Agjencioni floripress.blogspot.com

2014/11/17

Nga Ben Apolloni - Ky nuk është vend për gra


“Faji” i gruas fillon që në Bibël, në gjenezë. Mandej ajo vazhdon të jetë “fajtore” edhe në Kuran dhe në kanune të tjera. Për çdo gjë që ndodh, faji është i asaj. “Fajin” e gruas kosovare e trajton filmi më i ri i regjisorit Isa Qosja.
ben apolloni Pas dhjetë vitesh, regjisori Isa Qosja kthehet në ekran me filmin e tij të katërt në karrierën e tij 30-vjeçare si regjisor. Filmi i tij i katërt “Tri dritare dhe një varje” trajton dramën e grave viktima të dhunimit gjatë luftës në Kosovë. Por filmi, fokusin e ka vënë te periudha pas luftës, d.m.th kur drama e këtyre viktimave është ndoshta edhe më e madhe sepse ato stigmatizohen e përçmohen nga rrethi i tyre.
Filmi fillon me një prolog, ku nën hijen e Lisit të Lamit, tre burra pleq rrinë e kuvendojnë. Pikërisht tek ky lis, më vonë e marrim vesh, se kishte ndodhur dhunimi i grave të fshatit Gur. Dhe emri i këtij fshati nuk është i rastësishëm, sepse gjatë filmit e kuptojmë se edhe burrat e këtij fshati e kanë zemrën e kokën gur.
Pas deklarimit anonim të mësueses së fshatit, Lushës (Irena Cahani), se ajo dhe tri gra të tjera ishin dhunuar, lajmi publikohet në gazetë, të cilën burrat e lexojnë në kafenenë e tyre të përditshme e të përnatshme. Ky lajm i tronditë ata dhe kërkojnë ta marrin vesh se kush ua bëri këtë të zezë, kush ua hodhi këtë turp. Kryetari i fshatit, Uka (Luan Jaha) mundohet t’ua mbushë mendjen që kjo është rrenë, por burrave u kishte hyrë dyshimi dhe po i brente. Ai atëherë deklaron se këtë të zezë ua ka bërë mësuesja, e cila është e vetmja grua e dhunuar, por që po kërkon t’i njollosë edhe të tjerat. Por burrat nuk besojnë dhe kërkojnë që të marrin vesh se kush tjetër ishte me Lushen te Lisi i Lamit. Lushja tashmë fillon ta përjetojë dhunën psikologjike nga fshati që e konsideron fajtore, deri sa edhe nxënësit në shkollë nuk i lejojnë më të shkojnë që t`i mësojë një kurvë, siç e quajnë ata mësuesen.
Paralelisht kemi edhe linjën e dashurisë së Yllit dhe vajzës së Ukës, kryetarit të fshatit. Uka është kundër dashurisë së tyre dhe gjithmonë gjendet aty kur dy të dashuruarit takohen. Uka e kërcënon Yllin e i thotë se ky katund i ka 13 rrugë, nëpër 12 prej tyre mund t’i biesh, veç kësaj jo. Pra, në këtë vend të gjitha të tjerat janë të lejuara, vetëm dashuria është e ndaluar.
Në shikim të parë duket se regjisori ka dashur të bëjë një film shumë realist dhe filmi në fakt është filmi i tij më “për tokë”, por gjithsesi e di shumë mirë se art pa figura nuk ka dhe ato i përdor aq bukur e natyrshëm saqë shikuesi “pa sherr” vetëm e shikon dhe përjeton dramën, por edhe shikuesit që kërkojnë të futen thellë në rrëfimin filmik do të dalin të kënaqur nga përmbajtja përplot figura artistike që ka “Tri dritare…”. Qëndrimi ironik që regjisori ka përballë burrave fillon që nga prologu, kur tre burrat grinden për asgjë dhe njëri-tjetrin e thërrasin “matuf”. Mandej ne shohim një galeri personazhesh burra që, duke filluar nga Uka, barkmadh e musteqosh, që pi raki dhe mendon se burrëria është në bark e në mustaqe. Element tjetër është se gati gjithë kohën burrat janë të ulur. Një pozicion statik i rrezikshëm për aksionin e filmit, sepse mund ta shndërroje në një film monoton, por mënyra sesi regjisori i ka vënë këta burra përballë temës është shumë funksionale dhe ky statizimi i tyre është shumë domethënës dhe aspak monoton. Këta burra nuk janë të aftë për asgjë. Këta, gjatë gjithë filmit (kupto: jetës së tyre), nuk bëjnë më shumë se tre–katër veprime: pinë cigare e raki, luajnë domino, dëgjojnë muzikë (madje të njëjtën këngë gjatë gjithë filmit). Gjetje e mirë është edhe futja e problemit të ujësjellësit, të cilin nuk arrijnë ta rregullojnë. Kjo skenë nuk është se i jep tension ngjarjes, por përmes saj tregohet sa të paaftë janë këta burra.
Element tjetër që bie në sy është edhe përzgjedhja e ambienteve. Ato rrugë, ato shtëpi guri, ajo tokë djerrinë (e banorët jetojnë me ndihma që vijnë nga jashtë). Përzgjedhja e kujdesshme e ambienteve i ka dhënë mundësi drejtorit të fotografisë të krijojë panorama shumë të bukura.
Gjetje tjetër e rëndësishme është edhe mospërdorimi i muzikës. Ashtu si Michael Haneke, edhe Qosja arrin që filmin ta shndërrojë në muzikë, pa pasur nevojë që të fusë muzikë shoqëruese. Ai e përdor këngën “Moj e mira te pojata” si të vetmen këngë që burrat e dëgjojnë në kafene dhe gjatë gjithë kohës. Këtë, mospërdorimin e muzikës, e ka bërë me qëllim që heshtja të dëgjohet. Heshtja ka shumë rëndësi në këtë film. Ajo ia jep ritmin filmit, ajo i jep shpirtin rrëfimit dhe e mban të gjallë dhe përplot tension. Rrallë bie të shikojmë një film që ka kaq shumë heshtje, por që na mban në tension dhe na e zë frymën.
Qosja me këtë film është diku mes Michael Haneke dhe Nuri Bilge Ceylan. Me Haneken takohet tek tensioni dramatik, tek heshtja dhe dehumanizimi i personazheve. Kurse me Ceylan (drejtor fotografie i “Tri dritare…” Gokhan Tiryiaki, bashkëpunëtori i Ceylan) tek kujdesi i veçantë për kuadrin, për atmosferën filmike, ndriçimin e “errët”. Por ajo që e dallon është se Qosja përdor humorin, gjë që filmit të tij i jep sharm dhe e bën të shikueshëm edhe nga jo-filmofilët.
Është i veçantë trajtimi i fëmijës në këtë film. Djali i Lushës, që e kupton se çfarë i ka ndodhur nënës, fillon të marrë rolin e përkrahësit të saj. Madje ai fillon të bëjë gjeste të burrave. Është skenë shumë prekëse dhe një nga më të bukurat në film kur Sokoli (Donat Qosja) që shkon rrugës me hap të rëndë, të lodhur dhe Lushja e djali i saj Beni, që vijnë dhe takohen në rrugë. Beni i vogël ia shtrin Sokolit dorën si burrë dhe e ngushëllon. Nga këndi sesi është xhiruar fillimi i kësaj skene e deri në përfundim të saj është përplot dramë dhe shumë domethënëse.
Por për ta realizuar si është më së miri këtë rrëfim filmik, që duhet ta shohë patjetër secili kosovar, një duartrokitje të madhe meritojnë edhe aktorët. Natyrisht që veçohet Luan Jaha, i cili tashmë me siguri është aktori më i mirë kosovar e jo vetëm. Ai deri në imtësitë më të vogla e ka përpunuar personazhin e kryetarit të fshatit, duke na e shfaqur qoftë nga ana fizike po ashtu edhe psikike personazhin përplot nuanca. Dhe, qoftë duke përdorur mimikën, zërin, të ecurit, krijon përshtypjen se ne para vetes po shohim një burrë, një kryetar fshati të fryrë, por në thelb, qyqar e të urryer. Por edhe aktorët e tjerë në këtë film janë në një nivel që kurrë më parë nuk kanë qenë. Përshtypje shumë të mirë lënë: Selman Jusufi (ndoshta roli i tij më i mirë deri sot), Irena Cahani, Aurita Agushi, Leonora Mehmeti, e sidomos Orik Morina në rolin e Benit, djalit të mësueses.
Ky film përveç vlerave artistike duhet të shikohet edhe si një ligjëratë mbi moralin, mbi shpirtin e njeriut. Ky film nga mënyra sesi e trajton gruan dhe burrin, na bën të kuptojmë se sa të padrejtë kemi qenë e jemi ndaj gjinisë së bukur dhe, nëse nuk duam të jemi ende popull matuf, duhet të ndryshojmë. Ashtu sikurse në film kaseta prishet, edhe kjo kaseta (kënga) jonë duhet të ndërrohet. Mjaft më me të njëjtën këngë. Në këtë botë çdo gjë duhet të ndryshojë. Ajo që nuk ndryshon, vdes.
“Tri dritare dhe një varje”, i prodhuar nga Shkumbin Istrefi e Mentor Shala (CMB) në bashkëpunim me Niko Film nga Gjermania, me regji nga Isa Qosja, e skenar të Zymber Kelmendit, është një film që më në fund do t’i kënaqë shikuesit, por edhe studentëve e artistëve të rinj do t’u shërbejë si motiv dhe model se si duhet bërë një film. Qosja, me një qasje regjisoriale të thjeshtë, me kuadra të gjatë, të qetë (thjeshtësia është kulmi i mjeshtërisë së një artisti) bën një film për pasojat e luftës së fundit në Kosovë pa skena me ushtarë që shajnë e vjedhin, me tanke e me krisma pushkësh, por dhembja që shikuesi përjeton gjatë shikimit të filmit është e madhe, tronditëse. Dhe kjo tronditje është edhe më e madhe sepse shkaktohet nga vetë njerëzit e një soji. Dhe derisa shohim skenat e filmit, sigurisht që do ta pyesim veten: ku ishin këta burra trima (ku ishim ne) kur gratë dhunoheshin? Ku ishim ne që sot i përbuzim këto viktima?
“Tri dritare dhe një varje” është filmi më i mirë që ka bërë deri më sot Isa Qosja, por është edhe filmi më i mirë kosovar i realizuar ndonjëherë. Madje, lirisht mund të thuhet se është një film që mund të qëndrojë përkrah kinematografisë më të mirë europiane.
*Ben Apolloni është master i regjisë së filmit dhe student i Filozofisë

Nata e parë e Geraldinës në Shqipëri

Pjesë nga libri më i ri i Blendi Fevziut: “Ahmet Zogu, presidenti që u bë mbret”, botuar nga UET Press
Dasma Mbretërore /27 Prill 1938
ahmet zogu mbreteresha geraldine
Dasma Mbretërore – 27 Prill 1930/ Libri: “Ahmet Zogu, presidenti që u bë mbret”/ Mapo.al
“Herët në mëngjes, u gjenda në kuvertë, pasi s’kisha vënë gjumë në sy gjithë natën. Përpara meje shtrihej Durrësi. Hodha vështrimin mbi muret e lashta romake dhe më tutje ato veneciane, të shpuara nga plumbat turq, dhe prapa maleve, shkëmbinj të lartë graniti gri, që lartësoheshin mbi det. Peizazhi i pazbutur ishte krejt ndryshe nga gjithçka kisha parë deri atëherë.
Na kërkuan të qëndronim në bord derisa të zbarkonin të gjithë udhëtarët e tjerë dhe, kur kalata u boshatis, u shfaq një Mercedes i zi. U përshëndeta nga kolonel Sotir Martini, një ministër i Oborrit, i cili i ndenji pranë Mbretit deri në momentin që vdiq në mërgim në vitin 1950”.
Ky është rrëfimi i Geraldina De Nagy Appony për kontaktin e parë që pati me vendin që do t’i vinte mbi kokë kurorën. Ishte 21 vjeçe dhe e emocionuar. Qe nisur drejt një të panjohure duke besuar në një happy-end.
Në port e priste adjutanti i Mbretit, që e akomodoi si mysafire në familjen Toptani dhe e sqaroi “me takt” se udhëtimi i saj ishte dhe do të mbetej sekret derisa ajo dhe Mbreti të merrnin një vendim. Geraldina u ftua të merrte pjesë në ballon e Vitit të Ri 1938. Gjatë gjithë jetës së saj, në dhjetëra intervista dhe biografi, ajo ka kujtuar gjithnjë momentin e parë kur u gjend përballë me atë që do të bëhej burri i ardhshëm i saj:
“Më dridheshin këmbët dhe nuk shikoja asgjë. Isha jashtë mase e frikësuar. Dhoma ishte aq e gjatë, sa dukej e pafund dhe unë doja vetëm të zhdukesha. Befas, u gjenda ballë për ballë me një fytyrë të hijshme, një burrë i gjatë, pa të meta, i veshur me uniformën e bardhë të kolonelit të përgjithshëm të ushtrisë. Ishin pikërisht sytë që i vura re të parët, sy depërtues bojëqielli.
Kisha praktikuar një përkulje si ato që mësojmë në orët e kërcimit, por e harrova nga hutimi dhe thjesht bëra një përkulje të lehtë. Mbreti menjëherë më ngriti me një buzëqeshje tërheqëse, më falenderoi për vizitën në vendin e tij dhe më pyeti nëse udhëtimi kishte kaluar mirë”.
Geraldina nuk e dinte se pavarësisht fshehtësisë, lajmi për mbërritjen e saj kishte intriguar tej mase kryeqytetin. Pothuajse i gjithë oborri, njerëzit me ndikim dhe diplomatët e dinin që kish¬te ardhur me aprovimin e Mbretit dhe ishte kandidatura kryesore për t’u bërë Mbretëreshë e Shqipërisë. Mbreti qe aty, së bashku me princeshat që ai ia prezantoi njëra pas tjetrës. Geraldina e kujtonte gjithnjë atë moment:
“Asnjëherë nuk e largoi vështrimin nga unë, ndërsa më ofroi një gotë shampanjë. Gishtat tanë u prekën dhe në atë çast dritat u vagëlluan. Ishte pikërisht mesnatë dhe kështu e donte zakoni shqip¬tar. Ngaqë isha në angështi, e lëshova gotën, e cila u thërrmua në mijëra cifla kristalesh të vogla.
E ndjeva se u zbeha në fytyrë, por Mbreti qeshi. Ciflat sjellin fat, – tha ai në gjermanisht dhe më ra në dorë si për të më siguruar. Jehona e dymbëdhjetë tik-takeve të mesnatës ende nuk ishte fashitur, kur një valë e fortë duartrokitjesh dukej se do ta shembte dhomën. Nga të gjitha anët dhe në të gjitha gjuhët u dëgjua thirrja: Fat të bardhë!
U ndjeva si asnjëherë më parë. Kisha rënë në dashuri.”
Ishte viti 1938, viti i martesës së Mbretit Zog I me Mbretëreshën Geraldinë. Geraldina nuk iku më nga Shqipëria që atë ditë. Fejesa u mendua të shpallej në janar dhe martesa në prill. Më 25 janar 1938, ambasadori britanik në Durrës, njoftonte ministrin e Jashtëm Anthony Eden:
“Kontesha Apony ka ardhur në Tiranë në pjesën e fundit të muajit dhjetor. Më 31 dhjetor Mbreti Zog vallëzoi me atë në vigjilje të Vitit të Ri në mbrëmjen e organizuar në oborrin mbretëror. Kur u takova me ministrin e Jashtëm Shqiptar në datën 24 janar, ai pohoi fejesën e Mbretit Zog me Konteshën Apony. Mendohet se shpallja zyrtare do të jepet brenda pak ditësh.”
Fejesa u shpall më 31 janar 1938. Shpallja u bë në një seancë të jashtëzakonshme parlamentare e thirrur me kërkesën e vetë Mbretit Zog. Kushtetuta e Shqipërisë, parashikonte që kërkesa për fejesën e Mbretit të kalonte për miratim në dy Dhomat e Parlamentit. Salla ishte e mbushur plot dhe në llozhën kryesore qëndronin motrat e Mbretit. Kryetari i Parlamentit njoftoi se të dyja dhomat e kishin aprovuar fejesën dhe se Geraldina mund të bëhej Mbretëreshë e Shqipërisë. Sipas biografes së Geraldinës, atë mbrëmje, Geraldina bëri prezantimin e parë të plotë me familjen e dhëndrit.

Blendi Fevziu: Enver Hoxha, thellë-thellë e admironte Zogun, e imitoi atë

Blendi Fevziu, autori i librit historik më të shitur në shqip, publikon një profil të plotë të mbretit Zog I. Libri “Ahmet Zogu, presidenti që u bë mbret”, një botim i UET- Press, nga sot në treg, sjell pjesë të jetës së monarkut, marrëdhënien me gratë, stilin e jetës dhe po ashtu qëndrimet e lëvizjet e tij politike.
Fevziu: Orgazma e pushtetit e dominonte atë më shumë sesa raporti femëror. Edhe pse ndër të dashurat e tij përmendet p.sh. Tanja Visavora, një ndër gratë më të bukura të Europës në atë kohë.
Intervistoi: Silvi Bakiri
blendi fevziuBlendi Fevziu, thotë se libri që ai ka shkruar për mbretin Zog i cili do të jetë sot në librari, nuk ka për mision të sqarojë ekuivoket e keqkuptimet rreth figurës së monarkut, edhe pse një pjesë e tyre dalin në pah, në botimin më të fundit të UET Press. “E gjithë figura e Zogut, si figura e çdo njeriu që ka dominuar gjatë një vend, mbështillet nga ekuivoke, keqkuptime e debate kontradiktore. Libri sqaron aq sa mundet, por ky nuk është misioni i tij”, – thotë z. Fevziu. Libri sjell sipas tij, detaje të jetës së Ahmet Zogut që nuk kanë qenë deri tani në vëmendje ose janë trajtuar përciptazi, pasi pjesa më e madhe e shkrimeve rreth njeriut që sundoi si president dhe monark vendin janë të përqendruara pikërisht në periudhën e qeverisjes. “Ahmet Zogu, presidenti që u bë mbret”, synon të përsërisë suksesin që autori pati më parë me shkrimin e profilit të një tjetër pushtetari jetëgjatë në vend. Ashtu si në librin për diktatorin Enver Hoxha, edhe në atë për mbretin Zog, autori ia ka dalë të zbërthejë lidhjen e fortë me pushtetin dhe marrëdhënie që përndryshe ishin lënë në hije. “Orgazma e pushtetit e dominonte atë më shumë sesa raporti femëror. Edhe pse ndër të dashurat e tij përmendet p.sh Tanja Visavora, një ndër gratë më të bukura të Europës në atë kohë”, thotë ai duke iu referuar Zogut I në një intervistë për MAPO-n.
Libri fillon me një prolog që përshkruan arratisjen e fundit të Ahmet Zogut nga Shqipëria. Një arratisje që, ndryshe nga herët e tjera, ishte pa kthim dhe më pas përqendrohet me radhë në momentet kyçe të jetës. Dasma, fëmijëria, shkollimi, përfshirja në politikë, të 50 atentatet dhe një sërë detajesh të tjera rreth jetës së monarkut. Libri që prej sot do të gjendet në të gjitha libraritë, është një mundësi për të lexuar një profil të plotë të mbretit dhe po ashtu për të sqaruar një pjesë të miteve rreth tij apo marrëdhëniet e figurave të tjera shqiptare me të.
Në librin tuaj “Ahmet Zogu, presidenti që u bë mbret” vjen historia e Ahmet Zogut në kohën kur ishte Mbret i Shqipërisë, si portret, por bashkë me të edhe historia e Shqipërisë së asaj kohe. Si kanë qenë shqiptarët në “kohën e Zogut”?
Untitled3
Ahmet Zogu-Kryeministër, foto 8 maj 1923/ Libri: “Ahmet Zogu, presidenti që u bë mbret”/ Mapo.al
Libri flet më shumë se sa për kohën kur Zogu ishte mbret. Është një libër profil i tij që përfshin gjithë jetën, nga fëmijëria në Burgajet e Stamboll, vitet në Vjenë, aktiviteti politik në Shqipëri dhe jeta në mërgim në Francë, Angli apo Egjipt. Gjatë jetës së tij, Zogu ka qenë aktiv politikisht rreth 27 vjet, nga 1912–1939. Libri del edhe përtej kësaj kohe. Ka detaje edhe për të si personalitet. Ka një kapitull që titullohet “Ahmet Zogu dhe gratë”; një tjetër “Oborri Mbretëror” dhe një që titullohet “Kush ishte Ahmet Zogu”. Në të flitet edhe për detaje që lidhen me mënyrën e tij të jetesës, pallatin, veshjet dhe shpenzimet që ai bënte. Për të ardhur tek pyetja direkte, mund t’ju them që shqiptarët në kohën e Zogut ishin fillesa e një kombësie për të jetuar në një shtet të centralizuar. Shteti unitar nis në Shqipëri me Mbretin Zog. Unitar kam parasysh njësinë territoriale.
A ishte e parathënë, sipas jush, që epoka e Mbretit Zog të ishte një ëndërr e pamundur apo e paarritshme? Pra, një pjesë tranzitore e historisë së Shqipërisë, e cila ishte e destinuar të mos zgjaste?
Jo, mendoj se nuk ishte as një ëndërr dhe as e paarritshme. Ishte një moment i fillesave të një shteti të vërtetë që erdhi duke marrë formë; ishte një tentativë për modernizim; një tentativë për t’iu afruar fqinjëve dhe për t’iu imponuar atyre. Ishte një kohë ndryshimi të madh, por jo një kohë për t’u idealizuar, edhe brenda saj ka nënndarje. Vitet e para janë padyshim mbresëlënëse, ndërsa vitet e fundit të Mbretërisë filluan të perceptohen si regresive.
Libri hapet me dashurinë e flaktë të Ahmet Zogut për Geraldinën. Në të tregohen detaje të ditëve të dashurisë dhe martesës së tyre. Si e shihni figurën e mbretit Zog si civil e familjar në raport me detyrën e tij?
Ahmet Zogu, kryeministri Zogu, presidenti Zogu ose Mbreti Zog ka qenë kryesisht një beqar. Ai u martua në vitin e fundit të mbretërimit të tij. Po të heqim vitet e fejesës me vajzën e Vërlacit, Behije Vërlacin (të cilën ai nuk e takoi kurrë vetëm për vetëm) Zogu ka pasur një jetë prej beqari. Ka shumë histori dashurie që i atribuohen atij, histori madje me femra ndër më të bukurat e kontinentit që ai i ftonte dhe i paguante me shuma marramendëse. Vërtetimi i tyre është i vështirë edhe pse ka materiale për këtë. Por pas martesës me Geraldinën, ai nuk u nda kurrë prej saj.
Çfarë raporti kishte ai me gratë?
ahmet zogu mbreteresha geraldine
Foto nga ceremonia e dasmës së Mbretit Zog me Mbretëreshën Geraldinë/ Libri: “Ahmet Zogu, presidenti që u bë mbret”/ Mapo.al
Kompleks. Por raportet me femra duket se janë më shumë një përmbushje e dëshirave të momentit. Duket qartë dhe madje Zogu e shpreh edhe vetë, pushteti ishte afrodiziaku, synimi dhe kënaqësia e tij e vetme. Orgazma e pushtetit e dominonte atë më shumë se sa raporti femëror. Edhe pse ndër të dashurat e tij përmendet p.sh Tanja Visavora, një ndër gratë më të bukura të Europës në atë kohë.
Cilat janë ato pjesë të librit që ndoshta saktësojnë apo sqarojnë ndonjë ekuivok që koha/ historia e ka tjetërsuar?
E gjithë figura e Zogut, si figura e çdo njeriu që ka dominuar gjatë një vend, mbështillet nga ekuivoke, keqkuptime, debate kontradiktore. Libri sqaron aq sa mundet, por ky nuk është misioni i tij.
Atentati në Parlament ndaj Zogut, ardhja në krye si kryeministër e Shefqet Vërlacit, si edhe vrasja e Avni Rustemit, ishin kthesa e madhe që mori historia. Ngjarjet e 1924-ës, Noli i quante ‘Revolucion’, ndërsa Ahmet Zogu, grusht shteti. Si ishte në të vërtetë ndërgjegjja politike e shqiptarëve të viteve ‘20?
Me sa di unë edhe vetë Noli, por edhe historianët seriozë e quajnë një grusht shteti. Pastaj revolucioni dhe grushti i shtetit janë në thelb dy forma kur pushteti nuk merret në mënyrë legjitime, pra me zgjedhje, por me forcë. Ku qëndron diferenca mes tyre? Qëndron veç në atë që komunizmi e legjitimonte revolucionin dhe e quante atë fitore. Në thelb, kryeministri Vërlaci ishte legjitim dhe mazhoranca u përmbys me forcë nga një grup minoritar duke përdorur ushtrinë. Ky është grusht shteti i mirëfilltë. Po edhe kjo s’ka rëndësi. Në atë kohë, veç këtij detaji në thelb të pashmangshëm, jeta politike pluraliste ishte shumë interesante në Shqipëri.
Lidhja e Zogut me Papën apo edhe aura e prestigjit që rrethonte figurën e tij, na çojnë në idenë se kemi të bëjmë me një person shumë të rëndësishëm. Sa dhe si e ushtronte ai influencën e tij në atë kohë?
Nuk besoj se ishte një person kaq i rëndësishëm jashtë. Ishte drejtuesi i një vendi të vogël, që europianët e përkrahnin se kishte arritur të vendoste rregull dhe qetësi në një vend ku mbretëronte kaosi. Kaq.
Enver Hoxha e shpalli Zogun kriminel lufte, në një kohë që ai ishte larguar nga Shqipëria për në Angli 6 muaj përpara fillimit të saj. Kjo përkon me shpalljen e Shqipërisë Republikë Popullore, (viti 1945-1946). Pozicionimi i figurës së Zogut në këto vite, sipas jush, duhet të ishte më shumë një alibi për të justifikuar pushtetin e Hoxhës?
Kjo është historia më komike që mund të dëgjosh. Zogu u largua nga Shqipëria më 7 prill 1939. Ai e refuzoi me vendim parlamenti pushtimin italian dhe urdhëroi ushtrinë dhe xhandarmërinë të bëjnë rezistencë. Rezistenca zgjati thuajse 16 orë dhe dokumentohet nga shtypi botëror dhe diplomatët e huaj në Shqipëri. Lufta e Dytë Botërore nisi më 1 shtator 1939, pesë muaj pas ikjes së Zogut. Në vitet e luftës ai ishte në Angli. Si mund të shpallej Kriminel lufte në Shqipëri një njeri që s’kishte qenë asnjë ditë këtu gjatë luftës?!!! Kjo gjë u konsiderua madje qesharake edhe nga britanikët. Nga ana tjetër, Hoxha ndërtoi pushtetin e tij duke shtypur thellë filozofinë e Zogut, figurën e tij dhe parimet që ai kishte ndjekur në ndërtimin e shtetit. Por nga ana tjetër, Hoxha ishte tejet kurioz dhe për shumë vite e ka imituar atë. Thellë-thellë, ai kishte admirim për Zogun. Zogu ka ndikuar mjaft figura politike shqiptare, edhe pse ai ngjan i paimitueshëm në sukseset, por edhe dështimet e tij.

Primo Shllaku: Ka ardhë koha me e standardizue gegnishten

Intervistat kulturore me njerëz të kulturës, janë një ekskursion habie nëpër peizazhin social e kulturor shqiptar. Në rastin e Primo Shllakut, sidomos kështu. Një poet, përkthyes e lektor, pasardhës i një familjeje të njohur shkodrane në punë të kulturës kombëtare, Shllaku na bën me dije se ka edhe një Shqipëri të thellë, një Shqipëri të njerëzve që janë si ai, edhe pse të paktë, dhe që kanë një jetë ‘shum të vorfën në ngjarje të jashtme’. Por, të brendëshmet i kanë me shumicë.
 Intervistoi: Alfred Lela
1- Ç’do të thotë të jesh shqiptar?
primo shllakuMe qenë shqiptar do me thanë  me i përkitë  nji  kulture të caktueme. Dhe me i përkitë nji kulture të caktueme dmth me i përkitë nji gjuhe (për ne kjo âsht specifike), nji historie, nji mendsie ose psikosinteze, nji kujtese historike, nji territori gjeografik ose virtual. Shqiptari prototipik i ngërthen të gjitha kto njiherash në qenien e tij. Shqiptari i natyralizuem mund “të pranohet” edhe me nji pjesë të ktyne kërkesave.
2- A ka shenja të huaja në fizionominë shqiptare, sociale apo fizike?
Antropologët thonë se qysh mbas Dyndjes së popujve, në Europë nuk ka ma raca të kullueta. Na jemi, me nji fjalë, aliazhe racore, fisnore e kombsish me nji strukturim që mund të gjurmohet vetëm tek individë që kanë  pedigree të sigurtë. Sa ma në shmang që të jetë zhvillue ose mbetë pa zhvillue nji njisi kombtare, aq ma pak shanse ka pasë që të përzihet dhe të shkartiset. Për shkak të kushteve historike të pafavorshme dhe atyne gjeografike “të favorshme” popullsitë shqiptare janë tërheqë ndër male dhe janë izolue. Cikli i Kreshnikëve na thotë dhe na befason se edhe të strukun ndër male, mes pejzazhesh tipikisht alpine, shqiptarët e kanë shpërfillë izolimin. Halili i Mujit bâhet nismëtar i nji “vale” antiendogamike dhe e inicion përziemjen e vet me sllavët. Unë mendoj – dhe e kam shprehë – se ilirët u përzien me sllavët kur kta të fundit u dukën në Ballkanet prendimore. Komponentja e ksaj përziemje pati dy rezultate: atje ku geni dhe elementi kulturor sllav ishte ma i fortë, u formuen sllavët e jugut, me të cilët jemi fqinj sot. Atje ku geni e elementi kulturor ilir ishte ma i fortë se ai sllav, rezultati ishte produkti shqiptar. Zakonisht kam njifarë kërshërie fiziognomike dhe në vende të ndryshme të Shqipnisë shof tipa nga ma të ndryshmit. Në mungesë të dokumentave, na vetë i kemi caktue arketipat tonë fiziognomikë dhe mendojmë se malësori i veriut mund të jetë njifarë arketipi. Them se ky âsht nji shestim rilindas, për shkak të rolit e kontributit luftarak të malësive tona të veriut në atë periudhë, kur po sajohej edhe logoja vizuale e kombit. Por në zonën e Vlonës shef njeriu tipare të çuditshme antropomorfike, sidomos në fshat. Koka masive, kubike lehtësisht të rrumbullakosuna në qoshet, bradicefale gjithsesi. Kam idenë se kta individë, bartës masivë të ktyne të dhanave, na i sjellin me fare pak ndryshime pamjen se si mund të ishin kaonët e famshën që tashti na modernët i kemi pranue vetëm si emën birre (?!?). Por mund të them se në vezhgimet e mia kam hasë edhe raca të leshta e zimokë (zeshkanë të thellë në ngjyrën e flokëve si dhe të lëkurës) dhe, me pak interesim, kam gjetë informacione të vagullta se aty osmanët kishin sjellë kolonë.
3- Kur themi ‘qytet’ në kuptimin ‘polis’, cili prej vendbanimeve shqiptare e meriton këtë emërtim?
Shqipnia âsht e stërpikun me qytete. Dendësia e tyne nuk âsht e njajtë si në veri ashtu edhe në jug. Ndoshta zonat me denduri qytetesh flasin për nji histori ma të qetë dhe për nji zhvillim ma të patrazuem. Veriu shqiptar edhe pse me Shkodrën, Lezhën, Prizrenin, Gjakovën, Pejën,Ulqinin e, ma poshtë Krujën dhe Elbasanin, Tiranën e Durrsin na kujton ma fort sistemin urban francez që ka nji qytet të madh dhe të tjerët i rrinë periferikisht. Kurse jugu shqiptar ka shum qytete të barazvlefshme dhe për ketë të kujton rrjetin urban italian.
Faktikisht na po jetojmë nji epokë ku qytetet shqiptare kanë ra dhe po bien. Ramja e qyteteve shqiptare vazhdon me ritme të ndryshueshme, por rritja përbind e Tiranës nuk ka asgjâ të mirë. Pamja e sotme e sistemit urban shqiptar i pëngjet nji sistemi që ka në qendër një planet prej betoni dhe përreth ca satelitë prej rane të shkriftë. Demokracia e ardhun nuk ka ende nji koncept zhvillimor periferik.
4- Prej cilës fjalë të shqipes magjepseni, e cilën nuk duroni dot?
Unë shkruej dhe magjepsjet e mia janë të pafund. Gjithsesi unë mund të magjepsem dhe të rimagjepsem. Stina historike që kaloi, i pati konsumue shum fjalët e delikatesës dhe na po presim me ankth rikuperimin e tyne. Në nji poezi timen kam nji varg që thotë: «Si dy dashnorë që shkojnë në agim / zbulova dhe unë magjinë e foljes “me shkue”». Në atë kohë na ishim të ngujuem si fosilet në materien prej guri të epokës dhe andrra e vetme ishte “me shkue”.
5- Gegnishtja apo standardi?
Shif, pyetja kërkon përgjigje të shkurtë e unë s’mund të jap të tillë. Gegnishtja âsht koiné, pra edhe njifarë standardi. Por ka mbi shpinë akuzën se âsht gjuhë mahallash. E po, atyne që Kosova-shtet u duket mahallë, ata me siguri janë UFO dhe vijnë prej nji planeti gjigand. Pra ata nuk jetojnë me ne dhe aq ma pak për ne. Standardin e quej tosknishte dhe them se  për tê janë harxhue miliarda nga paret tona, pa na e pasë marrë mendimin lirisht se a do të ishim dakord. Tashti ka ardhë koha me e standardizue gegnishten. Ajo âsht e jona dhe jo e njerkës. Në kujtesën e gjithkohëshme të saj kemi nji traditë brilante që ka trung, degë, gjethe, sythe e lule me erë të mirë që ta ngjyejnë me të verdhë majën e hundës. Na nuk e lshojmë traditën, sepse as ajo nuk na lshon ne. Gustav Mahler thoshte se tradita  âsht ruejtje e zjarrit, jo adhurim i hinit. Pra…
6- Shqipëri etnike, apo kështu si jemi mjafton?
E majta shqiptare âsht e ftoftë ndaj problemit kombtar. Qysh te romani “Para agimit” i Sh. Musarajt ky diskutim i ndau nacionalistët me (atëherë) internacionalistët, e sot me fredistët (term imi ky i shpikun tashti që duhet të na sugjerojë ata që janë të ftoftë ndaj nji çeshtje që askush në botë nuk do ta falte përmes heshtjes). Bashkimi kombtar do klasë politike që e shtron si problem. Po të gjenden nja 5 kryeministra shqiptarë që janë gati me dhanë dorëheqje, poqese ndërkombtarët do të rrudhnin buzët ndaj kësaj kërkese, atëherë të gjashtit pa dyshim që do t’i thonin “po na thuej pak se si e ke idenë ”. Por politikanët shqiptarë janë të gjithë makina pa marshin indietro. Prandej gulshon politika shqiptare sepse nuk e ka idenë se me marrë frymë ka dy procese: frymëthithje dhe frymënxjerrje. Por gjithsesi çeshtja âsht shtrue. Sot flitet për bashkim dhe për federalizëm. S’ka ma bukur.
Bashkimi kërkon energji, shum energji. Por sa i humbasim energjitë në diatriba shterpa pa bereqet, do të dalë dikush që do ta ekonomizojë energjinë konstruktive të kombit dhe na do të përballemi me nji sforco të fundit. Jo shum të gjatë besoj, por produktive dhe lançuese pënjimend.
7- A ka një rrezik neo-otoman për Shqipërinë?
Tashti, kumbona bie për me ndigjue. Turqia po thinjet në pritje të antarsimit për në BE. Si shtet që i ka bâ e i ban shërbime Prendimit, ajo mund të jetë tue e humbë durimin. Tashti varet se sa padurim turk mund të jetë në gjendje me durue Europa. Ketë unë nuk mund ta di sepse kjo nuk ban pjesë në politikat e shpërfaquna të saj.
Me sa duket ish-perandoria po troket fort në dyert e Europës me politika anësore. Nuk mund të rri pa e përmendë se sot vetëm vendet muslimane të Europës ende nuk janë “rehatue” në Europë. Pra edhe ndaj tyne ka njifarë skepticizmi. Turqia mbase po mundohet të krijojë nji aleancë të “viktimave” të ktij lloj skepticizmi. Poqese punët mund të jenë kshtu, i bie që na shqiptarët do të hyjmë në Europë përmes Turqisë. Ktu ka nji diskrepancë kulturore dhe logjike që unë e kam të vështirë me e kapërdi. Megjithatë në tregun e ideve shqiptare kanë dalë tash sëfundmi ide që na kujtonim se ishin arkivue qysh me Rilindjen tonë Kombtare, kur vetë muslimanët u vunë në krye të luftës për dalje nga Turqia. Nejse. Prova janë kto. Për të pa se sa ecin…
8- A ka pasur një rrezik anglo-amerikan për Shqipërinë?
Po të adoptojmë nji gjykim rokambolesk të Konitzës them se po. Derisa ai pranon se rreziku ma i madh shqiptarëve i vjen nga vetja e tyne, atëherë të gjithë të tjerët kanë të drejtën me qenë të rrezikshëm ndaj nesh pa bâ ndonji krim të hatashëm. Dami ma i madh Shqipnisë i asht bâ prej anglezëve të cilët, edhe pse kishin misione në vendin tonë, qysh herët e kishin nda mendjen me na dhanë tek Lindja në këmbim të Greqisë, e cila po bante nji luftë antifashiste shum të përzieme e me komponente të dukshme komuniste. Anglezët janë arkitektët e ktij “trami” politik, që bashkë me pushtimin fashist i faturuen shoqnisë shqiptare edhe nji gjysëm tjetër shekulli ravgim ekonomik, kulturor dhe politik. Mosmirënjoftja që morën nga zhvillimet greke, i ka bâ anglezët ma të vëmendshem ndaj nesh dhe këtë vemendje unë due me e pa si nji lloj ndjese për braktisjen e mbas mbarimit të Luftës II Botnore.
Sa për Amerikën mund të them se deri në vjetët ’90 kemi qenë na të dashunuem me tê dhe jo ajo me ne. Mjeda, Fishta e Gurakuqi kanë pasë iluzione pozitive për qytetnimin amerikan. Por dashunia fillon prej gjysmës. Gjatë diktaturës “Zani i Amerikës” fliste marrina me thes dhe na mëkonte me entuziazëm të tipit “prit gomar, sa të mbijë bar”. Sot, mbas vjetëve ’90, Amerika ka ndrrue qëndrimin ndaj shqiptarëve. Duket se shqiptarët janë diçka në optikën e tyne. Shembulli me Kosovën flet për shum interesim. Markimi i jetës sonë politike prej ambasadorësh metodikë na ngushllon se nuk jemi ma vetëm për vetëm e në dorë të politikanëve vendas, arrogantë e egocentrikë.
9- A ka një ndarje veri-jug në Shqipëri?
Para se të ketë ndamje, duhet të ketë ndryshime. Unë them: po, ka ndryshime. Ndryshimet janë të rangut kulturor e zakonor, lidhen me psikosintezën e ktyne zonave, me gjeografinë, me lidhjet qytetnuese, me rrugët e komunikimit, me cilësinë e fqinjve si dhe me orientimet historike. Deri në Rilindje kta dy pjesë kanë pasë orientime të ndryshme si dhe nji pavarësi të lehtë zhvillimore historike. Ndamja veri-jug ishte pika ma delikate e trajtimit të kohezionit kombtar dhe zhvillimet që do të vinin mbas pavarësisë dhe krijimit të tregut të përbashkët kombtar, do të njisonin disa pika që kanë të bajnë me jetën në bashkësi. Diktatura komuniste, për dava pushteti, krijoi tensione mes ktyne dy zonave, të cilat u orientuen jo njilloj gjatë Luftës II Botnore. Veriu shqiptar u shkërmoq prej armatës partizane dhe mbasi ndodhi kjo, pushteti i atëhershëm iu soll veriut me nji ndjeshmëni të shtirë për ta zhvillue. Veriu ishte i pasun në miniera dhe minerale të rralla. Por veriorët patën pak e aspak akses në pushtetin e kohës, sidomos atê qendror. Nën zâ ata stigmatizoheshin si reaksionarë, pra si anmiq natyrorë të sistemit, dhe aksesi i tyne në pushtet ishte selektiv dhe për hir të faqellëkut statistikor.
10- Si do e përkufizonit një toskë e si një gegë?
Ma parë do të thoja që të biem dakord se ekziston ky binom. Dhe do të më pëlqente që kufizat e ktij binomi të rreshtoheshin ndryshe, pra gegë e toskë. Një ndër ndryshimet që po më bie ndër mend tashti âsht se gegët nuk kanë qenë historikisht popullsi migratore, kurse toskët vazhdimisht dhe kryesisht mërgimtarë ekonomikë. Mbas 1990-ës, edhe  veriorët, të shpërhjedhun nga trysnia e diktaturës, morën masivisht rrugën e kurbetit, tue shenue kshtu nji primat të ri për ta dhe për vendin. Toskët kanë qenë mburrë për nji mnyrë jetese ma të rafinueme si dhe për nji higjenë të përgjithsueme në të gjithë trevat e tyne. Emigracioni i vonuem i gegëve i barazoi ata me toskët dhe mnyra e jetesës dhe higjena u kthye në nji virtyt të gjithmbarshëm. Po ashtu duhet të shenohet se, kta vjetët e demokracisë, popullsitë veriore u mësuen me pushtetin dhe me postet drejtuese që dikur në socializëm as nuk do t’u binin në sqep. Shumkush thotë se kjo âsht meritë e Partisë Demokratike, kurse unë jam i prirum me e pa ma fort si dukuni të nji trashendence  historike, e  cila sillet njilloj me pjesët konstitutive që i përbajnë sistemet. E, meqë gegët e toskët janë pjesë konstitutive e kombit shqiptar, të pazhdukshëm dhe të papërsëritshëm, politika do të bante mirë me i kursye energjitë në nji maratonë simbas refrenit “ato maja rripa-rripa”, ku energjitë zhvillimore harxhohen në manevra alternative barazpeshimi. Ktu mbase ka vend për nji Ent Rregullator Kushtetues që do të penalltizonte çdo ekces njianshmënie ndër prerogativat.
11- A po shkruhet letërsi në liri, pas vitit 1990, dhe si është ajo krahasuar me atë të shkruar nën diktaturë?
Edhe pse ka kritikë nostalgjikë që nuk u hyn në sy letërsia alternative ose e ashtuquejtuna “letërsi tjetër”, pas90-ta âsht e mbushun me përpjekje letrare, disa prej të cilave janë me shum interes. Letërsia nën diktaturë ishte e vaditur me përkujdesje të mdha nga shteti, sidomos me mbështetje ekonomike. Por ajo letërsi ra si gardh i kalbun dhe gjithë ajo energji njerzore e investueme në tê shkoi dam. Sot shteti ka vëmendje krejt të pakët sepse letërsia âsht e lirë prej detyrimit propagandistik dhe shteti e hjedh ndonji pare të vogël sa me thanë. Kur të bâhemi gati me nxjerrë shumatoren e saj, vetëm atëherë do ta marrim vesht se çfarë ka ndodhë me letërsinë dhe energjitë artistike të çlirueme në nji vend tashma pa censurë.
12- Përmendi një shqiptar/e që ju frymëzon?
Na shqiptarët nuk e kemi për zanatë frymzimin, ma fort jemi shfrymzues. Jemi nji shoqni pa modele të mbrendshme. Figurat publike me spikamë të afirmueme ma fort na udhëheqin se si mos me veprue sesa se si me veprue. Mjerisht…
13- Kontesha hungareze Geraldine Apponyi u bë Mbretëresha Geraldinë e shqiptarëve. Duke dhënë e marrë, Shqipëria e Geraldina e kanë plotësuar apo zbehur njëra-tjetrën?
Diktatura që gjeta në vendin tim kur u linda e fillova me marrë  mend e shqisa, nuk lente me dëshirue për ndonji nevojë monarkie ndër ne. Ajo ishte e tillë dhe unë nuk pata se si me dalë jorepublikan. Tradita europiane e aleancave me krushqi rrallë here nuk ka funksionue si bazë për nji ridimensionim aleancash ma të reja. Shteti komunist ndërtoi aleanca koniunkturale dhe simbas precedentësh që i ndeshim vetëm në kohën e kryqzatave, ai kërcente degë më degë. Geraldina qe nji grue e përshpirtshme dhe mundsonte nji lidhje “natyrore” me shtetin e ndritun të maxharëve, ashtu si majka Angelina e Aranitasve të Vlonës shkoi nuse në Serbi dhe sot venerohet si bamirëse e kombit serb dhe kisha ortodokse e mban për shejtneshë. Sa here që të kemi nevojë për pajtim, kto raste do të na e japin fillin e fillimit…
14- Partizani, Tirana, Dinamo, Vllaznia apo Besa?
Nuk loz shah, nuk pi duhan, nuk jam tifoz.
15- Jezu Krishti, thotë Messorio, është i vetmi që e ka ndarë kohën më dysh, në para dhe pas Krishtit? Kush apo çfarë e ka ndarë më dysh kohën tuaj: para dhe pas…
Jeta ime âsht shum e vorfën në ngjarje të jashtme. Mund të them jo pa njifarë skuqje se martesa ka qenë për mue e vetmja ngjarje e jetës sime, për të cilën unë kam qenë fillim e mbarim autori. Diktatura ka pasë edhe ajo ndonji të mire. Të paktën nuk na ndalonte me u martue. Përndryshe ekzistencat tona do të ishin po aq të thjeshta sa të mizave që lejnë në prill dhe vdesin në shtator.
16- A ekzisiton një Shqipëri europiane dhe një orientale?
Patjetër që po. Oksidentalizmi shqiptar u godit prej diktaturës me sistem dhe me adresë. Enver Hoxha ishte shum i nevrikosun që Shqipnia e gjunjëzueme prej tij nuk ishte sa nji tepsi që ai të mund ta vente majë koke dhe ta çonte edhe fizikisht drejt Lindjes. Me mend ai na çoi deri në Kinë. Kina ishte fundi, mendojnë disa optimistë. Jo, ishte izolimi zhvillimi ma ekstrem i orientalizmit, mërtisja, burka, xhadori mbi qenien tone mu në mes të Europës. Unë mendoj se socializmi real shqiptar ka pasë nji bazë fetare, kulturore orientale, me nji komponente të fuqishme dhe të msheftë bizantinizmi. Ende nuk ka në Tiranë nji shtatore të Gjergj Balshës II, i cili në atë vjetë të hershëm të 1369 e lidhi përfundimisht Shqipninë me kristianitetin prendimor, pra me Europën. Nuk e dimë ket fakt apo nuk na pëlqen që âsht kshtu ky fakt? Unë nuk kam pa anije që hyjë në liman me bark, të gjitha hyjnë me bash. Prandej s’na len ecja me bark që të hyjmë shpejt…
17- Bestytnitë: i njihni, i sundoni apo ju kontrollojnë?
Jam rritë në nji familje me besim të forte dhe epsh sacrifice. Kam sakrifikue shum për të qenë i vërtetë me veten dhe nuk kam mundë me e realizue ket pikësynim. Me letrat e mia që merrem, fantazia vlen sa nji mijë realitete. Me krijue do me thane me qenë zvarranik i përjetshëm. Kur je zvarranik nuk ke frikë askënd ma, sepse askush nuk ta ka lakmi durimin. S’i  njof bestytnitë.
18- Haxhi Qamilin e kanë quajtur Princ të gjurulldisë. A është ai një gjemb në histori, dhe pse Enver Hoxha u mundua ta paraqiste lëvizjen e tij si kryengritje të vegjëlisë?
Haxhi Qamili âsht i pari nostalgjik për të cilin flet historia jonë. Pra, atij i takon me qenë ma i famshmi nostalgjik që na njofim. Ikja e Turqisë nga Shqipnia nuk pati depejzazhue vetëm Haxhi Qamilin. Nji pjesë e madhe e mehmurëve turq të perandorisë, që pinin kafe gjithë ditën dhe lëvrinin tespijet, e përjetuen si fund bote ajrin e ri të pavarësisë. Por Haxhi Qamili nuk âsht i vetmi nostalgjik i së vetmes periudhë nostalgjizmi në historinë tone të re. Mjerimi krijon partizanllëk të verbtë.
Enver Hoxha e përdhunoi mendimin e historianëve të asaj kohe lidhun me ketë figurë. Nostalgjikët e Enverit e mistifikojnë ket veprim të tij me idenë se “hajt, hajt se e dinte ai se ç’bënte”. Enveri kishte boshllëk kulturor dhe kur binte në sy për tê, imponohej me arrogance se mos merrej vesht deficienca e tij. Shenj vaniteti nga ana e tij.
19- Komunizmi është në kundërshtim me natyrën njerëzore, thotë Ernest Renan. Po ju?
Komunizmi âsht produkt kulturor, komunizëm në natyrë nuk ka. Në natyrë sundon gati gjithkund ligji i ma të fortit. Pra komunizmi âsht kundër natyrës ose kundër asaj sa na jemi ende natyrë mbas përpunimit tonë kulturor. Barazimi i njerzve sjell vrasjen e interesit. Interesit i bie me pasë edhe nji komponente instinktive. Pra në marrëdhaniet ekonomike interesi lidh prodhimin  me shpërndarjen. Për shkak të natyrës së dyfishtë të interesit, komunizmi âsht kundër natyrës aq sa ka element natyrorë në përbamjen e interesit.
20- ‘Mbahu nëno mos kij frikë, se ke djemtë në Amerikë’…premtim romantik apo përshkruese e rolit të Diasporës në jetën e Shqipërisë?
E kam pa gjithnji ketë vjershë të Nolit si propagandistike dhe panagjirike. Diasporat tona kanë qenë gjithnji indiferente. Ato kanë ndihmue pak në punët tona të mbrendshme. Tash sa vjet flitet se shqiptarët emigrantë mund dhe duhet të votojnë. Deri tashti hiç. Sa për ndihma nuk e di, por besoj se vetëm me vizitat e tyne në atdhe si turistë ata mund të kenë dhanë nji ndihmesë modeste dhe të parregullt. Sa shkon koha e ma indiferentë bâhen. Shteti shqiptar nuk po i josh sa e si duhet.
21- Feja e shqiptarit është shqiptaria! A është një kredo e tejkaluar?
Unë mendoj se shtete shum ma të “arrira” se na nuk kanë hjekë dorë prej devizash patriotike. Për sa kohë nji komb ka vorfni e skamje, patriotizmi âsht mnyrë e detyrueshme të menduemi, por edhe mnyrë efikase mobilizimi. Në kohën tonë kur kanë ra pak a shum ideologjitë, tek na patriotizmi nuk âsht bateri e shkarkueme plotsisht. Patriotizmi shqiptar gjithmonë ka qenë i pafat. Gjithmonë e kanë marrë për nacionalizëm. E nacionalizmi ka emën të keq në Europë. Ndër ne duhet të dalë dikush me bâ diferencën mes patriotizmit dhe nacionalizmit. Frika se mos shqetsohen fqinjët, na ka bâ thjesht patriotë me llafe.
22- Për këtë diell! Për ideal të Partisë! Për nder të familjes! Për Shqipëri apo, për Zotin?
Për besë, nuk di çfarë të them.
23- Tradita dhe folklori shqiptar njohin pritën dhe jo duelin. Pse?
Nji popull i vogël që nuk ka bâ kurr luftë totale, ndeshet gjithnji me vogëlsinë, brishtësinë dhe thyeshmëninë e vet. Dueli âsht barazi me kundërshtarin. Deri në Mesjetë kemi edhe duele, edhe kalorsiakizëm, por zakonisht kemi ndigjue për lufta që e konsiderojnë befasinë si kompensim të forcës së pamjaftueshme. Shqiptarët i kacavaren jetës, ata duen me jetue me çdo kusht, prandej edhe lakmojnë ma fort luftën joortodokse. Prita ka shanse të mdha fitorje dhe, për ma tepër, e mban anonim dorasin.
24- Duket se të gjithë e përdorin Kanunin si strehë: ca për të përligjur një veprim gjakatar e ca për të përkufizuar një impas social që nuk arrijnë ta shpjegojnë. A mund të jemi më pak kanonikë ndaj Kanunit?
Kanuni sot âsht vetëm nji pretekst. Ai si i tillë ka pushue së vepruemi, sepse të gjitha vrasjet që bâhen në emën të tij, nuk kryhen simbas tij. Kanuni âsht autorizimi i vetgjyqsisë në kushtet e mungesës së shtetit. Ai që vret sot âsht nji kanun inercial, nji hije e tij që merr landë në kushte kur prania e fuqia e shtetit zbehen, kur drejtësia nuk mund të japë drejtësi. Në kushtet e shpërbamjes së plotë të familjes patrialkale me ngjyresa të forta të hegjemonizmit mashkullor, ndjekja qoftë edhe joadekuate e Kanunit e rikthen disi ket autoritet. Sot ndoshta e vetmja mnyrë për t’u ndie burrë “si dikur” âsht imitimi i vetgjyqsisë simbas reminishencave e ritualit kanunor. Në kushtet e lëvizjes së lirë të shqiptarëve nëpër botë, impotenca e shtetit për të gjetë vrasësit a fajtorët rizgjon tek individë autoritetin historik të burrit dhe kshtu riafirmohet në prapavajtje struktura patrialkale e familjes, tashma në degradim e pa kthim mbrapa.
25- Çfarë u ndodh kur bëheni konician e mendoni ‘ky vend nuk bëhet’?
Nuk jam konitzian aspak. Ky vend po bâhet dhe s’ka se si ndryshe. Thjesht ideja e krahasimit me minimalet e të tjerëve vepron si deterrent dëshprimi mbi vetdijet tona, tue na dhanë shenja reference të lëvizshme dhe të pasigurta. Kjo jona ka qenë nji shoqni e “dekurajueme”. Kuraja  âsht element i madh mungues ndër ne. Na nuk kemi kurajo as me krijue nji sistem stabil matës të lëvizjes sonë. Shqiptarët kërkojnë ma mirë atdhena të gatshëm.
26- Kur dëgjoni ‘o sa mirë me qenë shqiptar!’ sikletoseni apo rrëqetheni?
Të jesh shqiptar  âsht  çeshtje identiteti, ontologji, ka të bâjë me qenien tonë. Problemet e qenies ende nuk vehen në relacion me diçka tjetër, pra nuk i nënshtrohen cilësimit moral si e mirë apo e keqe. Edhe akrepi âsht i mirë në vetvete. Shën Toma i Akuinit i njef sendeve tri vetitë e famshme unum, bonum, verum, çka do të thotë se në shkallë absolute me qenë âsht nji e drejtë parësore. Mbas qenies fillon njehsimi. Kjo parullë shum populiste në formë e që shpesh na ban të ndihemi edhe keq, âsht në fakt provokimi që ajo i ban qëndrimit tonë ndaj vetes dhe vetvlersimit tonë. Zotnimi i saktë i vetes nuk lejon që të lindë dëshira me e zotnue veten. Ekziston vetëm nji zotnim dhe ai âsht i mjaftueshëm. Me çka duhet na zotnohemi mungueshëm…
27- Kriza e zgjatur, ka bërë që në aula të ndryshme të formulohet ideja se kapitalizmi si rend ka dështuar, dhe nuk mund të kërkohet dalje nga kriza me mjetet e një sistemi që e solli krizën. A jemi në një botë pa rend shoqëror, por me ndarje të thella klasore?
Jetojmë në nji kapitalizëm të riafirmuem mbas dështimit të nji eksperimenti të dhimbshëm me viktima të shqueme dhe eponime. Mesa duket kapitalizmi zbutet kur ka rivalë. Kur âsht pa rival dhe i ripërtërihet mandati, kalon në çmenduni dhe adhuron foshnjërinë e vet. Rendi âsht dhe humnerat klasore janë, por rruga kah barazitarizmi âsht nji e keqe po aq e madhe. Historia ka në themelin e vet dilemën dhe kjo âsht dilema.
28- Një teolog e ka përkufizuar besimin e tij në Zot si zgjedhje të misterit në vend të absurdit, që do të ishte mosbesimi. Ju jeni në mister apo absurd? 
Nuk mendoj se besimi te Zoti âsht edhe aq fort mister. Teoria darëiniane mbeti esencialisht e pavërtetueme. Koha e domosdoshme për ndodhjen e evolucionit nuk përputhet me moshën e tokës dhe shumllojshmënia e specieve nuk përligjet me sasinë aritmetike të klimave e mikroklimave. Perendia âsht i shfaqun gjithkund si krijesë. Ai vetë âsht i pahulumtueshëm dhe na njerzit perden ku fillon e pahulumtueshmja e kemi për kollaj ta quejmë mosekzistencë. Trupi njerzor âsht i mbushun me zona e objekte ende të panjoftuna. Deri sa t’i zbulojmë s’do mend që do t’i konsiderojmë të paqena.
29- Fan Noli dhe prini gjerman von Ëied kanë qenë më jetëshkurtërit në pushtet ndër ata që kanë qeverisur Shqipërinë. A ka një shpjegim për këtë?
Fan Noli ishte politikan i keq, kurse princ von Wied ishte gjerman i mirë.
30- 1913, 1939, 1944, 1997…cilin konsideroni ‘Vit të mbrapshtë’ për shqiptarët?
Vit i mbrapshtë âsht ai që shenon historinë dhe pasojat ndihen ma vonë. Vit të mbrapshtë po quej 1939-ën që solli direkt periudhën e mbrapshtë të 1944-1990-ës.
31- Ka një alarm rreth ekzistencës së shtypit të shkruar. A do dhe si mund të mbijetojë?
Alarmet mund të jenë edhe njilloj frymëmarrje artificiale. Të jesh viktimë e teknologjisë në kohën tonë nuk âsht aspak e re dhe s’kemi pse të çuditemi. Na mbetet me u trishtue dhe me kalue në degën tjetër, poqese ka.
32- Cila është pyetja që gjithmonë keni dashur të bëni dhe kujt?
A më kupton?
33- Cila është pyetja që gjithmonë keni dashur t’ju bëjnë?
Pse nuk të kuptokam unë ty?

Nga Shpëtim Doda - Poetologjia e Kujtesës


Mira Meksi, Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë
1.Pas vellos së Afërditës
Mira Meksi Qysh nga tregimet dhe novelat e para, të përmbledhura nën titullin Mali i shpirtrave, e deri tek romani i saj i fundit, Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë, që po i vjen sot në dorë lexuesit, krijimtaria letrare e Mira Meksit është shpalosur qartazi si një nga zërat e rëndësishëm të Letrave Shqipe në përgjithësi, dhe më të fuqishëm dhe përfaqësues të Letrave Shqipe të periudhës pas rënies së regjimit totalitar në veçanti, më së paku për dy arsye thelbësore. Së pari, për praninë e dashurisë, një tematikë që ishte lënë pothuajse në zonat periferike të letërsisë shqipe të periudhës së realizmit socialist, por që Mira Meksi e ngërthen fort, e shndërron në tematikë qendrore të tërë krijimtarisë së saj letrare, duke e trajtuar në të tërë format, pamjet dhe rrafshet e saj. Së dyti, për risitë në drejtim të perspektivës poetologjike të rrëfimit; në pjesën dërrmuese të krijimtarisë së saj, janë më së tepërmi personazhet ata që na flasin dhe na rrëfejnë rreth vetvetes dhe rreth mjedisit shumëplanësh brenda të cilit jetojnë – mjedisit historik, politik, ekonomik, sociologjik, psikologjik, kulturor, ndërnjerëzor etj. – dhe ngjarjeve në të cilat gjenden të përfshirë. Dhe një gjë të këtillë e kryejnë përmes një tonaliteti dhe stili rrëfimtar krejt të natyrshëm dhe qartësisht të dallueshëm nga tonaliteti dhe stili i vetë autorit objektiv.
Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë është tërë sa më sipër, dhe përtej. Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe, kujtojmë. Është një vepër që ndjek me përpikmëri po të njëjtën dialektikë progresive të tërë veprave të mëparshme, është një sintetizim dhe zgjerim apo thellim i mëtejshëm i simotrave pararendëse, qoftë në rrafshin stilistik dhe poetologjik, qoftë në rrafshin tematik e përmbajtësor, duke shpalosur qartësisht dialektikën evolutive të shpirtit dhe personalitetit krijues të autorit.
Vështruar në dritën e kësaj dialektike, Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë ngërthen në vetvete një histori në të cilën dashuria rrezaton fërgëlluese deri në atë kufi të epërm dhe mistik ku dikotomia, diafragma ndarëse mes shpirtit dhe trupit, apo mes psikës dhe mishit, zerohet paqësisht, duke jetësuar dhe përndezur një mori shqisash, ndjesish, përjetimesh, perceptimesh, njohjesh dhe frymëmarrjesh të reja, prej nga melodia solistike ia lë vendin rrufeshëm simfonisë orkestrale:
Eunika e Mitilenës ia mori dorën dhe ia drejtoi viseve aq shumë të njohura, por krejt të panjohura për faltaren. E bëri të përshkonte tërë trupin e saj, duke e mësuar të dëgjonte muzikën që shkaktonin ledhet e dorës dhe të gishtrinjve mbi lëkurë; prekje pas prekjeje, Teuta dëgjoi dhe shijoi tingujt prej harpe që lëshonte qafa e saj e gjatë dhe e drejtë, frufrunë e mëndafshtë të barbitosit që dilte prej supeve të bardha, fërfëllimën e kordave të kitharës që i shpërthenin nga gjoksi i lartë dhe i fuqishëm, muzikën e pipizanes që drithmonin thithkat rozake e të majëta të gjoksit, melodinë e ëmbël prej lire të vitheve të kërcyera dhe mrekullisht të lëmuara, lutin që luhej nga harku i mermertë i belit; mbajti vesh me dorën mbi kërthizë frymëmarrjen e përvëluar të flautit të Panit që frymëzonte barku i saj i njomë dhe i paprekur, ndërsa frymëmarrja i shpeshtohej, dëgjoi tingëllimin e sistrave të llërëve të mbushura dhe, kur shkoi pranë fundbarkut dhe vuri dorën poshtë tij, buçiti muzika e timpanit dhe cimbalit që u bashkua me klithmën e kënaqësisë së saj…
Dhe, vështruar në thelbësoren e vet, Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë është pikërisht kjo: një simfoni, e cila dikton dhe udhëheq bindshëm jo vetëm jetën e personazheve, por edhe gjuhën, ritmin, shqisat dhe stilin e autorit. Dhe si e këtillë lipset edhe lexuar: një simfoni tronditëse mbi dashurinë, një simfoni që dikton dhe udhëheq bindshëm jo vetëm gjuhën, ritmin, shqisat dhe stilin e autorit, porse edhe frymën, ritmin, shqisat dhe përjetimet e lexuesit. Në këtë drejtim, dashuria është ura që e ndërlidh këtë roman me të tërë krijimtarinë pararendëse të Mira Meksit.
Ndërkaq, sikundërse u shprehëm edhe më lart, Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë është shumë më tepër se kaq, duke u shpalosur mjaft bindshëm si një prurje krejt e veçantë në letërsinë shqipe bashkëkohore. Njëlloj siç ndodh tek e tërë krijimtaria pararendëse e Mira Meksit, edhe në këtë roman, dashuria luan një funksion poetologjik shumë më të ndërlikuar sesa thjesht njëtopoi letrar; është pikënisje, apo më saktë porta e një labirinti – një portë që e shpërhap lexuesin drejt skenarësh të tjerë, drejt përvojash, përjetimesh, problematikash dhe gjeografish të tjera të jetës dhe të psikës njerëzore. Kështu, për shembull, tek Zonja plakë e Parisit, dashuria është porta që na shpërhap drejt labirintit të vdekjes; tek Porfida – Ballo në Versailles, është porta që na shpërhap drejt labirintit të lirisë; tek E kuqja e demave, është porta që na shpërhap drejt labirintit të së padukshmes, e kështu me radhë. Vështruar në këtë drejtim, njëlloj si pjesa tjetër e krijimtarisë letrare të Mira Meksit, edhe Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë nuk është një roman dashurie, letërsi rozë, si të thuash, që mund të lexohet – apo më saktë, të konsumohet – gjatë pushimeve në bregdet. Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë është roman mbi dashurinë, dhe kurrsesi jo një roman dashurie; funksioni poetologjik i dashurisë është ai i një pikënisjeje, i një porte labirinthore, dhe asesi jo ai i përcaktuesit apo përcaktorit tëzhanrit të rrëfimit. Vështruar nga kjo qasje, Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë është vepër mnemotike, rrëfim i Kujtesës, është letërsi me ngjyrën arketipore të Kohës, dhe jo letërsi rozë. Dhe si i këtillë lipset lexuar, përjetuar dhe interpretuar.
2.Poetologjia e Kujtesës
Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë është simfoni, një simfoni e Kujtesës, një simfoni tronditëse e Kujtesës mbi dashurinë. Si e këtillë, është një roman që dallohet qartësisht nga tërë krijimet pararendëse, duke shenjuar një pikë më të lartë në dialektikën progresive të krijimtarisë letrare të Mira Meksit.
Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë nuk është asesi e para vepër që mbështetet tek Kujtesa; përkundrazi, Kujtesa është po aq e pranishme edhe në krijimet pararendëse, qoftë tek tregimet, siç shfaqen Kukullat binjakeBuzë të panjohura gruaje etj., qoftë tek romanet, siç shfaqen Porfida – Ballo në Versailles dhe E kuqja e demave. Porse, në ndryshim nga krijimet pararendëse,Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë nuk është roman mbi Kujtesën, por i Kujtesës; që shprehimisht do të thotë se, krejt ndryshe nga sa vërejmë në krijimet pararendëse, në këtë roman Kujtesa mbulon një funksion poetologjik shumë më të gjerë dhe shumë më të ndërlikuar; madje, shkrihet njështazi me vetë poetikën e romanit.
 a) Kujtesa si zëri rrëfimtar
Kujtesa, sikundërse u shprehëm edhe më lart, është e pranishme në një pjesë jo të vogël të krijimeve pararendëse të Mira Meksit. Tek krijimet në fjalë, Kujtesa na jepet qartësisht si pjesë e përmbajtjes poetike, në trajtën herë të një nevoje të domosdoshme, dhe herë të një përvoje të personazhit; shkurt, është objekt, prej nga krijimet në fjalë janë krijime mbi Kujtesën. Ndryshe nga krijimet pararendëse, tek Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë, Kujtesa, më së pari, nuk na jepet si pjesë e përmbajtjes poetike, por e poetikës së përmbajtjes; më pas, nuk na jepet si objekt, por si subjekt, e hipostatizuar mistikisht, jo antropomorfikisht, si shqisa e një figure totemike ilire, Gjarpërit, duke na treguar në mënyrë të goditur se fjala nuk është kurrsesi për kujtesën individuale, siç e hasim tek krijimet pararendëse, por për Kujtesën kolektive, e ikonizuar më se një herë në roman si “e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja” e shpirtit të një populli. Krahas zgjerimit të saj, nga individuale, në kolektive, dhe hipostatizimit, e shndërrimit të saj nga një objekt, në një subjekt, Kujtesa, ndryshe nga sa vërejmë tek krijimet pararendëse, nuk është objekt i rrëfyer, por subjekt rrëfyes; është jo vetëm burim i parmë, por edhe rrëfimtar i parmë i vetë rrëfimit, brenda të cilit gjallojnë edhe personazhet që luajnë rolin e rrëfimtarit. Ndryshe nga sa vërejmë tek krijimet pararendëse, Mira Meksi nuk na shpërfaqet, përpos se në rolin e autorit objektiv, edhe si rrëfimtar i parmë; përkundrazi, tek Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë, është gjatë tërë rrëfimit “goja” e rrëfimtarit të parmë, e Kujtesës, duke u shpërfaqur në rolin e rrëfimtarit vetëm një çast të vetëm, në pikën përmbyllëse të romanit, i cili shtrihet pak më tepër sesa vetë rrëfimi. Kjo është arsyeja se përse rrëfimi i ngjarjeve ndalet pikërisht në atë pikë ku ndalet edhe vetë Kujtesa e Gjarpërit, e cila nuk shenjon fundin, por tërheqjen e saj nga shpalosja, zbulesa. Ndalesa e Kujtesës sjell vetveishëm fshirjen e objektit të Kujtesës dhe, për rrjedhojë, edhe fundin e vetë rrëfimit. Aty ku nuk ka Kujtesë, nuk ka as botë; dhe aty ku nuk ka botë, nuk ka as vend për rrëfimin.
Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë është roman mnemotik, është një rrëfim i Kujtesës, e cila na e shpalos vetveten jo duke treguar domosdoshmërisht për apo rreth vetvetes, por thjesht dhe vetëm duke rrëfyer; të rrëfyerit, madje, është e vetmja formë e vetëshpalosjes së Kujtesës; aty ku nuk ka rrëfim, nuk ka as botë; dhe aty ku nuk ka botë, nuk ka as Kujtesë. Bota, Kujtesa dhe Rrëfimi janë sa thelbësisht, aq edhe qenësisht të ndërvarur, dhe Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë është fryt dhe shpalosje e kësaj yjësie.
Ndërveshja e Kujtesës me një rol të këtillë poetologjik, me atë të rrëfimtarit të parmë, kryen edhe një funksion tjetër; atë të ndriçimit të marrëdhënieve mes Kujtesës dhe Historisë. Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë shtratëzohet brenda një konteksti të caktuar historik, shekulli III para Krishtit, i cili na jepet i rijetësuar me përpikmëri dhe në të tërë gjerësinë e vet, nga konteksti ekonomik, gjeopolitik dhe etik, tek ai shoqëror, shpirtëror dhe kulturor, – në kuptimin më të gjerë dhe gjithëpërfshirës të fjalës, pjesë e të cilit është edhe botëkuptimi, – duke shfrytëzuar një larmi burimesh, nga tekstet letrarë, filozofikë, politikë, historikë dhe shkencorë të kohës, deri tek studimet më të fundit të kohëve tona. E megjithatë, pavarësisht rijetësimit me përpikmëri të mjedisit dhe kontekstit historik të shekullit III para Krishtit, sërish Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë nuk mund, dhe nuk duhet të vështrohet kurrsesi si një roman historik, në kuptimin romantik të fjalës, një zhanër ky i anashkaluar prej më se një shekulli tashmë. Tek Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë, mjedisi, konteksti dhe, për më tepër, ngjarjet historike, ndonëse pasqyrohen me përpikmëri, nuk jepen asesi si një qëllim në vetvete, si prirje për të na i paraqitur dhe ofruar të shkuarën me vërtetësi objektive, “wie es eigentlich ist gewesen”, siç tingëllon edhe motoja e historicizmit; përkundrazi, i nënshtrohen ligjësive, qëllimeve dhe nevojave poetologjike të rrëfimit; më konkretisht, shërbejnë për t’i dhënë më tepër peshë personazheve, – sidomos personazheve historikë, të cilët vijojnë ende sot e gjithë ditën që të qëndrojnë të varrosur në zgafellat e saj të terrishta, – pikërisht atyre personazheve që na ofrojnë një pamësi dhe një këndvështrim krejt të ri rreth vetë ngjarjeve, krejt të ndryshëm nga ata që hasim nëpër manualet e Historisë si shkencës. Vendosja e ngjarjeve historike në funksion të personazheve, nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, ndërveshja e Kujtesës me petkat e rrëfimtarit të parmë, ofrojnë një pamësi krejt tjetër të Historisë. Vështruar nga ky drejtim, Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë është roman krejt i veçantë; është roman historik sipas kuptimësisë zanafillore të fjalës – një kuptimësi kjo e rimarrë dhe e lëvruar fillimisht nga Croce, dhe më pas nga historianët dhe filozofët e historisë që u shfaqën në kohët pasmoderne, kryesisht nga fenomenologët, mes të cilëve spikatin prurjet e Ricœur-it, Duby-së dhe Rochlitz-it, dhe dekonstruksionalistët, mes të cilëve spikatin prurjet e White-it, Jenkins-it, Musnlow-t etj., pa anashkaluar ndërkaq prurjet e Le Goff-it, sidomos tek Historia dhe Kujtesa (Histoire et mémoire).
Tek Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë, mes Kujtesës dhe Historisë ekziston, së pari, një marrëdhënie jo dikotomike, por gjenetikedhe gjenealogjike: Historia është pjesë e Kujtesës, e cila, nga ana e saj, është shqisa e Shpirtit. Jo vetëm kaq: Historia buron nga Kujtesa, dhe jo Kujtesa nga Historia – një pamësi kjo e cila i brendashkruhet përpikmërisht kontekstit kulturor dhe botëkuptimor të kohës rrëfimtare, në të cilin Clio – Muza e Historisë – ishte bijë e Mnimosinës – hyjneshës së Kujtesës. Për rrjedhojë, historia që hasim tek ky roman i Mira Meksit, nuk është një përftesë dhe pamje historiografike, por mnemotike; s’është fryt dhe paraqitje e analizave shkencëristike të individit, – historianit, – por fryt dhe paraqitje e Kujtesës, e shqisës së Shpirtit; është fryt dhe paraqitje e jetës së Shpirtit. Në këtë drejtim, karakteri historik i nënshtrohet frymës, poetologjisë dhe poetikës mnemotike të romanit, dhe jo e anasjellta. Së dyti, marrëdhënia mes Historisë dhe Kujtesës s’është aspak kundërvënëse, porpërplotësuese: Kujtesa përplotëson Historinë, jo Historia Kujtesën. Historia është e fundme, e përkohshme; ngjarjet lindin, zhvillohen dhe shuhen në mënyrë të pakthyeshme, duke u padukësuar paq; ajo çfarë mbetet prej tyre është vetëm lëndëmnemotike, është vetë Kujtesa si shqisa e Shpirtit, e cila është e pafundme. Parë nga kjo qasje, përmes poetologjizimit të Kujtesës, ndërveshjes së saj me petkat e rrëfimtarit të parmë, Mira Meksi e flak tej atë diafragmë ndarëse që Aristoteli pati vendosur mes shkrimtarit dhe historianit, në librin e dytë të Poetikës; duke qenë një rrëfim i Kujtesës, Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë synon të na ri-kthejë në jetësi, qenësi dhe dukësi atë që historiografia flaku në terrishtat e pajetësisë, e paqenësisë dhe padukësisë. Fjala është për një synim që Letërsia mund t’ia arrijë; edhe ajo, njëlloj si Historia, është bijë e Kujtesës. Për të qenë efikase dhe kohëgjatë në prurjet e tyre, qoftë Historia, qoftë Letërsia, nuk kanë rrugë tjetër përpos se të ruajnë lidhjet e tyre gjenetike dhe gjenealogjike me Kujtesën dhe me arketipet e saj të përjetshëm, të cilët janë të aftë që të ndriçojnë të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e një populli, vetë éthosin e tij. Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë është një shembull i qashtërt në këtë drejtim; në faqet e tij hasim jo historinë e Ilirisë, por të Shpirtit të Ilirisë. Pamësitë që Teuta ka për të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen, qoftë sa i përket fatit të saj, qoftë sa i përket fatit të vetë Ilirisë, burojnë drejtpërsëdrejti nga Kujtesa, nga vështrimi i gjithçkaje me shqisën e Gjarpërit, e “Shpirtit të Ilirisë”.
Me dritën e syve të ogurit të madh, në lëndën e kozmosit, Teuta arriti të shihte gjithçka që mbinte nga kohërat dhe arratisej drejt kohërave pa rend e pa kohë të përcaktuar, sikur të ndodhte atij çasti, në një vorbullirë marramendëse mjegullinash: në mugullinë e kaltër të krijimit pa të parët e dheut të saj me prejardhje hyjnish, pa Kadmin dhe Harmoninë dhe Ilyriosin dhe Rhizonin, pa mëpastaj Enkelejtë, Taulantët, Ardianët, Labeatët dhe të tjerët, pa të pesëmbëdhjetë mbretërit ilirë, pa urtarët pellazgë përpara tyre me mjekra të bardha të gjata gjer në brez dhe flokë që u arrinin gjer te thembrat e këmbëve, pa foshnjet e Ilirisë që shtrëngonin në dorën njomzake gjarpërthin prej bronxi [...], pa perëditë ilire, statujat dhe tempujt e tyre nëpër pyje dhe buzë krojeve [...], pa keltët trupmëdhenj e të zhveshur, dinakë e barbarë, me shpata vigane që sulmonin fshatrat ilire dhe u vinin zjarrin, pa beteja të shumta që s’u dukeshin motet dhe që shfaqeshin si pika të panumërta shiu përpara syve të saj [...], pa veten e saj me kurorën e një mbretëreshe të vrarë mbi flokë dhe vdekjen e një mbreti në krahët e saj, pa betejat e të tjerëve dhe betejat e saj [...], pa Afërditën në universin e pavdekshëm me lëndën e dashurisë që dilte nga zemra e saj dhe shndërrohej në pije për hyjnitë, pa kupën e mbushur buzë më buzë me atë pije ngjyrëgjaku që lagu buzët e saj sikur të ishte edhe ajo njësh me perënditë, pa tradhti dhe pabesi që prisnin jetë si tehu i kosares barin [...], pa në mbarim një labirint të errët, të koklavitur dhe të frikshëm si ai i Kretës së Minosit, në fund të të cilit nuk kishte dritë dhe që ishte Vdekja, dhe atëherë kuptoi se fati i saj diktuar nga Zotat e qiellit ishte Iliria, dashuria, dhe vdekja prej Ilirisë dhe dashurisë….
b) Kujtesa si strukturë dhe formë rrëfimtare
Mira Meksi - Mallkimi i priftereshave te Ilirise - KopertinaNë çdo krijim, jo vetëm artistik, është thuajse e pamundur që krijuesi lë mos lërë një gjurmë të vetën. E pashlyeshme. Tek opuset e tij, Beethoven-i la pashlyeshëm betejën dhe triumfin e tij ndaj shurdhësisë. Tek Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë, e cila është një simfoni mbi dashurinë dhe lavdinë e Teutës dhe Ilirisë së shekullit III para Krishtit, Kujtesa ka lënë pashlyeshëm formën dhe frymën e vet, të gjurmëzuar tek struktura dhe forma rrëfimtare e romanit si një simfoni e kompozuar, e drejtuar dhe e luajtur prej saj, jo prej autorit objektiv, i cili qëndron i strukur alla Kafka brenda Kujtesës si shqisa e Shpirtit të Ilirisë.
Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë përbëhet nga tri pjesë, të cilat i përgjigjen tri regjioneve anatomike të gjarpërit: koka, trupi, bishti. Strukturimi i tri pjesëve, ndërkaq, ndjek anatominë e trupit të gjarpërit duke u nisur jo thjesht nga tiparet formale (shprehimisht: koka/fillimi, trupi/zhvillimi, bishti/fundi), por nga tiparet thelbësore, nga funksionet dhe nga rëndësia e pjesëve brenda organizmit si një i tërë. Në këtë drejtim, do të mjaftonte të sillnim në vëmendje se, njëlloj si tërë romanet pararendës, Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë fillon me një anticlimax të qashtër, çka nën dritën e rendit formal të anatomisë së trupit të gjarpërit do të përkonte me bishtin, jo me kokën, ndërkohë që nën dritën e funksionit poetik dhe poetologjik, përkon vërtet me kokën, për aq sa paraqet personazhet kryesorë, figurën dhe gjendjen shpirtërore të protagonistes, Teutës, pozicionin e saj brenda mozaikut të ngjarjeve, por edhe jashtë tij, në rolin e dritëhedhëses mbi traumën qendrore të romanit, fatin e saj, i lidhur ngushtësisht me fatin e Ilirisë, duke na dhënë kësisoj fijëzimet e tij kryesore. Për nga vetë rëndësia që shpërfaq, pjesa e parë e romanit sundohet nga një rrëfim ikonografik, i mundësuar dhe diktuar paq nga prania e hyut të Ilirisë, i cili thadrohet me durim asketik në çdo luspë, në çdo lëvizje, në çdo frymëmarrje. Fjala është për një përmasë ikonografike pashmangshmërisht të domosdoshme, e kërkuar dhe kushtëzuar nga nevojat dhe ligjësitë e poetikës së personazhit, në veçanti, dhe romanit si një i tërë, në përgjithësi, njëlloj siç ndodh tek E kuqja e demave; dhe kjo për aq sa mes hyut të Ilirisë, Gjarpërit Ilyrios, dhe protagonistes, Teutës, jetësohet një marrëdhënie e ngushtë, në mos përnjësuese, më së paku mishëruese: “Je [viz. Teuta] mishërimi njerëzor i hyut Gjarpër, por s’je hyjni”, kumbon zëri i një prej faltareve. Falë, dhe nën dritën e kësaj marrëdhënieje, sikundërse ndodh me figurën e Gjarpërit, në pjesën e parë të romanit skulptura e Teutës thadrohet sipas të njëjtës përmasë ikonografike, duke u përshkruar dhe perceptuar jo vetëm në rrafshin individual, por edhe kolektiv, si pjesë thelbësore e ndërgjegjes dhe e psikozës kolektive ilire, si mishërimi i shpirtit të Ilirisë. Në këtë drejtim, figura e Teutës na shpaloset sipas një ikonografie të dyfishtë, nën dritën e jetës së gjarpërit dhe në atë të një vdektareje, të një gruaje, duke hedhur dritë të bollshme rreth formave dhe mekanizmave që ndërgjegjja dhe psikoza kolektive vendos në lëvizje gjatë transsubstancializimit, shndërrimit të heroit individual në hero kolektiv, në pjesë e identitetit dhe një gurthemel i tij; ndonëse aspak e farëhyjshme, por antropogjene, ndërgjegjja dhe psikoza kolektive ilire eteogjenizon mbretëreshën e vet, duke parë tek ajo pikën që i lidhte me hyun e tyre, me vetë shpirtin ilir.
Pjesa e dytë, ndërkaq, përkon vërtet me trupin dhe funksionet e tij, prej nga përshkrimi ikonografik ia lë vendin përshkrimit dinamik, lëvizjes zigzage, aksionit. Po ashtu, pjesa e tretë përkon vërtet me bishtin dhe me funksionet e tij. Shkimtazi si në rastin e gjarpërit, edhe në këtë roman, bishti është një “timor drejtues” jo vetëm i ngjarjeve të romanit, por edhe i të lexuarit, të kuptuarit dhe të interpretuarit të tij; vetëm në këtë pjesë, lexuesi mëson qartazi rrëfimtarin e vërtetë dhe thelbin, natyrën dhe përmasën mnemotike të rrëfimit: Kujtesa si Shpirti i Ilirisë.
Gjurmëzimi që autori lë në strukturën e rrëfimit, ndërkaq, nuk prek vetëm përmbajtjen e formës, por edhe formën e përmbajtjes. Në këtë drejtim, natyra gjarpërore e rrëfimit shpaloset qartazi tek kuadri i tij kohë-hapësinor; shprehimisht, tek vijimësia kohore dhe gjarpërimet mjaft të dendura hapësinore, jo vetëm të Teutës, e cila shpërfaqet si spirale mes dy botësh, asaj hyjnore dhe njerëzore, individuale dhe kolektive, trupore dhe shpirtërore, tokësore dhe qiellore (viz. “Jam Teuta e Ilirisë…”, fq. 316), por edhe të personazheve të tjerë, që gjarpërojnë nga një situatë në tjetrën, nga një gjeografi në tjetrën, nga një hapësirë përjetimesh në tjetrën, nga një hapësirë marrëdhëniesh në tjetrën, nga një kulturë në tjetrën, nga një luftë në tjetrën, apo nga një pakt në tjetrin, nga një dramë në tjetrën, duke na dhënë jo vetëm një mori gjarpërushash, por edhe një rrëfim gjarpëror, i cili herë zgjerohet dhe herë tkurret, herë tensionohet dhe herë shtensionohet, duke u shumëfishuar vazhdimisht në vetvete.
Së fundmi, natyrën gjarpërore të rrëfimit e hasim lehtësisht tek gjuha, tek stili, digresionet dhe sintaksa – e cila është fryma dhe frymëmarrja e një rrëfimi, ku spikasin fjalitë e gjera dhe labirinthore, me uljengritje dramatike dhe plot kthesa të befasishme, me ritmikën në lëvizje, herë e ngadaltë, dhe herë rrëmbyese, të cilat shpejt do të kthehen në pulsime, valë të rrahjezemrës së shqisës dhe kujtesës së lexuesit.
Dhe Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë është pikërisht kjo: një rrëfim, një simfoni e Kujtesës drejtuar një kujtese, për të strehuar brenda saj kujtimin e dashurisë dhe lavdisë së një mbretëreshe që, përveçse shpirti, mbrojtja dhe përsëritëse e prejardhjes hyjnore të popullit të saj, zgjodhi të ishte njeri dhe grua. Pa kursyer as jetën.

Visar Zhiti/ Antologji për lajmëtarët e vrarë të Europës


Antologjia, e para e këtij lloji në letrat shqipe, shpalos jetët dhe krijimtarinë e autorëve të vrarë, një pjesë e të cilave vijnë për herë të parë për publikun shqiptar.
visar zhitiTragjizmi dhe nderimi ngrihen si dy emblema brenda një vepre, e cila vjen për herë të parë në llojin e saj në letrat shqipe, e ndoshta botime të tilla nuk gjenden as në vende të tjera, sepse asnjë diktaturë nuk ka vrarë dhe dënuar aq shumë shkrimtarë të popullit të vet sa ajo shqiptare me Enver Hoxhën në krye.
Ishte pikërisht kjo ndjesi por edhe dëshira për të dokumentuar jetët dhe krijimtarinë e një shtrese intelektualësh të shquar, të pushkatuar apo të vdekur burgjeve e internimeve, një pjesë të mirë të të cilave ky libër i sjell për herë të parë, që e çuan shkrimtarin Visar Zhiti të botonte së fundmi librin e tij më të ri, të titulluar “Lajmëtarë të Europës”; një antologji e të vrarëve. Ky libër vjen si botim i dy shtëpive botuese,“Omsca-1” dhe UET PRESS, nga Universiteti Europian i Tiranës.
Të gjitha këto vijnë të paraprira nga një parathënie-studim dhe nga një portret letrar biobibliografik për secilin autor, të shkruar nga autori Zhiti. Antologjia shpalos vlera të larta morale të jetëve të autorëve të përzgjedhur dhe vlera të larta artistike nga krijimtaria e tyre; poezi, prozë, memuare, sentenca etj., një pjesë e të cilave dalin për herë të parë, të paraprira nga një parathënie-studim, si dhe nga një portret letrar biobibliografik për secilin autor, të punuar me dashuri e dhimbje nga ideatori dhe përgatitësi i antologjisë, Visar Zhiti.
Vepra ngërthen në vetvete etikë dhe estetikë së bashku, kujtesë, tragjizëm, drejtësi, nderim, por mbi të gjitha është një tekst letrar, një antologji mbarëkombëtare, e para e këtij lloji në letrat shqipe. Ndoshta as në vende të tjera nuk ka botime të tilla, sepse asnjë diktaturë nuk ka vrarë dhe dënuar aq shumë shkrimtarë të popullit të vet sa ajo shqiptare me Enver Hoxhën në krye.
kopertina-visar-zhiti-antologji-_-print-600x419Autorët e përzgjedhur janë emra të shquar, intelektualë të lartë, një pjesë pak të njohur, të laureuar në universitete të ndryshme të Europës, në Austri e Itali, Francë, Gjermani, Greqi, në universitete amerikane si në Turqi, por dhe në Bashkimin Sovjetik, Jugosllavi etj., të gjithë kundërshtarë të diktaturave, fashiste, komuniste, të vrarë me gjyq dhe pa gjyq nga shteti i tyre në kohë paqeje gjatë sundimit të tiranisë dhe në luftën e fundit të Kosovës.
Antologjia tregon bindshëm se në Shqipëri, gjatë sundimit komunist nuk ka pasur vetëm viktima, por edhe disidentë, kundërshtarë dhe martirë të pavdekshëm, që i bashkon dashuria për liri e atdhe, kultura europiane dhe ëndrra europiane. Prandaj dhe janë mbiquajtur “Lajmëtarë të Europës”.
Po kështu, antologjia është hap i mëtejshëm i mendimit dhe i veprimit, që shpreh se shqiptarët janë të aftë dhe duhet që nga persekutimi i rëndë dhe vuajtja e madhe jo vetëm të përkujtojnë e të ndjehen krenarë për sakrificat, por të nxjerrim përvojë, vlera dhe ide, që i shërbejnë së tashmes dhe ardhmërisë.
Ajo që e bën më aktuale dhe ende më të çmuar antologjinë, është fakti se autorët e vrarë që përfshihen, shikohen si përfaqësuesit e lartë të të gjithë pararendësve të demokracisë të një Shqipërie europiane dhe ndjehen ende forcë vepruese.
Duke u botuar pikërisht nga Universiteti Europian i Tiranës, metafora e kësaj antologjie merr vlerën e përmbushjes shpirtërore të një testamenti për të gjithë shqiptarët, sidomos për të rinjtë.

Akademik Prof.dr.PhD. Rexhep Qosja mbi çthurjet ideologjike në shoqërinë shqiptare dhe eksperimentin proserb të ashtuquajtur “kombi kosovar”.

AKADEMIK REXHEP QOSJA Ideologjia e shpërbërjes – trajtesë mbi idetë çintegruese në shoqërinë e sotme shqiptare Argumente të shpikura për “k...