Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/12/06

Babadimër çka të solli këtu?....


Do ishte mirë që të mos flas shumë në vitin tjetër, sepse këtë vit e kam tepruar ahahhaah. Në këtë menyrë do evitohej ajo fjalia e famshme " a din me u ndalë bre djalë? "



I dashur Babagjysh, duke pasur parasysh misionin tend shume fisnik e shume te veshtire desha te te pyes-Ke nevoje per ndonje gje?Fol hapur, kerko c`te duash ti, adresen time e di, oxhakun e ke 24/24 ore hapur


I dashur babagjysh,erdhi serish koha jote...
dhe te gjithe te shkruajne letra.
E di,kerkojne dhurata te medhaja,te shtrenjta,te mrekullueshme!
Dhe ti ne shumicen e rasteve u dergon ato qe te kerkojne...
Mendoja per shume kohe cfare do te kerkoja...
dhe perfundova qe nuk dua as kuti,as kordhele,as ndonje dhurate te mrekullueshme...
Por do te kerkoj i dashuri im dicka qe kushton..
Dicka shume te shtrenjte...
Do doja nese behet ne diten e Krishlindjeve
ne tryeze te ulen bashke me mua te gjithe ata qe
iken shpejt dhe me mungojne..
Te jene aty te festojme bashke dhe te qeshim...
Dhe me vone,nese keshtu duhet...te ikin prape...




Image result for babadimri

1. Fjala “Krishtlindje” e ka origjinën nga fjala latine, “Nativitas”, që do të thotë lindje, duke iu referuar lindjes së Jezu Krishtit, gjë që lë të kuptohet se personazhi kryesor i kësaj feste është Jezusi dhe jo Babadimri.

Image result for babadimri
2. Personazhi i Babadimrit e kishte origjinën nga Shën Nikolla, një peshkop turk i shekullit IV. Miti i tij i mëshirës ndaj të varfërve u përhap në tërë Evropën mesjetare, derisa u konvertua në një personazh të famshëm dhe që vazhdon edhe sot të njihet si i tillë.
Image result for babadimri
3. Sipas historive të para, thuhet se ai nuk fluturonte dhe as nuk ecte, porse udhëtonte me një kalë nëpër botë, deri kur poeti Clement Moore shkroi në vitin 1823 librin “Një vizitë e Shën Nikollës”, ku e imagjinon atë duke fluturuar me renat (drerët) magjikë.
Image result for babadimri
4. Tashmë jemi të mësuar t’i referohemi renave të Babadimrit në gjininë mashkullore, ndërkaq në realitet ato janë suta (drenusha), meqë renat i humbin brirët e tyre çdo vit në nëntor, ndërkaq sutat nuk i humbin ato deri në verë. 
Image result for babadimri
5. Imazhi i Babadimrit që e njohim tani nuk është aspak i ngjashëm me atë të Babadimrit origjinal. Mendohet se imazhi aktual i tij është standardizuar nga ilustruesi Haddon Sundblom në vitet e ’30-ta, me qëllim të promovimit të pijes freskuese, Coca-Cola. Edhe pse, akoma ka të tillë që mendojnë se ky imazh tashmë ekzistonte në fillim të shekullit XX. Çfarë mendoni ju?
Image result for babadimri
6. Babadimri nuk ishte i njohur në Amerikë derisa emigrantët holandezë e sollën atë në Nju Jork në vitin 1621.
Image result for babadimri
7. Krishtlindja e parë që u kremtua në Amerikë ishte më 25 dhjetor 1492, kur Kristofer Kolombo bekoi si “spanjoll” ishullin që aktualisht e përbëjnë Republika Dominikane dhe Haiti.
Image result for babadimri
8. Bredhi i dekoruar i Krishtlindjes mendohet se për herë të parë u shfaq në Gjermani në fillim të shekullit XVII. Në vitin 1605, një bredh u dekorua me qëllim të ambientimit në të ftohtit e Krishtlindjes, zakon ky që u përhap shpejt në tërë botën.
Image result for babadimri
9. Shorti i parë i Lotarisë së Krishtlindjes u hodh në Kadiz të Spanjës në vitin 1812. 


10. Pavarësisht se nuk ishin të fuqishëm sa Babadimri, mbretërit magjikë janë tre personazhe me rëndësi të madhe në këto data që përfaqësojnë regjionet e botës. Melchor përfaqëson evropianët, Gaspar përfaqëson aziatikët, ndërkaq Baltazari përfaqëson afrikanët. Me këtë shihet se nuk ekzistonte një mbret magjik për regjionin e Amerikës, meqë në atë pjesë të botës nuk njiheshin këto zakone

Çmimet Class, nominohen personazhe të ndryshme shqiptare


Elhaida Dani, Elvana Gjata, Bleona Qerreti, Aurela Gace, Enca Haxhia, Elina Duni, Era Istrefi, Tuna, Manjolla Nallbani dhe Juliana Pasha janë nominuar për këngëtaren më të mirë të vitit.
Revista Class edhe sivjet ndan çmimet Class Awards – 2015, në gjithsej tetë kategori ku nominohen personazhe të ndryshme shqiptare që kanë kontribuuar për artin dhe kulturën në vend.
Elhaida Dani, Elvana Gjata, Bleona Qerreti, Aurela Gace, Enca Haxhia, Elina Duni, Era Istrefi, Tuna, Manjolla Nallbani dhe Juliana Pasha janë nominuar për këngëtaren më të mirë të vitit, ndërsa emrat si Armina Mevlani e Aurela Hoxha janë në mesin e nominimeve për çmimin Stil.
Erion Veliaj, Vesel Kurtishaj, BIRN Albania, shkrimtari Ben Blushi, Robert Aliaj, Lëvizja për Universitet, Emanuela Zaimi, Merita Rexha Tërshana, Kombëtarja Shqiptare dhe Qytetarët për Parkun janë nominimet për njerëzit dhe grupet që kanë kontribuuar në shoqërinë shqiptare.
Për personazhet në rrjetet sociale, nominimet shkojnë për Arbana Osmanin, Nora Istrefin, Marina Vjollcën e Ermal Mamaqin, ndër të tjera.

Tringa Rexhepi, artistja shqiptare e Kanadasë që mediet po e krahasojnë me Hirushen


Tringa Rexhepi

Ajo si i vogël e kishte përjetuar në lëkurën e saj ndjesinë e refugjates. Lufta e fundit në Kosovë kishte bërë që ajo bashkë me familjen e saj të ikte nga Gjilani për Kanada, vend i cili hapi dyert për artisten Tringa Rexhepin. Ajo deri më tashti ka marrë pjesë në shumë shfaqja teatrale dhe shumë projekte të tjera që lidhen me artin. Mediet kanadeze e quajtën Hirushe. Ndërkaq, vetë Tringa Rexhepi rrëfen për KultPlus se pse e krahasuan me këtë personazh. Ajo gjithashtu ka folur edhe për këngën e saj debutuese “GO”, të cilën e ka perfomruar live edhe në skenën prestigjioze të Torontos, ku është mbajtur Miss Globe 2015
Ardianë Pajaziti
KultPlus: Ju sapo keni lansuar këngën debutuese “GO”, në Kanada, sa e keni ëndërruar këtë moment?
Tringa Rexhepi:
 Ka një vit që e kam shkruar këtë këngë dhe ndihem shumë e kënaqur që tani të gjithë mund ta dëgjojnë. Më ka marrë shumë kohë deri në realizimin e kësaj kënge, sepse nuk kisha dëshirë të nxjerrë diçka që nuk jam 100% e kënaqur. Nuk e kam pasur idenë se si do të pritet nga publiku,  por tani jam shumë e lumtur nga reagimi mbi këtë këngë, dhe kjo pritje është edhe një vulë që të vazhdoj me këngët e tjera që tashmë i kam në plan. 
 
KultPlus: Mediet në Kanada po ju quajnë edhe “Hirushe”, gjithnjë duke iu referuar jetës suaj, pasi që, si pasojë e luftës së fundit në Kosovë, ju bashkë me familjen tuaj ikët nga Kosova. Ju pëlqen ky krahasim?
Tringa Rexhepi:
 Unë mendoj se ajo që e bën historinë time të ngjashme me historinë e "Hirushes" , bazohet në kohët e vështira, sikurse që bazohet edhe në atë se unë dua të nxjerr sa më shumë nga jeta, duke punuar shumë për të përfituar nga çdo mundësi. Unë kam qenë gjithmonë një fëmijë kokëfortë,  kështu që ideja që unë nuk mund të arrij diçka, më bën të luftojë shumë dhe të punojë aq më shumë që të arrijë qëllimet e mira. Unë mendoj se përpjekjet e mia më kanë shtyrë për të mësuar gjuhën angleze shumë shpejt, dhe me përvojat dhe historinë time ti motivoj të tjerët që të arrijnë në çdo situatë. Dhe nga ana tjetër, të jap, të kontribuoj në komunitetet në Kanada,  të cilët ishin ata që na ndihmuan aq shumë kur kemi ardhur këtu, nga lufta e Kosovës. Pastaj, unë kam një familje shumë mbështetëse të cilët janë dhe feministë. Prindërit e mi kurrë nuk më kanë dhënë ndjesinë e asaj që unë jam vajzë dhe unë nuk mund të arrij qëllimet e mia. Unë kam qenë gjithmonë e barabartë me çdo djalë dhe burrë,  si ne familje ashtu edhe më gjerë,  dhe kjo më ka bërë të pavarur, të fortë dhe më e rëndësishmja një krijuese. Unë nuk pres për mundësitë apo shanset që të vijnë tek unë, unë punoj dhe bëj mundësitë për veten time.


 
KultPlus: Kënga debutuese “GO”, duket të jetë pritur mirë, është motivuese që të punoni më shumë në drejtim të këngës apo do të përkushtoheni më shumë në teatër, duke e pas parasysh se ju keni qenë e angazhuar edhe në shumë projekte teatrale në Kanada?
Tringa Rexhepi: 
Unë jam shumë e lumtur me reagimin e mahnitshëm për këngën "GO".  Unë nuk kam bërë asnjë promovim dhe publicitet,  përveç që e kam postuar atë në Facebook. Kështu që unë me të vërtetë duhet ti falënderoj për mbështetjen  artistët e tjerë dhe adhuruesit e muzikës, të cilët e kanë mirëpritur këngën time. Më pëlqen të mendoj se edhe në qoftëse vetëm10 njerëz i dëgjojnë këngët e mia, unë nuk do të heq dorë dhe do të vazhdojë të krijoj muzikën që unë dua. Motivimi im vjen nga dëshira që dua të sfidoj veten dhe aftësitë e mia duke krijuar muzikë që unë ndjehem 100% e lidhur.  
Deri më tani, unë kam dashur dhe kam pas pasion të krijoj muzikë,  kështu që unë do të vazhdojë të bëjë atë. Nëse të tjerët mund ti lidh muzika ime dhe ta ndjejnë, atëherë kjo është një bonus. 
 
KultPlus: Po me këtë këngë ju perfomruat live edhe në spektaklin e bukurisë Miss Globe që është mbajtur në Toronto, një arritje e ëndërruar, besoj?
Tringa Rexhepi:
 Unë isha shumë e tronditur,  sepse ishte performanca ime e parë e kënges"GO" ku pata mundësi të marrë pjesë në një skenë të tillë të bukur,  në një mbrëmje shumë prestigjioze dhe të madhe. 


 
KultPlus: Ndërkohë, pothuajse në të katër anët e botës po dëgjohen emra të ndryshëm të artistëve shqiptarë që po arrijnë të depërtojnë në fusha të ndryshme, si të bën të ndihesh?
Tringa Rexhepi: Unë ndihem krenare me miliona herë kur shoh aq shumë shqiptarë duke punuar shumë dhe duke krijuar diçka për veten e tyre. 
 
KultPlus: Kur jemi te ndjesia, të rrëqethin lajmet kur dëgjon mbi refugjatët?
Tringa Rexhepi:
 Përvoja ime si refugjate ishte kur isha fëmijë. Unë shpresoj që asnjë fëmijë në bote nuk duhet të jetojë në një zonë konflikti, të përjetojë tmerret e luftës dhe të humb gjithçka që ka njohur. Shpresoj që së shpejti do të ju ofrohet ndihmë e ngjashme edhe refugjatëve të Sirisë,  ashtu siç na ka ofruar ne Kanadaja. 
 
KultPlus: Dhe për fund, jeta juaj artistike ka nisur dhe po vazhdon në Kanada, mirëpo,  e ëndërron ndonjë performancë në Kosovë apo në ndonjë event të organizuar nga shqiptarët? 
Tringa Rexhepi:
 Patjetër. Edhe pse unë fillova së pari të performojë në Kanada, unë duhet patjetër të kthehem në Kosove, të marrë pjesë në ngjarje kulturore dhe të këndoj disa këngë të Vaqe Zelës, unë do të vazhdoj ti mbaj rrënjët e mia të forta shqiptare.

Fluidi Elton Deda: Kemi prurje shumë të mira

Elton Deda

Është emëruar drejtor artistik i Festivalit të Këngës në RTSH, festival ky që i jep trofeun më të mirit për ta përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion. Pikërisht këtë emërim e kanë mirëpritur artistët, të cilët, nëpërmjet komenteve të tyre u patën shprehur se po vjen një frymë e re në Festivalin e RTSH-së. Vetë Elton Deda në një intervistë të dhënë për KultPlus është shprehur se do të mundohet të implementoj elementet e strategjisë dhe filozofisë së tij, në kuadër të këtij edicioni. Ai poashtu beson shumë se me këtë edicion do të kenë shumë sukses, gjithnjë duke u bazuar në vlerat e kompozitorëve dhe të artistëve që janë në këtë garë
Ardianë Pajaziti
KultPlus: Tashmë janë selektuar këngëtarët pjesëmarrës për edicionin e 54-të të Festivalit të RTSH-së, sa jeni i kënaqur me prurjet?
Elton Deda: Me thënë të drejtën jam optimist dhe entuziast. Kemi prurje shumë të mira dhe mendoj që këtë vit kompozitorët i kanë kushtuar shumë vëmendje edhe stileve muzikore, që normalisht janë elemente të rëndësishëm të origjinalitetit të këngës. 

KultPlus: Me rastin e emërimit të juaj në pozitën e drejtorit artistik të këtij festivali, ka pas shumë reagime pozitive nga artistët, si e vlerësuat këtë reagim?
Elton Deda:
 Ka qenë diçka e mrekullueshme për mua. Më kanë dhënë shumë mbështetje dhe vlerësim. Unë do punoj që mos ti zhgënjej për shumë arsye,  që s’kanë nevojë për koment.

KultPlus: Besoni se do të kemi një edicion më ndryshe?
Elton Deda:
 Besoj që fjala "ndryshe" është subjektive dhe varet nga konteksi i gjithsecilit. Unë do mundohem të implementoj elementet e strategjisë sime dhe filozofisë sime si Elton. 

KultPlus: Në anën tjetër ka pas shumë reagime edhe mbi vlerësimin e këngëve në këtë festival, gjithnjë duke pas theksin te juria, sa jeni duke punuar në një përzgjedhje të duhur të jurisë?
Elton Deda:
 Kjo është një pike e nxehtë  sigurisht,  e cila duhet parë me kujdes. Puna vazhdon intensivisht,  por nuk është e lehte të gjenden persona të cilët janë "super të pakompromentueshem". Jetojmë në një vend të vogël ku të gjithë gjejnë çdo numër telefoni. Por,  edhe për këtë pikë kemi një strategji të re,  e cila shpresoj të rezultojë efikase. 


 
KultPlus: Në të shumtën e rasteve Shqipërinë e kanë përfaqësuar femrat, kurse në këtë edicion ajo që ka rënë në sy, është pjesëmarrja më e madhe e këngëtarëve meshkuj, e prisje një përzgjedhje të tillë?
Elton Deda: Ka një balancë midis femrave dhe meshkujve në këtë edicion. Gjithsesi,  unë s’kam probleme fare me këto gjëra. Për mua,  rëndësi kanë profesionistët, qofshin meshkuj apo femra.
KultPlus: A do të thotë se me ardhjen tuaj në këtë pozitë, besuan meshkujt më shumë që ia mësyn kësaj gare?
Elton Deda:
 Nuk e besoj fare këtë.
KultPlus: Ndërkaq, sa i përket mbrëmjeve të festivalit, sa do të jetë ndryshe prej festivaleve të tjera?
Elton Deda: 
Festivali ka fytyrën e vetë klasike, s’mund të bëjmë revolucione këtu. Mbrëmjet këtë vit do kenë më shumë këngë. Gjithashtu,  po i kushtojmë vëmendje edhe grafikave. Do kemi edhe të ftuar sigurisht.
KultPlus: Dhe krejt për fund, sa jeni optimist se do të kemi një përfaqësim të suksesshëm?
Elton Deda:
 Jam shumë optimist,  pasi e di se cfare artistësh janë në garë. Shumë emra mund të mos jenë tepër të njohur, por edhe Elton Deda s’ka qenë i njohur dikur. E rëndësishme është të shkëlqejmë të gjithë bashkë.

Rudolf Marku: Një roman mbi zhgënjimin


Rudolf Marku

Shkrimtari Rudolf Marku ka debutuar sukseshëm në Panairin e Librit që po zhvillohet këto ditë në Tiranë me qindra kopje të shitura.“Tre divorcet e Viktor N.” është romani që e bëri Rudolf Markun të parin shkrimtar që nderohet me çmimin letrar “Kadare”. Një roman mbi zhgënjimin e madh të një shqiptari që jeton prej 15 vitesh në Londër, e ka cilësuar shkrimtari në një intervistë pas promovimit, të enjten mbrëma në Panairin e Librit. Megjithëse edhe autori jeton në kryeqytetin britanik, saktëson se nuk ka asnjë element biografik.Një rrëfim që e bën protagonistin të kalojë divorce nga më të çuditshmit, një syresh edhe me një shtet...
Para pak ditësh udhëtuat nga Londra për të marrë çmimin “Kadare”, i pari i këtij lloji i akorduar nga Fondacioni Mapo. Si u ndjetë? Ç’do të thotë ky çmim për ju?
Në fakt, unë nuk udhëtova për të marrë çmimin, unë kam ardhur në Shqipëri, kam ardhur në vendin tim. Por padyshim, çmimi ka rëndësi të jashtëzakonshme, sepse ky çmim mban emrin Kadare dhe ka një domethënie dhe një peshë të madhe, po aq sa çka peshë shkrimtari Ismail Kadare për letërsinë dhe qytetërimin shqiptar. Unë jam njeri që nuk sugjestionohem nga çmimet, por dua të them se Çmimi Kadare ka një vlerë të veçantë, ka prestigjin e shkrimtarit dhe do të ketë jetëgjatësinë e veprës së tij dhe impaktit të shkrimtarit Kadare në letërsinë shqipe. E them këtë, sepse Kadare është një fenomen i jashtëzakonshëm i letrave shqipe, me një rrezatim europian dhe botëror dhe në këtë pikëpamje, Çmimi Kadare është një peshë e jashtëzakonshme dhe do të ketë një jetëgjatësi shumë të madhe në letrat shqipe, veçanërisht për mua se jam i përkëdhelur nga fati që jam i pari që e marr dhe e vlerësoj edhe më tepër për këtë fakt.
Ju njiheni më shumë si poet, si publicist, kishit vite pa ardhur me një roman. Ishte një koincidencë të shkruarit e këtij romani pikërisht këtë vit që u dha ky çmim, apo e kishit shkruar më parë dhe nuk e kishit botuar?
Ky është romani i tretë që unë botoj. Pra, është e vërtetë që i jam kushtuar më shumë poezisë, pasi kam që 18 vjeç që shkruaj poezi. Kam mbi 10 libra me poezi dhe poezitë e mia janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja dhe janë përkthyer në antologji botërore. Por, pas njëfarë kohe, poeti e ndjen se duhet të zgjerojë dimensionet e veta dhe vjen një moment që poeti kalon natyrshëm dhe në prozë, por jo domosdoshmërisht të gjithë poetët. Për mua, është eksperienca e tretë, kam botuar “Allahland” dhe “Kësulëkuqja vjen me trenin e dhjetës”. Pra, nuk e kisha shkruar më parë dhe e nxora nga sirtari. Ndodhi që unë isha duke e shkruar –pasi e kam pasur të nevojshme ta shkruaj – dhe qëlloi që kur e mbarova, mësova për shpalljen e këtij konkursi dhe në mënyrën më të natyrshme e kam çuar te konkursi në formë dorëshkrimi. E dorëzova dhe pastaj s’kam pyetur se çfarë po ndodh, pasi jetoj në Londër. Një ditë, papritur marr një e-mail nga kryetari i jurisë, ku më thoshte se isha fituesi. Por dhe nëse do të kisha fituar sërish, do të isha prezent në ndarjen e këtij çmimi, pra do ta bëja këtë udhëtim.
Personazhi juaj është një shqiptar që jeton në Londër. Sa ka nga Rudolf Marku te Viktor N.? Pse zgjodhët një personazh të tillë, që është mes dy vendeve?
Nuk mendoj se ka elementë biografikë në këtë libër, por në njëfarë kuptimi, çdo personazh është vetë autori, por jo në kuptimin biografik. Ka disa elemente të largëta ngjashmërie, por jo nga jeta ime personale. Tani shqiptarët jetojnë në gjithë vendet e botës. Po ju sjell një ngjarje që më ndodhi vetëm një ditë para se të vija këtu, që e vërteton këtë. Në lagjen time në Londër ku jetoj, njihem me një grua kineze, doli që ajo ishte një pedagoge e Letërsisë angleze. Ajo thotë ‘jam nga një ishull i vogël, që quhet Tajvan’ dhe unë i them se është hera e parë që takoj një tajvaneze. Ajo më pyet mua nga je dhe i them jam shqiptar. ‘Oh! –thotë ajo, – unë njoh një shqiptar që jeton në Tajpei dhe ka restorantin më të famshëm atje. Dhe, me stërmundim, tha fjalën Shkodra. Pra shqiptarët i ke në gjithë botën.
A është një roman që prek temën e emigracionit?
Jo. Është më tepër ana shpirtërore dhe psikologjike se çfarë ka ndodhur dhe çfarë po ndodh me shqiptarët. Ky më tepër është një roman mbi zhgënjimin, është një roman mbi zhgënjimin e madh të një njeriu, të një shqiptari që jeton prej 15 vitesh në Londër. Romani ndahet në tri pjesë dhe janë tri divorce. Në pjesën e parë, personazhi përjeton një divorc, një divorc në kuptimin klasik të fjalës, divorcin nga bashkëshortja, në pjesën e dytë ai kthehet në Shqipëri, në Shqipërinë kaotike. Është një kthim pas 15 vitesh dhe kupton pas shumë përpjekjesh për të rizbuluar vendin e vet, miqtë e vet, se ka ndodh një divorc shpirtëror me vendin e tij dhe ky është divorci i dytë. Divorci i tretë ndodh më pas. Ai takohet me ish të dashurën e vet, një vajzë që ka 25 vite që nuk e sheh, në njëfarë kuptimi, ajo ka qenë dashuria e vetme e jetës së tij. Ka një marrëdhënie të jashtëzakonshme fizike dhe mundohen ta ringjallin ndjenjën e dashurisë, por personazhi kupton se ka ndodh divorci i tretë për të, divorci me ndjenjën. Në njëfarë kuptimi është një roman tragjik, por është shkruar herë me humor apo me figura groteske dhe mua më duket sikur vlera më e madhe e këtij libri është se është një prozë që lexohet me lehtësi. Një miku im që është një njohës i shkëlqyer i letërsisë, më tha se e ka lexuar për tri orë dhe nuk ka arrit me u shkëput. Ky roman besoj se ka si aksesibilitet gjuhën, në kuptimin ashtu siç e kanë romanet e Kunderës ose të Kohercit ose shumë autorëve të tjerë. Besoj se është shkruar në një frymë bashkëkohore.
Një roman mbi zhgënjimin dhe një roman që nuk i ngre kult ndenjës, por që thotë se, në kohën që jetojmë, s’ka më vend për ndjenjën…?
Ne shpesh besojmë tek ato gjëra që kemi dëshirë dhe i besojmë ashtu siç duam ne që të jenë, por realiteti është diçka tjetër. Kulti i ndjenjës është dëshira jonë që ajo të ekzistojë, por është një fenomen i rrallë në realitet.
Ku ndiheni më mirë, në publicistikë apo në letërsi?
Në letërsi, pa dyshim. Sepse romani është letërsi artistike, është përkushtim artistik dhe në njëfarë kuptimi dhe poezia të ndihmon, poezia e mirë të ndihmon të shkruash një prozë të mirë, duke ruajtur ADN-në e secilit zhanër.
A jeni njohur me librat në panair? A besoni se kemi një letërsi bashkëkohore shqiptare dhe çfarë tiparesh ka sipas jush?
Unë besoj se ka libra jashtëzakonisht të mirë. Në të njëjtin konkurs me mua ishte dhe Zija Çela, që konkurroi me një libër me tregime “Një princ që na buzëqesh”. Është një libër që unë e kam lexuar dhe i kam bërë parathënien dhe mund të them që është një nga librat më të mirë që është shkruar në gjuhën shqipe. Është një libër brilant, të cilin unë kam prit që të merrte këtë çmim dhe fakti që unë e kam marrë, më ka dhënë një ndjenjë faji ndaj këtij libri duke e ditur që sa vlerë ka. Mora shembull këtë libër që unë kam lexuar, por dhe libra të tjerë që janë paraqitur në këtë konkurs mund të jenë më të mirë se sa unë dhe uroj me gjithë shpirt që të jenë më të mirë. Unë kam besim te letërsia shqipe, ajo ka poetë brilantë, si Preç Zogaj dhe Bardhyl Londo e sa e sa poetë të tjerë. Unë besoj se shkrimtarët më të mirë janë ata që unë nuk e di hala se ku janë, por që i ndjej që ekzistojnë në letërsinë shqipe.
A ju uroi Kadare për çmimin?
Kadarenë nuk kam pasur fatin ta takoj gjatë kësaj kohe, por më ka çuar mesazhe dhe ka qenë shumë i kënaqur që unë kam marrë çmimin që mban emrin e tij. Ka thënë se është i kënaqur që një autor si unë ka marrë këtë çmim, dhe për mua, kjo është një tjetër lumturi.

Dov Keren: Plane për një film shqiptaro-izraelit


Dov Keren

Gjatë vizitës së tij të parë në Tiranë për edicionin e 13-të të Tirana International Film Festival, producenti i filmit izraelit “Dove Flyer”, Dov Keren flet rreth realizimit të filmit që rrëfen historinë e komunitetit hebre në Bagdad, i pari i realizuar në gjuhën arabo-hebraike në kinemanë izraelite. Ai zbulon edhe planet për një bashkëprodhim kinematografik me Shqipërinë. Një rrëfim për holokaustin, por në një këndvështrim të ri
“Dove Flyer” i njohur edhe si “Lamtumirë Bagdad” është një film izraelit, i bazuar në romanin me të njëjtin titull nga shkrimtari hebre i lindur në Irak, Eli Amir. Regjia dhe skenari i filmit janë realizuar nga Nissim Dayan, ndërsa ideja fillestare për filmin është ngjizur nga aktorja Ahuva Keren, e cila përktheu edhe skenarin në gjuhën e folur prej kësaj bashkësie, një përzierje e gjuhës hebraike – arabe. Ky film është i pari në hebraisht-arabisht në historinë e kinemasë. Filmi është realizuar në vitin 2013, ndërsa premierën e pati në mars të vitit 2014. Për publikun shqiptar filmi u shfaq mbrëmjen e 4 nëntorit në Kinema “Millenium” në kuadrin e edicionit të 13-të të Tirana International Film Festival.
Në rreth dy orë dhe përmes rrëfimit të një djali 16-vjeçar, ky film ekranizon historinë e ditëve të fundit të komunitetit hebre të Bagdadit në vitet ’50, në mbrëmjen e Aliyah-ut ( migrimi i hebrenjve drejt tokës së Izraelit) i gjithë komuniteti lëvizi drejt izraelit në operacionin Ezra dhe Nehemiah. Ishte koha kur Mbretëria e Irakut po përpiqej të harronte disfatën e vitit ’48 të luftës Arabe-Izraelite kundër lindjes së Shtetit të Izraelit dhe u nda mes monarkizmit, separatizmit dhe komunizmit. Nga ana tjetër komuniteti më i vjetër hebre, që në atë kohë përbënte një të gjashtën e popullsisë së kryeqytetit të Bagdadit, gjithashtu të mbërthyer mes marrëdhënies së tyre historike e kulturore me irakianët, rritja e mbështetjes për lëvizjen komuniste dhe solidariteti i tyre me shtetin e Izraelit dhe Zionizmin.
I ftuar në një leksion të hapur me studentët e Dizajnit në Universitetin Europian të Tiranës, producenti i filmit izraelit “ Dove Flyer”, Dov Keren foli rreth realizimit të filmit dhe në një intervistë për Mapo-n, zbulon edhe planet për një bashkëprodhim kinematografik me Shqipërinë. Një rrëfim me holokaustin, por në një këndvështrim të ri.

Filmi bazohet në romanin me të njëjtin titull të autorit Eli Amir. A ju erdhi ideja për ta kthyer në një film qysh kur lexuat për herë të parë librin?
Ideja, në fakt, ishte e sime shoqeje (Ahuva Keren). Ajo është shoqe e ngushtë e autorit Eli Amir dhe është me origjinë irakiane. Ka lindur në Izrael, por prindërit e saj kanë ardhur nga Iraku, në të njëjtën kohë kur Eli Amir –i dhe familja e tij erdhën në Izrael. Ajo kishte lexuar librin dhe më rrëfeu se do donte të interpretonte në film, pasi është aktore. Donte të luante në film dhe të fliste në gjuhën e nënës së saj. Ideja ishte ta adaptonim këtë libër në film dhe ajo do të luante rolin kryesor. Praktikisht e bëri për veten e saj. Kjo është shumë e mirë për komunitetin hebre të ardhur nga Iraku në Izrael.
A është e gjithë historia e bazuar në roman, apo ju bëtë kërkim të mëtejshëm rreth ngjarjeve?
Ne kemi për disa kërkime dhe kishim dorë të lirë të adaptonim dhe ndryshonim historinë. Për shembull, ne vendosëm që personazhi i Hazkel-it të varej dhe kjo nuk është në libër. Ishte ideja ime ta varnim, sepse donim të mbyllnim rrethin. Filmi nis me arrestimin e tij dhe fundi është varja. Kjo mbyll rrethin.
Me ç’vështirësi është përballur komuniteti hebre në Irak?
Kam mbajtur një leksion të tërë për këtë problem. Komuniteti hebre në Irak është një prej më të vjetrit në vendet arabe. Prej më shumë se 70 brezave apo dy mijë viteve që jetonin atje ishin bërë pjesë e arteve, kulturës, politikës, diplomacisë, ekonomisë, sistemit bankar dhe gjithçkaje tjetër në jetën sociale të vendit. Propaganda naziste e vitit ’38, mbërriti derri në Irak dhe zgjoi ndjenjën kombëtare të arabëve dhe ata nisën t’i shohin hebrenjtë jo më si pjesë e Irakut, por si komunitet i ndarë. Nisën t’i nxjerrin probleme këtij populli, sidomos pas Deklaratës së Pavarësisë së Izraelit më 1948-ën. Hebrenjve të Irakut iu desh të largoheshin duke lënë gjithçka pas.
Duket se politika dhe feja janë dy tema kryesore në film. Si ndikoi politika në këtë komunitet dhe në bashkekzistencën e myslimanëve me hebrenjtë?
Nuk kemi bërë një film politik, por një rrëfim mbi familjet, ndaj edhe e gjithë historia rrëfehet nga një djalosh 16-vjeçar, Kabi. Ky është një vendim artistik në mënyrë që të fokusohej historia te njerëzit dhe jo te politika.
Përse zgjodhët arabishten si gjuhë të filmit?
Ishte vendim shumë i thjeshtë, sepse e dinim se popullata irakiane në Izrael, nuk e kanë parë këtë histori të jetës së tyre në film dhe e dinim se do u pëlqente të dëgjonin gjuhën e nënës dhe të vendit tyre të vjetër, ndaj u pëlqye. Gjithashtu vendimi për ta shpërndarë edhe jashtë Izraelit në gjuhën arabe mendoj se ishte ide e mirë. Ishte hera e parë që një film izraelit shfaqej në një gjuhë tjetër, në gjuhën origjinale, në vende të tjera të botës. Zakonisht në filmat izraelitë, flitet hebraisht. Ishte hera e parë që ndodhte dhe qe një sukses.
Duke folur në arabisht, a ishte besimi fetar i vetmi tipar identitar për këtë bashkësi ?
Komuniteti hebre në Irak kanë folur një gjuhë të veçantë mes tyre. Secili nga hebrenjtë duhet të dinin dy gjuhë: mes tyre atë që kishin shpikur, që ishte një përzierje e hebraishtes me arabishten dhe me të tjerët flisnin gjuhën e vendit.
Filmi përshkruan miqësinë mes myslimanëve dhe hebrenjve. A e shkatërroi politika këtë? Dhe duke qëndruar te tema, mes izraelitëve dhe palestinezë, a ka gjurmë miqësie, pavarësisht konfliktit?
Ne donim të rrëfenim një histori rreth “Nakba”, një term që palestinezët e përdorin për eksodin e tyre, kur hebrenjtë erdhën në Izrael i detyruan të largoheshin nga vendi e të jetonin në kampe refugjatësh. Palestinezët flasin gjithë kohës për këtë. Ne donim të rrëfenim një histori për një lloj të ngjashëm “Nakba”, për hebrenjtë e vendit tonë 70 vjet më parë. Ishte e njëjta rrethanë. Njerëzit tanë u përzunë nga vendet arabe dhe u desh të linin gjithçka e të ktheheshin në Izrael.
Nëse nuk gaboj, Irakun e lanë afro 130 mijë hebrenj të këtij komuniteti në vitet ’50. A ka ende ndonjë hebre që jeton në Bagdad nga ky komunitet?
Pjesa më e madhe, rreth 95 për qind e tyre u larguan ne fillim të viteve ’50. Po ishin 130 mijë njerëz. Qeveria irakiane vendosi ligjin që hebrenjtë të largoheshin në emigracion kudo ku kishin dëshirë. Ata menduan se vetëm 10 apo 15 mijë do të largoheshin. Nuk e dinin se nëse një familje do të vendoste të ikte, do të ndiqej nga një familje tjetër… si zjarr në fushë. Ata u larguan të gjithë për dy vjet.
Të përzënë nga vendi i tyre, Iraku, ku ky komunitet kishte jetuar me mijëra vite, a e ndjenë Izraelin shtëpinë e tyre hebrenjtë e Bagdadit, apo ndjeheshin ende të huaj?
Situata e refugjatëve nga Iraku ishte e njëjta me ata refugjatë që erdhën nga Polonia, Rusia, Gjermani drejt Izraelit në të njëjtën periudhë dhe ndërtuan komunitetin së bashku. Situata nuk ishte e thjeshtë, u desh të jetonin në kampe. Por komuniteti irakian është potencialisht mendjehapur. Ka njerëz të arsimuar, të cilët ndodhen në pozicione të larta ekonomike e politike në Izrael në 20 vitet e fundit. Është komunitet shumë i suksesshëm në të gjitha sferat e jetës.
Cila është simbolika pas “Dove Flyer” dhe ç’mesazh doni të përçoni te njerëzit në ditët e sotme?
Ne donim vetëm të rrëfenim historinë e këtij grupi refugjatësh që erdhën nga vendet arabe. Njerëzit nuk e njohin situatën. Simboli është t’i lësh njerëzit të ikin. Vendimi nëse do të rrinin në Irak apo të ktheheshin në Izrael ishte shumë i thjeshtë për këta njerëz, pasi situata ishte shumë e keqe për ta. Donim t’ua rrëfenim të gjithë botës dhe veçanërisht studentëve të rinj izraelitë, sepse nuk e njohin historinë.
Filmi ka qenë sukses qysh prej premierës në Izrael. Cili ka qenë çelësi i këtij suksesi?
Gjuha origjinale. Si edhe rrëfimi i një historie të mirë. Në Izrael, i gjithë komuniteti i Irakut, erdhën të shihnin filmin bashkë me familjet një, dy e deri tri herë… për shkak të gjuhës dhe rrëfimit. Sukses është edhe që filmi është bazuar mbi një libër të mirë.
Diçka rreth Shqipërisë, a është kjo hera juaj e parë këtu? Besoj keni dëgjuar për mikpritjen e shqiptarëve ndaj hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore…
E di këtë pjesë të historisë dhe kam lexuar dhe jam shumë i lidhur me këtë pjesë të historisë shqiptare. Kam ardhur si mik i ambasadës dhe festivalit TIFF dhe më duket shumë bukur këtu. Mendoj të kthehem pas dy vitesh. Ndoshta do të bëj një bashkëprodhim izraelit-shqiptar, një histori të mirë që më ka rrëfyer një regjisor shqiptar. Një histori rreth holokaustit pa ushtarë nazistë apo viktima hebrenj. Një këndvështrim i ri i së njëjtës histori. 

Bileta në teatër sa një pako cigare

Të ndërgjegjësohemi që nuk është më e udhës ta paguajmë sa një paket cigaresh biletën për të hyrë në teatër.Ta ndjejmë nevojë të brendshme se Teatri i bën mirë shpirtit dhe shëndetit tonë emocional. Teatri ofron mundësi, sepse emancipon. Prandaj publiku s’duhet ti ndahet për asnjë arsye Teatrit dhe të mësoj ta vlerësoj më shumë
Vilma Hodo
Edhe Teatërbërësit e jetojnë çdo ditë epokën e konsumit duke qenë  dëshmitar  fjalëpak të saj. Ajo që sociologët quajnë “Shoqëria e konsumit” është mjaft sfiduese. Shpesh kritikohet për egoizmin dhe pasivitetin që përhap në shoqëri. Ajo blen shtrenjtë mallra me lustra që shkëlqejnë dhe do të paguaj pak kur “konsumon “ art dhe Teatër. Ajo vret orë të tëra nëpër kafene  të mërzitshme e klabe shurdhuese dhe hera-herës s’ka durim të shoh një shfaqe në teatër 2 orë e 15 minuta. Ajo konsumon në mënyrë kompulsive  yndyrna e sheqera të dëmshme  për shëndetin,  ndërsa jo rrallë e sheh lehtësisht  të zëvendësueshme kënaqësinë që merr nga një shfaqe në Teatër. Sfiduese apo jo?
Kur Jerzy Grotowski tha se “ kemi arritur në përfundimin që duhet të shtrenjtojmë biletën e hyrjes në Teatër” arsyeja ishte e fuqishme dhe shumë domethënëse.“ Ata që do të vinë në teatër duhet të jenë të ndërgjegjshëm se po pushojnë në një vend special, ku është e mundur të lënë pas krahëve jetën e përditshme dhe ku mund të jenë plotësisht vetvetja” ( “Towards a Poor Theatre”, J.Grotowski 1965)

Kohë pas kohe ne ngremë të njëjtat pyetje. Edhe sot e ndjejmë këtë nevojë. A ka ardhur koha të shtrenjtojmë edhe ne biletën e hyrjes në teatër?Ndodhemi në një kohë që Arti dhe Teatri mbijetojnë më shumë nga pasioni dhe dashuria e pakusht e njerëzve që dinë ta bëjnë atë më mirë se sa nga pagesat dhe fondet minimale. Drejtues institucionesh kulturore që përballen me sfida financiare  duke sakrifikuar pashmangshmërisht dhe nivelet artistike të produksioneve Teatrore. Sfidë e rëndësishme është që Teatri në Shqipëri  duhet të gjeneroj ide dhe mekanizma të mirëstudiuara për të nxjerr të ardhura të reja si “fonde ekstra” për ti përdoruar më pas  me transparencë dhe mjeshtëri në funksion të nivelit artistik dhe estetik të produksioneve të tij.
Teatri duhet të thith sa më shumë publik. Të shndërrohet në një alternativë të parë për publikun. Duhet te provokoj, të tërheq vëmendje, të bëhet kryefjalë, të diskutohet për të, të flitet për problemet e tij për shfaqet, për artistët dhe për rëndësinë e madhe që TEATRI ka për shoqërinë në çdo kohë. Teatërbërësit s’duhet të harrojnë që skenat, sallat, vendet ku bëhet Teatër janë të shenjta,  sepse Teatri është mision.

Francezi i madh, fituesi i çmimit Nobel, filozofi dhe autori Albert Kamy edhe pse në karrierën e tij punoi vetëm disa vite në Teatër , teatri la shenjë të çmueshme tek ai. Në esen e tij të  famshme dhe të vetmen për teatrin “ Why I work in Theatre?” “ Pse unë punoj në Teatër?” ai shprehet \"Për mua Teatri është vendi i të vërtetës. Të them të drejtën njerëzit zakonisht e quajnë  “vendin e iluzionit”. Mos i besoni kësaj! Është shoqëria mbi të gjitha ajo që jeton mes iluzioneve. Me siguri që ju do të gjeni më shumë “aktorë të këqij” në qytet se sa në skenat e Teatrit.” ( A.Kamy ,1960)

Në një vend të shenjtë, pa ikona, në qetësi , çdo mbrëmje aktorë, regjisor, skenograf, kostumograf,muzikantë, puntorë skene...,  derdhin mjeshtërinë e tyre për të krijuar artin e gjallë të Teatrit . Arti i tyre është magjik dhe i brishtë si shpirti njerëzor dhe ju si publik jeni dëshmitar të vetëm të tij.Padyshim që është e pamundur të paguajmë çmimin që meriton vlera e vërtetë e një shfaqje Teatri,  por si publik ne mund dhe duhet të bëjmë më të mirën tonë. Të ndërgjegjësohemi që nuk është më e udhës ta paguajmë sa një paket cigaresh biletën për të hyrë në teatër.Ta ndjejmë nevojë të brendshme se Teatri i bën mirë shpirtit dhe shëndetit tonë emocional. Teatri ofron mundësi,  sepse emancipon.  Prandaj publiku s’duhet ti ndahet për asnjë arsye Teatrit dhe të mësoj ta vlerësoj më shumë.

Mizoritë e luftës në Kosovë, 1998/1999. Veprimet makabre të soldateskës serbe në Kosovë:“Histori të tmerrit 1998-1999”.

Nga Flori Bruqi  Sanije Gashi, zonja e madhe e kulturës shqiptare.... “M'u kujtuan, saora, tragjeditë e Shekspirit, edhe ‘Ferri' i D...