Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/01/24

Ata quhen “Luftëtarët e heshtur”. S’kanë emër, s’kanë fytyrë, s’kanë identitet pikërisht pse mbajnë shumë emra, shumë look-e, shumë pasaporta...

nga Dorina Topollaj dhe Armand Jonuzi


Ata quhen “Luftëtarët e heshtur”. S’kanë emër, s’kanë fytyrë, s’kanë identitet pikërisht pse mbajnë shumë emra, shumë look-e, shumë pasaporta. Secili prej tyre është një hero, nën lëkurën e një njeriu të zakonshëm me miq, familje, virtyte e huqe. “Tirana Observer” do të zbulojë disa nga ata, që nga heshtja i kanë nxjerrë kujtimet e kolegëve të tyre. Agjentë shqiptarë që kanë punuar për shtetin shqiptar, por dhe për shtete të huaja. Ata që kanë punuar me nder, e ata që kanë lënë pas punës së tyre turp. Në këtë suplement do të vijnë historitë e 50 prej tyre, të rrëfyera në media e libra nga ish-agjentë të Shërbimit si Mark Dodani e Bekim Budo, por dhe nëpërmjet kujtimeve të ish-kreut të Komisionit të Verifikimit të Figurave, Nafiz Bezhani. Kush ishte “Ciceroni” i famshëm, shqiptari me emër Iliaz Bazna, i lindur në vitin 1904, i cili punonte për llogari të shërbimeve sekrete gjermane dhe angleze. Kush ishte “Kobra”, një nga agjentët më profesionistë të Sigurimit të Shtetit, por njëkohësisht dhe të CIA-s. I stërvitur me profesorë të KGB-së, në Akademinë e Moskës, si dhe i trajnuar me rezultate të shkëlqyeshme për dy vjet nga CIA, “Kobra” arriti t’u shërbente të dyja këtyre shërbimeve me besnikëri. Kush ishte Hamit Matjani, agjenti shqiptar i CIA-s që përgëzoi aftësinë e Sigurimit të Shtetit që e futi në kurth. Nëpërmjet rrëfimeve vijnë historitë e Asim Alikos, Mehmet Shehut, Pal Melyshit, Hekuran Pobratit, Kadri Hazbiut e të tjerë. Misionet dhe jeta e “Gavetës së vjetër”, “Gjeneralit”, “Diellit”, “Dragoit”, “Gramafonit”. Si rekrutoheshin agjentët shqiptarë, shantazhet dhe devotshmëria. Paradokset dhe lojërat agjenturore, profesionalizmi dhe sakrificat. Rreziqet dhe vështirësitë, si dhe ndërhyrjet nga shërbimet e huaja si CIA amerikane, UDB-ja jugosllave, MI-6 britanik, SIM-i italian etj.
Rrënjët e spiunazhit shqiptar zënë fill që në kohën e Pashait të Janinës. Ai krijoi një rrjet shumë të mirë informatorësh dhe agjentësh, të cilët ish-kreu i Shërbimit Informativ në vitet ‘91, Irakli Koçollari, i ka quajtur “Policia sekrete e Ali Pashës”. Ndërkohë ligjërisht, krijimi i këtij shërbimi në Shqipëri daton që në vitin 1920 nën drejtimin e ish-Ministrit të Brendshëm, Ahmet Zogu. Sigurimi i Shtetit mban si datë të krijimit të tij më 30 prill të vitit 1943.

Ceno bej Kryeziu

Spiuni i parë dhe i famshëm shqiptar mund të quhet padyshim Ceno bej Kryeziu, i cili ishte njëkohësisht edhe kunat i Ahmet Zogut. Ai kishte lindur në Gjakovë dhe ishte rekrutuar nga Shërbimi Sekret Jugosllav që në vitet ‘20. Në sajë të aftësive të tij, ai ki kishte arritur t’u kalonte shumë informacion jugosllavëve. Për këtë arsye, në vitin 1924 pas ndihmës që jugosllavët i dhanë Zogut për të ardhur në pushtet, ata i kërkuan këtij të fundit që kunatit të tij Ceno bej Kryeziu, t’i jepej posti i Ministër i Brendshëm. Por më pas Zogu do ta kuptonte lojën që bënte kunati i tij dhe më vonë ky i fundit detyrohet të largohet nga Shqipëria dhe vendoset në Çekosllovaki. Më 14 tetor 1927, Ceno bej Kryeziu qëllohet për vdekje në kafe “Passage” në qytetin e Pragës, nga studenti shqiptar 23 vjeç, i quajtur Alqiviadh Bebi.

“Ciceron”

Iliaz Bazna është emri i legjendës shqiptare të spiunazhit, i njohur me pseudonimin “Ciceroni”. Ka lindur në vitin 1904, në Prishtinë, në kohën kur krahina e Kosovës, por edhe pjesa më e madhe e Ballkanit, ishte e pushtuar nga Perandoria Osmane, më vonë familja e tij vendoset në Turqi. Ai u bë një nga spiunët më të famshëm gjatë Luftës së Dytë Botërore, në kohën kur punonte si kamarier në shtëpinë e ambasadorit britanik në Ankara. “Ciceron” arrin t’u japë gjermanëve informacione të shumta, por të gjitha këto në shkëmbim të parave. Brenda një kohe të shkurtër, ai arriti të mbledhë rreth 300 mijë stërlina, një shumë jashtëzakonisht e madhe në atë kohë. Por në pranverë të vitit 1944 zbulohet veprimtaria e tij. “Ciceroni” arrin të arratiset së bashku me të gjitha paratë e tij të cilat rezultuan të ishin false. “Ciceroni” vdiq në Stamboll, në vitin 1971, por historia e tij u bë skenar filmi dhe subjekt libri.

Hekuran Pobrati

Hekuran Pobrati ishte anëtar i grupit special të Ministrisë së Brendshme, ai njihej me pseudonimin “Mali”. Pobrati lindi në fshatin Pobrat të Beratit, më 15 shtator të vitit 1920. Ai u martua në vitin 1949 me Feraset Xhaferr Vërlacin (Ngurëza) dhe pati me të gjashtë fëmijë. Pobrati kreu shkollën e mesme dhe në vitin 1943 ishte partizan i Brigadës së Parë Sulmuese me funksione nga zëvendëskomandant kompanie deri në zëvendëskomandant batalioni. Pas çlirimit mbaroi dy kurse shtatëmujore për oficer dhe mori detyrën komandant batalioni në mbrojtjen e popullit. Nga vitit 1947 deri në nëntor 1948, arrestohet nga Koçi Xoxe nën akuzën e bashkëpunimit me armikun. Pas 1948-s rifiton të gjitha të drejtat dhe merr pafajësinë. Në këtë vit filloi punë në Sigurimin e Shtetit, deri sa doli në pension. Ai mbante pseudonimin “Mali” dhe ka marrë pjesë në operacione të famshme së bashku me kolegun e tij, Asim Aliko. Pobrati vdiq në vitin 1991.

“Dragoi”

Në librin “Mëkatarë” të Nafiz Bezhanit, ish-kryetarit të Komisionit Shtetëror të Kontrollit të Figurave, trajtohet gjerësisht dosja “Dragoi”, e agjentit me emrin imagjinar Robert Duka. “Dragoi” vlerësohej nga Sigurimi si agjent profesionist dhe me rezultate shumë të mira. Ai ishte me arsim të lartë dhe një njeri me reputacion në rrethet intelektuale. Në libër shpjegohet se fillimisht “Dragoi” u fut në Sigurim me qëllimin e vënies nën kontroll të Sigurimit të rretheve letrare dhe veçanërisht veprimtarinë e rrezikshme që mund të zhvillonin ato. Në atë kohë ishte nën shënjestër grupi “armiqësor” i letrarëve të rinj të Universitetit të Tiranës, të drejtuar nga Kasëm Trebeshina. Duke qenë një person i simpatizuar nga këto rrethe letrare, “Dragoi” mund të jepte informacione të vlefshme dhe të pengonte veprimtarinë në këtë drejtim. Një detaj interesant jepet dhe në lidhje me një detyrë të “Dragoit” për “përpunimin e profesor Skënder Luarasit”, të cilin e kishte mik, dhe vështirësitë e tij në këtë mision.

Lirim Dema

Ish-furnitor i mensave të punëtorëve në NSHFP të Kukësit, Lirim Dema ishte arratisur në Kosovë, pasi gjatë një kontrolli financiar që i ishte bërë ndërmarrjes, ishin zbuluar shumë falsifikime të dokumentacionit, të bërë nga ai për qëllime përfitimi. Para se të arratisej nga frika e ndonjë dënimi, ai i kishte zënë pritë makinës që sillte rrogat e punëtorëve dhe kishte vrarë shoqëruesin e armatosur të saj, Mark Nikollën. Pasi kishte mbërritur në Kosovë, ai ishte rekrutuar nga UDB-ja jugosllave dhe i ishte zotuar se do t’i shërbente me besnikëri çdo urdhri të saj. Kështu ai punoi për UDB-në, në varësi të Mirko Vukoviq, një agjent i rrezikshëm që punonte kundër Shqipërisë, duke organizuar njësi me qëllim rrëzimin e pushtetit të asaj kohe deri sa u vra nga agjentët e Sigurimit të Shtetit në Itali.

“Martini”

Agjenti radist ishte larguar nga Shqipëria në ditët e para të çlirimit, së bashku me shumë ish-ushtarë italianë që kishin mbetur në Shqipëri pas kapitullimit të Italisë. Sipas librit “Mëkatarë 2″, ai u vesh me rrobat e një ushtari që mbeti në Durrës dhe me emrin e tij u nis në Itali. Aty deklaroi se e kishte bërë këtë vepër për shkak se ishte kundra regjimit politik të vendosur në Tiranë dhe se kishte deklaruar se do të luftonte për përmbysjen e atij regjimi. Në këto kushte, atij iu njoh statusi i të mërguarit politik dhe u bashkua me grupet e tjera të shqiptarëve të arratisur. “Martini” ishte rekrutuar nga Sigurimi i Shtetit dhe shërbente në kampin e refugjatëve shqiptarë që ndodhej midis Barit dhe Brindisit si radist. Ai jepte informata për planet e të arratisurve, të cilat gjithmonë dështonin në sajë të këtij dekonspirimi. Gjithashtu, “Martini” shërbente si bazë informacionesh për agjentët e tjerë të ngarkuar me misione në Itali.

Koll Qefalia

Nën pseudonimin e “Nishozit” fshihej Koll Qefalia, kryetar i Këshillit Popullor në një zonë të Mirditës. Ai ishte agjenti më besnik i Alush Leshanakut, ose i njohur ndryshe “Luani”, agjentit të shërbimeve sekrete italiane. “Nishozi” ishte njeriu që luajti rolin e ndërmjetësit për takimin që do bëhej midis Alush Leshanakut dhe Frontit të Rezistencës. Kjo e fundit ishte një organizatë fantazmë e ngritur nga Sigurimi i Shtetit për të futur në kurth bandat, e cila drejtohej nga Kadri Hazbiu. Ish-agjentët e Sigurimit, megjithëse “Nishozin” e konsideronin si një nga armiqtë më të mëdhenj, e vlerësojnë shumë profesionalizmin e tij. Sipas tyre, “Nishozi” i kamuflonte lëvizjet e tij. Madje disa prej tyre kanë qëndruar për një kohë të gjatë nën shoqërinë e tij, pa e ditur se ai ishte pikërisht njeriu të cilin e kërkonin me ngulm. Qefalia kapet pas një kurthi agjenturor të organizuar nga Sigurimi i Shtetit.

Mehmet Shehu

Ai cilësohet nga ekspertët e Shërbimeve Sekrete si një nga agjentët më të famshëm shqiptarë. Po ndryshe nga teoritë e shumta që janë hedhur për rolin e tij në Shërbimin Sekret Shqiptar si poliagjent, Bekim Budo në librin e tij “Shërbimi i Fshehtë”, e cilëson atë si dopioagjent në favor të interesave të Shqipërisë. Sipas librit të Budos, Shehu mbante pseudonimin e koduar BAB-008, të cilin e kishte mbajtur që kur bënte pjesë në Shkollën Teknike dhe zbërthehej “Balcan American Branche” (Rrjeti Amerikan i Ballkanit. Ndërkohë pseudonime të tjera si “Mjekra”, “Misha” etj., ishin pseudonime konspirative të cilat i mbante gjatë pushtimit nazifashist. Shehu grumbulloi me vete agjentët kryesorë të zbulimeve serbo-sovjetike dhe filloi dopiolojën me KGB-në dhe UDB-në jugosllave. Shehu u ndihmua nga CIA për organizimin e disa kurtheve operacionale si dhe kapjen e bandës legjendë të Hamit Matjanit, në shkëmbim të kërkesave të tyre nga blloku komunist.

Mark Dodani

Ish-oficeri i Sigurimit të Shtetit është futur në këtë shërbim në fillim të vitit 1946, i nxitur nga vrasja e babait dhe vëllait të tij në vitin 1945. Por në mënyrë të drejtpërdrejtë, ai angazhohet në operacione në vitin 1948 pas takimit me Kadri Hazbiun. “Mendoja se më kishin thirrur për punën time në zonën në veri, gjë e cila mu përforcua kur aty gjeta edhe Bardhok Bibën, por nuk dija se që në ato momente jeta ime do të merrte rrjedhë tjetër”, ka rrëfyer Dodani për median. Sipas shënimeve të ish-sigurimsit, Kadriu (ndonëse e kishte njohur shkarazi dhe më parë), i drejtohet Markut: “Ti je Mark Dodani!”. “I thashë se unë jam”, - tregon Dodani. Pa e zgjatur, Kadriu i është drejtuar Bardhok Bibës: “Mos e kërko më Mark Dodanin, ai do të punojë me ne”. Kështu, për 35 vjet me radhë, Dodani punoi në organet e Sigurimit me pseudonime të ndryshme, ku më kryesoret janë “Xhakoni” e “Studenti”. Pas daljes në pensionin e parakohshëm, u atashua si shkrimtar i lirë pranë Kinostudios “Shqipëria e Re”. Ka shkruar 3 romane, një monografi, dhjetë novela, disa vëllime me tregime, tre skenarë filmash artistikë dhe pesë skenarë dokumentarësh, ku i fundit është xhiruar në vitin 2003 dhe titullohet “Tiranë, në Evropë”.

Alush Leshanaku

Ishte me origjinë nga Elbasani, fshati Leshanak. Kishte qenë profesor gjimnastike në Liceun-Gjimnaz të Shkodrës qysh në periudhën e regjimit të ish-mbretit Zog. Studentët shkodranë të gjimnazit e njihnin si njeri të shkathët, intelektual të zotin, me një trup sportisti, fizikisht i fortë, disi enigmatik. Sapo u largua mbreti Zog I, më 7 prill 1939, Alush Leshanaku vihet në shërbim të fashizmit, teksa rekrutonte “Giovani Fashisti”, të rinj fashistë. Në vitin 1941, me pseudonimin “Luani”, punon si agjent i shërbimit sekret italian me mision në Shqipëri. Detyra e tij ishte të krijonte grupe e t’i organizonte ato që ishin për rrëzimin e regjimit komunist në atë kohë. Kishte zbarkuar në Mirditë me parashutë, dhe ishte një nga agjentët më të rrezikshëm për Sigurimin e Shtetit, cilësohej si “Gjenerali i Perdes së Hekurt”. Alush Leshanaku, i njohur me kodin “Luani”, kishte zbarkuar me parashutë në Mirditë. Ja ç’shkruan në ditarin e tij: “”Pra qeveria është siguruar për ekzistencën time e mbi qëndrimet në… Po më gjurmojnë e po më ndjekin”. Leshanaku mbeti i vrarë nga Sigurimi i Shtetit.

Asim Aliko

Ai ishte kryetari i grupit special të Ministrisë së Brendshme që kishin si qëllim depërtimin në radhën e bandave e agjenturave të huaja me pseudonimin “Tomorri”. Aliko u bë pjesë e Sigurimit të Shtetit në vitin 1948 dhe punoi derisa doli në pension në vitin 1965. Ish-oficeri i Shërbimit Sekret, Mark Dodani tregon se Aliko për pesë vjet ka kapur 120 banditë. Taktika e tij ishte që t’i përçante banditët, të organizonte takime në vende ku donin oficerët e Sigurimit, me qëllimin për t’i kapur të gjallë. Mënyra më origjinale e Alikos ishte se pjesën më të madhe të rasteve ai e arrinte këtë me dollitë që ngrinte. Aliko njihej si pijetar dhe shpesh shefat e tij e kishin të vështirë t’ia besonin detyrat, por ai pikërisht me këtë siguronte suksesin e operacionit. Duke ngritur dolli, ai u krijonte afinitet kundërshtarëve, duke i bërë të besonin se ishin në të njëjtën llogore, e më pas i zinte robër. “Tomorri” kishte lindur në Kurvelesh, në vitin 1915. Ai ishte vlerësuar me titullin “Hero i Popullit”, u nda nga jeta në vitin 1987.

Kadri Hazbiu

Pseudonimi i tij ishte “Besniku”. Një nga figurat kryesore të diktaturës deri në vitet ‘80, kur u akuzua si “armik i popullit dhe i partisë”, ka qenë një nga agjentët më të njohur të Sigurimit të Shtetit. Madje cilësohej si legjenda e shërbimit inteligjent shqiptar. Hazbiu njihej nga bandat si kryetar i Komitetit Qendror i Frontit të Rezistencës, një organizatë e krijuar për të futur në kurth të gjithë agjentët e huaj si dhe banda që synonin përmbysjen e regjimin e sistemit komunist. Megjithëse me formim ekonomist, Hazbiu ishte vetëm 23 vjeç kur u emërua shef i Sigurimit të Ushtrisë. Studimet për këtë detyrë i kreu në Shkollën e Lartë të Sigurimit në Moskë, ku u profilizua në fushën e agjenturës dhe të çështjeve të policisë. Ai punoi si agjent i Sigurimit deri në vitet ‘50. Me cilësitë e tij, ai kishte krijuar besimin se mund të ishte një shtyllë e fortë e shtetit të asaj kohe. Deri në vitin 1979 ai punon në drejtim të Ministrisë së Brendshme. Më pas, Hazbiu u emërua ministër i Mbrojtjes, të cilin e mbajti deri në vitin 1981. Pas vrasjes së Mehmet Shehut, Hazbiu u akuzua si armik i popullit dhe u ekzekutua më 10 shtator të vitit 1983.

Pal Mëlyshi

Pal Mëlyshi, me pseudonimin “Furtuna”, ishte një nga agjentët më të mirë të Sigurimit të Shtetit. Ai ishte një komunist i flaktë, edhe pse babai i tij ishte detyruar të arratisej pse nuk i përkrahte idetë komuniste. U fut në Sigurim në shtator të vitit 1949 dhe qëndroi deri sa u vra në vitin 1950. Synimi i tij ishte të ndihmonte në luftën kundër bandave. Por infiltrimi ishte shumë i vështirë, pasi të gjithë e njihnin për komunist. E motra e tij, Marie Mëlyshi kujton në një intervistë për “Tirana Observer”, se kapobanda e vinte herë pas here në provë. “Një natë, ndërsa i jepet një detyrë, ai bashkë me dy anëtarë të tjerë të bandës përplasen me disa sigurimsa. Fillon shkëmbimi i zjarrit mes tyre. Pali gjen një moment të përshtatshëm dhe vetëplagoset. Që pas kësaj ngjarje kapobanda u pati thënë anëtarëve të tjerë, që Pali tashmë ishte pjesë e tyre dhe asnjeri nuk duhet të fliste keq për të”, tregon e motra. “Furtuna” u vra nga sigurimsat në një shkëmbim zjarri me bandën, nga e cila nuk u shkëput dot në momentin e rrethimit.

Pashke Prela

Dëshmorja nga Puka ka qenë një nga agjentet më të njohura femra të Sigurimit të Shtetit. Ndoshta kjo, edhe për shkak fundit tragjik të saj. Kryetari i bandës, “Keqanaj”, të cilin Prela e futi në kurth të Sigurimit të Shtetit, mori hak duke e vrarë në sytë e fëmijëve të saj. Ish-oficeri i Sigurimit, Mark Dodani ka treguar për “Tirana Observer”, se vejusha ishte një agjente e zonja dhe se ishte afruar te Shërbimi pas kërcënimeve të bandave, se ajo do të vihej në shërbim të tyre. Në fillim të vitit 1947, u realizua edhe kurthi që do paralajmëronte fundin tragjik të Prelës. Ndërsa banda “Keqanajt” strehohej në shtëpinë e saj, e cila nuk dyshonte për Prelën, pasi edhe shtëpia ndodhej në një reliev shumë të thyer, agjentja vë në jetë planin. “Pashka çorienton “kryebanditin”. I mbushi rëndë çantat me ushqime, djathë, turshi, bukë, ndërkohë që midis ushqimeve iu kishte futur sende të rënda, madje dhe gurë, me qëllim që kur të dilte nga dera të mos ishte në gjendje të vraponin për t’iu ikur forcave që i kishin rrethuar”, rrëfen Dodani. Kryebanditi arrin të shpëtojë, dhe me gjithë se Prelës iu kërkua të linte banesën, nuk pranoi, me shpresën se nuk ishte pikasur. Por pas disa muajsh, kryebanditi kthehet në befasi dhe ther me thikë Pashke Prelën në sytë e fëmijëve.

Sofokli Mici

Personazhi imagjinar Sofokli Mici trajtohet në librin “Mëkatarë 2″ të Nafiz Bezhanit si një agjent profesionist i Sigurimit të Shtetit. Ai ishte një intelektual shumë i njohur. Kishte studiuar në Leningrad për Drejtësi. Ishte zgjedhur anëtar i Gjykatës së Lartë dhe kishte fituar tituj shkencorë doktor dhe profesor. Sipas Bezhanit, ideja për të aktivizuar prof. Sofon, siç e quan ai në libër, në Shërbimin Sekret Shqiptar u krijua pas vizitës turistike që bëri në Shqipëri në vitin 1985 një grup turistik grek. Në dosjet sekrete ai është protagonist i asaj me emrin “Misioni Apollon”, e cila kishte si qëllim normalizimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve midis dy vendeve fqinjë, Shqipëri e Greqi, mision i cili u realizua me sukses nga ai. Në të njëjtën kohë, në dosje dyshohej se prof. Sofo ishte bashkëpunëtor i shërbimit sekret grek, Asfali, gjë e cila nuk vërtetohet ligjërisht.

Ymer Kondo

Një agjent profesionist i Sigurimit të Shtetit, Ymer Kondo mbart një histori mjaft interesante. I ardhur nga një familje pronarësh vlonjatë, pas çlirimit ai u radhit në listën e personave që konsideroheshin armiq të klasës punëtore. I rritur me këtë njollë në biografi, ai ishte një person i izoluar nga shoqëria dhe njerëzit. Edhe pasi mbaroi Shkollën Tregtare ai nuk gjeti asnjë vend pune për shkak të biografisë së tij. Edhe vetë u bë objekt i persekutimeve të herëpashershme. Por, për çudi, ai pranoi të punonte për Sigurimin e Shtetit e madje me zell të madh. Në një nga arrestimet e tij, një nga gjeneralët e Ministrisë së Brendshme e kishte marrë Ymerin dhe e kishte futur në një kurs të veçantë për ta stërvitur si specialist zbulimi. Pastaj i kishin propozuar të punonte në kampin e të arratisurve në Itali si radist. Me një të shkuar të tillë, të gjithë besonin se Kondo ishte një i arratisur dhe i mbushur me mllef ndaj regjimit. Kondo njihej si agjent inteligjent dhe i shkathët. Ai vrau edhe “Njekovin”, një poliagjent të njohur.

“Papastrati”

Një nga agjentët më të njohur është edhe ai me pseudonimin “Papastrati”. Ai ishte me origjinë greke dhe jetonte në një qytet në jug të Shqipërisë. Për shumë vite, sipas kujtimeve të oficerit të Sigurimit të Shtetit, Bekim Budo, ai ka punuar për llogari të agjenturave greke. “Papastrati”, sipas Budos, kishte arritur të ngrinte një rrjet të fuqishëm informatorësh në jug të Shqipërisë për llogari të agjenturës greke. Në vitet ‘70, Sigurimi i Shtetit Shqiptar kishte rënë në gjurmët e kësaj veprimtarie dhe arrin të kapë, falë një kombinacioni të përsosur, “Papastratin”, i cili tregon përpara hetuesve se si ishte vënë në shërbim të grekëve. Më pas agjenti “Papastrati” rekrutohet nga Sigurimi i Shtetit dhe bën një lojë të dyfishtë. Ai i dha shumë informata shtetit shqiptar në lidhje me Shërbimin e Fshehtë Grek.

“Berlini”

Agjenti “Berlini” është padyshim një nga agjentët më të mistershëm shqiptarë. Kjo për shkak se në të gjitha dokumentet, ai asnjëherë nuk ka figuruar me emrin e tij, duke mbetur një anonim. Por veprimtaria e tij si spiun, sipas kujtimeve të oficerit të Sigurimit të Shtetit, Bekim Budo, ka qenë shumë e madhe. Sipas Budos, në dosjen “Berlini” nuk ka shënime nga drejtues eprorë si dhe vlerësime për informacionet që ka dhënë. Karakteri i këtij agjenti del kur bëhet kombinacioni për ta futur në lidhje me Sekretarin e III-të të Legatës Italiane në Tiranë. Aksioni i tij u krye me sukses, ai arriti të ishte në aksione të ndryshme dhe të jepte informacione për Sigurimin e Shtetit.

“Gramafoni”

“Gramafoni” është një nga agjentët jugosllavë me kombinacion në vendin tonë dhe me një histori të veçantë me karakter përgjithësues për sa i përket formave dhe metodave të veprimtarisë së zbulimit jugosllav ndaj vendit tonë. Ai ishte me orgjinë nga Padeshi i Tropojës dhe kishte lindur në Vlorë, më pas i ati i tij oficer gjatë kohës së Zogut ishte vendosur në Jugosllavi. Para se jugosllavët ta fusnin “Garmafonin” në Shqipëri, i bënë një kurs intensiv. “Gramafoni” u fut në Shqipëri në vitet ‘50 nga kufiri jugosllav, si një kosovar që përndiqej nga serbët. Ai u vendos në fillim në Fier, por veprimtaria e tij i ra menjëherë në sy Sigurimit të Shtetit. Pasi u kap “Gramafoni” pranoi qenien e tij në shërbim të zbulimit jugosllav, pasi iu paraqitën disa prova tekniko-shkencore dhe më pas ai punoi për Sigurimin e Shtetit, duke bërë një lojë të dyfishtë. Për të mos rënë në sy të zbulimeve jugosllave, ai u burgos për disa vjet në burgun e Burrelit dhe më pas Sigurimi i Shtetit e dërgon atë jashtë vendit për interesa të tij.

Adem Rama

Agjenti Adem Rama u kthye në çështje dite në vitin 1953, ku u shënua si incident i marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave. Për këtë ngjarje propaganda jugosllave trumbetoi se ishte zbuluar veprimtaria armiqësore e agjentit të rrezikshëm të Sigurimit të Shtetit, Adem Rama, student me bursën e shtetit jugosllav në Universitetin e Beogradit. Ndërkohë, nga Sigurimi ai mbahej nën vëzhgim si agjent i UDB-së. Nafiz Bezhani tregon në “Mëkatarë 2″ se në dosjen e tij kishte raporte të hollësishme për Sigurimin, në të cilat ai kishte denoncuar si të dyshimtë 86 persona, nga të cilët 12 konsiderohen të rrezikshëm. Adem Rama ishte i biri i një shqiptari që pas çlirimit u bë kryetar bashkie në Prishtinë. Por pas uljes së të atit nga detyra, që përkonte me kohën e gjimnazit, ai kërkohej të rekrutohej nga UDB-ja, pasi ishte një djalë inteligjent dhe i shkathët. Në kohën e drejtimit të Komisionit të Figurave të Bezhanit, ky agjent ishte një person publik dhe me ndikim në jetën politike të vendit.

Agjenti S.Ll.

Agjenti S.LL., ka qenë një agjent i shërbimit sekret shqiptar dhe ka vepruar për një kohë të gjatë pa arritur të zbulohet nga shërbimet sekrete të huaja. Ai ishte me origjinë nga Dibra dhe punonte kryesisht në dëm të shërbimit sekret jugosllav. Sipas ish-agjentit Bekim Budo, ai ishte ndër të paktët agjentë të Sigurimit Shqiptar që nuk u zbulua nga shërbimet jugosllave. Kjo, sipas Budos, se agjenti S.Ll. sa herë dërgohej me detyra në Dibrën e Madhe, ai nuk shkonte në asnjë rast atje ku e rekomandonin, dhe mbijetoi falë zgjuarsisë dhe intuitës së tij, nuk u kap nga UDB-ja, e cila kishte shumë agjentë që punonin për llogari të saj në Shqipëri. Ai kreu shumë misione të rëndësishme në Jugosllavi, duke bërë të mundur dështimin e shumë komploteve nga ana e UDB-së.

Demo Tafani

Demo Tafani ka qenë një agjent i shërbimeve sekrete italiane. Ai kishte lindur në Elbasan. Demo Tafani ishte rekrutuar nga shërbimet sekrete italiane gjatë kohës së pushtimit të vendit tonë nga Italia. Pas çlirimit të vendit ai ishte larguar nga Shqipëria së bashku me mikun e tij dhe agjentin e shërbimeve sekrete italiane Alush Leshanakun. Në vitin 1949 ata dërgohen me mision në Shqipëri, pasi ishin personalitete të njohura e të vendosura në misionin e tyre, por gëzonin edhe një mbështetje në qarqet nacionaliste në vend. Në këtë periudhë shërbimi i zbulimit e kundërzbulimit të shtetit shqiptar e kishte shtuar depërtimin e personave apo grupeve speciale në këto grupime diversante, duke bërë që Demo Tafani të binte shpejt në duart e tyre.

Dielli

Një nga agjentët më të mirë me origjinë shqiptare, por që ka vepruar në dëm të shtetit shqiptar, ka qenë edhe ai me pseudonimin Dielli. I dërguar për të vjelë informacion në Greqi në vitet e para të çlirimit “Dielli”, me origjinë çame, oficer i shërbimit sekret shqiptar në vitin 1946 raportohet i vrarë. Për këtë arsye shteti shqiptar i asaj kohe e shpalli “Diellin” në mënyrë sekrete dëshmor dhe familjes së tij iu lidh pension i posaçëm dëshmori. Pas disa vitesh, kundërzbulimi i Shërbimit Sekret Shqiptar vërtetoi se “Dielli” ishte shëndoshë e mirë dhe se vepronte si interlokutor midis qendrës se shërbimit të jashtëm sekret dhe grupit të spiunazhit të huaj, ngritur në klandestinitet të thellë në Shqipëri. Kjo tregoi se agjenti sekret “Dielli” kishte bërë lojë të dyfishtë dhe kishte mashtruar shërbimet sekrete shqiptare.

Et’hem Çako

Ka qenë një nga agjentët më të mirë të CIA-s me origjinë nga Shqipëria. Pas largimit nga Shqipëria në fund të Luftës së Dytë Botërore si kundërshtar i regjimit komunist ai rekrutohet nga CIA. Më pas ai dërgohet në Shqipëri me mision për të organizuar luftën kundër rrëzimit të regjimit të Enver Hoxhës. Në vitin 1949 ai hidhet me parashutë në Shqipëri. Detyra e tij ishte që të përgatiste terrenin për zbarkimin e grupeve të tjera diversenate si dhe të Hamit Matjanit. Por në sajë të agjentëve të infiltruar të Sigurimit të Shtetit ai bie menjëherë rob i tyre sa zbarkon në Shqipëri. Operacioni për kapjen e tij kishte marrë emrin e “Buza e Bredhit”.

“Gaveta e Vjetër”

Ndue Zefi, me pseudonimin “Gaveta e vjetër”, mund të quhet padyshim si një nga agjentët më frutdhënës të Sigurimit të Shtetit në fund të viteve ‘40. I rekrutuar nga Sigurimi i Shtetit në vitin 1949, “Gaveta e vjetër”, me origjinë nga një fshat i Mirditës, dha një kontribut të madh në zbulimin dhe eliminimin e bandave diversante në atë kohë. I kamufluar si një anëtarët i këtyre bandave si dhe armik i pushtetit të asaj kohe, Ndue Zefi i dha Sigurimit të Shtetit informacion të shumtë në lidhje edhe me shërbimin sekret jugosllav që shërbente në ato anë. Gjithashtu, ai gëzonte besimin e Komitetit të Maleve, gjë për të cilën, falë besës që kishte dhënë, i kishte shpëtuar ata disa herë nga pritat dhe kurthet e forcave të ndjekjes. Por agjenti i shërbimit sekret do kishte një fund tragjik, pasi vetëm pak kohë pas rekrutimit të tij nga ana e Sigurimit të Shtetit ra viktimë e një skenari të UDB-së jugosllave që kishte zbuluar aktivitetin e tij të dyfishtë.

“Gjenerali”

“Gjenerali” ishte një agjent dopiorol. Ai e pranon këtë fakt edhe përpara “Sekretarit” (Hetuesit). Mendohet se pothuajse të gjithë agjentët e shërbimit tonë të fshehtë ishin të tillë. Ky person mbante lidhje me agjenturat jashtë shtetit. Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare mbahej në lidhje nga misionarë të huaj, ndërsa pas çlirimit të vendit e mori në lidhje togeri francez Cochet. Ndërkohë, atij i kishin fiksuar, edhe disa takime të fshehta me majorin anglez Smith. Në këto kondita, siç del nga dosja, ai arrestohet në mënyrë sekrete dhe pasi zbërthehet si agjent i huaj, rekrutohet me material komprometues nga zëvendësministri, “gjenerali” dhe një nënkolonel e këshilltar jugosllav.

Gjon Gjinaj, “Munella”

Gjon Gjinaj ka qenë një nga agjentët shqiptarë që punonte për llogari të agjenturës italiane në fund të viteve ‘40. Ai ishte cilësuar si nj nga agjentët e tyre më të mirë dhe për këtë arsye ai ishte hedhur me parashutë më malet e Mirditës në vitin 1947, me detyrë krijimin dhe organizimin e bandave të armatosura për të rrëzuar regjimin komunist në vend. Ai veproi në atë periudhë së bashku me Alush Leshanakun, edhe ky një agjent i shërbimeve sekrete italiane. Por në vitin 1949, Gjon Gjinaj, ose i njohur ndryshe me pseudonimin Munella, së bashku me bandën e tij arrin të futet në kurth nga Sigurim i Shtetit. “Grupi Special” i krijuar nga Mehmet Shehu dhe i drejtuar nga Kadri Hazbiu arrin të kap Gjon Gjinajn, i cili më vonë ekzekutohet po nga ky grup.

Halit Bajrami

Padyshim është cilësuar si një nga agjentët më të mirët e Sigurimit të Shtetit. I arratisur nga Shqipëria në vitin 1950, Halit Bajrami mbante në atë kohë postin e zv/shefit të Sigurimit në Korpusin Ushtarak të Qarkut të Korçës? Gjatë kësaj kohe ai qëndroi në vende të ndryshme dhe së bashku me shokun e tij me të cilin u arratis, Sabaudin Haznedari, u rekrutuan nga shërbimet sekrete të huaja. Por gjatë kësaj kohe, si agjent i shërbimeve të huaja, Halit Bajrami i dërgoi informacion me shumë vlerë Sigurimit të Shtetit. Në vitin 1982 ai bëhet pjesë e grupit të Xhevdet Mustafës, që kishte marrë si detyrë eliminimin e Enver Hoxhës. Gjatë zbarkimit të grupit në Shqipëri, Halit Bajrami bën të mundur dekonspirimin e planit, duke bërë të mundur që anëtarët e tjerë të bandës së Mustafës të eliminoheshin. Pas kësaj ngjarje, Halit Bajrami dërgohet përsëri nga Sigurimi i Shtetit jashtë vendit.

Hamit Matjani

Drejtori i CIA-s në vitet ‘50, Allen Dulles i kishte vënë Hamit Matjanit nofkën “Tigri”. I cilësuar si një nga agjentët më të mirë shqiptarë që punonte për llogari të CIA-s, Matjani kishte arritur të realizonte shumë aksione në Shqipëri për rrëzimin e regjimit komunist. I larguar nga Shqipëria menjëherë pas ardhjes në pushtet të regjimit komunist, “Tigri” kishte arritur të desantonte në Shqipëri gati 26 herë. Kjo e kishte bërë atë që të quhej nga shërbimi sekret amerikan si njeriu më i zotë për të desantuar në Shqipëri. Në të gjitha rastet që ai kishte hyrë në Shqipëri, ishte futur nga toka nëpërmjet Greqisë. Herën e fundit që ai u fut në Shqipëri ai u hodh me parashutë nga ajri. Në vitin 1953, vetëm pak kohë pas zbarkimit në malet e Shëngjergjit në Elbasan, ai do kapej nga organet e Sigurimit pas kurthit që ata i kishin bërë me anë të radios ndërlidhëse. Ai u dënua me vdekje dhe u ekzekutua më 14 prill 1954.

“I penduari”

Ky ishte pseudonimi i një prej agjentëve me histori më paradoksale të Sigurimit të Shtetit. Ai kishte mbaruar me rezultate të shkëlqyera shkollën e larë për oficer dhe Akademinë Ushtarake në vitin 1962 dhe kishte arritur të bëhej komandant korpusi, por pas spiunimit të shokut të tij të ngushtë për një frazë, ishte dënuar me 15 vjet si armik i popullit. Në burg, pranon me vullnet të plotë të vihet në shërbim të organeve të Sigurimit si i penduar, për të shlyer fajin e bërë dhe e zgjedh edhe vetë pseudonimin e tij “I penduari”. Për 11 vjet, ndonëse agjent i Sigurimit, ai i është nënshtruar torturave çnjerëzore për të fituar besimin e të burgosurve, objekt i veprimtarisë së tij agjenturore. Për 11 vjet ai kaloi nga burgu në burg, gjoja me dënime disiplinore por në fakt me shërbime tepër speciale, të përgatitura me kujdes nga organet e specializuara të Sigurimit. Me përmbysjen e diktaturës, “I penduari” fiton statusin e të persekutuarit politik dhe emërohet në funksione të larta të shtetit.

“Hutini”

“Hutini” hyn në listën e atyre agjentëve që bëjnë historinë famëkeqe të Sigurimit të Shtetit. Ai ka qenë një personalitet në arenën e politikës shqiptare pas ‘90-ës. Agjenti i Sigurimit të Shtetit, ishte rekrutuar në vitin 1970 dhe kishte punuar për 10 vjet për këtë shërbim. Në dosjen e tij, që Nafiz Bezhani e citon me numër 17594, paraqitet edhe veprimtaria e këtij agjenti, i cili spiunonte edhe detaje nga më të vogla. “I tillë ishte për shembull një nga raportet e para për ushtar Njazinë, i cili ishte çuar natën, kishte kapërcyer gardhin e repartit dhe kishte shkuar në vreshtat e kooperativës, kishte ngrënë rrush dhe u kishte sjellë edhe shokëve”, shkuan në “Mëkatarë 2″, ish-kreu i Kontrollit të Verifikimit të Figurave. Pas ardhjes së demokracisë, “Hutini” emërohet në organet qendrore të vendit. Ndërkohë që ka informacione se ai ishte i përfshirë edhe në veprimtarinë e skemave piramidale.

Hysen Lepenica

Hysen Lepenica ka qenë një nga agjentët shqiptarë që punonte për llogari të CIA-s. Veprimtarinë e tij ai e kreu kryesisht në fund të viteve ‘40. Ku pasi ishin trajnuar nga oficerë të CIA, ai së bashku me disa agjentë të tjerë zbarkon në Shqipëri me detyrë për të rrëzuar regjimin e komunist. Ata zbarkuan në Grykën e Dukatit në tetorin e vitit 1948. Pasi nëndetësja doli në sipërfaqe, Hysen Lepenica, Zagoll Shena, Safet Kaba, etj. me anë të një varke gome iu drejtuan bregut. Por misioni i tij do dështonte për shkak se ranë pre e një kurthi të ngritur nga Sigurimi i Shtetit. Siç rezultoi më vonë, shkak për dështimin e tyre ishin informacionet që agjenti sekret Kim Filbi u kishte dhënë sovjetikëve në lidhje me misionin e tyre. Sovjetikët ua kishin dërguar menjëherë këtë informacion Sigurimit të Shtetit, të cilët kishin organizuar pritën.

Idriz Seiti, “Profesori”

Agjenti Idriz Seiti ishte anëtar i i “Grupit Special” të krijuar nga Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu në vitet e para të pasçlirimit. Grupi kishte si detyrë zbulimin dhe eliminimin e të gjitha bandave diversante që vepronin në atë kohë në vend. I lindur në fshatin Çorrush të Mallakastrës, Idriz Seiti gjatë Luftës së Dytë Botërore u bashkua me forcat partizane dhe u dallua për trimëri dhe besnikëri ndaj Partisë. Për këtë arsye, menjëherë pas çlirimit, me krijimin e Sigurimit të Shtetit, duke qenë edhe mik i ngushtë i Mehmet Shehut, i cili në atë kohë ishte ministër i Brendshëm, emërohet anëtar i Grupit Special dhe iu vendos pseudonimi “Profesori”. Gjatë veprimtarisë së tij si agjent, “Profesori” luajti një rol të madh në kapjen dhe vjeljen e shumë informacioneve të agjentëve të shërbimeve të huaja. Pas vitit 1953, kohë kur u shkri dhe “Grupi Special”, Idriz Seiti fillon punë në Ministrinë e Brendshme. Por në vitin 1982, vetëm pak kohë pas vdekjes së Mehmet Shehut, ai arrestohet nga Sigurimi i Shtetit si agjent i shërbimeve të huaja.

Jonuz Mersini

Është cilësuar pa dyshim si një nga agjentët më të mirë të Sigurimit të Shtetit që ka vepruar jashtë vendit. Jonuz Mersini, i vendosur në Francë në vitet ‘50, arriti deri aty sa të punonte pranë mbretit Zog gjatë kohës së qëndrimit të tij në Francë. Gjatë kësaj kohe ai i dha Sigurimit të Shtetit informacione të shumta, duke bërë që shumë nga planet grupeve nacionaliste dhe legaliste për rrëzimin e regjimit komunist të dështonin. Në vitin 1952 ai u urdhërua në atë kohë nga Sigurimi i Shtetit dhe konkretisht nga kreu i tij, Kadri Hazbiu të eliminonte Ahmet Zogun. Por këtë mision ai nuk mund ta kryente dot. Më vonë, pas dekonspirimit të tij si agjent, ai kthehet në Shqipëri. Historia e tij i shërbeu më vonë edhe një shkrimtari të njohur të vendit tonë, i cili bëri nj libër që pati shumë sukses në atë kohë.

“Kobra”

Është një nga agjentët shqiptarë me histori më interesante ndër figurat e Shërbimit Sekret. “Kobra” kishte luftuar me devotshmëri si partizan në kohën e luftës e më pas ishte vënë në shërbim të Sigurimit të Shtetit. Por jo vetëm të tij, por edhe të Shërbimit Inteligjent të Amerikës, pra të CIA-s. Në vitin 1949 ai ishte “arratisur” në Amerikë, ku u trajnua për dy vjet nga CIA. Ai kishte kryer ndërkohë Akademinë Ushtarake në Moskë, dhe kishte njohje me personalitete të KGB-së që kishin qenë pedagogët e tij atje. “Kobra” njihej si agjent shëtitës i CIA-s, me disa emra e funksione, me foto të ndryshme, herë me mjekër e mustaqe e herë i rruar, herë me kaçurrela brune, e herë biond e herë tullac. Një nga agjentët më profesionistë të Sigurimit të Shtetit dhe të CIA-s, u dënua nga të dyja shërbimet dhe qeveritë. Nga Partia e Punës u akuzua si tradhtar dhe si “shërbëtor i imperialistëve amerikanë”, ndërsa nga CIA, si agjent i Sigurimit. Ai burgoset nga kjo e fundit dhe kthehet në Shqipëri disa muaj para se të vdiste. “Kobra” kreu shumë funksione të suksesshme për llogari të Sigurimit dhe të CIA-s, duke u qëndruar besnik të dy këtyre shërbimeve.

Koçi Xoxe

Ish-ministri i parë i brendshëm në qeverinë e sapokrijuar të pasçlirimit në vitin 1945, Koçi Xoxe vetëm katër vite më vonë u akuza si agjent i UDB-s jugosllave. Sipas dokumenteve të Sigurimit të Shtetit ai u ishte një nga agjentët më të fuqishëm të UDB-së dhe kishte arritur të krijonte një rrejt agjenturor shumë të madh për llogari të jugusllavëve. Koçi Xoxe lindi në vitin 1911 në Follorinë. Ai është themelues dhe kryetar i parë i Partisë Komuniste Korçë. Pjesëtar i mbledhjes themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare, anëtar i Byrosë Politike dhe K.Q. të saj që nga krijimi. Anëtar i Shtabit të Përgjithshëm nga 10 korriku i vitit 1942. Pas çlirimit ai mori postin zv/kryeministrit dhe të ministrit të Brendshëm. Më 28 nëntor 1948, ai arrestohet me akuzën si agjent i jugosllavëve. Ai nuk e pranon kurrë akuzën dhe gjykata më pas e dënon me vdekje, pushkatohet në maj të vitit 1949.

“Koloneli”

“Koloneli” është cilësuar si një nga agjentët më mirë dopiorol të Sigurimit të Shtetit. I lindur në Elbasan në një familje patriotike ai u rekrutua nga shërbimi sekret britanik që në vitet ‘30 me rekomandim të Margaret Hazllëk. Gjatë luftës “Koloneli” u aktivizua me forcat partizane. Në sajë të intelektit dhe gjuhëve të shumta arriti të bëhej edhe përkthyesi i Enver Hoxhës gjatë takimeve të këtij të fundit me misionarët anglezë. Gjatë kësaj kohe ai filloi të punojë edhe për Frontin Nacionalçlirimtar. Pas çlirimit ai filloi të punojë për Sigurimin e Shtetit, duke bërë të mundur sjelljen e shumë informacioneve të vlefshme. Më pas ai dërgohet me detyrë nga Sigurimi i Shtetit jashtë vendit ku qëndron për një kohë të gjatë.

“Loro”

“Loro”, ishte një ish-oficer kufiri dhe komunist, i cili ishte nxjerrë në lirim “për mungesë vigjilence”, pasi në zonën e tij kufitare kishin kaluar kufirin diversantë pa u kuptuar nga nënreparti i tij. Më pas ai ishte kthyer në Tiranë, ku punonte si kasap. Sipas librit “Mëkatarë 3″ të Nafiz Bezhanit, agjenti që pas përjashtimit nga partia ishte vënë nën funksion të shërbimeve të huaja. Ai ndihmoi këto shërbime për futjen e familjes Popa në vitin 1985 në ambasadën italiane. Një ngjarje e madhe kjo që shënoi krisjen e parë të shtetit shqiptar. “Loro” organizoi hyrjen e 6 vetëve të kësaj familjeje në ambasadën italiane në Tiranë.

Nikoll Mëlyshi

Padyshim që historia e familjes së Mëlyshajve është një nga më interesantet e shërbimeve sekrete. Rrallë mund të ndodhte që në një familje, i ati të shërbente për një agjenturë sekrete dhe i biri për një tjetër. Nikoll Mëlyshi, babai i Pal Mëlyshit ishte një nga agjentët më potentë të CIA-s në vitet ‘50. Ai ishte hedhur me parashutë nga CIA në malet e Mirditës dhe atje kishte arritur të krijonte një bandë me të cilën organizonte aksione të ndryshme kundër regjimit komunist. Por ndërkohë që ai punonte për CIA, i biri i tij, Pal Mëlyshi punonte si agjent i maskuar në Sigurimin e shtetit. Pas vrasjes së të birit, Nikoll Mëlyshi kthehet në Amerikë ku jetoi deri sa vdiq në vitin 1989.

Agjenti “Profesori”

“Profesori”, ishte një nga krerët e emigracionit shqiptar në Belgjikë gjatë kohës së regjimit komunist, por njëkohësisht ai ishte edhe një nga agjentët më të fortë të Sigurimit të Shtetit. Agjenti sekret ishte nga Elbasani dhe njihej si nacionalist. Rekrutimi i tij për llogari të Sigurimit të Shtetit ishte bërë nga Omer Nishani, i cili e kishte mik të ngushtë. Pas rekrutimit të tij, Sigurimi i Shtetit kishte bërë të mundur dërgimin e tij jashtë vendit dhe infiltrimin e tij në radhët e emigrantëve shqiptarë në Bruksel. Gjatë kësaj kohe ai i solli Sigurimit të Shtetit të dhëna shumë të vlefshme si për situatën e spiunazhit ashtu edhe për zhvillime të tjera me rëndësi. Të dhënat, “Profesori” i siguronte nga burime tepër sekrete dhe agjentë potentë, ku ndër ta shquhet edhe një senator amerikan.

Panajot Plaku

Panajot Plaku është akuzuar nga Sigurimi i Shtetit si agjent i UDB-s. Anëtar i Komitetit Qendror si dhe gjeneral i ushtrisë shqiptare, ndryshe nga miqtë e tij të ngushtë, Dali Ndreu dhe Liri Gega, të cilët u arrestuan dhe u dënuan si agjent të jugosllavëve, ai arriti të arratisej në Jugosllavi në vitin 1957, vetëm pak momente para arrestimit. Ata akuzoheshin se të tre se bashku punonin për llogari të shërbimeve sekrete jugosllave. Por, megjithëse arriti t’i shpëtonte arrestimit, Panajot Plaku nuk mundi t’i shpëtonte dot kurthit të Sigurimit të Shtetit. Vetëm pak kohë më vonë me anë të një agjenti të saj arriti të vriste në Jugosllavi ish-gjeneralin shqiptar, Panajot Plakun, të akuzuar si spiun i UDB-së jugosllave.

Sabaudin Haznedari

Ai ishte një nga anëtarët e grupit të Xhevdet Mustafës, të dërguar nga CIA për eliminim e Enver Hoxhës. Sabaudin Haznedari kishte lindur në Durrës dhe kishte qenë një njeri shumë aktiv gjatë Luftës Nacionalçlirimtare. Pas çlirimit ai mori disa poste drejtuese, por më vonë pas një konflikti me një nga krerët e partisë së këtij qyteti ai pushohet nga puna. Në vitin 1950 ai arratiset nga Shqipëria së bashku me një shokun e tij dhe vendoset në fillim në Greqi, më pas në Turqi e në fund në Itali. Gjatë kësaj periudhe ai rekrutohet nga shërbimet sekrete të huaja dhe fillon të punojë për ta. Në vitin 1982 ai zbarkon në Divjakë bashkë me Xhevdet Mustafën. Por vetëm pak orë pas zbarkimit, grupi i tyre zbulohet në qytetin e Rrogozhinës, dhe gjatë një përplajse me policinë Sabaudin Haznedari vritet.

Shemsi Aliaj

Agjenti sekret pranë ambasadës shqiptare në Romë konsiderohet si një nga rekrutuesit më të mirë të Shërbimit Sekret Shqiptar. Në pak vite ai arrin që në Romë, por edhe në Milano apo Bari, të ketë një rrjetë të gjerë informatorësh në radhët e zyrtarëve italianë, në duart e të cilëve qarkullonin të dhëna sekrete që i interesonin shtetit shqiptar. Si arritja më e madhe e Aliajt konsiderohet rekrutimi në vitin 1953 i shefit të Shifrës së Ushtrisë Italiane. Aliaj, pasi mëson se italiani ishte një pijedashës, i futet punës që edhe ai të mësonte pijen. Organizon një kontakt në pamje të parë të rastësishëm me italianin, dhe shpejt bëhen shokë të uiskit. Në gjendje të dehur ai arrin t’i marrë një firmë shefit të shifrës dhe më këtë dokument i bën presion derisa arrin ta rekrutojë. Materiali i parë i rëndësishëm në duar të shqiptarit ishte një film rreth 2 orësh i një stërvitjeje sekrete të NATO-s. Shemsi Aliaj u kap nga agjentët e Shërbimit Sekret Italian teksa ishte me dy nga bashkëpunëtorët e tij vendas. Ai u shpall “non grata” dhe u dëbua nga Italia. Llogaritet që në 4-5 vite ai të ketë rekrutuar rreth 25 bashkëpunëtorë në Itali.

Skënder Barçi

Skënder Barçi është një agjent i Sigurimit të Shtetit, i cili ka vepruar në vitet ‘60. Kryesisht veprimtarinë e tij ai e kreu në Jugosllavi, ku kishte për detyrë të mblidhte informacione sekrete mbi agjentë e UDB-së. Në vitin 1961, sipas disa dokumenteve jugosllave, ai arrestohet në qytetin e Shkupit nga shërbimet sekrete jugosllave. Kjo, pasi sipas tyre, Skënder Barçi kishte marrë si detyrë nga Sigurimi i Shtetit eliminimin e ish-gjeneralit shqiptar që tashmë jetonte në Jugosllavi, Panajot Plakut. Po sipas këtyre dokumenteve, Skënder Barçi gjatë marrjeve në pyetje kishte pranuar se punonte dhe se detyrën për eliminimin e Panajot Plakut ja kishte dhënë vetë ministri i Brendshëm i asaj kohe, Kadri Hazbiu. Më pas gjykata jugosllave e dënoi atë vetëm me gjashtë vite burg, më pas ai u rekrutua nga UDB-ja dhe punoi për llogari të tyre.

Taho sejko

Taho Sejko është cilësuar si koka e krijimit të “Grupit çam” i mbështetur dhe financuar nga shërbimi sekret grek. Ai madje, sipas Sigurimit të Shtetit, është edhe personi që kreu rekrutimin për llogari të shërbimeve sekrete greke të vëllait të tij më të vogël, gjeneralit të njohur, Teme Sejkos. I lindur në vitin 1912, në Filat të Çamërisë, në vitin 1920 familja e tij shpërngulet që andej dhe vendoset në Konispol, Sarandë. Ende nuk bëhet e ditur se si ai u rekrutua nga shërbimi sekret grek. Por sipas dokumenteve të Sigurimit të Shtetit, ai arriti të krijonte një grup agjenturor shumë të madh. Në vitin 1960 ai shkarkohet nga të gjitha postet e rëndësishme që mbante dhe arrestohet bashkë me vëllain e tij. Por ndryshe nga vëllai i tij, Teme Sejko, që i pranoi të gjitha akuzat si agjent i shërbimit sekret grek, Taho Sejko, sipas dokumenteve të atyre kohëve nuk e pranoi asnjëherë akuzën. Por megjithatë ata shpallen fajtorë, me akuzën e krijimit të grupit armiqësor çam dhe dënohet me vdekje.

Teme Sejko

Teme Sejko është quajtur nga Sigurimi i Shtetit si një nga agjentët më të rrezikshëm që kanë punuar për agjenturën greke. Madje, sipas Sigurimit të Shtetit, në bazë të dokumenteve dhe deklarimeve të ish-agjentit Teme Sejko, grupi i tij kishte si detyrë rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës. I lindur në vitin 1922, në Filat të Çamërisë, gjatë Luftës së Dytë Botërore ai ishte një nga themeluesit e çetës “Çamëria”. Pas çlirimit ai mori poste shumë të rëndësishme, madje ishte një nga gjeneralët e parë shqiptarë si dhe kundëradmiral i Flotës Shqiptare. Ai ishte rekrutuar për llogari të shërbimeve greke nga i vëllai i tij më i madh, Taho Sejko. Grupi i drejtuar prej dy vëllezërve u zbulua në vitin 1960, ku dhe u kryen arrestime të shumta. Sipas dokumenteve të Sigurimit të Shtetit, u arrestuan mbi 2 mijë vetë, kryesisht çamë, si anëtarë të grupit agjenturor, por me një urdhër nga lart u liruan të gjithë përveç 200 personave. Pas arrestimit, Teme Sejko i pranoi të gjitha akuzat për spiunazh. Ai u dënua me vdekje dhe u pushkatua po atë vit.

Xhevdet Mustafa

I arratisur nga Shqipëria në vitin 1964 në drejtim të Amerikës, Xhevdet Mustafa është njeriu që hyri si personi fundit që do desantonte në Shqipëri për të vrarë ish-diktatorin Hoxha. Gjatë qëndrimit të tij në Amerikë, Xhevdet Mustafës ishte rekrutuar nga shërbimet sekrete amerikane. Ai ishte shumë i njohur për forcën e tij fizike. Në shtator të vitit 1982 i nisur nga Brindizi i Italisë, Mustafa së bashku me 2 persona të tjerë zbarkon në plazhin e Divjakës. Detyra e tij ishte eliminimi i Enver Hoxhës. Por në fakt Xhevdet Mustafa nuk arrin të realizojë dot detyrën e tij, pasi plani dekonspirohet. Më 27 shtator 1982, pas dy orë luftimi, Xhevdet Mustafa vritet nga forcat e Sigurimit të Shtetit.

Zenel Shehu

Ai do mbahet mend si njeriu që bëri të mundur kapjen e Hamit Matjanit. Badigard i Ahmet Zogut dhe mik i ngushtë i Hamit Matjanit, ai rekrutohet nga CIA, me urdhër të mbretit për të desantuar në Shqipëri. Detyra e tij ishte t’i paraprinte mbërritjes në vend të grupeve të tjera diversante. Zenel Shehu zbarkon në Shqipëri në vitin 1952, por shumë shpejt ai do kapej nga shërbimi sekret shqiptar. Më pas nëpërmjet tij ata realizojnë kapje edhe të 13 grupeve të tjera me anë të radiolojës. Duke qenë mik i ngushtë i Hamit Matjanit, ai e detyron këtë të fundit të zbarkojë në Shqipëri, duke i paraqitur një situatë tjetër në vend. Pas kësaj, në vitin 1953, Matjani zbarkon në Shqipëri dhe kapet menjëherë nga Sigurimi i Shtetit, kurse Zenel Shehu kishte vetëm pak ditë që ishte vrarë.

“Vogëlushi”

Edhe peshën e ka pasur të vogël tek Sigurimi i Shtetit, por kjo detyrë ia komplikoi atij gjithë jetën. Me të tillë pseudonim iu shfaq Nafiz Bezhanit dosja e një ambasadori, që duhej t’i kontrollonte figurën. Në librin “Mëkatarë” shpjegohet se “vogëlushi” u fut në Sigurim me premtimin se do i jepnin bursë për të filluar studimet e larta, një hile që përdorej shpesh për të rekrutuar të rinj në Sigurim. Ai pranoi, dhe me vajtjen me studime në Francë, me misionin që të raportonte për çdo sjellje të shokëve të tij që studionin atje, veçanërisht për veprimet e tyre në përkrahje të kulturës perëndimore. Ai bie në dashuri atje me një franceze. Për këtë, Sigurimi i preu bursën e përjashtoi nga radhët e veta duke e akuzuar rëndë për marrëdhënie intime me një agjente të shërbimit të huaj. Ai vëzhgohej për çdo veprim të tij me kontrollin 2/A, që do të thotë vëzhgim gjatë 24 orëve. Një rast që tregon fare mirë paradoksin e të qenit agjent dhe i persekutuar.

Agjenti Mëhilli

Agjenti me pseudonimin “Mëhilli” ishte në nga spiunët më të rrezikshëm të UDB-s jugosllave që vepronte në Shqipëri. Ai ishte një nga drejtuesit më të lartë të Ministrisë së Brendshme në vitet e regjimit komunist. Në sajë të veprimtarisë së tij, shumë agjentë sekretë shqiptarë u zbuluan ose shumë aksione të tyre u dekonspiruan. Por, megjithatë ende nuk është e sigurt se çfarë materialesh dhe informacionesh i ka dhënë UDB-së agjenti Mëhilli. Në disa prej dokumenteve që u zbuluan prej Sigurimit të Shtetit, në lidhje me veprimtarinë e këtij agjenti rezultoi se ai kishte dërguar UDB më shumë informacion për figurat politike shqiptare të asaj kohe. Ai u zbulua në fillim të viteve ‘80, dhe do dënohej rëndë nga drejtësia e asaj kohe.

... Një deputet e një policë, të dyshuar për vrasjen e Xhemajl Mustafës

Vrasja e Xhemajl Mustafës duket se do të zbardhet së shpejti. EULEX-i ka intervistuar bashkëshorten e ish-zyrtarit të LDK-së dhe personat që janë të dyshuar për këtë rast. Jozyrtarisht, në misionin europian për rend dhe ligj rikonfirmojnë se një deputet dhe një zyrtar policor janë të dyshuarit kryesorë.

Hetuesit e EULEX-it kanë filluar t’i marrin në pyetje disa persona në lidhje me vrasjen e Xhemajl Mustafës.

Burime të Gazetës ‘Express’ kanë konfirmuar se tashmë janë intervistuar disa persona në lidhje me vrasjen e ish-këshilltarit të Presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova. “Po, janë marrë në pyetje disa njerëz, por edhe personat që dyshohen se kanë gisht në vrasjen e tij”, tha burimi i gazetës në kushte anonimiteti.

Përveç tyre më herët është marrë në pyetje edhe Bahrije Mustafa, bashkëshortja e Xhemajl Mustafës.

E bija e Mustafës, Beriana konfirmon se Prokuroria Speciale e EULEX-it e ka ftuar më herët në intervistë nënën e saj. “Prokuroria ka marrë në pyetje nënën time, por prej asaj kohe më nuk kemi asnjë informatë nga EULEX-i”, tha e bija e Xhemajl Mustafës, shkruan kjo gazetë.

Një burim i gazetës mirë i informuar ka thënë se EULEX tashmë posedon disa emra që dyshohen si të përfshirë në rastin e vrasjes.

“Njëri nga ta është deputet aktual në Kuvendin e Kosovës. Njëri po ashtu është zyrtar i lartë në Policinë e Kosovës. Por nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe të dyshuar të tjerë të përfshirë në këtë vrasje e cilësuar si politike”, ka thënë burimi i gazetës.








Historik i shkurtër i LDK-së....


Gjatë shkatërrimit të sistemit një partiak dhe me ngritjes së atij shumë partiakë në Jugosllavi, në republikat perëndimore të ish-Jugosllavisë fillon të bëhet regjistrimi i partive të ndryshme politike. Përderisa në pjesët tjera të ish-Jugosllavisë u krijuan disa shoqata politike, në Kosovë në shtator dhe tetor të 1989-ës një grup shkrimtarësh dhe intelektualësh fillojnë të punojnë për bashkimin e forcave politike shqiptare në një lidhje.
Nisma për themelimin e një partie në këtë sistem, doli nga shkrimtarët Jusuf Buxhovi, Ibrahim Berisha, Mehmet Kraja dhe Xhemail Mustafa. 

Pas shumë bisedash, ata angazhuan koordinator të Këshillit nismëtar Jusuf Buxhovin, i cili mori përsipër kontaktimin me intelektualët e tjerë dhe hartimin e programit dhe statutit të partisë. Kjo nismë u përkrah dhe u nxitu nga intelektual të kohës si Ibrahim Rugova, Ali Aliu, Ajri Begu, Basri Çapriqi e Ramiz Kelmendi, të cilët me nënshkrimet e tyre, pranuan të bëhen anëtarë të Këshillit nismëtar për themelimin e partisë. Ky Këshill nismëtar takohej herë pas here dhe bisedonte për konturat e ardhshme të partisë. Pa marrë parasysh vështirësitë e fillimit dhe ato të kohës, u vendos që në punën e mëtutjeshme të themelimit të partisë të përfshiheshin edhe intelektualë të tjerë, të guximshëm për veprim në rrethana e shkatërrimit të Jugosllavisë.

Kështu, në listën e nismëtarëve u gjendën edhe Fehmi Agani (që dha ndihmesë të konsiderueshme për versionin përfundimtar të tekstit të Programit të partisë), pastaj aktivistët Bujar Bukoshi, Zenel Kelmendi, Zenun Çelaj, Jusuf Bajraktari, Mustafë Radoniqi, Hysen Matoshi e Neshet Nushi, për t'u forcuar, më në fund, me akademikët dhe shkencëtart si: Idriz Ajeti, Mark Krasniqi, Dervish Rozhaja, Anton Çetta dhe Zekiria Cana (Këta dy të fundit ishin të angazhuar në projektin Pajtimi i Gjaqeve).

Bërthama e Këshillit nismëtar, e përbërë prej njëmbëdhjetë vetash, u mblodh disa herë gjatë tetorit dhe nëntorit. Takimet duhej të dukeshin "spontane", andaj shumica e tyre mbaheshin në ëmbëltoren "elida" në Qendrën e Rinis "Boro-Ramizi".

Ndërkohë, nga gjysma e nëntorit dhe fillimi i dhjetorit po krijoheshin konturat e qarta të Programit të partisë si dhe statuti. Koordinatori Jusuf Buxhovi disa herë ua parashtroi anëtarëve të bërthamës të Këshillit nismëtar përmbajtjen e Programit dhe të Statutit, duke e plotësuar atë me vërejtjet dhe propozimet që i jepeshin nga njëmbëdhjetëshja, si dhe të tjerët që konsultoheshin.

Në javët e para të dhjetorit versioni i programit ishte i gatshëm dhe ai u miratua. Mbetej për t'u caktuar dita dhe vendi i mbajtjes së kuvendit themelues të Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK).

Kishte propozime të ndryshme, nga ato se kuvendi duhej mbajtur menjëherë në heshtje, deri tek ata që duhej shtyrë pas vitit të ri. Rrethanat përnjëmend ishin të tensionuara, ngase nuk dihej se si do të reagonte pushteti i atëhershëm partiak, i cili ishte në shkatërrim e sipër. Pas shumë shqyrtimesh, u caktua data - 23 dhjetor 1989, pra, dita e shtunë.


Kuvendi themelues

Kuvendi themelues u vendos të mbahej në lokalet e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku rëndom asokohe zhvilloheshin që të gjitha vlimet shoqërore dhe politike.

 Koordinatori i grupit u angazhua ta bënte paraqitjen ligjore të mbajtjes së kuvendit themelues në polici, me tërë dokumentacionin, ashtu si e kërkonte ligji i atëhershëm për mbajtjen e manifestimeve dhe tubimeve publike.

 Policia nuk njoftoi se do ta ndalonte kuvendin themelues të Lidhjes Demokratike të Kosovës, por as nuk dha pëlqim për të. Gjendja, pra, mbahej e tensionuar.

Duhet cekur se shtypi i atëhershëm në gjuhën shqipe nuk botoi kurrfarë lajmi për ditën dhe vendin e mbajtjes së kuvendit themelues të LDK-së, anipse Këshilli nismëtar kërkoi që kjo të bëhej. Megjithatë, informimi u bë në mënyrë fare interne, gojë me gojë, duke njoftuar ata që dëshironin të vinin në kuvendin themelues.

Të shtunën, në mëngjes, rreth orës 9, në lokalet e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, u mblodh tash në përbërje të zgjeruar Këshilli nismëtar për themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Të gjithë u pajtuan me Programin dhe Statutin e saj. U bisedua bukur shumë për strukturën udhëheqëse të partisë.

Që të gjithë ishin të mendimit se kryetar i saj duhej të bëhej Ibrahim Rugova, ndërsa sekretar Jusuf Buxhovi.

Grupi nismëtar nguli këmbë që Rugova duhej të propozohej për kryetar dhe u deklarua që këtë ta parashtronte Kuvendi themelues, me çka ai u pajtua. Diku para orës dhjetë të paraditës filluan të vinin, heshtazi, të interesuarit për Kuvendin themelues.

Pikërisht në orën dhjetë, lokali i vogël i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës mezi i zuri ata që kishin vendosur të merrnin pjesë në mbledhjen e Kuvendit themelues të LDK-së. Ata ishin gjithsej 96 veta, të cilët me nënshkrimet e veta dhe me deklarim të lirë u përcaktuan t'ia vinin themelet partisë së parë politike shqiptare të pagëzuar Lidhja Demokratike e Kosovës.

Këshilli nismëtar, që më parë u pat marrë vesh se mbledhjen duhej ta hapte Zenel Kelmendi, i cili, pasi do të përshëndeste të pranishmit, do të propozonte rendin e ditës, kryesinë e punës, si dhe komisionet e domosdoshme të Kuvendit. Zenel Kelmendi e hapi kuvendin me pak fjalë dhe propozoi kryesinë e punës në këtë përbërje: Ibrahim Rugova, Jusuf Buxhovi, Ali Aliu, Fehmi Agani dhe Zenel Kelmendi, gjë që të pranishmit u pajtuan. Pastaj, ai propozoi komisionin kandidues në krye me Milazim Krasniqin, si dhe procesmbajtës Hysen Matoshin.

Në emër të Këshillit nismëtar dhe të Kryesisë së punës, Programin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Statutin e saj e lexoi Jusuf Buxhovi. Të pranishmit dëgjuan me vëmendje Programin dhe Statutin e LDK-së dhe miratuan me duartrokitje të gjatë përmbajtjet e tyre. Askush nuk ishte kundër.

Kryesuesi ia dha fjalën Milazim Krasniqi, që në emër të Këshillit kandidues të propozonte udhëheqësin e parë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai bëri këto propozime:

Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës - dr.Ibrahim Rugova,

Sekretar- Jusuf Buxhovi,

Anëtarë të Kryesisë: Fehmi Agani, Bujar Bukoshi, Ali Aliu, Nekibe Kelmendi, Mehmet Kraja.

Propozimet u miratuan me duartrokitje të gjata nga të pranishmit.

Pastaj, fjalën e mori Ibrahim Rugova, i cili falënderoi për besimin e dhënë dhe u zotua se do t'i kryente detyrat që dilnin nga Programi i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Mbledhja e Kuvendit themelues të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila filloi në orën 10:5 minuta, përfundoi në orën 11:10 minuta.

Mbledhjen e ndoqën korrespodentët dhe gazetarët e këtyre gazetave: "Rilindja", "Tanjugu", Radiotelevizioni i Prishtinës, "Oslobogjenje", "Vjesniku" dhe Radio-Lubjana. 

Nga të dhënat e sakta del se informata për themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhanë "Rilindja" (një lajm të gjymtuar keqas), Tanjugu dhe Radio-Lubjana. Dy ditë më vonë për themelimin e LDK-së njoftoi RTV i Beogradit, "Vjesniku", ndërsa nga agjencitë e huaja njoftuan: AFT, AP dhe DPA. TV Prishtina e dha lajmin shkurtimisht në ditarin e natës së Vitit të Ri, pra, me një javë vonesë.

Programi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, qysh të hënën, pra, më 25 dhjetor 1989, iu dërgua, ashtu siç e kërkonte ligji, organeve policore krahinore e gjykatës (që të bëhej regjistrimi në regjistrin e shoqatave të pavarura, anipse në vend atëherë ende nuk kishte ligj federativ për partitë politike), pastaj Ambasadës së SHBA-ve në Beograd, Ambasadës së Anglisë në Beograd, Ambasadës së Gjermanisë në Beograd, si dhe Ambasadës së Francës në Beograd. I përkthyer në gjuhën angleze, Programi i Lidhjes Demokratike iu dërgua për atë ditë të gjitha agjencive më të mëdha botërore edhe Tanjugut.

“Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844 - 1999”



Prof.Dr Nusret Pllana Terrori i Serbise Pushtuese mbi Shqiptaret 1844-1999‘Terrori i Sërbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999’ është një vepër e botuar në disa gjuhë, shqip, anglisht, gjermanisht dhe frengjisht, dhe i përgatitur nga Prof.Dr. Nusret Pllana i ngarkuar me punë në Arkivat e Qeverisë së Kosovës dhe si profesor i Univerzitetit të Prishtinës.Librin e ka redaktuar Prof.dr. Emin Kabashi ndersa redaksia perbehet nga Adem Demaçi, Agim Çeku, Emin Kabashi, Halit Halimi, Sabit Uka, Gazmend Berisha, Jusuf Osmani.



Tridhjetë minuta me rrugëtimin e librit që dëshmon krimet e Serbisë

Udhëtimi i një libri në tridhjetë qendra botërore është përthekuar në një dokumentar 30-minutash. Libri “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844 - 1999” i autorit Nusret Pllana ka përmbyllur ciklin e parë të promovimit. Nga njëri skaj i botës, në kryeqytetin Melburn të Australisë, deri te New Yorku i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka udhëtuar libri i cili shpërfaq në mënyrë të dokumentuar krimet e regjimit serb ndaj shqiptarëve. Pos në shqip libri është edhe në anglisht, gjermanisht, frëngjisht dhe turqisht. Washingtoni, Detroiti, Kopenhaga, Dortmundi, Parisi, Lioni, Gjeneva, Cyrihu, Shtutgarti, Vjena, Roma, Budapesti, Stokholmi, Oslo, qytetet turke Ankara, Stambolli, Izmiri e Bursan, janë disa nga “stacionet” ku është ndalur kjo vepër.


Gjykimet e shqiptareve ne kohen e Jugosllavise




















                Gjykimet e shqiptareve ne kohen e Jugosllavise
Pamje të promovimit të librit në të 30 qendrat, me fjalimet e përzgjedhura të mbajtura në këto raste, si dhe një historik i shkurtër për librin janë përthekuar në dokumentarin “Rrugëtimi i një libri nëpër botë”.



Dokumentari që për autor ka vetë Nusret Pllanën, e që është bërë nën regji të Arsim Halitit është promovuar të shtunën paradite, në ambientet e kolegjit AAB.



Amfiteatri i madh i këtij kolegji ka qenë nikoqir i dokumentarit.
“Nuk ka satisfaksion moral më të madh për autorin, qoftë të një libri ose të një filmi, se sa kur sheh sallën e mbushur përplot me studentë e profesorë, me bashkëluftëtarë dhe bashkëveprimtarë, miq e kolegë, që më kanë ndjekë në çdo hap, e kanë bërë që ky projekt kombëtar të finalizohet me një sukses të veçantë”, ka thënë Nusret Pllana, me të përfunduar shfaqja e filmit dokumentar.
Sipas tij, promovimi i librit në 30 qendra evropiane dhe botërore, është bërë kryekëput me përkrahje të familjes dhe rrethit të tij të ngushtë.

E në dokumentar është thënë se libri gjendet në shumë biblioteka të rëndësishme evropiane e botërore, por ajo që është më e rëndësishme libri ka arritur të futet edhe në Gjykatën e Hagës, i është dhuruar vetë Ban Ki-moonit, sekretar i përgjithshëm i OKB-së, ndërsa gjendet edhe në bibliotekën e Kongresit Amerikan. 


Dokumentari është përkthyer edhe në gjuhën angleze.

Këto ditë nëpër qendrat kulturore,universitare dhe të bibliotekave në Australi po promovohen dy librat e Prof.dr.Nusret Pllana,,Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999,,dhe Intervenimi i NATO-s në Kosovë.Aktiviteti kulturo-shkencor ka filluar në RMIT Kaledie Theatre në Melbourne të Australisë para një numri të madh të bashkatdhetarëve tanë nga të gjitha trojet etnike si dhe mysafirë të ftuar nga institucionet politike,shkencore dhe kulturore të këtij vendi të largët.Për të pranishmit me një vështrim historik mbi librin e tij ka folur profesor Nusret Pllana,i cili ka vënë në spikamë argumentin e pakontestueshëm arkivor dhe të dëshmive burimore nga arkivat europiane dhe ato shqiptare për të vërtetën se regjimi i Serbisë pjada ka ushtruar dhunë me skenarët e kurdisur nga qarqet politike,ushtarake dhe të kishës artodokse serbe në Beograd.
Me të vërtetën e orëve të historisë së dhimbjes shqiptare dhe të Kosovës,autori për dhjetë vjetë ka bërë udhën e madhe për të prezentuar para botës të vërtetën se populli shqiptar dhe Kosova asnjëherë nuk ka qenë pjesë zyrtare e shtetit të Serbisë.Sipas analeve historike Kosovën e pushtuan dhe e ripushtuan ndër vite regjimi serb duke shfrytëzuar thyerjet dhe largimin e Perandorisë Otomane,të lodhur nga sundimi pesëshekullor në trojet shqiptare dhe në Ballkan me tërë katrahurat e saj ndaj popullit shqiptar,duke shfrytëzuar mjegullën politike dhe ushtarake të kohës për të grabitur(pushtuar)Kosovën.
Aktivitetit të profesor Pllanës dhe të promovimit të librave në Australi iu janë bashkuar Prof.Pitter Morgian,publicist me famë botërore(autralian)dhe me përardhje gjermane dhe Prof.dr.Erik Loga,studiues shqiptar që bashkarisht do të përcjellin mesazhin e orëve historike të popullit shqiptar dhe të Kosovës para opinionit të gjërë në këtë pjesë të botës së largët.Në manifestimet kulturore për librat historik nga Kosova do të shfaqet edhe filmi dokumentar,,Rrugëtimi i një libri,,i përkthyer në gjuhën angleze që paraqet aktivitetet e promovimit të librave nëpër qyetet e njohura në Amerikë si në Nju Jork dhe Detroit për të vënë kulmin e kësaj ngjarjeje me rastin e dorëzimit të ekzemplarëve në Bibliotekën e Kongresit Amerikan në Uashington.Vlen të theksojmë se pas promovimit të librit në Australi,Prof.Nusret Pllana thotë se përfundon rrugëtimin e vet libri historik për shqiptarët dhe Kosovën nën regjimet e kohës së terrorit të Serbisë.

Librat zhurmuse gjatë vitit 2012


Librat që lanë gjurmë në jetën tonë gjatë vitit 2012

Cilat ishin romanet apo rrëfimet historike që na ndryshuan…. Flasin poetja Natasha Lako dhe shkrimtarët Virion Graci, Beqë Cufaj e Ylljet Aliçka

Natasha Lako 

Një libër mund të ndryshojë jetën tënde. Selma Lagerlof, shkrimtarja e parë femër që fitoi çmimin “Nobel” në letërsi, do të shkruante në kujtimet e saj se ishte një libër, ai që e bëri të ndryshonte mendim për Elkan, bashkëshortin e saj të ardhshëm (shkrimtar) e të binte në dashuri me të. Por nuk është vetëm dashuria, destinacioni që na çojnë librat…

      Virion Graci



Një libër i mirë di të na tregojë rrugën që duam të gjejmë përmes rreshtash, apo ta njohim më mirë dikë që e kemi gjykuar. Librat janë ato që kanë ndryshuar historinë dhe na i kanë sjellë personazhet e saj në një mënyrë për t’i njohur e kuptuar më mirë. Ashtu si në disa raste, na kanë bërë t’i gjykojmë… Në një kohë kur botohen kaq shumë libra, sërish duket se nuk ka humbur tek ne shqisa për të kuptuar librin e duhur, atë libër që për javë të tëra ecën me ne dhe që mezi presim ta kemi në duar mbrëmjeve në shtrat…

Beqë Cufaj 


Në një treg të ri, siç është tregu i librit në vend, dhe 2012-a ishte një vit i mbushur me botime të reja. Nga romanet e lehta, tek ato të shkrimtarëve të njohur klasikë, apo botimeve filozofike, historike, politike, apo studimore, këto libra mbushën stendat e librarive. Cilët ishin librat që lexuam gjatë këtij viti? Si erdhën ato tek ne? Poetja Natasha Lako dhe shkrimtarët Virion Graci, Beqë Cufaj dhe Ylljet Aliç kaj bëjnë një udhëtim në librat që lexuan gjatë vitit 2012.


Ylljet Aliçka


Vargjet e ndjera të poetit amerikan Archibald Ammons, që erdhën në shqip nën përkthimin e Rudi Erebarës duket se janë shijuar gjatë nga Lako. Si dikush që di ta ndjejë gjuhën e poezisë, libri “Te era e kam shpëtimin”, është përzgjedhur prej saj si libri poetik më i mirë që ka lexuar këtë vit. Romani amerikan me shkrimtarët e saj përfaqësues si Philip Roth dhe Roberto Bolanjo ka tërhequr këtë vit vëmendjen e Viron Gracit. Në listën e librave që kritika bashkëkohore rendit si më të lexuara për vitin 2012 është dhe përmbledhja me tregime e “Shtëpia” e nobelistes Toni Morrison. 20 vjet pas marrjes së çmimit “Nobel”, Morrison vjen me këtë libër po aq e gjallë dhe tronditëse me përshkrimet e saj plot jetë. Macy Halford, shkrimtar, zgjedh si librin më të mirë që ka lexuar gjatë vitit 2012 “Testamenti i Marisë” shkruar nga Colm Toibin’s. Një histori ndryshe e mamasë së Jezusit, sikur ajo jetoi dhe pa jetën dhe vdekjen e të birit. Një libër i udhëhequr nga misteri dhe tragjedia e kryqëzimit, përmes vuajtjeve të vetë nënës. Mary H.K Choi analiste në “Wired” zgjedh si librin e preferuar të vitit 2012, novelën e Scott Hutchinsit “Një teori për dashurinë”, të cilin e quan një rrëfim tepër të sinqertë, nga ai cili mëson gjërat e vogla që çdo ditë nuk i vë re në jetën tënde. Ndërsa revistat e njohura për kritikat për librat vijojnë të bëjnë sondazhe se cili ishte libri që mori më shumë vëmendje në vitin 2012, tek ne, duket se dominon letërsia amerikane… Tregimtarja e njohur Ann Beattie e pyetur nga “The New Yorker” se cili është libri që do të veçonte nga viti që shkoi, zgjodhi “Zemra konstante” nga Craig Nova, duke e quajtur atë si një nga shkrimtarët më të shkëlqyer të kohës. Judith Thurman zgjedh kujtimet e shkrimtares Edna O’Brien si librin e vitit. Janë pafund librat që emrat më të njohur të letrave propozojnë si tituj që duhet t’i kemi patjetër në bibliotekë. Por le të ndalemi tek autorët tanë, cilët ishin librat më të mirë sipas tyre, që lexuan në 2012-n…

Ortodoksët e Korçës protestojnë kundër dramës së Namik Dokles


Ortodoksët e Korçës protestojnë kundër dramës së Namik Dokles

Drama “Shën Maria e Beratit”, e cila ka hapur sezonin dimëror në teatrin e Korçës ”A. Z. Çajupi”, është anuluar për shkak të protestës së komunitetit ortodoks, të cilët e kanë cilësuar si fyerje të hapur ndaj tyre.
Nëpërmjet një deklarate shpërndarë për media, komuniteti ortodoks e ka cilësuar dramën blasfemuese ndaj ndjenjave te këtij komuniteti dhe institucionit te Kishës Ortodokse.
“Kjo dramë u luajt me paturpësinë më të madhe në nivele artistike mediokre, përpara qytetarëve të Korçës. Me një skenar bazuar tërësisht mbi gënjeshtra historike, të tipit PPSH”, thuhet në deklaratë.
Drama e shkruar nga deputeti i PS-së, Namik Dokle, është vënë në skenë me regji të Dhimitër Orgockës e skenografi të Roland Karanxhës.
Drama sjell në vëmendje ngjarje nga mesjeta, përcjell idenë se çdo gjë e mirë popullit i vjen me sakrifica dhe drama të përgjakshme, si historia e piktorit të “Shën Marisë”, që guximin për të thyer tabutë e pagoi me jetë përballë obskurantizmit të kohës. Drama përcjell mesazhin se me fundin tragjik, njerëzit duhet të sjellin ndryshimin që ëndërrojnë.

Serbët dëmtojnë varrezat, qeveria i paguan...Mos shpejtoni me deklarata....


» Shumë nga krerët institucionalë dhe politikë të Kosovës paragjykojnë përkatësinë etnike të dëmtuesve të varrezave serbe në Kosovë




Kadri Veseli ka kritikuar ashpër prishësit e varrezave dhe përmendoreve serbe në Kosovë, akte të cilat u bënë në shenjë hakmarrje me rastin e shkuljes  së lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë, nga regjimi i Beogradit. Duke kritikuar Daçiqin për aksionin e tij në Preshevë, Veseli ka bërë thirrje për qetësi dhe frenim emocionesh, të cilat sipas tij, nuk shpijnë drejt stabilizimit të situatës në rajon. Paragjykimi i identitetit kombëtar të dëmtuesve të varrezave, është i jashtëligjshëm, meqë organet e hetuesisë ende nuk kanë dhënë informata të sakëta lidhur me përkatësinë etnike të kryesve të veprave të tilla. 

Çuditërisht të gjithë krerët e Kosovës kanë paragjykuar shqiptarët për dëmtimin e varrezave të serbëve,  ngjashëm me reagimin e kreut politik të Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë, pas protestave të vitit 1981, kur Azem Vllasi, Ali Shukriu, Mehmet Maliqi, Dushko Jakshiqi e të tjerë kishin pranuar se varrezat serbe po i dëmtonin irredentistët shqiptarë, me qëllim për t’ i dëbuar serbët nga Kosova, por nuk ishte zbuluar asnjë rast, përveç rasteve të instruktuara.



Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka marr vendim që Qeveria e Republikës së Kosovës t’i mbulojë të gjitha shpenzimet për rregullimin e varrezave të komunitetit serb që janë dëmtuar gjatë ditëve të fundit, thuhet në komunikatën e Kryeministrisë.
Serbët dëmtojnë varrezat, qeveria i paguan

Por, vazhdojnë të jepen argumente se varrezat veçmas në Kllokot u dëmtuan nga serbët, ndërkohë që edhe në këtë rast qeveria ka marrë përsipër shpenzimet, e me këtë ka pranuar fajësinë për shqiptarët.
Në zonat e përgjegjësive të drejtorive rajonale të Policisë së Kosovës, tashmë janë iniciuar procedurat hetimore lidhur me dëmtimin e varrezave ortodokse serbe, të cilat, ditë më parë ishin cak i sulmeve vandale në disa pjesë të Kosovës, njoftojnë zyrtarët e Policisë së Kosovës.

Zëdhënësi i kësaj policie, Arbër Beka, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në drejtorinë rajonale të Prishtinës janë iniciuar dy raste, ashtu sikurse edhe në drejtorinë rajonale të Gjilanit.

“Njëra bën fjalë për një lapidar të luftës së dytë botore, që është demoluar dhe me këtë rast policia ka arrestuar tre persona të dyshuar. Pas konsultimeve me prokurorin, janë liruar në procedurë të rregullt. Rasti tjetër është regjistruar në Kllokot. Është raportuar në drejtorinë rajonale të Gjilanit rasti për dëmtimin e varrezave, ku në total janë dëmtuar 27 varreza. Në Prizren është regjistruar po ashtu një rast ku janë dëmtuar 38 pllaka përkujtimore të varrezave”, u shpreh Beka.

Ai shtoi se edhe në rajonin e Mitrovicës, përkatësisht në Vushtri është shënuar një rast i dëmtimit të një varreze.

Pas incidenteve, sipas Bekës, Policia e Kosovës ka ngritur masat e sigurisë për ruajtjen e sigurisë së përgjithshme në vend, me fokus në ruajtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe fetare.

“Duke pasur parasysh që gjatë ditëve të fundit kanë qenë disa raste për dëmtimin e varrezave të komunitetit, në të gjitha drejtoritë rajonale dhe stacionet policore janë ngritur masat e sigurisë për ruajtjen e tyre”.

“Sa u përket rasteve që tashmë janë iniciuar, zyrtarët policorë, qofshin nga njësia e hetimeve ose sektor të tjerë, janë në koordinim të plotë për të gjitha aktivitetet hetimore me prokuroritë kompetente në kuadër të Republikës së Kosovës dhe do të presim zhvillimet në detaje të kësaj procedure hetimore”, tha ai.
Në anën tjetër, Ministria për Komunitete dhe Kthim e Qeverisë së Kosovës u ka bërë thirrje institucioneve qendrore dhe lokale, por edhe atyre ndërkombëtare, që të angazhohen për sanimin e dëmeve në varrezat e dëmtuara.

Ivica Tanasijeviq nga kabineti i ministrit për Komunitete dhe Kthim, Radojica Tomiq, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kjo ministri ka paralajmëruar gatishmërinë për ndarjen e mjeteve për sanimin e varrezave të dëmtuara ortodokse serbe në disa pjesë të Kosovës.

“Sa i përket Ministrisë së Komuniteteve dhe Kthimit, ministri tashmë është në bisedime me partnerët në pushtetin qendror, por edhe me ata ndërkombëtarë, u ka thënë se në rastin e ngjashëm që kishte ndodhur në Fushë Kosovë, mjetet ishin miratuar me kërkesën e zëvendës-kryeministrit, për sanimin e dëmeve në varreza”.

“Pra, ministri ka shprehur gatishmërinë që të marrë pjesë në ndarjen e mjeteve për sanimin e përkujtimoreve të varrezave, por ai gjithashtu ka thënë se këtë do ta kërkoj në qeveri”, tha Tanasijeviq.

Ai ka theksuar gjithashtu, se kjo ministri ka kërkuar që riparimi i varrezave të dëmtuara të nisë urgjentisht.
“Qëndrimi i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim është që dëmet të sanohen sa më parë që është e mundur, do të thotë në në afatin më të shkurtë të mundur. Kjo do të kërkohet edhe nga vet Qeveria”, ka theksuar Tanasijeviq.

Ndryshe, aktet vandale të dëmtimit të varrezave ortodokse serbe në rajonet e ndryshme të Kosovës, kanë pasuar pas heqjes së lapidarit që u ishte kushtuar luftëtarëve të rënë të UÇPMB-së në Preshevë nga ana e xhandarmërisë serbe.

Krerët e institucioneve më të larta të Kosovës, të mekanizmave ndërkombëtarë në vend, si dhe institucioneve fetare, i kanë dënuar aktet vandale mbi varrezat ortodokse serbe, duke i quajtur si veprime të papranueshme dhe u kanë bërë thirrje organeve të rendit që t’i kapin autorët e këtyre akteve vandale dhe t’i vënë ata përpara drejtësisë.

Serbia "mund të ndalë njohjen e Kosovës në KS"

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, ka thënë se vendi i tij mund të ndalë pavarësinë e Kosovës dhe njohjen e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, andaj pret që, “së pari BE-ja e më pastaj shqiptarët, të nisin të bisedojnë më seriozisht me Beogradin për zgjidhjen e këtij problemi”.

“Ta zgjidhim në atë mënyrë që Serbia nuk do të mund të qeverisë me Prishtinën, por as Prishtina me shumë qytete në Kosovë – atje ku serbët janë shumicë”, ka thënë Nikolliq për një televizion sllovak, transmetojnë mediat serbe.

Duke theksuar se dëshiron të ndjekë politikën “edhe lindja, edhe perëndimi”, Nikolliq ka sqaruar se Serbia do që të ketë jo vetëm marrëdhënie ekonomike, por edhe politike me Bashkimin Evropian, Federatën Ruse, botën arabe dhe tërë Afrikën, Azinë dhe Amerikën Latine.

“Serbia, deri më tash, nuk ka ndjekur politikën e tillë – ‘edhe lindja, edhe perëndimi’, për të cilën unë kam folur në fushatë. Ajo ka folur ‘edhe për Kosovën, edhe për Bashkimin Evropian’ – çfarë nuk është politika që unë udhëheq. Natyrisht se do të jemi në BE dhe natyrisht se nuk do të pranojmë kurrë pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Nikolliq.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...