Agjencioni floripress.blogspot.com

2014/12/28

Plani ogurzi i Gavriçit

Plani ogurzi i Gavriçit

Agim Muhaxhiri

Shtetasi i Serbisë, Sllobodan Gavriçi, i kapur “me presh në dorë” në Prishtinë nuk arriti ta ngrejë në ajër Katedralen… Po të mos hetohej me kohë, akti i tij terrorist do të kishte përmasa tragjike.

Policia jonë kësaj radhe e dha provimin, nuk lejoi që tipi ta realizojë ëndrrën e tij. Kush është Gavriçi? Veproi ai krye në vete apo prapa tij qëndron rrjeti i grupit kriminal?

Tipi, Sllobodan Gavriç, në Prishtinë, kapet “me presh në dorë”. Në makinën e tij “Reno kilo”, me targa të Beogradit, policia gjeti 13 kilogramë material shpërthyes dhe hartat e qytetit të Prishtinës.

“Corpus delicti” flet për synimin e tij kriminal, terrorizmin, këtë të keqe botërore.

Nuk arriti ai ta “dridhë” Prishtinën, të hyjë në histori si “hero serb”.

Aktet terroriste, qofshin ato në tentativë, nuk i toleron asnjë shtet normal, i ndëshkon ashpër. Kështu duhet të veprojë edhe Kosova.

Assesi, në asnjë mënyrë s’duhet të ketë mëshirë ndaj atyre që kanë pikësynim vrasjen e njerëzve.

Ai kishte ndërmend ta kryente sulmin terrorist në kryeqendrën tonë. Por, falë vigjilencës së hetuesve tanë akti i tij mbeti në tentativë.

Gavriç përfundoi brenda grilave.

Kush është Gavriçi? Sipas të dhënave të para, për të thuhet se është nga Beogradi, i lindur më 24 prill 1968.

Hetuesit do ta sqarojnë të kaluarën e tij, është tip kriminogjen, apo jo. Veproi ai si individ, apo prapa tij qëndron ndonjë grup kriminal?

Çfarë ishte ai material shpërthyes? Cili ishte plani i tij?

Sipas të dhënave të para, plani i tij ishte që materialin shpërthyes ta vendosë në Katedralen e Prishtinës, tempullin kishtar që gjendet në qendër të qytetit.

Lajmin për paraburgosjen e tij e publikon edhe gazeta online “Veçernje novosti” të titulluar “Paraburgoset serbi në Prishtinë me 13 kilogramë eksploziv, dyshohet për përgatitjen e sulmit terrorist”. Kjo gazetë shprehte interesimin se a ka bashkëpunim ministri i Brendshëm i Kosovës, Skënder Hyseni, me pushtetarët e Beogradit.

Kjo gazetë merakoset se kush e “tradhtoi” Gavriçin të kapet inflagranti.

“Babadimri” serb hyn në Kosovë, vendoset në një dhomë të hotelit “Grand Prishtina”, më 24 dhjetor, natën e Kërshëndellave. Adaptohet në këtë hotel dhe të nesërmen shkon në Serbi e merr materialin shpërthyes. Vazhdon rrugëtimin e tij për në Prishtinë. E kalon kufirin pa u “hetuar”. Kujtoi ai se e ka kryer punën dhe se i ka mbetur vetëm ta ndezë fitilin, ta ngritë në ajër objektin që e kishte planifikuar. Kjo është enigma, të cilën do ta sqarojnë hetuesit dhe prokurori i Shtetit.

Natën e dytë të Kërshëndellave, më 25 dhjetor, i dështoi plani serbit, Sllobodan Gavriç, për të kryer aktin e tij terrorist që do të kishte përmasa tragjike. Plani i tij ra në ujë, ngase Policia e Kosovës e kishte pasur në shënjestër, arriti ta zmbrapsë sulmin e tij, ta arrestojë.

Po të mos e kishte nuhatur Policia “ekskursionin” e këtij serbi, sulmi i paramenduar i tij do të kishte përmasa tragjike. Policia jonë e dha provimin, “ia kapi prej dore fitilin” këtij të pandehurit.

Vigjilenca e saj (policisë) bëri që të mos ndodhë hataja.

Operacioni policor i efektshëm, tregon se kemi hetues, kriminalistë të përsosur që i dalin zot shtetit.

Po të kapej ndonjë shqiptar, të vepronte njëjtë si Gavriçi, në Beograd apo në ndonjë qytet tjetër të Serbisë, serbët do ta “kallnin” edhe OKB-në, do të kishin llomotitur: Ja kush janë shqiptarët, ju kemi thënë se ata janë terroristë, ju po i mikloni… Dhe apriori bashkësia ndërkombëtare do të krijonte imazh të keq për Kosovën.

Keqkuptimet reciproke të medies me Edi Ramën në Kosovë

Keqkuptimet reciproke të medies me Edi Ramën në Kosovë
Mero Baze


Ka një vërshim komentesh negative të medies nga Kosova mbi takimin e Edi Ramës në Prishtinë, dhe sidomos komentet e tij të shpenguara gjatë debatit me medien apo qytetarë të ftuar në takim.

Disa kritikojnë stilin e tij të vrazhdë apo cinik, të tjerë klientelizmin apo shoqërinë me Batonin, dhe të tjerë vështrimin e tij mbi pozitën e shqiptarëve në Ballkan.

E gjitha tregon se ka një keqkuptim dypalësh mes shqiptarëve të Kosovës, që duan ta shikojnë Edi Ramën si kryeministër të të gjithë shqiptarëve dhe doemos serioz, autoritar dhe burrë shteti.

Dhe Edi Ramën, që e shikon Kosovën si një shtojcë të shoqërisë shqiptare në Tiranë, ku doemos media duhet të jetë si e Tiranës, politikanët po si këtu, e mbi të gjitha, që mendon se ia njohin jo vetëm meritat, por edhe huqet.

Një skenë ilustruese e shkëlqyer e këtij mentaliteti, ishte kur Edi Rama kthehej nga Serbia përmes Preshevës dhe pastaj nëpër Kosovë, i shoqëruar nga dhjetëra vetura me flamuj kombëtar.

I dërmuarr nga rruga dhe udhëtimi i gjatë, ai u prit në Prizren nga zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj me disa politikanë lokalë, të cilët duhet ta shoqëronin në drekën e vonuar të tij. Sapo u ulën dhe nisën të hanin, zëvendëskryeministri i Kosovës u ngrit në këmbë të çonte një dolli për Edi Ramën si kryeministër të të gjithë shqiptarëve, për “aktin heroik” që kishte kryer në Beograd.

Rama, në të vërtetë jo vetëm që nuk e la të ngrinte dollinë, po ia preu vrazhdë, siç e ka zakon “lëri këto budallallëqe tani, por na bjer të hamë se vdiqëm…” Dhe kur e pa hutimin e tij në fytyrë, u kthye nga gazetarët që kishte në krah, duke i thënë: “shikoni si janë bërë, vdiqën për të ngrënë. Lërini këto tani…”

Kjo mizaskenë ilustron më së miri konfliktin që ai prodhon natyrshëm në një vend ku duan ta shikojnë edhe si udhëheqësin e tyre, me huqet e tij tokësore për ta dominuar një mjedis, me veset e veta, dhe jo me virtytet e veta.

Në këtë aspekt, shqiptarët e Kosovës duhet të gëzohen që në Tiranë është një kryeministër që nuk dëshiron të jetë dhe i tyre. Dhe nuk ka asnjë pengesë për t’u sjellë siç sillet në Shqipëri, plot cinizëm, arrogancë dhe veneracion ndaj dikujt, edhe pse pa ndonjë shkak. Ashtu është gatuar dhe është mirë që e ruan gjithandej identitetin e tij.

Përpara tij, Shqipëria ka pasur një kryeministër si Sali Berisha, që ka hyrë në konflikt real me çdo lider në Kosovë, se donte të ishte protektor i tyre. E tentoi me Ibrahim Rugovën derisa ai “i vuri kufirin tek thana” dhe nuk e pranoi në Kosovë sa ishte gjallë. Tentoi ta bëjë me Hashim Thaçin e kështu me radhë.

Edi Rama është mirë që nuk e ka ndjenjën e paternalizmit mbi Kosovën dhe politikanët atje, dhe akoma më mirë që sillet ashtu siç sillet gjithandej, krejt anormal për të qenë një kryeministër siç i ëndërrojmë ne “burrat e shtetit”.

Deri këtu unë nuk kam asnjë rezervë për Edi Ramën, edhe pse kolegët e mi në Kosovë më duken të skandalizuar. Nuk kam rezerva as për fjalimin e tij dhe kritikat për vizionin e shqiptarëve drejt Europës, edhe pse e ka tepruar duke e analizuar si shkrimtar rrezikun e lodhjes së Ballkanit drejt Europës.

Ajo ku Edi Rama gabon, ka të bëjë me moskujdesin që ai tregon për të kthyer lidhjet personale, në mesazhe kombëtare, dhe në dëmin që shkakton pa qenë nevoja me këto mesazhe.

Kur them se ai nuk është paternalist ndaj politikës së Kosovës dhe i ka bezdi elozhet si kryeministër i gjithë shqiptarëve, kam parasysh që kjo është një vlerë perëndimore e tij.

Por, atë që nuk e bën me politikën, e bën pa dashje me medien në Kosovë, duke rënë pre e lidhjeve të tij klienteliste, të cilat edhe kur nuk i merr seriozisht, i bën serioze për shoqërinë. Media në Kosovë nuk është si media në Shqipëri. Ajo është më serioze, më profesioniste, ende më raportuese se e Shqipërisë.

Dhe më e vëmendshme ndaj rreziqeve që i vijnë për lirinë e shtypit, nga kapja e pushtetit. Edi Rama mund të bëjë çfarë të dojë në Shqipëri me medien, pasi këtu ka një rregullator që ia merr hakun pasi votohet. Këtu mund ta marrë Sandrin jo në paradhomë siç ka qejfi të vetëkritikohet, por dhe në krevat, mund të grindet e të bjerë në dashuri me Top Channel, Temën apo Bolinon, mund edhe të bëjë humor të zi me secilin nga ne. Nëse ne kjo gjë na pëlqen, aq na vlen lëkura. Nëse nuk na pëlqen, kemi ku ia kthejmë reston.

Në Kosovë duhet të bëjë kujdes, pasi adhurimi i publikut për kryeministrin e Shqipërisë, është në kontradiktë me preferencat e tij klienteliste për dikë që njeh në Kosovë. Nuk e kam fjalën për Batonin si mik të tij, timin, apo të shumë gazetarëve në Tiranë, por për fenomenin që bën dëm në Kosovë. “Klan Kosova” është një investim i Klanit të Tiranës në Kosovë, i cili ka qenë më i mirë se i Tiranës sa i përket anës profesionale. Tani ai i përket një grupi biznesmenësh të Kosovës, që e kanë blerë dhe që kanë pozita kyçe në biznes në Kosovë.

Përtej tyre, Kosova ka grupe mediatike të konsoliduara dhe profesionale, siç është grupi “Koha”, “Zëri”, “Express” dhe media të tjera, të cilat janë dukshëm më të mira dhe më serioze se ato të Shqipërisë.

Kur kryeministri jonë shkon në Kosovë, i këput një dorë gallatë me Batonin, pastaj shkon viziton dhe magazinat e kompanisë që janë kthyer në televizion, jep një mesazh tmerrësisht të rëndë për modelin e shtypit që mbështet dhe rrëzon gjithë fasadën e tij perëndimore karshi politikanëve në Kosovë. “Klan Kosova” nuk është një medie për t’u përgojuar, por nuk është një model për t’u respektuar nga një kryeministër. Ata janë punëtorë të medies, financuar nga një grup milionerësh dhe aq.

Edi Rama duhet të sillet ndaj medies në Kosovë, ashtu siç sillet ndaj politikanëve, i barazlarguar dhe pa ndonjë preferencë paternaliste. Përfshirja e tij në lojëra të tilla të vogla klienteliste, si për “gallatë me Batonin”, e bëjnë atë pa nevojë, një personazh qesharak në Kosovë. Dhe vë në dyshim gjithë bagazhin e tij real kulturor, politik dhe mbi të gjitha, sqimën e tij si njeri i ardhur në politikë prej shtypit.

E njëjta simptomë duket se u vërejt edhe në festën e Vitit të Ri që organizoi në Pallat të Brigadave, ku tek tavolina e gazetarëve të Kosovës ishte një gjymtim i vërtetë i asaj që përfaqëson shtypi i Kosovës. Ishte një listë prej Batoni, i cili di t’ua tregojë vendin atyre në Kosovë, që nuk e respektojnë për hesap të tyre.

Kur vjen fjala për lidhjet me Shqipërinë, trajtohen për hesap të Batonit. Ky është një gabim i rëndë. Ishte mirë të mos ftonte asnjë gazetar nga Kosova, se nuk është kryeministër i tyre. Ata i ftoi për t’i plotësuar dëshirën Batonit për disa shokë të vet, por u bë qesharak, pasi dëshmon jo vetëm mosnjohje të Kosovës, por dhe një dëshirë për të mos i njohur realisht ata.

Zgjatimi i këtij gabimi është ajo çfarë bëri sot në Kosovë, ku kishte shans dhe ta korrigjonte gabimin. Futja e tij “si një elefant në një dyqan porcelanësh” në medien e brishtë të Kosovës, është një ngatërresë fatkeqe mes autoritetit që ai ka si kryeministër i Shqipërisë dhe mesazheve që jep pa e vrarë shumë mendjen, madje duke i futur dhe një dorë gallatë.

Aq perëndimor sa është, kur e trajton politikën e Kosovës si një lider jo paternalist, aq joperëndimor dhe me vese është kur bie fjala tek media, e cila i duket si zgjatim i medies që ka futur mes shalëve në Shqipëri.

Është kjo arsyeja që nuk ua shpjegoj dot kolegëve të mi në Kosovë, pse i bën këto gomarllëqe kryeministri im. I vetmi ngushëllim është që nuk është kryeministër i tyre dhe është mirë që edhe vet, nuk do të jetë i tyre.

Së paku kështu bën më pak dëm.

Edi Rama fyen gazetarët e pavarur të Kosovës


Edi Rama fyen gazetarët e pavarur të Kosovës


Arbana Xhara

Edi Rama ka ftuar këtë javë gazetarët në një pritje me rastin e Vitit të Ri. Kryeministri i Shqipërisë mbajti aty një fjalim me spica për punën e gazetarëve të Tiranës. U tha se aty ishin të ftuar edhe gazetarë nga Kosova. Por, Rama e përmendi vetëm një emër: të pashmangshmin Baton Haxhiu, të cilin e quajti me humor “ekspert për Serbinë” (në Tiranë) dhe “ekspert për Shqipërinë” (në Beograd). Nuk e quajti gazetar, por ekspert, që mund të interpretohet në mënyra të ndryshme.

Kishte edhe gazetarë të tjerë nga Kosova aty, të cilët e gjetën emrin para pjatave të mëdha. Ndikimi i disa prej këtyre gazetarëve në mendimin publik në Kosovë nuk është më i madh se dimensioni i pjatës që ua kishte vënë përpara Edi Rama. Ajo që binte në sy në pritjen për gazetarë në Tiranë: nuk u ftuan dy gazetat kryesore të Kosovës – “Zëri” dhe “Koha Ditore”, dy të përditshme me histori bukur të lavdishme në shtypin në gjuhën shqipe të Kosovës dhe me referenca të rëndësishme në mediet ndërkombëtare. Këtë fakt mund ta injorojë kabineti i Edi Ramës, por nuk do të arrijë ta shlyejë.

Jo që përgjegjësve të gazetave kryesore të Kosovës u ka mbetur merak të jenë në sallonin e stolisur të Edi Ramës, por seleksionimi skandaloz që kabineti i kryeministrit të Shqipërisë u bën gazetarëve të Kosovës është fyerje për publicistikën e pavarur të Kosovës, e cila – na falni për mungesë modestie – ka një traditë të ndritshme. Skandali bëhet edhe më i madh nëse listën e gazetarëve të Kosovës që duhet ftuar dhe të atyre që duhet përjashtuar e ka bërë ndonjë person jashtë zyrës së kryeministrit të Shqipërisë.

Nëse Qeveria e Shqipërisë ka lejuar të manipulohet kështu për një organizim në fund të fundit gazmor, atëherë athua si vepron në çështje më të rëndësishme për vendin? Asnjë bashkëpunim mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk mund të jetë i frytshëm nëse bëhet për interesa klanore. Tirana publike nuk mund të njihet me rrethanat në Kosovë nëse mediet e atjeshme e sajojnë “kosovarin” sipas qejfit të tyre dhe e shëtisin atë nga studio në sallon si kukull – pa marrë parasysh a quhet ky Baton Haxhiu apo Shkelzen Maliqi, i cili në Tiranë është këshilltar zyrtar i Edi Ramës dhe në Kosovë, analist pothuaj zyrtar i PDK-së. Ky rol i dyfishtë është i papërputhshëm në jetën publike dhe e shkatërron edhe imazhin e Edi Ramës në Kosovë.

Sot kryeministri Edi Rama do të vijë në Prishtinë, siç thuhet, në një debat me mediet dhe shoqërinë civile. Ky takim i tij nuk meriton asgjë më shumë përveç se bojkotim nga gazetarët e pavarur të Kosovës. Le të luajë lojëra të ndyra Edi Rama me “gazetarët” e tij, në fakt me ata që i vardisen për interesa antigazetarie. Me ta le të shkojë në Pekin, në Beograd e po deshi edhe në Moskë. Është punë e Ramës dhe këtu nuk e kemi ndërmend t’i përzihemi. Por, synimi i tij për të na e shitur sapunin për djathë ka dështuar më shpejt se ç’pritej.

Asnjë politikë në të mirë të shqiptarëve në Ballkan, asnjë qeveri në Tiranë, apo në Prishtinë, nuk mund ta realizojë duke i pasur propagandues pas vetes zërat e diskredituar të botës mediale shqiptare. Mbledhjet e përbashkëta të qeverive, si ajo në Prizren së fundi do të mbesin flluska sapuni nëse dizajnohen e përcillen me muzikë të të ashtuquajturve gazetarë që, në fakt, janë vetëm tregtarë ballkanikë të larë me të gjitha ujërat e turbullta politike.

Edi Rama ka dëshmuar gjatë qeverisjes së tij të deritanishme disa cilësi të cilat më shumë kanë të bëjnë me dukjen, performancën, salltanetin evropian, por kjo s’mjafton. Pas shkëlqimit duhet të shihen veprat në fushën e bashkëpunimit ekonomik me Kosovën, në forcimin e potencialeve shqiptare në Ballkan, në ndërtimin e infrastrukturës dhe shumë fushave të tjera. Sa për llafe e kemi pasur Sali Berishën me vite. Në raport me Kosovën Rama s’duhet të bëhet imitues i tij.

Arbana Xhara: “Patriotët” dhe plazmat e Serbisë

Edi Rama fyen gazetarët e pavarur të Kosovës

Viteve të fundit edhe pse janë shtuar prodhimet gjermane në tregun izraelit, shumica e hebrenjve refuzojnë të blejnë prodhimet e tyre. Pas aq shumë dekadash? Ka të bëjë kjo me ksenofobinë, racizmin? “Jo, jo shkruan Dr. Michael Federman, presidenti i Dhomës izraelito-gjermane për Industri dhe Tregti dhe shpjegon: “Nuk ka aspak kjo të bëjë me aversionin e gjeneratave të reja ndaj gjermanëve të sotëm. Pas LDB-së një gjë e tillë ishte krejt normale. Nuk ia ndihmon ekonominë një vendi që të ka shkatërruar deri në aortë”. Ndërkohë, sipas tij, shumica e izraelitëve të sotëm e kanë bërë kulturë, parim që mos blejnë prodhime gjermane, sepse thonë, e para: “Jemi në treg të lirë, secili ka të drejtë të blejë çfarë dëshiron e prej kujt jo”, shpjegon Federman qasjen hebre ndaj prodhimeve gjermane edhe pas kaq shumë dekadash.

Po të tërhiqet një paralele në Kosovë që nga mbarimi i luftës së vitit 1999, në diskursin publik, debati mbi patriotizmin e nacionalizimin, të jep një përshtypje sikur është krijuar averision në raport me gjithçka që është serbe. Patriotë të vetëshpallur, që marrin guximin të linçojnë publikisht “spiunët” dhe “jugo-nostalgjikët” ...Të tjerë që peshojnë se, kush është më atdhetarë së tjetri. Të tjerë që flasin për Shqipëri etnike e që fshehurazi ende mbajnë në sirtarë CD-të e këngëtares serbe, Ceca Razhnjatoviq. Patriotët e rrejshëm që bëjnë sikur të entuziazmuar “mbrojnë” flamurin kombëtar, por që për ta “s’ka me prodhime të Serbisë”.

E për patriotizmin false të shqiptarëve, flasin si askush më mirë, raportet ekonomike të këmbimeve tregtare me Serbinë. Hiç më pak se 3 miliardë euro i kanë shkuar Serbisë para kesh nga Kosova, që nga viti 2002. Një hulumtim disaditor i gazetës “Zëri” ka nxjerrë në detaje shumat marramendëse, emra dhe mbiemra të importuesve, kompanive të mëdha e të vogla, përmes të cilëve Serbia ka marrë në dorë tregun në sektorët kyç të Kosovës. Numëruar nga produktet bazë: bukën që kosovarët e hanë gatuhet me miellin e Serbisë dhe shumica e produkteve të tjera esenciale që nga ky shtet “ushqen” Kosovën. Dhe nuk janë të paktë ata “patriotë” që nga mbarimi i luftës bënë turr për në Serbi që të marrë ekskluzivitetin e shtrirjes së bizneseve serbe në Kosovë.

Disa prej të cilëve në 1999 nisën biznesin me ndihmën e oligarkut të madh transballkanik, Mirosllav Mishkoviq, i cili që nga koha e sundimit të Slobodan Millosheviqit gëzonte privilegje shtetërore për të zgjeruar perandorinë e tij ekonomike në Ballkan. Kështu një numër biznesmenësh shqiptarë, duke shfrytëzuar miqësinë e paraluftës, lehtësisht vazhduan kontaktet për të bërë biznes legal dhe ilegal edhe pasluftës.

Për një dekade e gjysmë, shteti i Kosovës ka arritur të jetë i varur ekonomikisht nga Serbia, në industrinë e ushqimit, energjisë, karburanteve, barnave, materialeve ndërtimore... Realitet për të cilin politika nuk deklarohet, sepse janë pikërisht financuesit e partive politike në vend importuesit më të mëdhenj të mallrave serbe. Refuzimi për të bojkotuar prodhimet serbe ka qenë qëndrim shtetëror i Kosovës për 15 vjet me radhë, pa harruar edhe vullnetin e konsumatorit për t’i blerë ato. Në shumë rrethana politike, Prishtina ka mundur të kushtëzojë Beogradin me embargo, në fund të fundit bëhet fjalë për miliarda euro që i shkojnë Serbisë nga xhepat e kosovarëve që do t’i jepnin një shkelm të rëndë Serbisë. Por, kjo zor të ndodhë derisa të kemi patriotët që çirren se mbrojnë kombin e shqiptarinë, por ju shkon lëng prej gojës për plazmat e Serbisë!

Operacioni i shpëtimit në tragetin “Norman Atlantic” po vështirësohet për shkak të flakëve që ka marrë anija...

Një person ka vdekur dhe disa janë lënduar derisa po vazhdon operacioni i shpëtimit të anijes "Norman Atlantic".

Bilanci për anijen: Një i vdekur, 165 të evakuuar e qindra pasagjerë në bord (Video)
Mediat ndërkombëtare si BBC dhe CNN, raportojnë se operacioni i shpëtimit po vështirësohet për shkak të flakëve që ka marrë anija. Ndërkohë pasagjerët kanë thënë se u është vështirësuar frymëmarrja si pasojë e tymit të krijuar.

Qeveria shqiptara ka shprehur gatishmëri të plotë për të dhënë ndihmën maksimale në operacionin ndërkombëtar të shpëtimit të anijes.

Më poshtë, është një përmbledhje e fotografive dhe pamjeve të transmetuara nga mediat.


Dalin emrat e shqiptarëve që mbijetuan në anije
Ministria e Punëve të Jashtme në Shqipëri, ka dhënë emrat e disa të mbijetuarve nga tragjedia e anijes “Norman Atlantic”.

https://www.youtube.com/watch?v=ZDIrA2jbPjs


Refik, Sheraf dhe Donika Aliko, Jonel Lamcaj, Festim dhe Hasie Cuci, janë të mbijetuarit që tashmë gjenden në bordin e anijes “ABY JEANNETTE”.

Këto informacione, Ministria e Punëve të Jashtme në Shqipëri, njofton se i ka marrë nga Rojet Bregdetare greke.


Mbi traget për 16 orë: Po përjetojmë Titanikun, do të vdesim nga të ftohtit (Video)

Prej më shumë 16 orë, trageti “Norman Atlantic” me mbi 300 persona ende në bordin e tij, qëndron në flakë në det të hapur, rreth 20 milje larg Durrësit. Ata po përjetojnë tmerrin e Titanikut, ndërsa kanë frikë se do të vdesin nga të ftohtit.

https://www.youtube.com/watch?v=jBpay-kz7Qo


Trageti me 478 persona në bord, 25 prej të cilëve shqiptarë, u nis nga Igumenica e Greqisë me destinacion Ankonën në Itali, ndërsa dha alarmin SOS rreth orës 04:30 të mëngjesit, kur në katet e poshtme të anijes, në garazh, u përhapën me shpejtësi flakët e zjarrit për shkaqe ende të papërcaktuara.

https://www.youtube.com/watch?v=7MpfYET1hXw


Mbi 160 persona kanë arritur të evakuohen nga një super-operacion shpëtimi që përfshiu jo vetëm autoritetet italiane dhe greke, por edhe ato shqiptare. Por, fatkeqësisht, gjatë operacionit të shpëtimit rreth orëve të pasdites, një shtetas grek humbi jetën, duke shënuar viktimën e parë të kësaj tragjedie në det. Georghios Doulis u gjet në det të hapur nga “Butrinti”, anija shqiptare që mori pjesë në operacion-shpëtimin.

https://www.youtube.com/watch?v=7OsIXh3lLO0#t=11


Rreth orës 18:30 trageti është bllokuar nga tre rimorkiatorë, ndërsa shpëtimi i jetëve që ndodhen ende në bord, do të mundësohet vetëm përmes helikopterëve, pasi dallgët e mëdha që arrijnë deri në tetë ballë e bëjnë të pamundur operacionin përmes anijeve të shpëtimit. Vetëm kur të gjithë pjesëtarët në bord të jenë shpëtuar, atëherë trageti do të tërhiqet me rimorkiator për t’iu drejtuar më tej Brindisit në Itali.

https://www.youtube.com/watch?v=EC-oxV47PwI


Për shpëtimin e pjesëtarëve në bordin e tragetit janë përfshirë tetë anije, mes tyre edhe “Butrinti” nga Shqipëria, 11 helikopterë shpëtimi të Ushtrisë greke, por edhe një avion “C-130” për mbështetje kërkim-shpëtimi.

https://www.youtube.com/watch?v=gkp9d-T9_VI


422 prej tyre janë pasagjerë, mes tyre gra e fëmijë dhe 56 anëtarë të ekuipazhit, ndërsa trageti mbante edhe 222 automjete.

Incidenti u raportua nga një telefonatë në A1 REPORT e më tej nga mediat greke dhe ato italiane.

Më i keq është shtënësi se bërësi

Me sulmin terrorist, synohej dështimi i Shtetit të Kosovës


Florian Qehaja :Me sulmin terrorist, synohej dështimi i Shtetit të Kosovës



Drejtor i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Florian Qehaja, vlerëson së parandalimi dhe arrestimi i serbit të dyshuar për akt terrorist, është një ndër sukseset më të mëdha të organeve të hetuesisë. “Meritat më të mëdha i ka Policia e Kosovës. Nëse do të ndodhte ky sulm, atëherë Kosova do të konsiderohej shtet i dështuar’, tha ai.

“Konsideroj që operacioni policor ishte i suksesshëm. Madje është një ndër operacionet e pakta të këtij lloji (së paku që nga pas-pavarësia) në të cilën institucionet vendore të sigurisë kanë arritur të parandalojnë potencialisht një incident me pasoja të mëdha, në njerëz por edhe në pronë. Parandalimi përbën një ndër operacionet më të ndërlikuara të sigurisë sepse lypset një angazhim i thellë i organeve të inteligjencës në identifikimin, dekonspirimin dhe eliminimin e kërcënimit”, tha Qehaja në një intervistë për Express, duke folur për arrestimin e serbit me 13 kg eksploziv.

Megjithatë, Qehaja mendon se, suksesi i plotë i këtij operacioni do të konsiderohet vetëm atëherë kur do të përfundon me sukses procesi gjyqësor.

Qehaja thotë se është vështirë të i atribuohet merita njërit apo tjetrit akter.

“Megjithatë, është më se e qartë që merita kryesore i takon Policisë së Kosovës dhe organeve të saja të inteligjencës...”, tha ai.

Sipas tij në këtë fazë vetëm mund të supozohen qëllimet e të dyshuarit apo të dyshuarve, sepse kërkohet një punë intensive dhe gjithëpërfshirëse. “Kur them gjithëpërfshirëse atëherë mendoj në një angazhim të përbashkët të Policisë dhe AKI-së në njërën anë, dhe asistencës së organeve ndërkombëtare e rajonale, në anën tjetër”.

“Është indikative që automjeti ishte me targa të Beogradit dhe personi ishte shtetas i Serbisë. Qarqet anti-Kosovë e posaçërisht një pjesë e establishmentit të sigurisë në Serbi punojnë në drejtim të dëmtimit të proceseve shtetformuese në Kosovë. Si rrjedhojë, hipotetikisht, në rast të konkretizimit të njërës nga objektivat e supozuara, Kosova do të paraqitej si një shtet i dështuar dhe do të sfidoheshin përpjekjet e shtetit për integrim në organizata ndërkombëtare e rajonale të sigurisë.

Këtu mendoj në fillimin e marrëdhënieve kontraktuale me NATO-n si dhe konkretizimin e MSA-së me BE-në dhe, sidomos, finalizimin e procesit të liberalizimit të vizave. Po ashtu, mos të harrojmë që është në interesin e qarqeve anti-Kosovë që të vazhdohet prezenca e organeve ndërkombëtare në Kosovë në formën ekzistuese – siç është rasti me justifikimin e prezencës në formë aktuale të EULEX-it – për arsyeje se do të mbizotëronin argumentet se shteti është i paaftë që të marr përgjegjësi finale pas vitit 2016”, tha Qehaja, duke potencuar se lypset një koordinim shumë i theksuar në mes të Policisë dhe AKI-së.




Avokati Tomë Gashi: Mos përfitoni nga rasti Gavric, suksesi i takon Policisë 

Avokati Tomë Gashi vëren se rastin e serbit Sllobodan Gavriq, që u kap me rreth 13 kilogramë eksplozivë në Prishtinë, të gjithë po tentojnë ta shfrytëzojnë si sukses të tyre, e kësisoj të promovohen.

“Në fakt është eksluzivisht sukses i Policisë së Kosovës që fatmirësisht parandalojë aktin terrorist. Politikanë të ndryshëm e përdorin këtë rast pa kurrfarë përgjegjësie për deklaratat e tyre. Disa me aq dëshirë të pakontrolluar e përdorin rastin e Gavriqit që emrin e ka Slobodan sikur ky rast të ishte dhurata e tyre për krishtlindje – vetëm e vetëm për shkak të reklamimit të tyre, dhe se ata dinë diçka më shumë se Policia e Kosovës për këtë rast”, ka thënë Gashi.

Avokati ka thënë se ata shfaqin preferenca të tyre personale për sulm terrorist, ata e ‘dinë’ se ku ka pas me u vendos eksplozivi; te Ambasada Amerikane, te Katedralja e shqiptarëve të Kosovës, ose Hoteli Grand.

“Normalisht se për shkak të deklaratave aq të fuqishme të Edi Ramës në Beograd disa që të duken me patriotë se të tjerët thonë se i vetmi cak i sulmit terrorist ka qenë pikërisht kryeministri i Shqipërisë”, ka thënë Gashi, teksa ka pasur një porosi.

“E udhës është që të leni Policinë dhe Gjyqësorin të jenë të pavarur prej jush. E ju të merreni në aspektin e politikës ndërkombëtare që mos të mbetet ajo që të gjithë e dimë se; droni ne Beograd të gjithë shqiptarëve na bashkoi, dhe që mos të jetë se eksplozivi serb në Prishtinë sado pak të na ndaj”.



Avni Islami:Serbia e implikuar në sulmet terroriste në Kosovë?





   Serbia e implikuar në sulmet terroriste në Kosovë?




Për shkak të ndjeshmërisë së komuniteteve fetare në Kosovë, kjo pikë e ndjeshme siç duket u mundua të përdorë si kartë për futjen e përçarjes në mes shqiptarëve kundërshtari i përbetuar i popullit të Kosovës.

Plani djallëzor i Serbisë është dhe do të jetë që të ndezë me çdo kusht konflikt fetar në mes shqiptarëve myslimanë dhe katolikë. Sipas ekspertëve por edhe analistëve u ngritën shumë hipoteza lidhur me mundësinë se kush ishte cak i sulmit. Disa thanë se qëllimi ishte që të sulmohej Ambasada Amerikane në Prishtinë, disa thanë cak ishte kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e disa mendojnë se si cak ishte Katedralja në Prishtinë në ditën e dytë të festës së Kërshëndellave.

Cilido version i ngritur që do të ishte i saktë, pasojat do të ishin katastrofale me karakter të rëndë si në jetët e njerëzve po ashtu edhe materiale.

Sipas Policisë së Kosovës, eksplozivi i kapur në veturën e shtetasit të Serbisë, Prishtinë, është i tipit C4 me bazë RDX, shpejtësia e shpërthimit të të cilit është 9800 metër për sekondë. Sipas tyre eksplozivi bën pjesë në llojin e më të fuqishmëve. Po ashtu theksohet se brenda tij ishin të vendosur copa metalike, që rritin fragmentimin dhe shkaktojnë dëme të mëdha në njerëz. Nuk duhet të befasohet askush nga shteti serb. Duke e njohur punën e shërbimit inteligjent serb (UDB- BIA), është e paimagjinueshme se gjoja ata nuk kanë qenë në dijeni për futjen e të dyshuarit serb në Kosovë, me atë sasi të madhe të eksplozivit.

Për mua është shumë i rëndësishëm arrestimi i tij dhe neutralizimi, puna duhet të vazhdojë sepse në popull njihet thënia: “Më i keq është shtënësi se bërësi”. Prokuroria tash është në sprovë të madhe me të dyshuarin, ai duhet të kallëzojë dhe t’u përgjigjet pyetjeve të arta kriminalistike: pse, si, me kë, kur, ku dhe shumë pyetjeve të tjera.

Pyetja është se a qëndron shteti serb pas kësaj, duke e analizuar përshkrimin e rrugëtimit të tij, si dhe mënyra se si ai është vendosur fillimisht në hotel “Grand” e pastaj kthimi i tij aq lirshëm me eksploziv, dyshimet çojnë në një organizim të sofistikuar. Ky rast në anën tjetër është munduar të qesë edhe para aktit të kryer jo vetëm mekanizmat institucionalë të sigurisë së Kosovës, por edhe shërbimeve inteligjente të vendeve perëndimore në kuadër të NATO-s, por edhe individuale e qe nesër mund të jenë cak të sulmeve edhe vetë ambasadat e atyre vendeve që janë të akredituara në Kosovë.

Prandaj jo vetëm mekanizmat institucionalë të Kosovës dhe institucionet ndërkombëtare por edhe vetë populli i Kosovës duhet të jemi syçelë dhe të jemi bashkëpunues dhe të japin kontributin në ruajtjen e sigurisë së Kosovës. Të gjithë duhet ta dimë se jo vetëm në 100 vitet e fundit, por do të kalojnë dekada e shekuj dhe në një formë apo tjetër do jemi në “Luftë të ftohtë” me shtetin serb dhe se ai në çdo moment, në çdo kohë, dhe se çdo mundësi do ta përdorë për ta destabilizuar Kosovën. Pra apel për të gjithë vëllezërit e mi shqiptarë (myslimanë, katolikë, hebrenjtë, ateistë) etj., ta ndihmojnë shtetin e Kosovës dhe vetveten që të jemi gjithmonë në shërbim të vendit dhe atdheut. Autori është kandidat PhD në Siguri





Sabri Haliti nga Prishtina thotë se ka vetëm pak miell në shtëpi.

Miku ia bleu biletën për të ikur, në autobus ndërroi mendje: Në këtë skamje, veç kur ta blej një konop!
Miku ia bleu biletën për të ikur, në autobus ndërroi mendje: Në këtë skamje, veç kur ta blej një konop!

Sabri Haliti nga Prishtina thotë se ka vetëm pak miell në shtëpi. Thesin tjetër nuk e di si do ta blejë, pasi, sikur shprehet, asnjë gjë nuk i mbeti të shes, sikurse veproi pak kohë më parë.

“Dru s’kom ,telefonin e kom shit për bukë, 70 euro social s’di ka mi çky”...

Për t’i ikur kësaj situate, një natë më parë mori një vendim të cilin e pati vështirë ta realizojë.

“Ni shok ma pagujti biletën me ik e me dal jashtë. Hypa në autobus po kur më ranë në mend këta fmi dola, qysh mi lon”, thotë ai.

Përveç skamjes, Sabriu ka edhe halle tjera. Nëna e fëmijëve të tij para katër vjetëve u sëmur, pasi nuk i përballoi një humbje që pësoi.

“Kur më vdiq djali 6-javësh, u smuva”, thotë gruaja e tij Gjezidja.

Pas kësaj, Haliti thotë se iu desh ta sjell në shtëpi gruan e dytë, për t'u kujdesur për tre fëmijët e tij.

“Unë i laj e i shpërlaj, kur shkoj i marr me veti edhe te familja jeme”, thotë gruaja e tij e dytë, Selvija.

Sabriu, që shet hekura e kanaçe të mbledhura gjithandej, e kërkon një vend pune.

“Du me punu e jam në gjendje me dek në punë. Po u bo skamje e sum ka met tjetër veç me ble një konop e me furr veten”, thotë ai.

Për shkak të kësaj gjendje, në këtë familje nuk ka bredh të Vitit të Ri. Fëmijët këtu preferojnë ushqimet e domosdoshme, e jo dekorime që nuk hahen.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...