Për të dytin vit radhazi Fondacioni për Liri Ekonomike ka hapur aplikimet për Çmimin Pashko 2015, një çmim me vlerë 2500 euro për punimin më të mirë doktoral në ekonomi me frymëzim liberal. Por që nga lançimi i çmimit ka pasur shumë kritika, shumë skepticizëm ndaj Pashkos dhe ndaj ideve të tij.
Pse arrin të shqetësojë Pashko edhe sot pas 25 vitesh, pse keqkuptohet dhe sulmohet ai? Një përgjigje për këtë ekonomisti Dritan Shano, anëtar i bordit të FLE-së, e gjen tek mungesa e kulturës së lirisë dhe mungesës së respektit për inciativën individuale, tek tentativa për të krijuar një shtet të fortë.
“Sot që liria ekonomike është tkurrur, sot kur ekonomia e tregut dergjet e shkelmuar nga korporatat politike, kur zotërinjtë, kur kapitalistët po zëvendësohen me “shokët”, me “o vëlla”, “o flori”, është krejt e natyrshme qe idetë e lirisë individuale dhe ekonomike qe promovonte Gramoz Pashko te kritikohen dhe te shtohet numri i skeptikëve. Idetë e tij shqetësojnë shqiptarët e sotëm sepse trashegimia paternaliste vazhdon të mbetet e fortë dhe po promovohet fort nga Qeveria Socialiste. Sipas një formati oriental per mënyrën e funksionimit të ekonomisë së tregut. Kjo parashikon favorin e drejtorit, deputetit, të ministrit. Shqipëria është e mbushur me njerëz që kanë nostalgji për shtetin totalitar sepse nuk e mbajnë dot peshën e lirisë. Të asaj Lirie që promovonte Pashko. Ai favorizonte marrjen e riskut individual dhe jo sigurinë kolektive. Ai ishte për të nxitur këdo që ka një mendim ndryshe. Një kontribut ndryshe. Pashko promovonte idene ku shteti i hap rrugë individit dhe sipërmarrjes, ku marrëdhëniet ekonomike, politike, shoqërore janë vullnetare dhe nuk kryhen nga autoritarizmi dhe arbitraritetit i shtetit, dhe as nga frika e ndëshkimit shtetëror. Idetë e tij godisnin në zemër ekzsitencën e zvetënuar të individit shqiptar në shekuj sepse Pashko identifikonte kulturën paternaliste si një nga problemet më të mëdha në rrugëtimin tonë drejt ekonomisë së tregut dhe civilizimit perëndimor. Kultura paternaliste që është në themel të etatizmit, duket sikur të mban ngrohtë, të sigurtë, por ajo nuk të le të lirë të kesh sukses individual. Kjo kulturë i buzëqesh vetëm kolektivizmit”, thotë Shano në një reagim ndaj kritikave.
Më tej duke marrë shkas nga sjellja aktuale e qeverisë ndaj ekonomisë, Shano thekson se “në Shqipëri sot kemi njerëz që brohorasin për shprehjen se do bëjmë shtet me çdo kusht. Ka shumë që kënaqen nga kjo gjë, pasi e dinë se kështu mund të rrojnë në kurriz të tjerëve duke qenë besnikë të partisë. Natyrisht që idetë Pashkos do i shqetësojnë gjithmonë këta njerëz”.
Po cilat ishin idetë e Gramoz Pashkos? Për çfarë mbahet mend? A ka ai ndonjë faj për atë çfarë ndodhi me ekonominë shqitare në këto 25 vite tranzicion?
Shano thotë se Gramoz Pashko ishte dhe mbetet një nga mendjet që mbeten më të qartat për promovimin e ekonomisë së tregut në Shqipëri.
“I vetmi ekonomist me nje projekt dhe vision të ristrukturimit të thellë të ekonomisë, përpara se ekonomistët e tjerë të hynin në autopilot duke thjesht ekzekutuar marrëveshjet me FMN-në. Idetë e Pashkos, në fakt, mbollën farën e kapitalizmit në Shqipëri. Gramoz Pashko i zbatoi idetë et ij për një periudhe shume te shkurter nga 11 Qershori deri ne 6 Dhjetor
Gjatë kesaj kohe u liberalizuan çmimet, tregtia, u lejuan investimet, filloi shpërndarja e tokës dhe u kryen privatizimet e para të dyqaneve. Këto ishin idetë e tij. A mund të ishin bërë ato më mirë? Me mendtë e sotme ndoshta. Por në kohën kur u kryen ato i dhanë mundësi Shqipërisë të mbijetonte. Të ushqehej. Dhe të mësonte se kush guxonte fitonte. Të mësonte se çfarë ishte kapitalizmi. Këtë bëri Gramoz Pashko. U mësoi Shqiptarëve çështë liria ekonomike, mundësia për të zgjedhur. Për të mos pritur nga shteti. Aq i madh ishte impakti i këtyre ideve që u zbatuan në kaq pak kohë, saqë kundërshtarëve të tij, iu bë shumë e lehtë atëherë dhe kështu vazhdon edhe sot, ti faturonin Gramoz Pashkos shkatërrimet e inventarit fizik të aseteve publike që filluan në 1992 1993, kohë gjatë së cilës Pashko nuk ishte në qeveri, dhe nuk kishte asnjë mundësi të vetme të influenconte vendimmarrjen politike dhe ekonomike apo dhe sjelljen e agjentëve ekonomikë dhe shoqërorë që u verifikua në atë kohë”.