur ishte ndonji tepër, herë tue largue theksen prej vendit t’saj e tuej e ba me ra ku s’duhej etj. etj.
            Kjo m’duket se asht arsyeja për t’cilën s’patëm deri sot vargje t’matun mirë; e edhe sot asht kjo qi na ban mos mos me ia vue fort menden, sikur t’ish shartue n’gjak t’ynë vesi i moçëm. Por tash ma ka ardhë koha t’marrin udhen e drejtë e t’përpiqena...”
            Në bazë të asaj që shkruan ai del se është njohës i mirës i teknikës së thurjes së vargjeve popullore, të lidhjes së tyre me muzikën etj.
            Përveç Luigj Gurakuqit që merret me vargënimin në gjuhën shqipe më vonë në vazhdën e tij do të  shkruajnë Aleksandër Xhuvani dhe Kristaq Cipo veprën “Fillimet e stilistikës e të letërsisë së përgjithshme” të botuar në Tiranë më 1930, Justin Rrota do ta shkruajë veprën “Letrartura shqype, botua në Shodër më 1934, kurse Dhimitër S. Shuteriqi në vitin 1947 do ta botojë librin e tij me titull “Metrika shqipe”. Më vonë do të shkruhen edhe tekste të tjera të teorisë së letërsisë. Në këtë mes po përmendim librin “Teoria e letërsisë” të Gani Lubotenit, të botuar në vitin 1964, Zejnullah Rrahmani “Nga teoria e letërsisë shqipe” (1986) etj.
            Kritika letrare – (gr. kριτική, kpίυω – gjykoj, vlerësoj) – është një degë e shkencës së letërsisë e cila merret me vlerësimin dhe gjykimin e vlerave letrare të veprës artistike. Ajo shpesh definohet si ndërmjetësuese midis veprës letrare dhe lexuesit. Ajo ka për qëllim që sa më thellësisht ta zbulojë kuptimin dhe bukuritë që fshihen në veprat konkrete letrare të së tashmes e të së kaluarës, për t’u lehtësuar lexuesve kuptimin sa më të plotë dhe kënaqësinë që ndjejnë kur i lexojnë ato. Kritika letrare ndërtohet dhe zhvillohet eksluzivisht mbi bazat e përshtypjeve individuale të veprës së lexuar dhe mbresave të cilat i lë vepra letrare, pa pasur nevojë që ato të përfshihen në ndonjë sistem shkencor të të menduarit dhe të studiuarit të letërsisë.
            Kritika letrare, si degë e veçantë e shkencës së letërsisë, ka për detyrë ta vlerësojë vlerën e veprës letrare dhe të tregojë se ç’rëndësi ka ndonjë vepër në çastin kur ajo botohet (publikohet). Për ta kryer ashtu si duhet punën e tij, kritiku letrar duhet të ketë njohuri të gjithanshme shkencore dhe përvojë të madhe jetësore. Detyra e tij është të shpjegojë atë që është më e fshehtë dhe më e ndërlikuar në veprën letrare e këto janë mendimet dhe idetë e shkrimtarit. Ai duhet të flasë për rrethanat dhe kushtet shoqërore nga të cilat kanë dalë idetë e shkrimatrit, t’i shpjegojë karakteret si bartës të pikëpamjeve të caktuara dhe si përfaqësues të mjedisit të caktuar, të klasës dhe shtresës shoqërore dhe të tregojë për ndikimet e shkrimtarit. Kritiku duhet të tregojë se ç’risi paraqet publikimi i një vepre në letërsi, në kohën kur ajo është shfaqur dhe ç’ndikim ka pasur ajo në zhvillimin e mëtejshëm të letërsisë. Kritiku letrar e vlerëson veprën me masat që zotërojnë në letërsinë bashkëkohore, por duhet të futë në të dhe shijen e kohës kur ka lindur vepra, ta kuptojë nivelin e zhvillimit letrar, ai, jo vetëm që ndërmjetëson midis veprës dhe lexuesit, por shpjegon edhe kuptimin e veprës dhe nxjerr në pah ato përfundime mbi jetën nga e cila ka dalë shkrimtari me veprën e tij letrare. Nga e gjithë kjo kërkohet që kritiku letrar duhet të ketë dije dhe kulturë të gjërë madje edhe më shumë se shkrimtari. Në radhë të parë të posedojë një kulturë të gjërë dhe të gjithanshme letrare, të njohë letërsitë dhe historitë letrare të më shumë popujve dhe vendeve, dije nga historia, ekonomia, gjeografia dhe shkencat e tjera, sidomos të ketë njohuri nga filozofia dhe historia e saj.
            Vepra letrare, si botë më vete, mund të interpretohet në mënyrë të ndryshme. Nga kjo edhe forma të ndryshme të kritikës letrae.
            Kritika stilistike – si lloj i kritikës është e lidhur ngushtë me stilin dhe stilistikën. Kritika stilistike mbështetet në elementet stilistike të veprës letrare. Si bazë e kësaj kritike merret “Estetika”e Benedeto Kroçes, ndërsa përfaqësues të kësaj kritike merren Leo Spicer, Emil Shtajger etj.
             Kritika estetike – e studion veprën letrare vetëm në aspektin estetik dhe zbaton kriteret estetike në vlerësimin e veprës letrare duke lënë anash vlerat e tjera të veprës. Nga aspekti historik, gjurmët e kritikës estetike i gjejmë në vështrimet e para të shprehjes gjuhësore dhe të tipareve të saj. Vlera e veprës artistike matej sipas begatisë së mjeteve shprehëse gjuhësore, stilistike. Vrojtohen dhe shënohen tropet, figurat dhe inversionet, sistemohen dhe normohen. Më së shumti në këtë aspekt ka kontribouar retorika klasike greke e cila e përpunon gjërësisht dhe në mënyrë shteruese terminologjinë për mjetet themelore stilistike, të pranuara në pjesën më të madhe edhe në shkencën bashkëkohore të letërsisë. Kriteret e kritikës estetike kanë ndryshuar gjatë historisë. Renesansa evropiane në pjesën më të mirë i ka gjetur modelet e veta në veprat e shkrimtarëve antikë grekë e romakë. Ata përpiqen t’i gjallërojnë idealet antike, klasicistët francezë dhe teoricienët e tyre në shekullin XVII, por jo për një kohë të gjatë. Paraqiten synime të tjera dhe kritika estetike do të vërë ideale të tjera të cilat do të vijnë me shënime doktrinare: sërish për një kohë të caktuar. Megjithatë, në shqyrtimin e mundshëm historik të kritikës estetike vërtetohet bindja gjithnjë e më e madhe që veprën letrare duhet vështruar, në të vërtetë, me të gjitha rrethanat e rëndësishme dhe të domosdoshme, por para së gjithash në autonominë e saj relative. Kritika estetike bashkëkohore thekson nevojën që vepra artistike sa më shumë të çlirohet nga varësia e të tjerave, nga synimet jashtëartistike dhe antiartistike.
            Kritika impresioniste (fr. impressionisme – përshtypje) – është lloj i kritikës letrare, e cila si kriter themelor për vlerësimin e veprës letrare merr përshtypjen, impresionin të cilin e ngjall vepra letrare. Kjo kritikë lindi në Francë nga fundi i shekullit XIX dhe e mori emrin sipas veprës së Zhyl Lemetrit “Impresionet teatrore” (Impresions de théatre, 1898). Termi impresionizëm së pari ndeshet në artet figurative dhe paraqet teknikën e caktuar të punës në zgjidhjen e motiveve pikturale. Sipas Zhyl Lemetrit, kritiku letrar duhet të mbështetet në mbresat që ngjall vepra letrare tek ai. Detyra e kritikës është të kumtojë përjetimin e veprës artistike dhe kritiku shpesh merret me atë që e preokupon më së shumti në vepër dhe rreth veprës. Në vend që të gjykojë në bazë të sistemit të caktuar kritik dhe të parimeve të caktuara, kritiku do të duhet të tregojë shenja simpatie ndaj veprës. Në esencë të saj qëndron bindja se nuk ekziston e vërteta mbi veprën aristike dhe kritiku nuk duhet të gjurmojë kot pas saj, por duhet që spontanisht të lëshohet në përshtypjen estetike të cilën e shkakton vepra  dhe që spontanisht t’i përshkruajë reaksionet e shpirtit dhe të sensibilitetit të tij në atë përshtypje. Përfaqësuesit e kësaj kritike mendojnë se nuk ekziston kritika objetive, as që është e mundshme një kritikë e tillë, sikundër që nuk ekziston as arti objektiv, sepse secili kritik vë në veprën e tij temperamentin e vet personal, sensibilitetin, botëkuptimin dhe ndjenjën e tij mbi jetën. Duke marrë parasysh se kritika nuk mund ta njohë të vërtetën mbi veprën letrare dhe domethënien e saj të vërtetë, ambicien e tij kritiku, sipas kritikës impresioniste, duhet ta kufizojë vetëm në atë që, me rastin e veprës, ta paraqetë impresionin e vet personal, që me anë të gjykimit të lirë, jo të domosdoshëm në asociacionet dhe lojën e shpirtit të tij, të paraqesë atë që ndodh në të me rastin e përjetimit të ndonjë vepre.
            Kritika semiologjike – në qendër të studimeve të saj ka shenjën (gr. semeion – shenjë). Metodën semiologjike i pari e ka përcaktuar Ferdinand de Sosyri në gjuhësinë strukturale. Idetë linguistike të Sosyrit kanë shërbyer si bazë dhe model për studime të përgjithshme semiotike dhe për studimin semiotik të letërsisë. Meqë vepra letrare realizohet përmes gjuhës dhe analiza e saj nuk mund të bëhet pa nalizën gjuhësore të veprës e cila shpjegohet përmes shenjave.
                                                            ***
            Në rastet e shumta, në praktikë, gërshetohen premisat e kritikave të ndryshme, dhe vërtet, shumë pak kritikë i zbatojnë ekskluzivisht vetëm premisat e një metode kritike. Kritikët e rëndësishëm ia kanë përshtatur metodën e tyre tipareve të veprës letrare, sepse ajo vetë, me vlerat e saj letrare, i ka zgjëruar metodat e veçanta, ka realizuar pikëpamje të reja, i ka ndryshura premisat e mëparshme duke sjellë premisa të reja.
            Roli i kritikës në zhvillimin e letërsisë është shumë i rëndësishëm; ndikimi i saj, përkundër gabimeve të shpeshta dhe hutive, nuk mund të kontestohet. Ka bërë shumë në shpjegimin e veprave më të rëndësishme letrare, në ndërmjetësimin e veprës letrare dhe të publikut, në përhapjen e kulturës së përgjithshme letrare dhe në ruajtjen e mendimit të caktuar letrar (kushteve dhe mjedisit për krijimtari letrare). Ka zbuluar vlerat e vërteta letrare dhe ka kontribouar shumë në vërtetimin e një kierarkie të mundshme në realizimet letrare.
            Është krejt e padrejtë t’i kontestohet çdo rëndësi në jetën dhe zhvillimin e letërsisë, sikundër që veprojnë shumë letrarë.
            Kritika biografike – e shpjegon veprën letrare duke u mbështetur në biografinë e shkrimtarit. Edhe pse interesimet e para i ndeshim që në kohën antike, materiali biografik nuk është shfrytëzuar sistematikisht si metodë kritike deri në gjysmën e dytë të shekullit XIX, kjo nga që në kohën e romantizmit kësaj metode i kanë kushtuar rëndësi të madhe. Poetët romantikë shkruanin shumë për veten, për ndjenjat e thella të tyre, duke lënë pas vetes shumë rrëfime autobiografike (Bajroni, Pushkini etj.). Parimet themelore të metodës biografike i ka formuluar shkrimtari dhe kritiku francez Sent-Bev, i cili në lidhje me këtë thotë: Mund të kënaqem me veprën letrare, por e kam vështirë të jap gjykim pa pasur parasysh njeriun i cili e ka shkruar (Sait-Beuve: Chateaubriand). Por sot kjo metodë është vjetëruar. Për këtë metodë në mënyrë kritike flet edhe teoricieni i letërsisë Rene Velek në studimin e tij “Letërsia dhe biografia”, duke theksuar se vepra artistike më parë mund ta materializojë “ëndrrën” e autorit sesa jetën e tij të vërtetë. Vepra mund të jetë edhe një “maskë”, dëshirë e autorit për t’i ikur një jete të tillë. Vepra artistike nuk është dëshmi autobiografike. Ne e dimë ç’është homerike edhe pse nuk e njohim biografinë e Homerit. Konsiderohet se jeta e shkrimtarit është sintezë e çdo gjëje që gjendet edhe në veprën letrare. Vjershat, romanet e vepra të tjera bëhen më të kuptueshme nëse njihen rrethanat e krijimit të tyre nga shkrimtari. Detyra kryesore e kritikës biografike është rikonstruimi i jetës së shkrimtarit, sepse në të gjenden të gjitha fshehtësitë e punës krijuese të tij. Kështu janë krijuar – por krijohen edhe sot – biografitë e shkrimtarëve të cilët kanë zbuluar dhe njohuri të dobishme mbi lidhjet midis letërsisë dhe jetës. Por i tërë materiali, të cilin e kanë sjellë biografitë e letrarëve, nuk ka qenë edhe aq i nevojshëm. Herë-herë është heshtur problemi i krijimtarisë letrare, sepse kritika biografike ka dëshiruar ta zbulojë në jetën private dhe shoqërore të shkrimtarit e jo në vetë veprën.
            Kritika sociologjike – merret me analizën e tekstit duke marrë parasysh rrethanat shoqërore në të cilat ka jetuar dhe vepruar shkrimtari. Sipas kësaj kritike edhe karakteri (natyra) e veprës letrare është shoqërore. Ndonëse vepra letrare në përgjithësi kushtëzohet nga faktorët shoqërorë, por me rastin e analizës së tekstit letrar lë anash vlerat e tjera të veprës, siç janë ato estetike, stilistike, semiologjike, që e shquajnë dhe e karakterizojnë krijimin letrar. Në aspektin metodologjik është e afërt me kritikën ideologjike.
            Kritika filozofike – në analizën e veprës letrare mbështetet në konceptet filozofike që shfaqen në veprën, siç janë çështja e ekzistencës njerëzore, absurdi, kotësia e jetës etj. Kjo metodë ka mbështetjen në fenomenologjinë e Edmund Huserlit, pastaj në ontologjinë si shkencë filozofike dhe mbi të qenmen, mbi atë që ekziston. Sipas studiuesve të ndryshëm (Rene Velek etj.), vepra letrare nuk mund të vlerësohet vetëm në bazë të mendimeve filozofike, duke pasur parasysh si janë strukturuar mendimet e tilla. Tomas Stern Eliot thotë: as Dante, as Shekspiri në të vërtetë nuk kanë menduar asgjë. Dostojevski dhe Tolstoi shpesh janë shqyrtuar vetëm si filozofë dhe mendimtarë fetarë. Në kohën e simbolizmit në Rusi paraqitet një shkollë e tërë e kritikëve “metafizikë”, e cila e interpreton letërsinë me anë të qëndrimeve të veta filozofike. Kjo do të thotë se mënyra e organizimit të veprës letrare është ajo që e përcakton edhe vlerën e saj.    
            Kritika gazetareske - është formë specifike e kritikës letrare artistike e cila shkruhet nëpër gazetat e përditshme dhe në ato periodike letrare e kulturore. Ajo kryesisht merret me veprat letrare, me letërsinë, artet e tjera, por edhe me radion dhe televizionin. Për nga forma e jashtme kritika gazetareske  është pjesë e gazetarisë, respektivisht e gazetarisë letrare, kurse për nga esenca ajo është pjesë e letërsisë. Ajo e përcjell krijimtarinë letrare bashkëkohore, veprat e sapobotuara. Ajo shkruhet për publikun e gjërë lexues, andaj duhet të jetë komunikative. Meqë publikohet në një kënd të caktuar në gazetë, në një kohë të kufizuar në radio apo televizion, ajo duhet të jetë shumë koncize, duke i thënë vetëm ato që janë qenësore (esenciale) për një vepër letrare, anët pozitive dhe të metat e veprës letrare.




[1] Rene Velek-Ostin Voren, Teorija književnosti, Nolit, Beograd, 1965, f. 59

FUNKSIONI SHOQËROR I LETËRSISË




            Meqë vepra letrare realizohet përmes gjuhës, kurse gjuha para së gjithash shërben si mjet marrëveshjeje midis njerëzve, është e qartë se edhe letërsia duhet trajtuar si krijim shoqëror, si diçka që ka kuptim vetëm brenda jetës shoqërore. Veprat letrare përfshijnë në vete përvoja dhe njohuri mbi dukuritë e ndryshme të natyrës dhe të shoqërisë, ato flasin poashtu tërthorazi dhe drejtpërdrejt mbi jetën shoqërore. Veç kësaj edhe shkrimtari i përket një shtrese të caktuar ose klase shoqërore. Nga kjo, ai, si përfaqësues i ndonjë bashkësie, në veprën e tij shpreh jo vetëm kundërthëniet në shoqëri, por edhe synimet dhe aspiratat e asaj shoqërie. Në vepër, qoftë ajo poezi, roman ose dramë etj. ai paraqet idealet e caktuara shoqërore dhe njerëzore. Duke qenë se shkrimtari i takon një shtrese a klase të caktuar shoqërore, edhe vepra letrare i takon një kohe dhe një vendi të caktuar. Kështu, p.sh. shkrimtarët antikë në veprat e tyre, përmes miteve dhe legjendave paraqesin shoqërinë e kohës, ndërkaq romantikët, përmes imagjinatës dhe ëndrrave të tyre e projektojnë shoqërinë e kohës, realistët prekin në natyrën klasore të shoqërisë duke u përpjekur ta ndryshojnë atë. Por kjo nuk do të ndodhë në të gjitha formacionet apo shkollat letrare, siç ndodh p.sh. me simbolistët që i shmangen (largohen) shoqërisë. Një dukuri të tillë e ndeshim p.sh. në Francë në teorinë e arti për art etj. Letërsia si art i fjalës, është dëshmi e jetës që kushtëzohet nga koha dhe jeta shoqërore në të cilën zhvillohet ajo. Letësia si art i fjalës, nuk flet vetëm për atë që ka ndodhur, por edhe për atë që do të ndodhë. Letësia luan rol të madh shoqëror, të cilin nuk e ka asnjë fushë njerëzore. Ajo, e lidhur me realitetin njerëzor, është dëshmi e atij realiteti. Porositë, mesazhet, që jepen përmes saj, jepen në formë të veçantë dhe ndryshojnë nga veprimtaritë e tjera. Kjo ka ndodhur me të gjithë krijuesit duke filluar nga antikiteti e deri në ditët e sotme. Kështu ka ndodhur me veprat e Homerit apo me tragjeditë e Eskilit, të Sofokliut, të Euripidit e të tjerëve. Në to janë shprehur mendime dhe ndjenja që i përkasin jo vetëm asaj kohe, por edhe sot ato lexohen me admirim. Pas kësaj, nga fundi i mesjetës, shkrimtari i madh italian Dante Aligieri, në veprën e tij me titull “Komedia hyjnore”, ka paraqitur alegorikisht shoqërinë italiane të kohës; Shekspiri, njëri nga dramaturgët më të mëdhenj anglezë e botërorë, në veprat e tij ka paraqitur kontradiktat e thella të shoqërirsë së kohës; Balzaku në “Komedinë njerëzore” në mënyrë të thellë dhe realiste ka paraqitur raportet shoqërore të shekulit XIX në Francë. Madhështia dhe gjithanshmëria e veprës së Balzakut është pohuar edhe nga Engelsi kur thoshte se e ka njohur shoqërinë frënge më mirë nga veprat e Balzakut sesa nga të gjithë historianët, ekonomistët apo sociologët e kohës. Se ç’rëndësi kanë veprat e letërsisë aristike e dëshmojnë edhe veprat e shkrimtarëve të mëdhenj shqiptarë siç janë veprat  Naimit, “Vargjet e lira” të Migjenit, të Ismail Kadaresë etj., që janë një dëshmi për shoqërinë shqiptare dhe që në vete ngërthejnë vlera të mirëfillta letrare artistike.
       Nga sa u tha më lart del se letërsia është arti më i popullarizuar dhe luan rol të rëndësishëm në aspektin edukativ dhe kulturor të popullit. Edhe kultura e një populli vlerësohet nga letërsia, kurse kultura e një njeriu sipas asaj se sa ai i njeh dhe i kupton veprat letrare. Nga këndej letërsia gjatë zhvillimit të saj historik pandërprerë ka luajtur rolin ndërmjetësues midis njerëzve dhe ideve të shkrimtarit; ajo ka luajtur rolin e edukatorit dhe të interpretit të natyrës nga e cila është rrethuar njeriu, sepse vepra letrare s’është gjë tjetër veç idesë së shkrimtarit mbi jetën dhe mbi dukuritë e ndryshme shoqërore. Letërsia luan rol të rëndësishëm  në jetën e njeriut, sepse kënaq një nevojë të veçantë të njeriut, karakteristike për të gjithë njerëzit: nevojën e përjetimit dhe të njohjes së botës me anë të shqisës së të vërejturit dhe të kuptimit të veprës letrare artistike. Përjetimi i tillë nxit një kënaqësi të veçantë , të cilën e quajmë kënaqësi estetike ose artistike, të cilën e studion shkenca filozofike e cila quhet estetikë.  Në vepër autori shpreh anët më të bukura dhe më fisnike të njeriut, ajo zhvillon ndjenjat humane dhe ndikon në kuptimin më të mirë midis njerëzve, duke u përpjekur për një jetë më të mirë e më të lumtur të tyre. Shkrimtari në veprat e tij shtron problemet e kohës së tij, të bashkëvendësve të tij, duke u bërë kështu interpret më i mirë i nevojave të shoqërisë dhe gjykatës i rreptë i mashtrimeve dhe i veseve të shoqërisë. Çështjet e lidhura me këtë problematikë i shqyrton sociologjia e artit, e cila studion bazën ekonomike të punës artistike dhe të jetës, origjinën dhe pozitën shoqërore të artistit, qëndrimet ideore të cilat shprehen në veprat e tij dhe në veprimtarinë dhe deklaratat e tij jashtëletrare. Por kur është fjala për pranimin e veprave letrare artistike nga publiku, mbi ndikimin shoqëror të artit si dhe për pranimin ose mohimin e veprave të veçanta artistike në kohët e mëvonshme, atëherë në vlerësimin e këtyre çështjeve, veç sociologjisë së artit merr pjesë edhe historia e estetikës, kurse për veprat letrare edhe historia e letërsisë.



LETËRSIA DHE GJUHA




Letërsia, si art i fjalës shërbehet me fjalët (gjuhën) me çka diferencohet nga artet e tjera. Për dallim nga artet e tjera vepra letrare realizohet përmes gjuhës dhe mund të ekzistojë vetëm në gjuhë. Çdo gjë që ekziston në veprën letrare jo vetëm që është realizuar me anë të gjuhës, por edhe njihet me anë të gjuhës. Fjalët, fjalitë dhe lidhjet midis tyre (fjalive) ndërtojnë strukturën gjuhësore, por edhe realitetin e veprës, dmth. botën e brendshme të saj (personazhet, peizazhet, enterierët, ngjarjet, ndjenjat dhe idetë). Botën e brendshme të veprës e përjetojmë si një lloj të botës reale vetëm përmes përbërjes gjuhësore të veprës. Personazhet e një romani, p.sh. ndërtohen me anë të gjuhës me të cilën përshkruhen, nga një varg fjalësh dhe fjalish me të cilat shkrimtari flet për to ose me të cilat ai flet vetë për veten. Dhe vetëm përmes fjalëve dhe fjalive ata nga vepra depërtojnë në vetëdijen tonë dhe marrin karakterin e qenieve të cilat ekzitojnë personalisht. Bota e një vjershe, edhe më shumë sesa personazhet e një romani, ekziston vetëm në gjuhën e vjershës, në fjalët e saj. Vjershën mund ta përjetojmë vetëm nëse i lexojmë fjalët e saj, edhe atë nëse i lexojmë vetëm si i ndeshim në vjershë. Nëse i ndryshojmë, nëse e ndryshojmë rendin e tyre, nëse i lexojmë duke ndryshuar ritmin e tyre, do të ndryshojë edhe kuptimi i tyre, por edhe i gjithë kuptimi i saj i brendshëm do të zbehet menjëherë, dhe ndoshta edhe do të zhduket plotësisht. Nga kjo, vjersha, vepra letrare në përgjithësi, jo vetëm që është e shtruar plotësisht në gjuhë, por edhe plotësisht varet nga organizimi i saj.
Sikundër që mermeri, bronxi, druri ose argjili janë matriale me të cilat ndërtohet dhe ekziston vepra skulpturore, ashtu edhe gjuha është material me të cilin materializohet arti poetik dhe realizohet vepra poetike. Andaj raporti midis gjuhës dhe veprës letrare janë shumë më të ndërlikuara dhe të komplikuara sesa raportet midis gurit dhe skulpturës, p.sh. Sartri njëherë i ka quajtur poetët “njerëz të cilët mohojnë ta përdorin gjuhën”. Dhe poetët vërtet shpesh nuk pranojnë ta përdorin gjuhën në të njëjtën formë në të cilën e përdorim në për çdo ditë. Ata nganjëherë dëshirojnë të krijojnë njëfarë gjuhe të veten, të veçantë, gjuhë pa shablone dhe trivialitet, gjuhë maksimalisht të pastër, gjuhë të lirë dhe të përkryer. Ky nuk është synim që nuk i karakterizon vetëm poetët modernë, por më shumë se katër mijë vjet poeti i vjetër egjiptian, Hahepere-Sub, nga koha e dinastisë XII, e filloi “Vajtimin” e tij duke shprehur të njëjtin synim: “Do të dëshiroja të flas me fjalë të panjohur, të shprehem me gjuhën e re, e cila ende s’ka lulëzuar, dhe të mos e përsëris të njëjtën gjë, të mos e shpreh atë që tashmë është vjetëruar, atë që tashmë të parët tanë e kanë thënë”.[1] Kjo në esencë është i njëjti synim të cilin mijëra vjet më vonë poetët dadaistë u përpoqën ta realizojnë në mënyrën më konsekuente. Meqë gjuha ka një fjalor dhe sintaksë të qëndrueshme, ajo bëhet instrument i të menduarit dhe të shprehurit. Ajo, pra, gjuha, na ndihmon të kontaktojmë me njerëzit e tjerë, t’ua komunikojmë mendimet tona dhe si përgjigje e tyre t’i njohim mendimet dhe preokupimet e tyre. Nga këndej gjuha zë vend të rëndësishëm në studimin e letërsisë. Vepra letrare, si realizim gjuhësor, paraqet një kompleks të tërë të dukurive lerare. Me një fjalë, letërsia është një grumbull veprash, prandaj është e pamundur që me rastin e shqyrtimit të letërsisë të mos përfshihet gjuha. Nuk mund të ndërtohet teoria e letërsisë e të mos zhgjidhet çështja e vendit dhe e rolit të gjuhës në shfaqjen letrare, sepse shkrimtari qëndimin e tij dhe disa vlera ua transmeton të tjerëve në realizimin gjuhësor. Bota që paraqitet në letërsi është një botë ireale, e cila ekziston në shpirtin e autorit dhe e cila në shpirtin tonë përjetohet si botë reale, por pa reagimin real praktik tonin në të. Fjalët e gjuhës letrare janë fjalë të bukura, të zgjedhura me kujdes. Andaj edhe gjuha e veprës letrare është e ndryshme nga gjuha e të folurit të zakonshëm. Ajo, pra, gjuha e veprës letrare ka karakter të figurshëm. Ajo shërbehet me figura (fjalë) që shpjegojnë ndonjë dukuri nga jeta dhe cila ka kuptim më të gjërë. Gjuha letrare shpesh merr edhe ngjyrim emocional dhe shpesh kushtëzohet edhe nga karakteri (natyra) i gjinive dhe i llojeve (zhanreve) letrare. Nga këndej del se ndryshe krijohet një vjershë e shkurtër lirike, ndryshe tregimi, novela, romani, drama etj. Prandaj, pa e kuptuar mirë karakterin (natyrën) e gjuhës, nuk mund ta kuptojmë as karakterin (natyrën) e letërsisë. Vepra letrare para së gjithash është krijim gjuhësor si çdo vepër e tjetër gjuhësore. Mendimet, idetë dhe porositë e autorit përcillen në mënyrë artistike përmes tekstit (lat. textus – thurje, gëshetim, lidhje fjalësh), i cili paraqet tërësinë e veprës letrare. Që ta kuptojmë më mirë një vepër letrare varet nga konteksti i saj (lat.contextus nga contexere – bashkëthurje, gërshetim), i cili paraqet fragmentin e kryer të tekstit të shkruar, i cili saktësisht përcakton kuptimin e fjalëve ose frazave të veçanta të përfshira në të, rrethanat në të cilat është krijuar ai. Gjuha e tekstit është një lëmi e veçantë e tekstit. Vepra letrare në kuptimin e ngushtë të fjalës i quajmë ato realizime që kanë rëndësi të madhe për kulturën e tërësishme dmth. ato janë realizime të tilla që përfshijnë përvojën e popujve, bile edhe të njerëzimit. Vlera letrare e teksit mbështetet në mundësitë krijuese të vetë gjuhës, e cila nuk është thjeshtë mjet marrëveshjeje, por në vete bart mundësinë e realizimit (krijimit) të një kuptimi krejt tjetër, të ri, gjegjësisht, formësimin e një bote krejt të re, të menduar. Se sa do të jetë e realizuar një vepër letrare në aspektin artistik, ç’vlera do të ngërthejë në vete, e gjithë kjo varet nga aftësitë kreative të përdorimit të gjuhës artistike gjatë procesit krijues të secilit autor që merret me krijimtari shpirtërore. Vetë vepra letrare e shkruar (modeluar) paraqet një botë më vete, një realitet të ri. Nga kjo edhe gjuha e letërsisë artistike është një lloj i veçantë i ligjërimit. Gjuha e veprës artistike shquhet për funksionin e saj estetik, pra, te lexuesi ajo duhet të ndikojë estetikisht dhe të ngjallë ndjenjën e së bukurës, si synim kryesor i gjuhës. Pasuria gjuhësore, si tipar kryesor i veprës letrare, përfshin në vete fjalët dhe kuptimet e tyre, shprehjet dhe figurat e ndërtimit sintaksor, tipat e ligjërimit, stilet dhe gjithë trashëgiminë e krijimtarisë folklorike të taditës letrare. Gjuha e veprës letrare duhet të jetë gjuhë shprehëse (ekspresive) dhe emocionale. Ajo duhet të jetë gjuhë e figurshme. Ajo duhet të ketë karakter fytyrëzues, duke paraqitur pamje dhe dukuri, veprime etj., të cilat në përfytyrimin tonë duhet të dalin si pamje të gjalla. Pra, shkrimtarët e përdorin gjuhën në të gjitha aspektet duke filluar nga tingujt e deri te organizimi i saj kryesor, tipat e ligjërimit dhe stileve. Nga kjo vepra artistike nuk është vetëm si krijim artistik, por edhe si krijim gjuhësor.
Jo të gjitha veprat i përkasin letërsisë. Shumë vepra të tjera i përkasin shkencës, filozofisë, historisë apo fushave të tjera të aktivitetit njerëzor. Letërsia si fushë e krijimtarisë njerëzore dallon nga shkencat e tjera në shumë pikëpamje. Do të thotë se ekzistojnë dallime midis procesit krijues në letërsi dhe atij hulumtues. Letërsia dhe shkenca dallojnë midis tyre edhe për nga mënyra e përpunimit të objektit që kanë në shqyrtim. Shkenca e përpunon lëndën e vet me anë të koncepteve (nocioneve), jep të dhëna dhe i konstaton faktet, duke ndikuar kështu në njohjen dhe arsyen e njeriut. Në shkencë kemi hulumtimin, metodat hulumtuese dhe zbulimin, qëllim kryesor dhe i fundit i shkencës. Vetë nocioni letërsi artistike tregon dallimin midis veprave shkencore dhe atyre letrare në kuptimin e ngushtë të fjalës. Shkenca si dije mbi metodat dhe hulumtimet e argumentuara, kurse letërsia mbështetet mbi imagjinatën, invencionin, kreacionin. Ajo që i dallon veprat letrare dhe ato shkencore është gjuha specifike e njërës dhe e tjetrës. Vepra letrare, për dallim nga ajo shkencore, lëndën e saj e paraqet me figura, në lëvizje të vazhdueshme që shkakton iluzionin mbi jetën e cila zhvillohet para lexuesve dhe ata me tërë qenien e tyre marrin pjesë në të, me shpirtin dhe ndjenjat, ajo shkakton emocione, shqetësime dhe përcaktim aktiv ndaj ngjarjeve dhe synimeve të personazheve në vepër. Këtu qëndon epërsia e letërsisë mbi shkencën, në ndikimin e saj të dyfishtë mbi njeriun – në atë njohës dhe emcional, sepse letërsia paraqet jetën, përpjekjet, vuajtjet dhe luftën e pandërprerë të popullit për të drejtat e tij, ajo e njeh lexuesin me të kaluarën, zakonet e mënyrën e jetës, me njerëzit dhe karakteret, me format e luftës dhe fazat nëpër të cilat ka kaluar populli. Lexuesi nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj asaj që ndodh në vepër sikuse ndaj konstatimeve shkencore, por reagon aktivisht ndaj ngjarjeve dhe njerëzve të cilët i paraqet shkrimtari. Derisa qëllimi i letërsisë është krijimi i veprës letrare që është në funksion të së vërtetës, vepra shkencore synon të vërtetën shkencore. Veprat letrare artistike, për dallim nga shkenca apo filozofia që synojnë të krijojnë një pamje të sistemuar të njëmendësisë, nuk përmbajnë vetëm njohuri specifike të njëmendësisë, por e modelojnë dhe e formësojnë këtë njëmendësi.
Veprat letrare shprehin edhe qëndrimin e tyre specifik kreativ ndaj së ardhmes, andaj ato jetojnë gjatë dhe nuk vjetërohen ashtu siç vjetërohen veprat e mëdha shkencore. Këtë e dëshmojnë edhe veprat e letërsisë antike siç janë “Iliada” dhe “Odisea”.
Veprat shkencore shquhen për racionalitetin e tyre, ato i drejtohen intelektit, arsyes, kurse veprat letrare u drejtohen ndjenjave njerëzore. Ato dallojnë edhe për nga ligjërimi. Në letërsi kemi ligjërimin artistik, kurse në shkencë kemi shkrimin joartistik. Kënaqësinë që ndjejmë kur lexojmë një vepër letrare, nuk e ndjejmë në veprat shkencore. Veprat letrare i shquan emocionaliteti, të cilin nuk e ndeshim në veprat e fushave të tjera shkencore. Gjuha e artit është gjuhë simbolike, gjuhë emocionuese; gjuha e shkencës është gjuhë precize dhe joemocionuese; gjuha e letërsisë është gjuhë e figurshme, kurse gjuha shkencore është gjuhë e argumentuar dhe precize; gjuha e shkencës shpreh një mendim objektiv, kurse gjuha e letërsisë ka kuptim figurativ dhe fjalët marrin ngjyrime kuptimore, ajo është e gjallë, e pasur dhe e larmishme etj.           


[1] Leonard Woolley, “Počeci civilizacije”, “Historija čovječanstva”, svezak prvi, II, “Naprijed”, Zagreb, 1966, str. 567

LETËRSIA DHE ARTET E TJERA




            Raportet midis degëve të ndryshme të artit gjatë zhvillimit të tyre historik gjithnjë kanë ndryshuar. Letërsia, si veprimtari krijuese, me anë të së cilës krijohet (formësohet) vepra letrare si burim kënaqësie dhe e njohjes së veçantë, që në kohët e lashta është lidhur me disa arte si, me muzikën, pikturën etj. Midis këtyre arteve ekzistojnë raporte marrëse dhe dhënëse. Ajo që e dallon letërsinë nga këto arte është gjuha të cilën artet e tjera s’e kanë. Ajo që e dallon letërsinë nga këto arte është përjetimi estetik dhe përshtypja artistike, veprimtari përmes të cilave njeriu realizon aftësitë krijuese. Ndikimet e ndërsjella midis arteve i shohim që në lashtësi. Kështu, p.sh. në lashtësi muzika e shoqëronte lirikën, kurse me rastin e recitimit, përcillej me muzikë edhe kënga epike; edhe disa vepra muzikore nuk janë krejt të pavarura nga teksti gjuhësor letrar (opera etj.). Po kështu raportet e letërsisë me artet e tjera shihen edhe në aspektin e trajtimit të një objekti. Kjo ndodh kur një vepër pikturale ose muzikore mund të jetë objekt frymëzimi i një vepre letrare. Ky raport midis letërsisë dhe muzikës ose pikturës shihet edhe në disa periudha të zhvillimit të letërsisë në përgjithësi e të poezisë në veçanti. Kjo vërehet më së miri në poezinë e simbolistëve, të cilët kujdes të veçantë i kanë kushtuar elementit muzikor në poezinë e tyre. Insistimi i simbolostëve në elementet dhe efektet muzikore në poezi qenësisht e ka ndryshuar vetë natyrën e poezisë, e cila, duke u shërbyer me fjalët, muzikën dhe ngjyrat, dëshiron të jetë e afërt me të gjith shqisat. Ndenja e unitetit dhe lidhjet e ngushta midis arteve i kanë ndriçuar shumë poetikat dhe teoritë e shumë epokave në zhvillimin e arteve. Megjithatë, fjala, gjuha, mbeten fusha kryesore e letërsië.

LETËRSIA, ART I FJALËS


Kur flasim për letërsinë si art, para nesh shtrohen disa pyetje që kërkojnë përgjigje, si, ç’është letërsia, cilit lloj të artit i përket ajo, ç’vend zë ajo në mesin e arteve të tjera dhe ç’raport ka ajo me shkencën etj. Të gjitha artet në përgjithësi, kanë për objekt njeriun, jetën e tij. Për t’i shprehur pikëpamjet e ndryshme mbi jetën dhe botën artet përdorin mjete dhe forma të ndryshme, të veçanta. Edhe letërsia, si krijimtari shpirtërore, është një nga veprimtaritë e lashta njerëzore përmes së cilës njeriu ka shprehur përvojën e tij gjatë kohës duke ndikuar me këtë rast mbi ndjenjat e njerëzve të tjerë. Nga kjo, letërsia si art i fjalës, dmth. si art që shërbehet me fjalën (gjuhën), dallon nga artet e tjera.
            Termi “letërsi” në gjuhën shqipe përdoret në kuptime të ndryshme. Në teorinë e letërsisë me këtë term kuptojmë një lloj të veçantë të artit – letërsinë artistike dhe veprat e shkruara në këtë lloj të artit dmth. letërsinë si art i fjalës.
            Termi letërsi vjen nga fjala latine “litteratura”, “littera”, term me të cilin shërbehemi edhe ne, e përdorin thuajse të gjitha gjuhët evropiane për emërtimin “letërsi”, që do të thotë shkronjë, shkrim, pra, me të është kuptuar çdo gjë që është shkruar në libra. Por, çdo gjë që është shkruar në libra dhe shkruhet, nuk mund të quhet letërsi. Krahas letërsisë së shkruar ekziston edhe letërsia popullore, e cila është krijuar nga populli dhe është përhapur gojë pas goje në kohën kur nuk ekzistonte shkrimi. Kjo e fundit ndryshon nga ajo e shkruara dhe është më e vjetër se ajo e shkruara. Letërsinë gojore e kanë krijuar këngëtarët e talentuar popullorë, ndërsa atë të shkruarën e krijuan njerëzit e shkolluar. Pra, ajo është krijuar nga krijues anonimë, kurse letërsia e shkruar nga shkrimtarë të njohur. Letësia popullore përfshin në vete krijimet dhe prodhimet materiale dhe shpirtërore të popullit. Në krijimet popullore gjejmë fuqinë krijuese të gjeniut popullor, i cili ka kënduar për atë që ka ditur, për atë që ka parë, për atë që ka ndier dhe për atë që është e njohur nga masat e gjëra popullore. Mësuesi i këngëtarit popullor ka qenë vetë jeta dhe problemet jetësore me të cilat është ballafaquar vetë populli. Në krijimet popullore, poezi, tregime etj., sepse kjo nuk ka romane dhe drama siç i ka letërsia e shkruar, e cila përkundrazi nuk ka ninulla, këngë rituale, mitologjike etj., është shfaqur dashuria e popullit për një jetë më të mirë e më të lumtur dhe dëshira për të ngadhnjyer mbi forcat e natyrës dhe të shoqërisë. Meqë letërsia gojore është kultura shpirtërore më e vjetër e popullit, ajo bëhet bazë dhe pikënisje e letërsisë artistike. Shumë shkrimtarë, duke filluar që nga antikiteti e këndej, krijimet e tyre i kanë mbështetur në folklor, do të thotë se letërsia gojore ka ushtruar një ndikim të madh në letërsinë artistike. Ndikim të tillë kanë pësuar edhe shkrimtarët më të mëdhenj botërorë, si: Dikensi, Shekspiri, Gogoli, Pushkini, Balzaku , Bokaço, Servantesi, Rable, Gëte, Tolstoj etj. Edhe shkrimtarët shqiptarë, sidomos romantikët, krijimtarinë e tyre e kanë mbështetur në folklor. Kështu ka vepruar De Rada, Gavril Dara i Riu, Çajupi, Mjeda dhe krijuesit e mëvonshëm, si, Ismail Kadare, Rexhep Qosja, Mark Krasniqi, Anton Çeta, Rexhep Hoxha, Rifat Kukaj e tj. Kjo dëshmon për pasurinë e madhe të motiveve dhe të temave që ka krijuar populli.
            Jo të gjitha veprat i përkasin letërsisë , por ato u takojnë edhe fushave të tjera të dijes siç janë filozofia, historia, sociologjia etj. Kështu me fjalën literaturë sot shënojmë më shpesh atë që është shkruar mbi ndonjë objekt dmth. grumbull veprash që kanë të bëjnë me ndonjë fushë të dijes. Emërtimi letërsi artistike shënon dallimin midis veprave shkencore dhe veprave letrare në kuptimin e ngushtë të fjalës. Ndërkaq emërtimi letërsi e bukur është më pak i përshtatshëm për ta mbuluar tërë letërsinë, por vetëm një anë të saj. Kështu termi belertristikë (fr. belles lettres), shënon vetëm një pjesë të letërsisë (novelat dhe romanet) dhe jo letërsinë artistike në tërësi.   












RAPORTET MIDIS ARTEVE


RAPORTET MIDIS ARTEVE

Është vështirë të jepet një definicion (përkufizim) mbi artin, si dhe kur ka lindur akëcili art. Megjithatë, fillimi apo lindja e akëcilit art mund të kërkohet në kohën kur njeriu filloi t’i vështrojë gjërat dhe dukuritë që ndodhnin rreth tij dhe kur filloi ta shprehte atë që kishte dëgjuar, atë që kishte parë dhe atë që kishte ndjerë. Kështu, p.sh. njeriu parahistorik, njeriu i shpellës, vizatonte në pllakat dhe muret e shpellës gjërat (sendet) dhe kafshët të cilat e kanë tërhequr vëmendjen dhe kureshtjen e tij; ai vizatonte peshqit dhe egërsirat, sepse me të parët ushqehej, kurse nga të dytët frikësohej; ecte dhe kërcente ritmikisht, sepse i ndjenjte lëvizjet në natyrë dhe i dëgjonte zërat (tingujt) e shpendëve dhe kafshëve. Objekt i meditimeve dhe i ndiesive të tij ishte e gjithë natyra me dukuritë e saj: bubullima dhe vërshimet, tërmetet dhe zjarret, të ngrohtit dhe të ftohtit etj. Në lidhje me këto dukuri njeriu e shprehte botën e tij të brendshme dhe ndjenjat e tij i shprehte përmes formave të ndryshme, si, ritmit, vizatimit dhe më vonë edhe të fjalëve. Supozohet se nga reagimet e tilla të njeriut janë zhvilluar degët e ndryshme të artit, të cilat janë bërë objekt i kulturës shpirtërore të njeriut.
Fjala art vjen nga fjala latine ars, artis, që ka kuptimin e mjeshtërisë, aftësisë, shkathtësisë për të krijuar diçka. Ky është kuptimi më i ngushtë i fjalës art. Por arti përfshin një fushë më të gjërë të krijimtarisë njerëzore. Në lashtësi ai kishte karakter sinkretik (gr. synkrētimōs – bashkim) dhe në vete përfshinte: këngët, lojrat, ritet e ndryshme religjioze (fetare). Pra, në kuadër të tij përfshiheshin: poezia, muzika, vallja. Përmes lojës, valles dhe vizatimit njeriu i parë paraqiste fenomenet e ndryshme që i përjetonte shpirtërisht. Po përmes këtyre formave (lojës, valles, vizatimit), në procesin e punës, lindi edhe arti si një formë e botës shpirtërore të njeriut. Por, njeriu i parë, i paraqiste dukuritë e ndryshme pa e kuptuar atë që shihte dhe dëgjonte. Në aktivitetin e tij praktik dhe shpirtëror lindën dhe u krijuan llojet e ndryshme të artit.
Në lidhje me llojet e arteve janë shprehur mendime të ndryshme. Kështu, p.sh. që në antikitet shkrimtari i njohur grek Plutarku (Plutarchos) në lidhje me poezinë dhe pikturën shpreh mendimin se poezia është pikturë e cila flet, kurse piktura poezi pa fjalw; Përpjekje për klasifikimin e arteve janë bërë që në lashtësi. Kështu, sipas sofistëve, artet mund të ndahen në ato që krijohen për shkak të kënaqësisë së pastër dhe në ato të cilat krijohen për shkak të ndonjë dobie. Platoni është pëpjekur t’i klasifikojë artet në disa mënyrë. Sipas tij ekzistojnë arte të cilat lidhen me realitetin (gjuetia), të cilat krijojnë realitet (arkitektura) dhe arte të cilat e imitojnë realitetin (piktura dhe poezia). Piktura imiton me anë të ngjyrërave, loja me anë të lëvizjeve ritmike, muzika dhe poezia me anë të toneve dhe të fjalëve. Duke iu përmbajtur këtij parimi, Aristoteli përpunon tipologjinë e gjinive letrare; ato midis tyre dallojnë për nga mjetet të cilat i imitojnë, për nga objektet të cilat i imitojnë dhe për nga mënyra në të cilën imitojnë. P.sh. tragjedia, komedia dhe poezia epike kanë për objekt imitimin e veprimit njerëzor, por në dy të parat ndodh vetëm veprimi, ndërsa në ep, ai, kryesisht përshkruhet. Me ndarjen e arteve, ripunimin dhe sistemimin e tyre janë marrë edhe shumë autorë të tjerë, si, Ciceroni (Markus Tulius Cicero), gojëtar romak, filozofi grek Plotini (Plotinus), kurse gojëtari kartagjenas, Marcianus Kapela (Capella) në fillim të shekullit V, thekson shtatë shkathtësi të lira, të cilat do të vlejnë gjatë tërë mesjetës. Në mesin e këtyre shkathtësive ai përmend: gramatikën, retorikën, dialektikën, gjeometrinë, arithmetikën, muzikën dhe astronominë. Katër shkathtësitë e para janë përfshirë me emrin e njëjtë quadrivium, kurse tri të tjerat janë quajtur trivium, duke krijuar kështu ciklin e parë të studimeve letrare. Atë që sot e quajmë teori e letërsisë , në mesjetë është quajtur shkathësi e gojëtarisë. Deri në fillim të renesansës mbretëronte mendimi, i trashëguar nga mesjeta, se muzika dhe poezia janë arte të lira dhe se qëndrojnë me “lart” se piktura, e cila konsiderohej si lloj “më i ulët” i aktivitetit njerëzor. Kundër këtij vlerësimi çohet Leonardo da Vinçi duke i dhënë përparësi pikturës dhe thekson se ajo qëndron më lart se poezia në paraqitjen e formës, se ajo i shërben syrit, e cila është shqisa më e rëndësishme nga shqisa e të dëgjuarit, se i nxit ndjenjat më shpejt se poezia dhe se ajo, veç tjerash, kërkon përpjekjen dhe shkathtësinë e artistit. Merita e madhe e renesansës qëndron në atë se artet plastike i ndau nga mjeshtëritë, i bëri shkathësi të lira, të cilat lindin ide dhe i ngriti në shkallën e shkencës. Por, Leonardo da Vinçi e ngriti piktorin mbi shkencëtarin dhe poetin vetëm nëse vepra e tij është unike dhe e veçantë. Sipas tij, piktura është poezi e nemitur, kurse poezia është pikturë e verbër. Poezia është shkencë e cila në shkallën më të lartë ndikon te të verbërit, kurse piktura te të shurdhërit ( po aty, f. 50). Piktura ia kalon muzikës, ajo është mbi të, sepse nuk vdes menjëherë pas lindjes, siç ndodh rasti me muzikën e mjerë (po aty, f.52)... sepse poeti, duke përshkruar bukurinë dhe shëmtinë e ndonjë trupi, ta tregon atë pjesë-pjesë dhe në kohë të ndryshme, kurse piktori ta tregon të tërë dhe përnjëherë (po aty, f. 52). Në mesin e studiuesve të artit është edhe Lesingu (Gothold Lessinga), i cili në veprën e tij Laokoon (Kultura, Beograd, 1954)) i përcakton kufijtë e qartë dhe të fortë midis arteve, duke pohuar se artet e ndryshme dallojnë midis tyre nga mjetet e ndryshme të shprehjes. Lesingu konkludon se poezia është art më i gjërë dhe gjithëpërfshirës, arti piktural është më sipëror në paraqitjen e natyrës dhe të bukurisë trupore, por poeti është i vetmi në gjendje t’i përshkruajë ndikimet e asaj bukurie te njerëzit dhe në gjendjet e ndryshme emocionale të tyre. Thelbi i vështrimeve të Lesingut nuk qëndron vetëm në atë se piktura dhe poezia imitojnë natyrën në mënyra të ndryshme (piktura me trupat, kurse poezia me veprime) dhe se shërbehen me materiale të ndryshme, por para së gjithash, në pohimin e tij se mjetet e imitimit gjenden në lidhje të ngushtë me atë që shprehin, që shenja duhet të jetë në harmoni me atë që shënon. Në këtë mënyrë, artet ndahen në dy grupe krejt të veçanta, në arte hapësinore dhe në arte kohore. Në artet hapësinore do të mund të pëfshiheshin: piktura, skulptura dhe arkitektura, kurse në artet kohore: muzika, poezia, aktrimi. Të gjitha këto arte dallojnë midis tyre për nga mënyra dhe mjetet shprehëse. Kështu, muzika si mjet artistik përdor tingujt, piktura – pëlhurën, letrën, brushën, ngjyrat; skulptura – drurin, baltën, gurin, metalin, mermerin etj.; arkitektura – materialin ndërtimor; loja ose vallja – lëvizjet ritmike; letërsia – fjalën dhe të folurit. Si art i veçantë (art i shtatë) përmendet edhe filmi, i cili si mjet artistik përdor – figurat e gjalla lëvizëse. Filmi është një art ku sintetizohen të gjitha artet e tjera. Përveç filmit, kemi edhe artin teatror me të cilin ka ngjashmëri, sepse edhe filmi edhe teatri i paraqesin dukuritë jetësore në formë të shfaqjeve dramatike. Por edhe filmi edhe teatri dallojnë midis tyre. Kështu, p.sh. personazhet (aktorët) në teatër gjithnjë flasin, kurse personazhet në film flasin vetëm atëherë kur këtë e kërkon figura filmike që të thuan diçka (Andre Marlo). Nga këto dallime kryesore dalin edhe veçori të tjera të filmit dhe të teatrit. Këto dallime janë: në teatër fjala është kryesore; ajo që shihet në skenë është më pak e rëndësishme nga ajo që dëgjohet; në film ndodh e kundërta: më e rëndësishme është figura, kurse fjala dhe zëri kanë rol dytësor. Nga kjo vepra teatrore mund të shfaqet në skenë dhe radio, kurse vepra filmike në kinema dhe në televizor dmth. aty ku mund të shihet edhe figura etj.

Në mbështetje të këtyre elementeve vërejmë se objekt i të gjitha arteve është jeta njerëzore, vetë njeriu dhe se ato dallojnë mes tyre, në mënyrën e trajtimit të këtij objekti, nga mjetet shprehëse përmes të cilave realizohet ideja e një vepre letrare. Me anë të artit njeriu krijon vepra artistike në të cilat paraqitet përvoja jetësore e tij dhe e botës që e rrethon, duke krijuar kështu një realitet të ri, duke u dhënë dukurive jetësore kuptim njerëzor, duke hapur horizonte të reja të kuptimit të jetës dhe të botës, pa të cilin s’do të kishte kuptim jeta njerëzore. Andaj thuhet se jeta (e individit) është e shkurtër, kurse dija dhe arti janë jetëgjatë – ars longa, vita brevis.

Ndikimi i artit tek të sëmurët



Bukuria e artit dhe muzikës kënaq jo vetëm syrin dhe shpirtin, por ndikon pozitivisht edhe për shëndetin. Sipas një studimi bukuria “shëron”. Nëse në spitale ndodhen ambiente të këndshme dhe i kushtohet vëmendje pacientit, atëherë shërimi i tij do të jetë më i shpejtë dhe pacienti do të ndjehet më mirë.

Arti bën mirë për mendjen por edhe për fizikun. Studimi është realizuar me 192 pacientë të cilët janë pyetur nëse kanë qenë adhurues të pikturës, muzikës, apo teatrit.
Këto pyetje janë realizuar për të parë jetën e tyre, para dhe pas incidentit.

Rezultatet kanë qartësuar se adhuruesit e artit gëzonin shëndet më të mirë, ishin më shumë energjik dhe hasnin më pak vështirësi për të shërim sa më të shpejtë.

Për më tepër, ata ndjeheshin më të qetë, më pak depresiv, dhe kishin një kujtesë më të pasur dhe komunikonin më mirë në krahasim me personat që nuk ishin të interesuar për artin.

Gjithashtu, edhe dekorimi i ambienteve spitalore, vendosja e televizioneve, DVD për pacientët janë të gjithë elementë, që sipas studimit mund të kontribuojnë për përmirësimin e shëndetit të pacientëve të shtruar.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...