Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/12/31

PELEGRINI I MBRAME I GEGNISHTES

Nëntëdhjetëvjetori i lindjes së mjeshtrit të fjalës shqipe, është shkasi për të prekur magjinë letrare, e po kaq për të verifikuar marrëdhënien me këtë figurë, që bart mbi supe dritëhijet e njeriut shqiptar të shekullit të kaluar. Përmasave të veprës letrare të Camajt i shkon për shtat pohimi: Koha e veprave nuk është koha e kufizuar e të shkruarit, por koha e pafundme e të lexuarit: hapësira letrare është kujtesa e njerëzve (2002, 63) i Cenet Clark në librin “Qytetërimi”.

Rreth moshës 18 vjeç iku prej Temalit dhe Prekalit, sepse pushteti monist ia kishte ndalur shkollimin. Iku në kërkim të dijes dhe lirisë së fjalës. Në Prishtinë boton vëllimet poetike: “Një fyll ndër Male”, “Kanga e Vërrinit”, duke përlindur poezinë asaj ane. Në Beograd mbron titullin Dr, me “Mesharin e Buzukut”, duke vendosur kontaktin me zanafillën e shkrimit të shqipes. Vendoset në Romë dhe bashkë me mjeshtrin e prozës Erenest Koliqi, për kaq mote, skalitin monumentin e fjalës shqipe në revistën “Shejzat”.

Po Camaj ishte nisur për udhë më të gjatë, se matanë detit. Ndalesa e fundit në Mynih, ku hapë degën e Albanologjisë në universitetin e qytetit, bën që Camaj të ngulet, në “atdheun” që e priti me bujari dhe respekt. Atë që pati humbur prej ikjes së detyruar, e gjeti, madje e krijoi, me tipin e vetë, të njeriut, dijetarit, shkrimtarit, duke mos e harruar asnjë moment atdheun që e lindi.

E deshi shumë, më shumë se gjithçka tjetër. Asnjëherë nuk e shau apo mallkoi, as më pëshpërima vetmitare, sepse ishte i bindur në lidhjen e pashkëputshme shpirtërore me fatin e tij. Ndiqte me vëmendje çdo zhvillim të jetës politike, të jetë kulturore dhe letrare, shpesh analizon humbellat ku pati rënë letërsia shqipe në kthetrat e realizmit socialist, por pa e harruar dashurinë për atdhe, madje është i pari, që kur ndeshi në veprat e Mitrush Kutelit, lëshon thirrjen profetike, Kuteli mik treditësh i rrymave letrare, që nxiti leximin dhe vlerësimin e mjeshtrit të prozës.

Në kuptimin metaforik, Camaj e mori me vete atdheun, me gjasë e përlindi atë në tekstet letrare dhe studimore, duke realizuar idenë e Hajdeger-it, se gjuha është shtëpia e qenies. Kjo vjen në dy forma në veprën e Camajt, në interesa studimore për gjuhën, që arrin kulmin me “Gramatika e shqipes”, ku vihen pranë gjithë vatrat e shqipes, pra edhe gjuha e njësuar, por më e rrokshme shqiptohet në krijimtarinë e gjerë letrare. Në gjuhë, padyshim, në variantin e gegnishtes, Camaj shkroi poezinë, që kulmohet me Nema, Bualli dhe Palimpsest. Me gegnishte shkroi dy dramat ekzistenciale, “Lojë mbasdreke” dhe “Kandilja e argjandit”.

Në gegnisht dhe arbërisht është shkruar proza e tij, romanet “Djella”, “Karpa”, dhe kryevepra e tij, “Drandja”. Në 85-vjetorin e lindjes së tij, rikthehet me botimin e veprës me veprën e përzgjedhur. Megjithatë rikthimi i Martin Camajt në atë vit erdhi e gjymtë dhe paragjykuese, kinse gjuha e Camajt nuk është e kuptueshme dhe e receptueshme. Kjo rrethanë absurde shfaqet në fjalët e përgatitësit për botim, Bardhyl Demiraj, në hyrjen shkurtimore të librit të parë të kolanës, kur thekson:

Si kriter bazë është marrë shkalla e vështirësisë, përkatësisht mënyra më e përshtatshme e përditësimit hap pas hapi të lexuesit me veprën e autorit, ku duket qartazi si tekst dhe nëntekst, si ngasje dhe shtysa, që më tepër ka gjasa të jemi në një shpikje krejt të panevojshme, në një përkthim të fshehur të autorit, pra në një ndalim për të ardhur me gjuhën e vetë unike. Martin Camaj, mërgimtar i përjetshëm në gjallje dhe në amshim, mërgimtari i përvëluar për atdhe, që e mori me vete atdheun, e përlindi si prani shpirtërore në zhguallin e shqipes, të lëvruar në tekstet letrare dhe shkencore, studimore dhe gjuhësore, i ngriti një kult gjuhës shqipe, ligjërimit letrar të gegnishtes dhe arbërishtes. Dija letrare në marrëdhënie me gjuhën e letërsisë, sugjeron: … detyra e poetit, si poet është vetëm e tërthortë për popullin e tij: detyra e drejtpërdrejtë është e lidhur për gjuhën e tij; së pari ta ruajë dhe së dyti ta zgjerojë dhe ta pasurojë. (1982: 61), te libri “Ese të zgjedhura”, siç pati nënvizuar më herët T. Elioti.

Behar Gjoka

MARTIN CAMAJ – YNI APO I MERGATES?

Poezia e tij mbase më e cituar është “Vendit tem”. Tash, me rastin e 90-vjetorit të lindjes së tij, dhe pasi ai dëshmoi me veprën letrare dhe shkencore që Shqipëria ishte vendi i tij, mund të shtrohet pyetja nëse Shqipëria e ka bërëMartin Camajnshkrimtar të vendit të tij, d.m.th. nëse Camaj në vendin e vet e ka gjetur vendin e duhur pas një gjysmëshekulli të heshtjes totale për të, ku ai nuk u përmend as për të keq si “tradhtar” e “reaksionar” (si rasti i sulmit të Kadaresë ndaj Fishtës sipas motos “më mirë të përmendet për të keq sesa të mos përmendet dot”) dhe pas një çerekshekulli të pluralizmit shqiptar.

Postmortem në Shqipëri janë bërë përpjekje jo të pakta për të bërë të njohur e për të vlerësuar Martin Camajn dhe veprën e tij. Më 1996-n, Ardian Klosi botoi një pjesë të madhe të veprës letrare të Camajt; në fillim të viteve ’90, botuesi “Camaj-Pipa” në Shkodër botoi gjithashtu një pjesë të veprës letrare camajane. Më 2010-n, shtëpia botuese “Onufri” botoi veprën e plotë letrare të Camajt. Poezi të tij gjenden në disa antologji. Po ashtu, më 2010-n, ish-presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, e nderoi Camajn me titullin “Nder i Kombit”. Më 2002-shin, Martin Camajt iu akordua çmimi kombëtar për letërsi “Penda e Artë”. Për veprën letrare camajane janë shkruar libra (Anton N. Berisha, Koçi Petriti, Ymer Çiraku, Primo Shllaku, Behar Gjoka), punime master dhe disertacione. Vjetëve të fundit dolën libra seriozë studimorë nga Hasan Sinani (2011) dhe Albana Alia (2014). Më 2013-n u xhirua dhe u shfaq dokumentari biografik i gazetares Tefta Radi “Martin Camaj i papërsëritshëm”.

Prapëseprapë, duket sikur Martin Camaj ende nuk e ka vendin e duhur në vetëdijen kolektive shqiptare. Këto ditë, Akademia e Shkencave e përkujtoi me një simpozium përvjetorin e 85 të vdekjes së poetit atdhetar Çajupi dhe nuk ia kushton vëmendje poetit të madh të poezisë moderne shqiptare, Martin Camaj. Ministria e Kulturës preferon të merret jo me përvjetorin e Camajt, por me mbrojtjen e monumenteve të kulturës për “turizmin kulturor”, me ekspozita artistësh etj. Një lidhje e shkrimtarëve për të qenë, fatkeqësisht, nuk ekziston. Shtypi hesht sa institucionet e kulturës. Kur bëhet fjalë për poetët e mëdhenj shqiptarë të kohës sonë, ende flitet dhe shkruhet për Dritëro Agollin dhe Ismail Kadarenë. Tash së voni hasa në një listë të vogël shkrimtarësh që “ne i kemi nxjerrë” në kohën e diktaturës, ku u përmendën autorë si Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Dhimitër Shuteriqi, Xhevahir Spahiu e shkrimtarë të tjerë të njohur të kohës. Për fat të mirë, lista mbaroi me Frederik Rreshpjen, të cilin më së shumti begenisin ta “harrojnë”. Simptomatike ishte mungesa e emrit të Kasëm Trebeshinës që e injorojnë për shkaqe jashtë letrare, si dhe mosprania e Martin Camajt – siç duket po ashtu për shkaqe joletrare.

Mosprania e poetit dhe prozatorit Camaj në vetëdijen e përgjithshme duket se në radhë të parë nuk është se “Camaj është i vështirë”, por se ai konsiderohet ende si shkrimtar “i diasporës”, “i mërgatës”, “i ekzilit”. Në të vetmen Histori të letërsisë shqiptare nga Robert Elsie (shqiptarët ende s’kanë shkruar një vepër përkatëse), Martin Camaj dhe Arshi Pipa figurojnë ndër emra si Xhevat Kallajxhi, Kosovë Rexha-Bala, Mustafa Huluki, Nijazi Sulça etj. Ky kategorizim përvetësohet dhe nga penda të tjera. Me këtë, Camaj margjinalizohet dhe, deri diku, përjashtohet nga rrjedha e letërsisë shqiptare. Askujt nuk do t’i binte ndër mend ta quajë Nolin a Konicën autorë “të diasporës”, “të mërgatës” a “të ekzilit”. Kategorizimi i Martin Camajt si autor “i mërgatës” etj., bëhet për shkakun thjesht biografik d.m.th. joletrar.

Nëse Camaj nuk bën pjesë ndër shkrimtarët që “ne i kemi nxjerrë”, do të ishte e logjikshme të thuhet se atë e ka nxjerrë mërgata, diaspora, ekzili. Gjë absurde! Shkrimtarin Martin Camaj nuk e nxori diaspora, mërgata a ekzili, por tradita e letërsisë shqiptare dhe thesari i traditave gojore të Shqipërisë së Veriut. Në krijimtarinë e Martin Camajt nuk gjenden elementet tipike të shkrimtarëve të mërgatës a ekzilit. Ata zakonisht merren qoftë me letërsi sentimentale patriotike që e idilizon dhe glorifikon atdheun, qoftë me letërsi të politizuar që e akuzon vendlindjen dhe rrethanat politike në të. Autorë të tillë zakonisht merren edhe me shkrime gazetareske që e damkosin sistemin diktatorial në vendlindje. Ndryshe nga ata, shkrimtari Camaj shkroi me këmbëngulje letërsi, letërsi të mirëfilltë dhe asgjë tjetër. Ai është një autor i letërsisë shqiptare në kohën e diktaturës komuniste, një nonkonformist për nga stili e estetika dhe për nga përmbajtja e veprës së tij, një shkrimtar jashtë kornizave të letërsisë zyrtare të kohës, por jo jashtë kornizave të letërsisë së Shqipërisë.

Në vitin e fundit të jetës, më 1992-shin, ai tha në një mesazh për shqiptarët se “unë jam i jueji dhe ju jeni të mijt”. Ka ardhur koha që të mendohet në Shqipëri se “Martin Camaj është yni”.

Hans-Joachim Lanksch

Kandili i argjandit


Ardhja e dramës “Kandili i argjandit” në Tiranë është ngjarje e shënuar, sidomos për teatrin dhe dramaturgjinë shqipe. Ngjarje është edhe për faktin e thjeshtë se ia shpëtoi nderin e humbur Teatrit Kombëtar, i cili u bënë vite që vetëm emrin ka të tillë, se dramat shqipe nuk janë në skenë. Një teatër që flet shqip, me kaq e kaq autorë, por që megjithatë nuk mendon shqip, vështirë të luajë rolin për të cilin është menduar si teatër, edukimin e qytetarëve të vet. Drama e shqiptarit, mbase tragjedia e tmerrit, dje dhe sot, drama e kombit të përndarë në pesë shtete, drama e shkatërrimit të genies tonë, mbërrin me gegnishten melodike të Camajt, derdhur në magjinë e fjalës së njenës prej teksteve dramatike të autorit. Ma në fund ka mbrri Camaj në Tiranë, me gjasë shpirti i shkrimtarit atdhetar dhe modern, në sallën e Teatrit Eksperimental. Njeriu që në moshë të re la dheun e të parëve, që iku prej kthetrave të dhunuesve me pesë cepa në ballë, iku turravrap në kërkim të fjalës së lirë, sepse atëbotë këtu patën ardhun bijtë e djallit dhe të errësinës. Qenë ulur këmbëkryq shtypat ideologjike, partizanët e komunizmit, që zhgreh me mllef mbi vlerat e hershmënisë, mbi dijen shekullore, mbi pasurinë dhe tana trashgimitë e tjera të shqiptarit… Në fillim zani i vetë Camajt, me klithmën siprane: UNË JAM I JUEJ E JU JENI TË MITË!… Në ditën mordes së të zotit të shtëpisë, vijnë ata, që në emër të ndërtimit të një jete të re do të shkatërronin gjithçka, mbi të gjitha njeriun… Në këtë ditë të fatkobit, një kob edhe ma zi, futet në ndërgjegjen e trazume prej rrethanash të reja, në secilin nga anëtarët e kësaj familje, floriri i fshehun, që askush nuk e di se ku gjendet. Ama, me ardhësit e ri, nuk ke shanse me ba shaka, homopolitikues të ideologjisë që ndau shoqërinë në klasa përparimtare dhe reaksionare. Prandaj, edhe pse nuk e kanë fshehur thesarin, siç lënë me kuptu skenat dhe dialogu i personazheve, ata duhet ta gjejnë, madje me çdo kusht, se qumshti i nënës do t’u dalë për hundësh. Të vjen tjetri, të zapton kopshtin, të dhunon lulet, të shemb shtëpinë dhe ti duhet vetëm të shtrëngosh dhëmbët… Dje kështu, e sot njëlloj! Kjo është magjia e artit, që flet me njeriun e secilës kohë. Megjithatë, neverinë dhe përbuzjen ma të madhe e kanë me kandilin e argjandit, sepse prej tij, siç ndërmendet partizani i territ, buron drita. Pra, bijtë e territ të zi urrejnë dritën, dinjitetin, njeriun dhe shpikin një botë absurde, ku njeriu është shërbëtor i pushtetit ideologjik, pasi ka humbur të gjitha vlerat humane, e është kthyer në një kiç-qenie, pa tru dhe zemër. Patën ardhun me shemb gjithçka dhe, nuk lanë kulm në kambë, tanë dheun e përmbysën, dhe mbi gërmadhat e marrëzive të tyne, ngritën shëmtinë e diktaturës, prej së cilës ende nuk po mundemi me shpëtu, anipse kaloi një çerek shekulli. E kam lexuar dhe rilexuar disa herë dramën “Kandili i argjandit”. Më pati pëlqyer pa masë, qysh në lexim të parë dhe qesh bindur se i bën nder dramës shqipe. Por, hëm edhe në këtë rast, studiuesit e territ, si kulimat nëpër errësinë, vrik e vrik e patën hjedh helmin, nuk e pranuan kurrënjiherë si dramaturg. Passhpinsat dhe rrejpacukët e djallit, e hodhën farën e keqe, tuj u rrek me lanë në nivelin e radiodramtizimit, pra të një përcaktimi dobie utilitare, simbas leximit ideologjik, të projektum në arkivat e realizmit socialist. Llafollogjema e gjithditësave, në parathënie dhe pasthënie, nuk ma lëkundi bindjen se është dramaturg, i fjalës dhe veprimit, skalitës karakteresh, që u ndeshën në udhën e qoftëlargut. Mbrëm, ditën e diel, e dëgjova Camajn, e pashë mjeshtrin, e ndjeva në shpirt thirrjen e tij se ndër ne, në jetët tona, po vijnë bijtë e territ, po rivjen njeriu i ri, që shkatërroi dhe po shkatërron qenien shqiptare, atdheun dhe kombin… E pashë, o njerëz, të ulur këmbëkryq në Teatrin kombëtar… Mjerë kush nuk e dëgjon thirrjen e tij se bijtë e errësirës janë midis nesh, në ditët dhe netët tona, na vrasin e përdhunojnë, në shembin shtëpitë dhe na vjedhin pasurinë, në emër të popullit të tredhur… Të tredhur fund e majë, të shkundur trup e shpirt. E pashë, e dëgjova, u llafita me Camajn, prej mjeshtërisë së aktorëve të Teatrit Migjeni Shkodër, që e sollën si të gjallë, në Tiranë, ku nuk mundi të vinte…Gjenia e Camajt sapo ka nisur udhën për te të vetët, për të ndriçuar mendjen dhe për të lehtësuar dhimbjet e zemrave…Mjeshtër, të falem, që edhe prej amshimi hedh dritë ndër ne…

Behar Gjoka

ME TE MIRET E LETERSISE SHQIPE

Adil Olluri
Një studim mbi romanin postmodern shqiptar, ardhur nga një autor i Kosovës, nxjerr për herë të parë një listë emrash ku klasifikon autorët më të mirë, të gjallë, që ka letërsia artistike shqiptare. Autori i studimit është Adil Olluri, me librin “Romani postmodern shqiptar”, promovuar dje në mjediset e UET Press, botimet “Mapo”. Studiuesi arrin të japë për herë të parë një renditje me tre autorë postmodernë shqiptarë të përfshirë në trajtimin e tij: Rexhep Qosen, Ridvan Dibrën dhe Bashkim Shehun, të cilët janë ndër pesë prozatorët së bashku me Kadarenë dhe Kongolin, më të mirë të gjallë sot që ka letërsia shqipe. Kjo është nga çështjet letrare pak të diskutuar apo të cekur se çfarë ofron në këtë rast letërsia artistike shqipe, qoftë nga format, alternativat, të krijimit dhe të shkrimit artistik, por nisur nga një model. Olluri ka treguar që në hyrje të librit se takimin e parë me një sërë veprash artistike postmoderne në letërsinë shqipe e ka pasur me romanet e Rexhep Qoses. Leximi i tyre e bëri të kuptojë se letërsia shqipe ka një autor të formuar në frymën e modelit postmodern, i cili në shkrimin e tij ka përdorur shumicën e elementeve esenciale të këtij modeli. Ai na jep formatin e autorit, që i ka dhënë letërsisë sonë një kontribut të rëndësishëm, duke e integruar në sistemin e saj të vlerave edhe romanin postmodern. Pas leximit të romaneve të Rexhep Qoses, interesi i studiuesit rritet për t’u takuar edhe me romane të tjera të letërsisë dhe prozës bashkëkohorë shqiptare, të cilat kanë natyrë dhe elementë postmodernë në vetvete. Kështu, kërkimet mbi postmodernen e çuan në disa romane, si ata të Ridvan Dibrës “Triumfi i Gjergj Elez Alizë” dhe “Triumfi i dytë i Gjergj Elez Alisë”, pastaj të Bashkim Shehut “Angelusnovus” dhe “Rrethi”; ata të Ben Blushit, “Të jetosh në ishull”, “Otello, Arapi i Vlorës” dhe “Shqipëria”, romani i Vath Koreshit “Ulku dhe Uilli”, ai i Bashkim Hoxhës “Heronjtë e viagrës”, si dhe romani i Kujtim Rrahmanit, “Secili citonte Biblën”. Këto paraqesin një model postmodern të shkrimit letrar, që për Ollurin evidentojnë praninë e këtij formacioni stilistik në prozën tonë bashkëkohore, që ishte nga nxitjet e autorit për t’iu afruar studimit edhe në disertacion masteri. Në secilin roman janë analizuar elementet postmoderne, duke ndjekur një mënyrë pune ku çdo romani i kushtohet një hapësirë e veçantë. Sipas studiuesit, me Qosen fillon inaugurimi i shkrimit letrar postmodern në letërsinë shqipe, pastaj vazhdon me romanet e Shehut, Dibrës, Koreshit, Blushit, Rrahmanit dhe Hoxhës. Pra, Olluri kontribuon në këtë punim me një projekt konkret me analizimin e elementëve postmodernë në romane shqiptare, duke tejkaluar çështje të vlerësimit me synimin e të qenit ilustrues me shembuj konkretë në romanet e cekura më lart. Nga ky korpus romanesh, sipas autorit ka një paradigmë, ku del se proza bashkëkohore shqiptare, sikurse bashkëmotrat e saj perëndimore, ka autorët dhe veprat e saj karakterizuese të postmodernizmit letrar, referuar si frymë dhe formacion stilistik. Nga ky mendim, është e rëndësishme të thuhet se koha nuk ka mbetur më prapa për kulturën letrare shqipe, ku Olluri e shpreh pa ngurrim se ka ndjekur modelet e letërsive të mëdha e të zhvilluara botërore. Detyrimisht, konkluzioni mbërrin në finalizimin e një çështjeje letrare pak të diskutuar, apo të cekur se çfarë ofron në këtë rast letërsia artistike shqipe, qoftë nga format, alternativat, të krijimit dhe të shkrimit artistik, por edhe nga ky model. Kështu Olluri mbërrin të rendisë tre autorë postmodernë shqiptarë, të përfshirë në këtë trajtim Rexhep Qosen, Ridvan Dibra dhe Bashkim Shehun të cilët janë ndër pesë prozatorët sipas të tij së bashku me Kadarenë dhe Kongolin, më të mirë të gjallë sot që ka letërsia shqipe.

Për librin e Ben Blushit “Otello, Arapi i Vlorës”

Adil Olluri: Otelloja, homoseksual

Otello, heroi më tragjik i dashurisë në letërsinë botërore, në romanin e Blushit bën dashuri me dy meshkuj, ku bëhet një ironizim dhe parodi postmoderne me tragjedinë e Shekspirit, si dhe një përmbysje e plotë e variantit të parë. Ai për herë të parë bën seks me Hamitin, një turk, tregtar armësh, i burgosur dhe i tradhtuar nga Balsha II, ku ky i fundit mendonte dhe ishte i bindur se turku e kishte tradhtuar. Hamiti e shpëton Otellon (isapo burgosur nga Komita) nga turma e të burgosurve, të cilët e kishin kapur atë dhe donin ta dhunonin seksualisht. Otello i ri ishte si një viktimë e pafajshme përballë të burgosurve të vjetër shqiptare, të shndërruar në homoseksualë me përvojë andaj vetëm falë tregtarit turk shpëton nga ta. Burgu këtu përshkruhet si një çerdhe e homoseksualitetit, ku pothuajse të gjithë të burgosurit bëheshin të tillë. Andaj, edhe kjo shenjë është njëra nga ironitë më të mëdha për shqiptarët gjatë mesjetës, të cilët kishin mjaft vese orientale, në mesin e tyre edhe homoseksualizmin. Otelloja, sikurse që bëri Hamiti me të, në mënyrë të njëjtë shpëton nga homoseksualët shqiptarë të riun vlonjat, Andrean, me të cilin bie në shtrat pas një kohe. Andrea, që kishte hyrë në burg pasi kishte vrarë për ta mbrojtur moralin e së motrës, bie vetë në kthetrat e imoralitetit ekstrem, siç është marrëdhënia seksuale mes dy meshkujve. Pra, këtu kemi praninë e figurës së paradoksit, që së bashku me ironinë dhe parodinë e ndërtojnë korealin figurativ postmodern në këtë roman të Blushit.

Gilman Bakalli: Olluri, një shkencëtar në oborrin e kritikës letrare

Për kritikën letrare në Shqipëri mund të thuhet përgjithësisht se termi “letërsi” funksionon si barërat e këqija. Barërat e këqija mund t’i konsiderosh si një lloj të veçantë bime, të cilën, për një arsye apo për një tjetër, kopshtari nuk e do më në kopshtin e tij. Zakonisht kritikët letrarë sillen si kopshtarë tekanjozë dhe vendosin arbitrarisht se çfarë u pëlqen të mbajnë në kopshtin e tyre letrar dhe çfarë ta hedhin tutje si bimë parazitare. Kjo lloj kritike letrare gjallon me shumicë në kopshtijet tona të krijimit, prandaj është i pavend pohimi apokaliptik se kritika letrare në këtë vend ka vdekur. Ajo nuk vdes kurrë për aq kohë sa kemi kritikë, të cilët, para se të dëgjojnë se ç’ka për t’u thënë vepra, i kërkojnë veprës të dëgjojë se çfarë duan të thonë ato. Për këtë kategori kritikësh gjykimet mbi veprat letrare ezaurohen tek atributet morale si “e mirë”, “e keqe”, “e dobishme”, “e padobishme”, “e lexueshme”, “e palexueshme”. Kritiku letrar si kopshtar i është larguar ndjeshëm kuptimit tradicional të kritikës, i cili (edhe etimologjikisht) na dikton një tjetër lloj gjykimi: aftësinë për të diferencuar dhe për të shquar diferencimet brenda një lëmi të caktuar dijesh. Por kujdes: aftësi për të diferencuar jo thjesht mbi bazë shijesh subjektive, por mbi bazë kriteresh të qëndrueshme. Shkrimtari dhe studiuesi nga Prishtina, Adil Olluri vjen me një studim mbi romanin postmodern shqiptar, i cili ngrihet mbi nivelin aktual të kritikës letrare. Larg së gjykuari mbi baza subjektive moralizuese, duket se studimi i Ollurit udhëhiqet nga një lloj tjetër morali. Morali i Ollurit është objektiviteti i tij, procedura skrupuloze prej një shkencëtari të letërsisë. Larg paragjykimeve dhe gjykimeve thellësisht subjektive, studiuesi Olluri nuk hyn në kopshtin e krijimeve letrare si një kopshtar që pastron lulet nga barërat e këqija nisur nga preferenca personale. Ai është botanisti në kopshtin e krijimeve letrare, i cili, para se të diferencojë, përcakton me rigorozitet shkencor kriteret e pranimit në lëndinën e tij. Siç shkruan dhe vetë Olluri, objektivi i tij “nuk është vlerësues, por synon të jetë ilustrues”. A kemi në Shqipëri romane postmoderne? A rriten në “lëndinën tonë letrare” shkrimtarë postmodernë? Këto janë pyetjet e studiuesit Olluri, projekti i të cilit nuk është asgjë më shumë se sa “vendosje rendi” në kopshtijen e rrëmujshme të krijimeve të shumta letrare. Cilët nga romanet bashkëkohore shqiptare plotëson kriteret për t’u konsideruar pjesë e kanonit të romanit postmodern? Për këtë Olluri, figurativisht, na paraqet një lloj tabele të Mendelejevit, duke dokumentuar fillimisht cilësitë e postmodernes në letërsi dhe, më pas, duke kërkuar në letërsinë bashkëkohore shqiptare romane, tek të cilët ai evidenton cilësitë në fjalë…

Adil Olluri, shkrimtarët që sjellin modelin letrar postmodern

Takimi im i parë me një sërë veprash artistike postmoderne në letërsinë shqipe ishte me romanet e Rexhep Qosjes, siç janë “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, “Një dashuri dhe shtatë faje” dhe “Nata është dita jonë”. Leximi i tyre më bëri të kuptoj se letërsia shqipe ka një autor të formuar në frymën e modelit postmodern, i cili në shkrimin e tij ka përdorur shumicën e elementeve esenciale të këtij modeli. Ai na jep më së miri formatin e autorit, që i ka dhënë letërsisë sonë një kontribut të rëndësishëm, duke e integruar në sistemin e saj të vlerave edhe romanin postmodern. Zhvillimi i këtij romani te ne

do të lidhet përherë me emrin e këtij autori, ngase me të fillon ky model shkrimi ndër ne, ngase viti 1974, kur është botuar romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, është vit i fillimit të prozës postmoderne në letërsinë shqipe. Pas leximit të romaneve të Rexhep Qosja, pata një interesim të madh të “takohem” edhe me romane të tjera të letërsisë dhe prozës bashkëkohore shqiptare, të cilat kanë natyrë dhe elemente postmoderne në vetvete. Dhe gjatë këtij kërkimi hasa në një sërë romanësh, si ata të Ridvan Dibrës “Triumfi i Gjergj Elez Alisë” dhe “Triumfi i dytë i Gjergj Elez Alisë”, pastaj të Bashkim Shehut “Angelusnovus” dhe “Rrethi”; ata të Ben Blushit, “Të jetosh në ishull”, “Otello, arapi i Vlorës” dhe “Shqipëria”, romani i Vath Koreshit “Ulku dhe Uilli”, ai i Bashkim Hoxhës “Heronjtë e viagrës”, si dhe romani i Kujtim Rrahmanit “Secili citonte Biblën”. Ky korpus i romaneve shqiptare, që i takojnë modelit postmodern të shkrimit letrar, e evidenton praninë e këtij formacioni stilistik në prozën tonë bashkëkohore, që ka qenë njëra nga nxitjet kryesore për t’iu qasur këtij objekti studimor në këtë disertacion masteri. Këtu i kemi evidentuar dhe analizuar elementet postmoderne në secilin roman veç e veç, duke ndjekur kështu një mënyrë pune ku çdo romanit të lartpërmendur i kushtohet një hapësirë e veçantë në kuadër të punimit, ku së pari do të fillojmë me romanet e Rexhep Qosjes, ngase me këtë autor, siç e thamë edhe më lart, edhe fillon inaugurimi i shkrimit letrar postmoderne te ne, pastaj vazhdojmë me romanet e Shehut, Dibrës, Koreshit, Blushit, Rrahmanit dhe Hoxhës. Me një fjalë, projekti ynë për analizimin e elementeve postmoderne në romane shqiptare, më shumë se sa vlerësues synon të jetë ilustrues me shembuj konkret nga romanet e cekura më lart. Andaj, kjo do të jetë rruga që do të ndiqet në këtë punim.

Alfred Lela: Letërsia fiction vjen në siglën Mapo Editions

Mapo Libri nuk është vetëm një shtojcë. Mapo Libri është pjesë e një ylli me pesë cepa (Për të përdorur një fjalë të së shkuarës, larg qofshim!). Le ta quajmë ndryshe; nisma letrare MAPO. Besoj jeni në dijeni të Çmimit letrar Kadare, që bëhet për të stimuluar prozën shqipe. Përfitoj nga rasti t’ju them që për ndonjë mik apo miken tuaj që e ka një dorëshkrim gati në prozë, ne jemi të hapur deri në fund të muajit me pranimet. Zoti Bakalli është drejtuesi i qendrës letrare “Kadare”, pjesë e Departamentit të Komunikimit në Universitetin Europian të Tiranës. Gjashtëmbëdhjetë faqet e gazetës së të shtunës do të kenë së shpejti një lloj riformatimi për ta larguar pjesën e dytë të “Mapo Libri & Ide” e për ta lënë vetëm “Mapo Libri”. Kjo do të jetë pjesë e kontributit të nismës letrare Mapo. Botimet e vazhdueshme të fiction-it do të mbulohen nën siglën Mapo Editions, ndërsa botimet akademike botohen nga “UET Press”. Kjo është ‘streha’ ku ne banojmë me nismat tona. Rëndësia e Çmimit Kadare, jo vetëm si nismë, por edhe si kulmim i projekteve tona, është e dorës së parë. Fundjavën e dytë të nëntorit ne do të shpallim fituesin. Pranimet vazhdojnë deri në datën 31 tetor.

Henri Çili: UET, së shpejti me një degë për Shkrimin Krijues

Janë dy elemente të rëndësishme të Nismës Letrare Mapo. Ne kemi lançuar para dy vjetësh krimin e një rrjeti të kritikës letrare shqip. Ai po funksionon relativisht mirë. Katër apo pesë kritikë letrarë të rinj ose me përvojë, ose studiues, kanë çdo javë në faqet e Mapos, recensa letrare për librin shqip dhe autorët shqiptarë. Elementi tjetër është ideja për të hapur duke filluar nga viti tjetër, një degë më vete për studimet letrare dhe për shkrimin krijues. Një lloj profili i letërsisë. Mjediset letrare shfaqen shumë sektare, të veçuara. Ne si UET, duke qenë neutralë ndaj mjediseve, jemi përpjekur të krijojmë një lloj strehe, qoftë tek Mapo Libri në fundjavë, qoftë nëpërmjet këtyre aktiviteteve. Adili ishte studiues dhe tema e tij e masterit kishte qenë “Romani Postmodern Shqiptar”, ku kishte marrë në studim ndër të tjera dhe dy libra të Blushit. Vepra që më dha kur e takova në Prishtinë ishte pikërisht ky punim, në formatin e dokumentit. Vepra ishte vërtet interesante, një punim modern. Ishte një qasje shumë bashkëkohore për këtë fenomen. Mbi të gjitha, arsyeja pse më vlejti ky libër ishte që, duke qenë joprofesionist i letërsisë, ai më dha disa terma për ta përkufizuar ose për të folur rreth një autori, të cilin sapo e kishim botuar, Ben Blushit. Që aty i propozova idenë ta ribotonim këtë libër dhe sot, ja ku e kemi për publikun. Në Shqipëri duhet ndërhyrë në ato fusha, të cilat interesi i tregut dhe konjukturat nuk i mbajnë. Studimet letrare janë një prej tyre. Studimet albanologjike janë një prej tyre. Prandaj iniciativa jonë modeste shkon për të mbështetur kritikën letrare. Qeveria duhet t’i “lërë në mëshirën e tregut” ato degë studimi që tregu i financon vetë dhe t’i përqendrojë burimet në këto fusha, ku ka nevojë vërtet për subvencionim dhe mbështetje më të mirë dhe që nuk mund t’i bëjë askush tjetër. Në fund të fundit, letërsinë tonë shqipe nuk do ta bëjë dhe studiojë askush tjetër më mirë, përveçse ne.

LETERSI PAC FAQEN E ZEZE

Nuk ka letërsi të shkruar qoftë ajo e një vendi të madh, qoftë ajo e një vendi të vogël që, në një shkallë a një tjetër, ku me më shumë e ku me më pak sukses, të mos e ketë lëvruar zhanrin e noir-it. (Këtu lypset ndalur një grimë e të sqarojmë se termi noir i përdorur këtu përkufizon atë gjini letrare që rëndomthi te ne është quajtur letërsi e verdhë, me gjasë me një fije përçmimi, teksa gjetkë në botë mund ta hasni edhe me nofkën letërsi e krimit). Kësaj tradite letrare i përkasin edhe emrat e mëdhenj të letrave të përbotshme, A. C. Doyle, A. Christie, E. A. Poe. G. Simenon e mjaft të tjerë, të cilët ngjizën dhe sollën në jetë personazhe që sot e gjithë ditën, pas afro një shekulli, ngjajnë më të gjallë edhe se ato figura prej mishi e gjaku që frymëzuan shkrimtarët e realizmit socialist. As edhe një letërsi nuk mund të përfytyrohet pa noir-in e vet; tekefundit, përtej kënaqësisë estetike që merr e të ngjall një vepër letrare e arrirë, kjo gjë përfton edhe një dimension tjetër, atë të zhbirilimit të skutave më të errëta të shpirtit njerëzor, pra, të psikës jo thjesht e vetëm të një individi, por të krejt shoqërisë ku ai jeton.

Pasioni im për të ashtuquajturën letërsi të verdhë është i hershëm dhe shkon e zë fill qysh nga vitet e fëmijërisë, ku lidhet me bubërrimet e para në gjuhë të huaja dhe kërkimet e qëmtimet e veprave si “Kompania e Bretkosave” dhe autorëve si Alen Pinkertoni. Një aventurë më vete edhe kjo, duke qenë se shpesh bëheshim një dorë çunash e shkonim e mihnim për libra të vjetër te Fabrika e Kartonit, pas Kombinatit të Drurit “Misto Mame”. Dhe ky afsh që nuk do të shuhej, por do të gjëllonte brenda meje pa u mpakur e u reshtur, vite më pas do të më shpinte drejt Agatha Christie-t dhe sjelljes në shqip të romanit të saj “Vrasje në ekspresin e Orientit”, në vitin tanimë të largët 1989.

Si ka mundësi që në letrat shqipe, si të para luftës ashtu edhe të ditëve të sotme, nuk gjen gjurmë të zhanrit të noir-it? Nuk di të them nëse ndokush para meje e ka shtruar më parë këtë pyetje, por mund t’ju them se është një pyetje që ka gëluar tek unë prej kohësh, pyetje që erdh’e u shndërrua në obsesion kur vëzhgova e vura re që edhe në letrat e vendeve fqinje mund të gjeje prozë të gjatë ose të shkurtër që merrte e shtjellonte subjekte që ngërthenin krimin. Me këtë dua të them se noir-i (për voli do të vazhdoj të përdor termin e huazuar prej frëngjishtes, duke i mëshuar faktit që nuk kemi më të bëjmë me një dukuri letrare vetëm angloamerikane) nuk qe një klub ekskluziv anglosakson, ndonëse i themeluar prej tyre, por i hapur dhe mikpritës edhe për shkrimtarë të vendeve të tjera. Letrat shqipe janë relativisht të reja, për një periudhë të gjatë kohe kanë pasë qenë tejet të ideologjizuara – dhe këtu kam parasysh jo vetëm komunizmin, por edhe indin nacionalist të tyre – çka, për inerci, vijon edhe sot e kësaj dite, duke u orientuar më fort nga marrëdhëniet me të tjerët – miq e armiq – sesa të orientuara nga zhdrivillimet e botës shpirtërore të njeriut, veçmasi, të anëve të errëta të shpirtit njerëzor, por edhe pikëtakimet me instinktet prehistorike që gëlojnë tek gjithsecili prej nesh. E vërteta është që të ashtuquajturit serial killerlindin e kultivohen në shoqëritë industrialisht të zhvilluara, postmoderne, kësisoj nuk mund të mëtosh të hasësh të tillë në vende të prapambetura, fjala vjen si Afrika, ku arti rreh për kah temat e mëdha, duke dashur t’i frymëzojë njerëzit drejt veprave dhe akteve sublime, si liria, pavarësia, drejtësia sociale e më the e të thashë. Nda, nisur nga ky këndvështrim edhe mungesa e noir-it është një tregues; çka të jep të kuptosh se mungesa tregon një stad primitivizmi letrar, madje edhe qytetërimi, duke qenë se krimet tregojnë shkallën e qytetërimit të një populli sado paradoksale të tingëllojë kjo gjë. Ma do mendja që është mjaft kuptimplotë shembulli i vrasësit më në emër, ndoshta, të të gjitha kohërave, Jack the Butcher, mendja diabolike e të cilit ka bërë që misteri të vijojë edhe sot e kësaj dite, njeriut që ka frymëzuar dhe vijon të frymëzojë edhe sot e gjithë ditën shkrimtarë e regjisorë.

E megjithatë, pavarësisht se, duke u nisur nga përimtimet historike e sociale, jemi në gjendje e mund të përligjim mangësinë e veprave noir në letrat shqipe, ajo çka mbetet e pashpjegueshme është fakti që, me ndonjë përjashtim të vogël e të papërfillshëm, veprat dhe autorët e përbotshëm të kësaj gjinie nuk janë përkthyer ende te ne; fatkeqësisht, një Zot e di edhe për sa kohë.

Virgjil Muçi

“Ndërthurja e poetikave dhe çkodimi i realiteteve metafizike në romanin bashkëkohor – Letërsi shqipe bashkëkohore” (2015), të Arben Prendit



Për monografinë “Ndërthurja e poetikave dhe çkodimi i realiteteve metafizike në romanin bashkëkohor – Letërsi shqipe bashkëkohore” (2015), të studiuesit Arben Prendi, me të drejtë mund të thuhet se plotëson studimet e letërsisë shqipe, sepse analizon vepra që u përkasin periudhës 1990-2014, periudhë e cila pret vlerësimet dhe gjykimet e studimeve tona letrare. Në këtë studim janë trajtuar disa romancierë, si: Vath Koreshi, Fatos Kongoli, Mehmet Kraja, Ardian Kyçyku, Ridvan Dibra, Bashkim Shehu etj., një pjesë e tyre janë bërë të njohur vetëm pas viteve ’90. Më ka tërhequr metoda e analizës që autori ka ndjekur për secilin autor, duke përzgjedhur veprat kryesore e duke i analizuar në kontekstin në të cilin janë shkruar dhe më pas duke bërë analizën e tyre letrare.

Monografia është e ndarë në dy pjesë: a) Përpunimi i strukturave narrative në romanet e shkruara në periudhën e tranzicionit nga disa autorë me përvojë nga letërsia e gjysmës së dytë të shek. XX. Risitë dhe befasitë stilistike të romaneskes. Ndërthurja e elementeve realiste me ato moderne dhe postmoderne, b) Prirje të tjera eksperimentale dhe kërkimi i identitetit artistik në romanet e disa autorëve që afirmohen në fund të shek. XX dhe në fillim të shek XXI. Refuzimi i strukturave artistike të trashëguara nga romani realist dhe modern. Risitë në raport me narrativën pararendëse, përmbysje dhe modifikime.

Në pjesën e parë autori trajton gjashtë autorë, të cilët po i cek në elementet kryesore që studiuesi Arben Prendi ka analizuar te secili prej tyre.

Ismail Kadare, një autor shumë i studiuar sot në letërsinë tonë, por veprat të cilat janë bërë objekt këtu rrallë i gjejmë të analizuara nga studiues të tjerë. Në këto vepra pasqyrohet vazhdimësia stilistike e autorit, dhe tema e periudhës komuniste, përmendim romanet: “Piramida”, “Shkaba”, “Spiritus-roman me kaos, zblesë dhe çmërs”, “Lulet e ftohta të marsit”, “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut” etj. Këtyre romaneve u është bërë analizë në strukturën narrative të tyre, analizohet përmbajtja në vija të përgjithshme, studiohet ligjërimi që përdor autori, bëhet analiza e personazheve si simbole të kohës së shqiptarit të diktaturës, studiohet rrafshi simbolik i elementeve të veprës etj. Temat e romaneve janë marrë nga jeta nën regjimin komunist, veçse nuk i përkasin vetëm rrafshit kombëtar por edhe atij universal.

Autori i dytë është Vath Koreshi dhe studiuesi thekson se me disa romane, si: “Ulku dhe Uilli” dhe një grua me të verdha”, ky autor sjell diçka të re në romanin tonë bashkëkohor. Edhe këtu studiuesi është marrë me narracionin, personazhet, strukturimin kompozicional të veprës etj., ku vihen re elemente dhe veçori të romanit post-modern si, p.sh. intertekstualiteti. Ky autor vërtet sjell me të vërtetë disa risi artistike në romanet e tij.

Tek Fatos Kongoli kemi shumë vepra të analizuara hollësisht, por autori ka veçuar motive, tipare, karaktere që dalin në shumë vepra të tij si, p.sh.: tipi i antiheroit, personazhit fatkeq, të vetmuar; dhuna, marrëdhënia e njeriut në krizë, loja me titujt, loja me emrat e personazheve etj.

Tek Zija Çela, studiuesi ynë vë re elemente të ngjashme si te shkrimtari Vath Koreshi, që paraqesin veçori të realmagjikes, modernes dhe postmoderne. Romanet e këtij autori paraqiten si tekste të hapura që është një element postmodern. Studiuesi, pas analizës së romaneve, ka trajtuar në mënyrë shumë origjinale dukuritë, si: intriga, enigma, ironia, parodia, intertekstualiteti etj.

Autori Mehmet Kraja paraqet veçori të procesit, nëpër të cilat kalon romani ynë shqiptar, veçanërisht në Kosovë. Analizën e këtij autori, studiuesi ynë e ka përmbyllur me elementet post-moderne që ky autor shfaq; shprehet koha narrative e romaneve që paraqitet universale; motivet e personazheve; personazhet që janë të ngjeshur nga njëri roman tek tjetri.

Autori Kim Mehmeti, nga letërsia shqiptare në Maqedoni, njihet pak në studimet letrare, ndryshe nga romani i Mehmet Krajës. Ai dallon për shkathtësinë e koloritin e rrëfimit poetik që ndërthuret me jetën e autorit dhe të shqiptarëve që kanë jetuar periudhën e 2 Luftërave Botërore. Studiuesi pas trajtimit të subjekteve të romaneve,është ndalur në veçoritë e narracionit, metaforat, ligjërimin e përdorur etj. Autori ka meritën se ndoshta për herë të parë në këtë rrafsh sjell një studim të romaneve të këtij shkrimtari.

Në pjesën e dytë të veprës, studiuesi është marrë me një grup autorësh që afirmohen në fundin e shek. XX, pra në vitet 1990 e këtej, që paraqesin përmbysje të narrativës tradicionale shqiptare.

Autorët e kësaj pjese përshkohen kryesisht nga tipare post-moderniste. Këta autorë sjellin cilësi të reja në romanin tonë bashkëkohor dhe veçoria e tyre është përdorimi i mjeteve të reja shprehëse, që eksperimentojnë në të gjitha aspektet me romanin e tyre, dhe si përfundim romani i këtij grupi autorësh paraqitet ndryshe nga ajo që kemi parë para viteve ’90.

Kjo pjesë është hapur me shkrimtarin Ridvan Dibra, i cili në veprat e veta paraqet elemente postmodernë, si: ironia, pastishi, kolazhi, citati, enciklopedizmi, mitikja etj. Te romani “Triumfi i Gjergj Elez Alisë”shfaqet si dukuri themelore intertekstualiteti me këngën legjendare “Gjergj Elez Alia”. Veprat janë trajtuar hollësisht me subjektin, idetë, mesazhet, personazhet etj.

Autor tjetër i bërë objekt studimi është dhe autori Bashkim Shehu, edhe ky një autor pak i bërë objekt studimi, gjatë kësaj periudhe, mësojmë se në romanet e tij shpaloset raporti i njeriut me sistemet totalitare, tjetërsimi i tij; intertekstualiteti me mitet e veprat letrare dhe intermedialiteti. Personazhet e këtij shkrimtari nxjerrin në pah dramat njerëzore të shoqërisë socialiste dhe të tranzicionit.

Edhe autori Agron Tufa është trajtuar me vëmendjen e duhur në këtë studim. Janë përfshirë në këtë analizë 4 romane të tij: “Dueli”, “Tenxherja”, “Fabula rasa”, “Mërkuna e bardhë”, “Mërkuna e Zezë”, ku reflektohen traumat e individit dhe shoqërisë shqiptare të kohës. Këtu ravijëzohet dhuna e regjimit totalitar, i cili deformon natyrën e personalitetit njerëzor.

Autori Ardian Kyçyku është pak i njohur tek ne, por studiuesi A. Prendi ka trajtuar gjashtë romane të tij. E veçanta e tyre është se ato paraqesin shenja të poetikës realmagjike, moderne, e post-moderne, kemi të pranishme edhe eksperimentimin vetjak me ligjërimin dhe shumëllojshmëri të teknikave narrative. Po veçoj romanin “Sy” ku autori përfshin kolazhin e episodeve, imazheve, retrospektivave etj., natyra simbolike e personazheve, kapërcimi i imazhit të reales, gjuha “e deformuar” etj.

Shkrimtari më i ri prozator, Ben Blushi është i fundit në këtë studim. Tek ky autor kemi ndërthurjen e të dhënave historike me fantazinë dhe trillimin. Studiuesi trajton triptikun e famshëm romanesk të tij: “Të jetosh në ishull” – Otello, Arapi i Vlorës”- “Shqipëria”. Po ashtu, ai shfaq edhe mjaft elemente postmoderne të veprës, si: rishikimi ironik i së kaluarës, natyra eseistike e veprës etj.

Ky studim i hollësishëm e shumë i vlefshëm për romanin tonë bashkëkohor duket se ka pasur për objekt përveç të tjerash të përvetojë veçoritë e ligjërimit artistik të këtyre autorëve, si dhe të tematikave bazë të këtyre veprave. Sipas studiuesit A. Prendi, në veprat e bëra objekt ndjehet prania e elementëve të romanit europian bashkëkohor; kemi ndërthur jetë alegorisë, simbolit, metaforës etj., intertekstualitetit e madje disa edhe ndërmjet intermedialitetit. Tematika e romaneve është e larmishme, por mbizotëron jeta e individit nën periudhën e diktaturës; kemi po ashtu fragmentarizimin dhe eksperimentimin me personazhet letrare.

Të gjitha këto që arritëm të vëmë në dukje e bëjnë veprën e dytë studimore të A. Prendit mjaft të vyer në kërkimet tona letrare.

Donatela Guri
Studente e Masterit Shkencor në Gjuhësi e Sotme

WIKI WIKI


Tema e monumenteve që i ngrenë vetes shqiptarët në Internet, të cilën e preku Parrulla, nuk ka të bëjë vetëm me aspektin etik të mënyrës si e shohim ne veten si komunitet. Në raste të caktuara, informacioni i gënjeshtërt ose shtrembëruar që afishohet online mund të çojë dhe ndoshta ka çuar në dizinformim total të kureshtarëve, ose të gjithë atyre që nuk e shohin me syrin e nevojshëm kritik informacionin që marrin nga Interneti.
Rreziku vjen duke u shtuar me përhapjen e Internetit në trevat e shqiptarëve në Ballkan, ku shkollat gjithnjë e më tepër do t’i nxitin nxënësit e studentët t’i zëvendësojnë bibliotekat, librat e revistat shkencore me materiale të gatshme për përdorim gratis online.
Këtu dua vetëm të tërheq vëmëndjen për gjendjen e mjerueshme të faqeve shqip të enciklopedisë Wikipedia, e cila me të shpejtë po shndërrohet në instrumentin kryesor të referencës për të gjithë përdoruesit e informacionit në botën virtuale. Për nga natyra e vet, Wikipedia është e hapur ndaj përdoruesve dhe i përjashton hierarkitë akademike ose orvatjet për kontroll dhe manipulim të informacionit; mirëpo kjo presupozon edhe një shkallë të vetëdijes qytetare e cila ne, shqiptarëve, po na mungon.
Tema e Wikipedias në shqip është e gjerë e nuk mund të ezaurohet me një trajtim si ky i tanishmi; nga ana tjetër, mjafton një kupë verë për të marrë vesh se ç’ka në fuçi. Prandaj, i ngacmuar edhe nga disa fakte skandaloze që përmendi Parrulla në komentin e vet, shkova t’u hedh një sy xhevahireve të fundit të shqiptarisë të lëshuar zinxhirësh.
Që në fillim vërej se Wikipedia shqip kërkon kandidatura për burokrat, duke specifikuar:
Të nderuar editues dhe pjesmarrës më aktivë e më pak aktivë të Wikipedia-s në gjuhën shqipe meqë zgjedhja e Burokratit të ardhshëm është shumë e rëndësishme dhe jetësore për Wikipedia-n paraqisni medimet tuaja rreth kushteve të cilat duhet të plotësojë një burokrat për të marr pozitën e një Burokrati.
Meqë kandidaturat për burokrat nuk më interesojnë, shkoj të shfletoj disa nga kategoritë nëfaqen hyrëse të shqipes.
Më tërheq vëmendjen kategoria e shoqërisë civile, ku lexoj:
Shoqëria civile është shume aktive kohet e fundit ne Shqiperi. Shoqeria civile shqiptare synon shkatrrimin e korrupsionit dhe permirsimin e nivelit te jeteses te popullsise se shqiperise.
Jua lë lexuesve të gjykojnë se çfarë idiotizmi përmblidhet në këto pak rreshta; por dua vetëm të shtoj se autori, përveçse nuk e ka idenë se për çfarë po flet, nuk di as të shkruajë shqipen, çka është mangësi serioze për këdo që vihet të hartojë faqe të enciklopedisë Wiki në shqipe. E vetmja gjë që mund t’i admirohet këtij enciklopedisti është guximi i çartur.
Kaloj pastaj te Antropologjia, për të lexuar:
Antropologjia apo mësimet mbi njeriun, mbi zhvillimin e vetive trupore dhe shpirtërorë të tij, bëhen në disa fusha si p.sh Atropologjia biologjike ara së gjithashë merret me shoqëritë fisnore, këndëvështrimi gjeografikë i llojeve të njeriut të sotëshëm, (Rasat e njeriut) si dhe zhvilliet individuale të njerut së bashku me zhvillimet trupore të njeriut. Me studimeve si të qenies njerëzore, pozicionimit të tij si i veçantë në kosmos, sjellja e tij ndaj rrethit dhe natyra e dyfisht krijuese dhe trupore bëhen nga fusha e Anatomisë filozofike.
Unë nuk mund ta di se çfarë kërpudhash meksikane ka tymosur autori, teksa e hartonte zërin e mësipërm të enciklopedisë; por ia qaj hallin studentit të shkretë shqiptar, që nesër do të përpiqet të mësojë diçka nga ky fragment monumental i erudicionit shqiptar, për të arritur në përfundimin se kot u ka hyrë studimeve, dhe se do të kish bërë mirë t’i përkushtohej bagëtisë së imët ose opingarisë profesioniste.
Kaloj pastaj te një listë shkrimtarësh shqiptarë, ku gjej ndër të tjera artikuj për këta udhërrëfyes të mendjeve e të zemrave të shqiptarëve anembanë botës: Abdulaziz Islami, Arben Orhani, Çerçiz Topulli, Dushko Vetmo, Eliott-Hasan Moglica, Fadil Bekteshi, Fejzi Bojku, Fejzullah Fejzullahu, Flori Bruqi ,Iljaz Prokshi Jeton KelmendiKristaq Turtulli ,
Më duket vetja sikur kam hyrë në një univers paralel, e për më tepër pa leje.
Bëhem edhe unë pastaj guximtar si autorët e Wiki-t, dhe hap një nyje, të parën ku më shkon mouse-i, dhe pikërisht të autorit Shpendi Sollaku Noé, ku lexoj me një frymë këtë karakterizim nga “personaliteti i njohur italian” Stelvio Mestrovich:
Shpendi sollaku Noé është një shkrimtar i madh që ka pasur si qëllim daljen e poezisë nga akademitë, nga aristokracitë letrare, nga ambientet mondane. Poet nga nevoja, gazetar për domosdoshmëri historike, profesor e njeri i letrave rritur në underground, ku ka studiuar libra të ndaluara nga regjimi, politikan i lindur, martir i lirisë të shtypur. I paisur me një përgatitje solide kulturale, letrare, filologjike e muzikale, po aq sa edhe shkencore në sensin enciklopedik, poliglot, karaktert i guximshëm, kurioz nga instikti, inteligjenzë akute, mendje shumë të kujdesshme për të ardhmen qoftë letrare, filosofike o qoftë politiko-sociale, Shpendi Sollaku Noé është personalitet shumë kompleks dhe është i paisur me një ngarkesë të ngjeshur humane.
Më tepër nuk thua dot as për Milan Kunderën, edhe të duash. Përkundrazi, faqja që i kushtohet shkrimtarit tjetër Dritero Agolli, edhe ai poet nga nevoja, duket e kopjuar shpejt e lehtë nga ndonjë manual i lashtë i letërsisë së realizmit socialist për shkollat e mesme bujqësore me korrespondencë:
Për nga gjinitë, krijimtaria e Dritero Agollit është e larmishme. Në vjershat dhe poemat e Dritero Agollit gjejnë shprehje mendimet dhe ndjenjat e njeriut të ri, patriotizmi dhe besnikëria ndaj idealeve revolucionare, cilësitë e tij morale në jetë dhe në punë (Devon, Devoll. Poemë malore. Hapat e mia në asfalt etj.).


Vepra e tij poetike më e shquar është Nënë Shqipëri (1975), ku krijohet figura e Atdheut me traditat heroike, me vështirësitë e shumta që ndeshi në rrugën e vet dhe me vendosmërinë për të përballuar çdo pengesë e armik.


Në poemën “Baballarët” theksohet rëndësia e veçantë e vijimësisë së traditave revolucionare në jetën e shoqërisë. Në një sërë vjershash dhe poemash Dritero Agolli pasqyron frymën heroike të periudhës së Luftës ANÇ (Poema e udhës, Poemë për babanë dhe për vete etj.).
Më kot kërkoj, në këtë listë, të dhëna për autorë shqiptarë që i kanë dhënë tonin kulturës gjatë këtyre 15 vjetëve të fundit: Pëllumb Kulla, Aurel Plasari, Fatos Lubonja, Zef Pllumi, Pjetër Arbnori, Kiço Blushi… ose edhe ndonjë më të vjetër e të mirënjohur, si Gavril Dara (i riu), Jani Vreto, Ndoc Nikaj, Foqion Postoli, Lasgush Poradeci, Anton Harapi, Vincenc Prenushi, Ali Asllani, Arshi Pipa e kështu me radhë deri te Sterjo Spasse, Shefqet Musaraj, Kapllan Resuli, Fadil Paçrami, Kol Jakova, Anton Pashku, Elena Kadare, Ruzhdi Pulaha, Naum Prifti (me gjithë 11.100 referencat në Google) Miço Kallamata, Gjergj Zheji, Ali Abdihoxha… Shkronja Q ka Qerim Arifin, por jo Qamil Buxhelin; shkronja S ka Skënder Mustafin, por jo Sabri Godon as Spiro Çomorën; ndërsa shkrimtarët shqiptarë që u fillon emri me G (Gani, Guri, Gori, Gavrosh, Galip, Gafurr, Gogo, Gugash, Gavril, Gerta, Grigor, Gramoz, Gonxhe, Gojart, Gazmend, Gëzim, Gent) janë të dënuar të mbeten jashtë liste, pasi kjo rubrikë mungon krejt. Gjysma e faqes kushtuar Gjergj Fishtës merret me çështjen krejt anësore të letrave që ky autor i paska shkruar Mussolini-t, thuase është fjala për ta pranuar apo jo poetin e madh geg në ndonjë celulë të Partisë Komuniste. Letërsia arbëreshe, nga ana e vet, është e përfaqësuar deri edhe nga Dushko Vetmo, por Françesk Anton Santorin nuk e shoh të përmendur gjëkundi… Sa më shumë lexoj, aq më shumë turpërohem!
Përkundrazi, Wiki shqip u hap vend shkrimtarëve më të rinj, si Besnik Mustafaj, për të cilin lexojmë:
Më 1991 i ofrohet nga Fatos Nano posti i ministrit të kulturës qe ai refuzon. Më 1992 i ofrohet posti i ministrit të punëve të jashtme që ai gjithashtu refuzon, por pranon postin e Ambasadorit të Shqipërisë në Francë (nga 1992 deri në 1997). Si ambasador ai arriti firmosjen e traktatit të miqësisë midis Francës dhe Shqipërisë, traktati i parë miqësie i Shqipërisë me një vend perendimor që nga paktet e Tiranës të viteve 1930. Ai gjithashtu qe negociatori i hyrjes së Shqipërisë në Këshillin e Evropës. Më 1997 ai jep dorëheqjen pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste dhe rikthehet në Shqipëri, ku ai do të pranoj postin e drejtorit për marrëdheniet me jashtë të Partisë Demokratike.
Pikërisht të dhëna që i hyjnë në punë kujtdo që dëshiron të mësojë diçka për Besnik Mustafajn shkrimtar (pa përmendur sa ironike tingëllon kjo rezyme rutinash politike, në një kohë që Mustafaj gjithnjë kujdesej të precizonte se e vinte letërsinë mbi politikën)!
Ndërsa për një tjetër autor të ri, Ervin Hatibin, lexojmë:
Ervin Hatibi […] është një nga poetët e brezit te ri, ose më mirë i brezit rinor të fundkomunizmit. Ismail Kadare ka thene se Hatibi është vazhdimesia dhe e ardhmja e poezise moderne shqiptare, pra nje talent qe e ka treguar veten qe kur ishte vec 15 vjec. Ervin Hatibi ka shkruar shume poezi te “modeleve” te ndyshme, pra mund te gjejme nje potpuri stilesh ne poezine e tij. Dallohet për origjinalitet dhe perdorjen e mrekullueshme te gjuhes shqipe. Poezia e dhene me lart është shkruar nga Hatibi për grupin e muzikes se lehte Ritfolk, te cilet e kane kthyer ate ne kenget e tyre me te preferuara nga publiku shqiptar. Pothuaj gjitha tekstet e kengeve te Ritfolk kane dale nga pena e Ervin Hatibit. Ketu do gjeni nje poezi me tone moderne te ketij poeti te ri. (cit. Alban Tartari)
Çdo gjë e thënë qartë e pastër, vetëm se, natyrisht, nuk ka asnjë poezi “të dhënë më lart”, dhe kush e ka kopjuar tekstin paturpësisht, nuk ka marrë as mundimin ta redaktojë sado pak (nuk di si ka reaguar ndaj kësaj Alban Tartari).
Nuk vazhdoj dot më, por lexuesit që kanë kohë për të vrarë, mund t’i eksplorojnë vetë ligatinat e Wiki-t shqip, për të marrë kontakt të drejtpëdrejtë me inkompetencën tonë si komunitet në fushë të dijes; ose me apoteozën e llucës në kulturën shqiptare. Edhe liri, edhe demokraci, tha; tamam si e kishim ëndërruar.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...