2012-12-09

MONA LIZA ELEMENTALE

Senad Guraziu



MONA LIZA ELEMENTALE ( I )


I - (Mona Liza e lëngshme)

Nga syri i saj i kristaltë një pikë loti
si qumësht i rrahur bazalti
rrokulliset faqes, qafës bardhoshe,
në gjoksin e majtë ndalet, aty ngrohet
dhe kupola e bakërt si kërthiza e horizontit
kthehet në diç si fontanë e gjallë e Trevit,
nga Katër Lumenj mezi ngopet,
"quattro fiumi" shpërthen me një milion currila
të pangjyrë në majën e tulatur,
ndërsa ajo më drejtohet symbyllur - afrohu,
e ndiej je ti që mund ta ndjesh,
afro buzët i lirë pi nga lotët e mi,
mos ngurro, etjen e shpirtit tënd e njoh,
do ta ndjesh dhe ti, akoma ka freski
limfatika e gjoksit, lobula e enjtur,
stroma në mua, aroma e buzëqeshjes
por në luftën e fundit diç kam humbur,
ndoshta thjesht një Mona Lizë
post-traumatike kam mbetur,
shumë gjëra dhe koha m'i ka vjedhur
kam frikë më të shtrenjtën kam humbur,
më të shenjtën e vet fontanës së jetës,
thellë diç në mua sikur ma thotë,
pse jo, për botën rri aty, për inat mos lëviz,
vetë kujtimet të mbajnë vertikalisht,
shkëlqimin dhe shumçka që shkëlqen
mund ta vjedhësh nga sytë e tyre çdo ditë,
ashtu-kështu çdo gjë lahet me Diellin e syve,
secilin mëngjes, me secilën rreze
diç e jotja kthehet në pafajsi.





MONA LIZA ELEMENTALE ( II )

II - (Mona Liza e ngurtësuar)

Para Kopernikut heliocentrizmi
aq kaotik, flinte në bisht
si bakteriet në brushat e dhëmbëve,
atje diku në mustakun egocentrik
të Jupiterit, për gjysmë shekulli,
Mona Liza buzëqeshte djallëzisht
pastaj sikur ta kishte parë vetë Meduza,
u ngurtësua amshueshëm, ashtu
e shtangur i premtoi ego-së së vet,
tani e tutje çdo gjë do vërtitet
rreth kërthizës sime, "orbium celestium",
duhet një rend i ri heliocentrik
për botët e dalldisura jashtë heliosferës
artistike - por motivi i protestës
në vetvete se ç'kishte diç fetishiste,
tkurrje egocentrike deri në marrëzi,
për fluturat s'është egoistike joshja
e dritës, madje as vetë grykësia
kullufitëse e një vrimëzeze në gjithësi,
atëherë pse të mbyllet një buzëqeshje
në Metropolitan, në Louvre,
në vaakum, në ndonjë dhomë gjumi,
kur s'ka asgjë kontraverse statusi im,
as kjo mrekulli e qetë, enigmatike,
që i kullufitë ëmbël të gjitha shikimet,
vallë paskan faj me miliona shpirtra
që tinëz ma thonë çdo ditë "you're sexy,
and you know it", pa le të tjerat,
mos ta shpalosë tani çdo sekret,
secilën befasi shpirtërore ndër shekuj.


- - - - - - - - - - - - - - - - - - - sign- - - - - - - - - - - - - - - - - - - - -
Në Vlonë më 15/28 të Vjeshtës së Tretë 1328/1912
Pas fjalëvet që tha z.Kryetari Ismail Kemal beu, me të cilat tregoi rrezikun e math në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me një za venduan që Shqipëria më sot të bahet në vehte, e lirë e mosvarme.

Kultet fetare serbe i prijnë çështjes kombëtare edhe nëse organet shtetërore devijojnë!




Nga Asllan Dibrani

Kohët e fundit debatet për Kosovën po vijnë gjithnjë duke ju afruar finales se kozmopolizmit të prodhuar dhe të mbjellur nga qarqet serbe, mbi mitet dhe historinë e rreme monopoliste dhe propaganduese , mbi Kosovën! Nxiten situatën me shekuj të derdhet gjaku i shqiptarëve për tokat e veta. Lind pyetja si e bindi ky popullin e vet në këtë mënyrë aq vandale dhe edhe të vdesin për tokën e huaj ? Nacionalizmi serb gjithnjë i ka ushqyer me propagandë antishqiptare popullin e vet, duke e pasur edhe rolin e kishës si zëdhënëse për( fe e komb )nga elementet kryesore të mitologjisë kombëtare serbe. Ky mit është i lidhur me idenë e “mbi Kosovën ” dhe perceptohet në përgjithësi në një fare programi qe edhe humbjet e veta i mitizojnë si rezultate, duke i shfrytëzuar edhe baticat e zbaticat negative a pozitive, vetëm e vetëm të jenë në shërbimin e popullit të vet, rast konkret është evident deri në vetëflijim për kombin e vet, po edhe me pretendime për te huajën. Rasti i Martinoviqit në Gjilan qe e futi shishen ne zorrën e trashë duke i akuzuar shqiptaret se e dhunuan, ku ekspertiza e ma vonshme e vërtetuan qe( ai ja futi vetvetes, vetëm ta mbroj interesin e kombit të vet ky rast ishte hiti i propagandës serbe disa vite kundër shqiptareve ? Historia evidenton edhe shumë raste tjera si në dhënien e gjitheçkafit për” atdhe e shtet”, deri në luftën e fundit qe shumë të ri serb, nga Serbia erdhën në luftën e Kosovës ta pushtojnë dhe ta glaberojnë siç vepruan me tokat tona nga Nishi e Leskovci me Sangjakun , çka do të thotë në pretekstin e mbrojtjes se Serbisë nga” terroristet shqiptar” ku edhe i lanë eshtrat në Kosovë për tokën e huaj me synim t’ja bashkojnë Serbisë , ndërsa shqiptaret bëhen vegël e huaj me i çliruar vendet e huaja deri sa veten e lënë nën okupimin e huaj siç ndodhe këto ditë me një grup mercenarësh shqiptar qe ne emër të sektit te tyre fetar vehabist u rreshtuan në krah të rebelëve në Siri, ku luftojnë për çlirim nga regjimi i presidentit Bashar al-Assad qe njeri me emrin Naman Demolli, u vra në front, merreni me mend deri ku kanë shkuar organizata ekstremiste shqiptaretë frymëzuara nga organizata famëkeqe ” Bashkohu” e organizuar nga vehabistet e Kosovës!

Pas bisedave Thaqi -Dadiq, Kisha serbe u shqetësua !?…

Vetvetiu prap shkon mendja tek kisha serbe me çka ,liberalizimi sado pak i zbutjes së tensionit nga organet shtetërore serbe pas bisedave Thaqi -Daqiq, Kisha serbe u shqetësua per se tepërmi !?… Ndërmjetësimi i BE-së sikur e egërsoj “Kishën Ortodokse” serbe ku i mblodhi te gjitha forcat e veta me i tregua edhe një here muskujt e saj karshi shtetit serb kundër Kosovës! Kisha serbe, ka kërkuar nga presidenti dhe kryeministri i Serbisë që të refuzojnë marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufijve me Kosovën dmth , nuk e pranojnë qe të ketë kufi. Propozojnë të jenë të lirë serbet në Republikën e Kosovës, “popull i dorës se parë”, pa kushtëzime , pa dogana , me privilegje të veçanta në Republikën e Kosovës se shpallur si shtet në vete, pa mundur ta menaxhojë atë pjesë të Kosovës nga gabimet edhe të lidershipit të pa disiplinuar në përfundimin e luftës së Kosovës .

UÇK-së të asaj kohe i hynë në hak dhe ja prishen dorëzat të gjithë manipulantet , abuzuesit folkloristët e petkut të uniformes së UÇK-se!

Këtu duhet të ndalem edhe tek forcat franceze qe kishin një miqësi me serbët historikisht. Forcat franceze i dhanë një elkrticitet dhe e fryen situatën me një grusht serb në Veriun e Mitrovicës qe dalëngadalë në propagandimin dhe ndërkombëtarizimin e tyre nacional arritën qe ta mundin lidershipin në Kosovën, në paqë me gënjeshtra .Pas luftës e humben kursin politik mbas kapitalit duke e harruar se në çlirimin i Kosovës nuk ishte kufiri në Mitrovicë, por atje ku ishte dhe ku duhet me qenë edhe sot. Po edhe UÇK-së se asaj kohe i hynë në hak dhe ja prishen dorëzat të gjithë manipulantet , abuzuesit folkloristët e petkut të uniformes së UÇK-se! Në emrin e saj bënë të gjitha të zezat dhe krimet e pa skrupullta me qellim përfitimi te kapitalit me dhunë e zjarre dhe qe një numër i madh i luftëtarëve të denjë sot sillen rrugëve pa veshmbathje ushqim e kushte .Çlirimtaret e vendit sot abonohen dhe keqpërdoren nga faktorët lokal, por edhe ata ndërkombëtar siç ndodhi rasti i Kleçkës i Fatmir Limajt dhe zotit Ramush Haradinaj qe me forcën e argumentit dhe intelektin e tyre mbrojtën luftën e lavdishme te UÇK-së .Por lind pyetja përse si zëra të vetmuar?

Kisha serbe duke mos u pajtuar qe të jenë Beogradi si palë humbëse dhe për ti zbutur djerset e Moskës për situatën në Kosovë kanë marre timonin e ndërlidhur (fe dhe komb)!

Pikërisht lirimi nga ndjekja e mëtutjeshme dhe lirimin nga akuzat për krime të luftës stafin politik të Beogradit e gjunjëzoj pran faktorëve ndërkombëtar ,por Kisha serbe duke mos u pajtuar qe të jenë Beogradi si palë humbëse dhe për ti zbutur djerset e Moskës për situatën në Kosovë kanë marrë timonin e ndërlidhur (fe dhe komb) duke u munduar qe ti lëshoj mesazhe dhe sugjerime nga krerët e kishës qe kanë prezantuar edhe planin tetë pikësh për zgjidhjen e problemit të Kosovës, i cili kërkon anulimin e kufijve dhe largimin e kampit amerikan Bondsteel në Kosove qe edhe ëndrrat e natës kur i shohin serbet lidhur me amerikanët dita e re ju shkon mbrapsht pa bereqet !

Në këtë dokument të tyre sipas revistës “Nedeljnik” kërkohet nga shteti “që mos të jetë pjesëmarrës në vetëvrasjen e Serbisë”.“Nga qeveria dhe parlamenti aktual serb presim që në vend të pranimit ‘të menaxhimit të integruar të kufijve’ të rishqyrtoi të gjitha marrëveshjet e qeverisë paraprake për ‘vendkalimet’ të cilat nuk janë ratifikuar në parlament”, thuhet në letrën e kishës drejtuar institucioneve serbe .Më tej kërkohet nga organet shtetërore që para bisedimeve të ardhshme – të kërkohet nga bashkësia ndërkombëtare garanci për kthimin e serbëve të zhvendosur, rindërtimin e shtëpive dhe miratimin e ligjit për restaurimin e pasurisë kishtare shoqërore në Kosovë a thua ku janë kultet fetare shqiptare për mbrojtjen e interesit të Kosovës . A thua ku janë historianet tanë qe nuk i mbrojnë kishat dhe objektet tona qe kanë një histori ma te gjatë se kur erdhën serbët si shërbëtor dhe cergash të agallarëve tanë dhe stërgjyshe tanë . Ato gurëthemele të atyre objekteve janë dhe ishin tonat, ndërtim i yni i mjeshtërve shqiptare qe i skaliten me mjeshtri. këtë temë sadopak e ka prekur Isuf Buxhovi qe rralle ka ndodh qe akademia serbe të reagoj, por kësaj here reaguan kundër Buxhovit .Lind pyetja se ku janë bajraktarët dhe Bashkësia Islame e Kosovës, qe me ndikimin e qarqeve te huaja e katandisen vendin ne sekte të rrezikshme antishqiptare.

Kisha serbe po e ndihmon shtetin e vet edhe në krizat ma të thella qe u përballë ndonjëherë shteti serb dhe politika e saj, ndërsa faktori islamik shqiptar dhe kutet tjera bashkë me disa politikaj kosovar të Kosovës kanë mbetur në debate për fenë në Kosovë!

Me qindra protesta organizuan duke u shkarravitur rrugëve të Kosovës, qe shpesh u skuqen me gjakun e djemve dhe vajzave ma të mira të Kosovës për ta çliruar atë nga okupatori serb . A thau ku janë ata mjekrosh qe nuk u përballen kurrë me kriminalitetin e Serbisë qe e zhvillon kundër Kosovës? Lind pyetja a nuk kemi na shtete qe ti paraprij Qeverisë e keqe e mire ajo qe është , ne interesin kombëtar. Një krahasim kronologjik Kisha serbe po e ndihmon shtetin e vet edhe në krizat ma të thella qe u përballë ndonjëherë shteti serb dhe politika e saj, ndërsa faktori islamik shqiptar i Kosovës dhe kultet tjera me disa politikaj kanë mbetur në debate për fenë në Kosovë, sidomos debatet aktuale me nofka anonime në portale shqiptare, ku gjuha e urrejtjes është shumë më e shpeshtë se argumentet racionale, ka shumë akuza, sharje, shpifje, kërcënime, anatema dhe mallkime të shpeshta që të dy taborët debutuese i përsërisin si ato krishtere po edhe ato islame .Ku është kisha shqiptare qe nuk elaboron interesin e çështjes kombëtare si ajo në Kosovës,në Shqipëri dhe në Amerikë?Ku janë e akademikët tanë qe shpesh bëhen folkloristë fryerje zjarri në përçarjen e shoqërisë shqiptare dhe nuk janë të zotë dy rreshta me i bërë kryq për Kosovën dhe atdheun tonë të shtrenjtë, në rrezik të zvogëlimit nga apetiti serbe !?…

Pupla e zogut




Nga Elisa Bruqi


 4   Pupla e zogut

Fëmijët dolën me nxitim. Ata friksoheshin sepse kishte merimanga, lakuriqa etj.  
“Xhek, çfarë ndodh nëse  nuk arrijmëtë përmbushim misionin? Nëse mami babi bëhen zbukurime të vdekura?” – tha Ejmi e friksuar duke qajtur.
“Ajo nuk do të ndodh kurrë” –tha Xheku i sigurtë. Ejmi u qetësua.
“Po bie… Po bie shi karamelesh!” -u çudit Rinesa. Xheku e Rinesa hanin karamele.  “Mjaft hëngrët!” –bërtiti Ejmi.  Ajo mendonte se nuk do të mundnin të gjejnë puplën e zogut.  Ata ecnin.
“Ra një pupël!” -u gëzua Rinesa.
“Por me ngjyrë portokalli”-përfundoi Xheku
Shumë pupla me shumë ngjyra,por as një nuk ishte e verdhë.
“Xhek, po më gërrvisht diçka këtu tek shpinda!”-tha Ejmi.
Xheku u afrua tek shpinda e Ejmit.
“Pupla, pupla, e gjeta”-tha Xheku i gëzuar.
“Të lumtë, të lumtë Xhek” –than Ejmi dhe Rinesa njëzëri!

Ata filluan të shkojnë tek shtëpia. Ata vraponin e vraponin. Ata mbërritën dhe ia dhanë puplën e zogut.
“Shumë fëmijë të shpejtë e të mençur! Shkoni tani dhe merrini të tjerat.”-tha shtriga.
“Por a mundemi vetëm pesë minuta pushim, të lutem!”-luti Ejmi.
“Vetëm pesë minuta?” –pyeti shtriga.
“Mjaaaaaaaaaaaaau!”-bërtiti macja nga dhembja.
“Ç’ke kështu, ç’ndodhi Klea?” –pyeti shtriga macen
“Ma zuri bishtin, ajo aty!” –upërgjigj Klea.
“Që zure bishtin Kleës do të gjeni një mi sa një pëllëmbë!”-tha shtriga.
“Por, por, por e bëra pa dashje! Më fal!” –tha Rinesa.
Përse ia zura bishtin, përse mendont ajo.
“Do ta gjej vetë miun!” –tha Rinesa.
“Edhe ne do të të ndihmojmë!” – thanë Xheku dhe Ejmi një zëri.
Rinesa ishte e lumtur që kishte bërë miq të mirë.


 Vazhdon.....






Shpata në gurë



Nga Elisa Bruqi



3   Shpata në gurë
“Sa natë e çuditëshme është nata e sotme!”-tha Xheku
“Çkemi fëmijë” u dëgjua një zë..
“Mjaft bëre shaka Xhek” -tha Ejmi.
“Hej unë nuk thash gjë” -tha Xheku.    
 “Mirë pra të besoj”-tha Ejmi.
“Kush foli pra?”-pyeti Rinesa
“Unë o fëmijë, këtu lart, në pemë.” -tha një buf.
“Tani edhe një buf që flet, kush do të flas tani toka?” -tha Xheku.
“Auq më vrave” -tha toka.
“Hahahahahahah” -filluan të qeshnin Ejmi dhe Rinesa. Xheku i shikoi dhe filloi të qesh edhe ai.  “Ku po shkoni tani ju të tre?”-pyeti bufi.
“Po shkojmë të marrim shpatën në shkëmb” -u përgjigj Ejmi.
“A jeni në vete?”-pyeti bufi përsëri.  
“Po,”-tha Xheku- “Përse?”
“ Atje ka fantazma që nëse i afrohesh gurit të mbysin”
 “Oh mos!” -u mërzit Rinesa.
 “Kam ide” -tha Xheku i  gëzuar.
“Na trego, na trego na trego” -thoshte Ejmi me zë të lartë dhe duke kërcyer lart . “Shshshshsh, mos bërtit”-pëshpëriti Rinesa.  Xheku filloi të shpjegonte: “Shikoni, marrim tre batanie…”
“Nuk është koha të flemë o Xhek!” -e ndërpreu Ejmi pak e zemëruar.
“Ti Ejmi nuk lë kurrë që ta perfundojmë fjalën!” -i bërtiti pak Xheku.
“Marrim bataniet dhe secili e merr një, e vendosim sipër dhe ne mund të dukemi si fantazma.”
“Ke të drejtë!” -thanë Rinesa dhe Ejmi një zëri. Ata morën bataniet dhe i vendosën mbi. Ata me batanie mbi e gjetën shpatën. Ata u munduan t’a nxirrnin nga guri, por
 nuk mundën. Aty pranë panë lakuriqin më të madh në botë. Xheku u gjuajt dhe ai për momentin ndodhej mbi lakuriqin më të madh në botë. Huti thirri “Fol me të, ai të kupton!.”
“Më ndihmo të marr shpatën!”-tha Xheku.
“Sigurisht”-i foli lakuriqi. Lakuriqie kapi shpatën me këmbë dhe e tërheqi. Ai e gjuajti dhe Rinesa me Ejmin e kapën së bashku. Lakuriqi u afrua afër tokës dhe Xheku ua kapi duart Ejmit dhe Rinesës. Ata filluan të shkojnë në shtëpinë e frikshme. Kur mbërritën ia dhan gjërat shtrigës.
 “Ju lumtë”-tha shtriga
“Meqë jeni kaq të zotët më gjeni edhe 3 gjëra ose e dini se çfarë ndodhë.”- vazhdoi ajo.
“Heej! Nuk mund ta bësh këtë!.”-tha Ejmi e zemëruar.
“Sigurisht që mundem moj çamarroke”   
Ju duhet të gjeni këto gjëra: puplën e zogut, kapelen e gjigandit mbi retë e zeza dhe guackën në formën e këtij kungulli budalla.”-tha shtriga.
“Budallaqe je vet moj shtrigë e keqe!”-tha kungulli.
Shtriga vetëm kthen kokën e zemëruar dhe kungulli thot i friksuar “Doja të thoja… ke të drejtë moj vajzë bukuroshe…”                                                          
“Mirë po shkojmë tani”- tha Rinesa.
“Rinesa” -tha shtriga- “Ti nuk ke prindër, motra ose vëllezër, pse po e bën këtë?”.
“Sepse unë dua të ndihmoj miqtë e mi të dashur” - përgjigjet Rinesa.  



Njeriu pa kokë




Nga Elisa Bruqi


2   Njeriu pa kokë


Fëmijët po ecnin. Rrugës kishte shumë lakuriqë por ata ishin shumë të vegjël. “Eja të pushojmë, pak kemi ecur 10 orë!” -tha Ejmi.
 “Epo kanë kaluar vetëm 10 minuta.” -tregoi Rinesa.
“Sa përtace je edhe ti Ejmi!” -tha Xheku  
“Aaaaaaa” -bërtiti Ejmi nga dhimbja dhe u rrëzua në tokë. Një merimangë e kafshoi në qafë. Ejmit iu morrën mendët. Ajo shihte 4 Xheka e 5 Rinesa.
 Rinesa shpejt mori disa gjethe shëruese. Ejmi u qetësua dhe filluan të ecnin përsëri. Ata duke ecur, e panë një kalë të bukur të bardhë si bora e sy të kuq si zjarri.
Ata u mahnitën nga bukuria e tij, por, kur u afruan ta përkëdhelnin e panë se një burrë është mbi të.
“Na fal zotëri por kali juaj na mahniti nga bukuria e tij dhe ne nuk mundëm të duronim pa e përkëdhelur.”-tha Ejmi duke shikuar kalin.
“Mendoj, mendoj se …. Mendoj se është njeriu pa kokë” -tha Rinesa.                “Vrapooooniiiii” -thirri Xheku. Ejmi u ngjit mbi kalë, por mbrapa njeriut pa kokë. Ajo mori kungullin dhe kërceu nga kali. Xheku i cili shkonte në
  gjimnastikë ia kapi dorën Rinesës dhe u kap
në një degë të një pemës. Ata bërtitën nga gëzimi. Ata shkuan tek shtriga dhe ia dhan kungullin.
“Më lëshoni more njerëz” -tha kungulli
“Uau” -u habitën të gjithë përveç shtrigës.
 “Hata fare” -tha Xheku
“Më lëshoni se edhe unë kam jetë!”-vazhdoi kungulli
“Epo qytetarët tanë thonë se ti nuk ke jetë.”-tha Ejmi
“Mos të  pyeta se ç’mendojnë të tjerët moj pirate”-ia ktheu kungulli.
“Ti qenke një kungull i keq”-tha Ejmi përsëri
“Mjaft biseduat ju fëmijë trazovaq”-tha shtriga “Ka të drejtë”-tha kungulli. “Edhe ti kungull, mbylle gojën”-tha shtriga e zemëruar-“Tani shkoni dhe ma bini shpatën”-vazhdoi ajo.
“Na duhet pushim o e ligë”-tha Rinesa
“A do të shkoni tani apo prindrit, motrat….” -tha shtriga dhe e ndërpreu Xheku “Shkojmë vajza.” Ata dolën nga shtëpia dhe filluan ta kërkojnë shpatën në gurë.









DIPLOMACIA SERBE DHE VENDET ISLAMIKE



Nga Xhelal Zejneli

xhelalzejneli@hotmail.com



1. Konferenca Islamike u themelua në Rabat më 25 shtator 1969. Ajo sot ka 57 anëtarë. Prej vitit 1992, anëtare e saj është edhe Shqipëria. Më 25.05.2009 u mbajt në Damask Sesioni i 33-të i ministrave të Punëve të Jashtme të Organizatës së Konferencës Islamike. Diplomacia shqiptare paraqiti një rezolutë me të cilën kërkohej njohja e pavarësisë së Kosovës. Këtë rezolutë, që në krye të herës, e mbështetën Turqia dhe Arabia Saudite. Në të vërtetë, rezoluta e sipërthënë ishte projekt i këtyre tre vendeve. Amendamente për modifikimin e saj paraqitën Egjipti, Siria, Azerbajxhani dhe Algjeria. Rezoluta u hodh në propozim nga Arabia Saudite. Ajo u miratua njëzëri nga të gjithë anëtarët e Konferencës Islamike. Miratimi i saj e hap rrugën e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga vendet islamike. Ishte kjo një fitore e madhe e diplomacisë shqiptare dhe dështim i plotë i asaj serbe.


Diplomacia serbe vepron me të madhe në vendet e botës së tretë. Kjo e ashtuquajtur botë e tretë, gjeografikisht shtrihet në Azi, në Afrikë dhe në Amerikën Latine. Këto vende dikur quheshin edhe si vende në zhvillim. Këto shprehje përdoreshin dendur në kohën e luftës së ftohtë ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. Gati të gjitha vendet e botës së tretë kanë qenë anëtare të organizmit, të njohur me emrin Mosinkuadrim, apo Lëvizje e vendeve të paangazhuara. Shtetet udhëheqëse të Lëvizjes së vendeve të paangazhuara thonin se ky organizëm, në botën të ndarë në blloqe politiko-ushtarake, s’është as me NATO-n, e as me Traktatin e Varshavës. Në të vërtetë, gati të gjitha këto vende të paangazhuara apo të painkuadruara, ishin nën ndikimin - qoftë të BRSS-së, qoftë të SHBA-së. Serbia e sotme, para vendeve të botës së tretë hiqet si trashëgimtare e Jugosllavisë së Titos, i cili konsiderohej si një nga themeluesit e lëvizjes së vendeve të paangazhuara.


Më 1955, në Bandung të Indonezisë, me nismën e Birmanisë, të Sri-Lankës (atëherë Cejlon), të Indisë, të Indonezisë dhe të Pakistanit, u mbajt Konferenca e Bandungut. Në të morën pjesë edhe 24 vende të tjera të Azisë dhe të Afrikës. Midis tyre Egjipti, Kina etj. Ky faktor i ri i arenës ndërkombëtare, d.m.th. bota e tretë, u paraqit kundër bipolarizimit të bashkësisë ndërkombëtare. Në të u përcaktuan parimet e politikës ndërkombëtare të vendeve të botës së tretë. Të njëjtat parime do t’i përvetësojë më vonë edhe Lëvizja e vendeve të paangazhuara. Josip Broz Tito-ja dhe Jugosllavia e tij, në asnjë pikëpamje nuk ishin pjesë e kësaj konference. Në kohën kur u mbajt Konferenca e Bandungut (1955), Josip Broz Tito-ja ende s’ishte në atë vijë. Për më tepër, pikërisht atë vit (maj 1955) erdhi për vizitë në Jugosllavi Nikita S. Hrushçovi.


Në vitet 1954, 1955 dhe 1956 Josip Broz Tito-ja i vizitoi vendet e Azisë dhe të Afrikës. Ai dhe liderët e Indisë, të Birmanisë, të Egjiptit dhe të Etiopisë i formuluan parimet themelore të Mosikuadrimit: bashkë-ekzistenca paqësore vepruese, ruajtja e paqes në botë, kundërshtimi i ndarjes së botës në blloqe etj. Më 1956, në ishujt Brioni të Adriatikut u mbajt takimi shumëpalësh midis Josip Broz Titos, kryetarit të Egjiptit – Naserit dhe kryetarit të Indisë – Nehrus. Ky takim synonte themelimin e Lëvizjes së vendeve të paangazhuara. Takimi i dytë shumëpalësh u mbajt në Nju-Jork, në vitin 1960, gjatë Sesionit XV të Asamblesë së përgjithshme të OKB-së. Në të morën pjesë ata që do të quhen udhëheqës të vendeve të paangazhuara: Titoja, Naseri, Nehru, presidenti i Ganës – Kvame Nkruma (1909-1972) dhe presidenti i Indonezisë – Ahmed Sukarno (1901-1970), i cili prej vitit 1948 qeverisi në mënyrë diktatoriale duke synuar të bëhej udhëheqës i Azisë Juglindore. Pesëshi i sipërthënë pretendonte se detanti që pasoi pas dhjetë vitesh (më 1970) ndërmjet fuqive të mëdha, ishte edhe meritë e tyre. Më 1961 u mbaj në Beograd Konferenca e parë e shefave të shteteve dhe të qeverive të vendeve të paangazhuara. Ky takim zgjati gjashtë ditë. Kësaj konference i priu mbledhja përgatitore e mbajtur në Kajro. Në Beograd u tubuan liderë të 25 vendeve të Azisë, të Afrikës dhe të Amerikës Latine. Nga kjo konferencë i dërguan letër Xhon Kenedit dhe Nikita Hrushçovit. Më 1964 u mbajt në Kajro Konferenca e dytë e vendeve të paangazhuara, në të cilën morën pjesë 47 vende anëtare. Më vonë pasojnë edhe takimet e tjera: në Beograd (1969), në Lusakë (Zambi, 1970), në Xhorxhtaun (Guajanë të Amerikës Latine, 1972), në Algjer (1973), në Kolombo (Sri-Lankë, 1976) etj.


2. Sipas Josip Broz Titos, Lëvizja e vendeve të paangazhuara udhëhiqej nga trekëndëshi Beograd-Kajro-Nju-Delhi (Tito-Naser-Nehru). Pas vdekjes së Nehrus atë e zëvendësoi e bija Indira Ghandi, e cila, derisa ishte në krye të Indisë, zhvilloi marrëdhënie të ngushta me Jugosllavinë e Titos. Por, në krye të kësaj piramide, Titoja e kishte vendosur veten. Jugosllavët kishin dëshirë të madhe që si themelues të lëvizjes së vendeve të paangazhuara ta proklamonin Titon. Asnjë lider i botës së tretë nuk pretendonte për liderizëm në këtë lëvizje. Liderizmi i kësaj lëvizjeje ishte preokupim vetëm i Titos, ndaj ai hiqej si prijës i lëvizjes dhe si themelues i saj. Duhet thënë se kjo e ashtuquajtur lëvizje, në arenën ndërkombëtare nuk ka luajtur kurrfarë roli të rëndësishëm. Shumë nga këto vende, të cilat gjoja angazhoheshin për një botë pa luftë, vite me radhë kanë luftuar kundër njëra-tjetrës. Ndikimi i BRSS-së mbi një pjesë të konsiderueshme të botës së tretë ka qenë permanent. Politika e ekuidistancës ndaj Lindjes dhe Perëndimit që proklamonte kjo lëvizje, nuk ishte veçse mashtrim.


3. Diplomacia serbe ka kohë që në planin diplomatik lufton kundër Kosovës - në shumë vende të Azisë, të Afrikës dhe të Amerikës Latine. Beogradi para këtyre vendeve manipulon me emrin e Titos, me prestigjin e Jugosllavisë së dikurshme dhe flet në emër të Mosinkuadrimit. Titoja dhe Jugosllavia, në periudhën e viteve 1954-1980 kanë qenë mjaft të afirmuar në vendet e botës së tretë. Ai s’ka lënë vend të botës së tretë pa e vizituar. Vizita e tij në Afrikë në vitin 1960, me anijen Galeb, të shoqëruar edhe nga katër anije të tjera dhe dy mjete ajrore në qiell - zgjati 72 ditë. Titoja në këtë udhëtim shoqërohej nga Llazar Kolishevski, nga babai i nacionalizmit serb – Dobrica Qosiqi etj. Në vitet ’60 (të shekullit XX) diplomacia jugosllave në botën e tretë arriti kulmin e suksesit të vet. Titoja e bëri deprovincializimin e politikës jugosllave. Ai pretendonte të bëhej njëfarë simboli i emancipimit dhe i identifikimit të vendeve të botës së tretë. Duke qenë udhëheqës i një vendi evropian, mendonte se autoriteti i tij në vendet e botës së tretë, është i padiskutueshëm.


Diplomacia serbe, kur është fjala për Kosovën, është mjaft e gjallë dhe influente, pikërisht në Egjipt dhe në Indi, si dy vende me ndikim të theksuar në rajonet e tyre. Këto dy vende, në kohën e Naserit dhe të Nehrus (më vonë edhe të së bijës Indira Gandit) kishin marrëdhënie të veçanta me Titon dhe me Jugosllavinë e tij. Sipas Beogradit, të mbështetësh Serbinë do të thotë të respektosh figurën e Titos. Të përkrahësh Serbinë, do të thotë të nderosh Jugosllavinë e dikurshme. Të jesh me Beogradin, do të thotë të respektosh një qendër politike që ka qenë themeluese e Lëvizjes së vendeve të paangazhuara. Me fjalë të tjera, Serbia e provincializuar, në shumë vende të botës së tretë tenton të manipulojë me figurën e Titos, me autoritetin që ka gëzuar dikur Jugosllavia e tij si dhe me lëvizjen e Mosinkuadrimit.


Shumë vende afrikane, aziatike dhe hispano-amerikane Titon e konsideronin si një prej prijësve të botës së tretë. Jugosllavinë ndërkaq, si një prej vendeve kryesore të saj. Legjenda thotë: “Në shumë vende të botës së tretë, mjafton të përmendje fjalët Tito e Jugosllavi dhe të gjitha rrugët do t’i kesh të hapura”. Serbia sot, para vendeve afro-aziatike dhe latino-amerikane hiqet se është vend i Titos, dikur aq të adhuruar prej tyre. Serbia sot, para vendeve të sipërthëna, hiqet si trashëgimtare e Jugosllavisë së Titos.


Shumë vende arabe i takonin botës së tretë. Gati të gjitha këto vende ishin anëtare të Lëvizjes së vendeve të paangazhuara. Titoja me botën arabe kishte marrëdhënie tejet të mira. Gati çdo ditë, aeroplanët fluturonin prej Beogradi për në kryeqytetet e vendeve arabe dhe anasjelltas. Sipas ministrit serb të Punëve të Jashtme Vuk Jeremiqit, mosmbështetja e Serbisë nga vendet arabe, nga vendet e botës së tretë apo nga vendet e paangazhuara do të thoshte mosrespektim të personalitetit të Titos dhe të Jugosllavisë së tij të dikurshme.


4. Bota e tretë, bota arabe, vendet islamike apo vendet që dikur ishin anëtare të Lëvizjes së vendeve të paangazhuara duhet ta dinë se Serbia e sotme s’ka kurrfarë lidhjeje as me Titon, as me Jugosllavinë e tij. Duhet ta dinë se Serbia e sotme s’ka kurrfarë lidhjeje as me botën arabe, as me botën islamike, as me Lëvizjen e vendeve të paangazhuara. Duhet ta dinë se Serbia ka lidhje vetëm me një shtet të vetëm të planetit – Rusinë bolshevike, hegjemoniste, ekspansioniste, sllavo-ortodokse dhe bizantine. Vendet arabe, islamike që aq shumë e nderonin Titon, duhet ta dinë se ishin pikërisht serbët ata që e shtrembëruan vijën e tij, me Memorandumin e ASSHA (SANU), që doli në Beograd si një libër anonim në janar të vitit 1986. Një prej hartuesve të këtij projekti që u quajt nekrolog i Jugosllavisë, ishte edhe akademiku serb Lubomir Tadiq, babai i kryetarit të përtashëm të Serbisë – Boris Tadiqit. Duhet shtuar edhe faktin se akademiku L. Tadiq është mik i ngushtë i Dobrica Qosiqit, këtij akademiku me shkollë të mesme bujqësore, i mbiquajtur baba i kombit serb. Ky baba i kombit është njëheri edhe përkufizuesi, formuluesi dhe artikuluesi bashkëkohor i të ashtuquajturës çështje kombëtare serbe - kësaj murtaje të zezë të Ballkanit. Vendet arabe, islamike që aq shumë e nderonin figurën e Titos, duhet ta dinë se ishin pikërisht serbët ata që deshën ta zhvarrosnin kufomën e tij, për t’ua hedhur kroatëve në Kumrovec. Ishin pikërisht serbët – ata që e shkatërruan Jugosllavinë e Titos, duke i suprimuar autonomitë e dy krahinave, të cilat ishin pjesë ndërtuese të federatës jugosllave. Ishin serbët që e suprimuan – me populizëm dhe me dhunë – Kushtetutën e vitit 1974, të miratuar nga Titoja. Bota arabe duhet ta dijë se ishin serbët ata që i shpallën luftë Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës e Hercegovinës dhe Kosovës. Si rrjedhojë e këtyre katër luftërave të përgjakshme, të shkaktuara prej serbëve - u shpërbë Jugosllavia e AVNOJ-it, d.m.th. e Titos. Bota arabe dhe islamike duhet ta dinë se ishin serbët dhe Beogradi ata që vranë në Bosnjë dhe Hercegovinë 100 mijë deri 200 mijë myslimanë (numrin e saktë e dinë vetëm viktimat, përkatësisht të afërmit e tyre). Bota arabe dhe islamike si dhe të gjitha vendet e botës së tretë në Azi, në Afrikë dhe në Amerikën Latine, e dinë mirë se ishin pikërisht serbët dhe Beogradi ata që vranë në Srebrenicë rreth 8000 myslimanë. Krejt bota e di se tragjedia e Bosnjës dhe Hercegovinës, e shkaktuar prej serbëve, është gjakderdhja më e madhe në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore.


Bota arabe dhe islamike duhet ta dinë se, në rastin e Kosovës, të jesh në anën e Beogradit, do të thotë të jesh me kryerësit e krimit dhe të gjenocidit ndaj popullsisë myslimane në Bosnjë dhe Hercegovinë si dhe ndaj shqiptarëve në Kosovë.


Beogradi, ndër vendet arabe, islamike e paraqet Kosovën si kreaturë amerikane. Por, vende të caktuar arabe, që janë në mosmarrëveshje me Uashingtonin, e që janë në raporte të mira me rusët, duhet ta dinë se po të mos ishte SHBA-ja, Serbia e Milosheviqit, e Koshtunicës, e Tadiqit dhe e Sheshelit do t’i shfaroste myslimanët në BH dhe shqiptarët në Kosovë.


Tani, pas miratimit të Rezolutës për Kosovën në Damask nga vendet e Konferencës Islamike, diplomacia e Prishtinës dhe ajo e Tiranës duhet t’i intensifikojnë veprimet e veta para vendeve të botës islamike, jo vetëm për ta njohur sa më parë pavarësinë e Kosovës, por edhe për ta denigruar e stigmatizuar deri në fund politikën e provincializuar dhe të djallëzuar të Serbisë që e injoron realitetin e Bosnjës e Hercegovinës dhe atë të Kosovës.

Çështja shqiptare në Ballkan nuk është çështje fetare, por kombëtare


Nga Xhelal Zejneli


Ministria e Punëve të Brendshme e Qeverisë së Maqedonisë, për vrasjen e pesë maqedonasve i fajësoi “islamistët radikalë” – shqiptarë.
Me këtë konstatim, kryeministri maqedonas – Nikolla Gruevski dhe VMRO-ja e tij, duan t’i tregojnë botës se:
- çështja shqiptare në Maqedoni, nuk është çështje kombëtare, por fetare;
- shqiptarët janë përçues të interesit lindor – turk, iranian dhe arab;
- shqiptarët i sjellin në gadishull dhe në Europën e krishterë vlerat islamike.
Ky është thelbi i deklaratës së sipërthënë të qeveritarëve të qeverisë maqedonase.
Se çështja shqiptare në Maqedoni dhe në rajon, nuk është kauzë kombëtare, por fetare, Gruevski dhe VMRO-ja “e argumentojnë” para botës, me si më poshtë:
- Shqiptarët kudo që janë, nuk kërkojnë gjuhë dhe flamur, por ndërtim xhamish nëpër sheshet e kryeqyteteve shqiptare;
- Shqiptarët kërkojnë që mësimi fetar të jetë lëndë nëpër shkollat fillore dhe të mesme të hapësirave shqiptare në rajon, përkundër faktit se, kudo në këto troje funksionojnë shkollat fetare dhe medresetë;
- Ka shqiptarë të cilët kërkojnë që vajzave shqiptare t’u lejohet që nëpër shkolla si dhe gjatë orëve të mësimit, të mbajnë në kokë shami dhe të vishen si në Arabi dhe në Persi;
- Ka shqiptar qët thonë se Skënderbeu nuk është hero kombëtar i shqiptarëve ngase ka luftuar kundër turqve dhe për Evropën Perëndimore;
- Ka shqiptarë që thonë se Skënderbeu, duke luftuar kundër turqve, është e vetëkuptueshme se ka luftuar edhe kundër fesë islame; Duke luftuar kundër islamit, është e vetëkuptueshme se ai ka luftuar për krishterimin;
- Ka klerikë islamikë që thonë se Nënë Tereza nuk mund të hyjë në parajsë, ngase s’ka qenë myslimane;
- Ka shqiptarë që nuk kanë dashur të lejojnë vendosjen e shtatores së Nënë Terezës në sheshet e qyteteve të caktuara, siç janë Shkodra, Peja…
- Ka shqiptarë që për nga imazhi nuk dallohen fort prej fundamentalistëve islamikë; mbajnë mjekra të gjata, vishen si në Arabi, në Iran, në Pakistan, në Indonezi;
- Veshja e një numri të caktuar shqiptarësh dëshmon se shoqëria shqiptare funksionon me vlera aziatike, d.m.th. joevropiane dhe joperëndimore;
- Prej niveleve të larta të politikës shqiptare dalin deklarata se shqiptarët janë vëllezër me turqit aziatikë;
- Ka shqiptarë që organizojnë në Shkup protestë anti-izraelite;
- Ka shqiptarë që kanë vrarë ushtarë amerikanë;
- Ka shqiptarë që kanë qenë të përfshirë në rrjetin e terrorizmit global;
- Ka shqiptarë që në kuadër të radikalizmit islamik kanë qenë pjesë e planeve për të sulmuar kazerma dhe garnizone ushtarake në SHBA;
- Ka shqiptarë që nuk e kanë kundërshtuar në mënyrë të prerë kërkesën e Ankarasë për rishqyrtimin e periudhës osmane të historisë së popullit shqiptar;
- Qendrat politike shqiptare – Tirana dhe Prishtina, nuk kanë qëndrim të prerë ndaj dukurive të sipërthëna. Përkundrazi, para veprimeve të lartpërmendura i mbyllin sytë;
- Inteligjencia shqiptare në Ballkan, akademikët, profesorët universitarë, ideologët e mendimit politik bashkëkohor shqiptar, para veprimeve të mësipërme rinë indiferentë;
- Ka shqiptarë, madje me përgatitje universitare, të cilët në mediume dhe në vende publike, deklarohen haptas si antiamerikanë dhe si antiperëndimorë;
Kështu thonë për shqiptarët kryeministri i qeverisë maqedonase Gruevski si dhe partia e tij – VMRO-ja.
Kjo politikë e Gruevskit është pjesë e pandarë e politikës – historikisht antishqiptare – të Beogradit, të Athinës dhe të Moskës.
Diplomacitë serbe, greke dhe ruse, që nga koha e Kongresit të Berlinit (1878) e deri në ditët tona, janë përpjekur që në kancelaritë evropiane t’i paraqesin shqiptarët si pro-turq. Në mënyrë tendencioze, ata i kanë paraqitur shqiptarët edhe si pro-islamikë. Kështu kanë vepruar edhe në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1912-1913), edhe në Konferencën e Paqes në Paris (1919-1920), edhe në Konferencën e Rambujesë (1999).
Duhet thënë se në shoqërinë shqiptare mbase mund të ketë individë dhe grupe pro-turke, pro-arabe dhe pro-iraniane, mirëpo këto grupe nuk janë veçse segmente të vogla të shoqërisë shqiptare. Ndaj, populli shqiptar nuk mund të identifikohet me ta, siç pretendojnë qendrat antishqiptare – Beogradi, Athina, Gruevski dhe Moska.
Thelbi i politikës djallëzore të boshtit antishqiptar sllavo-bizantin të sipërthënë është që popullin shqiptar në Ballkan, që ka orientin pro-amerikan, përkatësisht properëndimor, ta identifikojnë me grupet shqiptare pro-turke, pro-arabe, pro-iraniane dhe “pro-islamike”. Është interes jetik i Beogradit, i Athinës, i Gruevskit dhe i Moskës që grupet e sipërthëna shqiptare – me orientim pro-turk, pro-arab, pro-iranian, aziatik, antiamerikan (atniperëndimor) dhe anti-hebraik – të shtrihen sa më shumë dhe ta shtojnë ndikimin ndër shqiptarë, në mënyrë që çështja shqiptare në Ballkan të humbë dimensionin kombëtar dhe të marrë përmasë fetare.
Protestat e grupeve shqiptare, me flamuj joshqiptarë, Beogradi, Athina, Gruevski dhe Moska nuk do t’i ndalojnë kurrë. Përkundrazi, do t’i mbështesin dhe do t’i nxisin. Kërko xhami sa të duash, vetëm mos bëj politikë kombëtare. Mos kërko zhvillim ekonomik dhe universitete, se ato krijojnë popull shtet-formues dhe shtet kombëtar.
Në kohën e Mbretërisë Jugosllave, Beogradi nuk e njihte ekzistimin e kombësisë shqiptare. Pushteti serb shqiptarët i emërtonte si mysliman. Po kështu edhe boshnjakët e fesë islame. Nga kjo del se serbëve nuk u ka penguar feja islame e shqiptarëve. Ajo që u ka penguar serbëve, grekëve dhe rusëve është kombësia e shqiptarëve dhe jo feja islame e tyre. Mund të quhesh mysliman sa herë të duash dhe kur të duash, por jo edhe shqiptar.
Në Mbretërinë Jugosllave shqiptarët nuk kishin të drejtë shkollimi në gjuhën amtare. Mirëpo, pushtetarët serbë nuk ua ndalonin shqiptarëve shkollimin në medresenë e Shkupit në gjuhën turke, arabe dhe serbe. Shkollohu në frymën fetare sa të duash por, jo edhe në frymën e rilindësve kombëtarë. Përse?! Kështu sepse feja islame e shqiptarëve kurrë s’u ka penguar serbëve, grekëve dhe rusëve. Sot – edhe sllavo-maqedonasve. Ajo që u pengon sllavo-bizantinëve është politika kombëtare e shqiptarëve me orientim perëndimor.
Rajone të caktuara shqiptare janë nën ndikimin e qendrave të huaja, mbase edhe për shkaqe ekonomike. Shqiptarët duhet të ndërtojnë strategji kombëtare që do të nënkuptonte:
- zhvillimin ekonomik të zonave jo mjaft të zhvilluara; dhe
- arsimimin e të rinjve të atyre zonave.
Ka edhe të tillë që e politizojnë fenë. Ata që fenë e shndërrojnë në ideologji dhe e politizojnë atë, nuk janë besimtarë të vërtetë. Besimi në Zot nuk është politikë dhe ideologji.
Beogradi, Athina, Shkupi dhe Moska ka kohë që nuk lodhen për t’i denigruar shqiptarët si pro-turq, pro-arabë, pro-iranianë, pro-aziatikë, antiamerikanë apo antiperëndimorë. Këtë tanimë e bëjnë me devotshmëri – vetë shqiptarët.
Nëse çështjen e Mitrovicës veriore nuk arrijnë ta zgjidhin Uashingtoni dhe Berlini, a thua vallë do të mundë ta zgjidhin individë dhe grupe shqiptare që e shajnë Amerikën?! Miqtë perëndimorë të shqiptarëve nuk befasohen aq me ato segmente të shoqërisë shqiptare që mbajnë flamuj jokombëtarë, aq sa habiten me qëndrimin oportunist, konformist dhe indiferent ndaj tyre – të faktorit politik dhe të inteligjencies shqiptare në Tiranë, në Prishtinë dhe në Maqedoni.
Çështja shqiptare në Ballkan s’është as ideologjike, as fetare, por është kombëtare dhe politike. Kauza shqiptare në Ballkan është çështje territoriale. Është çështje e popullit të ndarë, të rindarë dhe të shtypur. Dhe kjo çështje e dhimbshme nuk zgjidhet me ato segmente të shoqërisë shqiptare që për vëlla e konsiderojnë turkun, arabin, iranianin, pakistanezin dhe indonezianin. Çështja shqiptare nuk zgjidhet prej atyre që nuk janë të vetëdijshëm se gjuha, historia dhe prejardhja e përbashkët janë faktorët që e bashkojnë një popull. Shqiptarët i bashkon dhe tragjizmi i përbashkët. Shqiptarët kanë prejardhje evropiane dhe jo turke, arabe, iraniane apo aziatike.
Si çështje fetare, kauza shqiptare në gadishull do të privohej nga mbështetja e qendrave politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtonit dhe Brukselit.
Shqiptarët do të humbnin rastin historik të papërsëritshëm të zgjidhjes reale të kauzës së tyre kombëtare. Si gjithmonë në të shkuarën, shqiptarët do të shënonin edhe një ngecje historike, tanimë me pasoja akoma më dramatike. Do të zhyteshin sërish nën robërinë shekullore sllavo-bizantine. Për tragjedinë që do të pësonin, do të fajësonin jo vetveten, por fuqitë e mëdha të kontinentit të vjetër, njashtu siç i fajësojnë për Londrën e 1912-ës. Shqiptarët s’duhet të lejojnë që t’i ndjekë mallkimi historik. Nuk duhet të jenë i vetmi popull i rruzullit që punon kundër vetvetes.
Shqiptarët dhe SHBA-ja – Shqiptarët nuk duhet të harrojnë se:
- Presidenti amerikan Vudro Uilson, në Parisin e 1919-ës i mbrojti prej synimeve grabitqare serbe, greke dhe ruse;
- Presidenti Klinton, i bombardoi forcat kolonialiste serbe në Kosovë dhe bashkë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e çliroi Kosovën;
- Presidenti Xhorxh Bush e paralajmëroi Beogradin se në Kosovë është një vijë e kuqe të cilën Serbia nuk do të duhet ta kalojë;
- Presidenti Xhorxh W. Bush, me rastin e vizitës në Arbëri, e paralajmëroi shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe e pranoi Shqipërinë në NATO;
- Lufta e 2001-shit në Maqedoni, pa mbështetjen e Uashingtonit, s’do të mund të përfundonte me sukses;
- Ekspertët amerikanë dhanë ndihmesën e tyre në hartimin e projektit të Marrëveshjes së Ohrit;
- Pa amerikanët dhe gjermanët, Mitrovica Veriore vështirë mund të vihet nën sovranitetin e Prishtinës;
- Pa amerikanët, gjendja e shqiptarëve të Kosovës Lindore (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë), si dhe e shqiptarëve në Mal të Zi mund të bëhet akoma më e vështirë;
- Uashingtoni mund të ndihmojë edhe në zgjidhjen e çështjes çame;
- Bashkimi kombëtar i shqiptarëve as që mund të paramendohet pa amerikanët.
Pa amerikanët, d.m.th. pa perëndimorët kauza shqiptare në Gadishullin Ilirik merr fund.
Qëllimi kryesor dhe i vetëm i Beogradit, i Athinës, i Gruevskit dhe i Moskës është që ndërmjet shqiptarëve, në një anë dhe SHBA-së, përaktësisht Perëndimit, në anën tjetër, të ftohen marrëdhëniet dhe të lindë mosbesimi.
Qëllim i boshtit sllavo-bizantin është edhe prishja e marrëdhënieve midis popullit shqiptar dhe popullit hebraik. Përse?! Për arsye se SHBA-ja dhe Izraeli kanë lidhje të ngushta. Sipas legjendës, bashkësia hebraike në Amerikë ushtron ndikim të theksuar në politikën amerikane. Thuhet po ashtu se hebrenjtë ushtrojnë kontroll edhe mbi institucionet monetare dhe financiare në botë. Shqiptarët nuk duhet të lejojnë që miqësia shqiptaro-izraelite të vihet në dyshim. Këtë mbase s’do ta dëshironin as hebrenjtë. Ata e dinë mirë se shqiptarët janë i vetmi popull i planetit i cili Gestapos gjermane nuk ia dorëzoi as edhe një çifut të vetëm. Shqiptari, në përputhje me kodin etik kombëtar – besën, më parë pranonte të vritej prej gjermanëve, sesa të tregonte vendin ku ishte fshehur një familje hebraike.
Shqiptarët duan që ndërmjet palestinezëve dhe izraelitëve të arrihet një marrëveshje historike, në mënyrë që dy shtete sovrane dhe demokratike të jetojnë në paqe pranë njëri-tjetrit.
Ndërhyrja e falangës së Gruevskit – Askund në botë nuk është parë që, për zënien e tre të dyshuarve, të angazhohen 800 policë të armatosur deri në dhëmbë dhe të shoqëruar me qenë. Një potencial i tillë militar mund të mbajë një front lufte dhe jo të shkelë në orët e pasmesnatës shtëpitë e lagjeve periferike të Shkupit, që të përkujtojnë romanet natyraliste të Emil Zolës. Ky veprim barbar i qeverisë së Gruevskit paraqet terror shtetëror dhe është në kundërshti me konventat ndërkombëtare. Faktori ndërkombëtar duhet të pushojë së ledhatuari Maqedoninë. Ndërhyrja e kësaj falange në dhomat e gjumit të shqiptarëve e komprometon me të madhe edhe faktorin ndërkombëtar. Vetë fakti se kjo milici speciale nuk hasi në kurrfarë rezistence, dëshmon qartë se janë bastisur shtëpi qytetarësh të pafajshëm.
Një ditë para se të mbahen zgjedhjet në Serbi, ministri serb i Punëve të Brendshme – Ivica Daçiq, që t’i rritet rejtingu ditën e zgjedhjeve, urdhëroi burgosjen e pesë shqiptarëve të Preshevës. Dhe ia doli. Korri rezultat më të mirë se ç’priste.
Faktori ndërkombëtar duhet t’i parandalojë sllavo-bizantinët që të eksperimentojnë me jetën e shqiptarëve të pafajshëm.
Shqiptarët dhe mësimi i historisë – Shqiptarët duhet t’i kushtojnë rëndësi më të madhe historisë kombëtare. Historia e shkruar në frymën e ideologjisë komuniste, ku miqtë tanë historikë paraqiten si armiq, duhet të rishqyrtohet. Brezat e sotëm dhe ata që do të pasojnë, duhet ta dinë nga tekstet e historisë se kë patëm miq dhe kë armiq. Cilët ishin ata që na ndihmuan për ta krijuar një gjysmë Shqipërie dhe kush ishin ata që e shkaktuan copëtimin e saj.
Trojet shqiptare në gadishull, që nga Kriza a dytrë lindore (1877) e këndej, u copëtuan në gjashtë pjesë: Shqipëria, Kosova, Kosova lindore (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë), Maqedonia veri-perëndimore, viset shqiptare në Mal të Zi dhe Çamëria. Pjesë e kombit shqiptar është edhe diaspora shqiptare – në Evropë, në SHBA dhe gjetkë.
Shqiptarët e dinë se miq historikë të tyre kanë qenë dhe janë: SHBA-ja, Gjermania, Vjena, Roma, Londra, Kroacia. Shqiptarët i janë mirënjohës ish-presidentit francez – Sarkozisë. Armiq historikë të shqiptarëve kanë qenë dhe janë: Beogradi, Athina dhe Moska. Në vitet 1981-1990 u intensifikua veprimtaria antishqiptare e boshtit të së keqes Titograd-Boegrad-Shkup.
Zvarritja e zgjidhjes së problemeve në hapësirat shqiptare në rajon dhe riciklimi i tyre i vazhdueshëm dëshmon se perëndimorët janë të zhgënjyer me politikanët dhe me inteligjencien shqiptare.
Edhe një vonim në histori do të jetë i papërballueshëm për shqiptarët.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...