Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/04/25

MPJ: Rama incident në Vjenë me diplomatin Egin Ceka


description

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha ka kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor për të zbardhur aktin e dhunës së diplomatit, Egin Ceka nga kreu i opozitës Edi Rama. Gjatë seancës plenare kryeministri i vendit ka reaguar ashpër, duke e cilësuar agresionin si dhunë shtazore dhe rrugaçëri. Shefi i qeverisë akuzoi liderin e opozitës se ka ushtuar dhunë jo vetëm ndaj diplomatit por edhe kolegëve të tij të partisë apo dhe femrave që ka pasur në krah. Berisha duke denoncuar aktin theksoi se Rama ose ka probleme psikike ose ishte nën efektin e drogës, për të cilën përflitet. Kryeministri vlerësoi diplomatin Egin Ceka si me te sjellshmit dhe të përkushtuarit teksa krahasoi Ramen me liderin e dhunshme te Ugandës se viteve ‘80.

Egin  Neritan Ceka


Ndaj deklaratave të Berishës reagoi kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz RuÖi reagoi ndaj fjalës së Berishës duke i bërë thirrje që të shkarkojë diplomatin Egin Ceka. Ruçi më pas zbardhi ngjarjes që sipas tij ndodhi në Vjenë. Ai akuzoi Berishën se i përdor diplomatët në botë si mitingashë. Ka qenë Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë e cila ka konfirmuar incidentin mes kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama dhe diplomatit Egin Ceka, në Vjenë. Zv.ministrja Edit Harxhi u shpreh për mediat, se MPJ është informuar nga ambasadori shqiptar në Vjenë se gjatë një takimi në Akademinë Diplomatike të Vjenës ku ka qenë i pranishëm edhe Edi Rama, është shënuar një incident. “Gjatë bisedës ku ishin të pranishëm diplomatë të shumtë jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Kosova e Maqedonia është fyer imazhi i Republikës së Shqipërisë, ku njëri nga diplomatët shqiptarë në Vjenë Egin Ceka, në përfundim të takimit është afruar pranë kryetarit të PS Edi Rama, lidhur me një pikë që zoti Rama e ka përmendur disa herë, për votën e emigrantëve nëpër ambasada.


Edvin Kristaq  Rama 

Edi Rama ka thënë se kjo votë nuk është e mundur për shkak të politizimit të shërbimit diplomatik. Nga ana e tij zoti Ceka i ka shkuar pranë dhe i ka thënë se nuk është e vërtetë që diplomacia shqiptare dhe ambasadat janë të politizuara”, u shpreh Harxhi. Më tej ajo tha se nga ana e kryesocialistit ka pasur fillimisht dhunë verbale dhe më pas fizike, e cila ka degraduar në një konflikt të hapur mes tyre, duke i kërkuar zotit Ceka që të dalë nga salla, transmetin Noa. Harxhi tha se fyerjet e përdorura nga kryetari i opozitës janë të padenja për një kryetar partie dhe mbi të gjitha ndaj një diplomati, duke dënuar këtë veprim si një akt të paprecedentë. Dëshmitarë të këtij rasti kanë qenë të gjithë të pranishmit e Akademisë Diplomatike të Vjenës, madje disa prej tyre kanë ndërhyrë për të ndarë këtë kacafytje të Ramës dhe diplomatit Ceka.

Gjovalin Kola-“Profecitë” romaneske të Orwell-it dhe Kadaresë


“Profecitë” romaneske të Orwell-it dhe Kadaresë
George Orwell, Ismail Kadare
Qëkurse shoqëria holandeze “Endemol” publikoi për herë të parë show-n televiziv “Big Brother” në vitin 1999, i përshtatur në Francë e Kanada me emrin Loft Story dhe i rimarrë, më pas, në dhjetëra vende, përfshirë edhe Shqipërinë, u duk sikur simboli i shkrimtarit anglez, George Orwell, i krijuar në romanin e tij të njohur “1984” (1949) do ta humbiste vetvetiu përmbajtjen e tij në favor të këtij tele-realiteti.
Nëse parulla “Vëllai i Madh ju vështron” (Big Brother is watching you) dhe simboli “Big Brother” i romanit të tij u përdor për të simbolizuar institucionet dhe praktikat që cenojnë lirinë dhe jetën private të individit, spektakli e eliminon këtë kuptim dhe e kthen konceptin e Orwell-it në një lojë, në një teatër të ekranizuar të jetës së përditshme. Në nivelin e gjuhës simbolike, koncepti mbetet siç e ka formuluar autori, por në gjuhën e përditshme ai emërton tashmë thjesht një show televiziv.
Pra, siç shihet, kemi të bëjmë me një dysi semantike, ku kuptimi i parë evokon zhanrin serioz, romanin dhe mesazhin e tij – në këtë rast, një paralajmërim kritik për shoqërinë bashkëkohore, sidomos për atë perëndimore, ku “Big Brother” po bëhet gjithnjë e më i pranishëm – dhe i dyti, zhanrin zbavitës. Është e vështirë të parashikohet sa do të vazhdojë të ruhet kjo dysi, e cila vë përballë këto dy nocione të kundërta, por duket se ato do të vazhdojnë të largohen gjithnjë e më shumë nga njëri-tjetri.
Por “Big Brother” nuk është i vetmi simbol i kohës sonë.
Koncepte dhe sisteme të tjera të dykuptimshme e të sofistikuara krijohen. Dhe, si të tilla, ato i shtyjnë njerëzit t’i drejtohen letërsisë ose të krijojnë ata vetë, sipas modeleve të suksesshme letrare, figura dhe shprehje që do t’i ndihmonin për të kuptuar më mirë atë që ndodh në jetën e tyre të përditshme. Në vitin 2008, në Francë u vu në funksionim Skedari Edvizh (le Fichier Edvige), që në shqip do të thotë përdorimi i dokumenteve dhe vlerësimi i informacionit të përgjithshëm, i cili nga kundërshtarët e tij është quajtur Big Sister (Motra e Madhe). Ndryshe nga “Big Brother” që identifikohet me ekranin-kamera, mjetin me të cilin ai shpërndan mesazhe dhe njëkohësisht vështron, ndjek e regjistron figurën, Big Sister, skedari francez Edvizh, bazohet në mbajtjen e të dhënave dokumentare për individët, të dhëna këto të shkruara dhe që kanë të bëjnë me origjinën, biografinë, formimin, arsimin, punën etj. Këto të dhëna skedohen për të njohur e analizuar (në rast nevoje) nëpërmjet tyre karakterin e individit, psikologjinë dhe mendimet e tij, që në mjedisin shoqëror manifestohen me një sjellje të caktuar. Sipas ligjit, ky skedar elektronik krijohet nga Ministria e Brendshme franceze për persona që kërkojnë ose që ushtrojnë një mandat politik, sindikal ose ekonomik apo që luajnë një rol institucional, ekonomik, social e fetar në shoqëri. Për të kuptuar më mirë sistemin e ri Edvizh, a nuk do të na ndihmonte në këtë rast një tjetër vepër letrare? A nuk evokon Big Sister romanin “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” (1981) të Ismail Kadaresë, i cili, sikurse 1984 i Orwell-it, ka si objekt pikërisht survejimin e individit gjer në thellësitë e trurit të tij?
Nëse do të përpiqeshim ta deshifronim në mënyrë simbolike domethënien e “Pallatit” në ditët e sotme, atëherë do ta shihnim ndryshe jo vetëm Edvizh-in, por edhe rikthimin e analizave të ADN-së, dokumentet biometrike, si dhe krijimin e bazave me të dhëna individuale në gjithë Europën. Falë teknologjisë së lartë, individi po i nënshtrohet gjithnjë e më shumë survejimit të organizuar me anë të teknikave e mjeteve të sofistikuara, për të cilat bëjnë fjalë romanet e lartpërmendura. Por, nga ana tjetër, një inventar i papërballueshëm mjetesh moderne e shoqëron dhe e tundon individin në kohën tonë, si kurrë më parë. Dhe ai, me ose pa dashjen e tij, bashkëjeton me to duke u bërë gjithnjë e më i varur prej tij. Ai mban korrespondencë elektronike, facebook, twitter, celular, MP3, komunikim telefonik (kujtoni skandalin më të fundit me përgjimet telefonike të gazetës angleze “News of the World”). Po ai mban gjithashtu karta bankare e lloj-lloj kartash të tjera, të cilat ia lehtësojnë jetesën duke ia cenuar, megjithatë, lirinë dhe privatësinë e tij. Pra, duket se kështu do të realizohet, në një farë mënyre, ideja e kontrollit të trurit njerëzor, i cili imagjinohet dhe përshkruhet në romanin e Kadaresë. Nën pushtetin e sofistikuar të shkencës e të teknikës, individit do të vijë duke iu zbehur karakteri e tij autentik si qenie humane e shoqërore.
Në të vërtetë, këto ndryshime, që tani kanë marrë formën e tyre endemike, zënë fill që me agimet e periudhës moderne në Europën Perëndimore.
Rusoi në Debatin e tij për shkencat e artet të mbajtur në Akademinë franceze, që në vitin 1750 i kritikonte shkencat dhe artet, sepse sipas tij ato jo vetëm nuk i përmirësonin zakonet dhe moralin e njeriut, por e largonin atë nga virtyti. Që nga koha e tij, progresi i shkencave, i teknikës dhe karakteri kontradiktor i ndikimit të tyre tek individi dhe shoqëria, nuk ka pushuar së preokupuari mendjet e intelektualëve europianë. Ata i kanë shprehur refleksionet e tyre kritike në vepra të ndryshme filozofike e letrare.
Një ndër këta është edhe filozofi gjerman, Edmund Husserl-i, i cili në vitin 1935 mbajti konferencat e njohura për krizën e civilizimit europian. Duke cituar një perifrazim të Kunderës për këto konferenca, Husserl-i e shihte burimin e krizës te karakteri i njëanshëm i përdorimit të shkencave, të cilat e kishin kthyer botën në një objekt të eksplorimit teknik e matematik, duke përjashtuar jetën konkrete si të tillë. Heidegger-i, dishepulli i tij, qe shprehur gjithashtu për “harresë të qenies” njerëzore.
Edhe shkrimtarët, sikurse filozofët, janë preokupuar nga kjo ide. Romani më i njohur i shkruar për këtë qëllim në Europë është ai me titull “Më i miri i botës” (Brave new world, 1932) i shkrimtarit anglez, Aldous Huxley, i cili përshkruan në një mënyrë futuriste pikërisht ndikimin negativ të progresit teknik tek individi modern. Nga ky autor është frymëzuar edhe Orwell-i për të shkruar romanin e tij “1984”.
Nga 1984 te “Pallati i ëndrrave”
Në fakt, që me botimin e “Pallatit të ëndrrave” në gjuhën franceze në 1990 e këndej, studiues të huaj (Faye, Elsie, Morgan etj.) e kanë vënë në dukje analogjinë mes romaneve të Orwell-it e të Kadaresë. Ata kanë të përbashkët temën e antiutopisë politike, atmosferën, simbolikën, si dhe ngjashmëri të tjera të karakterit narrativ. Duket se këtu kemi të bëjmë me raporte vazhdimësie dhe plotësimi.
I pari sjell figurën e “Big Brother”, që simbolizon survejimin e individit së jashtmi – me tele-ekrane, – i dyti përshkruan një institucion: Pallatin e ëndrrave (Tabir Sarajin), i ngritur për të kontrolluar ëndrrat e njerëzve, për t’i survejuar ata në brendësi të trurit, edhe kur ata flenë e shohin ëndrra. Të rilexosh së bashku “1984” të George Orwell-it dhe “Pallati i ëndrrave” të Ismail Kadaresë, kjo mundëson një dialog mes teksteve duke krahasuar strukturat e tyre të fiksionit. Nga ana tjetër, duke marrë parasysh kuptimin e tyre sociologjik, interpretimi i dy romaneve i kapërcen kufijtë e një analize të mirëfilltë letrare. Në këtë rast mund të shihet se në ç’mënyrë disa vepra letrare janë të afta të përftojnë simbole e koncepte, të cilat hyjnë edhe në ligjërimin social, sidomos në shprehjen e figurshme të njerëzve, duke i ndihmuar ata të flasin në mënyrë eufemike e metaforike për fenomene e objekte me të cilët ata bashkëjetojnë.
Për shembull, kur themi: “kjo është danteske”, ne i referohemi vizionit të Dantes, pra atij të ferrit të konceptuar prej tij në “Komedinë hyjnore”. Edhe simboli Don Kishot ose donkishotizëm vjen nga fusha e letërsisë dhe lidhet me romanin e mirënjohur të Servantesit. Nga teatri i Molierit kemi gjithashtu Harpagonin. Për të ardhur më pranë kohës sonë, shprehja “botë kafkiane”, “a la Kafka” ose “sipas romaneve të Kafkës”, na ndihmon të nënkuptojmë absurdin dhe arbitraritetin administrativ, që merr nëpër këmbë individin e vetmuar. Ka edhe shembuj të tjerë që përftohen nga sfera letrare. Dhe këtu është fjala për ato vepra që me anë të universit të tyre metaforik e narrativ arrijnë të krijojnë simbole e koncepte shumëkuptimëshe, të cilat pikërisht për këtë veçori semantike mund të hyjnë e të përdoren edhe në ligjërimin social.
Përveç veçorisë për të na ofruar simbole, si në rastet që u përmendën, në romanet e Orwell-it e të Kadaresë mund të vërehen edhe ngjashmëri të tjera, që mund të ishin objekt i shqyrtimeve më të thelluara krahasimtare.
Të dyja romanet janë shkruar gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë dhe objekti i tyre është totalitarizmi me pasojat e tij mbi shoqërinë dhe individin. Objekti letrar është i gjerë, sepse shënjon dy perandori: njëra në Perëndim e tjetra në Lindje, e para fiktive, kurse e dyta historike (Autorët e tyre gjithashtu i përkisnin të njëjtit orientim ideologjik, duke kaluar më pas në një periudhë zhgënjimi e tërheqjeje).
Të dyja këto vepra e kanë burimin në përvojën personale të autorëve të tyre, por ajo është paraqitur në mënyrë simbolike e alegorike.
Nëse Orwell-i denoncon universin totalitar, të imagjinuar nga ai duke iu referuar praktikës së regjimit stalinist në Bashkimin Sovjetik si dhe ngjarjeve e fakteve që kishte parë e provuar vetë si pjesëmarrës në luftën e Spanjës, në vitet 1936-1937, Kadareja ka si bazë jetën e tij në një “vend jonormal”, sipas shprehjes së tij, ku zbatoheshin censura dhe kontrolli sistematik ndaj të gjitha aspekteve të krijimtarisë njerëzore, si në të gjitha vendet e ish-Bllokut komunist.
Për sa i përket strukturës narrative, të dy romancierët bëjnë një zhvendosje në kohë për t’iu shmangur censurës së kohës së tyre. Le të kujtojmë që romani “Ferma e kafshëve”, që u bë aq i njohur pas botimit të tij, në fillim iu refuzua Orwell-it nga katër botues dhe u botua një vit pasi ishte shkruar. Në Tiranë, censura ishte më e rreptë akoma se në Londër, sepse veprat që lejoheshin për t’u botuar duhet të përmbushnin kërkesa të caktuara ideologjike dhe të mos kishin subjekte, figura apo përshkrime të dykuptimshme. Sigurisht që edhe “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” të Kadaresë u shoqërua me kritika para e pas botimit të tij, në vitin 1981, dhe u lejua të përkthehej e të botohej në Francë shumë vite më vonë, më 1990-n. Orwell-i e shkruan veprën e tij më 1948, por ngjarjet i vendos në një kohë të ardhme dhe pikërisht në vitin 1984, që mban edhe titullin e romanit. Në fakt, të tilla zhvendosje të kohës (proleps/shkencë-fiksion) kishin përdorur edhe dy romancierët që e kishin frymëzuar atë për këtë vepër: rusi Jevgeni Zamiatin me të parin roman të këtij lloji “Ne të tjerët” (My, 1920) dhe Huxley. Kurse Kadareja bën një digresion, duke u kthyer në një kohë më të largët në histori, në periudhën e Perandorisë Otomane, të cilën ai e ka objekt e sfond ngjarjesh edhe në vepra të tjera letrare të tij. Kthimi pas në histori ishte njëri nga procedimet krijuese të përdorura në periudhën e realizmit socialist edhe nga shkrimtarë të tjerë të Europës Lindore. Kjo teknikë përftonte alegorinë e parabolën dhe kamuflonte, në një farë mase, mesazhet kritike që i adresoheshin tërthorazi realitetit. Ky dimension kritik i përftuar me mjete e teknika letrare – të dy autorët e realizojnë këtë, përveç të tjerave, edhe përmes groteskut – i bën këto dy vepra moderne, në kuptimin që i jep këtij termi Octavio Paz.
“1984” dhe “Pallati i ëndrrave” përshkruajnë gjithashtu frikën, absurdin, arbitraritetin administrativ dhe, në këtë kuptim, ato janë në vazhdën e romaneve të njohura të Kafkës. Ajo që u është shtuar këtyre të fundit, sidomos nga Orwell-i me simbolin e tij, “Big Brother”, është paralajmërimi për një totalitarizëm të ri, që do të ishte ai teknologjik, me mjete shumë të sofistikuara, përballë të cilave tele-ekranet e romanit të tij 1984 do të dukeshin tashmë arkaike. Nga ana e tij, “Pallati i ëndrrave” mund të lexohet si një parandjenjë, përmes intuitës krijuese, i atyre kërkimeve shumë të avancuara shkencore që bëhen sot në botë, dhe që do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, deri në arritjen e qëllimit për të lexuar e deshifruar mendimet në brendësi të trurit të njeriut.
Prandaj kritika u referohet këtyre romaneve jo vetëm për këto gjetje e zhvendosje të universit narrativ, por edhe për mesazhin e tyre aktual. Kjo është arsyeja që vepra e Orwell-it konsiderohet një parabolë për despotizmin modern, një rrëfim filozofik për shekullin e kaluar të ideologjive totalitare, kurse ajo e Kadaresë, një alegori për perversitetin totalitar, atë të së shkuarës dhe të së ardhmes, kudo e në çfarëdo forme që shfaqet ai.

Nikos Kazanxaqis në shqip me ditarin e udhëtimit në Malin e Shenjtë


Nikos Kazanxaqis përshkruan te “Tundimi i fundit” atë shqetësim që frymëzoi në vitet tetëdhjetë Martin Scorceze të realizojë një film që i turbullon ungjijtë dhe Vatikanin:
“Përmbajtja e dyfishtë e Krishtit, dëshira e zjarrtë sa njerëzore dhe mbinjerëzore e njeriut për të arritur Zotin gjithnjë ka qenë për mua një mister i padepërtueshëm.
Burimi i ankthit tim, origjina e gëzimeve dhe brengave të mia që në të ri e më tej, ka qenë një luftë pareshtur e pamëshirshme midis shpirtit dhe trupit dhe zemra ime është rrethi ku këta dy armiq ndeshen dhe takohen.”
Kazanxaqis kryen një udhëtim në Malin e Shenjtë për të gjetur një përgjigje për dyshimet e tij mbi natyrën e fatit njerëzor. Shqetësime rinie për të shpëtuar shpirtrat, gjithë paturpësia, padjallëzia, fisnikëria e rinisë. Për dyzetë ditë të vitit 1914, bashkë me mikun e tij, poetin tjetër të shquar grek Angjelos Siqelianos, qëndron manastireve dhe provon shijen e asketikës. Dhe mban ditar. Ky ditar botohet së fundi në shqip nga Zenit Editions i përkthyer nga greqishtja nga shkrimtari Romeo Çollaku.
I ashpër, fjalëpak, kockë e fortë popullore, gjithë pikëpyetje, gjithë ankth metafizik që nuk e gënjen sipërfaqja e shndritshme, kretasi pelegrinoi në malin që prej një mijë vjetësh i ishte taksur virgjëreshës dhe ku nuk ka këmbë gruaje nuk ka shkelur dhe as ndonjë kafshë femër, dele, dhi, pula mace, mal i molepsur vetëm nga fryma burrërore.
“Asketika”, “Aleksis Zorba”, “Letër El Grekos”, “Udhëtoj nëpër Japoni dhe Kinë”, “Krishti kryqëzohet përsëri”, poema “Odisea” mbi 30 mijë vargje e botuar vetëm në 32 kopje, përshkohen nga ky shqetësim rinie i Kazanxaqisit. Madje edhe me përkthimet ai rri në këto ujëra si një autoritet i letërsisë botërore dhe njohës shumë i mirë i saj. Përkthen Niçen, Bergsonin, “Komedisë hyjnore” të Dantes dhe “Faustin” e Gëtes.
“Udhëtim në malin e shenjtë” u botua pas vdekjes së autorit. Por me romanin “Tundimi i fundit” të vitit 1953 kisha kërkon ndalimin e veprave të autorit, deri dhe shkishërimin e tij kërkon Kisha e Athinës, gjë që e kundërshton Patriarkana e Konstandinopojës. Kanzaxaqis i shkruan Sinodit: Më dhatë një mallkim Etër të Shenjtë, po ju jap një uratë: uroj ta keni ndërgjegjen të kulluar si imja dhe të jeni po aq të ndershëm e besimtarë sa unë.” Vatikani e regjistron “Tundimin e fundit” në listën e veprave të ndaluara.
Pas udhëtimit në Kinë më 1957, gjendja shëndetësore e Kazanxaqisit keqësohet dhe ndërron jetë më 4 nëntor nga leuçemia. Në varrin e tij në vendlindje në Kretë, mbi një kryq të drunjtë shkruhen fjalët e tij: “Nuk më tremb asgjë, nuk shpresoj asgjë, jam i lirë”. Fjalë që i mban për titull aktiviteti i nesërm në Muzeun Historik Kombëtar kushtuar Nikos Kazanxaqisit dhe projektohet filmi “Zorba”.

Hillary Clinton do të publikojë një libër në vitin 2014


Hillary Clinton do të publikojë një libër në vitin 2014
Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton do të publikojë një libër të ri gjatë verës së vitit 2014 mbi sfidat e shekullit XXI, bënë të ditur sot burime zyrtare vendase.
"Libri do të përqëndrohet mbi eksperiencën e saj si sekretare e Shtetit, një post nga i cili ajo u largua në janar pas katër vitesh dhe mbi sfidat e një bote me shumë ndryshime", theksuan burimet zyrtare vendase.
Clinton, 65 vjeçe është sipas një sondazhi, që është kryer kohët e fundit nga "Quinnipiac", figura politike më e rëndësishme në SHBA.
Clinton ka publikuar deri tani katër libra, i pari daton në vitin 1996.

Misteri i Neftalí Ricardo Reyes Basoaltos




Poeti i njohur si Pablo Neruda e pati emrin e fëmijërisë Neftalí Ricardo Reyes Basoalto, kur lindi në vitin 1904. Ai i nënshkroi veprat e tij si Pablo Neruda, por nuk e mori këtë emër ligjërisht deri në vitin 1946, për shkak se i ati, një punëtor hekurudhash, nuk e pëlqente interesin e të birit për poezinë. Neruda e përdori këtë emër në përkujtim të poetit çek Jan Neruda.

Neruda u rrit në Kilin e jugut deri më 1921-shin, ku u zhvendos në Santiago dhe u regjistrua në kolegj për ta përgatitur veten si mësues i frëngjishtes. Por ai e braktisi shkollën për t’iu përkushtuar poezisë. Libri i tij i parë, “Crepusculario” (Libri i Muzgut), u publikua më 1923-shin, dhe në vitin pasardhës botoi “Njëzet poezi dashurie dhe një këngë dëshpërimi”. Kjo u bë vepra e tij më popullore me më shumë se një milion e gjysmë kopje të shitura. Libri ishte përplot me poezi romantike dhe erotike.

Mes viteve 1927 dhe 1935, Neruda ishte një diplomat i Kilit në Burma, Cejlon, Java, Singapor, Argjentinë dhe Spanjë. Më 1930 ai u martua për herë të parë, por martesa nuk ishte e lumtur dhe disa vite më vonë e la bashkëshorten e tij për të jetuar me Delia del Carril, me të cilën qëndroi deri në vitin 1955. Gjatë kësaj periudhe ai shkroi dy vëllimet me poezi, “Rezidencë në tokë”, të cilat konsiderohen si poezitë më të mira surrealiste në gjuhën spanjolle. Ai pretendoi më vonë se i pati shkruar këto vepra në një kohë që nuk dinte asgjë për surealizmin. Ai thjesht iu përgjigj rrymave letrare në qarkullim, pavarësisht se këto përgjigje u bënë vetë rrymë për formimin e lëvizjes surrealiste gjithkund tjetër.

Tmerri i Nerudës nga luftërat civile dhe barbaritë ushtarake (përfshirë vdekjen e mikut të tij, poetit Federico García Lorca) gjatë Luftës Civile në Spanjë, e bënë atë thellësisht komunist.

Poezia e tij nuk ishte më surrealiste, por më e drejtpërdrejtë. E shkruar jo për akademikët apo lexuesit e tjerë të sofistikuar, por për të shtypurit nga politika, punëtorët dhe njerëzit e thjeshtë.

Neruda këmbëngulte gjithashtu se ai ishte në mënyrë specifike një poet i Amerikës Latine. Ai njihet për poezinë “Lartësitë e Maçu Piçut”, ndoshta poezia më e madhe e tij, një poezi e botuar në vëllimin “Canto”. Ky vëllim u shkrua rreth fundit të viteve 1940, ndërsa Neruda po fshihej në Kili për të shmangur arrestimin për deklaratat që pati bërë kundër qeverisë. Ai u arratis nga Kili më 1949-n dhe nuk u kthye deri më 1952-shin, kur një regjim i ri erdhi në pushtet. Ai u martua me Matilde Urrutia tre vjet më vonë dhe e kaloi pjesën e mbetur të jetës me të në shtëpitë e veta në Santiago dhe në Isla Negra në bregdetin e Kilit.

Neruda mori Çmimin Ndërkombëtar të Paqes më 1950-n, çmimin e paqes “Stalin” më 1953-shin, një Doktoraturë Nderi në Letërsi nga Oksfordi më 1965-n, dhe çmimin “Nobel” në letërsi më 1971.
Më 1969-n ai u nominua si kandidat për president nga Partia Komuniste, por u tërhoq në favor të shokut të tij, Salvador Allende. Në fund të jetës së tij, ai la 34 vëllime me poezi, ese dhe drama të botuara, si dhe tetë volume me poezi dhe kujtimet që iu botuan më vonë.


Në një situatë normale, askush nuk do të dyshonte për vdekjen e tij. Por Kili ka një histori të gjatë vrasjesh politike dhe në këto kushte, kërkohet e vërteta deri në fund

Eshtrat e poetit nobelist të Kilit, Pablo Neruda, u zhvarrosën dje në një përpjekje për të përcaktuar shkakun e vdekjes së tij, pasi një ndihmës ka hedhur dyshimin se ai u vra nga gjenerali Augusto Pinoçet dhe regjimi ushtarak i instaluar prej tij.

Eshtrat e Pablo Nerudës janë varrosur në një kopsht në Isla Negra, shtëpia e tij e dashur pranë detit në bregun e Paqësorit. Ai është varrosur pranë bashkëshortes dhe muzës së tij, Matilde Urrutia.

Poeti vdiq më moshën 69-vjeçare, më 23 shtator 1973, vetëm 12 ditë pas grushtit të shtetit të gjeneralit Pinoçet. Certifikata e tij e vdekjes thotë se shkaku ishte kanceri i prostatës, një konkluzion që u pranua nga të gjithë për pothuajse katër dekada.

Por ish-asistenti i tij personal, Manuel Araya, thotë se poetit iu injektua një helm, ndërsa gjendej në spital. Araya thotë se Neruda, një komunist, po përgatitej të largohej në ekzil në Meksikë, nga ku planifikonte të udhëhiqte opozitën botërore kundër diktaturës ushtarake në atdheun e vet.

“Deri në ditën që do të vdes, nuk do ta ndryshoj historinë time”, thotë Araya për BBC. “Neruda u vra. Ata nuk deshën që Neruda të largohej nga vendi dhe kështu e vranë.”

Kancer apo helmim?

Aludimet e Araya-s janë marrë seriozisht. Pas disa hetimeve, një gjykatës vendosi se ka të dhëna të arsyeshme për të urdhëruar zhvarrosjen e poetit.

Ekspertët mjekoligjorë që do të ekzaminojnë eshtrat e Nerudës, thonë se do të kërkojnë mbi të gjitha për dy gjëra. Fillimisht do të kërkojnë për shenja të kancerit në eshtrat e poetit. Kjo mund të japë të dhëna për shkallën e avancimit të sëmundjes dhe mund të mbështesë, por jo të provojë përfundimisht, teorinë se kanceri shkaktoi vdekjen e tij.

E dyta, ata do të kërkojnë për shenja toksine, ekzistenca e të cilave mund të forcojë aludimet e Araya-s.

Në të gjitha rastet nuk do të jetë e lehtë.

Gati 40 vjet kanë kaluar që kur vdiq Neruda dhe trupi i tij është dekompozuar prej kohësh.

“Sa më shumë kohë kalon, aq më e vështirë bëhet puna jonë”, thotë dr. Patricio Bustos, drejtor i shërbimeve mjekoligjore të Kilit, një organizëm shtetëror që mbikëqyr zhvarrosjet dhe ekzaminimet.

“Por, nga ana tjetër, ka pasur përmirësime teknologjike përgjatë 30-40 viteve të fundit, të cilat mund të na ndihmojnë.”

Dentistja mjekoligjore dhe antropologia Claudia Garrido-Varas, thotë se edhe pse 40 vjet kanë kaluar, ka ende gjëra që mund të gjenden në mbetjet kockore përmes analizave toksikologjike.

“Nëse helmi është përdorur, varet nga lloji dhe sasia e helmit, apo nga numri i dozave të përdorura për të zbuluar gjurmë të tij.”

Pa gjurmë

Puna e skuadrës mjekoligjore është bërë më e vështirë nga mungesa e të dhënave mjekësore nga spitalet ku Neruda u mjekua. Ai vdiq në spitalin “Santa Maria” në kryeqytetin Santiago.

Sipas lajmeve të gazetave të kohës, spitali publikoi një njoftim, ku përmendej ataku kardiak si shkak i vdekjes. Por spitali thotë se nuk ekziston sot ndonjë kopje origjinale e njoftimit, ndërsa certifikata e vdekjes së poetit nuk përmend atakun kardiak.

Disa muaj para se Neruda të vdiste, media e Kilit raportoi se ai i ishte nënshtruar një operacioni në një spital tjetër. Por zyrtarët e spitalit tjetër thonë gjithashtu se nuk ka të dhëna.

Gjykatësi që po heton vdekjen e Nerudës është përpjekur të gjejë edhe të dhëna mjekësore në Francë, ku poeti ishte mjekuar në vitet 1970, ndërsa shërbente si ambasador i Kilit në Paris.

Asgjë nuk u gjet.

Araya dhe Partia Komuniste e Kilit thotë se mungesa e të dhënave është shumë e dyshimtë, veçanërisht duke marrë parasysh figurën e Nerudës si fitues i çmimit “Nobel” dhe diplomat i lartë.

Injektimi misterioz

Pavarësisht kalimit të kohës, Araya thotë se mban mend qartë se çfarë ndodhi në ditët pas grushtit të shtetit. Ai thotë se Neruda u pranua në spital më 19 shtator 1973 dhe po përgatitej të fluturonte për në Meksikë më 24 shtator.

“Mëngjesin e 23 shtatorit, Matilde dhe unë shkuam në Isla Negra për të mbledhur disa plaçka të tij”, kujton ai. “Ndërsa ne gjendeshim atje, mora një telefonatë nga Neruda në klinikë.”

“Ai më tha: ‘Kthehu sa më parë! Ndërsa po flija një mjek erdhi dhe më dha një injeksion në stomak.’”

Araya thotë se Matilde dhe ai u kthyen menjëherë për në Santiago. “Neruda vdiq rreth orës 22:30 atë mbrëmje”, kujton ai. Matilde Urritia vdiq më 1985-n. Ajo gjithmonë mohoi aludimet se bashkëshorti i saj pati vdekur nga kanceri, por nuk akuzoi kurrë publikisht se ai ishte vrarë.

Fondacioni “Pablo Neruda”, i cili mbikëqyr trashëgiminë e poetit, këmbëngul se ai vdiq nga kanceri, por thotë se do të bashkëpunojë për zhvarrimin dhe testimet.

Histori e pistë

Do të ishte e lehtë të hidhej poshtë akuza për vrasje si e pabazë, në rast se nuk do të bëhej fjalë për historinë e Kilit. Në vitin 2009, gjashtë njerëz u akuzuan për vrasjen e ish-presidentit të Kilit, Eduardo Frei Montalva.

Ai ishte mjekuar në të njëjtin spital ku vdiq edhe Neruda. Atje, Frei Montalva mori një ndërhyrje kirurgjikale rutinë më 1981, në kulmin e sundimit ushtarak të gjeneralit Pinoçet.

Por nuk doli kurrë gjallë.

Një gjykatës doli në konkluzionin se ai ishte helmuar me thallium dhe gaz mustard.

Në dhjetor 2010, eshtrat e ish-ministrit të Brendshëm, Jose Toha, u zhvarrosën si pjesë e një hetimi për vdekjen e tij më 1974-n.

Ushtarakët thanë se ai kreu vetëvrasje, duke varur veten në gardërobën e spitalit. Por në tetor të vitit të kaluar, një gjykatës hetimor doli në përfundimin se ai ishte mbytur.

Do të duhen shumë muaj deri sa ekspertët mjekoligjorë të dalin në një konkluzion mbi shkaqet e vdekjes së Nerudës.

Por duke parë rolin e poetit si një nga figurat më të mëdha të letërsisë latino-amerikane, këto konkluzione ka gjasa që do të bëjnë jehonë nëpër botë.

Ngjarjet hap pas hapi 1973

11 shtator: Gjenerali Pinoçet udhëheq një grusht shteti kundër qeverisë socialiste të Salvador Allendes, i cili kryen vetëvrasje në pallatin presidencial në vend që të dorëzohet.

14 shtator: Ushtarët e Kilit bastisin shtëpinë e Nerudës. Ai raportohet se u tha atyre: “Ka vetëm një gjë që unë posedoj dhe që përbën rrezik për ju. Kjo është poezia!”

16 shtator: Gjenerali Pinoçet mohon zërat për vdekjen e Nerudës.

19 shtator: Neruda dërgohet në spital në Santiago.

20 shtator: Qeveria e Meksikës ofron mikpritje për Nerudën.

23 shtator: Neruda vdes, raportohet se tha se i kishin bërë një injeksion misterioz ndërsa flinte.

Takim i Këshillit të Ministrave të Kulturës Europiane


Takim i Këshillit të Ministrave të Kulturës Europiane
Takimi vjetor i Këshillit të Ministrave të Kulturës të vendeve të Europës Juglindore u mbajt Në Brdo të Sllovenisë. Në këtë takim ministria e kultures shqiptare u përfaqësua me një delegacion të kryesuar nga zevendes ministria Suzana Turku. Ky event u shoqerua edhe me celjen e nje ekspozite “ Duke imagjinuar Ballkanin. Kjo ekspozitë është konceptuar me imazhe që përfaqësojne identitete dhe memorje përgjatë shekullit të 19’të si dhe brenda kuadrit të nismës së Zyrës së UNESCO-s në Venecia: “Kultura: një urë drejt zhvillimit”. Kjo ekspozitë lëvizëse, për të cilën është botuar dhe një katalog shoqërues, do të lëvizë në të gjithë vendet e Ballkanit. Muzeu ynë Historik Kombëtar, përfaqësohej në ceremoninë e hapjes së ekspozitës me kuratorin e saj Z. Sali Kadria.

Rishikimi i drejtshkrimit, bëhen disa ndryshime të Gjuhës Shqipe


Rishikimi i drejtshkrimit, bëhen disa ndryshime të Gjuhës Shqipe

Këshilli ndërakademik kërkon që togjet e zanoreve (oo) të shkruhen me një zanore

Kryesia e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe i ka dorëzuar Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës propozimet për rishikimin e drejtshkrimit. Mes gjuhëtarëve është rënë dakord të ruhet ë-ja e patheksuar në shumë prej fjalëve që pritej të binte. Gjuhëtarët kanë propozuar edhe drejtshkrimin e disa fjalëve me l ose me ll. Në shqytim janë marrë edhe disa fjalë që kanë dyshkro-njësha si alkool të shkruhet me një o dhe zooteknik po me një o. Mbledhja e radhës e Këshillit do të mbahet në Prishtinë. Qëllimi i gjuhëtareve është përmirësimi i standardit. Këshilli Ndërakademik merr vendime jo të detyrueshme për zbatim.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...