Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/03/25

Në Prishtinë,sot vritet agjenti i krimeve ekonomike dhe korrupcionit Shemsi Gashi

Image result for Në Prishtinë vritet agjenti i krimeve ekonomike Shemsi Gashi



Ministri i Punëve të Brendshme ka folur rreth rastit të vrasjes së hetuesit policor të Departamentit të Krimeve Ekonomike sot në Prishtinë.

Në një deklaratë për kallxo.com, Hyseni tha se bëhet fjalë për një mosmarrëveshje.

Ministri Hyseni tha se policia ka arritur të arrestojë tre persona lidhur me këtë rast.

Image result for Në Prishtinë vritet agjenti i krimeve ekonomike Shemsi Gashi


“Vlerësimet e para që mora nga policia janë se ka një mosmarrëveshje dhe hetimet janë duke vazhduar. Janë tri arrestime që kanë ndodhur, janë edhe disa pista tjera që janë duke u hetuar”, ka thënë Hyseni.

Ministri i Punëve të Brendshme tha se nuk do të donte të jepte më shumë detaje lidhur me rastin, ngaqë kjo gjë mund ta lëndonte procesin e hetimit.

Një pjesëtar i njësitit të hetimeve i Policisë së Kosovës ka mbetur i vrarë në rrethana ende të paqarta sot rreth orës 7.05 në Prishtinë, në Lagjen Mati.


*****

Image result for Në Prishtinë vritet agjenti i krimeve ekonomike Shemsi Gashi


Zëdhënësi i Policisë, Agron Borovci ka thënë se janë bastisur disa vendbanime dhe janë shoqëruar në polici disa persona.




“Pasi që policia ka marrë informacionin për vrasjen e policit ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në kuadër të veprimeve operative është bastisur një shtëpi në lagjen e spitalit. Bastisja ka përfunduar ndërsa këto momente janë duke u intervistuar disa persona në cilësinë e dëshmitarëve dhe disa të tjerëve”, ka thënë Borovci.


Ai ka shtuar se është herët të flitet për motivet e vrasjes.

“Më herët në polici janë shoqëruar tre persona ndërsa motivi i vrasjes është herët të flitet. Policia duke u mbështetur në provat që ka mbledhur do të bëjë sqarimin e rastit”, ka thënë Borovci.

Polici i vrarë ditën e sotme është Shemsi Gashi 61 vjeçar./

Kërkohet debat parlamentar për çështjen e Ukshin Hotit


Kërkohet debat parlamentar për çështjen e Ukshin Hotit

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, është takuar sot me përfaqësuesit e Komisionit qeveritar për persona të zhdukur.

Në këtë takim komisioni shqyrtoi edhe peticionin e nënshkruar nga qytetarët, me anë të të cilit kërkohet zbardhja e fatit të profesor, Ukshin Hoti. Përfaqësuesi i këtij peticioni, Nehat Fetoshi, tha se personat e pagjetur vazhdojnë të jenë plaga më e madhe e Kosovës së pasluftës, ndërsa mungesa e profesor, Ukshin Hotit, është manifestimi më tragjik i kësaj pjese të historisë. Në vijim, Fetoshi, nga anëtarët e komisionit kërkoi angazhim edhe më të madh për këtë çështje dhe debat parlamentar.

Komisioni u zotua se bashkëpunimi në mes të të dyja komisioneve do të vazhdojë edhe në të ardhmen, ndërkaq, paralajmëroi angazhim edhe më intensiv me të gjithë faktorët, vendorë e ndërkombëtarë. Komisioni po ashtu, vendosi që t’i drejtohet Kryesisë së Kuvendit për debat parlamentar për këtë çështje.

Përfaqësuesi i Komisionit qeveritar për persona të zhdukur, Prenk Gjetaj, i njoftoi anëtarët e komisionit me punën dhe sfidat që hasin ata në procesin e zbardhjes së fatit të të pagjeturve.

Komisioni qeveritar për persona të zhdukur, tha Gjetaj, ka bashkëpunim të kënaqshëm me të gjitha ministrit dhe institucionet relevante. Ai po ashtu lavdëroi edhe bashkëpunimin e mirë që kanë me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar, si dhe Komisionin ndërkombëtar për persona të pagjetur me seli në Sarajevë.

“Çështja e të pagjeturve, është ngritur në të gjitha takimet që kemi pasur me përfaqësuesit ndërkombëtar”, tha Gjetaj. Po ashtu, ai njoftoi, se është kërkuar që kjo çështje të ngritet edhe në bisedimet që janë duke u zhvilluar në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

“ Numri prej 1655 të të zhdukurve, vazhdon të mbetet shqetësim i madh”, tha ai, dhe shtoi se familjet e të zhdukurve, të organizuar në kuadër të shoqatave, presin angazhim edhe më të madh nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës.

Duke folur për sfidat e Komisionit qeveritar për persona të zhdukur, Gjetaj njoftoi se ndihet mungesë e madhe e kapaciteteve profesionale. Ai me këtë rast vuri në dukje mungesën e laboratorit, në të cilin do të mund të kryheshin analizat e ADN-së, si dhe mungesa e antropologëve dhe arkeologëve.


Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme/kerkohet-debat-parlamentar-per-ceshtjen-e-ukshin-hotit-89394/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

INTERVISTA/ Flet Kryetari i Shoqatës së Krijuesve për Fëmijë, Sazan Goliku

Sazan Goliku (emri letrar i Pandeli Koçit) ka lindur në Vlorë më 1942. Ka kryer Fakultetin Histori – Filologji në Tiranë dhe ka punuar mësues, punonjës kulture, gazetar, si dhe redaktor letrar në SHB “Naim Frashëri” e gjetkë. Që nga viti 1970 është marrë aktivisht me botimin e letërsisë shqiptare të botuar në Kosovë dhe ka qenë ligjërues i këtij krahu të letërsisë shqiptare në UT. Nga viti 1981 – 2002 ka punuar në sektorin e shtypit të Kuvendit të Republikës. Ka shkruar poezi, prozë e letërsi për fëmijë dhe tekste këngësh. Është marrë me kritikë letrare, recensione dhe ese. Është fitues i disa çmimeve kombëtarë dhe vendorë.
Disa libra të autorit:
Pasqyra e thyer (1972), Lule drite (1977), Grusht (1981), Intimitet, (1987), Aventurat e lirisë (1995), Epidemi kozmike (1996), Ëndërr dashurie (1996), Komitet e Malit të Bardhë (1999, 2011), Petalet e rëna (2001),
Trekëndëshi i qiellit të zi (2006), Turbull (2007), Mos harro se je Njeri (2010), Shpirtdehje (2011), Unë jam unë (2012).
Cila është poezia apo tregimi juaj i parë, ku e keni botuar dhe si jeni ndier?
Vargjet e para i kam shkruar në dërrasën e zezë, në klasën e katërt kur isha dhjetë vjeç. Ishte diçka për të qeshur. Nuk e mbaj mend kur kam botuar në gazetën “Pionieri” në ishte vjershë, tregim, skicë apo thjesht artikull për shkollën. Dorëshkrimet e asaj kohe i mbaja në një komodinë, por kur u largova nga Vlora nuk e di si humbën... Duke rënë pas leximeve të librave artistikë, i lashë pas dore mësimet, sidomos lëndët si matematika, kimia... Po në lëndët shoqërore shkoja shumë mirë.
Cili është mendimi juaj për kritikën në regjimin komunist, a ishte një kritikë profesionale dhe ndaj jush si ka reaguar kjo kritikë?
Duhet të jemi të qartë: Gjatë diktaturës letërsia e artet detyrimisht kishin në bazë estetikën marksiste-leniniste dhe parimet e realizmit socialist, që dihet ç’ishin. Edhe kritika letrare në gjykimin, komentimin e interpretimin e krijimtarisë letrare kishte parasysh këtë rregullore dhe brenda kërkesave të saj kishte “profesionalizëm”, që gjithsesi mbisundohej nga tendenca e fryma e ideologjisë e politikës së partisë shtet. Por edhe brenda këtij rrethi u dalluan e u vlerësuan kritika të vlefshme dhe të mprehta sidomos në fushën e historisë së letërsisë. Për mua janë shkruar vetëm recensione të rëndomta. Unë kam qenë përherë në margjinat e letërsisë.
Në regjimin komunist a keni pasur rastin të takonit udhëheqësit e kohës dhe çfarë kujtimesh ruani me ta?
Në Kuvend kam pasur raporte pune vetëm me Sihat Tozaj, sekretar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Ishte njeri korrekt, i ndershëm dhe brenda bindjeve të tij – realist, sa herë-herë më trembte me gjykimet e tij për politikën e partisë. Edhe kolegu im Guro Zeneli ishte një publicist me shpirt altruist, që pa kurrfarë interesi vetjak përpiqej të ndihmonte, me aq sa mundte, njerëzit që kërkonin drejtësi. Ai e kishte pësuar dhe vetë nga diktatura.
Cili është libri juaj që është vlerësuar më shumë para rënies së diktaturës?
Libri “Pasqyra e thyer” me rrëfenja e tregime (1972) me recension të Kadaresë, si dhe libri me vjersha për fëmijë “Valë mbi valë” që mori Çmimin e Dytë në konkursin kombëtar. Të them të vërtetën, vetëm pas 1990-s u shpalosën mundësitë e mia krijuese.
Këto ditë ka dalë nga shtypi libri juaj me poezi “Unë jam unë”. A nuk ju duket se ka ekuivokë ky titull?
Ndoshta. Por unë kam dashur të shpreh thelbin e idesë së librit: Shprehjen e identitetit tim si shqiptar dhe vetëdijen se vetëm me luftë e përpjekje heroike për të ruajtur gjuhën e qenien tonë kemi mundur të jemi të lirë dhe të kemi shtetin tonë edhe pse tashpërtash të cunguar. Pra, “unë” domethënë “shqiptari” Ky libër është tërësisht me poezi atdhetare. Realizova një premtim që i kam bërë vetes shumë kohë më parë.
Në prozën për të rritur shkruani kryesisht rrëfenja, d.m.th. flash stories. Pse?
Besoj se aty dhe te poezia e kam gjetur veten. Dihet, rëndësi nuk ka zhanri, po cilësia, origjinaliteti e inteligjenca e krijimit artistik. Një autor është i kënaqur nëse një lexues, kushdo qoftë ky, pasi mbaron së lexuari një tekst gëzohet ose dëshpërohet, ose padashur ngre vetullat gati i befasuar. Ky është tregues se efekti estetik e ka prekur emocionalisht.
Cili është mendimi juaj për Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve në regjimin komunist dhe lidhja juaj me të?
Në gjithë botën ka organizata, shoqata e klube shkrimtarësh e artistësh organizuar mbi baza krejtësisht vullnetare. Lidhja e Shkrimtarëve e Artistëve te ne nuk ishte gjë tjetër veçse një organizatë brenda sistemit. Lidhja botonte të vetmet organe letrare te ne: gazetën Drita e revistën Nëntori, ku edhe unë kam botuar shkrimet e mia. Nga Lidhja kam marrë edhe leje krijuese.
Sot Lidhja e Shkrimtarëve është inekzistente, jeni dakord me këtë mosekzistencë?
Pas rënies së diktaturës ajo nuk mund të ekzistonte më si e tillë. Në kushtet e reja ajo nuk diti të rinovohej ose personalitetet më të zëshme të letërsisë e arteve nuk e deshën këtë, prandaj ajo ra në duar të askujt dhe faktikisht nuk vepron, çka do të thotë se nuk ekziston. Nevoja për një ose disa shoqata e klube letrare serioze, që të pranojnë ngjirin e tyre autorë të talentuar dhe sipas prirjeve e drejtimeve të ndryshme, janë të nevojshme për të krijuar klimë të shëndoshë letrare, për të qenë në krah të autorëve ndaj padrejtësive të mundshme, për të publikuar me realizëm vlerat artistike etj..
Kur e keni takuar për herë të parë Ismail Kadarenë e Dritëro Agollin, rrethanat?
Në fillim të viteve ‘60 një brez poetësh si Ismail Kadareja, Fatos Arapi, Dritëro Agolli, Dhori Qiriazi, Vehbi Skënderi, Jorgo Bllaci etj., kapërcyen me guxim e me sukses retorizmin, një sëmundje letrare që te disa autorë vijoi deri në fund të viteve ‘80. Ne të rinjtë e asaj kohe këtë dukuri e shihnim si një dritë të re brenda gardhit me gjemba të realizmit socialist. Me Kadarenë, që e kam vlerësuar e pëlqyer që me librat e tij të hershëm si revolucionar të vërtetë në letërsinë tonë, më ka njohur, kur isha student, poeti Musa Vyshka duke ecur në trotuarin e mesit në fillim të Rrugës së Kavajës. Për mua ky takim ishte një kënaqësi e veçantë pavarësisht qëndrimit të tij të ftohtë, qëndrim, që unë e ka vërejtur më vonë, ai kishte mbajtur edhe me drejtues të diktaturës. Bisedat me Kadarenë më kishin krijuar bindjen se ai nuk ishte vetëm nga shkrimtarët tanë më të talentuar, po dhe njeriu më i zgjuar që kisha njohur. Agollin e kam takuar disa herë rastësisht. Ai u emërua Kryetar i Lidhjes në vitin 1973 dhe...
Kush ka qenë njeriu i parë që ju ka dhënë forcë për këtë rrugë dhe si e kujtoni sot?
I kujtoj me nderim të thellë mësuesit e mi të letërsisë në Gjimnazin e Vlorës si: Harilla Koculin për komentet pasiononte, Milo Dunin për shpjegimin e qetë e thellësinë e interpretimit të letërsisë antike, Vangjel Picin për komentet e gjera për poezinë e rilindësve e sidomos të Naimit. (Për ironi të fatit më vonë Milon e Vangjelin i burgosën për agjitacion e propagandë). Nëse kisha një shkëndijë pasioni për letërsinë, ata ma kthyen në zjarr që e ushqej deri më sot.
Ju jeni kryetar i Shoqatës Mbarëshqiptare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj. Mund të na flisni pak për letërsinë për fëmijë. Në çfarë situate ndodhet ajo sot?
Letërsia shqipe më e mirë për fëmijë, pavarësisht kushteve e rrethanave në këtë periudhë tranzicioni, është zhvilluar në sasi e cilësi, duke iu përgjigjur denjësisht kërkesave përherë në rritje të lexuesve të vegjël. Krijimet më me vlerë qëndrojnë denjësisht krahas atyre europiane e më gjerë. Komponentët e domosdoshëm për këtë letërsi si loja, humori, aventura të shtjelluara me fantazi janë të qenësishme në librat tanë, prandaj janë vepra të dashura për lexuesit e vegjël. Natyrisht nga këto krijime përjashtohet ajo pseudo-krijimtari që mbush raftet e librarive e bibliotekave po që meriton vetëm kritikën e heshtjes. Shpërfillja institucionale ndaj kësaj letërsie nuk i ka penguar shkrimtarët të kërkojnë e të shkruajnë veprat e tyre me përgjegjësi profesionale e shpirt krijues. Edhe vlerësimi nga botuesit lë shumë për të dëshiruar, po të kemi parasysh se pa miellin e bujkut, pra të shkrimtarit, nuk ka çfarë të gatuaj furrtari, pra botuesi dhe të tregtojë shitësi, pra librari, i cili mban 30-50 për qind të çmimit të librit, kur autori mund të marrë 10 për qind. Ekonomia e vërtetë e tregut nuk e pranon këtë praktikë absurde.
Po kritika e letërsisë për fëmijë a ekziston?
Po është fakt që ekziston. Por fatkeqësisht është më pak e zhvilluar se kritika për letërsinë për të rriturit. Po në ditët tona duhet të vlerësojmë studimet e kritikat e Astrit Bishqemit, Xhahid Bushatit, Xhevat Sulës, Vangjush Saros, Klara Kodrës, Bardhosh Gaçes, Bardhyl Xhamës, Riza Brahollit etj., të cilët, edhe në mungesë të përkrahjes institucionale, po japin ndihmesë të vlefshme në këtë fushë.
Dhe një pyetje të fundit. Ju shohim shpesh nëpër Tiranë me biçikletë ose duke ecur me hapa të shpejtuar. Nuk u pengojnë shtatëdhjetë vitet të keni një stil të tillë jetese?
Unë rrekem me çdo mënyrë ta sfidoj atë që me eufemizëm quhet mosha e tretë dhe besoj se ia kam arritur deri më sot. Një kuptim dialektik të lëvizjes e jep bukur edhe fjala e urtë e popullit: Vdekje të ketë, po pleqëri të mos ketë.

Hyrje në një poezi moderne (poezia e Frederik Rreshpjes)


Në nji vjetorin e vdekjes se poetit


Gazmend Krasniqi

1.

Pamjet e thjeshta të sendeve mund të ngrihen deri në simbole, prej nga të paraqesin e të bëjnë të dukshme e të prekshme forma të tjera më të fshehura e më të përkryera. Ndoshta kjo është e para gjë që të vjen ndërmend kur lexon poezinë e Frederik Rreshpjes.
Kur mbaron leximi i kësaj poezie, sigurisht, na vjen ndërmend mënyra e ndërtimit të saj. E dimë, që nga Aristoteli, se shpirti krijues pyeste se ç’tip vargu i përshtatej më mirë kësaj apo asaj gjinie letrare. Dimë se poezia sa ç’është e lirë, aq është edhe e disiplinuar nga metodat, programet. Ajo ka historinë e saj të zhvillimit dhe pavarësinë e saj konceptuale. Asnjëherë nuk ka patur Poetikë Universale (pa folur për barrierat ndërmjet gjuhëve) – poezia varet nga idioma lokale, distanca gjeografike, sociale. Ka poetë oborri, rrugësh, profesionistë dhe amatorë, të ditur ose popullorë, fetarë ose profanë – pra, që nuk përdorin të njëjtat procedime. Si çdo shkollë poetike, edhe krijimtaria e Frederikut shpjegohet vetëm brenda kodesh të caktuara, vetëm brenda atyre kodeve që e afirmojnë. Në historinë e artit shihet se zgjidhja e një problemi, edhe më të guximshmit, bën të lindin probleme të tjera, duke u dhënë mundësi më të rinjve të tregojnë se ç’mund të bëjnë. Sepse edhe artisti që ngre krye ndaj traditës, varet prej saj nga ajo forcë nxitëse që u jep drejtim përpjekjeve të tij. Por, ndryshe nga krijuesit e tjerë të brezit të vet, Frederik Rreshpjen e karakterizon pakënaqësia nga efektet e lehta e zgjidhjet gjysmake, për hir të një vepre serioze dhe të mundit e të djersës që kërkon ajo.
Për këtë poet, si për çdo poet të mirë, i vetmi realitet është ligjërimi. Në këtë poezi, ashtu siç thotë Elioti, nuk duhet të kërkojmë personalitetin e Frederikut-njeri, pasi ligjërimi është vetëdija e tij, por pa të. Në këtë ligjërim fjala vepron si një fuqi e fshehtë, i bën sendet të pranishme jashtë ekzistencës së tyre reale, të njohur. Ligjërimi formëson lojën e vet pa njeriun që e ngriti atë. Por një letërsi e tillë, qysh nga përcaktimi i saj, krejt ndryshe nga mendimi kritik zyrtar që ka mbizotëruar shumë dekada në Shqipëri, kërkon një lexues të ri.

Sot njohësi i poezisë ndërgjegjësohet se ligjërimi poetik është strukturë e një kompleksiteti të madh – është gjuhë më e ndërlikuar se ajo natyrale. Nëse volumi i informacionit në ligjërimin poetik do të ishte i njëjtë me atë të ligjërimit të zakonshëm, atëherë vlera e ligjërimit artistik do të pushonte së qeni. Nëse mundësia e transmetimit të një informacioni në gjuhën e zakonshme njeh kufij, kjo s’mund të thuhet për ligjërimin artistik, sepse këtu kemi zgjerim kufijsh: i njëjti informacion mund të njohë shumë mënyra transmetimi. Gjatë ritregimit të një poezie me gjuhën e zakonshme – siç ka ndodhur përgjithësisht në studimet tona apo në librat që kanë formuar breza të tërë - ne do të kryenim shkatërrimim e strukturës së saj, duke çuar kështu te lexuesi një volum informacioni tërësisht të ndryshëm nga çfarë parakupton poezia vetë.


Metoda që merret me interpretimin e ide - përmbajtjes së veprës dhe ajo që merret me tiparet artistike të tekstit, këtu ndahen. Për të thënë se letërsia ka gjuhën e vet, e cila nuk përputhet me gjuhën e zakonshme, por mbivendoset mbi të, është një mënyrë tjetër për të thënë se letërsia zotëron një sistem të veçantë e të qenësishëm shenjash e rregullash. Kombinimet e këtyre të fundit shërbejnë për të transmetuar mesazhe të veçanta, të patransmetueshme nga ndonjë mënyrë tjetër. Kështu kemi që, nga një grusht fjalësh – fat, hënë, yll, zog, dru, shi, dhembje, ishull, gjeth – do të përftojmë një pafundësi botësh.

Në poezinë e Frederik Rreshpjes nuk mund të kërkojmë ide të mëdha, siç jemi mësuar rëndom nga metodat shkollareske, pasi poezia e tij ka lidhje me atë që nuk mund të shprehet. Kjo poezi nuk është zbukurim apo përshkrim i thjeshtë i realitetit, por krijim i një qenieje poetike. Duke iu bindur disiplinës së thelbit të saj verbal, ajo zotëron një pushtet emërtues, por shenjat e saj mbështjellin me një ndjeshmëri të mistershme. Poezia e Frederikut shpjegohet si vetëdije e shpirtit të fëminisë dhe pasioneve të saj. Përcaktimi thelbësor që i bëhet kësaj poezie është: ligjërimi i imazheve të kësaj fëminie. Ky poet, tashmë burrë e plak, u vesh ndjenja e pasion sendeve dhe gjërave të pandjeshme. Përmes fjalëve të poezisë ndodh çlirimi i tensionit të organizuar të fjalëve. Poezia vjen nga bashkëshoqërimi i ideve dhe ngjyrimeve që nxisin fjalët përmes kujtimeve, emocioneve dhe dëshirave. Për t’u shprehur, poeti përdor sendet që e rrethojnë, imazhet e ëndrrave dhe objektet e ëndrrave të veta.

Me Frederikun kemi të bëjmë me atë lloj poeti për të cilin poezia është brenda vetes dhe nuk ka nevojë të kërkohet larg. Si poet ai ka në dispozicion fjalët, por i shtyn ato në punë ndryshe nga njerëzit e tjerë, kur kanë nevojë për to. Janë të njëjtat fjalë, por jo të njëjtat mënyra e vlera përdorimi. Kështu poezitë e tij marrin një pafundësi kuptimesh të mundshme, pasi në thelb ato janë një muzikë shenjash të shumëllojta, e cila mund të kundrohet si një kaleidoskop.

Poet thellësisht modern, por për të cilin ligjet e së bukurës janë të përjetshme, ai ka përjetuar jetën e burgut apo vetminë e plotë, pasi asgjë nuk mund t’ia zëvendësonte atë që shikonte duke ëndërruar. Forma më e lartë e tij është akti i krijimit, ku ndodh akti i lirisë së tij, i cili është akti më i kulluar i shpirtit.

I përket atij grupi poetësh që, edhe pse me një jetë relativisht të gjatë, krijojnë një libërth të vetëm. Në këtë mënyrë, ai siguron një vend në mes të të ndritshmëve, të atyre që i japin poezisë si poezi respektin më të plotë e të thellë.

2.

Kjo poezi, moderne në tërësinë e saj, e realizon ritmin poetik jo në bazë të elementëve që përsëriten gjatë vjershës, mënyrat më të njohura te poezia tradicionale, por përmes një uniteti brenda shumëllojshmërisë. Në këtë poezi si faktorë të organizimit ritmik janë zgjedhja e fjalëve, rendi i veçantë i tyre, vargjet e mirëkontrolluar: të gjitha këto në unitet me kuptimin e fjalëve, me asociacionin që përçojnë te lexuesi. Raporti i metrikës tradicionale dhe i përpjekjes për krijimin e formave të reja të studimit të vargut është raporti mes retorikës silabike dhe stilistikës së re, mirëpo teoria e re mbi vargun krijohet në bazë të vjershërimit të vjetër, madje edhe atëherë kur i kundërvihet. Rasti i poezisë së Frederik Rreshpjes e ilustron më së miri këtë argument. Për shembull:

Vjeshtë 1990

Qanë dreri në korije dhe lotët bëhen shi.
Trishtohet era mbi shkëmb.
Nuk ka më gjethe të gjelbra. Po bien
Ëndërrat e pyjeve një nga një.

Ikin zogjtë nga shkretimi i drurëve:
Lamtumirë, o pyje të Ballkanit!
Veç nën një ferrë kaltëron ende
Vjollca e fundit e këngës së bilbilit.

Ardhtë një vjeshtë pa shtegëtim zogjsh!
Ardhtë një Zot, vëntë dorë mbi stinët!

Shohim menjëherë se poezia nuk është në rregullat e normat e poezisë klasike, nuk kemi as vargun e matur rrokjesh, as strofat fikse dhe skemat e njohura rimike, pasi ajo është ndërtuar sipas kërkesash që ndryshojnë prej tyre.

Hapi i parë i kuptimit të kësaj poezie është leximi i disahershëm i saj, për të kapur çdo fjalë e referencë. Kërkohet vetëdija e kapjes së kuptimit të dytë të fjalës, ashtu siç duhet për të kuptuar kodin e përdorimit të saj: duhet të përcaktohet qartë ngjyresa e hollë e kuptimit. Është e nevojshme të dihet ngjyresa e zakonshme e fjalës dhe ngjyresa e veçantë në kontekstin e poezisë. Për shembull, fjala vjollcë e përdorur aty, ndryshon shumë nga kuptimi që ka kjo fjalë në një fjalor.


Poezitë, kryesisht, lidhen me emocionin dhe jo me idetë, prandaj këto emocione përçohen përmes ngjyresave të fjalëve dhe asociacioneve midis tyre, duke formuar kështu botën poetike të tekstit. Meqë pjesa më e madhe e intensitetit emocional është krijuar nga tingujt dhe ritmet e kombinimit të fjalëve, kjo poezi duhet lexuar me zë. Ajo duhet lexuar me kujdes, por në mënyrë të natyrshme, duke shqiptuar çdo fjalë, duke ndaluar në çdo shenjë pikësimi dhe duke vëzhguar fundet e vargjeve me ndërprerjen e duhur. Disa vargje duhet të kenë ndalesa të theksuara, ndërsa disa të tjerë duhet të hidhen menjëherë te vargu tjetër, pas një ndalese të lehtë, duke përjashtuar çdo ton monoton, artificial e mekanik, të cilët, shpesh, shihen si poetikë.

Poezia ka një model të veçantë tingujsh, thyerjesh dhe rrjedhe ritmike, dhe lexuesi i mirë përcakton nuancat dhe zhvillimet emocionale, duke i paraqitur ato sa më saktë në leximin e tij. Çdo lexim i një poezie të shkruar mirë duhet të rikrijojë emocionet fillestare që ka patur poeti në intensitetin e tyre të parë.

RRUGËT E ZHVILLIMIT TË LETËRSISË SHQIPE NË KOSOVË

Isak AHMETI



Kur shkruajmë ose flasim për Rrugët e zhvillimit të letërsisë shqipe në Kosovë, medoemos duhet të priremi që atë ta shikojmë dhe ta vështrojmë në radhë të parë në kontekst me traditën kishtare iliro-shqiptare në Dardani, përkatësisht në Kosovë.[1] Nga ky kënd vështrimi, ne do të mund të kuptojmë se rrënjët e qytetrimit tonë, pra edhe të letërsisë sonë, janë shumë më të hershme se ç’është pohuar deri më sot në të gjitha Historitë e letërsisë shqipe.[2] Duke ndjekur këtë vijë, unë do të përpiqem më shumë të nxjerr në dritë në pikat kryesore, personat, por edhe dukjet letrare të kësaj treve, që kanë kontribuar jo vetëm për t’i lidhur e bashkuar shqiptarët dhe kulturën e tyre me Perëndimin, me Europën, por edhe në zhvillimin e kulturës evropiane në përgjithësi. Në kontekst me këtë, prandaj, del se historia e zhvillimit të shkencës, kulturës dhearsimi t shqiptar në Kosovë dhe më gjërë, ruan një traditë të largët. Ajo shpie në dukjen e civilizimit më të hershëm europian. Pra nga stërgjyshërit tanë ilirët e më pastaj gjatë mesjetës në trojet e rudhura arbërore, pra edhe në Kosovë, u zhvillua një përvojë e madhe e njohjes që u transmetua nga brezi në brez. 
Këto predispozita, siç ka hetuar edhe Jahja Drançolli,[3] paraqitnin një bazë solide për zhvillimin e mendimit shkencor, arsimi t, artit dhe kulturës në përgjithësi të popullit tonë në truallin e tij atnik, pra edhe në Kosovë. Që këtej, pra, edhe kultura, letërsia, por edhe arsimi që u zhvillua në Kosovë ku, krahas ngritjes së qyteteve të njohura të Europës gjatë shekujve të mesjetës së zhvilluar, u zhvilluan edhe qendra të njohura të Kosovës si: Novobërda, Prizreni, Peja, Trepça, Janjeva, Stublla e Epërme etj,[4] ka kontribuar jo vetëm në ruajtjen, por edhe në forcimin e vetëdijes kombëtare në përgjithësi. Këto qendra kishin marrëdhënie të drejtpërdrejta me qytetet e njohura europiane, gjë që është realizuar përmes raguzanëve, venedikasëve, relatorëve të Papës, etj. të ardhur në Kosovë, në një anë, dhe në anën tjetër, shqiptarëve të mërguar apo të shkolluar në qendra të mëdha të dijes europiane, si bie fjala në Romë, Padovë, Bolonjë, Paris, Raguzë e gjetiu.[5] Këta shkollarë ishin njëkohësisht edhe bartës të ideve progresive e humaniste të kohës. Në mesin e tyre pati edhe prelatë të lartë kishtartë, krijues (historianë, teologë, filozofë, mjekë, letrarë, artistë, etj), që bënë emër në Europë.
Ç’është e vërteta, tradita e shkrimit në Kosovë, ndonëse në gjuhëm latine (ç’farë ishte praktikë në Europën e asaj kohe), fillon, sipas të djënave të sakta që disponojmë, qysh në shek. IV, kohë kjo kur tradita e shkrimit në këto treva lidhej ngushtë edhe me traditën kishtare iliro-shqiptare në Dardani, përkatësisht në Kosovë.[6] Të kësaj kohe, pra të shek. IV kemi edhe teologun, folozofin dhe poetin, autorin e „TE DEUM“-it të famshëm të krishterimit, Shën Niketën dhe Dardania.[7] vepra madhore e këtij prelati kishtar shqiptar edhe veçmas „TE DEUM“-i i tij, siç ka vënë re edhe I. Kadare, është bërë me kohë pjesë e komunitetit kulturor europian.[8] Është theksuar, por, me të drejtë se në aspektin teologjiko-filozofik dhe letrar-poetik himni i famshëm i Shën Niketës „TE DEUM“-i. radhitet ndër krijimet antologjike të poezisë botërore.[9]
Në vargun e krijuesve të Kosovës, që kanë dhënë kontribut të madh në epokën e humanizmit dhe të Rilindjes evropiane. krahas personaliteteve si janë: gjon Progoni, Gjon Vaji, Gjon Injaci etj., që të gjithë nga Novobërda, që etëbotë ishte qendër e njohur kishtare, vlen të përmendim me këtë rast, në mënyrë të veçantë, Martin Segonin (? - 1485). ky historian e teolog i njohur (i shek. XV), që kish bërë emër në Europë (kish mbaruar edhe doktoratën më 1475 në Univesitetin e Padovës), krahas me çështjet kishtare, gjeografike dhe juridike, është marrë edhe me tëma aktuale të luftës për liri kundër invadimit osman, që kish përmbytur Ballkanin e që po rrezikonte Europën.
Duke qenë dëshmitar i afërt i përmbytjes së shtetit shqiptar dhe i nismës së rretikut për pushtimin e Italisë, martin Segoni, kishte shkruar, pos tjerash, edhe një skicë jetëshkrimi, me plot elemente letrare dhe historike, mbi Skënderbeun, të titulluar: Narrazione di Giorgio Castriotto dei Terchi nelle lingua lero chiamato Scender Beg, cio Alesandro Magno (Tregim mbi Gjergj Kastriotin, i mbiquajtur nga Turqit në gjuhën e tyre Skender Beg, dmth Leka i Madh). Më sa dihet ky është shkrimi i parë i njohur derisot kushtuar Heroit tonë fetar e kombëtar, që ruhet në Bibliotekën nacionale të Firencës.[10] Ndryhse nga Barleti, Beçikemi e ndonjë tjetër humaist shqiptar, që shkruan për Gjergj Kastriotin - Skënderbeun jashtë Atdheut, Segoni shkroi në ulqin dhe vetëm dhjetë vite pasvdekjes së Heroit tonë fetar e kombëtar. Qëllimi i këtij prelati të lartë kishtar qe, gjithsesi, ta informonte Papën dhe opinionin europian përgjithësisht për ngjarjet e ndryshme të luftrave të popullit shqiptar kundër osmanëve, duke u nisur nga Lufta e Kosovës e vitit 1389, ku kanë marrë pjesë edhe shqiptarët katolikë, ithtarë të Kishës katolike shqiptare që e njihte Papën e Romës për epror, në krye me Muzakajt, Balshajt, Dukagjinasit dhe Kastriotët, e duke mbaruar me pushtimin e Krujës e të Shkodrës, në vitet 1478-79. Ç’është e vërteta, Segoni ka shkruar edhe shkrime të tjera, që përshkohen nga një kulturë e gjerë europiane, e ku kemi edhe fragmente të tjera mbi Gjergj Kastriotin-Skënderbeun dhe familjen e tij. ka shkruar edhe për Kossovën, përkatësisht për Dardaninë. ky madje, pas Anonimit të Raguzës (shek. XV), është i pari që krahas emërtimit Kosova, përdor edhe emërtimin Dardania.[11]
Mirëpo kur është fjala Rrugët e zhvillimit të letërsisë shqipe në Kosovë, le të përmendim këtu se shumica e autorëve të letërsisë së vjetër shqipe të shekujve XVI-XVII, punuan, gjithnjë në kuadër të Kishës katolike shqiptare, në viset e Kosovës dhe u përpoqën, veç tjerash për hapjen e shkollave shqipe siç është rasti edhe me hapjen e Shkollëssë parë shqipe në Stubëll të Epërmme, të Karadakut, në Kosovë, fillet e së cilës shkollë i gjëjmë qysh në vitin 1584, kur ka funsionuar, siç ka dëshmuar edhe Prof. Dh. S. Shuteriqi,[12] një Kolegj fetar i rangut të një Instituti të lartë, ç’farë ishin zakonisht Kolegjet fetare të asaj kohe e ku, përveç teologjisë, mësoheshin filozofia dhe stidioheshin edhe klasikët. Që këtej, shkrimtari tjetër, Atë Pal hasi, françeskan (shek. XVI-XVI), ishte poashtu kosovar nga Hasi dhe kultivuesi i parë i vargut artistik në shqipe. Nga vepra e këtij shkrimtari, autor edhe i vjerrshës së njohur „Dita e gjyqit“ dhe Mortja,[13] janë frymëzuar edhe autorë të tjerë të hershëm të kkosovës siç janë Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, Andre Bogdani, Lukë Bogdani etj., që vazhdimisht traditën e sahkrimit shqip në Kosovë dhe gjithnjë në frymën e qytetrtimit europian.
Krahas Atë Pal Hasit, me amrin e të cilit, pra, lidhet edhe të dukurit e parë të poezisë shqipe në frymën europiane në Kosovë dhe më gjerë,[14] është edhe Pjetër Budi (1560-1622). Kur jemi te ky autor, le të përmendim se, ndonëse ishte nga Shqipëria, pjesën më të madhe të shërbimit të vet fetar dhe kombëtar ai e ka kaluar në Kosovë, ku edhe shkroi, i frymëzuar nga Atë Pal Hasi, një pjesë të mirë të veprës së vet, ku hasim edhe elemente të një vetëdije të lartë kombëtare dhe patriotike. Ndërsa me prozën e vet kombëtare, siç ka vlerësuar edhe studiusi Gunnar Svane,[15] nuk mbete aspak mbrapa standardeve europiane. Figura e Pjetër Budit, siç ka vlerësuar edhe studiusi ynë I. Zamputi,[16] na del sot e inkuadruar në plan të parë të përndjekjeve të shqiptarëve të shek. XVII për çlirimin e vendit dhe vepra e tij letrare del e vënë në shërbim të këtyre përpjekjeve. Kur shkruajmë për P. Budin duhet medoemos të theksohet edhe fakti se me të letërsia shqipe e Kosovës në veçanti dhe letërsia shqipe në përgjithësi, ka hyrë në një fazë më të lartë zhvillimi. Me të fillon proza origjinale. Tek ai kemi edhe poetin më të plotë dhe më të kompletuar në shqipet, pas Atë Pal Hasit.
Vështruar nga aspekti përmbajtësor, por edhe nga aspekti estetiko-poetik, poezia e Pjetër Budit (që kapë diku rreth 3000 vargje), nuk mbetet mbrapa poezisë së kohës në Europë. Skiroi madje me plot të drejtë atë e ka radhitur krahas Miltonit dhe krahas poetit Andreini, që të dy poetë të shek. XVII dhe autorë që janë mbështetur në historinë biblike.[17]
Është konstatuar me të drejtë se askush nuk mund të mohojë se aspektizmi më i rrebtë nuk arrin të fshehë në vargjet e Pjetër Budit aspiratat e tija politike e kombëtare, derisa duket qartë se ai ndonjëherë në mëkatin dhe në djallin shikon dhe mallëkon Turkun e errejtur, shkelësin e Atdheut të tij. Dhe në të vërtetë ai qortim e kushtrim, që Budi u drejton bashkatdhetarëve për një jetë të pastër, për qëndresë në virtyt, lutjet e vazhdueshme për lirim nga gjendja e mjerueshme, shprehin realitetin e idhët të kohës dhe dëshiron për një jetë të lirë.[18] i ndikuar nga poezia europiane si edhe nga poezia e traditës „letrare hasjane“, veçmas ngaDita e Gjyqit e Atë Pal Hasit, Pjetër Budi ka kërkuar ndër vargjet më të bukura, që i njohim në poezinë e asaj kohe. Dy poemat e Doktrinës së Budit, veçmas: Ajo ditë me meni, të cilën në fragmente e gjejmë te Buzuku dhe më vonë te Bogdani, nuke gjëjmë vetëm me përmbajtjen e ngushtë filozofike të Biblës, përkthimin integral të së cilës në shqipet për herë të parë, në botim të Reaksisë së Dritës, na e ka dhuruar Dom Simon FILIPAJ.[19] Por kur jemi te poezia: Ajo ditë me meni,  e Pjetër Budit vlen të theksohet se në të, por edhe në vargjet e tjera, kemi një shpërthim të fuqishëm poetik, me përmbajtje biblike të gërshëtuar edhe me përmbajtje patriotike. Duke e lexuar me vemendje poezinë e Budit, që është doktrinë në vargje, si dhe vargjet fort të bukura:
„Ajo ditë me meni
Qi të vijë ndë e vonë
Këtë shekull të zi,
Ta diegë e ta përvëlojnë“,
kuptojmë se ai ka kënduar një tematikë biblike, në formë popullore-artistike. Dhe vleë me vete vjerrshat e Budit i bën, para se gjithash, fakti se ato janë shkruar shqip e me tematikë univerzale, që intelektuali i kohës ka mund t’i lexonte në gjuhë të tjera. E gërshetuar me elemente të krijimtarisë popullore, me përmbajtje bibliko-filozofike, poezia e Budit ka diçka që lidhet me rrethanat, me kushtet historike, me tendencat e kohës.[20] Kësodore, prandaj ajo shënon një etapë të re në zhvillimin e letërsisë kishtare në veçanti, e në në letërsinë shqipe neë përgjithësi.
Në shek. XVII në këto treva ka jetuar dhe ka vepruar edhe Imzot Pjetër Bogdani (1630-1689), njëri nga doktorët e parë të shkencave filozofike dhe teologjike. Vepra e tij madhore, Cuneus Prophetarum (Çeta e profetëve), botuar më 1685, në Padovë të Italisë, është bërë me kohë e njohur në mbarë Europën. Kjo vepër, e cila ka vlerë të pakontestueshme teologjike,filozofike, gjuhësore, letrare, pedagogjike, etike e psikologjike, është një Krue i gjallë, thënë metaforikisht, ku mendja dhe shpirti ynë do të gjejë kënaqësi dhe shqetësim intelekual, ku shumëkush mund të marrë e nuk do të shterret lehtë, ‘farë është cilësi dhe vlerësi e veprave të mëdha e komplete që bëjnë jetë në kohë, që qëndrojnë fort me tematikën dhe poetikën e vet. Është kjo, siç ka theksuar me të drejtë Ibrahim Rrugova, vepër bazë në humanistikën shqiptare.[21]Vepra e Pjetër Bogdanit, Çeta e profetëve, përgjigjet konceptit organizativ të Biblës. Së pari libri është i ndarë në dy pjesë, ashtu siç është e ndarë edhe Bibla në Dhjatën e Vjetër dhe Dhjatës së Re, e këtu Cuneus prophetarum dhe De vita Iesu Christi salvatore mundi,  që në titullin  e përgjithshëm të librit dalin si titull i vetëm e tij. Pjesa e parë e librit është një traktat filozofik e shkencor në kuadër të teologjisë, ndërsa pjesa e dytë i kushtohet kryesisht jetës së Jezu Krishtit që nga gjeneza deri te rishfaqja e tij. E gjithë vepra e Bogdanit është një praktikë filozofike, një filozofim i pasur dhe i thelluar me argumente mbi krijimin marrë në kuptimin më të gjerë dhe mbi jetën dhe përvojën njerozore në planin e vendosjes dhe të shqyrtimit transcedental.[22] Kur jemi te vepra e Bogdanit vlen të theksohet se momenti patriotik dhe humanist i Pjetër Bogdanit dhe i veprës së tij, si dhe përcaktimi i tij në luftë konsekuente kundër turqëve, sidomos në fushën e angazhimit dhe të organizmit të kësaj rezistence, ka frymëzuar poetë tanë dhe të huaj që ta krahasojnë këtë shkrimtar dhe humanist të madh të Europës Juglindore me Gjergj Kastriotin dhe me epokën e tij të lavdishme:
„Trimëria dhe mirësia e Gjergj Kastriotit
dhe Pjetër Bogdanit gjithë botës i është e njohur:
ai në luftë bëri vepra të mëdha,
kurse ti tani në fushën e dijes“
(P. Rikeiardi)
Ky korife i shkencës dhe arteve shqiptare,[23] ka lënë gjurmë të pashlyeshme edhe në krijimin e poezisë shqipe duke shprehur, përmes saj, koncepte dhe ide filozofike e shkencore. në shkallën e IV të veprës së tij, Pjetër Bogdani ka dhënë një cikël të tërë poezish me titull: Jeta e dhetë Sibilave dhe këngët e tyre,[24] që në njëfarë mënyre janë vazhdimësi e profecive të profetëve. Përmes këtij cikli poetik del prefigurimi i Sibilave mbi disa elemente të jetës dhe veprës së Krishtit, që do të gjejë trajtim të meritueshëm ehe në veprën: Shpërblyesi i botës ase Jeta e Jezu Krishtit të Atë Shtjefën Gjeçovit të cilën e botio Drita (Ferizaj) për të parën herë (1993), por edhe në veprën më të re: Jezu Krishti e vërteta ër të gjithë (1994) të Dom Pren Kolajt,[25] vepra këto të një frymzimi gjithsesi europian. Por kur jemi te cikli i poezive: Jeta e dhjetë Sibilave dhe Këngët e tyre, le të theksojmë se aty P. Bogdani ka kënduar në mënyrë tëperfeksionuar poetike, me plot elemente biblik-filozofike është kënduar Jeta e Krishtit prej lindjes deri në vdekje. prandaj në qendër të kësaj filozofie bibliko-poetike, prej nga mund të jenë frymëzuar mbase edhe Atë Shtjefën Gjeçovi, Imzot Frano Illia, Dom Pren Kolae ndonjë tjetër, është edeja për të Mirën, për të Vërtetën, për të Drejtën. në këtë cikël poezish të Pjetër Bogdanit, por, kemi figura më të bukurat në poezinë shqipe. Shembuj të shumtë flasin për gjuhën e formuar poetike të Bogdanit: Elementet poetike flasin se janë të gërshetuara në një trinomi: e bukura e natyrës, harmonia e përgjithshme në suaza të kozmologjisë teologjike dhe e bukura shpirtërore (virtyti). Që të tre këta pëbërës të poetikës së Bogdanit janë shkrirë në një gjuhë poetike autonome që është ajo e gjithë veprës së Bogdanit.
Nuk mund të bëhet fjalë për Rrugët e zhillimit të letërsisë shqipe në Kosovë e të mos përmendet edhe Dom Lukë Bogdani (shek XVII) dhe poezia e tij e njohur kushtuar Pjetër Bogdanit.[26] Si poet i frymës rilindëse të renesansës shqiptare, Lukë Bogdani me zotësitë pashoqe sintetizuese e ka lidhë të kaluarën e largët historike, atë të kohës së Lekës së Madh me kohë e Gjergj kastriotit dhe me kohën e autorit.[27]Poezia e tij paraqitet me interes të veçantë, qoftë për elementet e përmbajtjes, qoftë për rrjedhshmërinë e vargjeve që ka. Kujtimi i Gjergj Kastriotit, si simbol i qëndresës së popullit shqiptar kundër skllavizmit turk, është i gjallë. Poetinë fjalë e përmend atë me krenari: Skënderbeu shitoi Mbëretnë“ (e goditi keq Sulltanin).[28] Poezia e Lukë Bogdanit hapet me vargjet:
„Duel n’Gurit bukuria
Zana si nji sut’e naltë,
Qi s’kish mbrenda VENECIA
Bë PASHTRIKUT mur Maltë“.
Siç ka vlerësuar edhe I. Rugova,[29][29] këtu është fjala për një figurë mitologjike popullore, që në gjuhën popullore del si arketip i të bukurës, e që këtu poeti e nxjerr prej gurit, që është element real i vendlindjes së tij, dhe të Bogdanit-Hasit të Gurit. Pastaj kësaj figure, Zanës, ia kundërvë dy toposeve reale Venedikut, si sinonim i begatisë dhe bukurisë mesjetare dhe Pashtrikun, që është i pasur dhe i banuar prej një këso bukurie. Kështu konceptit të civilizimit evropian-Venedikut, që mund të komentohet edhe kështu, ia kundërvë kkonceptin e një civilizimi tjetër, Pashtrikun, se edhe ky e ka civilizimin, se edhe ky e ka civilizimin, begatinë dhe bukurinë e vet. Pra këtu e kemi atë problemin e vazhdueshëm midis autentikës dhe të jashtme, po jo në kuptimin mohues të së dytës.[30]
Poezia e Lukë Bogdanit, të cilën e ka çmuar lart edhe Faik Konica,[31], është, në bazë të elementeve të saja poetike dhe tematika autentike dhe autoktone, ndër krijimet më të bukura në poezinë tonë.[32] Ç’është e vërteta, poezia e Pjetër Bogdanit si dhe ajo e e Lukë Bogdanit, siç ka vlerësuar edhe Dh. S. Shuteriqi,[33 është dëshmi e gjallë e një veprimtarie pak a shumë të gjerë poetike në Kosovë dhe më gjerë në shek. XVII.
Në periudhën e mëvonshme (shek. XVIII) si punonjës i shquar në fushën e gjuhës dhe të kulturës shqiptare në Kosovë dhe më gjërë, përmendet një prift tjetër katolik. Ky është Gjon Nikollë Kazazi (1702-1752) nga Gjakova, i cili, siç ka pohuar studiusi dhe profesori i Albanologjisë në Univerisitetin e Romës, Namik Resuli[34], bashkë me Buzukun, Budin, Bardhin e Bogdanin i ka dhënë dinjitet shkrimi prozës sonë. Dhe mu në kohën kur gjithëkah, të thuash, shuhej zjarri i shqipes[35]. Gjon Nikollë kazazi, argjipeshkv i Shkupit, e botoi katekizmin Doktrina e krishterë, Romë 1743. Kjo vepër e dalluar në kohë të vet lidhet me letërsinë shqipe të periudhës së mëparshme dhe është frymëzuar nga të njëjtat qëllime: autori ka të njëjtën dashuri për gjuhën shqipe, të njëjtin kujdes për pastërtinë e saj si autorët e shekullit të kaluar[36], që bënë përpjekje këmbëngulëse për t'iu përballuar orvatjeve intensive asimiluese të pushtetit osman.
Doktrina e krishterë e kazazit si dhe krijimet e tjera të shquara T'asaj kohe (shek. XV-XVI-XVII) kanë mund të lindinnga një lëvizje e vërtetë letrare dhe me cilësi artistike, që abjektivisht, me frymën e qytetërimit europian si dhe me frymën e qytetërimit autokton që kishin, iu kanë kundërvënë kulturës dhe letërsisë shqipe të proveniensës islame që, siç ka pohuar me të drejtë edhe studiuesi ynë Injac Zamputi[37], paraqet një stagnim, kthesë prapa në ndërgjegjën kombëtare, do thoshim. Sepse letërsia e bejtejxhinjve, që ishte thellësisht e ndikuar nga gjuha dhe letërsia e pushtuesit[38], në tendencën e vet të përgjithshme ishte një trup i huaj në kulturën dh letërsinë shqiptare. Ajo, pra letërsia e bejtexhinjve e proveniensës islame, disa reflekse të së cilës i hasim edhe në Kosovë, qëndroi më shumë larg halleve dhe shqetësimeve të mëdha të popullit dhe pati lidhje të pakta me qëndresën kundër zgjedhës turke.[39]
Më shumë se njëqind vjet më vonë, pas Gjon Nikollë Kazazit, që njihet edhe si zbuluesi i Mesharit (1555) të Gjon Buzukut, me fjalët e shkruar në gjuhën shqipe në Kosovë paraqitet edhe prifti katolik shqiptar nga Peja, Dom Ndue Bytyqi (1847-1917), që me të drejtë është quajtur »Bilbili i Kosovës«[40][. Ky është i pari midis të parëve poetë të Fillimeve të Rilindjes kombëtare. Është i njohur përkthimi i tij Psalmet e Davidit në gjuhën shqipe. Por janë me rëndësi të veçanta poezitë e tija patriotike, nga të cilat më e njohura është poezia Atdheu, e botuar në Shkodër në vitin 1877 pranë poezisë Vaji i bylbylit,  të poetit më të madh të rilindjes, Dom Ndre Mjedjës. Poeti Dom Ndue Bytyqi është dalluar për saktësinë e vargut dhe si një nga lëruesit e parë të tingëllimit në shekullin e kaluar. Si poet ai ka shënuar kthes në krijimtarinë artistike të viteve ne prag të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878) duke kontribuar njëkohësisht, jo vetëm në zgjimin dhe forcimin e ndërgjegjës komëtare, por edhe në lidhjen midis fazës së dytë dhe të tretë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ndonëse i »harruar« në Historinë e letërsisë shqiptare, Dom Ndue Bytyqi, duke përdorur në krijimtarinë e tij poetike përbërës që dallojnë klasicizmin, romantizmin dhe realizmin, është bërë, qiç ka pohuar me të drejtë edhe Rexhep Qosja[41], paralajmërues i të tri prirjeve stilistike, që do ta karakterizojnë periudhën e përbashkësisë së stileve. I ndikuar thellë nga poezia shqipe e traditës si dhe nga poezia e pasur europiane, veçmas nga poezia e pasur gjermane, Dom Ndue Bytyqi ka mund t'i japë poezisë shqipe në Kosovë dhe më gjërë disa nga krijimet më të bukura, duke e pasuruar atë jo vetëm me përmbajtjen patriotike, por edhe me figura, masë e rima të ndryshme. Jo vetëm në poezitë LUGATI dhe KASTIGIMI, por edhe në poezitë ÇOBAJT, BARKAXHIA dhe PESHKAXHIA, që shquhen me të dhëna realiste, kemi një jehonë të madhe të poezisë romantike europiane.
Në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, në Kosovë është shquar patrioti e martiri i Fesë e Kombit, Atë Shtjefën Gjeçovi, të cilin Faik Konica e ka vlerësuar si si njërin nga njerëzit më të lartë që ka pasur Shqipëria[42], ka një prodhim të madh letraro-shkencor, një trashëgim që rralë kush e ka lënë nga njerëzit tanë të kulturës e të shkencës. Ai, siç ka pohuar edhe studiuesi Rrok Zajzi[43] është dalluar kryesisht për veprimtarinë e tij në fushën e arsimi t dhe të edukimit kombëtar, të letërsisë artistike dhe të shkencave albanologjike. Njeri me horizont të gjërë kulturor, njohës i thellë i letërsisë klasike dhe i letërsisë së Rilindjes europiane, Gjeçovi ka lënë një varg veprqash edhe në fushën e letërsisë artistike, ku motivi qëndror në shumicën e veprave të tij letrare, qe ndjenja kombëtare, për çka edhe ra fli në lterin e kosovës, në lterin e Atdheut.
Meqenëse shumica e veprave të Gjeçovit janë të njohura për opinioin tonë, unë këtu do të ndalem, në mënyrë të veçantë, te vepra e tij e fundit: Shpërblesi i botës ase Jeta e Jezu Krishtit, të cilën me 1993, e ka botuar Redaksia e Dritës, Ferizaj (e shtypur në Bergamo, Itali). Kjo vepër, mbase vepra e fundit e Gjeçovit, edhe pse e pambaruar për shkak të vrasjes tragjike të tij, është një kurorëzim i bukur në letërsinë shqipe të Kosovës! Është kjo një vepër shumë e rëndësishme dhe e mbrojtur me shumë vlera e cilësi biblike, etike, sociologjike, sociopsikologjike, filozofike, letrare, gjuhësore, etj. Këtë vepër e bënë edhe më madhështore shprehja e fuqishme teologjike-biblike, aspektet dhe elementet diturore-filozofike, letrare, etj. Vlera e kësaj vepre, pra, është e shumëfisht. Sepse, së pari kemi edhe një vepër deri tash të panjohur të Atë Shtjefën Gjeçovit, që shpëtoi nga plihuri i harrësës në saje të kujdesit shembullor të Imzot Nikë Prelës. Së dyti, e kemi edhe një vepër të një krijuesi të madh, që është mbështetur fuqimisht në përvojën krijuese të traditës letrare shqiptare dhe europiane. Dhe së treti, Atë Shtjefën Gjeçovi, duke shkruar këtë vepër, deshi të përtërijë traditën e shkelqyeshme të shkrimit shqip në këto anë dhe atë sipas shembullit të Pjetër Bogdanit duke krijuar kësodore, natyrisht, një vepër të re, origjinale e të mbështetur në baza të forta biblike, teologjike, filozofike e letrare-stilistike të traditës »letrare hasjane« si do të shprehej edhe Prof. DH. S. Shuteriqi.
Në librin Shpërblesi i botës ase Jeta e Jezu Krishtit, të Atë Gjeçovit dallojmë dy probleme, të cilat do t'i përkisnin domenit të tematikës bilbike: sajimi i librit sipas një logjike të kompozicionit, mbështetja e të cilit gjendet kryesisht në vijën kontinuale tematike dhe së dyti, degëzimi tematik, që nënkuptohet si gherësi temash që trajtohen, nduarndyrshmëri problemesh e preukopimesh. Sipas të parës na del se libri ndjek një logjikë të përcaktuar mirë të ndërtimit kompozicional, sepse kemi gjashtë njësi tematike. Atë Gjeçovi ka inkuadruar përmes paraqitjes së Jetës dhe veprës së Jezu Krishtit aq motive e preokupime, sa këtu nuk mund të përmbyllen me shembuj e skema strikte tematike, porse lidhen mes vete më shumë për nga komponentat e tjera. Por problemi jetë-vdekje dhe sërish jetë, çështjet metafitike të ekzistencës, dhembja, dyshimi, vetëmia e shpresa shfaqet si një temë bazë. Kjo vepër është dëshmi e gjallë se Atë Gjeçovi e kishte mënyrën e vet të sjkrimit, ritmin e fjalës, gjuhën e kulluar shqipe. Këto komponenete në fakt përbëjnë edhe palcin gjuhësor të veprës në fjalë, me të cilën Atë Gjeçovi porsi paraardhësit e tij që nga shek. i IV e këtej deshi ta ruajë klahjen europiane të zhvillimit të letërsisë shqipe në Kosovë dhe më gjerë.
Prandaj pohimet se letërsia jonë është e vonshme (Sabri Hamiti)[44], se letërsia jonë është europizuar vonë (Rexhep Qosja)[45], janë të pabaza, të paqëndrueshme. Janë të pëqëndrushme, sepse letërsia jonë, edhe ajo e Kosovës, që u zhvillua brenda traditës kishtare iliro-shqiptare në Kosovë, dhe veçanërisht veprat që u krijuan që nga shekulli XIV e këtej e deri në shekullin XX, kur e kemi edhe veprën Shpërblesi i botës ase Jeta e Jezu Krishtit të Atë Gjeçovit por edhe përkthimin e shkëlqyeshëm e integral të Biblës në shqipet nda Dom Simon Filipaj, etj, krahas frymës së qytetërimit europian kanë ruajtur edhe frymën e qytetërimit autokton duke kontribuar, kur e kur edhe në mënyrë vendimtare, jo vetëm në ruajtjen por edhe në forcimin e vetëdijës kombëtare brenda dhe jashtë shtetit iliro-shqiptar[46].
Ç’është e vërteta, në kohën e Atë Gjeçovit, por edhe pas tij, deri në luftën e Dytë Botërore, në Kosovë kemi disa shfaqje e reflekse letrare që përfaqësohen nga Lazër Lumezi, Haxhi Lutfi Paçarizi, Shaip Zurnaxhiu, Hilmi Maliqi, Tahir Luka e ndonjë tjetër. Këto shfyqje apo reflekse letrare, sipas vlerësimeve të përgjithshme, nuk kanë ndonjë vlerë të veçantë në krahasim me letërsinë që ishte krijuar deri m’atëherë në Kosovë.
Vlen të theksohet se vetëm pas LDB, në Kosovë u krijuan kushte më të favorshme objektive shqiptare në përmasa më të gjera. Rol të veJantë në zhvillimin e letërsisë shqipe në Kosovë luajti revista letrare: Jeta e re , që zu të botohet më 1949 në Prishtinë. Kështu Prishtina zë të bëhet qendër e jetës letrare dhe kulturore. Në fillim të viteve të ‘50 në Kosovë i kemi edhe veprat e para të poezisë së Martin Camajt, Esad Mekulit, Mark Krasniqit, etj. Kur jemi te letërsia, ndonëse në kushte të vështira okupimi, veprojnë më se njiqinë poetë, romansierë, tregimtarë, dramaturgë, publicistë e kritikë letrare[47], disa prej të cilëve madje kanë arritur të afirmohen edhe në botën e jashtme (Ali Podrimja, Rexhep Qosja, Dom Lush Gjergji, etj).
Pas trajtimit dhe shtjellimit të Rrugëve të zhvillimit të letërsisë shqipe në Kosovë, del se ajo ka arritur të ruajë, gjatë gjithë zhvillimit të saj rrokulli, që nga Shën Niketa e deri në ditët e sotm, karakterin e vet europian, perëndimor, kishtar. Ndonëse e krijuar në kohë, në rrethana e kushte të ndryshme okupuese (osmane, sllave, etj), letërsia shqipe e Kosovës ka arritur, pra, që, përballë shekujve, të ruajë, krahas frymës së qytetërimit europian edhe frymën e qytetërimit autokton, duke mbetur, por, gjithnjë brenda rrethit kulturor europian. Kjo ka mund të arrihet vetëm përmes veprave të autorëve siç janë: Shën Niketa, Martin Segoni, Atë Pal Hasi, Pjetër Budi, Lukë Bogdani, Pjetër Bogdani, Gjon Nikollë Kazazi, Ndue Bytyqi, Shtjefën Gjeçovi, Ali Podrimja, rexhep Qosja, Dom Lush Gjergji, etj.
Mbi të gjitha, KISHA KATOLIKE SHQIPTARE e ruajti origjinalitetin e letërsisë shqiptare.

[1] Dr Dom Gaspër GJINI, njëri nga studiuesit e parë dhe më seriozë të traditës kishtare iliro-shqiptare në Kosovë, ka botuar edhe studimin monografik: Ipeshkvia Shkup- Prizren nëpër shekuj, KS Zagreb 1986 dhe Drita Ferizaj 1992.
[2] Më duket se deri më tash janë botuar pesë-gjasht sosh nga autorët siç janë: Gaetano Petrota, Alberto Stratiko. Shimitër S.Shuteriqi, Eqrem Çabej, Rexhep Qosja, etj. Kemi edhe dy HLSH nga grup autorësh, tiranë 1955 dhe 1983.
[3] Jahja Drançolli, Rrënjët e qytetrimit iliro-shqiptar në Kosovë (4), Zëri, 20 gusht 1994.
[4] Stublla përmendet që në vitin 1477. Në vërtetë në një hartë topografike të Shkupit, përmendet Caravajka, që gjendet në veri-lindje të Stublës (krah. Monumenta Turcica, 21.1971 fq. 127). Kjo na jep të kuptojmë se Stublla ishte vend me rëndësi. Edhe në relacionet e vazitatorëve apostolikë të Papës qysh më 1584 përmendet ky vend, ku do të ketë ekzistuar edhe një Kolegj  „ Scuola in forma di colegio“ (krah: Fermendzin, E. Acta Bosnae, 339-340).
[5] Jahja Drançolli, vep. e cit.
[6] Tradita kishtare në Kosovë është e kohës apostulike (dr. Dom Gaspër Gjini, vep e cit.)
[7] Këtë e ka pohuar edhe Shën paul Nolani, ep., poema 17, nr. 192
[8] i Kadare, Demokratizimi-problem kq.. fjala, prishtinë 1 maj 1990
[9] Die religion in Geschichte und Gegenqart I, Tübingen (3), 1956, 306.
[10] Jahja Drançolli, Kontributi shqiptar në humanizmin e Rilindjes europiane (2), Koha, 6 korrik 1994
[11] Jahja dreçolli, Rrënjët e qytetrimit... (1), Zëri, 9 korrik 1994
[12] Dh. S. Shuteriqi, Marin Beçikemi dhe shkrime të tjera, tiranë, 1987 fq.92, por edhe Rilinda, 12.IV. 1980.
[13] Selman Riza, Vehtësia... Hjurmime albanologjike, Ser. Shken. fil., VIII, 1978, fq.119.
[14] Giuseppe Schiro, Storia della letteratura albanese, Roma 1959, 18.
[15] Gunnar Svane, The Formation... Studia Albanica, 2.1982, fq.210
[16] I Zamputi, Qëmtime për Budin... Studime historike, 1/1985, fq. 16, krahaso edhe HLSH Rilindja, 1989, fq. 37.
[17] Henrik Lacaj, Pjetër Budi... Studime filologjike 4.1966, 157, krah. edhe R. Ismajli, gjuhë dhe etni, Rilindja, Prishtinë 1991, 146.
[18] Henrik Lacaj, Vep. e cit. poaty. R. Ismajli, vep. e cit. poaty.
[19] Këtu poe cekim se për herë të parë në historinë e letërsisë dhe të gjuhës shqipe madje me emër dhe mbiemër të përkthyesit , 1994.
[20] Henrik Lacaj, vep. e cit. poaty.
[21] Ibrahim Rugova, Vepra e Bogdanit, Rilindja, 1982, fq. 225-226.
[22] Ibidem, fq. 83.
[23] Kështu e ka nominuar Dr. E. Sedaj, Rilindja, 15.III. 1989
[24] P. Bogdani, Çeta e profetëve I, Rilindja, 1991, fq. 447.
[25] Dom Pren Kola (1966), është meshtar dhe krijues që premton shumë.
[26] P. Bogdani, Çeta e profetëve, Rilindja 1990, fq. 149-155.
[27] Dr. Muhamet Pirraku, Kultura kombëtare shqiptare deri në Lp, IA, Prishtinë 1989, 197.
[28] Krah HLSH, I-II, preishtinë 1968, fq. 180-181.
[29] I. Rugova, Vepër e cituar,
[30] Ibidem, fq. 185.
[31] Krah. Albania, 4/1904
[32] I. Rugova, vep. e cit. fq. 187.
[33] Dh. S. Shuteriqi, Shkrimet shqipe, Rilindja, 1978, fq. 84.
[34] Namik Resuli, Kontributi ... Shejzat, 10-12, Romë 1970, fq. 316.
[35] Justin Rrota, Për historinë e alfabetit të shqipes, Shkodër 1936, fq.55.
[36] HLSH, I-II, fq. 190.
[37] Injac Zamputi, Elemente të vetëdijës shqiptare në përpjekje për liri, për gjuhën shqipe e për arsimi n në shëk. XV-XVII, Stud. hist. Tiranë, 3/1965, fq. 48.
[38] HLSH, I-II, fq. 48.
[39] HLSH (Maket), Tiranë 1976, 15, HLSH; Prishtinë, 1989, fq. 62.
[40] Vehap Shita, Rrënjët e një letërsie, Rilindja, 31. III. 1979.
[41] Rexhep Qosja, Romantizmi III, Rilindja Prishtinë, 1986, fq. 308.
[42] Faik Konica, Ca kujtime mbi Atë Gjechovin (ribotim), Hylli i Dritës, Shkodër, VI/1930. nr. 4. fq.227-230.
[43] Rrok Zajzi, Gjeçovi , Vepra 4. Rilindja, Prishtinë, fq. 127-129.
[44] Sabri Hamiti, Teksti i dramtizuar, Rilindja 1978, fq. 15.
[45] R. Qosja, Prej tipologjisë... ASHK dhe IA, Prishtinë 1979, 125-128.
[46] Krah. I. Drançolli, Rrënjët ...Zëri, 20 gusht 1994, fq. 41.
[47] Ibrahim Rugova, Shkrimet e Kosovës, 43-83, Prishtinë 1984, fq. 13.

Për poetin emigrant, poezia është krahu i harruar i shpendit të vendlindjes…


luan-xhuli-profil


 Për poetin emigrant, poezia është krahu i harruar i shpendit të vendlindjes…» Interviste me poetin e prozatorin devolli Luan Xhuli, Më zure ngushta mikja ime…S’ta prish dot ! Më kujton, gojë ëmblën teton time, që banonte në Korçë. Kishte shpirt devolleshe me sjellje prej aristokrateje nga qyteti… Luan Xhuli ka lindur ne Baban te Devollit me 1955 .Studioi në degën Kimi Industriale dhe për më shume se 20 vjet, punoi ne sektorin e naftës ne qytetin e Kuçovës. Prej vitit 1995 jeton dhe punon ne Athine, Greqi. Është autor i disa librave si : Ne shqip -Besoj- l990 (poezi ) -Maska e kohës-2000 (poezi) 2003 -Një firmë me shume (poezi )2006 -Ditën ëndërroj, natën e le zgjuar (poezi )2008 (Nderuar me cmimin “Ali Asllani”) -Ariani-2007 (novele ) -Ku po shkon o devolli 2008 (tregime dhe kujtime) Ne Greqisht : -Mbaj ere molle 2003 poezi -Biografia e syve 2006 poezi -Ku te kërkoj të falur 2008 poezi -Qiparisi qe donte te matej me qiellin (2008), përralla për fëmije me ilustrim. Libri “ Biografia e syve” u vlerësua si nder me te mirët e vitit dhe për 2007 u fut ne antologjinë e poezisë greke. Ka botuar poezi ne shume revista letrare dhe kritika greke është marrë në veçanti me poetikën e këtij poeti devolli. Përveç librave të mësipërm, në Greqi qarkullojnë edhe katër libra për fëmijë të përkthyera nga letërsia greke për fëmijët shqiptare. Ka marrë pjesë në disa festivale ndërkombëtare poetike duke përfaqësuar emigrantin krijues nga Shqipëria. Punon bibliotekist ne një nga libraritë qendrore te Athines.

1-Cilat kanë qëne përfytyrimet e tua , se një ditë do të bëheshe poet, shkrimtar…? …S’kam menduar ndonjë here se do të bëhem shkrimtar apo poet. Dhe sinqerisht nuk me shkon mëndja as sot…Kush tha se jam i tillë ? Është tepër i madh ai emër, si për mua, si për shumë të tjerë …Jam thjesht një krijues me shpirt të pastër…një njeri që «ditën ëndërron, natën e lë zgjuar»(titulli i një libri poetik ) Adhuroj fjalën e zgjedhur, ritmin dhe këngën popullore, metaforën e mendimit dhe vallen devolliçe! Më pëlqen të fundosem në magjinë e faqeve të shkruara, si të jetë burim i ftohtë Çardaku me etje prej gushti…! Mikrob adhurimi – libri…Pas vajzave të mia, le të kenë zili të tjerët, dashuritë….!

2-Cila ka qenë shoqëria në adoleshencën tuaj ? ..Fantazia dhe pjesëmarrja në biseda të «pa ligjshme» të rriturish, dasmor i pa ftuar i dasmave devollite (ishin festa për mua) dhe fanatik i ditarit të asaj moshe…(ç’e do që akoma mbaj…,s’dua të rritem !)Mrekullohesha nga filozofia popullore, nga e përditshmja e fshatit, aq sa xha Sefja, një prej burrave më hokatarë dhe të zgjuar të fshatit, më quante shokun e tij më të ngushtë, edhe pse isha 50 vjet më i vogël…! Banorët e fshatit tim, janë autorë të zgjuar të artikulimit sarkastik dhe gojor, gjë që për mua ishte e para shkollë e vyer, që nuk mora diplomë të shkruar…! Aventurat e Piter Panit dhe heronjtë e përrallave të vëllezërve Grim, i kisha bërë si të ishin të miat…I tregoja mes shoqërisë me fantazinë time gënjeshtare dhe patosin e të krijuarit..Shtoja dhe hiqja kapituj të tërë, duke interpretuar dëshirat e mia të asaj kohe…

3- Cila ka qenë poezia e pare që keni krijuar? …Pyetja më e lehtë! Për nënën parti, që na kishin mësuar, që ta donim më shumë se nënën e vërtetë. U botua tek gazeta «Pionieri». Isha në klasën e katërt. Gjithë Babani e mori vesh, «që më kishte marrë gazeta…»!

4-Cili ka qënë libri juaj i parë ? Κishte titullin “Besoj”, të kundërtën e asaj ç’ ka kisha menduar gjer atëherë…I takon vitit 1990-të. Akoma s’e besoj s’e e kam shkruar unë. Ëndrra te pa fajshme dhe jetime. Poezitë e atij vëllimi, i kam krahasuar me mollët e pikuara, që binin sepse u kish hyrë krimbi…Kam vetëm një kopje, që mallëngjehem sa herë i shoh kapakun. Një diell mes resh ngjyre gri mbi një mal të zhveshur. Po e ribotova, do ta ndërroj dhe titullin. Do ti shkonte me mirë p.sh “Kur ëndërroja besimin…”S’ më pëlqen të flas për atë kohë…

5-Çfarë është për ju një muzë, Aftësi gjenetike apo talent që kultivohet ? Nevoja për të shkruar, është një uri, që asnjëherë s’e ndjen ngopjen..Për mua ka qënë dhe mbetet nevojë, mike që të dëgjon dhe respekton, çlodhje e një shpirti të ngarkuar, rrëfim, ikonë e një ëndrre që mundohesh ta kapësh…Ç’ të them tjetër? Muza, për mua është zëri që më thërret, përkëdhelja e dëshirës brenda vetes…muzë, do të thotë frymë! Njerëzit lindin për të ëndërruar,më vonë zgjedhin mënyrën se si..Unë p.sh. ëndërroj dhe pa fjetur…Mos qesh !

6-Cilat janë disa nga idetë apo temat në krijimet tuaja…Huazoni nga elementët autobiografikë…? -Është gjëja me e mirë kur ke borxh tek vetja….Krijuesi “vjedh” veten që të pasurohen të tjerët. Kështu them unë. Idetë e trurit tim, i dua të jenë të hapura si çadrat…Ja njoh vlerën më shumë ashtu, në kohë shiu, sepse ja kam nevojën…Respektoj lirshmërinë dhe shprehjen pa tutor. Si vë në allçi mendimet dhe idetë. Është e vështirë për çastin, veç më vonë është ngushëllim dhe zgjidhje për ata që kuptojnë poezinë…Vargjet, s’durojnë moral dhe shtrëngesë. Iku koha e gardheve të realizmit socialist. Më pëlqen të krijoj, me mënyren si flas dhe si sillem. Ka gje të keqe…? Bëj shoqeri me gjerat e vogla dhe të thjeshta, me ato që s’bien në sy dhe shpesh i shkelim. Me to, merrem vesh pa fjalë…!

7-A ka diçka ideale në guzhinën e nje poeti apo shkrimtari ,dhe ç’ju ka dhënë konkretisht poezia? -Asgjë nuk është etalon për një krijues origjinal. Stili dhe forma, kompozicioni dhe ritmi, mendoj se nuk zhvillohen me recete klasike… Poeti aq më shumë, ka nivelin e tij fantazmagorik. Odhisea Eliti, një nga poetët e mi të adhuruar, është shprehur diku se krijuesi, nuk mund të ndjejë stabilitetin e qenies se tij mbi toke, nqs nuk provon të qëndroje për një çast vetëm me një këmbë në të… Poezia, më ka dhënë të drejtën dhe mundësinë të studioj kohëra dhe personalitete me mënyrën me figurative të kuptimit…është momenti më kulmor ku shkrihet dëshira ime me konkreten…

 7-Më thuani një poezi që e para pëlqeni… Mbas të 50-tave… …dhe poezitë ngjasojnë me nënat… Burrave s’u thërrasin në emër, zërin e nipërve dhe mbesave imitojnë… Mbas të 50 -tave harrojmë inatet … Përkëdhelim çastin me uzon e zbardhur nga uji, dhe faljen kërkojmë në biseda heshtje. Në rrethin e moshës shekulli ul kokën… pendesë e pa shprehur për vitet…!

10-Cila është gjëja më e vështirë për të shkruar një poezi ? …Të shkruash pa qenë i mbushur, i pa aftë për ti dhënë frymë dhe zë fjalës…Krijimi është zbrazje, dialogim, rrëfim i sinqertë shpirti. Në krijimtari, s’ka porosi temash. Poeti flet dhe urren heshtjen. Heshtja, i zhvesh njerëzit, i largon, i ftoh. E urrej heshtjen. e pa sinqertë…!

11-Cilin konsideroni sukses në botën poetike.Në ç’raport qëndron ky sukses me poetin ? _Poeti, jeton në mes dy botëve reale për të ; Të asaj nga lindi dhe asaj tjetrës që lind…Që të dyja prodhojnë një element psikologjik, që do ta quaja pak a shumë frikë, sepse përjeton një botë, që nuk e ke menduar ashtu si është. Në diapazonin krijues, merr pjesë realja, e përditshmja, që dritohet nga shpresat, kultura dhe pozicioni shoqëror. Thashë me lart, ska receta kjo punë…Një formulë kimike me shumë elementë. Krijimi e urren dembelizmin. Dembeli nuk vret vetëm kohën, por edhe fjalën. Sukses, për mua psh quaj atë që të lexojnë të tjerët dhe emocionohen nga fjala jote. Nuk matet me çmime, as vetja dhe as krijimi. Njoh njerëz, që kanë shumë «bylyυzyqe” çmimesh.., por fjala dhe krijimi i tyre ka mbetur moralistik dhe që shpesh e krahason me një hartim nxënësi të klasës së pestë…Suksesi ,është relativ dhe i pa besë…Tërmeti krijues, ta prish gjumin, pa kohë të përcaktuar…

 12-Si do ta përkufizonit jetën tuaj…?

-Një komponim kimik, me bazë familjen, fëmijët dhe leximin…Një xeheror, që përqindjen me të madhe e ka elementi pozitiv i metaleve me vlerë…Shumë gjëra, po ti kisha dhe nje herë në dorë, do ti kaloja në «kurse» të tjera kualifikimi…Jetën e kam të mbushur me njerëz, kujtime, dhembje, dashuri…Brenda shpirtit, kam shumë stacione, që mbetën pa u ngritur si duhet….U nisën për fabrika, dhe as punishte nuk përfunduan…E rëndësishme për mua është se shpresat asnjëherë nuk me tradhëtuan…


13-Jeta krijuese në Greqi, në vëndin ku emigruat, ju ka dhënë vendin e duhur…Pak fjalë… E dua gjuhën greke dhe atë vend, pa komplekset e «refugjatit».,edhe pse sjellja e tyre ndonjëherë përbuz talentin, punën dhe energjinë tonë. Në ketë prizëm, ne do të ishim disa herë me të këqij…Kur erdha në Greqi, edhe pse i rritur në moshë, u ula dhe një herë në klasën fillore, si dikur. Nga nevoja,- e para dhe së dyti nga dashuria. S’mund të duash dikë, pa ja respektuar ato gjëra që ai i ka të shënjta. Edhe unë…! Kur botova librin tim të parë «Μυριζω μηλο»(Mbaj erë molle), sinqerisht, kisha edhe “dertin” e shqiptarit për të treguar se vija nga një vend, që më kishte ngarkuar me ndjenja dhe më kishte dhënë pasaportën e qytetarit pa pasaportën e tyre… «…Unë jam nga Korça vëllezër, prandaj mbaj aromë molle…Keni shkuar në Korçë ndonjëherë? Shkoni, dhe do të ndiheni dy herë njerëz…!» Korçes, dhe sidomos Devollit tim, i kam borxh dhe emrin…! «Biografia e syve»- jam unë i thashë, dhe e dini? S’ka gjë më magjike dhe më lumturuese, kur njerëzit, që deri dje ishin të huaj për ty, sot të jenë miqtë dhe shokët më të mirë. Preka njëkohësisht veten dhe ajrin përreth…!Me poezitë e mia botuar në Greqi, gëzohem si prind që fëmijët i respekton fqinji. Sa gjë e mirë është, kur këngën e gëzimit tënd, ta dëgjon gjitoni…!


14-Shkruani dhe prozë dhe poezi…Ku ndjeheni i sigurt dhe i kënaqur…? Me prozën, jam si ata që i martojnë me mblesëri….edhe pse në jetë, çifte të kësaj natyre kanë me shumë harmoni. Me poezinë, jam i dashuruar aq shumë, sa nuk më shkon mëndja as të fejohem. Bashkëjetoj, me gjakun që bën qarkullimin e tij ,nëpërmjet të dyve…Ç’ ka kam shkruar, kurdoherë i heshtur dhe i pa dukshëm, qëndron heroi i vetes,rrëfimi im më i sinqertë…! Poezia për mua, është gracka erotike e çlodhjes, që më plotëson shijet…!

15-Ku banon frymëzimi juaj…? -Poeti kur shkruan, është fëmija më i pa fajshëm, origjinali i atij që ka ëndërruar të jetë…Frymëzimi im, akoma s’ka gjetur banesë të përhershme. E nisa nga vetja dhe kërkoj mes të tjerëve veten. E di që do të vdes duke kërkuar. Do më pëlqente. Ajri i ndenjur dhe pa lëvizshmëria, ma zënë frymën. Më pëlqejnë korrentet, edhe pse në jetë kam kaluar dhe plevite ftohje. Letërsia për fëmijë, më thërret me magjinë dhe virgjërinë e saj. Kërkon jo vetëm teknikë dhe talent, por më shumë vërtetësi dhe origjinalitet bindës. Në rininë time, kam punuar me Shtëpinë e Pionierit, dhe për shumë vite jam angazhuar me këngët në festivale për fatosa dhe pionierë, që nga kompozitorë me emër, e deri në amatore të qytezave naftëtarë…

16-Pak fjalë për librat per fëmijë botuar në Greqi. «Qiparisi që donte të matej me qiellin», është një përrallë me karakter edukativ dhe e ilustruar për mosha të vogla. Ideja se njeriu bëhet më i mirë kur respekton tjetrin, preku një ndjeshmëri të veçantë, dhe mbas vendosjes në programet jashtë shkollore të klasave të ulëta, mësova dhe një gjë tjetër që smë kishte shkuar në mend…(qesh) Jam paguar më shumë se sa merrja për punën e zakonshme brenda vitit! Edhe libri në botim, «Brumbulli që donte të vidhte recetën e mjaltit», thekson idenë e dashurisë për punën dhe prindërit. Ilustrimi i këndshëm, i bën fëmijët të gjejnë veten e tyre në një lojë që i kënaq duke mësuar… Tani që jam bërë dhe gjysh, kam filluar të shkruaj një përrallë për Danielin e vogël. Jam betuar se do ti a mësoj shqipen…(mos u vijë çudi…fëmijët e lindur vitet e fundit, kanë harruar se nga erdhëm. Dhe jo vetëm fëmijët…! )

17-Askush nuk mund të mohojë një karierë poetike tuajën. A mendon Luani se diçka ka lënë pa e thënë dhe se bëri në kohë…? -Po të përgjigjesha me formën e pyetjes që më bën, do të thosha se poeti s’ka dhe nuk e njeh karrierën. Poezia, nuk është ikonë engjëlli. Unë e prek, i flas, e përkëdhel, këndoj me të, çlodhem… duke pranuar dënimin prej saj. Është konkretja që më mungon shpesh, është mjeku që di të shërojë pa ilaçe…Është marshi më i shpejtë i shpirtit .Më pëlqen shpejtësia e saj. Njoh dhe takoj gjëra, që të tjerët ndoshta as i ëndërrojnë për momentet…Duken te rrezikshme, aventurë…, ai amortizator fantazie gatuar me dëshirë. I besoj miqve dhe vetes pak me lehtësi. Çdo pësim, e konsideroj stacion të ri ku furnizohesh me energji për me tej. Shpesh edhe zoti më tund gishtin në shenjë tërheqje veshi…

 18-Diçka për librat poetikë të shkruar në të dyja gjuhët, greqisht dhe shqip… -Edhe pse të shkruar në gjuhë tjetër, librat e mi gjithnjë flasin shqip. Vlera e një krijuesi, nuk matet me sasinë e librave të botuar, por me shijen që kanë lënë fjalët e tij mbi buzët e lexuesit. Unë, librat e mi, i kam fëmijë, dhe sado që të rriten ata në sytë e të tjerëve, përsëri fëmijë të mi mbeten. Libri i fundit në greqisht “Pu na zitiso signomi “(Ku të kërkoj të falur) është një rrëfim psikologjik dhe ndijesor. Kritika greke, është marrë disa herë me elementët e thjeshtë të këtij ndërlikimi metaforik…Së shpejti, del nga botimi në shqip një tjetër libër poetik.”Mbas të 50-ve” titullohet. Tani që e kam vënë poshtë shekullin e moshës, do ti them ca fjalë më shumë , që s’ ja thashë më parë…Besoj se do të më dëgjojë…! Në prozën e shkurtër, ku «…Lashë shumë pa thënë», do t’u a kushtoj shokëve të fëmijërisë. Edhe ankohemi se s’kemi kohë edhe nxitojmë nga frika se mos vallë s’do ti themi të gjitha. Si është dhe ky njeriu…!

19-Ç’do të ndanit me kolegët në këtë vit të ri…? Po për lexuesin…? -Dashurinë dhe respektin për njeri tjetrin dhe fjalën e shkruar. Mos ta përbuzim dhe përdhunojnë frazën. Është pasuria më e madhe që trashëguam nga ajo që quhet “shqip”. Sa për lexuesin, do të deklaroja përsëri një varg të poezisë “…Do të jem gjithnjë, vëllai më i vogël i beharit të tyre…” …U bëra fjalëshumë, sa të lodha ty dhe ata që do të më lexojnë. Edhe ti ke faj, që s’më le kohë të mendoj e të zgjedh frazat, siç bëjnë zakonisht të intervistuarit. S’ka gjë. Ta marrin vesh se jam nga Devolli, dhe se shumë gjëra tek ai lumë i freskova me respekt dhe dashuri. Një vit të mbarë për të gjithë ! Krijuesve të rinj, u uroj udhëtim të mbarë në këtë qiell krijues…!

Faleminderit Bisedoi:Raimonda Moisiu
Lexo më shumë në: http://www.devolli.net/per-poetin-emigrant-poezia-eshte-krahu-i-harruar-i-shpendit-te-vendlindjes.html

Flutur Mustafa: Nga poezia nuk jetohet, por poezinë duhet jetuar


Flutur Mustafa: Nga poezia nuk jetohet, por poezinë duhet jetuar



Autorja e përmbledhjes me poezi, “Përtej lajthitjes”, poetja e re Flutur Mustafa ka lindur në Ulqin. Në intervistë ajo sqaron raportin e saj me poezinë, tregon motivet që e shtyjnë të shkruaj, ndikimin nga autorë të caktuar, relacionin me zhanret e tjera etj.

Pse shkruani?

Të pyesesh një shkrimtar pse shkruan ,është sikur të pyesesh një zemër, pse dashuron , ose thjesht pse merr frymë. Nuk e ka një “sepse” të qartë, por mund të them se shkruaj për t’u ndjerë gjallë.
Çfarë motivesh kanë poezitë e juaja?

Poezitë e mia kryesisht përshkruajnë unin e brendshëm dhe atë se çka ndjej unë . Do të thotë poezitë e mia e mbartin epitetin e “shpirtit në letër” . Motivi kryesor është dashuria , ndjenja e atdhedashurisë edhe ajo midis një motre dhe një vëllai.
Çfarë ndikimi mendoni se mund të ketë poezia te njerëzit?

Poezia është ajo pasqyra e cila e bën të bukur edhe atë që është e shtrembëruar prandaj duke qenë e tillë mendoj se poezia shfaq më të mirën tek njerëzit.
Cilët autorë ju pëlqejnë, ndërkombëtarë po edhe shqiptarë?

Nga autoret shqiptarë dalloj Ismail Kadarenë dhe kolosin e letersisë shqiptare, Ali Podrimja, kurse të huaj Maya Angelou dhe Edgar Allan Poe.

A mund të jetohet sot nga arti i poezisë?

Fatkeqësisht sot nuk mund të mbijetosh nga poezia. Por jam e bindur se duhet jetuar për të shkruar poezi dhe secila poezi duhet jetuar.

A shkruani vetëm poezi apo edhe zhanre të tjera?

Poezia është vetëm një pjesë e asaj se çka shkruaj unë. Shkruaj tregime dhe novella, mirëpo nuk kam arritur akoma ta bindë veten për t’i botuar. Në mes tjerash theksoj edhe përvojën time të parë në dramaturgji duke e thënë me fanatizëm dhe me krenari se jam autorja e tekstit dramaturgjik të Shfaqjes “Servantes dhe Dulcinea”, shfaqje kjo e realizuar në Ulqin , e dhënë në Prishtinë , Tiranë , Durrës dhe Bijelo Polje.



Cilat janë synimet tuaja si krijuese?

Nuk më pëlqen ta quaj veten krijuese, sepse në bote ka vetëm një krijues. Mirëpo planet e mia në fushën e artit nuk kufizohen vetëm në letërsi. Kam për qëllim që të profesionalizohem në fushën e dramaturgjisë dhe aktrimit , dhe kjo në një të ardhme të afërt.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...