“Falënderoj të gjithë ata burra dhe gra që janë në misionin e sundimit të ligjit EULEX, të cilët kanë lënë vendin e tyre për t’i ndihmuar Kosovës si shtet, të gjithë ata me profesionalizëm dhe përkushtim ndihmojnë në ndërtimin e këtij shteti ligjor. E ndjeva për obligim për ta thënë këtë, për hirë të publikut. Këtu jemi duke diskutuar për një çështje për të ardhur deri të e vërteta, prandaj gabimet dhe lëshimet me apo pa qëllim kanë të bëjnë me rastin konkret.
Kërkoj mirëkuptimin tuaj për atë që do të them, për arsye se katër vite, unë dhe familja ime të përndjekur dhe të persekutuar. Prandaj që katër vite nuk kam pasur rastin të dëgjohet zëri im për të gjitha ato shpifje dhe atij linçimi publik që më është bërë mua dhe familjes time. Nuk kam pranuar asnjëherë që për këtë rast të flas në medie, para se këtë ta bëjë në gjykatë, sepse vetëm kështu mund të shkojmë përpara, pra të flasim aty ku është vendi.
Tani është vendi që të flas para jush dhe t’i paraqes shqetësimet dhe kundërshtimet e mia. Ju falënderoj që po ma mundësoni këtë. Në krejt aktakuzën nuk do të gjeni asnjë dëshmitar që dëshmon atë për çfarë po me akuzon prokurori. Katër vite, zyra e prokurorit ka shfrytëzuar gjithë logjistikën dhe s’ka mundur të gjejë asnjë provë të vetme për akuzat që i ka ngritur.
Asnjë xhirollogari s’mund të gjejë, në asnjë vend në botë, as për mua, as për vëllezërit dhe familjen time, për ato që po akuzohemi. Edhe katër mijë vjet nuk mund t’i gjejë (prokurori) sepse nuk ekzistojnë”, tha Limaj.
Fatmir Limaj: Ka ardhur koha të dëgjohet zëri im
Ka përfunduar pjesa e parë e seancës gjyqësore për rastin e MTPT-së, për të vazhduar në ora 13:45.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj ka kërkuar nga trupi gjykues që në këtë proces gjyqësor palët të jenë të barabarta.
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në sallën e improvizuar në "Kinemanë ABC1", sot mbahet seanca e radhës ndaj Fatmir Limajt dhe të akuzuarve të tjerë për rastin e MTPT-së.
Në këtë seancë pritet të shqyrtohen kundërshtimet e mbrojtjes për pranueshmërinë e provave dhe kërkesa për hedhjen poshtë të aktakuzës.
Avokati i Limajt, Tahir Rrecaj, ka thënë se për palën mbrojtëse provat janë të papranueshme dhe se interpretimi i tyre nga ana e prokurorit është i njëanshëm.