Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/09/29

Atdhe me Ty dua të bisedoj...



NGA  TEUTA SADIKU


E hëna

ditë pune e zakonshme, e gjitha materie.
Ngjeshur sa më shumë të jetë e mundur pas lekut
trup, këmbë, kokë, mendje,sy
ka dhe shpatulla të rëna nga lodhja,
kofshë të nxirra,të përplasura diku
kurthe gojësh,vështrime vëngër
leje të skaduara, dokumente pa vulë,
mendje të çoroditura,të mbledhura lëmsh
që sja gjen dot fillin askush.

Unë emigrantja vrapoj mes tyre se më presin
orendi të vjetra të plasura nga inati diku
karrige këmbështrëmra nga fjalët e rënda
pasqyra të ciflosura nga egërsia e fytyrave pa shpirt
avulli I frymës sime kurrë nuk I pastron mirë.

divanë me thërime fjalësh të shkërmoqura,
të pa përtypura mirë
tavolina gjithë njolla mërie ,plasje buze
çarçafë memecë, të penduar netëve pa gjumë
orë muri të rënda të çkurdisura nga durimi i pritjes
numërojnë dhe sekondat e punës së pasiguruar mirë
orë të vogla që punojnë si tik –taket e zemrës së gruas
televizorë me gojë të mëdhaja si kuçedra kollofitin mendje e tru
rroba gjithë djersë e erë thartirë nga poshtërsitë e fshehura mirë,
presin të hapet dera e ballkonit e përjashta të varin vetëveten
piktura të vjetra mbuluar nga pluhuri I kohës qysh kurrë
presin rradhën për diskutime shoqërore dhe historike
banja alla turke që ulesh më gjunjë e pikohesh gjithë shurrë
banja alla frënge ku politikanëve su vjen të ngrihen kurrë
të gjitha presin një moment magjik
ti prekë dora e pafajsisë,
të së Hënës.

 E marta

Portreti i së Martes nga e Hëna, nuk dryshon dhe aq,
me bisht të syrit shoh që e Hëna kokën mënjanë ma mban.

Mëri përse të më mbajë? Për cfarë ?
Mëri pse të Hënës jam <vorioepirote> I thashë?
apo për fustanin borxh që emrit tim i dhashë .

Apo më mban mëri,
pse zonjës i shërbej kurse nënët time e lashë në shtrat.
në vesh më pëshperiti e Hëna që aq e lodhur iku zvarrë:
< -kokën mbaje ulur ,
vetëm tek puna sytë I mbaj
që të të marr në punë e Marta vër më mirë një maskë>

E Marta gjithë ditën më mbajti mëri ,
smë foli asnjë fjalë
ashtu kot ,çëshje marrëzie , tha
pse fillova të shkruaj e të lexoj pak gjuhën e saj.
mbi kurrizin e dalë të së Hënës nga lodhja.

Ia shpjegova arsyen,
për të mos parë mizerien time në sytë përballë.
që ëndrrat mi jep të bluara në pëllembë të dorës.
Sytë e së martës mezi ecin nga këmbët
janë të lodhura e djegin nga klori,
ndaj nuk ja vure re fjalët e thëna që moti.
Do vijë patjetër e nesërmja të më marrë prej dore.

 E mërkura

E mërkura ime, zë fill atje
kur të martën nuk fola me time Mëmë
dhe u mërzita 
deri në atë pikën ku smban më
gjuha ime të zihet ngushtë
nga provokimi i qerpikëve
kur mbyllin njërin sy e ia shkelin tjetrës
buzët përshpërisin ironikisht
< është ajo, e huaja,>

Besomëni,
nuk ka më keq të shohësh
mjerimin tënd në të xhamtin sy
tek tjetri
e kupton nga mënyra se si i përvesh mëngët 
buza. ashtu pa teklif.
Po ja vjen momenti tjetër
- e huaja -shndrohet në gjithshka
kur e Mërkura lëshohet e gjitha 
ashtu siç e ka bërë nëna 
në të emigrantes duar...

Me që ra fjala, 
nuk është vetem çështje gjuhe
apo historike,
po dhe ajo tjetra
mënyra se si e Mërkura
bën mësheftas prapaskena 
paraditen e së Djelës në parakalim
të nxjerrë vrer nga gjuha e saj
mbi truallin e zemrës sime,
kur sheh se Odisetë e mi
janë të zotë të ngrenë flamure.

Pas kësaj e di 
E mërkura do jetë pa shpirt
pa pika ndalimi për të marrë pak frymë
pa presje,
për të mbajtur drejt mesin e këputur
këmbët dridhen ,
ngatërrohen në rrugë
humbasin për pak busullën 
< ej, ti alvane hape rrugën.>

E shoh të mërkurën çdo ditë në sy
duart, mendja, shpirti i janë tharë 
barku shterpë, 
pa fëmijë.
sa krim ,fëmijët meteorë
nesër do të jenë <askushi> dhe ata?!

Nuk i futi e nuk i futi në gji 
edhe pse para syve të saj lindin çdo ditë.

Të mërkurës ju betova 
do i ngrihem që pa gdhirë 
ta laj,ta pastroj, ta ndroj,ta ushqej 
si fëmijë
për mos ta kuptuar 
gjumi këtu e vite më del deficit
që e Mërkura të ngrihet në PIEDESTALlN e duhur!

 E enjtja

At~dhe me Ty dua të bisedoj
shtruar gju më gju At dhe Bijë
Kam nevojë shumë për dorën,
fjalën e ngrohtë të mamasë
.në këtë kohë të vështirë.
Kuptomë,
kam nevojë për dikë
të mendojë, të ketë merak për mua
ku jam ,a jam mirë, pse u vonova.
Ty të dua akoma më shumë
Po në një mënyrë krejt tjetër .
At~dhe për këtë do të flasim
një here tjetër.po tani
dëgjomë me vëmendje:

Mësova se mamaja ka TENSION të lartë.
U shqetësova ndaj
në çantën që po u dërgoj me vetminë
poshtë ilaçeve për  mamanë
Jo pa qëllim, po ju vë një fotografi të lashtë.

At~dhe thoji mamasë mos ta futë rrëzave
ta vari në portën para shtëpisë.
jo nga brenda
nga jashtë, ta shohi gjithë bota.

Poshtë fotografisë kam vënë një palë ndresa,
 të dyta
Mbase ndron lëkurën koha, e ndryshojnë gjërat
e bëhemi  të gjithë bashkë
  një trup si dikur.


At~dhe unë e di ,
 ja sikur të jem aty
ty lotët nuk të duken por Ti qan  në heshtje me ngashërim ,
Mos u mërzit ,
nuk është e largët dita e BASHKIMIT

P.S .

At~ dhe një porosi të fundit kam
të lutem rriji pranë mamasë,
 qetësoje
kujdesu për të ,
unë nuk vi dot akoma
se jam pa Kartë.


E premte

 Java është e gjatë si radha e emigrantëve
ka dhe lartësinë e vet
se nga cili kat bie lodhja 
nuk ra rëndësi.
ngjitja e shkallëve nuk më rëndet,
po zbritja në skutat e erta të shpirtrave
të dërmoka, përfundimisht.

kova pasi më pi mirë me leckë
më shtrydh fort
e pastaj më derdh
nga goja, në grykën e ujrave të zeza.

si për inat
rrezja e dritës
nga pas më ndjek
nuk ia mbush synë për punë xhamit të syzeve të saj
këtu ka pluhur ,nuk e fshive me  të pafajshmin moral tëndin ?!
gishti më drejtohet
duke shtyrë orën e punës  pak më tutje.

Inat më vjen me edukatën time të durueshme 
në majë të hundës ma sjell shpeshherë
kur ora e punës zgjat këmbët pa shpërblim
hajde akoma ske mbaruar, u err
vaditi dhe lulet që janë vyshkur 
ringjalli me forcën e mendjes si dje.

Më pas vjen llogarija
kjo është vdekja e tretë
Pastaj vjen vdekja e katërt , e pestë  e….
nuk e dija që isha mace me shtatë shpirtra.

 E shtuna

E shtunë, dita që kam kohë të pastroj shtëpinë
nga pisllëku - i kujtimeve të javës që shkoi,
të zgjedh një dëshirë për ta çngurtesuar në vaktet e fundjavës
mos harroj të blej më të domosdoshmet në markatë.
Një shishe ujë çmallengjimi me aromë loti nga firma  Trebeshina
një krem per djegie nga dashuria në kete vape torture
kam frikë se do më duhet të marr ilaç rezerve
për transfusion shprese ,
se ajo që kisha smë bëri punë .
A , pa tjetër duhet të marr
një ilaç me pika ëndrrambytese për dëshirrat e parealizuara
një kuti me kokrra qetësuese për ndjenjat e trazuara, se diku pashë
listën e emigrantëve të kapur pa dokumenta.
Prapë dola nga llogarie ime
dhe këtë periudhë tëkeqe që ka pllakosur vendin
jam fare e shkundur, pa kokërr leku.
Shpenzoj shumë, të gjithë më thonë,sa debile je
kur ske pse jep?
tani më duhet të tjerat ti marr verese
paketa me ide si dhe garza sterile për heshtjet e mia gjithë plagë
Aman, kur do të vijë e Hëna?




          E Djela

E djela ime, përxhëritur raskapitur
me këmbët e enjtura , plot variçe,fryrë
u zhyte në dete , more dhe ngjyrë
po lodhjen e javës se hoqe dot kurrë.

  
E stinës


E ithtë kafja që pi mëngjesave këtë Tetor

shoqëri me shiun e imtë që herë herë i bie xhamit me gisht

gjethet fluturimthi më shikojnë

 shtegtojnë dhe ato.
Kthej faqen e gazetës

Perëndi e madhe

vështroj duart,

karboni i gazetës më ngelet në dorë

prek gërmat,

hiri i trupave në foto është ende i ngrohtë
një atmosferë shurdhmemece mbretëron
në botë.


 E pabesueshme

Nënë ,
ke dalë mes katër  rrugëve dhe shet trupin tënd?
Po pse smë tregoje të vërtetën ,
Atë natë kur u mblodhëm të tërë
mua birit tënd më mban këto të  fshehta ?!
Nuk mund ta imagjinoj dot
 as nuk e di kë ke shitur të parin
 gjinjte e bukur ,
ishullin e Sazanit?!
trupin e bukur,
kurorat e maleve mbi kokë
apo  barkun pjellor ,
Mos vallë sytë e kaltra të ujshme
që i ka zili një botë e tërë ?
Nënë ,Jo,  një gjë të tillë
nuk mund ta besoj.

 Emigranteske 

Na thanë :Ju ikët
si gjethet e pemëve andej nga fryjti era
Po,e vërtetë
morrëm arratinë
kur pamë si i prisnin Lisat e pyllit
për një copë letër.
U vendosëm në Shpellën  Para Erës.
U hapën qiejt.
Pluhur u bë Guri nga rrebeshet e kohës .
Po tani?!
Tani çpojmë qiejt në tjetër Planete.



  Palcë dimri bota

 Kaloj damarrëve të fryrë të këtij viti
Vështroj vitrinat bosh veshur me letra
diku më kapi syri: Pranvera Arabe, filloi
në një nga gazetat e nderura vyshkur në diell
kapur me ngjitëse ,në dy cepa,
të tjerat varreshin si kryqe të thyera
të plakushes Europa që I therrin nga dhimbjet .

 lexova më poshtë,
 Pranvera Arabe, lulëzon
U rrënqetha kur pashë fotot në gazetë.
Me qindra shpirtra pa jetë përtokë ,
 lumë gjaku i ngrirë rrugëve të Egjyptit.
Zot ,mirë njerëzit që sdinë se çbëjnë,
po dhe ti ke ngatërruar stinët ?!
U afrova , mora gazetën në dorë
Poshtë fotos që vinte  era gjak lexova:
Pranvera shpërthen me forcë nga palca e dimrit .


Emigrantët

Na thanë :Ju ikët
si gjethet e pemëve andej nga fryjti era
Po,e vërtetë
morrëm arratinë
kur pamë si i prisnin Lisat e pyllit
për një copë letër.
U vendosëm në Shpellën  Para Erës
U hapën qiejt.
Pluhur u bë Guri nga rrebeshet .
Po tani?!
Tani çpojmë qiejt në tjetër Planete.


Largë prej "bashkimit" me armiqtë kombëtar! "Bashkimi Ballkanikoperëndimor" është bashkim me Serbinë.




Mr.sci.Brahim AVDYLI


Sado që jemi lodhur me analizat e herëpasheshme politike nuk po përtojmë të sjellim të njëjten çështje para opinionit publik shqiptar, që po mbahet këto ditë në New-York: Bashkimit Ballkanikoperëndimorë.
As gjysmën e shkrimeve që i kemi bërë deri më sot, nuk ka nevojë të sjellim ndërmend. Kur kemi shkruar për këto ngjarje dhe analizat e thukta që i kemi berë, armiqtë tanë presin deri sa "të harrohen", sado që atyre përpiqen t`ua zënë udhën për të mos dalë aspak në opinionin publik. Kur nuk e pret e "shplojnë" kokën e tyre për të njëjtën "pikëpamje" të ligë, të ruajtur fshehtë përherë: krijimin e "jugosllavisë së re". Si me magji vinë këto "shpallje" në shprehje, aq më pak kur kemi vuajtur gjatë nën gjenocidin serbo-sllavë dhe këto gjenocide i kemi të freskëta me plagë të pashëruara dhe të mëdha, por sikur nuk i dimë.
Serbët i shfrytëzojnë si "taban" të përkryer djemtë e ish-UDB-ashëve, që kanë bërë një "vistër" të "përpjekjeve" të vona, gjoja "për çlirimin e Kosovës" dhe sot "mburren" me gjëra të "luftës çlirimtare", ani pse e kanë lënë përgjysmë çlirimin e Kosovës së ngushtë. Mitrovica dhe Kosova veriore lënguan deri më sot, sepse aty qenë minierat e Trepçës, pasuria më e madhe e Kosovës. Sot kanë "rënë" përfundimisht në duar të serbëve, të Veselinoviçit dhe të tjerëve nacionalitë serbë, së bashku me të gjitha territoret e ashtuquajtuara "të manastireve serbe", që nuk janë "serbe", por monumente ortodokse shqiptare.
Ne nuk e shohim lidhjen e këtyre djemve të Kosovës me Serbinë. Tashmë janë bërë një pjesë e "analistëve", si psh. Azem Vlasi, Shkelzem Maliqi, apo të rinjë, si psh. Veton Surroi e të tjerë. Të tillët, na zënë rrugën me "teori" perfekte, si "taktikë" e "politikë ndërkombëtare", të "eliminimit të korrupsionit", të ecjes përpara të "elitës" kosovare, deri te "Bashkimi Ballkanikoperëndimor".
Së fundi, nuk mund ta fshehin jugonostallgjikët në këtë vijë "neojugosllavizmin" e dukshëm, që vetëm në flamurin e propozuar për "Bashkimin Ballanoperëndimor" del i njëjti flamur për Jugosllavinë, ndonëse ylli i tij është bërë me yjet e Evropës.
Në gazetën malazeze "Dan" vjen në shprehje krijimi i këtij "bashkimi", Unionit Ballkanikaperëndimor. Në radhë të parë, të themi në origjinal, ky gadishull i popujve që e jetojnë aty, nuk quhet "Ballkan" sipas turqishtes, por Gadishulli Ilirik. Osmanët dhe në perëndim Anglia, pjesërisht Fuqitë e Mëdha, janë bërë vëllezërit e Bullgarëve; Serbëve, Malazezëve dhe Sllavo-maqedonëve, duke e përfshirë me pahir Bosnjen e Herzegovinën. Në lidhje direkte bashkohen me Greqinë, por që e ka religjionin ortodoks. Athua, a kanë pak shkollë ngat vetes të kuptojnë se pëshpërisin me dy sytë në gjumë pikërisht ate që e servojnë serbët, grekët dhe turqit? Osmanët, gjatë shtrimit nën vete, të larë me gjak, pjesën më të madhe të këtyre kombeve, e pranuan ta thërisnin "Ballkan", sikurse ky emër ishte "i gjallë" në Turkmekistan, edhe pse si i tillë dukej për shqiptarët (pra, pellazgo-ilirët), sepse osmanët bënin përpjekje që ta zhduknin, që ta zhbijnë si farën e ligë dhe ta shpopullojnë deri në skaj të botës kombin dhe populllin shqiptar (pellazgo-ilir).
Bota perëndimore që ka mijëra fakultete të saj, e quan kështu, pa u lodhur të vrasë kokën për këtë gjë. Ne jemi ende të rrethuar me armiqtë e përbetuar: turqit, bullgarët, serbët, malazeztë, sllavo-maqedonët dhe grekët. Nuk e kemi krijuar ende linjën e bashkimit gjithëkombëtar dhe u dashka të lëshohemi në një "bashkim" forcash të armiqve tanë të mëdhenj, atyre që nuk u pushojnë dhe nuk i ndalin kurrë përpjekjet për të na shkatërruar e për të na shpopulluar! A e shohim ende qartë ku jemi nisur pa vetëdije të shkojmë dhe a jemi të vetëdishem ku duan të na ngulitin? A e kemi "themeluar" shtetin e dytë, Kosovën, që nuk quhet "kombëtar" por "multinacional", sipas romakocentralizmit dhe Biblës, dhe 80% të populllsisë vendore është shqiptare. Në të vërtetë, nuk mund të quhet shtet multinacional, sepse ia hap udhën mijëra serbëve që të vinë edhe njëherë me reformat e reja agrare. Kosova është një shtet i brishtë, i vogël dhe pa të ardhme të sigurtë.
Sipas planit "West Ballkan Six-G6" i shteteve që e krijonjë këtë godinë, nga Kosova, Shqipëria, Bosnja e Herzegovina, Mali i zi, Serbia dhe Madeqonia, është për qëllim të arrihet një asamble parlamentare të përbashkët, me pjesëmarrjen e 10 anëtarëve të çdo shteti që e krijon, dhe krijimin e një policie të përbashkët. Nisma konturon një federate jugosllave, nga përvoja e së cilës vijnë pesë shtete të gjashtës, ku flitet kryesisht serbishtja. Më tutje, provon të konstituojë një treg të përbashët ekonomik, ku të gjitha të hollat shkojnë atje ku prinë Serbia; një sistem i edukimit dhe arsimit, duke përfshirë disa fusha të tjera, por edhe luftën kundër korrupsionit dhe krimin e organizuar, gjatë fundit të shtatorit 2013, në New-York. Nën platformën e "Bashkimit Ballanikoperëndimor", apo "Unioni Ballkanikoperëndimor" qëndron me të vërtetë Serbia, si shtet i vetëm që shihet në "inserbia.info", e cila është sëmumdje e vjetër tipike komuniste, duke i përfshirë idetë e saj të vjetra nga "Ballkanika" e deri te kjo e fundit, që synon krijimin e federatës ballkanike, si mjet të hegjemonisë serbe në Ballkan.
Nëse shtetet e Ballkanit Perëndimor janë me të vërtetë të interesuar të bëjnë një bashkëpunim konkret dhe dobiprurës, le ta bëjnë këtë bashkëpunim me projekte të përbashëta ekonomike dhe infrastrukturore, me gazsjellës dhe naftësjellës të përbashët, me autostrada dhe rrjete të hekurudhës, me interkonjeksion të përbashët dhe prodhim të përbashkët të energjisë. Ne qoftë se donë "bashkime të reja" shtetet e Ballkanit, atëherë mbetet e padiskutueshme bashkimi institucional dhe organizativ i BE-së, sepse është krijuar BE për tërë kontinentin.
Procesi i integrimit të shteteve ballkanike është në fazën superiore dhe më të lartë. Nuk ka nevojë të krijohen "unione", "bashkime" ballkanike, apo edhe grupime të reja me shtetet që kanë mbetur ende jashtë. Kroacia ka hyrë në BE, së bashku me katër shtete, ndër të cilat vie Shqipëria. "Unioni Ballkanoperëndimor" shfaqet si reminishencë e ideve jugonostallgjike. Shqipëria dhe Kosova nuk mund të kenë asnjë interes diplomatik, politik, strategjik e kombëtar të futet nën obrellën e një "Jugosllavie të re", aq më pak kur flitet gjuha e shovinizmit dhe nacionalizmit serb. Këto iniciativa do të duhej më parë të rraheshin në diskutime të Parlametit të Kosovës. Qeveria jonë e ka mbajtur të fshehur këtë çështje. Asambleja parlamentare e përbashkët nuk është funksionale, sepse aspirata e Kosovës është integrimi në BE, e jo në ish-Jugosllavi, me armikun tonë të dëshmuar shekullor, ani pse iniciativa e theksuar nacionaliste dhe shoviniste serbe është mbeshtetur nga komisionari për zgjerim, Stefan Fule dhe Goran Svilanoviç, sekretar gjeneral i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal.
Marrë në përgjithësi, një "plan" i tillë është absurditet i kohës, sepse e kemi parasysh eksperiencën jugosllave në formimin e shtetit të përbashkët, ku shqiptarët, pa vullnetin e tyre politik, u detyruan ti bashkoheshin Jugosllavisë dhe Serbisë. Me grupe ilegale dhe organizime ilegale e mbajti gjallë shpirtin dhe vullnetin politik e kombëtar. Në fund, me luftën çlirimtare, arritëm që të bënim shpërbërjen e Jugosllavisë, të ngulitur me dhunë e gjenocid të pandërprerë. Ky gjenocid, sidomos gjatë luftës, gati i morri përmasat ballkanike, ndaj boshnjakëve edhe ndaj shqiptarëve.
Në qoftë se vie deri të "bashkimi" me Serbinë, në një "union" ballkanik, pa e ditur kombi shqiptar dhe Parlamenti i Kosovës, kjo gjë është kryeput tradhëti e qëllimtë kombëtare. Një gjë e tillë nuk mund të durohet.
Por, ti kthehemi njëherë analizave tona të dikurshme. Sikur i kemi "harruar" një pjesë të veçantë të analizave të përditshme dhe themi se "serbët janë më të mirë" se shqiptarët, duke mos e ditur se kjo gjë ka të bëjë me plangprishjen tonë, për idetë e armiqve kombëtar. Vinë në shprehje disa forma. Si nëpër njëfarë magjie kolektive na lëshohen formula të ngjashme. Ato janë magji të përsosura ortodokse! Pjesa më e madhe e kombit shqiptar në tokat e veta, e ka të vështirë të kuptojnë se çka thua me gjuhën shqipe, sepse të nënvlerësojnë dhe i hapin tërësisht veshtë se çfarë do të thotë në radhë të parë Serbia, atëherë edhe të tjerët nga familja "jugo-sllave": Serbia, Mali i Zi dhe Sllavo-makedonët. Nuk mendojmë se Serbia, si komb, është themeluar në gjysmën e shekullit të 19-të, pasi e kanë përvetësuar më parë fenë ortodokse prej duarve të iliro-shqiptarëve. Greqia atëherë ia hodhi në duar, sepse nuk guxonte ta merrte për vete, edhe pse ishte përbrenda fesë ortodokse dhe kishte bërë çmos për të dominuar. Ajo ka marrë me dhunë tokat shqiptare të Çamërisë, më parë Epirin jugor, ku ka bërë krime të njëpasnjëshme dhe të papara dhe pretendon të marrë "Epirin verior" nga Shqipëria, në vend së të japë decidivisht të drejtat e Çamërisë, inkluziv të drejtes së shkëputjes dhe të bashkimit të Shqipërisë. Kur nuk mundet të "realizojë" politikën dhe planin diskriminues të çamëve, i jep të "drejtë" Serbisë të përdorë fenë kundër shqiptarëve, e ndihmuar në planin ndërkombëtar prej Anglisë, Francës, Spanjës, e duke e patur "kokë më vete" Rusinë, pjesërisht të Irlandës dhe SHBA-ve, të cilët e udhëheqnin. Magjia kolektive serbe është magjia kolektive ortodokse greke dhe të gjitha shteteve të Ballkanit perëndimor dhe të Rusisë.
Mijëra herë na "flet" përmes gojës së të tjerëve, përmes shqipfolësve dhe përmes "emrave" të "mëdhenj" ndër ne, si psh, Agim Çekut, i cili pat dhënë një intervistë në gazetën serbe të Beogradit "Nedelnjik", me 18.04.2013, se "ishte për idenë e neo-jugosllavisë". Ne e kemi hedhur poshtë mijëra herë pa kursim, përmes analizave tona apo të tjerëve. Neojugosllavizmi ka të bëjë kryesisht me hipozën e panderprerë të Serbisë, hipnozën e thuktë publike, që është një magji e mirëfillltë dhe ka si pretendim të hipnotizimit të popullatës së ultë shqiptare, që të vie kokulur aty ku dëshiron Serbia dhe ta zgjate kokën nën sopatën e prehtë serbe. Mua më janë të njohura këto gjëra. Nuk duhet shpjegim tjetër, sepse kur ti flasish për magji popullit të pashkolluar, të thotë se nuk ka magji, ndonëse në katër anët e grumbullojnë fetë me magji; se kjo ështe një përrallë e rrenë klluqe, etj. dhe nuk e merr parasysh se hipnoza është një veprim magjik në konturat publike. Ajo ende veprohet ndër shqiptarë. Duhet ta mësojë këtë çështje shumë delikate dhe të fshehtë e të dijë t`ia kthej praptë atyre që po e zhvillojnë me shqiptarët dhe të tjerët, pra serbëve, sepse këto metoda i kanë përvetësuar nga perandoria bizantine dhe kisha ortodokse shqiptare, të cilat, tashmë i kemi harruar ose nuk na bien ndermend. Ai nuk e di se hipnoza është një formë masive e magjisë.
Një gjë porse është e vërtetë: kombi shqiptar ka mbetur i nëpërkëmbur tani sa e sa shekuj, nën ata që kanë "kompetencë" të "zgjidhin" çështjet e popujve, pra forcave të mëdha botërore dhe nuk ka pse të zgjasë kokën në sopatën e mprehtë serbe, sepse e ka larë me gjak të pafajshëm miliona herë! Ai nuk mund të "bashkohet" kësisoji, kur nuk i ka bashkuar pjesët e tij, të lënë me pahir nën pesë shtete të huaja! Populli dhe kombi shqiptar do ti ruhet aleacave ballkanike me armiqtë e tij kombëtar, gjë që është e njohur dhe e larë me gjak të pafajshëm gjatë mijëra viteve në vazhdimësi. Ai nuk ka si të "bashkohet" pa e zgjidhur çështjen e tij kombëtare.
Ndër shumë të këqija duhet të zgjedhim më të voglën: bashkimin e Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë, Shqipërisë, dhe të mos harrojmë Çamërinë. Ky bashkim do të quhej p.sh. "Shtetet e Bashkuara Shqiptare", ku si gjuhë zyrtare do të ishte shqipja, por do të flitej edhe dialekti serbian i Malit të Zi dhe sllavo-maqedonishtja.
Kjo është e tëra. Bashkimi Ballkanoperëndimor është bashkim i dhunshën nën Serbinë. Bashkimi me dhunë nuk është "bashkim". Nuk na mbetet asgjë më shumë se lufta. Mbushuni mend o shqiptarë, që u kemi vënë në ballë!...

Autobiografi



I takoj plejadës së krijuesve të fundviteve shatëdhjetë dhe fillimviteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar (XX).
Jam i lindur me 05 shtator të vitit 1960 dhe i rritur në Morinë të Malësisë së Gjakovës, në një vend me tradita kulturore dhe kombëtare. Që në vitet e hershme të rinisë jam dhënë pas dy prirjeve të veçanta: pas artit të fjalës dhe pas lëvizjes konspirative për lirinë dhe bashkimin e popullit shqiptar.
Ndër të parët jam vënë në krah të luftës çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në mes viteve 1990-1995 kam botuar revistën periodike gjithëshqiptare në Zvicër „Qëndresa“ dhe kam qenë Kryeredaktor i saj.
Shkollën fillore „Ganimete Terbeshi“ e kam kryer në Morinë dhe në Ponoshec, sikurse gjimnazin „Hajdar Dushi“ në Ponoshec dhe në Gjakovë me rezultat të shkëlqyeshëm. Fakultetin Filologjik e kam kryer në Universitetin e Prishtinës në Prishtinë, Drejtimi i Letërsisë dhe i Gjuhës Shqipe dhe jam Profesor i Letërsisë.
Pas Universitetit kam kryer kursin pasuniversitar në Akademinë Diplomatike Shqiptare për Maradhëniet Ndërkombëtare dhe Diplomacinë dhe kam filluar studimet pasuniversitare në Universitetin e Strugës, Fakultetin e Shkencave Politike, Drejtimi i Maradhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë, me ç`rast i kam përfunduar dhe kam mbrojtur temën e magjistraturës në lëminë e mërgatës shqiptare të Zvicrës.

Në veçanti, për shkollat e profesionet e tjera nuk kam shkruar...


KAM BOTUAR KËTO LIBRA:

-“Në hijen e Alpeve”, Poezi, Rilindja, Prishtinë, 1983;
-“Buka e kuqe”, Poemë, Atdheu, Cyrih, 1990;
-“Kur zgjohet Dodona”, Poezi, Rilindja, Prishtinë, 1992;
-“Pasqyrë e përgjakur”, Poezi, Marin Barleti, Tiranë, 1994;
-“Klithje nga fundi i ferrit”, Poezi, Onufri, Tiranë, 1997;
-“Gjuha e dheut tim”, Poezi, Albin, Tiranë, 1999;
-“Klithje nga fundi i ferrit”, b.i dytë, Jeta e Re, Prishtinë, 2000;
-“Baraspesha e humbur”, Poezi, Qëndresa, Gjakovë, 2003;
-“Vragat e një kohe”, Prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2005;
-“Lëvozhga e vdekjes”, Prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2007;
-"Stelele Veşniciei /Yjet e Përjetësisë", Poezie albaneză, din Kosova,
BKSH të Rumanisë, Bukuresht, 2008;
-“Zogu i këngës”, p. të zgjedhura, “Pjetër Bogdani” Has, 2009;
-„Mërgata shqiptare e Zvicrësdhe roli i saj“, v.politike, „Brezi `81“,
Prishtinë, 2011;
-"Qielli i paprekur", Poezi, "Brezi `81", Prishtinë 2012...


JAM I PREZENTUAR EDHE NË KËTO LIBRA:

-„Rrjedhë e lë gjurmë“, Poezi e studentëve të Kosovës, Bota e Re, Prishtinë, 1983;
-Nebil Duraku:„Shkrimtarët e Kosovës,1945-1985“, Rilindja, Prishtinë 1985;
-„Poezia dal Kossovo“, Antologji e poezisë kosovare, Besa Editrice, Nardò (Lecce), Itali, 1999;
-Hasan Hasani: „Leksikoni i shkrimtarëve shqiptar, 1501- 2001“,
Faik Konica, Prishtinë 2003;
- Vulcanul răbdării/Vulkani i durimit, Poeme traduse în limba română de Baki Ymeri, Editura Do-Minor, Bukureşti (Bukuresht), 2008,
- Agim Vinca: "Muza e Mëmëdheut/Njëqind poetë për Atdheun", Antologji, Shtëpia Botuese "Eugen" Tiranë dhe "Botomet Artini" Prishtinë, 2012, etj.

VEPRA IME E PARË, E PABOTUAR:

Vepra ime e parë e pabotuar që e kam shkruar tërësisht ka qenë një dramë, duke i përgjuar prindërit e mi. Me drama kam vijuar më vonë.

Nga vendstrehimi im nëntokësor, në shtëpinë time, në vendlidje, është marrë apo është djegur drama ime veçantë, nën titullin “Gremina”, e cila e ka pasur si temë fundosjen e ish-Jugosllavisë.

Bashkë me te janë marrë apo djegur 1500 faqe A4 prozë origjinale...

DISA SHPËRBLIME TË MARRURA NË PËRËNDIM:

-Kam marrë vendin e dytë për poezinë më të mirë të botuar në konkursin letrar me rastin e 28 Nëntorit 1997, „Zëri i Kosovës“, LPK.

-Kam marrë vendin e parë „Pena e Artë“, në takimet pranverore të krijuesve shqiptarë të Diasporës, më 2001.

-Kam marrë shpërblimin e parë “Agim Ramadani” në Konkursin pranë Qendrës Kulturore Shqiptare për poezi në Cyrih të Zvicrës, me 25 prill 2009.

-Kam marrë shpërblimin e dytë për poezinë më të mirë në Konkursin Letrar, me 01.5.2010, në Orën Tradicionale Letrare të LSHAKSH-së, në Koblenc të Gjermanisë për Pavarësinë e Kosovës, shpërblimin e parë për poezinë më të mirë të lexuar në Konkursin Letrar, me 25.4.2011, në Orën Tradicionale Letrare.

-Nga LSHAKSH në Gjermani, në Konkursin Letrar të Manifestimit Poetik Tradicional të Mërgatës Shqiptare, krahas pjesëmarrësve të Kosovës dhe Austrisë, mora shpërblimin e parë poashtu me 23.3.2013, për poezinë me të mirë të lexuar në Koblenc të Gjermanisë...

EDHE NJË SHPËRBLIM I MARRUR:

-Në konkursin letrar të LSHAKSH "AZEM SHKRELI", për shpërblimin tradicional që e ndanë LSHAKSH-ja e Gjermanisë për tërë mërgatën shqiptare, për veprën më të mirë, libri im poetik "Qielli i paprekur" u nderua me Vendin e tretë, në Ennepetal të Gjermanisë, me 01.06.2013.

NJË SHPËRBLIM I PAMARRUR:

Libri im i parë poetik „Në hijen e Alpeve“, ka hyrë në zgjedhje të ngushtë për shpërblimin „Hivzi Sylejmani“, që filloi të jepej në vitin 1983 për librin më të mirë të autorëve të rinj.

Në zgjedhje përfundimtare kemi qenë tre poetë: Milazim Krasniqi, Basri Çapriqi dhe unë.

Mua, nuk mu dha ky shpërblim. Këtë shpërblim e mori Basri Çapriqi...

ANËTARËSIA IME:

Jam njëkohësisht anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, anëtar i Autorëve të Zvicrës (AdS), anëtar i Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë të Zvicrës dhe i disa organizatave të tjera.


ZGJIMI I DAMARIT TË FSHEHTË



Vullnet Mato

Tregim

Në atë kohë nuk kisha bastun në dorë, por një automatik fringo te ri me shtatëdhjetë e dy fishekë në gojë. Nuk kisha syze hipermetropi numër pesë, por një dylbi me të cilën hidhja vështrimin pesëdhjetë kilometra larg, në brendësi të kufirit fqinj. Atëherë isha tridhjetë vjeç dhe kisha marrë gradën e kapitenit të postës kufitare në juglindje të vendit. Kurse ushtarët e togës që komandoja, ishin të gjithë rreth moshës njëzetvjeçare. Të njëzetekatër djemtë ishin me uniforma të rregullta, me togëzat metalike të rripave, që u shkëlqenin deri larg dhe me yllin e kuq, si një copë thëngjill xixëllues te balli i kapelës.
Ndërsa pesëqind metra tej kufirit, në një kodër mbi anën tjetër të lumit, në postën fqinje përballë, nuk ishim ushtarë në kuptimin e vërtetë të fjalës. Por disa bashibozukë të çrregullt, që qëndronin gjithë ditën pa rripa e pa kapele dhe silleshin vërdallë, duke mbllaçitur me gavetat në dorë. Duke qenë të sigurt, se asnjë rrezik nuk u vinte nga posta jonë paqësore. Ata për të joshur e tërbuar djemtë tanë, piqnin mishra me hellin para postës, apo zhveshnin ndonjë kurvë lakuriq dhe e lëpinin nga gjoksi duke bërë me dorë: “Hajdeni!” Pastaj, kur shihnin indiferencën tonë përbuzëse, fillonin na shanin nga nënat, me fjalët më të pista që u vinin në gojë, duke përdorur epitete të ulëta për shqiptarët dhe udhëheqësit tanë. Por provokimet e tyre të zakonshme, nuk mund të merrnin asnjë përgjigje nga memecëria e rreptë e rregullores sonë.
Ishte një ditë e nxehtë korriku, kur ushtari ynë, Zefi, që ndodhej me pushim atë pasdite, mori teshat e tij dhe zbriti në anën tonë të lumit, për t’i larë mbi një pllakë guri. Ushtarët e huaj filluan të qeshnin me gërgama e të talleshin me të, duke e sharë me gjysma fjalësh shqipe të ndyra, duke i bërë shenja të turpshme me duar. Por Zefi ynë ushtar shembullor i dëgjonte dhe vazhdonte larjen pa u kthyer asnjë përgjigje lehjeve të tyre. Atëherë, njëri nga ushtarët e postës fqinje e mori në shenjë me pushkë Zefin, dhe e qëlloi në gjoks, duke e lenë të vdekur në vend, me një plumb të vetëm...
Pas këtij akti gjakatar, disa nga ushtarët bashibozukë të ndezur nga urrejtja, filluan të qeshnin e kërcenin përpjetë nga kënaqësia e palosjes përtokë të ushtarit tonë. Njësoj sikur të ishin ca kalamaj që kishin vënë një nishan për ta kapur me gjuajtje guri dhe kur njëri prej tyre e kishte rrëzuar, brohorisnin gjithë gaz.
Unë dëgjova krismën e armës së tyre dhe në çast i thirra Zefit nga larg disa herë. Pasi nuk mora asnjë përgjigje, nxora dylbinë dhe vrojtova me kujdes, se mos ai bënte ndonjë lëvizje prej të plagosuri, apo trupi i tij luhatej sadopak nga frymëmarrja e mundimshme që ndodh në raste të tilla. Pra, u binda se ushtari ynë kishte vdekur. Befas i gjithë efektivi i postës ngriu në ven nga kjo e papritur e llahtarshme. Atëherë me lot në sy, urdhërova ushtarët:
- Dëgjoni këtu djema!... Në mënyrë që të ruhet gjakftohtësia e të mos ndizen krisma të tjera nga të dy anët e kufirit, urdhëroj që asnjeri nga ne të mos i afrohet ushtar Zefit!...
Ushtarët e bindur deri në ngurtësim, mërmëritën me dhimbje, pa zbrazur asnjë fjalë nga goja. Por e kuptova se nga secili prej tyre, ishte gati të shpërthente drejt vrasësve përballë, një zemërim më i fuqishëm se njëmijë krisma plumbash të zjarrtë.
-Shoku komandant, - dëgjova atë çast njërin nga rreshterët e ndërlidhjes, - A mund të lajmërojmë me telefon komandën e kufirit, për vrasjen e ushtar Zefit?...
- Në asnjë mënyrë dhe me asnjë lloj mjeti! – u përgjigja. – Prisni!... Do t’u them unë kur do të bëhet njoftimi!... Kemi punë tjetër më të rëndësishme për të bërë...
Pritëm me padurim të tmerrshëm derisa perëndoi dielli dhe filloi të errej plotësisht. Kur errësira u trash dhe ne nuk mund të dalloheshim nga vrasësit matanë kufirit, zbritëm në heshtje te zall i lumit. Pamë me kujdes plagën e plumbit që i kishte përshkuar gjoksin tejpërtej, të shtrenjtit tonë, Zefit si dhe pellgun e gjakut që kishte rrjedhur, derisa kishte skuqur këmishët e lara të tij. Me drithërima shpirti e duke fshirë lotët me duar, e puthëm në ballë e në faqe të gjithë me radhë. Fytyra e tij fare pa ngjyrë në atë errësirë, dukej sikur na thoshte: “Më vranë fare kot, maskarenjtë e pabesë, po mos ma lini hakun e gjakut pa marrë, or vëllezërit e mi!”
Nuk kishim ndjerë vajtim më të dhimbshëm në jetë, se sa ai, kur secili prej nesh, donte të klithte me ofshama nga dhimbja dhe urrejtja për vrasësit. Por ato çaste nuk mund të lëshonim asnjë zë nga buzët e kyçura aq keq.
E rregulluam trupin e Zefit, në një pozicion me të përshtatshëm, duke i ngritur kryet mbi teshat e tij të palosura dhe tërë njolla gjaku. Pastaj lashë aty dy ushtarë të armatosur ta ruanin. U ngjitëm te posta dhe në orën një të mesnatës, unë mora mitralozin gjerman D.T. me shiritin e gjatë të fishekëve. Pajisa të dy rreshterët me thika, automatikë e nga dy bomba secili dhe bëra gati gjithashtu pesë ushtarë të armatosur me kujdes.
Për fat, atë natë qielli nuk kishte Hënë në asnjërin nga cepat e tij. Zbritëm ngadalë përgjatë një shtegu që na nxori në anë të lumit. Aty u hymë valëve të shkumëzuara mes për mes, duke u lagur deri te kofshët.
Ecëm me zvarritje gati barkazi dhe sapo u afruam te posta e tyre, dy rreshterët, së pari asgjësuan me thika dy rojet e nemitur nga nata, teksa ushtarët me automatikë, kishin rrethuar në përgjim ndërtesën e postës. Unë me mitralozin në dorë u futa te dhoma e bashibozukëve, ku binte era alkol dhe gërhitjet aty i ngjanin një stalle derrash. Mora frymë thellë dhe klitha fort, me sa fuqi kisha:
-Çohuni, vrasës të pabesë! – dhe sa hap e mbyll sytë shkrepa breshërinë e mitralozit, duke e shëtitur tytën në të katër anët e dhomës së gjumit.
Kur nga flakët e tytës vetëtiu gjithë fjetorja dhe vura re se nuk mbeti asnjë i gjallë, dola përjashta. Shkatërrova me plumba të gjithë kazanët dhe tenxheret e tyre. Në fund mblodha shokët dhe të gjithë bashkë, duke fluturuar me krahët që na kishin mbirë befas nga hakmarrja e Zefit, shkuam morëm ushtarin tonë martir dhe e çuam te posta jonë kufitare. E vumë mbi dy tavolina në mes të dhomës së veprimtarive kulturore dhe e qamë burrërisht, me zemra të plagosura si asnjëherë.
Rreth orës tetë të mëngjesit, para godinës së postës fqinje vumë re të grumbulloheshin shumë vetura me ushtarakë dhe civilë, që brumbullonin, duke shikuar në drejtim të godinës së postës shqiptare, e cila tashmë paraqitej krejt e qetë.
Atëherë, me një marramendje të çuditshme nga tronditja e madhe, pasi kishin kaluar pesëmbëdhjetë orë, dhashë urdhër, të lajmërohej komanda eprore për ngjarjen e kobshme.
E vumë ushtar Zefin e vrarë para postës sonë, në një mënyrë të atillë, që kufoma e tij, të shihej nga grupi i ushtarakëve të huaj, të grumbulluar para postës së tyre.
Nuk vonoi shumë dhe te posta jonë brofën të gjithë kuadrot e zonës së kufirit.
Unë i raportova hollësisht komandantit të zonës për provokacionin e pabesë nga ana e postës fqinje dhe për urdhrin e sulmit që kisha dhënë në atë gjaknxehtësi të tmerrshme. I tregova, gjithashtu, se ne, i gjithë efektivi i postës, , u betuam me lot në sy, se pa marrë hakun e ushtar Zefit nuk do të shërbenim dot më tej në këtë postë kufiri. Boll i kishim duruar, sharjet, talljet, kërcënimet e tyre dhe më në fund na kishin përdorur si tabelë qitjeje, duke na vrarë ushtarin më të mirë. Pastaj e mbylla me vendosmërinë time të palëkundur: “Për këtë veprim të kryer prej meje, komanda le të më dënojë rreptësisht. Unë e pres me kryelartësi çdo lloj dënimi që të më jepet. Por duhet të dini, shoku komandant, se nuk ka shqiptar që të mos e ketë të fshehur në trupin e tij, atë damarin e papërmbajtshëm të hakmarrjes, kur gjaku i njeriut të shtrenjtë merret nga të tjerët pa asnjë faj...”
Komandanti i zonës më kritikoi ashpër për vonesën e njoftimit dhe për urdhrin e veprimit të kryer ndaj postës fqinje. Qysh atë ditë, u dënova me burg disiplinor, në burgun e garnizonit të Tiranës. Pastaj më nxorën në lirim, si oficer rezervë me motivacion: “Gjaknxehtë dhe i papërmbajtur.”
Unë i tillë do të vdes. Por të gjallët përtej kufijve tanë, duhet të dinë, për atë damarin e fshehtë që trashëgon secili nga ne, shqiptarët, që të mos na e trazojnë pa kujdes e padrejtësisht, sepse ndodh të na zgjohet krejt papritmas...




Vullnet Mato (lindur më 1937 në Sarand), mësues, poet, prozator, shqiptar nga Shqipëria.
Vullneti, i biri i Remzi Matos mësues, mësimet e para i mori në qytetin e lindjes. Për shkak se i burgosën babanë për agjitacion dhe propagandë u la disa vite pa punë. U detyrua të largohet nga vendlindja në moshë të re dhe shkoi për të punuar kinomekanik në kinematë e sharrave "Hotolisht" e Stravaj dhe më pas në qytetin e Librazhdit. Aty mbaroi me korrespondencë "Liceun Artistik" të Tiranës për pikturë dhe studimet e larta në Fakultetit Filologjik të Universitetit të Tiranës në degën Gjuhë letërsi shqipe. Punoi drejtor në shtëpinë e kulturës dhe në muzeun e këtij qyteti. Në vitin 1970 u pranua anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Botoi publicistikë dhe letërsi artistike në disa organe të shtypit të kohës. Bëri disa skenarë filmash dokumentarë dhe kronika të TVSH. Mori pjesë në festivalet kombëtare të Radiotelvizoonit shqiptar ku fitoi çmime për tekstet. Dy tregime të tij u përkthyen dhe u botuan në shtypin e huaj. Disa cikle me poezi të tij u inskenuan të recituara nga aktorë të Tetarit Popullor. Pasi u bë i njohur me krijimet e tij u tërhoq nga redaksia e Revistës "YLLI" ku u emërua redaktor. Por një vit më pas u vërtetua mungesa e garancive të nevojshme politike dhe me urdhër nga lart e kthyen sërish në Librazhd, ku u dërgua disenjator në repartin e pikturës. Më tej, punoi mësues në gjimnazin e qytetit. Dhe në vazhdën e keqtrajtimit të herëpashershëm klasor u dërgua mësues në shkollën e mesme të fshatit Qukës. Me ndërrimin e sistemit u emërua shef në drejtorinë arsimore të këtij rrethi dhe u zgjodh kryetar i degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Librazhdit.
Vitet e fundit jeton e punon në Tiranë, është redaktor i shtëpisë botuese "Milosao". Romani i tij "Lakmia" u nderua me çmim në konkursin e ndërmarrjes botuese "Gjon Buzuku" të Kosovës.

Tituj të veprave

"Tinguj malesh", 1969, V. poetikë.
"Krahët e erës", 1972, V. poetikë.
"Ujësinor", 1976, roman.
"Ninullat e Hekurit", 1984, V. poetikë.
"Era e kësaj kohe", 1984, roman.
"Dritaret e prillit", 1994, V. poetikë.
"Katër plagë të Shqipërisë", 1999, V. me poemë.
"E fshehta tronditëse", 1999, V. me tregime.
"Lakmia", 2000, roman.
"Maturantët", 2002, roman.
"Damkosja e engjëjve", 2004, roman.
"Klithma e mishit të bardhë", 2006, V. me tregime.
"Grerëzat e kuqe", 2007, roman.

FLORIPRESS

Një "terzi" që pret ndryshe



Akademikut- Dr. Fatmir Terziut

"Terzi, o terzi!
Prima rrobën me porosi ..."Popullore

( poezi)




Nga Përparim Hysi


Një "terzi" që pret ndryshe
Një poet që "pret" libra
Dhe pa si? Edhe pa qyshe?
Sjell behar e përzë dimra.


Përzë dimra, sjell behar
Made in Fatmir Terziu
Duket pak si "magjistar?!"
Gati bën dhe "synjeriu!!!".


Shkruan prozë e poezi
Kineast e gazetar
Dhe përkthyes është ai
Si kritik, është "dorë e parë".

"Dorë e parë" si kritik
(Çmim merr si kineast)
Tash është dhe Akademik
( Gjeni njërin që t'i ngjasë?!!!)


Ky "terzi" nuk pret rroba
( Kush e njeh, ndjen veten mirë)
Unë s'kam mbaruar akoma:
Hyni ju tek "Fjala e lirë".


Është një "sofër" që rri shtruar
( Kush aty nuk u ul shesh?!)
Dhe e gjen Terzinë zgjuar
Krahëhapur... buza qesh.


Nuk lodhet. As mërzitet
Veç punon si një makinë
Poezia ime "mbyllet"
E uroj Fatmir Terzinë!


Lart! Më lart, o mik i mirë!
Që je vlerë e Shqipërisë
Ti që me "Fjala e lirë"
Je tribun i krijimtarisë.


Tiranë, 29 shtator 2013




Fatmir Terziu lindi në vitin 1964 në Elbasan[, është një shkrimtar shqiptar.Pas mbarimit të shkollës së mesme të përgjithshme "Dhaskal Todhri" , studioi për gjuhë dhe letërsi shqipe.
Ka punuar mësues dhe më vonë drejtor shkolle në disa shkolla të Shqipërisë. Ka publikuar shkrime në gjithë shtypin shqiptar dhe ka qenë gazetar i gazetës "RD", kryeredaktor i gazetës së pavarur "Fjala e Lirë" dhe Drejtor i Televizionit "Dardan".

Në vazhdim të edukimit të tij të mëtejshëm ka studiuar në High Melton College, [South Thames College] për gjuhën angleze dhe për HNC, Certificatë e Lartë Nacionale në Britaninë e Madhe për Media Production (media prodhimtari). Ka marrë nivelin e lartë (Gradën-nivel A) për Communication Media (media komunikim) pranë Universitetit London South Bank University (2004). Më tej kreu studimet në London South Bank University, pranë Faculty of Arts and Human Sciences për Digital Film dhe Video Production (2004-2007).

Autori ka fituar gradën e Masterit për Media, Kulturë dhe Politikë pranë Roehampton University në Britaninë e Madhe dhe është në ndjekje të studimeve të Phd-së për Media, Kulturë, Politikë.

Publikimet


Shumica e filmave dhe pjesë nga veprat e autorit mund të shikohen në internet në faqen e BBC-së[5] dhe në faqen e tij: www.fjalaelire.com.

Faqja www.seguraweb.nl ka përzgjedhur disa vepra të autorit.
Veprat e autorit janë publikuar në UK nga BBC, ku autori ka fituar dhe një kompeticion me tregimin “Hija Diamant” (Ghost Diamond), i cili mund të lexohet në faqet e BBC-së dhe nga mjaft organe të shtypit dhe medias.

Pa ndërprerje ka shkruar dhe shkruan në revista e gazeta perëndimore dhe në gjuhën shqipe, në web-faqen agimi.com, shtypin shqiptar dhe të huaj në Mbretërinë e Bashkuar etj.
Prej disa kohësh ai ka shkruar në Blogun e tij “Media Information Production" dhe boton online revistën kulturore-informative “Fjala e Lirë"me liçencën e rregullt të njohur në fushën letrare në Angli dhe Wells.

Libra

Mos Hesht
Ecje ne Qelq
Djalli i Argadasit
Misteriozja
Integrimi
Rrëfenjat e xha Avramit
Grykes
Kritika Ndryshe : Një vëzhgim ne prozën dhe poezinë shqiptare (Pjesa e pare).
Media Technologji
Kritika Ndryshe : Një vëzhgim ne prozën dhe poezinë shqiptare (Pjesa e dyte).
Kohebota
The script, the simple and complicated
Eagles Voices
Një sy pas në letërsinë për fëmije
Poezia haraçi tjetër për kohërat
Kadare dhe kultura e kujtesës
Tearing up the past
The Argadas Devil


Filmografia


Filma

Windy Corner

Clouds of Smoke

Tokë e përgjakur (1999-2003)

Trokamat në Jetën e një Pene (2003-2006)

Rivermusic (2003)

Think Again (2004)

Capoeira (2005)

Windy Corner (2006)

Clouds of Smoke (2007)

One Egg (2006)

Pencil and Computer (2006)

Forgotten Fear (2006)

Dokumentarë

Universiteti i Tetovës (1997)

Në Kosovë andej nga Kulla e Jasharajve (2004).


 Dy filmat e Fatmir Terziut Windy Corner dhe Clouds of Smoke janë përzgjedhur nga British Council Arts dhe janë ekspozuar online në mesin e filmave Britanikë të këtij vendi. Dy filmat e mësipërm janë ndër të parët shkruar nga një shqiptar me banim në Mbretërinë e Bashkuar, që gëzojnë të drejtën e përfshirjes në amëzën zyrtare të filmave vendas.

FLORIPRESS

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...