Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli ishte të shtunën në komunën Bushat të rrethit Shkodrës, ku mori pjesë në aktivitetin e organizuar në nder të poetit të madh të letrave shqipe, Ndre Mjeda. Aktiviteti organizohej në kuadër të 100 vjetorit të kishës së Kukëlit, nga Qendra Muzeore “Ndre Mjeda”, e cila bëri edhe promovimin e 10 vëllimeve për jetën e Mjedës me autor studiuesin Mentor Quku. Me këtë rast i pranishëm ishte edhe ministri i Turizmit, Kulturës, Rinise e Sporteve, Visar Zhiti.
Kryetarja e Parlamentit,Topalli, duke vlerësuar figurën e Mjedës, tha se “Kisha e Mjedës është kishë që me muret dhe gurët e saj tek secili prej nesh sjell veprën, idealizmin besimin, patriotizmin e Ndre Mjedës”. Më tej në fjalën e saj ajo bëri të ditur se në hyrje të Kuvendit të Shqipërisë ka vendosur një foto të madhe, ku përveç atyre burrave që ishin zgjedhur deputetë në 1921, është edhe elita shqiptare. “Gjëja më e bukur që mua më pëlqen është se aty është një myfti, është edhe Mjeda, është edhe Padër Gjegj Fishta”, pohoi ajo.
Ndërsa ministri Zhiti, duke folur mbi rëndësinë që mbart kjo figurë e letrave shqipe, deklaroi se brenda javës, tryeza ku poeti Ndre Mjeda ka shkruar veprat e mëdha të tij, do të jetë në Kukël.