“Ylli i vërtetë në një program talk show
nuk është i ftuari, por vetë moderatori”. Kështu shprehet gazetari Elvin Luku,
pjesëmarrës në konferencë “Java e Shkencës 2013”, që është mbajtur ditët e
fundit në Prishtinë. Z.Luku, kandidat për doktorant në Shkollën Doktorale në
Universitetin e Tiranës, referoi një temë mbi talk show-n, ku prek nga afër
disa prej emisioneve më në zë aktualisht në tregun mendiatik shqiptar. Ai thotë
se në programet talk show në Shqipëri mungon pjesa e spektaklit, ndërsa moderatorët
janë të fokusuar vetëm në intervistën klasike me të ftuarin. Sa i takon
publikut, gazetari shpjegon se në Shqipëri ai shihet si dekor, ndërsa në talk
show-t e huaj audienca në studio është një nga komponentët kryesor të
spektaklit të falës. Studiuesi i ri u ndal edhe në raportin mes televizionit
dhe kulturës dhe rolit të medias vizive në edukimin e shoqërisë.
Intervistë me gazetarin Elvin Luku
Në
një vëzhgim të shpejtë që i kemi bërë temave pjesëmarrëse në konferencen “Java
e Shkencës 2013”, që është mbajtur në Prishtinë, vumë re se punimi juaj
fokusohej mbi gjininë talk show në televizion. Pse kjo zgjedhje? Cili është
sipas jush raporti mes televizionit dhe kulturës?
Zgjedhja ka të bëjë, pikësëpari, me
studimet e mia të thelluara në fushën e mediave të komunikimit masiv. Siç jeni
në dijeni, unë ndjek studimet në Shkollën Doktorale në Departamentin e
Gazetarisë dhe Komunikimit, në Universitetin e Tiranës, me një temë të pa
qëmtuar më parë nga studiuesit: Talk show në Shqipëri.
Raporti mes kulturës dhe televizionit?
Unë do të thoja se televizioni është media që nëse arrin ta përdorësh siç
duhet, mund të ketë impaktin më efikas në përhapjen e kulturës, me një
shpejtësi të jashtëzakonshme. E them këtë me siguri dhe bindje të plotë, për
disa arësye kryesore:
Së
pari,
televizioni është një media, që falë një antene të mirë parabolike, të mundëson
shtrirjen e sinjalit nga Jugu në Veri dhe Lindje-Perëndim. Kjo do të thotë se
mesazhi i dhënë nga qëndra shkon në kohë reale në miliona shtëpi njëherësh.
Së
dyti,
në konceptin e McLuhan, të cilin unë e mbështes plotësisht, televizioni është
një “media e ftohtë" që do të thotë se ai është gjithëpërfshirës. Mesazhi
televiziv i drejtohet të gjitha shtresave duke filluar që nga intelektualët e
deri te ata individë që kanë një formim më të ulët kulturor. Kjo do të thotë se
ndryshe nga libri, i cili kërkon më shumë impenjim, televizionin arrijnë ta
shohin të gjithë. Kjo media ka vetinë që nuk përjashton askënd, përkundrazi, i
përfshin të gjithë në gjirin e saj.
E treta
është
se statistikisht në nivel kombëtar, televizioni është ende media me audiencen
më të lartë.
Megjithatë, duhet patur kujdes me “gjigandin
e ndrojtur”, siç e quan McLuhan televizionin sepse një keqmenaxhim i tij, në
vend që të përhapë kulturën mund të krijojë probleme të mëdha.
Çfarë doni të thoni me këtë?
Me këtë nënkuptoj se televizionet
kombetare psh., të cilat menaxhojnë spektrin e frekuencave që është pasuri
kombëtare, duhet të arrijnë balancën mes televizionit si biznes dhe
televizionit si media që përfaqëson interesin publik. Si arrihet kjo? Fillimisht
ato duhet të jenë, ashtu sikurse përcakton ligji: Shoqëri anonime.
Pse,
nuk janë të tilla?
Me letra ato figurojnë, por në
realitetin mediatik shqiptar unë dyshoj se janë të tilla. Televizionet janë të
përqëndruar në pak duar. Këtu, gjykoj unë, burojnë problemet në median vizive
Shqiptare. Duke qënë të tilla, pronarët i përdorin televizionet ose si mburojë
e bizneseve të tjera që zotërojnë, ose për të bërë presione mbi qeverinë për
interesa të ngushta financiare. Dhe e gjithë kjo “luftë” shitet në emër të
interesit publik.
Pra, hapësira publike e përpunuar në
konceptin e profesorit të Shkollës së Franfurtit Jurgen Habermas, ndryshon me
evoluhimin e infrastrukturës teknologjike, por, për fat të keq, ajo është e
kontrolluar nga ato individë që drejtojnë mediat. Ky është një shqetësim dhe
për demokracitë perëndimore, por, më së shumti, në vendet me demokraci hibride
si Shqipëria.
Thatë
pak më parë se nëse televizioni përdoret si duhet mund të ketë impakt efikas në
përhapjen e kulturës. A ka ndonjë formulë për këtë?
Unë nuk para kam qef të flas për
formula, megjithëse ju mund të keni të drejtë. Por para se të vimë këtu, unë do
të thoja, se çdo media ka gjuhën e vet. Alfabeti i televizionit sigurisht që
është imazhi dhe pastaj fjala.
Kur
flas për televizionin si një media e kulturës apo edukimit, nuk nënkuptoj
termin klasik të saj. Të jemi të qartë, televizioni nuk mund të kryejë as rolin
e shkollës, as të librit, as të mësuesit etj., sepse në momentin që merr
përsipër role të tilla mbingarkohet me informacion dhe humbet audience. Dhe nuk
ka më shikueshmëri, sepse media vizive nuk po fet me alfabetin e vet, por me
atë të mediave të tjera. Fundja, kujt i duhet një televizion që nuk ka
shikueshmëri?
Askujt!
Prandaj
vimë në pikën ku televizioni vërtet nuk mund të kryejë rolin e shkollës, të
librit etj., por mund të vijë në ndihmën e të tyre, duke përdorur gjuhën e vet.
Si? Po vjen permes kronikave cilësinë e niveit të shkollimit, universietet
publike e private, të shërbimeve shëndetësore, të cmimeve të këtyre shërbimeve,
të librit, të mjedisit, pra të atyre
problemeve që qytetari i prek çdo ditë.
Me
kolegët e mi gazetar unë vazhdimisht diskutoj se si e ka braktisur media
klasike qytetarin për politikën dhe interesat financiare, pra për propagandë. Siç
e dini dhe ju, në konceptin e mendimtarit të madh bashkëkohor Çomski,
“propagandë” do të thotë “mbrojtja e pushtetit ekonomik të korporatës ndaj
demokracisë”.
Jam
i mendimit se në Shqipëri, ashtu siç ndodhi dhe në botë, sistemi i mediave
gjeneraliste ka rënë. Vetëm një pjesë e vogël e televizioneve të tilla si BBC,
CNN, Al Xhazira, FOX etj., me baza të forta ekonomike dhe strukturore kanë
arritur të mbijetjnë disi. I bashkohem mendimit të Prof.Artan Fugës se mediat
në Shqipëri duhet t’i mëshojnë më shumë lajmit lokal, pra kthimin e medias në
rolin e saj të zakonshëm, që është interesi publik.
Tema
juaj: “Përqasje teorike mbi talk show-n: Rasti Shqiptar”, u prit me interes në
“Javën e Shkencës” të mbajtur në Kosovë. A mund të thoni shkurtimisht dhe për
publikun tone se çfarë të reje sollët në këtë punim?
Së pari, më vjen mirë që ju përdorët
termin “publiku jonë”, që do të thotë se ju jeni të ndërgjegjshëm se tashmë nuk
ka më një publik masiv që ju dëgjon, lexon e shikon, por një audience të
fragmentarizuar.
Për të kaluar te pyetja juaj, dua të
sqaroj se në punimin “Përqasje teorike mbi talk show-n: Rasti Shqiptar” nuk do
të gjeni një përkufizm rreth tak show-t, sepse nuk ka një të tillë. Studimi
evidenton katër gjinitë klasike të “spektaklit të fjalës” dhe karakteristikat
që bashkojnë këto lloj formatesh.
Talk show është një program që trajton
tema të lira dhe mënyra sesi ia përciell ato publikut varet pikësëpari nga
moderatori. Natyrshëm, kemi ardhur te karakteristika e kryesore e talk show-t,
program ky që përfaqësohet me një imazh të vetëm, që është fytyra e drejtuesit
të emisionit.
Besoj se i keni parë emisione të tilla
në SHBA, si: Late show with David Letterman,
Tonight show with Jay Leno, Larry King
Live!, Real Time with Bill Maher, The Daly show with John Stewart. Që në
titull vihet re emri i drejtuesit të emisionit. Pse? Sepse talk show është një
punë grupi e producetëve, regjizorit, kameramanëve, teknikëve, të ftuarve,
publikut, bandës muzikore, etj., që punojnë dhe vihen në funksion të figurës së
moderatorit, i cili duhet të dalë në formën më të mirë të mundshme.
Nëse në Shqipëri thuhet se emisionin e
bën i ftuari, në SHBA, aty ku ka lindur ky lloj formati prej 60-vjetësh tashmë
thuhet, se “ylli i vërtetë nuk është i ftuari por vetë moderatori”.
Element tjetër i rëndësishëm është
biseda në studio, pra mënyra se si serviret ky produkt në shtëpitë e shikuesve.
Programet talk show janë produkte që karakterizohen nga ajo që quhet
“ndërgjegje e dyfishtë”, një bisedë shumë intime që konsumohet në studio, por
njëherësh masive sepse u drejtohet një audience të gjerë. Këtu hyn sërish në
lojë mjeshtëria e moderatorit, i cili “ecën lehtësisht, hap pas hapi, në ‘shpirtin’
e të ftuarit duke eksploruar intimitetin e tij”…
Shpesh herë emisionet talk show të
krijojnë përshtypjen se janë programe që ndodhin aty për aty, dhe se
moderatorët krijojnë shumë hapësirë për ngjarjet e rastësishme.
Në
fakt, a janë të tillë?
Sigurisht që jo. Një “mall” kaq me vlerë
sa është një program talk show, i cili gjeneron të ardhura të jashtëzakonshme
nuk mund të lihet në mëshirë të fatit. E thotë mjaft bukur Arian Çani, se
televizioni është një hipokrizi e madhe sepse shet si spontane diçka që është e
përgatitur në detaje. Madje, unë do të shtoja se sa më e rastësishme të duket
biseda në studio, aq më shumë kohë e punë i ëshë dashur moderatorit e
regjizorit për ta shitur si të tillë.
Në vitin 1986, në një nga puntatat në
talk show-n amerikan Late Show with David
Letterman,ishte i ftuar komediani Richard Pryor. Nga studimet e këtij
episodi të suksesshëm rezultoi se Letterman kishte përgatitur me kujdes rreth
80% të diskutimit që u zhvillua në studio, përfshi këtu edhe batutat. Këtë
metodë pune Letterman e kishte huazuar nga i ashtëquajturi “mbreti” i talk
show-t, Johnny Carson, i cili gjatë karrierës së tij 30-vjeçare në programin The Tonight
show, nuk e kishte vënë asnjëherë në diskutim nivelin e shikueshmërisë në
rradhët e emisioneve të gjinisë së tij.
Parapërgatitja në emisionet talk show
është themelore për jetëgjatësnë në treg. Përndryshe, publiku të zhduk sa hap e mbyll
sytë, me një të shtypur të butonit.
A
ka talk show të mirëfilltë në Shqipëri?
Sigurisht, që po. Nëse më lejoni t’iu
përmend disa, janë: Zonë e Lirë, A Show, E diela Shqiptare, E Diell, Top Show, By Pass show, Opinion, Top
Story, Jame Vu, Natën Vonë, Zip, Wake Up etj...
Këto janë disa programe që më vijnë
ndërmed aktualisht, por nuk do të thotë se janë më të mirët. Ka mes tyre
problemet të shumta, në varësi të formatit.
Mund
të na thoni disa prej problemeve që shikoni?
Po, sigurisht. Por do të ndalesha
shkurtimisht në disa pika:
Së
pari
do të thoja se në Shqipëri ka me shumicë talk show politikë. Pra, një mbingopje
me këtë lloj formati dhe duket sikur ato përditë përsërisin vetveten.
Së
dyti,
në total do të thoja se në pjesën më të madhe të programeve mungon totalisht
elementi i show-t. Këtu talk show-t janë përqëndruar në intervistën klasike,
duke harruar se shikuesi kërkon dhe pak çlodhje dhe humor.
Së
treti,
mungon totalisht pjesëmarrja e audiences. Këtu publiku, në pjesën më të madhe
të rasteve shihet si dekor, për të zbukuruar skenën. Ndërkohë në programet
jashtë, veçanërisht në talk show-t e ditës me pjesëmarrje të audiences, publiku
është aktor.
Po
talk show-t në
Kosovë si ju duken?
Fatkeqësisht, nuk i kam studiuar. Nuk di
të them… Besoj do t’i studiojë në një kohë të mëvonshme.