Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/10/23

Përse përdorim fjalën e huaj në vend të fjalës shqipe?!



SHEZAI RROKAJ

Integrimi i shoqërisë shqiptare në botën globale sjell ipso facto një larmi marrëdhëniesh komunikimi shumëplanëshe, ndër të cilat, si rrjedhojë e kësaj hapjeje, ato gjuhësore zënë një vend të posaçëm. Në mënyrë të përgjithshme, volendo dolendo edhe gjuha hyn në një marrëdhënie kërkesë-ofertë për t’iu përgjigjur nevojave të shoqërisë.
Në mënyrë të veçantë kjo duhet kuptuar se individët u drejtohen fjalëve dhe strukturave të huaja në varësi edhe të nivelit individual të njohjes dhe zotërimit aktiv a pasiv të gjuhës amtare. Krahas kësaj, qasjen gjuhësore ndaj së huajës e kushtëzojnë edhe një sërë faktorësh psikologjikë, pragmatikë, etikë e shoqërorë, që shfaqen përmes ndjenjave të egocentrizmit, snobizmit, të ashtuquajturit prestigj a regjistër i lartë komunikimi a kulturimi, që sjellin si efekt krijimin e një distance a veçimi ndërmjet individëve. Fakt është se në këtë përballje midis gjuhës së huaj dhe gjuhës amtare hyjnë në lojë si niveli vetëdijes për gjuhën amtare dhe gjuhën e huaj, nga njëra anë, ashtu dhe utilitarizmi kontekstual, rrethanor, nga ana tjetër.
Për gjuhën shqipe ngjarjet e viteve ’90 shënuan lëvizje gjeopolitike dhe demografike, të cilat doemos do të kishin pasojat përkatëse në fushë të shqipes në tërësi dhe të standardit të saj në veçanti. Lëvizja e brendshme gjuhësore në arealin shqipfolës eci krahas trysnisë së gjuhëve të huaja, kryesisht anglishtes. Këta faktorë e kanë vënë shqipen në një situatë “përzierjeje gjuhësore”, ku konceptet klasike mbi dialektin, të folmen, sociolektin, gjithëgjuhën, standardin, regjistrat e komunikimit kërkojnë një përkufizim të ri brenda arealit gjuhësor shqipfolës dhe ku marrëdhëniet midis tyre duhet të kundrohen nga pikëpamja e gjuhës në përdorim. Si dhe në raste të tjera, për gjuhë e popuj të ndryshëm në fazën e parë të “goditjes gjuhësore” (p.sh. situata mbas Luftës së Dytë Botërore me depërtimin e anglishtes në disa gjuhë të Europës nëpërmjet zbatimit të planit “Marshall”), trysnia e gjuhës ardhëse (në rastin konkret të anglicizmave) është më e fortë sesa aftësia qëndrestare e gjuhës pritëse. Nga ana tjetër, këto dy parametra lëvizin pozitivisht ose negativisht në funksion të drejtë me disa faktorë, ndër të cilët përmbledhtazi mund të përmendim:
a) Frekuencën dhe forcën e trysnisë së gjuhës ardhëse, nga njëra anë, dhe të qëndresës së gjuhës pritëse, nga ana tjetër;
b) kohëzgjatjen e përballjes së ndërsjellë të tyre;
c) synimin e folësve të gjuhëve përkatëse;
d) shkallën e zotërimit të gjuhës pritëse nga folësit në gjithë shtrirjen e arealit gjuhësor;
e) nevojën shoqërore të gjuhës pritëse për lëndë gjuhësore të gjuhës ardhëse për t’iu përgjigjur kërkesave të shoqërisë ndaj hapjes globale;
f) nivelin e njësimit të standardit të gjuhës pritëse për të mënjanuar kakofoninë gjuhësore që krijohet midis këtij të fundit dhe prurjeve dialektore, e të dyja bashkë ndaj huazimeve në ekspansion;
g) përkujdesjen e institucioneve që merren me mësimin, pasurimin dhe ruajtjen e gjuhës, letërsisë dhe të kulturës kombëtare etj.
Të gjithë këta faktorë veprojnë, diku më shumë diku më pak, herë të gjithë bashkë e herë në mënyrë të grupuar. Në ndonjë studim të veçantë ata meritojnë të analizohen rast pas rasti dhe konkretisht lidhur me efektin e tyre mbi gjuhën shqipe. Pa dashur të hyjmë në këtë analizë, është fakt se, ashtu si edhe në rastet për gjuhë të tjera, në periudha politiko-shoqërore kalimtare faktorët që lidhen me trysninë janë dominues dhe faktorët që lidhen me qëndresën janë në tërheqje. Në këtë fazë, folësit e gjuhës, të përballur me realitete të papritura, që veprojnë me frekuencë të lartë dhe që lëkundin status quo-në e tyre në kufijtë e mbijetesës, nuk mund të kenë vetëdije të qetë gjuhësore në mbrojtje të gjuhës amtare. Pragmatizmi për mbijetesë rrit nevojën për një komunikim global utilitar që shtrihet përtej caqeve të idiomës kombëtare.
Në kushtet e sotme të shoqërisë shqiptare trysnia e gjuhëve të vendeve të fuqishme politikisht dhe ekonomikisht me të cilat jemi në kontakt, është shumë e fuqishme. Kjo trysni është e pashmangshme në fazat e para të hapjes ndaj botës. Fjalët dhe strukturat e huaja vërshojnë nga të gjitha anët, aq sa të krijohet përshtypja se po ia marrin frymën gjuhës. Mirëpo, hap pas hapi, folësit do të fillojnë të reagojnë me vetëdijen e vetëmbrojtjes, do të shtien në punë kujtesën e përbashkët për të kërkuar brenda gjuhës që përdorin gjegjëset e tyre dhe, vetëm kur bëhet i pamundur zëvendësimi, atëherë do të pranojnë t’i përdorin, duke ua nënshtruar sistemit të gjuhës së tyre. Sa më i plotë të jetë standardi i një gjuhe nga pikëpamja e gjithëpërfshirjes gjuhësore anekënd dhe masës së folësve që e përdorin, aq më shumë rritet qëndresa ndaj trysnisë së huazimeve.
Është e drejtë të shqetësohemi kur përditë veshët na dëgjojnë dhe sytë na shohin përçudnime të tilla në shtyp, si: kishin mundur të fitonin duke aplikuar me emrin e firmës (duke përdorur emrin e ndërmarrjes), çamët do të diskutohen në Athinë (çështja çame do të diskutohet), bëj mjekun, bëj mësuesin (është mjek, mësues), konvertoj paratë (këmbej), bord (kryesi, komision), integritet (tërësi), krucial (i qenësishëm), kredibilitet (besim), fazë tranzicioni (kalimtare), takoi Bush (Bushin), debolesë (dobësi), axhendë (rend dite), demilitarizim (çmilitarizim), handikap (pengesë, paaftësi), konfrontimi (ballafaqimi), Aa! (Ëë), Aha (Ëhë), bla-bla-bla (llaka-llaka, dërr-dërr, gam-gam), jeni të mirëpritur (mirardhshi), kontaktoni me numrat (lidhuni me), i avancuar (i përparuar), divergjencë (papajtueshmëri), konfidencë (mirëbesim), novacion (risi) Ok! (Po!, mirë), i dha ok (i dha pëlqimin), salutoj (përshëndes), përfitoj nga rasti t’Ju shpreh komplimentet e mia (përgëzimet), komunitet (bashkësi), abonohem (pajtohem), aprovoj (miratoj), publicitet (reklamë), gelateria (akullore), pastiçeria (ëmbëltore), pizzeria (piceri), adoptoj (birësoj), adaptoj (përshtas); primar (parësor), seleksionoj (përzgjedh), intermediar (ndërmjetës), përtej kësaj (pavarësisht nga kjo), premio (çmim), nacionale (kombëtare), pankinë (stol), GDP (PPB), Shërbimi Inteligjent (Shërbimi Informativ), komision bipartizan (dypartiak), akomodohem (rehatohem), i agravuar (i rënduar), i relaksuar (i çlodhur), puntatë (seri), involvoj (përfshij), mostër (përbindësh), bravo (të lumtë), selektoj (përzgjedh), shokues (tronditës), ortograf (drejtshkrim), dimension (përmasë), inspirim (frymëzim), show (shfaqje), kreativ (krijues), konkluzion (përfundim), dedikoj (kushtoj), koincidencë (rastësi), inauguroj (përuroj), iniciativë (nismë), kauzë (çështje), evitoj (shmang/mënjanoj), kuroj (kujdesem), starton (fillon), kualitet (cilësi), konto (ulje çmimesh), konstatoj (vërej), civilizim (qytetërim), indiferent (mospërfillës), violencë (dhunë), ambient (mjedis), kuantitet (sasi), sensibilizim (ndërgjegjësim), interaktiv (bashkëveprues), destinacion (vendmbërritje), preferoj (parapëlqej), imagjinoj (përfytyroj), fans (adhurues), predominon (mbizotëron), eksperiencë (përvojë), downlodoj (shkarkoj), uplodoj (ngarkoj), net (rrjet), risk (rrezik), spostoj (zhvendos), suportoj (duroj/mbështes), posedoj (zotëroj), i limituar (i kufizuar), spiker (folës/drejtues), infinit (pafundësi), improvizuar (i sajuar), vakant (i lirë), look (pamje), barrierë (pengesë) etj.
Mirëpo edhe teoritë a qëndrimet e ndryshme për purizëm gjuhësor a për një prirje të skajshme në kulturën e gjuhës janë vetëm ideale teorike, sepse gjuha reflekton lëvizjet shoqërore, të cilat kushtëzojnë sjelljen e saj. Si edhe gjuhët tjera, edhe shqipja ka huazuar dhe do të huazojë nga gjuhët e tjera, sot kryesisht nga anglishtja. Për aq kohë sa huazimi shihet si nevojë apo si mjet pasurimi i gjuhës amtare, që vjen nga kërkesat e shoqërisë në marrëdhëniet e saj më shoqëri të tjera, mund të themi se ai duhet parë pozitivisht. Shoqëritë, gjuhët e kulturat e tyre nuk mund të mbijetojnë duke u mbyllur e izoluar, përkundrazi, hapja dhe përballja midis tyre rrit aftësinë konkurruese e rezistencën për mbijetesë. Nga ana tjetër, kur huazimi bëhet i dhunshëm (luftërat, kolonializmi etj.) dhe është rezultat i politikave asimiluese me qëllim vendosjen e një superstrati të ri mbi substratin ekzistues, atëherë bashkësia gjuhësore duhet të reagojë në mbrojtje të identitetit të saj dhe gjuhës si mishërim shpirtëror e material të saj.
Në gjendjen e sotme të gjuhës shqipe mendoj se duhet të mbahen këto qëndrime ndaj huazimeve:
1. Të marrim vetëm atë që është e nevojshme dhe që i shërben funksionimit të jetës në bashkësinë shqipfolëse.
2. Të vendosim rregulla të qarta për zbatimin e parimit fonetik në drejtshkrim.
3. Të vendosim rregulla të qarta për zbatimin e parimit gramatikor.
4. Institucionet e shtetit (administrata, shkollat, qendrat kërkimore, mediat dhe letërsia, aktet normative etj.) duhet të mbrojnë me përgjegjësi kombëtare gjuhën amtare.
5. Vetë shoqëria duhet të nxitë vetëdijen gjuhësore shqipfolëse nëpërmjet kulturimit të përhershëm në gjuhën amtare,
6. Të vazhdohet me zgjerimin e standardit me prurje dialektore për të hapur edhe më bazën e tij gjuhësore e për të rritur në këtë mënyrë aftësinë e tij qëndrestare.
Në përfundim mund të themi se gjuha shqipe po kalon këto dy dekadat e fundit një fazë shumë të rëndësishme të jetës së saj.
Së pari, duhet kuptuar se dukuri të kësaj natyre kanë ndodhur e do të ndodhin, si për shqipen, ashtu edhe për gjuhë të tjera. Dhe kjo varet nga rëndësia që marrin faktorët jashtëgjuhësorë, të cilët kushtëzojnë lëvizje të shpejta në gjuhë. Huazimet janë edhe rrugë pasurimi për gjuhët kur huazohen njësi a struktura fjalëformuese për të cilat ka nevojë shoqëria dhe që i përshtaten sistemit të gjuhës amtare gjatë procesit të asimilimit të tyre. Kjo ka ndodhur për shqipen dhe për gjuhë të tjera. Mirëpo, gjuha shqipe u ka bërë ballë huazimeve, duke e ruajtur identitetin e saj, edhe kur i mungonin institucionet e kur shteti ishte thuajse i paqenë dhe kjo, falë përpjekjeve të folësve e të korifenjve të fjalës shqipe, që i shndërruan këto përpjekje në simbol të qëndresës për ruajtjen e qenësisë shqiptare. Sot situata është krejt ndryshe: kemi dy shtete, dhjetëra institucione kërkimore e shkollore, një media të fuqishme dhe një popull të arsimuar. Ndaj nuk ka vend për t’u alarmuar, por për t’u shqetësuar dhe për të shtuar përpjekjet për rritjen e vetëdijes kombëtare, të vlerave shpirtërore e materiale, të historisë e territorit, traditave e zakoneve tona të mrekullueshme, me të cilat lidhet e identifikohet vetë qenia jonë.
Së dyti, duhet studiuar mirë se çfarë po i ndodh gjuhës shqipe në qasjen ndaj saj prej grupmoshave që kanë jetuar realitete shoqërore të ndryshme, të cilat kanë reflektuar në gjuhë një larmi perceptimesh e kuptimesh në kufijtë formalë të shënjuesve. Duhet studiuar më mirë se çfarë po ndodh në arealin gjithëshqiptar. Duhet kundruar më nga afër gjuha në kapërcyellin e brezave dhe të sistemeve ideologjike e politike dhe të hapjes së saj drejt shoqërisë globale. Këto ndryshime sjellin ndryshime në vizionin tonë ndaj botës, në perceptimin e saj, që reflektohet detyrimisht në gjuhë.
Sidoqoftë, gjeopolitika e re ka krijuar gjasa reale që gjuha shqipe të lëvizë pa kurrfarë pengese në të gjitha arteriet e saj. Ajo po merr frymë lirisht: hapi i parë i kësaj lirie është kur çdo shqiptar ndërgjegjësohet për tërësinë e vlerave që i përkasin. Ndër to ajo më e madhja, më e vyera është gjuha shqipe, një amanet i të parëve, pjesë e vetëqenies sonë, e identitetit kombëtar dhe e vetë shqiptarësisë.

Shqipja standarde përballë kompleksit të Rozafës

Flet Akademiku, studiuesi i historisë së letërsisë shqipe, Prof. Dr. JORGO BULO



Bisedoi: Albert ZHOLI

Prof. Dr. JORGO BULO: Krijimtaria juaj e fundit, ç'jeni duke punuar?

Fusha ime e punës është historia e letërsisë shqipe, kryesisht letërsia e Rilindjes Kombëtare. Pas botimit të monografisë "Tipologjia e lirikës së Naim Frashërit" punoj për një punim më tërësor që ka për objekt tërë krijimtarinë e Poetit tonë kombëtar, edhe epikën, edhe prozën, edhe veprën diturore, të vështruar në kontekstin kulturor e historik të kohës, si dhe në një kontekst më të gjerë që ka të bëjë me formimin intelektual të Naimit dhe me faktin se ai u gjend në kryqëzimin e dy traditave poetike, lindore e perëndimore, duke marrë prej tyre elemente që përputheshin me frymën dhe me programin kulturor të lëvizjes mendore dhe politike të Rilindjes Kombëtare, së cilës ai iu kushtua. Njëkohësisht, krahas kësaj pune, drejtoj një projekt ambicioz për botimin e klasikëve të letërsisë shqipe, në kuadrin e kolonës "Visare të letërsisë shqiptare", ndërmarrë dhe financuar nga Instituti i Librit dhe i Promocionit "Toena". Kjo kolanë mëton të vërë në qarkullim, në mënyrë sa më të plotë, trashëgimin letrar të klasikëve tanë, duke siguruar botimin integral të veprës së tyre, me tekst të stabilizuar, të pastruar nga gabimet, nga ndërhyrjet e censurës ose ndërhyrjet redaksionale, me fjalë të tjera synon t'i japë lexuesit tekstin autentik, që shpreh vullnetin e shkrimtarit, një tekst të stabilizuar me kritere shkencore. Shpresoj që me këtë kolanë lexuesit të kenë në bibliotekën e tyre veprën e klasikëve tanë. Deri tani si pjesë e këtij projekti ka dalë nga shtypi vepra e N. Frashërit në 6 vëllime, vepra e Çajupit në 5 vëllime, vepra e J. Varibobës, dhe vepra e Shirokës, ndërsa janë në shtyp vepra e P. Vasës në 5 vëllime si dhe vepra e Gavril Darës (të Riut).
Gjithashtu jam duke përgatitur për shtyp një përmbledhje me studime. Pjesa e parë e librit do të përmbajë artikuj e studime për autorë dhe probleme kryesisht të letërsisë së Rilindjes, të botuara dhe të pabotuara; pjesa e dytë do të ketë portrete e medaljone të njerëzve të shquar të kulturës dhe të shkencës shqiptare, ndërsa pjesa e tretë tekste të autorëve të shek. XVIII-XIX të panjohura, ose të pabotuara deri më sot.

Ju folët për tekste të panjohura. Lexuesi mund ta dijë paksa se kush fshihet pas këtyre emrave dhe teksteve të panjohur? Më tepër për kureshtje.

Fjala vjen, është pohuar se Luigj Gurakuqi ka shkruar një gramatikë të gjuhës shqipe e cila mendohet e humbur dhe ka mbetur e panjohur. Unë kam rënë në gjurmë të kësaj vepre dhe dëshiroj që t'ia bëj të njohur publikut duke e vënë në qarkullim shkencor.
Po ashtu, një poet arbëresh i gjysmës së dytë të shekullit që shkoi, Kozmo Serembe, nipi i Zef Serembes, ka lënë në dorëshkrim një poemë të gjatë me titull "Kënkat e Krujës" me temë nga epopeja shqiptare e shek. XV kundër pushtimit osman, me figurë qendrore Gjergj Kastriotin-Skënderbeun. Këtë poemë kam pasur rastin ta konsultoj në dorëshkrim më 1967, kam botuar disa fragmente dhe kam shënime përkatëse, por teksti integral i dorëshkrimit nuk është botuar. Mendoj të botoj fragmentet e regjistruara prej meje, në kushtet kur në arkivin e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, nuk e gjej më dorëshkrimin në fjalë. Shpresoj të mos ketë humbur, në të kundërt këto fragmente do të jenë e vetmja dëshmi e mbetur prej kësaj poeme, me interes për historinë e zhvillimit të eposit arbëresh për Skënderbenë.
Së fundi në këtë ndarje të librit do të përfshij edhe disa variante tekstesh të ndonjë autori të ashtuquajtur bejtexhi, variante të regjistruara në shekullin që shkoi, por të panjohura si variante. Dëshiroj të theksoj se emërtimi bejtexhi për këta autorë që e shkruan shqipen me alfabet arab, nuk ka asnjë ngjyresë përkeqësuese, pra nuk përdoret në funksion aksiologjik, vlerësues, por në funksion tipologjik. Këta autorë, që ndoqën modelet poetike të letërsive orientale, u quajtën bejtexhi, prej termit bejt, që është dyvargëshi (distiku), një formë strofike e poezisë orientale. Edhe pse ishte produkt i ndikimit të kulturës së pushtuesit, poezia e bejtexhinjve, që u zhvillua kryesisht gjatë shek. XVIII, ka meritën se autorët e saj, duke shkruar shqip (edhe pse me alfabet arab) dëshmonin një vetëdije kombësie që e dallonin veten nga etnitë e tjera të Perandorisë Osmane ku bënin pjesë edhe shqiptarët, por ka edhe meritën se trajtoi në mënyrë të gjerë temën laike dhe se shënoi një shkëputje nga letërsia e shek. XVI-XVII e cila plotësonte kryesisht funksione didaktike, utilitare, kurse poezia e bejtexhinjve është shprehje e një frymëzimi krijues subjektiv. Ky është një moment me rëndësi i zhvillimit të brendshëm të një letërsie si akt krijimi, dhe në këtë vështrim njohja e kësaj krijimtarie ka rëndësi për njohjen e historisë së procesit letrar në Shqipëri.

Për njësimin e gjuhës shqipe, për standardizimin e saj, ka zëra që flasin për rishikim. Cili është mendimi juaj për këtë diskutim?

Kjo është një temë mjaft e gjerë, një çështje mjaft e ndjeshme për shoqërinë shqiptare, një debat që herë fashitet e herë gjallërohet, një diskutim që e kam përshtypjen se më shumë nxitet nga motive jashtëshkencore se sa shkencore. Interesimi për shqipen, për zhvillimin dhe pasurimin e saj, është krejt i natyrshëm, sepse shqipja është tipari themelor identitar i kombit, pasuria e tij më e madhe shpirtërore. Shqipja standarde, siç quhet sot në terminologjinë moderne, është element themelor i mjedisit jetësor të shqiptarëve, ajo është mjet, i pazëvendësueshëm i komunikimit midis shqiptarëve, jo vetëm të Shqipërisë politike por të Shqipërisë gjuhësore (ose natyrore), pra të shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, dhe në diasporë. Kjo gjuhë e standardizuar është jo vetëm gjuha moderne e kulturës moderne të shqiptarëve, por dhe një nga arritjet më të mëdha të njësimit shpirtëror të shqiptarëve. Zërat që flasin për rishikim të standardit, siç thoni ju, ose për krijimin e një neostandardi, e trajtojnë kodifikimin e normës gjuhësore të shqipes që miratoi Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972, si një akt administrativ, të imponuar nga politika.
Në të vërtetë Kongresi i Drejtshkrimit me vendimet e tij kurorëzoi një proces të gjatë të zhvillimit të shqipes, prirjen e saj të natyrshme që është karakterizuar nga konvergjenca, afrimi, përqasja e dialekteve. Gjuha letrare e njësuar ka qenë një kërkesë e brendshme e zhvillimit dhe e emancipimit kombëtar e shoqëror të shqiptarëve, të cilët nuk mund të hynin në rrjedhat e jetës moderne, pa një gjuhë letrare moderne. Ajo është vepër e gjithë brezave të lëvruesve të shqipes, të cilët i kanë dhënë asaj njësinë, forcën dhe hijeshinë e një gjuhe të përpunuar, të normëzuar e të aftë për të shprehur shpirtin e folësve të saj, konceptet e jetës, të mendësisë e të dijes bashkëkohore. Kongresi i Drejtshkrimit si të thuash "certifikoi" një proces që ishte në përfundim e sipër, e që kish nisur shumë më herët. Akti i parë madhor kombëtar i unifikimit të saj ishte Kongresi i Manastirit, mbajtur më 1908, i cili, me miratimin e alfabetit që kemi sot me 36 shkronja, (duke e thjeshtuar në 36 shkronja sistemin fonologjik me regjistër shumë të gjerë të dialekteve të shqipes) shënoi a piketoi udhën në të cilën duhet të ecte ky proces. Në këtë kuptim vendimet e Kongresit të Manastirit ishin baza e konsolidimit të normës drejtshkrimore dhe, për pasojë, të normës letrare të shqipes. Kongresi i Drejtshkrimit nuk bëri tjetër veçse sanksionoi këtë proces konvergjence gjuhësore të shqipes.

Po si qëndron puna me dy dialektet?

Ekzistenca e dy dialekteve është një realitet i shqipes, i pasurisë së saj, por për fat të mirë vetëm i dy dialekteve, se ka gjuhë me dy e dymbëdhjetë a më shumë dialekte, dhe aq më tepër për fatin e mirë se këto dy dialekte nuk kanë ndryshime të thella midis tyre, përkundrazi ndryshimet janë fare të vogla, gati të papërfillshme, po të krahasohen me ndryshimet që paraqesin midis tyre dialektet e shumta të gjuhëve të mëdha, fjala vjen italishtes, por dhe të frëngjishtes, gjermanishtes, spanjishtes, etj., të cilat, megjithatë, shekuj më parë e kanë zgjidhur problemin e standardit të tyre, duke vënë në bazë gjuhën e një të folmeje; ( në rastin e italishtes të së folmes së Toskanës në të cilën krijoi poeti i madh Dante Aligeri). Në këto kushte ekzistenca e dy dialekteve të shqipes, me dallime aq të vogla nuk ishte një pengesë e pakapërcyeshme. Siç pohon gjuhëtari danez, një autoritet në albanologji, H. Pedersen, "nga pikëpamja praktike ndryshimi midis dialekteve të gjuhës shqipe nuk ka asnjë rëndësi".
Çdo dialekt në parim si mundësi mund të vihet në bazë të gjuhës standarde.

Po në rastin tonë pse u zgjodh toskërishtja?

Thashë në parim ekziston kjo mundësi dhe kjo vlen edhe për gegërishten. Por në procesin e kristalizimit të njërit ose tjetrit dialekt veprojnë faktorë të ndryshëm kulturorë, historikë, disa herë dhe politikë, që favorizojnë njërin ose tjetrin dialekt. Në rastin konkret toskërishtja pati përparësi, jo për arsye politike kryesisht, por për arsye të brendshme të zhvillimit të saj në krahasim me gegërishten. Gjuhëtarë të njohur, midis tyre prof. Sh. Demiraj dhe prof. I. Ajeti, kanë vënë në dukje se toskërishtja ishte më homogjene se gegërishtja, d.m.th. se zhvillimi i të folmeve brenda toskërishtes kishte një prirje më konvergjente, në dallim nga gegërishtja, të folmet e së cilës, nga sa njihet prej Buzukut, janë diferencuar gjithnjë e më shumë nga njëra tjetra, për arsye të ndryshme historiko-kulturore, ndoshta edhe gjeografike. Kurse të folmet jugore kanë pasur një zhvillim më konvergjent, çka pasqyrohet dhe në krijimtarinë e shkrimtarëve që kanë përdorur një toskërishte letrare gjithnjë e më të njësuar. Sidomos nga Rilindja e këtej u krijua si të thuash një koine e toskërishtes letrare, ndërsa nga ana tjetër kemi një të folme të Shkodrës, fjala vjen, të folmet e arealit gjuhësor veri-lindor, por nuk kemi një gegërishte homogjene në shkallën që pat arritur toskërishtja, sidomos me veprën e Naimit, të F. Konicës, F. Nolit e të tjerëve. Kjo ishte një nga arsyet pse pati një farë përparësie toskërishtja në këtë proces. Aq e vërtetë është kjo sa një gjuhëtar tjetër, i emigracionit shqiptar, Namik Resuli, ka shkruar në gramatikën e tij të shqipes se "kur erdhi çasti për të vendosur për zgjedhjen e dialektit bazë të gjuhës së përbashkët, studiuesit e Tiranës, përkrahës të dialektit jugor, e gjetën atë pothuaj të gatshme, të njësuar në vijat e saj kryesore, ashtu siç e kishte përgatitur dhe ofruar Konica". Gjuha e Naimit, e Konicës, e Nolit, e Kutelit, e Poradecit, e J. Xoxes, I. Kadaresë e të tjerëve kishin krijuar pikërisht atë bërthamë homogjene të toskërishtes që shërbeu si bazë e shqipes standarde. Por kjo nuk do të thotë se është përjashtuar, ose nuk janë integruar në të elemente të të folmeve të dialektit tjetër, sidomos pasuria e tij leksikore, frazeologjike, por edhe elemente nga fusha e fjalëformimit, e trajtave morfologjike, ose e pasurisë dhe larmisë së strukturave sintaksore. Vetëm dy shembuj për ilustrim: Në fushën e fjalëformimit: sa qindra fjalë janë krijuar me emrin krye të gegërishtes, që janë pjesë e normës leksikore e fjalëformuese të standardit (kryetar, kryesi, kryeqytet, kryengritje, kryesor, kryeneç, etj. etj.) Sa mijëra fjalë janë formuar e pranuar nga norma e standardit me prapashtesën ues të gegërishtes, dhe jo onjës të toskërishtes? (mësues, punues, botues, mashtrues, vëzhgues, hetues, përçmues etj. etj.)
Në këtë kuptim dua të them se abuzohet kur thuhet se toskërishtja "i ka hyrë në hak" gegërishtes. Si rregull i përgjithshëm, jo vetëm për rastin e shqipes, nga krijimi i gjuhëve standarde ka vetëm të fituar, sepse çdo dialekt humbet diçka dhe fiton diçka tjetër. Dëshiroj të kujtoj këtu një vëzhgim të mprehtë të I. Kadaresë i cili në një intervistë të dhënë, në mos gaboj, revistës "Hylli i dritës" ka vënë re se po të lexoni veprën e shkrimtares gjirokastrite Musine Kokalari "Si më thotë nënua plakë" do të kuptoni se e folmja e Gjirokastrës me standardin e sotëm, ka humbur më shumë nga çka humbur e folmja e Shkodrës.
Prandaj them se pohime të tilla, që e paraqesin një dialekt si "viktimë" dhe një tjetër si "fitimtar" bëhen me papërgjegjshmëri edhe profesionale, edhe qytetare e pse jo edhe politike, sepse ngjallin mëri dhe me dashje a pa dashje mbajnë gjallë demonët e përçarjes. Këto mendësi regjionaliste janë primitive dhe tingëllojnë anakronike në këto kohë integrimesh. Ne jetojmë në epokën e integrimeve dhe para se të integrohemi me të tjerët duhet të integrohemi mes vedi, dhe gjuha është një faktor themelor integrues, sepse ajo është mjeti i komunikimit, i shprehjes së kulturës së një kombi dhe i identitetit të tij të papërsëritshëm.
Të flasësh sot për krijimin e një standardi të ri do të thotë të kthehesh prapa dhe të rrënosh atë që është ndërtuar me vite e me shekuj. Kjo sindromë e prishjes, çuditërisht mjaft e pranishme në ditët tona, të kujton kompleksin e kalasë së Rozafës, siç u shpreh një studiues arbëresh në konferencën "Gjuha letrare kombëtare dhe bota shqiptare sot", organizuar më 1992 nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Akademisë së Shkencave. Kompleksi i Rozafës do të thotë të prishësh natën atë që ke ndërtuar ditën, dhe nga ky kompleks duhet të ishim çliruar.

Po cilat janë në të vërtetë dallimet kryesore midis dy dialekteve?

Tri dallime janë të tilla: rotacizmi, hundorësia dhe paskajorja. Për dy të parat nuk do të flas, duke i konsideruar jo aq të qenësishme, për paskajoren po, sepse rreth kësaj çështjeje ka mjaft diskutime. është e vërtetë se mënyra paskajore e gegërishtes "ka mbetur jashtë standardit", por është e vërtetë gjithashtu se paskajorja është një pasuri e shqipes, me mundësi të mëdha shprehjeje, me rezonancë të gjerë semantike, dhe, si të thuash edhe "ekonomike" në përdorim, pra një nga vlerat dhe tiparet origjinale të gegërishtes. Por atëherë pse të mbetej "jashtë", do të pyesni ju.
Nuk do të kishte asnjë paragjykim që paskajorja të ishte integruar, por puna është se përfshirja e saj do të sillte çrregullime në sistem, dhe kjo e ka bërë të pamundur integrimin e saj, vlerat e së cilës shprehen përmes lidhores. Zgjerimi i funksioneve të lidhores është karakteristike edhe për shumicën e gjuhëve të Ballkanit, të cilat gjithashtu e kanë humbur trajtën e pashtjelluar të paskajores. Kjo prirje e shprehjes së funksioneve të paskajores përmes lidhores është e hershme edhe në gjuhën shqipe. Që te Buzuku, në pasthënien e "Mesharit" fjala vjen, në 20 raste lidhorja është përdorur 14 herë, kurse paskajorja 6 herë. Në këtë kuptim ky përdorim nuk bie në kundërshtim me prirjen e zhvillimit historik të sistemit foljor të shqipes.

Po me leksikun si qëndron puna?

Integrimin e pasurisë leksikore të dialekteve të shqipes, përfshirë edhe gegërishten, pa dyshim e larmishme në leksik dhe e pasur në frazeologji, nuk e pengon dhe nuk e kufizon aspak standardi. Kritikat se standardi pengon integrimin e pasurisë leksikore të gegërishtes, nuk i qëndrojnë së vërtetës. Standardi nuk paraqet asnjë kufizim për aktivizimin dhe rigjallërimin e leksikut të të gjitha të folmeve. Por është detyrë e lëvruesve të gjuhës, e shkrimtarëve, e gazetarëve, e përdoruesve publikë të shqipes, të riaktivizojnë gjithë pasurinë leksikore edhe të gegërishtes, të ngjallin fjalët "plaka" e të "harruara" dhe t'u japin jetë të re atyre. Detyra e gjuhëtarëve është ta mbledhin këtë leksik dhe ta pasqyrojnë në fjalorë. Por kur flasim për fjalorët duhet të kemi parasysh tipin e tyre, një fjalor i tipit të vogël, ose të mesëm, pasqyron vetëm një pjesë të leksikut të shqipes. Fjalori i vitit 1984 është një fjalor i tipit të mesëm me 40 e ca mijë fjalë, kurse shqipja ka shumë më tepër. Megjithatë në këtë fjalor, siç ka vënë re gjuhëtari shkodran D. Luka, kritik ndaj vendimeve të Kongresit të Drejtshkrimit, gjendet 80% e leksikut të Fishtës. Ju do të thoni pse 80% dhe jo 100%? Sepse kjo është prerja e fjalorit. Edhe nga leksiku i Naimit, i Kutelit, a i J. Xoxes, ju siguroj se po aq përqind ka mbetur jashtë.
Nëse ka vend për kritikë duhet thënë me keqardhje pse Instituti i sotëm i Gjuhësisë, siç dëgjojmë, ka ndërprerë punën për një fjalor të madh, në disa vëllime të shqipes, punë e filluar prej kohësh, që do të pasqyronte gjithë pasurinë leksikore të shqipes. Pra nuk e pengon pasurimin e shqipes standardi, aq më pak nuk është e vërtetë se standardi nuk e pranon këtë pasuri. Në këtë kuptim më ka çuditur shprehja e një poeti shkodran, (emri i të cilit nuk më kujtohet) në një emision të datës 29 shtator, në televizionin Vizion Plus, kur tha, pak a shumë se është njësoj të thuash se mund të integrohen në standard elemente të pasurisë së gegërishtes, siç të thuash se mund të transplantohen organe të një të vdekuri në trupin e një të gjalli. Kjo më duket një deklaratë makabre. Po në atë emision dëgjuam të thuhej se në sistemin politik që lamë pas "gegërishtja konsiderohej reaksionare" (?!) Pohime të tilla vënë në dyshim ndershmërinë shkencore, të kujtdo që ka të drejtë të jetë kritik ndaj zgjidhjeve që dha Kongresi i Drejtshkrimit, por jo të thotë të pavërteta. Po të ishte "reaksionare" gegërishtja për atë sistem, si shpjegohet që në të gjitha botimet dhe ribotimet, në tekstet dhe në antologjitë shkollore, nuk është prekur në asnjë rast gjuha e Buzukut, as e Migjenit, as e Mjedës, as e Shirokës, as e L. Gurakuqit. Mund të jetë censuruar teksti për shkak të përmbajtjes (siç janë censuruar dhe tekste nga Naimi, ose Çajupi, kur përmendin fjala vjen perëndinë) por nuk është prekur gjuha e autorëve dhe nuk është vënë ajo në shqipen e sotme. është tjetër gjë anatemimi i figurës dhe i veprës së Gj. Fishtës, të Koliqit e të tjerëve, por kjo nuk u bë për shkak të gjuhës, por për shkak të kërkesave ideologjike ndaj përmbajtjes dhe të kritereve politike në vlerësimin e këtyre figurave. Dëgjuam gjithashtu të flitet për "gjuhë në shërbim të diktaturës"dhe për "gjuhë totalitare", sa s'u fol dhe për "gjuhë demokratike" a "kapitaliste". Po ç'është kjo gjuhë totalitare, gjuha e J. Xoxes, e I. Kadaresë, e D. Agollit, e M. Kutelit, e T. Laços, e F. Arapit, e P. Markos e S. Andonit, apo gjuha e përkthyesve të klasikëve të letërsisë botërore, e S. Luarasit, e V. Kokonës, e R. Shvarcit, e S. Cacit, e P. Zhejit, e M. Treskës, e J. Bllacit dhe e sa e sa përkthyesve të tjerë që e pasuruan shqipen si kurrë ndonjëherë me përkthimet e tyre mjeshtërore?
E përsëris se pasuria leksikore e dialekteve dhe e të folmeve të ndryshme është pasuri e gjithë shqipes dhe mund të integrohet mirë në shqipen standarde. Dialektet janë si përrenjtë që ushqejnë lumin e madh të gjuhës së shkruar e të lëvruar nga mjeshtrit e saj. Shqipja jeton në radhë të parë te folësit e saj, jeton dhe mbijeton në folklorin gojor dhe, në radhë të tretë verbi shqip është ngulitur në trajtën e tij të lëvruar në letërsi, sidomos në letërsinë artistike. Detyra jonë është që ta mbledhim fjalën e rrallë në popull, aty ku jeton e gjallon kjo fjalë. Ta mbledhim pasurinë e shqipes duke vazhduar të mbledhim folklorin, dhe ta dokumentojmë fjalën shqipe përmes botimit të klasikëve të letërsisë sonë me kritere shkencore filologjike. Mendoj se për këtë duhet të shqetësohemi. Duhet të shqetësohemi që nuk bëhen më ekspedita dialektologjike pas botimit të një vepre themelore siç është "Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe" përfunduar që në vitin 1990. Duhet të na shqetësojë fakti që jo vetëm që nuk ka më kërkime për mbledhjen e leksikut, që është ndërprerë puna për pasurimin e kartotekës së leksikut të shqipes në Institutin e Gjuhësisë, por aq më keq që pasuria e madhe që ruhet në atë kartotekë prej 3-4 milionë skedash, është kyçur me katër katinarë dhe është lënë në mëshirën e brejtësve e rrezikon të shkatërrohet. Duhet të shqetësohemi që është ndërprerë botimi i kolanës "Trashëgimi kulturor i popullit shqiptar" ku përfshiheshin dhe klasikët e letërsisë shqipe, duke mos pasur asnjë projekt nga institucionet përkatëse dhe asnjë strategji për botimin kritik-shkencor të tyre. Prej këtyre botimeve mund të krijohet dhe tradita e hartimit të fjalorëve të shkrimtarëve që do t'i shërbenin si praktikës letrare dhe pasurimit të gjuhës artistike, dhe studime leksikologjike.
Këto duhet të ishin disa nga çështjet që duhet të shqetësonin institucionet dhe kërkuesit shkencorë, më shumë sesa kërkesat për ndryshimet në standard.

Zh. Mendoni se nuk është koha për këto ndryshime?

Gjuha, si një organizëm i gjallë zhvillohet e pasurohet dhe ndryshime e përmirësime normës mund t'i bëhen, por këto ndryshime duhen bërë me kujdes e maturi, sepse njihet dhe nga përvoja botërore karakteri konservator i normës. Ndryshimet në standard bëhen kur standardi nuk funksionon, kurse në këta 30-40 vjet shqipja standarde e ka kaluar provën e kohës dhe funksionon, si u tha, si një mjet i komunikimit të bashkësisë që e flet dhe i zhvillimit të kulturës së saj të shkruar. Prandaj alarmi mendoj se nuk duhet dhënë për ato ndryshime të pjesshme, që mund të kenë karakter kryesisht konvencional, por për gjendjen e përdorimeve publike të shqipes, me fjalë të tjera nuk është koha e alarmit për ndryshime, por është koha e alarmit për të zbatuar normën gjuhësore në kuptimin e gjerë të fjalës dhe për ngritjen e kulturës gjuhësore.

Zh. Ju mendoni se ka probleme shqetësuese në këtë vështrim?!

Po, mendoj se ka probleme shumë shqetësuese. Vihet re në përdorimet publike të shqipes një moskujdesje e madhe e shoqëruar me shkelje të normës drejtshkrimore, të normës drejtshkrimore, të normës gramatikore, të normës leksikore e sidomos të kulturës gjuhësore në përgjithësi, shprehje e një mungese respekti dhe kulture për të zbatuar të ashtuquajturën "disiplinë" gjuhësore. Kultura e gjuhës është pasqyrë e qytetërimit të një shoqërie.
Në përgjithësi mund të thuhet se "disiplina" gjuhësore, në kuptimin e zbatimit të rregullave të drejtshkrimit, të drejtshqiptimit, të gramatikës e të pikësimit dhe në përdorimin e drejtë dhe të saktë të fjalive, ende nuk është bërë pjesë e disiplinës së punës të institucioneve, të shkollës e të medies, se në përdorimet publike të shqipes nga njerëzit publikë dhe nga politikanët ka një mungesë kulture gjuhësore, për të mos thënë një mjerim kulturor.
Me hapjen e shoqërisë shqiptare do të vijnë fjalë të huaja ose terma të teknologjisë moderne që shqipja duhet t'i pranojë, kur nuk ka mundësi t'i shprehë me mjetet e veta. Por, kur ka mundësi t'i shprehë me mjetet e veta, përse duhet të përdorë fjalën e huaj që "ngjan si dhia në mes të dhënëve", siç shprehej Naimi. Janë rikthyer një tip fjalësh të huaja që dikur ishin mënjanuar nga shqipja, si abandonoj, adoptim, angazhim, mortalitet, nuklear, influencë, etj. Madje fjalës së huaj influencë, e zëvendësuar fare mirë me fjalën shqipe ndikim, i shtohet dhe fjala impakt e cila, edhe në anglisht nuk ka si kuptim të parë ndikim. Po këtij orteku huazimesh "të ringjallura", i shtohet dhe një prurje e re fjalësh të huaja me denduri të madhe përdorimi ndër të cilat mund të përmendim: agravim, agjendë, akses, akomodim, anunçoj, bord, impas, donacion, draft, ekces, ekskluzivitet, evazion fiskal, mazhorancë, fizibilitet, grant, minorancë, ëorkshop, implementim dhe e famshmja performancë e performoj etj. etj. Kjo gjendje dëshpëruese e "invadimit" të shqipes nga lënda e huaj, shtoi kësaj dhe varfërinë e kulturës gjuhësore, të kujton situatën gjuhësore në vitet 30 të shekullit që shkoi, kur L. Poradeci shkruante:

Pa zë çbëhet ç'u pat bërë, ç'u godit zë shkatërrohet,
Ç'u ndërtua brez pas brezi, bje greminë me një çast,
Ku këndoi bilbil i Kombit, grifsh e huaj çirret pas.

Duke mos ndaluar në shkeljet e normës drejtshkrimore e të drejtshqiptimit, se janë aq të shumta sa nuk do t'ia vlente t'i rendisnim, duhet të themi se edhe më të rënda janë shkeljet e normës gramatikore e të sintaksës së shqipes. Të vjen keq kur shkelje të tilla vijnë nga institucione universitare a institucione qendrore të shtetit. Dhjetëra herë në ditë mund të shihni në ekran reklamën e një universitetit që shkruan pak a shumë "idetë i përkasin elitave" duke përdorur gabimisht trajtën e shkurtër të njëjësit (i)në vend të trajtës së shkurtër të shumësit u. Para disa ditësh në disa televizione u shfaq një reklamë për universitetin e Beratit. Një lajm i gëzuar, por emri i gdhendur në fasadën e universitetit lexon Universiteti Beratit në vend të Universiteti i Beratit. Te të gjithë shikuesit e televizioneve dhe sidomos te beratasit që e lexojnë përditë ose disa herë në ditë, kjo reklamë bën trysni në formimin gjuhësor të tyre, duke i mësuar "ta hanë" nyjën e përparme i që shqipja e ka. Por ka edhe më keq, Ministria e Turizmit, e Kulturës, e Rinisë dhe Sporteve, "ha" jo një, por tri nyje sepse quhet Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Kjo mungesë kujdesi për respektimin e normës gjuhësore është një mungesë kulturore për respektimin e ligjit, të normave elementare të shkrimit të gjuhës amtare. Nuk po flas pastaj për emrat e huaj që nuk lakohen në përputhje me sistemin rasor të shqipes, kur thuhet e shkruhet, fjala vjen "Klinton takon Bush" (në vend të Klintoni takon Bushin) etj. etj.
Të gjitha këto dëshmojnë se ka një pakujdesi të madhe në përdorimet publike të shqipes dhe për fat të keq ka një mungesë vëmendjeje e kujdesi nga institucionet që duhet të jenë përgjegjëse për këtë. Kuptohet se shkolla ka përgjegjësinë kryesore për mësimin e shqipes brezave që vijnë dhe kjo është e lidhur sa me programet dhe punën e përgatitjen e mësuesve të gjuhës e të letërsisë shqipe, aq dhe me gjuhën e teksteve të gjuhës dhe të gjithë teksteve shkollore, që do të kërkonte një trajtim më vete.
Me sa parashtruam dëshirova të provoj se këto e probleme të tjera në fushën e kulturës gjuhësore janë përparsore dhe për të dhënë alarmin dhe jo çështje të tilla të ndryshimeve në rregullat e drejtshkrimit në se fjala bej, te Faik bej Konica do të shkruhet me b të vogël a me B të madhe, që është në fund të fundit diçka konvencionale.

Po cila do të ishte rrugëdalja nga kjo gjendje?

Në Kushtetutë ka një nen që e detyron shtetin të mbrojë gjuhën shqipe; shteti duhet ta plotësojë këtë detyrim kushtetues përmes miratimit të një ligji të posaçëm dhe përmes institucioneve përkatëse.
Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Akademisë së Shkencave, në vitin 2004 ka përgatitur një projektligj për mbrojtjen e gjuhës shqipe, ligj që u miratua nga Këshilli i Ministrave, dhe në fillim të vitit 2005 iu përcoll Kuvendit të Shqipërisë. Ka ardhur koha që ky ligj të nxirret nga sirtarët.
Shqiptarët janë për fort të lidhur me gjuhën e tyre. Gjuha, kujtimi i Skënderbeut dhe tradita e tyre historike ka vënë vulën në identitetin e tyre dhe i ka mbajtur ata gjallë si komb.

Desha t'ju pyes në se shqipja, në kuadrin e gjithë gjuhëve evropiane, në përbërjen dhe pasurinë e saj është një gjuhë e pasur dhe konkurrente për nga pasuria e saj?

Shqipja është një gjuhë e vjetër, e veçantë në familjen e gjuhëve indoeuropiane, dhe nga kjo pikëpamje është një gjuhë e rëndësishme dhe një pikë referimi për gjuhësinë e përgjithshme. Por nga ana tjetër ajo është një gjuhë e pasur, me mundësi të mëdha shprehëse. Ajo ka qenë në gjendje të ballafaqohet me veprën e Homerit, të Virgjilit, të Eskilit, të Dantes, të Shekspirit, të Gëtes, të Tolstoit e të sa kolosëve të tjerë të letërsisë botërore. Ajo i ka mundësitë dhe mjetet të shprehë kulturën dhe dijen botërore, duke qenë e hapur, duke shfrytëzuar në maksimum burimet e brendshme dhe duke marrë nga gjuhët e tjera e duke i bërë pronë të saj fjalë e terma të shkencës bashkëkohore. Si u tha, në këtë gjysmë shekulli që shkoi shqipja u pasurua mjaft dhe si gjuhë e shkencës dhe e dijes. Mjafton të kujtojmë se ajo ka përballuar edhe përkthimin e veprave të tilla nga fusha e filozofisë ose e shkencave politike e ekonomike si "Kapitali" i Karl Marksit, falë punës së një përkthyesi të talentuar, Sami Lekës, dhe të një grupi përkthyesish më të rinj, midis tyre dhe të mikut tim të ndjerë Mina Qirici.

Kohët e fundit ka ngjallur interes në medja debati mes Qosjes dhe Kadaresë. A ka pasur lidhje ky debat me çështjet e standardit?

Jo, aspak. Ai debat ka pasur në qendër kuptime të ndryshme për identitetin kombëtar të shqiptarëve, për rolin e faktorëve historikë, kulturorë e fetare në formimin e këtij identiteti. I Kadareja dhe Qosja i përmbahen pikëpamjes se krijimi i shqipes standarde është një arritje e kulturës kombëtare. Dihet gjithashtu se Qosja është nga intelektualët e Kosovës që respekton si pakkush normën gjuhësore të standardit, kurse Kadareja është nga të paktët krijues që riaktivizon me sukses pasurinë leksikore të gegërishtes duke krijuar dhe fjalë a kompozita të reja të goditura nga fjalë-rrënjë të të folmeve veriore.

Letërsia Shqiptare


Jorgo Bulo.gif

Jorgo Bulo

(Jorgo Bulo Akademik, i cili ka bërë shpjegimin e disa termave të shkencës e të teknikës për hartuesit e Fjalorit të gjuhës shqipe të botuar në Tiranë më 1980.Mban titullin Profesor Doktor.)


Në kulturën e shqiptarëve ka lënë gjurmën e saj të thellë historia e tyre e brendshme dhe e jashtme.
Pjesë e trevave të lashta ilirike, udhë kryqëzimi e qytetërimeve dhe e interesave gjeopolitike gjatë dyndjeve barbare e më pas, provincë e perandorive të perëndimit dhe të Lindjes, të Romës e të Bizantit, pasi kishte bërë e çbërë gjatë shekujve, despotate e principata të pavarura, dhe pasi kishte formuar më së fundi shtetin e Skënderbeut, i cili u qëndroi për një çerek shekulli hordhive osmanve, duke u kthyer në mburojë të krishtërimit dhe të qytetërimit europian, Shqipëria e cfilitur nga luftërat, pas vdekjes së heroit të rezistencës së saj, Gjergj Kastriot-Skënderbeut (1468), kishte rënë në fund të shek.XV nën zgjedhën e Perandorisë së Sulltanëve.
Vendi ishte kthyer pas në një fazë zhvillimi ekonomiko-shoqëror historikisht të kapërcyer. Rrjedhat normale të kulturës shqiptare, që ecte në një hap me humanizmin evropian, u ndërprenë. Pasoja e parë e pushtimit ishte hemoragjia e elitës intelektuale në Perëndim. Prej saj u shquan figura, që bënë emër në botën humaniste, si historiani M. Barleti (1460-1513), që botoi në Romë më 1510 një histori të Skënderbeut, e cila u përkthye thuajse në të gjitha gjuhët e Evropës, ose M. Beçikemi (1408-1526), Gj. Gazulli (1400-1455), L. Tomeu (1456-1531), M. Maruli (shek. XV), M. Artioti (1480-1556) e të tjerë, që u dalluan në fusha të ndryshme të shkencës, të artit e të filozofisë.
Ndërkaq, në vend jeta kulturore u fashit, monumentet e kulturës materiale e shpirtërore u zhdukën nën rrënojat e shkatërrimit të luftërave; gjysmëhëna e uli kryqin dhe gati dy të tretat e popullatës në fund të shek. XVII ishin konvertuar në fenë islame. Por ky ndryshim drastik i strukturës fetare nuk pengoi që Shqipëria të ishte përherë një nga provincat më të paqeta të Perandorisë dhe as që kultura shqiptare të mbijetonte edhe në kushtet e një pushtimi disashekullor, nën trysninë e islamit e të botës kulturore të orientit, që pati një ndikim të thellë e të gjithanshëm në të, veçse pa arritur të shtypë natyrën shqiptare të kulturës vendëse.
Qëndresa në fushën e kulturës u shpreh në radhë të parë përmes lëvrimit të shqipes në lëmë të botimeve të teksteve kishtare, kryesisht të qarkut konfesional katolik në veri, por edhe ortodoks në jug.
Reforma protestante gjallëroi shpresat e zhvillimit të gjuhës e të traditës letrare vendëse kur prifti Gj. Buzuku solli në shqip liturgjinë katolike, duke dashur të bëjë për shqipen atë që bëri Luteri për gjermanishten.
“Meshari” i Gj. Buzukut, botuar prej tij më 1555, mbahet deri më sot, si e para vepër e shqipes së shkruar. Niveli i përpunuar i gjuhës dhe ortografia e stabilizuar duhet të jetë rezultat i një tradite më të hershme të shkrimit të shqipes, traditë që nuk njihet. Por ekzistojnë disa dëshmi fragmentare më të hershme se vepra e Buzukut, të cilat flasin për shkrimin e shqipes të paktën nga shek.XIV:
E para dëshmi që njihet është e vitit 1332, e domenikanit freng Gulielm Adale, kryepeshkop i Tivarit, i cili në një relacion latinisht shkruan se shqiptarët kanë në përdorim në librat e tyre shkronjat latine edhe pse gjuha e tyre është fare e ndryshme nga latinishtja. Me rëndësi të vecantë jane: një formulë pagëzimi (Unte paghesont premenit Atit et Bizit et spertit senit) e vitit 1492, shkruar shqip brenda një teksti latinisht, nga peshkopi i Durrësit Pal Engjëlli; nje fjalor me glosa shqip i vitit 1497, i gjermanit Arnold fon Harf, i cili pat kaluar si udhëtar në Shqipëri dhe një fragment nga Ungjilli i Shën Mateut, po shqip, por me shkronja greqisht, i shekullit XIV
Shkrimet shqip të këtyre shekujve s’duhet të kenë qenë vetëm tekste fetare, por dhe kronika historike, për të cilat flet humanisti M. Barleti, i cili në librin e tij “Rrethimi i Shkodrës” (1504) pohon se ka pasur në dorë kronika të tilla të shkruara në gjuhën e popullit (in vernacula lingua).
Me gjithë pengesat që krijoi Kundërreforma për lëvrimin e gjuhëve nacionale në literaturën kishtare, ky proces nuk u ndërpre. Gjatë shek. XVI-XVII u botuan në shqip katekizma “E mbësuame krishterë” (1592) e L. Matrëngës, “Doktrina e krishterë” (1618) dhe “Rituale romanum” (1621) të P. Budit, shkrimtari i parë i prozës dhe i poezisë origjinale shqipe, një apologji për Gjergj Kastriotin (1636) nga F. Bardhi, i cili botoi edhe një fjalor e lëndë folklorike, traktati teologjik-filozofik “Çeta e Profetëve” (1685) i P. Bogdanit, mendja më universale e mesjetës shqiptare.
Vepra e Bogdanit është një traktat teologjik-filozofik që trajton me origjinalitet, duke shkrirë të dhëna nga burime të ndryshme, çështje kryesore të teologjisë dhe një histori biblike të plotë, si dhe probleme të komplikuara të skolastikës, të kozmogonisë, astronomisë, pedagogjisë, etj. Bogdani solli në kulturën shqiptare frymën humaniste dhe vlerësoi rolin e dijes e të kulturës në jetën e njeriut; ai me veprën e tij të shkruar me një shqipe e stil të përpunuar, shënoi një kthesë në historinë e letërsisë shqipe.



Gjatë shekullit XVIII njohu një gjallërim më të madh literatura e qarkut kulturor konfensional ortodoks e mysliman. Një anonim prej Elbasanit sjell në shqip copa të ungjillit, T. H. Filipi, po prej Elbasanit, “Dhjatën e Vjetër dhe të Re”. Këto përpjekje u shumuan në shekullin e ardhshëm, me botimin më 1827 të tekstit integral të “Dhjatës së Re” nga G. Gjirokastriti dhe me korpusin e madh të përkthimeve kishtare të K. Kristoforidhit (1830-1895), në dy dialektet e shqipes, botime që ndihmuan procesin e integrimit të tyre në një gjuhë letrare të njësuar dhe vunë bazat për krijimin e kishës kombëtare të shqiptarëve me liturgjinë në gjuhën e tyre.
Ndonëse në kahje të kundërt me këtë prirje, duhet përmendur edhe kultura e Voskopojës, e cila gjatë shek. XVIII u bë një vatër e madhe qytetërimi dhe metropol i gadishullit ballkanik, me një Akademi e shtypshkronjë dhe me personalitete si T. Kavalioti, Dh. Haxhiu, G. Voskopojari, veprat diturore, filologjike, teologjike e filozofike të të cilëve objektivisht i ndihmonin shkrimit e njohjes së shqipes.
Edhe pse letërsia që u zhvillua në Voskopojë, ishte kryesisht në gjuhën greke, nevoja për t’i vënë gardh islamizmit, bën të domosdoshme edhe përdorimin e gjuhëve amtare, duke inkurajuar zhvillimin e kulturave kombëtare. Në shkollat e Voskopojës u përdorën dhe arumanishtja e shqipja për mësimin e greqishtes, kurse në shtypshkronjën e saj u shtypën edhe libra arumanisht.
Veprat e shkrimtarëve dhe dijetarëve të Voskopojës kanë sjellë disa elemente të ideve të iluminizmit evropian. Më i shquari ndër ta, Teodor Kavaljoti është një erudit i kohës. Sipas dëshmive të profesorit gjerman Thunman, vepra e Kavaljotit, që mbeti e pabotuar, në pjesën më të madhe ka trajtuar çështje pothuajse nga të gjitha degët e shkencës filozofike. Në të ndjehet ndikimi i Platonit, Dekartit, Malëbranshit dhe Leibnicit.
Rezultat i ndikimit të islamit dhe të kulturës së pushtuesit, ishte formimi gjatë shek. XVIII i një shkolle poetike, ose i një letërsie të shkruar në gjuhën shqipe, por me alfabetin arab. Autorë të saj si: N. Frakulla, M. Kyçyku, S. Naibi, H. Z. Kamberi, Sh. e D. Frashëri, Sheh Mala, e të tjerë, trajtuan në veprat e tyre motive të huajtura nga letërsitë orientale, shkruan mevludë e divane me një gjuhë të mbytur nga orientalizmat, lëvruan lirikën dhe epin religjioz. Kjo shkollë nuk pati jetë të gjatë dhe as ndikim të veçantë në zhvillimet e pastajme letrare.
Për të plotësuar kuadrin e zhvillimit kulturor të Shqipërisë në shek. XVI-XVIII duhet shënuar, se pati nga autorë vendës vepra të shquara në fushë të arkitekturës dhe të pikturës ikonografike, ku u dalluan Onufri dhe i biri Nikolla (shek. XVI) dhe K. Shpataraku e D. Selenica (shek. XVIII) të cilët vazhduan traditën e artit fetar post-bizantin, por jo pa ndikime nga Rilindja europiane. Në fushë të artit islam mund të përmenden kryesisht ndërtimet e kultit.
Shekulli XIX, shekulli i lëvizjeve nacionale në Ballkan, i gjente shqiptarët pa një traditë të mjaftueshme të zhvillimit shtetëror, gjuhësor e kulturor unitar, me një mendësi individualiste dhe regjionaliste, të trashëguar nga psikologjia e bajrakut dhe e fisit, për pajosë me një vetëdije kombëtare të pazhvilluar, por me një shpirt rebelimi spontan. Në këtë situatë historiko-kulturore nisi të merrte jetë një lëvizje e organizuar mendore dhe letrare që mori emrin Rilindja Kombëtare Shqiptare. Ajo u frymëzua nga idetë e romantizmit nacional dhe të iluminizmit, që u kultivuan në rrethet e inteligjencës shqiptare, e cila jetonte kryesisht në mërgim, në kolonitë e vjetra shqiptare në Itali dhe në ngulimet më të reja në Stamboll, Bukuresht, SHBA, Sofje e Kajro.



Ringjallja nacionale, mbrujtja e shqipes si gjuhë e kulturës, organizimi i arsimit kombëtar dhe themelimi i letërsisë kombëtare, në rrafshin kulturor, si dhe krijimi i shtetit të pavarur, në rrafshin politik, këto ishin synimet e kësaj lëvizjeje prej së cilës lindi shkolla e romantizmit shqiptar. Ishte ky një romantizëm tipik ballkanik, i mbrujtur me frymën e çlirimit kombëtar, me nostalgjinë e mërgimtarit dhe me patosin retorik të evokimit të mesjetës shqiptare, domethënë të luftrave të Gjergj Kastriotit. Kjo shkollë letrare lëvroi kryesisht poezinë. Heroi i saj ishte njeriu etik, shqiptari luftëtar, e më pak njeriu tragjik. Nga motivet dhe format poetike, ajo ka lidhje të ngushta me traditën folklorike. Gjurmimi i kësaj tradite dhe botimet në fushë të saj (“Rapsodi të një poeme arbëreshe” më 1866 nga De Rada, “Përmbledhje të këngëve popullore dhe rapsodi të poemave shqiptare” më 1871 nga Z. Jubani, “Bleta shqiptare” më 1878 nga Th. Mitko, etj.), ishin pjesë e programit kulturor të Rilindjes Kombëtare për afirmimin e identitetit etnokulturor të shqiptarëve.
Dy janë përfaqësuesit më të mëdhenj të romantizmit shqiptar të shek. XIX: J. De Rada (1814-1903), lindur e vdekur në diasporën shqiptare në Itali e shkolluar atje dhe N. Frashëri (1846-199), lindur në Shqipëri, i shkolluar në Zosimea të Janinës, por i mërguar dhe vdekur në Stamboll. I pari është poeti romantik shqiptar i rritur në klimën e romantizmit europian, i dyti romantiku shqiptar që tret në poezinë e tij ndikimet e poezisë lindore, sidomos persiane, me frymën dhe shpirtin e poezisë së romaantizmit perëndimor.
De Rada shkroi një cikël poemash epiko-lirike në stilin e rapsodive shqiptare: “Këngët e Milosaos”, 1836, “Serafina Topia” 1839, “Skënderbeu i pafat” 1872-1874 etj. me ambicjen që të krijonte eposin nacional për shekullin e Skënderbeut.
Pas gjurmëve të Herderit, De Rada zgjoi në poezinë e tij mallin e për këngën popullore dhe e ngjyrosi atë me koloritin etnografik. Veprat e tij janë pasqyrë e jetës shqiptare me zakonet dhe mendësinë e saj karakteristike, si dhe dramën shqiptare të shek. XV, kur polemi i tij i panënshtruar ra nën zgjedhën e osmanëve. Konflikti midis lumturisë së individit dhe tragjedisë së kombit, skenat ndanë kroit në katund, gratë që mbledhin kallëza në ara, burri që shkon në luftë dhe gruaja që i qendis brezin, të gjitha të paraqitura me një ndjenjë lirizmi të hollë, ja ç’është poezia e këtij poeti romantik, që u rrit në klimën politike të lëvizjes nacionale të shqiptarëve dhe në klimën letrare të romantizmit kalabrez.
Naim Frashëri shkroi një poemë bukolike (“Bagëti e bujqësia”, 1886) një përmbledhje lirikash filosofike, atdhetare e dashurore (“Lulet e verës” 1890), një poemë epike për Skënderbenë (“Histori e Skënderbeut” 1898) një poemë epike religjoze (“Qerbelaja” 1898) dy poema greqisht (“O eros” e “O alithis pothos ton skipetaron) një tufë lirikash persisht (“Tehajylat” - Ëndërrime) dhe shumë vepra diturore shqip. Ai njihet si poeti më i madh kombëtar i shqiptarëve.
Naim Frashëri themeloi lirikën moderne në poezinë shqipe. Në frymën e “Bukolikëve” e “Gjeorgjikëve” të Virgjilit, ai në poemën “Bagëti e bujqësia” u këndoi punëve të bujkut e të bariut duke i thurur një himn bukurive të atdheut të vet dhe duke shprehur nostalgjinë e poetit të mërguar dhe krenarinë e qënies shqiptar. Nuk është çudi që, duke jetuar në zemrën e perandorisë së osmanëve, në Stamboll, të përjetonte aq thellë fatin e atdheut të tij. Malli për vendlindjen, për malet dhe fushat e Shqipërisë, për varret e të parëve, kujtimet e fëminisë, i japin forcë e vrull lirik frymëzimit të tij.
Përjetimet subjektive të individit të çliruar nga prangat e mentalitetit mesjetar oriental, nga një anë, dhe nga ana tjetër panteizmi filozofik i doktrinës sufite, i shkrirë me panteizmin poetik të shkollës së romantizmit evropian, u japin meditimeve lirike të Frashërit një dimension human e filozofik universal. Poezitë më të bukura të përmbledhjes “Lulet e verës”, janë lirikat filozofike për jetën dhe vdekjen, për kohën që ikën dhe s’kthehet më, duke lënë pas kujtime cfilitëse në zemrën e njeriut, për krijuesin të shkrirë me universin.
Natyrë religjioze dhe anëtar i sektit bektashi, Frashëri është një poet metafizik, që shkriu në meditimet e tij lirike, mistikën helenistike, me mistikën e lashtë orientale e islame. I ndodhur në kryqëzimin e traditave poetike e filozofike lindore e perëndimore, N. Frashëri i tret ato në njëra-tjetrën, por pa shtypur natyrën e tij shqiptare. Kultura dhe qytetërimi perëndimor përcaktuan substratin iluminist të veprës së Frashërit, qytetërimi lindor substratin filozofiko-mistik, kurse bota shqiptare trungun e veprës së tij. Por duhet veçuar në veprën e tij fryma frënge. Fryma frënge në Greqi dhe në Turqi ishte përfaqësuese e kulturës evropiane. Ajo gjeti shtrat të ngrohtë në vendet ballkanike si Shqipëria, sepse u sillte popujve të këtij gadishulli idetë e kryengritjes frënge dhe idenë e lirisë përgjithësisht e të nacionalizmit modern. Njohës i gjuhës frënge, admirues i Volterit dhe i Rusoit, si mendimtar, dhe i Lamartinit si poet, Frashëri e shikonte të ardhmen e kombit të vet “të lindëte andej nga perëndon”. Romantizmi i Naimit në këtë pikë nuk dallon prej romantizmit grek e turk, ato janë pjella e Francës.
Naim Frashëri është themeluesi i letërsisë kombëtare të shqiptarëve dhe i gjuhës letrare kombëtare. Ai e ngriti shqipen në rendin e një gjuhe moderne të kulturës duke e mbrujtur atë në modelin e ligjërimit të shqipes popullore.
Botën subjektive të heroit romantik me shpirt të trazuar e sjell në romantizmin shqiptar poezia e Z. Serembes. Në poezinë e N. Mjedës dhe A. Z. Çajupit, që jetuan në fundin e Rilindjes, shfaqen shenjat e dezintegrimit të sistemit artistik të romantizmit në letërsinë shqipe.
A.Z Çajupi (1866-1930), është një poet rustik, i tipit të këngëtarit popullor, i mbiquajtur Mistrali i Shqipërisë; ai i solli letërsisë shqipe komedinë e zakoneve dhe tragjedinë me temë historike. I shkolluar në një kolegj francez të Aleksandrisë dhe në Universitetin e Gjenevës, njohës i mirë i letërsisë franceze, A. Z. Çajupi solli ndër të parët në shqip fabulat e La Fontenit, duke hapur kështu udhën e përkthimit e të përshtatjes në gjuhën shqipe, të veprave nga letërsisa botërore, që ka qenë dhe vazhdon të mbetet një nga udhët e mëdha të komunikimit të shqiptarëve me kulturën botërore.
Me krijimin e shtetit shqiptar (1912) shkolla romantike e lindur në truallin e lëvizjes kombëtare, e humbi bazën e vet historike; ideja kombëtare i lë udhën idesë njerëzore dhe në zhvillimin e letërsisë shqiptare shfaqen prirje e stile të reja.
Drejtimi kryesor që mori letërsia shqipe në mes dy luftrave botërore ishte realizimi, por nuk munguan as shfaqje të një sentimentalizmi të vonuar (F. Postoli), as recidive të romantizmit.



Gjergj Fishta (1871-1940), shkroi një poemë të përmasave të eposit kombëtar (“Lahuta e malësisë”) ku paraqet me frymë romantizante e me një patos të ngritur patriotik, luftrat e malësorëve të Veriutkundër dyndjeve sllave.
Me këtë vepër ai mbetet poeti më i madh epik i shqiptarëve. Prift i urdhërit françeskan, erudit dhe anëtar i Akademisë italiane, Gjergj Fishta është një personalitet poliedrik i kulturës shqiptare: poet epik dhe lirik, publicist dhe satirist i hollë, dramaturg e përkthyes, veprimtar aktiv i jetës kulturore dhe politike shqiptare midis dy luftrave.
Vepra e tij madhore "Lahuta e malësisë” me rreth 17.000 vargje, e shkruar në frymën e eposit legjendar e historik të shqiptarëve, është një pasqyrë e jetës shqiptare dhe e mendësisë shqiptare, një mozaik poetik ngjarjesh historike e legjendare, personazhesh historike dhe jo historike, traditash e zakonesh të malësisë, zanash e shtojzavallesh të malësisë, një afresk i gjallë i historisë së një polemi të lashtë që pikëson në qendër tipin e shqiptarit të gdhendur në kalvarin e jetës së tij në rrymë të shekujve të egër për të. Poemën e Fishtës e shquan një pasuri e madhe gjuhësore, në të është mbledhur tërë visari i shqipes popullore të malësise, frazologjia e gjallë e pashtershme dhe larmia e ndërtimeve të çlirëta sintaksore, që i japin gjallëri e forcë ligjërimit poetik.
Përmbledhjet poetike “Mrizi i Zanave” me vjersha atdhetare dhe “Vallja e Parrizit” me vjersha me frymë fetare, e paraqesin Fishtën një poet të hollë lirik, kurse veprat “Anzat e Parnasit” dhe “Gomari i Babatasit” e paraqesin Fishtën një shkrimtar satirik të papërsëritshëm. Në fushë të dramaturgjisë mund të përmenden prej tij tragjeditë me subjekt nga mitologjia biblike dhe antike “Juda Makabe” dhe “Ifigjenia n’ Aulli”.
Në letërsinë shqiptare midis dy luftrave nuk munguan as shfaqjet e sentimentalizmit (F. Postoli, M. Grameno) dhe të një klasicizmi të vonuar, sidomos në dramaturgji (E. Haxhiademi). Shfaqjet e rrymave moderne, të impresionizmit, simbolizmit e pamasizmit, ishin dukuri të veçuara në veprën e disa shkrimtarëve (Migjeni, Poradeci, Asdreni), pa arritur të formojnë shkollë. Ndryshime të thella ndodhen në sistemin e zhanreve; krahas poezisë u lëvrua proza (Migjeni, F. S. Noli, F. Konica, E. Koliqi, M. Kuteli etj.) dhe drama e satira (Gj. Fishta, K. Floqi).
Përfaqësuesi më tipik i realizmit ishte Millosh Gjergj Nikolla, Migjeni (1913-1938). Poezia (“Vargjet e lira” 1936) dhe proza e tij përshkohen nga një realizëm i ashpër social për mjerimin dhe pozitën tragjike të individit në shoqërinë e kohës. Personazhet e veprës së tij janë njerëzit e basifondeve të shoqërisë shqiptare.
Disa novela të Migjenit janë romane në miniaturë; subjektet e tyre paraqesin konfliktin e individit me institucionet dhe moralin patriarkal e konservator. Natyra e rebeluar e talentit të Migjenit theu tradicionalizmin e poezisë dhe të prozës shqipe duke sjellë një stil e forma të reja në poetikë, e narracion. Ai është nga reformatorët më të mëdhenj të letrave shqipe, shkrimtari i parë i nadh modern shqiptar.
Natyrë tjetër, talenti poetik L. Poradeci (1899-1987), një poet lirik brilant, krijoi një poezi të butë e të ngrohtë, por me mendim të thellë e muzikalitet magjepsës (“Vallja e yjeve”, 1933, “Ylli i zemrës” 1937.



Tronditës verbi poetik i F. S. Nolit (1882-1965), në librin “Album” (1947) dhe elegante proza e tij historike (“Histori e Skënderbeut” 1921). Poet, historian, dramaturg, estet dhe muzikolog, publicist, përkthyes, mjeshtër i shqipes, përpos burrë shteti e diplomat, ai është gjeniu i kulturës shqiptare të shek. XX.
F. S. Noli lindi në një ngulim shqiptar të Thrakës Lindore (Ibik Tepe), ku mori arsimin fillor; arsimin e mesëm e mori në gjimnazin grek të Adrianopojës, kurse studimet e larta i kreu në Universitetin Harvard të Bostonit (SHBA).
Në moshë fare të re u lidh me lëvizjen patriotike për çlirimin e Shqipërisë nga pushtimi osman dhe u bë një nga aktivistët më të shquar politikë e kulturorë të Rilindjes Shqiptare. Më 1908 u dorëzua prift duke inicuar idenë e krijimit të një kishe ortodokse aautoqefale shqiptare të cilën e themeloi më 1922.
Pas shpalljes së pavarësisë kombëtare (1912) u bë frymëzues dhe udhëheqës i lëvizjes demokratike në Shqipëri. Më 1924, pas fitores së një revolucioni antifeudal, u zgjodh kryeministër i qeverisë jetëshkurtër të dalë prej këtij revolucioni. Restaurimi i reaksionit çifligar në dhjetor 1924 e detyroi të marrë udhën e pakthim të mërgimit, të cilin e përjetoi si një ekzil biblik. Ditët e fundit të jetës i mbylli në SHBA, ku u vendos përfundimisht më 1932, pas ecejakjeve nëpër Evropë si emigrant politik.
Përvoja e revolucionit të mundur të 1924-ës i frymëzoi atij një cikël poezish me motive biblike, të përfshira në librin “Album”. Më 1907 pat botuar dramën po me subjekt biblik “Izraelitë dhe filistinë”, duke dashur të aktualizojë legjendën biblike në përqasje me përvojat e tij si udhëheqës shpirtëror i lëvizjes për çlirim kombëtar e shoqëror të shqiptarëve. Më 1947 botoi anglisht studimin “Bethoven and the French revolution”. Përktheu në shqip shumë libra liturgjikë dhe vepra të shkrimtarëve botërorë O. Khajan, U. Shekspir, H. Ibsen, M. Servantes e të tjerë.
Me poezinë, me prozën publicistike, shkencore e kishtare, si dhe me përkthimet mjeshtërore, F. S. Noli ka luajtur një rol themelor në zhvillimin e shqipes moderne.
Lëvrues të shquar të prozës së shkurtër ishin E. Koliqi (1903-1975), M. Kuteli (1907-1967) dhe F. Konica (1875-1942). I pari krijoi një prozë subtile, plot kolorit të qytetit të vet, Shkodrës (“Tregtar flamujsh”, 1935), i dyti është një magjistar i shqipes, shkrimtari që kultivoi stilin popullor të rrëfimit në një prozë magjepsëse (“Netë shqiptare” 1938; “Ago Jakupi” 1943; “Kapllan aga i Shaban Shpatës” 1944).
F. Konica është mjeshtri që i dha fytyrë moderne prozës shqipe, intelektuali që solli mentalitetin e mirëfilltë perëndimor në kulturën shqiptare.
Lindi në Konicë, qytet i vogël shqiptar, që me vendimet e Konferencës së Londrës më 1913, të cilat e rudhën shtetin shqiptar në kufijtë e sotëm, mbeti ne Greqi. Vinte nga një derë e njohur, prej së cilës trashëgoi titullin bej, vetëdijen e një përkatësie elitare, që e manifestoi fort në jetë dhe në krijimtarinë e tij, por jo dhe mentalitetin anadollak lindor prej të cilit u nda me nje buzeqeshje hokatare, që u kthye në një sarkazëm therëse në veprën e tij. Ndoqi një vit shkollën jezuite të Shkodrës, pastaj Liceun Perandorak të Stambollit, kreu me 1895 studimet për letersi e filozofi në Universitetin e Dizhonit (Francë), shkollimin e mbylli me kryerjen e studimeve ne Universitetin e Harvardit, ndersa me 1912 mori, në këtë universitet, titullin e magjistrit në letërsi dhe arte. Master of Arts Erudit, njohës i gjithë gjuhëve të mëdha të Evropes dhe i disa gjuhëve lindore, mik i G.Apolinerit, F.Konica u quajt prej të huajve “një enciklopedi që ecën” dhe u bë për kulturën shqiptare modeli i intelektualit perëndimor. Iu kushtua që në rini lëvizjes kombëtare, por, në kundërshtim me frymën mitike idealizuese e romantizante të Rilindjes, solli në të frymën kritike dhe përjetoi dhomën e përjetshme të idealistit që vuan për mendimet e tij.
Themeloi revistën “Albania” (Bruksel 1897-1900, Londër 1902-1909), që u bë organi më i rëndësishëm i shtypit shqiptar të Rilindjes. Publicist, eseist, poet, prozator, përkthyes dhe kritik letrar, është veç të tjerave autor i studimit “L’Albanie et les turcs” (Paris 1895), “Memoire sur le mouvement national albanais (Bruksel, 1899), i novelave “Një ambasadë e Zulluve në Paris” (1922) dhe “Doktor Gjilpëra” (1924), si dhe i veprës historiko-kulturore “Albania. The rock Garden of Southeastern Europe”, që u botua pas vdekjes së Massachussets me 1957. Dy novelat e Konicës i bashkon shpirti satirik dhe shprehja alegorike e konfliktit midis dijes dhe injorancës e konflikti midis mentalitetit të prapamebtur oriental dhe mentalitetit modern perëndimor. Publicistika dhe proza e tij janë model i një shqipeje letrare të përpunuar dhe i një stili elegant.
Vitet e fundit të jetës (1926-1939), i kaloi si ambasador i Mbretësise Shqiptare në Washington, ku dhe vdiq më 1942. Eshtrat e tij u sollën në Shqipëri në vitet e fundit.
Në letërsinë e shqiptarëve të Italisë, në periudhën midis dy luftrave, vazhdoi tradita e shkollës romantike të shek. XIX, Z. Skiroi (1865-1927) me veprën e tij (“Kthimi” 1913, “Te dheu i huaj”, 1940) desh të rikuperonte kujtesën historike të shqiptarëve të mërguar qysh nga shekulli XV, pas vdekjes së Skënderbeut.
Gjatë Luftës Antifashiste të popullit shqiptar (1939-1944), u zhvillua një letërsi e rezistencës, e cila lindi në ilegalitet përmes shtypit klandestin të Partisë Komuniste Shqiptare. Krijimet e kësaj letërsie ishin kryesisht shkrime publicistike, skica letrare dhe tekste këngësh partizane. Autorët e saj qenë luftëtarë antifashistë të brezit më të ri (Sh.Musaraj, A.Caci, F.Gjata, K.Jakova, Q.Buxheli).
Pas Luftës II Botërore, letërsia shqiptare njohu një zhvillim masiv. Tipari kryesor i letërsise dhe i arteve të kësaj periudhe, ishte zhvillimi i tyre i orientuar ideologjik dhe levrimi i të gjitha zhanreve, sidomos i romanit, i cili, nga nje zhanër pa traditë, doli ne krye të procesit letrar.
Tipi më i levruar i romanit u bë romani realist social, me permbajtje etologjike dhe historike, me subjekt linear (J.Xoxa, S.Spasse), por nuk mungon as romani me kompozicion të thyer, me poetikë të hapur dhe me një nënshtresë filozofike, që buron nga asosacioni i ideve dhe analogjitë historike (I.Kadare, P.Marko) dhe as romani satirik (D.Agolli, Q.Buxheli).
Tregimin dhe novelën, e lëvruan Dh.Shuteriqi, N.Prifti, Z.Cela, T.Laco, Dh.Xhuvani, N.Lera e të tjerë, kurse poezinë, I.Kadare, D.Agolli, F.Arapi, Xh.Spahiu, M.Ahmeti e të tjerë.
Më pak, u zhvillua drama (K.Jakova “Toka jonë”, 1955) dhe komedia (S.Çomora “Karnavalet e Korçës” 1961).
Letërsia e kësaj periudhe në Shqipëri u zhvillua brenda kornizave të realizmit socialist, i vetmi drejtim i lejuar nga politika zyrtare. Por talente te fuqishme, përtej këtyre kornizave, krijuan vepra me një frymë opozitare të nënkuptuar dhe me një domethënie universale.



I. Kadare (1936), me poezinë (“Përse mendohen këto male” 1964, “Motive me diell” 1968, “Koha” 1976) dhe sidomos me prozën e tij (“Gjenerali i ushtrisë së vdekur” 1963; “Kështjella” 1970; “Kronikë në gur” 1971, “Dimri i madh “ 1977, “Ura me tri harqe” 1978, “Piramida” 1992; “Spiritus” 1996 etj.), sfidoi kufizimet e kohës dhe përtëriti letërsinë shqiptare me forma dhe motive që e integrojnë atë në rrjedhat moderne të letërsisë botërore.
Vepra e Kadaresë paraqet një enciklopedi artistike të jetës shqiptare, një afreskë të gjerë të ngjarjeve historike dhe bashkëkohore, të përjetuara me një qëndrim filozofik të shprehur herë hapur e herë përmes gjuhës së Ezopit.
Filozofia, mentalitetet, dramat dhe traditat historike e kulturore të shqiptarëve, të kaluara në filtrin e mendimit artistik të shkrimtarit, janë paraqitur në veprën e tij si shprehje e identitetit kombëtar, e vitalitetit të kulturës shpirtërore të popullit të vet dhe si faktor i qëndresës e i mbijetesës së tij historike.
Kadareja krijon një prozë moderne duke shfrytëzuar gjerësisht analogjitë historike, parabolat dhe asosacionet, legjendat dhe mitologjinë kombëtare. Vepra e tij ka një poetikë të hapur që vjen nga përzierja e kohëve, e rrafsheve të ligjërimit artistik, e reales me irealen, nga natyra e thyer mozaikale e kompozicionit.Vepra e Kadaresë i sjell letërsisë evropiane një aromë karakteristike mesdhetare, ballkanike dhe pasuron atë me koloritin e një areali tipik për veçanësinë e tij etno-kulturore.
Duke u nisur nga bota epike e legjendave dhe baladave mesjetare, proza e Kadaresë kapërcen distancën kohore dhe sjell në rezonancë mentalitetin dhe ndërgjegjen artistike e mesjetare, me mentalitetin dhe ndërgjegjen artistike të kohës sonë. Nga përpunimi i thellë krijues i fondit të traditave të lashta popullore, mesazhi i prozës dhe i poezisë së Kadaresë fiton njëherësh një thellësi historike dhe një notë humane universale.
Krijues me një vetëdije të fortë kritike, Kadareja jo vetëm ka poetizuar vlerat shpirtërore të kombit të vet, por dhe ka fshikulluar traditat anakronike, mentalitetet retrograde, psikologjinë provinciale dhe konvencionet e jetës së shoqërisë shqiptare.
Me frymën e disidencës, në kushtet e diktaturës kur u krijua vepra e Kadaresë, ka ndihmuar t’i gërryhen themelet regjimit totalitar në Shqipëri. Ekzili i tij politik në Francë në vitin 1990, kur në Shqipëri sapo kishin filluar proceset demokratike, u dha shtysë këtyre proçeseve.
Për këto vlera, vepra e Kadaresë gëzon një popullaritet të gjerë dhe është përkthyer në të gjitha gjuhët e mëdha të botës (anglisht, frengjisht, gjermanisht, spanjisht, rusisht, italisht, arabisht etj.). Kadareja është vlerësuar nga kritika e huaj, si një prej shkrimtarëve më të shquar bashkëkohorë të letërsisë botërore dhe ka fituar disa çmime ndërkombëtare. Kadareja është sot përfaqësuesi më eminent në botë i kulturës shqiptare.



Poet i hollë lirik dhe shkrimtar satirik D. Agolli (1931), ka sjellë në poezinë shqipe freskinë e një frymëzimi spontan meditativ dhe në roman humorin e lehtë popullor që shkon deri në grotesk. (“Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” 1973; “Arka e djallit” 1997). Ai është mjeshtër i tregimit psikologjik, filozofik (“Zhurma e erërave të dikurshme” 1964, “Njerëz të krisur” 1995).
Nga përmbledhjet më të rëndësishme poetike të Agollit, duhen përmendur, “Shtigje malesh dhe trotuare” 1965, “Fjala gdhend gurin” 1977, “Udhëtoj i menduar” 1985 dhe “Lypësi i kohës” 1995.
Agolli ka lindur në një katund të Shqipërisë juglindore dhe mori pjesë fare i ri në rezistencën antifashiste. Lidhja e ngushtë me jetën popullore dhe me idealet antifashiste, përcaktuan përmbajtjen e veprës së tij. Tipar i romaneve të Agollit për rezistencën është aktualizimi i vlerave të saj morale, përmes sinkronizimit artistik të ngjarjeve të luftës me kohën e sotme. Vepra e Agollit është bërë shumë popullore, është përkthyer në disa gjuhë të tjera dhe është vlerësuar nga kritika e huaj.
Në trojet shqiptare në Kosovë dhe në Maqedoninë Perëndimore, letërsia në gjuhën shqipe, e përfaqësuar nga shumë emra (E. Mekuli, A. Pashku, A. Podrimja, R. Kelmendi, R. Qosja, D. Mehmeti, M. Isaku etj.), ndonëse e zhvilluar në një kontekst tjetër politik e kulturor, edhe pas luftës, ruajti lidhjet me kulturën mëmë dhe solli në art ravgimet dhe dramat kombëtare e humane të njeriut të atyre trevave. Në diasporën shqiptare në Europë, pas Luftës, nuk pati ndonjë lëvizje të mirëfilltë letrare. I vetmi shkrimtar me rëndësi që krijoi në atë diasporë është M. Camaj (1925-1992), që rreh të zbulojë në poezinë dhe prozën e tij rrënjët e identitetit të shqiptarit të mërguar.
Rezultati më i rëndësishëm në kulturën shqiptare të pasluftës në fushë të gjuhës është unifikimi i shqipes standarte, të përpunuar në nivelin e një gjuhe moderne.
Në fazën e sotme të tranzicionit të shoqërisë postkomuniste, letërsia shqiptare përjeton avantazhet e hapjes ndaj botës, por edhe problemet që i krijohen në këto kushte kulturës së çdo kombi, për të ruajtur identitetin e vet.

Autor Prof. Jorgo Bulo

Literatura:
1. Historia e letërsisë shqipe I, II (Botim i Institutit të Historisë e të Gjuhësisë të Universitetit të Tiranës, Tiranë, 1960.
2. Historia e letërsisë shqiptare (Botim i Akademisë së Shkencave) Tiranë, 1983.
3. E.Çabej. Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes, Tiranë, 1994

FATOS ARAPI , BABAI I HESHTUR I ”DRASHOVICA”…”ALARMET E PËRGJAKURA”

RIZA LAHI


Një peteshë e re dhe krejt e panjohur, Griselda Abazaj shkruante në nr e gjashtë të gazetës së re dhe të mrekulleushme letrare “Muzg”, këta vargje, po ashtu, të mrekullueshmë:
“Ai rri gjithmonë, aty, në karrigen e fundit…Ai hesht aty, në karrigen e fundit… Çojeni, ka folur tepër gjatë.”
Kjo poezi më solli në mëndje njërin që ishte në “treshen” e poetëve të tribunës së dikurëshme. Por që, ja, që ai, as nuk u “rinovua kurrë” e as bëri edhe përpjekjen më të vogël për ta paraqitur veten dissident të sistemit që kaloi.
Ky lab vendosi të ruante “ Lavdinë e heshjes krenare”, siç shkrunte Pushikin për mikun e tij Çadajev.
Dhe vendosi të mos fliste më..
Ky poet I ardhur nga shkencat egzakte – është diplomuar si economist – ka qënë aq aq i saktë në gjetjen e metaforave, si rrallë kush, aq I furishëm, si janë rrëketë e maleve labe dhe aq I pastër si ujrat e tyre dhe aq I kursyer në fjalë, siç janë barinjtë e Labërisë.
Megjithëse një vëlla të pushkatuar nga komunstët, ai këndoi tër jetën siç desh të këndonte zëmra e tij. U “martua” vetëm një herë dhe, ndaj ka heshtur prej kaq kohësh, ka heshtur kaq gjatë dhe, kushedi se çfar ka shkruar gjatë asaj heshtjeje. Dhe nuk gënjeu kurrë, siç nuk dinë të gënjejnë poetët e as mori poza për të “manovruar”, siç nuk marrin dot dinjitozët qytetarë…
Askush nuk ia përmend më dy poemat e mrekullueshme në ekstremet e mrekullisë, “Drashovica” dhe “Alarmet e përgjakura”. Sigurisht Arapi ka edhe të tjera vepra por këta të dyja, janë që , në letërsinë tonë të rezistencës antifashiste, paraqesin më mirë se asnjë poemë tjetër, shpirtin e a tij populli, nga gjiri I të cilit, u varën 6 femra në litar, kur në tër Evropën gjithsej, ishte vetëm një tjetër.
Nuk u vranë në luftë civile ato vajza, por në luftën e Dytë Botërore kundër boshtit “Romë – Berlin – Tokio”.
“Eh, moj Drashovicë/ Fytafyt përleshur / lebër edhe fricë”.
Lëbër përballë fricëve. O zot, çfar gjetjeje e mahnitëshme. Pjesa më luftarake e popullit kryetrim shqiptar ( që nuk po lënë gjë pa e sharë bijtë e tij sot, nganjëherë duke huazuar nga Faik Konica, si të ishte ai Mesia I shqiptarëve por, gjithsesi, nga plaga e hemoragjisë së tmerrerëshme, kur, thuajse një e katërta e tij është jabanxhi, kurbetçi, emigrant të kërcënuar për t’iu shkombëtarizuar fëmijët dhe nipërit) ndeshet fytafyt me fricët e tmerrshëm. Pleqtë e luftës tregojnë se kanë parë me sytë e tyre gjermanë duke luftuar në këmbë, duke shtënë në ecje, me llërët e përveshur dhe pa pikën e mëshirës për askënd dhe që në të zbardhur drita. Pa pikën e frikës. Me këta përbindësh u ndeshën lebërit në Drashovocë.
Kur ne u themi “Ballit të Kombit” se ai baskëpunoi me pushtuesit e atdheut, nuk është shkencore të mendojmë se ata, sidomos krerët e “Ballit” nuk e deshën Shqipërinë. Patjetër që e deshën shumë. Betoheshin për flamur, kishin në ball simbolet e flamurit dhe një pjesë nga kryeballistët, kishin prejardhje burrash të nderuar të Kombit. Mua më ka rastisur të intervistoj Abaz Ermenjin. Që ta provoja se çfar burri ishte – kini mëndjen, veç! Ai pranoi të intervstohej nga unë, vetëm kur I dhashë rojës te dera dy libra të mij me shqiponjën shqiptare tok me pyetjen, se “e kur vallë do të ketë kohë z Abaz?” – pra, të shihja çfar burrnie kishte, e provokova kështu. Pale a do të më nxirrte nga salla e tij me neoballistë, në krye të së cilës më pyeti. I Thashë se isha pilot I vjetër e sapo kisha lënë shërbimin; se kisha mbaruar shkollën e partisë – ia theksova “V.I.Lenin - , se kisha qënë antar I PPSH deri kur na kishin marrë tesrat e me urdhër, por që kisha ardhur me folë me të si shqiptari me shqiptarin, si bij të një nëneje, të një flamuri.
Pranoi.
Dhe u kënaqëm, jo dhjetë minuta, sat ha në fillim roja, por një ore gjysëm.
Fati pastaj e solli një eksponentët e “Ballit” dhe kushedi se sa antarë të tij I rrëmbeu alternative pa asnjë kompromis.
Ama, nqs “burrat e mënçur” e kishin parë të arsyeshme të mos lufronin, të vëzhgonin, se “jemi pak, të paarmatosur e ata janë lubi”, një tjetër pjesë e këtij populli, rroku armët pa iu trëmbur syri.
Në ballë të tyre qenë komisarët. Po pse, turp është të përmenden komisarët? Komisarët dhe “sigurimsat” I anatemojnë të gjithë dhe nuk I mbron askush dhe që tregon pikërisht formën e përshitrë të vetcensurimit, dhe jo vetëm nga masa e madhe dhe normale e mediokërve.
Alaremt e përgjakura flet dhe për komisarin….për “Shoku komisar… breda godet keq”.
Kjo poemë eshtë shkruajtur sikur autori është në llogore duke pritur urdhërine sulmit. Gjith nerv, tension, furi lufte, dhimbje njerëzore dhe ngjan me një derdhje të shkujdesur margaritarësh nga një trastë…
Si njëra, si tjetra,, nuk janë vepra që i thurin lavdi komunizmit, por një luftë epike të paparë në hosotinë shqiptare.. Por,e dhe po të përmednej kund komunizmi, partia, Enveri, ç’u bë?
Nga gjërat më të shëmtuara të periudhës së Diktaturës Komuniste ka qën vetcensurimi. nga e cila sëmundje po vuajnë sa të duash edhe sot, sidomos nga njerëz të brezit tim; sidomos nga këta të “Rinovuarit” që u kujtohen, sigurisht,e dhe gjynahet që kanë bërë në periudhën e tyre të dikurëshme.
More, po nuk gjen një sakllam, xhanëm. Me rastin e 102 vjetorit , “Pegas Albania ” kishte organizuar një aktivitet. Që të gjithë diskutantët, edhe njëri që kish ardhur nga Kosova, edhe ai, rreknin të paraprinin, se , meazallah që Migjeni të ketë simpatizuar, komunizmin, apo, prite zot, të ketë lexuar, e patur influenë nga ai. Ja, mër, ai ka qënë idhull I Niçes dhe Shopenhauerit….” E kanë bërë …studiues….e Ka thënë edhe i madhi….”.
More, të mos ishe simpatizant I ideve komunsite në periudhën kur shkroi Migjeni, ky është vetëm një gomarllëk. Ç ‘të bësh, vetcensurimi të bën të paraqitesh edhe me gomarllëqe. Edhe një studiues fashist, por objektiv, do t’I jepte sot të drejtë një poeti që qante për të varfërit në kohën e krizës së tmerrëshme dhe lindjes së fashizmit dhe që shikonte shpresën te “dielli alegorik”. Migjeni ishte nga Shkodra ku kish lindur e para celulë komuniste në Shqpëri. Vallë, të mos kishte miqësi poeti shkodran me ata? Mirëpo, nga dashuria për Migjenin, edhe atë ditë në 102 vjetorin, thuajse të gjithë u përpoqën t’ia heqnin atë rrobë të kohës.
Edhe Fatos Arapi, në këta dy poema….pse nuk I reciton njeri, nuk I boton njeri, nuk I shoqëron me muzikë vigane njeri ….Le të na thotë dikush, se cilat janë poemat më ngjethëse kushtuar luftës së Dytë Botërore të Popullit shqiptar se këta të dyja?
Bukuria e këtyre dy poemave, shtohet përditë.
Nga heshtja e thellë e autorit të tyre …..

RIZA LAHI

BUKUR BUZËQESHIN VARFËRIA DHE VDEKJA!...

Arqile Gjata.JPG


Arqile Gjata ka lindur në qytetin e Vlorës më 24 Qershor 1942. Nga viti 1995 jeton dhe punon familjarisht në Athinë. Gjatë këtyre viteve ka bashkëpunuar me shtypin shqiptar në Athinë duke shkruar reportazhe, artikuj problemore për emigracionin, skica, tregime si dhe poezi. Në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve Liter-Art që kryen aktivitetin e saj në Greqi me Kryetar Miho Gjinin (Mjeshtër i Madh) ka detyrën e sekretarit të saj.
Vepra

Në vitin 2000 ka botuar një monografi të shkurtër për arvanitasin Aristidh Kolia.
Në vitin 2005 vëllimin e pare me poezi “Kur trazohet jeta”
Në vitin 2006 vëllimin e dyte me poezi “Kurorë me ngjyra “
Në vitin 2008 vëllimin me tregime “Qyteti që kërkon Muzikë”
Në vitin 2009 Botova vëllimin e tretë me poezi “Gratë e poetëve”.
Ne vitin 2010- Tetor , Shtepia Botuese "LULU" ne SH.B.A botoj vellimin me poezi "Jeta Me Vjen si Poezi" .
Ne vitin 2010- Tetor , Shtepia Botuese "LULU" ne SH.B.A botoj vellimin me ESE dhe mendime kritike me titull " Nje Ese Per Jeten"
Bashkautor në antologjinë poetike “Itaka e Fjalës”, në Antologjinë poetike “Qiejtë e Shpirtit !" Në Vëllimin poetik rumanisht-shqip “Çelsi i Shpirtit”. Revista "Merhr Lihct" No.38 ka botuar nje cikel me poezi .
Po kështu Revista “Hahemus” ka botuar disa here cikle me poezi në rumanisht.





Përfytyrime nëpër vargje...


Të shikosh dëborën dhe erën
kaq afër nëpër fshat e t‘i ledhatosh me duar cung
në këto vise të veriut,
rrezikon të trembesh nga ulërima e egërsirave,
që si muzikë-Pop- bredhërijnë
nëpër shtëpitë e fshatit.

Në ish sheshin e Katundit
grinden të humburat melodi
në skamje për kufoma këngësh,
dhe shëmtitë e tyre shëtisin asfalteve
për të qenë të lumtur një çast.

* * *
Kishte sëmundje të keqe...
Sytë i dridheshin nën mbulesën e qerpikëve të gjatë
me bojë dyshimesh shkruar.
Dikush e ngriti në krah deri te frymëmarrja,
që i përgjigjej peshës së tij të lodhur.
Kështu, përsëri zbriti të ndiqte shtëpinë e vet që lundronte mbi lumë.
* * *
Duke ardhur rreth e qark vetes për të parë,
çfarë kam për të lënë peng,
si një mendim i prishur
rrjedhojë e fërkimit me jetën
m‘u tha qëllimi i vetes,
të shkoj te pragu i një kasolleje,
ku jeta ecën shaluar mbi një mëz
për të gjuajtur lepuj.

Ku jam...?!


I pash gjithë ëndrrat e së shkuarës...
Regjistrin e klasës së parë,
Mësueses Krisanthi dorën i putha.

Kundrova dëftesën e të shtatës klasë,
shpërndava mjegullën ngelur mbi dëftesë...
Paskam dhe unë një emër në shkollën e Skelës!

Ku janë ndjeshmëria dhe koha e viteve??

Në librin e gjendjes civile,
jetojmë të gjithë bashkë me familjen,
këqyrur nga heshtja, zgjohem prej pickimeve të punonjëses
kur shkruan mbi fytyrën time.

Unë jetoj në ambiente inerte,
me dëshira,
të gjithë kanë harruar të luajnë me mua
tek rrugicat e vegjëlisë.

Pyes veten, ku jam...?!

Diku aty,
në kujtime të lodhura e buzëqeshje të humbura,
dhimbje të pa mbledhura nëpër dyer.
Gjithçka tretur në humnerën e jetës.

Athinë 21-9-2010


Dëshira ime

Kur dua të shkruaj poezi
vete të puthë disamuajshen Melita,
mbesën e vogël qumështore.

Më pas shkoj e fle me ëndrrat,
në mëngjes puthjen e diellit
mbi shpatulla hedh.

Dëshirë të madhe kam
të thinjem mbi një varg,
të mbetem një gjethe në pemën e ullirit.

24-27 Korrik 2010


Vendi im Kërkëllin Vajtueshëm


Vendi im, jugë e shi,
qielli prerë nga vetëtimat,
Ishull shpërndarë nëpër ujë,
i bukuri, vendi im.
Drejt tij gjithçka fluturuese
kërkëllinë vajtueshëm virgjërinë.

Era dhunshëm loz
për gjatë ditës,
gri, i qulltë qielli, ajri, toka.


Mbrëmjeve
vendi pikëllimë ngjyrash
si mendim në fluturim,
shpend të gjalla firuar nga uria.

Nëpër rrugë të shkara
vendi im
ecën me mushka e xhipa drejt tokave të vjetra
e nëpër det,
njeriu luan monologun e shishes
veshur me gjethe greke a romake.

I lajthitur
nëpër sheshet e fshat-qyteteve
vendi im përtyp i verbër,
ato çka i kanë mbetur nga torba e gjyshërve,
me dëshirë t’i vërë zjarrin pranverës vyshkur nëpër pyje,
ku fëmijë topbore heqin vallen
e Lek Dukagjinit.

20-2-2010 Athinë

...KUR MË PUSHTOJNË BRITMAT

Tani që po shkruaj jam pa rroba...
më kanë zhveshur britmat e kohës
i ngjajë bukurisë së një kopshti zologjik,
mos u çuditni...!

Kur agon dita fryma ime zgjohet nga britmat
që thërmohen, shpërndahen në zhurma
e unë...
notoj lakuriq nëpër detin e qytetit bosh.
Nga trimëria e erës ato janë tinguj klithmash,
në kurthin e psherëtimave, ose
janë trembëse të dashurisë nëpër qiell
atje, ku është shtrati i pafajsisë
e asgjë nuk pipëtinë veç vezullimit,
ku flenë dëshirat, poezia rebele.
Kur ndjejmë të vërtetën e gjërave nga rrjedha e lumenjëve
apo, kur nga etja na vdes jeta
dhe ne të tre...
unë, pika e lotit dhe dashuria
mbetemi të heshtur mes britmave!

10 Shtator 2013

TATJANA NAZIKE!


Kur hëna grimoj hiret nazike
të asaj gruaje...ishte mbrëmje.
Sheshi gumëzhiu nga buzëqeshjet
nuk kishte lule ndër duar kur na erdhi pranë,
ishte vezulluese nga bukuria Tatjana.

Kur e putha në faqe buzët m’u ndezën,
në sytë e saj doja të pushoja
si gjethe peme të rija mbi gjoksin e Tatjanës!

Me siguri...
Po ta prekësh pak më thellë,
do vdesësh nga bukuria!

vjeshtë e parë 2013

BUKUR BUZËQESHIN VARFËRIA DHE VDEKJA!...


Varfëria dorëpërdore me vdekjen
buzëqeshin nëpër heshtje,
në turmë jeton shpirti i tyre primitiv
që thërmohen si buzëqeshjet e akullta plot frikë.

Prej mjerimit ngrihet statuja e vdekësisë
vepër arti skalitur nga duartë e dhimbies
tretur në një shtatore drite.

Djegur nëpër klubet e natës e zyrave të seksit
shfarosen qenje të shëmtuara
dhuratë për tokën
ku varfëria ja ka ënda të jetoj mbi qiell
si top modele të kapin rrezet e thërmiave!

Ajo...
këmbëzbathura krusur mbi shpinë të kohës
ecën si zë krenar drejt sofrës së shpresës
dhe të varfër dhe të pasur tretur buzagaz nën gurë
ku më i miri i të gjallëve i dobishëm për vdekjen
e mjerimi tingëllon si trishtim,
nga lagështia e pritjes është qullur i tëri.
Tetor 2013

MURGESHA MARGARITA


Atmosfera e çdo stine vezullonte
nga bukuria e murgeshës Margarita.
Hapeshin e mbylleshin dyert e dritaret
kur Margarita murgeshë
shkonte në shtratin e kashtës…
Çdo natë zbavitej e çiltër
e ndezur kërkonte të vdiste me sy të mbyllura,
harbuar nga vera e kuqe e epshit
e përflakur
kënaqej nga joshjet dhe përkëdhelitë
ngjyrë mishi!
Margarita me flokë të gjatë,
fytyrë mbushur me nuancë dashurindjellëse
e ethshme,
menduriçkat e veta
ia falte lakuriqësisë së dashurisë.
E vitet shkojnë…
ajo prehet
më e ndritshme.
Fjalët e saj ende thërrasin:
‘’Dëgjojeni zërin e shpirtit!’’

22-5-20013-Vlorë

NGA JETA E NJË GRUAJE...


Sapo mbylli ditarin
ajo ndjente boshllëkun!
Me zë melodioz thirri:
‘’Eh... djalosh!
Ti, që ende nuk di të ecësh
pse më le si një lule
dremitur nga vapa’’!?
***
I ishte sosur durimi asaj gruaje...
Askush s’po i bënte ballë shpirtit të saj
si fushë beteje e vështirë, si zë që nuk dëgjohet
nëpër sy i dridhej një dritë pakënaqësie!

Pa lëvizur nga fotografia e vet,
si gjethe vjeshte ra...
iku bashkë me ditën
pa u dukur në të perënduar!

19 Prill 2013 –Athinë

TË JESH I LIRË


Epilog
Pjesëzë nga letra e një shoqes time...

I dashur...!
Me ndjenja të adhurueshme
të shkruash vjersha përshkënditëse, të bukura
me atë ritmiken energji, dua të dalësh nga pylli
me personazhin tënd!

I dashuri im!
Deri sa të transformosh hapin
si njeri, dua të di ...ku i ke lënë gjurmët?
Të më vish me një poezi ndër duar, të më thuash
-Ku do t’a mbiellë?,
jo për këdo…
kështu lexuesit do ndërrojnë ngjyrë
e unë do të vizatoj buzëqeshjen e vargjeve të tua!






2013/10/22

KOLË JAKOVA, QË THURI “MERSEJEZËN” E LUFTËS SONË PËR LIRI

RIZA LAHI



Francëzët e kanë hymn kombëtar “Mersejezën”; të rënqethen mishtë nga disa inçizimet e saja në youtube. Provojeni!
Ajo, “Internacionalja”, “Varshavianka” janë këngë që kanë rrëmbyer mëndjet dhe zemrat e miliona e miliona njerëzve dhe njerëzimi I ka nderuar duke I mbuluar me lavdi.
Edhe Shqipëria e ka simotrën e tyre. Është kënga “Shqiponjat partizane”. Një këngë aq popullore dhe aq e kënduar, deri edhe nga njerëz të pangrëne e me të vrarë a të varruar mes tyre.
Djaloshi shkodran Kolë Jakova u fut në qeli, sigurisht pasi e zdruguan kolegët e “milic – horr xhubleta”. Burgjet mbusheshin përditë me djalëri shqiptare nga pala tjetër – fashistët dhe kolaboracionistët e tyre .
Siç tregonte më vonë heroi I rezistencës popullore për liri, në qeli I erdhën edhe dy fëmijë. Ndërkohë, atij nuk I punonte mëndja as te ndonjë e dashur, as te paratë, e as te qejfet e moshës, por te lufta kundër pushtuesëve të atdheutt ë tij.
Në atë qeli ai krijoi këngën “Bashkoniu, shokë me ne ndër çeta!” dhe ua mësoi me shumë dashuri pionierëve që I kishin zënë duke shpërndarë trakte dhe që, sigurisht I liruan më parë se atë. Por, kur mundi të kapërcente hekuat e kryqëzuara të qelisë së tij, dhe, që andej, mori malet atje ku ishin formacionet partizane , I shtangur, dëgjoi këngën e tij të buçiste me furi dhe ndjeu t’I shpërthenin lotët. Edhe në kohën e lirë por edhe në prag të betejave me fashistët dhe bashibozukët e sahanlëpirësit shqiptarë, kënga e tij fluturonte duke marrë dhenë.
Kështu kaloi “Mersejeza” shqiptare – nga zemra e Kol Jakovës, te ajo e dy pionierëve dhe, që andej mori dhenë për të rendur nëpër shekuj, pavasisht nga ndonjë brez I turullosur i kombit të shqiptar.
Por Kol Jakova ka bërë edhe këngën e “Tre Herojve të Shkodrës”. Që të dyja, nuk flasin askund për “luftë civile” siç është përpjekur ndokush të njollosë këtë luftë heroike të popullit të tij. Në “Tre herojtë…” tipizohen kështu forcat që u ndeshën me “shqiponjat partizane”: “Milic horr xhubleta/ Shif ku të çon kuleta/ Parja e huaj e shkreta/ Me vra sot vëllanë tand”.
Edhe tani të rënqethen mishtë, apo jo, I dashur lexues, nga ky mesazh kaq njerëzor, I dhimbshëm dhe realist.
Po për konfliktin jug – veri; lebër e malësorë, që ka nisur ti fryjë tollumbaces dikush këta ditë në ndonjë gazetë. Ja se çfar shkruan për labin Perlat Rexhepi shkodrani Kolë Jakova , sërish te kënga në fjalë: “Hajde, toska i vogël/ binde mal e kodër/ tuned mbarë një shkodër/ Oso Kukë taman”.
Ja, ishin një grup prej njëmbëdhjetë lebërish që të frymëzuar nga përplasja e madhështore e epopesë kosovare të vitit 1981, shkatërruan ekipin e dytë në evropë, “Partizanin” e Beogradit. Të kemi parasysh se , para golit heroic të Kushtës, lebërit I kishin mbathur me dy me zero sërbët mu në mes të Vlorës së tyre.
Labi , “toska I vogël” Dilaver Goxhai, u hodh në radhët e UCK. Dhe, kur në një miting e vunë të fliste si ish oficer I ushtrisë shqiptare dhe që e kishte rritur shtatin në shkollat e shtetit amë; kur pushoi furia e papushuar e duartrokitjeve ai iu tha kështu; ja, ky bir I këtyre lebërve “që duan të mburren”: “ Mos më duartrokitni dhe aq se unë kam ardhur këtu të laj një borxh. Kam ardhur të laj gjakun e Heroit të Popullit , birit të Kosovës martire, Xheladin Beqirit që ka rënë atje ku kam lindur unë”.
Lufta e popullit shqiptar kundër nazifashistëve nuk ka qënë për asnjë cast luftë civile dhe ndarja veri – jug ka egezstuar vetëm në ndonjë mëndje të çoroditur!
“Hajde, toska i vogël!”…I pari “Hero Populli”- “Karadaku” që dha jetën në Labëri.

Kolë Jakova ka qënë drejtori i parë I Tetatrit Kombëtar Shqiptar. Dramat e tija të mrekullueshme – regjisorët tanë u shqyen duke vënë në skenë drama të përkthyera – nuk ua hedh sytë më askush. Ato u ngjanë vajzave të virgjëra , të bukura pafund, të edukuara dhe korrekte , por që, djalëria , ja, e ka mëndjen te vajzat me shalët jashtë, me vështrime provokuese dhe që mburren hapur se sa dashnorë ka pasur.
“Kunora e Nuries”, “Halili dhe Hajria” “Lulet e shegës” apo, sidomos “Toka Jonë”, edhe sot, po të viheshin, do të kishin tundur dheun me bukurinë e tyre. Ato, apo, ta zëmë “Shtatë shaljanët” e Ndrek Lucës e “Nora” e Andrea Skanjetit.Por njerëzit, sikur janë vënë në garë se kush më shumë të flakë, të hedhë, të përbuzë, t’I ngërdheshet kulturës tonë autoktone, autorëve tanë vëndas, aktualë dhe të traditës .
Aq epokë ka bërë “Toka Jonë” saqë, mbështetur te ajo, një skeç I shkruajtur nga I ndjeri Paulin Selimi dhe vënë në skenë nga trupa shkodrane, ka korrur të qeshur pafund. A ju kujtohet? Kur talleshin me “Grevat e urisë”, që sot nuk ka asnjë dëshirë t’I kujtojë njeri, kurse, skeçin që tallet me ta, mbështetur te Tuçi e te Lokja , e kujtojnë të gjithë..
Kol jakova iu priu dramaturgëve të më vonëshëm, si Fadil Kraja e Ruzhdi Pulaha.
Romani tre vëllimësh “Fshati në mes ujnave”, që nuk gjëndet as edhe një kopje e vetme e tij në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës, , siç e ka konstatuar poeti nga Mitrovica Sabit Idrizi, për nga humori dhe të qeshurat që shkakton te njerëzit e mentaliteteve shqiptare, është I krahasueshem me Shvejkun .
Kol Jakova ka lënë edhe romanin ““Përball hekurave të kryqëzueme”, dramën “Përkolgjinajt”; një seri veprash për fëmijë si “Mbreti I divave”, “Kopështi I lulëzuem”; “Magu i Mall Përtacit”, “Garda Kruetane” etj.
Tani, lind pyetja:
E ka bërë gjë qytetar nderi vëndilnda e tij autorin e Mersejezës shqiptare? Shkodra?I ka dhën ndonjë titull këtij biri të saj që krijoi uraganin e luftës partizane, me këngën e të cilit, kushedi se sa bij nënash u hodhën në sulm për liri? Për turpin e saj, jo
Po Tirana? I ka ngritur kund atij një bust? Tanimë që ka vdekur? Ai është autori I këngës “Bashkohu shok, me ne në çetë”. Shkroi një jetë vepra monumentale derisa mbylli sytë . Mirë bust, jo. Por emrin ndonjë rruge, a ia ka vënë? Pa dilni të dashur miq e bëjeni harram një ditë e shihni se çfar emrash gëlojnë në emërtimet e rrugëve të kryeqytetit shqiptar
Le të mos kujtohet askush për Kolë Jakovën e as për veprën e tij shumëplanëshe! As me një bust, as me një emër rruge. Por gjallesa e tij, ky lapidar që hasharitet në zemrat e brezave të popullit shqiptar, “Bashkohu shok me ne në çetë”, u përlesh fytafyt me “Lili Marlen” in nazist, kur dikush strukej, u bënte hosanna apo u rreshtua në të njëjtat llogore ku hapnin zjarr hordhitë të Hitlerit.

RIZA LAHI

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...